Shqipëria në krizë të thellë demokratike

parlamenti RamaPërpjekjet e bëra nga Gjermania për afrim mes pozitës e opozitës shqiptare deri tani kanë qenë të pasuksesshme. Socialistët nuk lëvizin nga vendimi i tyre për të shkuar në zgjedhje, ndërkohë kriza në vend po thellohet.

Më 30 qershor në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhje lokale. Trazirat janë të sigurta. Një ide të parë për atë çka mund të ndodhë në ditën e zgjedhjeve lokale, e pamë në ditët e shkuara, kur militantë të opozitës në Shkodër e Tropojë dhe gjetkë u përpoqën të asgjësojnë materialet zgjedhore dhe t’i vënë zjarrin lokaleve të votimeve. Opozita e ndjen veten te legjitimuar për sabotazhe te tilla që më 10 qershor, kur Presidenti Ilir Meta anuloi datën e zgjedhjeve, i shqetësuar nga trazirat e paralajmëruara.  Partia Socialiste reagoi me procedurën për shkarkimin e presidentit.

Kriza politike

Qe prej shkurtit Partia Socialiste sundon thuajse e vetme ne Parlamentin e Shqipërisë, hiq ata pak  deputetë opozitarë, me pozitë shumë të dobët në Kuvend, që nuk iu përgjigjën thirrjes së partisë së tyre për të dorëzuar ose mos pranuar mandatet. Dy grupimet kryesore të opozitës, aleanca përreth Partisë Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e zgjodhën këtë hap radikal pasi në media u botuan audio-përgjime që dëshmonin për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, në të cilat socialistët fituan shumicën absolute, me anë të blerjes së votave me ndihmën e Krimit të Organizuar, sipas tyre.

Në një intervistë me Deutsche Wellen Lulzim Basha  u shpreh se e shikonte zgjidhjen e situatës aktuale vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të reja të parakohshme. Më pas dolën përgjime të reja që janë tregues për një sistematikë të mundshme në blerjen e votës – kësaj radhe të botuara në faqet online të gazetës bulaverdeske gjermane, Bild. Kryeministri dhe shefi i socialisteve Rama i hedh poshtë akuzat dhe kërcënon me paditje  gazetarin e Bild-it, Peter Tiede, i cili nga opozita dhe shumë shqiptarë konsiderohet tashmë hero.

Që audio-përgjimet janë të vërteta, këtë nuk e vë askush në dyshim në Shqipëri. Sepse ato vijnë nga prokuroria, e cila fillimisht i mbajti të mbyllura për gati dy vjet dhe vetëm pas presionit të shkaktuar nga publikimet nisi t’i trajtonte. Siç bëri të ditur për Deutsche Wellen të martën, Prokuroria e Përgjithshme  nuk ka ngritur ende padi për krimin elektoral, por sipas saj „hetimi vazhdon intensivisht dhe me dinamikë“.

Reformë apo krizë gjyqësori?

Zvarritja e trajtimit të çështjeve gjyqësore është ndërkohë një problem i të gjithë sistemit të drejtësisë shqiptare. Atë nuk e vuan vetëm prokuroria. Edhe Gjykata Kushtetuese, që do të duhej të ishte instanca, ku do të zgjidhej konflikti aktual mes parlamentit dhe opozitës, nuk funksionon. Shkak për këtë është procesi i Vettingut, i cili synon të kontrollojë përshtatshmërinë e gjykatësve dhe prokurorëve mbi bazën e kualifikimeve të tyre profesionale, pasurisë dhe integritetit etiko-profesional dhe që i ka bërë shumë gjyqtarë dhe prokurorë që të lëshojnë karriget ende pa filluar procesi i testimit. Të tjerë nuk e kaluan dot provimin e fortë të Komisionit të mbikqyrur nga BE-ja dhe u skualifikuan.

Në këto institucione dosjet po bëhen pirg. Për Jordan Dacin, drejtues i Qendrës Shqiptare „Rule of Law“, problemi kryesor i reformës së drejtësisë është mungesa e një mekanizmi efikas për të zëvendësuar ata gjykatës dhe prokurorë që dalin nga sistemi për shkak të Vetingut. Paralizimi i gjyqësorit bën që çdo vit të shtohen nga 30 përqind dosje të reja që mbeten të patrajtuara për shkak të mungesës së stafit adekuat, vëren Daci në një intervistë me DW. Vetëm në Gjykatën e Lartë numri i dosjeve të patrajtuara është mbi 31 000, thotë ai.

Për bllokimin e drejtësisë në vend qeveria dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën. Ndërsa opozita e akuzon qeverinë se po e përdor bllokadën e gjyqësorit për të asgjësuar përfundimisht partitë e opozitës  për të instaluar një regjim autokratik, partia qeverisëse e akuzon opozitën se po  e përdor bojkotimin e zgjedhjeve si alibi për të penguar ngritjen e gjyqësorit të pavarur, prej të cilës të parët që do të dënoheshin do të ishin vetë krerët e opozitës. Prokuroria shqiptare është duke bërë hetime aktualisht kundër kreut të opozitës me akuzën për larjen e parave dhe fallsifikimin e dokumentave. Për Bashën kjo nuk është gjë tjetër, veçse një inskenim politik i sajuar nga kryeministri Rama për ta  shantazhuar politikisht.

Përpjekje të pasuksesshme për ndërmjetësim

Në vjeshtë parlamenti gjerman do të duhet të japë dritë të gjelbër për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, shumica e deputetëve në parlamentin gjerman janë mëse të qartë për një „po“ në lidhje me Shqipërinë ata kanë ende rezerva.

Sidomos deputetët e grupit parlamentar CDU/CSU ngurrojnë t’i hapin Shqipërisë këtë derëzë  kaq të rëndësishme drejt BE-së. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar, Johann David Wadephul, dëshiron së paku që të kapërcehet kriza aktuale, dhe gjykon se mbajtja e zgjedhjeve lokale pa partinë më të madhe opozitare është problematike për demokracinë. Sepse gjysma e kandidatëve për kryetarë bashkie kandidojnë pa rivalë. Deri në ditët e fundit, Wadephul u përpoq të ndërmjetësonte mes partisë së mazhorancës dhe asaj opozitës, në mënyrë që së paku të shmangte përplasjen gjatë zgjedhjeve. Por deri tani pa sukses.

Partia Socialiste nuk e pranon kurrsesi shtyrjen e datës së zgjedhjeve, thuhet nga kreu i saj. Ndër të tjera, socialistët nuk duan të krijojnë një rast precedent për shtyrjen e zgjedhjeve nëpërmjet kërcënimit me bojkotim. Veç kësaj, mazhoranca e akuzon opozitën se nuk mori pjesë në zgjedhje vetëm ngaqë ishte e papërgatitur dhe llogariste se do të dilte e humbur. Edhe deputeti gjerman nga Të Gjelbrit, Manuel Sarrazin, një ndër raportuesit e Shqipërisë në Bundestag, mendon se bojkoti i opozitës është i papërligjur. Ai thotë se këtu po bëhet thjesht një luftë  për pushtet mes Ramës dhe Bashës. Por sipas Sarrazinit, kjo luftë është shumë e pafavorshme për Shqipërinë duke pasur parasysh vendimin e vjeshtës në Bundestag.  Por Sarrazin shton se, sido që të përfundojë kjo betejë, Shqipëria do ta marrë votën si nga grupi parlamentar i tij, ashtu edhe ai socialdemokrat.

dw

Tiranë: Përgjimet e publikuara nga gazeta Bild dhe reagimet e analistëve

AnalistPërgjimet e fundit te publikuara nga gazeta gjermane “Bild” vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së opinionit qytetar si dhe studiuesve të çështjeve politike.

Në to dëgjohen politikanë socialistë dhe ish-ministra të qeverisë Rama, që bisedojnë me policë, biznesmenë dhe persona të dyshuar në veprimtari të paligjshme në Dibër për maksimalizim rezultatesh zgjedhore përmes presioneve dhe blerjes së votave.

Në përgjimet e publikuara nga gazeta Bild dëgjohen disa metoda të blerjes së votave në favor të PS-së, mbledhjes së kartave të identitetit dhe presioneve që u bëhen qytetarëve për të votuar familjarish pro PS-së.

Analistët mendojnë se papergjegjësia që shihet në ato telefonata gjatë procesit zgjedhor dhe shkeljet ligjore në to tregojnë papërgjegjësinë dhe shkeljet ligjore që keto zyrtare kryejnë gjatë ushtrimit të pushtetit.

Studiuesi Endrit Shabani, pjestar i Nismës “Thurrje”, thotë se “korrupsioni dhe paligjshmëritë e politikanëve janë bërë sa të shumta aq edhe të paprekshme”.

Ai shton se shoqëria dhe ligjet shqiptare nuk kanë ende mekanizma për largimin e politikanëve të tillë nga strukturat shtetërore.

Analistët besojnë se institucionet e drejtësisë duhet së paku të kishin vënë në lëvizje hetimin dhe ndëshkimin e këtyre individëve para se atyre t’u kërkoheshin gjeste morale si dorëheqjet apo largimet.

Afrim Krasniqi, drejtues I institutit të Studimeve Politike, thotë se manipulimi I zgjedhjeve dhe marrja e votave me presione dhe para janë shenja të degradimit të thellë të partive politike shqiptare.

“Këto parti i kanë nëpër statute, por nuk i zbatojnë pikat për shkarkimin e politikanëve të tyre kur përzihen në korrupsion dhe shkelje ligjore” – tha zoti Krasniqi.

Përgjimet janë shumë serioze, pohojnë vëzhgues të jetës politike, por akoma më i rëndë është përdorimi formave mafioze të goditjeve politike, ndërsa qytetarët janë krejt të pambrojtur përballë kësaj klase politike të kriminalizuar në gjithë spektrin e vet.

10 përgjimet e publikuara mbrëmjen e të mërkurës e ngrejnë në 32 numrin e telefonatave të zbardhura deri tani nga BILD, pas 6 telefonatave krerëve socialistë në Durrës me persona të dyshuar në veprimtari kriminale për blerje votash dhe kërcënim të votuesve, dhe 16 të tjerave të ngjashme po në zonën e Dibrës disa ditë më parë, pjesë e dosjes hetimore 184/2016 për manipulimin e zgjedhjet vendore të parakoshme, të shtatorit 2016 në atë qytet.

Kryeministri Edi Rama tha se do t’u kërkonte gjykatave gjermane të hedhin dritë mbi përgjimet që po publikon gazeta “Bild”.

Ndërsa opozita ka ftuar qytetarët për një tjetër tubim proteste nesër në mbrëmje para selisë së qeverisë, për të kërkuar dorëheqjen e tij dhe zgjedhje të parakohshme nga një qeveri tranzitore.

voa

Trafiku njerëzor, DASH: Shqipëria dhe Kosova ende në nivel të dytë

Raporti trafiku i njerezveNjë raport vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit për trafikun e qënieve njerëzore i publikuar të enjten, e klasifikon përsëri Shqipërinë si vend të nivelit të dytë, duke thënë se Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për këtë qëllim.

Qeveria, thuhet në raport, përgjithësisht demonstroi përpjekje në rritje në krahasim me periudhën e mëparshme, por në disa aspekte kyçe nuk përmbushi standardet minimale.

Në raport thuhet se trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Shqipëri, si dhe viktimat nga Shqipëria jashtë vendit. Gra dhe fëmijë shqiptarë janë objekt i trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Sipas raportit, qeveria shqiptare vazhdoi të hetojë, të ndjekë penalisht dhe të kërkojë ngritje akuzash për më pak raste, duke çuar në nivelin më të ulët të veprimeve ligjzbatuese në katër vite.

Megjithatë, raporti thotë se qeveria shtoi përpjekjet për të parandaluar trafikimin, duke miratuar planin kombëtar të veprimit për periudhën 2018-2020.

Trafikantët përdorin premtime të rreme si martesa ose oferta për punësim për t’i joshur viktimat për trafik seksual. Fëmijët zakonisht detyrohen të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar, të tilla si shitja e artikujve të vegjël.

KOSOVA

Në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit Qeveria e Kosovës kritikohet për rezultate të mangëta.

Megjithatë, DASH vlerëson përpjekjet e Kosovës për të ndryshuar gjendjen, duke rishikuar klasifikimin e rasteve të trafikimit në kodin penal.

Sidoqoftë, në dokument thuhet se qeveria nuk ka përmbushur as standardet minimale në disa pika tjera, prandaj edhe radhitet në nivelin 2, sipas klasifikimit të Departamentit.

Vërejtjet kryesore në raport janë dënimi i një numri të vogël trafikantësh dhe identifikimi i pak viktimave.

Kritikë tjetër është dënimi i pamjaftueshëm i trafikantëve nga organet e drejtësisë.

Qeveria e Kosovës u kritikua edhe për uljen e fondeve për organizatat joqeveritare, duke i lënë ato të varura nga donacionet ndërkombëtare.

Vitin e kaluar autoritetet e sigurisë së Kosovës kanë bërë 12 kallxime penale që është gati gjysma e kallzimeve të bëra në vitin 2017, thuhet në raport.

Viktimat e trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë shfrytëzohen seksualisht dhe shumica janë vajza, banore të Kosovës ose të sjella me forcë nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia e vende tjera.

Shfrytëzimi i tyre bëhet nëpër shtëpi private, apartamente, klube nate dhe qendra masazhi.

Raporti përmend edhe rastet kur fëmijë nga Kosova dhe vende të tjera fqinje largohen me forcë nga vendi i tyre, duke i detyruar për prostitucion dhe punë të detyrueshme në vende të ndryshme të Evropës.

Viktima të trafikimit janë edhe pjesëtarët e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të cilët detyrohen të kërkojnë lëmoshë dhe shpesh bëhen pre e trafikimit seksual.

Problemet me korrupsionin në qeveri krijojnë një mjedis që mundëson krimin, thuhet në raport.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, rekomandon që të hetohen më fort rastet e trafikimit dhe dënimet ndaj kësaj kategorie të jenë më të ashpra, qeveria të japë më shumë fonde për OJQ-të, të organizohen trajnime profesionale për prokurorë e gjyqtarë dhe të shtohet bashkëpunimi me autoritetet lokale për mbrojtje të viktimave.

Replika mes Malit të Zi dhe Serbisë për shkak të Kishës Ortodokse Serbe

PodgoricaAmbasadori i Serbisë në Podgoricë, Zoran Bingulac, u ftua të enjten në një takim urgjent në ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, për shkak të asaj që është cilësuar si gjuhë ofenduese e zyrtarëve serbë lidhur me projektligjin për liritë fetare në vendin e vogël buzë Adriatikut.

Projektligji parasheh hartimin e një regjistri të të gjitha objekteve fetare dhe zonave që dikur ishin pronë e Mbretërisë së Pavarur të Malit të Zi, para se të bëhej pjesë e Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, (që më vonë u shndërrua në Jugosllavi) që dominohej nga serbët në vitin 1918. Mbreti i atëhershëm Aleksandër Karaxhorxheviç, më 1919 e zhbëri kishën malazeze dhe krejt pasuria e saj i kaloi Kishës Ortodokse Serbe.

Sipas projektligjit, bashkësitë fetare duhet të ofrojnë dëshmi mbi të drejtat pronësore.

Kisha Ortodokse Serbe akuzon qeverinë e Malit të Zi se po planifikon konfiskimin e pronave të saj. Megjithëse qeveria e mohon një gjë të tillë, reagimet ndaj projektligjit ishin të ashpra nga shefi i Kishës serbe por edhe zyrtarët e Serbisë.

Ambasadori serb u thirr pas komenteve të ministrit serb të Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik, Nenad Popoviç, i cili tha se miratimi i një projektligjit të tillë, është një akt armiqësor ndaj popullit serb dhe shtetit të Serbisë.

“Mali i Zi është një shtet i vjetër serb, i krijuar nga (dinastia) Nemanjiqët dhe Shën Sava. Presidenti Milo Gjukanoviç dhe regjimi i tij kriminal po ia marrin Serbisë atë që është më e ndritshme – historinë, emrin dhe mbiemrin e saj”- tha ministri serb Popoviç.

Sekretari shtetëror i Malit të Zi, Zoran Jankoviç, shfaqi shpresën se Beogradi zyrtar do të distancohet nga deklaratat e tilla.

“Kualifikimet e rënda në llogari të presidentit Milo Gjukanoviç janë të papranueshme dhe nuk janë në përputhje me marrëdhëniet e mira fqinjësore si dhe nuk kontribuojnë në bashkëpunimin e përgjithshëm të të dy vendeve”- tha Jankoviç.

Marrëdhëniet e Kishës Ortodokse Serbe me qeverinë pro-perëndimore të Malit të Zi, vazhdimisht ishin të përkeqësuara. Derisa Kisha e akuzon qeverinë se synon shkëputjen e vendit nga trashëgimia serbe, qeveria vlerëson se Kisha serbe është armiqësore ndaj pavarësisë së Malit të Zi.

Para pak ditësh, presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, akuzoi Kishën Ortodokse Serbe (KOS) se po përpiqet ta ruajë infrastrukturën e Serbisë së madhe në Mal të Zi, ndërsa ka theksuar se do ta ripërtërijë Kishën Ortodokse të Malit të Zi.

Për shumë politikanë dhe analistë malazez, definimi përfundimtar dhe rrumbullakimi i shtetësisë dhe qenies kombëtare, është kisha autoqefale malazeze dhe se pavarësia e saj, thonë ata, do t’u jepte fund veprimtarive shkatërruese të Kishës Ortodokse Serbe.

Qeveria e Malit të Zi ua ka ndaluar qëndrimin në këtë vend 30 priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe.

Më 1 korrik fillon masa për kthimin e 15 përqind të TVSH-së tek qytetarët

denarSistemi sipas të cilit parashihet kthimi i 15 përqind të TVSH-së tek qytetarët për prodhimet që kanë 18 përqind të tatimit të vlerës së shtuar është vendosur dhe do të fillojë të zbatohet më 1 korrik. Gjithashtu është përgatitur edhe aplikacioni.

Kryeministri Zoran Zaev, ministri i Financave Dragan Tevdovski dhe drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhura Publike (DAP) Sanja Llukarevska, sot e paralajmëruan këtë masë, ndërsa thanë se pagesa e parë do të bëhet në muajin dhjetor. Një familje katëranëtarëshe nuk do të mund të kthejë më shumë se 28.800 denarë, gjegjësisht më të pasurit do të kufizohen, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Tevdovski tha se llogaritë fiskale duhet të skenohen me telefon celular më së voni deri dhjetë ditë nga dhënia e llogarisë. Llogaria fiskale e cila do të skenohet me aplikacion nga telefoni celular nuk mund të jetë më e madhe se 30 mijë denarë.

Ndërsa Llukarevska tha se sistemi është përgatitur dhe se aplikacioni do të jetë i thjeshtë dhe i lehtë për përdorim.

Kjo reformë parasheh që nga 1 korriku, çdo qytetarë që ka mbi 15 vjet dhe letër njoftim të vlefshëm do të ketë mundësi për kthim të TVSH-së. Duhet vetëm të posedojë xhirollogari dhe të jetë i regjistruar në sistemin e-tatime. Sipas kësaj mase, çdo familje do të mund të marrë maksimum 500 euro në muaj.

Një familje mesatare në Maqedoni e cila harxhon rreth 530 euro, qa sa është kufiri social shpenzues, do të mund të kthejë vetëm 172 euro./Telegrafi/

Dilema në Prishtinë e Beograd për takimin e 1 Korrikut në Paris

Samiti ParisSamiti i Berlinit, 29 Prill 2019

Prishtina zyrtare thotë se është e përgatitur për takimin e Parisit, por, nuk do ta heqë taksën ndaj produkteve serbe. Kurse presidenti Vuçiq hedh dyshime madje edhe në mbajtjen e takimit të Parisit për shkak të taksës.

Kosova po bën përgatitjet e duhura për takimin e Parisit që mbahet më 1 korrik, si vazhdimësi e Samitit të Berlinit dhe ku temë e vetme kësaj radhe do të jetë dialogu Kosovë-Serbi, një përpjekje për të arritur një marrëveshje ndërmjet dy vendeve. Ndonëse akoma nuk ka një draft të shkruar për një marrëveshje eventuale, edhe në Prishtinë edhe në Beograd janë skeptikë, nëse takimi i Parisit mund të rezultojë me ndonjë marrëveshje, për shkak se palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta.

Në takimin e Parisit më 1 korrik, nikoqirë të të cilit janë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e shtetit të Serbisë, ndërsa nga pala kosovare tashmë e konfirmuar, se do të marrin pjesë Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, si edhe dy bashkudhëheqësit e ekipit negociator për dialogun, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Rezultatet në Paris me pikëypetje?

Mediet në Prishtinë dhe Beograd shkruajnë se ka mëdyshje për rezultatet e takimit të Parisit, pasi Kosova nuk po e heq taksën ndaj prodhimeve të Serbisë, kërkesë kjo e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar. Serbia nuk po pranon të rinisë dialogun me Prishtinën pa u hequr taksa. Mirëpo, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, siguron se askush nuk do ta drejtojë gishtin nga Kosova për ndonjë dështim të mundshëm eventual të takimit të Parisit.

“Sa i përket Samitit të Parisit, besoj se është një punë shumë palëshe. Por, ju siguroj që askush s’mund ta drejtojë gishtin nga Kosova, pra Kosova është treguar palë serioze në përgatitjet e veta, pikërisht sa i përket Samitit të Parisit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Nga ana tjetër, ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hedhur dyshime nëse takimi i Parisit do të mbahet. Ai ka përmendur sërish taksën ndaj produkteve të Serbisë të vendosur nga qeveria e Kosovës, si pengesë për vazhdimin e dialogut.

“Në qoftë se do të ketë takim në Paris, do të jemi në situatë të rëndë. Por, nëse nuk do të ketë takim në Paris, do të jetë edhe më e rëndë ose të shprehem me gjuhën e popullit, do të jemi në një baltë shumë më të madhe, ne dhe i gjithë rajoni”, ka thënë Aleksandër Vuçiq, citon mediumi në Serbi N1. Sipas tij, “Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog konstruktiv”, por siç thotë Vuciq, “Serbia nuk do të heqë dorë nga parimet e veta”.

Qëndrimet mbeten të pandryshuara

Njohësit e zhvillimeve në rajon, ndërkaq,  janë shumë skeptikë për një rezultat pozitiv nga takimi i Parisit sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Blerim Burjani, analist i tha DW-së, se pozicionet e palëve deri tash nuk kanë ndryshuar, janë të njejta dhe rrjedhimisht në këtë situatë, procesi është në vendnumëro. “Nuk ka ndonjë zhvillim shumë pozitiv paraprakisht. Palët nuk kanë levizur nga qëndrimet e tyre të kundërta dhe nuk ka ndonjë sinjal se gjërat po shkojnë ka ndonjë  përafrim. Një dokument strategjik do të ishte mirë të ofrohet apo është dasht shumë më herët të ju ofrohet palëve nga ndërmjetësusi  dhe pastaj me e dikutue këtë dokument kornizë. Për mendimin tim do të duhej të ishte dokument teknik për kufirin”,  thotë Blerim Burjani.

Analisti Burjani, thotë se palët, Kosova dhe Serbia nuk duhet të humbin rastin për një marrrëveshje të mundshme, për faktin që ndërmjetësues janë dy shtetet më të fuqishme evropiane, Gjermania dhe Franca. “Bisedime të gjera politike nuk mund të ketë më, por vetëm biseda teknike për njohje reciproke. Nuk pres shumë nga ky Samit, por palët nuk duhet ta humbin rastin që iu ofrohet tash, megjithëse Gjermania dhe Franca deri më tash nuk kanë bërë me dije se ka një draft marrëveshje teknike për zgjidhje, së paku nuk ka një dokument publik”, thotë Blerim Burjani.

Një analist tjetër politik Artan Muhaxhiri, thotë se qëndrimi i palës kosovare për ta mbajtur taksën në fuqi edhe përkundër kërkesës së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë për heqjen e saj, mund të vërë në pikëpyetje mbajtjen e takimit të Parisit.

“Kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon ta kundërshtojë me këmbëngulësi heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë. Të gjithë aleatët e Kosovës po e përsërisin se pa largimin e taksës, nuk mund të ketë vazhdim të dialogut. Kështu që është e pritshme që edhe mos të mbahet fare Samiti i Parisit, por edhe nëse mbahet, nuk besojë që do të ketë rezultat për sa kohë që nuk ndryshojnë qëndrimet aktuale të palëve, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë.”

Konsultime me delegacionet

Në fillim të këtij muaji ndërkaq në Kosovë qëndroi një delegacion i këshilltarëve diplomatikë nga Gjermania dhe Franca ku diskutuan me udhëheqësit politik kosovar për përgatitjet për takimin e Parisit që mbahet me një korrik. Takimet u zhvilluan me dyer të mbyllura pa praninë e medieve, ndërsa, burime brenda qeverisë thanë, se delegacioni gjermano-francez ka ardhur në Prishtinë me mesazhe të qarta, përmbajtja e të cilave megjithatë nuk u publikua. Diplomatët gjermano-francez sipas burime brenda qeverisë së Kosovës kanë thënë se “takimi i Berlinit dhe takimi i Parisit nuk kanë për qëllim të marrin rolin e lehtësuesit të dialogut apo të zëvendësojnë rolin e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi’.

Kosova dhe Serbia ka disa muaj që e kanë ndërprerë dialogun  pas vendosjes së tarifës 100% nga qeveria e Kosovës për produktet e Serbisë. Kjo masë sipas udhëheqësve politik kosovar është vendosur për shkak të “agresionit politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës”, siç thuhet në Kosovë. E Serbia nga ana e saj, nuk pranon që të rikthehet në dialog pa e hequr Prishtina taksën ndaj prodhimeve të Serbisë. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj Kosovës pas takimit të Parisit, nëse Prishtina nuk e heq taksën ndaj produkteve të Serbisë.

Bëhet me sy makina pa shofer

Sally Frykman nga kompania Velodyne Lidar​Njihen si makina autonome, pa shofer, robotike ose makinat që drejtojnë veten. Sido që të jetë, ngadalë ato po bëhen pjesë e realitetit. Ndonëse do të duhet kohë që këto mjete transporti të bartin njerëzit në destinacionin e dëshiruar, prodhuesit e makinave tashmë kanë përfshirë në to teknologjinë që e bën ngarjen edhe më të sigurt. Një sensor që quhet Lidar, me rrezet që prodhon godet objektet dhe sinjalet i përdor për të krijuar harta tre-dimensionale në kohë reale.

Kjo kuti e vogël e vendosur në pjesën e sipërme të makinës ka një qëllim të madh. Është një sensor që nëpërmjet rrezeve, lejon automjetin të shikojë rrugën pavarësisht nga njeriu.

“Lidar shfrytëzon teknologjinë e dritës duke lëshuar rreze nga sensori që godasin objektin. Rrezet pastaj kthehen në sensor dhe kështu mblidhen të dhëna për distancën dhe kohën. Ky proces vazhdon duke mbledhur shumë të dhëna nga të gjitha objektet e zonës përreth”, thotë Sally Frykman nga kompania Velodyne Lidar​.

Kur makina lëviz, sensorët lidar grumbullojnë të dhëna përmes rrezeve dhe krijojnë hartën që lehtëson marrjen e vendimeve në komunikacion, kur duhet ulur shpejtësia, kur duhet shkelur gazi dhe kur duhet rrotulluar timoni.

“Pavarësisht nëse përpara ka një njeri, një qen apo një kamion, sensori Lidar i kthen në imazhe… Kjo është mënyra më e mirë për të përjetuar me shqisa botën përreth, duke e aplikuar këtë edhe në makinat vetëlëvizëse” , thotë Rick Tewell nga kompania Velodyne Lidar.

Jo të gjithë prodhuesit e makinave vetlëvizëse përdorin sensorin Lidar, i cili ka kohë që është në qarkullim dhe është përdorur për matjen e topografisë së Hënës. Kjo sepse çmimi mund të jetë i lartë. Pavarësisht teknologjisë që përdoret, shpresat janë që robotët të sjellin ngarje më të sigurt të makinës.

“Për ne si njerëz do të ishte më e sigurt dhe me më pak aksidente, duke pasur më pak vdekje në rrugët tona.”

Nevoja e shtimit të sigurisë në rrugë, ka nxitur prodhuesit e automjeteve të investojnë në teknologji, si sensori Lidar që i jep makinës sy mjaft të veçantë.

BE: Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor

BEMinistrat e vendeve anëtare të BE-së e shtynë vendimin rreth çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut “më së largu deri në tetor”, siç u shpreh Johanes Hahn, komisionari i BE-së për zgjerimin.

Në takimin e ministrave të jashtëm të BE në Luksemburg (18.06) u theksua, se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të marrë vendim rreth çeljes apo jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në konkluzionet e arritura për secilin nga këto dy vende ka dallime. Pë Maqedoninë e Veriut përmendet Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja Për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore më Bullgarinë, ndërsa në vendimin për Shqipërinë nuk përmendet ndonjë veprim specifik.

Sipas komisionerit Hahn janë një pakicë e vendeve, që nuk kanë përkrahur çeljen e negociatave, ndërsa ai shtoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor është në interes të BE-së. “Ne mund të eksportojmë stabilitet apo të importojmë jo-stabilitet”, tha Hahn duke bërë një analogji mes të zgjerimit apo ndaljes së tij. Ai gjithashtu theksoi, se Bashkimi Evropian duhet t’u përmbahet premtimeve. “Shtroeht çështja e reputacionit tonë dhe mundësisë sonë të ndikimit”.

Konklluzionet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut përmbajnë vetëm një paragraf. Ndërsa ato për Serbinë dhe Kosovën janë shumë më të gjata dhe i referohen moszbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, si dhe vazhdimit të dialogut. Në pjesën për Kosovën përshëndeten veprimet për zbatimin e reformës dhe dënohet vendosja e taksës 100 për qind.

BE lë ende në tension Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

flamujt ALB RMVMinistrat e Jashtëm të BE nuk kanë përmendur datë konkrete për dy vendet aspirante për në BE, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Por në vjeshtë mund të diskutohet për këtë. Ndoshta. Gjermania ngurron, thotë Bernd Riegert.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të kenë ende durim. Në tetor ministrat përkatës të BE-së mund të vendosin për një datë konkrete për hapjen e bisedimeve të antarësimit me këto dy vende. Komisari i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, në fund të majit u dha nëj deftesë pozitive të dy vendeve duke shpresuar, që shtetet e BE-së do ta mbështesin propozimin e tij. Tani ai është disi i zhgënjyer, që Franca, Danimarka, Holanda dhe Gjermania ngurruan të japin premtime konkrete.

Ministri i shtetit pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë,  Michael Roth, e argumentoi qendrimin gjerman me “po, por…” në takimin e ministrave të Jashtëm në Luksemburg. Bundestagu gjerman, miratimi i të cilit është i nevojshëm për hapjen e negociatave, ende nuk ka pasur kohë të mjaftueshme, që të shqyrtojë rekomandimet e komisionit.

Diplomatët e BE-së e konsideorjnë këtë argument si pretetkst, sepse prej kohësh ishte e qartë, që vlerësimet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ishin pozitive. Madje edhe vetë Michael Roth-it iu desh ta pranojë, që të dyja vendet detyrat e fundit të shtëpisë, që iu ngarkuan prej ministrave vitin e kaluar, tashmë i kanë realizuar: “Për mendimit tim ato janë të realizuara.”

Maqedonia e Veriut madje ka “shkruar histori”, duke i dhënë fund grindjes me vendin fqinjë Greqinë, anëtare në BE, me ndryshimin e emrit të shtetit.  “Këtë duhet ta vlerësojmë. BE-ja nuk duhet të humbasë kredibilitetin”, nënvizoi ministri i shtetit Roth. Ndaj mbetet objektivi për t’i nisur sa më parë bisedimet e anëtarësimit.

Maqedonia e Veriut tani, Shqipëria më vonë?

Shqipëria, sipas vlerësimit të Komisionit e ka forcuar dukshëm luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë ky vend aktualisht ndodhet në një krizë kushtetuese, sepse Gjykata Kushtetuese është e paralizuar dhe ka probleme me zgjedhjet lokale. Presidenti i Shqipërisë i shtyu zgjedhjet lokale. Kryeministri ia mohon këtë të drejtë presidentit. Shumë njerëz prej muajsh demonstrojnë kundër qeverisë. Numri i shqiptarëve, që kërkojnë azil në BE është në rritje. Ky nuk është një rekomandim pozitiv, mendojnë nëpunësit e BE-së në Luksemburg.

Por nuk është vetëm kjo arsyeja përse parlamenti holandez i sheh me sy kritik negociatat me Shqipërinë. Deputetët holandezë kanë paraqitur një kërkesë që Shqipëria të mbetet në pritje, ndërkohë që t’i jepet një datë konkrete Maqedonisë së Veriut për negociatat.

Një shkëputje të dy vendeve në raundin e ardhshëm e refuzon Italia, që si vendi i drejtpërdrejt fqinjë me Shqipërinë në Adriatik e mbështet fort anëtarësimin e sj. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) javën e kaluar u shpreh për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me të dyja këto vende kandidate, por ai u frenua prej partnerit të koalicionit në Berlin duke iu referuar nevojës së miratimit në Bundestag.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut synon sa më shpejt hapjen e bisedimeve

Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, javën e kaluar qendroi për herë të parë në Bruksel, për të lobuar për vendin e tij në institucionet europiane. “Ne kemi marrë vendime të guximshme në shumë fusha për qytetarët tanë”, tha Pendarovski duke iu referuar ndryshimit të emrit të shtetit, që u arrit duke hasur në rezistencë të fortë në vend.  Po ashtu ai nënvizoi se ka në dorë një “rekomandim pa kushte” nga Komisioni i BE. Presidenti i Këshillit të BE-së Donald Tusk u përpoq ta zbusë zhgënjimin e dukshëm, duke i siguruar presidentit, se “nuk bëhet fjalë për nëse, por vetëm se kur” do të nisin bisedimet për antarësimin.

Më 2013 Kroacia u pranua si vendi më i ri anëtar. Më 2007 u pranuan Rumania e Bullgaria. Në vitin 2004 u realizua i ashtuquajturi raundi “Big-Bang”. Asokohe u pranuan në BE njëkohësisht dhjetë shtete, kryesisht nga Europa Lindore.  “Piëkrisht prej këtyre raundeve duam të mësojmë”, tha njënëpunës i BE-së, i cili nuk do të përmendet me emër. “Polonia, Hungaria dhe Rumania sot po krijojnë probleme, sepse në to po çalon shteti ligjor dhe të tjera aspekte. Ndaj tani nuk duan  të nxitojnë dhe duan të sigurohen, që të mos importohen probleme të reja në BE.”

Komisari i BE-së do një sinjal për rajonin

Komisari i zgjerimit Johannes Hahn e sheh nga ana tjetër BE-në të detyruar, që të mos i shtyjë më premtimet që i ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Unë vetëm mund të përsëris, atë që e them prej kohësh”, u shpreh Hahn në kuadër të takimit në Luksemburg. “Bisedimet e antarësimit duhet të nisin sa më parë. Nuk bëhet fjalë vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për shtetet e tjera në rajon. Ky do të ishte një sinjal i fortë, p.sh. edhe ndaj Serbisë e Kosovës. Këto dy vende do të kishin një impuls më të fortë për t’i zgjidhur konfliktet e tyre.”

Ministrja shqiptare e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i tha DW-së lidhur me vendimet e BE-së, se: “Ne e dimë, që ende nuk kemi arritur deri në nivelin të antarësohemi tani në BE. Por ne jemi të gatshëm, ta nisim procesin e negociatave për anëtarësim. Në këtë mënyrë ne mund të na vrojtojnë mirë dhe të na verifikojnë, se çfarë suksesesh bën Shqipëria faktikisht.”

Bisedimet për anëtarësimin në BE mund të zgjasin me vite. Një pranim i anëtarëve të rinj mund të realizohej në fund të dhjetë vjeçarit të ardhshëm. Anëtarësimi i Kroacisë është negociuar për një periudhë gjashtë vjeçare.

dw

Shkodër, opozita përplaset me policinë, digjet KZAZ-ja në shkollë

KZAZ AlbaniaMbështetës të opozitës, së bashku me punonjës të Bashkisë së Shkodrës dhe ish deputetë të PD-së, u mblodhën të martën mbrëma në oborrin e Shkollës se Mesme “Shejnaze Juka” të Shkodrës dhe, pas disa minuta konfrontimi me forcat e policisë, i vunë flakën njërës prej klasave të katit të parë të shkollës, ku ishte vendosur Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas dëshmitarëve dhe pamjeve nga vendi i ngjarjes.

E gjithë baza materiale e sjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përgatitjen e ditës së votimit u dogj.

Ish deputeti i PD, Bardh Spahija, i cili ishte mes protestuesve, tha se “Ishte vetëm fillimi i revoltës popullore, ndaj atyre që po u imponojnë shqiptarëve votime pa zgjedhje. Ishte një reagim i shpejtë i qytetarëve shkodranë. Kjo nuk është dhunë. Dhunë ishte tentativa e policisë së shtetit për të uzurpuar institucionet dhe duke iu imponuar qytetarëve të Shkodrës”.

Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila drejton edhe shoqatën e kryetarëve të bashkive të djathta, tha në mbrëmje se “Janë djegur vetëm kartonat e vendvotimeve. Materialet zgjedhore janë në mënyrë të paligjshme në mjediset e shkollës që administrohen nga Bashkia e Shkodrës. Bashkia ka kërkuar zyrtarisht prej tre ditësh që godinat ku janë vendosur KZAZ-të dhe janë në pronësi të saj, të lirohen”.

Ish deputetja e Shkodrës Jozefina Topalli u distancua nga kjo ngjarje.

“Djegia e shkollës nuk është historia e Shkodrës. E kundërta është historia e këtij qyteti. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në tri dekada. Një demokrat nuk djeg as mandate as shkolla. Një demokrat i vërtetë nuk hedh as molotov, as ka frikë nga zgjedhjet. Demokratët nuk kanë pasur frikë në ‘97 kur gjysma e territorit kontrollohej nga bandat. Nuk largohet Rama duke refuzuar parimet e vlerat e demokracisë. Partia Demokratike lindi si ëndërr e lirisë dhe e të drejtës me votu”, shkruan mes të tjerash zonja Topalli në facebook.

Ministri i Brendshëm Sander Lleshaj tha se kjo është një “përpjekje e turpshme e përfaqësuesve të PD-së për të djegur një shkollë në Shkodër”. Ministri ftoi qytetarët e Shkodrës që të distancohen nga ky “turp i pamasë dhe të izolojnë bijtë e dhunës”.

“Asnjë drejtues bashkie, – shtoi ai, – nuk mund të mbajë me dhunë dhe me zjarr mandatin që tashmë po mbaron. Nuk ka asnjë mundësi që dhunuesit t’i shpëtojnë ligjit. Pushteti mund të mbahet vetëm me votën e qytetarëve”.

Incidenti në KZAZ e Bashkisë së Shkodrës u parapri nga një tjetër ngjarje në Bashkinë e Tropojës, ku një grup mbështetësish të opozitës bashkë me zyrtarë vendorë dhe deputetetin e zonës u futën me forcë në mjediset ku është vendosur Komisioni Zonal i Admistrimit të Zgjedhjeve Vendore të 30 qershorit, siç tregojnë videot e filmuara në vendin e ngjarjes.

Megjithë ndërhyrjen e forcave vendore të policisë, mbështetësit e opozitës, me thirrje kundër Kryeministrit Rama, hodhën në rrugë bazën materiale të votimit, të dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Incidentet në Tropojë dhe në Shkodër pasojnë kërkesën e kryetarëve të disa bashkive të djathta për lirimin e mjediseve të KZAZ-ve dhe qendrave të votimit. Përmes kësaj kërkese, bashkitë e djathta dhe mbështetesit e opozitës po synojnë pengimin e përgatitjeve për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ndërkohe që të majtët vazhdojnë të vendosur fushatën elektorale.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një deklarate për mediat u shpreh pas incidentit të Tropojës se kërkesa e disa kryetarëve të bashkive për lirimin e menjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur Vendet e Numërimit të Votave dhe ndërprerjen e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në mjediset në administrim dhe pronësi nga këto bashki, është në tejkalim të kompetencave dhe detyrave të njohura nga Ligji “Për vetëqeverisjen vendore”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se po vazhdon punën për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe paralajmëroi se çdo cenim i këtij procesi përbën vepër penale të ndëshkueshme.

voa