Janeva nuk ka dorëzuar dorëheqjen në Këshillin për Prokurorë Publik

Janeva-ne-KuvendSiç njofton ‘Sloboden peçat‘, Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publik Kole Shterjev thotë se në këshill nuk ka arritur dorëheqja e prokurores speciale Katica Janeva.

“Ne nuk mund ta konstatojmë dorëheqjen vetëm në bazë të deklaratës së saj me gojë. Duhet ta kemi dorëheqjen në letër. Nëse dëshiron me të vërtetë të jep dorëheqje, dihet se si jepet sipas ligjit”, thotë Shterjev për gazetën, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Edhe nga PSP për këtë gazetë kanë vërtetuar se dorëheqja në letër nuk është dorëzuar në Këshillin e Prokurorëve Publik.

Katica Janeva më 15 korrik deklaroi se ka dhënë dorëheqje nga funksioni, të njëjtën ditë kur u arrestuar Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski për rastin ‘Haraçi’. /Telegrafi/

Njësia speciale kundër të fortëve, formohet nga policë dhe ish-ushtarakë të stërvitur

Most WantedTë jesh i fortë në Shqipëri është stil jetese. Tradicionalisht vendi ynë ka pasur grupet e të fortëve, të cilët janë të njohur për vrasjet, kanosjet, gjobë vëniet apo edhe rrëmbimet. Shpesh është thënë që mbretërimit të tyre do u vijë fundi, por akoma këta të fortë enden rrugëve.

Por si mund të bëhet goditja e tyre? Ky është një rast ku policia vuri në pranga tre të fortë, për gjobë vënie në vlerën e 50 mijë eurove, ndaj një biznesmeni.

Së fundmi, ishte kryeministri Rama ai që premtoi goditjen njëherë e përgjithmonë të të fortëve. Sipas tij, një strukturë e posaçme do të hidhet në aksion.

“Kemi gati një njësi super speciale, që do të merret me të gjithë të fortët e rrugëve, ose të lagjeve ose të qyteteve. Ajo që e kam anoncuar disa kohë më parë dhe që do të jetë pjesë e presionit të policisë kundër këtyre tipave, që nëse do të vendosin të qëndrojnë në Shqipëri duhet të përgatiten për t’u fshehur në vrima që duhet të jenë shumë shumë të ngushta, përndryshe nuk do të kenë mundësi të marrin frymë”, thotë Kryeministri i vendit, Edi Rama.

Në 2012 u krijua rrjeti i ENFAST-it, qëllimi i të cilit është rritja e sigurisë brenda Bashkimit Europian duke përmirësuar ndjekjen dhe arrestimin e kriminalëve të kërkuar ndërkombëtarisht për krime.

Mësohet se në vendin tonë, kjo strukturë e re do të quhet FAST dhe do të ketë në përbërje 50 trupa të specializuar mes tyre ish anëtarë te forcave speciale te ushtrisë, te stërvitur dhe pjesëmarrës ne misione luftarake si ne Irak apo Afganistan.

FAST-i shqiptar do të jetë i ngjashëm me ato të 24 vende të tjera të Europës dhe do të funksionojë 24 orë me qëllim kapjen e personave të cilët janë të përfshirë apo në kërkim për ngjarje të rënda kriminale.

Top Channel

Thaçi: I gatshëm t’i shpall zgjedhjet nëse nuk ka një zgjidhje tjetër

Thaci DakaPresidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të mërkurën se është i gatshëm që t’i shpall zgjedhjet e reja, nëse partitë politike nuk janë në gjendje të gjejnë zgjidhje pas dorëheqjes së kryeministrit të vendit.

Ai citohet të ketë thënë këtë pas një takimi me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ku është diskutuar për gatishmërinë e këtij institucioni për t’i organizuar zgjedhjet e parakohshme.

Në njoftimin e zyrës së presidentit të Kosovës, ai citohet të ketë thënë se “është thelbësore që Kosova të ketë qeveri të re, funksionale, efikase, sa më gjithëpërfshirëse dhe sa më shpejtë, për t’i çuar përpara proceset e rëndësishme”, ndërsa ka nënvizuar se në përputhje me detyrimin e tij kushtetues do t’i shterojë të gjitha mundësitë që në konsultime me partitë politike të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës të gjendet një përgjigje për realitetin e ri politik.

“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje këtij realiteti të ri politik në një afat të arsyeshëm kohor, jam i gatshëm t’i shpalli menjëherë zgjedhjet e reja”,citohet presidenti Thaçi.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se në takim është diskutuar për afatet kushtetuese në qoftë se mbahen zgjedhjet.

Nuk mund të diskutohet për data pa u shtjerrë të gjitha mundësitë kushtetuese. Ato janë çështje që diskutohen pasi që të shpallen zgjedhjet, nëse shpallen natyrisht”, tha zonja Daka.

Presidenti i Kosovës i ka dy mundësi për mënyrën se si të vazhdohet më tutje; njëra që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, 45 ditë pas shpërndarjes së parlamentit, apo caktimit të një mandatari të ri për kryeministër nga koalicioni i deritashëm qeverisës.

Partitë politike deri tash kanë hedhur poshtë çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të reja, ndërsa një pjesë e tyre kanë kërkuar nga presidenti i vendit që të veprohet më shpejt në të kundërtën do të shpërbëjnë parlamentin e Kosovës.

Kosova po përballet me një krizë të re politike pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë.

Veprimi i zotit Haradinaj ngjalli shumë reagime dhe zuri në befasi partitë politike, një pjesë e të cilëve e kanë cilësuar dorëheqjen e kryeministrit si të paramenduar dhe me kalkulime partiake.

voa

Zgjedhja e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Keshilli i emrimeveNë Shqipëri, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po shkon drejt përmbylljes së procesit të përzgjedhjes së kandidaturave për 6 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë

Këshilli i Emërimeve njoftoi sot se ka lejuar vijimin e procesit për kandidaten Elsa Toska dhe ka ndërprerë procedurat për 7 kandidatë të tjerë për në Gjykatën Kushtetuese. Në total deri tani janë 5 emra që kanë kaluar, ndërsa 12 kandidatë janë rrëzuar. Në listë janë dhe dy kandidatë të tjerë në pritje të shqyrtimit.

Procesi konsiderohet si tejet i rëndësishëm pasi mund të bëjë të mundur përzgjedhjen 6 anëtarëve të Gjykatës së Kushtetuese të cilët pas intervistimit dhe vlerëimit me pikë nga Këshilli do të emërohen 3 nga presidenti dhe 3 nga parlamenti. Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese mund të rinisë funksionimin ndonëse me numër të reduktuar, pasi për 3 anëtarët e tjerë do të duhet të pritet plotësimi fillimisht me anëtarë i Gjykatës së Lartë.

Ndërkohë sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkarkoi nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda Gent Osmani, i cili është njëkohësisht dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Zotit Osmani ju deklarua si problem mos rakordimi i të ardhurave dhe shpenzimeve në vitet 2011-2013. Pak muaj më parë me një vendim që u shoqërua me polemika Kolegji shkarkoi dhe anëtaren tjetër të Këshillit të Prokurorisë, Antoneta Sevdari.

voa

Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Imamoglu: Mesazh kundër populizmit

ImamogluEkrem Imamoglu është ylli i ri i politikës turke që nga zgjedhja e tij si kryetar i bashkisë së Stambollit. Në një intervistë për DW, 49-vjeçari flet për pikëpamjet e tij politike dhe për sekretin e suksesit të tij.

Deutsche Welle: AKP-ja konservatore islamike e Presidentit Erdogan ishte para fitores suaj elektorale ajo që vendoste në Stamboll për rreth një çerek shekulli. Kur shpallët kandidaturën tuaj, ishin të paktë ata që besuan se opozita do të fitonte. Cili ishte faktori vendimtar në zgjedhje?

Ekrem Imamoglu: Të gjithë besuam fort se mund ta bindnim opinionin për ne. E dinim se mund të fitonim, sepse i kishim veshët në rrugë. Ne kishim një ndjesi për atë që mendojnë, ndjejnë, për të cilën kanë nevojë njerëzit. Jeta ime personale më ndihmoi shumë: unë kam pasur mundësi të fitoj përvojë si kryetar i lagjes Beylikdüzü për pesë vjet. Beylikdüzü është një lagje në anën evropiane të Stambollit, në bregun e Detit Marmara. Me 350.000 banorë nuk kemi të bëjmë aspak me metropol, megjithatë unë e dija se çfarë u intereson njerëzve.

Edhe njëherë sa për kujtesë: Raundi i parë i zgjedhjeve për kryetarë bashkie në Stamboll u zhvillua më 31 mars 2019. Ju i fituat zgjedhjet me rezultat të ngushtë, pas kësaj zgjedhjet u anuluan me një vendim të Komisionit të Lartë Zgjedhor (YSK) dhe u përsëritën më 23 qershor 2019. Në përpjekjen e dytë, për ju votuan rreth 800.000 vetë më shumë, sesa për homologun tuaj të AKP. Pjesëmarrja e votuesve ishte rreth 84 përqind. Çfarë i çoi votuesit në kutitë e votimit?

Mendoj se për këtë kishte shumë arsye. Nga njëra anë, njerëzit me të vërtetë besuan, se mund të bëjnë ndryshime, po të votojnë dhe përfshihen në një proces demokratik. Pas anulimit të zgjedhjeve të para, në shoqëri u zhvillua edhe një kuptim i vërtetë i drejtësisë. Së treti, njerëzit donin të dëshmonin qëndrimin e tyre të qëndronin përballë rrymave antidemokratike. Të gjitha këto arsye, për mendimin tim, kanë qenë faktorët vendimtarë. Për më tepër, natyrisht, pas zgjedhjeve të para, ne patëm një bazë, ku mund të mbështeteshim. Sinqerisht, unë prisja një rezultat edhe më të mirë (qesh)

Në një kohë të polarizimit në rritje, si kandidat i partisë kemaliste CHP, ju morët vota nga kampe të ndryshme politike. Mënyra si jetoni ndoshta kontribuon për suksesin tuaj: iu jeni një njeri fetar që ndjek një mënyrë jetese laike dhe dilni në rrugë në 1 maj, Ditën e Punës, për të drejtat e punëtorëve. “Ju vetë” jeni programi. Si do ta përcaktonit qëndrimin tuaj politik?

A nuk është e mrekullueshme që jam programi im? Mund t’ju jap edhe një arsye pse kjo është kaq e mrekullueshme (qesh): Kur vlerësoj rrethanat politike, unë përqëndrohem para së gjithash te faktet. Nuk ekziston askush që unë e ndjek ideologjikisht. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të një punëtori, unë e bëj këtë. Nëse dua të përjetoj më shumë botë shpirtërore, ky është vendim im privat. Mendoj se shumë nga publiku e kanë parë që jam njeri i sinqertë. Unë e jetoj jetën time si shumica e njerëzve të këtij vendi. Sidoqoftë, ata që përpiqen të zhvillojnë programe politike bazuar në qëndrime të caktuara ndaj jetës, nuk do të jenë kurrë në gjendje ta kuptojnë një qëndrim të tillë.

Rexhep Tayipp Erdogani citohet të ketë thënë: “Kush qeveris Stambollin, qeveris Turqinë”. A është zgjedhja juaj si kryetar bashkie i qytetit më të madh të vendit simbol i një fillimi të ri politik për gjithë Turqinë?

Këto zgjedhje kanë qenë sigurisht një moment historik i rëndësishëm. Megjithatë, ky mund të jetë vetëm fillimi i një procesi të gjatë. Për të qenë me të vërtetë të suksesshëm në plan afatgjatë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se duhet të jemi të suksesshëm si opozitë, veçanërisht në nivelin lokal dhe komunal.

Në përgjithësi, ky sukses për mua i kalon kufijtë e Turqisë. Sepse mesazhi që qëndron pas këtij suksesi është një mesazh kundër populizmit global. Një person që është mbi ligjin është në çdo kohë dhe në çdo vend një problem për çdo vend në tokë. Kjo vlen për çdo sistem politik. Sidoqoftë, më duhet të them se besimi im për demokracinë në Turqi ka qenë i pathyer në çdo kohë.

Ekrem Imamoglu është një politikan turk i Partisë Republikane Popullore (CHP). Ai u zgjodh kryetar bashkie i Stambollit më 23 qershor 2019 dhe e filloi detyrën më 27 qershor 2019.

Intervistën e zhvilloi Bulent Mumay

Hidrocentrale në Kosovë. Balanca mes nevojave energjetike e mbrojtjes së mjedisit

HidrocentraleRrjedha e lumit Lumbardh në grykën e Deçanit në Kosovën perëndimore, është shndërruar në çështje përplasjesh në mes të atyre që synojnë ndërtimin e hidrocentraleve dhe mbrojtësve të mjedisit.

Përgjatë rrjedhës së tij kanë mbirë katër projekte hidrocentralesh, duke nxitur reagimin dhe protestat e banorëve të drejtuara nga organizata mjedisore ERA.

Fatos Lajçi nga kjo organizatë, thotë se këto ndërtime po e mbysin lumin.

“Për neve brengosëse është vdekja e një lumi. Pas meje ne shohim një digë të betonuar ku lumi vdes te kjo digë, pra nga këtu e lart nuk ka më jetë ujore. Sipas ligjeve të shtetit tonë, kompania është e obliguar ta respektojë 30 për qindëshin që njihet si minimumi biologjik, pra 30 për qind e lumit duhet të jetë duke rrjedhur nga kjo digë që në këtë moment ne e shohim që nuk është duke rrjedhur aspak”,tha ai.

Çështja e ndërtimit të një hidrocentrali vazhdimisht ka ngritur shqetësime dhe akuza edhe ndërmjet institucioneve rreth përgjegjësisë për dhënien e licencave.

Afrim Ajvazi, udhëheqës i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë thotë se dy nga tri hidrocentralet që janë ndërtuar në lumin Lumbardh të Deçanit kanë pëlqimin e autoriteteve lokale dhe qendrore.

“Ato hidrocentrale dy janë në operim edhe pse të gjitha lejet e mundshme që lëshohen prej institucioneve lokale dhe qendrore i kanë të siguruara, e kanë edhe pëlqimin mjedisor që është dokumenti i parë para lëshimit të lejes mjedisore edhe ne si zyre kemi lejuar të hyjnë në funksion sepse nuk kemi pasur asnjë sinjal prej ministrisë së mjedisit e cila është përgjegjëse për mjedisin se ky hidrocentral është në kundërshtim me mjedisin”,tha ai.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, thotë se komuna ka lëshuar pëlqim mjedisor për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve por kompania nuk e ka respektuar marrëveshjen.

“Ne kemi bërë një marrëveshje me kompaninë që kompania para së të fillojë me punime është dashur t’i prezentojë të gjitha lejet nga të gjitha institucionet relevante në Republikën e Kosovës, gjë të cilën nuk e ka bërë. Ne e kemi një dokument të shkruar me kompaninë që të respektohen diku tetë kritere që sipas neve është e saktë dhe e drejtë kjo që kemi kërkuar nga ata, në anën e kundërt nuk janë respektuar këto kritere”,tha zoti Ramosaj.

Zoti Ramosaj, thotë se autoritetet lokale nuk janë kundër investimeve të huaja, por kërkojnë zbatimin e kushteve siç është rivitalizimi i zonës ku janë zhvilluar punimet dhe respektimi i minimumit biologjik.

Leotrim Sahiti nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se pëlqimet mjedisore për këto hidrocentrale janë dhënë para vitit 2016, ndërsa që atëherë ministria ka pezulluar shqyrtimin e lejeve të reja, derisa të kryhet një studim i ri mbi mundësitë reale për hidro energji në Kosovë.

“Në Kosovë të gjithë operatorët të cilët janë duke vazhduar procedurat për ndërtimin e hidrocentraleve asnjë prej tyre nuk posedon leje mjedisore, që nënkupton se asnjë operator nuk do të lejohet që të ketë operim. Ne kemi pasur një operim ilegal në komunën e Deçanit për çka e kemi njoftuar edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë duke kërkuar nga ata që derisa të mos plotësohen të gjitha kushtet për paisje me leje mjedisore nga operatori ekonomik, nuk do të lejohet që ai operator të operojë dhe të shesë energji”,tha zoti Sahiti.

Zoti Ajvazi thotë se përgjegjësi e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është vetëm bashkërendimi i procesit të ndërtimit të një hidrocentrali.

“Kjo zyre nuk përgjegjët për shfrytëzimin e ujit, kjo zyre nuk përgjegjët për ndikimin në mjedis, as për tokë, as për leje ndërtimit, janë komunat dhe posacërisht ministria e Mjedisit dhe shpesh dëgjojmë debate që ky hidrocentral po e keqpërdor ujin, ky hidrocentral po e ndot mjedisin, po janë institucionet sikurse ministria e Mjedisit dhe atyre duhet t’u drejtohet. Ne vetëm i bashkërednojmë veprimet, udhëzojmë aplikuesin cilat leje duhet të sigurohen dhe të cilat institucione duhet të drejtohen”,tha zoti Ajvazi.

Leotrim Sahiti nga ministria e Mjedisit thotë se në rast që kompanitë nuk i përmbushin kushtet e kërkuara, ministria do të ndërmarrë masa.

“Për të gjithë operatorët që nuk përfundojnë me kohë projektin dhe nuk kthejnë gjendjen e mjedisit në gjendjen e mëparshme ne nuk përjashtojmë mundësinë e tërheqjes së dokumenteve të cilat vet i kemi lëshuar si pëlqimin ujor, lejen ujore e pëlqimin mjedisor me të cilat operatori ka të drejtë të operojë në emër të testimit mirëpo jo të shesë energji”,tha ai.

Zoti Sahiti thotë se ndërtimi i hidrocentraleve apo prodhimi i energjisë së ripërtëritshme është pjesë e direktivave të Bashkimit Evropian për Kosovën, por garanton qytetarët se ato do të përmbushen pa i dëmtuar interesat e tyre.

Por, Fatos Lajçi nga organizata ERA thotë se pasojat e pariparueshme të ndërhyrjeve të tilla në lumenjtë e Kosovës, do të shfaqen pas shumë vitesh.

“Kemi të bëjmë me një kërcënim nga thatësira, Ballkani do të jetë pika e kuqe që do të sulmohet nga thatësira në vitet në vijim. Prandaj mendojeni kur lumi nuk rrjedh në shtratin e tij të egër natyral por futet në tuba, atëherë të gjitha degëzimet e tij që krijojnë burime tjera nëntokësore do të thahen me kalimin e viteve dhe nuk do të ketë ujë, ky është një fakt shkencor”, tha zoti Lajçi.

Në Kosovë aktualisht janë duke operuar nëntë hidrocentrale nga 16 sa janë ndërtuar dhe sipas ekspertëve, ky është një kapacitet i mjaftueshëm pasi që Kosova nuk është vend me mundësi të mëdha hidro energjetike.

voa

Die Welt:”Garë e re armatimi në Ballkan”

gazeta gjermane“Në Evropën Juglindore blihen armë si kurrë më parë. Tensionet midis etnive të armiqësuara po rriten”, shkruan Die Welt. “Në të gjitha Rusia ndërhyn me çdo mjet, duke e shtuar potencialin e konfliktit para dyerve të BE.”

Garë e re e armatimit në Ballkan. Nën këtë titull, e përditshmja gjermane “Die Welt” boton sot një shkrim të korrespondentit të saj në Budapest, Boris Kalnoky.

Për shkak të sanksioneve të vendosura kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, Rumania nuk lejoi të kalojnë nëpër territorin e saj “një dhuratë e popullit rus për popullin serb”: “dhjetë tanke me rrota të përdorur, por të modernizuar të tipit BRDM-2, pjesë e një dhurate të pazakontë për Serbinë: 30 tanke luftarakë të modernizuar të tipit T-72 dhe 30 automjete të blinduara. Rusët i dërguan pastaj tanket në Serbi me avionë, “duke kaluar mbi hapësirën ajrore të Hungarisë, kryeministri i së cilës…përpiqet gjithmonë për marrëdhënie të mira me Presidentin rus…”

Me mbështetjen te Rusia, “Serbia mbështetet në këtë mënyrë te një vend, që tregoi në Ukrainë vullnetin për ta zgjeruar zonën e vet të ndikimit me dhunë armësh”, shkruan autori. Serbia zhvilloi nën diktatorin Slobodan Milosheviç luftëra kundër Kroacisë dhe Kosovës, si dhe mbështeti serbët e atjeshëm në luftën e Bosnjës. “Në këtë sfond tingëllon veçanërisht kërcënuese, që qeveria serbe ka bërë të ditur se në rast nevoje do ta sulmojë Kosovën, nëse ky vend krijon ushtrinë e tij”.

Më tej artikullshkruesi tërheq vëmendjen që shtetet e Evropës Qendrore e Lindore kanë programe armatimi afatgjata, “nga 2014 ose 2017 deri në 2026 ose 2030″. Polonia investon më shumë për armatimin, me shpenzime armatimi që në vitin “2018 kapën madje shumën dymbëdhjetë miliardë dollarë”. “Rumania i dyfishoi në vitin 2017 shpenzimet ushtarake nga dy në katër miliardë dollarë”.

Në rajon, “në një kohë kur NATO…mbështetet para së gjithash te Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, Rusia është përqendruar te Serbia dhe te…Republika Srpska”. “SHBA kanë në Kosovë një nga bazat e tyre më të mëdha ushtarake, Camp Bondsteel. Rusia do të ndërtojë një bazë ushtarake në pjesën serbe të Bosnjës.”

Veç tankeve, Rusia i dhuroi në shkurt Serbisë “edhe gjashtë avionë luftarakë MIG-29, Bjellorusia dhuroi tetë avionë të tjerë.” Kur të ketë marrë fund modernizimi i avionëve “Serbia ka…në këtë mënyrë aviacionin luftarak më të fuqishëm të rajonit”.

Në artikull shkruhet më tej se për blerje armatimesh, në rajon, kryeson Serbia, e cila shpenzoi në vitin “2017…731 milionë dollarë”. Në vend të dytë, pasoi “Shqipëria me 168 milionë dollarë”. Kosova parashikon të shpenzojë vitin e ardhshëm 98 milionë dollarë për ushtrinë, që ka planifikuar.

Së fundi, artikullshkruesi ndalet në dimensionin politik, që shoqëron armatimin. “Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur një bashkim doganor dhe po ecin në konvergim ekonomik”. Veç kësaj, “vazhdon të ekzistojë mendimi i Presidentit serb Vuçiç dhe i Presidentit kosovar Hashim Thaçi, për ta zgjidhur konfliktin e Kosovës me anë të shkëmbimit të territoreve…Kjo mund të çonte në një efekt domino – si p.sh. në një ndarje të Bosnjës dhe bashkimin me shtetet mëmë të pjesëve serbe dhe kroate. Ose madje edhe me një ndarje të Maqedonisë, ku jetojnë shumë shqiptarë.”

aud (Die Welt)

Kafshët u ngjitën në hapësirë përpara njerëzve

anija kozmikePara 50 vjetësh, dy astronautë amerikanë u bënë njerëzit e parë që ecën në Hënë. Por, përpara se njerëzit të shkëputeshin nga Toka, ishin astronautët kafshë që lanë gjurmën e tyre në hapësirë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Kerry Hensley na jep më shumë hollësi.

Dy minj të bardhë, Mildred dhe Albert, janë kafshët e para që dolën në orbitë rreth Tokës.

Minjtë dhe shoqëruesit e tyre, majmunët Patricia dhe Mike, u nisën drejt hapësirës me një raketë me shpejtësi prej 3 mijë kilometrash në orë.

Ata përjetuan ndjenjën e çuditshme të humbjes së peshës, duke qëndruar me kokë poshtë në një lartësi prej 60 kilometrash.

Po në atë kohë, Bashkimi Sovietik po dërgonte në hapësirë mikun më të mirë të njeriut, një qen të stërvitur për këtë mision.

Qeni më i famshëm astronaut, Laika, u rrotullua rreth tokës në vitin 1957.

Ashtu si të gjithë qentë astronautë të Bashkimit Sovietik, edhe Laika ishte endacak. Shkenctarët mendonin se ky lloj qeni mund të përballonte më lehtë kushtet brenda kapsulës.

Shtetet e Bashkuara vazhduan të përdorin majmunët si astronautë. Në vititn 1959, Able dhe Baker u ngjitën në një lartësi prej 500 kilometrash dhe ia arritën të kthehen.

Kthimi i sigurt i kafshëve, u dha shkenctarëve besim se njerëzit mund t’i mbijetonin një udhëtimi në hapësirë.

“Është inkurajuese për ne të mendosh që një kafshë mund të ekspozohet në kushtet e hapësirës pa pësuar ndryshime fiziologjike. Prandaj, me të drejtë shpresuam që ashtu do të ndodhte edhe me njerëzit”, thotë koloneli amerikan, Robert Holmes, i cili ishte shefi i degës së biofizikës dhe astronautikës.

Më 1961 njerëzit ndoqën gjurmët e kafshëve eksploruese.

“Toka duket e butë dhe e kaltër që lundron në qiell të zi”, ishin fjalët e njeriut të parë në hapësirë. Udhëtimi i majorit Juri Gagarin, oficer i forcave ajrore sovietike, zgjati 108 minuta.

Edhe pse njeriu arriti synimin e udhëtimit në hapësirë, kafshët vazhdojnë të kenë rolin e tyre.

Astronautët në hapësirë, nëpërmjet kafshëve studiojnë përshtatjen me mikrogravitetin.

Këta minj kanë kaluar 37 ditë në hapësirë. Gjatë përshtatjes me ambientin, ata kanë zhvilluar mënyra të reja vrapimi.

Studimi i kafshëve ndihmon që të kuptohen ndryshimet tek njerëzit qoftë në orbitën e Tokës, Hënës, Marsit ose edhe më larg.

voa

Shtresa speciale që ulë temperaturën nëpër autostrada

Autostrada asfalltiMuajt e nxehtë të verës shkaktojnë shpesh një nxehje të madhe të asfaltit në rrugë. Për shkak të ngjyrës së zezë të tij, asfalti thith më shumë dritë dhe lëshon më shumë nxehtësi. Për këtë arsye në qytetin e Los Anxhelosit është gjetur një mënyrë për të ftohur rrugët e asfaltuara duke testuar të ashtuquajturën shtresë e e ftohtë. Zyrtarët thonë se ajo ndihmon në uljen e temperaturës së sipërfaqes më shumë se 10 gradë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Angelina Bagdasaryan njofton.

Punonjësit e Agjencisë së Shërbimit Rrugor të Los Anxhelosit kanë një mision, të ulin temperaturën e rrugëve të asfaltuara

Ata kontrollojnë temperaturën në sipërfaqet ku kanë hedhur një shtresë të re eksperimentale prodhuar të thithë më pak nxehtësi dhe për t’i mbajë rrugët e ftohta.

“Sapo testuam temperaturën e sipërfaqes së rrugës me këtë shtresë dhe është rreth 50 gradë. Tani le ta krahasojmë me temperaturën e këtij asfalti të zi, në këtë rrugë me pemë …këtu është rreth 61 gradë. Pra ka një ndryshim me rreth 10 gradë”, thotë Greg Spotts, i Agjencisë së Shërbimit Rrugor të Los Anxhelosit.

Los Anxhelosi ka në planifikon ta aplikojë këtë shtresë në rreth 1500 blloqe qytetesh gjatë dekadës së ardhshme.

“Ky material është një përzierje me bazë asfaltin, përbërë nga materiale të ngjashme me të rrugës, por shumë më i hollë. Është paksa si bojë. Ai përmbush standartet e duhura duke mos e bërë rrugën më të rrëshqitshme. Por për t’u treguar sa më të kujdesshëm, po e aplikojmë në rrugët e kësaj lagjeje të qetë”.

Ekspertët thonë se ftohja e qyteteve të mëdha si Los Anxhelosi është me rëndësi, pasi nëse ngrohja globale vazhdon me ritmin aktual, temperaturat do të vazhdojnë të rriten, veçanërisht në zonat kryesore urbane si kjo. Shkencëtarët shpresojnë shumë tek ky projekt.

“Nisëm ta zbatojmë projektin në 2014-n dhe në atë kohë aktivistët e mjedisit erdhën tek ne dhe na thanë: duhet të përdorni shtresa të ftohta për rrugët. Sipas një raport që na ra në dorë askush nuk kishte provuar kurrë ta bënte këtë gjë në një rrugë publike në Kaliforni. Deri tani kemi shpenzuar rreth 300 mijë dollarë dhe kemi shtruar 40 blloqe qytetesh”.

Banorët janë të kënaqur me rezultatet.

“Mund ta shohësh ndryshimin kur je duke ngarë makinën dhe vjen këtu nga një lagje tjetër. Nuk e ndjen aq shumë të nxehtin”, thotë Lass, banor.

Projekti është ende në fazën eksperimentale të tij dhe egzistojnë shqetësime se çfarë ndikimi negativ mund të ketë në efektivitetin e kësaj shtroje, rrëshqitja e gomave.

Por nëse gjithçka shkon mirë, zyrtarët e qytetit të Los Anxhelosit shpresojnë ta zgjerojnë programin duke e përdorur këtë veshje për rrugët edhe për të ftohur çatitë e trotuarët.

voa

BESA “formalizoi” bashkëpunimin me VMRO-DPMNE

BESA “formailizoi” bashkëpunimin me VMRO-DPMNE

Shumica qeverisëse humbi shumicën në Komisionin Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, përcjell FLAKA.

Në votimin e sotëm, për herë të parë VMRO-DPMNE së bashku me BESA-n e mbivotuan LSDM-në dhe BDI me 7: 6 dhe hodhën poshtë propozimin e partive në pushtet, si pika prioritare në rendin e ditës për të qenë zgjedhja e anëtarëve të Agjencisë Programore të RTM-së dhe Agjencisë për media.

Edhe pse jozyrtarisht, me aktin zyrtar të deputetit të Besës Fadil Zendeli, bashkëpunimi i paralajmëruar i partive të Kasami dhe Mickoski është më realist.

Duke sqaruar mbështetjen e tij për propozimin e VMRO-DPMNE-së, Zendeli nuk pranoi të komentojë nëse kjo nënkupton thellimin e bashkëpunimit midis dy partive, por tha se ai kishte votuar në atë formë, sepse ai mendonte se çështjet e tjera të rendit të ditës ishin të rëndësishme.

Deputeti Zendeli deri më tani ka mbështetur propozimet e LSDM-së.

Dhjetë ditë më parë, Mickoski dhe Kasami patën një takim zyrtar, së bashku me Sekretarët e Përgjithshëm Janushev dhe Hoxha.

Drejtuesit e dy partive, sipas një deklarate nga VMRO-DPMNE pas takimit thuhej se: “kanë rënë dakord në të ardhmen të vazhdojnë takime të tilla në një drejtim që do t’i japë shtysë forcimit të mjedisit demokratik dhe luftës së përbashkët kundër qeverisë aktuale”. FLAKA