Ministrat evropian bëjnë “presion” për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut

BE-MKBashkimi Evropian duhet të marrë një vendim për të filluar negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë, njofton “DPA”, duke përmendur pikëpamjet e disa ministrave të jashtëm të BE-së, me gjithë shqetësimet për ngecjen e përparimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Mendoj se BE duhet të ketë një interes për Ballkanin Perëndimor”, tha ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas sot në Helsinki, duke sqaruar se është e rëndësishme të parandaloni të tjerët, të cilët nuk ndajnë të njëjtat vlera, të përhapin ndikimin e tyre.

Agjencia gjermane e lajmeve “DPA” kujton se anëtarët e BE-së në korrik shtynë vendimin e tyre për të filluar negociatat në tetor, përkundër që Komisioni Evropian vlerësoi që Maqedonia Veriut dhe Shqipëria kanë përmbushur të gjitha parakushtet.

Në atë pikë Gjermania nuk ishte e gatshme të jepte “dritën e gjelbër”, ndërsa Franca dhe Hollanda kanë shprehur rezerva për këtë çështje për ca kohë.

Shqetësimet kryesore kanë të bëjnë me Shqipërinë në veçanti, ndërsa për Maqedoninë e Veriut ekziston një konsensus parimor se ajo duhet të shpërblehet për atë se ka ndërmarrë një hapi të madh kur vitin e kaluar zgjidhi mosmarrëveshjen disa dekadash me Greqinë për emrin. Si rezultat, “rri pezull në ajër” ideja për fillimin e negociatave me Shkupin, ndërsa me Tiranën, është shtyrë, informon “DPA”./Telegrafi/

Incidenti në Reçicë, Bilalli: Xhevat Ademi ka shtënë me armë

armaPrindi i të riut që u plagos para një muaji në një dasmë në Tetovë, në një prononcim për “Alsat” ka përgënjeshtruar deklaratën e një dite më parë të deputetit të BDI-së, Xhevat Ademi i cili hodhi poshtë çdo përfshirje të tij në këtë incident.

Por, Jusuf Bilalli, prindi i njërit nga të plagosurit thotë të kundërtën.

Bilalli thotë se është dëshmitar i tërë ngjarjes se si Xhevat Ademi së bashku me një person tjetër kanë gjuajtur me armë zjarri dhe nga plumbat e shkrepur është plagosur djali i tij dhe një i ri tjetër.

Për këtë incident dhjetëra persona janë thirrur në polici për të dhënë dëshmitë e tyre por ende nuk ka një epilog konkret, se kush ka qenë autori i gjuajtjes më armë që la të plagosur dy të rinjtë, A.B dhe F. A, nga Reçica.

Nga prokuroria e Tetovës thonë se lënda edhe është në fazën para hetimore dhe se pritet nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, të bëhet kompletimi i lëndës që më pas të procedohet në Gjykatë. Ndryshe, për përdorim të armëve nëpër ahengje familjare, vitin e shkuar ka pasur mbi pesëdhjetë denoncime dhe ndaj tre personave janë marrë masat adekuate dhe procedura ka përfunduar, ndërsa për 6 raste të tjera, procedura ende vazhdon./Alsat/

Matthew Palmer, Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor

PalmerSekretari i Shtetit ka emëruar Zëvendës Ndihmës Sekretarin Matthew Palmer si Përfaqësuesin e tij të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë rol, – tha Departamenti i Shtetit, – zoti Palmer do të udhëheqë përpjekjet tona për të forcuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes, stabilitetit dhe begatisë në rajon dhe për t’u përqëndruar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet perëndimore.”

Departamenti amerikan i Shtetit njofton se si Përfaqësues i Posaçëm, zoti Palmer do të shkojë në Slloveni duke filluar nga 1 shtatori për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit. Ai gjithashtu do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në takimin e Drejtorëve të Quint-it për Ballkanin në Bruksel dhe do të marrë pjesë në takime në Vjenë dhe Podgoricë, nga 4 deri më 10 shtator.

Përveç shërbimit si Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit, zoti Palmer do të vazhdojë të jetë Zëvendës Ndihmës Sekretar në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, një post që ai mban që nga viti 2018. Më parë, ai ishte Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore.

voa

Protestë në Moskë, mijëra dalin në rrugët kryesore

Protesta rusiMijëra rusë dolën në rrugët e Moskës të shtunën për të kërkuar zgjedhje të lira për këshillin e bashkisë së kryeqytetit më 8 shtator.

Ata sfiduan urdhrin që ndalon demonstrimet dhe që është shoqëruar me arrestime të dhunshme gjatë protestave të mëparshme.

Disa javë demonstrimesh për zgjedhjet e Moskës janë shndërruar në lëvizjen më të madhe të protestës në Rusi që prej 8 vjetësh, kur protestuesit dolën në rrugë kundër mashtrimeve në zgjedhje.

Me brohoritjet “Rusia do të jetë e lirë!” dhe “Ky është qyteti ynë!” më shumë se 2,000 protestues marshuan sot nëpër rrugët kryesore të Moskës.

Demonstruesit kërkojnë pjesëmarrjen në zgjedhje të kandidatëve opozitarë, të cilët nuk u lejuan të përfshiheshin në listat e votimit.

Protestuesit kërkojnë tani edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar në tubimet e mëparshme.

Protesta e së shtunës, e fundit para votimeve, ishte më e vogël se disa nga demonstrimet e mëparshme ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.

Policia nuk bëri përpjekje për arrestime por nëpërmjet altoparlantëve u kërkoi protestuesve të shpërndahen.

voa

LDK dhe Vetëvendosje – ndarazi në zgjedhje

ZgjedhjetLidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje, diskutuan edhe të premten për një marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e 6 tetorit, por, përpjekjet dështuan për shkak të mospajtimeve rreth kandidaturës për postin e kryeministrit.

Në mesnatën e së premtes përfundoi afati për regjistrimin e koalicioneve dhe të dyja këto parti sikurse edhe Partia Demokratike e Kosovës, shkojnë në zgjedhje të vetme.

Deri në përfundim të afatit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar dy koalicione parazgjedhore të partive politike shqiptare: koalicioni i Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re dhe ai ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate si dhe dy koalicione të partive politike të pakicave kombëtare.

Partitë politike kanë afat regjistrimi deri më 6 shtator.

Kosova do të votojë më gjashtë tetor në zgjedhjet e parakohshme që pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Këto zgjedhje shihen të rëndësishme për Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re, posaçërisht me çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritjen e bisedimeve te pezulluara me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është edhe kusht për integrimet evropiane të tyre. voa

Hahn: Kosova të heqë tarifat; Serbia të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve

HahnKomisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn, tha të premten se Kosova duhet të heqë tarifat ndaj mallrave serbe dhe Serbia duhet t’i jap fund fushatës për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai i bëri këto komente në Helsinki ku të premten ministrat e BE-së takuan ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Komisionari Hahn tha se rezultati i bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është element thelbësorë për ardhmërinë evropiane të rajonit. Ai shfaqi shpresën se pas zgjedhjeve në Kosovë, që mbahen më 6 tetor, “gjërat do të jenë të më qarta” dhe më pas “të hyhet në negociata përfundimtare”.

Ai tha se Kosova duhet të heqë tarifat “që janë në kundërshtim me frymën e BE-së” dhe “Serbia duhet të përmbahet nga kjo nisma e tërheqjes së njohjeve (të pavarësisë së Kosovës”.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, në kundërpërgjigje ndaj fushatës së Beogradi kundër shtetësisë së Kosovës.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre është kusht për integrimet evropiane që janë aspiratë e të dyja vendeve.

Por, në Helsinki sot ju bë thirrje Serbisë që të mos largohet nga rruga e saj evropiane derisa Beogradi po përgatitet të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me një bllok ekonomik të udhëhequr nga Rusia. Serbia pritet të nënshkruajë marrëveshjen me Bashkimin Ekonomik Euro-aziatik – të përbërë nga Rusia, Armenia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Kirgizia në fund të muajit tetor.

Ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, tha se nuk mund te ecet në disa drejtime njëherësh dhe Serbia duhet të harmonizojë politikat e saj me partnerët evropianë

“Nëse jeni serioz në orientimin evropian, atëherë merrni vendime që ju ofrojnë. Ky nuk është një prej tyre”, tha ai.

Shefja në largim e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se anëtarësimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian nënkupton jo vetëm përfitime ekonomike por ndihmon edhe ndërtimin e paqes dhe ripajtimin.

“Mos të harrojmë se disa nga këto vende ishin në luftë vetëm 20 vjet më parë dhe kjo është një kohë e shkurtër. Vetëm perspektiva e të qenit së bashku në të njëjtën familje, në të njëjtin institucion, mund t’u japë atyre jo vetëm stimuj ekonomik, por edhe stimuj institucional, politik, për t’u pajtuar me një histori shumë të rëndë dhe të vështirë dhe për të parë drejt së ardhmes”, tha ajo.

Por, Bashkimi Evropian është kritikuar për dështimin në përmbushjen e zotimeve duke zvarritur hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Evropian është shprehur i përkushtuar për ta bërë këtë në tetor, por zonja Mogherini tha të premten se vendet anëtare ende nuk janë gati për një vendim të tillë.

Serbia hapi këto negociata në vitin 2014 por procesi varet nga marrëdhëniet me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë. Beogradi madje reagoi edhe ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në takimin në Helsinki.

Hapja e negociatave Serbisë asaj i ishte mundësuar me marrëveshjet me Kosovën të vitit 2013 të cilat Kosovës i siguruan Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian.

Megjithatë ajo mbetet e fundit në proceset integruese dhe qytetarët e saj janë të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin pa viza, ndonëse siç tha të premten zonja Mogherini, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza.

voa

Tiranë, dëmtohet Memoriali turk te Parku i Liqenit

Memoriali turkMemoriali kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të Shtetit në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016, i vendosur në një zonë të Parkut të madh të Liqenit në Tiranë, është dëmtuar sot në orët e para të mëngjesit “nga persona të paidentifikuar”, njoftoi policia shqiptare përmes një komunikate për ngjarjen. Sipas saj, pllaka e mermertë “është goditur me sende të forta”, dhe është thyer në njërin cep të saj.

Ceremonia e vendosjes së Memorialit me emrat e 251 personave që humbën jetën tre vjet më parë në Turqi, u zhvillua në 15 korrik, e organizuar nga ambasada turke në Tiranë, e cila njoftoi se “me sukses dhe me krenari inaguruam “Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”. Ajo mbeti larg fokusit të mediave, të cilat e trajtuan më pas me bujë këtë ngjarje disa javë më vonë.

Reagimet qenë të shumta, për shkak se monumenti i kushtohej një ngjarjeje të lidhur ngushtësisht me një vend të huaj e për më tepër me zhvillimet e brendshme politike atje. Kryebashkiaku i kryeqytetit shqiptar Erion Veliaj evitoi më vonë të jepte shpjegime, duke deklaruar vetëm se“në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet”, por pa treguar nëse mund të hiqej një paralele mes pikave të tjera, të cilave ai referohej dhe këtij Memoriali. Zoti Veliaj e reduktoi reagimin e tij ndaj kritikave që ka ngjallur një ngjarje e tillë, te respekti që duhet treguar për të vdekurit, duke ju shmangur thelbit të debatit. “ Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre”.

Ende dhe sot, Bashkia nuk ka sqaruar se i kujt ishte vendimi për ngritjen e Memorialit, dhe cilat ishin motivet e një vendimi të tillë. E po ashtu edhe nëse ka patur ndonjë akt të Bashkisë për emërtimin e rrugës apo parkut, gjë e cila është kompetencë e saj dhe Këshillit bashkiak që merr në fund vendimin. Nga një vështrim i vendimeve të publikuara në faqen e Këshillit Bashkiak, nuk rezulton të ketë patur një të tillë lidhur me ‘’Rrugën e Dëshmorëve të 15 Korrikut’’ dhe ‘’Parkun e Demokracisë së 15 Korrikut”.

Fillimisht Bashkia e Tiranës, u duk se kërkonte t’i rrinte larg kësaj ngjarjeje. Interesimit të Zërit të Amerikës për të kontaktuar dhe intervistuar një nga drejtuesit e Bashkisë lidhur me çështjen e Memorialit, një zëdhënës i Bashkisë tha se duhej kontaktuar Ministria e Jashtme. Kjo e fundit i shpjegoi zyrtarisht Zërit të Amerikës se nuk ishte përfshirë në asnjë formë dhe mënyrë në ceremoninë e 15 korrikut, madje asnjë përfaqësues i saj nuk mori pjesë. Ndërkohë që Bashkia u përfaqësua në nivel të lartë, me zëvendësin e zoti Veliaj, nënkryetarin Arbjon Mazniku.

Tre ditë pas ceremonisë në Tiranë kryeministri Edi Rama, njoftoi përmes një fotoje se ndodhej në Turqi “në mikpritjen e Presidentit Erdogan në rezidencën e tij verore në Marmaris”, siç shpjegoi vetë kreu i Qeverisë, i vënë jo rrallë në shënjestër për raportet e tij të afërta ,me kreun e Shtetit turk, i cili ka fajësuar klerikun Fetullah Gülen dhe organizatën e cilësuar terroriste FETO, për grushtin e dështuar të Shtetit

Pak ditë më vonë në Tiranë mbërriti për një vizitë ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, i cili deklaroi në një intervistë për mediat turke se kishte dikutuar me homologun e tij shqiptar Sandër LLeshaj por dhe me kryeministrin Edi Rama për luftën kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n. Ata kanë shprehur përkushtimin e tyre në këtë drejtim,” tha ministri turk, duke shtuar se ndjehej i kënaqur nga “qasja e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm ndaj FETO-s”.

voa

Kriza e opioideve, 572 milionë dollarë gjobë ndaj kompanisë Johnson & Johnson

JohnsonNjë gjykatës në shtetin amerikan të Oklahomës ka urdhëruar kompaninë e ilaçeve Johnson & Johnson të paguajë 572 milion dollarë dëme ndaj shtetit për nxitjen e krizës së opioideve. Administrata Trump e ka deklaruar varësinë nga opioidet një krizë shëndetësore kombëtare. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se opioidet kanë shkaktuar vdekjen e afro 400,000 njerëzve gjatë 20 viteve të fundit.

“Kriza e opioideve është një rrezik dhe kërcënim i menjëhershëm për banorët e Oklahomës. Vendimi im përcakton se fushata e gabuar dhe reklamimi i opioideve nga kompania Johnson & Johnson krijuan një shqetësim duke rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e mijëra banorëve të Oklahomës”, tha gjykatësi Thad Balkman.

Johnson & Johnson është kompania e parë që gjykohet për atë që shteti i Oklahomës thotë se ishte një “fushatë cinike, mashtruese multi-miliarda dollarëshe për larjen e trurit.” Shteti tha se J&J i reklamonte opioidet si një “ilaç magjik” tek mjekët, infermierët dhe farmacistët.

Avokatët e shtetit thanë se më shumë se 10,000 banorë të Oklahomës kanë vdekur që nga viti 2000 si rezultat i varësisë dhe mbidozës të qetësuesve sintetikë.

“Në fund të fundit nuk mund të qëndrosh i ulur në zyrën e një korporate për 20 vjet dhe të mbifurnizosh vendin me opioide. Kjo drogë u shtua 10 herë dhe në të njëjtën kohë 15 herë më shumë njerëz gjetën vdekjen nga mbidoza e opioideve. Pra nuk kam asnjë dyshim se këto kompani e dinin se çfarë po ndodhte. Ata nuk mund të pushonin së nxjerri fitime. Kjo është arsyeja që janë përgjegjës”, thotë Mike Hunter, Prokuror i Përgjithshëm i Oklahomës.

Oklahoma kërkonte një dëmshpërblim prej 17 miliardë dollarësh nga Johnson dhe Johnson. Kompania thotë se do ta apelojë vendimin e gjykatësit.

Johnson & Johnson është një nga tre kompanitë farmaceutike të paditura nga Oklahoma, por e vetmja që doli në gjyq.

Shteti arriti marrëveshje disa-milionë dollarëshe me Perdue Pharma dhe Teva Pharmaceuticals Industries në fillim të këtij viti.

voa

Tre subjektet më të mëdha politike garojnë të vetme në zgjedhje

PrishtinaVendet e QUINT-it, presin që zgjedhjet e parakohshme në Kosovë të jenë të besueshme, por ata u bëjnë thirrje kandidatëve që ta lënë mënjanë retorikën populiste dhe nacionaliste e të ofrojnë programe konkrete.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen më (06.10) tri partitë politike më të mëdha në Kosovë, LDK, PDK, dhe Vetëvendosja do të garojnë të vetme në zgjedhje. Ndërkohë në garë janë edhe katër koalicione, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ. Në mesnatën e shkuar përfundoi afati i regjistrimit të koalicioneve parazgjedhore, kurse subjektet politike kanë afat deri më (06.09) që të regjistrohen në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshmepër Kuvendin e Kosovës.

Koalicionet parazgjedhore

Katër koalicionet e regjistruara për zgjedhjet e parakohshme në Komisionin Qendrore të Zgjedhjeve në Kosovë janë:

– Koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate.

– Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.

– Koalicioni Vatak, i përbërë nga tri parti (Partia Demokratike Boshnjake, Partia Demokratike Vatan dhe Partia e Bashkuar Boshnjake.

– Koalicioni i katërt i paraqitur në KQZ, i quajtur Sloboda (Liria), përbëhet nga Partia Përparimtare e Kosovës dhe Partia e Re e Kosovës.

Gjatë ditës së premte, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje, diskutuan për një marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e 6 tetorit, por, përpjekjet dështuan për shkak të mospajtimeve rreth kandidaturës për postin e kryeministrit. Megjithatë këto dy parti nuk e përjashtojnë mundësinë e një koalicioni pas-zgjedhor, nëse ndonjëra nga to del fituese dhe ka të drejtën si partia e parë ta formojë qeverinë.

QUINT: Garë e drejtë zgjedhore

Në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhjet e 6 tetorit, përfaqësuesit e vendeve më të industrializuara QUINT, ku bëjnë pjesë e (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia)përmes një deklarate të përbashkët thanë se “presin nga të gjitha partitë politike të krijojnë një ambient të drejtë të garës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, proces ky që po shihet si mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit”. “Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, andaj kandidatët nuk duhet të kenë të kaluar kriminale ashtu që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë. Sikurse në zgjedhjet e kaluara, ne do të bashkohemi me organet e tjera lokale dhe ndërkombëtare për të ndihmuar që të sigurohet një ambient i lirë dhe i drejtë”, thuhet në deklaratë.

Vendet e QUINT, presin që zgjedhjet të jenë të besueshme dhe kërkojnë nga banorët e Kosovës që të dalin e të votojnë, ndërsa, kandidatëve u bëhet thirrje që ta lënë mënjanë retorikën populiste dhe nacionaliste. “Votuesit dëshirojnë që udhëheqësit e tyre të sigurojnë që të rinjtë e Kosovës do të mund të ndërtojnë të ardhmet e tyre këtu. Votuesit meritojnë përgjigje të detajuara nga partitë për atë, se si programet e tyre do të forcojnë sistemin e arsimit ashtu që të diplomuarit të jenë më mirë të përgatitur për punësim; se si ato programe do të krijojnë vende pune dhe si do të përmirësojnë zhvillimin e sektorit privat dhe investimet, si do të përkrahin ndërmarrësin, si do të mbajnë përgjegjësinë fiskale, dhe si do të përmirësojnë sigurinë e furnizimit me energji dhe mjedisin”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë mbahen pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi ai u ftua nga Gjykata Speciale për Krime Lufte në cilësinë e të dyshuarit. Zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6  tetor në Kosovë, nga analistët po cilësohen si shumë të rëndësishme, ku qeveria e re pritet të përballet më shumë sfida e në mesin e të cilave edhe me dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. (dw)

Lufta kundër poliomelitit në Pakistan dhe Afganistan

VakcinaMbi 30 vjet më parë, poliomeliti gjymtonte qindra mijëra fëmijë në vit. Gjatë këtij viti e deri tani, rreth 60 fëmijë janë prekur nga kjo sëmundje. Vëmendja tani është përqendruar kryesisht në vetëm dy vende, Pakistan dhe Afganistan. Siç njofton korespondetja e Zërit të Amerikës Carol Pearson, aktualisht ka njoftime se përpjekjet për zhdukjen e kësaj sëmundje po hasin pengesa.

Vaksinimi kundër poliomelitit është një procedurë e thjeshtë.

Por në disa pjesë të botës, ekipet mjekësore rrezikojnë jetën për të mbrojtur fëmijët nga paralizimi për jetë.

Në fillim të vitit, vaksinimi u pezullua gjatë një proteste fisnore në Pakistan. Ekipet mjekësore u sulmuan, kërcënuan dhe u vranë në Pakistan pas përhapjes në median sociale të thashethemeve kundër vaksinimit. Si rezultat, numri i rasteve u rrit. Pavarësisht rreziqeve, shumë punonjës të shëndetit vazhdojnë përpjekjet e tyre për dhënien fund të poliomelitit nga i cili kryesisht preken fëmijë nën moshën pesë vjeçare.

Që nga viti 1988, kur edhe filluan përpjekjet ndërkombëtare për zhdukjen e poliomelitit, numri i rasteve ka rënë me 99.9%. Carol Pandak drejton përpjekjet globale të rrjetit “Rotary International” për zhdukjen e poliomelitit.

“Në vitin 2018, vetëm Pakistani dhe Afganistani njoftuan raste të virusit të poliomelitit.”

Në Pakistan dhe Afganistan është e vështirë të gjesh ujë të pastër. Kjo e vështirëson luftën për zhdukjen e visrusit i cili përhapet përmes ujit të ndotur dhe higjenës jo të mirë. Dr. Iqbal Memon është me Komisionin Këshillues Pakistanez për Zhdukjen e Poliomelitit.

“Kampionet nga mjedisi tregojnë për një virus poliomeliti dhe ky është një tregues i rrezikshëm. Kjo mund të shmanget vetëm përmes vaksinimit të të gjithëve.”

Për të parandaluar prekjen e fëmijëve nga poliomeliti, ata duhen vaksinuar dhe rivaksinuar, veçanërisht kur situata sanitare është e keqe.

“Në këto mjedisie me infeksione të shpeshta, rreth 15 doza cilësohen si të përshtatshme”, thotë zoti Iqbal Memon.

Një nga problemet në Pakistan dhe Afganistan është qasja tek fëmijët. Shumë familje migrojnë nga njëri vend tek tjetri, duke vështirësuar vaksinimin e çdo fëmije. Oliver Rosenbauer është me Nismën Globale të Organizatës Borëtore të Shëndetit për Zhdukjen e Poliomelitit.

“Të dy vendet duhet të punojnë sëbashku kundër virusit, punë që po vjen duke u shtuar. Ata po ndajnë të dhëna, kordinojnë datat e vaksnimit në fushatat e tyre dhe ndajnë të dhëna për mbikëqyrjen. E gjithë kjo punë ka ndikim.”

Synimi është dhënia fund e transmetimit të virusit të poliomelitit. Për këtë nuk ka datë por dhënia fund është thelbësore.

“Nëse rasten nuk shuhen totalisht, pasi është një sëmundje shumë ngjitëse, dhe e prirur që të bëhet epidemike, ne rrezikojmë që kjo sëmundje të përhapet përsëri në të gjithë botën”, thotë zoti Rosenbauer.

Suksesi nuk është aspak i sigurtë, por Nisma Globale për Zhdukjen e Poliomelitit synon të vazhdojë fushatën deri sa asnjë fëmijë të mos preket më kurr nga poliomeliti.

voa