Video-samiti i Parisit përfundoi pa marrëveshje

MacronSamiti Kosovë-Serbi i organizuar nga presidenti i Francës Macron me pjesëmarrjen e kancelares Merkel përfundoi pa marrëveshje për vazhdimin e dialogut. Video-konferenca do të vazhdojë të dielën.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kumtuan pas video-samitit të sotëm se të dielën nuk do të vazhdojë dialogu i ngrirë para dy vitesh mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Në vend të takimit të organizuar nga Miroslav Lajçak, ditën e dielë kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë do të vazhdojnë konsultimet përmes një video-konference me presidentin Macron dhe kancelaren Merkel. Ndërsa takimi i parashikuar të mbahet me datën 12 korrik në Bruksel është shtyrë për datën më 16 korrik.

“Pjesëmarrësit kanë diskutuar për hapat e ardhshëm në dialogun Prishtinë-Beograd të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Negociatat mes dy palëve do të fillojnë me një video-konferencë që do të mbahet më 12 korrik dhe me takimin e parë në Bruksel më 16 korrik”, thuhet në komunikatën përbashkët të kancelares Merkel dhe presidentit Macron.

Hoti: Serbia nuk është e interesuar për normalizim

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti deklaroi pas video-samitit se “marrëdhëniet me Serbinë mbeten për Kosovën një çështje shqetësuese”. Hoti tha se prej vitit 2011 janë arritur shumë marrëvveshje. Ndërsa ato që janë zbatuar “kanë përmirësuar jetën e njerëzve në të dy vendet”.

”Që nga fillimi i dialogut në vitin 2011, Serbia ka vazhduar të ndërmarrë fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe duke lobuar kundër njohjes së Republikës së Kosovës nga shtetet e tjera”, theksoi Hoti. Praktikat e tilla të dëmshme, sipas tij, dëmtuan procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve. “Serbia nuk tregoi synime të vërteta për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve”, pohon Hoti.

Vuçiq: Bisedime tepër të rënda

Presidenti i Serbisë Vuçiq deklaroi se bisedimet e sotme kanë qenë tepër të rënda. Serbia ishte e vetmja që kishte qëndrime të kundërta me pjesëmarrësit tjerë të bisedimeve. “Gjermania dhe Franca do të dalin me kumtesë të përbashkët dhe me qëndrime të kundërta, pasi nuk jemi pajtuar”, thesoi Vuçiq.

Presidenti serb tha se pala shqiptare ëhstë paraqitur me një “listë të dëshirave”, sepse Serbia nuk pranon urdhëra dhe ultimatume.

“Prishtina kërkon ruajtjen e integritetit territorial, ruajtjen e Kushtetutës dhe rendit kushtetues të Kosovës, njohjen mes dy vendeve, e jo një model si dy Gjermanistë, pranim në OKB dhe njohje nga vendet tjer atë BE. E më pas duan të hapin edhe çështjen e të zhdukurve dhe dëmeve të luftës”, theksoi Vuçiq duke shtuar se bisedimet e tilla janë të pakuptimta.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë për të gjithë hapat për përmirësimin e pozitës së popullit tonë, lëvizjen e njerëzve, por nuk pranojmë ultimatume”, theksoi Vuçiq.

dw

Hagia Sofia përsëri xhami

tyrkieGjykata e Lartë Administrative e Turqisë vendosi pro kërkesës së kryeministrit Rexhep Tajip Erdoga që Hagia Sofia të përdoret përsëri si xhami.

Megjithë protestat në të gjithë botën Gjykata më e lartë administrative në Turqi vendosi që vendimi i Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne i vitit 1934 për ta shndërruar Hagia Sofinë në muze ishte i paligjshëm.

Në këtë mënyrë Hagia Sofia mund të përdoret përsëri si xhami. Hagia Sofia nuk është vetëm monumenti i Stambollit, por edhe simboli më i njohur turistik i Turqisë. Kupola masive me tulla dhe afresket e hollësishme tërheqin çdo vit miliona vizitorë dhe prandaj kjo ndërtesë ka edhe statusin e një monumenti të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Simbol politik

Hagia Sofia është më shumë se një kryevepër arkitektonike – dhe ka qenë gjithmonë një simbol politik. Ndërtesa monumentale u ngrit në shekullin e gjashtë pas Krishtit nga perandori bizantin Justinian.

Kur osmanët pushtuan Kostandinopojën në vitin 1453, Sulltan Mehmeti II e shndërroi shpejt kishën në xhami. Edhe themeluesi i Republikës Turke, Mustafa Kemal Ataturku, e përdori kishën për një akt me rëndësi të madhe simbolike: në vitin 1935, ai e ktheu Hagia Sofinë në muze. Turqia moderne është një vend laik, ky qe mesazhi i asaj kohe.

ithtaret e erdoganit

Ithtarë nacionalistë-islamikë të Erdoganit përshëndesin para Hagia Sofisë vendimin e gjykatës

Me rikthimin në xhami të monumentit të famshëm të UNESCO-s në lagjen Fatih të Stambollit, Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, synon t’u plotësojë dëshirat nacionalistëve turq, sepse për shumë prej votuesve të tij nacionalistë-islamikë, Hagia Sofia është simbol i pushtimit të Kostandinopojës së krishterë nga osmanët dhe i epërsisë së botës islamike.

Kritika ndaj vendimit

Patriarku Bartholomaios i Kostandinopojës, kreu i Kishës Ortodokse, u shpreh rreptësisht kundër shndërrimit të Hagia Sofisë në xhami. Hagia është një nga monumentet më të rëndësishme të civilizimit njerëzor dhe u përket jo vetëm pronarëve të tij të drejtpërdrejtë, por “të gjithë njerëzimit”, tha patriarku në Stamboll.

“Ndërtesa u ka shërbyer dy feve botërore për 1500 vjet pa pasur nevojë të ndryshojë rrënjësisht arkitekturën e saj,” thotë historiani Edhem Eldem nga Universiteti Bogazici i Stambollit. “Në të gjithë botën ka vetëm një numër të vogël kësi lloje ndërtesash. Dhe ne duhet t’i mbrojmë ato”. Hagia Sofia është simbol i një trashëgimie të përbashkët, universale njerëzore dhe i paqes midis botës islamike dhe asaj të krishterë, thotë historiani.

Edhe nënkryetari i Komisionit të BE-së, Margaritis Schinas, u shpreh në Parlamentin Evropian në Bruksel se është në favor të ruajtjes së statusit aktual të ndërtesës me famë botërore. Schinas nënvizoi rëndësinë simbolike të ndërtesës së famshme botërore dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor.

Schinas kujtoi gjithashtu se në vitin 2010, kur Stambolli ishte Kryeqyteti Evropian i Kulturës, Erdogani e përshkroi metropolin në Bofor si një qytet evropian. Meqenëse tani po kërkohen më bisedime në nivel ndërkombëtar ose evropian, vendimi ndjek vetëm interesat e brendshme, tha Schinas.

dw

Pas video konferencës së Parisit, Kosova dhe Serbia vazhdojnë bisedimet në Bruksel

MacronPresidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, zhvilluan sot një video konferencë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi ishte paraparë të mbahej në Paris, por duket se gjerat ndryshuan edhe për shkak të pandemisë së COVID-19-tës.

Në një komunikatë të përbashkët të të dy udhëheqësve të lartë evropianë thuhet se “presidenti Vuçiç dhe kryeministri Hoti ranë dakord të rifillojnë bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës që ishin ndërprerë që nga nëntori i vitit 2018. Bisedimet do të vazhdojnë të mbështeten nga Bashkimi Evropian me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht detyruese”.

Sipas komunikatës “presidenti Vuçiç dhe kryeministri Hoti ranë dakord për të thelluar bashkëpunimin, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme në fusha të shumta të parashikuara në procesin e Berlinit, si masa të rëndësishme për ndërtimin e besimit midis të dy palëve”.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të diskutojnë sërish të dielën në një video-konferencë, të organizuar nga Bashkimi Evropian, si fillim formal i bisedimeve teksa është shtyrë për të enjten më 16 korrik ulja e tyre ballë për ballë në Bruksel me ndërmjetësimin e shefit të politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit evropian Miroslav Lajçak.

Duke pasur parasysh se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit dhe një rëndësi të madhe për perspektivën e anëtarësimit të të dyja vendeve në BE, presidenti Macron dhe kancelarja Merkel do të vazhdojnë të mbështesin të dyja palët dhe palët”, thuhet në komunikatë, duke shtuar se ata janë të “të gatshëm, nëse është e nevojshme, të zhvillojnë një samit tjetër më vonë gjatë negociatave”.

Video konferenca e sotme pasoi takimet e ndara të presidentit francez Macron, fillimisht të martën me kryeministrin Hoti dhe të enjten me presidentin Vuçiç.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha gjatë konferencës se suksesi i procesit të normalizimit duhet të mbështetet në parimet se “tërësia tokësore e Kosovës është e pangeociueshme, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe marrëveshja duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”.

Ai tha se Kosova synon “një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes me Serbinë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë”. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të sigurojë njohjen nga pesë vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën. Pjesë e marrëveshjes duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB, tha ai.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cilësoi si ultimatum qëndrimet e tilla.

Pala shqiptare doli me kërkesa që janë: ruajtja e tërësisë tokësore dhe kushtetuese të Kosovës, njohja e ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës”, tha ai, duke i cilësuar si maksimaliste kërkesat e Prishtinës, ndërsa theksoi siç tha gatishmërinë e Beogradit për të hedhur hapa të vegjël.

Të dy udhëheqësit do të diskutojnë sërish të dielën në një video-konferencë, të organizuar nga Bashkimi Evropian,si fillim formal i dialogut Kosovë-Serbi, teksa është shtyrë për të enjten më 16 korrik ulja e tyre ballë për ballë në Bruksel.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Ambasadori Grenell paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit, ndërsa u shprehu mbështetjen përpjekjeve evropiane, duke shfaqur shpresën se video konferenca e sotme do të sigurojë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Zyrtarët evropianë thonë se rifillimi i bisedimeve do të hap një periudhë të re me më shumë shpresa për një marrëveshje përfundimtare.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, por normalizimi i marrëdhënieve është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve.

voa

Komploti i dyshuar rus, demokratët kërkojnë më shumë informacion

usaDemokratët në Kongres vazhduan të bëjnë presion për të marrë përgjigje këtë javë për njoftimet e mediave se Rusia ka paguar militantët Taliban për vrasjen e trupave amerikane në Afganistan. Këto njoftime, që Presidenti Donald Trump dhe disa republikanë kanë thënë se janë të paverifikuara, kanë theksuar vështirësinë e përplasjes me Rusinë në një vit zgjedhor.

Zyrtari më i lartë amerikan i mbrojtjes në mënyrë të qartë tha të ejten para ligjvënësve se ai nuk kishte parë një paralajmërim të inteligjencës se Rusia po paguante posaçërisht për komplote për vrasjen e trupave amerikane në Afganistan.

“Unë nuk jam informuar për diçka që përfshinte fjalët “vrasje me pagesë.” Nëse do të kishte një raport të besueshëm, të vërtetuar që përdorte ato fjalë, sigurisht që do të isha informuar nga zinxhiri i komandës për veprim.”

Sekretari i Mbrojtes Mark Esper më vonë pranoi se ai ishte informuar për informacione të inteligjencës për pagesa ruse që nuk ishin vërtetuar nga Departamenti i Mbrojtjes. Administrata e Presidentit Trump ka qenë e kujdesshme në theksimin e këtij dallimi. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo hodhi poshtë kërkesën e ligjvënësve demokratë në Kongres për të dëshmuar mbi atë që dinte administrata dhe si do të përgjigjej.

“Pse Rusia nuk është ndeshur me pasoja, madje as një dënim publik nga administrata Trump?, pyeti ligjvënësi demokrat Julian Castro.

Presidenti Trump i ka quajtur të rreme në postimet e tij në Twitter këto njoftime të medias dhe Shtëpia e Bardhë ka thënë se informacionet e inteligjencës nuk arritën te presidenti sepse nuk ishin verifikuar plotësisht, një arsyetim që ka nxitur reagime nga ekspertët e inteligjencës.

“Edhe sikur të ishte shumë pak e qartë nga inteligjenca e papërpunuar se rusët mund të kenë paguar për komplote për vrasjen e ushtarëve amerikanë, këto informacione do të kishin mbërritur në nivelet më të larta të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, përfshirë presidentin”, tha Michael Morell, ish ushtrues detyrës së Drejtorit të CIA-s.

Që atëherë, ligjvënësit janë informuar nga zyrtarët e inteligjencës për këtë, por për shkak të shqetësimeve të sigurisë duhej të ishin të kujdesshëm në përgjigjet ndaj pyetjeve në lidhje me verifikimin e këtij informacioni.

“Ka një numër pyetjesh në lidhje me këtë, dhe ne i dimë përgjigjet e disa prej këtyre pyetjeve më qartë se të tjerët. Unë, personalisht, nuk kam asnjë dyshim se Rusia po përpiqet të na shkaktojë telashe, për të zvogëluar besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara në të gjithë botën”, tha ligjvënësi republikan Mac Thornberry.

Ish komandanti i lartë amerikan në Afganistan u tha ligjvënësve se përgjigja e Presidentit Trump ndaj Rusisë duhet të jetë e qartë.

“Ne duhet të pezullojmë tërheqjen e trupave nga Gjermania. Kjo tërheqje e trupave i shërben dëshirës ruse për të minuar dhe dobësuar NATO-n. Nëse kjo realizohet pavarësish njoftimeve për komplot, kjo do të shihet si një shenjë e dobësisë amerikane përballë kërcënimeve ruse”, tha John Nicolson, gjeneral në pension.

Nuk dihet nëse ushtarë amerikanë vdiqën për shkak të pagesave të mundshme për komplot ndaj tyre, por analistët paralajmëruan se pavarësisht nga niveli i saktësisë së njoftimeve, udhëheqësi rus Vladimir Putin do të vëzhgojë me kujdes përgjigjen e Shteteve të Bashkuara.

“Fakti që ne jemi duke diskutuar për këtë tregon se ne kemi nevojë për një rivlerësim të pozicionit tonë kundrejt Rusisë në të gjithë spektrin”, tha Ian Brzezinski, ish-ndihmës sekretar i Departamentit të Mbrojtjes

Një diskutim i shtyrë deri pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

voa

25 vjet pas Masakrës së Srebrenicës

SrebrenicaBosnja po shënon 25-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, masakra më e rendë në Evropë që në oërfundim të Luftës II Botërore. Në korrik 1995, ish-presidenti i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç dha urdhër për marrjen e Srebrenicës, qytetit të shpallur zonë e sigurtë nga Kombet e Bashkuara. Sulmi i forcave serbe rezultoi në Masakrën e Srebrenicës, gjakderdhja më e rëndë e Evropës, që pas përfundimit të Luftës II Botërore. Dhimbja dhe plagët e shkaktuara 25 vjet më parë ndjehen ende sot në Bosnje:

Bota u shtang kur mësoi në verën e vitit 1995 se në mes të korrikut të atij viti më shumë se 8 mijë burra e djem boshnjakë ishin masakruar në qytetin e Srebrenicës që ishte shpallur nga Kombet e Bashkuara si “zonë e sigurtë”.

Lufta kishte shpërthyer në Bosnje në prill 1992. Kur ushtria e serbëve të Bosnjes filloi të avanconte drejt lindjes në fillim të 1993, popullata myslimane e zonës u largua për t’i shpëtuar dhunës, duke u mbledhur në Srebrenicë. Ky qytet me 36 mijë banorë, shumica myslimanë, së shpejti kishte thuajse dy herë më shumë njerëz.

https://www.zeriamerikes.com/a/5497965.html

Në prill 1993, Kombet e Bashkuara veçuan tre qytete, ndër to edhe Srebrenicën si zona të sigurta dhe vendosën forca paqësore për të mos lejuar ndërhyrje.

Në atë kohë presidenti i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dha urdhër që Srebrenica dhe Zhepa të vendoseshin nën rrethim të fortë për të mos lejuar futjen e ndihmave ndërkombëtare.

Më 9 korrik 1995 Radovan Karaxhiçi urdhëroi forcat të merrnin Srebrenicën. Trupat serbe rrethuan qytetin dhe filluan të sulmonin pikat e kontrollit të paqeruajtësve holandezë, duke marrë rreth 30 ushtarë peng. Të nesërmen, më 10 korrik forcat serbe filluan bombardimin e Srebrenicës, megjithë paralajmërimet e holandezëve se NATO do të sulmonte nëse ata nuk tërhiqeshin.

Një ditë më pas avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe, ndërkohë që njësitë serbe kërcënuan se do të vrisnin pengjet holandeze. Sulmet NATO-s u ndalën në mbrëmjen e 11 korrikut dhe komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u përpoqën të largohen për të shpëtuar duke u mbledhur pranë bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të Srebrenicës.

Komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë refugjatëve të mos kishin frikë. Forcat serbe më pas i futën refugjatët në autobusë për t’i larguar nga zona. Një pjesë u sollën në Kladanj, pranë zonës nën kontrollin qeveritar. Të tjerët filluan të mbërrijnë vetë. Shumë shpejt zyrtarët e Kombeve të Bashkuara vërejtën me shqetësim se në radhët e të zhvendosurve që po mbërrinin mungonin burrat.

14 korrik 1995

SOREN JESSEN-PETERSEN, zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët

“Ka rreth 2-3 mijë refugjatë të tjerë në Kladanj. Ka njerëz që vazhdojnë të mbërrijnë. Por problemi që vërejmë është se grupi i të zhvendosurve janë kryesisht gra, të moshuar dhe fëmijë. Kemi marrë njoftime se mijëra të tjerë janë në Bratunac, kemi kërkuar akses. Pa dyshim që fati i mijëra meshkujve mbetet shqetësim serioz për ne,” tha më 14 korrik zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

Rreth 15 mijë meshkuj myslimanë kishin arritur t’i shpëtonin rrethimit serb dhe të fshiheshin në pyje, por shumë prej tyre u kapën nga trupa serbe që kishin zënë pritë, të veshur me uniformat e forcave paqeruajtëse të OKB-së.

Me kalimin e ditëve, u bë e qartë se shumë prej burrave të zhdukur kishin pasur një fund makabër. Brenda pak ditësh pas rënies së Srebrenicës, forcat serbe masakruan 8000 burra e djem, shumë prej tyre të kapur rob. Të tjerët u vrarë kur po përpiqeshin të shpëtonin. Shumë prej të kapurve ishin futur në magazina, shkolla, stalla pranë Srebrenicës, ku u qëlluan për vdekje dhe më pas u groposën në varre masive.

Udhëheqësit e serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladiç u akuzuan nga Gjykata e Hagës dhe më shumë se dy dekada pas luftës në Bosnje u shpallën fajtorë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

25 vjet pas luftës në Bosnje, ende zbulohen varre të reja masive. Identifikimi i viktimave shpesh rezulton i pasuksesshëm, pasi trupat u dëmtuan pas vrasjes dhe u zhvendosën pas groposjes. Kjo mbetet një tjetër plagë e hapur për të mbijetuarit e masakrës më të rëndë të Evropës që pas Luftës II Botërore.

voa

Covid 19: 205 raste të reja, 6 të vdekur dhe 336 persona të shëruar

diagram 10 korrikMinistria e Shëndetësisë informon se gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 1728 teste dhe janë regjistruar 205 raste të reja të covid-19 edhe atë në – Shkup 60 – Sveti Nikollë 29 – Gostivar 23 – Dibër 17 – Tetovë 13  – Kumanovë 13 – Strugë 12  – Shtip 10 – Kërçovë 7 – Prilep 2  – Veles 3 – Manastir 3  – Resnjë 3 – Probishtip 2 – Prilep 2 – Demir Hisar 2 –  Ohër 1– Krushevë 1 – Strumicë 1 – Kavadarci 1 – Berovë 1 dhe Makedonski Brod 1.

Gjatë 24 orëve u regjistruan 6 viktima : 4 nga Shkupi dhe 2 nga Gostivari, ( të moshës 62, 65, 68, 70, 80 dhe 94-vjeçar).

Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistroi 336 pacient të shëruar në – Shkup 113 –  Ohër 57 – Strugë 52– Tetovë 40 – Kumanovë 28 – Shtip 15 – Dibër 8  – Gostivar 8 – Resnjë 4– Kriva Pallankë 4 – Valandovë 2 – Prilep 1 – Veles 1 – Kavadarci 1  – Probishtip 1  dhe Koçani 1.

Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara që nga fillimi i epidemisë është 7777, numri i pacientëve të rikuperuar është 3960, numri i të ndjerëve është 368 dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend për momentin është 3449.

Ndërsa në territorin e Tetovës, gjatë 24 orëve të shkuara u regjistruan 13 raste të reja dhe 40 të shëruar, numri i përgjithshëm i rasteve aktive me Covid-19 është 324.

SBKjo pamje para dhe rreth Bankës “Stopanska Banka” në Rr. “Ilinden” në Tetovë është e përditshme, vazhdon të mbizotërojë kaosi me grumbullimin e njerëzve, tani u bënë disa javë që kjo pamje vazhdon prej orës 08:30 – 18:00. Mbi 50 persona, çdo ditë mblidhen tek hyrja dhe rreth bankës. Fatkeqësisht asnjë masë e vetme nuk është ndërmarr për evitimin e këtij burimi potencial të infektimit të qytetarëve edhe përkundër sensibilizimit të pandërprerë nga ana e qytetarëve. Një papërgjegjësi totale të partive politike, komunës së Tetovës, organeve përgjegjëse, institucioneve, shtetit… Njerëzit janë lënë në mëshirën e fatit të keq të tyre.

Ja edhe renditja e qyteteve me  rastet më të larta aktive:

  • Shkup – 3716, aktiv 1871 (territori i Shkupit me 617.646 banorë).
  • Tetovë – 844, aktiv 324 (territori i Tetovës me 200.678 banorë: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë).
  • Kumanovë – 831aktiv 179 (me 109.228 banorë) .
  • Shtip – 411, aktiv 164 (me 43.625 banorë) .
  • Prilep – 291, aktiv 59 (me 75.132 banorë)
  • Strugë – 300, aktive 147 (me 65.801 banorë) .
  • Ohër- 219, aktiv 133 (51.591 banorë).
  • Veles – 201, aktiv 38 (me  54.384 banorë)
  • Gostivar – 211, aktiv 128 (111.252 banorë) .
  • Resnjë – 132aktiv 87 (me 16.313 banorë)
  • Dibër  – 137, aktiv 76 (me 20.863 banorë)
  • Koçani – 76, aktiv 16 (me 37.758 banorë)
  • Manastir – 68aktiv 27 (me 91.983 banorë)
  • Sveti Nikollë – 88, aktiv 81 (me 17.683 banorë)
  • Kërçovë – 65, aktiv 56 (me 56.937 banorë)
  • Probishtip – 32, aktiv 20 (me 15.085 banorë)

Tregoni kujdes me respektimin e rregullave sepse shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë, pa dallim.

Rritja e numrit të të infektuarve kufizon lëvizjen e qytetarëve jashtë vendit, si dhe ndalon ardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindje, mosardhja e gurbetçarëve ndikon drejtpërdrejtë në ekonominë tonë familjare.

Çdo gjë është në dorën tuaj, zgjidh vetë dhe vepro.

Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën.

Ja edhe lista e aktiviteteve më të rrezikshme nga Covid-19

covid 19Shoqata mjekësore e Teksasit në SHBA, e cila përbëhet nga 53 mijë fizikantë dhe student mjekësie, nxori listën që rendit vendet që kanë më shumë rrezik nga 1 në 10.

Sipas listës, të shkosh në një lokal, ose të marrësh pjesë në një mbledhje fetare me më shumë se 500 persona, apo një koncert muzikor e event sportive, renditen më lart sipas rrezikshmërisë.

Gjithashtu të shkon në teatër, në një park apo palestër nuk mbeten shumë mbrapa në listë.

Të përqafosh apo t’i japësh duart dikujt ka një rrezik të moderuar. Pjesë e listës janë dhe aktivitete si udhëtimi me avion, pjesëmarrja në një dasmë apo funeral, të shkosh tek berberi apo të ulesh në një restorant.

‘Turpet i quejmë virtyte të larta të kombit’

At Zef PllumiHapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?… Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve: i thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’. Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën .

Shka na mungon ne që mos të jemi si europjanët tjerë? Toka, jo; dielli e deti, jo. Na mungon mendja e mentaliteti e, mbi të gjitha dashunia. Nuk na sjell lavdi lashtësia, në qoftë se nuk jemi të qytetnuem. Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë dhe mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.”

“Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na,… mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë.

At Zef Pllumi

COVID: Mbi 12 milionë raste në shkallë globale

covid19Pandemia e koronavirusit ka shënuar një rekord të ri: 12 milionë të infektuar gjithsejtë në shkallë globale, sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins.

SHBA kryesojnë botën me mbi 3,054,695 infeksione, ose një të katërtën e rasteve globale, përfshirë më shumë se 60 mijë raste të reja të mërkurën. Kjo ishte shifra më e madhe e rasteve të reja që kur filloi pandemia.

Të paktën pesë shtete amerikane – Kalifornia, Teksasi, Tenesi, Virxhinia Perëndimore dhe Jutah shënuan numra rekord të mërkurën. Zyrtarët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se spitalet në disa shtete janë pranë kapacitetit maksimal.

SHBA po ashtu kryeson me numrin e vdekjeve. 132,500 viktima në SHBA përfaqësojnë afro 1/4 e 550,000 viktimave në shkallë globale.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka krijuar një komision të pavarur për të analizuar reagimin ndaj pandemisë. Shefi i OBSH tha se komisioni do t’i japë mundësi botës “të kuptojë të vërtetën për rrjedhën e ngjarjeve dhe zgjidhjet për të krijuar një të ardhme më të mirë për njerëzimin”.

Njoftimi i shefit të OBSH-së pasoi kritikat e Presidentit Trump ndaj organizatës ndërkombëtare për reagimin e saj ndaj pandemisë duke deklaruar të martën tërheqjen zyrtare të SHBA nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky hap u kritikua nga aktivistë të shëndetit publik dhe kundërshtarë të presidentit.

Në Australi, pesë milionë banorë në qytetin më të madh të vendit, Melburn, filluan një periudhë izolimi gjashtë-javësh si rezultat i ritmeve alarmuese të përhapjes së infeksionit.

Banorët janë urdhëruar të qëndrojnë në banesa, përveçse në rastet kur duhet të shkojnë në punë, shkollë, në dyqane ushqimesh apo te mjeku. Masat u morën disa ditë pasi zyrtarët në shtetet në kufi me Viktorian dhe Nju Sauth Uejllsin bllokuan lëvizjet nga Melburni pasi të hënën u raportuan 127 infeksione të reja.

Në Japoni, kanali i transmetimeve publike, NHK njoftoi 224 raste të reja në Tokio të enjten, një shifër rekord për kryeqytetin e vendit.

Një studim i ri i publikuar të enjten tregon se “ka prova të forta” që gratë shtatzëna të infektuara me koronavirus mund të infektojnë fetusin.

Studiuesit në Itali zbuluan prani virusi dhe të antitrupave në placentë, kordën e kërthizës dhe qumështin e gjirit si dhe në organet gjenitale të 31 grave shtatzëna që ishin shtruar me COVID-19.

Profesori i imunologjisë në Universitetin e Majamit, Claudio Fenizia, autori kryesor i studimit, tha se provat e mbledhura “janë dëshmi e fortë” se transmetimi i virusit në mitër është i mundshëm, por shton se asnjë nga foshnjet e lindura gjatë periudhës së studimit nuk rezultuan pozitivë për koronavirus.

Një tjetër studim, i publikuar të mërkurën në revistën shkencore Nature, arrin në përfundimin se personat e moshuar, meshkujt, pakicat racore e etnike dhe ata me probleme ekzistuese shëndeti si obezitet, diabet apo astmë të rëndë janë më të rrezikuar të vdesin nga COVID-19.

Studimi u realizua nga shkencëtarë britanikë, të cilët analizuan të dhënat e mbi 17 milionë pacientëve në tre muaj. Ata zbuluan se ndër më shumë se 10 mijë persona që vdiqën nga COVID-19 pacientët mbi 80 vjeç kishin 20 herë më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundja krahasuar me ata në të 50-tat dhe disa qindra herë më shumë gjasa se ata në të 40-tat.

Po sipas rezultateve, rreth 11% e numrit total të pacientëve në studim identifikoheshin si racë jo e bardhë dhe këta pacientë, sidomos të racës me ngjyrë apo aziatike ishin në rrezik më të madh të vdisnin nga koronavirusi se pacientët e bardhë.

voa

90 raste të reja, 2 humbje jete dhe 43 të shëruar në 24 orët e fundit.

Dr. Flutura BeqoMinistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 420 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 90 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 36 raste në Tiranë, 15 në Durrës, 11 në Vlorë, nga 8 raste në Kukës, Krujë, 4 në Kurbin, 3 në Elbasan, 2 në Lushnje, nga 1 rast në Lezhë, Kamëz, Dibër.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 43 qytetarë, duke e çuar në 1875 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1318 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Aktualisht janë të shtruar 81 pacientë në spital, 11 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 5 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë.
Fatkeqësisht dy qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në spitalin infektiv. Një 81 vjeçar nga Shkodra dhe një 63 vjeçar nga Elbasani, të shtruar prej disa ditësh në spitalin infektiv në gjendje të rënduar, nuk kanë mundur të mbijetojnë, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i rikujton bizneset se duhet të respektojnë me rigorozitet protokollet për të ruajtur shëndetin e punonjësve dhe qytetarëve.

I drejtohemi me një lutje të gjithë qytetarëve: Tregohuni të kujdesshëm, respektoni distancimin fizik, higjienën personale.
Mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura është e domosdoshme.
Mbani maskën kudo ku nuk mund të ruani distancën fizike, për të mbrojtur veten dhe të tjerët, për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Izolohuni nëse keni shenja të sëmundjes dhe telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127.
Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (10 Korrik 2020)
Testime totale 31513
Raste pozitive 3278
Raste të shëruara 1875
Raste Aktive 1318
Humbje jete 85 (Qarku Tiranë 46, Durrës 13, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 13, Kukës 1, Elbasan 3, Lezhë 1, Berat 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 529
Durrës 229
Shkodër 169
Vlorë 120
Lezhë 65
Fier 41
Kukës 40
Elbasan 34
Korçë 32
Berat 24
Dibër 18
Gjirokastër 17

“Në Shqipëri nuk garantohet kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane”/ Ambasada në Tiranë paralajmëron qytetarët e saj: Vend me rrezikshmëri të lartë të covid

iAmbasada gjermane në Shqipëri ka bërë një paralajmërim për qytetarët e saj lidhur me udhëtimet drejt vendit tonë duke paraqitur kornizën e situatës me pandeminë.

Ambasada informon se Shqipëria është vend me rrezikshmëri të lartë të COVID-19 bazuar në vlerësimet e institucioneve shëndetësore në Gjermani.

Shqipëria kategorizohet aktualisht nga institucionet kompetente shëndetësore gjermane si rajon me rrezikshmëri për shkat të situatës epidemiologjike të Covid-19.Nëse vendosni të udhëtoni jashtë vendit, përkundër paralajmërimit për udhëtim, ju lutemi të keni parasysh që ambasadat dhe konsulatat gjermane jashtë vendit mund t’ju ndihmojnë vetëm në një masë të kufizuar gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit dhe/ose masa për kufizime të jetës publike. Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Shqipëri nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër të tjera ekzistojnë mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19.“, thuhet në deklaratë.

Njoftimi nga ambasada

+++ Paralajmërimi për udhëtime në Shqipëri vlen edhe më tej – pas kthimit në Gjermani vlejnë rregullat e karantinimit +++

Nëse këtë verë keni planifikuar një udhëtim nga Gjermania për në Shqipëri, ju lutemi që të merrni në konsideratë sa vijon: Ministria e Jashtme Federale vazhdon të paralajmërojë mbi të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme (përfshirë arsye pushimi, pushime në vendlindje, vizita familjare etj.) për në Shqipëri. Kjo vlen deri më 31 gusht 2020. Shqipëria kategorizohet aktualisht nga institucionet kompetente shëndetësore gjermane si rajon me rrezikshmëri për shkat të situatës epidemiologjike të Covid-19.

Nëse vendosni të udhëtoni jashtë vendit, përkundër paralajmërimit për udhëtim, ju lutemi të keni parasysh që ambasadat dhe konsulatat gjermane jashtë vendit mund t’ju ndihmojnë vetëm në një masë të kufizuar gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit dhe/ose masa për kufizime të jetës publike. Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Shqipëri nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër të tjera ekzistojnë mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19.

Në rast kthimi, karantine 14-ditore: Nëse jeni duke udhëtuar nga Shqipëria për në Gjermani – me rrugë ajrore apo tokësore me autobus ose automjete private – jeni të detyruar që menjëherë pas kthimit të lajmëroni insitucionin kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtroheni një vetë-izolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh. Detyrimi për karantinë shtëpiake/vetë-izolim vlen për të gjithë nënshtetasit (edhe për ata gjermanë) dhe pavarësisht qëllimit të udhëtimit.

Gjatë kohës së karantinimit në shtëpi ju keni të drejtë të dilni nga banesa vetëm në konsultim dhe me leje të institucionit vendor shëndetësor. Një shkelje e këtij detyrimi mund të ketë për pasojë gjoba të larta. Nëse dhe eventualisht ku është e mundur të bëhet një test për Covid-19 pas hyrjes në Gjermani, i cili do të shkurtonte kohën e izolimit, edhe për këtë mund të informoheni tek institucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit. Në dijeninë e Ambasadës Gjermane, në Shqipëri aktualisht nuk ka laboratore, të cilët kryejnë në varësi të dëshirës teste për Covid-19.

Top Channel