Ministria e Shëndetësisë: prej 820 testeve 133 raste pozitive , 4 humbje jete dhe 75 të shëruar

Ministria e shendetesiseMinistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 820 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 133 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 68 raste në Tiranë, 10 në Elbasan, 9 në Durrës, 7 në Lezhë, 6 në Berat, nga 5 raste në Krujë, Fier, 4 në Korçë, nga 3 raste në Kukës, Gjirokastër, nga 2 raste në Kurbin, Kavajë, Vlorë, Tropojë, Kuçovë, nga 1 rast në Shkodër, Devoll, Pogradec.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 56 vjeçar nga Tirana, një 70 vjeçare nga Elbasani, një 77 vjeçar nga Durrësi, një 87 vjeçar nga Fieri. I shprehim ngushëllimet familjarëve.

75 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 5214, që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 180 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 17 në terapi intensive nga të cilët vetëm 6 pacientë janë të intubuar.
Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 45 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën thirrje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment.

Të ruajnë distancimin fizik, të vendosin maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, të kujdesen për higjienën personale.
Bizneset dhe institucionet publike duhet të zbatojnë me përpikmëri protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
Në rast se dyshoni se jeni të prekur nga COVID19 dhe keni shenja të sëmundjes, të telefononi menjëherë Urgjencën Kombëtare në numrin 127 ose në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun tuaj të familjes.

COVID-19 – Statistika (31 Gusht 2020)
Testime totale 62837
Raste pozitive 9513
Raste të shëruara 5214
Raste Aktive 4015
Humbje jete 284 (Qarku Tiranë 133, Durrës 40, Shkodër 36, Elbasan 16, Fier 14, Korçë 12, Lezhë 10, Kukës 6, Vlorë 6, Dibër 5, Gjirokastër 4, Berat 2)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 2092
Durrës 530
Shkodër 284
Lezhë 199
Korçë 178
Elbasan 159
Fier 144
Kukës 131
Vlorë 126
Berat 83
Dibër 52
Gjirokastër 37

Mediat e huaja: Dështimi i Gjukanoviqit dhe paqartësitë për bashkëpunimin e opozitës së deritashme

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.Presidenti malazez, Millo Gjukanoviq dhe Partia e tij Demokratike e Socialistëve (DPS) shënuan dështim në zgjedhjet parlamentare të së dielës (30 gusht), shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Por, sipas tyre, mbetet e paqartë se si do të bashkëpunojnë tre partitë opozitare – të cilat duket se kanë fituar një shumicë së bashku – por programet e të cilave ndryshojnë dukshëm – duke nisur nga mbrojtja e lidhjeve më të ngushta me Rusinë e deri te përpjekja për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

DPS-ja pro-perëndimore mund të rrëzohet nga pushteti pas tre dekadash, pas zgjedhjeve me rezultat të ngushtë, që i dhanë një përparësi të vogël kampit të opozitës, shkruan agjencia France-Presse (AFP).

Sipas këtij mediumi, nëse rivali kryesor i DPS-së, blloku pro-serb, bashkohet me dy listat tjera të opozitës, mund të çojë në rrëzimin e DPS-së nga pushteti, që do të shënonte një tërmet politik në Mal të Zi.

Që nga shpërbërja e Jugosllavisë, DPS kurrë nuk i ka humbur zgjedhjet, por, sipas AFP, këtë vit kjo parti u sfidua fuqishëm nga e djathta e mbështetur edhe nga kampi pro-serb, i cili dëshiron lidhje më të ngushta me Beogradin dhe Moskën.

AFP thekson se një rezultat të dobët të DPS-së, analistët ia atribuojnë përplasjeve me Kishën Ortodokse Serbe, e cila për muaj të tërë ka mbizotëruar debatin politik në këtë vend.

Rezultatet e zgjedhjeve janë një dështim i madh për DPS-në, e cila ka qenë në pushtet për tre dekada, si dhe Gjukanoviqin, i cili e drejtoi vendin përgjat shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë, shkëputjes nga Serbia më 2006 dhe anëtarësimit në NATO më 2017, shkruan agjencia Reuters.

Qeveria pro-serbe mund ta afrojë vendin më pranë Serbisë dhe Rusisë, por nuk pritet që ta largojë atë nga NATO-ja ose të heqë dorë nga planet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, thekson Reuters.

Liderët e opozitës dhe drejtuesit e organizatave për demokraci dhe të drejtat e njeriut, shkruan Reuters, kanë akuzuar prej kohësh Gjukanoviqin dhe PDS-në se po drejtojnë Malin e Zi si një feud të tyre korruptiv përmes lidhjeve me krimin e organizuar.

“Çdo qeveri e ardhshme do të duhet të angazhohet për të zgjidhur situatën e rënies ekonomike që filloi në vitin 2019, e cila më pas u përkeqësua nga pandemia e koronavirusit, që përfshiu të ardhurat e turizmit”.

Të dhënat e zgjedhjeve ende mund të çojnë në rezultate të ndryshme, por, secila prej tyre është një goditje për Gjukanoviqin, vlerëson BBC në një analizë.

Vendimi i Gjukanoviçit për të hyrë në një konflikt me Kishën Ortodokse Serbe u dha kundërshtarëve të tij një mundësi për të deklaruar se ata kanë Zotin në anën e tyre, thekson shërbimi publik britanik.

Përfshirja e kishës ka inkurajuar pjesëmarrjen më të madhe në zgjedhje, dhe shumë votues duket se kanë dëgjuar këshillat e priftërinjve për të votuar kundërshtarët e qeverisë, situatë kjo, që sipas BBC-së, ka krijuar mundësinë për një ndryshim të parë të qeverisë në Mal të Zi.

Sidoqoftë, do të ketë shqetësime për shkak të elementëve pro-rusë, dhe nacionalistë serbë midis partive opozitare nëse arrijnë të formojnë një qeveri koalicioni, shkruan BBC, duke shtuar se një ndryshim i qeverisë pas gati 30 vjetësh do të dërgonte një mesazh botës për Malin e Zi.

Në anën tjetër, Bloomberg raporton se nga burime të afërta, nuk është sqaruar se kush do të udhëheqë qeverinë e ardhshme në vendin që është e përfshirë në luftën për ndikim në Ballkan midis, mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, Rusisë dhe aleatëve të saj.

Sipas parashikimeve fillestare, të tre partitë e opozitës mund të marrin së bashku 41 nga 81 vendet në parlament, por, thekson Bloomberg, mbetet për tu parë nëse ata do të jenë në gjendje të bien dakord për një qeveri të përbashkët, siç ishte premtuar, duke pasur parasysh programet e tyre të kundërta.

rel

Nimanbegu: Vështirë se partitë shqiptare do të jenë në Qeverinë e Malit të Zi

Genci NimanbeguIsh-nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i zgjedhjeve paralmentare në Mal të Zi, që ka sjellë afër pushtetit partitë opozitare pro-serbe, është pasojë e situatës ekonomike, ndjenjës së padrejtësisë dhe Ligjit për Liritë Fetare.

Nimbanbegu, i cili në zgjedhjet e 30 gushtit ka kryesuar Listën Shqiptare, thotë se shqiptarët vështirë se mund të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme malazeze.

Ai nuk e pranon dhe as mohon mundësinë e koalicionit me opozitën e deritashme pro-serbe, por thotë se në të kaluarën ajo është shprehur me deklarata anti-shqiptare.

Ne kërkojmë përmirësim në statusin tonë identitetar dhe ekonomik, thotë Nimanbegu.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Nimanbegu, rezultatet e deritashme të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi tregojnë se shanset për të fituar pushtetin i kanë partitë opozitare. Ju keni qenë edhe nënkryetar i Parlamentit në katër vjetët e kaluar. Si e komentoni këtë ndryshim të mundshëm të skenës politike, pas gati tri dekadash? A ka qenë i pritshëm?

Genci Nimanbegu: Zgjedhjet e fundit në Mal të Zi treguan për një ndryshim të vullnetit të votuesve. Subjektet që ishin në opozitë në mandatin e kaluar – të gjitha së bashku – fituan 44 mandate, që do të thotë rreth 55 për qind të tyre. [Situata e krijuar] do të thosha se është prodhim i politikave të deritanishme në Mal të Zi, i vendimeve që janë marrë. Mbetet të shihet se si ky realitet do të drejtohet drejt qytetarëve të Malit të Zi, por edhe drejt synimeve euro-atlantike të shtetit.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni që elektorati, thënë kushtimisht, e ka ndëshkuar partinë e deritashme në pushtet të presidentit Millo Gjukanoviq?

Genci Nimanbegu: Si pjesëmarrës në jetën politike, vlerësoj se kjo ka të bëjë shumë me situatën ekonomike të qytetarëve, ndjenjat e padrejtësisë, por edhe me një ligj që është miratuar në fund të vitit të kaluar në Kuvendin e Malit të Zi, mbi liritë fetare. Pas miratimit të tij, Kisha Ortodokse Serbe dhe strukturat rreth saj kanë bërë shumë presion politik dhe kundërshtime. Dhe, kjo natyrisht ka bërë që koalicioni që është i lidhur me kishën, apo që është pro-serb, të fitojë 35 për qind të votave, ndërsa në të kaluarën ka pasur rreth 30 për qind. Këto 5-6 mandate të humbura nga koalicioni i Gjukanoviqit kanë qenë vendimtare për ndryshimin e pushtetit.

Radio Evropa e Lirë: Partitë opozitare që mund të fitojnë pushtetin i lidh nacionalizmi serb dhe orientimi pro-rus. Çfarë do të thotë kjo për Malin e Zi në përgjithësi dhe komunitetin shqiptar në veçanti?

Genci Nimanbegu: Kjo është një sfidë për ne. Shumë brenda këtyre subjekteve janë shprehur me deklarata anti-shqiptare, anti-Kosovës, kanë thënë se hapi i parë i tyre do të jetë tërheqja e njohjes së Kosovës. Megjithatë, ky nuk pritet të jetë debati në ditët e ardhshme. Deklaratat e para të tyre [pas zgjedhjeve] së paku ishin deklarata qetësuese, që bënin thirrje për bashkëpunim. Madje, një udhëheqës i listës së dytë opozitare, që ka fituar dhjetë mandate – që në Mal të Zi do të thotë mbi 13-15 për qind të votave – ka thënë se do t’i ftojë edhe partitë e pakicave në qeverinë e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Nimanbegu, e përmendet edhe ju çështjen e Kosovës. Ish-deputetë të Frontit opozitar Demokratik kanë bërë thirrje më herët për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Ata janë tani shumë afër marrjes së pushtetit në Mal të Zi. A mendoni se mund të tërhiqet njohja e Kosovës?

Genci Nimanbegu: Njohja e Kosovës është bërë nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, nuk është votuar në Kuvend në vitin 2008. Kjo mund të jetë çështje edhe e qeverisë së ardhshme. Por, dyshoj se partia URA, që ka fituar katër mandate dhe tani për tani do të jetë çelësi i qeverisë së ardhshme, do ta pranojë një sfidë të tillë. Por, në aspektin afatgjatë, nëse URA do të jetë pjesëmarrëse në qeveri dhe do të bëhet një akt i tillë, do të rrezikohen marrëdhëniet rajonale dhe ecuria e bashkëpunimit midis Malit të Zi dhe Kosovës, që, deri më tash, sipas zyrtarëve të dy qeverive, ka qenë shumë e mirë. [V.j. URA udhëhiqet nga shqiptari Dritan Abazoviq].

Radio Evropa e Lirë: Ndalemi pak te çështja e shqiptarëve. Nga rezultatet e deritashme, po ashtu bëhet e ditur se shqiptarët e Mali të Zi do të kenë një përfaqësim më të madh në përbërjen e re parlamentare, krahasuar me katër vjetët e kaluar. Çfarë do të thotë kjo për komunitetin atje?

Genci Nimanbegu: Edhe gjatë këtyre zgjedhjeve janë bërë oferta politike që besoj se populli i ka vlerësuar dhe me votë u ka dhënë besimin. Secili deputet përfaqëson subjektin apo votuesit e tij, por edhe shqiptarët në përgjithësi. Në këto zgjedhje, edhe pse pjesëmarrja ishte shumë e madhe, votat për shqiptarët nuk kanë rezultuar me tre mandate, siç ka qenë pritshmëria, por besoj se edhe këto dy mandate do të jenë më kualitative në mënyrën e përfaqësimit. Por, e shoh shumë të vështirë që shqiptarët, në të ardhmen, mund të jenë [pjesë] në Qeverinë e Malit të Zi. Deri më tani, vërtet kemi pasur shumë konflikte me partitë pro-serbe. Unë isha [anëtar] në Kuvendin e Malit të Zi dhe bashkëpunimi do të duhej të bëhej me reciprocitet dhe duke i pranuar qëndrimet tona politike.

Radio Evropa e Lirë: E përjashtoni koalicionin e mundshëm me opozitën pro-serbe?

Genci Nimanbegu: Jo, është shumë herët të thuhet se përjashtohet ose pranohet, sepse nuk është bërë ndonjë ofertë zyrtare. Andaj, nuk dua të jap deklarata mediatike se jemi për apo kundër qeverisjes së ardhshme. Ne do t’i marrim hapat sipas vlerësimeve tona, çfarë është më mirë për përfaqësimin tonë dhe për ardhmërinë tonë, por gjithmonë duke tentuar të ruajmë identitetin tonë, qëndrimet tona politike. Pra, ne kërkojmë përmirësim në statusin tonë, qoftë identitetar, por edhe ekonomik.

Radio Evropa e Lirë: Nëse opozita [e deritashme] pro-serbe ju bën ofertë zyrtare, nën cilat kushte do ta pranonit koalicionin?

Genci Nimanbegu: Ne i kemi të qarta synimet tona, qëndrimet tona, nuk kemi ndryshuar vite me radhë, as për opozitën pro-serbe ato nuk janë të panjohura. Do të shohim se si do të ecin ditët e ardhshme. Tani, pas zgjedhjeve, dua të shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin votues, secilin qytetar për fushatën, e cila ka pasur ndikime të pandershme në vota, posaçërisht nga ana e zyrtarëve lokalë dhe të partisë së Millo Gjukanoviqit, si për shembull me oferta udhëtimesh, që ndikojnë në votën e lirë. Ne duhet ta ngremë zërin që shoqëritë tona të jenë sa më demokratike, që vullneti i votuesve të jetë i lirë dhe kështu do të vazhdojmë.

Radio Evropa e Lirë: Mandatet e dy deputetëve vijnë nga dy koalicione të ndryshme. Si do të ndikojë kjo në vendimmarrje, kur bëhet fjalë për interesat e shqiptarëve?

Genci Nimanbegu: Në hyrjen e parë në parlament do të jenë Nik Gjeloshaj [nga Lista Shqiptare] dhe Fatmir Gjeka [nga koalicioni “Bashkë nji za”]. [V.J. Gjeloshaj, pasi është edhe kryetar i Komunës së Tuzit, nuk mund t’i ushtrojë dy funksione dhe mandatin e deputetit e vazhdon Nimanbegu]. Koalicioni jonë, Lista Shqiptare, do t’i bëjë thirrje edhe koalicionit tjetër që të ulemi dhe t’i dakordojmë qëndrimet tona në masën më të madhe të mundshme.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët edhe ju më herët pritshmërinë për tre deputetë shqiptarë. Sikur të bashkoheshit përpara zgjedhjeve, do të ishte më e lehtë arritja e këtij synimi?

Genci Nimanbegu: Me këto vota dhe me këtë dalje, edhe një listë nuk do t’i prodhonte tre deputetë. Për tre deputetë ishin të nevojshme 15,000 vota; ne i kemi marrë 11,000 vota. Shpresojmë që faktori shqiptar të rritet në të ardhmen edhe më tepër. Ne kemi kërkuar disa herë mandate të garantuara dhe shpresojmë të gjejmë bashkëbisedues edhe në qeverisjen e ardhshme. Por, në Kuvendin e Malit të Zi duhen dy të tretat e votave për ndryshimin e Ligjit elektoral dhe kjo çështje do të jetë pjesë e debatit në katër vjetët e ardhshëm.

Radio Evropa e Lirë: Keni besim se do ta arrini këtë qëllim?

Genci Nimanbegu: Ne do të tentojmë, do të kërkojmë dhe shpresojmë në mbështetje edhe të komunitetit ndërkombëtar për këtë kërkesë. Deri tani nuk e kemi pasur. Unë jam posaçërisht i brengosur nga qëndrimi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që shumë herë nuk ka raportuar për qëndrimet tona, për problematikën tonë. Por, shpresojmë të kemi mbështetje edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova, edhe nga faktori ndërkombëtar.

IKShPK : prej 452 mostrave 120 raste pozitive, 9 të vdekur dhe 122 të shëruar!

Ambulanca per koronavirusInstituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR dhe në laboratoret private, janë testuar gjithsej 452 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 120 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 9 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Numri total i rasteve pozitive është 13.454 raste nga 51.135 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 525 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 122 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 9.595 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.334.
Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 30 raste, komuna Prizren 16 raste, komuna Gjilan 13 raste, komuna Gjakovë 11 raste, komuna Rahovec 7 raste, komuna Viti 7 raste, komuna Deçan 6 raste, komuna Vushtrri 5 raste, komuna Pejë 4 raste, komuna Ferizaj 3 raste, komuna Drenas 2 raste, komuna Kamenicë 2 raste, komuna Klinë 2 raste, komuna Malishevë 2 raste, komuna Obiliq 2 raste, komuna Skenderaj 2 raste dhe me nga një rast komunat Fushë Kosovë, Istog, Mitrovicë, Podujevë, Shtime dhe Suharekë.

Covid 19: prej 450 testeve, sot, kemi 11 raste të reja, 3 viktima dhe 95 persona të shëruar

parandalimi covid 19Sipas Ministrisë së Shëndetësisë gjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 450 teste dhe 11 raste të reja të Covid-19 janë regjistruar në:
- Shkup 3- Gostivar 1- Kumanovë 1- Tetovë 1- Gjevgjeli 1- Kriva Pallanka 1 – Berovë 1- Vinicë 1 – Delcevë 1.
Kanë ndërruar jetë 3 pacientë, 1 pacient nga Gostivari (51 ), 1 pacient nga Prilepi (65) dhe 1 nga Vinica (78).
Sot, Instituti i Shëndetit Publik regjistron 95 pacientë të rikuperuar në – Shkup 44 – Shtip 16-Sveti Nikolle 11-Kavadarci 4 – Prilep 3 – Vinicë 3 – Veles 2 – Gostivar 2 – Strumica 2 – Kocani 2Makedonski Brod 2 – Gjevgjeli 1 – Probishtip 1 – Kërçovë 4- Negotinë 1.
Deri më tani, janë kryer gjithsej 148269 teste të Covid-19 në vend.
Numri i përgjithshëm i rasteve të diagnostikuara në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 14341, numri i pacientëve të rikuperuar është 11157, numri i atyre që humbën jetën është 603, dhe aktualisht numri i rasteve aktive në vend është 2581.

Kujdes!

Kujdes nga “hulumtuesit e pavarur”, “ekspertët”, “analistët”, “mjekët”, njerëzit e papërgjegjshëm,  të cilët komentojnë me hamendje ndaj çdo studimi dhe ndaj çdo mase, që ndërmerren nga institucionet përgjegjëse shëndetësore.

Besoni vetëm institucioneve përgjegjëse dhe jo individëve!

Respektoni masat për parandalimin e këtij infeksioni, Ju lutemi mbani detyrimisht maskë në ambiente të mbyllura dhe aty ku nuk ruhet dot distanca, kujdesuni për higjienën personale, ruani distancimin fizik, dezinfektoni objektet qe prekni, mbroni veten dhe njëkohësisht të afërmit tuaj.

– Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën
– Ruani distancën në ambientet publike.
– Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse.
– Shmangni grumbullimet me shumë njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid19.
– Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës.

Mali i Zi: Humbje të ndjeshme për partinë qeverisëse

zgjedhjet mali i ziPas zgjedhjeve parlamentare në Malin e Zi, Komisioni Zgjedhor publikoi rezultatet sipas të cilave, Partia Demokratike e Socialistëve, DPS ka fituar me rezultat të ngushtë zgjedhjet, duke marrë 35.06% të votave.

(e akt.) Sipas rezultateve të publikuara të hënën nga Komisioni Zgjedhor, Partia Demokratike e Socialistëve, DPS ka fituar me rezultat të ngushtë zgjedhjet parlamentare. Në bazë të numërimit të votave, DPs ka fituar 35,06% të votave, kurse aleanca pro ruse opozitare ka arriutr 32,55%.

Që në fillim u tha sr zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi kanë shënuar humbje të ndjeshme për Partinë Demokratike të Socialistëve, DPS të presidentit afagjatë, Milo Gjukanoviç.

Gjukanoviç: Lufta për shumicën vazhdon

Sipas mediave të hënën, thuhej se partia DPS bashkë me partnerët potencialë, dy parti të vogla socialdemokratike dhe partitë shqiptare dhe boshnjake të pakicave mundet në rastin më të mirë të arrijë 40 vende në parlamentin e vendit të vogël. Gjukanoviçi 58 vjeçar vetë nuk hoqi dorë nga pretendimi i udhëheqjes, megjithë publikimet për humbje të ndjeshme. Para përkrahësve në Prodgoricë ai tha. “Ne kemi tani së bashku me partnerët tanë tradicionalë 40 mandate”. Por ai pranoi se “lufta për shumicën në parlament vazhdon”. Kurse kreu i aleancës së opozitës, Zdravko Krivokapiç tha se regjimi “është rrëzuar.”

Gjukanoviç është në krye të shtetit malazez në funksione të ndryshme që prej 30 vjetësh. Kritikët e akuzojnë atë për korrupsion, kufizimin e mediave të pavarura dhe manipulime zgjedhore. Në kohën e qeverisjes së tij nuk ka pasur asnjëherë ndërrim pushteti. Para katër vjetësh, partia DPS ka arritur 41% të votave dhe zuri 36 nga 81 vende në parlament. Sipas të dhënave të institutit, Cemi, DPS kësaj herë edhe së bashku me partnerët e vegjël nuk do të arrijë shumicën absolute parlamentare. Krijimi i koaliconit pritet të jetë i vështirë.

la/ml/rk (rtr, dpa, afp)

 

Studimi: Fëmijët mund të jenë me javë infektues

femijetStudimet e fundit amerikane tregojnë, se përqëndrimi i virusit tek fëmijët e të rinjtë është shumë i lartë se mendohej, dhe virusi mund të transmentohet me javë.

Në një kohë që gjithnjë e më shumë vende po hapin sërish shkollat dhe kopshtet, po publikohen disa studime shqetësuese lidhur me rolin e fëmijëve në pandeminë e Coronës. Ato do ta ndezin edhe më shumë debatin për rrezikun e infektimit të fëmijëve në shkolla dhe kopshte. Mjekë specialistë të “Children’s National Hospital” në Uashington kanë zbuluar, se fëmijët e infektuar, edhe pa simptoma të COVID-19, mund ta përhapin virusin SARS CoV-2 me javë. Për shkak se ata tregojnë shumë pak simptoma ose aspak, mundet që pa ditur, infektojnë njerëzit në ambientin përreth. Më parë ishin studiues nga Bostoni, që kishin provuar, se fëmijët dhe të rinjtë habitshëm tregojnë një grumbullim të ndjeshëm të virusit.

Edhe fëmijët pa simptoma janë infektues?

Për studimin e fundit, që u publikua online më 28 gusht 2020 në JAMA Pediatrics, specialistët Roberta L. DeBiasi dhe Meghan Delaney kanë vlerësuar të dhënat e 91 fëmijëve që ishin nën vëzhgim në 22 spitale në Korenë Jugore. “Ndryshe nga sistemi shëndetësor amerikan, në Korenë e Jugut, ata që janë testuar pozitivisht me COVID-19, qëndrojnë në spital deri sa të kenë kaluar infeksionin dhe nuk kanë më simptoma”, thotë Dr. DeBiasi.

Sipas studimit, rreth 22% e fëmijëve nuk zhvilluan simptoma, 20% ishin në fillim asimptomatikë, por zhvilluan më vonë simptona, dhe 58% ishin që në testin e parë me simptoma. Shumë e ndryshme ishte edhe kohëzgjatja e simptomave, ajo fillonte nga tre ditë deri në tre javë. Një e pesta e pacientëve asimptomatikë dhe rreth gjysma e pacientëve me simptoma e transmentonin edhe pas tre javësh virusin SARS-CoV-2, por kjo nuk e reflekton direkt infektueshmërinë. Autoret e studimit pranojnë, se si edhe më parë ka shumë pyetje të pasqaruara në varësi të rolit të fëmijëve dhe të rinjve për pandeminë dhe se rezultatet e tyre do të ndezin debat.

Pvrqëndrim më i madh i virusit tek më të vegjlit?

Një përqëndrim të madh të virusit, studiuesit nga Bostoni kanë zbuluar sidomos tek fëmijët e vegjël. Ata kanë kontrolluar prova të marra në hundë dhe grykë të 49 fëmijëve dhe të rinjve nën 21 vjeç. Sipas studimit, tek shumë prej tyre u diagnostifikuan më shumë viruse SARS-CoV-2 se tek të rriturit, që qëndronin në repartin intensiv për shkak të sëmundjes. Sipas revistës “The Journal of Pediatrics” në studimin e publikuar më 1 gusht 2020 tek fëmijët më të vegjël janë gjetur shumë më pak receptorë ACE-2, se tek të rinjtë e të rriturit. Encymet ACE-2. konsiderohen si porta hyrëse e virusit në qelizat trupore.

Fëmijët përhapës të pandemisë?

Që nga pandemia e Coronës, pjesërisht diskutohet ashpër për rolin e fëmijëve dhe të rinjve në krizën e pandemisë. E qartë është që edhe fëmijët dhe të rinjtë mund të infektojnë të tjerët. Po ashtu dihet, se një infeksion tek fëmijët e rinia ka simptoma të buta, por që ka edhe raste vdekjesh të shkaktuar nga virusi, apo pasoja afatgjata. Kjo nuk i bën fëmijët e të rinjtë si superspreader – apo infektues kryesorë, por fëmijët në shkolla, kopshte, rrethe shokësh e aktiviteve të kohës së lirë kanë shpesh shumë më tepër kontakte shoqërore se të rriturit. Muajt e shkuar kanë treguar në disa rajone, se ata, ashtu – si edhe shumë të rritur – nuk i ndjekin me përpikmëri rregullat e distancës e maskës, dhe shpesh duhet të detyrohen për këtë.

Aktualisht në Gjermani mosha mesatare e të infektuarve është më e ulta që nga fillimi i pandemisë. Për shkak se përqëndrimi i virusit tek fëmijët e të rinjtë sipas këtyre studimeve është shumë i lartë dhe virusi mbijeton me javë e është i transmentueshëm, shpesh pa simptoma, mundet që ata të kenë një ndikim shumë më të madh në pandemi se mendohej.

Si duhet vepruar në shkolla e kopshte?

Me përfundimin e pushimeve të verës në shumë vende edhe në Gjermani është rritur rreziku për shtimin e infeksioneve me Corona. Megjithatë kopshtet, shkollat dhe institucionet e tjera arsimore janë hapur, jo vetëm për prindërit që duhet të punojnë, por edhe për të mirën e fëmijëve. Detyrimi i maskës, distanca, rregullat e higjienës, dhe grupe të ndara të caktuara për mësim do duhet të reduktojnë rrezikun e infektimit. Kjo është e mirëpranuar, por se si duhet zbatuar konkretisht dhe cili është ekuilibri i duhur mes mësimit me prezencë dhe online kjo mbetet në Gjermani ende një kompetencë e landeve. Për të shmangur vatrat e infektimit dhe mbylljen e plotë të kopshteve apo shkollave duhet që të zbulohen edhe fëmijë e të rinj me infektim të lehtë me pak ose pa simptoma. Por kjo do të mbetet të përcaktohet nga studimet- nëse duhet të testohen vetëm nxënësit me një infeksion akut të grykëve, apo parimisht të gjithë.

dw

Maqedoni e Veriut, parlamenti miraton qeverinë e re

qeveria rmParlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi të dielën para mesnate kabinetin qeveritar të udhëhequr nga social-demokrati Zoran Zaev.

62 deputetë të shumicës parlamentare votuan pro, 51 të opozitës ishin kundër. Një nga ligjvënsit e shumicës votoi nga një kabinë mbi sallën ku mbahej seanca për shkak të rekomandimeve nga autoritetet shëndetësore lidhur me koronavirusin.

Nuk pati ligjvënës që abstenuan, ndërkohë që opozita u largua nga salla menjëherë pas aktit të votimit.

Kryeministrii Zaev tha se qeveria e tij do të punojë për një standard më të mirë ekononik për qytetarët. “Do të punojmë për një sistem gjyqësor, të cilit do t’i besojnë qytyetarët; që do të ndajë drejtësi të barabartë për të gjithë, në mënyrë të efektshme, transparente dhe të përgjegjshme ”, shtoi ai. Kryeministri maqedonas foli edhe për investime në sistemin shëndetësor dhe në fusha të tjera që do ta përmirësonin gjendjen ekonomike, papunësinë, arsimin e nxënësve dhe studentëve.

“Tash nuk kemi më çështje të hapura etnike në vend, por të gjithë jemi të barabartë”, tha zoti Zaev duke nënvizuar edhe raportet e mira me vendet fqinje.

Ndërkaq, deputetë të opozitës, si maqedonase edhe shqiptare, thanë se koalicioni i shumicës parlamentare shquhet për mashtrime dhe për manipulimin e votuesve. Ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së e akuzuan zotin Zaev dhe partinë e tij LSDM për tradhëti ndaj interesave kombëtare dhe shtetërore maqedonase për shkak të ndryshimit të emrit të vendit.

LSDM-ja ka 11 poste në qeverinë e re: Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Mbrojtjes, për Çështje Evropiane, të Shëndetësisë, të Arsimit, Kulturës, Politikës Sociale, Transportit dhe Lidhjeve dhe atë të Luftës kundër korrupsionit.

Ndërkaq, BDI-ja do të drejtojë Punët e Jashtme, Financat, Ekonominë, Ambientin Jetësor, Sistemin Politik dhe Administratën Publike. Ministria e Bujqësisë i është lënë Lëvizjes Besa, e cila në zgjedhje doli në koalicion me LSDM-në.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të përballet me sfidën e koronavirusit dhe me ekonominë e rënduar si rezultat i pandemisë, ndërkohë që e presin shumë punë në proceset e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

voa

Skeleti robotik i jep përdoruesit fuqi të dyfishta

skeleti robotikRobotët mund të bëjnë punë të rënda, monotone dhe nuk lodhen asnjëherë. Por robotët ende nuk mund kenë inteligjencën dhe gjykimin e njeriut në qasjen ndaj punës. Tani ekziston një zgjidhje hibride: një skelet robotik që mund të vishet nga njeriu i cili i jep përdoruesit fuqi të jashtëzakonshme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble sjell më shumë hollësi.

Megjithëse duket si një përsonazh i filmave me superheronjë, skeleti robotik Guardian XO është gati për punë. Skeleti u jep përdoruesve një forcë më të madhe. Chris Beaufait drejton kompaninë Sarcos Robotics që ka prodhuar skeletin robotik.

“Kushdo që vesh Guardian XO mund të ngrejë deri në 90 kilogramë. Skeleti shton forcën dhe rendimentin e përdoruesit. Përdoruesi kryen lëvizje normale. Nëse shkoni të kapni dhe ngrini diçka, skeleti reagon ndaj lëvizjes tuaj dhe të jep forcën e duhur për të bërë atë aktivitet.”

Skeleti robotik mbart peshën dhe e transferon përgjatë këmbëve në tokë. Mbajta e 90 kilogramëve ndjehet si vetëm 4.5 kilogramë, thotë zoti Beaufait.

“Pavarësisht përmasave dhe forcës, të gjithë përdoruesit mund të bëjnë të njëjtën detyrë.

Gjatë një demostrimi, pjestarët e audiencës patën rastin të shohin se si krahu robotik u hep atyre supër-forcë.

Veshja e skeletit mund të kryhet brenda pak minutash dhe menjëherë reagon ndaj lëvizjeve të trupit të përdoruesit. Tara Scranton me kompaninë “Sarcos Robotics” po demostron skeletin robotik.

“Ky robot është shumë intuitiv. Ndjek veprimet e mia.”

“Skeleti robotik ka një sistem kontrolli që mundëson çdo përdorues të komandojë robotët që të çlirojnë rrugën dhe roboti ndjek udhëzimet”, thotë drejtuesi i kompanisë Chris Beaufait.

Skeletët e parë robotikë mund të gjejnë përdorim në ushtri dhe kompanitë ajrore si dhe në ndërtimtari.

“Arsyeja e dytë më e zakonshme që dikush të humbasë punën është lëndimi i shpinës”, thotë zoti Beaufait.

“Ata dëmtohen ndërsa ngrenë pesha të rënda dhe kryejnë veprime të përsëritura. Skeletët robotikë mund të marrin barrën nga përdoruesit dhe eleminojnë dëmtimet.”

Megjithëse ky skeleton robotik do të ishte shumë i dobishëm për punët e shtëpisë, tani për tani ai do të përdoret nga industritë që mund të përballojnë një qera prej 100 mijë dollarësh në vit.

voa

Ministria e Shëndetësisë: prej 803 testeve 101 raste, 5 humbje jete dhe 119 të shëruar

masat kunder covidMinistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 803 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 101 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 51 raste në Tiranë, 10 raste në Lezhë, 5 raste në Kamëz, 4 raste në Shkodër, 3 raste në Krujë, Durrës, Korçë, Kavajë, Gjirokastër, Vorë, 2 raste në Kurbin, Elbasan, Kukës, nga 1 rast në Has, Lushnje, Mirditë, Mat, Vau i Dejës, Gramsh, Shijak.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 62 vjeçar nga Gjirokastra, një 66 vjeçar nga Burreli, 72 vjeçar nga Elbasani, një 87 vjeçar dhe një 92 vjeçare nga Tirana. I shprehim ngushëllimet familjarëve.

119 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 5139, që nga fillimi i epidemisë. Për të katërtën ditë rradhazi, numri i të shëruarve është më i lartë se i rasteve të reja të konfirmuara me COVID19.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 178 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar.  Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 45 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të mbajnë në konsideratë në çdo moment masat për frenimin e përhapjes së virusit:

Lani shpesh duart dhe mos e prekni fytyrën; Ruani distancën mbi 1.5 metër nga të tjerët në ambientet publike; Vendosni detyrimisht maskën në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk është e mundur mbajtja e distances, vetëm duke respektuar këto rregulla të thjeshta ruajmë veten dhe të tjerët nga infektimi me virusin SARSCOV2.

COVID-19 – Statistika (30 Gusht 2020)

  • Testime totale 62017
  • Raste pozitive 9380
  • Raste të shëruara 5139
  • Raste Aktive 3961
  • Humbje jete 280 (Qarku Tiranë 132, Durrës 39, Shkodër 36, Elbasan 15,  Fier 13, Korçë 12, Lezhë 10, Kukës 6, Vlorë 6, Dibër 5, Gjirokastër 4, Berat 2)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

  • Tiranë           2062
  • Durrës              527
  • Shkodër             283
  • Fier                    140
  • Lezhë              195
  • Korçë              175
  • Vlorë               125
  • Kukës 135
  • Elbasan          154
  • Berat                 77
  • Gjirokastër        36
  • Dibër                  52