COVID-19: Çfarë mund të arrijë vaksina dhe çfarë jo?

VaksinaTë vaksinuarit infektohen me SARS-CoV-2. Pasoja? Në radhë të parë indinjatë – sepse gjithnjë e më shumë po shtohet skepticizmi lidhur me qëllimin e vaksinave.

Pothuasje i gjithë viti i kaluar kaloi me tension për të siguruar vaksinën ndaj COVID-19. Ne mësuam se çfarë janë vaksinat mRNA, ndoqëm me interes të dhënat mbi studimet dhe shpresonim për efektin e tyre. E në brendësi mendonim, se nëse më në fund do të ketë një vaksinë, atëherë çdo gjë do të bëhet mirë si më parë.

Ndërsa tani që i kemi më në fund vaksinat konstatojmë, se puna nuk ecën ashtu si e kishim përfytyruar.

Së fundi mësuam lajmin, se në një shtëpi kujdestarie për të moshuarit në qarkun Osnabrück disa banorë ishin infektuar me koronavirusin e variantit B.1.1.7. Ky lajm ishte indinjues.

Pikërisht në këtë shtëpi kujdesi ishin bërë vaksinat në dozën e parë. Një rast i pastër ky i dështimit të vaksinimit? Në fakt, jo, por kemi të bëjmë me një keqkuptim të vaksinës. “Ka pasur raste tërësisht asimptomatike dhe në përgjithësi me simptoma të lehta, gjë që me sa duket shpjegohet me efektin pozitiv të vaksinës”, i përgjigjet pyetjes së DW-së Burkhard Riepenhoff, zëdhëns shtypi i qarkut Osnabrück.

Edhe autoritetet shëndetësore dhe mjekët janë të sigurtë, që vaksina e dytë në shumicën e ratseve e pengon një ecuri me pasoja të rënda të sëmundjes, thuhet në një njoftim të shtëpisë së kujdesit. E pikërisht ky është qëllimi i vaksinës: të pengojë sëmundjen me pasoja të rënda.

Gabim të mendosh, që mjafton injektimi i vaksinës e gjithçka është në rregull

Vaksinat e licencuara deri tani ndaj COVID-19 të gjitha kanë efekt të mirë. Nëse personi i vaksinuar bie në kontakt me SARSCoC-2, me shumë gjasë ai nuk do të sëmuret, të paktën jo rëndë.

Megjithatë rregullat e ruajtjes së distancës, të higjenës dhe mbajtja e maskës janë të rëndësishsme, lidhur me të cilat Instituti Robert Kosh (RKI) tërheq vëmendjen: „Edhe ai që është vaksinuar, mund të kontribuojë në trasnmetimin e koronavirusit”, shkruhet në faqen e internetit të këtij instituti.

Ajo që vaksinat nuk mund të arrijnë, ose më saktë çka ende nuk është konfirmuar përfundimisht: Është se ende nuk dihet me sigurise se sa ndihmon vaksina në ndalimin e përhapjes së virusit apo në pakësimin e pëhapjes së tij në popullsi. Nuk është po ashtu e konfirmuar qartazi, se deri sa kohë ruan vaksina imunitetin  dhe nëse të vaksinuarit përkohësiht vazhdojnë ta kenë virusin dhe mund t’ua ngjisin atë të tjerëve.

Në raste të tilla një person mund ta kishte përkohësisht virusin, por nuk do të sëmurej. E pikërisht në këtë pikë krijohen keqkuptime: A mbrojnë vaksinat nga infeksioni apo “vetëm” nga sëmundja?

Imunitet i sterilizuar apo funksional

Së brendëshmi ne shpresojmë rastin ideal – të ashtuquajturin “imunitet i sterilizuar” prej vaksinave ndaj koronavirusit. Në një rast të tillë vaksina do të na mbronte nga infeksioni. Virusi bllokohet përpara se të depërtojë në trup.Të vaksinuarit nuk e transmetojnë atë, sepse ata nuk e kanë atë në trup. Pra virusi nuk mund të përhapet më, ky është një aspekt i rëndësishëm për imunitetin e tufës.

Por ky imunitet sterilizues nuk është konfirmuar deri tani në vaksinat ndaj koronavirusit, kështu shpjegon Qendra Federale për Sqarimin shëndetësor. „Deri tani mungojnë ende të dhënat, rezultate mund të ketë vetëm në muajt e ardhshëm.”

Sa i përket të ashtuquajturit “imunitet funksional” infeksioni nuk pengohet, por ai mbron të vaksinuarit nga shpërthimi i sëmundjes dhe ecuria e rëndë e saj”.

Nga mutacionet dalin edhe më shumë pikëpyetje

E ndërkohë që ka mjaft pikëpyetje lidhur me vaksinat, dalin edhe problemet e reja me mutacionet që ka pësuar virusi. Afrika e Jugut p.sh. e ka ndaluar përdorimin e vaksinës së koncernit britaniko-suedez AstraZeneca, për aq kohë sa shkencëtarët ende janë duke u konsultuar për përdorimin më të mirë të këtij medikamenti.

Sipërmarrja farmaceutike pranoi, se vaksina ofron mbrojtje të kufizuar nga një infeksion me ecuri të lehtë të variantit afrikano-jugor të virusit.

Të dhënat paraprake të studimeve të Universitetetve Oksford dhe Witwatersrand, që do të botohen nga AstraZeneca, mbi të cilat ka informaur ndërkohë „Finantial Times”, tregojnë, se vaksina është efikase ndaj variantit B.1.351 duke penguar sëmundjen e rëndë, por sëmundjen e lehtë nuk e parandalon. Të dhënat sipas këtij njoftimi megjithatë janë të kufizuara, sepse testimi është bërë tek 2000 persona të rinj dhe të shëndetshëm.

Mutacionet parimisht nuk janë të pazakonta tek viruset, mesatarisht çdo muaj ka dy variante të reja. Por ndryshimet p.sh. në një pozicion të proteinës Spike mund të kontribuojnë për një përhapje më të shpejtë të virusit. Virsui që ka pësuar mutacion mund të shumohet në rrethana të caktuara më me intensitet e po ashtu të përhapet ose t’i devijojë imunitetit më lehtë se sa koronavirusi fillestar. Drejtuesi i studimit në Afrikën e Jugut, Shabir Madhi, u shpreh optimist duke iu referuar ngjashmërisë së vaksinës me vaksinën e Johnson & Johnson, që ofron 85 përqind mbrojtje nga një sëmundje me ecuri të rëndë. Ka shpresa, që vaksina AstraZeneca në grupmoshat e rrezikuara të funksionojë po aq mirë.

Në Universitetin Oksford po punohet ndërkohë për përshtatjen e vaksinës ndaj varianteve të reja të virusit.

Kujdesi duhet të vazhdojë

Sipas stadit aktual edhe vaksinat e BioNTech/Pfizer dhe Moderna kanë efekt edhe ndaj variantit britanik të virusit B.1.1.7. Por sidoqoftë nëse dikur virusi pëson mutacion të fuqishëm, sa vaksina nuk mund ta neutralizojë atë, atëherë vaksinat duhen përshtatur.

Eksperti socialdemokrat gjerman Karl Lauterbach, i cili është vet epidemiolog, shkruan në Twitter lidhur me zhvillimet e fundit dhe përhapjen e mutacioneve: “Varianti i Afrikës së Jugut tregon, se sa e rëndësishme është të shmanget çdo infeksion.”

Është e domosdoshme edhe më tej, që ne të bashkëpunojmë dhe të jemi aktiv në kufizimin e virusit dhe të gjtiha varianteve të tij: Regullat e ruajtjes së distancës, higjena dhe mbajtja e maskës duhen respektuar, por ashtu duhen kufizuar kontaktet derisa ta kemi pandeminë nën kontroll.

dw

Vota në Senat: Gjyqi ndaj ish-presidentit Trump është kushtetues

Senat votes impeachmentSenati amerikan votoi të martën në mbrëmje për t’i hapur rrugën gjyqit të plotë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi lidhur me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar, duke hedhur poshtë një pretendim se procedimi ishte antikushtetues pasi panë videon grafike të sulmit të janarit.

Në seancën e parë për këtë qëllim që do të përcaktonte nëse gjykimi i ish-presidentit ishte kushtetues, 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër argumentit të demokratëve se procedimi është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Gjashtë senatorë republikanë votuan pro, një më shumë sesa pesë që kishin votuar muajin e kaluar kundër një përpjekjeje republikane për ta bllokuar gjyqin.

Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat.

Avokatët e zotit Trump argumentuan se meqenëse zoti Trump nuk është më në detyrë, Senati nuk ka autoritetin të mbajë një gjyq mbi akuzën e Dhomës së Përfaqësuesve se ai nxiti një rebelim ndërsa ishte në detyrë.

Demokratët shpresojnë ta skualifikojnë ish-presidentin Trump nga mbajtja e një posti publik në të ardhmen.

Videoja e paraqitur nga ekipi i nëntë demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e Prokurorit të çështjes kombinonte pamjet e dhunës ndaj Kapitolit më 6 Janar me segmente të fjalimit ndezës të ish-presidentit Trump para mbështetësve të tij disa momente më herët, duke i nxitur ata të “luftonin fort” për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e nëntorit.

Senatorët, që shërbejnë në rolin e jurisë, panë në ekrane pamjet që tregonin përkrahësit e zotit Trump duke rrëzuar barrierat dhe duke goditur oficerët e policisë në Kapitol. Në video përfshihej gjithashtu momenti kur policia që ruante sallën e seancave të Dhomës së Përfaqësuesve, qëlloi për vdekje protestuesen Ashli Babbitt, një nga pesë personat, përfshirë një oficer policie që vdiqën atë ditë.

Turma sulmoi policinë, i detyroi ligjvënësit të fshiheshin për të ruajtur veten, dhe ndërpreu çertifikimin zyrtar nga ana e Kongresit të fitores së Presidentit Joe Biden, pasi zoti Trump kishte sfiduar për dy muaj rezultatet e zgjedhjeve, duke pretenduar në mënyrë të rreme për mashtrime të gjera në votime.

“Nëse kjo nuk është një vepër e dënueshme, atëherë asgjë tjetër nuk është”, tha anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve Jamie Raskin, i cili shërben në rolin e kryeprokurorit të çështjes, para shfaqjes së videos.

Ai qau ndërsa tregonte se si vajzës dhe dhëndrit të tij, që ai i kishte sjellë në Kapitol atë ditë për të qenë të pranishëm në çertifikimin e zgjedhjeve, u ishte dashur të fshiheshin në një zyrë pranë sallës së Dhomës së Përfaqësuesve, duke thënë: “Ata besonin se do të vdisnin.”

Në kontrast të prezantimit emocional të demokratëve, avokatët e ish-presidentit Trump e sulmuan procesin, duke argumentuar se gjyqi ishte një përpjekje antikushtetuese, partiake për t’i mbyllur rrugën të ardhmes politike të zotit Trump, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

“Ajo që ata duan të realizojnë në të vërtetë këtu në emër të Kushtetutës është që të mos lejojnë Donald Trumpin që të kandidojë më për poste politike, por kjo është një fyerje e Kushtetutës pavarësisht se kundër kujt drejtohet sot”, u tha senatorëve David Schoen, një prej avokatëve të ish-presidentit.

Ai denoncoi “dëshirën e pangopur për fajësim” midis demokratëve përpara se të transmetonte videon e tij, e cila kombinonte klipe të ligjvënësve të ndryshëm demokratë që kërkonin që shkarkimin e ish-presidentit Trump të kthehej që nga viti 2017.

PAK GJASA PËR SHPALLJE FAJTOR

Ndaj zotit Trump u ngritën akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga Demokratët më 13 Janar me akuzën e nxitjes së rebelimit, megjithëse nuk ka shumë gjasa që ai të shpallet fajtor.

Që ai të shpallet fajtor, duhet që një shumicë prej dy të tretave të anëtarëve të Senatit të votojnë për një gjë të tillë, çka do të thotë se të paktën 17 republikanë duhet të bashkohen me 48 demokratët e Senatit dhe dy të pavarur për të votuar kundër zotit Trump, i cili mbetet figura më e fuqishme e partisë së tij edhe pasi nuk është më në detyrë.

Zoti Trump është i vetmi president që gjykohet nga Senati pas largimit nga detyra dhe i vetmi ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve. Ai është vetëm presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit ngrihen akuza nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Gjyqi u zhvillua nën masa të jashtëzakonshme sigurie rreth Kapitolit përfshirë forca të armatosura të sigurisë dhe një perimetër rrethimi dhe tela me gjemba.

Avokatët e zotit Trump argumentuan se ai po ushtronte të drejtën e tij për lirinë e shprehjes sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës kur iu drejtua mbështetësve para sulmit në Kapitol.

Bruce Castor, një nga avokatët e ish-presidentit Trump tha se sulmet ndaj Kapitolit “duhet të denoncohen fuqishëm”, por argumentuan se “një grup i vogël kriminelësh” ishin përgjegjës për dhunën, jo zoti Trump.

Shumica e ekspertëve ligjorë kanë thënë se është kushtetuese të bëhet një gjyq pasi një zyrtar të ketë lënë detyrën.

“Presidentët nuk mund të ndezin një rebelim në javët e tyre të fundit në detyrë dhe pastaj të largohen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por ish-presidenti Trump po ju kërkon pikërisht që të miratoni një gjë të tillë”, u tha senatorëve anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Joe Neguse.

Shumica e senatorëve në gjyq ishin të pranishëm në Kapitol më 6 Janar, kur shumë ligjvënës thanë se kishin frikë për sigurinë e tyre.

Senatori Republikan Bill Cassidy i quajti fjalimet e demokratëve “një hapje shumë të mirë”. Ai u bashkua me pesë kolegë të tij republikanë për të votuar pro kushtetueshmërisë së gjyqit, duke e ndryshuar votën e tij nga muaji i kaluar.

“Argumentet që ata dhanë ishin argumente të forta,” tha zoti Cassidy.

Gjyqi mund të sinjalizojë se çfarë drejtimi do të ndjekë Partia Republikane pas presidencës së trazuar katërvjeçare të zotit Trump. Ndasi të thella janë shfaqur mes besnikëve të ish-presidentit dhe atyre që shpresojnë ta orientojnë partinë në një drejtim të ri. Demokratët nga ana e tyre janë të shqetësuar se gjyqi mund të pengojë aftësinë e zotit Biden për të përparuar me shpejtësi me një program ambicioz legjislativ.

Një vit më parë, Senati i kontrolluar nga republikanët e atëhershëm i hodhi poshtë akuzat ndaj zotit Trump se kishte penguar Kongresin dhe kishte abuzuar me pushtetin, kur kishte bërë presion ndaj Ukrainës për të ndërmarrë një hetim ndaj zotit Biden dhe djalit të tij Hunter në vitin 2019.

voa

OBSH: Covid-19 nuk ka gjasa të ketë rrjedhur nga laboratori kinez

WHO mission in Wuhan ChinaKoronavirusi ka shumë të ngjarë të jetë shfaqur për herë të parë pas kalimit nga një kafshë tek njeriu, tha një ekip shkencëtarësh ndërkombëtarë dhe kinezë që po hetonin origjinën e Covid-19. Ata thanë se nuk ka gjasa që të jetë e vërtetë teoria alternative se virusi e ka origjinën në një laborator kinez.

Një vizitë e vëzhguar nga afër e ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Wuhan, qyteti kinez ku u zbuluan rastet e para të koronavirusit, nuk ndryshoi në mënyrë dramatike të kuptuarin e ditëve të para të pandemisë, tha Peter Ben Embarek, udhëheqës i misionit të OBSH-së në Kinë.

Por ai udhëtim “zbuloi detaje të reja”, tha ai në një konferencë shtypi ndërsa grupi përfundoi një vizitë katër-javore në qytet.

Misioni i dha mundësi ekipit të përbashkët të shkencëtarëve kinezë dhe atyre të OBSH-së të eksploronin më tej teorinë e rrjedhjes së virusit nga një laborator, të cilën ish-Presidenti amerikan Donald Trump dhe zyrtarë nga administrata e tij e kishin hedhur pa ofruar prova. Ekipi erdhi në përfundimin se kjo nuk ishte e mundur. Instituti i Virologjisë në Wuhan ka shumë mostra të ndryshme të viruseve, duke çuar në akuza se mund të ketë qenë burimi i përhapjes fillestare të Covid-19, qoftë me qëllim apo aksidentalisht.

Embarek, një ekspert i OBSH-së për sigurinë ushqimore dhe sëmundjet e kafshëve, tha se ekspertët tani e konsiderojnë mundësinë e një prejardhjeje të tillë aq të pamundur sa nuk do të sugjerohet si një version për studim në të ardhmen. Por një tjetër anëtar i ekipit, shkencëtari danez Thea Koelsen Fischer, u tha gazetarëve se anëtarët e ekipit nuk mund ta përjashtojnë mundësinë e hetimeve të mëtejshme dhe drejtimeve të reja.

Kina tashmë e kishte refuzuar fuqimisht mundësinë e një rrjedhjeje të virusit nga laboratori dhe ka promovuar teori të tjera. Ekspertët kinezë dhe të huaj konsideruan disa ide se si sëmundja përfundoi për herë të parë tek njerëzit, duke çuar në një pandemi që tani ka vrarë më shumë se 2.3 milionë njerëz në të gjithë botën.

Embarek tha se gjetjet fillestare sugjerojnë se rruga më e mundshme e virusit ishte kalimi nga një lakuriq nate në një kafshë tjetër dhe pastaj tek njeriu, duke shtuar se për këtë duhen bërë studime të mëtejshme.

“Gjetjet sugjerojnë se hipoteza e incidenteve laboratorike nuk ka shumë të ngjarë të shpjegojë paraqitjen e virusit tek njerëzi”, tha ai.

I pyetur pse, zoti Embarek tha se rrjedhjet aksidentale janë jashtëzakonisht të rralla dhe se analiza nga ekipi i operacioneve laboratorike të Institutit të Virologjisë në Wuhan tregoi se do të ishte e vështirë që një gjë e tillë të ndodhte.

Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk kishte njoftime mbi praninë e një virusi të këtij lloji në ndonjë laborator para pandemisë. Liang Wannian, udhëheqës i ekipit kinez, e theksoi gjithashtu këtë, duke thënë se nuk kishte asnjë mostër të këtij virusi në Institutin e Virologjisë në Wuhan.

Misioni synonte të ishte një hap fillestar në procesin e analizimit të origjinës së virusit, të cilin shkencëtarët kanë pohuar se mund të ketë kaluar tek njerëzit përmes një kafshe të egër, si pangolina ose minjtë.Transmetimi direkt nga lakuriqët e natës tek njerëzit ose përmes tregtisë së produkteve të ngrira ushqimore janë gjithashtu mundësi të shpjegimit të përhapjes së virusit, tha zoti Embarek.

Vizita e ekipit të OBSH-së është politikisht e ndjeshme për Pekinin, i cili është i shqetësuar se do të fajësohej për pretendimiet se ndërmori hapa të gabuar në përgjigjen e hershme ndaj pandemisë. Një hetim i agjencisë së lajmeve Associated Press ka zbuluar se qeveria kineze vuri kufizime në hulumtimet për shpërthimin e virusit dhe urdhëroi shkencëtarët të mos flasin me gazetarët.

voa

Uashington, fillon gjyqi ndaj ish-Presidentit Trump

Trump ImpeachmentNë Uashington filloi të martën pasdite gjyqi i ish-Presidentit Donald Trump me akuzën për nxitjen e sulmit ndaj Kapitolit muajin e kaluar. Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat.

Ligjvënësit demokratë që shërbejnë si prokurorë e filluan paraqitjen e çështjes duke treguar video të mbështetësve të ish-Presidentit Trump që sulmonin dhunshëm policinë e Kapitolit më 6 janar, pasi ai i kishte inkurajuar gjatë një fjalimi që të “luftonin fort” për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje më 3 nëntor.

Videoja tregonte mbështetësit e ish-Presidentit Trump duke rrëzuar barriera, duke goditur oficerët e policisë dhe në një moment duke i thënë njërit prej tyre se “ne ua kalojmë nga numri, jemi një milion me një”.

Protesta u kthye në një përplasje të dhunshme. Rreth 800 mbështetës të zotit Trump sulmuan autoritetet e Kapitolit, thyen dyer e dritare, plaçkitën disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Si pasojë pesë persona mbetën të vdekur, mes tyre një oficer i policisë së Kapitolit, si dhe një protestuese e cila u qëllua nga një oficer policie.

100 senatorë, 50 për secilën palë, të cilët do të shërbejnë si anëtarë të jurisë gjatë procesit gjyqësor në Senat, ndodhen në një pozicion të pazakontë. Shumë prej tyre ishin dëshmitarë të kaosit të 6 janarit, ditë gjatë së cilës u detyruan të largohen nga kjo dhomë e Kongresit për arsye sigurie.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, i quajti akuzat kundër zotit Trump “më të rëndat të ngritura ndonjëherë kundër një presidenti të Shteteve të Bashkuara në historinë amerikane”.

Ish-Presidenti republikan u akuzua më 13 janar nga Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët për nxitje të rebelimit, duke u bërë kështu i vetmi president që akuzohet dy herë dhe i vetmi ish-president që përballet me një gjyq në Senat.

Ligjvënësi demokrat Jamie Raskin, i cili drejton akuzën, tha se nëse senatorët nuk dënojnë ish-Presidentin Trump, atëherë presidentët do të krijonin një “përjashtim të janarit” që do t’u lejonte atyre të shkelnin ligjin pa u ndëshkuar në muajin e fundit të mandatit.

“Përjashtimi i janarit është një ftesë për makthin më të keq të themeluesve tanë… Ne rrezikojmë që 6 janari të bëhet e ardhmja jonë”, i tha ai gjyqit, në të cilin senatorët shërbejnë si anëtarë të trupës gjykuese.

Avokatët e mbrojtjes planifikojnë të argumentojnë se vetëm një president në detyrë mund të gjykohet në Kongres.

Por shumica e ekspertëve ligjorë thonë se gjykimi është kushtetues, edhe pasi një zyrtar ka lënë detyrën, siç u shpreh profesori i drejtësisë i Universitetit Shtetëror të Miçiganit, Brian Kalt, një studiues kryesor i këtij procesi.

Demokratët e Senatit pritet të mbizotërojnë në votimin e së martës mbrëma mbi kushtetueshmërinë e gjyqit. Një përpjekje republikane për ta bllokuar gjyqin mbi një bazë të tillë u rrëzua muajin e kaluar në një votim që përfundoi 55-45.

Që ish-presidenti të shpallet fajtor mbi akuzën e ngritur do të duheshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Kongresit, ose demokratëve do t’u nevojiteshin votat e 17 republikanëve duke e marrë të mirëqenë që të 50 senatorët demokratë do të votojnë për shpalljen e tij fajtor.

Në këto kushte, është pothuajse e garantuar që Senati do të votojë për lirimin nga akuza të ish-Presidentit Trump, ashtu sikundër një vit më parë kur ai u akuzua se i kishte bërë presion presidentit të Ukrainës që të siguronte informacione dëmtuese kundër zotit Biden, përpara zgjedhjeve të nëntorit të kaluar.

Por pavarësisht rezultatit zoti Trump do të jetë i vetmi president në historinë më shumë se dy shekullore amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkimin nga Senati.

Një javë pas sulmit në Kapitol, Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 232 vta pro dhe 197 kundër, për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zoti Trump. 10 republikanë iu bashkuan të 222 demokratëve, duke akuzuar zotin Trump për “nxitje rebelimi”.

Me përfundimin e mandatit të tij, më 20 janar, ditë kur u inaugurua Presidenti i ri i vendit Joe Biden, zoti Trump u nis drejt Floridës.

Ish-Presidenti ka refuzuar një kërkesë të demokratëve për të dëshmuar në gjyqin kundër tij në Senat dhe nuk pritet të marrë pjesë në të. Gjyqi mund të zgjasë një javë ose më shumë.

Nëntë ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët shërbejnë si prokurorë të çështjes, thonë se zoti Trump, falë nxitjes së mbështetësve për të msyrë drejt Kapitolit, për të përmbysur humbjen në zgjedhje, është “i vetmi përgjegjës” për trazirat që pasuan.

Zoti Trump u kërkoi mbështetësve të vinin në Uashington më 6 janar, duke folur rreth një zhvillimi që e përkufizoi si “të papranueshëm”. Në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë pak përpara se mbështetësit e tij të niseshin drejt Kapitolit, zoti Trump vazhdoi me breshërinë e pretendimeve të tij të pabazuara, të hedhura për javë të tëra për manipulim të zgjedhjeve që, sipas tij, i kushtuan atij mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë fjalimit të tij që zgjati më shumë se një orë, zoti Trump u tha mbështetësve “që në mënyrë paqësore e patriotike të bëjnë që zërat e tyre të dëgjohen” duke marshuar drejt Kapitolit.

Por ai gjithashtu i inkurajoi ata duke u thënë: “Vendi ynë ka duruar boll. Ne nuk do të durojmë më dhe e gjitha kjo është për këtë qëllim. Dhe, për të përdorur një term të preferuar nga të gjithë ju, ne do ta ndalim vjedhjen”.

“Ne do të luftojmë”, shtoi ai. “Ne do të luftojmë fort dhe nëse nuk luftojmë kështu, nuk do të kemi më shtet”, tha zoti Trump.

Në një argumentim ligjor të çështjes përpara gjyqit në Senat, prokurorët e çështjes thanë se: “Përgjegjësia e Presidentit Trump për ngjarjet e 6 janarit është e qartë” dhe se “sjellja e tij duhet të deklarohet e papranueshme në mënyrë të qartë e pa mëdyshje”, edhe pse ai nuk është më në detyrë.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara mundëson heqjen e zyrtarëve të gjetur fajtorë për “krime dhe shkelje të rënda”. David Schoen dhe Bruce Castor, dy avokatët me eksperiencë që do të përfaqësojnë zotin Trump, argumentojnë se duke qenë se ai nuk është më president, ai nuk mund të hiqet nga detyra dhe se gjyqi ndaj tij është anti-kushtetues.

Sidoqoftë, Senati ka zhvilluar në të kaluarën gjyqe për ish-zyrtarë, duke mos u lejuar të shmangin një gjyq për shkelje të mundshme nëpërmjet dorëheqjes, siç ndodhi në një rast të vitit 1876, ose në rastin e zotit Trump, që la detyrën sepse i kishte mbaruar mandati. Për më tepër, prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve argumentojnë se zoti Trump nxiti trazirat dhe u akuzua nga Dhoma e Përfaqësuesve ndërsa ishte ende në detyrë.

Senatori Rand Paul i shtetit Kentaki, një mbështetës i vendosur i zotit Trump, u përpoq të bllokonte gjyqin për arsye të tilla kushtetuese, por pesë republikanë u bashkuan me të 50 senatorët demokratë në votimin 55 me 45 për ta vazhduar procesin. Por votimi gjithashtu sinjalizoi se mbështetja republikane për pafajësinë e zotit Trump mbetet e konsiderueshme, e mjaftueshme për të bllokuar shpalljen e tij fajtor.

Senatori Paul thotë se ekzistojnë “zero shanse për dënimin e tij”. Nëse zoti Trump do të shpallej fajtor, Senati, me një shumicë të thjeshtë votash, mund t’i ndalonte atij mbajtjen e funksioneve publike në të ardhmen.

Të martën, avokatët e zotit Trump dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë sërish si prokurorë, debatuan për kushtetueshmërinë e zhvillimit të gjyqit.

Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të fillojnë të paraqesin argumentet e tyre të mërkurën, ndoshta duke shfaqur disa nga xhirimet e marra gjatë orëve të trazirave.

Në vazhdim, avokatët e presidentit do të përgjigjen me mbrojtjen e tij. Sipas një marrëveshjeje të njoftuar të hënën nga udhëheqësit e kongresit, secila palë do të ketë 16 orë përgjatë dy ditëve për të paraqitur argumentet.

Avokatët e zotit Trump kanë ngritur një mbrojtje të fuqishme dhe pretendojnë se ish-presidenti nuk mban asnjë përgjegjësi për atë që ndodhi më 6 janar.

Në një material përmbledhës të paraqitur të hënën, ata pretenduan se çështja kundër tij është një “teatër politik” i demokratëve anti-Trump. Avokatët e zotit Trump sugjeruan se ai thjesht po ushtronte të drejtën e tij të garantuar në kushtetutë për fjalën e lirë, kur ai kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve dhe thanë se ai inkurajoi qartazi mbështetësit e tij për t’u angazhuar në një protestë paqësore.

“Përkundrazi, kjo ishte vetëm një përpjekje egoiste e udhëheqjes demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve për të shfrytëzuar ndjenjat e tmerrit dhe konfuzionit që përfshinë të gjithë amerikanët nga mbarë spektri politik, kur panë shkatërrimin në Kapitol më 6 janar nga disa qindra persona”, shkruajnë avokatët. “Në vend që të veprojnë për të shëruar kombin, ose të paktën duke u përqëndruar në ndjekjen penale të shkelësve të ligjit që sulmuan Kapitolin, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve (Nancy Pelosi) dhe aleatët e saj janë përpjekur të përdorin kaosin e momentit për përfitim politik”, shkruajnë ata.

Në përgjigje, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë si prokurorë thanë se, “Ne jetojmë në një vend të qeverisur nga shteti ligjor, dhe jo nga dhuna e turmës e nxitur nga presidentë që nuk pranojnë dot humbjen në zgjedhje”.

“Provat për sjelljen e Presidentit Trump janë të shumta”, shkruajnë ata. “Ai nuk ka asnjë justifikim ose mbrojtje të vlefshme për veprimet e tij. Dhe përpjekjet e tij për t’i shpëtuar përgjegjësisë janë krejtësisht të kota. Siç thuhet në akuzë, Presidenti Trump shkeli betimin e detyrës së tij dhe tradhtoi popullin amerikan”, shkruajnë prokurorët.

Ekspertët: Edhe pas infektimit me koronavirus, rrezik për ri-infektim

VaksinaPo shtohen provat se infektimi me koronavirus nuk e mbron individin nga një infektim tjetër në të ardhmen, tani që në botë po përhapen variante të reja të këtij virusi. Studimet tregojnë se një person mund të infektohet për herë të dytë edhe me variantin fillestar të virusit nëse infektimi për herë të parë nuk krijoi një reaksion të fortë të sistemit imunitar:

Një ndër pyetjet e rëndësishme që lindën gjatë pandemisë është niveli i imunitetit që krijohet tek individi pas infektimit me koronavirus dhe nëse ky imunitet e mbron personin nga infektimi në të ardhmen.

Në Afrikën e Jugut, një studim zbuloi ri-infektime me mutacionin e shfaqur në këtë vend tek 2% e atyre që e kishin kaluar më parë sëmundjen.

Edhe në Brazil janë dokumentuar raste të ri-infektimit me variantin e ri të koronavirusit. Ekspertët thonë se ende nuk e kuptojnë përse në një pjesë të njerëzve, reagimi i organizmit ndaj virusit nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për të ardhmen:

“Kemi një përshkrim të qartë të paktën të një rasti ri-infektimi, ndërsa është folur edhe për plot raste të tjera. Por ende nuk kemi përllogaritur se sa shpesh ndodh,” thotë Dr. Ester Sabino e Universitetit të San Paolos.

Një studim në Shtetet e Bashkuara arrin në përfundimin se rreth 10% e marinsave që ishin infektuar më parë dhe u kthyen në stërvitje pasi rezultuan negativë, u infektuan për herë të dytë.

“Me sa duket, ri-infektimi mund të ndodhë. Nuk mendoj se e kuptojmë plotësisht përse ndodh kjo, përse nuk krijohet imunitet pas infektimit të natyrshëm. Duket se kjo ndodh tek një pakicë njerëzish dhe se në shumicën e popullatës shfaqet një sasi e mirë antitrupash, por kjo nuk ndodh tek të gjithë,” thotë E. John Wherry, imunolog.

Mjekët në Afrikën e Jugut u shqetësuan në fund të vitit të kaluar kur vërejtën një shtim të rasteve, ndër to edhe tek individë që e kishin kaluar më parë infeksionin me koronavirus. Disa prej rasteve të reja ishin me mutacionin e virusit të shfaqur në këtë vend që është shumë më ngjitës dhe nuk duket se reagon aq mirë ndaj mjekimeve ekzistuese. Aktualisht 90% e rasteve të reja me COVID në Afrikën e Jugut janë shkaktuar nga variant i ri:

“Nga këto shifra mund të themi se, për fat të keq, infektimi i mëparshëm me variantin fillestar të koronavirusit nuk të mbron nga mutacioni i ri,” thotë Dr. Shabir Madhi i Universitetit Witwatersrand në Johanesburg.

Ekspertët thonë se studimi tregon se imuniteti vepron edhe në rastet e ri-infektimit.

“Po ta shohim me optimizëm duhet të themi se këto variante të reja i rezistojnë vetëm pjesërisht imunitetit të krijuar. Në studimet e bëra, individët e ri-infektuar nuk kanë thuajse kurrë raste të simptomave të rënda,” thotë epidemiologu Wherry.

Variantet e reja nuk ishin shkaku i infektimeve për të herë të dytë në radhët e marinsave, në studimin e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, thonë ekspertët.

“Fakti që je infektuar më parë nuk të jep garanci se nuk do të infektohesh sërish. Ritmet e ri-infektimit janë mjaft më të larta se sa mendohej,” thotë Dr. Stuart Sealfon i spitalit Mount Sinai.

Studiuesit janë optimistë se vaksinat japin një rezistencë të fortë që e tejkalon imunitetin e krijuar nga infeksioni me virus.

“Imuniteti i përftuar nga vaksinat, të paktën bazuar tek të dhënat për vaksinat e Pfizer dhe Moderna, në mënyrë të vazhdueshme krijon reagim të lartë të antitrupave si dhe përgjigje të mirë nga qelizat T në shumicën e njerëzve që vaksinohen. Prandaj mendoj se ka prova, të paktën për këto dy vaksina, se nxisin imunitet më të fortë se sa imuniteti pas infektimit nga sëmundja, së paku në rang popullate,” thotë epidemiologu E. John Wherry.

Ekspertët thonë se studimet e fundit dëshmojnë se askush nuk duhet të ndjehet i paprekshëm pasi e ka kaluar sëmundjen, por të vazhdojë të respektojë protokollin e mbrojtjes nga sëmundja: mbaj maskë, qëndro dy metra larg, laj duart dhe bëj vaksinën sa më parë që të jetë e mundur.

voa

GJYKATA SERBE I JEP TË DREJTË FYERJES INSTITUCIONALE NDAJ SHQIPTARËVE!

Vulin VucicTË REAGOJNË BE, SHBA DHE VENDET E RAJONIT, NDAJ KËTIJ PRECEDENTI TË RREZIKSHËM PËR MINORITETET NË BALLKAN.
Sot, Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Siç dihet, ish-zëdhënësi i Mira Markoviqit dhe Ministri i sotëm i Brendshëm i Aleksandër Vuçiqit, përdor vazhdimisht terminologjinë fyese “šiptari” në vend të terminologjisë zyrtare në Serbi: “albanci”.
Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.
Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e Sllobodan Millosheviqit!
Në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak”, unë kam filluar ndërmarrjen e veprimeve institucionale në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar.
Ftoj autoritetet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të rajonit, që të reagojnë ndaj Beogradit për ta ndaluar institucionalizimin tashmë edhe juridik të gjuhës së urrejtjes ndaj minoriteteve në Serbi.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë në Beograd është precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor.
Shaip Kamberi
Kryetar i Komunës së Bujanocit 2008-2012.
Deputet në parlamentin republikan në Beograd 2014 – 2016. Prej 2016 deri më 2020 kryetar i Komunës së Bujanocit. Prej 2020 deputet popullorë dhe shef i G.P. Lugina e Bashkuar-SDA.

Ministria e Shëndetësisë: 4562 testime, 1239 raste të reja, 16 humbje jete dhe 805 të shëruar

Tabela-9-SHKURTMinistria e Shëndetësisë ju informon se në 24 orët e fundit prej 4562 testimeve, 1239 qytetarë kanë rezultuar pozitivë  edhe ate në këto bashki: 553 raste në Tiranë, 84 raste në Durrës, 61 raste në Elbasan, 58 raste në Lushnje, 39 raste në Kavajë, 36 raste në Shkodër dhe në Fier, 32 raste në Sarandë, 30 raste në Lezhë, 22 raste në Krujë, 21 raste në Vlorë dhe Delvinë, 18 raste në Kurbin, 16 raste në Gjirokastër, 15 raste në Mirditë, Librazhd dhe Malësi e Madhe, 14 raste në Kukës, 13 raste në Berat, Pogradec, 12 raste në Berat, 11 raste në Ura- Vajgurore, 8 raste në Kamëz, Përmet, Patos, 6 raste në Mallakastër, Gramsh, 5 raste në Vau i Dejës, Kuçovë, 4 raste në Tepelenë, Belsh, Dibër, Peqin, Skrapar, Vorë, 3 raste në Memaliaj, Has, 2 raste në Devoll, Pukë, Tropojë, Mat, Divjakë, Himarë, Kolonjë, Shijak, Cerrik, Poliçan, Këlcyrë, Libohovë, 1 rast në Selenicë, Roskovec, Maliq, Konispol.

Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 16 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19 në spitalet COVID. 7 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Saranda, 1 qytetar nga Kruja, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Korça, të moshave 58 -84 vjeç.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 805 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 52,933 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në 4 spitalet COVID, po trajtohen 471 pacientë, 32 në terapi intensive nga të cilët 11 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të gjithë qytetarëve të zbatojnë rregullat për parandalimin e COVID19, vendosni maskën mbrojtëse në çdo ambient jashtë shtëpisë, shmangni grumbullimet, ruani distancimin fizik; kujdesuni për higjenën vetjake, dhe respektoni vëtizolimit kur dyshoni se jeni të prekur nga Covid19, vetëm kështu mund të frenohet përhapja e COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 për të mësuar mjekun tuaj të familjes dhe për të kontaktuar me të. Gjithashtu, telefononi në numri unik 127 i Urgjencës Kombëtare mund të telefononi kur dyshoni se keni shenja të sëmundjes dhe duhet të kryeni testimin për COVID19 apo nëse keni nevojë për trajtim të specializuar spitalor në spitalet COVID.

COVID-19 – Statistika ( 09 Shkurt 2021)
Raste të reja ditore 1,239
Të shëruar në 24 orë 805
Të shtruar në spitale 471
Humbje jete në 24 orë 16
Testime ditore 4,562

Testime totale 394,242
Raste pozitive 87,528
Raste të shëruara 52,933
Raste Aktive 33,107
Humbje jete 1,488

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 19284
Fier 2829
Durrës 1800
Elbasan 1539
Shkodër 1536
Vlorë 1544
Lezhë 1138
Korçë 998
Berat 861
Gjirokastër 722
Kukës 476
Dibër 380

Ekipi i OBSH-së: E pamundur që koronavirusi të ketë dalë nga laboratori

Pjesëtarë të ekipit të përbashkët të OBSH-së dhe Kinës në konferencë për media.Një ekip i ekspertëve ndërkombëtarë që po heton origjinën e koronavirusit, e hodhi poshtë teorinë që ai të ketë dalë nga laboratori.

Peter Ben Embarek, udhëheqës i misionit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se se “është jashtëzakonisht e pamundur” që koronavirusi të ketë dalë nga një laborator në qytetin Vuhan të Kinës.

Ai tha se duhet bërë më shumë punë për të identifikuar burimin e tij.

Komentet u bënë në përfundim të një misioni të përbashkët të OBSH-së dhe Kinës.

Vuhani, i cili ndodhet në provincën perëndimore Hubei të Kinës, është vendi i parë në botë ku është zbuluar koronavirusi, në fund të vitit 2019.

Që atëherë, mbi 106 milionë njerëz janë infektuar në të gjithë botën dhe mbi 2.3 milionë kanë vdekur.

Spekulimet janë shfaqur herët në pandemi se virusi mund të kishte dalë aksidentalisht nga laboratori, megjithëse nuk ka pasur prova të sigurta për ta mbështetur atë teori.

Dr Embarek tha në një konferencë për media se hetimet kanë zbuluar edhe informacione të tjera, por nuk e kanë ndryshuar imazhin e shpërthimit.

Ekspertët besojnë se virusi ka të ngjarë ta ketë origjinën te kafshët, por nuk janë të sigurt se si.

Liang Wannian, ekspert nga Komisioni Shëndetësor i Kinës, tha se koronavirusi mund të ketë qenë në rajone të tjera përpara se të zbulohej në Vuhan.

rel

Covid 19: prej 2863 testeve, kemi 476 raste të reja, 9 viktima dhe 407 persona të shëruar

E marteGjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 2863 teste dhe 476 raste të reja të Covid-19 u regjistruan në:
  • Shkup – 221 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Prilep – 31 (me 75.132 banorë)
  • Kavadarci – 31 (me 38.741 banorë)
  • Ohër- 24 (51.591 banorë)
  • Veles –23 (me  54.384 banorë)
  • Kumanovë – 20 (me 109.228 banorë)
  • Tetovë – 12 (në territorin e Tetovës me 200.678 banorë që dtth.: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, + Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, + Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, + Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, + Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe + Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë).
  • Manastir – 11 (me 91.983 banorë)
  • Delçevë –9 (me 17.713 banorë)
  • Strumica – 8 (me 57.175 banorë)
  • Resnjë –8 (me 16.313 banorë)
  • Negotinë – 8 (me  19.327 banorë)
  • Gjevgjeli – 8 (me 22.706 banorë)
  • Koçani – 8 (me 37.758 banorë)
  • Kriva Pallanka – 7 (me  20.820 banorë)
  • Gostivar – 6 (111.252 banorë)
  • Kërçovë – 6 (me 56.937 banorë)
  • Strugë – 5 (me 65.801 banorë)
  • Shtip – 5 (me 43.625 banorë)
  • Probishtip – 5 (me 15.085 banorë)
  • Krushevë – 5 (me 9.418 banorë)
  • Radovish – 2 (me 29.100 banorë)
  • Vallandovë – 2 (me  11.773 banorë)
  • Berovë – 2 (me 12.813 banorë)
  • Kratovë – 2 (me 9.376 banorë)
  • Demir Hisar – 2 (me 8.177 banorë)
  • Vinicë – 2 (me 19.391 banorë)
  • Dibër – 1 (me 20.863 banorë)
  • Makedonski Brod – 1 (me  6.166 banorë)
  • Dojran– 1 (me 3.324 banorë)

(Vërejtje: Numri i banorëve është numri zyrtar i banorëve të regjistruar, por ajo realisht duhet të ketë rënie, për shkak të shpërnguljeve në Shkup (kryesisht nga Maqedonia lindore) dhe jashtë shtetit.) 

Janë raportuar gjithsej 9 vdekje, 4 pacientë nga Shkupi (53, 67, 68, 74), dhe nga një në Prilep (68), Veles (75), Ohër (72), Strumicë (81 dhe Koçani (63).
 
Janë regjistruar 407 pacientë të rikuperuar : -Shkup 176 -Ohër 36 -Tetovë 29 -Kumanovë 22 -Strugë 19 -Veles 18 -Gostivar 15 -Kërçovë 12 -Strumicë 11 -Dibër 10 -Manastir 7 -Kavadarci 7 -Shtip 6 -Gjevgjeli 6 -Berovë 5 -Kratovë 4 -Koçani 3-Sveti Nikolë 3-Resnjë 3 -Probishtip 3 -Prilep 2 -Negotinë 2 -Kriva Palankë 2 -Vinicë 2 -Radovish 1 -Demir Hisar 1 -Makedonski Brod 1 -Krushevë 1.
 
Deri më tani, janë kryer gjithsej 474.280 teste të Covid-19.
Numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostikuar me COVID që nga fillimi i pandemisë është 95.347, numri i pacientëve të rikuperuar është 85.846, numri i vdekjeve është 2.955 dhe numri i rasteve aktive është 6.546.
 
Kujdes!
 
Kujdes, jo vetëm nga covid 19, por edhe nga “hulumtuesit e pavarur”, “ekspertët”, “analistët”, “mjekët”, “hoxhallarët”, “misionarët”, njerëz të papërgjegjshëm,  injorantët, të cilët komentojnë me hamendje ndaj çdo studimi dhe ndaj çdo mase që ndërmerren nga institucionet përgjegjëse shëndetësore në të gjithë botën, si dhe kujdes edhe nga Televizionet komerciale, portalet e ndryshme, rrjetet sociale, të cilët për të plotësuar programet e tyre, janë në gjendje të emitojnë gjithçka, vetëm e vetëm që të përfitojnë personalisht, pa çarë kokën nëse veprimet e tyre shkaktojnë pasoja.
 

Besoni vetëm institucionet përgjegjëse shëndetësore dhe jo individët!

Mbani maskën, ashtu si që mbani pantallonat në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.

Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar.
 

Ju lutemi mbroni vetveten = ashtu do ti mbroni edhe të afërmit tuaj.

- Besoni #faktet të mos e sfidojmë shkencën, komunitetin e mjekëve, e të ekspertëve të shëndetit publik dhe
- të mbrojmë veten, familjet tona dhe njerëzit që na rrethojnë.
- Secili mund të kontribuojë për kufizimin e përhapjes së #COVID19.

Dyshime të arsyeshme për praninë e virusit të ri, në dispozicion 1600 shtretër, spitalet rajonale po trajtojnë rastet post-covid

Ogerta EdiKryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në një komunikim me median u kanë bërë apel qyetarëve dhe bizneseve të tregojnë kujdes të shtuar në zbatimin e masave antiCOVID.

Duke folur për situatën epidemiologjike, Manastirliu ka deklaruar se ka një rritje të incidencës javore në 459 për 100 mijë banorë dhe se ka dyshime të arsyeshme për qarkullimin e varianteve të reja të Covid19.
“Vërehet se në javët e fundit dhe për me tepër në javën e 5 të vitit ka një trend në rritje të rasteve të konfirmuara me Covid 19. Një trend i pritshëm, sipas ekspertëve, që lidhet me sezonin e dimrit dhe kemi dyshime të arsyeshme për qarkullimin e varianteve të reja të Covid, që bazohen në rritjen e rasteve të të rinjve të prekur, në rritjen e numrit të riinfektimeve dhe në sinjalet që vijne nga Laboratori i ISHP. Po vijojmë të çojmë mostra në Berlin për të konfirmuar këto dyshimet”, tha Manastirliu.
Manastirliu ka nënvizuar se incidenca më shqetësuese lidhet me të rinjtë.
“Incidenca më shqetësuese lidhet me rritjen e të prekurve mes të rinjve. Mosha mesatare e rasteve të prekura është 48.7 vjeç. Sa i takon vatrave, aktualisht janë 460 vatra infektimi, nga të cilat 330 janë familjare. Ndërsa në Tiranë, përqindja e vatrave është e kombinuar, mes vatrave familjare dhe ato në aktivitete biznesi”, theksoi Manastirliu.
Gjatë komunikimit me median, Manastirliu bëri me dije situatën aktuale të COVID19 në spitale, ku theksoi se aktualisht 78% e shtretërve në spitale janë të zënë.
“Niveli i shfrytezimit të shtratit është 78% në 4 spitalet Covid. Kemi 1600 shtretër në dispozicion, ndërkohë që edhe spitalet rajonale janë duke trajtuar rastet post-covid si dhe rastet e dyshuara. Por rritja e numrit të rasteve të infektimeve pritet të sjellë rritje të numrit të të shtruarve në spitale”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se janë rritur kapacitetet e testimit me qëllim kapjen e hershme dhe izolimin e rasteve.
“Sa i takon kapaciteteve te testimit, kemi realizuar mbi 80 mije testime te shpejta te antigenit ne 54 qendra te ofrimit të shërbimit në të gjithe vendin. Pozitiviteti i testimit 24-26% dhe kemi kapacitete për ta rritur më tej testimin”, tha Manastirliu.

E pyetur në lidhje me skenarët kur ndryshon vendimmarrja, Ministrja Manastirliu u shpreh: “Po vlerësohen disa kritere të situatës epidemiologjike, që janë përcaktuese për masat në vijim. Nuk është vetëm rritja e infektime qe çon në marrjen e masave por edhe situata e spitaleve dhe gjendja e të shtruarve në spital dhe në terapi intensive si edhe fatalitet ndikojnë në kriteret e ndërmarrjes së masave të reja”, tha Manastirliu.
Manastirliu theksoi se po vijojnë diskutimet me Komitetin Teknik te Ekspertëve dhe situata po ndiqet në dinamikë për masat që mund të ndërmerren.

Duke bërë apel për zbatimin e masave për uljen e infektimeve, Manastirliu tha se situata epidemilogjike varet drejtpërdrejt nga zbatimi i masave antiCOVID.
“Niveli i riskut në vend eshte i moderuar dhe diçka mbi i moderuar. Masat tona aktualisht janë te moderuara dhe forcimi i zbatimit të ketyre masave është thelbësor, për të krijuar ato parametra të nevojshem të situatës epidemiologjike që vijnë vetëm nga zbatimi i masave”, tha Manastirliu.