Arkivi mujor: Shkurt 2021
Manastirliu: Do të përfundojmë shpejt vaksinimin e bluzave të bardha, të moshuarit mbi 80 vjeç do të lajmërohen nga mjekët e familjes
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër vaksinimin e personelit shëndetësor në Qendrën e Vaksinimin në Stadiumin ‘Air Albania’.
“Sot po vaksinohen në Arenën Kombëtare më shumë se 500 mjekë dhe infermierë të Urgjencës Kombëtare, mjekë të familjes, të Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, të disa spitaleve rajonale e bashkiake. Vijon vaksinimi jo vetëm në Arenën kombëtare, por gjithashtu edhe në polet e vaksinimit që ne kemi hapur në qyete të ndryshme siç është Shkodra, Vlora, dhe së shpejti Berati si edhe Korça”, tha Manastirliu.
Manastirliu theksoi se po intesifikohen ritmet e vaksinimit, me qëllim përmbylljen sa më parë të vaksinimit për bluzat e bardha.
“Kemi ambicien për të përfunduar vaksinimin qoftë të mjekëve dhe infermierëve të spitaleve, ata që janë në linjën e parë, por gjithashtu edhe për të vijuar në mënyrë instesive dhe për të përfunduar sa më shpejtë vaksinimin e mjekëve të familjes dhe të infermierëve kudo në sistemin tonë shëndetësor”, theksoi Manastirliu.
Duke i konsideruar si prioritet, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se, sipas planit të vaksinimit do të vijojë edhe vaksinimi për të moshuarit mbi 80 vjeç, me planifikim nga mjekët e familjes.
“Prioriteti ynë sipas planit të vaksinimit janë edhe të moshuarit mbi 80 vjeç me fasha të ndara sipas grupmoshës por edhe sipas sëmunshmërisë. Ndaj, ashtu sikurse kemi filluar për vaksinimin e 80 vjeçarëve të dielën, ashtu do të vijojmë për të vaksinuar sipas të gjithë atyre indikacioneve që mjeku i familjes jep. Dhe do të jetë pikërisht mjeku i familjes, i cili do të lajmërojë të gjithë të moshuarit mbi 80 vjeç, sipas fashave dhe udhëzuesve të Insitutit të Shëndetit Publik”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë theksoi se procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga një ekip i trajnuar. Deri tani janë vaksinuar 5612 mjekë dhe infermierë me dozën e parë, ndërsa 655 personel shëndetësor i kanë marrë të dy dozat e vaksinës. Gjithashtu janë vaksinuar 461 të moshuar dhe staf që kujdeset për ta. Që nga fillimi i vaksinimit janë kryer në total 6728 vaksina antiCOVID-19, ndërsa sot pritet të kryhen rreth 1,000 vaksina në të gjithë vendin.
Burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit e “Monstrës”
Gjykata Penale e Shkupit të martën ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi. Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Një person tjetër, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.
Dy nga të dënuarit me burgim të përjetshëm, Ali Demiri dhe Afrim Ismailoviq, janë dënuar në mungesë, ndërsa prokurorja e rastit Fatime Fetai tha se të njëjtit ndodhen në Kosovë, prej nga edhe duhet të ekstradohen për vuajtjen e dënimit.
“Bëhet fjalë për vrasje monstruoze, përkatësisht marrjen e jetës apo likuidimin e fëmijëve të cilë sapo ishin arritur moshën e pjekurisë. Të akuzuarit Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq shpallen fajtorë për veprën e rëndë penale terrorizëm andaj edhe në bazë të Kodin Penal për këtë akt të kryer dënohen me burgim të përjetshëm… Të pandehurit e tjerë për veprën penale ‘Ndihmë në kryerjen e kësaj vepre’ dënohen Haki Aziri me nëntë vjet burg, ndërsa Fejzi Aziri me 15 vjet burgim”, ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, Ognen Stavrev.
Vendimi i gjykatës ka shkaktuar reagime në sallën e gjykimit, si nga pala mbrojtëse ashtu dhe nga të dënuarit.
“Unë nuk ka bërë këtë vepër. Që ditën kur prokurorja kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm thash se unë do të jem këtu, nuk do të ikë, se nuk ndjehem fajtor. Nuk do të shkoj askund deri sa ky rast nuk zbardhet në tërësi”, ka deklaruar para trupit gjykues Agim Ismailoviq.
Avokati Asmir Alisqahiq akuzoi gjykatën dhe prokurorinë për standarde të dyfishta, në pjesën që ka të bëjë me paraburgimin duke theksuar se “shteti nuk ka fuqi apo lejon të ikin kriminelët e vërtetë ndërsa ndalojnë ata që nuk ikin drejtësisë pasi janë të vendosur që deri në fund që e vërteta të dalë në shesh.
Për këtë vrasje të koduar “Monstra”, prokurorja Fatime Fetai, në seancën e mbajtur më 21 janar kërkoi burgim të përjetshëm për Alil Demirin, si dhe vllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq. Për dy të akuzuarit të tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, prokurorja kërkoi dënim maksimal, prej nëntë përkatësisht dhjetë vjetësh burgim.
Tre të parët janë akuzuar për veprën “terrorizëm dhe destabilizim” ndërsa dy të tjerët për ndihmë në kryerjen e veprës. Një person tjetër është liruar nga akuza në mungesë të provave.
“Të akuzuarit nuk janë terroristë, por me vrasjen në liqenin e Smillkovës kryen një akt terrorist. Me siguri konflikti dhe destabilizimi i shtetit ka qenë motivi i të akuzuarve. Viktimat duhej të ishin maqedonas që kjo të çonte në acarimin e marrëdhënieve ndëretnike”, ka deklaruar prokurorja Fatime Fetai.
Viktimat ishin katër të rinj të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një tjetër i moshës 44-vjeçare. Trupat e tyre të pajetë janë gjetur rreth orës 22: 30 të 12 prillit nga disa persona që po peshkonin në liqenin artificial.
Ky akt kishte nxitur më pas pakënaqësi e protesta të shumta që ishin përshkallëzuar në dhunë rrugëve të Shkupit nga banorët lokalë të komunitetit maqedonas, të cilit kishin sulmuar bashkëqytetarët e tyre.
Protesta janë organizuar edhe nga familjarët e shqiptarëve të akuzuar duke mohuar që këtë vepër të rëndë ta kenë bërë të afërmit e tyre, ndërsa edhe tani pretendojnë se rasti është i kurdisur nga shërbime sekrete për qëllime të klasës politike që ishte në atë kohë në pushtet.
Pala mbrojtëse ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë duke kërkuar lirimin nga akuza e të pandehurve, meqë sipas avokatit Naser Raufi, organi i akuzës nuk ka arritur të sigurojë fakte mbi përfshirjen e akuzuarve në këtë akt.
“Kur nuk e ke fajtorin nuk mund të kesh as motivin. Përfundimisht nuk janë këta që kanë bërë krimin që të dihet motivi, andaj edhe nuk kemi motiv. Kur të kapësh autorët e vërtetë, atëherë ke dhe arsyet e krimit. Kjo mund të dëshmohet edhe me faktin se nga shtatë të akuzuarit, tre prej tyre janë liruar. Pra, mungojnë provat dhe ata nuk janë vrasësit. Këtë e dëshmoi edhe Gjykata Supreme (kjo gjykatë kishte kthyer lëndën në rigjykim në shkallën e parë) e cila tha se këta nuk janë autorët pasi nuk keni dëshmi. Këta jo që nuk gjetën dëshmi shtesë, por ata tërhoqën edhe një dëshmitar krucial që kishin”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, avokati Naser Raufi.
Por nga ana tjetër, mbrojtja e viktimave është shprehur e kënaqur me procesin gjyqësor duke theksuar gjithashtu se procesi kishte marrë kahe të gabuar pas pretendimeve të opinionit se procesi është i montuar, që bazohej në deklaratat e liderit të atëhershëm të opozitës, Zoran Zaev, se të akuzuarit për këtë vepër mund të mos ishin autorët e krimit.
Kryeministri i tanishëm Zoran Zaev, si drejtues i atëhershëm i opozitës, kishte publikuar aferën e përgjimeve dhe disa herë kishte deklaruar se ka dëgjuar biseda telefonike që hedhin dyshimet mbi gjithë rastin. Por, bisedimet e tilla ende nuk kanë nxjerrë dëshmi mbi këtë rast.
“Ato ‘bomba’ apo biseda të përgjuara nuk bënë që të ndryshojë gjendja faktike sa u përket autorëve të kësaj vepre”, ka deklaruar Dafinka Ivanovska, avokate e familjarëve të viktimave.
Përveç dëshmitarëve të shumtë si nga pala e të akuzuarve, ashtu edhe nga ajo e prokurorisë dhe familjarëve të viktimave, në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar dhe lexuar edhe afër 38 mijë biseda telefonike dhe mesazhe.
Në disa prej tyre ka dyshime mbi vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë, përfshirë edhe ato që akti të jetë kryer jo nga këta persona të thjeshtë, por nga profesionistë të shërbimeve të caktuara për destabilizim të vendit.
Zoran Trajkovski, një oficer policie, ishte një nga ata që u dëgjuan në bisedat telefonike, i cili rreth dhjetë ditë para vrasjes, pesë herë pranë liqenit të Smillkovës, u përpoq t’u jepte informacione shërbimeve të sigurimit se diçka po përgatitej të ndodhte në vend.
“Dhjetë ditë para vrasjes, nga dy burime mora informacione se një incident do të ndodhte rreth Festës së Pashkëve në të cilin do të vriteshin njerëz të pafajshëm. Më thanë se një patrullë policie ose njerëz të pafajshëm do të sulmoheshin. Unë nuk u tregova atyre burimet, por në asnjë moment nuk u përmend liqeni i Smillkovës”, thuhet në një bisedë të zyrtarit policor Zoran Trajkovski, të lexuar në gjykatë.
Në gjykatë është prezantuar edhe një bisedë që ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Bajrami kishte me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, të cilin e kishte informuar se akti në Smillkovë ishte kryer nga profesionistë.
“Është e qartë se ata ishin profesionistë. Unë gjithashtu i thash kryeministrit se asnjëherë nuk ka ndodhur që fëmijë të ekzekutohen nga pas. Nëse dikush do të dëshironte të destabilizonte vendin, ai do të sulmonte njerëzit me uniformë ose ndonjë stacion policie. Ata ishin profesionistë, të cilët nuk lanë asnjë gjurmë përveç gjurmëve të gomave të makinës”, ka deklaruar Bajrami në bisedën telefonike me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.
Vrasja e pesëfishtë në Smillkovë dhe dilemat e shumta në opinion rreth motiveve të vrasjeve, të cilat nuk arriti t’i argumentojë prokuroria, bazuar në reagimet e palës mbrojtëse, familjarëve, por edhe të partive politike, edhe më tej do të nxisë reagime në opinion, përfshirë edhe protestat, të cilat sërish janë paralajmëruar për ditët në vijim. rel
BE bie dakord për sanksione të reja kundër Rusisë
Për shkak të veprimit kundër kritikut të Kremlinit Navalny, ministrat e jashtëm të BE kanë rënë dakord për sanksione të reja kundër Rusisë. Përgjegjësit përballen me ngrirjen e pasurive dhe ndalime hyrjeje në BE.
Ministrat e jashtëm të BE kanë nisur sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të mënyrës së veprimit kundër kritikut të Kremlinit, Aleksej Navalny. Në parim është rënë dakord për të marrë masa të reja ndëshkimore, raportojnë disa media, duke iu referuar diplomatëve.
Sipas kësaj, i Ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell do të hartojë një listë të të prekurve, që janë përgjegjës për burgosjen dhe dënimin e Nawalnyt. Masat ndëshkuese do të përfshijnë ngrirjen e pasurive dhe ndalimet e hyrjes në BE dhe do të hyjnë në fuqi javët e ardhshme.
Para se të ndodhë kjo, për sanksionet duhet të vendosen në mënyrë specifike përsëri. Vetëm atëherë do të publikohen emrat e njerëzve kundër të cilëve drejtohen sanksionet. Prokurori i Përgjithshëm, Igor Krasnow dhe shefi i komitetit hetimor Alexander Bastrykin me sa duket po diskutohen si persona të prekur. Përmenden edhe emrat e shefit të shërbimit të burgut, Aleksandër Kalashnikov si dhe i shefit të Gardës Kombëtare, Viktor Solotov.
Jo sanksione kundër oligarkëve
Vetë Navalny dhe Parlamenti Evropian patën bërë thirrje që të vendoseshin ndalime hyrjeje në BE edhe për oligarkët pranë Presidentit Vladimir Putin dhe që pasuritë e tyre të ngriheshin në BE. Sipas diplomatëve të BE, megjithatë, është e vështirë të provohet se ata janë drejtpërdrejt përgjegjës për veprimet kundër Navalnyt, gjë që mund të çojë në një kontestim të vendimeve të sanksioneve.
Bashkëpunëtori i Navalnyt, Leonid Volkov, e hodhi poshtë këtë argument. Pa oligarkët besnikë ndaj Putinit, “makineria e shtypjes” në Rusi do të ishte e pakonceptueshme, tha ai në Bruksel. Dhe oligarkët nga ana tjetër përfitojnë nga kjo. Kur sanksionet e BE prekin “vetëm rreth dhjetë përfaqësues të Kremlinit që nuk do të udhëtojnë jashtë vendit dhe që nuk kanë pasuri jashtë vendit”, atëherë sanksionet “nuk janë të dhimbshme”.
Maas është në favor të sanksioneve
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas dhe të tjerë ishin shprehur qartë në favor të masave të reja ndëshkimore, përpara vendimit të BE. “Ne e bëmë të qartë që kur u helmua Navalny, se nuk ishim të gatshëm të pranonim shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe vendosëm sanksione,” tha politikani socialdemokrat.
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn shprehu shqetësimin se mund të mos jetë arritur pika më e ulët e marrëdhënieve midis BE dhe Rusisë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha indirekt se Rusia po shqyrtonte ndërprerjen e marrëdhënieve me BE, tha Asselborn. “Kështu që e gjitha shkon thellë”.
Kjo pikëpamje mbështetet gjithashtu nga deklaratat e bëra nga ambasadori rus i BE, Vladimir Tschischow, i cili e paralajmëroi BE të mos vendosë sanksione të reja kundër vendit të tij. “Po të ndodhë kjo, ne do të jemi të gatshëm të përgjigjemi,” i tha ai gazetës “Die Welt”.
Kamp të burgosurish për Navalnyn
BE ka kërkuar lirimin e Navalnyt prej rreth tre javësh – deri tani pa sukses. Moska e hedh poshtë këtë si ndërhyrje në punët e brendshme.
Kritiku 44-vjeçar i Kremlinit u dënua në Moskë në fillim të shkurtit, sepse, sipas mendimit të gjykatëses, sepse kishte shkelur në mënyrë të vazhduar kërkesat e dënimit me kusht në një çështje të mëparshme penale të vitit 2014, për mashtrim dhe shpërdorim të fondeve. Në një proces apelimi, drejtësia e konfirmoi të shtunën e kaluar burgimin në një kamp të burgosurish. Të shtunën, Navalny u dënua edhe me një gjobë për gjoja fyerjen e një veterani të Luftës së Dytë Botërore.
dw
Dialogu me Serbinë prioritet apo jo i qeverisë së ardhshme të Kosovës?
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili pritet ta formojë qeverinë e Kosovës, thotë se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tij. Por BE-ja dhe SHBA-ja kërkojnë nga qeveria e re të hyjë në dialog me Serbinë.
Lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, partia e të cilit fitoi thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka thënë se ai nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë. Kurti thotë se megjithatë ai do të merret me dialogun dhe bisedimet kurdo që të ndodhin, dëshiron t’iu japë formë të re bisedimeve për siç thotë “për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta”. Kështu ka deklaruar Albin Kurti në ditët e para sapo partia e tij doli e para në zgjedhje, ndonëse ai vetë nuk ishte pjesë e listës zgjedhore. “Bisedimet nuk duhet të përqëndrohen rreth mënyrës se si të kompensohet Serbia për humbjen e Kosovës. Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet t’i ndryshojë vendet tona për të mirë”, tha Kurti duke shtuar se me “Serbinë duhet të diskutojmë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfitues përfundimtar”, tha Kurti për AFP.
BE pret angazhim për dialogun
Sapo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet dhe partia e zotit Kurti doli fituese, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, në reagimin e parë përmendën dialogun si një nga çështjet, për të cilat presin angazhim konstruktiv të qeverisë së re. “Rruga evropiane e Kosovës po ashtu shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë dhe BE-ja pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Borrel dhe Varhelyi.
SHBA pret gatishmëri nga të gjitha palët për kompromis
Edhe kreu i ri i politikës së jashtme amerikane Antony Blinken, ka thënë se “një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri nga të gjitha palët për të bërë kompromis”. Blinken këtë e tha në një letër dërguar autoriteteve serbe, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë. Ditë më parë, edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka inkurajuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të arrijë marrëveshje me Kosovën, e cila do të përfshinte njohjen e ndërsjellë. Në përgjigje, Vuçiq ka thënë se ka përpjekje që njohja e ndërsjellë të imponohet si zgjidhje përfundimtare, porse është detyrim i tij t’i mbrojë interesat e Serbisë.
Nga ana e saj, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se “është për të ardhur keq që lideri i partisë fituese të zgjedhjeve në Kosovë, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk është një përparësi e tij”. “Mendoj se ky është joseriozitet i elitave politike në Prishtinë. Dialogu është mënyra e vetme për të pasur një marrëveshje për normalizim, që do të nënkuptonte më shumë begati, përparim ekonomik dhe stabilitet. Unë nuk e di se çfarë tjetër mund të ishte prioritet më i madh”, ka thënë Bërnabiq. Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve duhet të jetë një përparësi për Prishtinën. Bernabiq është e bindur se siҫ thotë “Kosova nuk ka perspektive pa dialog dhe marrëveshje me Beogradin”, duke shtuar se “Kosova nuk mund të negociojë anëtarësimin në BE pasi pesë vendet anëtare të bllokut nuk e njohin si shtet”.
Duhet strategji e përbashkët e Kosovës për dialogun
Analistët politik thonë që në raport me dialogun me Serbinë partitë politike parlamentare duhet të hartojnë një strategji të përbashkët. Naim Rashiti i tha DW se “dialogu me Serbinë do të vazhdojë të mbetet temë përçarëse brenda Kosovës, përderisa nuk do të ketë një unitet politik”. “Dialogu do të mbetet temë përçarëse derisa të mos këtë një marrëveshje apo një koordinim politik të brendshëm ndërinstitucional dhe ndërpolitik. A do të ndodhë kjo nuk e di, sepse për shumëkënd kanë humbur shpresat, sepse të gjitha partitë politike dhe liderët politik janë të papërcaktuar për një zgjidhje dhe s’kanë agjendë të qartë për dialogun me Serbinë”, thotë Rashiti. Sipas tij, nëse subjektet politike nuk ulen bashkërisht dhe ta hartojnë një strategji të qartë, atëherë ai mendon se “nuk do të ketë dialog të mirëfilltë”.
Së fundmi i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një raportim para përfaqësuesve të vendeve anëtare të bllokut, ka thënë se ai “nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit”. Lajqak ka ripërsëritur kërkesën e tij për nisjen e dialogut Kosovë-Serbi, menjëherë pas formimit të qeverisë të re. Sipas tij, gjatë procesit të mëhershëm, është arritur pajtueshmëri me palët për të arritur marrëveshjen ligjore të obligueshme për të dy palët, e për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.
dw
Analistët: SHBA do të kërkojë angazhimin në bisedime të Kosovës dhe Serbisë
Në Shtetet e Bashkuara dy ekspertë me përvojë të politikës së jashtme dhe të Ballkanit, thanë për Zërin e Amerikës se zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme për të ardhmen e tyre dhe të rajonit. Komentet e tyre vijnë pasi kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha pas fitores së partisë së tij, se bisedimet me Serbinë nuk do të ishin përparësi në një qeveri të drejtuar prej tij, krahasuar me problemet e brendshme. Ish-ambasadori Frank Wisner dhe studiuesi i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, Charles Kupchan thonë për Zërin e Amerikës se angazhimi për zgjidhjen e kësaj çështjeje, do të jetë pjesë e rigjallërimit të rolit të administratës së Presidentit Biden në Ballkan.
Pas zgjedhjeve në Kosovë, si BE-ja edhe Uashingtoni kanë theksuar rëndësinë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Kurti tha se nuk i nënçmon bisedimet me Serbinë …
“…por edhe nuk mund të them që do të jetë në top dy prioritetet sepse po dalim nga një fitore gjigante e lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën qytetarët na votuan për atë që u duhet atyre më së shumti”, tha zoti Kurti duke iu referuar situatës së brendshme në vend.
Ish-i dërguari i posaçëm për bisedimet për statusin mes Kosovës dhe Serbisë, Frank Wisner i tha në një intervistë Zërit të Amerikës se ky qëndrim është i kuptueshëm.
“Nëse Kosova nuk është në gjendje të merret me problemet e saj, të ndërtojë shtetin e vet, të realizojë ëndrrën që donin kosovarët kur morën pavarësinë mbi një dekadë më parë, atëherë çfarë shansi ka Kosova të bëjë paqe përreth saj dhe me Serbinë?”
Megjithatë ai thotë se shpreson që të dyja përpjekjet të bëhen paralelisht. Ish-ambasadori Wisner thotë se Uashingtoni do të donte të shihte përparim në bisedime.
“Marrëdhënia midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, midis Prishtinës dhe Uashingtonit do të jetë më e fortë nëse Kosova është e angazhuar dhe energjike për t’u marrë me çështjet e brendshme që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe zhvillimin ekonomik dhe në të njëjtën kohë të ndërmarrë hapa atje ku ekzistojnë mundësitë për të krijuar një mjedis më të sigurt ndërkombëtar dhe rajonal”, thotë ai.
Drejtori i Studimeve për Evropën në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, Kupchan i tha në një intervistë Zërit të Amerikës, se është e rëndësishme që të mos ndërpritet procesi.
“Që të vazhdojë dialogun me Beogradin pjesërisht për të zgjeruar përparimin që arriti administrata e ish-Presidentit Trump”.
Zoti Kupchan, thotë se vetëm marrëveshjet ekonomike nuk të çojnë larg.
“Ato nuk janë të mjaftueshme për të krijuar një marrëdhënie të fortë politike. Kështu që ka ende shumë punë e vështirë për të bërë. Dhe unë mendoj se kjo është arsyeja që administrata e zotit Biden komunikoi që herët, për t’u përçuar udhëheqësve të dy vendeve mesazhin për të vazhduar përpara”, thotë eksperti.
Ai u referohet mesazheve që i ka dërguar Presidenti Biden si Serbisë, edhe Kosovës ku e vë theksin se parimi mbi të cilin duhet të ngrihen bisedimet, duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Angazhimi i vetë zotit Biden, mund të jetë nxitja më e fortë për të mos shtyrë bisedimet.
Nga ana tjetër, Presidenti Aleksandar Vuçiç, ka thënë se qëndrimi serb për të mos njohur Kosovën nuk ka ndryshuar. Zoti Wisner thotë se është e qartë për Serbinë se çfarë do Perëndimi.
“Unë besoj se Beogradi dhe udhëheqja politike në Serbi e kuptojnë mirë atë që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa presin dhe urojnë që të bëjë Beogradi nëse do që të ketë një partneritet të zhvilluar plotësisht dhe të fortë me Evropën dhe me Shtetet e Bashkuara”.
Zoti Kupchan thotë se zoti Vuçiç dhe zoti Kurti, mund t’i mbajnë këto qëndrime të ashpra sepse ato funksionojnë politikisht, por shton se ai beson se do të ketë presion nga nga Evropa dhe nga Uashingtoni për të ecur përpara.
“Mendoj se si Kurti edhe Vuçiç duhet të jenë të përgatitur që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropianë t’u thonë se është koha të rikthehen (në negociata) dhe të bëjnë përparim në marrëdhëniet politike”, thotë ai.
Ambasador Wisner bie dakord:
“Të jeni të sigurt se Shtetet e Bashkuara do të argumentojnë në Bruksel, do të argumentojnë në Prishtinë dhe në Beograd se mosmarrëveshjet e së kaluarës duhen kapërcyer në bazë të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë për sovranitetin e tjetrit, integritetit territorial. Ne shpresojmë që rezultati të jetë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje dhe që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të bashkëjetojë në paqe me Kosovën”, thotë ai.
Një nga arsyet që mund të jetë një moment inkurajues për zgjidhjen e problemeve të mbetura në Ballkan, është theksi që zoti Biden i ka vënë aleancave tradicionale.
“Presidenti i ri amerikan do të jetë i angazhuar në sigurinë evropiane, dhe në veçanti në Ballkan, ndryshe nga Presidenti Trump dhe unë mendoj se ky është përgjithësisht një lajm i mirë. Mendoj se ai do të bashkëpunojë më ngushtë me Bashkimin Evropian. Mendoj se do të shohim koordinim mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për të avancuar dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, thotë zoti Kupchan.
Marrëdhënia tradicionale e Shteteve të Bashkuara me Evropën, thotë ambasadori Wisner, është themeluar mbi parimin se Evropa do të jetë e bashkuar, e lirë dhe e sigurt dhe se ato çështje që ndajnë Evropën nga brenda do të adresohen dhe do të zgjidhen.
“Ndër ato çështje është padyshim Ballkani Perëndimor dhe Kosova dhe Serbia, të cilat janë ndër palët kryesorë me mosmarrëveshje. Derisa të zgjidhen ato mosmarrëveshje, ëndrra e politikës amerikane për një Evropë të bashkuar të lirë dhe të sigurt, nuk mund të realizohet”.
Një nga arsyet që analistët radhisin si nevojë për më shumë angazhim perëndimor në Ballkan, janë përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për ndikim në atë rajon. Por ata vënë gjithashtu në dukje se Presidenti Biden përballet me sfida të mëdha brenda vendit.
“Duhet të kemi një politikë të brendshme të fortë, në mënyrë që të kemi një politikë të jashtme të qëndrueshme dhe efikase në Ballkan dhe më gjerë”, thotë zoti Kupchan.
voa
Sfidat e vaksinimit për njerëzit që nuk dalin dot nga shtëpia
Miliona banorëve në Shtetet e Bashkuara u duhet ta bëjnë vaksinën për koronavirusin aty ku banojnë, sepse dalin rrallë ose kurrë nga shtëpitë e tyre. Mjekët dhe infermierët e specializuar për të ofruar kujdes në shtëpi janë në krye të kësaj nisme me ndihmën e autoriteteve lokale dhe shtetërore në gjithë vendin. Por ata përballen me shumë sfida.
Në spitalin e Bostonit, mjekja Won Lee është pjesë e ekipit të specializuar për kujdesin nga shtëpia.
Grupi drejton përpjekjet për identifikimin dhe vaksinimin e njerëzve që nuk mund të dalin nga shtëpitë.
Studiuesit thonë se shumë prej këtyre njerëzve nuk marrin kujdes të rregullt shëndetësor, gjë që e bën të vështirë identifikimin e atyre që kanë nevojë për vaksinë.
Ndërkohë sasia e vaksinave në dispozicion është e kufizuar dhedy vaksinat, Pfizer dhe Moderna, skadojnë shpejt pasi hapen.
Kjo i vë punëtorët shëndetësorë para një sfide që vështirësohet edhe më tej nga stuhitë e dimrit, trafiku dhe koha.
Këto doza duhet të injektohen brenda pak orësh.
“Sepse vaksina nuk reziston shumë në temperaturë dhome pasi nxirret nga shishja. Kemi vetëm gjashtë orë për ta përdorur para se të tretet dhe të jetë e papërdorshme”, thotë Dr. Won Lee.
Pasi bëhet injektimi, punonjësit e shëndetësisëduhet të qëndrojnë me pacientin për të paktën 15 minuta në rast të ndonjë reagimi alergjik. Kjo gjë shpenzon edhe më shumë kohë në dispozicion.
Në këto rrethana, ekipet arrijnë të imunizojnë pesë ose gjashtë pacientë në ditë.
106 vjeçarja Domingas Pina, mori dozën e parë të vaksinës. Ajo nuk është larguar nga shtëpia për rreth një vit.
E bija thotë se ndihet e lehtësuar për nënën.
“Nuk duam ta humbasim. Duam të jetë e shëndetshme, të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë për vite dhe me këtë vaksinë shpresojmë se do të vazhdojë”, thotë Maria Lopes, e bija e 106 vjeçares.
Pas vaksinimit, pacientes i bëhet një kontroll i përgjithshëm.
Zonja Pina, pret të marrë dozen e dytë të vaksinës muajin tjetër, kur edhe feston 107 vjetorin e lindjes.
Atë e ka marrë malli për nipërit dhe mbesat që gjithmonë e vizitonin.
Sipas përllogaritjeve të Dr. Christine Ritchie, profesore në Shkollën e Mjekësisë në Harvard, rreth 2 milionë amerikanë nuk dalin dot nga shtëpia, ndërsa rreth 5 milionë nuk mund të udhëtojnë pa ndihmë.
“Sot, ndihma është kryesisht e përqëndruar në qendrat e kujdesit shëndetësor dhe të moshuarit në përgjithësi, por jo edhe në logjistikën e kësaj kategorie, e cila siç e dimë nga qëndrueshmëria e vaksinës, mënyra e paketimit të saj dhe ofrimi i shërbimeve në shtëpi kërkon planifikim”, thotë ajo.
Të moshuarit zakonisht kanë të ardhura më të ulëta se mestarja dhe vuajnë nga probleme serioze shëndetësore, si harresa, probleme me zemër ose artriti.
Departamentet e zjarrëfikësve në gjithë vendin kanë filluar gjithashtu të shpërndajnë vaksina.
Në Nju Jork, bashkia shpreson që programi i vaksinimeve në shtëpi të fillojë sapo të jetë në dispozicion vaksina me një dozë të vetme Johnson & Johnson.
Rregullatorët federalë pritet të miratojnë atë brenda disa javësh.
voa
Edhe përgjegjësi tjetër kryesor, Sasho Mijallkov (ish-drejtori i DSK-së) “zhduket” , është në arrati…
Sasho Mijallkov (ish-drejtori i DSK-së) “zhduket” , është në arrati, pas vendimit të gjykatës për arrest shtëpiak.
Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dje dorëzoi propozimin për përcaktimin e masës së arrestimit në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ndaj Sasho Mijallkov (ish-drejtori i DSK-së), i akuzuar në lëndën të njohur si rasti “Shënjestra-Fortesa”, për shkak të dyshimit për arratisje të mundshme, kumtoi Gjykata Themelore Penale në Shkup.
Mijallkov sipas informacioneve për herë të fundit është parë dje rreth orës 14.00 në kafenenë “Distrikt” e cila gjendet në kuadër të hotelit “Meriot” në qendër të Shkupit, që është në bashkëpronësi të djalit të Mijallkovit, Jordan Mijallkov.
Edhe avokati i Mijallkovit, Lupço Shvrgovski nuk e din vendndodhjen e tij.
Dardan Dehari nga Tetova renditet në vendin 31 në “FIS ALPINE WORLD SKI CHAMPIONSHIP 2021”
Dardan Dehari nga Tetova, ishte i vetmi përfaqësues nga Maqedonia e Veriut në kampionatin botëror në ski “Fis Alpine World Ski Championship” dhe suksesi më i madh që ka arritur ndonjë pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut në ndonjë kampionat botëror, e mbylli garën duke u radhitur në vendin e 31.
Ky sukses i Dardan Dearit, skiatorit të parë profesionist shqiptar në RMV, është një krenari kombëtar dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë të rinjtë shqiptar, që rruga e suksesit në sport, është e arritshme vetëm me përkushtim dhe punë.
Dardani, filloi në moshën 3 vjeçare nën instruksionin e prindit të tij, profesorit Ibrahim Dehari, për të vazhduar pastaj si profesionist me pjesëmarrje nëpër gara të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si pionier, junior dhe senior, e me theks të veçantë duhet përmendur pjesëmarrja në dy Univerziadat Botërore dhe shtatë herë në kampionatin botëror “Fis Alpine World Ski Championship”.
Pas këtij suksesi historik, Dardan Dehari t i urojmë suksese edhe më të mëdha në të ardhmen, për të vazhduar të jetë shembull i fuqishëm për të gjithë të rinjtë që kanë vullnetin dhe dëshirën për t’u ngjitur në rrugën drejt suksesit në sportin e skijimit!
Gjermania, Franca bëjnë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së Kosovës
Gjermania dhe Franca bënë thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së re të Kosovës dhe për zgjedhjen e presidentit, sapo të finalizohen rezultatet e zgjedhjeve.
Në një postim në Twitter, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha po ashtu se dy vendet “i urojnë qytetarët e Kosovës, Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanin për rezultatin zgjedhor”.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
Vjosa Osmani ka qenë kandidate e listës së Vetëvendosjes për presidente.
Rezultatet janë ende preliminare, pasi kanë mbetur pa u numëruar votat nga diaspora, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Kosova është me ushtruese të detyrës së presidentit, zonjën Osmani, qysh në nëntor, kur Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Hagë.
Javën e kaluar, edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, u ka bërë thirrje partive fituese në Kosovë, që të formojnë Qeverinë “shpejt dhe me efikasitet”.
rel