Zgjedhjet në Shqipëri: Fushata risi në formë, jo në përmbajtje

trFushata elektorale në Shqipëri është në kulmin e saj, por diskursi politik zhvillohet jo me përballje konceptesh politike, por mbetet në nivelin e sulmeve të personalizuara mes kundërshtarëve politik, sipas ekspertëve.

Shqipëria është në prag të Zgjedhjeve Parlamentare 2021, që do të zhvillohen pas 10 ditësh, më 25 prill. Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, kërkon një mandat të tretë qeverisës. Partia Demokratike, (PD) e drejtuar nga Lulzim Basha, që kryeson koalicionin opozitar, kërkon ta marrë ajo drejtimin  e vendit, pas 8 vitesh në opozitë.

Në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve (KQZ) janë regjistruar për të garuar 46 subjekte politike dhe tre koalicione, mes të cilave “Aleanca për Ndryshim” me 12 parti, e kryesuar nga PD. Procesi zgjedhor për Parlamentaret 2021 po zhvillohet me një Kod Zgjedhor, që ka pësuar  ndryshime dhe është përmirësuar, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Fushatë në kohë pandemie

Fushata zgjedhore për Parlamentaret 2021 ka arritur në pikun e vet dhe ka shpalosur tanimë  karakteristikat e saj. Eksperti për sistemet zgjedhore, Kristaq Kume thotë për DW, se kjo fushatë ka risi në formë, por jo në përmbajtje. “Në kushtet e pandemisë COVID-19, mungojnë takimet dhe mitingjet e mëdha të subjekteve politike me votuesit, gjë që ka sjellë risi në mënyrën sesi kjo fushatë po zhvillohet. Po përdoret gjerësisht teknologjia e informacionit dhe komunikimit, sidomos media dhe rrjetet sociale nga lidershipi i dy forcave kryesore në garë. Por kjo risi nuk shoqërohet me risi në përmbajtje, në sjelljen e subjekteve politike në garë në raport me votuesin. Votuesi po bombardohet me informacione për kundërshtarin politik jo për programet qeverisëse të subjektit politik, që kërkon votën e tij. Fushata po karakterizohet nga varfëri idesh, objektivash për mirëqeverisjen dhe tepri deklaratash: maxhoranca socialiste për mbajtjen me ꞔdo kusht të pushtetit, PD për ardhjen me çdo kusht në pushtet,” thotë për DW, Kristaq Kume.

Pritshmëritë  e votuesve

Në këtë synim, dy partitë kryesore, PS dhe PD kanë edhe përqasje të ndryshme për të fituar votën e zgjedhësve: PS fokusohet në prezantimin e arritjeve në rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, vaksinimi masiv anti COVID-19, të projekteve të mëdha në infrastrukturë, porte, aeroporte, autostrada me premtimet se këto të fundit do të nxisin fuqishëm zhvillimin dhe punësimin. PD fokusohet në situatën e vështirë social – ekonomike, papunësinë, ekonominë jo të shëndetshme, emigrimin e rinisë, besimin e pakët në sistemin e drejtësisë dhe premtimet se vetëm ajo mund ta ndryshojë situatën për mirë.

Por a u përgjigjen këto përqasje pritshmërive të votuesve për alternativa qeverisëse që përmirësojnë jetën e tyre, që i japin perspektiva jete rinisë për të mos braktisur vendin? “Jo, nuk u përgjigjen”, thotë eksperti Aleksander Çipa për DW. “Votuesit janë përballë zgjedhjes së imponuar të një force të majtë me shumë probleme në 8 vitet e qeverisjes së saj por me kapacitete negociuese, lojë në tregun rajonal të pandemisë, ekonomisë së izolimeve të befta, tronditjeve gjeo – diplomatike në rajon. Nga ana tjetër kanë një forcë të djathtë politike, që kapacitetin e saj e destinon më shumë për konstatime dhe pohime dhe jo për një ofertë bindëse projekti dhe ndryshimi strukturor,” thotë për DW, Aleksandër Çipa.

Ai thekson, se vendi “ka nevojë për rotacion politik. Por opozita nuk ka ende kredibilitet si qeverisje e re për ndryshim, pasi në mënyrë thelbësore nuk është as e re, as e aftë për të sjellë ndryshimin.”

Rotacionin e pushtetit përmes votës së qytetarëve në Shqipëri, prej 29 vitesh, e kanë kryer në 8 zgjedhje parlamentare dy forcat e mëdha politike: PS dhe PD. Që të dyja  kanë qeverisur me dy mandate katërvjeꞔare dhe kanë qenë në opozitë secila për 8 vite rrjesht.

“Elitat politike në Shqipëri, historikisht, qarkullojnë me shumë ngadalësi. Në turin aktual elektoral dy partitë kryesore më shumë po orientohen kah forca e ballafaqimit të aktorëve të kandiduar sesa nga nevoja për risi dhe ndryshim të thellë të lidershipit. Konservatorizmi i lidershipeve politike lidhet me status quo-në dhe kapjen e sistemit prej interesave private  në dëm të atyre publike, që është një problem i kahershëm në Shqipëri,” thotë Aleksandër Çipa.

Sipas ekspertit Kume: “Shqipëria ka nevojë për qarkullim të elitave politike. Jemi në momentin kur në procesin e zhvillimit demokratik të vendit dhe shoqërisë duhet të realizohet një hop cilësor. Këtë e kanë të vështirë ta bëjnë kryesisht dhe vetëm partitë që kanë rreth tridhjetë vite që funksionojnë në Shqipëri. Ka nevojë të madhe për forca dhe energji të reja politike”.

Forcat e reja politike

Prurjet e reja në politikë i kanë mundësuar listat e hapura, një nga ndryshimet shumë të rëndësishme në Ligjin Zgjedhor të  Shqipërisë, në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Në skenën politike dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentate të 25 prillit kanë hyrë katër parti të reja: Nisma ” Thurrja”, “Lëvizja për Ndryshim”, “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, “Bindja Demokratike”. Krahas tyre lëvizja “Vetëvendosja” në Tiranë, që vazhdon të jetë organizatë jo fitimprurëse  e shoqërisë civile, merr pjesë në zgjedhje me tre kandidatë të pavarur.

Analisti Aleksandër Çipa thotë për DW, se pritshmëritë e zgjedhësve nuk mund t’i plotësojnë këto parti, sepse “ato po shfaqen me një pjesëmarrje anemike në fushatën zgjedhore, nuk paraqesin valenca të larta politike dhe ligjërimore.”

Listat e hapura krijojnë mundësi edhe që zgjedhësit të shprehen për kandidatët për deputetë me vota parapëlqyese. “Përfitimi nga kjo mundësi është e papërfillshme. Listat e hapura do të duhej të sillnin edhe garën elektorale mes vetë kandidatëve për deputetë të të njëjtit subjekt politik jo vetëm mes subjekteve politike. Zhvillimi i fushatës, ku lidershipi i forcave politike kryesore në garë është  në mënyrë ekskluzive aktori kryesor, e bën të pamundur garën mes kandidatëve të së njëjtës forcë politike. Kjo mënyrë, që pamundëson garën elektorale mes kandidatëve të së njëjtës forcë politike, nuk është në linjë me standardet e zhvillimit të fushatës zgjedhore në një shoqëri demokratike,” thotë për DW, Kristaq Kume.

Ai thekson se ndryshimet në Ligjin Zgjedhor nuk mbështesin kandidatët e pavarur për deputetë. “Kandidatët e pavarur, që garojnë vetëm në një njësi zgjedhore, për të marrë mandatin e deputetit u duhet të kapin një prag të dyfishtë: atë lokal dhe kombëtar, pra të marrin mbi 13 mijë vota,” thotë për DW, Kristaq Kume.

Boiken Abazi, drejtues i Lëvizjes “Vetëvendosja” në Tiranë, thotë për DW se ”kapja e pragut lokal dhe kombëtar nga kandidatët e pavarur është absurde. Kjo do të thotë që secili kandidat të marrë 16 mijë vota në një njësi zgjedhore, gjë është e vështirë, por gjithsesi jo e pamundur”.

Parlamentaret 2021: më pak rini në listat e kandidatëve për deputetë

Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri përbëjnë 1/3 e popullsisë me të drejtë vote. Por prania e tyre në lisat e kandidatëve për deputetë të subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nuk i përgjigjet këtij realiteti.

Në një studim të organizatës jo fitimprurëse “Qëndresa Qytetare” me seli në Tiranë, konstatohet që përfaqësimi i rinisë në listat e kandidatëve për deputetë të tri partive kryesore politike, PS, PD dhe Lëvzja Socialiste për Integrim, (LSI) është ulur pothuajse me 50%, nga 104 kandidatë në zgjedhjet parlamentare 2017 në 54 në zgjedhjet parlamentare 2021, kur mosha mesatare për rininë në listat e partive politike rezulton të jetë 26 vjeç.

PD konstatohet të jetë forca politike me më pak të rinj dhe të reja në listat e saj të kandidatëve për deputetë,  vetëm me 3.2 %,  kurse LSI me më  shumë nga  të gjitha, me 22.2 %. PS nuk ka asnjë kandidat për deputet në listat e saj që të jetë në moshën e rinisë. Një reduktim i tillë i rinisë e bën edhe më të vështirë daljen e elitave të reja politike.

dw

Braktisën parlamentin, por deputetët e opozitës do të paguhen deri më 2022

ParlamentiLigji është treguar shumë zemërgjerë edhe sa i përket atyre që braktisin parlamentin, apo e bojkotojnë atë.

Lanë mandatet, por 58 deputetët e Partisë Demokratike dhe LSI-së që braktisën parlamentin në shkurt 2019 do të vazhdojnë të marrin përfitime financiare deri më 2022.

Kjo do të thotë se ish-deputetëve të opozitës joparlamentare nuk do t’u mungojnë privilegjet edhe pas djegies së mandateve. Neni 7 i ligjit për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit, tek kreu për pagesën kalimtare, parashikon që, pas largimit nga funksioni, u jepen dy paga mujore të funksionit dhe pas këtyre pagave marrin 50 për qind të pagës referuese bruto, për aq kohë sa kanë punuar në funksione të tilla, por jo më shumë se 3 vjet nga momenti i largimit nga ky funksion.

Në zbatim të këtij ligji deputetët e opozitës jashtëparlamentare, kanë përfituar dy paga të plotë dy muaj pas lënies së mandatit. Duke qenë se pagesa bruto është 156.770 mijë lekë të reja, secili prej tyre ka marrë 313 mijë lekë të reja për muajt mars dhe prill, megjithëse janë jashtë parlamenti. Duke filluar nga muaji maj 2019 dhe deri në mars 2022 ata përfitojnë 50% të pagesës bruto mujore.

Kjo përkthehet në 18 muaj për ata që mandatin e kishin për herë të parë dhe deri ne 3 vjet për ata që kanë më shumë se 1 mandat deputeti. Kjo pagesë kryhet nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, ndaj duke filluar nga muaji prill Lulzim Basha, Sali Berisha, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili iu drejtuan këtij institucioni me një shkresë zyrtare për të vijuar me pagesat, që ua jep ligji.

Duke iu referuar pagës mujore bruto të deputetit, do të thotë se ish-ligjvënësit e opozitës do të marrin çdo muaj, pa punuar, 78 mijë lekë. Më 2019, Ish-deputetët e PD, Jozefina Topalli dhe Arben Ristani fituan gjyqin ndaj Kuvendit të Shqipërisë, për pagat dhe dietat e dy viteve kur ishin në bojkot. konkretisht korrik 2014 – janar 2015 dhe shkurt-qershor 2017. Gjykata Administrative vendos në favor të ish deputetëve dhe detyruar Kuvendin t’u paguajë në total 10 milionë lekë të vjetra dy ish-deputetëve.

Rrugës ligjore i janë drejtuar dhe deputetë e mazhorancës së sotme, Taulant Balla, Fatmir Xhafaj, Olta Xhaçka, Valentina Leskaj, Shegushe Ligori, etj, që kanë kërkuar 15 mln lekë të vjetra pagesa për vitet 2009-2010, kur deputetë e partisë Socialiste u futën në grevë urie. “Të jesh deputet është privilegj, është vlerësim, del përtej parasë, është përgjegjësi” u shpreh Vasilika Hysi, N/kryetare e Parlamentit.

tch

Sllovenia mbështet “ndarjen paqësore” të Bosnjes-Hercegovinës?

Presidenti slloven Borut PahorNjë takim joformal zë pak javë më vonë kryetitujt e mediave në Ballkan. Krerët sllovenë kanë shprehur aludime për plane gjeostrategjike të reja për Ballkanin, shkruhet. Por si u ngrit tymnaja mediatike?

Megjithëse presidenti slloven, Borut Pahor dhe kryeministri Janez Janša i hodhën poshtë zërat se ata mbështesin një ndryshim kufijsh në Ballkan, u thirr këtë javë në Ministrinë e Jashtme të Bosnjës, ambasadorja sllovene, Zorica Bukinac për të shpjeguar zërat e qarkulluar në media se ka “plane gjeostrategjike të reja për Ballkanin”. Portali “Euractiv” citon mediat boshnjake, se ambasadorja është ftuar për shkak të një dokumenti jozyrtar, që kryeministri slloven, Janez Jansha me gjasë ka dërguar në BE e ku bëhet fjalë për ndryshime të mundshme kufijsh në Ballkan.

Kryeministri slloven Janez Janša vetë i ka hedhur poshtë aludime të tilla. Edhe presidenti, Borut Pahour ka theksuar, se ai vetë preferon një anëtarësim të Bosnjes së bashkuar në BE. Ishte Željko Komšić, shkruan Euractiv, anëtari boshnjak i presidencës bsohnjake që ka pohuar për mediat lokale boshnjake, se presidenti slloven, Pahor në një takim jozyrtar, ka pyetur “nëse është e mundur një ndarje paqësore e Bosnje-Hercegovinës.” Me këtë ai ka pasur parasysh një shkëputje të Republikës Srpska, thuhet. Mediat shkruajnë se Pahor u ka thënë anëtarëve të presidencës boshnjake, Milorad Dodik, Shefik Xhaferoviç dhe Komshiq, se “kohët e fundit ka gjithnjë e më shumë zëra në Europë, që thonë, se shpërbërja e Jugosllavisë duhet të përfundohet. A mundeni ju në Bosnje të ndaheni paqësisht nga njëri-tjetri?”

Lidershipi slloven u përpoq këto ditë për shtensionim të situatës. Për Balkan Insight zyra e presidentit është shprehur, se “Presidenti Pahor dëshiron që Bosnje-Hercegovina sa më shpejt të jetë e mundur të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.  Ai thekson gjithmonë, rëndësinë gjeostrategjike të zgjerimit të BE, që do të përfshinte edhe Bosnjen.” Në njoftimin e zyrës së presidentit, theksohet, se presidenti Pahour paralajmëron “rregullisht nga ideja e dezintegrimit të Bosnje-Hercegovinës dhe një ridimensionim i kufijve në Ballkanin Perëndimor”. Në kontekstin e “shqetësimit për propozime të tilla”, sipas njoftimit të zyrës së presidentit ai ka shtruar pyetjen në mars anëtarëve të presidencës, nëse një shpërbërje e shtetit aktual vërtet do të shtrohej për ta si opcion.

la/euractiv

IKShPK: prej 4557 mostrave kemi 701 raste pozitive, 14 të vdekur dhe 737 të shëruar!

kujdesGjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.557 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 701 raste pozitive. Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 157 raste, Gjilan 84 raste, Mitrovicë 59 raste, Pejë 51 raste, Ferizaj 46 raste, Vushtrri 45 raste, Gjakovë 44 raste, Prizren 28 raste, Skenderaj 28 raste, Fushë-Kosovë 22 raste, Lipjan 21 raste, Podujevë 20 raste, Kaçanik 12 raste, Viti 11 raste, Obiliq 10 raste, Suharekë 10 raste, Drenas 8 raste, Shtime 7 raste, Kamenicë 6 raste, Klinë 6 raste, Malishevë 5 raste, Rahovec 5 raste, Istog 4 raste, Junik 4 raste, Deçan 3 raste, Dragash 2 raste, Hani i Elezit 2 raste dhe Kllokot 1 rast.
Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Pejë 2 raste (81, 78 vjeç), Prishtinë 2 raste (91, 79 vjeç), Prizren 2 raste (80, 68 vjeç), Viti 2 raste (73, 69 vjeç), Gjilan 1 rast (74 vjeç), Klinë 1 rast (80 vjeç), Mitrovicë 1 rast (75 vjeç), Shtërpcë 1 rast (62 vjeç), Skenderaj 1 rast (65 vjeç), Suharekë 1 rast (68 vjeç).
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 737 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 84.328 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.186.
Numri total i rasteve pozitive është 99.536 raste nga 486.970 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.022 raste të vdekjes.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!

Covid 19: prej 3610 testeve, kemi 949 raste të reja, 33 viktima dhe 737 persona të shëruar

E merkureGjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 3610 teste dhe u regjistruan 949 raste të reja të Covid-19 edhe ate  në:
  • Shkup – 357 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
  • Manastir – 85 (me 91.983 banorë)
  • Kumanovë – 69 (me 109.228 banorë)
  • Prilep – 43 (me 75.132 banorë)
  • Veles –39 (me  54.384 banorë)
  • Ohër- 36 (51.591 banorë)
  • Tetovë – 34 (në territorin e Tetovës me 200.678 banorë që dtth.: Komuna e Tetovës me 91.760 banorë, + Komuna e Bogovinës me 30.928 banorë, + Komuna e Zhelinës me 28.044 banorë, + Komuna e Tearcës me 22.916 banorë, + Komuna e Bërvenicës me 16.590 banorë dhe + Komuna e Jegunovcës me 10.440 banorë).
  • Strumica – 29 (me 57.175 banorë)
  • Koçani –29 (me 37.758 banorë)
  • Gostivar – 28 (111.252 banorë)
  • Shtip – 26 (me 43.625 banorë)
  • Kavadarci – 25 (me 38.741 banorë)
  • Kërçovë – 21 (me 56.937 banorë)
  • Gjevgjeli – 14 (me 22.706 banorë)
  • Sveti Nikollë – 13 (me 17.683 banorë)
  • Strugë – 11 (me 65.801 banorë)
  • Radovish – 10 (me 29.100 banorë)
  • Resnjë –10 (me 16.313 banorë)
  • Vallandovë – 7 (me  11.773 banorë)
  • Negotinë – 7 (me  19.327 banorë)
  • Berovë – 7 (me 12.813 banorë)
  • Kriva Pallanka – 6 (me  20.820 banorë)
  • Bogdanci– 5 (me 8.178 banorë)
  • Makedonski Brod – 4 (me  6.166 banorë)
  • Dibër – 4 (me 20.863 banorë)
  • Demir Hisar –3 (me 8.177 banorë)
  • Makedonska Kamenica – 3 (me  7.524 banorë)
  • Probishtip – 2 (me 15.085 banorë)
  • Pehçevë – 2 (me 5.517 banorë)
  • Krushevë – 1 (me 9.418 banorë)
  • Demir Kapi – 1 (me  4.039 banorë)
Janë raportuar se gjithsej 33 persona kanë ndërruar jetë: 11 nga Shkupi (54, 67, 68, 70, 71, 72, 72, 75, 77, 86 dhe 87), nga 3 persona nga Manastiri (49, 66 dhe 74) dhe Tetova (40, 65 dhe 85), nga 2  persona nga Kumanova (66 dhe 84), Prilepi (67 dhe 75), Ohri (72 dhe 84) dhe Gjevgjelia (25 dhe 76), nga 1  nga Koçani  (58) Shtip  (65), Kavadarci (58), Struga (65), Radovish (74), Delçeva (79), Negotina (87) dhe Berovë (87).
Janë regjistruar 737 pacientë të rikuperuar edhe atë në: -Shkup 380 -Prilep 42 -Veles 39 -Kumanova 32 -Kavadarci 26 -Manastiri 25 -Gjevgjelia 23 -Gostivari 21 -Tetova 20 -Shtip dhe Krushevë nga 16 -Negotina 13 -Koçani dhe Strumica nga 11 -Radovishi dhe Dellçeva nga 7 -Demir Kapia 6 -Berova, Kërçovë dhe Makedonski Brod nga 5 -Resnja dhe Vinica nga 4 -Bogdanci, Probishtipi dhe Pehçeva nga 3 -Ohri, Sveti Nikolla, Kriva Pallanka dhe Dojrani nga 2 -Vallandova dhe Kratova nga 1 .
 
Deri më tani, janë kryer gjithsej 677.988 teste të Covid-19.
Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me KOVID  që nga fillimi i epidemisë është 144.111, numri i pacientëve të rikuperuar është 119.683, numri i vdekjeve është 4.322 dhe numri i rasteve aktive është 20.106.
Kufizimi i levizjes
Kujdes!
 
Kujdes, jo vetëm nga covid 19, por edhe nga “hulumtuesit e pavarur”, “ekspertët”, “analistët”, “mjekët”, “hoxhallarët”, “misionarët”, njerëz të papërgjegjshëm,  injorantët, të cilët komentojnë me hamendje ndaj çdo studimi dhe ndaj çdo mase që ndërmerren nga institucionet përgjegjëse shëndetësore në të gjithë botën, si dhe kujdes edhe nga Televizionet komerciale, portalet e ndryshme, rrjetet sociale, të cilët për të plotësuar programet e tyre, janë në gjendje të emitojnë gjithçka, vetëm e vetëm që të përfitojnë personalisht, pa çarë kokën nëse veprimet e tyre shkaktojnë pasoja.
 

Besoni vetëm institucionet përgjegjëse shëndetësore dhe jo individët!

Mbani maskën, ashtu si që mbani pantallonat në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.

Maska/Barriera mbrojtëse e fytyrës ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet duke minimizuar transmetimin e tij nëpërmjet spërklave nga individë të infektuar.
 

Ju lutemi mbroni vetveten = ashtu do ti mbroni edhe të afërmit tuaj.

- Besoni #faktet të mos e sfidojmë shkencën, komunitetin e mjekëve, e të ekspertëve të shëndetit publik dhe
- të mbrojmë veten, familjet tona dhe njerëzit që na rrethojnë.
- Secili mund të kontribuojë për kufizimin e përhapjes së #COVID19.

Emra të rinj, qëndrime të vjetra – Raport për Kosovën në OK

Takimi virtual i KS për Kosovën UN Web TVKëshilli i Sigurimit të OKB mbajti të martën (13.04) takimin informues të radhës për Kosovën. Serbia, edhe Kosova kanë emra të rinj ministrash të Jashtëm, por qëndrimet janë të njëjta.

Takimet informuese të Këshillit të Sigurimit për Kosovën mblidhen në bazë të rezolutës 1244 të vitit 1999. Sipas saj, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duhet të informojë rregullisht anëtarët e Këshillit të Sigurimit për aktivitetet e misionit të OKB në Kosovë. Para zhvillimit të takimit, anëtarët e Këshillit të Sigurimit marrin raportin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe në bazë të tij dhe të politikës së vendit që mbulojnë përgatisin deklaratat. Raporti aktual përfshin periudhën shtator 2020- mars 2021. Presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit në muajin prill e mban Vietnami.

Takimi zakonisht fillon me fjalën e shefit të UNMIK-ut, që aktualisht është Zahir Tanin. Pastaj fjalën e merr përfaqësuesi i Serbisë, ministri i Jashtëm apo ambasadori pranë OKB. Pas tij flet ministri i Jashtëm i Kosovës ose ambasadori i Kosovës në SHBA, vend që e ka njohur Kosovën si shtet. OKB nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet, megjithë mbështetjen që i jep. Që ta bëjë këtë duhet që gjithë vendet me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të japin „Po-në”. Nga pesë shtetet me të drejtë vetoje, tre e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara kurse dy nuk e mbështesin. Kështu ka qenë në vitin 1999, kështu është edhe sot, më 2021. Sipas OKB, misioni i UNMIK-ut sot është të promovojë sigurinë, stabilitetin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Protesta e përfaqësuesit rus

Takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovënmë 13 prill 2021 e drejtoi ambasadori i Vietnamit pranë OKB, Dang Dinh Quy. Takimi ishte video- konferencë e hapur për publikun midis 19 pjesëmarrësve, 13 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe 6 të ftuarve, ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, shefit të UNMIK-ut Zahir Taninit, ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakovic,

Sapo ambasadori i Vietnamit filloi të merrte votat për procedurën e mbajtjes së takimit, përfaqësuesi i Rusisë, shprehu indinjatën që ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla shfaqej në video me flamurin e Kosovës, “shtet që nuk është njohur nga bota”. Ai i kërkoi ministres të largojë flamurin e Kosovës, si kusht për të marrë pjesë në takim.

Ambasadori i Vietnamit kujtoi se pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në takim bëhet sipas rregullit 39, të procedurës së mbajtjes së takimit. Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, kujtoi se takimi është informues, nuk është takim ku merren vendime kështu që nuk ka pse ministrja Gërvalla të ndryshojë sfondin e prezantimit. Kujtojmë se në takimin e kaluar të Këshillit të Sigurimit, i njëjti incident u shkaktua nga Serbia.

DonikaUNMIK: Ndihmë për Kosovën në luftë kundër pandemisë

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, kërkoi ndihmë për Kosovën në luftën kundër pandemisë së COVID-19, e cila ka pasur dy momente dramatike infektimi të madh një në nëntor dhe një që ka filluar në mars dhe që po vazhdon deri tani. “Numri i infektimeve ka arritur tani pikën kulminante,” tha Tanin duke shpjeguar se virusi ka infektuar në Kosovë mbi 100 mijë vetë dhe ka shkaktuar vdekjen e 2 mijë të tjerëve, një nga nivelet më të larta për frymë. Ai tregoi se 24 mijë doza vaksine që kanë mbërritur në Kosovë në fund të marsit, kanë shënuar fillimin e programit të vaksinimit dhe kërkoi ndihmë për vaksinimin, duke pasur parasysh nivelin e madh të infektimeve dhe shpërndarjen e virusit.

SHBA e BE: Kosova e Serbia të veprojnë si europianë

Ambasadori i SHBA pranë OKB, Richard Mills, vlerësoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Kosovë si dhe përpjekjet e bëra në promovimin e të drejtave të grave. Ai premtoi bashkëpunim me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë qeveritare, luftimin e korrupsionit, përmirësimin e ekonomisë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ambasadori amerikan shprehu mbështetjen për dialogun e kryesuar nga BE. „Tani që është formuar qeveria e Kosovës, ne presim që në një të ardhme të afërt, përfaqësuesi i BE të mbledhë palët,” tha Mills i cili theksoi se palët kanë bërë përparime, „gjë që ka kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve si në Kosovë edhe në Serbi”. Duke iu kthyer takimit shqiptaro- serb në Shtëpinë e Bardhë në shtatorin e 2020, ai tha se „ka shumë për të bërë dhe koha nuk pret”.

SHBA i bëjnë thirrje palëve të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme dhe t’i qasen dialogut me pragmatizëm dhe produktivitet, me synimin e arritjes së marrëveshjes së normalizimit. Ashtu si ambasadorët e mëparshëm edhe ambasadori Mills tha, se UNMIK e ka përmbushur detyrën që ka pasur dhe duhet mbyllur. Ai i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të vendosin për mbylljen e UNMIK-ut, për të përmirësuar më shumë rolin e OKB në ndihmë të Kosovës. Ambasadori amerikan përshëndeti përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Izraelit, si kontribut në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në Lindje të Afërt.

Ambasadori i Francës pranë OKB, Nicolas de Riviere ftoi Serbinë dhe Kosovën që të veprojnë si europianë në arritjen e kompromiseve. „Kosova ka tani institucione të qendrueshme, që do t’i krijojnë mundësinë të kapërcejë sfidat, sidomos në bërjen e reformave,” tha ambasadori francez, i cili shprehu mbështetjen e Francës dhe BE në ndihmë të Kosovës. Sfidat janë përveç luftës kundër pandemisë, zhvillimi ekonomik dhe social, forcimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Franca është e bindur se për Kosovën dhe Serbinë nuk ka rrugë tjetër veç arritjes së marrëveshjes finale, dhe për këtë mbështet përpjekjet që bën Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE.

dw

NATO: Rusia të ndalë lëvizjet e trupave rreth Ukrainës

Dmytro Kuleba dhe Jens Stoltenberg në BrukselNë kuartierin qendror të NATO-s zhvillohen mbledhje krize, sepse Rusia po grumbullon trupat përreth Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg do të ndihmojë Ukrainën duke paralajmëruar Moskën.

Midis 9 dhe 11 prillit misioni vëzhgues i OSB-së në rajonin e Ukrainës, Donjeck konstatoi 367 shkelje të armëpushimit, që është në fuqi mes trupave të Ukrainës dhe kryengritësve të mbështetur nga Rusia. Në rajonin fqinj Luhans janë konstatuar 224 shkelje. Një javë më parë OSBE-ja regjistroi gjithsej 26 incidente.

Dhuna në lindje të Ukrainës po intensifikohet. Qeveria e Ukrainës bën përgjegjëse qeverinë në Moskë. Rusia që prej disa javësh po dislokon gjithnjë e më shumë trupa në rajonet kryengritëse, në kufijtë e pjesës tjetër të Ukrainës në gadishullin e aneksuar të Krimesë në Detin e Zi. Sipas vlerësimeve të aleancën ushtarake perëndimore bëhet fjalë për disa dhjetëra mijëra forca. Kremlini nuk e mohon lëvizjen e trupave, por insiston, që kjo nuk ka të bëjë me përgatitje për ndërhyrje apo për ndonjë luftë.

Në sfondin e lëvizjes së trupave ruse presidenti i SHBA-së, Joe Biden, telefonoi me kreun e Kremlinit Vladimir Putin duke i propozuar atij një samit në një vend të tretë. Kremlini e konfirmoi propozimin e parashtruar në telefon nga Biden, por e la të hapur, nëse Putin do ta pranojë ose jo këtë ftesë.

“Kjo është lëvizja më e madhe e trupave që pas pushtimit të Krimesë në mars 2014″, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel. “Ne jemi seriozisht të shqetësuar. Lëvizjet e Rusisë janë të pajustifikuara dhe të pashpjegueshme. Rusia duhet t’u japë fund menjëherë provokimeve dhe ta çtensionojë urgjentisht situatën”, kërkoi Stoltenberg në një takim të Komisionit NATO-Ukrainë në kuartierin qendror të aleancës. Ukraina kërkoi një mbledhje krize për t’u konsultuar lidhur me kërcënim rus në rritje.

“Ne nuk duam luftë”

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitri Kuleba, që mori pjesë në takim në Bruksel, falënderoi Stoltenbergun për veprimin e shpejtë. “Ndryshe nga viti 2014, kur Rusia veproi shpejt dhe Perëndimi reagoi ngadalë, kësaj here nuk do të ketë befasi”, tha Kuleba. Ai kërcënoi duke iu adresuar Rusisë: „Çmimi për Rusinë do të jetë shumë i lartë. Ne nuk duam luftë. Ne jemi zotuar t’u përmbahemi normave diplomatike (…) Ne kemi mjete për ta vënë në lëvizje Rusinë të tërhiqet nga territori ynë. Ne do të rivendosim sovranitetin tonë.”

Rusia më 2014 pushtoi ilegalisht gadishullin e Krimesë dhe e aneksoi atë. Në lindje të Ukrainës kryengritës të mbështetur nga Rusia dhe ushtarë rusë të pandehur filluan një luftë, që vazhdon ende sot dhe herë pas here intensifikohet sa herë kjo i intereson presidentit rus Vladimir Putin. Paralelisht Ukraina dhe Rusia me ndërmjetësimin e Francës dhe të Gjermanisë kanë ndërmarrë një „proces paqeje”, që është emërtuar si procesi i Minskut, pasi takimet janë zhvilluar në kryeqytetin bjellorus. Porprocesi i Minskutpo ecën me ritme të çala dhe armëpushimi shkelet herë pas here.

Qeveria ruse ka reaguar me kritika të ashpra ndaj fjalëve të Brukselit. „SHBA dhe të vende të tjera të NATO-s po e kthejnë me paramendim Ukrainën në një fuçi baruti”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, sikurse bëjnë të ditur agjencitë ruse të lajmeve. Nëse gjendja përshkallëzon, ne do të mbrojmë sigurinë e shtetasve tanë, tha Ryabkov. “E kësisoj Kevi dhe aleatët e tij në Perëndim do të ishin përgjegjës për pasojat e një përshkallëzimi të tillë hipotetik.”

Anijet luftarake të SHBA-së në Detin e Zi

Me shtetasit e vet, për të cilët bën fjalë Ryabkov, ka parasysh kryengritësit dhe banorët në lindje të Ukrainës, të cilët me fillimin e konfliktit janë pajisur me pasaporta nga Rusia. SHBA ka vendosur luftanije shtesë në Detin e Zi në afërsi të Krimesë. Sergei Ryabkov e quajti këtë një provokim, që duhet sprapsur.

Aleanca e Atlantikut Verior nuk do të dërgojë trupa luftarake në mbështetje të Ukrainës. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg bëri të qartë, se synohet të përforcohet „bashkëpunimi praktik” me ushtrinë ukrainase. NATO stërvit ushtarët ukrainas dhe konsulton udhëheqjen ushtarake në Kiev. Po ashtu organizohen edhe stërvitje të përbashkëta. Anëtarët e veçantë të NATO-s furnizojnë me pajisje dhe armatime Ukrainën.

Mbledhje e posaçme e ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes

Për të shprehur mbështetjen për Ukrainën të mërkurën (14.04) NATO zhvillon një mbledhje virtuale të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve anëtare. Sekretarët amerikanë të shtetit Antony Blinken dhe Lloyd Austin do të marrin pjesë fizikisht në këtë takim, një veprim me simbolikë ky. Të dy ministrat ndërkohë po zhvillojnë vizita në Europë në shenjë të ripërtëritjes së ambicjes së re transatlantike të qeverisë së re të SHBA-së, gjë që është mirëpritur shumë prej NATO-s.

dw

Konfuzion mbi efektshmërinë e vaksinave kineze

ChongqingNjë virolog kinez i rangut të lartë vuri në dyshim efektshmërinë e katër vaksinave të miratuara, por më pas u tërhoq dhe tha se ishte një keqkuptim.

Deklarata në një konferencë në Shengdu bëri bujë:  Vaksinat kineze “nuk arrijnë nivele shumë të larta mbrojtjeje”, tha kreu i Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve infektive, Gao Fu.

Nuk kaloi shumë dhe ai e relativizoi këtë deklaratë. Për gazetën kineze “Global Times” ai tha se kishte dashur të thoshte se si mund të rritej edhe më shumë efektshmëria e vaksinave, duke kombinuar preparate të ndryshme. Pra ai kishte prezantuar një “vizion shkencor”.

Argumentimi i Fu, megjithatë, është në përputhje me atë që dihet deri më tani mbi efektivitetin e katër vaksinave të miratuara më parë në Kinë. Ato nuk janë pa efekt.

Tri vaksina me virus të vdekur, një vaksinë vektoriale

Tri vaksina (dy vaksina nga Sinopharm dhe një nga Sinovac) janë vaksina me virus të vdekur. Pra, ato bazohen në një teknologji të njohur prej kohësh që përdoret, për shembull, në vaksinat kundër hepatitit B ose gripit.

Këto vaksina nuk arrijnë efekt aq të lartë mbrojtës sikundër vaksinat mARN nga BioNTech / Pfizer ose Moderna (mbi 95 përqind), por janë më efektive se disa vaksina gripi, disa prej të cilave janë vetëm 30 deri 60 përqind të efektshme. Vaksina Vero e Sinophari-it rezultoi 79 për qind efektive në një studim të fazës III që u krye në dhjetë vende të botës.  Emiratet e Bashkuara Arabe madje, në një tjetër studim më vete, konstatuan  86 përqind efektshmëri. Sipas rezultateve paraprake të studimeve nga Brazili dhe Indonezia, efektiviteti i vaksinës CoronaVac nga Sinovac është midis 50 dhe 78 përqind.

Vaksina e katërt kineze e kompanisë CanSino është një vaksinë vektoriale e bazuar në një tip adenovirus 5. Kjo do të thotë se parimi i veprimit të vaksinës është i krahasueshëm me atë të vaksinës AstraZeneca. Mendohet se efektshmëria e saj arrin deri në 65 përqind. Në thelb, efekti mbrojtës është edhe më i lartë (deri në mbi 80 përqind ) po të merren parasysh vetëm proceset e rënda të sëmundjes që gjithashtu kërkojnë shtrim në spital.

Kombinimi i vaksinave nuk është i pazakontë

Ideja e kombinimit të vaksinave për të rritur efektivitetin nuk është krejtësisht e re. Shkencëtarët aktualisht po diskutojnë qasje të ngjashme për vaksinën vektoriale AstraZeneca.

Edhe vaksina ruse Sputnik V, në thelb, përbëhet nga dy vaksina me vaksina të ndryshme vektoriale, bazuar në adenovirusë të ndryshëm. Zhvilluesit presin që kjo të jetë më efektive.

Kina praktikisht nuk është në gjendje të provojë efektshmërinë e vaksinave të saj në vend, sepse ajo vijon të ndjekë politikën e masave të rrepta të bllokimit, të cilat kanë si rezultat uljen e infektimeve.  Prandaj shkenca mbështetet në studime që kryhen në vende që janë prekur rëndë, siç është për shembull Brazili.

dw

Qeveria gjermane miraton masa të njësuara kundër COVID-19 në të gjithë vendin

NotbremseQeveria gjermane ka thënë që masat “frenuese emergjente” kundër infektimeve me koronavirus do të përcaktohen me ligj në të gjitha landet federale, duke zëvendësuar sistemin e pa unifikuar. Këtë do ta miratojë Bundestagu.

Anëtarët e kabinetit të qeverisë federale gjermane miratuan të martën ndryshimet ligjore për t’i dhënë qeverisë federale më shumë pushtet për të zbatuar rregulloret e koronavirusit në landet gjermane, sipas burimeve qeveritare. Ndryshimet në Ligjin Gjerman për Mbrojtjen nga Infektimet tani duhet të kalojnë në Parlamentin Gjerman, Bundestag.

Po të miratohet, “frena e emergjencës federale” do të thotë që çdo rajoni në çdo land me një incidencë të lartë të COVID-19 do t’i kërkohet ligjërisht të zbatojë një grup rregullash uniforme të përcaktuara nga qeveria federale.

Qeveria, e udhëhequr nga Bashkimi Kristian-Demokrat(CDU) i kancelares Angela Merkel, dëshiron ta aprovojë shpejt këtë projektligj. Megjithatë, afati kohor për miratimin e rregullave të reja mbetet i paqartë.

“Le ta përfundojmë këtë javë,” tha të hënën në mediat gjermane Ralph Brinkhaus, lideri i grupit parlamentar të CDU.

Cilat janë rregullat?

Kufizimet do të zbatoheshin në një rajon ose land ku shkalla e incidencës shtatë ditore të rasteve të reja COVID i kalon 100 për 100.000 banorë për të paktën tre ditë rresht. Kur shkalla e incidencës bie nën këtë nivel për tre ditë rresht, kufizimet do të hiqen.

Takimet e njerëzve nga familje të ndryshme do të jenë të kufizuara. Lejohet kontakti me një person jashtë shtëpisë, me një maksimum prej pesë personash së bashku.

Dyqanet e shitjes me pakicë, përfshirë dyqanet e pajisjeve, duhet të mbyllen. Supermarketet dhe dyqanet e artikujve shëndetësore dhe të kozmetikës mund të qëndrojnë të hapura.

Teatrot, muzetë, kopshtet zoologjike, pishinat publike dhe palestrat duhet të qëndrojnë të mbyllura.

Restorantet janë të kufizuara vetëm për ushqime për t’i marrë me vete, dhe udhëtimet turistike në hotele nuk lejohen.

Ndalimqarkullimi i planifikuar

Një nga masat më të diskutueshme është një ndalimqarkullimi natën, që do të zbatohet midis orës 21:00 dhe 5 të mëngjesit në qytete dhe rrethe që e kalojnë pragun e 100 rasteve. Përjashtimet nga ky rregull përfshijnë urgjencat mjekësore dhe punën.

Ka pasur një debat të nxehtë midis ligjvënësve për mandatimin e ndalimqarkullimit. Kryebashkiaku socialdemokrat i Berlinit Michael Müller i tha transmetuesit RBB se megjithëse kufizimi i kontakteve është i rëndësishëm, ka “pak rrezik për të bërë një shëtitje në mbrëmje” vetëm ose me një person tjetër.

Para takimit të kabinetit të së martës, kreu i Demokratëve të Lirë (FDP), Christian Lindner, tha se ai ishte kundër ndalimqarkullimit.

“Nuk ka asnjë arsye për një ligj të ri federal që çon automatikisht në një ndalimqarkullim” në vendet me një icidencë mbi 100, tha ai

Çfarë është ‘frena emergjente’?

Në fillim të marsit, qeveria federale dhe 16 landet federale të Gjermanisë ranë dakord që lande të veçanta mund të rihapen ngadalë në faza, në varësi të shkallës së infektimeve të reja me COVID-19.

Në rastin e të rritjes së numrit të infektimeve mbi një prag të caktuar në një qytet ose rreth, plani ishte që të ndalohej përhapja e virusit duke forcuar në bazë lokale masat e bllokimit, të tilla si mbyllja e dyqaneve dhe kufizimi i takimeve.

Sidoqoftë, meqë Gjermania ka një sistem federal, secili nga 16 landet  i ka zbatuar rregullat ashtu siç e shihte të arsyeshme.

Kjo ka rezultuar në një grumbull rregullash të ngatërruara, me disa lande që kanë marrë masa më të buta dhe të tjerët janë treguar më të rreptë.

Dallimet midis landeve kanë përfshirë çështje të tilla si rihapja e shkollave, cilat lloje të bizneseve mund të hapin përsëri, nëse është vendosur një ndalimqarkullimi ose jo, ose detyrimi i testimit, para se të blesh në dyqane.

aud (dpa, rtr)

Biden i propozon presidentit rus takim të nivelit të lartë

bidenPresidenti i SHBA Joe Biden i bëri thirrje të martën Presidentit rus Vladimir Putin për të ulur tensionet e shkaktuara nga një grumbullim trupash i Rusisë në kufirin me Ukrainën dhe propozoi një takim të nivelit të lartë mes dy udhëheqësve.

Në shenjë shqetësimi rreth tensioneve të shtuara në krizën e Ukrainës, Presidenti Biden i telefonoi Presidentit Putin për të propozuar që ata të takohen në një vend të tretë, ndërsa nënvizoi angazhimin e SHBA ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Presidenti Biden gjithashtu e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë në përgjigje të veprimeve të Rusisë, të tilla si ndërhyrjet kibernetike dhe ato në zgjedhje,” tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Presidenti shprehu shqetësimet tona në lidhje me grumbullimin e papritur të forcave ruse në Krimenë e pushtuar dhe në kufijtë e Ukrainës dhe i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet,” thuhet në deklaratë.

Zoti Biden riafirmoi gjithashtu synimin për të ndërtuar “një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me Rusinë dhe tha se një takim në muajt e ardhshëm mund të trajtojë “gamën e plotë të çështjeve” me të cilat përballen dy fuqitë botërore, sipas deklaratës.

Kremlini tha nga ana e tij se zoti Biden i deklaroi zotit Putinit se ai donte të normalizonte marrëdhëniet dhe të bashkëpunonte për kontrollin e armëve, programin bërthamor të Iranit, Afganistanin dhe ndryshimin e klimës. Kremlini konfirmoi se Presidenti Biden kishte propozuar një takim të nivelit të lartë, por nuk tha se cila ishte përgjigja e udhëheqësit rus.

Blinken: Veprimet e Rusisë tejet provokuese. Reagon Moska

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje të martën Rusisë të ndalë rritjen e pranisë ushtarake në kufirin me Ukrainën ndërsa Moska, me një fjalor që të kujton Luftën e Ftohtë, tha se “kundërshtari” i saj duhet t’i mbajë anijet luftarake amerikane larg nga Krimea e pushtuar.

Moska e pushtoi Krimenë, një territor i Ukrainës, në vitin 2014. Luftimet janë përshkallëzuar në javët e fundit në pjesën lindore të Ukrainës, ku forcat qeveritare kanë luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia në një konflikt që zhvillohet prej shtatë vitesh e që Kievi thotë se ka vrarë 14,000 persona.

Këtë javë në Detin e Zi pritet të mbërrijnë dy anije luftarake amerikane.

Në Bruksel, Sekretari amerikan Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni qëndron fort pas Ukrainës. Ai ndodhet aty për bisedime me udhëheqësit e NATO-s dhe ministrin e jashtëm të Ukrainës.

Zoti Blinken tha gjithashtu se do të diskutonte edhe rreth planeve të Kievit për t’u bashkuar një ditë me NATO-n megjithëse Franca dhe Gjermania prej kohësh kanë shprehur shqetësimin se anëtarësimi në NATO i ish-republikës sovjetike do të nxiste armiqësinë me Rusinë.

Shtetet e Bashkuara janë kundërshtari ynë dhe po bëjnë gjithçka që munden për të minuar pozicionin e Rusisë në skenën botërore“, shkruanin të martën agjencitë ruse të lajmeve duke cituar zëvendës ministrin e Jashtëm rus Sergei Ryabkov.

Komentet e zotit Ryabkov sugjerojnë se qasjet e kujdeshme diplomatike të cilat ish-armiqtë e periudhës së Luftës së Ftohtë kanë kërkuar përgjithësisht t’i ruajnë, janë shkatërruar në dekadat e fundit dhe se Rusia do të vepronte me forcë kundër asaj që ajo e sheh si ndërhyrje të papranueshme nga ana e SHBA-së në sferën e saj të ndikimit.

Paralajmërojmë Shtetet e Bashkuara se do të ishte më mirë për ta që të qëndrojnë larg Krimesë dhe bregdetit tonë në Detin e Zi. Do të jetë për të mirën e tyre“, tha zoti Ryabkov, duke e quajtur dislokimin e SHBA-së një provokim të krijuar për të vënë në provë durimin rus.

Thirrje për ulje të tensioneve

Zoti Blinken u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba pasi ministrat e Jashtëm të vendeve që përbëjnë Grupin e Shtatëshes dënuan atë që ata thanë se ishte rritje e pashpjegueshme e numrit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.

Duke i bërë jehonë komenteve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili u takua më herët me zotin Kuleba, zoti Blinken tha se Moska po grumbullonte forca në dislokimin më të madh të trupave nga viti 2014, kohë kur Moska aneksoi Krimenë. Ai i quajti veprimet e Rusisë “tejet provokuese”.

Në javët e fundit Rusia ka zhvendosur mijëra trupa të gatshme për luftime në kufijtë e Ukrainës, zhvendosja më e madhe e trupave ruse që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në 2014“, tha zoti Stoltenberg.

Rusia duhet t’i japë fund kësaj rritjeje të numrit të trupave si brenda dhe rreth Ukrainës, të ndalë provokimet e saj e të ulë menjëherë tensionet“, tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi me zotin Kuleba.

Rusia ka thënë se ajo i lëviz trupat ashtu siç e gjykon të arsyeshme, përfshirë edhe për qëllime mbrojtëse. Ajo ka akuzuar rregullisht NATO-n për destabilizim të Evropës me përforcimet e trupave të saj në Baltik dhe Poloni që nga aneksimi i Krimesë.

 

voa