Mbi 4 milionë vdekje nga COVID-19 në botë

covid-19-coronavirus mutationNumri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në të gjithë botën kaloi shifrën e zymtë të 4 milionëve të premten, sipas përllogaritjeve të bëra nga agjencia Reuters, ndërsa shumë vende përpiqen ende të sigurojnë vaksina të mjaftueshme për të vaksinuar popullsinë e tyre.

Ndërsa numri i rasteve të reja dhe vdekjeve është zvogëluar në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Britania, disa vende kanë mungesa të vaksinave pasi varianti Delta po bëhet lloji dominues i virusit në të gjithë botën.

Sipas një analize të agjencisë Reuters, u desh mbi një vit që numri i të vdekurve nga COVID-19 të arrinte në 2 milionë njerëz, ndërsa 2 milionë vdekjet pasuese u regjistruan në vetëm 166 ditë.

Shtetet e Bashkuara, Brazili, India, Rusia dhe Meksika – kanë rreth 50% të të gjitha vdekjeve në botë, ndërsa Peruja, Hungaria, Bosnja, Republika Çeke dhe Gjibraltari kanë nivelin më të lartë të vdekjeve për nga numri i popullsisë.

Vendet në Amerikën Latine po përballen me shpërthimin më të keq që nga marsi, me 43 nga çdo 100 infeksione në botë që po raportohen në këtë rajon, sipas agjencisë Reuters. Nëntë vendet kryesore që raportuan më shumë vdekje për frymë gjatë javës së fundit ishin të gjitha në Amerikën Latine.

Spitalet në Bolivi, Kili dhe Uruguai po shohin kryesisht pacientë me COVID-19 mes moshave 25 dhe 40 vjeç. Në Sao Paulo të Brazilit, 80% e pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv janë me COVID-19.

Shtimi i vdekjeve po ul kapacitetin operativ të krematoriumeve në vendet në zhvillim dhe varrezat në disa vende janë detyruar të zgjerojnë zonat.

Shumë ekspertë të shëndetësisë besojnë se numri zyrtar i të vdekurve duhet të jetë më i lartë.

Javën e kaluar, shteti indian i Biharit rriti ndjeshëm numrin e vdekjeve të COVID-19 pas zbulimit të mijëra rasteve të pa raportuara, duke i dhënë zë shqetësimeve se numri i përgjithshëm i vdekjeve në Indi është dukshëm më i lartë se shifrat zyrtare.

Ndërsa vendet e varfëra kanë vështirësi të vaksinojnë popullsitë e tyre për shkak të mungesës së vaksinave, vendeve më të pasura u është kërkuar që të dhurojnë më shumë furnizime për të kontrolluar pandeminë.

Grupi i Shtatë vendeve më të industrializuara të botës (G7) u zotua të sigurojë 1 miliard doza vaksinash COVID-19 për të ndihmuar vendet e varfëra të vaksinojnë popullsinë e tyre.

voa

A mund të kombinohen dhe të merren dy doza të ndyshme vaksinash COVID-19?

whoA mund të kombinohen dhe të merren dy doza të ndyshme vaksinash COVID-19?

Ka të ngjarë që një gjë e tillë të jetë e sigurt dhe efektive, por studiuesit ende po grumbullojnë të dhëna për të qenë të sigurtë.

Vaksinat e autorizuara në të gjithë botën për COVID-19 janë krijuar për të stimuluar sistemin tonë imunitar dhe për të prodhuar antitrupa kundër virusit, megjithëse mënyra se si ato e realizojnë një gjë të tillë ndryshon, vë në dukje Dr. Kate O’Brien, drejtore e departamentit të vaksinave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. “Bazuar në parimet bazë sesi funksionojnë vaksinat, ne mendojmë se kombinimi i tyre duhet të funksionojë,” thotë zonja O’Brien.

Shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit në Britani janë duke testuar kombinimin e vaksinave COVID-19 me dy doza të prodhuara nga AstraZeneca, Moderna, Novavax dhe Pfizer-BioNTech. Prova klinike më të vogla po kryen ndërkohë në Spanjë dhe Gjermani. “Ne thjesht duhet të marrim të dhëna për secilin prej këtyre kombinimeve të vaksinave”, tha zonja O’Brien.

Të dhënat e siguruara deri tani sugjerojnë se një dozë e vaksinës AstraZeneca pasuar nga një dozë tjetër nga Pfizer-i është e sigurt dhe efektive. Ky kombinimi megjithatë duket se vjen me shanse më të lartë për efekte anësore të përkohshme si dhimbje trupi dhe të ethe.

Arsyeja mund të jetë se përzierja dhe kombinimi i llojeve të ndryshme të vaksinave shpesh mund të prodhojë një përgjigje më të fortë imune, thotë Lawrence Young, një virolog në Universitetin Warwick në Britani. Në disa vende, zyrtarët shëndetësorë kanë sugjeruar tashmë kombinimin e vaksinave në rrethana të caktuara.

Pasi vaksina AstraZeneca u zbulua të kishte lidhje me një mpiksje të rrallë të gjakut, disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, rekomanduan që njerëzit që morën këtë vaksinë si dozë të parë, të merrnin vaksinën e Pfizer-it ose Modernës si dozë të dytë. Të enjten, Kanada bëri të njëjtin rekomandim.

Disa vende si Britania sugjerojnë që njerëzit të synojnë të marrin të njëjtën vaksinë në të dyja dozat nëse është e mundur. Nëse ata marrin vaksinën e AstraZeneca-s si dozën e tyre të parë, njerëzit këshillohen të marrin një vaksinë tjetër në dozën e dytë vetëm nëse kanë një histori të mpiksjes së gjakut ose sëmundje të tjera që mund t’i venën ata në rrezik më të lartë për mpiksjen e gjakut.

voa

Kurti: Nuk mund të ketë asociacion komunash mbi baza etnike

AlbinAlbin Kurti i përgjigjet ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, i cili u shpreh, se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e Komunave Serbe. Kosova nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike, thotë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sërish se nuk mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza etnike dhe sipas tij kjo është përcaktuar mirë edhe në aktvendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës erdhi pas deklarimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, i cili tha të mërkurën se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Albin Kurti kundërpërgjigjet, duke thënë, se “kërkesat për Asociacion një etnik nuk po vijnë nga njerëz të thjeshtë, por nga politikanët e fqinjët veriorë”. “Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por, asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015″, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Për SHBA Asociacioni është detyrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana e tyre besojnë se Kosova e ka detyrim ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Këtë e tha ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, gjatë një vizite në veri të Kosovës dhe një interviste që e dha për mediumin në gjuhën serbe, Radio Kontakt Plus, me seli në veri të Mitrovicës. “Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më herët”, tha ambasadori Philip Kosnett. Sipas Kosnet, “në 20 vitet e fundit në Kosovë, njerëzit janë mësuar që bashkësia ndërkombëtare të derdhë shumë para, duke ndihmuar njerëzit të zgjidhin problemet, por kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë”, paralajmëroi Kosnett.

Britania e Madhe krah qëndrimit të SHBA

Edhe  ambasadori në Kosovë i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, tha se ai e përkrah krijimin e Asociacionit të Komunave me Serbe, sepse ai është pjesë e negociatave dhe marrëveshjeve që janë nënshkruar deri tani. “Përderisa është pjesë e negociatave dhe marrëveshjeve që janë nënshkruar deri tani, po, e përkrahim. Mendoj që është e qartë që kjo është një çështje në tavolinë, është qartazi një çështje, me të cilën është pajtuar qeveria e Kosovës më herët. Atëherë duhet shikuar se çka e rrezikon sovranitetin e Kosovës, sepse nuk është vetëm emri, apo jo? Janë kompetencat që do t’i jepeshin një Asociacioni të tillë, pra, duhet të qartësohet se cilat janë këto fuqi, dhe duhet të qartësohet, se cilat janë kompetencat që mund të rrezikojnë Kushtetutën dhe të punohet rreth këtyre pikave”, u shpreh ambasadori britanik.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013, nënshkruan marrëveshje për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Por, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se 23 parime të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë, se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës. Serbia vazhdimisht insiston që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komuna me Shumicë Serbe. Edhe Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, ka përsëritur disa herë, se marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi duhet të respektohen.

dw

Tiranë: Fati politik i opozitës – ndarja e Bashës nga Berisha

BashaZgjedhja e Lulzim Bashës për të tretën herë, kryetar i PD, partia më e madhe e opozitës në Shqipëri, shtron pyetjen: A do të ringrihet PD për të luajtur rolin e saj kundrejt qeverisë së PS-së, që fitoi mandatin e tretë?

Vetë Basha e ka premtuar këtë pak orë pas shpalljes zyrtare të fitores së tij në fillim të kësaj jave, (14.06), përballë tre kandidatëve të tjerë në garë, kur deklaroi që “zgjedhjet për kryetar të PD-së ishin një proces demokratik që e ngre partinë në lartësinë e emrit dhe historisë”.

Historia: A do të hapë Basha një kapitull i ri?

Historia e PD-së është me dritë dhe hije. Ajo do të mbetet në histori si partia e parë opozitare në Shqipëri pas 45 vitesh regjimi komunist dhe ndalimi të pluralizmit politik. Por historinë e saj të deritanishme e errësojnë ngjarje të rënda si lejimi i skemave piramidale, shembja  e shtetit dhe ꞔuarja e vendit në vitin 1997 në prag të luftës civile, skandali i Gërdecit në vitin 2008, vrasja e katër protestuesve të paarmatosur në protestën e socialistëve opozitarë në janar 2011.

Lulzim Bashës i duhet të hapë një kapitull të ri dhe të shkëputet me vendosmëri nga hijet e historisë. Pas tri humbjesh rradhazi dhe akuzave brenda PD-së për “gabime të rënda në vizionin politik të aksionit opozitar”, Lulzim Bashës i duhet të rikonceptojë PD-në dhe strategjinë e saj.

Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, thotë për DW se “nuk bëhet fjalë për një ringritje të shpejtë, pasi kryesimi i PD-së nga Basha, momentalisht nuk është një faktor premtues për shkak të mossukseseve të tij të përsëritura dhe hendekut të  thellë mes atyre që premton dhe atyre që arrin.” “PD-së i duhet një lidership kurajoz që  vizionin e ka përtej gjendjes së saj aktuale dhe trashëgimisë politike. Ajo duhet të rikthehet fuqimisht me aksione politike energjike në institucione përballë një shumice parlamentare sfidante, por edhe me shëndet të tepërt nga qeverisja në tre mandate”, thotë ai për DW.

Parashikimet për ringritjen e PD-së nga Basha, derisa të ketë sinjale që kjo vërtet po ndodh, karakterizohen nga skepticizmi. “Shanset që opozita të ndryshojë nën drejtimin e Bashës  janë të pakta. Pas zgjedhjeve, PD deklaroi që nuk e njeh rezultatin e tyre, por do hyjë ne Kuvend. Gjatë fushatës për zgjedhjen e kryetarit, ky qëndrim ndryshoi. PD-ja do të marrë më vonë një vendim në lidhje me Parlamentin. Kjo tregon qartë se Lulzim Basha nuk ka ndryshuar dhe opozita e tij pritet të mos ndryshojë. Mendoj që do të jetë po ajo opozitë që shkon nga ekstremi në normalitet me lehtësi të pabesueshme, pa shpjeguar asgjë dhe pa i dhënë llogari askujt. Basha ka mundësi ta ngrejë PD-në, nëse arrin arrin të veprojë ndryshe nga Basha i deritanishëm”, thotë për DW, Enton Abilekaj, gazetar, Drejtor i Portalit, Dosja.al.

A është Basha një lider i së resë?

Kur regjimi komunist u rrëzua Lulzim Basha ishte 16 vjeç. gjimnazist në Tiranë. Pa të kaluar komuniste, i ri dhe i arsimuar në Perëndim, me shpresa të mëdha për të qenë një lider i së resë.  “Vërtet nuk i përket së vjetrës por ai nuk përballet me të, që t’i përkasë së resë.Ai është si një ekuilibrues i së resë që kërkon hapësirë dhe së vjetrës që nuk e lëshon,” thotë për DW, Enton Abilekaj.

Analisti Çipa e krahason pozitën e tij me atë të pengmbajtjes. “Mbahet peng prej kundërshtarësh të fuqishëm politik si qeverisës ashtu edhe vektorë të tjerë të spektrit partiak opozitar. Këta të fundit do të shfaqen ndofta edhe më dukshëm në muajin shtator dhe tetor të këtij viti, kur të konstituohet parlamenti, qeveria dhe të kemi akte të reja konstitucionale”, thotë për DW Aleksandër Çipa.

Fjala është për vendimin e Gjykatës Kushteuese lidhur me votimin pro të Parlamentit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Nëse kjo gjykatë e miraton vendimin e Parlamentit dhe shkarkon presidentin Meta, ka gjasa që ai të marrë në dorë drejtimin e partisë,”Lëvizja Socialiste për Integrim, aleate e PD-së në përpjekjet për rrëzimin e qeverisë Rama.

Fati politik i opozitës – ndarja e Bashës nga Berisha  

Lulzim Basha erdhi në krye të PD-së, kur lideri historik i saj, Sali Berisha dha dorëheqjen, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare më 2013. Në tetë vitet e deritanishme të PD-së në opozitë, Basha është perceptuar si një lider nën hijen e atit të tij politik, Berishës.

“Ky perceptim do të qendrojë përsa kohë Lulzim Basha do të vazhdojë të kujdeset që Berisha të mos preket apo të mos zemërohet nga vendimet e tij, derisa Basha të vazhdojë  të sillet si administrator i pronës së Berishës dhe jo si lider i një partie të të gjithëve. Mendoj që Berisha nuk ka pasur ndikim të madh në vendimmarrjen e PD-së, por qëndrimet e Bashës, me sytë nga Berisha, frika e Bashës për prishjen e humorit të tij, kanë krijuar perceptimin se pas tij është ish-kryetari historik i PD-së,” thotë për DW, Enton Abilekaj.

Aleksandër Çipa e sheh suksesin e Bashës në ringritjen e PD-së  me “çlirimin e tij një orë e më parë nga lideri i saj historik, Berisha”.”Kjo është një çështje serioze.  Berisha ka së fundi një protagonizëm të rikthyer për hall vetiak. Pas aktit zyrtar të shpalljes “person i padëshëruar” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, Berisha ka bërë deklarime për rikthim në krye të PD-së. Kjo është shtim i hijes së tij mbi kryet e kryetarit zyrtar të PD-së, Bashës. Berisha mund të bëhet një pengesë serioze për Bashën, përmes ndërhyrjes së dukshme dhe të padukshme në punët e familjes politike si dhe grupeve brenda PD-së, thekson Çipa për DW.

Shtatori muaji i zhvillimeve potenciale

Pakënaqësia brenda PD-së ndaj Bashës, fraksionet dhe grupimet brenda saj dhe vendosmëria e tyre për të vazhduar betejën politike kundër tij, parathonë një vjeshtë jo të qetë për PD-në. “Do të ketë zhvillime në vjeshtë që do të përcaktohen edhe nga pozita dhe gjendja që do të bartë apo do të ketë zoti Berisha pas muajve të parë të mbledhjes së Parlamentit të ri dhe krijimit të qeverisë së re. Problemet e brendshme të PD-së janë shtuar pas zgjedhjeve të kryetarit”, thotë Aleksandër Çipa.

Problemet e shtuara parathonë edhe zhvillime të reja potenciale për zgjidhjen e tyre. “Zhvillimet brenda PD-së janë në të mirën e vetë kësaj partie, opozitarizmit dhe shoqërisë. Opozita ka nevojë për një përgjigje të re ndaj qeverisjes së pakontrolluar të Edi Ramës që po shndërrohet në një regjim autokratik. Nëse PD nuk do jetë përgjigja, atëherë do të gjendet një mjet tjetër, një forcë e re ose një aleancë e re”, thekson për DW, Enton Abilekaj.

dw

SHBA dhe Rusia bien dakord për rikthimin e ambasadorëve

Putin BidenRusia dhe SHBA nuk kanë prej muajsh ambasadorë respektivisht në Uashington dhe Moskë. Presidenti Biden dhe shefi i Kremlinit Putin ranë dakord në Gjenevë për rikthimin e ambasadorëve.

Pas takimit me Presidentin amerikan Joe Biden presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se ata kishin rënë dakord në samitin e tyre në Gjenevë që ambasadorët e të dy vendeve do të riktheheshin respektivisht në Moskë dhe Uashington. Ambasadorët ishin kthyer para disa muajsh në vendet e tyre për shkak të rritjes së tensioneve mes të dy vendeve. Rikthimi i ambasadorëve konsiderohet si shenja e parë shtensionimit.

Tre muaj më parë Rusia e thirri ambasadorin e saj në Uashington Anatoli Antonov për konsultime në Moskë. Ky veprim erdhi pasi Biden iu përgjigj gjatë një interviste në muajin mars me po pyetjes, nëse ai e konsideronte Putinin si “vrasës”. Përveç kësaj qeveria amerikane vendosi sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të një sulmi kibernetik si dhe për ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA.

Moska i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur masat ndëshkimore shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Si përgjigje qeveria ruse vendosi gjithashtu sanksione dhe ndër masat e tjera dëboi nga vendi edhe disa diplomatë amerikanë. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov i kërkoi gjithashtu edhe ambasadorit të SHBA, John Sullivan të largohej nga Moska. Sullivan u largua nga kryeqyteti rus në muajin prill.

Takimi i parë – shumë tema

Putini dhe Bideni u takuan në Villa La Grange, të ndërtuar në shekullin e 18-të. Takimi i parë i të dy krerëve të shtetit në vilën luksoze me pamje nga Liqeni i Gjenevës zgjati disa orë dhe përfshiu një gamë të tërë temash: nga çështjet e kontrollit të armëve bërthamore dhe të drejtat e njeriut deri te konfliktet rajonale në Afganistan, Siri dhe Libi.

dw

Përpjekjet e fundit të Shkupit për ta bindur Sofjen

Zaev DimitrovKryeministri Zaev, zëvendëskryeministri për Integrimin Evropian Dimitrov dhe ministri i Jashtëm Osmani vizitojnë zyrtarisht Bullgarinë në përpjekje të fundit për zhbllokimin e procesit të integrimit para samitit të BE.

Kryeministri teknik i Bullgarisë Stefan Janev thekson, se është i kënaqur që me homologun e tij Zoran Zaev takohen “si miq, si fqinjë dhe si vëllezër” dhe që ulen e flasin për gjërat që varen prej tyre.

“Duhet të ulemi në tryezë dhe të dakordohemi me njëri-tjetrin. Ne kemi nevojë për dialog, kemi nevojë për një mirëkuptim të marrëdhënieve tona dhe asaj që duam të arrijmë në interes të qytetarëve tanë, për të gjetur interesat tona të përbashkëta, ku është pikëtakimi i interesave tona të përbashkëta. Dhe kjo duke bazuar në interesat e përbashkëta për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët”, ka thënë kryeministri bullgar Janev.

Zaev: Ky është problem bileteral ndaj ne duhet ta zgjidhim

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev deklaroi, se në Sofje është biseduar për tema bilaterale sepse problemi është bilateral dhe se zgjidhja duhet kërkuar në këto korrniza . Nëse jemi politikan dhe lider përgjegjës, zgjidhjen e problemit duhet ta kërkojmë këtu.

“Me kryeministrin Janev kemi biseduar për propozimin portugez, sepse detyrimi ynë është të bashkëbisedojmë për zgjidhje bilaterale. Vlersoj, se është e mundur të arrihet zgjidhje bilaterale duke u kujdesur për interesat e të dyja palëve”, thekson kryeministri Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë Zaev para se të udhëtoj në Sofje theksoi, se është jorealiste të pritet ndonjë hap serioz, pasi Bullgaria nuk ka as parlament as qeveri me mandat të plotë për t’u arritur ndonjë marrëveshje konkrete që do t’i mundësonte Maqedonisë së Veriut për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në. Zaev edhe një herë  ritheksoi, se për gjuhën dhe identitetin maqedonas nuk bisedohet dhe se këto çështje nuk janë fare në tryezë.

“Bisedojmë për propozimin portugez, i cili vjen nga Portugalia si kryesuese e Këshillit Evropian, i cili absolutisht kujdeset për gjuhën tonë maqedonase dhe identitetin maqedonas dhe në të njëjtën kohë kujdeset për pozicionet bullgare”, nënvizoi Zaev.

Nga Sofja përsëri vjen paralajmërimi, se nuk ka asnjë ndyshim në qëndrimin zyrtar bullgar. Kryeministri teknik i Bullgarsië Stefan Janev ka deklaruar se pozicioni bullgar mbetet i pandryshuar.  “Korniza negociuese duhet të përmbajë garancitë e nevojshme në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë që u arrit në vitin 2017 e që për momentin nuk janë përmbushur dhe për këtë arsye nuk janë përmbushur kushtet për konferencën e parë ndërqeveritare”.

Opozita maqedonase akuzon kryeministrin Zaev

Kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickovski ka akuzuar katërshen Zaev, Buçkovski, Osmani dhe Dimitrov, se po përgatisin tradhti të radhës.

“Katërshja e udhëhequr nga Zoran Zaev do ta pranojë të gjithë atë që më vonë duhet të realizohet me ardhjen e Qeverisë së re në Bullgari. Janë të rrezikuara interesat kombëtare dhe shtetërore. Populli maqedonas me vetëdije dhe zgjuarsi nuk duhet të lejojë tradhti të re të kuartetit Zaev, Buçkovski, Osmani dhe Dimitrov”, ka thënë kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski.

dw

ABC Story/ Kush po e tradhton gjuhën shqipe

shqip

https://youtu.be/PBMB8FPr4qY?t=23

Falë filozofëve dhe gjuhëtarëve gjermanë filluar nga shekulli i 18-të, shqipja u vlerësua jo vetëm si një nga gjuhët më të vjetra të trungut indo-europiane dhe më tej do të vërtetonin se ajo është pasardhëse e gjuhës ilirë. Por vitet e fundit po vihet re se lufta ndaj gjuhës shqipe nuk po bëhet më me thika dhe helm po me anë të shkencës.

Falë edhe gjuhëtarëve shqiptarë po trumbetohet me të madhe se gjuha shqipe i ka pothuaj të gjithë fjalët të huazuara nga gjuhë të tjera.

Po kështu, falë heshtjes së akademisë shqiptare gjuhëtarë të ndryshëm janë duke goditur të gjitha vlerësimet e gjuhëtarëve gjermanë. Ndërkohë teoritë e reja që e vendosin gjuhën shqipe në vendin që meriton injorohen. Abc Story ne videon : https://youtu.be/PBMB8FPr4qY?t=23 ju sjell një panoramë të plotë të problemeve të shqipes pse ajo është një gjuhë që po tradhtohet nga shkencëtarët shqiptarë.

Kurti: Nuk mund të ketë asociacion komunash me bazë etnike

Albin KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se nuk mund të ketë Asociacion komunash mbi baza etnike, sepse një mekanizëm i tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Komentet e kryeministrit Kurti pasuan deklaratën e ambasadorit amerikan në Prishtinë Philip Kosnett, se Kosova e ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë Asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti për agjencinë e lajmeve Kosovapress.

Çështja e asociacionit u debatua në martën në Bruksel në takimin e parë të kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Duke u përgjigjur në kërkesën e Beogradit për themelimin e atij asociacioni, kryeministri Kurti tha se Kosova “nuk mund të lejojë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës”.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013 arritën disa marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, në mesin e të cilave edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën u rinegociua në vitin 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Beogradi ngulë këmbë që Asociacioni të themelohet sipas marrëveshjes.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 me mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet pritet të vazhdojnë nga fundi i muajit korrik dhe nga përparimi i tyre varet edhe përparimi i të dyja vendeve në proceset integruese evropiane.

Kosnett: Kosova ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnet tha se Kosova ka detyrim të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se shtetet kanë detyrim që të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e tyre.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për Radion Kontakt Plus, një media në gjuhën serbe në veriun e Kosovës, përgjatë një vizitë në atë zonë.

“Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua qeveria e Albin Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më herët”, tha ambasadori Kosnett sipas një përkthimi të radios Kontakt Plus.

Komentet e tij u bënë pak pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të martën në Bruksel se “Asociacioni nuk është për serbët por kundër Kosovës ashtu siç është dizajnuar”.

Duke u përgjigjur në kërkesën e Beogradit për themelimin e atij asociacioni, kryeministri Kurti tha se “ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës që janë të përkatësisë kombëtare serbe t’i kenë të gjitha të drejtat sikur të gjithë të tjerët, pra ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës, por në të njëjtën kohë nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës”.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013 arritën disa marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, në mesin e të cilave edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilën u rinegociua në vitin 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ambasadori Kosnett tha se qeveria në Prishtinë ankohet se nuk ka pasur asnjë kompromis nga Beogradi, se Beogradi nuk i ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij.

“Kjo është pikërisht ajo për të cilën palët duhet të ulen dhe të flasin dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht procesin e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, tha ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008 me mbështetjen e fuqive kryesore perëndimore, por të dyja palët janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet pritet të vazhdojnë nga fundi i muajit korrik.

voa

ShBA, studimi: Rreth 25% e pacientëve me COVID-19 përjetojnë simptoma afatgjata të sëmundjes

covid-19Një studim i ri në Shtetet e Bashkuara zbulon se rreth 25 për qind e pacientëve me COVID-19 kanë përjetuan probleme të reja shëndetësore pas një periudhe të konsiderueshme kohore nga diagnostikimi fillestar.

Grupi jofitimprurës “FAIR Health” analizoi të dhënat mbi sigurimet shëndetësore të rreth dy milionë personave nga muaji shkurt i vitit 2020 në shkurtin e këtij viti. Studimi gjeti se problemet e reja shëndetësore më të zakonshme tek pacientët “mbartës të simptomave të COVID-it për një kohë të gjatë”, përfshinin dhimbje trupi, vështirësi në frymëmarrje, presion të lartë të gjakut, nivele të larta të kolesterolit e lodhje.

Simptomat janë vënë re tek pacientë të të gjitha moshave, përfshirë fëmijët, madje edhe tek pacientët asimptomatikë ose ata që nuk kishin asnjë simptomë. Studimi zbuloi se 19% e pacientëve asimptomatikë ishin mbartës të simptomave të COVID-it edhe pas një periudhe të gjatë kohore nga diagnistikimi për herë të parë, shifra rritej në 27% tek ata që kishin përjetuar simptoma më të lehta ose të moderuara, por që nuk ishin të shtruar në spital dhe në 50% tek ata që ishin shtruar në spital.

Po kështu studimi zbuloi probleme me zorrët, çrregullime të zemrës dhe çështje të shëndetit mendor të tilla si depresioni dhe ankthi.

Ndërkaq të martën Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftuan se varianti “Delta” i koronavirusit është shndërruar në “shqetësim” për vendin.

Ekspertët e shëndetit thonë se varianti “Delta”, zbuluar për herë të parë në Indi, është shumë më ngjitës dhe mund të shkaktojë simptoma më të rënda, përfshirë dhimbje stomaku, të përziera, të vjella, humbje të oreksit, humbje të dëgjimit dhe dhimbje të kyçeve. Varianti tashmë është përhapur në të paktën 74 vende, veçanërisht në Britani, ku numri i të infektuarve me këtë variant ka kapërcyer variantin e identifikuar për herë të parë në këtë vend, atë “Alpha”.

voa

ShBA, kur u shfaq kovidi për herë të parë ?

covid-19Një analizë e re e mostrave të gjakut nga 24,000 amerikanë, të marra në fillim të vitit të kaluar, është studimi më i fundit dhe më i madhi që sugjeron se koronavirusi u shfaq në Shtetet e Bashkuara në dhjetor 2019 – disa javë para se zyrtarët e shëndetësisë të konfirmonin rastet e para me virus.

Analiza nuk është përfundimtare ndërsa disa ekspertë vazhdojnë të jenë skeptikë. Por zyrtarët federalë të shëndetësisë gjithnjë e më shumë po pranojnë një afat kohor gjatë të cilit një numër i vogël infeksionesh me COVID-19 mund të kenë ndodhur në Shtetet e Bashkuara, para se bota të bëhej e vetëdijshme për një virus të ri të rrezikshëm që shpërtheu në Kinë.

“Studimet arrijnë në të njejtin përfundim”, thotë Natalie Thornburg nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

“Ka të ngjarë që ka pasur raste shumë të rralla dhe sporadike më herët sesa kemi qenë në dijeni. Por nuk ishte i përhapur dhe nuk u përhap deri në fund të shkurtit”, shton zonja Thornburg, kryehetuese e ekipit të imunologjisë për virusin e rrugëve të frymëmarrjes.

Koronavirusi, që u shndërrua në pandemi, u shfaq në Wuhan të Kinës në fund të vitit 2019. Zyrtarisht, infeksioni i parë i identifikuar në Shtetet e Bashkuara ishte një person nga shteti i Uashingtonit që u kthye nga Wuhani më 15 janar dhe kërkoi ndihmë mjekësore në një klinikë më 19 janar.

Zyrtarët e CDC-së thanë fillimisht se shpërthimi i virusit në Shtetet e Bashkuara ndodhi gjatë një periudhe kohore tre javore nga mesi i janarit deri në fillim të shkurtit. Por hulumtimet që nga ajo kohë – përfshirë kërkime të bëra nga CDC – kanë sugjeruar se një numër i vogël i infeksionesh kanë ndodhur më herët.

Një studim i udhëhequr nga CDC-ja dhe i botuar në dhjetor 2020 që analizoi 7,000 mostra gjaku të dhuruar organizatës së Kryqit të Kuq Amerikan, sugjeron se disa amerikanë ishin infektuar me virus që nga mesi i dhjetorit 2019.

Studimi i fundit, i botuar të martën në internet nga revista “Clinical Infective Diseases”, është realizuar nga një ekip ku përfshihen studiues të Instituteve Kombëtare të Shëndetit, NIH.

Hulumtuesit analizuan mostrat e gjakut të më shumë se 24,000 njerëzve në të gjithë vendin, të mbledhura në tre muajt e parë të vitit 2020 si pjesë e një studimi afatgjatë të quajtur “Të gjithë Ne” (All Of Us) që kërkon të mbledhë të dhëna për 1 milion amerikanë ndër vite për studime shëndetësore.

Sikurse në studimin e kryer nga CDC, këta hulumtues kërkuan për antitrupa në gjak, provë e infeksionit me koronavirus, që mund të zbulohen dy javë pas infektimit.

Studiuesit thonë se nëntë pjesëmarrës në studim – pesë nga shteti Illinoi dhe nga një pjesmarrës nga shtetet Masaçusets, Misisipi, Pensilvania dhe Viskonsin – ishin infektuar më herët se çdo rast i raportuar me kovid në ato shtete.

Një nga rastet e shtetit Ilinoi ishte infektuar që nga Krishtlindja, tha Keri Althoff, profesore në Shkollën e Shëndetit Publik “Bloomberg” në Universitetin Johns Hopkins dhe autorja kryesore e studimit.

Mund të jetë e vështirë të dallohen antitrupat që neutralizojnë SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, nga antitrupat që luftojnë koronavirusët e tjerë, përfshirë disa që shkaktojnë ftohjen e zakonshme.

Hulumtuesit në të dy studimet nga NIH dhe CDC përdorën disa lloje testesh për të minimizuar rezultatet fallso pozitive, por disa ekspertë thonë se akoma është e mundur që rezultatet pozitive në vitin 2019 të ishin infeksione nga koronavirusë të tjerë dhe jo varianti i pandemisë.

“Ndërsa është plotësisht e besueshme që virusi është futur në Shtetet e Bashkuara shumë më herët sesa vlerësohet zakonisht, nuk do të thotë se kjo është domosdoshmërisht dëshmi mjaft e fortë për të ndryshuar mënyrën e të menduarit”, thotë William Hanage, ekspert për dinamikën e sëmundjes në Universitetin e Harvardit.

Hulumtuesit e NIH ende nuk kanë mbledhur të dhëna nga pjesëmarrësit e studimit për të parë nëse ndonjë prej tyre kishte udhëtuar jashtë Shteteve të Bashkuara para infektimit. Por duhet theksuar se ata gjetën se asnjë nga të nëntë pjesmarrësit nuk jetonin në qytetet Nju Jorkut, Sietëll apo pranë tyre, qytete ku ishte përqendruar vala e parë e infeksioneve në Shtetet e Bashkuara.

“Pyetja qëndron se si dhe ku i hodhi rrënjët virusi”, thotë Keri Althoff, profesore në Shkollën e Shëndetit Publik “Bloomberg” në Universitetin Johns Hopkins. Studimi i ri, thotë ajo, tregon se “ndoshta i ka hedhur rrënjët në shumë qytete të vendit tonë.”

voa