Shqipëri: Sfida e drejtësisë së re, goditja e të “paprekshmëve”

Symbolbild Justitia RechtsstaatDrejtësia e re në Shqipëri po hyn në etapën e dytë: një sistem i spastruar nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe ndëshkimit të korrupsionit në nivele të larta. Po a ka dhënë drejtësi, drejtësia e re?

BE dhe SHBA synojnë që në Shqipëri të vendoset një sistem gjyqësor me integritet, të pavarur, të qëndrueshëm dhe me më shumë rezultate, prandaj e kanë mbështetur fuqimisht këtë reformë me ekspertizë dhe fonde.

BE e sheh si këtë si plotësim nga Shqipëria të një kushti thelbësor për progres në procesin e pranimit të saj në familjen europiane. Ambasadori i delegacionit të BE në Shqipëri, Luigi Soreca, tha së fundi se “reforma në drejtësi mbetet përparësia kryesore e BE. Ne duam ta shikojmë Shqipërinë më pranë BE.”

Kurse SHBA sheh në një sistem drejtësie me integritet mburojën ndaj korrupsionit që e konsideron “cënim të sigurisë kombëtare ndaj SHBA, ndaj miqve dhe aleatëve të saj, përfshirë edhe Shqipërinë”.

Garancitë e amendamenteve kushtetuese

Një sistem i tillë gjyqësor me integritet, pavarësi dhe më shumë rezultate ka si parakusht garancitë që japin amendamentet kushtetuese, që i hapën rrugën zbatimit të reformës, në fundkorrikun e vitit 2016 dhe jetësimit të institucioneve të reja.

Në një analizë të sapopublikuar të Institutit për Studime Politike (ISP) për rezultatet, problematikat dhe sfidat e reformës në drejtësi në Shqipëri, amendamentet kushtetuese cilësohen të “paqëndrueshme dhe të hartuara me nxitim, gjë që e dëshmojnë 15 ligje të korrigjuara, nga i njëjti Parlament, tri-katër herë brenda një periudhe 2-3 vjeꞔare” – vë në dukje studimi.

“Reforma në drejtesi mbetet zhvillimi më pozitiv në Shqipërinë e dy dekadave te fundit. Por ndërkohë pesë vitet e zbatimit të saj të deritanishëm treguan që baza ligjore dhe pritshmëritë nga kjo reformë u ndërtuan mbi të dhëna jo të sakta, të mbështetura më shumë tek pasioni dhe vullneti për ta kryer reformën sesa në kapacitetet e Shqipërisë për reforma të tilla kaq të thella dhe horizontale,” – thotë për DW, prof. Afrim Krasniqi, drejtor i ISP.

Ai thekson që të dhënat e pasakta ꞔuan në situata të tilla ku prej vettingut u penalizua “një numër më i madh subjektesh nga ai që pritej, procesi i verifikimit të tyre nga institucionet e vettingurt mori dy herë më shumë kohë nga sa ishte parashikuar, pengesat politike dolen më të mëdha sesa ishin menduar dhe burimet njerëzore rezultuan të pamjaftueshme,”

Kurse prof. dr. Aurela Anastasi, konstitucionaliste, mendon ndryshe si për amendamentet kushtetuese ashtu edhe për burimet njerëzore. “Amendamentet kushtetuese të fundkorrikut 2016 janë themeli i Reformës në Drejtësi. Ato kanë dëshmuar të jenë efikase për një ndryshim rrënjësor të sistemit të drejtësisë dhe rindërtimin e tij sipas modelit më të ri europian. Amendamentet kushtetuese sollën parime dhe rregullime të detajuara lidhur me garancitë kushtetuese për pavarësinë e gjyqësorit dhe integritetin e gjykatësit,” thotë ajo për DW.

Aurela Anastasi vë në dukje që “amendamentet kushtetuese shndërrohen në garanci për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit të drejtësisë kur ato vihen në jetë, kur bëhen reale nga institucionet zbatuese. Ndërkohë që ka patur segmente në institucione dhe individë që kanë synuar jo vetëm të mos i zbatojnë por madje t’i ꞔbëjnë ato.”

“Ngrehina e sistemit të drejtësisë së re nuk mund të zëvendësohet pasi kjo do të ishte shmangie nga modelet më të mira bashkëkohore europianiste. Është koha të punohet me më shumë zell nga të gjitha institucionet dhe faktorët, përfshirë edhe ata politikë, për të cilët këto ndryshime janë një platformë e mirë për t’u vetëpastruar,” thotë Aurela Anastasi.

Lidhur me burimet njerëzore ajo mendon se “mungesa e burimeve të përgatitura njerëzore në Shqipëri është një nga mitet e ngritura për reformën në drejtësi. Ajo ꞔfarë mungon në Shqipëri nuk janë burimet njerëzore por kandidatët për institucionet e reja pasi aplikojnë shumë pak. Kjo bazohet në të dhënat statistikore: në Shqipëri ka sot 11 mijë avokatë të licensuar, të cilët për të kandiduar kërkojnë garanci për një garë të ndershme, pa ndërhyrje të paligjshme politike,” thotë për DW konstitucionalistja Anastasi.

Qasje pragmatike në një terren të vështirë politik

Etapa e parë e zbatimit të reformës në drejtësi ka ecur në një terren të vështirë mosmarrëveshjesh, kundërshtish, kompromisesh politike mes palëve, qasjesh praktike dhe pragmatike.

“Prioriteti për të ngritur institucionet e reja, që reforma të niste funksionmin e saj, doli më i rëndësishëm sesa procedurat strikte kushtetuese dhe standardet e vetë reformës” thotë Afrim Krasniqi,

Ai vë në dukje që “për një një numër të madh postesh në institucionet e reja u lejua konkurrimi vetëm me një ose dy kandidatë, kur sipas amendimeve kushtetuese duheshin të paktën tre të tillë. Zgjedhja e anëtarëve në dy institucionet e vettingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, (KPK) dhe Kolegjin e Pavarur të Apelimit, (KPA) u bë mbi bazën e besimit politik për hir të konsensusit politik mes palëve, gjë që doli kundër premtimit se zgjedhja do të bëhej sipas meritës dhe jashtë ꞔdo ndikimi politik. Por aktet pragmatiste janë të nevojshme në një reforme që kërkon konsensus dhe ndërveprim të gjerë” thotë Afrim Krasniqi.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf në një prononcim për mediat, tha ditët e fundit se ” reforma në drejtësi kërkon gjithë mbështetjen, qasjet pragmatike dhe praktike mund të ndihmojnë institucionet që të vendosin të ꞔojnë përpara arkitekturën e re të reformës, e cila ka nevojë të vazhdojë të ecë përpara.”

Në zemër të arkitekurës së re vazhdon të mbetet vettingu i gjykatësve dhe i prokurorëve. Deri tani ai ka nxjerrë jashtë sistemit 155 gjykatës dhe prokurorë në bazë të tri kritereve: burimit të pasurisë, lidhjet me krimin e organizuar dhe aftësive profesionale ndërsa 286 te tjerë i ka vlerësuar për të qëndruar në sistemin e Drejtësisë së re. Vettingu do të vazhdojë me skanimin edhe të rreth 410 gjykatësve dhe prokurorëve të tjerë.

A ka dhënë drejtësi, drejtësia e re?

Kjo është një pyetje thelbësore në kontekstin e qasjeve dhe të praktikave pragmatiste që kanë qenë efikase edhe pse kanë rënë ndesh me procedurat e miratuara kushtetuese apo që kanë kompromentar parimet kushtetuese të transparencvs dhe meritës.

“Në pesë vitet e fundit në Shqipëri është kryer reformimi i drejtësisë por drejtësia e re nuk ka dhënë ende drejtësi. Nuk ka ende një drejtësi funksionale që t’i japë fund korrupsionit dhe klientelizmit , nuk ka ende garanci që kushdo që shkel ligjin do të përballet me drejtësinë, pavarësisht pozitës shtetërore, politike, financiare apo sociale” thotë prof. Afrim Krasniqi.

Ai thekson që “institucionet e drejtësisë së re, në veꞔanti Struktura e Posaꞔme Antikorrupsion, (SPAK) nuk kanë dhënë prova që nuk do të tolerojnë korrupsioin në nivele të larta. Ende drejtësia e re nuk ka arritur tek “të paprekshimit e korruptuar” në të tilla nivele”.

“Kjo është edhe sfida kryesore për institucionet e reja të drejtesisë në pesë vitet e ardhshme, e cila nuk ndërvaret më nga zhvillimet politike por nga aftësia e sistemit të ri për të pasur qasje e sjellje te ndryshme shume më pozitive dhe më profesionale sesa sistemi i vjetër i drejtësisë” thotë Afrim Krasniqi.

dw

Pajisja e vogël që po kontribuon në pastrimin e oqeanit

Një numër në rritje kompanish po zhvillojnë produkte që kanë në qendër mbrotjen e mjedisit. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Julie Taboh na sjell më shumë detaje rreth një pajisjeje që ndihmon për gjetjen e sendeve të ndryshme, e cila është prodhuar nga mbeturina që gjenden në oqean.

Nëse i takoni atij grupi njerëzisht që humbasin shpesh sende personale, pajisja e quajtur Chipolo, e cila punon duke përdorur teknologjinë Bluetooth është krijuar për t’u ndihmuar, duke gjetur sendet e humbura.

Chipolo i vendoset një objekti sikurse një portofol apo një çantë shpine. I lidhur përmes Bluetooth-it me aplikacionin Chipolo të shkarkuar në telefon, pajisja ndihmon në gjetjen e sendit të humbur, i cili nis të tingëllojë kur ju shtypni butonin “për të gjetur vendndodhjen”.

Por tregu është i mbushur me produkte të ngjashme sikurse Tile apo konkurrentë të tjerë, përfshirë Samsung-un. Por Chipolo ka gjetur një mënyrë për të rënë në sy. Pajisja është krijuar nga mbeturina që mund t’i gjesh në oqean, sikurse rrjetat e peshkimit të riciklueshme.

“Produket tona përbëhen nga plastika. Edhe pse janë shumë të vogla dhe nuk përdorim shumë plastikë, përsëri ndjejmë se duhet të jemi të përgjegjshëm e të vetëdijshëm për mjedisin”, thotë Nika Kramžar, shefe e marketingut, Chipolo

Me ndihmën e Oceanworks, një organizatë e cila synon të shpëtojë botën nga mbeturinat plastike, plastika e nxjerrë nga sipërfaqet e cekëta të ujit përdoren për të krijuar shtresën e jashtme të produktit.

“Duke përfshirë plastikën e oqeanit në produktin e tyre, ata u dërgojnë një mesazh jo vetëm konsumatorëve, por edhe bizneseve të tjera se çdo gjë është e mundur. Mund të filloni me një gjë të vogël e të keni rezultate të mëdha”, thotë Rob Ianelli, Themelues dhe President i Oceanworks.

Kohët e fundit Chipolo i dhuroi gjithashtu 10,000 dollarë Oceanic Global, një organizate jofitimprurëse që mbështet përpjekjet për pastrimin e oqeaneve.

“Një artikull plastik kërkon mesatarisht mes 500 deri në 1000 vjet për t’u shpërbërë. Kjo është arsyeja përse është kaq e rëndësishme që kompanitë si Chipolo po gjejnë mënyra inovative për të përdorur plastikën ekzistuese”, thotë Lea d’Auriol, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Oceanic Global.

Mbeturinat plastike të dëmshme që ndodhen në oqeanet dhe detet tona po rriten me një shpejtësi alarmante. Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Mbetjeve të Ngurta produktet plastike njëpërdorimshe, si dhe plastikat e gjetura në pajisjet e peshkimit që kanë humbur apo janë hedhur përbëjnë rreth 70% të të gjitha mbeturinave detare.

Disa kompani po ndërhyjnë për t’u dhënë zgjidhje këtyre shqetësimeve. Adidas ka tashmë një linjë këpucësh me plastikë që nxirret nga oqeani. Ndërkohë, Chipolo ndihet mirë për kontributin e saj modest ndaj një problemi të madh global.

“Ne nuk po shesim vetëm një produkt i cili përbëhet nga materiale të marra nga rrjetat e ricikluara të peshkimit, ne gjithashtu po ndërgjegjësojmë lidhur me ndotjen e oqeanit. Në këtë mënyrë mbase po inkurajojmë kompani të tjera që të fillojnë të mendojnë për të e të prodhojnë produkte që përbëhen prej plastikës së ricikluar në vend të materialeve të papërpunuara”, thotë Nika Kramžar, shefe e marketingut, Chipolo

voa

Zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri, ODIHR publikon raportin përfundimtar

Raporti përfundimtar i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, i publikuar të hënën, i përmbahet gjetjeve kryesore të përfshira që në përfundimet paraprake, të nesërmen e votimit, duke u pasuruar për disa nga çështjet me elementë shtesë.

Ndërsa vlerëson procesin zgjedhor, dokumenti i përgatitur nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtar, përmend shqetësimet lidhur me fenomenin e shitblerjes së votës, shfrytëzimit nga ana e Partisë socialiste të burimeve që i jep të qënurit në pushtet, si dhe ofron një seri rekomandimesh për zgjedhjet e ardhshme.

Raporti i qëndron vlerësimit se “në zgjedhjet e 25 Prillit, votuesit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor që respekton liritë themelore” dhe se “pas një marrëveshjeje të re që i dha fund një ngërçi politik, aktorët kryesorë patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje”. Megjithatë raporti vëren se “ndërsa një numër rekomandimesh të ODIHR dhe Komisionit të Venecias u morën parasysh në ndryshimet ligjore, rekomandime të tjera mbeten të patrajtuara, përfshirë ato që lidhen me de-politizimin e komisioneve zgjedhore të nivelit më të ulët, të drejtat e votimit të personave me aftësi të kufizuara, përgjegjësinë penale për shpifje dhe përdorimin në lajme të materialeve të fushatës”

Partia socialiste në pushtet, e cila fitoi një mandat të tretë qeverisës kritikohet se “mori avantazhe të konsiderueshme nga të qenit në pushtet, përmes kontrollit të administratës lokale dhe nga shpërdorimi i burimeve të administratës publike. Kjo u amplifikua përmes mbulimit pozitiv të institucioneve shtetërore në media” thekson raporti, i cili më tej vëren se “pavarësisht një kuadri ligjor solid që ndalon shpërdorimin e burimeve administrative dhe minimizon avantazhin e partisë në pushtet, ministrat vazhduan të bënin fushatë gjatë angazhimeve zyrtare. Publiciteti që erdhi si rrjedhojë e kësaj i dha partisë qeverisëse një avantazh të konsiderueshëm”.

Nga ana tjetër vihet në dukje se presidenti Ilir Meta, “në kapacitetin e tij zyrtar bëri fushatë kundër partisë qeverisëse”.

Sipas misionit ndërkombëtar të vëzhguesve “pretendimet për shitblerje votash qenë të vazhdueshme gjatë fushatës. Praktikat gjerësisht të përhapura të shitblerjes së votave vazhduan të përbënin problem. Një numër i lartë i hetimeve u hapën në këtë drejtim. Rreth 30 hetime kriminale të blerjes së votës dhe rreth 50 çështje penale për parregullsi të tjera u iniciuan në lidhje me zgjedhjet e 2021”.

Raporti vë në dukje se “ofrimi i stimujve dhe presioni i pretenduar ndaj nëpunësve civilë përbënë shqetësim”. E po ashtu dhe “rrjedhja e të dhënave personale sensitive, duke përfshirë edhe preferencat politike të zgjedhësve përbën shqetësim serioz dhe i bën zgjedhësit vulnerabël ndaj trysnisë”, thekson raporti duke ju referuar kështu sistemit të patronazhistëve të ngritur nga Partia socialiste.

Raporti përfundimtar vlerëson qartazi rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe strukturave të tij, përfshirë fazën e ankimimeve në të cilën u angazhua dhe Kolegji Zgjedhor. Sipas ODIHR-it ankimimet dhe apelimet “u morrën në konsideratë në një proces të hapur dhe të rregullt, me respektimin e të drejtave procedurale të palëve dhe vendimet të justifikuara në mënyrë të arsyeshme”.

ODIHR ka ofruar dhe një seri rekomandimesh “për të mbështetur përpjekjet për të harmonizuar zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë me angazhimet e OSBE-së dhe detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike”. Janë të paktën 5 rekomandime që cilësohen si përparësore e që lidhen “me nevojën për të rishikuar më tej kornizën ligjore, për të garantuar të drejtën për një zgjedhje të lirë dhe të fshehtë, për identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të blerjes së votës, për garantimin e sigurisë së të dhënave personale të qytetarëve dhe kufizimin e përdorimit në lajme të materialeve elektorale”.

Në zgjedhjet e 25 Prillit Partia socialiste siguroi e vetme shumicën me 74 deputetë. Partia Demokratike mori 59 vende në parlamentin e ardhshëm, ndërsa aleatja e saj kryesore LSI, e cila garoi më vete, do të ketë 4 deputetë. Opozita vijon të denoncojë zgjedhjet duke i konsideruar ato një masakër elektorale, e duke deklaruar se nuk do t’i njohë kurrë ato, pavarësisht se në shtator do të jetë pjesë e parlamentit të dalë nga këto zgjedhje. Edhe në një reagim pas publikimit të raportit, kryetari demokrat Lulzim Basha shprehet se ky dokument “konfirmon se më 25 prill u tjetërsua vullneti i shqiptarëve. Raporti konfirmon atë që të gjithë shqiptarët e dinë tashmë: 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme”. Ndërsa sipas sekretarit të Përgjithshëm të Partisë socialiste, Taulant Balla, Shqipëria mori “raportin më të mirë për zgjedhjet në këto 30 vite”

voa

Shkup: Dënohet ish-kryetari i Kuvendit për rastin e 27 prillit 2017

Mazedonien Proteste im Parlament in SkopjeKëshilli gjyqësor i Gjykatës Themelore Penale në Shkup shpalli fajtorë të akuzuarit në rastin “Organizatorët e 27 prillit” dhe i dënoi me gjithsej 25 vjet burg.

Trupi gjykues arriti në përfundimin se të akuzuarit për krimin e “rrezikimit terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë së vendit” janë fajtorë për organizimin e ngjarjeve më 27 prill të vitit 2017. Fjala është për ish-kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanoski, ish-ministrin e Transportit Mile Janakieski, ish-ministrin e Arsimit dhe të Shkencës Spiro Ristovski si dhe ish-drejtorin e policisë sekrete DSK, Vladimir Atanasovski.

25 vjet burg për të akuzuarit

Sulmi ndaj Kuvendit dhe rrahja e deputetëve dhe gazetarëve nga ana e protestuesve të nismës “Për Maqedoni të përbashkët” ndodhi më 27 prill të vitit 2017, pasi nga shumica parlamentare për kryetar të Kuvendit u zgjodh një shqiptar, gjegjësisht Talat Xhaferi. Sipas Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të akuzuarit e dinin saktë se çfarë po bënin dhe u shkaktuan trazira me qëllimin e vetëm për të parandaluar formimin e qeverisë nga shumica parlamentaree siguruar tanimë.

Ish-kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski është dënuar me 6 vjet e 6 muaj, ish-ministri i Transportit Mile Janakievski me 6 vjet e 3 muaj, ish-ministri i arsimit Spiro Ristovski me 6 vjet e 5 muaj dhe ish-drejtori i policisë sekrete me 6 vjet burg. Në hetim u përfshinë edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-zbuluesi Nikolla Boshkovski, por procedura për ta është ndalur derisa nuk bëhen të qasshëm të organeve të ndjekjes.

Të akuzuarit kanë marë dënime më të ulta për veprën për të cilën janë akuzuar, sepse gjatë procesit gjyqësor kanë bashkëpunuar me organet e hetuesisë.

Trpkov: Dhuna e 27 prillit s’ka asgjë të përbashkët me demokracinë

Gjyqtari Ilija Trpkov gjatë shqiptimit të dënimeve tha se sulmi dhe dhuna e shfaqur më 27 prill të viti 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë dhe patriotizmin .

“Shteti mbrohet me zemër, me mendje dhe strategji të drejta. Nëse për çdo vendim me të cilin nuk pajtohemi hymë me dhunë në gjykatë, kuvend apo në cilin do qoftë institucion shtetror , atëhere nuk mund të kemi shtet ligjor”, tha gjyqtari Trpkov.

Prokuroria ka kërkuar që të dënuarve t’u ndërpritet arresti i shtëpisë dhe  të dërgohen urgjentisht për vuajtjen e dënimit.

Në procesisn gjyqësor “27 prilli” qenë akuzuar gjithsejt 33 vetë prej të cilëve 5 deputetë.Të dënuar janë gjithsej 16 vetë, ndërsa të tjerët i kanë shpëtuar dënimit falë ligjit për amnesti, të miratuar në vitin 2018.

dw

Shkup, dënohet ish-Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski dhe organizatorët e sulmeve të 2017-ës në parlament

Trajko VeljanovskiGjykata Penale në Shkup dënoi me gjashtë vjet e gjysmë burg ish-Kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski për organizimin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit të vitit 2017.

Për të njëjtën vepër, gjykata u shqiptoi dënimin me nga gjashtë vjet e tre muaj burg edhe Mile Janakievskit, ish-ministër i Transportit dhe Spiro Ristovskit, ish ministër i Arsimit në qeverinë e Nikolla Gruevskit. Ndërkaq, ish-drejtori i Shërbimit Sekret, Vladimir Atanasovski u dënua me 6 vjet burgim.

Gjykata i shpalli ata fajtorë për veprën penale të “rrezikimit terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Prokurorët u shprehën të habitur me dënimet e ulëta për një akuzë të tillë.

Gjykatësi Ile Tërpkov tha se dënimet janë minimale për shkak të qëndrimit korrekt dhe bashkëpunimit nga ana e të akuzuarve. Ai tha se “shteti mbrohet me mend dhe me zemër e jo me dhunë që lëndoi thelbin e demokracisë”.

Gjykatësi theksoi se zoti Veljanovski nuk respektoi rregulloren e parlamentit në seancën konstituive më 27 prill, 2017. Sipas akt-akuzës, ai njoftoi ish-Kryeministrin Guevski, i cili ndodhej në Vjenë, se Lidhja Social Demokrate do të zgjidhte Talat Xhaferin për kryetar të Parlamentit. Në atë çast, ish ministri i Arsimit Spiro Ristovski i thotë deputetit të VMRO-së, Kërsto Mukovskit, që ta hapte derën kryesore të Parlametit për të hyrë masa e njerëzve që po protestonin përjashta.

Gjykatësi theksoi edhe shprehjen e Gruevskit atëherë se “populli nuk duhej të rrijë me pantofla në shtëpi, por ta marrë fatin në duart e veta”.

Zoti Gruevski është arratisur në Hungari, ku i është mundësuar strehimi, teksa është dënuar në Shkup për vepra të tjera penale. Prokuroria, si dhe autoritetet qeveritare, presin ekstradimin e tij, në mënyrë që të ngrenë akuzën e organizatorit të ngjarjeve të dhunshme në parlament.

Gjatë shpalljes së dënimit gjykatësi tha se të akuzuarit si organizatorë, kishin angazhuar strukturën partiake të VMRO-DPMNE-së në planin për sulmet, duke bërë që numri i policëve dhe personeli i sigurimit të ulej gradualisht brenda godinës dhe jashtë saj, urdhëruan shkatërrimin e materialeve të videoregjistrimit, ndërkohë që kishin sjellë një automjet me një sasi të konsiderueshme armësh pranë parlamentit dhe lejuam turmën e protestuesve të futej brenda institucionit më të lartë ligjvënës për të sulmuar deputetët e shumicës së re të drejtuar nga socialdemokratët.

Gjatë sulmit u lëndua rëndë deputeti Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, i cili u shtrua në spital për disa ditë, si dhe Kryetari i i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev.

Për këtë vepër më parë janë dënuar 16 persona. Ndërkohë, pas ligjit të amnestisë të miratuar në dhjetor të vitit 2018, pesë deputetë të VMRO-së të akuzuar për rolin e tyre, u lanë të lirë.

voa

Mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve, Rakacolli: Delta i përhapur gjerësisht në vend, ja qytetet ku ka raste

Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur ditën e sotme, pasi dje u konfirmua zyrtarisht se varianti Delta qarkullon në vendin tonë.

Mira Rakacolli është shprehur se varianti Delta i COVID është përhapur gjerësisht në vend.

Rakacolli: Siç dihet tashmë është konfirmuar delta në Shqipëri, kampionet kanë qenë nga disa rajone të vendit që tregon se është i përhapur gjerësisht në Shqipëri.

Albana Fico: Siç ishte paralajmëruar nga dyshimet, erdhi përgjigjja për variantin Delta. Situata në vend ka shënuar rritje në raport me incidencën, mes ditore është rritur, numri total i rasteve është i lartë.Vijon të shtohet numri i të vaksinuarve me dy doza.

Për Deltën, në këto mostra i kemi gjetur në Tiranë, Lezhë, Shkodër, Peqin, Vlorë, Mati në numra të vegjël gjithësesi. E gjithë kjo ka një vlerë të veçantë për atë çfarë kemi thënë vaksinim dhe respektim i masave.

Është një mundësi e shtuar ky komitet sot për të kujtuar se nuk kemi përfunduar me pandeminë, se nëse harruam që jemi në këtë situatë , qarkullimi i Deltës tregon se nuk e kemi mbaruar këtë detyre. Kush dyshon për shenjat të karantinohet, kush ndihet rëndë të telefonojë në 127.

Ky proces, që e kryem për partinë e parë të mostrave , vazhdon që të çojmë mostra, që të monitorojmë këtë proces.Ju kujtoj se nëse keni bërë dozën e parë bëjeni dhe të dytën.Mos harroni, dy doza janë mbrojtje, kanë shanse minimale të preken.

Top Channel

Majlinda Bregu: “Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë së bashku”

Majlinda BreguSekretarja e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal të Ballkanit Perëndimor, Majlinda Bregu, shpjegon në intervistë me DW pse duhet të vazhdojë Procesi i Berlinit edhe pas largimit të kancelares Angela Merkel.

Deutsche Welle: Zonja Bregu, në Ballkanin Perëndimor është krijuar përshtypja se Procesi i Berlinit, të ciline inicioi kancelarja Angela Merkel shtatë vjet më parë, nuk ishte asgjë tjetër, veçse një mundësi për kryetarët e shteteve dhe qeverive të rajonit që të bëjnë fotografi të bukura me kancelaren gjermane.  A ka arritur Procesi i Berlinit diçka konkrete në vitet e fundit, përveç heqjes së tarifave “roaming” në rajon?

Majlinda Bregu: Heqja e tarifave roaming nuk është aq e thjeshtë BE-së iu deshën gati dhjetë vjet, ndërsa Ballkani Perëndimor e arriti për dy vjet. Mendoj se ky është një sukses i madh. Projekti i një Ballkani Perëndimor pa roaming nuk ka vetëm domethënie praktike. Ka edhe një përbërës simbolik, që na tregon se mund t’i realizojmë gjërat vetëm nëse punojmë së bashku dhe për të plotësuar pritmëritë e qytetarëve në rajon.

Ky është padyshim i vetmi kombinim i suksesshëm dhe kjo është arsyeja pse ne preferojmë të flasim për tarifat roaming. Por Procesi i Berlinit ka dhe shumë anë të tjera: ai është ende i vetmi forum, në të cilin krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të diskutojnë dhe formësojnë prioritetet e tyre të përbashkëta me disa nga vendet e BE-së, Komisionin e BE-së, shoqërinë civile dhe institucionet ndërkombëtare financiare.

Një nga nismat aktuale për Ballkanin Perëndimor është Tregu i Përbashkët Rajonal, për të cilin ju si sekretare e RCC keni punuar shumë intensivisht. Ajo synon të realizojë deri në vitin 2024 katër liritë e BE-së, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Por që nga nëntori i vitit 2020, kur ky plan u miratua në Sofje, është bërë pak përparim? Përse?

Tregu i përbashkët është një mundësi e shkëlqyeshme për të vendosur në rajonin e Ballkanit Perëndimor diçka të ngjashme si në BE. Banka Botërore ka llogaritur se vetëm ky do të rrisë prodhimin kombëtar bruto të Ballkanit Perëndimor me 6,4 përqind. Që nga viti i kaluar ne kemi punuar shumë për të avancuar negociatat mbi marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti.

Teknikisht, nuk ka asnjë pengesë për të pranuar këtë marrëveshje. Të gjitha vendet kanë treguar gatishmëri për ta mbështetur atë. Kjo marrëveshje do të ishte një tjetër moment historik pozitiv nëse do të arrinim të hiqnim pengesat politike në muajt në vazhdim. Një argument pro këtij projekti është një anketim i në Barometrin e Ballkanit, sipas të cilit 42 përqind e qytetarëve kosovarë kanë konfirmuar se do të udhëtonin më shpesh brenda Ballkanit Perëndimor, nëse do të mund të lëviznin lirshëm vetëm me një kartë identiteti.

Më 5 korrik 2021, krerët e qeverive të Ballkanit Perëndimor nuk specifikuan një format të ri në të cilin Procesi i Berlinit duhet të vazhdonte pas këtij takimi të tetë. A mendoni se Iniciativa e Ballkanit Perëndimor do të ketë të njëjtën vëmendje edhe pasi kancelarja Merkel të mos jetë më kancelare?

Zyrtarisht, të gjithë pjesëmarrësit në Procesin e Berlinit theksojnë nevojën për vazhdimin e tij për të realizuar potencialin e plotë të bashkëpunimit të përmirësuar rajonal, gjithashtu me qëllim që të kapërcehen pasojat socio-ekonomike të pandemisë COVID-19. Tani mbetet të shihet se si do të vazhdojnë gjërat në praktikë.

Kontributi dhe angazhimi personal i kancelares Angela Merkel për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal ka qenë me rëndësi të madhe. Roli i saj udhëheqës ka formësuar rajonin dhe do të ketë një efekt afatgjatë. Siç thekson Kancelarja përsëri dhe përsëri: Evropa mund të jetë e suksesshme vetëm nëse punojmë së bashku. Edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse ta dëgjojnë këtë grua të mençur dhe të bashkëpunojnë.

Majlinda Bregu, 47 vjeçe, e lindur në Tiranë, është Sekretare e Përgjithshme e RCC që nga 1 janari 2019. Më parë ajo ka qenë aktive në  Partinë Demokratike, PD. Nën Sali Berishën si kryeministër (2007-2013) ajo ka qenë ministre për Integrimin Evropian dhe zëdhënëse e qeverisë.

dw

 

Nora Gjakova nga Kosova fiton medalje të artë në Lojërat Olimpike

Xhudistja nga Kosova, Nora Gjakova, fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Tokio. Ajo mundi të hënën në finale francezen Sarah-Léonie Cysique, duke i siguruar Kosovës medaljen e dytë të artë në këto lojëra.

Nora Gjakova u shpall fituese në kategorinë deri në 57 kilogramë. Kjo është medalja e dytë olimpike për Kosovën në Lojërat e Tokios.
Të shtunën, një tjetër xhudiste nga Kosova, Distria Krasniqi, fitoi medaljen e artë duke mundur në finale japonezen Funa Tonaki, në kategorinë deri në 48 kilogramë.
Në lojërat e sivjetme Kosova merr pjesë në garat e xhudos, mundjes, notit dhe atletikë. Kosova u anëtarësua në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në dhjetor të vitit 2014. Që nga anëtarësimi i saj, Kosova ka fituar gjithsejt tri medalje në Lojërat Olimpike.
Lojërat Olimpike Verore të Tokios, ishin paraparë të mbaheshin në verën e vitit 2020, por u shtynë për shkak të pandemisë së COVID-19.

voa

Fauci jep alarmin për rritjen e rasteve me variantin Delta

Dr. Anthony Fauci, director of the National Institute of Allergy and Infectious Diseases, testifies before the Senate Health, Education, Labor, and Pensions Committee at the Dirksen Senate Office Building in Washington, July 20, 2021.Dr. Anthony Fauci, eksperti më i lartë amerikan i sëmundjeve infektive, dha një alarm të ri të dielën lidhur me rritjen e rasteve të koronavirusit në vend, veçanërisht në ato rajone ku njerëzit kanë refuzuar të vaksinohen edhe ndërsa varianti “Delta” po përhapet me shpejtësi.

“Ne po shkojmë në drejtimin e gabuar”, tha zoti Fauci në një program të kanalit televiziv CNN. “Pesëdhjetë përqind e vendit nuk është vaksinuar. Ky fakt përbën problem. Ne po e vëmë veten në rrezik”, tha Anthony Fauci, këshilltari i lartë mjekësor i Presidentit Joe Biden.

Në Shtetet e Bashkuara, shtrimet në spital dhe vdekjet janë shumë poshtë shifrave kulmore të arritura dimrin e kaluar. Por numri i infeksioneve të reja është rritur ndjeshëm në disa pjesë të vendit ku skepticizmi për nevojën e vaksinimit, siguria e vaksinave dhe rezistenca ndaj sugjerimeve të qeverisë për t’u imunizuar mbeten një pengesë e fuqishme.

Më shumë se 51,000 infeksione të reja u regjistruan në Shtetet e Bashkuara të shtunën, një rritje prej 172% gjatë dy javëve të fundit, ndërsa më shumë se 250 vdekje kanë ndodhur çdo ditë gjatë kësaj periudhe.

Qeveria thotë se deri tani më shumë se 162 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht, ose 49% e popullsisë së vendit – gati 60% e të rriturve.

Por sondazhet kanë treguar se rreth 80% e amerikanëve të pavaksinuar thonë se nuk do të vaksinohen duke mos marrë parasysh paralajmërimet që po bëjnë zyrtarët.

Shumë politikanë konservatorë më parë kishin përkrahur një qasje më të kujdesshme ndaj vaksinimeve ose kishin deklaruar se vaksinimi ishte një çështje zgjedhjeje personale. Tani disa prej tyre po shprehin irritim ndaj atyre që nuk pranojnë të vaksinohen.

Guvernatorja republikane Kay Ivey nga shteti i Alabamës iu drejtua javën e kaluar të pavaksinuarve: “Këta njerëz po zgjedhin një mënyrë jetese të tmerrshme”, tha ajo.

Një guvernator tjetër republikan, Asa Hutchinson i shtetit Arkansa, ka bërë thirrje prej kohësh për vaksinime në shtetin e tij jugor, por ky shtet ka ende një nga nivelet më të ulëta të imunizimeve. Dy adoleshentë vdiqën kohët e fundit nga COVID-19 në shtetin e tij.

“Këto janë kambana alarmi,” i tha ai rrjetit CNN. Megjithatë, ai vuri në dukje, “se rezistenca (ndaj imunizimeve) është shtuar”.

Por zoti Hutchinson shprehu optimizëm se të pavaksinuarit do të ndryshojnë mendimin.

“Njerëzit mund të ndryshojnë rezistencën e tyre,” tha ai. “Këtu duhet të përqëndrohemi”.

Zoti Fauci tha se personat e vaksinuar “janë shumë të mbrojtur”, përfshirë edhe kundër variantit Delta.

Por ritmi i vaksinimeve ka rënë në Shtetet e Bashkuara me më shumë se 80% që nga mesi i prillit.

Disa qytete, përfshirë Los Anxhelosin në Perëndim dhe Seint Luisin në qendër, kanë vendosur udhëzime të reja për njerëzit që të mbajnë maska në hapësirat e brendshme publike, pavarësisht nga statusi i vaksinimit. Qytetet e tjera po shqyrtojnë direktiva të ngjashme.

voa

BE i shpall luftë pastrimit të parave

Symbolbild WirtschaftskriminalitätÇdo vit në ekonominë e rregullt futen shuma të mëdha parash me prejardhje të paligjshme ose nga kontrabanda. Përmes një reforme gjithëpërfshirëse Bashkimi Evropian synon të luftojë më intensivisht pastrimin e parave.

Rregullat tona kundër pastrimit të parave janë më të ashprat në botë, thotë nënkryetari i Komisionit të BE Valdis Dombrovskis. “Por tani ato edhe duhet të zbatohen me konsekuencë”. Kjo ka munguar në vitet e fundit. Shumë shtete anëtare të BE-së nuk i zbatojnë në praktikë rregullat ose janë tepër të dobët në mbikqyrjen dhe rishikimin e transaksioneve financiare të dyshimta. Prandaj Komisioni i BE po propozon tani zyrtarisht atë që është përgatitur në Bruksel prej muash: që një autoritet i ri mbikëqyrës i BE të mbikqyrë vendet anëtare dhe të monitorojë dhe kontrollojë vetë institucionet e mëdha financiare ndërshtetërore, që paraqesin rreziqe.

Ky autoritet i fuqishëm i së ardhmes do të jetë në gjendje të funksionojë pas tre vjetësh dhe pas pesë vjetësh të ushtrojë efektin e tij të plotë. Në parim shtetet anëtare të BE e kanë miratuar krijimin e këtij autoriteti qendror mbikëqyrës, që ekziston ndërkohë edhe për bankat. Por nuk kanë rënë ende dakord se ku duhet ta ketë selinë.

Shifër e konsiderueshme nga paratë e pista

Pastrimi i paraveështë një kërcënim i qartë për qytetarët, institucionet demokratike dhe sistemin financiar”, pohoi Komisionerja e BE për Shërbimet Financiare, Mairead McGuiness, gjatë prezantimit të propozimeve të reja legjislative. Rreth 1.5 përqind e produktit të brendshëm bruto në BE – që është 133 miliardë euro – del nga biznesi me para “të pista”. “Dimensioni i problemit nuk mund të nënvlerësohet. Rrugët, që kriminelët mund të shfrytëzojnë, duhet të mbyllen”, kërkoi Komisionerja e BE.

Për ta arritur këtë, Komisioni i BE dëshiron t’i bëjë më uniforme rregullat kundër pastrimit të parave në të gjithë Evropën. Në të gjitha vendet anëtare duhet të bëhet transparente, se kush zotëron në të vërtetë cilat kompani ose ofrues të shërbimeve financiare, apo kush zotëron pasuri të patundshme. Firmat anonime dhe personat bedel së shpejti nuk do të ekzistojnë më në BE. Listat e llogarive bankare dhe zotëruesve të tyre do të unifikohen në të gjithë BE-në.

Direktiva numër gjashtë

Me copëtimin e vazhdueshëm të pasurive në njësi më të vogla, me fragmentimin e konstruksionit të firmave dhe transaksioneve elektronike përmes shumë llogarive të huaja bankare, bëhet shumë e vështirë të ndiqen gjurmët e parave, që vijnë nga trafiku i drogës, prostitucioni ilegal, lojërat e paligjshme të fatit, trafikimi i qenieve njerëzore dhe krimet e ngjashme, deklaron Komisioni i BE-së.

Një direktivë e re kundër pastrimit të parave, tashmë me numrin gjashtë, ka për qëllim t’ia vështirësojë krimit të organizuar dhe financuesve të terrorizmit bizneset. Rregullat ashpërsohen sërish në krahasim me direktivën e pestë të aplikuar deri tani. Në shënjestër do të jenë edhe kriptomonedhat, pra monedhat elektronike të krijuara privatisht, si “bitcoins”, të cilat BE i konsideron të përshtatshme për biznes anonim. Në të ardhmen ofruesit e kriptomonedhave do të duhet të tregojnë zotëruesit e llogarive bankare.

Kufizim në vetëm 10.000 euro parave në dorë

Shtetet anëtare debatojnë lidhur me propozimin e Komisionerit të BE Valdis Dombrovskis, që pagesat me para në dorë të kufizohen në maksimalisht 10.000 euro. Paraja kesh është një portë e lehtë për pastrimin e parave. Paratë nga një tregtar droge futen në qarkullim përmes shitjeve të fryra të një picerie, që u përket kriminelëve. Pasuritë e paluajtshme paguhen me valixhe plot me para.

Në disa vende anëtare të BE pagesa me para ka një limit, për shembull në Greqi ai është vetëm 500 euro. Në vendet e tjera, si Gjermania apo Austria, nuk ka kurrfarë limiti. Rreth 70 për qind e të gjitha transaksioneve të pagesave të klientëve në BE bëhen me para në dorë.

Ministri austriak i Financave Gernot Blümel e mbështet luftën kundër pastrimit të parave, por thotë se është iluzion të besosh se kriminelët përdorin vetëm para kesh. “Ne po shohim që kriminelët ekonomikë po kalojnë gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale dhe këtu duhen bërë përpjekje më të mëdha në të ardhmen. Këtë e konsideroj më efektive sesa limitet maksimale arbitrare, që forcojnë prirjen e deritashme për heqjen e parasë kesh”, tha Blümel javën e kaluar në Vjenë. Paraja në dorë duhet të ruhet si mjet pagese, për të cilën nuk nevojiten mjete ndihmëse teknike.

Vladis Dombrovskis, nënkryetar i Komisionit të BE, shqetësohet kryesisht për reputacionin dhe stabilitetin e BE siqendër financiare. “Çdo skandal pastrimi parash është i tepërt”, tha Dombrovskis.

Shtatorin e kaluar të ashtuquajturit “FinCen-Files” e bënë të qartë se edhe bankat e mëdha evropiane minojnë rregullat e BE kundër pastrimit të parave. Në vitin 2018 u zbulua se një bankë daneze kishte pastruar për vite me radhë para përmes një dege të vogël në Estoni – deri në 200 miliardë euro. Skandali me “Danske Bank” ka qenë arsyeja e nismave të reja të Komisionit të BE kundër pastrimit të parave, të cilat tani duhet të miratohen nga Parlamenti i BE dhe 27 vendet anëtare.

dw