Pse duhet të votoni për Afrim Ibrahimin – Fanda për kryetar të Tetovës? – Intervistë

afrim-ibrahimi-fandaLëvizja për Shtet dhe Drejtësi (Parti më e re me seli në Tetovë ) bëri para disa ditësh publike kandidaturën e saj për kryetar të komunës së Tetovës, e ai është Afrim Ibrahimi – Fanda.

Afrim Ibrahimi – Fanda, është një figurë e pastër politike, me qëndrime korrekte politike tanimë të njohura për gjithë opinionin publik, i cili bashkë me LSHD, në këto zgjedhje lokale do t’i i sjelli qytetit një ofertë të re politike, me synimin për të kthyer komunën e Tetovës në shërbim të qytetarëve të Tetovës. Për më tepër lexoni intervistën e tij ku tregon se pse vendosi të kandidohet për kryetar të komunës dhe projektet e tij për Tetovën:
Kush është Afrim Ibrahimi – Fanda

Jam një qytetar i Tetovës, i lindur dhe rritur në Tetovë. Me profesion jam mjek-psikiatër. Kam punuar dhe akoma vazhdoj, si drejtues i përfaqësive të dy kompanive të njohura farmaceutike në Tiranë, ku fitova një përvojë të vlefshme menaxhuese. Vajtja ime në Tiranë ka qenë vazhdimësi e studimeve. Në Tiranë m’u mundësua përsosja profesionale dhe karrierë e pavarur nga politika, që në Tetovë qe, dhe vazhdon të jetë e pamundur. Kurrë nuk jam ndjerë i larguar nga Tetova, as fizikisht, as emocionalisht. Edhe këtu, si në Tetovë, kam qenë në vendin tim, dhe çdo zhvillim në Tetovë e kam ndjekur sikur të isha aty.

Disa më thonë: nuk të njohin në Tetovë! Nëse “të njohur” të bëjnë korupsioni, pasurimi i shpejtë në ministritë dhe drejtoritë e pushtetit të BDI (LSDM) dhe VMRO, makinat e shtrenjta me targa të Shkupit, – e vërtetë është, nuk më njohin, dhe kjo nuk më komplekson. Përkundrazi më bën krenar. Mua më njohin të gjithë ata që dinë historinë e sakrificave dhe kontributit tim dhe të familjes time. Më njohin të gjithë ata që kanë lexuar dhe vazhdojnë t’i lexojnë shkrimet e mia kritike ku shpalos vetëm të vërtetën për gjendjen e popullit tim. Disa më thonë se nuk jam prezent në fushatë, si rivalët e mi. Kjo, sepse nuk mendoj se bilbordet dhe videospotet e shtrenjta ku shiten gënjeshtrat si të vërteta, do t’u sjellin diçka të re qytetarëve. Për këtë jemi dëshmitarë të gjithë ne. Unë jam këtu për t’u ofruar të vërtetën, e cila nuk shitet dhe nuk blihet. Jam këtu për të zgjatur dorën bashkëqytetarëve të mi që bashkë të ndalojmë njëherë e mirë këtë keqpërdorim që i bëhet qytetit të Tetovës.

Pse vendoset të kandidoni për kryetar të komunës së Tetovës:

Me dekada jemi dëshmitarë të degradimit të qytetit nën qeverisjen e koalicioneve të partive shqiptare me VMRO edhe me LSDM, gjithmonë duke u nisur nga interesa të individëve dhe klaneve brenda këtyre partive. Madje, është vetë kryetarja aktuale që ka qeverisur me Tetovën, në koalicion edhe me VMRO fillimisht, edhe me LSDM në vazhdim. Pasojat janë të dukshme për të gjithë. Janë ofertat e pafytyra, arrogante dhe fyese për qytetarët e Tetovës, që vijnë nga po këto koalicione, tani të kombinuara ndryshe, që më bënë të kandidoj, me një alternativë të re, ndryshe nga të sipërpërmendurat.

Oferta e LSDM, e ambalazhuar me ngjyrën e “blertë” të BDI-së, i konsideron qytetarët e Tetovës për budallenj, duke kandiduar po të njëjtën kryetare të komunës, edhe pas masakrës së bërë qytetit gjatë dy mandateve të kaluara. Ndërkaq, edhe oferta e koalicionit VMRO/ASH/AAA është poaq kriminale dhe ofenduese. Është kriminale sepse tenton që të përfitojë nga fatkeqësia e qytetarëve të Tetovës, mu sikur pacientit t’i shesësh ilaçe falso. Është ofenduese, sepse janë po ata politikanë të ASH, të cilët në vitin 2017 ua paraqisnin shqiptarëve LSDM-në si shpëtimtare, që do t’i shpëtonte nga VMRO e korruptuar dhe kriminale, tani ua paraqesin VMRO-ne si shpëtimtare nga LSDM. E si t’u besojnë qytetarët e Tetovës këtyre politikanëve të cilët mendjen e kanë vetëm tek akomodimi në pushtetin qendror, herë me LSDM, e here me VMRO!?

Platforma ( Projekti ) juaj për Tetovën:

Të gjitha problemet që ka Tetova janë të zgjidhshme. Tetova nuk është e varfër, por i mungon qeverisje e mirë. Ndërprerja e keqpërdorimeve të thella me buxhetin e komunës dhe transparenca e plotë mbi buxhetin dhe shpenzimet është thelbësore, duke vijuar me vjelje të drejtë të taksave pa favorizime partiake; investime në projekte të përgaditura nga ekspertë jopartiakë; risistemimi i ndërmarrjeve publike, për t’i bërë ato funksionale në shërbim të qytetarëve; kthimi i të gjitha pronave publike të tjetërsuara në mënyrë mafioze dhe shndërrimi i tyre në oaza gjelbërimi; zgjidhja njëherë e mirë e problemit të ujit të pijshëm; ndërtimi i parkingjeve nëntoksore, kudo që është e mundur; risistemimi i trafikut, me rrugë njëkahëshe dhe kufizime trafiku për automjetet…etj

Mesazhi juaj drejtuar banorëve të komunës së Tetovës:

Shpresoj që tetovarët, në këto zgjedhje, t’u japin një leksion të mirë, këtyre dy koalicioneve joparimore, që herë vishen me petkun e patriotizmit, e herë të vëllazërim-bashkimit, por gjithmonë me një qëllim: të qenit në pushtet me çdo çmim, për interesa të veta, në dëm të qytetarëve.

Këtë herë ata kanë alternativën për të votuar për veten e tyre, për qytetin e tyre!

Mua më gjeni me Nr. 18!

Ju faleminderit.

ShqipMedia

Përkeqsohet gjendja e protestuesve të burgosur në Tetovë

Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, organizatori i protestës së 17 shtatorit në Tetovë Blerim Ahmedi, përkohësisht ka ndërprerë grevën e urisë. Avokati i tij Qenan Ramani, tha për Alsat se Ahmedi do të vijojë grevën sapo ti përmirësohet gjendja shëndetësore. Ahmedi së bashku me 4 persona të tjerë që nga 18 shtatori janë në paraburgim në Shutkë.

Pas vendimit të këshillit penal të Gjykatës Themelore të Tetovës për zgjatjen e paraburgimit për 30 ditë, për klientin Blerim Ahmedi dhe katër të tjerëve, situata e tyre shëndetësore është e mirë. Mirëpo klienti Blerim Ahmedi tash bën pjesërisht mbajtje të grevës së urisë pasi ishte në gjendje të keqe shëndetësore”, tha Qenan Ramani, avokat.

Gjykata në Tetovë fillimisht u caktoi 8 ditë paraburgim organizatorëve të protestës për drejtësi rreth zjarrit në spitalin modular ndërsa më vonë këtë masë e zgjati edhe për 30 ditë të tjera. Avokati Ramani tha se këtë masë e ka ankimuar dhe pret nga Gjykata e Apelit që klientët e tij të mbrohen në liri. Ndërkaq Gjykatat e Tetovës ka caktuar për më 13 tetor seancën e parë kundër pesë të akuzuarve. Organizatori  i protestës Blerim Ahmedi dhe katër persona të tjera akuzohen për dhunën ndaj pjesëtarëve të policisë. Protesta për drejtësi dhe përgjegjësi lidhur me zjarrin në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, përshkallëzoi në dhunë dhe përleshje me policinë kur protestuesit u penguan të protestonin para selisë së BDI-së.

shqipmedia

Bislimi: Arritëm marrëveshje në parim për çështjen e targave

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është arritur një marrëveshje në parim me palën serbe për zgjidhjen e situatës së krijuar me targat e makinave.

Pas disa orë bisedimesh të ndara me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, për rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë, zoti Bislimi tha se është hartuar një projekt i marrëveshjes, pjesë të së cilës ende nuk janë miratuar nga Beogradi.

Ai tha se “nga e hëna Kosova dhe Serbia do të avancojnë në përdorimin e stikersave (fletëngjitëse) në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë që të kemi trajtim të barabartë”. Kjo tha ai, është masë e përkohshme dhe “do të formohet grup punues për gjetjen e një zgjedhje të përhershme për lëvizjen e lirë të makinave brenda gjashtë muajsh”.

Zoti Bislimi tha se sipas projekt-marrëveshjes, të shtunën forcat e KFOR-it do të zëvendësojnë njësitë e posaçme të policisë së Kosovës në vendkalimet kufitare ne veri dhe njëkohësisht duhet të hiqen barrikadat e vendosura nga protestuesit serbë.

As pala serbe e as i dërguari evropian nuk kanë folur rreth kësaj çështjeje, ndërsa zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se “takimi nuk ka përfunduar dhe se negociatat po vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën në veriun e Kosovës”.

Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, shkroi në Twitter se është në kontakt me Zv/Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar “që është në Bruksel për të mbështetur bisedimet e drejtuara nga BE-ja. Puna nuk ka përfunduar, por është arritur përparim i mirë”, shkroi ai duke nënvizuar se palët duhet të vazhdojnë punën për ta çuar deri në fund. “Koha është tani”, shkroi ambasadori Godfrey.

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, shkroi se “pavarësisht raportimeve në media, negociatat në Bruksel vazhdojnë. Është bërë përparim, por mbetet punë për t’u bërë. Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, shkroi ai.

Situatë e pandryshuar në veriun e Kosovës

Grupe qytetarësh serbë për të dhjetën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s, thanë të mërkurën se “në përgjigje të zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja, ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe ka vendosur njësi në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak”.

Në një postim në rrjetet sociale, KFOR –i tha se “mban një qëndrim të paanshëm, të vendosur dhe aftë për t’u përballur me të gjitha situatat e mundshme”, ndërsa komandanti i KFOR-it, Franco Federici, “gjithashtu mbetet në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e përfshira, për të kontribuuar për një ulje të shpejtë të tensioneve”.

Qeveria e Kosovës është pajtuar me ofertën e komandantit Federici që trupat e KFOR-it të sigurojnë vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

Por, oferta është refuzuar nga përfaqësuesit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës.

Nga e hëna e kaluar, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet ne Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme në veri për të mbështetur zbatimin e vendimit të saj.

Beogradi reagoi me zemërim dhe njoftoi ngritjen e gatishmërisë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe anulimin e reciprocitetit për targat e makinave.

Prishtina tha se është e gatshme të heqë dorë nga targat e përkohshme, nëse Beogradi vepron njësoj, ndërsa akuzoi Serbinë për nxitje tensionesh.

voa

Von der Leyen: Dialogu, rruga e vetme për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës

defaultKryetarja e KE, Ursula von der Leyen, tha në Prishtinë se është e shqetësuar për krizën në veri të Kosovës. Në Bruksel faktori ndërkombëtar po ndërmjetëson një takim Kosovë-Serbi pikërisht për situatën në veri.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, tha në Prishtinë se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës. Ajo tha se është e shqetësuar për situatën në veri, prandaj sipas Von der Leyen, është jetike që të ndodhë normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi. Këto komente, kryetarja e Komisionit Evropian i bëri gjatë qëndrimit në Kosovë, në kuadër të turnit të saj Ballkanit, dhe pas takimeve që zhvilloi me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

“Jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është me rëndësi që të shtensinohet situata dhe të kthehemi në tryezën e negociatave për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, dhe e vetmja mënyrë për këtë është përmes dialogut të lehtësuar nga BE, që është platforma e vetme për zgjidhjen e krizës aktuale”, tha Von der Leyen, në një konferencë  për medie. Ajo tha se mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje për situatën aktuale në veri është dialogu në Bruksel.

“Është më rëndësi që të ecim përpara në rrugën evropiane dhe ka rëndësi jetike që të bëhet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi”, tha von der Leyen.

Kurti: Serbia reagoi me forcë, me tanke dhe avionë rusë

Kryeministri Albin Kurti, nga ana e tij, tha ta ketë njoftuar për së afërmi Ursula von der Leyen-in për vendimin e qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në targa të veturave të Serbisë, të cilin nuk e quajti vendim të ri.

“E njoftova për gjendjen në vendkalimet kufitare, Bërnjak dhe Jarinë, se ne nuk kemi marrë vendim të ri, por vetëm po e zbatojmë një dakordim të mëhershëm. Fatkeqësisht, Serbia reagoi me forcë, duke përfshirë edhe tanke, automjete të blinduara e luftarake. Përveç këtyre ka angazhuar aeroplanë ushtarakë të prodhimit rus”, tha Albin Kurti, duke kërkuar që siҫ tha “të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinë pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës, e ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse të presidentit të Serbisë”.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga ana e saj, pas takimit me kryetaren e Komisionit Evropian, tha se “Kosova vetëm po e përmbush një aspekt ligjor siҫ është (reciprociteti në targa të veturave) dhe se nuk ka asnjë tendencë nga pala kosovare për ta tensionuar situatën e sigurisë“.

Osmani tha se”një tendencë e tillë, po shpërfaqet hapur nga pala serbe, e cila e ndikuar edhe nga qarqet ruse po përpiqet të shkaktojë destabilizim në gjithë rajonin e Ballkanit”. Ajo i kërkoi faktorit ndërkombëtar “të dënojë tendencat e Serbisë për destabilizim”.

Presidentja e Kosovës tha po ashtu se ia kujtoi von der Leye edhe njëherë që “Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash, ndaj ka kërkuar që BE-ja t`i mbajë premtimet ndaj Kosovës dhe që shtetet anëtare të BE-së ta respektojnë rekomandimin e Komisionit Evropian”.

Bislimi dhe Petkoviç takohen në Bruksel

Sidoqoftë, në dritën e zhvillimeve në veri të Kosovës, të mërkurën në Bruksel dy kryenegociatorët, ai i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë Petar Petkoviç, u takuan ndarasi me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmëssekretarin amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar. Ky i fundit, pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, tha se “ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës”.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar, duke shtuar se “duhet që urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura”.

E mërkura e datës (29.09) shënon ditën e dhjetë të bllokadës së rrugëve që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Banorët lokalë serbë në shenjë proteste me masën e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia të vendosur nga Qeveria e Kosovës, po mbajnë të bllokuara rrugët me kamionë dhe  vetura.

dw

Gazeta gjermane: Mosmarrëveshja Kosovë – Serbi alarmon NATO-n

PoliciaKosova së fundmi e ka ndaluar hyrjen e automjeteve me targa serbe në vend – anasjelltas, Serbia e ka bërë të njëjtën gjë me vite. BE-ja bën thirrje për shtensionim, raporton gazeta e njohur gjermane, Süddeutsche Zeitung duke përshkruar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Së voni, kur lidershipi i NATO-s ndërhyu, bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me më shumë sesa thjesht targa. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Mbrojtjes, nuk iu drejtua protestuesve që i kanë bllokuar dy pikëkalimet kufitare midis Serbisë dhe Kosovës për më shumë se një javë, por qeverive në kryeqytete: “Beogradi dhe Prishtina”, kërkoi ai , do të duhej të “përmbahen dhe ta rifillonte dialogun”, transmeton Gazeta Express.

Shkaktari për përshkallëzimin e fundit ishte një vendim nga qeveria në Prishtinë, sipas së cilit shoferët kur kalojnë në anën e Kosovës duhet ta vendosin një targë lokale të vlefshme përkohësisht. Natyrisht, kjo një kundërpërgjigje për praktikën e gjatë të qeverisë në Beograd për t’i detyruar shoferët kosovarë në anën e tyre të kufirit t’i përdorin targat serbe.

Pasi anëtarët e pakicës serbe në Kosovën veriore filluan ta bllokojnë kufirin me kamionë në shenjë proteste kundër vendimit të ri për targat, Kosova dërgoi njësi speciale të policisë në atë rajon. Beogradi pastaj shtoi trupat e ushtarëve pranë kufirit dhe bëri që avionët ushtarakë të fluturonin mbi atë zonë.

Përshkallëzimi është një katastrofë për Bashkimin Evropian. Pas fundit të administratës së Donald Trump në SHBA, e cila kishte nxitur trazira me simpati të hapur për planet e shkëmbimit të zonave përgjatë kufirit kosovaro-serb, shpresat në fakt u rritën në Bruksel se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit mund të ringjallej. Përfaqësuesi i BE-së për çështjet e jashtme, Josep Borrell u bëri thirrje të dyja palëve që ta “shtensionojnë pa kushte” situatën, shkruan Süddeutsche Zeitung.

Të hënën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i priti në takim ambasadorët nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe SHBA-ja, të cilët thuhet se i kërkuan atij që ta shtensionojnë situatën në kufi. Ai pastaj tha në një intervistë televizive se në bisedë me “ambasadorin e një prej vendeve më të fuqishme në botë” (emrin e të cilit ai nuk e tha), ishte bërë “emocional” herë pas here: “Ju doni të më tregoni se ku njësitë tona lejohet të lëvizë brenda territorit tonë? A je normal, njeri?”.

Në një deklaratë zyrtare, Vuçiq kishte deklaruar se është akoma i përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, por tha se në asnjë mënyrë nuk do ta pranonte “poshtërimin e Serbisë dhe qytetarëve të saj”.

Misioni paqësor ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO, KFOR ka rritur ndërkohë patrullimet rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë Kosovën veriore.

rtk

Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për uljen e tensioneve

Të mërkurën në Bruksel po qëndrojnë shefat e grupeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, për të diskutuar rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë.

Të dy negociatorët u takuan fillimisht ndarazi me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ndërsa diskutimeve u është bashkuar edhe Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.

Zoti Lajçak shkroi në Twitter pas takimeve ta ndara se “diskutimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës”.

Diskutimet së mërkurës u bënë të mundura me përpjekjet perëndimore për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë për të dhjetën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit për targat.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s zgjeruan patrullimet në zonë të hënën dhe thanë se kanë biseduar më qeverinë dhe udhëheqësit lokal serbë për uljen e tensioneve.

Ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të martën se serbët në veriun e Kosovës refuzuan një ofertë të trupave të KFOR-it që të përkujdesen për vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

“Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë dhe është ofruar që të sigurojë policinë tonë kufitare dhe pikat kufitare, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, prezenca e njësive speciale do të ishte e panevojshme. Por, edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste dhe me këtë refuzim, këta veç e kanë dëshmuar që nuk janë të brengosur, siç thoshin më herët, me praninë e forcave speciale, por qëllimet e tyre janë thellësisht politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, tha ministri Sveçla.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, konfirmuan të kenë refuzuar ofertën e KFOR-it.

Nga e hëna e kaluar, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet ne Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme në veri për të mbështetur zbatimin e vendimit të saj.

Beogradi reagoi me zemërim dhe njoftoi ngritjen e gatishmërisë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe anulimin e reciprocitetit për targat e makinave.

Prishtina tha se është e gatshme të heqë dorë nga targat e përkohshme, nëse Beogradi vepron njësoj, ndërsa akuzoi Serbinë për nxitje tensionesh.

voa

Navalny përballet me një hetim të ri, mund të dënohet me 10 vjet të tjera burg

Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexey Navalny po përballet me një hetim të ri kriminal nga hetuesit rusë që mund të çojë në dënimin e tij me 10 vjet të tjera burg.

Sipas një deklarate, hetimi i nisur të martën nga Komiteti Hetues i qeverisë ruse, i cili heton krimet e mëdha, e akuzon Navalny-n për krijimin dhe drejtimin e një “rrjeti ekstremist” qëllimi i të cilit ishte “ndryshimi i themeleve të sistemit kushtetues në Federatën Ruse”.

Hetuesit akuzojnë gjithashtu Navalny-n dhe aleatët e tij se kanë krijuar llogari në mediat sociale për të promovuar Fondacionin e ndaluar Anti-Korrupsion të Navalny-t “me qëllim të promovimit të veprimtarisë kriminale”.

“Aktivitetet ilegale të rrjetit ekstremist kishin për qëllim diskreditimin e autoriteteve shtetërore dhe të politikave të tyre,” thanë hetuesit.

Hetimi vjen pasi partia e Presidentit rus Vladimir Putin fitoi zgjedhjet parlamentare të Dhomës së Ulët më parë këtë muaj.

Aleatët e Navalny-t u ndaluan të konkurrojnë në zgjedhje, dhe javën e kaluar, në një mesazh nga burgu, Navalny tha se zgjedhjet ishin vjedhur.

Navalny, 45 vjeç, aktualisht është duke vuajtur një dënim dy vjet e gjysmë nën një akuzë për përvetësim në vitin 2014, e cila shihet gjerësisht si e motivuar politikisht.

Dënimi u pezullua por Navalny u arrestua për shkelje të lirimit me kusht në janar kur u kthye në Rusi nga Gjermania, ku po shërohej nga ajo që ai tha se ishte një sulm me agjent nervor nga Kremlini. Zyrtarët rusë i mohojnë akuzat e tij.

Në qershor, fondacioni i Navalny-t u nxorr i paligjshëm dhe autoritetet bllokuan faqet e internetit të drejtuara nga rrjeti i tij, duke i akuzuar ata për shpërndarjen e propagandës. Dy nga aleatët kryesorë të Navalny-t, Ivan Zhdanov dhe Leonid Volkov, po përballen gjithashtu me hetime penale.

voa

Von der Leyen në Ballkan nën hijen e konfliktit Kosovë-Serbi

Ursula von der LeyenUrsula von der Leyen vazhdon turin e saj në Ballkan, pas qëndrimeve në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ajo qëndron të mërkurën në Kosovë e Beograd. Vizita e saj kryhet para samitit BE-Ballkan Perëndimor në Slloveni.

Në sfondin e tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit, presidentja  e Komisionit Europian, (KE), Ursula von der Leyen, po zhvillon turin e saj ballkanik. Ajo u shpreh me shqetësim mbi tensionet aktuale dhe bëri thirrje për dialog dhe zgjidhjen e problemeve në tryeza negociatash. Von der Leyen qëndron të mërkurën në Kosovë dhe Beograd. Ajo takohet në Prishtinë me kryeministrin, Albin Kurti dhe në Beograd me presidentin, Aleksandar Vuçiq.

Presidentja e KE e cilësoi “shumë shqetësuese” situatën në veri të Kosovës. “Rritja e tensioneve Kosovë – Serbi është shqetësuese. Është thelbësore të ulen tensionet dhe t‘i rikthehen dialogut”, theksoi ajo në konferencën e shtypit në vizitën e saj disaorëshe në Tiranë të martën (28.09).  Kurse pas takimit me kreun e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në Shkup ajo u shpreh se “tani ka rëndësi çtensionimi”.

Ursula von der Leyen kujtoi historikun e themelimit të BE si model për Ballkanin. “Edhe BE u ndërtua në bazën e dialogut në fillimet e veta dhe më pas u bazua në zhvillimin ekonomik. Kjo solli mirëkuptim nga të gjitha palët dhe më pas pajtim. Ky është një proces i gjatë, që sjell një të ardhme me paqe dhe begati. Këtë dëshirojmë që të arrijmë”, tha von der Leyen. Mbi konfliktin aktual Kosovë-Serbi u shpreh në konferencën për shtyp me presidenten e KE në Tiranë edhe kryeministri Rama. „Paqja  e shumëkërkuar është e papërfunduar pa zgjidhur njëherë e mirë ꞔështjen e njohjes së Kosovës. „Kjo kërkon durim, dialog dhe krijim të besimit reciprok mes palëve” theksoi ai.

 Ursula von der Leyen, Tirana Albanien Procesi i Berlinit – rol thelbësor

Turi ballkanik i presidentes së Komisionit Europian zhvillohet në prag të samitit  BE-BP, që pritet të zhvillohet në 6 tetor në Slloveni, ku synohet të merren vendime të rëndësishme në lidhje me Procesin e Berlinit. Për von der Leyen Procesi i Berlinit ka rol thelbësor në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. “Nëse shohim ecurinë ekonomike, thellimin e marrëdhënieve dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, është Procesi i Berlinit kuadri që ne po përdorim dhe që shtyn përpara procesin e integrimit, ku 6 vendet e BP dhe ekonomitë e tyre përfitojnë,” tha ajo në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

Ursula von der Leyen i dha një mesazh të fortë Shqipërisë dhe rajonit të martën lidhur me zotimin e Bashkimit Europian ndaj procesit të hyrjes në BE, ku rol kyꞔ luan shpejtësia e Procesit të Berlinit, (PB). “E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Shqipëria i ka kryer detyrat. Jemi ne ata që duhet të bëjmë pjesën tonë. I kemi borxh rinisë shqiptare që beson tek e ardhmja europiane. Sa më i shpejtë Procesi i Berlinit, aqë më i shpejtë edhe integrimi në BE. Jap mbështetje të plotë për negociatat sa më shpejt”, tha ajo në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama të martën.

Presidentja e KE, tha se objektiv i saj është që “deri në fund të këtij viti të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare” e vendeve të BE, që hap ditën e gjelbër për fillimin e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Ne (KE) kemi punuar fort për çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare. Do të bëjmë gjithçka për të kapërcyer pengesat. Shpresoj shumë që të fillojmë me konferencën e parë ndërqeveritare në fund të këtij viti”, tha Von der Leyen.

EU I Ursula von der Leyen trifft Zoran ZaevProcesi i Berlinit” dhe nisma “Ballkani i Hapur”

Në kontekstin e rëndësisë së Procesit të Berlinit në përgatitjen e rajonit për të hyrë në BE, Presidentja e KE, u shpreh në Shqipëri edhe lidhur me nismën “Ballkani i hapur”, pas pyetjes nga mediat në konferencën e shtypit .”Çfarëdo lloj iniciative, që është brendapërbrenda Procesit të Berlinit apo që sjell bashkëpunimin, mirëpritet prej nesh. Ne nuk duhet të shikojmë me imtësi fjalët, por të shikojmë kontekstin, i cili propozohet, pra, të jetë një proces i hapur, gjithëpërfshirës, i cili i shtyn të gjithë të ecin përpara, i fton të gjithë që të jenë pjesë dhe thellon dhe marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe bashkëpunimin ndërmjet ekonomive të ndryshme të rajonit, që të ketë një integrim të thellë të tyre, sepse kjo në vetvete është pjesë e procesit. Këto iniciativa duhet të jenë gjithëpërfshirëse që të respektojnë objektivin e përbashkët të këtij integrimi gjithnjë e më të fortë të tregut rajonal. Këto iniciativa do të mirëpriten si të tilla, ato duhet të jenë vizionare për të ardhmen, duhet të respektojnë objektivat e përbashkëta dhe kështu do të kenë dhe mbështetjen time të plotë,” tha von der Leyen.

Kryeministri Rama në Tiranë e mbrojti sërish në konferencën e shtypit me Ursula von der Leyen nismën “Open Balkans”, kur tha se “ky proces nuk është një proces i dytë që konkurron me të parin apo aq më pak që bie ndesh me të parin. I vetmi ndryshim është që Procesin e Berlinit e udhëheqin miqtë dhe partnerët tanë që kanë një mijë hallë të tjera dhe nuk zgjohen me mendimin sesi po ecën procesi”, tha kryeministri Rama. Ai theksoi se nisma/projekti në fjalë “është vendosur dhe “Ballkani i Hapur” do të realizohet.

Deutschland Westbalkan-Konferenz 2014 BerlinBE: 600 euro shtesë për Shqipërinë brenda 2021

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen theksoi edhe njëherë mbështetjen e BE për Ballkanin Perëndimor. Me shifra konkrete në Tiranë ajo theksoi mbështetjen që jep BE. BE i ka dhënë Shqipërisë 230 milionë euro grante dhe financime për rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid -19, tha von der Leyen. Por kjo është një rimëkëmbje “që do të zgjasë me vite, solide pasi qytetarët e Shqipërisë dhe sidomos rinia meritojnë një të ardhme të gjelbër dhe më dixhitale. Ata kanë nevojë për vende pune, që janë të mirëpaguara. Ky është në fakt Plani ynë Ekonomik dhe i Investimeve për BP.” Por sipas presidentes së Komisionit Europian, e rëndësishme është “që ju vetë keni bërë propozime për projekte cilësore, solide, të forta që së bashku të sjellim edhe 20 miliardë euro të tjera investime. Deri tani kemi sjellë 500 milionë euro dhe do të propozojnmë një shtesë prej 600 milionë eurosh të tjera për këtë vit,” tha ajo.

dw

MPJ gjermane kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i lënë provokimet

Berlin | Auswärtiges AmtNisur nga situata e tensionuar në kufirin Kosovë-Serbi, ministria e Jashtme të Gjermanisë ka bërë thirrje për uljen e tensioneve dhe kthimin në tryezën e bisedimeve.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në një prononcim për Deutsche Wellen, ministria e Jashtme në Berlin thotë ndër të tjera se po e “ndjek me vëmendje gjendjen e krijuar në veri të Kosovës dhe në pikat ndërkufitare midis Kosovës dhe Serbisë. Ne kërkojmë nga të dyja palët që t’i lënë provokimet e çdo lloji dhe të çtensionojnë situatën sa më shpejt.

Në prononcim thuhet më tej se Gjermania vijon ta mbështesë “pa kufi punën e të ngarkuarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak,për të forcuar dialogun e udhëhequr nga BE, për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. Po ashtu, diplomacia gjermane nënvizon se mbështet edhe “deklaratat e fundit të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për këtë temë”.

Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e përshëndeti edhe takimin e sotëm, më 29 shtator, në Bruksel, ndërmjet drejtuesve të ekipeve negociatore të Serbisë dhe Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Sekretari gjerman i shtetit, Miguel Berger, theksoi në një mesazh në Twitter të martën që të dyja palët tani duhet të çtensionojnë situatën dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve. “Progresi në dialog është në interes të të dyja palëve”, shkroi Berger, pas një takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi, në Berlin.

Bislimi është takuar në Berlin me një sërë zyrtaresh nga ministria e Jashtme  e Gjermanisë, zyra kancelarore dhe përfaqësues të ekonomisë gjermane.

dw

BE nuk jep më garanci për anëtarësimin e Ballkanit

Selia e Komisionit Evropian në BrukselBashkimi Evropian, nga frika e reagimit politik në vendet anëtare, nuk mund të pajtohet më për të dhënë garanci për anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, citon agjencia e lajmeve Reuters katër diplomatë të bllokut dhe një dokument të brendshëm.

Lajmi vjen përpara një samiti të BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – që do të mbahet më 6 tetor në Slloveni.

Sipas një draft-deklarate të datës 11 shtator dhe të parë nga agjencia Reuters, në këtë samit, BE-ja ka planifikuar të përsërisë premtimin e saj të bërë 18 vjet më parë, për “mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

Por, kjo draft-deklaratë ka kaluar në së paku dy raunde bisedimesh pa marrëveshje, thanë diplomatët.

Reuters shkruan se ky mospajtim në BE “përkon me shpërthimin e tensioneve në kufirin Kosovë-Serbi”.

Kriza atje ka nisur më 20 shtator, për shkak të disa masave të reciprocitetit që Kosova i ka vënë Serbisë.

Në një samit të mbajtur në vitin 2003 në Selanik të Greqisë, shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, ku kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”, kanë thënë ato.

Që atëherë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

rel