Sfidat e Presidentit Biden në politikën e jashtme

Sfidat e Presidentit Biden në politikën e jashtmeSekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po mbron politikën e jashtme të Presidentit Joe Biden, ndërsa administrata përballet me kritika të ashpra lidhur me trajtimin e migrantëve haitianë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, tërheqjen amerikane nga Afganistani si dhe një marrëveshje për nëndetëse bërthamore me Australinë që zemëroi Francën.

Presidenti Joe Biden i tha Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se bota është në një pikë kthese, ndërsa u zotua të kalojë nga një epokë e “luftërave të pamëshirshme” në një epokë të “diplomacisë së pandalshme”, me Shtetet e Bashkuara të angazhuara ndaj institucioneve shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara.

Por largimi i nxituar nga Afganistani, duke lënë pas një numër të panjohur afganësh që ndihmuan Shtetet e Bashkuara, është vetëm një nga sfidat e shumta të politikës së jashtme me të cilat është përballur Shtëpia e Bardhë gjatë javëve të fundit.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken u përball me pyetje të vështria lidhur me politikën e jashtme të Presidentit Biden gjatë një konference shtypi në Kombet e Bashkuara. Kryediplomati amerikan tha se të gjithë ata me të cilët kishte folur në OKB e kishin vlerësuar vizionin e politikës së jashtme të zotit Biden.

“Një Amerikë e vendosur për të punuar ngushtë me vendet e tjera. Një Amerikë që e kupton se asnjë nga problemet dhe sfidat e mëdha me të cilat përballemi, nga pandemia, klima e deri tek ndikimi negativ i teknologjive në zhvillim, asnjë prej tyre nuk mund të trajtohet nga secili prej nesh duke vepruar i vetëm”, tha kryediplomati Blinken.

Por shumica e ekspertëve pajtohen se administrata e Presidentit Biden ka pasur disa pengesa në politikën e jashtme, përfshirë zemërimin e Francës. Zëri i Amerikës foli përmes rrjetit Skype me ekspertin Brian Katulis të Qendrës për Progres Amerikan

“Qendra e gravitetit të fokusimit të kësaj administrate të re ka qenë brenda vendit, trajtimi i pandemisë, vaksinimi dhe situata ekonomike. Një pjesë e madhe e kohës personale të presidentit, edhe pse foli në OKB ditë më parë, mendoj se ai do ta shpenzojë shumicën e kohës këtë javë duke diskutuar me Kongresin, për t’i binduar ata për planin e tij të infrastrukturës dhe rrjetin e sigurisë sociale.”

Ekspertët e tjerë thonë presidenti është shumë i përqendruar në zgjidhjen e problemeve të brendshme, në disa raste në dëm të politikës së jashtme. Aaron David Miller është me organizatën “Carnegie Endowment for International Peace”.

“Së pari, … e shpërqendron atë. E bën atë të përqendrojë vëmendjen tek ato që ai dëshiron të bëjë, që të bëhet president i ndryshimeve në vend.”

Zoti Katulis thotë se disa probleme afatgjata në Departamentin e Shtetit ka të ngjarë të kenë luajtur gjithashtu një rol.

“Mendoj se ka disa probleme institucionale, në anën civile të diplomacisë amerikane dhe Departamentit të Shtetit. Kjo nuk është diçka e re dhe as që lidhet me administratën Biden apo Trump. Është një problem i gjatë i këtyre organizatave, në thelb që nga 11 shtatori, duke u lënë në hije si nga Pentagoni ashtu edhe nga agjencitë e zbulimit”.

Kongresi gjithashtu mund të jetë pjesërisht fajtor, thotë për Zërin e Amerikës Christopher Skaluba me Këshillin e Atlantikut.

“Në Departamentin e Shtetit dhe brenda Departamentit të Mbrojtjes, mendoj se ende po vazhdon rikuperimi nga neglizhimi i viteve të zotit Trump, dhe gjithashtu për çfarëdo lloj arsyeje, po ashtu ka qënë i ngadaltë konfirmimi i drejtuesve në shumë nga këto poste. Administrata ishte disi e ngadaltë në emërimin e drejtuesve dhe tani Kongresi është shumë i ngadaltë në konfirmimin e tyre. Nëse flasim për sigurinë transatlantike në veçanti, ende nuk kemi një ambasador në NATO”.

I rritur në Paris, kryediplomati Blinken është zotuar se do të punojë shumë për të rivendosur marrëdhëniet e ngushta mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës, duke thënë se do të duhet kohë.

voa

Nju Jork – Punonjësit e kujdesit shëndetësor përballë vaksinës me detyrim

E hëna shënoi afatin e fundit për vaksinimin kundër koronavirusit për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor në spitale dhe shtëpitë e të moshuarve në shtetin e Nju Jorkut. Personeli i kujdesit shëndetësor në objektet e tjera ka afat të vaksinohen deri më 7 tetor.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, ka thënë se do të thërrasë personelin mjekësor të Gardës Kombëtare për të mbuluar ndonjë mungesë që mund të lindë nëse punonjësit e kujdesit shëndetësor refuzojnë të respektojnë afatet e vaksinimit të detyrueshëm.

Punonjësit që refuzojnë vaksinimin pa një kërkesë të vlefshme të miratuar nga mjeku që justifikon mosvaksinimin, tha zyra e guvernatores, do të pushohen nga puna dhe nuk do të kenë të drejtë të marrin ndihmë sociale si të papunë.

Përveç Gardës Kombëtare, zyra e guvernatores tha se Nju Jorku gjithashtu mund të bashkëpunojë “me qeverinë federale për të vendosur Ekipet e Ndihmës Mjekësore për raste Fatkeqësish (DMAT) për të ndihmuar sistemet lokale shëndetësore dhe mjekësore”.

“Që nga 22 shtatori, 84% e të gjithë punonjësve të spitaleve në shtetin e Nju Jorkut rezultojnë plotësisht të vaksinuar”, tha zyra e guvernatores. “Që nga 23 shtatori, 81% e stafit në të gjitha objektet e kujdesit për të rriturit dhe 77% e të gjithë stafit në qendrat për të moshuarit në shtetin e Nju Jorkut ishin vaksinuar plotësisht”.

Ndërkohë Koreja e Jugut njoftoi të hënën se në tetor, do të fillojë vaksinimin e grupmoshës nga 12 deri në 17 vjeç dhe do të ofrojë doza përforcuese për grupmoshën 75 vjeç e lart, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Programi i dozës përforcuese ka ardhur si rezultat i shtimit të infektimeve pas festës koreane treditore (Chuseok) për korrjet e vjeshtës. Rreth 85% e infektimeve të fundit rezultonin mes popullsisë së pavaksinuar plotësisht, njofton gazeta “The New York Times” të ketë thënë kryeministri i atij vendi.

Ndërkohë, një anëtar i katërt i delegacionit brazilian në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Pedro Guimaraes tha të dielën se është plotësisht i vaksinuar, asimptomatik (që nuk shfaq simptoma) dhe ka qenë në karantinë që nga e mërkura.

Drejtoresha e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, tha në programin televiziv “Face the Nation” të rrjetit CBS se fëmijët duhet të jenë në gjendje të marrin pjesë në festën e Halloween-it këtë vit.

Zonja Walensky gjithashtu paralajmëroi se për shkak të pandemisë, “Unë nuk do të shkoja domosdoshmërisht në një festë me shumë njerëz në Halloween, por mendoj se duhet të jemi në gjendje t’i lëmë fëmijët të marrin pjesë në grupe të vogla.”

Shtetet e Bashkuara festojnë Halloween-in çdo vit në ditën e fundit të tetorit. Fëmijët vishen me kostume dhe shkojnë shtëpi më shtëpi, duke kërkuar karamele dhe ushqime të tjera.

Në fillim të vitit, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) shkroi në Twitter: “Ju nuk jeni kuaj, as lopë. Seriozisht, të gjithë. Ndaloni.”, një mesazh për njerëzit që përdorin ilaçin “ivermectin”, që sherben kundër parazitëve tek bagëtitë dhe që gabimisht po promovohej si një trajtim ndaj koronavirusit. Mesa duket jo të gjithë e kuptuan mesazhin.

Gazeta “Financial Times” njofton se FDA deri tani, këtë vit, ka marrë 49 raporte për helmime dhe reagime të tjera serioze të lidhura me përdorimin e ilaçit “ivermectin” për të trajtuar infektimet me koronavirus. Ky është dyfishi i numrit të rasteve të raportuara gjatë gjithë vitit 2020. Të paktën 14 njerëz humbën jetën mes 49 rasteve të raportuara, edhe pse nuk është e qartë nëse ato ishin të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e ilaçit “ivermectin”.

Qendra e përpunimit të të dhënave për koronavirusin në Universitetin Johns Hopkins tha të hënën se në shkallë globale, aktualisht ka afro 232 milion raste me koronavirus dhe numërohen afro 5 milionë vdekje. Më shumë se 6 miliardë vaksina janë administruar në mbarë botën, tha qendra.

voa

“Manovra teatrale në veri”/ Rama mbështet Kosovën: Serbia nuk ka të drejtë ta bëjë “mizën buall”! Të zbatojë marrëveshjen

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë në një konferencë për shtyp me homologun Albin Kurti, qeverisë të së cilit i dha plotësisht të drejtë për reciprocitetin e targave dhe bëri thirrje për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë.

Edi Rama: Më vjen fort mirë të vizitoj Prishtinën pas asamblesë së OKB ku çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë e vizitës sonë në Nju Jork dhe mbetet e tillë. Po ashtu një nga përparësitë e Shqipërisë si anëtare e OKB do të jetë pikërisht nxitja e njohjes nga të gjithë e realitetit të Kosovës si përmbyllje e natyrshme edhe formalisht e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Është Serbia që duhet ta njohë dhe është për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të çlirimit përfundimtar nga e shkuara, jemi dëshmitar të manovrave teatrale në kufi me Kosovën.

Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovën sikundër pretendohet nga Beogradi zyrtar, madje edhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës më shumë se 20 vjet më parë sikur kanë dalë nga varri me pretendimin që do mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serb në Kosovë. Në fakt qytetarët serb në Kosovë jetojnë të pa kërcënuar nga askush, madje ju paguhen edhe faturat e energjisë elektrike si askujt askund, jo vetëm në Ballkan por edhe në botë.

Ato manovra sjellin në skenë hijen e së shkuarës dhe nxisin vandalizëm të institucioneve që janë për t’i shërbyer qytetarëve serb që janë pengje të stanacionit të dialogut së Serbisë dhe Kosovës. Targat janë e drejtë legjitime por dhe marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive respektive. Qëndrimi i Shqipërisë, të cilin e gjykoj të drejtë dhe të pandryshuar që nga çasti i parë kur u shfaq ky konflikt, e drejta këtu është me Kosovën dhe pikë dhe Serbia nuk ka asnjë të drejtë të kthejë targat dhe “mizën ta bëjë buall” a thua se Kosova po paralajmëron luftë kur në fakt po kërkon zbatimin e marrëveshjes.

Dua të përsëris qëndrimin tonë se tani më që problemi është shtruar dhe askush nuk e diskuton domosdoshmërinë e regjimit të reciprociteti të targave duhet të bëhet kujdes se nuk cenohet siguria dhe të mos kthehet problem mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Shqipëria e ndan bindjen se problemi të zgjidhet me dialog dhe besoj se mund të ndodhë duke shmangur konfliktin. Natyrisht që edhe këtu duhet të jemi shumë të qartë se i takon qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës si do ta trajtojnë këtë situatë delikate, por mund të them se është mundësi e mirë për të treguar gatishmërinë për dialog të barabartë dhe për ta çuar në një nivel të ri dhe me mbështetjen e miqve dhe partnerëve strategjik të Kosovës që të zëvendësohen forcat ushtarake me forcën e arsyes.

Top Channel

Konferenca e përbashkët me Ramën/ Albin Kurti tregon çfarë kanë biseduar: Ramë dakord që…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe homologu i tij shqiptar, Edi Rama janë duke mbajtur një konferencë të përbashkët, në Prishtinë.

Kurti: Jam i nderuar me vizitën e Ramës dhe kabinetit të tij në fillim të mandatit të ri, duke e uruar edhe një herë duke i uruar mandat sa më të arritur. Mandatet, të dyja qeveritë i kemi marrë me plotë sfida.

Kosova i gëzohet progresit në Shqipëri dhe zhvillimit të mbarë shqiptarëve kudo. Dy qeveritë kanë potencial për të realizuar projekte që priten nga qytetarët e dy vendeve. Duhet të rrisim bashkëpunimin për më shumë drejtësi, bashkëpunim, për të dyja popujt.

Do punojmë që sëbashku që tregu të jetë sa më unik që qytetarët, shërbimet, kapitali, mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Nëse ka vende ku kjo duhet të bëhet sa më shpejt është Kosova dhe Shqipëria.

Biseduam për të gjitha fushat e qeverisjes sonë të mirë dhe në veçanti u zotuam që e shohim si te rëndësishëm koordinimin gjithandej.

Sot biseduam për vazhdimin e marrëveshjeve ekzistuese. Ku janë nënshkruar rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle. U vendos edhe mbledhja e përbashkët e dy qeverive që do të jetë në gjysmën e dytë të muajit nëntor. U dakorduam që ta kemi edhe një sekretarit koordinues për marrëdhëniet tona bilaterale që do të udhëhiqet nga Gentuian Sala.

 

Top Channel

Rezultati zyrtar paraprak: Fitore e ngushtë e SPD-së

Deutschland Wahlen I SPD I Sipas rezultateve paraprake zyrtare, zgjedhjet e Bundestagut i ka fituar Partia Socialdemokrate, SPD, e cila arriti të marrë 25,7% të votave.

Sipas rezultateve të bëra të ditura nga drejtuesi federal për zgjedhjet të hënën në mëngjes, zgjedhjet e Bundestagut i kanë fituar socialdemokratët më 25,7%, kurse Unioni konservator i CDU/CSU-së renditet i dyti me 24,1%Të Gjelbrit renditen të tretët me 14,8%, të ndjekur nga FDP-ja me 11,5% dhe partia populiste e djathtë, AfD me 10,3%. E Majta arriti vetëm 4,9% të votave, dhe nuk kalon kuotën e 5%, por për shkak se arriti të marrë tre mandate të drejtpërdrejta, hyn në fuqi klauzola bazë e mandateve, kjo nënkupton që E Majta do të hyjë me 39 deputetë në Bundestag.

SPD-ja sipas këtyre të dhënave arrin të marrë 209 vende në parlament, kurse CDU-ja 151, CSU-ja 45, Unioni arrin së bashku 196 mandate. Të Gjelbrit kanë 118 deputetë në Bundestag, FDP-ja 92 dhe e AfD-ja 83. Pas shumë kohësh sërish një vend në Bundestag e merr edhe Shoqata e Zgjedhësve të Shlesvigut Jugor, sepse për partinë e pakicës së danezëve dhe frizëve nuk vlen kuota e 5% dhe klauzola e mandateve bazë.

Bundestagu i ri do të ketë më shumë deputetë se kurrë më parë. Sipas të dhënave zyrtare në të do të ulen 735 deputetë., me këtë tejkalohet numri rekord i 709 parlamentarëve të legjislaturës së kaluar. Shumica absolute arrihet me 368 deputetë.

Koalicionet e mundshme nga ana matematikore do të ishin një koalicion i SPD-së, Të Gjelbërve dhe liberalëve me 416 mandate, si edhe një aleancë e Unionit, Të Gjelbërve dhe liberalëve me 406 mandate. Për një koalicion SPD, E Majta dhe Të Gjelbrit nuk mjaftojnë votat.

la/ag

Kryeministri Rama nesër në vizitë zyrtare në Kosovë, zbardhet axhenda

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të qëndrojë nesër për një vizitë njëditore në Kosovë, duke mbajtur kështu premtimin që i bëri homologut të tij kosovar Albin Kurtit.

Rama viziton Kosovën pas kthimit nga SHBA ku mori pjesë në Asamblenë e OKB-së.

Bashkë me Ramën do të jetë edhe një pjesë e kabinetit qeveritar. Vizita e Ramës zhvillohet pas ftesës së Kurtit, kur ky i fundit e uroi me rastin e zgjedhjes për herë të tretë kryeministër i Shqipërisë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nesër, më 27 shtator 2021, duke filluar nga ora 08:50, pret me ceremoni shtetërore në Sheshin “Skënderbeu”, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë. Pas takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin
Kurti dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, mbajnë konferencë për media në ora 10:20”, shkruajnë mediat në Kosovë.

Top Channel

BE-ja kërkon largimin e policisë së posaçme dhe barrikadave në veriun e Kosovës- paralajmëron takim negociatorësh

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ulin tensionet në terren duke tërhequr menjëherë njësitë e posaçme të policisë dhe hequr barrikadat, ndërsa paralajmëroi një takim në Bruiksel të negociatorëve të të dyja palëve, në ditët në vijim.

Zoti Borrell tha nëpërmjet një komunikate se janë të papranueshme provokimet e mëtejme dhe veprimet që nuk janë të bashkërenduara dhe se udhëheqësit e të dyja palëve janë përgjegjës për çdo mundësi të rrezikimit të sigurisë dhe mirëqenies së komuniteteve në të dyja vendet.

Ai ritheksoi se bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë e vetmja platformë për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

“Ardhja e shefave të grupeve negociatore në Bruksel ditët në vijim është një hap i parë pozitiv. Është thelbësore që ata të vijnë me një mandat për të diskutuar rrugën përpara dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që janë në interes të qytetarëve”, theksoi zoti Borrell, duke nënvizuar se pret që Kosova dhe Serbia të krijojnë një mjedis të favorshëm për pajtim dhe qëndrueshmëri rajonale, që është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Grupe qytetarësh serb për të shtatën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët për në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak, në veriun e banuar me shumicë serbe, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Autoritetet e Kosovës janë shprehur të gatshëm që të heqin masën e reciprocitetit në rast se edhe Serbia zotohet të bëj të njëjtën gjë për makinat me targa të Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi.

Por, zyrtarët në Beograd, që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, kanë hedhur poshtë një gjë të tillë duke kërkuar që njësitë e posaçme të policisë së Kosovës të largohen nga veriu dhe autoritetet në Prishtinë të heqin masën e vendosur më 20 shtator. Serbia ka hedhur poshtë mundësinë e vazhdimit të bisedime në Bruksel pa u përmbushur këto kushte, ndërsa ka ngritur gatishmërinë luftarake të trupave të saj në afërsi të kufirit me Kosovën.

Të shtunën autoritetet në Kosovë thanë se është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në ndërtesën e e komunës së Zubin Potokut, ndërsa në një tjetër qendër të tillë në komunën e Zveçanit janë hedhur bomba, që nuk kanë shpërthyer.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin e Kosovës dhe po e cenojnë paqen. Ai diskutoi këto cështje një natë më parë në Këshillin e Sigurisë së Kosovës dhe të dielën edhe me opozitën.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të dielës se ka biseduar me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës për “nevojën e uljes së tensioneve në veriun e Kosovës. Është thelbësore që Beogradi dhe Prishtina të përmbahen dhe t’u kthehen bisedimeve”, shkroi ai në rrjetete sociale, duke theksuar se mandati i KFOR-it ëstë siguria dhe lëvizja e lirë për të gjithë.

Mijëra trupa të udhëhequra nga NATO-ja kujdesen për paqen dhe sigurinë në Kosovë.

Thirrjeve për përmbajtje ju bashkua edhe ambasadori gjerman në Prishtinë Jorn Rohde, i cili në një postim në rrjetet sociale tha se situata në veri duhet të qetësohet, ndërsa u bëri thirrja palëve që të flasin, siç tha, me njëra tjetrën, në vend se të flasin për njëra tjetrën.

voa

Humbje të ndjeshme për Unionin pas epokës Merkel

Bundestagswahl 2021 | Wahlparty der SPDRezultat zgjedhor i ngushtë ashtu siç parashikohej, megjithatë SPD sipas llogaritjeve të para(19:59) kryeson lehtë. Shenjat janë për ndryshim pushteti në Gjermani, por gjithçka tani varet nga Të Gjelbrit dhe liberalët.

CDU si e paralizuar. Entuziazëm tek qendra e Partisë Socialdemokrate, SPD. Këto zgjedhje në Gjermani po japin shenjat e ndryshimit të pushtetit. CDU-ja pësoi humbje të ndjeshme, dhe shënoi rezultatin më të dobët të të gjitha kohërave në federatë. Sipas llogaritjeve të para – aktualizim i orës 19:59 – Infratest dimap/ARD –  CDU/CSU arrin në 24,5%, rreth 8,2 pikë më pak se në vitin 2017, kurse SPD-ja 25,5%, rreth 4,4% pikë më shumë. Të Gjelbrit renditen të tretët me 13,8% para FDP-së me 11,7%, partia populiste e djathtë, AfD arrin 10.9%. Të Majtët pësuan humbje të ndjeshme dhe arritën vetëm kufirin 5%.

Me këtë rezultat (parapak) rritet pesha e Të Gjelbërve dhe liberalëve, roli i tyre është përcaktues në një koalicion të ri. Por vetëm muajt e ardhshëm do të tregojnë, se cilat parti do të krijojnë qeverinë e re në Gjermani. Në vitin 2017 kjo fazë zgjati gati një gjysmë viti.

Pokeri politik fillon

Pak minuta pas mbylljes së qendrave të votimit filloi pokeri politik. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak, dukshëm i tronditur pas prognozave të patra, foli disa herë për “humbje të hidhura”, që duhen analizuar. Në të njëjtën kohë ai u shpreh për një “koalicion të së ardhmes me Unionin, FDP-në dhe Të Gjelbrit”. Ky koalicion thirret koalicioni Xhamajka në Gjermani, duke iu referuar flamurit të shtetit të Karaibeve. “Duhet të bëjmë atë që është e mirë për vendin tonë”, tha Ziemiak.

Mes selisë së CDU-së, Konrad Adenauar Haus dhe selisë së SPD-së, Willy-Brandt-Haus ka një distancë prej 3,5 kilometrash, por e diela zgjedhore e zmadhoi shumë këtë distancë. Ai është “shumë krenar” për partinë e tij, tha ministri aktual i Punës, Hubertus Heil në një vlerësim të parë. CDU ka humbur, SPD shtoi votat. Kurse Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil shikon shprehimisht dhënien e mandatit nga votuesit për krijimin e qeverisë së re.

Tendenca

Me këtë konfirmohen në tendencë rezultatet e sondazheve, që të linin të kuptoje një ndryshim pushteti. Para gati një muaji, SPD për herë të parë në një sondazh të Forsas-s parakaloi CDU-në në preferencën e votuesve. Për një kohë madje kjo diferencë arriti 4 pikë. Prej 19 vitesh ishte Unioni që kryesonte sondazhet. Votimet e së dielës konfirmuan, se rezultati doli shumë më i ngushtë, se e mendonte SPD-ja. Por Unioni megjithatë është humbësi i së dielës.

Pjesëmarrja në votime sipas të dhënave ka qenë rreth 76%. Kjo i përgjigjet po asaj pjesëmarrjeje si në zgjedhjet e vitit 2017, 76,2%. E pazakontë ishte se në Berlin u votua edhe pas orës 18:00, sepse para qendrave të votimit ishin krijuar radhë të gjata votuesish, ose edhe sepse mungonin fletëvotime.

Laschet me pretendim për qeverisje

I pari nga të tre kandidatët për kancelar që doli para kamerave ishte Armin Laschet. Ai foli për një situatë të pazakontë, për herë të parë vendi duhet të drejtohet nga një koalicion me tre parti. Laschet formuloi pretendimin për postin e kancelarit. Ai theksoi qartë aspektet e ekonomisë dhe mbrojtjes së klimës. Laschet ishte ulur që në orën 17:00 në katin e fundit të Konrad Adenauer Haus së bashku me kancelaren Merkelpër të pritur rezultatet. Ditët e ardhshme do të jenë shumë intensive tek kristiandemokratët, pavarësisht çështjes së koalicionit.

Pas Laschetit doli para kamerave, kandidati i socialdemokratëve, Olaf Scholz, i pritur me entuziazëm. Ai iu referua shtimit të votave të partisë së tij, dhe humbjeve tek Unioni. Scholz theksoi, se me këtë rezultat mandati për qeverinë i përket SPD-së. Kështu ka shumë shenja për një garë të fortë mes Unionit dhe SPD-së, se kush do të bëjë për vete Të Gjelbrit dhe liberalët.

Për herë të parë parlamenti i ri, Bundestagu, sipas deklaratave në ditën e zgjedhjeve, do të mblidhet në datën më të vonë të mundshme më 26 tetor. Por që të martën do të takohen disa grupe parlamentare për seancat e para, ku zgjidhen krerët e grupeve parlamentare. Tek Unioni priten përplasje, e mund të shtrohet edhe çështja e ndryshimeve në drejtim.

Zgjedhjet përfunduan, shenjat janë për ndryshim pushtetipor shumë çështje mbeten të hapura.

dw

Analisti malazez Aleksandar Zekoviq për situatën politike dhe të sigurisë në Mal të Zi

Analisti malazez Aleksandar Zekoviq për situatën politike dhe të sigurisë në Mal të ZiAnalisti i njohur malazez dhe eksperti për të drejtat e njeriut në Mal të Zi, Aleksandar Zekoviq tha se fërkimet e shtuara ndëretnike dhe ndërfetare në Mal të Zi rrezikojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajonin e Ballkanit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zekoviq akuzoi Rusinë dhe Serbinë zyrtare se me ndihmën e Kishës Ortodokse Serbe po ndërhynë në punët e brendshme të Malit të Zi, në përpjekje për të zgjeruar hegjemonizmin serb në rajon.

Analisti i njohur malazez dhe eksperti për çështjet e të drejtave të njeriut në Mal të Zi, Aleksandar Sasha Zekoviq, vë në dukje rrezikun e fërkimeve politike dhe ndëretnike në Mal të Zi që rrezikojnë qëndrueshmërinë në vend dhe rajon.

Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, Zekoviq tha se kërcënimi i demokracisë shumetnike në Mal të Zi u thelluan me shugurimin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

“Shugurimi i peshkopit të ri të Kishës ortodokse Serbe në Mal të Zi i ka thelluar edhe më shumë ndarjet ndëretnike, posaçërisht midis malazezëve dhe serbëve në Mal të Zi. Kjo ndodhi për shkak se vendimi për shugurimin e peshkopit serb u bë nga politikanët duke e komplikuar skajmërisht situatën e sigurisë dhe të marrëdhënieve ndëretnike në vend”, tha zoti Zekoviq.

Zoti Zekoviq, i cili një kohë të gjatë punoi edhe si kryetar I Këshillit të Kontrollit Qytetar të Policisë në Mal të Zi, shfaq kritika të ashpra për punën dhe veprimin e policisë malazeze.

“Policia po cenon liritë dhe të drejtat e njeriut me trysnitë politike ndaj qytetarëve. Kështë në mënyrë masovike po ftohen qytetarët në të ashtuquajtura “bisedë informative”, që është një metodë e kohës komuniste me qëllim që qytetarët të frikësohen dhe të evidentohen në dokumentet e policisë”, tha zoti Zekoviq.

Ai shprehu shqetësimin për ngecjen e plotë të Malit të Zi drejtë integrimeve evropiane dhe humbjes së perspektivës evropiane në vend.

“Rruga jonë drejt integrimeve evropiane në tërësi është ndaluar dhe përgjegjësinë për këtë e ka pushteti ekzekutiv dhe shumica parlamentare. Për këtë arsye është e nevojshme të krijohet një qeveri e re me forcat politike proevropiane, ku do të përfshiheshin edhe partitë e pakicave në vend,” tha Zekoviq.

Zekoviq, vuri në dukje se ndikimi i ndërhyrjes ruse dhe serbe në Mal të Zi është shumë problematike dhe paraqet rrezik për të ardhmen e Ballkanit.

“Ka një vit që qeveria e Malit të Zi tërësisht është e angazhuar në strategjinë programore dhe në përcaktimin e Rusisë dhe të Serbisë Zyrtare. Kjo vërehet me ndërhyrjet e ndryshme të Beogradit në punët e brendshme të Malit të Zi. Në këtë kuadër Rusisë dhe Serbisë po i ndihmon Kisha Ortodokse Serbe, e cila është në pararoje të hegjemonizmit serb në rajon”, tha analisti i njohur malazez Aleksandar Zeqeviq.

voa

Magneti gjigant që do të ndihmojë në prodhimin e energjisë së pastër

Magneti gjigant që do të ndihmojë në prodhimin e energjisë së pastërNdryshimet klimatike kanë shpejtuar garën për të gjetur burime alternative të energjisë, të cilat nuk lëshojnë gaz karbonin dhe nuk krijojnë efektin serë në atmosferë. Shkencëtarët thonë se tashmë mund të jemi edhe një hap më pranë këtij qëllimi. Shkencëtarët në një impian gjikand në Francë po instalojnë pjesën e parë të një magneti gjigant, i cili do të ndihmojnë në prodhimin në masë të energjisë së pastër, e cila nuk dëmton ambjentin përreth nesh.

Shkencëtarët në Reaktorin Ndërkombëtar Eksperimental Termonuklear në Francën jugore kanë marrë pjesën e parë të një magneti masiv, aq të fortë, saqë prodhuesi amerikan pretendon se mund të ngrejë një avion transportues.

Pothuajse 20 metra i gjatë, e me një diametër prej më shumë se katër metrash pasi të montohet plotësisht, magneti do të jetë një komponent vendimtar në përpjekjen e 35 vendeve për ta përsosur teknologjinë e fuzionit bërthamor, për të cilën shkencëtarët besojnë se do të prodhojë energji të pastër në shkallë të gjerë.

Kjo është pjesa e parë nga gjashtë të tilla që do të formojnë magnetin qendror (ITER), një projekt që ka nisur që në vitin 1980.

Plotësisht i montuar, ai do të jetë 18 metra i gjatë dhe 4.25 metra i gjerë, dhe do të peshojë një mijë tonë.

Ky magnet është reaktori më i madh i fuzionit në botë, qëllimi i tij është të mundësojë që vendet të krijojnë dhe instalojnë impiantet e tyre të fuzionit duke mësuar nga ajo që ndodh me shkencëtarët në këtë uzinë.

Ndryshe nga reaktorët ekzistues të fisionit bërthamor që prodhojnë mbetje radioaktive nganjëherë në përmasa katastrofike, përkrahësit e reaktorëve me fuzion thonë se ai ofron një furnizim me energji të pastër dhe praktikisht të pakufizuar.

Në vend që të ndajë atomet, fuzioni imiton një proces që ndodh natyrshëm tek yjet, duke shkrirë dy atome hidrogjeni së bashku për të prodhuar një atom heliumi, si dhe një ngarkesë të plotë energjie.

“Personalisht ndihem nën presion sepse po plakem dhe do të doja ta shihja të përfunduar përpara se të dilja ne pension. Unë jam përfshirë në këtë projekt që nga viti 1988”, thotë Neil Mitchell, Shef i Divizionit të ITER-im

Laban Coblentz zëdhënës i projektit të Reaktorit eksperimental ndërkombëtar termonuklear (ITER) shpjegon se fuzioni është një mënyrë për të krijuar energji në të njëjtën mënyrë sikurse dielli.

Zoti Coblentz thotë se tashmë më shumë se kurrë është e rëndësishme të investosh në teknologji si ajo e fuzionit dhe sipas tij, hapat e bërë në teknologjitë mjekësore gjatë pandemisë, e kanë vërtetuar një gjë të tillë.

“Mos prisni derisa faktori frikë që lidhet me ndryshime klimake të jetë aq fortë sa vetëm atëherë ne reagojmë. Ne duhet të reagojmë tani”, thotë zoti Coblentz.

Shkencëtarët thonë se projekti është 75% i përfunduar. Ata synojnë ta ndezin reaktorit deri në fillim të vitit 2026, me synimin përfundimtar për të prodhuar më shumë energji sesa kërkohet për të ngrohur plazmën dhe për të siguruar të dhëna se teknologjia me fuzion funksionon.

voa