Kandidati i LSHD-së, z. Afrim Ibrahimi – Fanda nuk e nënshkruan kodeksin dhe e konsideron farsë.

afrim-ibrahimi-fandaAfrim Ibrahimi – Fanda në faqen e tij në Facebook i drejtohet opinionit me një shkrim ku në mes të tjerash deklaron se: Ai personalisht si dhe forca politike që e përfaqëson në këto zgjedhje, nuk ka as gatishmërinë, as paratë e as pushtetin për të cënuar zgjedhjet për pushtet lokal.

Ja edhe shkrimi në origjinal i huazuar nga faqja e tij në Facebook:

Te dashur miq, bashkëqytetarë të Tetovës,

 

dje unë u ftova për të nënshkruar një farë kodeksi për zgjedhje “fer dhe demokratike”, për ironi, bashkë me ata që gjatë gjithë kohës shkelin me të dy këmbët, çdo lloj kodeksi dhe norme demokratike, gjatë dhe pas çdo lloj zgjedhjeje elektorale.

 

Por sa demokratike mund të jenë këto zgjedhje lokale, kur forca politike përgjegjëse për tragjedinë e 8 shtatorit në spitalin e Tetovës, që sërish pretendojnë votën e qytetarëve në këto zgjedhje, sot mbajnë në paraburgim 5 qytetarë, vetëm sepse shfrytëzuan të drejtën universale, e pamohueshme në gjithë botën, për të protestuar?

 

Pikërisht ata që nuk do të duhej t’i zëri gjumi i natës nga ulërimat e pacientëve që digjeshin gjallë në shtretërit e spitalit, ndërsejnë policinë partiake dhe prokurorinë e pareformuar për kallëzime dhe procedime qesharake “pjesëmarrje në një turmë që tenton të parandalon një person që kryen një veprim zyrtar”.

 

Mbajtja në paraburgim të protestuesve, nga vetë ata që duhet të mbajnë përgjegjësi morale dhe ligjore për këtë tragjedi, në kohën që po mbahen këto zgjedhje lokale, nuk është asgjë tjetër përveçse presion psikologjik ndaj votuesve.

 

Unë personalisht dhe forca politike që përfaqësoj në këto zgjedhje, realisht nuk kam as gatishmërinë, as paratë e as pushtetin për të cënuar këto zgjedhje për pushtet lokal. Ndaj nuk mora pjesë në farsën e radhës.

 

https://www.facebook.com/afrim.fanda

 

https://www.facebook.com/L%C3%ABvizja-P%C3%ABr-Shtet-Dhe-Drejt%C3%ABsi-368919793574466

Incidente në veri të Kosovës – Digjen e sulmohen qendrat e regjistrimit civil në Zubin Potok dhe Zveçan.

Kosovo Jarinje | Polizeiaufgebot an der Kosovo- serbischen GrenzeKosovë: Është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar me granata qendra e regjistrimit  civil në Zveçan. Pasoja në njerëz nuk ka.

Dy sulme të ndara ndodhën paraditën e së shtunës (25.09) në veri të  Kosovës përkatësisht në komunat e banuara me shumicë serbe Zvecan dhe Zubin Potok. Sipas policisë, persona tash për tash të panjohur dogjën tërësisht Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, ndërsa  është sulmuar me granata dore edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve të para, në këtë të fundit u hodhën dy bomba dore, por të cilat “nuk shpërthyen”. Këto sulme ndodhën në ditën e pestë të bllokadës së rrugëve nga serbët lokal që po mbajnë të bllokuara për qarkullim edhe dy pikat kufitare Koosvë-Serbi në Jarinje dhe Bërnjak. Serbët po kundërshtojnë masën e recipricitetit të vendosur nga qeveria e Kosovës lidhur me targat e veturave me regjistrime të Serbisë. Dy incidentet që ndodhën të shtunën  ndaj Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok, dhe Qendrës së Regjistrimit Civil në Zveçan, për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti ishin të qëllimshme.

“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cënojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdor qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, shkroi Kurti në Facebook. Spas tij, akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq ai u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet. Më herët gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë në tërë territorin e Kosovës.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, tha ministri Svecla.

Vendosja e masës së reciprocitetit nga Kosova për targa të automjeteve të Serbisë, duke vendosur detyrimin e ndërrimit të targave sapo të hyjnë në Kosovë, është kundërshtuar ashpër nga Beogradi zyrtar. Të njetën gjë qytetarët e Kosovës, të cilët kalojnë në Serbi tash e më shumë se dhjetë vjet, detyrohen të ndërrojnë targat  e veturave.

Pas bllokadës së rrugëve prej gati një jave në veri të Kosovës, përballë protestuesve po qëndron njësia speciale e policisë së Kosovës, por, nuk po ndërhyn që të zhbllokojë rrugët. Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht po u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë,  që të ulin tensionet dhe t’i  kthehen tavolinës së bisedimeve në Bruksel. NATO kërkoi uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.

Edhe zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, ka thënë se pala kosovare dhe ajo serbe duhet të takohen në Bruksel lidhur me çështjen e targave. Escobar ka thënë se palët nuk duhet të dërgojnë forca speciale aty ku është i pranishëm KFOR-i, dhe të përmbahet nga retorika e dëmshme.

“Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por, varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje. Është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, tha Escoban në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe bllokadën e dy pikave  kufitare me Serbinë, njohë të çështjeve të sigurisë po e cilësojnë  të rrezikshme me mundësi përshkallëzimi. Agim Musliu njohës i çështjeve të sigurisë i tha DW-së, se tashmë në veri të Kosovës krahas protestuesve serb lokal, ka infiltrime të shërbimeve të huaja saktësisht të shërbimeve të Rusisë që është shumë aktive në rajonin e Ballkanit,  dhe kjo në vetvete mund të jetë problem edhe më i madh edhe për Evropën.

“Përfshirja e shërbimeve sekrete ruse në Balkan siҫ ndodhi edhe me zhvillimet në Mal të Zi, ku u përfshi edhe Kisha Ortodokse Serbe,  është e rrezikshme në vetvete, sepse në Kosovë edhe tradicionlisht por edhe për shkak të orjentimit properendimor të Kosovës, ne jemi muri i fundit mbrojtës nga ky ndikim në Ballkan dhe Evropë. Në këtë aspekt mendoj, se Perëndimi duhet të reagojë shumë më shpejtë ndaj udhëheqësisë në Serbi, e cila e pranon këtë lojë me dekada, por duhet të jetë me rigoroze edhe ndaj vet Rusisë”, thotë Musliu.

Eksperti Agim Musliu, thotë se brenda grupeve protestuse serbe ka njerëz të armatosur dhe që përbëjnë rrezik për policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës në veri po përballet me shumë rreziqe, sepse brenda protestuesve lokal serb ka të përfshirë njerëz të armatosur, ka paramilitar dhe të gjithë atë turmë njerëzish e komandon ish – gjenerali i xhandarmerisë serbe, Dikiq, një njeri që pati planifikuar edhe puçin e dështuar në Mal të Zi. Ai tashmë dihet që ndodhet aty dhe ai i orkestron dhe e udhëheq atë masë të njerëzve aty. Pra policia e Kosovës nuk ka shkuar në veri që t’i mbrojë shqiptarët nga serbët, por policia e Kosovës është aty që ta zbatojë një urdhër, të sigurohet që po zbatohet një masë e shtetit të Kosovës dhe mos të ndodhë sikurse mç herët kur janë djegur pikat kufitare të Kosovës me Serbinë”, thotë Musliu.

Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Agim Musliu, situata e tensionuar në veri mund të vazhdojë me ditë të tëra derisa të arrihet një marrëveshje që mund të jetë politike. Pra, Musliu mendon, se protestuesit serb do të vazhdojnë të  mbajnë të bllokuara rrugët në veri, përderisa të marrin një urdhër ndryshe nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuҫiq. Ky i fundit ditë më herët ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t’i tërheq njësitë speciale të policisë nga veriu i Kosovës si kusht për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve ne Bruksel dhe për ta trajtuar çështjen e targave të veturave, por edhe marrëveshjen kryesore për të cilën Prishtina dhe Beogradi nuk bien dakord, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

dw

Mandati i tretë, Rama: Shumë gjëra mund të bëhen ndryshe

Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaron se në mandatin e tretë të qeverisë së tij ka shumë gjëra që mund të bëhen ndryshe. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Rama flet dhe për vendimin e Departamentit të Shtetit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe faktin pse ka zgjedhur të heshtë rreth kësaj çështjeje. Marrëdhëniet me Kosovën, ku ai do të jetë të hënën për vizitë, zgjatja e mandatit të institucioneve të Vettingut, debati dhe mbi krijimin e Agjencisë për Media janë disa nga temat e tjera për të cilat zoti Rama shprehet gjatë intervistës e cila u zhvillua të premten pas fjalës që kryeministri i Shqipërisë mbajti në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në New York

Zëri i Amerikës: Zoti Rama! Në fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme, ju ngritët sërish çështjen e njohjes së Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin e saj në OKB. Por ndërkohë marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës janë në një pikë të ulët dhe përplasjet po bëhen tashmë në publik. Ditën e hënë ju pritet të shkoni në Prishtinë. Cili do të jetë qëllimi i kësaj vizite?

Kryeministri Rama: Nuk mendoj që marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës janë në një pikë të ulët. Mendoj që ne jemi në një marrëdhënie normale. Natyrisht që marrëdhënia mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe asnjëherë nuk është mjaft të thuhet që është e mirë, pasi mund të jetë gjithmonë më e mirë. Patjetër që kemi një div ergjencë lidhur me Nismën e Ballkanit të Hapur, por kjo është një divergjencë që, në këndvështrimin tim, nuk është një arsye për të pasur një problem në marrëdhënie, por është një arsye për të diskutuar qetësisht dhe për ta trajtuar me argumenta dhe me respekt reciprok.

Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit në Nju Jork ju vizituat dhe Akademinë ushtarake West Point, një nga institucionet më prestigjioze të ushtrisë amerikane. Çfarë bashkëpunimi prisni me këtë institucion?

Kryeministri Rama: Dëshira dhe ambicja jonë është që ta transformojmë Akademinë shqiptare të Forcave të Armatosura në një akademi amerikane, ku do të jetë një vend studimesh të larta për studentët shqiptarë, por edhe për studentë nga vendet e NATO-s rreth e rrotull nesh dhe ku gjithë eksperienca, gjithë programet, gjithë dija e shkollës së lartë amerikane të mbrojtjes të jetë në dispozicion të më të rinjve.

Zëri i Amerikës: Para disa vitesh, ju u bëtë nismëtar i organizimit të ashtuquajturit Samiti i Diasporës, gjatë mandatit të mëparshëm. Madje ju patët edhe një anëtar kabineti për Diasporën. Sot duket se ky angazhim është zbehur. Gjatë qëndrimit këto ditë në Nju Jork, nuk kemi parë ndonjë njoftim të takimeve tuaja me komunitetin shqiptaro – amerikan. Si e shikoni ju rolin e Diasporës?

Kryeministri Rama: Në fakt, unë kam takuar përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro – amerikan dhe mendoj që është bërë një punë goxha e mirë nga ministri për Diasporën, Pandeli Majko, i cili faktikisht e ka përmbyllur të gjithë kuadrin e reformave dhe të bazës ligjore për një punë më të qëndrueshme me Diasporën. Tanimë mbi këtë bazë Diaspora do të trajtohet nga ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, Partia juaj bëhet forca e parë politike që fiton një mandat të tretë në Shqipëri. Ju vet e keni pranuar se diçka e tillë ju vë përballë një sfide edhe më të madhe. Çfarë ju do të bëni ndryshe ju në 4 vitet e ardhshme?

Kryeministri Rama: Ka shumë gjëra që mund të bëhen ndryshe dhe eksperienca tanimë jo e vogël në këtë detyrë, por edhe eksperienca në tërësi e skuadrës së Patisë Socialiste në drejtimin e vendit në këtë fazë të historisë së vet, na ndihmon që shumëçka ta bëjmë ndryshe dhe patjetër që t’i bëjmë gjërat më mirë, mundësisht më shpejt dhe mbi të gjitha të ndërtojmë një marrëdhënie ende më të hapur, më të drejtpërdrejtë, më transparente dhe me interes reciprok mes shtetit dhe qytetarit, që do të thotë: qytetarët të jenë të shërbyer më mirë dhe shteti të ketë mundësinë që të dëgjojë prej tyre më shumë dhe të kuptojë më shpejt se çfarë duhet të bëjë për të përmirësuar shërbimet ndaj tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, partia juaj është shprehur për nevojën e zgjatjes së mandatit të institucioneve të vetingut deri në përfundimin e këtij procesi. Kjo kërkon ndërhyrje në Kushtetutë, çka nënkupton një konsensus me opozitën. Por kjo e fundit ju ka akuzuar se keni përdorur reformën në drejtësi për ta vënë atë në kontrollin tuaj. A jeni optimist se mund ta siguroni mbështetjen e opozitës?

Kryeministri Rama: Unë nuk dua të merrem me akuzat, por dëshiroj që të fokusojmë të gjitha forcat dhe energjitë tona tek punët, që lidhen me përparimin e vendit, që lidhen me përmirësimin e jetës së njerëzve. Dhe kjo është një nga këto punë. Natyrisht që ne nuk i kemi votat për të bërë ndryshimin përkatës, por nga ana tjetër kjo është një reformë, e cila nuk është vetëm e jona, por është një reformë që ka patur qysh ditën e parë mbështetës dhe garantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, dhe unë nuk besoj që opozita do të mungojë në apel, kur do të numërohen votat në funksion të kësaj reforme.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, vende si Shqipëria kanë një nevojë të madhe për investime të huaja. Megjithatë, veçanërisht në vitet e fundit është vënë re një ulje e besimit të grupeve të investitorëve të huaj, që veprojnë në Shqipëri, siç ishte rasti dhe i raportit të fundit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, ku ngrihet shqetësimi për korrupsionin, sistemin e taksimit, monopolet apo oligarkinë. Ju keni qenë 8 vjet tashmë në pushtet dhe treguesit e korrupsionit, sipas organizatave ndërkombëtare, nuk janë përmirësuar. A ndjeni ju përgjegjësi për këtë gjendje dhe çfarë mund të ndryshojë në mandatin e tretë?

Kryeministri Rama: Nuk e di kujt i referoheni si tregues ndërkombëtar mos-përmirësimi.

Zëri i Amerikës: I referohem Transparency International dhe raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, që nuk e kanë ndryshuar përcaktimin për korrupsionin në Shqipëri, që është i gjithëpërhapur.

Kryeministri Rama: E kuptova. Por e vërteta është që as nuk ka krahasim sot me 8 vjet më parë dhe për këtë mjafton t’iu sjell një shembull: Sa e sa e sa shërbime, që deri dje merreshin me radha të gjata kilometrike, me orë të tëra, me zvarritje e varavingo të panumërta, sot merren në pak minuta me një ndërveprim përmes smartfonit dhe kompjuterit me platformën e-Albania. Natyrisht që kjo është pa diskutim një lehtësim pikërisht i barrës së korrupsionit në jetën e qytetarëve. Patjetër që ne kemi ende probleme me korrupsionin dhe prandaj jemi këtu; për të vazhduar që të adresojmë këto probleme me reforma, me modernizim, me sisteme, si sistemet digjitale, të cilat kanë vendosur tanimë një bazë dhe, me ciklin e mbyllur të shërbimeve, do të na mundësojnë që korrupsioni si i gjithëpranishëm në marrëdhëniet qytetar – shtet, kur është fjala për të marrë shërbime, të jetë një histori e të shkuarës.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, deri më sot ju nuk jeni prononcuar lidhur me përcaktimin e Sekretarit të Shtetit për ish kryeministrin Berisha, pavarësisht se bëhet fjalë për një ngjarje jo të zakonshme. Përse keni zgjedhur të heshtni?

Kryeministri Rama: Flet vet Sekretari i Shtetit në këtë rast dhe mendoj që çdo prononcim në këtë drejtim do të politizonte edhe më shumë një fakt, i cili nuk ka nevojë për koment, një fakt që është në sytë e gjithë shqiptarëve, jo sot, por prej vitesh e vitesh, një fakt që tregon se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe se nuk ka më asnjë monument të parrëzueshëm të të shkuarës së korrupsionit dhe të pengimit të demokracisë.

Zëri i Amerikës: Në mbledhjen e parë të qeverisë ju miratuat ngritjen e Agjencisë për Media dhe Informim. Ky vendim ka hasur këto ditë kritika nga komuniteti i mediave në vend, duke shprehur shqetësim për një centralizim, propagandë dhe kontroll të informacionit, i cili u serviret i gatshëm. Si do t’iu përgjigjeshit ju kritikave të tyre?

Kryeministri Rama: Ky është një reagim që vjen me siguri nga mosnjohja dhe moskuptimi i rolit dhe i misionit të kësaj agjencie. Agjencia është ndërtuar mbi modele të konsoliduara në vende shumë të zhvilluara demokratike. Republika Federale e Gjermanisë e ka identikisht të tillë dhe, në fakt, prej shembullit të saj ne kemi krijuar këtë agjenci. Ata e quajnë Zyra për Mediat dhe Informimin e Qeverisë, ne e kemi Agjencia për Median dhe Informimin pranë Këshillit të Ministrave. Po kështu edhe Italia, po kështu edhe vende të tjera. Dhe kjo agjenci nuk ka lidhje fare as me propagandën as me kontrollin, por ka lidhje me një rritje të kapacitetit të qeverisë për të ndërvepruar me opinionin publik dhe me burimet e informacionit, në mënyrë që të garantojmë që informacioni, që kërkohet nga qeveria, të jetë sa më i shpejtë dhe njëkohësisht sa më integral në funksion të mediave dhe, nga ana tjetër, që qeveria të jetë në vijimësi e informuar dhe natyrisht e vetëdijshme deri në fund për opinionet e qytetarëve, për opinionet e mediave dhe opinionet në mjedisin pluralist shqiptar.

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, edhe një pyetje të fundit. Vitin e ardhshëm, në janar, Shqipëria do të bëhet për herë të parë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Çfarë pritet nga Shqipëria në këtë rol?

Kryeministri Rama: Ne kemi një program të anëtarësisë sonë në Këshillin e Sigurimit. Është një program që është mirëpritur nga të gjithë. Ne jemi një vend i vogël, por jemi një vend krenar dhe kemi çfarë të sjellim si kontribut, sepse kemi një histori tonën, e cila ka vlera të rëndësishme, dhe kemi njëkohësisht tanimë një nivel të ri të vendit në arenën ndërkombëtare, që na jep këtë mundësi të madhe, por që njëkohësisht na bën që të jemi të pranishëm në tryezën e Këshillit të Sigurimit me dinjitet dhe natyrisht si të barabartë me të tjerët.

Zëri i Amerikës: Zoti Kryeministër! Ju falemnderit!

Kryeministri Rama: Respekte për ju!

Sulmohen qendrat e regjistrimit të makinave në veriun e Kosovës

Autoritetet e rendit në Kosovë njoftuan sot se në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në ndërtesën e e komunës së Zubin Potokut, ndërsa në një tjetër qendër të tillë në komunën e Zveçanit janë hedhur bomba, që nuk kanë shpërthyer.

Policia tha se po kryen hetime dhe ende nuk ka ndonjë të arrestuar lidhur me incidentet për të cilat kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, sipas hetimeve të para, “nuk ishin aksidentale por të qëllimshme”.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Kurti tha se individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin e Kosovës dhe po e cenojnë paqen.

“Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, shkroi kryeministri Kurti duke nënvizuar se sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i kryejnë nuk do të tolerohen.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që banojnë në veri të lumit Ibër, pavarësisht përkatësisë etnike, që të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës diskutoi situatën në vend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mblodhi të shtunën Këshillin e Sigurisë, për të shqyrtuar situatën e sigurisë “pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë”.

Në një komunikatë të zyrës së kryeministrit thuhet se “në veçanti u diskutua koordinimi i mëtejmë i veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cilësoi incidentet si akte “kriminale me elemente terroriste”.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, tha ai duke nënvizuar se ministria e Punëve të Brendshme do të angazhohet për rend, siguri dhe sundim të ligjit dhe të zbatojë vendimet qeverisë së Kosovës në tërë territorin e saj.

“Ftojmë qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një postim në rrjetet sociale, tha se “sulmet e fundit në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore që Serbia dhe regjimi hegjemonist i (Aleksandër) Vuçiçit, janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon”.

Presidentja Osmani tha në orët e mbrëmjes të shtunën se ka ndërprerë vizitën e saj në Nju Jork dhe është nisur për në Prishtinë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit.

Djegia e Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve ndodh në një kohë kur grupe qytetarësh serb për të gjashtën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët për në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak, në veriun e banuar me shumicë serbe, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Nga e hëna, makinat me targa të Serbisë duhet të pajisen me targa të përkohshme me të hyrë në Kosovë. Fillimi i zbatimit të këtij vendimi është masë e ndërsjellë meqë njësoj veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.

Zbatimi i vendimit të qeverisë për targat e makinave ka tensionuar marrëdhëniet edhe ashtu të ndera ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Autoritetet e Kosovës janë shprehur të gatshëm që të heqin masën e reciprocitetit në rast se edhe Serbia zotohet të bëj të njëjtën gjë për makinat me targa të Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi.

Por, zyrtarët në Beograd kanë hedhur poshtë një gjë të tillë duke kërkuar që njësitë e posaçme të policisë së Kosovës të largohen nga veriu dhe autoritetet në Prishtinë të heqin masën e vendosur më 20 shtator. Serbia ka hedhur poshtë mundësinë e vazhdimit të bisedime në Bruksel pa u përmbushur këto kushte, ndërsa tha se ka ngritur gatishmërinë luftarake të trupave të saj në afërsi të kufirit me Kosovën.

Diplomatet perëndimor po bëjnë thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve në veriun e Kosovës, dhe kthim në tryezën e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se “të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.

Zoti Escobar tha se i dërguari i posaçëm evropiane për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak, ka disa propozime shumë të mira dhe po përpiqet t’i mbledhë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme.

Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, tha ai duke nënvizuar se “është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë”, theksoi zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje të shtunën për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës dhe vazhdimin e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Në një postim në rrjetin Twitter zoti Michel tha se “është koha që Serbia dhe Kosova, Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti të tërhiqen, duke përfshirë tërheqjen e njësive të posaçme të policisë dhe barrikadat, dhe të vazhdojnë negociatat mbi propozimet e përfaqësuesit special të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”.

Sulmet në veri u dënuan të shtunën nga Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, që bëri thirrje për ulje tensionesh dhe kthim në tryezën e bisedimeve në interes të të gjitha komuniteteve.

voa

Vaksinat shtesë mund të sigurojnë miliarda dollarë fitime për kompanitë prodhuese

FILE - In this April 26, 2021, photo, a nursing student administers the Moderna COVID-19 vaccine at a vaccination center at UNLV, in Las Vegas. Për disa kompani prodhuese të vaksinave është krijuar mundësia e fitimit të disa miliarda dollarëve më shumë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten për shpërndarjen e dozave shtesë të vaksinës kundër COVID-19ës, për të forcuar mbrojtjen e amerikanëve ndaj virusit.

Sa do të fitojnë prodhuesit varet nga sa e madhe do të jetë shpërndarja në treg.

Cilët duhet të marrin një dozë përforcuese ishte një vendim që u shoqërua me debat ndërsa këshilltarët e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kaluan dy ditë këtë javë duke shqyrtuar provat. Drejtorja e CDC-së, Dr. Rochelle Walensky miratoi shumicën e kategorive të përzgjedhura prej tyre: personat 65 vjeç e lart, banorët e shtëpive të pleqve dhe ata të moshës 50 deri 64 vjeç që kanë probleme shëndetësore kronike, si diabeti, të cilëve do t’u ofrohet doza shtesë pasi të kenë mbushur gjashtë muaj nga doza e fundit e vaksinës së kompanisë Pfizer. Personat 18 vjeç e lart me probleme shëndetësore mund të vendosin vetë nëse duan një dozë përforcuese.

Sidoqoftë, kriza po evoluon vazhdimisht dhe disa zyrtarë të lartë të shëndetësisë amerikane presin që dozat përforcuese të autorizohen më gjerësisht në javët ose muajt e ardhshëm. Dhe kjo, plus rritjen e vazhdueshme në vaksinimet fillestare, mund të nënkuptojë një fitim të madh në shitje dhe në veçanti fitime për kompanitë Pfizer dhe Moderna.

“Oportuniteti sinqerisht reflektohet tek miliarda njerëzit në të gjithë botën që do të kenë nevojë për vaksinim dhe për dozën shtesë”, tha analisti i kompanisë Jefferies, Michael Yee.

Bursa Wall Street po ndjek me vëmendje zhvillimet. Parashikimi mesatar i analistëve për të ardhurat e kompanisë Moderna në vitin 2022 është rritur me 35% që kur Presidenti Joe Biden paraqiti në mes të gushtit planin e tij për dozat përforcuese.

Shumica e vaksinimeve të deritanishme në Shtetet e Bashkuara kanë qenë nga kompania Pfizer, e cila krijoi vaksinën e saj me kompaninë gjermane BioNTech, e pasuar nga kompania Moderna. Ato kanë vaksinuar përkatësisht rreth 99 milionë dhe 68 milionë persona secila. Kompania Johnson & Johnson është e treta me rreth 14 milionë të vaksinuar.

Nuk dihet ende se sa njerëz do të vaksinohen. Por analistja e kompanisë Morningstar, Karen Andersen pret që vetëm dozat përforcuese të sjellin rreth 26 miliardë dollarë në shitje globale vitin e ardhshëm për kompanitë Pfizer dhe BioNTech dhe rreth 14 miliardë dollarë për kompaninë Moderna nëse ato miratohen për pothuajse të gjithë amerikanët.

Këto kompani gjithashtu mund të fitojnë biznes të mëtejshëm nga njerëzit që morën fillimisht vaksina të tjera. Në Britani, e cila planifikon të ofrojë doza përforcuese për të gjithë personat mbi 50 vjeç dhe kategori të tjera të rrezikuara, një panel ekspertësh ka rekomanduar që vaksina Pfizer të jetë zgjedhja kryesore, me Modernën si alternativë.

Analistja Andersen pret që kompania Moderna, e cila nuk ka produkte të tjera në treg, të gjenerojë një fitim gati 13 miliardë dollarë vitin e ardhshëm nga të gjitha shitjet e vaksinave COVID-19, nëse dozat shtesë autorizohen për përdorim të gjerë.

Fitimet e mundshme nga vaksinat janë më të vështira për t’u vlerësuar për kompaninë Pfizer, por drejtuesit e kompanisë kanë thënë se presin që marzhi i tyre i fitimit nga vaksina, para taksave, të jetë në kuotën e lartë të mbi 20% të të ardhurave. Kjo do të përkthehej në një fitim prej rreth 7 miliardë dollarë vitin e ardhshëm vetëm nga dozat shtesë, bazuar në parashikimin e shitjeve nga zonja Andersen.

Kompania J&J dhe ajo evropiane AstraZeneca kanë thënë se nuk kanë ndërmend të përfitojnë nga vaksinat e tyre për COVID-19ën gjatë pandemisë.

voa

Kandidati i LSHD-së, z. Afrim Ibrahimi – Fanda nuk e nënshkruan kodeksin dhe e konsideron farsë.

afrim-fanda-921x614Z. Afrim Ibrahimi – Fanda konsideron se manipulimet me zgjedhjet dhe kushtëzimet e votuesve i ka në dorë vetë pushteti.

Ja prononcimi:

Prononcimi i kandidatit të LSHD, z. Afrim Ibrahimi – Fanda, për mos nënshkrimin e kodeksit për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Sot unë u ftova për të nënshkruar një farë kodeksi për zgjedhje fer dhe demokratike, bashkë me ata që gjatë gjithë kohës shkelin me të dy këmbët, çdo lloj kodeksi dhe norme demokratike, gjatë dhe pas çdo lloj zgjedhjeje elektorale.

Sa demokratike mund të jenë këto zgjedhje lokale, kur forca politike përgjegjëse për tragjedinë e 8 shtatorit në spitalin e Tetovës, që sërish pretendojnë votën e qytetarëve në këto zgjedhje, sot mbajnë në paraburgim 5 qytetarë, vetëm sepse shfrytëzuan të drejtën e pamohueshme në gjithë botën për të protestuar.

Mbajtja në paraburgim të protestuesve, nga vetë ata që duhet të mbajnë përgjegjësie morale dhe ligjore për këtë tragjedi, në kohë zgjedhjesh lokale, nuk është asgjë tjetër përveçse presion psikologjik ndaj votuesve.
Unë personalisht dhe forca politike që përfaqësoj, realisht nuk kam as gatishmërinë dhe as pushtetin për të cënuar këto zgjedhje për pushtet lokal. Ndaj nuk marr pjesë në farsën e rradhës.

NATO REAGON PAS SITUATËS SË KRIJUAR NË VERI, MESAZH KOSOVËS DHE SERBISË

Oana LungescuNATO ka bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës.

Në një reagim në twitter të zëdhënëses së NATO-së, Oana Lungescu, thuhet se NATO bën thirrje që Beogradi dhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin çfarëdo vendimi të një anshëm dhe të kthehen në dialog.

“Mandati i KFOR-it mbetet për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”, ka shkruar Lungescu.

rtk

Gërdeci, Apeli vendos rihapjen e procesit për Mediun

Në Shqipëri, Gjykata e posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u shpreh sot në favor të gjykimit të ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite me parë në një depo ushtarake në Gërdec. “Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”, shpjegon Gjykata e Posaçme e Apelit në njoftimin për vendimin e saj.

Shpërthimi në Gërdec, pak kilometra ne Jug të Tiranës, në vitin 2008, shkaktoi 26 viktima, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa afro 250 të tjerë mbetën të plagosur. Një numër i madh personash, që nga ushtarakë deri te biznesmenë të angazhuar në çmontimin e municioneve, u vunë nën akuzë dhe e dënuan në procesin gjyqësor për këtë çështje. Por ish ministri i Mbrojtjes, nuk u gjykua kurrë, ndonëse dhe ndaj tij u zhvilluan hetime. Prokuroria e Përgjithshme, një vit pas shpërthimit, në mars të vitit 2009, ngriti akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, duke e çuar çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila sipas legjislacionit të kohës, ishte kompetente për gjykimin e personave me imunitet.

Por 6 muaj më vonë, Kolegji Penal i kësaj Gjykate vendosi pushimin e çështjes, duke qenë se në gusht të atij viti, zoti Mediu kishte rimarrë mandatin e deputetit, duke rifituar kështu dhe imunitetin. Prokuroria e Përgjithshme nga ana e saj nuk i kërkoi më parlamentit heqjen e imunitetit për zotin Mediu, dhe në këtë mënyrë, dosja nuk u rihap asnjëherë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit në Gërdec.

Pas 13 vitesh, kërkesa e familjes Durda u mor në konsideratë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila në maj të këtij viti kërkoi rihapjen e procesit gjyqësor. Në kërkesën e SPAK-ut, drejtuar Gjykatës së Lartë argumentohej se motivi që çoi në vendimin e kësja gjykate në vitin 2009, nuk ekziston më. “Imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij”, shpjegoi SPAK-u, duke nënvizuar se “ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston”.

Kërkesës së SPAK-ut, për revokimin e vendimit të 2009-ës, Gjykata e Lartë ju përgjigj duke argumentuar se me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që kanë ndodhur, i takon Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të vendosë. Në korrik, kjo Gjykatë e rrëzoi kërkesën për rihapjen e procesit gjyqësor ndaj zotit Mediu, duke e konsideruara atë si “të pabazuar në ligj”.

Por dhe SPAK-u e konsideroi po ashtu, të “pabazuar në ligj” vendimin, duke iu drejtuar Apelit.

Vendimi i sotëm vetëm sa e lë të hapur shtegun. Ardian Vishaj, avokati i zotit Mediu në një deklaratë e konsideroi atë “një akt jo Kushtetues dhe pluri-shkelës të Konventes Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sërë ligjesh të tjera të vendit. Ai përbën një pavlefshmëri absolute e në çdo rast baza motivuese e tij nuk mund të jetë kurrë ligji. Eshtë hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Lartë”. Sipas avokatit “veç të tjerave shkelja e ligjit është e dukshme, sepse e njejta çështje (kërkesë) është shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga gjykata e Shkallës së parë dhe gjykata e Apelit, Tiranë në vitin 2019”. Zoti Vishaj saktëson se sapo të njihen me arsyetimin e vendimit do të vendoset për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren. Me shumë gjasë ai do të bëjë ankim në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar gjithashtu pezullimin e vendimit të Apelit, deri në shprehjen përfundimtare nga kjo Gjykatë. Në rast të kundërt, SPAK-u, do të niste menjëherë procedurat për t’ju drejtuar Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për rihapjen e procesit.

voa

Tiranë: Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, takon kryetarin e Partisë Demokratike

Në Tiranë, ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, e sapokthyer nga Uashingtoni, zhvilloi sot një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Pas takimit me zotin Basha, ambasadorja Kim deklaroi se SHBA është e gatshme për të bashkëpunuar me PD, dhe e di që PD-ja ndodhet në një pozitë të vështirë reformimi, në një proces tranzicioni, dhe shtoi se shpresonte që PD të dalë më e bashkuar dhe më e fortë nga kjo rrugë tranzicioni, në mënyrë që të fitojë sërish zgjedhjet.

“M’u duk jashtëzakonisht e rëndësishme të vija menjëherë në Partinë Demokratike për të ndarë me zotin Basha atë që kam mësuar nga Uashingtoni dhe për nga sot e tutje. I thashë zotit Basha se Uashingtoni mbetet i angazhuar për të punuar akoma më ngushtë me Partinë Demokratike. SHBA ka patur një marrëdhënie shumë të fortë e të veçantë me PD qysh nga fillimi. Ne ishim aty kur Partia Demokratike erdhi në pushtet për herë të parë dhe shpresojmë që të jemi në kushtet që të festojmë kur ajo të vijë në pushtet përsëri” – tha ambasadorja Kim.

Ajo shtoi se PD-ja ndodhet në një çast të vështirë, në një proces tranzicioni, dhe shtoi se shpresonte që PD të dalë më e bashkuar dhe më e fortë nga kjo rrugë tranzicioni, në mënyrë që të fitojë sërish zgjedhjet.

Ambasadorja amerikane theksoi se demokracia përkufizohet nga të pasurit e një partie opozitare të fortë dhe që lulëzon.

“Për sa i përket Uashingtonit, ne jemi seriozë në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, jemi të gatshëm që ta sulmojmë atë, pavarësisht rangut, nivelit, apo partisë”, – tha ambasadorja Kim, pas takimit me zotin Basha.

Ajo quajti të gabuara dhe fyese disa raportime, sipas të cilave, përcaktimi për raste madhore të korrupsionit ka qenë një sulm kundër stabilitetit të Shqipërisë.

Diplomatja amerikane kujtoi se më 6 maj 1920, “kur gjithë bota donte që Shqipëria të zhdukej nga faqja e dheut, Presidenti amerikan Uillson tha se Shqipëria duhet të qëndrojë dhe do të qëndrojë e fortë”. Zonja Kim si atëherë edhe tani Shqipëria duhet të jetë më e fortë, sovrane dhe demokratike.

“Për të gjithë ata që përpiqen të vendosin SHBA-të kundër popullit shqiptar iu them se e kanë gabim. Populli shqiptar e di se ju e keni gabim. Qëndrimi ynë është se sovraniteti, pavarësia dhe demokracia e Shqipëria nuk do të ndryshojnë asnjëherë. Qëndrimi ynë është që rëndësia e Partisë Demokratike kurrë nuk do të ndryshojë” – tha zonja Kim.

Ambasadorja amerikane theksoi se është me rëndësi të madhe që Partia Demokratike u kthye në parlament me forcë të plotë, sepse janë për t’u bërë shumë veprime për të zhvilluar zgjedhje më të mira herën tjetër, për të trajtuar gjithë mangësitë që janë shënuar në raportin e OSBE/ODIHR-it. Po ashtu ajo përmendi reformën territoriale dhe luftën kundër korrupsionit.

“Ka rëndësi për të gjitha këto që Partia Demokratike të jetë e fortë, e bashkuar, që të bëjë përpara, por nuk mund të ecet përpara me një këmbë në të shkuarën. Ne presim që të ecim përpara me Shqipërinë, me popullin shqiptar, me Partinë Demokratike drejt së ardhmes” – tha ambasadorja Kim pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të opozitës.

voa

CDC miraton doza përforcuese të vaksinës Pfizer

Director of the Centers for Disease Control and Prevention (CDC) Dr. Rochelle WalenskyDrejtorja e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve miratoi dozat përforcuese të vaksinës Pfizer për disa grupe individësh që i kanë bërë dy dozat e vaksinimit para të paktën gjashtë muajsh.

Punonjësit e vijës së parë, mësuesit, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të tjerë, puna e të cilëve i ekspozon më shumë ndaj virusit, do të jenë në gjendje të marrin dozën përforcuese, ashtu si edhe personat 65 vjeç e lart, banorët e shtëpive të të moshuarve dhe të tjerë, të moshës 50 deri në 64 vjeç, që janë të rrezikuar.

Drejtorja e CDC-së, Rochelle Walensky shtoi punonjësit e vijës së parë të enjten vonë në listën e përgatitur nga paneli këshillues i qendrës, mes atyre që kanë të drejtën për të marrë dozën përforcuese.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi të mërkurën një dozë të tretë të vaksinës Pfizer për personat 65 vjeç e lart, ata në rrezik të lartë për sëmundje të rënda dhe personat që janë të ekspozuar vazhdimisht ndaj koronavirusit.

Agjencia Evropiane e Barnave tha të enjten se planifikon të vendosë në fillim të tetorit nëse do të miratojë një dozë të tretë të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 për personat mbi moshën 16 vjeç.

Agjencia e BE-së miratoi fillimisht një proces me dy doza, por tha se infeksionet mes të vaksinuarve kishin shtuar urgjencën për rishikimin e një doze të tretë për njerëzit 16 vjeç e lart, gjashtë muaj pasi janë vaksinuar plotësisht.

voa