Gjermani: Të pavaksinuarit mbeten pa rrogë gjatë karantinës

Symbolfoto Corona-RisikogebietPas vendimit të ministrave të Shëndetësisë së landeve në Gjermani për të mos vazhduar kompensimin e rrogës në rast karantine për të pavaksinuarit nuk ka vetëm miratim, por edhe kritika.

Ministrat e Shëndetësisë së landeve gjermane vendosën të mërkurën që personat e pavaksinuar në rast se duhet të futen në karantinë më së voni prej 1 nëntorit nuk do të kompensohen më për humbjet në rrogë. Përjashtime do të ketë për ata që nuk vaksinohen për shkaqe shëndetësore, dhe për këtë kanë një vërtetim nga mjeku. Personave, të cilët për shkak të një karantine të vendosur nga punëdhënësi apo autoritetet edhe më tej kanë të drejtë për kompensim rroge në rast të karantinës në bazë të ligjit të infektimeve.

Edhe aty ka një përjashtim, për rastin, kur karantimi mund të pengohej me vaksinën. Landet janë përgjegjëse për pagesat. Të pavaksinuarit duhet të futen në karantinë, nëse kanë pasur kontakt me personat e pavaksinuar ose kanë ardhur nga një zonë rreziku. Kjo nuk vlen më për të vaksinuarit.

Landi Baden-Vyrtemberg në Gjermani si vendi i parë ka filluar të praktikojë vendimin për mosvazhdimin e pagesës së rrogës gjatë karantinës. Nga 15 shtatori aty personat e pavaksinuar nuk kompensohen në rast se duhet të futen në karantinë. Sipas të dhënave të shërbimit evangjelist të shtypit, epd në raste të tilla janë paguar deri 600 milionë euro kompensime.

Shoqata e Bashkive Gjermane e përshëndeti këtë vendim. Ky është një vendim personal, pra që megjithë ofertën e vaksinimit, të mos vaksinohesh kundër Coronës, tha drejtuesi i saj, Gerd Landsberg. Por kjo do të thotë që të marrësh përsipër edhe pasojat e këtij vendimi. Nuk ka arsye, pse shoqëria duhet të financojë në raste të tilla vazhdimin e rrogës.

Kritika për vendimin e ministrave të Shëndetësisë

Por ka edhe kritika kundër vendimit të ministrave të Shëndetësisë. Eksperti i Të Gjelbërve për Shëndetësinë, Janosch Dahmen thotë, se si mjek ai është i shqetësuar, kur njerëzit nuk do të pohojnë më, se janë infektuar edhe kur e kanë një test pozitiv, dhe nuk do të hyjnë në karantinë. “Me këtë ata do të vazhdojnë të rrezikojnë të tjerët, dhe do kemi një lloj pandemie të fshehtë.” Më e nevojshme do të ishte që të testohej më shumë në vendin e punës. “Vende të tjera të BE e kanë bërë këtë.”

Edhe Shoqata e Sindikatave, DGB e kriton vendimin ashpër. “Nuk është e pranueshme, që politika përgjegjësinë për luftën kundër pandemisë e kalon tek të punësuarit”, tha kreu i saj, Reiner Hoffmann për rrjetin  “Redaktionsnetzwerk Deutschland”. Mosvazhdimi i pagesës në rast karantine do të thotë, edhe se punëmarrësit duhet t’ia paraqesin punëdhënësit statusin e vaksinimit. Sipas Hoffmann, ka qenë një nga arritjet e lëvizjes punëtore, që punëmarrësit e njoftojnë punëdhënësin sa më pak të jetë e mundur për shëndetin e tyre.

 

la/ag

FDA autorizon dozë të tretë të vaksinës kundër COVID-19 për grupe të caktuara

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) autorizoi një dozë të tretë përforcuese të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 për amerikanët mbi 65 vjeç dhe për ata që vuajnë nga sëmundje të rënda.

Doza përforcuese është miratuar edhe për punonjësit e profesioneve të caktuara, si ata të kujdesit shëndetësor, mësuesit, punonjësit e dyqaneve ushqimore dhe ata në qendrat për të pastrehët ose burgjet.

Autorizimi ka gjasa t’i hapë rrugën të enjten votimit në komisionin këshillimor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve(CDC).

Një panel i FDA-së javën e kaluar votoi me shumicë dërrmuese për të hedhur poshtë planin e Shtëpisë së Bardhë që doza e tratë të vihej në dispozicion të shumicës së amerikanëve, duke përmendur mungesën e të dhënave të plota mbi sigurinë e dozës së tretë, si dhe efektshmërinë e saj.

Paneli gjithsesi mbështeti dozën përforcuese për grupmoshën mbi 65 vjeç dhe për individët në rrezik të lartë për sëmundje të rënda.

Shkencëtarët theksuan se shqetësimi kryesor duhet të vazhdojë të jetë vaksinimi i atyre që nuk kanë marrë asnjë dozë.

Ndërkohë sipas një studimi të ri, gratë shtatzëna që vaksinohen kundër COVID-19 i transmetojnë antitrupat e koronavirusit tek fëmijët e palindur.

Studiuesit e Fakultetit të Mjekësisë Grossman të Universitetit të Nju Jorkut ekzaminuan 36 të porsalindur, nënat e të cilëve kishin marrë ose vaksinën Pfizer, ose Moderna para lindjes dhe zbuluan se çdo foshnjë kishte antitrupa.

Studimi nuk përcakton sa e fortë ishte mbrojtja e foshnjave nga COVID-19, ose sa mund të zgjaste ajo.

Kush do ta udhëheqë Gjermaninë pas Angela Merkelit?

Gjermanët po përgatiten të zgjedhin një udhëheqës të ri të dielën më 26 shtator, që do të pasojë kancelaren Angela Merkel, e cila po largohet. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Berlini, zonja Merkel është parë si një shtyllë stabiliteti në Evropë për gati dy dekada – dhe ndryshimet e ardhshme në Gjermani do të ndjehen në të gjithë botën.

Berlini po shijon ditët e fundit të ngrohta të verës. Pas 16 vitesh, po afrohet perëndimi për pushtetin e Kancelares Angela Merkel.

Angela Merkel mbetet popullore, por partia e saj është në pozitë të dobët. Për herë të parë, që nga Lufta e Dytë Botërore, disa sondazhe i nxjerrin Demokristianët me më pak se 20 për qind mbështetje. Dhe nëse partitë e tjera bashkëpunojnë për të formuar një koalicion, partia e zonjës Merkel nuk do të jetë më në pushtet.

Kandidati i Demokristianëve është Armin Laschet, i cili po përpiqet të tërheqë votuesit me premtimin e vazhdimësisë.

“Një Evropë e bashkuar në këto kohë të vështira, një industri neutrale ndaj klimës dhe një ekonomi e fortë, dhe një kurs i qartë për sigurinë kombëtare”, shprehej ai në një tubim fushate.

Votuesit mund ta pranojnë mesazhin, por jo atë vetë. Gjatë një vizite në rajonet e përmbytura të Gjermanisë në korrik, zoti Laschet u kap në kamera duke qeshur gjatë një fjalimi të presidentit gjerman. Mbështetja për të nuk është rikthyer.

Kandidati i Social Demokratëve, Olaf Scholz, po udhëheq në sondazhe – ai është ministri aktual i financave në qeverinë e koalicionit dhe i preferuari për të pasuar zonjën Merkel.

“Ai ka një pozitë të qëndrueshme në sondazhe – një paraqitje të mirë si ministër. Dhe megjithëse mund t’i mungojë karizma dhe tërheqja, ai e kompenson këtë me stabilitet. Atë e ndihmon edhe konkurrenca e dobët”, thotë Gero Neugebauer, Profesor i Shkencave Politike.

Zoti Scholz u shfaq i sigurt për fitore në debatin e fundit televiziv.

“Shumë qytetarë mund të më shohin si kreun e ardhshëm të qeverisë, kancelarin e ardhshëm. Dhe unë nuk e fsheh se do të doja të krijoja një qeveri koalicioni me të Gjelbrit”, tha ai.

Partia e Gjelbër, e udhëhequr nga Annalena Baerbock, është e treta në sondazhe. Ata janë gati të formojnë një qeveri koalicioni, por kanë vija të kuqe të qarta.

“Për shkak të kohës së shkurtër që ka mbetur për të luftuar me suksesndryshimet klimatike, nuk ka shumë hapësirë për kompromis, kur bëhet fjalë për politikat klimatike”, thotë Paula Piechotta, Kandidate e Partisë së Gjelbër në Leipzig.

Partitë më të vogla – përfshirë Demokratët e Lirë ose Partinë e Majtë – mund të jenë kritikë për mundësinë e krijimit të një koalicioni. Të treja partitë kryesore kanë përjashtuar mundësinë për të punuar me partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, e cila ka rreth 10% mbështetje.

Përsa u përket çështjeve që ndajnë votuesit, sondazhet tregojnë një ndarje të qartë sipas brezave.

“Mendoj se tema e parë e rëndësishme për mua është me siguri, ndryshimi i klimës”, thotë Jun Kinoshita, 28 vjeç.

“Për mua, çështja më e rëndësishme është ndryshimi i klimës. Klima, arsimi, kujdesi për fëmijët”, thotë Corinna Anand, 35 vjeç.

“Pensionet, që të jenë të qëndrueshme. Vende pune. Shumë gjëra janë më të shtrenjta. Gazi, energji elektrike”, thotë Dirk Zeller, 54 vjeç.

“Gjermanët më të pasur vetëm u pasuruan, madje edhe gjatë koronavirusit. Ndërkohë, shumë njerëz panë që jetesa e tyre u përkeqësua dhe sot, ata kanë probleme më të mëdha se më parë”, thotë Brigitte, 54 vjeç.

Pak gjermanë presin ndryshim të menjëhershëm. Bisedimet për të formuar një qeveri koalicioni ka të ngjarë të zgjasin me muaj – dhe zonja Merkel do të mbetet në krye derisa palët rivale të bien dakord për pasardhësin e saj.

voa

Vazhdon bllokada në veriun e Kosovës

Kosovo Premierminister Treffen Albin Kurti QUINT BotschafterKryeministri Albin Kurti i bëri thirrje Serbisë që si Kosova edhe Serbia t’i heqin tabelat e përkohshme të automjeteve e qytetarët të lëvizin lirshëm. Serbia pret përgjigje nga BE lidhur me marrëveshjet me Prishtinën.

Është dita e tretë që serbët e veriut të Kosovës po mbajnë të bllokuara rrugët për në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak, në shenjë proteste pas vendosjes së masave të reciprocitetit nga Kosova për targat e veturave të Serbisë. Bllokada me vetura dhe kamion me zhavorr në rrugë tashmë është e gjatë mbi dy kilometra, por nuk njoftohet për incidente.

Forca të shtuara të njësive speciale të policisë së Kosovës gjenden përballë barrikaduesve dhe akoma nuk ka ndonjë aksion për të zhbllokuar rrugët. Të hënën Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kërkoi tërheqjen e trupave të policisë së Kosovës nga veriu, por më pas u shpreh “të ulemi të bisedojmë”. Ai po ashtu ka kërkuar një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian, nëse marrëveshjet e Brukselit janë në fuqi apo jo. “Për këtë do të presë muajin e ardhshëm e nëse s’merr përgjigje është shenjë se marrëveshjet s’ekzistojnë”, tha Vuçiq.

Kurti: “Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet t’i heqin targat e përkohshme të automjeteve”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha të mërkurën pas një mbledhje të qeverisë se “si Kosova ashtu edhe Serbia duhet t’i heqin targat e përkohshme të automjeteve si pjesë e zgjidhjes së situatës së krijuar ditëve të fundit në veriun e Kosovës”. “Oferta jonë publike besoj që është tejet praktike përveçse gjeneroze e kjo është le t’i heqin tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova dhe në këtë mënyrë qytetarët le të qarkullojnë sa më shumë e me sa më pak vonesa”, tha Kurti, duke shtuar se “Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht që si gjithmonë jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë”.

Informohet QUINT-i

Kryeministri i Kosovës, të martën priti në një takim ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT, dhe i njoftoi ata për vendimin për reciprocitet për targa të Serbisë dhe për zhvillimet në veri të Kosovës. Sipas tij, “vendimi për reciprocitet nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase”. “Njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpijnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cënuar ata”, u tha Kurti ambasadorëve të QUINT-it duke shtuar se “liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet”.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, theksoi Kurti. Kryeministri i Kosovës njoftoi se ka zhvilluar edhe një bisede telefonike me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, por nuk dha detaje.

Reagime nga BE

Ka disa reagime nga BE pas tensionimit të situatës në veriun e Kosovës. Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi lidhur me gjendjen aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, shkroi se është e rëndësishme të ushtrohet përmbajtje dhe të zvogëlohen tensionet, të kthehet dialogu dhe të sigurohet liria e lëvizjes pa vonesë. “Veprimet e njëanshme kurrë nuk janë zgjidhje. Ato çojnë vetëm në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen”, shkroi Varhelyi në Twitter. Reagime ka pasur edhe nga i ngarkuari i Borrell për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili është i shqetësuar për zhvillimet në veri dhe bëri thirrje për një ulje të menjëhershme të tensioneve. “Është e rëndësishme të ulen tensionet, të rivendoset një mjedis paqësor dhe të lejohet liria e lëvizjes. Ne jemi të gatshëm për të lehtësuar bisedimet për të gjitha çështjet e hapura në dialog”, shkroi Lajçak në Twitter.

Autoritetet e Beogradit, thonë se Kosova, me vendosjen e reciprocitetit në targa të veturave të Serbisë, ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën dy vendet e kanë arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. E Prishtina zyrtare thotë se janë duke vepruar në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit. Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa të Republikës së Kosovës, kur kanë hyrë në Serbi, janë detyruar të marrin tabela të përkohshme dhe kanë paguar pesë euro për targa që janë të vlefshme për 60 ditë. Tash edhe Prishtina zyrtare po e aplikon të njëjtën praktikë për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

dw

Tiranë, ish kryeprokurori Llalla dënohet me dy vjet burgim për korrupsion

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la sot në fuqi dënimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për ish Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Ish Prokurori i Përgjithshëm është dënuar me 2 vjet burgim dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, pasi u shpall fajtor nën akuzat për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Po ashtu atij do t’i konfiskohen edhe disa prona të vëna paraprakisht nën sekuestro 4 sipërfaqe toke, gjithsej 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës.

Zoti Llalla nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme gjyqësore, ndërsa avokati i tij, Sokol Haziaj, tha se ish kryeprokurori gjendet në regjim spitalor. Avokati e quajti vendimin të padrejtë dhe tha se se do të ankimohej në Gjykatën e Lartë.

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse zoti Llalla gjendet në Shqipëri apo ka udhëtuar jashtë vendit, avokati Hazizaj tha se nuk e dinte ku ndodhej klienti i tij, por e përfaqësonte atë procedurialisht në bazë të prokurës dhe deklarimit të tij para gjykatës.

Ndërsa dokumentat mjekësore, që flasin për gjendjen e rënduar shëndetësore të ish kryeprokurorit avokati shtoi se ato ia sillnin në mënyrë periodike zoti Llalla dhe familjarët e tij.

“Dokumentat mjekësore të zotit Llalla, epikrizat, janë në formën origjinale të kërkuar nga ligji, janë marrë rregullisht nga qendra spitalore të Shqipërisë dhe Turqisë, ia kam treguar Gjykatës, por ajo nuk i ka marrë në konsideratë” – tha zoti Hazizaj.

Ai shtoi se edhe në seancën gjyqësore të 9 shtatorit kishte paraqitur në gjykatë një epikrizë të re me datë të freskët të fillimit të muajit.

Ish kryeprokurori Llalla nuk mori pjesë as në seancën gjyqësore të 9 shtatorit në Gjykatën e Posaçme të Apelit, kur edhe aty avokati deklaroi se mungesa vinte prej gjendjes së tij së rënduar shëndetësore.

Avokati shtoi se në Gjykatën e Lartë do të kërkonte ndryshimin e vendimeve të dy gjykatave të mëparshme dhe së dyti pezullimin e ekzekutimit të arrestit për shkaqet shëndetësore.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, shkroi në rrjetet sociale se ndjehej mirë që shikonte se drejtësia po punon kundër zyrtarëve të korruptuar. “Prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm, të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin” – shkruan ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është i formës së prerë dhe sipas procedurave, prokuroria urdhëron policinë të kryejë menjëherë arrestimin e të dënuarit.

Sipas rregullit, ankimi në Gjykatën e Lartë nuk pezullon arrestimin e tij, dhe procesi gjyqësor mund të vazhdojë paralel me burgosjen e të dënuarit.

Zoti Llalla u dyshua fillimisht për të paktën katër vepra penale; mosdeklarim i pasurisë, mosdeklarim i të hollave në pikat kufitare, shpërdorim i detyrës dhe pastrim i parave.

Por në fund të hetimeve gjithçka u reduktua te mosdeklarimi i pasurisë, i cili dënohet nga gjobë deri në 3 vjet burgim.

Hetimi pasuror ndaj zotit Llalla u bazua në të ashtuquajturin ligji Antimafia, sipas të cilit, barra e provës për të dëshmuar se pasuritë e sekuestruara janë të ligjshme, i takonte ish Prokurorit të Përgjithshëm.

Sipas gjykatës, pasuritë e tij janë rivlerësuar nga 2 deri 16 herë, duke bërë që vlerat e tyre të kapin shifra të larta.

Zoti Llalla u largua nga detyra në përfundim të mandatit në dhjetor të vitit 2017. Pak muaj më pas, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se i kishte ndaluar atij dhe familjes së tij, hyrjen në Shtetet e Bashkuara, duke shpjeguar se Sekretari i atëhershëm i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni. Ai u bë zyrtari i parë shqiptar ndaj të cilit autoritetet amerikane zbatuan ligjin 7031, për përcaktimin e personave të përfshirë në akte të rënda korruptive. Më pas ky ligj u zbatua dhe ndaj ish deputetit Tom Doshi, ish kryetarit socialist të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako e së fundi dhe ndaj ish kryeministrit Sali Berisha. Edhe ndaj tyre, dhe familjeve të tyre, është marrë e njejta masë ndalimi për hyrjen në territorin amerikan

Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, bëhet po ashtu i pari zyrtar i lartë që dënohet me burgim nga institucionet e reja të dala nga Reforma në Drejtësi.

voa

Kurti: Kosova dhe Serbia të heqin targat e përkohshme të makinave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje të mërkurën Serbisë që të dyja palët të heqin nga përdorimi targat e përkohshme të makinave dhe të hapet rruga për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Ai i bëri këto komente në mbledhjen e qeverisë dy ditë pasi autoritetet në Kosovë filluan zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave. Që nga e hëna, makinat që hyjë nga Serbia në Kosovë duhet të ndërrojnë targat e tyre me ato të përkohshme, njësoj siç veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.

“Edhe oferta jonë publike, besoj që është tejet praktike përveç se gjeneroze ,e kjo është le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia edhe Kosova dhe në këtë mënyrë qytetarët le të qarkullojnë sa më shumë e me sa më pak vonesa”, tha kryeministri Kurti, sipas të cilit Serbia është duke refuzuar bisedimet për këtë çështje.

“Sepse qartazi ata kanë dhënë përgjigje negative për bisedimet me neve. Ne besojmë se Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht, si gjithmonë, jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar, sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë”, tha kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës dërgoi të hënën në vendkalimet kufitare me Serbinë njësitë e posaçme të policisë për të zbatuar vendimin mbi targat, duke nxitur zemërimin e Beogradit.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, kërkoi të martën nga autoritetet e Kosovës tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe heqjen dorë nga vendimi për masën e reciprocitetit për targat e makinave, ndërsa paralajmëroi kundërmasa nëse kjo nuk ndodhë.

Për të tretën ditë me radhë grupe qytetarësh serb vazhdojnë të mbajnë të bllokuar lëvizjen për në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak, në veriun e banuar me shumicë serbe, në shenjë proteste kundër vendimit të qeverisë së Kosovës.

“Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë. Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike. Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë, sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen. Për incidente dhe eskalim nuk kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, nuk kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia, duket se interes ka vetëm një individ, presidenti i Serbisë”, tha kryeministri Kurti.

Çështja e targave ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në kuadër të bisedimeve Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Sipas saj banorët e Kosovës duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe të heqin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës lëshoheshin nga ministria e Brendshme e Serbisë.

Autoritetet në Kosovë thanë se 15 shtatori i vitit 2021 ishte afati i fundit kur përfundimisht duhej të përmbyllej marrëveshja e arritur në Bruksel dhe të ndalohej lëvizja e makinave me çfarëdo tabelash përveç atyre me shenjën RKS. Sipas marrëveshjes, deri më 15 shtator lejohej hyrja në Serbi e makinave me targat që mbanin shenjën KS.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të dyja palëve që “të ulin tensionet menjëherë dhe pa vonesë” dhe që çështjet e diskutueshme ndërmjet tyre t’i zgjidhin përmes procesit të bisedimeve në Bruksel.

voa

Lindita Nikolla në Prishtinë: Ta ripërtërijmë procesin e njohjeve për Kosovën

Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha të mërkurën në Prishtinë se Shqipëria dhe Kosova duhet të rrisin angazhimin e përbashkët me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë për të ripërtërirë procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe për ta ribërë të ditur gjenocidin dhe krimet serbe të luftës.

Ajo i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët me kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në vizitën e saj të parë jashtë Shqipërisë që kur mori mandatin javën e kaluar.

“Duhet të bashkëpunojmë në të gjitha forumet ndërkombëtare që të rivitalizojmë procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe të punojmë së bashku me partnerët tanë, që të ndalojmë ofensivën diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve, ashtu sikurse duhet të ndërveprojmë dhe të punojmë më shumë me të gjitha forumet ndërkombëtare që krimet serbe të ribëhen të ditura botërisht dhe opinioni botëror të bindet që Serbia ka kryer genocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe ka fshehur kriminelë në kërkim për dekada”, tha zonja Nikolla.

Aji tha se Shqipëria vlerëson rihapjen e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bashkërendim me partnerët strategjik siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Është inkurajuese mbështetja e plotë nga administrata e re amerikane e presidentit Biden për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën e fokusuar në njohjen e ndërsjellë. Fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk kanë asnjë dallim sa i përket qëndrimeve për sa i përket dialogut dhe rrugëtimit që Kosova duhet të bëjë, patjetër është nxitje pozitive dhe një argument i fort për të thënë që po, Kosova ashtu siç i kishte këta partnerë të rëndësishëm në krahë kur fitoi luftën, i ka sërish në krahë të saj për të fituar edhe në paqe”, tha zonja Nikolla.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se me parlamentin e ri të Shqipërisë do të rritet bashkëpunimi përtej atij ekzistues.

“Zgjedhja e kryetares Nikolla në krye të Kuvendit të Shqipërisë na ka mbushur edhe me më shumë optimizëm që e kemi mundësinë për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit në fushën e parlamenteve tona. Deri tash kemi pas në disa rrafshe bashkëpunim më intensiv sidomos në fushën e legjislacionit dhe politikës së jashtme”, tha zoti Konjufca.

Të dy shefat e parlamenteve thanë se do të krijojnë një komitet të përbashkët që do të vëzhgonte zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Shqipëria dhe Kosova deri më tash kanë mbajtur disa mbledhje të përbashkëta ndërsa kanë nënshkruar një mori marrëveshjes bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Por, sfidë ende mbetet zbatimi në praktikë.

Kohët e fundit marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve u dukën më të ftohura për shkak të përplasjeve në distancë ndërmjet kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me nismën “Ballkani i Hapur”, që është refuzuar nga Kosova.

voa

Berisha kërkon thirrjen e forumeve, Basha i tregon kufirin

Në Shqipëri tonet e përplasjes mes kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe pararendësit të tij, ish kryeministrit Sali Berisha po vijnë duke u rritur. Ndërsa ky i fundit ka nisur një lëvizje në bazën demokrate duke kërkuar thirrjen e forumeve më të lartë të partisë për t’u shprehur për vendimin që e la atë jashtë grupit parlamentar, kryetari Basha i tregoi atij të mërkurën kufirin kur u shpreh se “sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur”, deklaroi prerë zoti Basha.

Kryetari demokrat ju kundërpërgjigj dhe akuzave të zotit Berisha për pazare me kryeministrin Edi Rama, apo pengmarrje prej tij. “Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës. Dje, Sali Berisha më ka akuzuar për peng të Edi Ramës. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodhë kurrë. Të dyja janë dy anë të të njëjtës medalje”, nënvizoi zoti Basha.

Ish kryeministri reagoi në Facebook, duke u kundërpërgjigjur se askush nuk mund të pengojë mbledhjen e forumeve të PD-së si dhe duke përsëritur sërish dhe disa herë me radhë akuzat për lidhjet sipas tij të kryetarit demokrat me kreun e qeverisë. “Kuvendi i PD do mblidhet në përputhje me statutin e PD dhe askush që tmerrohet prej tij nuk mund ta pengojë. Ai nuk do të mblidhet për të shqyrtuar vendimet e asnjë qeverie por vetëm vendimet e pengut të Edi Rames. Kuvendi do mblidhet gjithashtu për të shpëtuar PD nga pazaret e peng Bashës me Edi Ramën dhe për t’u rikthyer dinjitetin dhe shpresën demokratëve pas 4 humbjesh radhazi përballë rregjimit më të korruptuar dhe inkriminuar të Europës. PD nuk i duhet një lider i kapur peng, që bën pazar me Ramën dhe shpall non grata bazën e partisë i tmerruar prej saj”, deklaroi zoti Berisha, i cili deri më tani ka realizuar dy takime më bazën demokrate. një në Tiranë dhe një në Fier një ditë më parë, ku ai reagoi dhe ndaj komenteve të ambasadores amerikane Yuri Kim gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, duke provokuar dhe reagimin e saj të menjëhershëm.

 

Kim i kundërpërgjigjet Berishës: Ne e marrim seriozisht korrupsionin

Ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim ju kundërpërgjigj të martën disa deklaratave të ish kryeministrit Sali Berisha, i cili përsëriti se vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit që i ndalon atij dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara është i bazuar mbi shpifje. “Qartazi, ne jemi seriozë sa i përket korrupsionit”, shkruan ambasadorja Kim në një postim në Twitter, duke theksuar se kjo përfshin dhe rastet e parashikuara nga ligji i posaçëm mbi bazë të të cilit Sekretari i Shtetit Antony Blinken mori në maj vendimin që e futi zotin Berisha në kategorinë e “zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë”.

Reagimi i zonjës Kim erdhi nga Uashingtoni ku ajo bëri të ditur se ndodhet “për të koordinuar hapat e ardhshëm në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”. Pak ditë më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadorja Kim, duke folur për “rastin Berisha” ishte shprehur se “në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë”.

Pikërisht këtij shpjegimi të saj, i ishte referuar zoti Berisha nga Fieri, në një takim me një grup demokratësh, kur ju drejtua ambasadores se “ke thënë edhe diçka tjetër. I ke thënë Lulzim Bashës se Berisha e di që ne kemi dosje, por ai nuk i beson ato dosje”, u shpreh zoti Berisha duke përsëritur se “ato janë të tëra shpifje dhe vetëm shpifje”.

Takimi në Fier, ishte ndalesa e dytë i një aksioni në bazën demokrate që zoti Berisha ka ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për ta lënë atë jashtë grupit parlamentar. Gjuha dhe akuzat e zotit Berisha kanë ardhur duke u ashpërsuar, ndërsa qartazi ai po kërkon largimin e zotit Basha nga drejtimi i Partisë.

voa

OBSH: tashmë Delta është varianti dominues në mbarë globin

Varianti delta i koronavirusit ia ka kaluar të gjitha varianteve të tjera të COVID-it, tha të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Më pak se 1% ka mbetur aktualisht në qarkullim nga variantet alfa, beta dhe gama. Është vërtet delta që dominon në të gjithë botën”, tha Maria Van Kerkhove, drejtuese teknike për COVID-19ën në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Sipas zonjës Van Kerkhove, varianti delta është aq i transmetueshëm sa që ka zëvendësuar variantet e tjera që qarkullojnë në të gjithë botën.

Qindra njerëz demonstruan të martën në qytetin e dytë më të madh të Australisë kundër kufizimeve të koronavirusit që qeveria vendosi për industrinë e ndërtimit.

Zyrtarët njoftuan se kantieret e ndërtimit në Melburn do të mbyllen për dy javë mes shqetësimeve se lëvizja e punëtorëve po kontribuonte në përhapjen e COVID-19.

Punëtorët e ndërtimit gjithashtu tani kërkohet të kenë marrë të paktën një dozë të vaksinës së koronavirusit para se të lejohen të kthehen në punë.

Shteti Victoria, ku ndodhet Melburni, raportoi 603 raste të reja të martën, niveli më i lartë deri më tani i infektimeve ditore gjatë këtij viti.

Në Zelandën e Re, kryeministrja Jacinda Ardern njoftoi të martën se gjobat për prishjen e protokolleve të koronavirusit do të rriten duke filluar në nëntor.

Ndryshimet do të rrisin gjobën për dikë që qëllimisht nuk respekton rregullat për COVID-19ën, nga rreth 2,800 dollarë në 8,400 dollarë. Ata që shkelin kufizimet gjithashtu mund të përballen me deri në gjashtë muaj burg.

Bizneset që shkelin kufizimet e koronavirusit mund të përballen me gjoba deri në 10,500 dollarë.

“Suksesi ynë është bazuar vërtet në faktin se njerëzit në përgjithësi kanë zbatuar rregullat”, tha zonja Ardern në një konferencë shtypi. “Sidoqoftë, ka patur tek-tuk ndonjë person që ka thyer rregullat dhe i ka vënë të tjerët në rrezik”.

Ndërkohë, Guvernatori Jay Inslee, i shtetit perëndimor të Uashingtonit, i kërkoi qeverisë federale ndihmë që të përballohet ngarkesa e spitaleve, pasi varianti delta ka shkaktuar një numër të madh infektimesh.

Zoti Inslee i dërgoi një letër të hënën koordinatorit për pandeminë në Shtëpinë e Bardhë, Jeffrey Zients duke thënë se spitalet në shtetin e tij kanë arritur ose tejkaluar kapacitetin dhe se ai ka nevojë për personel ushtarak që të ndihmojë stafin e spitaleve.

“Sapo varianti delta goditi shtetin e Uashingtonit, shtrimet në spital për COVID-19ën u rritën”, tha zoti Inslee. “Nga mesi i korrikut deri në fund të gushtit, pamë që shtrimet në spital dyfishoheshin çdo dy javë. Spitalet janë munduar të shtojnë shtretërit dhe kanë anuluar shumicën e procedurave jo urgjente, por janë akoma mbi kapacitetin në të gjithë shtetin”.

Infektimet e reja ditore dhe numri i njerëzve të shtruar në shtetin Uashington kanë arritur ose janë afër niveleve të tyre më të larta gjatë pandemisë.

Zyrtarët e shëndetësisë të shtetit Uashington raportojnë se 69% e njerëzve të moshës 12 vjeç e lart në këtë shtet janë plotësisht të vaksinuar.

Kjo është më e lartë se shifra kombëtare, me Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që raportojnë se 64% e popullsisë të moshës 12 vjeç e lart janë vaksinuar plotësisht.

Numri i vdekjeve të reja nga virusi në Shtetet e Bashkuara ishte 2.302 të hënën – më i larti i regjistruar që nga marsi, sipas të dhënave nga Qendra e Burimeve të Koronavirusit të Universitetit Johns Hopkins.

*Disa të dhëna për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve The Associated Press dhe Reuters.

Diaspora nuk do të përfshihet në regjistrin e popullsisë rezidente, por në një grafë të posaçme…

Zaev claims that he did not talk to Ahmeti about changing the flag, coat of  arms and anthem - Free PressPolemika rreth regjistrimit të diasporës së Maqedonisë e Veriut

Diaspora nuk do të përfshihet në regjistrin e popullsisë rezidente, por në një grafë të posaçme ku do të qëndrojnë të gjithë shtetasit të cilët për më shumë se një vit jetojnë apo punojnë jashtë vendit.

Kjo është bërë e ditur nga kryeministri maqedonas, Zoran Zaev në një debat televiziv ku ka folur edhe për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, që ka nisur më 5 shtator dhe do të përfundojë më 30 shtator.

“Të gjitha ata janë qytetarë tanë, pavarësisht nëse jetojmë brenda apo jashtë vendit. Ata do të përfshihen në regjistrim, por ka një dallim të qartë mes tyre. Do të kemi popullatë rezidente dhe jorezidente. Jorezidentë do të jetë të gjithë ata të cilët për më shumë se një vit jetojnë jashtë vendit dhe kjo është shumë e qartë”, ka theksuar Zaev, njofton radio evropa e lire.

Sqarimi i tij vjen pas debateve të shumta, por edhe dilemave sesa banorë ka Maqedonia e Veriut, e cila nuk e regjistruar popullsinë që nga viti 2002.

Sipas të dhënave të këtij regjistrimi, vendi numëron rreth dy milion banorë, prej të cilët rreth gjysmë milioni apo afër 25 për qind janë shqiptarë.

Reagimet që kryesisht vinin nga opozita maqedonase kishin të bënin me pretendimet e tyre se në regjistrimin e popullsisë, pushteti do të përfshijë edhe popullatën jorezidente me çka sipas tyre do të ndryshohej struktura etnike e popullsisë, në favor të asaj shqiptare.

Kreu i partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, tha se i vjen mirë që kryeministri Zoran Zaev më në fund pranoi vërejtjen e opozitës që diaspora nuk duhet të përfshihet në numrin e përgjithshëm të popullatës rezidente.

Ai, por edhe kryeministri Zaev, thanë se Enti i Statistikës do të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare, përkatësisht Eurostat-it, i cili përcakton qartë modalitetet mbi regjistrimin e popullsisë.

“Kjo është ajo për të cilën ne flisnim gjithë kohën. Me vjen mirë që më në fund edhe kryeministri e thotë atë për të cilën ne po flasim tani një vit. Pra, popullatë rezidente është ajo që jeton brenda vendit dhe ajo do të përfshihet në regjistrimin e popullsisë ndërsa jorezidentë janë gjithë ata të cilët për më shumë se një vit jetojnë jashtë vendit”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Ndërkaq Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i Entit të Statistikës, tha se Maqedonia e Veriut po e regjistron të gjithë popullsinë. Sipas tij, sikur të mos përfshihej në numrin e përgjithshëm, atëherë diaspora fare nuk do të regjistrohej.

“Në bazë të ligjit ne e kemi për obligim të nxjerrim numrin e përgjithshëm të popullatën rezidente, numrin e përgjithshëm të popullatës jorezidente dhe numrin e përgjithshëm të të regjistruarve. Nëse nuk do të hynte në numrin e përgjithshëm të popullatës, atëherë pse ne do të regjistronim diasporën. Pra, sipas ligjit, popullata rezidente dhe ajo jorezidente përbëjnë numrin e përgjithshëm të popullatës. Ne si Ent i Statistikës nuk bëjmë politikë, pra i mbetet politikës dhe partive politike sesi do ta bëjnë këtë”, ka deklaruar Ilmi Selami, zëvendësdrejtor i Entit të Statistikës duke theksuar se regjistrimi po zhvillohet me disa probleme të vogla teknike, por që po evitohen me kohë.

Për probleme të tilla ka folur edhe kryeministri, Zoran Zaev, por ai ka konfirmuar informacionet jozyrtare se bëhet fjalë për sulme hakerësh ndaj sistemit elektronik të regjistrimit.

“Është e vërtetë se ka probleme, kemi pasur sulme serioze hakerësh. Po përgjigjemi me mekanizma mbrojtës dhe regjistrimi po rrjedh. Kjo ndodh edhe në vende tjera, dikush dhe nga brenda bën gjëra të tilla, pasi dikush u jep të dhënat për të sulmuar sistemin. Por, besoj se ky proces do të përfundojë me sukses. Deri tani kemi arritur të regjistrojmë mbi një milion njerëz”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.

Rezultatet e para të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut pritet të publikohen në janar të vitit 2022.

rel