Nesër ndryshon ora, akrepat shkojnë 60 minuta përpara

ora-veroreNesër do të ndryshojë ora pasi akrepat e orës do të lëvizin 60 minuta përpara.

Ndryshimi i orës ndodh në vende të ndryshme sipas orës lokale të secilit vend dhe do të vazhdojë deri të dielën e fundit të tetorit, kur të kthehet ora diellore.

Lëvizja e akrepave të orës 60 minuta përpara do të zgjasin ditën dhe do të na bëjë që të çohemi më herët se zakonisht.

Ndryshimi i orës bëhet që prej vitit 1981, kohë kur u vendos ligji që përfshin të gjithë Evropën që në të gjitha shtetet e saj, në këtë ditë akrepat e orës të lëvizin 60 minuta përpara, çka do të thotë një orë gjumë më pak.

Ringritja e PD-e vështirë pa njohur shkakun e krizës

pd malokeDorëheqja e Lulzim Bashës, kryetarit të PD-së ofron mundësi për bashkimin e kësaj partie. Po a mjafton dorëheqja e tij për t’i dhënë fund përçarjes dhe ringritur PD përmes bashkimit të dy grupimeve rivale?

Dorëheqja e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, partisë më të madhe në opozitë në Shqipëri, ofron mundësi për bashkimin e kësaj partie, e cila gjendet prej gjysëm viti në krizë dhe është përçarë keqazi në dy grupe kundërshtare. Vetë Basha e motivoi dorëheqjen si një akt, ”për ringjalljen dhe unitetin e demokratëve”.

 

Shkaku u krizës: Berisha i përjashtuar si „non grata”.

Kriza në PD u shfaq shtatorin e kaluar kur Basha, tre muaj pas rizgjedhjes së tij kryetar, përjashtoi liderin historik të PD, Berisha nga grupi parlamentar i demokratëve për shkak të shpalljes së tij “persona non grata” nga qeveria amerikane “për vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në Shqipëri.”

Basha, nga i preferuari i Berishës, „biri i tij politik” u shndërrua brenda natës në rivalin, që duhej hequr, “si i marrë peng nga kryeministri Rama”. PD u nda në dy grupime kundërshtare, me një antagonizëm që sa erdhi dhe u thellua. Zgjedhjet e parakohshme, të pjesëshme lokale në fillim të këtij muaji, më 6 mars treguan se grupimi i Berishës kishte më shumë mbështetje në bazën e demokratëve, sesa PD-ja zyrtare e Bashës, e cila nuk fitoi asnjë bashki. Humbja solli atë që nuk sollën 7 muaj fushatë intensive e grupimit të Berishës: dorëheqjen e Bashës, të cilin grupimi i kryesuar nga Berisha e kishte shkarkuar që në dhjetorin e kaluar në Kuvendin Kombëtar.

Po a mjafton dorëheqja e Bashës që PD të bashkohet? Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë e konsideron të pamjaftueshme.

“Dorëheqja e Bashës zhvlerëson një hatu të mbështetësve të ish-kryeministrit Berisha që njihet si „Grupi Rithemelues i PD. Por kjo dorëheqje nuk mjafton për zgjidhje të krizës së PD-së, për sa kohë pala e ish-liderit historik të PD, Berisha, qëllimisht nuk njeh/anashkalon zanafillën, shkakun e krizës që është përjashtimi nga Basha i ish-kryeministrit Berisha, nga grupi parlamentar i demokratëve si „non grata,” thekson për DW, Aleksandër Çipa.

 

Të mundshëm dy skenarë

Genc Pollo, ish-deputet dhe ish-ministër në qeverinë e PD-së thotë për DW se zhvillimet e pritshme në PD mund të kenë dy skenarë.

„Skenari optimal është një bashkim i PD, bazuar në vendimet e marra në Kuvendin e Dhjetorit, por duke marrë parasysh kërkesat e arsyeshme të grupimit të mbështetësve të deritanishëm të Bashës. Skenari negativ është që drejtuesit e lënë nga Basha të frenojnë bashkimin duke paraqitur kushte të pamundura, joparimore, të mbajnë vulën dhe logon e PD dhe të caktojnë kandidatë në zgjedhjet lokale 2023 për të përçarë votën e opozitës” thotë për DW, Genc Pollo.

Vendimet e Kuvendit të Dhjetorit të “Grupimit të Rithemelimit” shkarkuan Bashën dhe lidershipin e PD, që tani po negocion për bashkim dhe nuk njohin si zanafillë të krizës përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD ,si „non grata. Vetë ish kryeministri Berisha ka pohuar që synon rikthimin tij në krye të PD.

 

Çfarë lidershipi i lypset PD?

Ringritja e PD nis nga bashkimi i dy grupimeve dhe vijon me lidershipin e saj të ri që pritet të zgjidhet në maj. “PD e tentoi rinovimin në udhëheqje në vitin 2013 me zgjedhjen e Bashës kryetar. Rezultati është ky që kemi parë. Në këtë fazë PD nuk është në qejf për eksperimente. Anëtarët e saj do të vendosin me votën e tyre. Gjithsesi këshillat në këtë drejtim janë të mirëpritura sidomos kur vijnë nga votues e dashamirës të PD. Demokracia shqiptare ka nevojë urgjente për një opozitë efektive e cila luan plotësisht rolin e kontrollit dhe balancës ndaj pushtetit qeveritar. Pa aksionin e ish-kryeministrit Berisha nga vjeshta e shkuar, do të ishim me opozitën më moçalore të këtyre tri dekadave,” – thotë Genc Pollo.

 

Baltosje e ndërsjelltë, mosveprim i drejtësisë

Situata rëndohet kur kihet parasysh që pas shpalljes “persona non grata” të ish-kryeministri Berisha, SHBA deklaruan që nuk do të bashkëpunojnë me PD e Shqipërisë nëse ajo do të drejtohet nga Berisha.

Në gjashtë muajt e përçarjes së PD-së të dyja grupimet kundërshtare baltosën me akuza të rënda për korrupsion njëri-tjetrin. “Baltosja është aspekti më i pakëndshëm i gjashtë muajve të fundit. Në tërësi fajësimet ishin të përgjithshme, pa prova e pa substance” thotë Genc Pollo.

Deri tani drejtësia e re dhe Struktura e Posaçme kundër korrupsionit (SPAK) nuk kanë publikuar ndonjë rezultat nga ndonjë hetim potencial për këto akuza.

“Korrupsioni prej shumë vitesh në Shqipëri është një histori e mbetur pa hetim dhe ndëshkim ligjor. Rastet homologe me Kroacinë, Rumaninë dhe rishtazi me Bullgarinë janë mjaftueshmërisht model për ndjekje nga drejtësia shqiptare, por fatkeqësisht kjo ende nuk ka mbërritur tek ne. Dhe jo për faj të të tjerëve, por për arsye të përgjegjësisë së pandjerë shqiptare. Drejtësia në Shqipëri, edhe pse ka një status tjetër ligjor qysh prej 2016, nuk ka fituar dot kurajon ligjore dhe guximin për të vetëvepruar, kryesisht ndaj qeverisjes së politikanëve që gjenerojnë abuzivisht me tranzicioin “ala shqiptar” thotë Aleksandër Çipa.

 

dw

Kush po e rrezikon Marrëveshjen e Brukselit?

LajcakDeklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 24 mars, se “Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”, është formë e kërcënimit, që po përcillet me veprime konkrete nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Agon Maliqi dhe Dushan Janjiq.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, më 24 mars, ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq.

Suspendimi i Stevanoviqit erdhi pas pranisë së saj dhe të disa komandantëve serbë të Policisë së Kosovës në mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë, që u mbajt në Beograd më 22 mars. Kjo mbledhje ishte mbajtur për shkak të moslejimit të mbajtjes më 3 prill të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Por, presidenti serb Vuçiq ka thënë se suspendimi i Stevanoviqit është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka akuzuar se e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sistemi gjyqësor i Kosovës është i pavarur nga Qeveria.

“Unë nuk jam as kryetar e as anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjyqësori është i pavarur nga Qeveria. Ndoshta në Serbi, presidenti suspendon apo largon gjykatës dhe prokurorë. Ky nuk është rasti i Kosovës apo në rastin e gjykatëses Stevanoviq”, ka shkruar Kurti në Twitter më 25 mars.

Ndërkaq, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha më 25 mars se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Lilana Stevanoviq.

Maliqi: Një pjesë e marrëveshjeve të Brukselit nuk mund të zhbëhen

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, njëherësh bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarata e presidenti serb, Vuçiq është kërcënim retorik i drejtuar, para së gjithash, kah bashkësia ndërkombëtare. Hapi i parë i materializimit të këtij kërcënimi, sipas tij është “vetsuspendimi” i pjesëtarëve serbë në institucionet e Kosovës në veri të vendit.

“Një pjesë e marrëveshjeve të Brukselit nuk mund të zhbëhen e që deri më tash janë zbatuar, për shembull: kodi telefonik dhe të tjera. Por, ajo që mund të kërcënohet është shkrirja, që kanë formale, e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë. Por, kjo do të hapte për Vuçiqin një konflikt jo vetëm me Kosovën, por edhe me bashkësinë ndërkombëtare”, vlerëson Maliqi.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një koment nga Qeveria e Kosovës lidhur me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më. Por, deri në publikimin e këtij teksti, zyrtarët e ekzekutivit nuk kanë kthyer përgjigje.

Janjiq: Veprimet e Vuçiqit shkelin Marrëveshjen e Brukselit

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Marrëveshja gjithëpërfshirëse e parë e Brukselit, e vitit 2013 dhe, siç thotë ai, 38 marrëveshjet tjera të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ekzistojnë dhe do të ekzistojnë si akte ndërkombëtare. Marrëveshja e Brukselit, siç thotë ai, është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe ajo ka fuqinë, madje edhe më të madhe se Kushtetuta.

Janjiq thotë se Serbia nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje në Parlamentin e saj, por sipas tij, të gjitha marrëveshjet e obligojnë atë.

Por, shkaku konkret i reagimit të Beogradit zyrtar dhe kërcënimet e Vuçiqit, sipas Janjiqit, nuk kanë bazë logjike, sepse organizimi në Kosovë i zgjedhjeve për institucionet e Serbisë, nuk ekziston në Marrëveshjen e Brukselit.

“Nëse dikush e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit, është Vuçiqi që i ka ftuar ose i ka pranuar në mbledhje kryetarët e gjykatave, përfaqësuesit e policisë, sepse ata njerëz, sipas Marrëveshjes së Brukselit, janë pjesë e institucioneve të Kosovës. Kjo është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit në nivel të parë dhe kjo nuk mund të kontestohet”, thotë Janjiq.

Suspendimi i gjyqtares Stevanoviq, “veprim logjik”

Agon Maliqi vlerëson se reagimi i institucioneve gjyqësore në Kosovë ndaj pranisë së kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, në Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë, ka qenë i logjikshëm. Sipas tij, Vuçiq rregullisht i fton në takim përfaqësuesit politikë serbë të Kosovës dhe deri më tash nga Kosova nuk ka pasur ndonjë masë ose shqetësim për ta.

“Por, kjo është pjesëmarrja e një zyrtareje të gjykatës, që është institucion i pavarur nga politika, në një takim politik në shtetin fqinj. Padyshim që Këshilli Gjyqësor i Kosovës – i cili formalisht nuk ka kurrfarë lidhje me institucionet politike – është brenda mandatit dhe funksioneve të tij që të marrë masa ndaj zyrtarëve që marrin pjesë në aktivitete të karakterit të tillë politik. Për aq sa i kuptoj zhvillimet, kjo më duket si një masë administrative e Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thekson Maliqi.

Përgjegjësia e BE-së?

Mendim të ngjashëm ka edhe Dushan Janjiq. Sipas tij, reagimi i Kosovës është logjik. Por, në këtë pikë, siç thotë ai, nuk është terreni i përshtatshëm për debat me Beogradin sepse në këtë mënyrë, qoftë mediat, qoftë kryeministri Albin Kurti, mund të përfshihen në lojën e propagandës së Vuçiqit, para zgjedhjeve.

Megjithatë, sipas Janjiqit, zbatimi i Marrëveshjeve të arritura në Bruksel ose cenimi i tyre, do të duhej të ishte përgjegjësi edhe e Bashkimit Evropian.

“Kjo tashmë është temë edhe për [të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçakun ose për Komisionin Evropian, në qoftë se fare brengosen për Marrëveshjen e Brukselit. Pra, deri më tash, kjo është goditja publike më e madh dhe manifestimi se ekziston paralelizmi i institucioneve, sepse i keni edhe të ashtuquajturit kryetarë të komunave nga sistemi serb, të cilët funksionojnë. Po ashtu, keni politikanët që në zgjedhjet në Kosovë, sipas ligjeve të Kosovës dhe me dokumente të Kosovës, janë zgjedhur dhe e kanë përbërë koalicionin në pushtet, janë zëvendëskryeministra dhe ministra të Qeverisë [së Kosovës], e të cilët, përnjëherë e manifestojnë publikisht se i takojnë Beogradit”, thekson Janjiq.

Të gjitha këto situata mund të ndikojnë në zhvillimin e mëtejmë të dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, fokusi i diplomacisë së Brukselit është përqendruar në zhvillimet në Ukrainë pas pushtimit të saj nga Rusia, ndërkaq që diplomacia e BE-së ka shmangur vëmendjen nga Ballkani Perëndimor.

“Ky është gabim strategjik”, përfundon Janjiq.

Ndërkaq, Maliqi thekson se zhvillimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë mesazh për Bashkimin Evropian për paqëndrueshmërinë e sigurisë aktuale. Në këtë kontekst, sipas tij, dialogu mund të futet në krizë të thellë ose mund të sjellë një moment të ri drejt zgjidhjes përfundimtare, të cilin mund ta shkaktojë një përshkallëzim i situatës së sigurisë.

Më 25 mars, qytetarët lokalë serbë në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, kanë protestuar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë.

Ndaj këtij vendimi, zhgënjimin e kanë shprehur vendet Quint-it (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania).

rel

Rexhep Qosja: PD dhe Sali Berisha

pd malokeMegjithëse në moshën kur moshanikët e tij (Sali Berishës) enden korridoreve të spitaleve me fashikuj në duar plot diagnoza e dokumente të tjera mjekësore, ai po i bën këto beteja politike dhe që gati një vit po i tollovit shqiptarët në Shqipëri e Kosovë, unë, pas qindra e qindra faqeve të shkruara kundër politikës së tij, do të shkruaj tani një panegjirik për të: për energjitë e tij, për demagogjitë e tij artistike, për mendimet e tij të qarta, buçitëse, të sistemuara, të tejpërtej dëgjuara. E di se me atë panegjirik nuk do ta shpëtoj prej veprimit kundër vetvetes, por unë do të përpiqem ta bëj të amshueshëm në historinë shqiptare përplot të Papritura e Fatkeqësi.

***

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, i cili, në emrin e SHBA-së, e shpalli person të padëshiruar në SHBA dhe po sillet e po vepron si të mos ishte i shpallur i tillë! Dhe, në këtë betejë angazhoi edhe avokat francez, edhe gkykatës francez! Edhe shtet tjetër!

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër ambasadores amerikane në Tiranë, Juri Kim! Dhe, me këtë betejë politike kundër ambasadores amerikane, ai në të vërtetë po bën betejë politike kundër SHBA-së duke mos menduar aspak se SHBA me UÇK-në dhe me NATO-n jo vetëm ndalën gjenocidin që bënte Serbia e Millosheviqit duke dëbuar afro 1 milion shqiptarë prej Kosovës, por edhe e çliroi Kosovën prej okupimit shekullor serb duke e bërë çka është sot: shtet i lirë e i pavarur.

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë që ia mohoi veprimtarinë pasi u shpall person i padëshiruar në SHBA! Dhe, e “filloi” këtë betejë politike me puç partiak!

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër krijesës së tij politike, birit të tij politik, kryetarit të PDSH-së, Lulëzim Basha, të cilin më në fund e detyroi të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të PDSH-së.

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike për t’u dëgjuar zëri dhe mendimi i tij si dikur! Dhe, po i dëgjohen!

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike kundër bashkëpartiakëve të padëgjueshëm dhe krijoi parti të re të quajtur, çfarë çudie, kur Shtëpia e Lirisë, e kur Foltorja!

E filloi dhe po e vazhdon betejën politike, po bën çmos, s’po lë gur e dru pa lëvizur, për ta fituar atë betejë politike kundër kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Edi Rama, duke çuar në këmbë kundër tij të rinj e të moshuar, gra e burra, me pretekst ngritjen e çmimeve të shportës e të naftës megjithëse ai, Edi Rama, nuk ishte ngritësi i tyre!

E filloi dhe po i vazhdon të gjitha këto beteja politike për Shqipërinë Autoritare në të cilën do të jetë çka ishte, shumë vite, dikur – sundues autoritar.

Rexhep Qosja

A mund të jetë Ukraina neutrale?

ukrainaRusia kërkon që Ukraina të përjashtojë mundësinë e anëtarësimit në NATO. Por edhe vendet tradicionalisht neutrale kanë kthyer tani vështrimin nga NATO-ja për shkak të kërcënimit rus.

 

Një Ukrainë neutrale, ndoshta sipas modelit suedez apo austriak? Qeveria ruse e solli këtë ide në mes të marsit në një nga raundet e negociatave si një rrugëdalje nga lufta. “Ky është një variant që po diskutohet dhe mund të shihet si një kompromis i caktuar,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov më 16 mars.

Në periudhën prej pavarësisë së saj në vitin 1990 e deri në vitin 2014, kur Rusia ndërhyri dhe okupoi Krimenë, Ukraina ishte zyrtarisht neutrale. Por pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, parlamenti ukrainas e braktisi këtë politikë. Në fillim të vitit 2019, ajo votoi me një shumicë të madhe ndryshimin e kushtetutës. Që atëherë, jo vetëm anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO ka qenë një synim kombëtar me status kushtetues.

Por jo vetëm Rusia dëshiron ta parandalojë këtë. Vetë NATO refuzon sepse nuk dëshiron të futet në një luftë kundër Rusisë. Presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj ka pranuar ndërkohë se qëllimi për t’u bashkuar me NATO-n është ndoshta i paarritshëm.

 

Neutraliteti i imponuar

Pra, a mund të jetë neutraliteti një opsion për Ukrainën? Tre vende neutrale në veçanti përmenden vazhdimisht si modele të mundshme: Austria dhe Suedia si dhe Finlanda. Secili ka një histori të ndryshme.

 

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Austria ashtu si Gjermania, u pushtua nga katër fuqitë fituese. Bashkimi Sovjetik pranoi të tërhiqet vetëm sepse Austria u zotua për “neutralitet të përhershëm” në një marrëveshje të nënshkruar në vitin 1955. Leos Müller është historian në Universitetin e Stokholmit dhe autor i librit “Neutraliteti në historinë botërore”. Ai shkruan për DW se në rastin e Austrisë ishte “neutraliteti nga lart, përmes një traktati mes fuqive të mëdha”.

Ndryshe nga Austria, Suedia zgjodhi vet neutralitetin e saj. Ai ka qenë në fuqi për më shumë se 200 vjet, pasi vendit iu desh t’ia dorëzonte Rusisë atë që ishte Finlanda e atëhershme në luftën kundër Rusisë në vitin 1809.

Finlanda vetë fitoi pavarësinë në vitin 1917. Ajo ishte në gjendje ta ruante këtë pas dy luftërave kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ne nuk do ta kishim ruajtur sovranitetin tonë”, tha për DW ish-kryeministri finlandez Alexander Stubb, “pa një neutralitet të vetëshpallur, pragmatik dhe aspak ideologjik”. Por “fushëveprimi për politikën e sigurisë së Finlandës dhe vendimet ndërkombëtare ishte shumë i kufizuar gjatë Luftës së Ftohtë”.

 

Vendet neutrale në manovarat e NATO-s

Në të tre rastet, ky neutralitet u dobësua gjithnjë e më shumë gjatë dekadave në vijim. Austria, Finlanda dhe Suedia nuk janë anëtarësuar ende në ndonjë aleancë ushtarake, por janë bashkuar me Bashkimin Evropian në vitin 1995. E BE ka një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë me elementë ushtarakë. Vetëm këtë javë, ministrat e jashtëm të BE-së vendosën të krijojnë një forcë të reagimit të shpejtë me deri në 5.000 ushtarë.

 

Në veçanti, dy vendet në kufi me Rusinë, Suedia dhe Finlanda, janë në kërkim të bashkëpunimit ushtarak me NATO-n. Për shembull, ato po marrin pjesë në manovrën e vazhdueshme “Cold Response” (“Reagimi i Ftohtë”) në veri të Norvegjisë, disa qindra kilometra larg kufirit rus. Manovra ishte planifikuar shumë përpara luftës në Ukrainë, e Rusia ishte gjithashtu e informuar. Por tani ajo merr një kuptim tjetër. Në qershor të vitit të kaluar, Suedia dhe Finlanda u aktivizuan gjithashtu vetë: ata ftuan shtatë vende të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, në manovrën e përbashkët “Arctic Challenge 2021″.

 

Shumica e madhe në Finlandë për anëtarësim në NATO

Lufta në Ukrainë ndryshoi plotësisht situatën. Ndryshe nga Austria e cila shtrihet në mes të Evropës, Suedia dhe Finlanda ndihen “të ekspozuara strategjikisht” ndaj Rusisë, siç e përshkruan Leos Müller. Ai përmend kufirin e gjatë finlandez-rus si justifikim, situatën delikate në vendet anëtare të NATO-s, si Estonia dhe Letonia me pakicat e tyre rusisht-folëse dhe enklavën ruse të armatosur mirë të Kaliningradit në anën tjetër të Detit Baltik.

Ajo që është e re është se Suedia dhe Finlanda tani po diskutojnë intensivisht nëse duhet të heqin dorë nga neutraliteti i tyre dhe të kërkojnë mbrojtje nga NATO. Atëherë detyrimi i NATO-s për të ofruar ndihmë do të zbatohej edhe për to sipas nenit 5, sipas së cilit, një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve dhe të gjithë duhet të mbrohen bashkë.

Ish-kryeministri i Finlandës Stubb beson se Finlanda do t’i bashkohet “përfundimisht” NATO-s. “Nuk është çështja nëse do t’i bashkohet, por kur”. Ai pret një aplikim finlandez “për disa muaj”. Sipas sondazheve të fundit, 62% e finlandezëve janë tani në favor të anëtarësimit, krahasuar me vetëm 16% kundër. “Treni është nisur nga stacioni,” thotë Stubb. “Ndalesa e fundit do të jetë selia e NATO-s.” Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz ka thënë tashmë se nëse Finlanda do t’i kërkonte NATO-s, ajo do të ishte “shumë e mirëpritur”.

Leos Müller në Stokholm është më i kujdesshëm. Në fund të fundit, në Suedi tani ka një shumicë relative prej 35 deri në 41 % në favor të pranimit. Në zgjedhjet parlamentare suedeze në shtator, çështja e anëtarësimit në NATO do të jetë një prej temave më të rëndësishme. Pas shpërthimit të luftës gjërat kanë ndryshuar shumë, thotë Müller. Ai beson se “nëse të dyja vendet duhet të bashkohen, atëherë së bashku, të koordinuar”.

 

Çmilitarizimi do të ishte “i paimagjinueshëm për një vend neutral”

Këto dy vende, të cilat mund të heqin dorë nga neutraliteti i tyre, për shkak të kërcënimit rus, nuk janë më një model i mundshëm edhe për Ukrainën. Deri më tani nuk ka pasur lëvizje të krahasueshme në Austri. Por Austria është gjeostrategjikisht në një pozicion tjetër.

Por pavarësisht se cilin shembull përdorni, Leos Müller beson se neutraliteti nuk do të funksiononte për Ukrainën: shtete ose organizata të tjera, si SHBA, Rusia apo NATO, do të duhej të garantojnë këtë neutralitet dhe të mbrojnë Ukrainën në rast të një sulmi. “Por kjo kërkon funksionimin e ligjit ndërkombëtar, marrëveshje dhe organizata funksionale. E sot Rusia po i shkelë të gjitha këto marrëveshje dhe organizata.” Përveç kësaj, Rusia po kërkon një “çmilitarizim” të Ukrainës – “një kërkesë e paimagjinueshme për një vend neutral”, thotë Müller. Ashtu si Suedia apo Zvicra, edhe Ukraina ka nevojë për kapacitete mbrojtëse.

Ukraina e ka parë tashmë se garancitë ndërkombëtare në fund të fundit mund të jenë të pavlera. Në vitin 1994, në Memorandumin e Budapestit, ajo u zotua të heqë dorë nga armët bërthamore që kishte marrë nga trashëgimia pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik. Në këmbim, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe morën përsipër të respektojnë sovranitetin dhe kufijtë e Ukrainës. 20 vjet më vonë, Rusia aneksoi Krimenë e Ukrainës, e dy fuqitë perëndimore e lejuan atë.

 

Gjendja si në vitin 1914

Si historiani suedez Müller ashtu edhe ish-kryeministri finlandez Stubb e konsiderojnë luftën në Ukrainë si një pikë kthese dramatike. “Lufta e Putinit aktualisht po shkatërron rendin botëror pas vitit 1945”, tha Leos Müller.

Alexander Stubb shton: “Për mua ky moment është si ai i vitit 1914, i vitit 1939 apo 1989”. Pas Perdes së Hekurt të Luftës së Ftohtë, tani do të ketë një perde të re në Evropë dhe “Rusia do të izolohet plotësisht”. Sigurisht që në një moment do të duhet të merreni sërish me Rusinë. “Por për mua si një finlandez është një realizim dramatik që ne ndoshta nuk do të kemi asnjë kontakt me fqinjët tanë me kufirin tonë 1340 kilometra të gjatë për një kohë të pacaktuar.”

Nëse Finlanda heq dorë nga neutraliteti i saj dhe bëhet anëtare e NATO-s, Rusia dhe aleanca perëndimore do të jenë kokë më kokë në këtë kufi të gjatë në Evropën veriore.

dw

A ka rrezik nga vezët? AKU jep shpjegime disa ditë pas përhapjes të gripit të shpendëve

vezeShqetësimit të qytetarëve për konsumin ose jo të vezëve dhe të mishit të pulës në një kohë kur është përhapur grip ii shpendëve, drejtorja e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit i përgjigjet me siguri se mund të konsumohen pa asnjë risk.

Edhe pse nuk janë publikuar, dihen tanimë emrat e stabilimenteve të cilët u infektuan me gripin e shpendëve dhe në supermarket apo dyqane lagjesh gjen vezë me emrin e tyre, sikundër ka edhe stabilimente që nuk kanë më pula e sërish kanë hedhur në treg vezë, gjë e cila ka frikësuar edhe më shumë konsumatorin.

Por nga asnjëra anë, AKU thotë se nuk ka asnjë rrezik për konsumatorin, por ndërkohë ka bllokuar sasi të konsiderueshme vezësh në stabilimentet e infektuar.

AKU sqaron se këto produkte duhet të blihen në dyqane apo markete të kontrolluara. Për produktet që hidhen në treg, çdo ditë merren mostra dhe analizohen.

Top Channel

 

Presidenti Biden zotohet se NATO do të veprojë nëse Rusia përdor armë kimike

BidenDo të ketë një reagim ushtarak nga Perëndimi nëse Rusia përdor armë kimike në Ukrainë, u shpreh të enjten Presidenti Joe Biden.

“Do të merrte reagimin e duhur”, tha Presidenti Biden duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari gjatë konferencës për shtyp. “Nëse po pyesni nëse NATO do të kalonte (kufirin e Ukrainës për t’u përballur me forcat ruse), atë vendim do ta marrim në atë moment”.

Presidenti amerikan tha gjithashtu në shtabin e NATO-s se Rusia duhet të përjashtohet nga Grupi i 20-të ekonomive më të mëdha dhe se Ukrainës i duhet mundësuar që t’i ndjekë takimet e G-20ës.

Presidenti Biden konfirmoi se çështja u ngrit gjatë takimeve të tij me udhëheqës të tjerë botërorë të enjten ndërsa plotësohej një muaj nga sulmi i Rusisë në Ukrainë.

I pyetur nëse Ukrainës do t’i duhet të lëshojë territor për të arritur një armëpushim me Rusinë, Presidenti Biden u përgjigj se “nuk besoj se do t’iu duhet ta bëjnë këtë gjë”, por se kjo mbetet në gjykimin e Kievit.

Gjatë konferencës së tij për shtyp, Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara po angazhojnë rreth 1 miliard dollarë në asistencë humanitare “për të ndihmuar miliona ukrainas të ndikuar nga lufta në Ukrainë”.

“Me fokusin tek ribashkimi i familjeve”, Shtetet e Bashkuara do të mirëpresin 100 mijë ukrainas dhe do të investojnë 320 milionë dollarë për të mbështetur demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Ukrainë dhe në vendet fqinje, tha presidenti amerikan.

NATO njoftoi më herët të enjten se aleanca do të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse, pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i kishte bërë thirrje udhëheqësve të aleancës që të ofrojnë më shumë armë për vendin e tij “pa kufizime, ndërsa sulmi i Rusisë në Ukrainë po hyn në muajin e dytë”.

Thirrja e zotit Zelenskyy erdhi pasi Presidenti Biden u takua me udhëheqësit e NATO-s për të diskutuar përgjigjen e tyre afatshkurtër dhe afatgjatë ndaj pushtimit rus.

Duke iu drejtuar samitit nëpërmjet një lidhjeje videofonike, zoti Zelenskyy tha se ushtria e tij kishte nevojë për avionë luftarakë, tanke dhe sisteme të përmirësuara të mbrojtjes ajrore dhe detare, pasi ai paralajmëroi se Rusia do të sulmonte Poloninë, vend anëtar i NATO-s, si dhe vende të tjera të Evropës Lindore.

“Rusia nuk ka ndërmend të ndalet në Ukrainë,” tha ai. “Ajo dëshiron të shkojë më tej. Kundra anëtarëve lindorë të NATO-s. Shtetet baltike. Polonisë, me siguri”.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë të qarkulluar të enjten thuhej se “nga tani dhe deri në samitin e NATO-s në qershor, ne do të përgatisim plane për forca dhe kapacitete shtesë për të forcuar mbrojtjen e NATO-s”.

Një zyrtar i administratës së Presidentit Biden u tha gazetarëve se zoti Zelenskyy nuk e përsëriti të enjten kërkesën e tij për një zonë ndalim-fluturimi, të cilën NATO e hodhi poshtë më parë me arsyetimin se do të çonte në konflikt të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.

Vendet anëtare të NATO-s thanë në një deklaratë të përbashkët pas samitit se ata do të “përshpejtonin” angazhimin e tyre për të investuar të paktën 2% të buxheteve të tyre kombëtare për mbrojtjen, duke mundësuar një fuqizim të konsiderueshëm të “pozitave afatgjata për të parandaluar dhe për t’u mbrojtur” nga kërcënimet.

Aleanca u zotua gjithashtu të “zhvillojë më tej gamën e plotë të forcave dhe aftësive të gatshme të nevojshme për të ruajtur aftësitë e besueshme parandaluese dhe mbrojtëse”.

Përveç pjesëmarrjes në bisedimet e NATO-s, Presidenti Biden u takua të enjten me krerët e G-7ës dhe të Këshillit Evropian.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten një raund të ri sanksionesh ndaj 48 kompanive shtetërore ruse të mbrojtjes dhe më shumë se 400 personalitete politike ruse, oligarkë dhe subjekte të tjera – një veprim që Presidenti Biden tha se po bëhej në koordinim me Bashkimin Evropian.

Britania tha të enjten se paketa e re e saj e sanksioneve përfshin ngrirjen e aseteve të Gazprombank, që shërben si një kanal kryesor për pagesat e naftës dhe gazit, si dhe të bankës Alfa Bank, një huadhënës kryesor privat në Rusi. Manjati i naftës Evgeny Shvidler, drejtor ekzekutiv i Sberbank, Herman Gref dhe Polina Kovaleva, mbesa e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, janë mes individëve të sanksionuar.

Kina ka kritikuar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe është paralajmëruar nga Presidenti Biden që të mos ndihmojë Rusinë t’iu shmanget këtyre masave.

I pyetur në lidhje me bisedën e tij të fundit telefonike mbi këtë temë me Presidentin kinez Xi Jinping, Presidenti Biden tha se ia kishte bërë të qartë zotit Xi “pasojat e ndihmës së tij ndaj Rusisë”, por, ai vuri në dukje se, “nuk bëri asnjë kërcënim”.

Presidenti amerikan shkon në Poloni të premten, një vizitë që do të vërë në qendër të vëmendjes edhe miliona ukrainas që janë bërë refugjatë që nga fillimi i luftës nga Rusia.

“Kam në plan të përpiqem t’i shoh këta njerëz”, u tha Presidenti Biden gazetarëve mes spekulimeve se ai mund të shkojë në kufirin e Polonisë me Ukrainën. “Unë mendoj se nuk duhet të them se ku po shkoj, apo jo?”.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

Mediat serbe: Vuçiq “ruan” sigurinë nacionale me Radoiçiqin që kërkohet nga policia si anëtar i një bande kriminale

Vucic RadoiciqKrahas mbledhjes “dramatike” të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të cilën e mbajti të martën, Aleksandar Vuçiq ka pasur një takim edhe me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Në mesin e tyre ishte edhe Milan Radoiçiq  – që është në listën e zezë të amerikanëve si anëtar i një grupi të organizuar kriminal.

 

Edhe pse nën sanksionet e SHBA-së dhe i ndjekur penalisht nga policia e Kosovës, Radoiçiq është njëri nga përfaqësuesit më të shquar të delegacionit politik serb nga Kosova.

Ky biznesmen kontrovers njihet edhe si një nga financuesit kryesorë të Listës Serbe, satelit i Partisë Progresive Serbe në Kosovë. Ai dikur ishte në listën e të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, por arriti t’u ikte forcave policore të Kosovës, duke shkuar në Serbinë qendrore, raporton nova.rs.

Më vonë, Vuçiq personalisht e liroi nga akuzat për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke thënë se kishte kaluar një poligraf.

RadoiciqRadoiçiq, i përkëdheluri i autoriteteve në Beograd, nuk i shpëtoi sanksioneve të Shteteve të Bashkuara në fund të vitit të kaluar, transmeton Telegrafi.

Në shpjegimin e sanksioneve thuhej se ai ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal që korruptonte zyrtarët e sigurimit të Kosovës dhe Serbisë për t’u mundësuar tregtimin e narkotikëve, armëve dhe transferimin e parave.

Edhe administrata amerikane iu referua vrasjes së Ivanoviqit, duke theksuar se ky grup i organizuar kriminal akuzohet për përfshirje në vrasje.

“Veselinoviq, Milan Radoiçiq, Zhelko Bojiq dhe Marko Rosiq janë të gjithë të përfshirë në aktakuzë për vrasje dhe secili ka pasur rolin e tij në atentat, përkatësisht në ndërmarrjen kriminale”, thuhet ndër të tjera në sqarim.Kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Grboviq, tha se takimet e Vuçiqit me Radoiçiqin kanë qenë edhe dëshmi e lidhjes së shtetit me krimin e organizuar.

“Milan Radoiçiq nuk është përfaqësues i serbëve nga Kosova, por krahu kriminal i SNS-it në Kosovë, e cila me pretendime të pamerituara e quan veten ‘Lista e Serbëve’. Është evidente se ajo ka bekimin e autoriteteve në Beograd, përkatësisht të Aleksandër Vuçiqit, i cili, për shkak të mbijetesës së tij në pushtet, nuk heziton të bashkëpunojë hapur me persona nga mjedisi kriminal”, ka thënë Grboviq.

Milan Radoiçiq është duke u kërkuar prej policisë së Kosovës për shkak të përfshirjes në rastin “Brezovica”.

“Radoiçiq dyshohet për kanosje gjatë procedurës penale, siç dyshohet për pengim të dëshmitarëve duke i frikësuar që të mos dëshmojnë”, ka thënë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, në aksionin e koduar “Brezovica”, më 21 dhjetor 2021, policia arrestoi 10 persona, mes të cilëve edhe Bratislav Nikoliqin, ish-kryetarin e Shtërpcës. Në mesin e të arrestuarve ishin tetë nga Ferizaj dhe dy nga Prishtina.

Policia e Kosovës e ka shpjeguar këtë veprim me luftën kundër krimit në ndërtim.

Telegrafi

Sërish rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni

naftaKomisioni Rregullator i Energjetikës dhe i Shërbimeve të Ujit i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi vendimin, me të cilin bëhet rritja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht për 3,60% në raport me vendimin e datës 23.3.2022.

Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës ЕUROSUPER BS-95 dhe ЕUROSUPER BS-98 dhe të ЕURODIZELIT (D-Е V) dhe të Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rriten për 3,00 den/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU rritet për 1,571 den/kg dhe do të jetë 55,163 den/kg.

Nga data 25.3.2022, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë për motorë EUROSUPER BS – 95 82,00 (denarë/litër)
Benzinë për motorë EUROSUPER BS – 98 84,00 (denarë/litër)
Naftë për motorë EURODIZEL BS (D-E V) 84,00 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 81,00 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 55,163 (denarë/kilogram)

Çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror, në krahasim me përllogaritjen e mëparshme, shënojnë rritje mesatarisht: te benzina për 2,944 %, te nafta për 5,650 %, te vaji ekstra i lehtë për 5,694 % dhe te mazuti për 3,588%.

Kursi i denarit në raport me dollarin në periudhën e kaluar, sipas të cilës janë formuar çmimet në përllogaritjen e mëparshme, është më i ulët për 0,059%.

Theksojmë se këto janë çmimet maksimale të derivateve të naftës nga ora 00:01 e datës 25.3.2022. Tregtarët me shumicë dhe pakicë me derivate të naftës dhe lëndë djegëse për transport, mund t’i formulojnë çmimet e derivateve të ndryshme të naftës dhe lëndëve djegëse për transport edhe më të ulëta se çmimet më të larta që janë përcaktuar.

Telegrafi

Të gjitha “kërcënimet” e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës

lista srpskaPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe një herë ka “penguar” daljen e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës. Kësaj radhe, arsyeja për “gatishmërinë” e tyre për të braktisur këto institucione është, siç kanë thënë ata, “terrori që po kalojnë” dhe për shkak se Prishtina zyrtare nuk po e lejon votimin në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit.

 

Më 22 mars, Vuçiq u takua në Beograd me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët “jo vetëm që njëzëri i kërkuan që të largohen menjëherë nga institucionet, por edhe që 435 policë në veri të vendit, t’i lënë armët dhe të largohen nga policia rajonale”.

Megjithatë, Vuçiq u kërkoi atyre “durim, tolerancë dhe të numërojnë deri në dhjetë”.

Më 24 mars, Vuçiq po ashtu deklaroi se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më, për shkak të suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Suspendimi i Stevanoviqit vjen pasi ajo kishte marrë pjesë në një takim në Beograd me presidentin Vuçiq, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues tjerë të serbëve të Kosovës.

Çfarë është e kontestueshme për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë?

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, këmbëngul që Beogradi zyrtar t’i dërgojë Prishtinës një kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, të cilën Serbia e vlerësoi si presion për njohje.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Kurti, thotë se asnjëherë nuk ka pasur qëllim që të sigurojë njohjen e Kosovës nga Serbia përmes kërkesës për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe, por se askush nuk mund të kërkojë nga ai që të mos e respektojë sovranitetin e vendit të tij.

Në një konferencë për media, më 23 mars, pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk janë të ndaluara, por se nuk është arritur marrëveshje mes palëve.

Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës u ka bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të mos dalin në protesta, të cilat nënkryetari i Listës Serbe, Dallibor Jevtiq, i ka paralajmëruar për të premten, më 25 mars.

Paralajmërohet protesta e serbëve

Jevtiq, i cili është gjithashtu kryetar i Komunës së Shtërpcës, një nga gjashtë komunat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit, tha se të premten (më 25 mars), serbët në jug dhe në veri të Ibrit do të mbajnë protesta paqësore me mesazhin “askush në shekullin e 21-të nuk i mohon të drejtat themelore të njeriut”.

Nga ana tjetër, Vuçiq tha se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës do të çonte në një “rreth vicioz të konflikteve të pafundme të luftës”.

“Disa njerëz (përfaqësues serbë) thanë se janë të gatshëm edhe për konflikte, disa për largim (nga Kosova). Unë u kërkova që të qëndrojnë në Kosovë dhe t’i ruajnë vatrat tona”, tha Vuçiq.

“Daljet nga institucionet” të paktën një herë në vit

Kjo nuk është hera e parë që Lista Serbe paralajmëron daljen e saj nga institucionet e Kosovës.

Herën e fundit, një gjë të tillë e kishte paralajmëruar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat u mbajtën më 17 tetor të vitit të kaluar.

Në konferencën për media, Rakiq ka thënë se serbët e veriut të Kosovës do të largohen nga institucionet e të gjitha niveleve, nëse brenda një muaji nuk fillojnë bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pra, në veri nuk do të ketë njerëz në institucionet e Prishtinës”, tha Rakiq.

Asociacioni do të duhej të bashkonte dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo marrëveshje është arritur në vitin 2013 dhe parimet për të janë miratuar në vitin 2015, por asnjëherë nuk është zbatuar në terren, sepse Kosova beson se do të rrezikojë funksionalitetin e vendit.

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar se disa nga parimet e marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, por se ato mund të harmonizohen me statut.

Për shkak të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përfaqësuesit politikë të serbëve paralajmëruan daljen e tyre nga institucionet e Kosovës, në tetor të vitit 2020, kur drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia do ta shqyrtojë një procedurë të tillë.

Pas deklaratës së Petkoviqit, gjithashtu edhe Goran Rakiq deklaroi se përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë do ta shqyrtojnë mundësinë e largimit nga institucionet. Rakiq asokohe ishte zëvendëskryeministër në Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Në dhjetor të vitit 2019, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kishte deklaruar se do të largohej nga institucionet e Kosovës nëse ndaj deputetit Ivan Todosijeviq jepet një vendim gjyqësor përfundimtar, për shkak të mohimit të krimit në Reçak.

Todosijeviq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, u dënua me dy vjet burgim për nxitje të “urrejtjes kombëtare”, por në fillim të këtij viti gjykimi u kthye nga e para.

Todosijeviq është aktualisht kryetar i organit të përkohshëm Zveçan, i cili financohet nga Beogradi dhe që autoritetet në Prishtinë e konsiderojnë si institucion paralel dhe të paligjshëm.

Në fund të majit të vitit 2019, gjithashtu pati paralajmërime për tërheqje të serbëve nga institucionet e Kosovës. Drejtori i atëhershëm i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se në takimin e serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë arritur konkluzione, njëra prej të cilave ka të bëjë me largimin nga institucionet e Kosovës.

“Të gjithë përfaqësuesit politikë të popullit serb në territorin e Kosovës, në çdo vend dhe në çdo kohë, duhet të jenë të gatshëm të luftojnë me të gjitha forcat për interesat e popullit të tyre dhe nëse rrethanat politike e kërkojnë këtë, të largohen nga pozicionet”, thuhet në dokumentin me konkluzione.

Më herët, në shkurt të vitit 2019, presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se serbët e Kosovës kërkuan nga ai që të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, por ai u “kërkoi që të prisnin 45 ditë”.

Në fund të marsit 2018, serbët nga Kosova njoftuan nga Beogradi se do të largohen nga institucionet e Kosovës dhe se do ta formojnë vetë Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe. Kjo ishte edhe hera e parë që serbët e Kosovës kërcënonin se do të largoheshin nga institucionet dhe kjo u bë pas arrestimit të ish-drejtorit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Pavarësisht të gjitha këtyre paralajmërimeve, asnjëherë nuk ka pasur dalje nga institucionet e Kosovës, por kryetarët e komunave që ishin nga radhët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2018, për shkak të vendosjes nga ana e Qeverisë së Kosovës të taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia.

Ndërkohë, më 16 janar të këtij viti, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se nuk do të ketë më zgjedhje të Kosovës në veri, nëse Prishtina nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe, më 3 prill.

Kosova nuk ka lejuar hapjen e vendvotimeve në referendumin serb për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë.

Siç ishte bërë e ditur asokohe, serbët nga Kosova mund të votonin me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse të Beogradit në Prishtinë, por megjithatë ata e ushtruan të drejtën e tyre në një nga qytetet kufitare të Serbisë.

Sipas njoftimeve të deritashme të presidentit serb, Vuçiq, serbët nga Kosova do të votojnë në të njëjtën mënyrë edhe më 3 prill.

Muhaxhiri: Serbët do të largohen nga institucionet kur t’ua kërkojë Vuçiqi

Analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, beson se Lista Serbe asnjëherë nuk merr vendime si e pavarur, se i mungon autonomia dhe subjektiviteti edhe pse ka “fuqi kushtetuese në krijimin e Qeverisë së Kosovës”.

“Si e tillë, ajo nuk është në gjendje të marrë vendime të rëndësishme. Ajo është pjesë e një rrjeti specifik të kushteve dhe presioneve të ndërsjella në trekëndëshin ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai konsideron se serbët do të largohen nga institucionet e Kosovës vetëm kur këtë t’ua kërkojë Aleksandar Vuçiq, gjë që në këtë moment, siç thotë Muhaxhiri, nuk është në interesin e tij.

Ai nuk e përjashton mundësinë e destabilizimit në Kosovë, por, sipas tij, kjo varet ekskluzivisht nga interesat e presidentit serb, Vuçiq, sepse “vetëm ai ka fuqi të krijojë një situatë të tensionuar me udhëzime të drejtpërdrejta”.

“Për shkak të situatës në Ukrainë, nuk është momenti i volitshëm për të bërë diçka të tillë. Përfaqësuesit serbë mund të ngrijnë funksionet e tyre në shenjë proteste, por edhe ky do të ishte gjithashtu një opsion afatshkurtër”, tha Muhaxhiri.

Radakoviq: Bashkëpunimi me serbët e Kosovës nuk ka qenë kurrë më i keq

Dushan Radakoviq, drejtor i organizatës joqeveritare Qendra për avokimin e kulturës demokratike në Mitrovicën e Veriut, tha se marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe Qeverisë së Kosovës nuk kanë qenë kurrë më keq, duke shtuar se situata është “gjithnjë e më e rëndë”.

Radakoviq thotë se kryeministri i Kosovës, Kurti, vetëm se po i largon institucionet e Kosovës nga serbët, por sërish e konsideron “të pamatur” kërkesën e Listës Serbe për tërheqje prej tyre.

Ai, gjithashtu, thekson se me zhvillime të tilla, Kosova dhe Serbia vetëm sa po largohen edhe nga tryeza e bisedimeve, si dhe nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

“Disa marrëveshje kanë qenë para nënshkrimit, para së gjithash mendoj për energjinë elektrike në veri, për Vallaqin etj. Ky nuk është vetëm një hap prapa, por pesë hapa prapa. Siç thashë, me vendimet e Qeverisë së Kosovës destabilizohet situata që asnjëherë nuk ka qenë me e keqe mes komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës”, përfundon Radakoviq.

Ai, po ashtu, konsideron se zgjedhjet serbe nuk duhet të ndalohen në Kosovë, sepse kjo “paraqet shkelje të të drejtave të njeriut”.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat Serbia i organizoi në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, u mbajtën më 21 qershor të vitit 2020.

Në atë kohë, sipas praktikës së krijuar, misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kishte mbledhur fletëvotimet.

Kjo praktikë e mbledhjes së votave është krijuar në vitin 2017 dhe deri më tani ka ekzistuar leja nga autoritetet e Kosovës për një gjë të tillë.

rel