Olaf Scholz: Veç Ballkanit Perëndimor në BE edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia

Olaf Scholz ne CekiKancelari Scholz kërkon reforma radikale në mënyrë që veç Ballkanit Perëndimor në BE të hyjnë dhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.

 

Gjatë një fjalimi në Universitetin e Pragës kancelari gjerman, Olaf Scholz, u shpreh për një riorganizim të Bashkimit Evropian. Si pasojë e luftës agresore të Rusisë në Ukrainë, BE-ja duhet të bëhet shumë më e fortë dhe më e pavarur ekonomikisht, tha kancelari. Një Evropë e bashkuar është halë në sy për presidentin rus Vladimir Putin.

 

Scholz: Nëse është e nevojshme duhen ndryshuar traktatet e BE-së

Kancelari tha është i përkushtuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian, në të cilin duhet të përfshihen jo vetëm shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Ukraina, Moldavia dhe në të ardhmen, edhe Gjeorgjia.

Për të realizuar këtë BE ka nevojë për rregulla të reja. “Rregullat evropiane mund të ndryshohen,” tha kancelari, “nëse arrijmë në përfundimin se traktatet e BE-së duhet të përshtaten dhe ndryshohen në mënyrë që Evropa të mund të ecë përpara, atëherë ne duhet ta bëjmë këtë.”

 

Scholz u shpreh pro kalimit gradualisht nga vendimet njëzëri drejt vendimeve me shumicë në fusha të ndryshme të politikave të përbashkëta, si në politikën e jashtme apo politikën tatimore. “Respektimi i parimit të unanimitetit funksionon vetëm për sa kohë që ka pak presion për të vepruar. Po gjendja dhe kohët kanë ndryshuar”, tha kancelari.

 

Sistem i përbashkët mbrojtjeje

Si pasojë e luftës në Ukrainë, kancelari Scholz u shpreh edhe për një politikë të përbashkët mbrojtjeje në BE. Ai tha se duhej të zhvillohen sisteme të përbashkëta armësh, në të cilat mund të stërviten të gjithë ushtarët e vendeve anëtare dhe të cilat mund të mirëmbahen më mirë.

Në mënyrë të veçantë kancelari Scholz u shpreh në favor të një sistemi të përbashkët të mbrojtjes ajrore, i cili do të ishte “më i lirë dhe më efikas” se zgjidhjet e secilit vend më vete dhe që në të njëjtën kohë do ishte një “fitim në fushën e sigurisë për të gjithë Evropën”.

dw

Shtyhet nisja e raketës së NASA-s drejt Hënës

Moon NasaNjë problem me motorin e ka detyruar NASA-n të shtyjë lëshimin e raketës së re drejt hënës, në një fluturim prove pa ekuipazh. Një provë e dytë pritet të bëhet të premten.

 

Raketa e njohur ndryshe si “Space Launch System”, rreth 100 metra e lartë, kishte si mision të çonte një kapsulë në orbitë rreth Hënës.

Një nga drejtuesit e NASA-s, Jeremy Graeber tha se fillimisht inxhinerët kishin vërejtur rrjedhje dhe më pas kishte nisur puna për furnizimin me hidrogjen dhe oksigjen të lëngshëm të raketës.

“Space Launch System” është raketa më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë nga NASA, duke tejkaluar edhe “Saturn V” që çoi astronautët e misionit “Apollo” në Hënë.

Asnjë astronaut nuk ishte brenda kapsulës së raketës, të njohur ndryshe si “Orion”. Brenda kapsulës ishin vendosur disa aparatura që do të masnnin dridhjet, rrezatimin kozmik dhe kushte të tjera në fluturimin gjashtë-javor.

Më pas, në muajin tetor, kapsula do të rrëzohej në oqeanin Paqësor.

Ky do të jetë udhëtimi i parë i NASA-s drejt Hënës që prej një gjysmë shekulli dhe kostoja i kalon 4 miliardë dollarë. Kur të realizohet i gjithë programi i NASA-s për rikthimin e astronautëve në Hënë, në vitin 2025, kostoja do të ketë arritur në 96 miliardë dollarë.

voa

DASH: Marrëveshja për dokumentet e identifikimit, një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Departament of StateShtetet e Bashkuara mbështesin marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit, tha për shërbimin serb të Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të hënën. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara “e shohin marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve, të bazuar në njohjen reciproke”.

 

Marrëveshja e arritur të shtunën pasoi një periudhë përpjekjesh diplomatike amerikane dhe evropiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohej nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtonin nëpër Serbi në dhjetë vitet e fundit.

“Arritja e zgjidhjes përmes dialogut është kritike për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të shtunën se “Serbia kishte rënë dakord të shfuqizonte dokumentet hyrëse/dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia”.

 

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se “Bazuar në angazhimet e të dyja palëve dhe punën e palodhur të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, ne inkurajojmë Serbinë dhe Kosovën që të marrin një rol aktiv dhe të ecin përpara në mënyrë paqësore”.

Zyrtarët amerikanë dhe ata evropianë shpresojnë që Kosova dhe Serbia të kenë një qasje konstruktive për gjetjen e një zgjidhjeje edhe për çështjen e targave të makinave.

voa

“Persona të zhdukur me dhunë” apo “persona të zhdukur”

1620Aktivitet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur më 27 prill 2022.

 

Termi “me dhunë” duket se po bllokon arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për personat e zhdukur gjatës luftës në Kosovë, më 1998/99.

Dy vendet, qysh në vitin 2011, janë të angazhuara në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kanë arritur dhjetëra marrëveshje – nga njohja e diplomave universitare deri te lëvizja e lirë – ndonëse zbatimi i shumë prej tyre në terren ka ngecur.

Dy vendet shprehen të gatshme edhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në luftë, por një akt i tillë, deri më tash, nuk ka ndodhur.

Kosova fajëson Serbinë; Serbia fajëson Kosovën.

Burime nga Bashkimi Evropian thonë për Radion Evropa e Lirë se teksti i marrëveshjes është i harmonizuar plotësisht, por nuk japin detaje se përse nuk nënshkruhet.

Derisa bota shënon 30 gushtin – Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve – në Kosovë, 1.617 persona – shumica shqiptarë – mbeten të pagjetur që nga koha e luftës.

Lufta e mbi dy dekadave më parë, e iniciuar nga regjimi i atëhershëm i Serbisë, ka përfunduar me mbi 13.000 njerëz të vrarë dhe mbi 6.000 të zhdukur. Por, mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe Serbi.

Çfarë është e kontestueshme?

Në prill të këtij viti, Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova dhe Serbia janë “shumë afër” një marrëveshjeje për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe se krejt çfarë ka mbetur për t’u bërë, është “harmonizimi i dy fjalëve”.

Më shumë hollësi për përmbajtjen e marrëveshjes nuk janë dhënë.

Në një konferencë për media, të mbajtur më 20 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Beogradi zyrtar këmbëngul që të zhdukurit në luftë të quhen vetëm “persona të zhdukur” dhe se ai nuk pajtohet me këtë term.

“…ne insistojmë që të theksohet që kjo [zhdukja] është bërë me forcë, është bërë me dhunë, sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, të llojit të vërshimeve, zjarreve apo tërmeteve”, ka thënë Kurti.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse termi “të zhdukur me dhunë” është shkak i mosnënshkrimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, dhe në përgjigjen e marrë, nga REL është kërkuar që t’i referohet deklaratës së kryeministrit Kurti, të datës 20 korrik.

Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më 24 gusht, Kurti ka thënë se, lidhur me “temën e personave të zhdukur me dhunë”, pala serbe “nuk ka pasur gatishmëri” që të nënshkruajë “dokumentin e dakorduar”.

“Pra, për marrëveshjen për të pagjeturit ekziston teksti me përmbajtje dhe me germa të dakorduara, por nuk ekziston nënshkrimi, pa fajin tonë. Është pala tjetër ajo, e cila nuk ka pranuar. Kjo ka mundur të nënshkruhet të enjten që shkoi [më 18 gusht]”, ka thënë Kurti.

“Për zhdukjet e dhunshme janë përgjegjëse shtetet, Prishtina nuk është e tillë”

Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, pranon se Beogradi këmbëngul në përdorimin e termit “persona të zhdukur”, sepse termi “zhdukje me dhunë” do të thotë se “dikush ka kryer krim lufte” – gjë të cilën Serbia s’e pranon.

“Asnjëherë nuk e kemi mohuar dhe nuk duam të shmangemi nga ajo temë, që të bisedohet për rrethanat e çdo zhdukjeje, sepse në raportet e dorëzuara për personat e zhdukur kemi shumë informacione që lidhen me personat që janë përgjegjës për zhdukjet. Por, ato nuk nënkuptojnë asgjë të rëndësishme në procesin e kërkimit, përveç në procesin e përcaktimit të përgjegjësisë për krimet që janë kryer”, thotë Odalloviq për Radion Evropa e Lirë.

“Për zhdukjet e dhunshme, përgjegjëse janë shtetet. Prishtina nuk ka qenë shtet, as atëherë dhe nuk është as sot. [v.j. Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008]. Ajo nuk ka kurrfarë përgjegjësie për zhdukjet që kanë ndodhur në vitet ‘90. I bie se vetëm Republika e Serbisë është përgjegjëse edhe për zhdukjet dhe vuajtjet e serbëve, por edhe për zhdukjet e të gjithë të tjerëve… kështu që shpresoj se arsyeja do të mbizotërojë”, shton Odalloviq.

Sipas tij, me “zhdukjet e dhunshme” duhet të merren organet e drejtësisë, gjegjësisht ato që merren me procedimin e krimeve të luftës dhe ky term, thotë ai, nuk duhet të përzihet me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Odalloviq thotë se çështja e të zhdukurve është humanitare dhe se familjarët e tyre kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre, “pavarësisht se kush është përgjegjës për zhdukjen e tyre, kidnapimin, zhdukjen e dhunshme dhe vrasjen”.

Blakaj: Insistimet në terminologji – qasje nga prizmi politik

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se në literaturën profesionale, janë të definuara saktë termet “të zhdukur me dhunë” dhe “të zhdukur”.

Sipas tij, termi “të zhdukur me dhunë” nënkupton personat e kidnapuar në një moment të caktuar, në një vend të caktuar, nga përfaqësues të agjencive shtetërore të sigurimit, qofshin ata nga policia, ushtria apo shërbimi i inteligjencës.

Ndërkaq, “të zhdukurit”, shpjegon Blakaj, janë personat për fatin e të cilëve nuk dihet, por që nuk përjashtohet mundësia që edhe ata të jenë zhdukur me dhunë, ose në forma të tjera, përfshirë fatkeqësitë natyrore.

Sipas Blakajt, insistimi i të dyja palëve në terme të ndryshme shpërfaq “qasjen e tyre nga prizmi politik”.

“Është e qartë që presidenti serb, Vuçiq, do që ta shmangë këtë nocion, këtë definicion [të zhdukur me dhunë], sepse dëshiron, mbase, që ta largojë përgjegjësinë nga shteti serb, nga agjencitë e shtetit serb”, thotë Blakaj.

Në këtë pikë, shton ai, është vështirë t’i jepet të drejtë njërës ose palës tjetër, lidhur me terminologjinë.

“Fakt është që për 23 vjet, kjo çështje është trajtuar si e tillë [të zhdukur] dhe nuk ka pasur një definicion apo një emërtim të tyre si ‘të zhdukur me dhunë’. Kjo është një risi që e ka sjellë tash Qeveria e Kurtit. Mirëpo, nuk mund të them që ka të drejtë pala serbe që ta shmangë këtë nocionin ‘zhdukje me dhunë’. Besoj që është shumë e rëndësishme që të dëshmohet se në çfarë rrethanash është zhdukur secili person nga lista prej rreth 1.600 personave të zhdukur. Pra, është me rëndësi që të hetohet dhe të dokumentohet secili rast veç e veç”, thotë Blakaj.

Përtej çështjes së terminologjisë, shton ai, duhen bërë përpjekje më të mëdha për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Në Kizhevak të Serbisë, vitin e kaluar, janë gjetur mbetjet mortore të nëntë viktimave të luftës. Gjetje të tjera pas tyre nuk ka pasur.

Në maj të këtij viti është kontrolluar një lokacion në Shtaval të Serbisë, por nuk janë gjetur mbetje mortore.

Mbi 23 vjet pas përfundimit të luftës, ka frikë se dëshmitarët mund të vdesin dhe informacionet për vendndodhjen e të pagjeturve të rrallohen.

Në Qeverinë e Kosovës thonë se për të arritur më shpejt tek identifikimi i varrezave të mundshme masive, është e nevojshme qasja në arkivat ushtarake të Serbisë. Serbia, deri më tash, ka refuzuar të ofrojë qasje në arkivat e saj.

Takimi i radhës Kurti-Vuçiq, në të cilin potencialisht mund të flitet për të zhdukurit nga koha e luftës, nuk është caktuar ende.

rel

Derisa kroatët dhe boshnjakët, flasin hapur, gjatë gjithë kohës për të kaluarën e tyre të largët dhe të afërt, duke kujtuar krimet, viktimat, si dhe duke festuar betejat e fituara në luftën e tyre të ashpër me okupatorët serbë, shqiptarët heshtin për të kaluarën e tyre plot dhimbje, vuajtje, tmerre, të shkaktuara nga po i njëjti agresor dhe ideologjia në shërbim të këtij agresori.

Madje edhe serbët ngulin këmbë për të kaluarën, por duke luajtur me mjeshtri rolin e viktimës që po dëmtohet.

Në Kosovë, e në veçanti në ish IRJM kërkohet nga faktori ndërkombëtar dhe zbatohet me dëgjueshmëri dhe bindje nga klasa politike shqiptare që të harrohet e kaluara, madje edhe ajo e afërt, gjithmonë, në funksion të “stabilitetit të rajonit”. Ndërsa klasa politike në Shqipëri, “harron” vullnetarisht të kaluarën, duke patur frikë të përballet me të.

Por çfarë klase politike, çfarë intelektualësh, çfarë rinie prodhon shoqëria shqiptare, e cila hesht për të kaluarën, pranon dhe jeton me padrejtësinë që buron nga kjo e kaluar dhe ka frikë të përballet edhe sot me këtë padrejtësi? Klasë politike të korruptuar dhe të shitur, pseudointelektualë në shërbim të këtyre të parëve dhe rini në gjumë pa ëndra, pa energji për ndryshime dhe zhvillim.

 

Në vazhdim të sa më sipër, ju ftoj të lexoni shkrimin me të njëjtën temë, të përkthyer nga unë (nga verzioni anglisht), të gazetarit rus Vladimir Yakovlev, djali i gazetarit të famshëm rus Yegor Vladimirovich Yakovlev:

 

“Jam pagëzuar sipas pas gjyshit tim.

Gjyshi im Vladimir Yakovlev ishte një vrasës, një xhelat gjakatar, një çekist*. Ndër viktimat e shumta të tij janë edhe vet prindërit e tij.

Ai vrau të atin duke e akuzuar per spekulator. Kur e mori vesh nëna e tij, stërgjyshja ime, vari veten.

Kujtimet e mia më të lumtura të fëmijërisë lidhen me një apartament të vjetër, të gjerë, në rrugën Novokuznetskaya, për të cilin familja jonë ishte shumë krenare. Siç kuptova më vonë, ky apartament nuk u ble, as nuk u ndërtua, por u mor me forcë – nga një familje e pasur biznesi në Moskë.

Më kujtohet dollapi i vjetër ku ngjitesha për të kërkuar ushqim. Dhe divani i madh i rehatshëm në të cilin gjyshja më lexonte tregime në mbrëmje. Dy kolltukët e mëdhenj prej lëkure, të cilët, sipas traditës familjare, përdoreshin vetëm për biseda veçanërisht të rëndësishme.

Siç mësova më vonë, gjyshja ime, të cilën e doja shumë, punoi me sukses si spiune, provokatore, për pjesën më të madhe të jetës së saj. Ajo përfitoi nga prejardhja e saj fisnike për t’u afruar me njerëz të ndryshëm dhe për të provokuar të njohurit e saj për t’u konfrontuar me të. Më pas ajo përpilonte raporte zyrtare për policinë secrete, duke përshkruar këto biseda.

Divani mbi të cilin më treguan histori, karriget, bufeja dhe të gjitha mobiljet e tjera nuk u blenë nga gjyshërit e mi. Ata thjesht i zgjodhën nga një magazinë speciale, ku furnizoheshin me mobilje nga shtëpitë e moskovitëve të pushkatuar.

Nga kjo magazinë çekistët* i mobilonin banesat falas.

Nën vellon e hollë të injorancës, kujtimet e mia të fëmijërisë janë të mbushura me frymën e plaçkitjes, vrasjes, dhunës dhe tradhtisë. Janë të njomur me gjak.

Dhe unë, kush jam unë vetë?

Të gjithë ne që jemi rritur në Moskë, jemi nipër viktimash dhe xhelatësh. Të gjithë ne, absolutisht të gjithë. Pa përjashtim.

Nuk kishit viktima në familjen tuaj? Pra, ka pasur vrasës.

Nuk kishte vrasës? Pra, ka pasur viktima.

Nuk kishte as viktima as ekzekutues? Pra, ka sekrete këtu. As mos e dyshoni!

Më duket se ne e nënvlerësojmë shumë ndikimin e tragjedive të së kaluarës ruse në psikikën e brezave të sotëm. Psikikës time dhe tëndes.

Kur vlerësojmë shkallën e tragjedisë që lidhet me të kaluarën ruse, zakonisht numërojmë të vdekurit. Por për të vlerësuar me të vërtetë shkallën e ndikimit të këtyre tragjedive në psikikën e brezave të ardhshëm, nuk janë të vdekurit, por të mbijetuarit që kanë rëndësi.

Të vdekurit janë zhdukur të gjithë. Por të mbijetuarit janë prindërit tanë dhe prindërit e prindërve tanë.

Të mbijetuarit – janë të vejat, jetimët, ata që kanë humbur të dashurit e tyre, të mërguarit, ata që u bënë vrasës për të shpëtuar veten… në emër të idesë apo fitores, ata që shklën…shitën ndërgjegjen, u kthyen në xhelatë. , të torturuarit dhe torturuesit e tyre, të përdhunuarit, të gjymtuarit, të grabiturit, ata që shkruan raporte, të tretur nga pikëllimi, faji apo besimi i humbur, të poshtëruarit, të uriturit për vdekje, robëria, pushtimi, kampet.

Dhjetëra miliona njerëz kanë vdekur. Të mbijetuarit? Qindra miliona.

Qindra miliona janë njerëz, frikën e tyre, dhimbjen e tyre, ndjenjën e të qenit nën një kërcënim të vazhdueshëm që buron nga bota e jashtme – ia kanë përcjellë atë fëmijëve të tyre, të cilët nga ana tjetër, duke i shtuar kësaj dhimbjeje vuajtjet e tyre.

Statistikisht, nuk ka asnjë familje të vetme në Rusi sot që në një mënyrë apo në një tjetër të mos ketë marrë me vete pasojat e tmerrshme të mizorive të paprecedentë që kanë zgjatur në vend për një shekull.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se sa ndikon përvoja jetësore e tre brezave të njëpasnjëshëm të paraardhësve tuaj në perceptimin tuaj individual të botës sot? Nëse jo – mendoni për këtë.

M’u deshën vite për të kuptuar historinë time të familjes. Por kjo është arsyeja se pse tani e di më mirë se nga vjen kjo frikë e vazhdueshme, e paarsyeshme. Ose fshehja e tepërt. Ose pamundësia absolute për të ndarë dhe ndërtuar marrëdhënie të ngushta. Ose ndjenja e vazhdueshme e fajit që më ka ndjekur që nga fëmijëria – në fakt për aq kohë sa mbaj mend.

Në shkollë na flisnin për mizoritë e fashistëve gjermanë. Në universitet – për krimet e Hóng Wèibīng kineze dhe Kmerët e Kuq Kamboxhian.

Ata thjesht harruan të na thonë se vendi ku ndodhi gjenocidi më i tmerrshëm, i paprecedentë në shkallën dhe kohëzgjatjen e tij nuk ishte Gjermania, as Kamboxhia, as Kina – por vetë vendi ynë. Dhe këtë tmerr të gjenocidit më të tmerrshëm në historinë njerëzore e përjetuan jo kinezët apo koreanët, por tre breza të familjes së tyre.

Ne ende mendojmë se është më mirë të mos e dimë.

Në fakt është më keq se kaq. Shumë më keq se kaq.

Ajo që nuk dimë vazhdon të ndikojë tek ne përmes gjumit të fëmijëve, përmes marrëdhënieve tona me prindërit. Thjesht kur nuk e dimë, nuk jemi të vetëdijshëm për ndikimin e tij dhe jemi të pafuqishëm për ta kundërshtuar atë.

Pasoja më e tmerrshme e traumës së trashëguar është pamundësia për të qenë të vetëdijshëm për të. Dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj, një paaftësi për të kuptuar shkallën e kësaj traume dhe shkallën e perceptimit tonë të realitetit sot.

Dhe nuk është aq e rëndësishme se kush e personifikon saktësisht këtë frikë për cilindo prej nesh, të cilin ne e perceptojmë si një kërcënim – Amerika, Kremlini, Ukraina, homoseksualët, turqit, Evropa “e mjerueshme”, kolona e pestë, apo thjesht shefi. të punës ose polici i hyrjes dhe metrosë.

Ajo që është më e rëndësishme është nëse e kuptojmë se deri në çfarë mase frika jonë individuale sot dhe ndjenja jonë e kërcënimit të jashtëm janë në të vërtetë vetëm fantazma e asaj të shkuare që kemi aq frikë ta shikojmë në sy.”

*(çekist – anëtar i Çeka, organizatë e policisë sekrete sovjetike)

Afrim Fanda

Pesë destinacionet ku mund të shijoni bregdetin në shtator/ “20 Minutes” jehonë Shqipërisë

KsamiliBregdeti i mrekullueshëm shqiptar vijon të bëjë jehonë në mediat e huaja, ndërsa së fundmi media e njohur zvicerane “20 Minutes” ka bërë edhe Shqipërinë pjesë të pesë destinacioneve bregdetare që mund të vizitohen gjatë shtatorit.

 

Në artikull theksohet se kjo periudhë është ndër më të mirat për të shijuar temperaturat e përshtatshme për plazh dhe kuzhinën e shijshme.

Njëkohësisht vala e madhe turistike ka kaluar, ndërsa çmimet vijnë në rënie.

 

Artikulli i kushtuar destinacioneve më të përshtatshme për plazh në shtator:

 

Ksamili 1Sarandë (Shqipëri)

Saranda është një qytet port në jug të Shqipërisë, afër kufirit me Greqinë. Duke marrë rrugën që të çon në Ksamil, një fshat simpatik në një gadishull, mund të shihni Korfuzin nga larg. Vendi është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Edhe më në jug, vizitoni me varkë dy ishuj të vegjël: Stilitin dhe Tongon.

 

Hyeres (Francë)

Të martën dhe të shtunën në mëngjes, në ishullin Hyères ka një treg në Avenue Gambetta. Më pas mund të kaloni pasditen në plazhin e Pesquiers ose në portin e Salins. Ekskursioni që nuk duhet humbur: vizitë në ishullin Porquerolles.

Stamboll, Turqi)

Çfarë pasurie kulturore! Ne nuk shkojmë në Stamboll për të pushuar. Ne shkojmë atje për t’u stimuluar nga ngutja e qytetit, si dhe nga ikjet e pandërprera të linjave dhe anijeve të mallrave në Bosfor. Pak kilometra larg qendrës, pyjet ofrojnë një strehë paqeje, ndërsa mund të notosh në plazhe.

Algarve (Portugali)

Fluturimet direkte lidhin Gjenevën me Faro. Nga atje, ju duhet të përshkoni bregun e mbushur me shkëmbinj dhe të mbushur me plazhe. Duhet të vizitoni fshatrat e bukura që janë të gjitha resorte bregdetare. Rajoni është i gjallë. Është i përshtatshëm si për jetën e natës ashtu edhe për familjarë.

Kalabria, Itali

Pulia dhe Siçilia janë destinacione të njohura në Italinë jugore. Kalabria shumë më pak. E megjithatë, meriton të njihet! Jo vetëm për natyrën e mrekullueshme, por edhe për kuzhinën e saj. Në aspektin kulturor është gjithashtu një nga djepet e qytetërimit evropian.

Top Channel

Evropë: Rritje çmimesh dhe inflacion – çfarë i pret konsumatorët?

MarketGjithnjë e më shumë po ndihet rritja e çmimeve. Çmimet për lëndët e para janë rritur prej muajsh, por tani rritja e tyre po prek direkt konsumatorët. Këtyre u shtohen dhe kostot e rritura fuqishëm të energjisë.

 

Çmimet në eurozonë janë rritur si asnjëherë më parë – në korrik rritja ishte 8,9 përqind krahasuar me verën e vitit 2021. Në Gjermani dinamika e rritjes është paksa më e zbutur nga ndërhyrja e shtetit duke shënuar kuotën e 7,5 përqind. Por pavarësisht skontos për çmimin e karburantit dhe aplikimit të abonesë mujore prej 9 eurosh për shërbimin e qarkullimit urban, në shtator duhet të rriten edhe pagat. Shumë sektorë të shërbimeve – si p.sh. floktoret do të detyrohen që koston e energjisë ta reflektojnë me rritjen e çmimit për shërbimet. Këtyre u shtohen edhe shlyerjet e detyrimeve të kostove të objekteve për vitin në vazhdim gjatë vitit të ardhshëm, kur qiramarrësit të dërgojnë faturat për vitin 2022. Pra definitivisht nuk ka shenja për përmirësim.

Edhe çmimet e prodhimit (çmimi që një prodhues kërkon për produktin e tij, si p.sh. fermeri nga tregtari) do të rriten ndjeshëm. Ekspertët që kishin parashikuar, se shtrenjtimi i kostove në planin vjetor do të ngadalësohej, tani e kanë kuptuar që janë gabuar. Shtrenjtimi është me rreth 37,2 përqind pas një rritjeje rreth 32,7 përqind në qershor, pra kemi një diferencë prej 5,3 përiqnd rritjeje në harkun kohor të një muaji. Arsyeja kryesore ka të bëjë me rritjen fuqishëm të kostos së energjisë, që krahasuar me një vit më parë është rritur 105 përqind. Gazi natyror është 164 përqind më i shtrenjtë se një vit më parë, energjia elektrike 125 përqind më e shtrenjtë dhe çmimi për produktet minerare është rritur gati 42 përqind. Këto janë faktorët kryesorë.

 

A është tejkaluar pika kulmore?

Nëse i kalkulon të gjitha këto së bashku, rezulton që rritja e çmimit të produkteve është plot 14 përqind. Kjo është një kuotë e lartë e rritjes, por tendenca megjithatë është konstante, mendon Ralph Solveen, ekspert i koniunkturës në Commerzbank. Kjo për faktin se lëndë të para të caktuara si p.sh. çeliku kanë shënuar rënie të çmimit. Kjo le të kuptohet se me gjasë në muajt e ardhshëm është arritur piku. Ai e vlerëson këtë si „një sinjal të parë të moderuar, që gjatë vitit të ardhshëm sërish mund të ketë një kuotë pak më të ulët të rritjes së çmimeve.”

 

Ekonomistët gjithësesi llogarisin me një rritje të mëtejshme të çmimeve, me nëntë përqind ose edhe më shumë. “Por kjo nuk do të thotë, se e gjitha ishte vetëm një shpërthim kalimtar,” paralajmëron Solveen. “Ne parashikojmë më shumë, se kuota e inflacionit pas kësaj do të mbetet e qendrueshme mbi dy përqind, pra do të kemi edhe më tej një fazë inflacioni të lartë.” Një inflacion që do të vazhdojë ta tejkalojë stabilitetin e çmimeve që po ndjek Banka Qendrore Evropiane (EQB). Ky objektiv ka prioritet të lartë, thuhet vazhdimisht nga përfaqësuesit e bankës së rezervave.

 

Mbrojtësit e monedhës në udhëkryq

BQE në korrik për herë të parë që prej njëmbëdhjetë vjetësh e rriti sërish normën orientuese të interesit. Për seancën tjetër vëzhguesit llogarisin me hapin pasues, me gjasë rritjen sërish me rreth 50 pikë bazë. “Ne parashikojmë, që hapi pasues pritet në shtator, e kjo nuk do të jetë masa e fundit, por BQE do të vazhdojë rritjen e normës së interesit edhe gjatë vitit të ardhshëm për të qenë e sigurtë, që kuota e inflacionit sërish të futet në shtegun e rënies”, thotë Michael Holstein, kryeekonomist i Bankës Qendrore Gjermane. Megjithatë me gjasë në dimër ekonomia do të bjerë në një recesion, druan ekonomisti Solveen.

Edhe qytetarët duhet të përgatiten për rritjen aktuale të çmimeve të produkteve për konsumatorin. Në korrik rritja e çmimeve për ushqimet ishte me 21 përqind krahasuar me një vit më parë. Këtë rritje prodhuesit do t’ua pasojnë konsumatorëve me rritjen e çmimit të shitjes. Një gjë e tillë jo gjithmonë bëhet me transparencë, vëren Qendra e Mbrojtjes së Konsumatorëve në Hamburg. Sepse gjithnjë e më shumë prodhues përdorin truke: Ata zvogëlojnë përmbajtjen brenda ambalazhimit, pra shesin më pak sasi me të njëjtin çmim. Kjo dukuri quhet shrinkflacion në anglisht. Këtë dukuri e hulumton prej vitesh Armin Valet nga Qendra e Mbrojtjes së Konsumatorëve në Hamburg. E pikërisht tani janë shtuar ankesat e konsumatorëve. Sepse rritja e çmimeve kamuflohet dhe rritja faktike është rreth njëmbëdhjetë deri në 33 përqind.

Këto kamuflime përmes ambalazhit dhe pakësimit të sasisë deri më sot kanë ndodhur kryesisht në produktet e firmave, por gjithnjë e më shumë tregtarët po rrisin çmimin e po pakësojnë sasinë edhe për produktet e serive të tyre, që normalisht janë me çmim të moderuar. Kryesisht dukuria e shrinkflacionit haset në produktet e konsumit si ëmbëlsira apo snacks, por jo në produktet bazë. “Një litër qumësht është faktikisht një litër qumësht”, thotë Valet. Ai parashikon që kjo tendencë do të vazhdojë edhe për një farë kohe me të njëjtën dinamikë: “Kjo me siguri që do të na preokupojë edhe në vjeshtë e në dimër”, thotë ai.

dw

Kurti paralajmëron reciprocitet të plotë nëse nuk arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë

AlbinKryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të dielën se është i përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellë me Serbinë, ndërsa paralajmëroi vendosjen reciprocitet të plotë nëse nuk arrihet një marrëveshje e tillë.

 

Ai i bëri këto komente gjatë punimeve të Këshillit të Përgjithshëm të lëvizjes Vetëvendosje, një ditë pasi Kosova dhe Serbia u dakorduan mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Me këtë marrëveshje, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse – dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia.

“Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe duam marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit. Serbia nuk e njeh dhe lufton pavarësinë tonë andaj edhe marrëdhëniet tona nuk janë normale dhe për shkak që marrëdhëniet tona nuk janë normale, ne jemi në një proces normalizimi. Ne dëshirojmë që të ketë normalizim dhe këtë ta bëjmë përmes një marrëveshjeje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se në mungesë të marrëveshjes do të ketë reciprocitet të plotë i cili do të vendoset shkallë – shkallë.

“Reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë. Ne nuk mund të mos e ushtrojmë sovranitetin të cilin e kemi shpallur njëjtë siç nuk mund të sillemi neutral ndaj vetes apo të marrim vendime të cilat krijojnë dualizëm në sistemin tonë ligjor”, tha ai.

Marrëveshja e një dite më parë që u mirëprit gjerësisht nga diplomacia perëndimore, pasoi një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që të zbatojë masat e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Nga një shtatori pritet të nisë afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serb që përdorin akronimet e qyteteve të Kosovës të kohës së Jugosllavisë. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS.

Vendimi kundërshtohet nga Beogradi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se Serbia arriti më të mirën e mundshme nga marrëveshja me Prishtinën për dokumentet e identifikimit, ndërsa duke komentuar paralajmërimet e kryeministrit Kurti lidhur me targat e makinave tha se “ai dëshiron konflikte dhe probleme të vazhdueshme”.

Kryeministri Albin Kurti tha se vendimet e qeverisë janë shprehje e ushtrimit të sovranitetit.

“Unë jam i angazhuar dhe përkushtuar që në mënyrë aktive e kreative në bashkëpunim e koordinim me aleatët tanë sidomos me SHBA-të dhe BE-në ta arrijmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme me njohjen e ndërsjellë në qendër marrëveshje kjo që sjellë paqen e qëndrueshme, qëndrueshmërinë dhe i kontribuon sigurisë ballkanike”, tha ai.

Ai u bëri ftesë partive politike opozitare për një takim siç tha informues dhe bashkërendues për procesin e bisedimeve, në një kohë kur Kosova tashmë pritet të përballet edhe me trysninë për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe.

Beogradi ngulë këmbë që kjo marrëveshje të shtrohet në bisedimet e radhës ndërsa faktorët ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje qeverisë që të dal me ndonjë propozim për themelimin e Asociacionit.

Serbia një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të përmirësojë marrëdhëniet me Kosovën pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë, para se të shqyrtohet përfshirja e saj në bllokun evropian.

voa

Si u përgatit raketa e re që NASA do të nisë drejt Hënës

raketa nasaRaketa e NASA-s “Artemis 1″

Kur raketa e NASA-s “Artemis I” të niset për në hapësirë të hënën, më 29 gusht, ky do të jetë kurorëzimi i viteve të tëra të punës së qindra personave. Shumë prej tyre janë në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, në disa objekte që u krijuan fillimisht nga NASA për projektimin dhe testimin e raketave të programit Apollo.

Raketa e re hënore e NASA-s bën javën e ardhshme nisjen e saj të parë për një provë pa astronautë në bord. Raketa rreth 100 metra e lartë do të përpiqet të dërgojë një kapsulë pa ekuipazh në një orbitë të largët të hënës. Nisja bëhet të hënën në mëngjes nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.

Nëse çdo gjë shkon mirë, udhëtimet me astronautë mund të fillojnë që në vitin 2024.

Ky do të jetë udhëtimi i parë i NASA-s drejt Hënës që prej një gjysmë shekulli dhe kostoja i kalon 4 miliardë dollarë. Kur të realizohet i gjithë programi i NASA-s për rikthimin e astronautëve në Hënë, kostoja do të ketë arritur në 96 miliardë dollarë.

Do të jetë kurorëzimi i viteve të punës së qindra njerëzve.

“Kjo nuk ishte punë e një apo dy vetave. Këtu pati ekipe prej qindra njerëzish që u mblodhën së toku nga fusha të ndryshme, eksperienca të ndryshme që e mundësuan realizimin e kësaj së bashku”, thotë Nicholas Nugent, inxhinier projektimi në Qendrën Hapësinore “Stennis”.

Shumë prej tyre janë në pjesë jugore të Gjirit të Meksikës dhe punojnë të shpërndarë në disa objekte që NASA i ngriti fillimisht për misionin Apollo.

“Do të nisim raketën që ndërtuan këta njerëz. A nuk është kjo fantastike? Mund të thonë që ‘punova për këtë raketë’, dhe ata do të punojnë edhe për të dytën, të tretën, të katërtën dhe të pestën”, thotë Lonnie Dutreix, drejtor i objektit të NASA-s në Nju Orleans.

Mbi 50 vite më pas, misioni Apollo ende dallon si arritja më e madhe e NASA-s.

Duke përdorur teknologjinë e viteve 1960, pas vetëm tetë vitesh nga dërgimi i astronautit të parë Alan Shepard, NASA arriti të zbresë në Hënë edhe astronautët Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin.

Ndërsa për të përgatitur raketën e re Artemis u desh të paktën mbi një dekadë punë, megjithë ekzistonte edhe eksperienca e krijuar nga një program eksplorues në Hënë, që u quajt Konstelacion, por që nuk zgjati shumë. 12 astronautë të misionit Apollo ecën në sipërfaqen e Hënës gjatë periudhës 1969-1972, me qëndrim jo më të gjatë se tre ditë për secilin.

Raketa e re Artemis është më e shkurtër dhe më e hollë se raketa që dërgoi gjithsej 24 astronautë drejt Hënës gjysmë shekulli më parë. Megjithatë ajo është më e fuqishme. Versionet e saj të ardhshme që do të quhen Sistemi i Nisjes në Hapësirë, do të jenë edhe më të mëdha.

Për të plotësuar stafin për raketën Artemis, NASA do të përzgjedhë ndër 42 astronautë, të cilët do të munden të qëndrojnë në Hënë për të paktën një javë.

Objektivi është krijimi i një pranie afatgjatë në Hënë, që do të përgatisë terrenin për dërgimin e njerëzve drejt Marsit.

voa

Shfrytëzimi i energjisë diellore në Maqedoninë e Veriut

Hoteli DrimPërdorimi i teknologjisë diellore për nxehtësi duhet të ishte krejt i thjeshtë në Maqedoninë e Veriut. Por subvencionet e pakta dhe rregulloret e pamjaftueshme pengojnë projektet megjithë përfitimet ekonomike.

 

Hoteli “Drim” mbi liqenin piktoresk të Ohrit rikonstruktoi së fundi sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes. Edhe pse për një dekadë, ky hotel përdorte kaldajat – një zgjedhje praktike energjie për bojlerët dhe sistemin e ajrit të kondicionuar – vendosi të kalonte tek teknologjia termike diellore. Ndryshe nga sistemet fotovoltaike, të cilat i shndërrojnë rrezet e diellit në energji elektrike, modulet termike diellore prodhojnë energjinë që u nevojitet pajisjeve ngrohëse dhe ftohëse.

Menaxheri i hotelit, Krste Blazheski, i tha DW se rritja me 10% e energjisë elektrike këtë vit, u kushtoi atyre një investim prej 170.000 eurosh, që u deshën për të instaluar sistemin e ri të paneleve diellore dhe fotovoltaike. “Fitimet nga ky investim mund të merren pas 3 ose 4 vitesh” – thotë Blazheski. “Atëherë do të kemi energji falas”.

Megjithatë, investimi i “Drim” në teknologjinë diellore termike e kalon atë automatikisht tek pakica. Sipas hulumtimit të Deutsche Welle, sponsorizuar nga “European Journalism Fund”, shumë kompani dhe qytetarë janë të etur për tranzicion, nga energjia tradicionale, tek ajo e rinovueshme. Por subvencionet e pakta të qeverisë për investime të këtij lloji, përfshirë këtu edhe kontraktorët e palicencuar që bllokojnë tregun me mallra dhe shërbim nën kosto, e zbehin optimizmin.

“Diell maqedonas për energjinë maqedonase”: kështu njoftoi në vitin 2018 ish-kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se vendi duhet të përdorë diellin bujar, me qëllim që të përfitojë ekonomikisht. Katër vite më vonë, shteti ballkanik, flamuri i të cilit ka në përbërje një diell vezullues – po ecën me vështirësi drejt synimeve ambicioze për prodhimin e energjisë elektrike nga panelet diellore dhe fotovoltaike.

 

Një ndër vendet me më shumë diell në botë

Sipas Zyrës Shtetërore të Statistikave familjet maqedonase instaluan gjatë vitit 2019 rreth 80 mijë panele diellore. Një zgjerim më masiv është i mundshëm, sepse me 280 ditë me diell në vit, Maqedonia e Veriut ka të drejtë të krenohet më shumë se vendet e tjera. Megjithatë raporti më i fundit i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme bëri të ditur se më pak se 2% e energjisë vendase prodhohet aktualisht nga energjia diellore, një nga nivelet më të ulëta në Europë.

“Eko-svest”, organizata jo-fitmprurëse për informacion dhe kërkim mjedisor, e cila kohët e fundit nisi fushatën për planifikimin e energjisë inteligjente, pretendon se instalimi i paneleve diellore në vetëm 1% të territorit të vendit, mund ta bëjë të pavarur energjinë e vendit. Me sa duket, interesi i qytetarëve nuk mungon.

“90% e qytetarëve besojnë se energjia diellore mund të përdoret shumë më tepër për të përmbushur nevojat që kemi” – thotë Ana Colovikj Leshoska, drejtuese e “Eko-Svest”. Dhe afërsisht e njëjta përqindje beson se duhet të ketë më shumë investime në pavarësinë e energjisë, shton ajo.

 

Shumë pak subvencione

Mbështetja e pamjaftueshme për investitorët është një pengesë e madhe, thonë njëzëri ekspertët dhe sipërmarrësit. Deri tani, subvencionet kanë qenë të vogla. Rreth 80 mijë euro në vit u janë shpërndarë familjeve që kanë instaluar panele diellore, që do të thotë se një familje merr nga 150-300 euro për të mbuluar kostot e instalimit.

Sistemet shtëpiake, që zakonisht përbëhen nga një ose dy module, kushtojnë rreth 500 euro për panel. Një kolektor i vetëm mundëson afërsisht 150 litra ujë të nxehtë në ditë. “Kjo nuk është asgjë, duke marrë parasysh nevojat e vendit” – thotë Ilija Nasov, drejtor i grupit lobues industrial “Solar Maqedonia”. Për më tepër, si rezultat i kufizimeve të vendosura në fondet e shtetit nga pandemia COVID-19,

Ministria e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut ka konfirmuar se nuk do të ketë ndihmë shtetërore për sistemet termike diellore gjatë gjithë këtij viti.

Kostoja e teknologjisë së paneleve diellore ka çuar në krijimin e të ashtuquajturave “kompani fantazmë”, të cilat ofrojnë një punë të dobët, me materiale me cilësi të ulët, kryesisht të prodhuar në Kinë. “Njerëzit duan që t’i blejnë këto pajisje sa më lirë që të jetë e mundur. Shpeshherë ata bëjnë gabimin e investimit në cilësi shumë të ulët” – thotë Sanja Popovska Vasilevska, nga Agjencia maqedonase e Mbrojtjes së Konsumatorit. Kompanitë “mbijnë” nga hiçi, përfundojnë punën dhe ditën tjetër zhduken nga qarkullimi, thotë ajo. Shumë shpejt, sistemi i tubacioneve digjet ose del jashtë funksionit. Kur konsumatorët shkojnë të zhgënjyer tek agjencia, është thuajse e pamundur për t’i gjurmuar këto kompani, ndërkohë që klientët humbin paratë e tyre, thotë Popovska Vasilevska.

 

Ligje të reja për furnizuesit e pandershëm

Ilija Nasov nga “Solar Macedonia” ka bindjen se legjislacioni aktual ka nevojë për ndryshime urgjente. Sipërmarrësit e palicensuar nga shteti nuk duhet të përfitojnë asnjë subvencion. Ai gjithashtu thekson se tregtarët e pandershëm, të cilët importojnë materiale me cilësi të ulët për panelet të mos pranohen në dogana, ndërkohë që prodhuesit vendas si “Camel Solar” dhe “Plasma” paguajnë taksë prej 18% për importin e lëndëve të para që nevojiten për panelet diellore.

“Nuk ka mekanizma kontrollues” – evidenton Nasov. Grupi lobues i industrisë organizon kurse dhe lëshon certifikata për instaluesit e licensuar. 80 vetë janë trajnuar gjatë 3 viteve të fundit. Megjithatë, 200 instalues të licensuar në shkallë vendi janë shumë pak, thotë shoqata.

“Kur instalohen sisteme fotovoltaike, situata ndryshon krejtësisht” – shpjegon Marko Bislimoski, kreu i Komisionit Rregullator të Energjisë në Maqedoninë e Veriut. Para se t’i drejtohen Komisionit për aplikimin e licensave të prodhimit të energjisë, kompanive u nevojiten një sërë dokumentesh dhe lejesh ndërtimi. Ndërtuesit ankohen për shiritin e kuq, por ai i siguron investitorët që të mos përballen me të njëjtat rreziqe si konsumatorët që blejnë sisteme termike jocilësore.

Pavarësisht problemeve, ka një nxitje të madhe për energjinë e rinovueshme në Maqedoninë e Veriut, mbështetur nga Bashkimi Evropian. Synimi për prodhimin e energjisë së rinovueshme në konsumin total të energjisë bruto parashikohet të jetë 40% deri në vitin 2030 dhe 45% deri në 2040-ën. Që nga viti 2018, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka financuar rreth 27 milionë euro për prodhimin e energjisë diellore dhe hidroelektrike. “BERZH ka mbështetur investime të konsiderueshme në rrjetin e transmetimit dhe shpërndarjes, sigurinë e furnizimit dhe përdorimin e burimeve të energjisë së rinovueshme” – thotë Andi Aranitasi, kreu i BERZH në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ekspertët pajtohen se pavarësisht synimit të mirë, nuk ka gjasa që fondet ndërkombëtare të ndihmojnë Maqedoninë e Veriut të arrijë objektivat e saj ambicioze në kohë.

dw / Daniela Trpchevska Zafirovska