Historiku i marrëdhënieve Shkup-Sofje

maqedoni-bullgari-flamujMaqedonia e Veriut dhe Bullgaria, dy shtete fqinje, kanë një të kaluar me ngritje dhe rënie në marrëdhëniet e tyre, që nga periudha para Luftës së Dytë Botërore.

 

Sofja në vazhdimësi e ka kontestuar identitetin, gjuhën dhe të kaluarën historike të maqedonasve duke pretenduar se ato kanë “rrënjë bullgare”, por maqedonasit thonë se kanë identitetin e tyre kombëtar, të njohur ndërkombëtarisht, që nga periudha e ish-Jugosllavisë, dhe të konfirmuar me shpalljen e pavarësisë nga shteti komunist në vitin 1991.

Raportet ndërmjet dy vendeve janë përcjellë me tensione gjatë periudhave të ndryshme.

2 gusht 2017

Për herë të parë dy shtetet arrijnë një marrëveshje për fqinjësi të mirë.

Por, kjo marrëveshje, në vend të afrimit, thelloi ndarjet mes dy vendeve, kryesisht lidhur me dallimet e tyre për të kaluarën historike.

Nëntor 2019

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, vendosi veton për hapjen e negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut duke e kushtëzuar heqjen e saj me një marrëveshje të re për gjuhën, identitetin, historinë dhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoni të Veriut.

Prill 2022

Hapet klubi bullgar në Manastir me emrin “Vanço Mihajllov” me praninë e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov. Kjo nxiti reagime të shumta në Shkup, pasi Vanço Mihajllov konsiderohet një figurë nga e kaluara që luftonte për bashkimin e tokave bullgare që përfshinin edhe Maqedoninë e Veriut.

Qershor 2022

Maqedonia e Veriut pranon atë që njihet si “propozim francez”, apo marrëveshjen me Bullgarinë që parasheh përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën maqedonase. Sofja heq veton ndaj Shkupit.

Tetor 2022

Në qytetin e Ohrit hapet klubi i dytë bullgar “Car Borisi i Tretë”. Tensionet mes dy vendeve sërish rriten pasi Borisi i Tretë, sipas maqedonasve, ishte një perandor bullgar që mohonte identitetin dhe shtetin maqedonas.

Nëntor 2022

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut merr vendim për ndryshimin e ligjit, me të cilin ua ndalon shoqatave dhe partive të mbajnë emra fashistë, siç konsiderohen t’i kenë dy klubet bullgare.

14 janar 2023

Disa shtetas bullgarë të udhëhequr nga eurodeputeti Angel Xhambaski marrin pjesë në një manifestim në Shkup, ku u dëgjuan deklarata anti-maqedonase si “Maqedonia është tokë bullgare”.

19 janar 2023

Sulmohet fizikisht në anëtar i një klubi bullgar në Ohër. Sofja doli me akuza për dhunë shtetërore ndaj pjesëtarëve të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

20 janar 2023

Zyrtarë bullgarë, përfshirë eurodeputetin Angel Xhambaski paralajmëruan ardhjen në Shkup më 4 shkurt për të shënuar ditëlindjen e Goce Dellçevit, një personaliteti nga e kaluara, identitetin e të cilit e pretendojnë të dyja shtetet.

 

23 janar 2023

Këshilli i Sigurimit doli me paralajmërimin se ardhja e bullgarëve në Shkup më 4 shkurt është me “rrezik të lartë sigurie”. Presidenti Pendarovski kërkoi që të ndalohet hyrje e tyre në Maqedoni të Veriut.

25 janar 2023

Eurodeputeti bullgar, Angel Xhambaski, duke komentuar deklaratën e Pendarovskit për ndalimin e vizitës së tij në Shkup, foli për atentatin ndaj mbretit serb, Aleksandar Karagjorgjeviq, që u interpretua si kërcënim me atentat ndaj Pendarovskit.

Për tensionet ndërmjet dy shteteve, presidenti Pendarovski akuzoi shërbimin inteligjent rus, se qëndron pas strukturave në Bullgari që bëjnë fushatë antimaqedonase.

26 janar 2023

Sofja vendos të tërheqë ambasadorin e saj në Shkup dhe të ndërpresë bashkëpunimin mes dy vendeve.

26 janar 2023

Ambasada e SHBA-së dhe Zyra e BE-së në Shkup kërkuan nga Sofja dhe Shkupi uljen e tensioneve, ndërsa i vlerësuan si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme deklaratat për dhunë dhe kërcënime.

rel

Tanket Leopard 2: Çfarë janë dhe si mund t’i ndihmojnë Ukrainës?

Leopard 2Pas trysnisë së madhe nga aleatët e saj, Gjermania ka miratuar të mërkurën e 25 janarit dërgesat e tankeve të teknologjisë së lartë për beteja, Leopard 2, të cilat Ukraina dhe mbështetësit e saj më të mëdhenj perëndimorë shpresojnë se do t’i ndihmojnë ndjeshëm Kievit në luftën kundër pushtuesve rusë.

 

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka konfirmuar se Berlini nuk do të paraqesë asnjë pengesë që Polonia – mbështetësja më e zëshme e Ukrainës ndër fqinjët nga Bashkimi Evropian – të dërgojë, siç ka kërkuar, tanke Leopard 2, nga arsenali i saj, matanë kufirit, në Ukrainë. Dhe, Gjermania po ashtu ka vendosur që edhe vetë t’i dërgojë Ukrainës tanke të tilla, teksa më herët kishte paralajmëruar se implikimet e një hapi të tillë duhej të shqyrtoheshin me kujdes.

I hedhim një vështrim rëndësisë së këtyre tankeve për mbrojtjen e Ukrainës përballë forcave ruse – dhe shpresave për zmbrapsjen e tyre.

Çfarë është Leopard 2?

Krauss-Maffei Wegmann, prodhues i Leopard 2-shit, e cilëson atë si “tankun më të mirë në botë për betejë”, i cili për gati gjysmë shekulli ka kombinuar aspektet e fuqisë, mbrojtjes, shpejtësisë dhe manovrueshmërisë, duke e bërë atë të përshtatshëm për shumë lloje të situatave të luftimit.

Tanku me peshë prej 55 tonësh ka vend për një ekuipazh prej katër personash, rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash dhe shpejtësi maksimale prej rreth 68 kilometrash në orë. Versioni më i hershëm i tankut, i cili tani ka katër variante kryesore, hyri në përdorim në vitin 1979. Arma e tij kryesore është një top 120-milimetërsh, ndërsa ai ka një sistem krejtësisht digjital të kontrollimit të të shtënave.

Sa mund t’i dërgohen Ukrainës?

Një element tërheqës i tankeve të prodhuara nga Gjermania është numri i tyre: Më shumë se 2.000 të tilla janë dërguar në mbi dhjetë vende evropiane dhe në Kanada. Në përgjithësi, Krauss-Maffei Wegmann thotë se mbi 3.500 tanke u janë dërguar 19 vendeve.

Rheinmetall AG, një kontraktues gjerman i mbrojtjes, i cili prodhon topin 120-milimetërsh për Leopard 2-shin, thotë se tanku përdoret “nga më shumë shtete se cilido tjetër lloj”.

Sipas një analize të fundit nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një qendër analitike globale me seli në Londër, rreth 350 Leopardë – të versioneve të ndryshme – janë dërguar në Greqi, ndërsa Polonia ka rreth 250 të tillë. Finlanda i ka 200 në përdorim apo në magazina.

Për luftën e Ukrainës kundër Rusisë, “besohet se, në mënyrë që tanket Leopard 2 të kenë ndonjë efekt të ndjeshëm në luftë, nevojiten rreth 100 tanke”, kanë thënë analistët e Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës dëshiron 300 tanke, ndërsa disa udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian e mbështesin kërkesën e tij.

“Neve na duhet një flotë prej 300 tankesh”, ka thënë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, të hënën, në Bruksel, duke iu referuar përhapjes së gjerë të Leopardëve nëpër Evropë, dhe nevojës për armatim “sinkronik” – që mund të operojë mirë bashkërisht.

Dhënia e Leopardëve nuk është aq e lehtë sa dërgimi i tyre matanë kufirit nga miqtë më në perëndim, në Evropë. Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike llogarit se tankistëve dhe stafit mbështetës do t’iu nevojitej trajnim prej tri deri në gjashtë javë për të arritur aftësim bazik.

Ralf Raths, drejtor i Muzeut të Tankeve në Mynster, Gjermani, ka thënë se tankistët ukrainas me përvojë mund të arrijnë të mësojnë përdorimin e tankeve Leopard 2 mjaft shpejt, dhe se trajnimi mund të shkurtohet për t’u fokusuar në njohuritë esenciale.

“A duhet patjetër të shfrytëzohet 100 përqindëshi i potencialit, apo mjafton të shfrytëzohet 80 përqindëshi për gjysmën e kohës? Ukrainasit me siguri do të votonin për opsionin B”, është shprehur ai.

Çfarë dallimi do të bënin Leopardët në luftë?

Yohann Michel, analist hulumtues për çështje ushtarake dhe të mbrojtjes, në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, ka thënë se tanket e tilla do t’i mundësonin Ukrainës të hynte në ofensivë në luftën 11-muajshe, ku ka pasur ngecje prej muajsh pas dy kundërofensivave të rëndësishme ukrainase, të cilat rimorën zona të okupuara nga forcat ruse prej muajsh, në verilindje dhe në jug.

“Në këtë lloj konflikti, thjesht nuk është e mundshme të kryhen ofensiva të mëdha pa llojllojshmërinë e plotë të pajisjeve të blinduara luftarake dhe të autoblindave, dhe tanket janë pjesë e tyre”, ka vlerësuar ai. Përveç tankeve kryesore për betejë, si Leopard 2, përfshihen edhe automjetet luftarake të këmbësorisë dhe transportuesit e blinduar të personelit.

Dërgesat perëndimore të Leopard 2-shit mund t’i ndihmojnë Ukrainës të pajiset me municionet e nevojshme të kalibrit të lartë, për t’i zëvendësuar rezervat e veta të kohës sovjetike, të cilat po harxhohen, duke hapur një rrugë të re për mbërritjen e armatimit perëndimor në Ukrainë, ka thënë ai.

Raths ka theksuar se Leopard 2-shi dhe tanket e ngjashme perëndimore janë më të lëvizshme sesa modelet që i përdor Rusia, të cilat, për shembull, nuk mund të bëjnë lëvizje prapa me shpejtësi.

“Imagjinoni një boksier që nuk mund të lëvizë lirshëm në ring, por vetëm në një drejtim”, ka thënë ai. “Boksieri tjetër, i cili mund të lëvizë në të gjitha drejtimet, ka një përparësi të madhe dhe ky është rasti me Leopardët”.

Megjithatë, edhe tanket kryesore perëndimore për beteja janë të cenueshme nga sulmet ajrore apo sulmet kundërtank të këmbësorisë, teksa ndodhen në pyje dhe zona urbane, duke vënë në pah rëndësinë e mbështetjes kundërajrore dhe të zbulimit, ka shtuar Raths.

Me numra të ngjashëm tankesh në të dyja anët, Leopard 2-shi dhe tanket e ngjashme mund t’i japin Ukrainës një avantazh, veçanërisht kur merret parasysh performanca e dobët taktike e trupave ruse gjatë luftës, ka thënë ai.

“Ukrainasit shkëlqejnë përmes luftimit kreativ, dinamik dhe shpesh shumë të pastër”, ka pohuar Raths. “Prandaj, mund të ngjajë që, nëse do të niste një ofensivë operative e Ukrainës, rusët do të kishin probleme serioze për t’iu kundërvënë asaj”.

Niklas Masuhr, hulumtues në Qendrën për Studime të Sigurisë të Universitetit Federal Politeknik ETHZ, në Cyrih, Zvicër, ka paralajmëruar se vetëm inkuadrimi i Leopardëve në fushëbetejë nuk do të përbënte “një ndryshim të madh, një teknologji fituese të luftës, apo diçka të tillë”.

“Nuk mundesh, thjesht, të dërgosh një tufë tankesh për beteja dhe të presësh që ata do të fitojnë”, ka thënë ai. “Ato janë shumë të vlefshme, por prapëseprapë duhet t’i përdorësh në mënyrën e duhur dhe t’i integrosh ato me mjetet e tjera ushtarake që i ke në dispozicion”, siç është këmbësoria, artileria, mbrojtja ajrore, inxhinierët luftarakë dhe helikopterët.

Pse Ukraina tashmë nuk ka Leopardë?

Gjermania e ka pasur fjalën përfundimtare përkitazi me dërgimin e Leopard 2-shit – edhe nga arsenalet e vendeve të tjera – dhe ka qenë e rezervuar rreth dërgimit të tyre nga kushdo drejt Ukrainës.

Por, aleatët më luftarakë perëndimorë i kanë bërë trysni Gjermanisë për dërgimin e tankeve, teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu, raportohet të kenë ndryshuar mendje pas refuzimit fillestar për t’i dërguar tanket e tyre të fuqishme M1 Abrams.

SHBA-ja ka njoftuar për një pako të re ndihmash ushtarake, e cila, përveç dhjetëra tankeve Abrams, pritet të përfshijë gati 100 automjete luftarake Stryker dhe të paktën 50 autoblinda Bradley. Zyrtarët amerikanë fillimisht kanë thënë se tanket Abrams kanë nevoja komplekse të mirëmbajtjes dhe mund të mos jenë më të përshtatshmet.

Aleatët dhe analistët ushtarakë thonë se Leopard 2-shi ka motor me naftë – dhe jo me karburant aeroplanësh, sikurse M1 Abrams – dhe është më i lehtë për t’u operuar sesa tanket e mëdha amerikane, dhe kësisoj për të nevojitet kohë më e shkurtër trajnimi.

Britania këtë muaj ka njoftuar se do të dërgojë tanke Challenger 2 në Ukrainë, ndërsa Republika Çeke dhe Polonia kanë mundësuar tanke T-72 të kohës sovjetike për forcat ukrainase. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të dielën se i ka kërkuar ministrit të tij të Mbrojtjes “të punojë” për dërgimin e disa prej tankeve franceze për betejë, Leclerc, në Ukrainë.

Pavarësisht se tanket moderne perëndimore janë superiore në krahasim me modelet që i përdor Rusia, vendet dhuruese që po e furnizojnë Ukrainën me to duhet të përgatiten për humbje, ka thënë Raths.

Leopard 2-shi “është armë sulmuese, e cila do të hidhet në betejat e intensitetit më të lartë”, ka thënë ai. “Automjetet do të shkatërrohen dhe njerëzit do të vdesin në këto tanke”.

rel

SPAK thërret Shkëlzen Berishën për çështjen e Gërdecit

ShkelzenNë Tiranë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thirri sot djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, si deklarues për “Çështjen Gërdeci”, ku nga shpërthimi në repartin e çmontimit të municioneve ushtarake, humbën jetën 26 persona afro 15 vjet më parë.

 

“Mendoj se dijeni nuk i ka dhënë asnjë ndihmë hetimit në fjalë, pasi nuk kam asnjë lidhje me këtë gjë. Kam përsëritur të gjitha ato që kam thënë publikisht. Kam ardhur në respektim të ligjit si çdo qytetar. Por më bën përshtypje fakti që e njëjta prokurori, të njëjtët prokurorë dhe me të njëjtën çështje para 15 vjetësh ka deklaruar se nuk e ka parë të arsyeshme thirrjen time”, tha Shkëlzen Berisha.

Ai deklaroi se nuk ka lidhje me ngjarjen, me të cilën e bashkon një dokument i ministrisë së drejtësisë, ku është shënuar emri i tij. Ish ministrat Aldo Bumçi dhe Fatmir Mediu janë pyetur po ashtu nga SPAK-u dhe e kanë quajtur atë një shkresë të falsifikuar.

SPAK-u rihapi çështjen e Gërdecit 9 muaj më parë dhe i konfirmoi këto ditë ish ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzat e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.

Më 15 mars të vitit 2008, nga shpërthimi në repartin e çmontimit të municioneve në fshatin Gërdec humbën jetën 26 persona, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa mbi 250 të tjerë u plagosën.

Prokuroria e Posaçme u vu në lëvizje, pas kërkesës së prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit.

Zoti Mediu i hodhi poshtë akuzat e komunikuara dy javë më parë nga SPAK-u, duke theksuar se nuk i është ofruar mundësia për një proces të drejtë ligjor. Ai nuk u gjykua në procesin e hapur vite më parë, sepse rifitoi mandatin e deputetit në zgjedhjet e radhës, dhe prokuroria, e cila duhej të kërkonte sërish autorizimin e parlamentit, nuk bëri më një kërkesë të tillë.

voa

Rama mohon të ketë lidhje mes tij dhe akuzave ndaj ish zyrtarit të FBI-së

RamaNë Shqipëri, kryeministri Edi Rama mohoi kategorikisht që të ketë lidhje mes tij dhe akuzave të ngritura në Shtetet e Bashkuara ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve me zyrtarë të shteteve të tjera.

 

Duke folur me gazetarët pas një takimi pune në selinë e Partisë socialiste, zoti Rama deklaroi se “në aktpadinë konkluzive nuk ka absolutisht asnjë gjë që të lidhet me mua dhe me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përvec faktit që jemi takuar këtu e atje. Drejtësia amerikane ka hetuar plotësisht dhe ka ngritur akuzë ndaj personit, për konflikt interesi për një borxh të marrë nga shoku i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, që jetojnë bashkë në Neë York”.

Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Kishte qenë vetë McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme.

Por përveç Nezës, në akt-akuzë shfaqen dhe lidhje të tjera të ish zyrtarit të FBI-së me personazhe të tjerë nga Shqipëria, ku ai realizoi disa vizita, gjatë së cilave zhvilloi dhe takime me kryeministrin Rama. Së bashku ata u takuan më pas dhe në New York. “Interesi im ka qenë që të shkëmbej biseda e opinione lidhur me ato fusha u sigurisht ai ishte një ekspert i nivelit të lartë, krimi korrupsioni, pastaj Amerika, Ballkani Shqipëria, asnjë lloj marrëdhënie tjetër”, deklaroi të mërkurën në mbrëmje kryeministri.

Takimet mes tyre janë zhvilluar gjithnjë në prani të Nezës dhe Dorian Duçkës të cilin akt-akuza e përshkruan si “i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare”.

Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim se përse takimet me ish zyrtarin e FBI-së janë zhvilluar në prani të personave privatë, por dha disa shpjegime rreh marrëdhënieve të tij me ta. Për zotin Nezën ai tha se “nuk e kam njohur më parë asnjë herë. Nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e ish zyrtarit të lartë të FBI-së”.

Sa i përket zotit Duçka u mjaftua të shprehej se “ka qenë zëvendësministër i Energjitikës, në koalicionin e vitit 2013 dhe pastaj për një farë kohe ka punuar pranë meje pa pagesë”. Zoti Rama nuk dha shpjegim se deri kur zoti Duçka ka punuar pranë tij. Herën e fundit që ata janë parë së bashku, të paktën publikisht, ka qenë në qershor të vitit të shkuar, kur zoti Duçka ishte pjesë e delegacionit që shoqëronte zotin Rama gjatë vizitës së tij në Kiev, e madje ishte dhe në tryezën e bisedimeve me presidentin ukrainas Volodimir Zelensky.

Kryeministri nuk dha ndonjë sqarim as se përse fillimisht Duçka e më pas Neza, ishin angazhuar për t’i dhënë informacion ish zyrtarit të FBI-së për një çështje lobimi në Shtetet e Bashkuara, në favor të një partie shqiptare, aq më tepër që të paktën në një rast, sipas akt-akuzës, Neza “e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë”.

Në dokumentat e akt-akuzës nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare, por periudha në të cilin kanë ndodhur këto zhvillime përkon me rastin e lobistit Nick Muzin i cili ishte angazhuar muaj më parë për llogari të Partisë Demokratike. I pyetur të martën nga Zëri i Amerikës “nëse e ka njoftuar, kryeministri, zyrtarin e FBI-së, përmes dy personave të tjerë Agron Neza dhe Dorian Duçka, për aktivitetin lobues të Nick Muzin-it në SHBA, në favor të PD-së”, zëdhënësi i qeverisë shqiptare tha se “kjo është një fantazi që nuk figuron as në akt-padinë në fjalë dhe jo më në realitetin e marrëdhënies së kryeministrit me zyrtarin e FBI”.

voa

Sofja merr vendim për tërheqjen e ambasadorit të saj në Shkup pas incidentit në Ohër

Ambasada Bullgare ShkupAutoritetet bullgare kanë vendosur tërheqjen e ambasadorit të tyre nga Shkupi për shkak të një incidenti me një punonjës të Shoqatës Kulturore bullgare në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

 

Ministri i Jashtëm bullgar, Nikollaj Milkov ka paralajmëruar ndërprerjen e “të gjitha projekteve” mes dy shteteve teksa ka theksuar kërcënimet e vendit të tij për pengimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Këto zhvillime pasojnë rrahjen e para pak ditëve të Hristijan Pendikov-it, pjesëtar i pakicës bullgare në Ohër, nga një grup maqedonasish. Presidenti bullgar dërgoi një aeroplan për ta marrë dhe sjellur në Sofje zotin Pendikov për trajtim mjekësor. Ai nuk është në rrezik për jetën. Autoritetet maqedonase kanë zbuluar autorët e sulmit, ndërsa thonë se po bëjnë hetime për motivet e incidentit.

Ndërkohë, Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski i rekomandon qeverisë në Shkup që të shpallë ‘persona non grata’ disa politikanë bullgarë me qëndrime të theksuara antimaqedonase. Nga ana tjetër, Sofja kërkon të ndalen sulmet dhe qasja histerike, sipas kryediplomatit Milkov ndaj komunitetit dhe interesave bullgare.

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se mosmarrëveshjet mes dy vendeve duhet zgjidhur me dialog. Ai theksoi se nuk duhet t’u jepet hapësirë “provokatorëve”.

“Marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë janë historikisht të vështira, komplekse dhe në pak periudha në të kaluarën kanë arritur një stabilitet të qëndrueshëm. Shpallja e zgjedhjeve të parakoshme në Bullgari dhe tensionimi politik këtu në Maqedoninë e Veriut ka çuar në krijimin e kësaj situate. Këto situata zakonisht i nxisin edhe më tepër debatet e tilla. Nëse reagimi bullgar lidhet me incidentin në Ohër, mund të kanstatohet si disproporcional sepse shteti ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për ta izoluar atë rast dhe për t’i identifikuar, për t’i nxjerrë para drejtësisë dhe për t’i dënuar autorët. Unë bëjë thirrje për gjakftohësi. Tani duhet një ulje e tensioneve dhe rikthim i komunikimit normal mes dy shteteve që mos t’u lëmë hapësirë përfituesve politikë dhe provokatorëve që nga kjo të ushqehen dhe të ndërtojnë karrierat e tyre politike”, tha ai për Zërin e Amerikës.

voa

Ish-zyrtari i arrestuar i FBI-së dhe lidhjet me Shqipërinë

Charles McGonigalTë mërkurën, ish zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, arrestuar të shtunën nga autoritetet amerikane, pritet të dalë para gjykatës në Uashington për t’u shprehur nëse i pranon apo jo akuzat se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.
Të hënën, ai nuk i pranoi akuzat e tjera të ngritura ndaj tij në Nju Jork, se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt pagesës, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor.

Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.

Sipas aktapadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, që në akt-akuzë identifikohet si Personi A. Ky person ka paguar edhe për shpenzimet e tij të udhëtimit në Shqipëri.

Akt-padia e bërë publike dje nga gjykata në Uashington nuk e identifikon më tej Personin A. Por, në bazë të një njoftimi tjetër të shtypit amerikan, në shtator të vitit të kaluar, ku njoftohej se ish zyrtari i FBI-së McGonigal ishte nën hetime, portali “Business Insider” boton kopjen e një dokumenti të jurisë së madhe, ku në listën e atyre, që do të thirreshin për të dëshmuar, figuron shtetasi Agron Neza, shqiptaro-amerikan, që dekada të shkuara ka punuar për shërbimet inteligjente të Shqipërisë.

Personi i dytë nga Shqipëria, i lidhur me ish zyrtarin e FBI-së, identifikohet në akt-padi si Personi B, i cili “ishte një shtetas shqiptar, i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Personi B shërbente si një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare.”

Nëse i referohemi sërish dokumentit të jurisë së madhe, në të, personi tjetër, që duhej marrë në pyetje është Dorian Duçka, ish zv/ministër për energjitikën dhe më pas konsulent i pavarur.

Personi A dhe Personi B, sipas akt-padisë, “ishin miq dhe partnerë biznesi me njëri-tjetrin.”

Sipas dokumentit të akuzës, gjatë një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017, “më 9 shtator i pandehuri McGonigal u takua me kryeministrin shqiptar [Edi Rama] dhe me Personin B [Dorian Duçka]. Me kërkesë të Personit A [Agron Neza] ai i bëri thirrje kryeminisrit të kishte kujdes dhe të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë. Personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare. I pandehuri McGonigal i dha kryeministrit një suvenir të FBI-së në prani të personit B”.

Akt-padia vendos një lidhje të drejtpërdrejtë të takimeve të ish zyrtarit të FBI-së me kryeministrin shqiptar në prani të personave të tretë A dhe B, që ishin shtetas privatë. Është e paqartë se përse kryeminstri është takuar me një zyrtar të lartë të FBI-së në prani të personave privatë.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, lidhur me marrëdhëniet e kryeminsitrit me ish zyrtarin e FBI-së, zëdhënësi i qeverisë mohoi, që takimet të kenë patur ndonjë lidhje me ato që thuhen në aktpadi:“Siç e ka sqaruar edhe më parë, kryeministri Edi Rama ka pasur një raport miqësor me zyrtarin e FBI, me të cilin janë takuar disa herë, qoftë në Tiranë, qoftë në New York, po takimet e tyre s’kanë pasur asnjë lidhje me çka thuhet në akt-padinë në fjalë lidhur me persona të tjerë.”

Sipas akt-padisë, ishte pas këtij udhëtimi në Shqipëri në shtator që “i pandehuri McGonigal ka mbajtur një miqësi të vazhdueshme me Kryeministrin [Rama].”

Sipas akt-akuzës, nga shtatori 2017 deri në mars 2018, McGonigal dhe Kryeministri Rama janë takuar 4 herë në Shqipëri dhe në SHBA.

Sipas akt-padisë, gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal “u prezantua nga personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi atij ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin”.

Disa javë pas këtyre takimeve, më 5 tetor 2017, sipas akt-padisë, “jashtë një restoranti, në një makinë të parkuar në Nju Jork, McGonigal mori afro 80 mijë dollarë kesh nga Personi A. Po atë vjeshtë ai mori edhe dy pagesa të tjera nga Personi A në shumat 80 mijë dollarë dhe 65 mijë dollarë në rezidencën e banorit A. McGonigal i la të kuptohej Personit A se paratë do t’ia kthente.”

Sipas akt-akuzës, McGonigal i kishte kërkuar Personit A nëse ai mund t’i siguronte një sasi parash që në gusht të vitit 2017 dhe një muaj më pas në shtator, ata kishin diskutuar përsëri rreth përpjekjeve të Personit A që t’ia siguronte paratë dhe që Personi A t’ia jepte ato pjesë-pjesë.

Dy muaj pas vizitës në Shqipëri, më 18 nëntor 2017 McGonigal së bashku me një prokuror nga Departamenti i Drejtësisë, takuan dhe morën në intervistë në Austri, biznesmenin-politikan, që ai e kishte takuar në shtator në Shqipëri. Personi A mori pjesë në këtë takim si përkthyes.

Intervista e bisnesmenit-politikan nuk është raportuar dhe nuk figuron në dokumentet e FBI-së. Në të njëjtën ditë të intervistimit në Austri, po më 18 nëntor, McGonigal dhe biznesmeni-politikan, janë takuar edhe në Shqipëri, por këtë herë pa praninë e prokurorit të Departamentit të Drejtësisë. Sipas akt-padisë “politikani-biznemsmen diskutoi me të pamdehurin McGonigal dhe Personin A për mundësi biznesi”.

“Më 19 nëntor i pandehuri takohet me Personin B për darkë dhe një ditë më pas më 20 nëntor takohet me kryeminsitrin”, sipas akt-padisë.

Menjëherë pas kthimit nga Shqipëria, më 25 nëntor, McGonigal informon Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë, me të cilin takoi politikanin-biznesmen në Austri, për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm “për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”. Sipas akt-padisë, një ditë më herët McGonigal kishte marrë informacion për këtë lobist nga Personi B.

Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por më 14 nëntor të vitit 2017, lobisti Nick Muzin, depozitoi në Departamentin e Drejtësisë, ndonëse me vonesë, dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së, i cili më pas është bërë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

Në akt-padinë ndaj McGonigal, përmendet se në dhjetor të vitit 2017 ai është takuar në Uashington me personin A dhe zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe në Nju Jork me Personin A dhe kryeministrin Rama.

Më 4 janar 2018, sipas akt-akuzës, McGonigal mori informacion për lobistin amerikan nga Personi A dhe të nesërmen ia dërgoi informacionin një agjenti tjetër të zyrës së FBI-së në Nju Jork.

Më 22 janar ai mori përsëri informacion nga Personi A për lobistin dhe ia dërgoi një vartësi. Personi A, sipas akuzës e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë.

Sipas akt-padisë “më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork hap zyrtarisht hetime të përqendruar tek lobisti amerikan me kërkesën dhe nën udhëzimin e zotit McGonigal. Më pas Personi A u identifikua si burim konfidencial në mbështetje të hetimit. Persomni A i ka ofruar informacione zyrës së FBI-së në Nju Jork gjatë hetimit.”

Po sipas akt-padisë “Më pas Personi B ndihmoi në organizimin e një takimi mes zyrës së FBI-së në Nju Jork dhe dëshmitarëve në Evropë, duke paguar mes të tjerash për shpenzime udhëtimi të dëshmitarëve”.

Më 25 qershor 2018, i pandehuri McGonigal, i ka propozuar personit A që të nënshkruajë një kontratë me një individ nga Bosnia të indentifikuar si Personi D në mënyrë që në kompaninë e personit A të depozitoheshin 500 mijë dollarë nga Personi D dhe firma e tij farmaceutike për të mundësuar një takim mes Personit D dhe një përfaqësuesi të delegacionit amerikan në OKB.

Ndërkohë që në muajin prill, McGonigal ishte takuar në Gjermani me dy individë nga Bosnja, Personin C dhe Personin D, të cilët kishin lërkuar të takoheshion me ambasadoren amerikane në OKB-së, ose ndonjë zyrtar tjetër të lartë për një çëshjte politike për Bosnje Hercegovinën.

 

Akuzat për shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë

Akt-padia tjetër ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI-së ka lidhje me ndihmën për oligarkun rus, Oleg Deripaska, në shkelje të sanksioneve amerikane. Aktiviteti i tij në favor të miliarderit rus është zhvilluar pasi ishte larguar nga FBI-ja. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me një ish diplomat rus, Sergey Shestakov, që tashmë punonte si përkthyes për miliaderin rus Oleg Deripaska.

Në ose rreth gushtit 2021, McGonigal, Shestakov dhe një person i identifikuar si Agjenti 1 (Këshilltar i Deripaskas) hartuan dhe ekzekutuan një kontratë, sipas së cilës një Korporatë e Qipros do t’i paguante një Kompani në Nju Xhersi 51,280 dollarë paraprakisht dhe më pas 41, 790 mijë çdo muaj për informacione zbulimi biznesi me interes për korporatën ruse. Megjithëse pagesat do t’i jepeshin McGonigalit dhe Shestakovit në emër të Deripaskas, asnjëri prej tyre nuk përmendet në kontratë.

Sipas akt-padisë së Nju Jorkut, kompania e Nju Xhersit është në pronësi të një “Miku” të zotit McGonigal. “Miku” kishte ndihmuar që McGonigal të angazhohej me kompaninë e Nju Xhersit, ndërsa ai ishte ende agjent me FBI-në.

Në një dokument të Departamentit të Drejtësisë, ku depozitohen aktivitetet e lobimit për qeveritë e huaja, (FARA) të depozituar nga Shestakovi, ndonëse përmbahen pak hollësi, përmendet emri Charls McGonigal dhe firma “Spectrum Risk Solutions”.

Kjo firmë, në dokumentin e jurisë së madhe të dalë vitin e kaluar, figuron si kompani e Agron Nezës.

Sipas akt-padisë së Nju Jorkut, McGonigal i ka thanë Shestakovit se “nuk e kishte informuar “Mikun” se po përdorte Kompaninë e tij për të marrë paratë nga kontrata. Shestakov falsifikoi firmën e Mikut pa dijen apo miratimin e tij. Më pas kur Miku i kërkoi McGonigalit të shpjegonte se pse Banka Ruse po i bënte pagesa Kompanisë së Nju Xhersit, McGonigal tha se pagesa ishte për punë “Legjitime” që ai po bënte për një “pasanik rus”. Miku më pas pranoi që të përdorej Kompania e tij dhe transferoi fonde në përputhje me kontratën, nën udhëzimin e McGonigalit, për atë dhe Shestakovin.

voa

 

 

Chollet i kërkon Kurtit ta pranojë planin e BE-së për marrëveshje me Serbinë

Nga takimi Chollet - Kurti në PrishtinëPor rrit SHBA presionin edhe ndaj Prishtinës? Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Chollet kërkon pranimin e propozimit të -BE nga Kosova, një ditë pas deklatarës së Vuçiqit se Serbia do mund të ketë pasoja.

 

Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i kërkoi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që ta pranojë propozimin evropian apo siç njihet nisma franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Këtë kërkesë, Chollet ia bëri kryeministrit Kurti vetëm një ditë pasi Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se Serbia do të përballet me pasoja politike dhe ekonomike nëse nuk e pranon planin franko gjerman.

Chollet tha se ”fola me Albin Kurtin për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Ndër temat kryesore ishte edhe partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, shkroi Chollet në Twitter.

Chollet u shpreh, se me kryeministrin e Kosovës ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. “Ne diskutuam gjithashtu për rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në kontekstin e dialogut me Serbinë dhe nevojën që serbët e Kosovës të kthehen në institucione”, shkroi Chollet. Dy javë më parë këshilltari amerikan i Departamentit të Shtetit ishte për vizitë në Kosovë dhe Beograd.

 

Pozicionet e kundërta

Ende qeveria e Kosovës nuk ka dalë me qëndrim të qartë nëse e pranon planin franko gjerman, por më herët kryeministri Kurti ka thënë se ky plan është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme. Serbia insiston që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni një-etnik. Marrëveshja për krijimin e këtij asociacioni është arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Nismën për ta diskutuar çështjen e Asociacinit të Komunave me Shumicë serbe e ka ndërmarrë Ambasada Amerikane në Prishtinë e cila paralajmëroi që më datën 31 janar do të ketë një diskutim për këtë asociacion, dhe ku ka ftuar udhëheqës të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë dhe diplomatë. “Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë rreth angazhimit për Asociacionin, në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane.

Pjesëmarrjen në këto diskutime e ka konfirmuar një ministër serb në qeverinë e Albin Kurtit, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili tha se “pret të jetë një takim i mirë”. Rashiq  u emërua në pozitën e ministrit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhjetorin e shkuar, kur Goran Rakiq, kryetar i Listës Srpska dha dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për targat e  paligjshme serbe në veri të Kosovës.

 

Një ditë më parë ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për medie në Beograd, tha se “plani franko gjerman de fakto u shndërrua si kornizë e re e bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunojmë për këtë”. “Tashmë ky plan është plan i të gjitha vendeve të bllokut, përfshirë edhe atyre që nuk e njohin Kosovën”, tha Vuçiq.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill, nga ana e tij,  tha se e “mirëpret synimin e Serbisë për ta shqyrtuar propozimin evropian”, ndërsa, Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, ritheksoi se pret “angazhim konstruktiv” të palëve rreth propozimit evropian, ndërsa vlerësoi pozitivisht “ndërhyrjen publike të presidentit Vuçiç për këtë çështje”. Kreu i diplomacisë evropiane e “nënvizoi rëndësinë që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet që dalin nga bisedimet, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në një njoftim të Bashkimit Evropian.

dw

SHBA, thirrje Kosovës të pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Nga takimi Chollet - Kurti në PrishtinëKëshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i bëri thirrje të martën Kosovës që të pranojë propozimin evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

 

Në një postim në rrjetin Twitter, zoti Chollet tha se bisedoi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe diskutoi “për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës ta pranojë atë. Një çështje thelbësore ishte bashkëpunimi ynë dhe synimi i përbashkët në avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, shkroi ai.

“Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë e karakterit shumetnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në kontekstin e dialogut dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në vendet e tyre të punës”, shtoi zoti Chollet.

Vizita e së premtes së kaluar në Prishtinë dhe në Beograd nga i dërguari evropian Miroslav Lajçak, ai amerikan Gabriel Escobar dhe të dërguarve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, shënoi rifillimin e përpjekjeve perëndimore për një marrëveshje Kosovë – Serbi, që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë, por përkushtimin e palëve për të mos penguar proceset integruese të njëra tjetrës.

Të hënën presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Serbia do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pajtohet me propozimin.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill, tha të martën se e mirëpret synimin e Serbisë për të shqyrtuar propozimin evropian.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell ritheksoi të martën se pret “angazhim konstruktiv” të palëve rreth propozimit evropian, ndërsa vlerësoi pozitivisht “ndërhyrjen publike të presidentit Vuçiç për këtë çështje”.

Zoti Borrell nënvizoi rëndësinë që të dyja palët të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet që dalin nga bisedimet, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thuhet në një njoftim të Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar sërish propozimin si “bazë të mirë për bisedime”, ndërsa nuk ka folur ende për kërkesën e prerë të diplomatëve perëndimorë për themelimin e Asociacionit. Ajo nuk komentoi as njoftimin se ambasada amerikane në Prishtinë ka ftuar në një takim në fund të këtij muaji përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar këtë çështje.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve kryesore euro-perëndimore, pothuajse një dekadë pas një lufte të përgjakshme, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës e mbështetur nga aleatja e saj Rusia dhe për këtë arsye ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

voa

Ambasadori Hill: Mirëpres synimin e Serbisë për të shqyrtuar propozimin për marrëveshje me Kosovën

Chris HillAmbasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill tha sot se e mirëpret synimin e Serbisë për të shqyrtuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke ju referuar qëndrimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç të paraqitur mbrëmë në një konferencë për shtyp në të cilën tha se vendi i tij do të përballej me izolim nëse nuk e pranon propozimin.

 

“Ndjeva se ishte një fjalim shumë i rëndësishëm dhe mendoj se ishte një fjalim për ta dëgjuar të gjithë, sepse mendoj që parashtronte një plan dhe koncept se si të mbyllet ky problem shumë i vështirë dhe të vazhdohet me detyrën se çfarë duhet të bëjë Serbia”, tha ambasadori Hill.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha mbrëmë se Serbia do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pajtohet me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Ai tha se kjo i është thënë të premten në takimin me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, të dërguarin amerikan Gabriel Escobar dhe të dërguarit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

“Më duhej të merrja një vendim vetë në atë moment sepse ata thanë se duhet të jepni një përgjigje. Unë shpjegova se çfarë ishte e mundur dhe çfarë nuk ishte. Tani do të shpjegoj planin dhe çfarë mund të bëjmë. Serbia duhet të komunikojë, të marrë pjesë në dialog dhe duhet të vazhdojë të ndjekë rrugën e saj evropiane”, tha zoti Vuçiç.

Ai tha se “de fakto” plani evropian u shndërrua në kuadrin e ri të bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunon për këtë, duke nënvizuar se propozimi tashmë është plan i të gjitha vendeve të bllokut, përfshirë edhe atyre që nuk e njohin Kosovën.

Qeveria e Kosovës nuk ka folur ende për kërkesat e diplomatëve perëndimorë kundruall Prishtinës zyrtare.

Analisti Agon Maliqi thotë për Zërin e Amerikës se ka një lloj këmbëngulje nga diplomatët perëndimorë që teksti përfundimtar tashmë është gati dhe nuk ka më hapësirë për ndryshime në tekstin e asaj që pritet të nënshkruhet.

“Dhe ajo tani u ofrohet palëve se ky është teksti pak a shumë përfundimtar, mirëpo në të dyja vendet janë theksu edhe pritshmëritë, në rastin e Kosovës kushti është që të fillohet me hapat për themelimin e Asociacionit ndërsa në Serbi, po besoj kjo vlen edhe për Kosovën, janë potencu mesazhet se cilat do të jenë përfitimet, por edhe ndëshkimet për secilën palë, nëse pranojnë ose jo propozimin”, tha zoti Maliqi.

Diplomatët perëndimorë kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që të fillojë me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që siç u shpreh ambasadori Hill është një element thelbësor për të ecur përpara.

“Por dua të jem i qartë se urdhri i parë i punës dhe ajo që duhet bërë që nga fillimi është të realizohet marrëveshja e arritur tashmë në marrëveshjen e Brukselit, pikat një deri në gjashtë, që janë Asociacioni i Komunave Serbe”, tha ambasadori Hill.

Zoti Maliqi thotë se Asociacioni është një sfidë të cilën qeveria e Kosovës nuk mund të anashkalojë dhe se duhet një qasje më konstruktive për të diskutuar se si mund të dalë Kosova nga kjo situatë.

“Mendoj që qeveria dhe kryeministri Kurti po tregohet mos të them i pa guxishëm por i paqartë; të paktën të hapë një debat për këtë temë me opozitën, me shoqërinë civile për hapat që duhet marrë më tutje. Ne kemi një mesazh të qartë nga SHBA-të se nuk po kërkohet një Asociacion që shkon përtej Kushtetutës dhe hajde të flasim ne se si mund të duket një lloj Asociacioni që nuk i pengon Kosovës”, tha zoti Maliqi.

Burime të Zërit të Amerikës thanë se ambasada amerikane në Prishtinë tashmë ka ftuar për takim në fund të këtij muaji përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një paralajmërim të tillë e ka bërë edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, se Asociacioni është një detyrim ligjor ndërkombëtar për Kosovën dhe duhet të zbatohet.

Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit…Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, tha zoti Escobar.

Autoritetet në Prishtinë thonë se çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe se nuk mund të bëhet një mekanizëm një-etnik sepse nuk është në frymën e Kushtetutës së vendit.

Kosova po përballet me trysni për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe që për diplomatët perëndimorë shihet si çështje e ndarë nga propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

voa

Vuçiq: Pasoja për Serbinë nëse nuk e pranojmë propozimin franko-gjerman

VucicPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media është shprehur, se Serbia do të përballet me pasoja të rënda, nëse nuk bie dakord me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se pesë diplomatët perëndimorë gjatë vizitës në Beograd, i kanë thënë, se nëse Serbia nuk e pranon planin franko-gjerman, atëherë vendi do të përballet me pasoja të rënda. Bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masa gjithëpërfshirëse, politike dhe ekonomike. Të premten e javës së shkuar, pesë diplomatët perëndimorë,  i dërguari evropian për dialogun Miroslav Lajçak, ai amerikan Gabriel Escobar dhe të dërguarit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, nga Prishtina udhëtuan për në Beograd, ku në të dyja qendrat e bënë të qartë këmbënguljen e tyre për një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.

 

Vuçiq: Nuk ka përparim drejt BE nëse nuk bashkëpunojmë

Presidenti serb Vuçiq, para qytetarëve serbë tha se, “në fjalinë e dytë më është thënë se duhet ta pranoni këtë plan. Në rast të mospranimit, Serbia do të përballet me, ndërprerjen e proceseve integruese, ndërprerjen dhe tërheqjen e investimeve dhe me masat gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që do ta dëmtojnë Serbinë”, tha Vuçiq. Sipas Presidentit të Serbisë, “plani de fakto u shndërrua si kornizë e re e bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunojmë për këtë”.

 

Sipas Vuçiq, “ky plan është plan i të gjitha vendeve të bllokut, përfshirë edhe atyre që nuk e njohin Kosovën”, tha Vuçiq, duke shtuar se në rast të refuzimit, “për pak ditë do të hiqej regjimi i udhëtimit pa viza dhe do të ndërpriteshin investimet”. Presidenti serb vuri në pah siç tha “mosfuqinë”, e Serbisë për ta përballuar presionin ndërkombëtar dhe bëri një krahasim me vitin 1999 kohën e bombardimeve të NATO-os mbi objektivat serbe. “Millosheviçi kishte besuar se asnjë bombë e NATO-s nuk do të bjerë, sepse ata përreth i kishin thënë se kjo nuk do të ndodhte dhe iu deshën disa ditë për ta kuptuar se bombat po binin nëpër Serbi”, tha Vuçiq duke iu referuar bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe, pasi Beogradi refuzoi marrëveshjen e mbështetur nga perëndimi në vitin 1999.

Vuçiq tha se “nuk kemi nënshkruar asgjë, vetëm jemi përballur me fakte. Asgjë nuk do të ndodhë as sot, as nesër, as pas një apo tre muajsh. Por kur të jemi para kërkesave përfundimtare, Kuvendi i Serbisë dhe populli do të deklarohen”, tha Presidenti serb, duke kërkuar zgjidhje kompromisi me Kosovën.

 

Kurti kundër asociacionit një-etnik

Vuçiq insiston në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. “Çështja e Asociacionit mund të trajtohet në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe se ajo nuk mund të bëhet një mekanizëm një-etnik sepse nuk është në frymën e Kushtetutës së Kosovës”, ka deklaruar më herët kryeministri Kurti. Ai rithekson se “propozimi evropian është bazë e mirë për diskutime të mëtejme”, por nuk komenton shumë kërkesën e vendosur nga diplomatët perëndimorë për Asociacionin e komunave serbe.

 

Plani franko-gjerman nuk përmend njohjen e ndërsjellë

Plani franko gjerman në kuadër të një marrëveshje Kosovë-Serbi, pjesë të të cilit publikuan mediet në Prishtinë, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Prishtina zyrtare insiston që në qendër të planit duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

 

Të hënën i ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Josep Borrell, informoi ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së lidhur me zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, dhe tha se pret përkushtim serioz dhe gatishmëri nga Kosova dhe Serbia për ta çuar përpara propozimin evropian. “Theksojmë se përparimi në këtë proces mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për të dyja palët. Unë vlerësoj se është mënyra e vetme për të ndalur këtë rreth vicioz të krizave në terren dhe për të zbutur rrezikun e përshkallëzimit të mëtutjeshëm”, tha Josep Borrell. Plani franko gjerman, apo siç parapëlqen Borrell ta quajë ‘propozimi evropian’,  parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

dw