Chollet: Mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

CholletKëshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha të premten se Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

 

Në një postim në rrjetin Twitter ai tha se ka biseduar për këtë çështje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dyja vendet”, shkroi zoti Chollet.

Duke e shpërndarë postimin e zotit Chollet, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, shkroi se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin evropian.

“Ky përparim është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”, shkroi ambasadori Hovenier.

Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për t’i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje, ndërsa thanë se palët duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë propozimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.

Propozimi evropian, nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve. Beogradi tha se është i gatshëm të bisedojë por nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, ndonëse propozimi nuk e përfshinë një gjë të tillë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, vuri theksin te pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij, nëse refuzon propozimin evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se e pranon propozimin, me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian, siç e kemi thënë edhe më herët, si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara. Çështje e pikëpyetje të caktuara kanë ngelur që të trajtohen së shpejti në bisedimet në Bruksel e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, me garancitë ndërkombëtare dhe sekuencimin kohor, çka, si e kur, prandaj këto kanë mbetur të diskutohen në takimet të cilat do t’i kemi në Bruksel”, tha ai.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten se pret të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas propozimit evropian, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësit e vendeve të BE-së, përfshirë edhe vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës i dhanë mbështetje propozimit duke e cilësuar atë “mundësi historike që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët”.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve kryesore euro-perëndimore, pothuajse një dekadë pas një lufte të përgjakshme, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Serbia kundërshton pavarësinë e Kosovës e mbështetur nga aleatja e saj Rusia dhe për këtë arsye ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

voa

A po i shmangen Kosova dhe Serbia propozimit të BE-së?

Albin VucicQëndrimet kushtëzuese të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë janë për konsum të brendshëm, thonë njohës të çështjeve politike.

 

Sipas tyre, ata nuk do ta refuzojnë takimin në Bruksel, në rast se ftohen për një të tillë.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka thënë më 9 shkurt se, së shpejti, do të thirret një takim mes Kurtit e Vuçiqit për të diskutuar planin evropian për raportet e ardhshme Kosovë-Serbi.

Po atë ditë, Vuçiq ka thënë se do të shkojë në Bruksel kur Prishtina ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për Qeverinë e Kosovës, kjo është “përpjekje e Serbisë për t’iu shmangur diskutimeve për planin evropian”.

Në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, nga Qeveria thanë se presin që takimet e radhës në Bruksel, kurdo që të mbahen, “të jenë mundësi e mirë për të adresuar çështje në kuadër të propozimit evropian”.

Ata thanë se janë të gatshëm për “takime të nivelit të lartë politik, me agjendë të qartë paraprake” dhe me qëllim të diskutimeve “për marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti ka thënë më herët se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është prioritet për të, ndonëse, më 2 shkurt, ka paraqitur disa kushte për formimin e tij.

 

Sipas një burimi të BE-së, qëndrimet kushtëzuese të Prishtinës dhe Beogradit “krijojnë pengesën më të madhe për caktimin e datës së takimit” në Bruksel.

“Mbajtja e rundit të ardhshëm të bisedimeve varet nëse liderët nga Prishtina dhe Beogradi pajtohen për datën e agjendës së parë”, ka thënë ky burim për Radion Evropa e Lirë, por pa ofruar detaje të tjera.

Paçarizi: Deklaratat për konsum të brendshëm

Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se deklaratat e Kurtit dhe Vuçiqit i shërbejnë vetëm publikut të tyre.

“Këto deklarata po vazhdojnë të sillen në opinion sa për t’i përforcuar, jo pozitat negociuese të dy kryenegociatorëve, por pozitat e brendshme në vendet respektive”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, palët kanë punuar tashmë në propozimin që u ka ofruar BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

Propozimi “është tashmë thuajse krejtësisht i dakorduar”, thotë Paçarizi.

BE-ja i ka ofruar Kosovës dhe Serbisë një propozim për normalizimin e marrëdhënieve në fund të verës, i cili është përditësuar pastaj në muajin dhjetor.

Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por është konsideruar nga zyrtarët evropianë si rrugë drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kurti e ka pranuar këtë propozim, ndërsa Vuçiq ka thënë se është i gatshëm të punojë në zbatimin e tij.

Gogiq: Propozimi evropian, i papranueshëm për palët

Por, sipas politologut Ognjen Gogiq nga Mitrovica e Veriut, deklaratat kushtëzuese të Kurtit dhe Vuçiqit janë në funksion të përforcimit të pozicioneve të tyre negociuese, por edhe përgatitje e terrenit që ta fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjen e bisedimeve.

Gogiq thotë se Kurti dhe Vuçiq, do ta shfrytëzojnë çështjen e Asociacionit për ta shmangur propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

“Unë mendoj se ata do të jenë të interesuar që të shkojnë në Bruksel, për ta bërë pikërisht këtë. Pra, të thonë se bisedimet nuk sollën rezultat për fajin e tjetrit. Unë konsideroj se ky propozim evropian nuk është i pranueshëm as për Beogradin dhe as për Prishtinën. Për Beogradin nuk është i pranueshëm për shkak se – sipas mendimit të Beogradit – ai i jep shumë [palës së Kosovës], ndërsa për Prishtinën është i papranueshëm për shkak se për të ofron pak. Kështu që të dy [Kurti dhe Vuçiq] do të kërkojnë mënyra që bisedimet të pengohen”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

 

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

 

“Përpëlitje deri sa të vijë momenti”

Paçarizi thotë se mospajtimet e deklaruara nga palët, lidhur me çështjen e Asociacionit, nuk do të mund të shfrytëzohen si pretekst për të minuar një marrëveshje eventuale, që mund të dalë nga propozimi i Bashkimit Evropian.

Ai thotë se Kosova dhe Serbia nuk janë në pozitë që ta kundërshtojnë procesin në finalen e tij, sepse pala që do ta kundërshtojë, do të ndëshkohet nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.

“Thjesht, do të përpëliten derisa të vijë momenti. Momenti do të vijë shpejt, sepse duhet pasur parasysh që marrëveshja apo plani evropian nuk mund të zbatohet pa e stabilizuar situatën në veri [të Kosovës]”, thotë Paçarizi.

“Kosova rrezikon të bjerë në kurthin e Serbisë”

Por, Gogiq thotë se ekzistojnë sinjale mjaft reale se propozimi i Bashkimit Evropian dhe diskutimi i palëve për të, mund të dështojnë.

Sipas tij, Beogradi, pikërisht përmes çështjes së Asociacionit, do ta bëjë Prishtinën të duket fajtore në sytë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai thotë se Beogradi tashmë ka arritur që për kushtin e tij, që Asociacioni të formohet para bisedimeve për propozimin evropian, ta ketë mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së, të cilat po i bëjnë trysni Kosovës në këtë drejtim.

“Unë konsideroj se të gjithëve do t’iu kalojë pa diktuar obstruksioni i Beogradit, i cili, asgjë më pak se Prishtina, nuk e dëshiron formimin e Asociacionit. Pra, Beogradi fare nuk e dëshiron formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe do të bëjë gjithçka që kjo të mos ndodhë. Edhe nëse kryeministri Kurti do të bënte lëshime dhe do ta ndryshonte pak qëndrimin e tij, Beogradi nuk do të kënaqej me këtë. Serbët nga Kosova dhe Beogradi do të thoshin se kjo nuk është ajo që duan… Në këtë pikë do të ndërpriteshin bisedimet”, thotë Gogiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tash e disa muaj është përballur me presionin e rritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ky asociacion është pjesë e një marrëveshjeje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar asnjëherë.

Kurti, vazhdimisht, ka theksuar se Asociacioni njëetnik nuk mund të formohet dhe një prej kushteve të tij është që ai “duhet ta ndërrojë emrin” dhe “të mos bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv”.

Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

rel

Kurti: Këmbëngulja e Serbisë për Asociacionin, e dëmshme dhe e padrejtë

KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten se këmbëngulja e Serbisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është e padrejtë dhe e dëmshme.

 

Ai i bëri këto komente gjatë shënimit të përvjetorit të gjashtëmbëdhjetë të protestës së lëvizjes Vetëvendosje të dhjetë shkurtit të vitit 2007, kur dy veta humbën jetën gjatë ndërhyrjes së policisë së Kombeve të Bashkuara për të shpërndarë protestuesit që kundërshtonin negociatat për statusin politik të Kosovës.

“Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Te komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, por ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste. Prandaj Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë dhjetë kryetarë të komunave të së njëjtës parti që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice dhe me atë ta shkelin ministrin tonë të qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është më shumë dëshirë e Beogradit zyrtar sesa e komunitetit serb në Kosovë.

“Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme gjithandej nëse ja kanë vlejtur komunat mbi baza etnike. Prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon Asociacion të tyre. Si zajednicë komunash pat nisur edhe Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës por jam i bindur që mu këtë e do Serbia”, tha ai.

Diplomatët perëndimorë kanë shtuar përpjekjet për të siguruar një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bazë të një propozimi evropian, i cili me tjerash parasheh zbatimin të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në Bruksel. Diplomatët kanë vënë theksin te marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pika më e vështirë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Thirrjeve pwr zbatimin e marrëveshjes pwr Asociacionin iu bashkuan edhe udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian pas një takimi të enjten me shefin e Politikës së Jashtme, Josep Borrell.

Nw kuadër përfundimeve tw takimit ku u përfshi edhe procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi dhe propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, udhwheqwsit evropianw thanw se “në dritën e tensioneve të fundit në veriun e Kosovës, Këshilli Evropian nënvizon nevojën urgjente për përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Këshilli Evropian, thuhet më tej, “mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një mundësi historike që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët”.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten se pret të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas propozimit evropian, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se mund të shkojë në Bruksel për bisedime vetëm pasi të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Javën tjetër Kosova përmbush 15 vjet të pavarësisë që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

voa

Turqi: Zbatimi i dobët i ligjeve të ndërtimit, shkaktari kryesor i tragjedisë

termeti cilesiaTurqia për vite me radhë ka rrezikuar duke mos zbatuar ligjet moderne të ndërtimit. Vendi ka lejuar dhe në disa raste, edhe ka inkurajuar ndërtime të objekteve në zonat që janë të rrezikuara më shumë nga dridhjet e tokës, thonë ekspertët.

 

Zbatimi i dobët i ligjeve moderne, për të cilin ekspertët e gjeologjisë dhe inxhinierisë kanë paralajmëruar prej kohësh, po debatohet sërish pas tërmeteve shkatërruese të kësaj jave, të cilët rrafshuan mijëra ndërtesa dhe vranë më shumë se 21,000 njerëz në Turqi dhe Siri.

“Kjo është një katastrofë e shkaktuar nga ndërtime të dobëta, jo nga tërmeti”, tha David Alexander, profesor i planifikimit emergjent në “University College” në Londër.

Është e ditur që shumë ndërtesa në zonat e goditura nga dy tërmetet e kësaj jave u ndërtuan me materiale dhe metoda të dobëta dhe shpesh nuk përputheshin me standardet e qeverisë, tha Eyup Muhcu, president i Dhomës së Arkitektëve të Turqisë.

Ai tha se kjo përfshin shumë ndërtesa të vjetra, por edhe apartamente të ngritura vitet e fundit, gati dy dekada pasi vendi miratoi ligjet e ndërtimit sipas standardeve moderne. “Struktura e ndërtesave në zonë ishte e dobët dhe jo e qëndrueshme, pavarësisht nga fakti se është zonë që përballet me termete”, tha zoti Muhcu.

Problemi kryesisht u shpërfill, thanë ekspertët, sepse trajtimi i tij do të ishte i shtrenjtë, jopopullor dhe do të frenonte një motor kyç të rritjes ekonomike të vendit.

Sigurisht, tërmetet e njëpasnjëshme që shkatërruan ose dëmtuan të paktën 12,000 ndërtesa ishin jashtëzakonisht të fuqishëm dhe forca e tyre u zmadhua nga fakti se ato ndodhën jo shumë në thellësi.

Tërmeti i parë me magnitudë 7.8 ndodhi në orën 4:17 të mëngjesit, duke e bërë edhe më të vështirë për njerëzit që të dilnin nga ndërtesat e tyre pasi toka u trondit me forcë. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka pranuar “mangësitë” në reagimin e vendit ndaj termetit.

Por ekspertët thanë se ka një mal me prova dhe shumë rrënoja që tregojnë një realitet të rëndë për arësyet përse tërmetet ishin kaq vdekjeprurës: Edhe pse Turqia ka të miratuara ligje ndërtimi që plotësojnë standardet aktuale të inxhinierisë së tërmeteve, ato shumë rrallë zbatohen, gjë që shpjegon arësyen përse mijëra ndërtesa u shkatërruan.

Në një vend të kryqëzuar nga linjat e çarjeve gjeologjike, njerëzit janë të shqetësuar se kur dhe ku mund të godasë tërmeti tjetër, veçanërisht në Stamboll, një qytet me më shumë se 15 milionë banorë që është i prekshëm nga tërmetet.

Që nga fatkeqësia, ministri i drejtësisë i presidentit Erdogan tha se do të hetojë ndërtesat e shkatërruara. “Ata që kanë qenë të pakujdesshëm, fajtorë dhe përgjegjës për shkatërrimin pas tërmetit do të përgjigjen para drejtësisë”, tha të enjten ministri Bekir Bozdag.

Por disa ekspertë thanë se çdo hetim serioz mbi zbatimin e dobët të ligjeve të ndërtimit duhet të përfshijë një vështrim të ashpër ndaj politikave të vet presidentit Erdogan, si dhe zyrtarëve rajonalë dhe lokalë, të cilët mbikëqyrën dhe promovuan një bum ndërtimi që ndihmoi në rritjen ekonomike.

Pak para zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe parlamentare të Turqisë në vitin 2018, qeveria parashtroi një program gjithëpërfshirës për të dhënë amnisti për kompanitë dhe individët përgjegjës për disa shkelje të kodeve të ndërtimit të vendit. Duke paguar një gjobë, shkelësit mund të shmangnin detyrimin për të rregulluar ndërtesat e tyre. Amnisti të tilla janë përdorur edhe nga qeveritë e mëparshme para zgjedhjeve.

Si pjesë e atij programi amnistie, agjencia qeveritare përgjegjëse për zbatimin e kodeve të ndërtimit pranoi se më shumë se gjysma e të gjitha ndërtesave në Turqi — që përbëjnë rreth 13 milionë apartamente — nuk ishin në përputhje me standardet aktuale.

Llojet e shkeljeve të përmendura në atë raport nga Ministria e Mjedisit dhe Urbanistikës ishin të shumta, duke përfshirë shtëpitë e ndërtuara pa leje, ndërtesat që lejuan kate shtesë ose zgjeruan ballkone pa autorizim, dhe ekzistenca e stukturave të paqëndrueshme ku jetojnë familjet me të ardhura të ulëta.

Raporti nuk specifikonte se sa ndërtesa ishin në kundërshtim me kodet që lidhen me rezistencën ndaj tërmeteve ose integritetin bazë strukturor, por realiteti ishte i qartë.

“Amnistia e ndërtimit nuk do të thotë se ndërtesa është e qëndrueshme”, tha në vitin 2019 kreu aktual i Ministrisë së Mjedisit dhe Urbanistikës, Murat Kurum.

Sipas zotit Muhcu, president i Dhomës së Arkitektëve të vendit, ndërtuesit zakonisht përdorin materiale me cilësi më të ulët, punësojnë më pak profesionistë për të mbikëqyrur projektet dhe nuk u përmbahen rregulloreve të ndryshme si një mënyrë për të ulur kostot.

Ai thotë se e ashtuquajtura “amnestia ndërtimore” e qeverisë turke e prezantuar përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2018 si një mënyrë për të siguruar vota, në fakt, ka legalizuar ndërtesat e pasigurta.

“Ne po e paguajmë për këtë me mijëra vdekje, shkatërrim të mijëra ndërtesave, humbje ekonomike,” tha zoti Muhcu.

Edhe ndërtesat e reja të banimit të shpallura si të sigurta, u shkatërruan nga tërmeti.

Shkatërrimi në të gjithë Turqinë vjen në një kohë të ndjeshme për presidentin Erdogan, i cili përballet me zgjedhje të vështira parlamentare dhe presidenciale në maj, mes një rënieje ekonomike dhe inflacionit të lartë.

Zoti Erdogan përmend rregullisht bumin e ndërtimit të vendit gjatë dy dekadave të fundit, që përfshijnë aeroporte, rrugë, ura dhe spitale të reja, si dëshmi e suksesit të tij gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet.

Në turneun e tij në zonat e dëmtuara të mërkurën dhe të enjten, zoti Erdogan u zotua të rindërtojë shtëpitë e shkatërruara brenda vitit.

“Ne e dimë këtë biznes”, tha ai. “Ne jemi një qeveri që e kemi dëshmuar veten në këto çështje. Do të rindërtojmë!

voa

“Turp të kesh”, Erdogan përballet me zemërimin publik lidhur me reagimin e Qeverisë ndaj tërmetit

ErdoganHakan Tanriverdi ka një mesazh për presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe për reagimin e Qeverisë pas tërmetit të fundit që Turqia përjetoi:

 

“Mos kërko më vota nga ne!”.

Tërmeti me magnitudë 7.5 ballësh, nga i cili kanë vdekur më shumë se 21 mijë persona në Turqi dhe Siri, ka bërë të cilësohet si tragjedia më e ndjeshme në pushtetin që prej dy dekadash të Erdoganit.

 

Presidenti turk ka propozuar mbajtjen e zgjedhjeve vendimtare më 14 maj që mund të zgjasin pushtetin e administratës së tij me bazë islamike deri në vitin 2028.

Opozita e tij e ndarë do të ketë pak kohë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe për të rënë dakord për një kandidat të përbashkët presidencial deri në afatin përfundimtar. Mbetet për t’u parë nëse votimi tani mund të vazhdojë siç është planifikuar.

Erdogan ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj në dhjetë provinca të prekura nga tërmeti. Në zonat e goditura nga tërmeti ende po vazhdon nxjerrja e trupave të vdekur ndërsa shumë njerëz janë duke jetuar në rrugë ose në makinat e tyre.

Zhvillimi i një kampanje në këto rrethana duket i pamundur. Por, si duket ka edhe një anë tjetër politike që është shumë personale për presidentin Erdogan.

Ky tërmet ndodhi pikërisht në kohën kur Erdogani vetëm se filloi të “pëlqehej” nga qytetarët në Turqi, pas një situate krize të krijuar si pasojë e gjendjes të rëndë ekonomike që kaploi popullatën në vitin e kaluar.

Hidhërimi i Tanriverdit është një shenjë e keqe për Erdoganin, në një krahinë ku ai mundi rivalin e tij laik të opozitës në zgjedhjet e fundit më 2018.

“Ne jemi jashtëzakonisht të lënduar, sepse askush nuk u mundua të na ndihmojë”, u shpreh Tanriverdi lidhur me reagimin e Qeverisë për tërmetin.

 

“Lufta” e Erdoganit

Ankesat e Tanriverdi janë të zakonshme në krahinën Adiyaman, e cila u godit rëndë nga tërmeti.

Vendasit ankohen se ekipet e shpëtimit nuk kanë mbërritur me kohë për të nxjerrë të mbijetuarit e orëve të para kritike. Disa përmendën mungesën e pajisjeve për shpimin e pllakave të betonit.

“Unë nuk kam parë asnjë ekip shpëtimi deri në orën 14:00 të ditës së dytë të tërmetit… Pa qeveri, pa shtet, pa polici, pa ushtarë. Turp të keni! Na latë vetë”, tha Mehmet Yildirim, banor i Adiyamanit.

Të mërkurën, Erdogan pranoi “mangësitë” në trajtimin e katastrofës nga Qeveria.

Megjithatë, ai vazhdon të luftojë. Të martën, 68-vjeçari udhëhoqi një aksion shpëtimi në Ankara dhe më pas kaloi dy ditët e ardhshme duke vizituar një sërë qytetesh të shkatërruara.

 

Mirëpo, ai ende nuk e ka vizituar Adiyamanin.

Kjo irriton Hediye Kalkanin, një vullnetare që udhëtoi afër 150 kilometra për të ndihmuar në përpjekjet për shpëtim dhe rikuperimin e Adiyamanit.

“Pse shteti nuk shfaqet të ndihmojë në një ditë të tillë? Njerëzit me pajisjet e tyre po nxjerrin kufomat e të afërmve të tyre”, tha ajo.

A është ky mëkat?

Çdo operacion shpëtimi do të ishte sfidues për shkak të përmasave të fatkeqësisë, e cila përfshiu një territor të gjerë dhe të izoluar mu në mes të një stuhie dimri.

Vendasit, në përgjithësi, e kanë pritur mirë Erdoganin gjatë vizitave të tij të orkestruara me kujdes, të cilat janë shfaqur në televizionin kombëtar.

Një grua e moshuar teksa iu afrua Erdoganit, filloi ta përqafonte dhe qau mbi supin e tij.

 

Por, reagimi i Veysel Gultekinit ka mundësi të mos jetë i njëjtë nëse do të kishte mundësi ta takonte liderin turk.

Gultekin tha se kishte parë këmbët e një prej të afërmve të tij të bllokuar nën rrënoja kur doli në rrugë pas dridhjeve të së hënës para agimit.

“Nëse do të kisha një pajisje të thjeshtë, do ta kisha nxjerrë të gjallë… Por, ai ishte plotësisht i bllokuar dhe pas një goditjeje tjetër të fortë, ai vdiq”, tha Gultekin.

Gazetarët e AFP-së, të enjten, kanë parë më shumë makina dhe ekipe shpëtimi, duke përfshirë ekipe ndërkombëtare afër ndërtesave të shembura.

Por, kjo nuk mjaftoi për të lehtësuar dhimbjen e Tanriverdit.

“Ata njerëzit që nuk vdiqën nga tërmeti, kanë vdekur nga të ftohtit pasi mungoi ndihma… A nuk është mëkat, që këta njerëz vdiqën në këtë mënyrë?”, tha ai.

rel

Vazhdojnë pazaret në qeveri -ASH me/pa Alternativa

ASH-AAAVazhdojnë pazaret në qeveri -ASH me/pa Alternativa

Me marrëveshjen e arritur me kryeministrin Dimitar Kovaçevski Aleancës për Shqiptarët, merr dy ministri, dy zëvendësministra dhe disa drejtori dhe pozita të zëvendësdrejtorëve në nivel qendror dhe rajonal. Ministri i Drejtësisë është paraparë Krenar Lloga, aktualisht anëtar i KSHZ-së. Si Ministër i Shëndetësisë, lakohet emri i Fatmir Mexhitit. ASH do të ketë edhe dy zëvendësministra, në Mbrojtje mendohet Tiron Jahjaga dhe në Bujqësi ende nuk është definuar.

ASH pritet të marr edhe drejtorin e MEPSO-s, Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Avokatin e Shtetit, Drejtorinë për Menaxhimin e Pronave të Konfiskuara, Hekurudhat, Inspektoratin e Arsimit etj.

Nëse Alternativa del, Aleanca fiton edhe Ministrin e Shoqërisë Informatike. Nëse mbetet Alternativa, ASH do të merr pozitën e zëvendëskryeministrit të cilën e ka synuar nënkryetari i partisë, Elmi Aziri. ndërsa pozitën e deputetit e merr nënkryetarja Bujare Abazi.

Alternativa të dielën do të mbajë mbledhjen e Kuvendit Qendror për të diskutuar për daljen e tyre të mundshme, apo qëndrimin në qeveri.

Albin Kurti në kuvend:“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është “Zajednicë” e Hashim Thaçit edhe Isa Mustafës.

Albini PatriotAlbin Kurti në kuvend: “Asociacioni i komunave me shumicë serbe është “Zajednicë” e Hashim Thaçit edhe Isa Mustafës. Po duke iu falënderu qeverisë me mua kryeministër, nuk po zbatohet. Sa për juve moti ish kry ajo. Unë i kam përmendur këtu gjërë e gjatë 6 kushtet për Asociacionin, Asociacionin të cilin ju e keni sjellë ose më saktë siç po thotë një deputet i PDK-së “Zajednicën”. “Zajednica” e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës nuk po zbatohet se ka qeveri demokratike. Dhe krejt në fund, kur po jep deklarime Eskobari po thotë për një njëri nuk ndalet asociacioni, ai është momenti kur ju duhet me dalë me thanë Kryeministri nuk është vet. “…

… “Unë ju inkurajoj që ashtu qysh jeni shumë të vendosur Kosovën se nuk pranojmë kurrgjë që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk pranojmë kurrgjë që s’është në marrëveshjen finale aman këtë ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Eskobarit, jo veç mu. A po kuptoni? Pra, kur e takoni Eskobarin paramendoni që e kemi Albin Kurtin përpara dhe ia thoni këto fjalë. Shërbim më të madh, shërbim ma të madh Republikës së Kosovës nuk mundeni me i ba. Edhe me dashtë nuk mundeni me i ba. Kur e keni Eskobarin përpara paramendojeni Albin Kurtin the thoni Kosova Republikë, marrëveshje finale, njohje reciproke në qendër. Asgjë më pak. “

BE thotë se deklaratat e Kurtit dhe Vuçiqit janë pengesë për caktimin e takimit në Bruksel

AlbinZyrtarë të Bashkimit Evropian vlerësojnë se deklaratat publike të liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ku ata paraprakisht paraqesin kushte, janë pengesë në organizimin e një takimi të nivelit të lartë në Bruksel.

 

Një burim evropian i tha Radios Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se “është ky lloj qëndrimi publik, i të dy liderëve, që paraprakisht tregojnë kushtet e tyre, i cili krijon pengesën më të madhe për caktimin e datës së takimit” në Bruksel.

Sipas këtij burimi, mbajtja e rundit të ardhshëm të bisedimeve varet nëse liderët nga Prishtina dhe Beogradi “pajtohen për datën e agjendës së parë”, pa treguar detaje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më herët gjatë ditës, se do të shkojë në Bruksel kur Prishtina ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kjo deklaratë erdhi pasi përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha më 9 shkurt se së shpejti do të ketë një takim të ri mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar diskutimet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Më 6 shkurt, Kurti deklaroi se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij, por javën e kaluar ai shpalosi gjashtë kushtet për formimin e tij.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë rritur presionin ndaj Kosovës që të zbatojë marrëveshjet e arritura për Asociacionin më 2013 dhe 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, por që mund të harmonizohen.

Raportet mes Kosovës dhe Serbisë ishin temë në samitin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së që është duke u zhvilluar të enjten e 9 shkurtit.

Porosia për pritjet nga dialogu u përfshinë edhe në konkluzat që u miratuan në këtë samit.

“Këshilli i BE-së mirëpret propozimin Evropian për të vendosur raportet mes dy palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një rast historik i cili duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët me qëllim të realizimit të perspektivës së tyre evropiane“, thuhet në tekstit e konkluzave që u miratua në samitin dy ditësh të shefave të shteteve të BE-së në Bruksel.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.

Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – që ka mbështetjen edhe të SHBA-së – që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.

Përderisa Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

rel

 

Borrell: Pres një takim të nivelit të lartë politik Kosovë – Serbi brenda disa javësh

BorelShefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten se pret të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë politikë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas propozimit evropian, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

 

Ai i bëri këto komente para fillimit të takimit të udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian të cilëve tha se do t’u raportojë për procesin.

“Propozimi është në tryezë. I thërras të dy udhëheqësit (të Kosovës dhe Serbisë) të vijnë në Bruksel, së shpejti, për disa javë, që përfundimisht ta çojmë përpara këtë propozim”, tha zoti Borrell.

Në fund të takimit dy ditësh, udhëheqësit e vendeve të BE-së pritet të miratojnë përfundime rreth procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi dhe propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për t’i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje mbi atë propozim, që nuk përfshin njohjen e ndërsjellë, por përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.

Diplomatët thanë se palët duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë propozimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.

Kosova dhe Serbia thanë se e pranojnë propozimin evropian.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç një javë më parë raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, duke vënë theksin te pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij nëse refuzon propozimin evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se e pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Deklarimet e tij u shndërruan të enjten në temë debatesh në parlamentin e Kosovës.

Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike e Kosovës e akuzuan kryeministrin Kurti se përmes pranimit të propozimit evropian po heq dorë nga njohja e ndërsjellë.

Kryeministri Kurti tha se propozimin evropian e ka pranuar në parim për të diskutuar më tutje dhe se nuk ka ende marrëveshje përfundimtare.

“Nuk është finale, është sërish një kornizë, është marrëveshje bazike, por jo përfundimtare. Kjo marrëveshje, që ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht obliguese, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na duhet”, tha kryeministri Kurti duke nënvizuar se marrëveshje përfundimtare pa njohje të ndërsjellë s’mund të ketë.

“Janë dy përgjigje bukur shqetësuese, e para, se ke pranuar që nga një marrëveshje finale ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme të pranosh marrëveshje në parim që nuk është bazë dhe kjo është devijim i rëndë i procesit të dialogut dhe e dyta sapo pranove që po negocion për një marrëveshje që nuk e ka njohjen në të, sërish një devijim bukur i rëndë i procesit dialogues”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Nëse nuk ka marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë dihet që kot je duke shkuar në dialog, kot je duke u angazhuar edhe kot je duke u marr me këtë punë. Duhet me pas përfundim. Me kriju edhe një status quo të re është për të bërë asgjë”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Por, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në opozitë tha se partia e tij e mbështetë propozimin evropian.

“Amerika ju thotë të gjithëve juve që ju përkrahi për Partneritet për Paqe, tani nëse ne i themi qeverisë tonë se nuk ta pranojmë pa njohje reciproke, matuni mirë se çfarë po ju thoni, pra matuni mirë nëse i thoni kështu. Nuk i kemi thanë Hashim Thaçit në 2013 nuk ta pranojmë pa njohje reciproke, nuk ju kemi thënë as tjerëve dhe kemi ecë deri këtu ku jemi. Si po e menaxhon dialogun qeveria këtu mund të hyjmë në kritikë edhe ka vend për shumë kritikë si po e menaxhon si për transparencë, si për situatën qysh po e shpjegon se kur është sekuencimi e përralla tjera. Për mua dhe për Aleancën e Ardhmërisë së Kosovës është i pranueshëm propozimi franko-gjerman. I kërkoj kësaj qeverie që ta pranojë dhe të mos vonohet”.

I gjetur nën trysninë ndërkombëtare për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Kurti ritheksoi sot qëndrimin se marrëveshja për këtë çështje nuk mund të jetë parakusht e as në qendër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të mospajtimeve ndërmjet të dyja palëve që mbesin një burim paqëndrueshmërie në Ballkan duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon, në një periudhë kur kontinenti po përballet me pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

voa

Organizatat europiane: Mjedisi mediatik në Shqipëri mbetet sfidues

Raporti Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias 2022Një raport monitorimi i publikuar këto ditë nga disa organizata europiane të shtypit vlerëson se në Shqipëri “në përgjithësi, mjedisi për gazetari të pavarur dhe mbikëqyrëse, apo pluralizmi mediatik mbetet sfidues”.

 

Raporti është përpiluar nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), si pjesë e projektit të përbashkët të reagimit të shpejtë për lirinë e medias (MFRR) i cili monitoron dhe mbështet gazetarët, punonjësit e medias dhe platformat që janë kërcënuar. Projekti, i financuar nga Komisioni Evropian, ofron mbështetje ligjore dhe praktike, avokim publik dhe informacion për të mbrojtur gazetarët dhe punonjësit e medias. Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) gjurmon, monitoron dhe reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit dhe medias në shtetet anëtare të BE-së dhe në vendet kandidate.

Raporti jep një pasqyrë të zhvillimeve dhe ngjarjeve që kanë prekur gazetarët gjatë vitit të kaluar. Në rastin e Shqipërisë janë identifikuar 17 raste shkeljesh. “Dhuna fizike dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve ishin kërcënimet më të rënda për lirinë e shtypit në Shqipëri në vitin 2022”, vë në dukje raporti sipas të cilit, “veçanërisht shqetësues ishte numri i incidenteve të dhunës së policisë ndaj gazetarëve, i cili lidhej me 7 nga 17 shkeljet (41%) të regjistruara”. Në raport sillen shembujt e “gazetarit Simon Shkreli, i cili u pengua me forcë nga policia teksa po filmonte një operacion të forcave speciale në Shkodër. Ndërsa në Tiranë, fotoreporteri Gent Shkullaku u përball me policinë, e cila i konfiskoi aparatin fotografik dhe e urdhëroi të fshinte fotografitë e huliganëve të futbollit që përlesheshin me policinë, duke pretenduar se fotot e tij po dëmtonin imazhin e vendit”.

Në raport vihet në dukje me shqetësim “retorika ndaj gazetarëve e kryeministrit të vendit, Edi Rama, përfshirë thirrjet për dërgimin në të ashtuquajturin “riedukim”, të gazetarëve që shtruan pyetje për çështje kritike dhe ndalimin e tyre për të marrë jesë në konferencat e ardhshme të shtypit”, duke sjellë si shembull rastin e gazetarit Klevin Muka të CNN A2, dhe të Ambrioza Metës, i Syri TV.

Raporti organizatave europiane përmend dhe rastet e gazetarëve Adriatik Doçi apo një gazetari tjetër të cilët kanë qenë viktimë të akteve të dhunës për shkak të detyrës.

Po ashtu përmendet fakti se “media të ndryshme online në Shqipëri u bënë viktima të sulmeve kibernetike në janar, pasi publikuan një rregjistrim audio të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke folur ashpër me zyrtarët lokalë të futbollit, në një skandal të dyshuar që lidhej me zgjedhjet në federatën e futbollit”. Raporti citon dhe urdhërin e Prorkurorisë së Tiranës e cila në shtator të vitit të kaluar “ndaloi mediat të publikojnë çdo të dhënë apo informacion nga dosjet e hakuara gjatë sulmeve kibernetike, duke kërcënuar me sanksione penale dhe bllokim të faqeve të internetit për ata që shkelin kufizimin”. Një tjetër rast shkeljeje përfaqëson, sipas raportit dhe rasti i “gazetarëve që mbulonin seancat publike të profilit të lartë të procesit të vetingut të Elizabeta Imerajt, Drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, të cilët u përballën me kërcënime, fushata shpifjesh, një padi për shpifje dhe zbuluan një shkelje të dyshimtë të të dhënave të tyre personale”.

Në muajin nëntor edhe Partnerët e Platformës së Këshillit të Europës për Siguri të Gazetarëve deklaruan në Tiranë, në fund të një misioni fakt-mbledhës, se liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar më tej, për shkak të ndërhyrjes së pronarëve dhe të qeverisë.

voa