Gjermani: Hiqet detyrimi i mbajtjes së maskës në transportin urban

MaskaNga 2 shkurti 2023 shfuqizohet rregullorja për mbajtjen e maskës mbrojtëse në transportin urban në Gjermani

 

Pas tre vitesh detyrim për të mbajtur maska ​​në transportin urban në Gjermani, nga 2 shkurti ato nuk janë më të detyrueshme. Maskat duhet të mbahen në institucionet shëndetësore.

 

Në autobusë dhe trena në Gjermani nuk është më e detyrueshme mbajtja e maskës kundër virusit Corona. Pas gati tre vitesh të pandemisë Corona, nga 02 shkurti 2023 nuk është më e detyrueshme mbajtja e maskës as në trenat që qarkullojnë në distanca të gjata.

Kompanitë e transportit bënë të ditur heqjen e këtij detyrimi në transportin urban. “Detyrimi për të mbajtur maska, ka qenë prej kohësh i panevojshëm nëse merret parasysh situata me pandeminë”, tha një zëdhënës i Shoqatës së Kompanive Gjermane të Transportit (VDV). “Ishte gjithnjë e më e vështirë të zbatohet një detyrim i tillë dhe t’u shpjegohet pasagjerëve pse një maskë nuk duhej të mbahej në një aeroplan plot me udhëtarë ose në një sallë koncertesh, por mbahej në autobus dhe tren gjatë rrugës për në aeroport ose në vendin e koncertit.”

 

maska metroMinistri gjerman i Shëndetësisë rekomandon megjithatë mbajjen vullnetarisht të maskës.

 

Edhe kompania Hekurudhat Gjermane u deklarua disa javë më parë në favor të heqjes së detyrimit për mbajtjen e maskave në trenat që qarkullojnë në distanca të gjata. “Kështu ne shmangim një situatë me rregulla të ndryshme në Gjermani, që kanë qenë në fuqi për kompani të ndryshme të transportit,” shkroi kreu i departamentit të transportit në distanca të gjata, Michael Peterson, në mes të janarit.

Në fund, qeveria federale vendosi që detyrimi i mbajtjes së maskave në qarkullimin në distanca të gjata të përfundojë më 2 shkurt. Fillimisht, detyrimi për të mbajtur maska ​​në trenat dhe autobusët e distancave të gjata ishte menduar të ishte në fuqi deri në fillim të prillit. Ministri federal i Shëndetësisë Karl Lauterbach (SPD) rekomandon që të vazhdohet mbajtja e maskave vullnetarisht.

Sa i përket trafikut rajonal, ai është nën juridiksionin e landeve. Por edhe ato kanë vendosur që nga 2 shkurti 2023 të përfundojë detyrimi i mbajtjes së maskave. Mbajtja e maskave mbetet e detyrueshme edhe më tej në spitale dhe institucionet e kujdesit shëndetësor, si dhe në mjediset e përkujdesit për të moshuarit.

dw

BERZH për Shqipërinë: Dilni nga “lista gri” e pastrimit të parave

Alexander PlekhanovAlexander Plekhanov është drejtor i BERZH për “Ndikimi i Tranzicionit dhe Ekonomive Botërore” (Transition Impact & Global Economics)

 

Në intervistë për DW, Alexander Plekhanov nga BERZH thotë se tregu në Shqipëri do të përmirësohej nëse reforma në gjyqësor do të kishte ritme më të shpejta dhe vendi do të kishte kontroll më të fortë mbi paratë e pista.

 

 

Pak ditë më parë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) prezantoi gjetjet e Raportit të Tranzicionit për vitin 2022-23. Për Shqipërinë, treguesi që mat mirëqeverisjen shënoi rënie, krahasuar me gjashtë vite më parë.   

 

DW: Z.Plekhanov, është publikuar së fundi Raporti i Tranzicionit për vitin 2022-23. Si do t’i analizonit gjetjet për Shqipërinë?

Alexander Plekhanov: Viti 2022 ishte një vit sfidues në të gjitha rajonet ku ne investojmë, përfshirë Shqipërinë. Ekonomitë në Europë janë prekur thellësisht nga kriza energjitike dhe ndërprerje të tjera, pikërisht në kohën kur ato po rimëkëmbeshin nga pasojat e pandemisë së Covid-19. Një nga kapitujt e këtij raporti evidenton format se si kompanitë menaxhuan ndërprerjet e ndryshme të zinxhirit të furnizimit dhe dokumenton zhdërvjelltësinë e jashtëzakonshme të ndërmarrjeve private. Tre të katërtat e kompanive që veprojnë në Europë në import dhe eksport u përballën me ndërprerje të rrjetit të furnizimit, si pasojë e politikave 0-covid të Kinës, të pushtimit rus në Ukrainë, motit ekstrem e shumë arsye të tjera. Kompanitë u treguan tepër elastike, rritën inventarët dhe gjetën furnizues të rinj (në 80% të rasteve, jashtë shteteve të tyre) dhe digjitalizuan menaxhimin e zinxhirit furnizues.

 

DW: Në këtë raport, treguesi që mat mirëqeverisjen ka shënuar rënie krahasuar me vitet e mëparshme, më konkretisht treguesi shënon 4.62 për vitin 2022, ndërkohë që në vitin 2016 shënonte 5.26. Cilët janë faktorët që kanë çuar Shqipërinë në regres brenda një periudhe 6-vjeçare?

Alexander Plekhanov: Treguesit e qeverisjes ndërthuren me një sërë masash të qeverisjes në nivel vendor dhe korporatave. Luhatja në rezultate pasqyron ndryshimet e shumë treguesve dhe gjithashtu varet nga progresi i bërë nga vendet e tjera, gjatë së njëjtës kohë. Për shembull, renditja e Shqipërisë në listën e indeksit të perceptimit të korrupsionit që analizon Transparency International, ishte më e ulët në vitin 2022 se sa në vitin 2016. Duke parë drejt së ardhmes, një ritëm më i shpejtë i reformës gjyqësore do të sillte rezultate në përmirësimin e tregut. Në të njëjtën mënyrë, do të kishte një përmirësim të tregut nëse do të zbatoheshin shqetësimet e ngritura nga Task-Forca e Veprimit Financiar në lidhje me kontrollet kundër pastrimit të parave, shqetësime të cilat e kanë futur aktualisht Shqipërinë në të ashtuajturën “listë gri”, zyrtarisht e njohur si lista nën monitorim të shtuar.

 

DW: A evidentoni rritje të korrupsionit dhe informalitetit dhe sa e dëmton përkeqësimi i situatës rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE?

Alexander Plekhanov: Në terma afatgjatë, të dhënat e studimit tonë tregojnë përparim. Çdo 6 vjet, sëbashku me Grupin e Bankës Botërore dhe Bankën Europiane të Investimeve ne kryejmë sondazhe përfaqësuese me kompanitë. Ne u drejtojmë atyre një numër të madh pyetjesh rreth përvojave të tyre, përfshirë përvojat tipike të korrupsionit dhe informalitetit në sektorët dhe fushat në të cilat ato operojnë. Kur e zhvilluam këtë sondazh 20 vite më parë, në vitin 2002, kompanitë në Shqipëri raportuan se 6% e shitjeve të tyre shkonin për pagesa informale. Në vitin 2019, kjo përqindje kishte rënë në 2.7%. Kjo shifër vijon të mbetet më e lartë se Italia për shembull, ku mesatarja është rreth 0.3%, por gjithesi është më e ulët se 20 vite më parë.

Pavarësisht nga këto tendenca pozitive afatgjata, mbetet ende shumë punë për t’u bërë, duke përfshirë këtu rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Bëhet fjalë për disa sfida që ne i përmendëm, si reforma e gjyqësorit, dispozitat ligjore kundër pastrimit të parave dhe zbatimi i tyre, për shembull.

 

DW: Si paraqitet situata përsa i përket rritjes së inflacionit dhe sa e rrezikuar është Shqipëria nga rritja e çmimeve? 

Alexander Plekhanov: Inflacioni është një sfidë madhore e ekonomive me të cilat ne punojmë, në Europë, Mesdheun Jugor dhe Lindor dhe Azinë Qendrore. Në të gjithë rajonet inflacioni arriti pikun e tij në tetor 2022, me një mesatare prej 17.5%, nivel i përjetuar për herë të fundit në recesionin e vitit 1998. Inflacioni ka nisur të bjerë gradualisht që nga tetori. Çmimet e energjisë elektrike (në veçanti çmimet rekord të gazit natyror në Europë) dhe çmimet e ushqimeve ishin nxitësit kryesorë të inflacionit në fillim, ndërsa tani përbëjnë thuajse gjysmën e presionit inflacionist.

Edhe në Shqipëri inflacioni gjithashtu kulmoi në tetor 2022, por me një nivel dukshëm shumë më të ulët, në 8.3%. Në fundin e vitit ra në 7.4%. Varësia e ulët e Shqipërisë ndaj gazit ndihmoi për të mbajtur inflacionin nën kontroll, duke qenë se prodhimi më i madh i energjisë elektrike vjen nga hidrocentralet. Besueshmëria e politikave të Bankës Qendrore ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm. Teksa ekonomia rritet dhe uji pakësohet gjithnjë e më tepër, kriza energjitike e vitit 2022 në Europë nënvizon rëndësinë e investimit në energji, me një fokus tek energjia e rinovueshme. Në këtë sektor, BERZH ka pasur një sërë projektesh të rëndësishme dhe vijon ta mbështesë vendin.

 

DW: Në cilat fushat vërehet progress dhe në çfarë sektorësh paraqitet situatë stanjacioni?

Alexander Plekhanov: Përmenda më sipër prioritetet për reformat qeverisëse dhe masat që duhet të merren kundër pastrimit të parave.

Për sa i përket pëparimeve, raporti ynë thekson përmirësime në fushën e gjithëpërfshirjes, ku Shqipëria ka shënuar një rritje prej 0.5 që nga viti 2016. Në veçanti, të dhënat e sondazhit flasin për një përmirësim të dukshëm për sa i përket aftësive digjitale të njerëzve dhe qasjes së përmirësuar në internet, në zonat problematike të dikurshme. Ishte gjithashtu inkurajuese të shihje turizmin në rritje gjatë vitit të kaluar, ku ne punuam ngushtë me këtë sektor, me qëllim që zhvillimi i turizmit dhe përmirësimi i gjithëpërfshirjes të forcojnë njeri-tjetrin.   

dw

Televizioni gjerman ARD: Vuçiqi papritmas bëhet tradhtar

VucicVuçiq në shënjestër të kritikëve: Në Kuvendin e Serbisë u sulmua ashpër dhe u shpall tadhtar. Ai akuzoi opozitën për tradhti…

 

Nuk ndodh shpesh që presidenti i Serbisë kritikohet me zë të lartë. Aleksandar Vuçiq, stili i sundimit të të cilit ka tipare autokratike, është shumë stabël në pushtet. Mirëpo, pas ndryshimit befasues të kursit për çështjen e Kosovës, këtë të enjte në Kuvendin e Serbisë, ate e kanë fyer hapur duke e quajtur tradhtar.

Ndërsa kreu i shtetit mbronte ndryshimin e kursit të tij në parlament, politikanët e opozitës nacionaliste mbanin pankarta dhe tabela. Kërkesa e tyre është: “Jo dorëzim”. Ata duan një refuzim të qartë të planit të propozuar nga Gjermania dhe Franca për t’i dhënë fund tensioneve aktuale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që nuk nënkupton njohjen formale mes këtyre shteteve, por që ato të pranojnë ekzistencën e këtyre shteteve.

Një anëtar i partisë klerik-nacionaliste e quajti kursin e Vuçiqit “të paparë” dhe i tha presidentit se ai “nuk ka të drejta kushtetuese”. Duartrokitje për presidentin dëgjoheshin vazhdimisht nga radhët e partisë në pushtet, por kjo nuk mund të fshehë faktin se Vuçiq ishte nën presion të madh.

 

Ky presion vjen nga jashtë. Një ditë përpara se presidenti të shpjegonte politikën e tij në parlament, sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken e thirri atë me telefon. SHBA kërkon shtensionimin përfundimtar të situatës në Ballkan.

Skeptik dhe përfaqësues i shtetit

Vuçiqi e mbrojti linjën e re për një orë e gjysmë në seancën parlamentare. Ai mbështetet në afrimin, në vend të kërcënimeve ushtarake, siç ishte rasti disa javë më parë. Vuçiq përpiqej të qetësonte të pranishmit: Ende nuk është nënshkruar asgjë, bisedimet do të vazhdojnë.

Vuçiq ishte skeptik: Pikat e shumta të renditura në planin franko-gjerman për vendosjen e paqes në rajon janë të vështira ose të papranueshme. Por Vuçiq përfaqëson edhe interesat e shtetit: Një hap drejt relaksimit është në interesin jetik të Serbisë. Ai i referohet orientimit drejt Bashkimit Evropian.

Ky është qëllimi i tij i deklaruar, siguroi Vuçiq në një intervistë vetëm disa javë më parë. Fuqiploti i Serbisë nuk dëshiron të rrezikojë anëtarësimin në BE dhe prandaj thotë sot: Serbia duhet të qëndrojë në “rrugën europiane”, sepse “shumë gjëra” varen nga BE-ja, si “investimet, standardet e jetesës, pensionet dhe pagat”.

Origjina politike e Vuçiqit

Fakti që nacionalistë të shumtë tani po bëjnë thirrje për tradhti ka të bëjë me historinë e Serbisë, por edhe me vetë Vuçiqin. Ai vjen nga një lëvizje nacionaliste dhe toleron demonstratat në mbështetje të luftës së Putinit kundër Ukrainës. Shefi i tij i ri i shërbimit sekret, Aleksandar Vulin, është një mik i deklaruar i Rusisë. Përveç kësaj, Vuçiq nuk i mbështet sanksionet kundër Rusisë. Kjo nuk shkon së bashku me afrimin e BE-së.

Në Serbi konsiderohet se Kosova për të cilën u diskutua në parlament është “një krahinë e shkëputur”. Slogani “Kosova = Serbi” është shkruar në disa mbikalime mbi autostradë në afërsi të Beogradit.

Prandaj, për Serbinë me mendje nacionaliste, njohja e pavarësisë së Kosovës është e paimagjinueshme. Ndërsa presidenti po fliste në parlament, një zotëri i moshuar në rrugë tha se pa Kosovën Serbia do të humbiste identitetin e saj.

Madje, një grua e quan Kosovën “Jerusalemi i Serbisë” dhe paralajmëron se çështja nuk shikohet vetëm politikisht. Për të, kjo ka të bëjë me shpirtin serb. Qytetarët e zakonshëm tani duhet të luftojnë për atë që ajo beson se është e drejtë para Zotit: “Ne nuk guxojmë të lejojmë që toka jonë serbe (Kosova) të ndahet. Por mos u shqetësoni, ajo do të mbetet përgjithmonë serbe, me siguri”, thotë gruaja.

Koha për ndryshimin e kursit

Sado të forta të jenë kritikat, tani mund të jetë koha e duhur që Vuçiq të ndryshojë kurs. Presidenti i Serbisë nuk duhet t’i frikësohet rënies – ai dhe partia e tij u konfirmuan qartë në zgjedhjet e vitit të kaluar, ndërsa zgjedhjet e ardhshme të rregullta janë pas tre vjetësh.

Vuçiq mund ta shesë si sukses edhe faktin që qeveria e Kosovës nuk e pengon më themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Është një hap që u arrit vetëm me presion të madh të SHBA-së dhe BE-së ndaj kryeministrit të Kosovës Kurti.

Sidoqoftë, Asociacioni duhet t’u japë të drejta të gjera të autonomisë serbëve që jetojnë në Kosovë, kryesisht në komunat në veri dhe jug të vendit.

Shumica dëshiron anëtarësimin në BE

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të mirëpritet mbi të gjitha nga popullata e re e Serbisë, ata që qartazi kanë orientim pro-evropian. Shumica e shoqërisë serbe gjithashtu dëshiron ta shohë vendin e tyre në Bashkimin Evropian, megjithëse mbështetja për BE-në kohët e fundit ka rënë disi.

Këtë e di edhe presidenti. Në një intervistë për ARD, Vuçiq së fundmi tha: “Nëse i pyet njerëzit se ku duan të jetojnë, gjithmonë merr të njëjtën përgjigje: në Bashkimin Evropian”. Pra, ne duhet ta zgjidhim këtë rrëmujë në rajon, të krijojmë paqe dhe siguri – dhe pastaj ju mund t’u thoni njerëzve se ne duhet të fokusohemi në të ardhmen dhe nuk kam asnjë dyshim se e ardhmja jonë i përket Evropës dhe BE-së. Ne jemi pjesë e Evropës”.

Vuçiq duket se është shumë konkret në lidhje me politikën e tij tani – madje edhe kur dihet se duhet edhe shumë kohë para një shtendosje të vërtetë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

ARD

 

Gjashtë kushtet e Kurtit për krijimin e Asociacionit

AlbinNë seancën e Kuvendit, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme ta pranojë Asociacionin, sipas marrëveshjes së vitit 2013. Megjithatë, ai tha se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe që paraprakisht të shuhen strukturat ilegale, dhe se një Asociacion i tillë, të krijohet pas njohjes reciproke.

 

Ai tha se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, nuk mund të jetë monoetnik, të ndërrojë emrin, të mos mundet të bartë asnjë pushtet publik dhe ekzekutiv dhe t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave.

Për këtë arsye, ai paraqiti gjashtë pika në lidhje me këtë cështje, e që sipas tij, duhet të jenë:

  1. Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës
  2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).
  3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
  4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
  5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
  6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se opozita ka dëshirë që të themelohet “Zajednica” por që sipas tij, kjo nuk mund të bëhet.

 

Abdixhiku: Mirë që Kurti i pranon marrëveshjet ndërkombëtare

2 shkurti është data kur kryeministri Kurti pranoi formimin e Asociacionit. Kështu deklaroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij si deputet në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk thashë mirë a keq, por kryeministri e tha që marrëveshja e 2013 do të inkorporohet në marrëveshje. Kjo qasje e tij, jo që ka ndikuar në diçka të mirë”, tha Abdixhiku, sipas të cilit,  mirë që Kryeministri i pranon marrëveshjet ndërkombëtare.

“E ke mbështetjen e LDK-së për dialog me njohje qendër dhe jepi rrugë”, tha ai.

Por  kryeministri Kurti i replikoi Abdixhikut.

“Nuk e thashë një kusht, por i thashë gjashtë”, tha Kurti, sipas të cilit, Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

 

Tahiri: Qeveria të reflektojë për marrëdhëniet me SHBA-në

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga  Qeveria, që të reflektojë karshi  bashkëpunimit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur së fundmi me Serbinë.

Ai deklaroi se duhet rishikuar se si është e mundur që situata ka ardhur në këtë situatë, kur SHBA komunikon dhe lavdëron Serbinë për bashkëpunim.

Ndërkohë, Tahiri ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij, për rritjen e pagës pas caktimit të koeficientit.

“Lexuam një raport shqetësues të ambasadorit kosovar në Amerikë, një raport që tregon gjendjen e mjerueshme të ambasadorit dhe trajtimin e tij brutal nga Amerika”, tha Tahiri.

“Shtrohet pyetja se çka e ka sjellë një brutalitet të tillë të Amerikës ndaj ambasadorit të Kosovës atje. Si kemi arritur të vihemi në pozita të tilla?”.

Ai ka thënë se zbritja e pagës së profesorit, gjyqtarit e prokurorit është e papranueshme.

 

Basha: Të arriturat e Qeverisë njihen edhe nga raportet ndërkombëtare

Deputeti Dimal Basha, duke folur në emër të Vetëvendosjes, përmendi të arriturat e Qeverisë aktuale.

Ai tha se duke u bazuar në punën e Qeverisë Kurti, Kosova ka shënuar progres në raportet e ndryshme ndërkombëtare.

Mes tjerash, ai përmendi luftën kundër korrupsionit e gjithashtu edhe sa i përket krimit të organizuar.

Duke u bazuar në arritje të tilla, Basha tha se tashmë është garantuar edhe liberalizimi i vizave dhe se të arriturat e ndryshme janë të njohura edhe nga politikanët e ndryshëm evropianë. 

 

AAK i kërkon Qeverisë të merret me shëndetësi

Duke folur për situatën në shëndetësi, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se gjendja në këtë sektor nuk ka qenë asnjëherë më keq.

Ajo deklaroi se vetëm janë Qeverinë Kurti mund të gjesh raste kur i njëjti person emërohet tri herë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ajo tha se Qeveria nuk duhet të merret me populizëm por të merret me përmirësimin në shëndetësi.

 

LDK kërkon që koeficienti i pagave të jetë 125 euro

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaroi se kjo parti, do të paraqesë amendamente për Ligjin e Pagave.

Ajo tha se në realitet, me koeficientin prej 105 eurosh për pagat e shërbyesve civil, ka rritje nominale të pagave, por jo rritje të vërtetë.

Për këtë arsye, ajo tha se LDK-ja do të kërkojë amendamentimin e ligjit, në mënyrë që koeficienti të jetë 125 euro.

Sipas saj, me këtë koeficient, kostoja vjetore e do të ishte 120 milion euro në vit.

rtk

Kuvendi i Serbisë diskuton për Kosovën

VucicNë Kuvendin e Serbisë, më 2 shkurt, do të mbahet seanca e posaçme parlamentare për Kosovën. Në atë seancë është ftuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Pritet që ai të flasë për rrjedhën e dialogut dhe propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

 

Çfarë është në rendin e ditës?

Deputetëve do t’u prezantohet raporti për procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023.

Raporti është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e Serbisë.

Në atë raport nuk përmendet propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

 

Çka është plani franko-gjerman?

Plani franko-gjerman tashmë është bërë propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ky dokument ka marrë mbështetjen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky plan nuk është bërë publik, por ai iu prezantua Beogradit dhe Prishtinës, në shtator dhe dhjetor të vitit 2022.

Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

 

Nga e dimë që Vuçiq do të flasë për planin?

Këtë e ka konfirmuar, në Twitter, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një ndër bashkëbisedimet e tij me Boshko Obradoviqin, kreun e partisë së djathtë opozitare Dveri.

Çfarë tha Vuçiq para se të vinte në Kuvend?

Një ditë para seancës së Kuvendit të Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha se nuk beson se në seancë do të arrihet uniteti lidhur me planin për Kosovën.

Gjithashtu, ai theksoi se nuk ka afate kohore për pranimin e planit franko-gjerman.
Më herët, ai ka deklaruar se do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të deputetëve në Kuvend.

Partia Progresive Serbe e Vuçiqit, bashkë me partnerët e koalicionit, ka 159 nga 250 deputetë në Kuvend.

 

Çfarë ka deklaruar Vuçiq për planin franko-gjerman?

Më 20 janar, presidenti i Serbisë u takua me ekipin diplomatik evropian-amerikan në Beograd.

Pas bisedës me këtë ekip, ai deklaroi se Serbia është e gatshme të pranojë konceptin dhe të punojë për zbatimin e planit evropian.

Tri ditë më vonë, ai informoi opinionin se ekipi i diplomatëve i kanë thënë se, në rast se nuk e pranon planin franko-gjerman për Kosovën, Serbia do të përballej me ndalimin e integrimeve evropiane dhe investimeve, si dhe se do të rrezikohej regjimin pa viza me BE-në.

 

Cili është qëndrimi i opozitës pro-evropiane?

Përfaqësuesit e partive opozitare pro-evropiane në Kuvendin e Serbisë kanë thënë se, para se të vendoset nëse do ta mbështesin planin franko-gjerman, është e nevojshme që autoritetet në Serbi ta publikojnë atë.

Ata këmbëngulin që të njihen me propozimin e Brukselit për Kosovën, në mënyrë që të deklarohen për të.

Ky bllok i partive ka 51 deputetë.

 

Cili është qëndrimi i opozitës së djathtë?

Blloku i partive opozitare me orientim të djathtë, të përfaqësuara në Kuvendin serb, ka paralajmëruar një tubim “të madh kombëtar” kundër propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e marrëdhënieve me Kosovën.

Për ta, propozimi franko-gjerman është “kapitullim” dhe “dorëzimi i Kosovës”.
Partitë e djathta opozitare në parlament, Dveri, koalicioni NADA (Shpresa) dhe Zavetnici (Të betuarit), kanë 35 deputetë.

 

Çfarë pritet nga Beogradi dhe Prishtina?

Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë angazhuar muajt e fundit për të përfunduar këtë proces.

Për këtë qëllim, propozimi evropian, i njohur si propozimi franko-gjerman, iu dorëzua dy palëve.

Ekipi i diplomatëve, gjatë muajve të kaluar, ka vizituar disa herë Prishtinën dhe Beogradin.

Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011 po zhvillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh.
Muajt e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve u karakterizuan me incidente dhe tensione.

rel

A mund të shmangej marrja e pushtetit nga Hitleri më 1933?

HitlerPresidenti i Rajhut Paul von Hindenburg dhe Adolf Hitler pas emërimit karncelar më 30 janar 1933

 

Më 1933 Adolf Hitleri u emërua kancelar i Perandorisë. Historia mori me këtë rrjedhën që rezultoi me Luftën e II Botërore. A mund të qe zhvilluar historia ndryshe? Këtë pyetje shtron ekspozita “Roads Not Taken”.

 

Teorikisht çdo gjë mund të ishte zhvilluar ndryshe. Sepse në fillim të viteve 1930-të dukej sikur Hitleri dhe partia e tij, Partia Nacionalsocialiste Gjermane e Punëtorëve , (NSDAP), i kishin  ditët e numëruara. Këtë thotë historiani dhe shkrimtari gjermano – izraelit, Dan Diner kur flet si e morri Hitleri pushtetin, në 30 janar 1933. Partia NSDAP dhe kryetari i saj, Hitler kishin pësuar humbje të mëdha në vjeshtë të 1932-it. Edhe vetë shokët e tij u habitën kur papritur Hitleri u emërua kancelar.

Ngjitja e tij deri në majë, do të kishte pasoja të tmerrshme. 60 milionë vetë humbën jetën në të gjithë botën, gjashtë milionë hebrej u vranë e po ashtu u vranë edhe sintit e romët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara e homoseksualët. 30 janari i 1933, ka qenë një nga ditët kur është marrë kthesë shumë e madhe në histori.

 

“Marrja e pushtetit” ishte dhënie pushteti

Kjo datë është kthyer në “pikë absolute, pike arkimediane të historisë gjermane”, thotë Dan Diner në intervistë për DW. “Në këtë ditë ka ndodhur diçka, me të cilën ne historianët, por edhe bashkëkohësit dhe ata që kanë jetuar më vonë masin kohën. Është mbase një nga ditët më të të jashtëzakonshme dhe ditët që kanë rënë më shumë në sy në historinë gjermane të shekullit të 20-të.”

Kjo gjë fillon që me termin “marrje pushteti”, një fjalë e krijuar me qëllim nga propaganda naziste. Më 30 janar, pushteti nuk u morr nga Hitleri, ai iu dha Hitlerit: Presidenti gjerman, Paul von Hindenburg e emëroi atë kancelar. Gjenerali në moshë të thyer ishte mbrojtur duke luftuar shumë kundër Hitlerit, duke mos i dhënë postin e kancelarit megjithë rezultatin e mirë që kishte arritur në votimet e gushtit të 1932, një nga humbjet kjo më të mëdha që ka pasur Hitleri.

 

“Hitleri nuk ishte vetëm një aksident”

Historiani britanik Ian Kershaw numëron në veprën e tij botuar më 1998 për Hitlerin, faktorë të ndryshëm që ndikuan për marrjen e pushtetit nga Hitleri: Së pari ai përmend procesin e dobësimit të demokracisë në Republikën e Vajmarit, republikë që nuk ishte në gjendje që të mbronte dhe vinte në jetë interesat e veta, kryesisht ekonomike. Përveç kësaj, ai përmend vendosmërinë absolute të konservatorëve të djathtë “për të shuar demokracinë dhe shkatërruar socializmin”.

 

Mbas trazirave të krizës ekonomike botërore, mbështetja iu dha sërish një sistemi autoritar, megjithëse edhe vullneti i Hitlerit për pushtet dhe për shkatërrim, u nënvleftësua sërish e sërish nga shumë palë. “Hitleri nuk ka qenë rezultati i pashmangshëm i ‘Sonderwegs’, rrugës së posaçme gjermane,” thotë Kershaw, por “nuk ka qenë as thjesht një aksident”. (Sonderweg, rruga e posaçme gjermane ka qenë një teori e historiografisë gjermane, që i referohet kalimit nga aristokracia në demokraci, gjë që ka ndodhur vetëm në Gjermani. (shënim i red.)

Hitleri duhet parë duke pasur para syve kontekstin bashkëkohor: luftën, revolucionin, poshtërimin kombëtar të Gjermanisë që humbi Luftën e Parë, dhe frikën nga bolshevizmi.

Natyrisht që në lojë në atë kohë kanë marrë pjesë shumë faktorë, thotë edhe historiani Dan Diner, i cili ka bërë shumë studime krahasuese për këtë temë. Për të elementë të rëndësishëm janë kriza ekonomike dhe struktura e Kushtetutës së Vajmarit, me të cilën partitë e radikalizuara arrinin të hynin shpejt në parlament.

Megjithëse ai vëren një kontradiktë: Emërimi i Hitlerit kancelar ka qenë një ngjarje e papritur, thekson Dan Diner. “Partia NSDAP ishte duke u shpërbërë. Që prej vjeshtës së 1932 filloi një hov ekonomik. NSDAP ishte duke rënë, ekonomia duke u zhvilluar. Dhe pikërisht në këtë moment Hitleri bëhet kancelar. Kjo gjë nuk duhet të kishte ndodhur.”

Edhe bashkëkohësit e tij mendonin kështu. Korrespondenti në Gjermani i gazetës New York Times, shkruante në atë kohë e Hitleri “e kishte humbur shansin” dhe do përfundonte tani si politikan province bavareze.

 

“Fije mundësish”: A mund të ishte zhvilluar historia ndryshe?

Çështja e mundësisë së evitimit të marrjes së pushtetit nga Hitleri, nuk e le të qetë historianin Dan Diner. Në një ekspozitë të veçantë, realizuar bashkë me fondacionin Alfred Landecker (kryetar i së cilës është Dan Diner), muzeumi gjerman i historisë, Deutsche Historische Museum, në Berlin tregon për skenarët e ndryshëm që mund të kishin ndryshuar kursin e historisë: Ekspozita “Roads not taken. Ose: Mund të kishte ndodhur ndryshe” (Konceptimi: Dan Diner, kuratore: Julia Franke dhe Lili Reyels) që do të qendrojë e hapur deri në 24 nëntor 2024, i dedikohet kësaj çështjeje jo vetëm duke pasur parasysh 1933, por edhe të dhëna të tjera themelore të historisë gjermane nga 1848 deri 1989, kur ndodhi rrëzimi i Murit të Berlinit.

“Nuk kemi të bëjmë këtu me histori kontrafaktuale,” qartëson Dan Diner, “por ne mbështetemi tek piramida e realitetit për të parë çfarë mundësish të tjera ka pasur poshtë, në bazë, gjë për të cilat nuk flitet më në tregimin e historisë.”

 

Në prapaskenë: Si u bë Hitleri kancelar

Ngjarjet e rëndësishme historike shihen duke u parë si me mikroskop. Emërimi i Hitlerit kancelar në vitin 1933, ishte rezultat edhe i intrigave të mpleksura dhe bërrylave të futura në prapaskenat e pushtetit. Këtu kanë luajtur rol orgurzi një numër i madh personash, më kryesori prej të cilëve ka qenë Franz von Papen, të cilit iu desh të jepte dorëheqjen nga posti i kancelarit në nëntor 1932, sepse nuk arriti të merrte shumicën, dhe shihte tani vetëm një mundësi për të ardhur sërish në pushtet. Llogaritë e bëra i ecën (vetëm në fillim), sepse në qeverinë Hitler- Papen- Hugenberg, ai u zgjodh më 30 janar 1933 si zëvendëskancelar.

Von Papen (anëtar i partisë, Partia e Qendrës nga 1921 deri 1932, pastaj i paparti, dhe pas 1938 anëtar i NSDAP) ishte njeri besnik i Hindenburgut. Në janar 1933, ai zhvilloi me Hitlerin bisedimet për kushtet e krijimit të një kancelarie dhe qeverie të përbashkët, dhe bindi madje Hindenburgun se kjo ishte rruga e duhur.

Kurse Hugenbergu ishte kryetar i partisë, Partia Nacionale Popullore Gjermane, (DNVP) dhe u josh me dhënien e postit të ministrit të ekonomisë, bujqësisë dhe ushqimit, nëse jepte aprovimin për emërimin e Hitlerit në postin e kancelarit. Një ditë pas dhënies së pëlqimit, Hugenberg duhet të jetë bërë pishman, sepse i ka thënë Reinhold Quaatz-it, bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë: “Unë kam bërë dje budallallëkun më të madh të jetës sime: u bëra bashkë me demagogun më të madh të historisë së botës”.

 

Kancelari në post, Kurt von Schleicher, e kundërshtoi me gjysmë zemre krijimin e kësaj aleance. Pas një bisede me Hindenburgun ai dha dorëheqjen, presidenti i shkruajti: “Ju faleminderit, zoti gjeneral, për gjithshka që keni bërë për atdheun. Tani le të shohim se si me ndihmën e Zotit, do të vazhdojë të vrapojë lepuri.”

Në janar 1933, të gjithë pjesëmarrësit dhanë pëlqimin duke shpresuar se kryetari i NSDAP, “do të zbutej” nga marrja pjesë në qeveri, edhe sepse Hitleri hoqi dorë nga disa kërkesa (në gusht 1932 ai kërkonte postin e kancelarit dhe katër poste ministrash, kurse tani donte “vetëm” postin e kancelarit, Ministrisë së Brendshme të Perandorisë dhe Ministrisë së Brendshme të Prusisë). Një mashtrim monumental. Schleicheri ishte një ndër të parët që u bë viktimë e Hitlerit. Ai fliste shpesh keq për nacionalsocialistët, prandaj këlyshat e SS e vranë bashkë me të shoqen në shtëpinë e tij në 30 qershor 1934.

 

Mbrohu nga fillimet: Mësimi për ditët e sotme

“Hitleri ka lënë një shprehje: ‘Më kërkuat dhe më gjetët.’ Uh, më zunë djersët e ftohta. Sikur të ekzistonin forca magjike, që e vënë në lëvizje një person që kthehet në bombë atomike,” thotë historian Dan Diner për zhvillimin e historisë. Perspektiva e ekspozitës tregon qartë se uria për pushtet dhe interesat personale të aktorëve të veçantë shtruan rrugën për ardhjen e Hitlerit.

 

Një pike tjetër e rëndësishme ka qenë ndihma financiare që partia naziste, NSDAP morri nga ndërmarrjet gjermane. Nga pikëpamja ekonomike, partia nuk i kishte punët mirë në vitin 1932.

Çfarë roli kanë luajtur industrialistët në këtë kohë dhe si e ndihmuan ata Hitlerin në fushatën elektorale, e përshkruan për shembull në librin e tij, “Trashëgimi e murme. Historia e errët e dinastive të pasura gjermane” botuar më 2022, studiuesi i shkencave të politikës, historiani dhe gazetari financave, David de Jong.

Dan Diner e vëzhgon historinë edhe në pasqyrimin e çështjeve të aktualitetit. Pikërisht tek krizat e sotme ai dallon paralele me të kaluarën, edhe me vitin 1933: “Problemi më i madh ka qenë se institucionet, që sigurojnë demokracinë u shpërbënë,” thotë historiani. Kjo pati si pasojë humbjen e madhe të kontrollit. Në periudhën e fundit të Republikës së Vajmarit, regjimi u mbajt vetëm nga ligjet e jashtëzakonshme, parlamenti u bllokua, presidenti mund të emëronte dhe shkarkonte kancelarin vetëm duke u mbështetur tek maturia e vet.

 

Respektim i institucioneve

Çfarë mësimesh duhet të nxjerrim sot? Përgjigja e Dan Diner-it është e thjeshtë, por kuptimplotë: “Mësimi që duhet nxjerrë është, respektim i institucioneve.” Dhe mbajtja e syve hapur: Megjithëse “Sturmabteilung” (SA), organizata paramilitare luftarake e partisë naziste NSDAP, doli në mbrëmjen e 30 janarit të 1933-it duke marrshuar me pishtarë në duar në errësirën e Berlinit deri tek Portat e Brandenburgut, shumica e njerzëve nuk e panë katastrofën që po fillonte. Pjesa më e madhe e shtypit serioz nuk pa tek qeveria e re arsye për t’u shqetësuar. Vetëm pak vetë e dalluan rrezikun. Por paralajmërimet e tyre nuk u dëgjuan.

dw

Mikroçipe të prodhuara në Gjermani

Intel Magdeburg FabrikaÇipat elektronikë vijnë kryesisht nga Azia e Amerika e Veriut. Por Gjermania dëshiron të avancojë – për shembull duke ndërtuar me investim amerikan një nga fabrikat më të mëdha të çipave të karbitit të silikonit.

 

Ai duket dhe shkëlqen si kristal i zi, por në të vërtetë është karbit silikoni sintetik. Tashmë është përdorur për shumë dekada në letrat zumperile. Për shkak të aftësive të veçanta si gjysmëpërçues, ky material ka tërhequr vitet e fundit vëmendjen e sektorit të automobilëve. “Çipat e karbitit të silikonit konvertojnë rrymën direkte në rrymë alternative në mënyrë shumë efikase dhe kështu mund të rrisin largvajtjen e automjeteve elektrike,” shpjegon Stefan Bratzel nga Qendra e Menaxhimit të Automobilëve në Bergisch Gladbach.

Në vendin e termocentralit të qymyrit në Ensdorf, landi gjerman i Zarës (Saarland), prodhuesi amerikan Wolfspeed do të ndërtojë një nga fabrikat më të mëdha të çipave të karbitit të silikonit në botë. Sipas të dhënave të saj, kompania e listuar punëson rreth 3500 njerëz në 17 vende.

 

Investim në ndryshimin strukturor

Për landin federal gjerman të Zarës, i cili është shumë i varur nga industria e automobilëve dhe çelikut, një fabrikë vetjake gjysmëpërçuese do të ishte “një moment historik në rrugën drejt ndryshimeve të suksesshme strukturore”, thotë Carsten Meier, drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në landin e Zarës.

Një fabrikë e tillë do të kishte rëndësi shumë përtej kufijve të landit të Zarës, thotë Ondrej Burkacky, një ekspert për gjysmëpërçuesit në firmën konsulente McKinsey. Nga pikëpamja evropiane, ky hap do të ishte shumë i rëndësishëm për t’u bërë më pak i varur nga qendrat e prodhimit në Azi dhe Amerikën e Veriut. Gjatë pandemisë së Koronas, në Evropë shumë linja prodhimi të prodhuesve të makinave u ndalën për javë të tëra për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve.

 

Tregu në rritje i karbitit të silikonit

Tregu global për çipat e karbitit të silikonit, të tilla si ato të prodhuara nga Wolfspeed, aktualisht është ende mjaft i vogël. Vitin e kaluar, shitjet ishin rreth 1 miliard dollarë, sipas Burkacky-t. “Ne presim një rritje prej rreth 23 për qind në vitet e ardhshme, në mënyrë që të arrijmë rreth 2.5 miliardë dollarë në vitin 2026.”

Ekspertët presin që kërkesa të vazhdojë të rritet në përputhje me rritjen e tregut të makinave elektrike. “Wolfspeed ende nuk është një kompani shumë e madhe e çipave,” thotë Bratzel. “Por në këtë treg në rritje, është një lojtar shumë i rëndësishëm.”

Fakti që Gjermania është e pranishme kaq herët në lindjen e këtij tregu me fabrikën e saj mund të jetë “një gur themeli shtesë për zinxhirin e vlerës për industrinë shumë të rëndësishme të automobilave në Gjermani”, sipas Burkacky.

 

BE dëshiron të joshë me subvencione prodhuesit e çipave

Nuk ka ende të dhëna të sakta për shumën e investimit të Wolfspeed-it. Në qarqet industriale, megjithatë, flasim për një shumë prej disa miliardash. Sipas Burkackyt, prodhuesit e çipave zakonisht presin fonde publike në masën 30 deri në 40 për qind të kostove të investimit. Bratzel-i beson se ka një shans shumë të mirë që landi i Zarës të marrë subvencione nga BE.

BE dëshiron të miratojë “Ligjin për çipat” deri në verë. Falë miliarda subvencioneve, pjesa e Evropës në prodhimin global të çipave pritet të rritet nga 10 në 20 përqind deri në vitin 2030. Kështu, njohuritë dhe vendet e punës do të vendosen në Evropë në industrinë premtuese të çipave elektronikë.

 

Deri në 1000 vende të reja pune

Fjala është për krijimin e 1000 vendeve të reja të punës me ardhjen e Wolfspeed-it. Prodhimi i gjysmëpërçuesve bëhet në një dhomë të pastër dhe është kryesisht i automatizuar. Prandaj ata që kërkohen janë mbi të gjitha inxhinierë, por edhe shumë teknikë të ngarkuar me mirëmbajtjen e makinerive.

Për rreth katër vjet, çipat e parë të karbitit të silikonit për automjetet elektrike mund të prodhohen në landin e Zarës, aty ku ndodhej një termocentral me qymyr. Do të ishte një simbol dhe një shembull pozitiv i ndryshimit strukturor.

(P.Sauer/SR)

Nënshkruhet marrëveshja e Korridorit 8 dhe 10-D

korridori-8Sot në Qeveri, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi dhe Paolo Orisni, drejtor i Kompanisë “IRD Engineering”, e përzgjedhur si firmë këshilluese për mbikëqyrjen e transaksioneve, nënshkruan marrëveshjen nën prezencën e kryeministrit Kovaçevski, zv/kryeministrit Artan Grubi si dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.

 

Korridori 8 lidh Detin Adriatik me Detin e Zi. Ky korridor nis nga portet italiane të Barit dhe Brindisit, bën një ndalesë në portin e Durrësit dhe më pas vazhdon drejt Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit në Varna në Detin e Zi.

Koridori 8Korridorit 8 që do të lidhë Tetovë – Gostivar – Kërçovë – Trebeshinë – Strugë – Qafë Thanë,

 

Ndërkaq, Korridori 10 D lidhë Maqedoninë e Veriut me Kosovën, përmes autostradës Shkup-Bllacë. Në këtë formë, krijohet një unazë Shqipëri – Maqedoni e Veriut- Kosovë.

Deputetët bullgarë miratuan deklaratën për Maqedoninë e Veriut, dënojnë manifestimet antibullgare

Parlamenti BullgarKuvendi Popullor i Bullgarisë miratoi sot një deklaratë “duke dënuar manifestimet antibullgare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Deklarata u mbështet nga 185 deputetë, ndërsa një abstenoi, transmeton “BTA”.

Në Parlament janë dorëzuar katër draft deklarata, nga GERB-SDS, “Vazhdojmë me ndryshimet”, “Bullgaria Demokratike” dhe “Rilindja”, në bazë të të cilave është përgatitur dhe votuar drafti i përbashkët i propozuar nga Komisioni për Politikë të Jashtme.

Në deklaratën e miratuar, parlamenti bullgar dënon “manifestimet dhe thirrjet për dhunë ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, organizatave dhe klubeve të tyre, dhe veçanërisht ofendimin e rëndë ndaj bullgarit Hristijan Pendikov” dhe kërkon që të gjitha institucionet të marrin masa sistematike për zbulimin e autorëve dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.

Kuvendi Popullor shpreh gjithashtu “kundërshtimin e moszbatimit të përhershëm të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nga viti 2017 dhe protokolleve dypalëshe nga takimet e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar nga neni 12 të 2019 dhe 2022”.

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor do lëvizin vetëm me kartën e ID në Shqipëri

kufiriShtetasit e Ballkanit Perëndimor mund të hyjnë në Shqipëri vetëm me kartën e ID.

 

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi komunikoi këtë vendim që hyri në fuqi, gjatë konferencës së Këshillit të Ministrave.

 

Çuçi: Janë marrë dy vendime, për rritjen e sigurisë në rajon dhe krijimin e lehtësirave të lëvizjes në Ballkanin Perëndimor. Me hyrjen në fuqi të vendimit, të gjithë shtetasit e Ballkanit Perëndimor mund të vijnë në Shqipëri vetëm me dokumentin e identitetit. Kjo është në frymën e nismës së Berlinit dhe Ballkanit të Hapur. Sa I përket sigurisë, ka të bëjë me marrëveshjen e nënshkruar me Maqedoninë e Veriut të task forcave. Kjo na sjell akoma më afër me fqinjin tonë Maqedoninë e Veriut, vetëm vitin që kaloi kemi pasur 20 të tilla, me Maqedoninë e Veriut krijojmë informacione ligjore për bashkëpunime të kësaj natyre.

Top Channel