Kurti: Propozimi evropian do të sigurojë njohjen “de facto” nga Serbia

ALBINKryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të enjten se aleatët perëndimorë përmes propozimit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë po synojnë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe njohjen në realitet të saj nga Beogradi.

 

Ai i bëri këto komente në Parlamentin e Kosovës pas kërkesave të opozitës për të sqaruar pozicionin e qeverisë para takimit të së hënës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian thanë se në takimin e 27 shkurtit pritet të diskutohet për propozimin evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri Kurti tha se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit por ka të bëjë me historinë prej më shumë se një dekade të dialogut të zhvilluar në Bruksel.

“Dhe nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve, nuk është që unë kam kërkuar diçka e është në atë propozim ose pala tjetër. Aleatët e Republikës së Kosovës e kanë dizajnuar pra si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe i cili përmban njohjen ‘de fakto’ e gjithë kjo e bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila përbën një Kushtetutë të sistemit ndërkombëtarë pas Luftës së Dytë Botërore për marrëdhëniet ndërmjet shteteve të pavarura”, tha kryeministri Kurti.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti kritikoi kryeministrin për siç tha paqartësitë e tij lidhur me pozicionin që do të mbajë në takimin e së hënës në Bruksel.

“A insiston kryeministri vetëm për marrëveshje për njohje reciproke apo është i gatshëm t’i përpijë sharjet edhe kritikat ndaj oponentëve politikë që sot janë në opozitë dhe ta pranoj marrëveshjen pa njohje duke lënë problemin të hapur për qeverinë e ardhshme”, tha ai.

Zoti Hoti kërkoi debat parlamentar para dialogut dhe miratimin e një rezolute për siç tha formalizimin e qëndrimeve nga ana e kryeministrit.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i bëri thirrje qeverisë që të përmbyllë marrëveshjen me Serbinë, që sipas tij do të mundësonte largimin e agjendës ruse në Ballkan.

“I vetmi vend në botë besoj që nuk i gëzohet arritjes së marrëveshjes është Rusia. Rusia nuk ka asnjë interes që të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi përkundrazi ata kanë dëshirë që kjo me mbetë çështje e hapur dhe potencial çdo here qoftë për çrregullime apo destabilizim qoftë për një debat të vazhdueshëm politik rreth Kosovës apo stories së Kosovës. Si mundet me vepru Kosova? Po, mundet të hënën me e mbyllë marrëveshjen pra me e mbyll dhe jo vetëm me dhënë sinjale pozitive por me e mbyllë”, tha zoti Haradinaj.

Pergjatë debatit në parlament deputetët shtruan edhe çështjen e statusit të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti tha sot se propozimi përmban një pikë mbi këtë çështje që nuk nënkupton negociim mbi statusin e saj e as diskutim mbi të drejtat e veçanta.

“Më lejoni të ju kujtoj se statusi që Manastiret e Kishës Ortodokse Serbe kanë aktualisht në sistemin kushtetues të Kosovës është produkt i negociatave të Vjenës edhe propozimit të ish presidentit Ahtisari dhe një standard i tillë është përfshirë në Kushtetutën e Kosovës pavarësisht në atë kohë me kundërshtimin tim dhe subjektit politik që udhëheq. Një element të tillë të Kushtetutës tonë tashmë unë nuk mund ta ndryshojë. Pra e kam trashëguar andaj i takon një analize politiko-historike të përcaktojë se kush janë faktorët që ajo ka rezultuar të jetë e tillë”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se nuk do të pranojë asnjëherë që të përfshihet në marrëveshje diçka e veçantë apo privilegjuese rreth Kishës Ortodokse Serbe.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë tashmë e kanë pranuar në parim propozimin evropian i cili nuk parasheh njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Por çështje e diskutueshme mbetet zbatimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Beogradi kërkon që para se të flitet për propozimin evropian të zbatohet kjo marrëveshje ndërsa Prishtina ka hezituar ta zbatojë atë nga frika se Asociacioni mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit, ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje, megjithëse Shtetet e Bashkuara e kanë siguruar atë se kjo nuk do të ndodhë.

Ahmetaj i përfshirë tek inceneratorët/ Dokumentet tregojnë rolin e tij në krijimin e koncesionit të Elbasanit

Ahmetaj2Arben Ahmetaj, jo vetëm që u përfshi në koncesionin e inceneratorit të Elbasanit, por kishte edhe një rol thelbësor në përcaktimin e formës së procedurës së ndjekur.

 

Dokumentet e siguruara nga Top Channel tregojnë se si Ahmetaj, përmes vartësve të tij në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, përcaktoi të gjithë procedurën dhe vendimmarrjen e institucioneve të tjera të përfshira në proces.

Një dokument i datës 8 tetor 2014-të, që është firmosur nga Frederik Seiti, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së drejtuar nga Arben Ahmetaj, përcakton Zamir Stefanin si përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes në komisionin e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit.

Por, cili ishte roli i Zamir Stefanit si anëtar i Komisionit? Përgjigjen e japin dëshmitë e dy anëtarëve të tjerë të komisionit që miratuan koncesionin dhe që janë marrë nën akuzë. Etleva Kondi, përfaqësuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në këtë koncesion thotë para SPAK:

Me propozim edhe të juristit të Komisionit, i cili ishte në detyrën e drejtorit juridik dhe legjislacionit në Ministrinë e Zhvillimit, Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (fushë e veprimtarisë së të cilës ishin edhe vetë koncesionet), propozoi dhe argumentoi si ligjore dhe në përputhje me ligji me ligjin idenë e referimit të zhvillimit të procedurës në kushte emergjente, duke iu referuar ligjit për prokurimin publik, negociim pa shpallje, i cili na argumentoi se ligji për koncesionet nuk parashikon situata emergjente dhe konkretisht, dispozitat e këtij ligji shpreheshin se përveçse kur rregulloheshin ndryshe nga ky ligj, kuptimi i termave të përcaktuar në ligjin e prokurimit publik zbatohet për këtë ligj në përputhje me rrethanat. Konkretisht nenet 3, pika 19, si dhe nenin 33/1 të ligjit për prokurimin publik, për kushtet e emergjencës”.

Deklarata e Etleva Kondit përforcohet nga dëshmia po në SPAK e Bardhul Çabirit, që në komisionin e vlerësimit të ofertave ishte në cilësinë e përfaqësuesit të Bashkisë së Elbasanit. Çabiri u pyet se cilët ishin anëtarët e tjerë të komisionit, institucionet nga vinin dhe rolet e tyre. Në përgjigjen e tij ai shprehet:

Zamir Stefani, i cili më duket vjen nga Ministria e Ekonomisë dhe ishte jurist dhe drejtonte të gjithë procesin nga ana juridike.

Dy dëshmitë sugjerojnë se ideja për dhënien e koncesionit me negociim pa shpallje, që binte ndesh me parashikimet e ligjit të prokurimeve buron nga Ministria e drejtuar në atë kohë nga Arben Ahmetaj, duke vënë në dyshim të gjitha pretendimet e ish-ministrit se ka pasur zero rol në gjithë procesin.

Top Channel

 

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën në mbështetje të Ukrainës

Ukraina UNAsambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese të enjten një rezolutë ku bën thirrje për “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjatë” sa më shpejt që të jetë e mundur në Ukrainë, në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së.

 

Me 141 vota pro, 7 kundër dhe 32 abstenime, vendet anëtare mbështetën tekstin e paraqitur nga Ukraina ku theksohej rëndësia e arritjes së paqes. Rezoluta gjithashtu përsërit kërkesën e asamblesë që Rusia “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht, si dhe bën thirrje për ndalje të luftimeve”.

“Votimi i sotshëm është një evidencë tjetër se nuk është vetëm Perëndimi që mbështet Ukrainën; mbështetja është shumë më e gjerë, dhe do të vazhdojë të konsolidohet dhe të forcohet”, u tha gazetarëve pas votimit Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

Sesioni i posaçëm i emergjencës i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që u çel të mërkurën dhe vazhdoi punimet deri të enjten kur kulmoi me votimin, u thërrit për të shënuar përvjetorin e fillimit të sulmit rus. Zoti Kuleba i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i qëndrojë në krah vendit të tij.

“Duhet të dërgojmë një mesazh të fortë dhe të qartë se Karta e OKB-së, përfshirë parimet e barazisë së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve, duhet të shërbejnë si baza për një proces zgjidhjeje paqësore”, tha zoti Kuleba gjatë debatit.

“Sot, refuzojmë të heqim dorë nga shpresa. Refuzojmë të heqim dorë nga potenciali i diplomacisë, fuqia e dialogut dhe urgjenca e paqes”, tha Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, duke mirëpritur rezultatin e votimit.

Në debat morën pjesë 75 vende, ndër to edhe Rusia.

Ambasadori rus Vassily Nebenzia u bëri thirrje vendeve të votojnë kundër rezolutës, duke thënë se i mungonte substanca dhe se ishte “e divorcuar me realitetin”. Vendi aleat i Moskës, Bjellorusia, propozoi dy amendamente në tekst – njëri për të përjashtuar përdorimin e fjalëve “sulm frontal ndaj Ukrainës” si dhe “agresion nga Federata Ruse”, dhe tjetri për t’u bërë thirrje vendeve që të mos dërgojnë armatime në zonën e konfliktit. Por, amendamentet e propozuara u rrëzuan me votim nga asambleja.

Ambasadori rus këmbënguli se Moska nuk po pengon paqen.

“Jemi të gatshëm për të kërkuar një zgjidhje diplomatike serioze dhe afatgjatë. E kemi deklaruar këtë në shumë raste”, tha ai. “Kundërshtarët tanë nuk i kanë tejkaluar ende iluzionet e tyre të kota se mund të mposhtin një fuqi bërthamore”.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Rusia u përpoq gjatë gjithë javës që të pengonte dhe ndërpriste përpjekjet e OKB-së.

“Sërish ka dështuar. E shikojmë këtë qartazi tek votimi”, u tha ai gazetarëve, ndërsa përreth tij qëndronin ministrat e jashtëm të BE-së që udhëtuan drejt Nju Jorkut për këtë takim. “Në anën e Rusisë janë një grusht i vogël votash. Kjo konfirmon se në sytë e botës, agresioni ndaj Ukrainës duhet të ndalet – dhe duhet të ndalet tani dhe t’i çelë derën paqes së drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”.

Vendet që mbështetën pozicionin e Rusisë janë pothuajse po ato që e kanë mbështetur që nga fillimi i luftës vitin e kaluar: Bjellorusia, Eritrea, Mali, Nikaragua, Koreja e Veriut dhe Siria.

Ka patur pesë rezoluta të tjera të miratuara në Asamblenë e Përgjithshme që nga fillimi i sulmit rus, të gjitha me mbështetje të fortë për Ukrainën. Kina abstenoi për tre nga rezolutat që bënin thirrje për pezullimin e anëtarësisë së Moskës në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së si dhe që Moska t’i paguajë zhdëmtime Ukrainës. Të enjten, Kina abstenoi sërish.

Vetëm pak ditë pasi drejtuesi i NATO-s Jens Stoltenberg paralajmëroi se Pekini mund të jetë duke shqyrtuar mundësinë e furnizimit me armatime për Rusinë, i dërguari i Kinës u bëri thirrje vendeve të mos armatosin palët ndërluftuese.

“Një vit nga kriza në Ukrainë, faktet brutale kanë ofruar prova të shumta se dërgimi i armëve nuk do të sjellë paqen”, tha gjatë debatit zëvendës ambasadori kinez Dai Bing. “Hedhja e benzinës në zjarr vetëm sa do të shtojë tensionet. Zgjatja dhe zgjerimi i konfliktit vetëm sa do t’i bëjë njerëzit e zakonshëm që të paguajnë një çmim edhe më të lartë”.

Kur u pyet nga një gazetar për këtë çështje, Ministri ukrainas Kuleba tha se do të ishte një gabim i jashtëzakonshëm nëse ndonjë vend do të ofrojë armatime për Rusinë.

“Pasi duke furnizuar Rusinë me armë, ai vend ndihmon agresionin dhe shkeljen flagrante të Kartës së OKB-së”, tha zoti Kuleba. “Deri më tani, Kina ka qëndruar në mbrojtje të Kartës dhe në veçanti të parimit të integritetit territorial”.

Kryediplomati kinez ishte këtë javë në Moskë, duke i ushqyer kështu spekullimet se dy vendet aleate janë duke diskutuar një propozim kinez për paqen.

“Kina do të qarkullojë së shpejti një dokument me qëndrimin për një zgjidhje politike të krizës në Ukrainë”, i tha zoti Dai Asamblesë së Përgjithshme. Sipas disa njoftimeve, propozimi mund të bëhet i ditur që të premten.

Këshilli i Sigurimit mblidhet të premten në ditën kur mbushet një vit nga sulmi i urdhëruar nga Presidenti rus Vladimir Putin. Një vit më parë, Këshilli i Sigurimit ishte në një sesion pune duke diskutuar se si të parandalohej konflikti, kur u njoftua se forcat ruse kishin kaluar kufirin drejt territorit ukrainas.

 

voa

Ukraina zmbraps përparimin e forcave ruse

Ushtarët ukrainas mbi një tank në vijën e frontit pranë qytetit Bakhmut 20 shkurt 2023Ukraina njoftoi të enjten se ka zmbrapsur avancimet ruse përgjatë vijës së frontit ku po zhvillohen luftime në Ukrainën lindore dhe jugore, duke i lënë luftimet në një fazë ngërçi vetëm një ditë përpara se të mbushet një vit nga fillimi i sulmit të forcave ruse.

 

Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, shumë larg kjo parashikimit për një pushtim masiv, që shumë analistë parashikuan se do të ndodhte një vit më parë kur tanket ruse hynë në pjesën lindore të Ukrainës.

Në luftimet më të fundit, forcat ruse kanë bërë përparim në përpjekjet për të rrethuar Bakhmutin. Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Gjeneral Brigade Oleksiy Gromov tha se Moska po përpiqet të përdorë avantazhin e saj në burime njerëzore për të lodhur forcat e Kievit.

“Megjithë humbjet domethënëse, armiku nuk po heq dorë nga përpjekjet për të rrethuar Bakhmutin”, tha ai.

Por, Ukraina thotë se forcat ruse nuk kanë arritur të çajnë përmes vijës mbrojtëse ukrainase në veri, pranë Kreminnas dhe në jug në Vuhledar, ku kanë pësuar humbje të mëdha në një terren të hapur.

Gjenerali Gromov tha se forcat ukrainase zmbrapsën 90 sulme ruse në verilindje dhe në lindje gjatë 24 orëve të fundit.

Ukraina thotë se i ka mbyllur disa shkolla për shkak të përvjetorit të parë të luftës të premten, për t’i paraprirë një sulmi me raketa me rreze të gjatë që Moska mund të urdhërojë për të shënuar këtë ditë. Sidoqoftë, zyrtarët ukrainas thonë se ata mendojnë se Moska nuk ka më kapacitetet për një demonstrim dramatik force, siç ishte menduar më parë.

“Asgjë e pazakontë nuk do të ndodhë. Përpjekjet e zakonshme (ruse)… Planifikohet një sulmi i vogël me raketa”, tha kreu i zbulimit të ushtrisë ukrainase Kyrylo Budanov, për faqen e lajmeve në internet Ukrainska Pravda. “Besomëni, e kemi përjetuar këtë mbi 20 herë”.

Paralajmërimi amerikan

Megjithatë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë i dërgoi një paralajmërim shtetasve amerikanë që gjenden në vend, për rrezikun e sulmeve me raketa në mbarë Ukrainën, përfshirë Kievin dhe rajonin përreth.

Paralajmërimi i bën thirrje shtetasve amerikanë “të ndjekin me vëmendje alarmet për sulm ajror, të gjejnë një vendstrehim të përshtatshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore”.

Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin u mburr për arsenalin bërthamor të vendit të tij, dhe njoftoi planet për të dislokuar këtë vit raketat balistike ndërkontinentale Sarmat, që mbartin disa mbushje njëkohësisht. Më herët këtë javë, ai pezulloi pjesëmarrjen e Rusisë në traktatin e ri START të armëve bërthamore me Shtetet e Bashkuara, që ishte traktati i fundit në fuqi i kësaj natyre.

Rusia do të “kushtojë vëmendje gjithnjë e më në rritje për të forcuar triadën bërthamore”, u shpreh zoti Putin në një fjalim të zbardhur nga Kremlini, duke iu referuar “triadës” së raketave bërthamore në tokë, det dhe ajër.

Një ditë pasi Spanja njoftoi se do të dërgonte në Ukrainë tanke të prodhimit gjerman Leopard 2A4, edhe Finlanda njoftoi se do të dërgojë tre tanke të tilla.

Tanket gjermane janë pjesë e një vale tankesh që do t’i dërgohen Ukrainës, pasi u kërkuan nga zyrtarët ukrainas për të ndihmuar në përballjen me forcat ruse.

Gjermania rezistoi fillimisht që të autorizonte transferimin e tankeve, për shkak të shqetësimeve për një përshkallëzim të luftës, por u ka thënë vendeve aleate që kanë tanke të tilla se mund t’i dërgojnë ato lirisht në Ukrainë.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve Agence France-Presse dhe Reuters.

 

Teksas, shtëpia dykatëshe ndërtohet me pjesë të prodhuara nga një printer 3D

3dNjë shtëpi e pazakontë, dykatëshe, po ndërtohet në Hjuston të Teksasit. Në sheshin e ndërtimit funksionon një printer gjigant tredimensional që printon blloqe betoni për ndërtimin e saj. Megjithëse aty do të jetojë vetëm një familje, projekti po shfrytëzohet si një rast studimor për të nxjerrë mësime për ndërtimin në të ardhmen e banesave më të mëdha ku mund të jetojnë disa familje.

 

Në një rrugë të qytetit Hjuston të Teksasit, po ngrihet një shtëpi e re me kate. Por, kjo nuk është një shtëpi e zakonshme.

Aty ndodhet një printer tredimensional, me peshë mbi 12 tonë, i cili prodhon vazhdimisht shtresa betoni me të cilat po ndërtohet shtëpia me sipërfaqe mbi 370 metra katrorë. Makineria printon sipas skicave të projektuara nga arkitektja Leslie Lok, bashkëthemeluese e studios së projektimit HANNAH. Kjo do të jetë shtëpia e parë me kate e ngritur krejtësisht me pjesë të printuara në një printer 3D.

Zonja Lok thotë se godina me katin e dytë pothuajse të përfunduar, do të ketë një kombinim strukturash betoni dhe skelet druri. Ajo thotë se megjithëse në Shtetet e Bashkuara po bëhet më popullor ndërtimi i shtëpive nëpërmjet printerave 3D, ngritja e katit të dytë përbën një sfidë shumë më të madhe.

“Mund të gjesh godina me printim 3D në shumë shtete… Por në ngritjen e katit të dytë krahas sfidës së makinerisë ka edhe sfida të tjera; sfida strukturore dhe sfida logjistike që shfaqen kur printon katin e dytë të godinës. Shpresojmë që të mësojmë nga përvoja këtu dhe t’ia dalim mbanë”, thotë zonja Lok.

Ajo thotë se duke ia kaluar barrën e punës printerit, lehtësohen punonjësit e ndërtimit dhe mund të veprohet me ekipe më të vogla me një proces më të automatizuar. Sipas arkitektes ndërtimi i kësaj shtëpie do të kërkojë gjithsej rreth 330 orë printimi.

Projekti është në kuadrin e një bashkëpunimi dy vjeçar mes studios HANNAH dhe dy kompanive të inxhinierisë së ndërtimit. Kryeinxhieri në njërën prej tyre thotë se projekti është si një rast studimor për projektet e së ardhmes, për shkak të përmasave të godinës dhe faktit që po përdoret çimentoja si “bojë” për printerin.

“Për ndërtimin tradicional dihen rregullat e lojës, dihen cilësitë e materialeve, dhe si përshtaten ato. Këtu, çdo gjë është e re. Materiali është i ri, megjithëse betoni është në përgjithësi një material i vjetër, por printimi i tij 3D është diçka e re”, thotë kryeinxhinieri në kompaninë CIVE, Hikmat Zerbe.

Arkitektja thotë se betoni shërben si një material i qëndrueshëm për një kohë të gjatë dhe e ndihmon godinën t’u rezistojë uraganëve, furtunave të forta dhe kushteve të tjera të motit në Hjuston të Teksasit.

Godina dykatëshe pritet të përfundohet në gjysmën e dytë të vitit. Shtëpia do të ketë tre dhoma gjumi dhe në të do të jetojë një familje që nuk dëshiron t’i publikohet emri.

“Megjithëse kjo është një shtëpi për vetëm një familje, objektivi i këtij projekti është që të mendojmë se si mund të projektojmë dhe të ndërtojmë godina ku mund të banojnë disa familje. Pra, logjika e projektimit dhe sistemit strukturor të kësaj godine mund të përshkallëzohet dhe të zbatohet për godina me disa familje. Në këtë drejtim mund të përfitojmë nga printimi 3D”, thotë arkitektja.

Kompania e projektimit synon të shfrytëzojë mësimet e nxjerra nga ky projekt me synimin për t’u shërbyer më shumë njerëzve në të ardhmen nëpërmjet printimit 3D.

voa

Thëniet më të Bukura për Drejtësinë

drejtesiaJo gjithmonë padrejtësia lidhet me ndonjë veprim të caktuar: shpesh herë ajo kryhet pikërisht duke mos vepruar.

 

I drejtë mund të jetë vetëm ai që është njerëzor.

 

Të jesh i mëshirshëm është shumë më e lehtë se sa të jesh i drejtë.

 

Drejtësia pa fuqi dhe fuqia pa drejtësi janë njëlloj të tmerrshme.

 

Ku nuk ka drejtësi nuk ka liri dhe ku nuk ka liri, nuk ka as drejtësi.

 

Drejtësia i nevojitet një populli më tepër mbase edhe se qytetërimi.

 

Të qenët e drejtë është diçka shumë e çmueshme që nuk blihet me para.

 

Drejtësia pa fuqi është e dobët, fuqia pa drejtësi është despotike.

 

Drejtësia duhet të jetë e fortë, forca duhet të jetë e drejtë.

 

Drejtësia – ja virtyti i shpirtrave të mëdhenj.

 

Ji i drejtë dhe do të jesh i lumtur.

 

Egzistojnë dy norma të drejtësisë: të mos dëmtosh asnjeri dhe t’i sjellësh dobi shoqërisë.

 

Të varfërve u duhet të shpresojnë te drejtësia, të pasurit mbarojnë punë me padrejtësinë.

 

Lëvdata e drejtë u duhet fëmijëve si drita e diellit luleve.

 

Fryma e drejtësisë dhe fryma e së vërtetës janë një e pandarë.

 

Njëri e vret derrin egër, tjetri ha mishin e pjekur të tij.

 

Nuk është ar çdo gjë që shkëlqen. Por do të ishte e drejtë të shtonim se jo çdo gjë e artë shkëlqen.

 

Nuk ka të drejtë të ankohet për detin ai që pëson anijethyerje për të dytën herë.

 

Masa të jetë kudo; gjithçka duhet të ketë kufi.

 

Të jesh i mirë nuk është aspak e vështirë, e vështirë është të jesh i drejtë.

 

Në qoftë se në kulmin e qytetërimit, ka njerëz që bien e vdesin nga uria, fajtore nuk është kopracia e natyrës, por padrejtësia njerëzore.

 

Drejtësia është e vërteta në veprim.

 

Të jesh i padrejtë me vetveten është po aq e vështirë sa të jesh i drejtë me të tjerët.

Sipas tenxheres edhe kapakun.

 

Drejtësia do të mbretërojë atëherë kur secili fyerjen e tjetrit ta marrë si të tijën.

 

Nuk është e thënë që një kapele luksoze të mbulojë gjithnjë një kokë të denjë.

 

Është gjithmonë më e lehtë të jesh i drejtë në lumturi se sa në fatkeqësi.

 

Përpara se të jesh shpirtmadh duhet të jesh i drejtë.

 

Secilit i duhet dhënë haku.

 

Drejtësia – virtyti më i lartë.

shs

Dhomat e Specializuara bastisën banesën e ish këshilltarit të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi

BastisjePër rreth 10 orë me radhë, është bastisur në Prishtinë banesa e Adil Behramajt, ish këshilltar politik i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

 

Artan Qerkini, avokat i zoti Behramaj tha se bastisja është kryer me “urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara… në lidhje me një pretendim të Prokurorisë së Specializuar, për një vepër penale e cila sipas tyre, është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara”, por sipas tij, nuk është përcaktuar qartë se për çfarë vepre bëhet fjalë.

Zyrtarë të Prokurorisë në Hagë thanë se nuk mund të komentojnë hetimet.

Zoti Behramaj aktualisht drejton gazetën në internet demokracia.com. Ai nuk bëri ndonjë koment lidhur me bastisjen.

Zoti Behramaj shërbeu si këshilltar i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi deri në nëntor të vitit 2020, kur ai u arrestua dhe u dërgua në Hagë, bashkë me ish udhëheqës të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku po mbahen nën akuzat për krime lufte.

Gjykata e Posaçme tha se procesi gjyqësor ndaj ish presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pritet të fillojë me 3 prill.

Të martën në Hagë u hap procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte.

Gjykata e Posaçme e Kosovës e njohur si Dhomat e Specializuara me seli në Holandë dhe me personel ndërkombëtar, u krijua në vitin 2015 për të trajtuar në bazë të ligjeve të Kosovës pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës.

voa

Qytetarët e Maqedonisë mbi mesataren evropiane, 68% e tyre dinë të paktën një gjuhë të huaj

north-mkMaqedonia e Veriut është mbi mesataren evropiane sipas njohurive të gjuhëve të huaja. Në RMV, 68.3 përqind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër nga ajo amtare.

 

Sipas të dhënave të Eurostat të publikuara nga Euronews me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, në Evropë, rreth 65 përqind e popullsisë di të paktën një gjuhë të huaj. Për krahasim, vetëm rreth 20 përqind e popullsisë së rritur në SHBA flet një gjuhë tjetër nga ajo amtare.

Ekzistojnë ndryshime të konsiderueshme midis rajoneve të kontinentit të vjetër. Në vendet Nordike, një përqindje e madhe e njerëzve dinë të paktën dy gjuhë, ndërsa në Evropën Jugore nuk është kështu.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Bosnjë dhe Hercegovinë, Rumani, Shqipëri, Hungari dhe Bullgari, më pak se 50 % e njerëzve janë shumëgjuhësh.

Njerëzit në vendet ku anglishtja është gjuhë amtare nuk duken të interesuar të mësojnë një gjuhë tjetër, kështu që vetëm gjysma e irlandezëve flasin dhe kuptojnë të paktën një gjuhë të huaj, dhe më e keqja në Evropë është Mbretëria e Bashkuar, ku gjuhë ndryshe nga ajo amtare flasin 34 përqind e popullsisë.

Nga vendet rajonit, Serbia pozicionohet më së miri, ku 79.3 përqind e dinë një gjuhë tjetër, e ndjekur nga Kroacia me 73.2 përqind, Greqia 66.5, dhe Bullgaria me 49.5, Shqipëri me 40 përqind dhe Bosnjë e Hercegovinë me 39 përqind.

/Telegrafi/

Sa efektive janë sanksionet kundër Rusisë?

Sanksionet kundër RusisëSipas ekspertëve, masat ndëshkuese janë efektive – edhe nëse ende nuk e kanë arritur qëllimin e tyre përfundimtar. Cilat janë efektet e sanksioneve?

 

Asnjë vend në botë nuk ka aktualisht aq shumë sanksione sa Rusia. Para luftës kishte 2500 sanksione ndaj këtij vendi, ndërsa tani janë shtuar edhe më shumë se 11.000 të tjera. Këto sanksione i kanë vënë, ndër të tjera, Bashkimi Evropian, vendet e G7, Australia dhe Zvicra. Sanksionet janë vënë kundër individëve, degëve të biznesit apo institucioneve të vendit, siç thuhet në platformën e internetit Castellum.AI.

Më shumë se një mijë kompani të huaja u larguan nga Rusia brenda një viti. Presidenti Vladimir Putinpak ditë më parë bërtiti: “Gjithë të mirat! Po humbisni tregun tonë, do të pësoni humbje të mëdha. Por ky është vendimi juaj.” Dhe më pas shtoi: “Nëse dikush beson se gjithçka këtu do të shembet dhe do të dështojë – jo, asgjë nuk është rrëzuar apo shembur”.

 

“Lista e turpit”

Produktet, mallrat dhe shërbimet ruse duhet të bëhen “një subjekt i krenarisë sonë kombëtare”, theksoi Putin, duke shtuar: “Këto mallra dhe shërbime nuk duhet të jenë të suksesshme vetëm në tregun e brendshëm, por natyrisht edhe në tregjet ndërkombëtare”.

Por nuk mund të bëhet fjalë për tërheqjen e plotë të kompanive perëndimore nga Rusia. “Lista e turpit”, e publikuar nga profesori i ekonomisë në Universitetin Yale, Jeffrey Sonnenfeld, liston se cilat kompani janë larguar nga Rusia dhe cilat kanë mbetur aktive në këtë vend.

 

Numri i turistëve të huaj ka rënë me 96%

Në kryeqytetin rus, për shembull, sanksionet perëndimore nuk janë menjëherë të dukshme për turistët. Logot e shumë firmave perëndimore janë zëvendësuar me tabela ruse, të cilat duken të ngjashme.

Problem është edhe turizmi – numri i vizitorëve të huaj ka rënë me 96 për qind. Në vend të pesë milionë turistëve, sa kishte një vit para virusit korona, vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare të Shoqatës Turistike të Rusisë, këtë vend e kanë vizituar vetëm 200 mijë vizitorë.

Nëse shikoni listën gjithnjë në zgjerim të sanksioneve të BE-së, mund të shihni se ato përfshijnë makineri dhe automjete, mallra luksoze dhe armët, teknologji të lartë, pajisje për transportin ajror dhe hapësinor dhe teknologjinë për shfrytëzimin e naftës. Degët për ofrimin e shërbimeve si auditimi, sektori i IT-së, konsultimet dhe këshillat tatimore si dhe reklamat janë gjithashtu tabu. Hapësira ajrore evropiane është e mbyllur për linjat ajrore ruse dhe rrugët për shumicën e transportuesve rusë dhe bjelloruse të mallrave. Banka Qendrore e Rusisë dhe shumica e bankave tregtare janë të shkëputura nga flukset e parave ndërkombëtare.

 

Mungesa e teknologjisë për sektorin e energjisë

Verën e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dha një shembull të suksesit të sanksioneve, i cili u duk i çuditshëm për shumë njerëz: “Ushtria ruse merr çipa nga lavatriçet apo frigoriferët dhe i instalon në pajisjet e luftës sepse nuk ka gjysmëpërçues.”

“Sanksionet po funksionojnë ngadalë, por po funksionojnë,” thotë eksperti rus, Eric Woydte nga Instituti Civil i Dyseldorfit për gazin, sepse ka mungesë teknologjie për shkak të sanksioneve. Rusia është shumë e varur nga kjo teknologji”, thotë Woydte.

Një shembull tjetër është industria e automobilave. “Përbërësit si ABS ose Airbag nuk janë më të disponueshëm. Kjo do të thotë, për shembull, se Rusia po ul standardet. Po trajtohet edhe kthimi në normën Euro2, e cila është aplikuar në Gjermani në vitet 1990.”

 

Një minus i madh në buxhetin e shtetit

Prodhimi i makinave në Rusi ra me pothuajse 70 për qind vitin e kaluar, që është niveli më i ultë në histori. Edhe sanksionet kundër industrisë së naftës, të cilat janë shtrënguar disa herë, duket se po funksionojnë. Në janar, buxheti i shtetit rus kishte një deficit prej 23 miliardë euro, ndaj u detyrua të fillojë me shitjen e rezervave të arit.

Megjithatë, ekonomia ruse është dëshmuar të jetë më e fortë se sa pritej në fillimin e sanksioneve. Pra, sa të suksesshme janë sanksionet?

Eksperti rus Woydte nuk i konsideron ato shumë të suksesshme për momentin. “Sanksionet kanë shkaktuar një humbje të konsiderueshme të pasurisë tek popullata, ndërkohë që shtresa e lartë, oligarkët, të pasurit ende mund të sigurojnë produktet perëndimore. Ata gjejnë mënyrën për të udhëtuar, përderisa nuk janë në listën e zezë, megjithëse ka shumë përjashtime.”

Qeveria ruse duket se nuk është e gatshme të ndryshojë kursin. “Putini aktualisht nuk pengohet nga sanksionet,” thotë Woydte. Nga pikëpamja perëndimore, sanksionet “nuk kanë sjellë ende suksesin e dëshiruar” – fundin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

 

 

ARD-Tagesschau.de/bc

F-16 apo MiG-29: Ç’janë në gjendje të bëjnë avionët luftarakë?

AvionetUkraina po kërkon avionë luftarakë të tipit F-16 apo MiG-29. Po si funksionojnë avionët luftarakë, pse janë ata të rëndësishëm dhe pse kërkohet stërvitje speciale, kur fluturon me një avion luftarak.

 

Në ngjitje presioni që ushtrohet mbi trup është shumë herë më i madh se forca e gravitetit. Vetëm trajnimi i mirë i trupit dhe veshja e pantallonave speciale që ushtrojnë presion mbi gjakun e këmbëve, të ndihmojnë të ruash vetëdijen. Njeriu rrallë udhëton me shpejtësi 900 km në orë.

“Shpejtësia të merr frymën”. Kështu thotë ish-piloti i forcave ajrore gjermane, Joachim Vergin, kur tregon se çfarë ndjen njeriu kur fluturon me një avion luftarak.

Ajo çfarë ndjen mund të krahasohet me ndjenjën që ke kur hipën në roller coaster, por nuk është tamam ashtu, sepse forcat e avionit janë dy herë më të forta. Përveç kësaj, gjatë një beteje në ajër duhen vënë në lëvizje sistemet e shumta të armëve. Për të luftuar, për t’u shmangur, për t’u mbrojtur. Në raste serioze lufta është për jetë a vdekje, dhe avioni fluturon shpesh me shpejtësinë e zërit.  

 

Motor me presion të lartë  

Aktualisht janë duke u zhvilluar diskutime nëse duhen plotësuar kërkesat e Ukrainës për avionët luftarakë si F-16 ose MiG-29. Për herë të parë avionët luftarakë janë përdorur në Evropë në Luftën e Dytë Botërore. Me motorin reaktiv që kanë avionët luftarakë, ata fluturonin me shpejtësi shumë më të madhe se avionët me helikë, që ishin përdorur deri në atë kohë.

Motori reaktiv funksion kështu: në pjesën e përparme ajri thithet nga motori dhe shtypet për të arritur presion të lartë. Në ajrin e ngjeshur sprucohet lënda djegëse dhe vihet shkëndija. Kështu ajri del me “presion shumë të lartë” nga motori, shpjegon dr. Robert Kluge, ekspert për fluturimet ajrore në Muzeun Gjerman të Teknikës. Ky ajër ushtron presion mbi rezistencën që bëhet nga pista e nisjes ose ajri që e rrethon dhe i jep kështu shpejtësinë avionit.

 

Sulme avionësh nga ajri 

Avionët luftarakë mund të qëllojnë objektiva si në ajër edhe në tokë. Për të zhvilluar luftime në ajër avioni mund të pajiset me raketa ajër-ajër, të cilat qëllohen gjatë fluturimit duke goditur po ashtu një objektiv që ndodhet në fluturim. Për të sulmuar objektivat që ndodhen në tokë avioni pajiset me raketa ajër-tokë ose hedh bomba të thjeshta, që bien mbi tokë duke zbatuar “ligjet e fizikës” për rënien e lirë, thotë Leonhard Houben, historian dhe bashkëpunëtor i lirë në Muzeumin e Historisë Ushtarake, në Gatow të Berlinit.

 

Reflektime strategjike

Para se të ndërtohet një avion luftarak duhet të shtrohet pyetja nëse ai do të luftojë një avion tjetër në ajër? Dhe a mund të mbrohet ky avion nga avionët e tjerë luftarakë? Apo do të përdoret për të luftuar me efektivitet objektivat tokësore?

Reflektime të tilla strategjike pasqyrohen në teknikën e avionit luftarak: A duhet avioni i ri të jetë i lehtë dhe dhe i manovrueshëm për të marrë pjesë në luftime, apo duhet të pajiset me rezervuarë të mëdhenj karburanti për të fluturuar në distanca të gjata?

Avionët MiG-29, për të cilët po diskutohen tani për t’i dërguar në Ukrainë janë krijuar me një qëllim të caktuar: Për të mbrojtur kufijtë e vendeve të Paktit të Varshavës nga avionët e NATO-s.

Avionët e tillë, të ashtuquajtur avionë interceptues, u vunë në punë në vitin 1983. Ata ngrihen shpejt dhe mbërrijnë në destinacion. Për shkak të mënyrës së ndërtimit, MiG-29 është shumë i manovrueshëm gjatë luftimeve në ajër, ai madje është në gjendje të qëndrojë për pak kohë vertikalisht në ajër në krahët e veta. Megjithatë në fillim avionët MiG-29 mbusheshin me pak karburant, për të fluturuar në distanca të shkurtra, në mënyrë që të kursehej në peshë.

 

F-16: Multitalent me prodhim masiv

Pjesa më e madhe e avionëve luftarakë modernë kombinojnë bashkë aftësi të shumta. Sipas Houben-it, ekonomik është ndërtimi i avionëve luftarakë që përdoren për qëllime të ndryshme, sepse ata mund të prodhohen në një seri të caktuar me sasi të madhe në numër.

Avioni F-16 është një avion i tillë, i cili ka talente të shumta dhe që prodhohet në sasi të madhe. Ata janë zhvilluar në vitet 1970-të në SHBA, për t’iu shitur vendeve partnere si avionë shumëqëllimësh që nuk kushtojnë shumë. Avionët F-16 janë avionë luftarakë dhe përbëjnë numrin më të madh të avionëve që janë ende në shërbim në botë. Këta avionë prodhohen ende në SHBA dhe përmirësohen vazhdimisht.

Houben thotë se “F-16, që është ndërtuar 20 vjet më parë ka aftësi të njëjta me avionët rusë që janë ndërtuar mbase tre ose katër vjet më parë”. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin se në vitet 1990-të zhvillimi i teknikës së avionëve luftarakë në Rusi u ngadalësua dhe shumë talente kanë emigruar dhe janë larguar nga Rusia. 

 

Më shumë sistem armësh se armë 

Krahas teknikës vendimtar për një avion luftarak është dhe armatimi. Pa armatimin, avioni luftarak është “vetëm një karabina, si një zjarrfikëse pa shkallët e larta”, thotë Robert Kluge nga Muzeumi Gjerman i Teknikës. Ashtu si ekspertë të tjerë edhe ai është i sigurt se nëse avionët luftarakë do të dërgohen tani në Ukrainë, ata do të jenë pajisur me armë moderne.

Ukraina mund t’i përdorë këta avionë për të siguruar hapësirën e vet ajrore. Sepse ndryshe nga raketat tokësore, që qëllohen nga sisteme ajrore që mbështeten në tokë, avionët luftarakë janë shumë mobil, janë në gjendje kështu të sigurojnë një sipërfaqe të madhe dhe janë në gjendje të qëllojnë me raketa moderne ajër- ajër, objektivat e lëvizshëm që ndodhen në ajër.

Leonhard Houben mendon se nuk është e mundshme që të zhvillohen beteja luftarake në ajër midis avionëve luftarakë rusë dhe atyre ukrainas, si ato që zhvillohen në filmat e Hollivudit. Avionët luftarakë do të luftonin ditëve të sotme më shumë me raketa që ndodhen jashtë rrezes së tyre të veprimit.

Njësoj si tek tanket luftarake shpesh vlen që kush qëllon i pari dhe godet objektivin, ai fiton. Raketat moderne ajër- ajër, kur goditen një herë i afrohen objektivit dhe aktivizohen vetëm pak para përplasjes me radarin, të cilit i shfaqen në rrezen e shikimit. Atëherë shpesh është shumë vonë për t’u shmangur. Kjo gjë nuk ka të bëjë me manovra të shpejta, breshëri me mitraloz dhe me Hollivudin.

 

Shkollimi i pilotëve zgjat me vite

Megjithatë piloti i avionit luftarak duhet të jetë në gjendje të vazhdojë të luftojë edhe kur i ka goditur të gjitha raketat. Kjo do të thotë se ata duhet të zotërojnë aftësitë të shumta që të funksionojnë në kushte ekstreme. Për këtë arsye pilotët nuk shkollohen me sot për nesër. Për pilotët gjermanë të avionëve Eurofighter, shkollimi zgjat pesë deri gjashtë vjet dhe kushton pesë milionë euro për pilot.

Ish-piloti Joachim Vergin tregon se në fluturimin e parë me një avion luftarak, një nga motorët u shua. Megjithëse kishte frikë, falë stërvitjeve të shumta ai e dinte mirë çfarë duhej bërë, prandaj nuk e humbi qetësinë dhe e uli avionin të sigurt.

Megjithatë shpesh një pilot mëson të fluturojë vetëm një lloj të caktuar avioni dhe mësimi i një avioni tjetër është i kushtueshëm. Kur Vergin kaloi nga avionët luftarakë Phantom në ato Tornado, shkollimi zgjati shtatë muaj.

Të gjithë ekspertët shohin tek kjo pikë një sfidë të madhe për pilotët ukrainas. Të gjitha manualet, të gjitha butonat e avionëve luftarakë të NATO-s janë në gjuhën angleze. Prandaj nuk është e lehtë kur piloti njeh vetëm shkrimin cirilik. Përveç kësaj të gjitha të dhënat janë në milje dhe feet, jo në metra e kilometra. Pilotët e vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik e mësonin fluturimin me të dhëna metrike.

 

Miti i avionëve luftarakë 

Avionët luftarakë në luftë janë shumë më tepër se sa shuma e aftësive të tyre teknike. Kështu thotë Robert Kluge kur flet për avionin si “mit”, sepse ndryshe nga njeriu, avioni lëviz edhe në dimensionin e tretë.

Një avion luftarak mund të shihet edhe si simbol, që forcon moralin e ushtrisë. Ata konsiderohen edhe si një gur i rëndësishëm shahu në strategjinë e një lufte sipas motos: vetëm pasja e tyre mjafton për ta bërë armikun që të mendohet mirë.

dw