A mundet që nëpërmjet zërit të diagnostikohen sëmundjet?

zeri diagnozaEkspertët e kanë ditur prej kohësh se zëri i një personi mund të japë informacione të rëndësishme për shëndetin emocional, fizik dhe mendor. Tashmë, një projekt i financuar nga qeveria amerikane po mbledh dhe po analizon zërat e mijëra personave, si dhe po përdor inteligjencën artificiale për të diagnostikuar sëmundjet.

 

Mjekja Yael Bensoussan po ekzaminon kordat zanore të një pacienti.

Në Qendrën Mjekësore për Zërin në Universitetin e Floridës Jugore, trajtohen pacientë me një gamë të gjerë çrregullimesh zanore, si p.sh. në pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, me çrregullime zëri apo edhe në gëlltitje.

Rishtazi, ajo po ndihmon në drejtimin e një projekti për të krijuar një bankë të dhënash me 30 mijë regjistrime zërash njerëzorë, dhe për t’i përgatitur kompjuterat që të pikasin sëmundjet nëpërmjet ndryshimeve në zërin e njeriut.

“Nuk është vetëm për mbledhjen e këtyre të dhënave, por edhe për të hartuar udhëzimet se si do të ndahen këto të dhëna, si duhet të mblidhen këto të dhëna, dhe si t’i përdorim ato në të ardhmen për punë kërkimore në fushën e inteligjencës artificiale”, thotë zonja Bensoussan.

Ajo punon me një ekip prej 45 hulumtuesish nga 12 vende të ndryshme në Amerikën e Veriut dhe me një kompani të re në Evropë.

Ata studiojnë mostrat e zërave për t’i ndihmuar të pikasin sëmundje, si Parkinsonin, kancerin, dhe çrregullime si ngrirja e kordave të zërit.

Ekipi studion gjithashtu çrregullimet emocionale, si depresionin dhe ankthin.

“Pra, kur dikush është në depresion, ka mërzitje dhe ankth, sigurisht që ndryshon edhe e folura”, thotë zonja Bensoussan.

Studimi është një ndër katër studimet për mbledhje të dhënash të financuara nga programi për inteligjencën artificiale të Institutit Kombëtar të Shëndetit, që synon të përdorë inteligjencën artificiale për të trajtuar sfida komplekse bio-mjekësore.

“Kuptuan se kemi një hendek të madh mes teknologjisë që kemi të disponueshme, njohurive klinike dhe mjeteve që përdorim për kujdesin klinik nëpër spitale”, thotë mjekja.

Gjatë studimit duhet ruajtur privatësia e pjesëmarrësve.

“Duhet të mendojmë për rregullat etike që shoqërojnë mbledhjen e zërave të njerëzve. Dhe se si do të ruajmë privatësinë”, thotë Grace Peng, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit.

Në studim do të regjistrohen pjesëmarrësit e parë gjatë vitit të ardhshëm.

voa

Teknologjia që thith dioksidin e karbonit për ta materializuar në beton

teknologjia co2Një kompani e re nga Kalifornia po përdor gurë gëlqeror për të thithur nga ajri dioksidin e karbonit.

 

Heirloom Carbon Technologies po bashkëpunon me një kompani kanadeze për të mineralizuar gazin e thithur, në beton. Kompania thotë se kjo teknologji mund të ofrojë një model për të luftuar ndryshimet klimatike në nivel global.

Një kompani nga Kalifornia që përdor gurë për të thithur dioksidin e karbonit nga ajri është bashkuar me një kompani kanadeze për ta magazinuar gazin që shkakton efektin-serrë në beton.

“Guri gëlqeror ka aftësinë natyrore për të thithur karbonin nga atmosfera. Problemi është se ky proces është thjesht i ngadalshëm. Pra, ajo që ne bëjmë këtu është thjesht i japim atij më shumë superfuqi për ta bërë të aftë të tërheqë karbonin shumë, shumë më shpejt sesa do të ishte natyralisht,” thotë drejtuesi ekzekutiv i kompanisë Shashank Samala.

Heirloom Carbon Technologies ngroh gurin gëlqeror të thërmuar për të çliruar dioksidin e karbonit të thithur natyrshëm. Më pas gurët e uritur për dioksid karboni vendosenn ë kolona, ku ata veprojnë si sfungjer, duke thithur afërsisht gjysmën e peshës së tyre në gaz për tre ditë. Gurët më pas nxehet për të çliruar dioksidin e karbonit të mbledhur nga ajri dhe cikli përsëritet.

Kompania kanadeze e teknologjisë së betonit, CarbonCure, përzien dioksidin e karbonit me përbërësit e tjerë, duke e bërë betonin më të forte dhe, duke shkurtuar nevojën për çimento.

“Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është se dioksidi i karbonit ofron gjithashtu një përforcim të beton. Kjo i lejon prodhuesit të jenë në gjendje të krijojnë më shumë beton me më pak çimento,” thotë drejtuesi ekzekutiv kompanisë CarbonCure, Rob Niven.

Përpjekja e përbashkët e këtyre dy kompanive është e para që përdor një teknologji të tillë për magazinimin e dioksidit të karbonit të thithur nga atmosfera drejtpërdrejt në beton, ku ai mund të qëndrojë për shekuj, thonë shkencëtarët. Për më tepër, aktualisht ka pak vende për ta mbajtur të sigurt dioksidin e karbonit.

“Njëra është magazinimi nëntokësor ku mund të ruajmë në mënyrë të sigurtë dhe të përhershme dioksidin e karbonit. Tjetra janë materialet e ndërtimit si betoni. Betoni është një mënyrë e shkëlqyer për të ruajtur dioksidin e karbonit sepse e mineralizon atë, në një shkëmb,” thotë zoti Samala.

Kapja dhe mbajtja e dioksidit të karbonit në shkallë globale nuk do të jetë e lehtë megjithatë: kompanitë si Heirloom do të duhet të ndërtojnë impiante të shtrenjta, masive të afta për të thithur miliona ose miliarda tonë në vit.

Zoti Samala thotë se heqja e një miliardë tonë dioksidi karboni nga ajri do të kërkonte qindra miliarda dollarë investime, duke shtuar se ai pret që financuesit e energjisë diellore, ndërtesave, kullave të transmetimit dhe infrastrukturës të financojnë gjithashtu edhe për infrastrukturën e karbonit.

voa

Putini mbështet politikën e jashtme të Serbisë dhe qëndrimin e saj lidhur me Kosovën

Putin VucicNë një letër drejtuar homologut të tij serb, Presidenti rus Vladimir Putin shprehet se ai “vlerëson lartë politikë e jashtme të balancuar të Serbisë”, si dhe mbështetet ato që i quan përpjekje të Serbisë për të mbrojtur integritetin territorial në përballjen me Kosovën.

 

Rusia është aleati kryesor i Serbisë në kundërshtimin që ky vend i bën pavarësisë së Kosovës, të shpallur 15 vite më parë. Beogradi ka refuzuar të zbatojë sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Moskës lidhur me agresionin e saj në Ukrainë, pavarësisht ambicieve për anëtarësim në BE.

Serbia ka ruajtur prej kohësh një balancë delikate mes aspiratave për në BE dhe partneritetit me NATO-n nga njëra anë, e lidhjeve të saj shekullore, etnike e fetare, me Rusinë nga ana tjetër.

Por ndërsa tensionet BE-Rusi përshkallëzohen, thirrjet perëndimore që Beogradi t’i bashkohet sanksioneve kundër Moskës, duke harmonizuar politikën e tij të jashtme me Brukselin, po bëhen më të forta.

“Serbia është një partner i rëndësishëm dhe i besueshëm i Rusisë”, shkruante Presidenti Putin në letrën drejtuar Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me rastin e ditës së pavarësisë së këtij vendi, që shënohet të mërkurën më 15 shkurt.

“Ne e vlerësojmë shumë kursin e balancuar të Beogradit në politikën e jashtme, në një mjedis ndërkombëtar të ndërlikuar. Ne mbështesim përpjekjet për të mbrojtur integritetin tuaj territorial dhe për të zgjidhur çështjen e Kosovës”, shkruante zoti Putin.

“Jam i bindur se një zhvillim i mëtejshëm i partneritetit strategjik ruso-serb, pasqyron interesin më të mirë të popujve tanë, vëllezër”, vijonte ai më tej.

Serbia vazhdon të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Kryeministrja Ana Brnabiç ka thënë se refuzimi i Beogradit për të vendosur sanksione ndaj aleatit të saj Rusisë, mbetet pengesa kryesore për anëtarësimin e vendit në BE, duke e cilësuar atë si “kushtin mbi të gjitha kushtet”, të vendosur nga blloku.

Edhe pse në mënyrë të përsëritur ka dënuar sulmin rus në Ukrainë në Kombet e Bashkuara e në forume të tjera ndërkombëtare, Serbia është kritikuar nga Brukseli për moszbatimin zyrtar të sanksioneve kundër Moskës.

voa

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në Kuvend në kuadër të debatit parlamentar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Kurti ParlamentI nderuar kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra të kabinetit qeveritar,
Të dashur qytetarë,

 

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë Dialogut me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian mbi bazën e dy qëllimeve fillestare:

Një, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e Dialogut; qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së marrëveshjeve ekzistuese, pra të atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në Qeveri, dhe,

Dy, hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë, parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazonin marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë.

Si rezultat i qasjes sonë fillestare, dhe kujdesit tonë ndaj precedentit të vitit 2013 e tutje, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian dhe zv.Presidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, për herë të parë, në më shumë se 12 vite dialog, pranoi të bëjë hapin e madh, atë të ftesës së datës 18 gusht 2022, ku e kornizoi takimin e nivelit të lartë mbi dy pika qëndrore: një, ‘Korniza e përgjithshme e marrëveshjes’, dhe, dy, ‘Çështjet aktuale’. Për herë të parë u vendos përfshirja e kornizës së përgjithshme, pra të asaj që i rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga jashtë (ndërkombëtarisht), në formatin e dialogut të Brukselit. Takimi i datës 18 gusht ishte qartazi rezultat direkt i presionit të Qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përqendruar në njohje reciproke e të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, e jo në çështje të brendshme siç ishte praktika nga viti 2011 e deri në ardhjen tonë në Qeveri. Dialog për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, pra, jo dialog për dialog, jo dialog për menaxhim krize.

Në takimin e datës 18 gusht iu bëra të qartë Përfaqësuesit të Lartë Borrell dhe Presidentit Vuçiq që Kosova nuk do të pranojë më një Dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen e ndërsjelltë. Edhe pse takimi përfundoi pa një rezultat specifik në planin bilateral, ai e dha efektin e tij të menjëhershëm.

E kjo është, vizita e emisarëve me datë 9 shtator 2022, apo prezentimi i propozimit franko-gjerman.

Më 9 shtator 2022, në Prishtinë erdhën dy emisarët e lartë të Gjermanisë dhe Francës, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, bashkë me lehtësuesin evropian të dialogut, Miroslav Lajcak. Ata prezantuan para meje një propozim për normalizimin e ndërmjetëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazuar në parimin e njohjes de facto dhe mbështetjen e saj në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (dhe parimet e qarta ndër-shtetërore të së drejtës ndërkombëtare). Emisarët dhe lehtësuesi i dialogut më kërkuan që t’i respektojë dy parime procedurale përderisa nuk ka një qartësim nga të dyja palët për ecjen përpara:

Një, respektimin e konfidencialitetit të dokumentit të propozuar nga ta derisa të ketë një avancim të procesit negociator; më lejoni të ritheksoj që kërkesën për konfidencialitet e kanë kërkuar në kuptim të një detyrimi bilateral që unë si kryeministër kam ndaj shteteve të emisarëve, dhe,

Dy, që ta konsideroja atë seriozisht, në kuptimin që mos-pranimi i tij do të ndikonte seriozisht në raportet diplomatike e politike të Republikës së Kosovës me shtetet sponsorizuese.

Edhe pse u kërkua respekt rigoroz ndaj konfidencialitetit të dokumentit të tyre, unë pata vendosur për t’i ftuar kryetarët e tri partive opozitare për t’i njoftuar me përmbajtjen e propozimit.

Propozimin franko-gjerman, që më tutje do e duhet ta quajmë evropian, e konsiderova me kujdes. Pas një analize të thelluar, konstatova që Propozimi ngërthen disa karakteristika, si në vijim:

  1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes Gjermano-Gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve tjera të ngjashme të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndër-shtetërore (psh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore). Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar (në vitin 1973) që atëherë që Marrëveshja Gjermano-Gjermane ngërthente në vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i të drejtës ndërkombëtare;
  2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura;
  3. Propozimi gjithashtu përcaktonte njohjen nga palët të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve, në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë;
  4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare, që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale, si Organizata e Kombeve të Bashkuara, UNESCO apo të sigurisë sikurse NATO;
  5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare;
  6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyreve të përhershme diplomatike, në formën e legatave (që janë ambasada faktike, e që përbënin formë normale të marrëdhënieve ndër-shtetërore para luftës së dytë botërore);
  7. Propozimi gjithashtu përmbante normën e njohjes së dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave, nga njëra-tjetra.
  8. Propozimi megjithatë përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, e para: normën që përcaktonte që komuniteti serb do të ketë një të drejtë të vetë-menaxhimit ‘në përputhje’ me instrumentet/konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës; dhe, dy, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së Kishës në ligjin tonë për komunitetet fetare në Republikën e Kosovës.
  9. Pika 10 e fundit parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.

Qeveria e komentoi verzionin e parë të Propozimit, dhe kërkoi avancim të tij drejt një marrëveshjeje finale me njohjen de jure në qendër të saj. Ne gjithashtu kërkuam përfshirjen e elementit të drejtësisë tranzicionale për krimet e kryera në Kosovë dhe respektin e të dyja palëve ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, përfshirë harmonizimin e palëve me politikën e sanksioneve ndaj Rusisë (konvergjencën me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian), që është e rëndësishme për shkëputjen e Serbisë nga kontrolli i Moskës zyrtare.

Që në komentin e parë të Qeverisë, ne e vlerësuam Propozimin si ‘bazë të mirë’ për një diskutim të mëtejshëm. Arsyet që na shtyen të konstatonim ashtu ishin:

  1. Propozimi për herë të parë vendoste në fokus marrëdhëniet e jashtme, ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; të gjitha marrëveshjet e mëparshme kishin të bënin me çështje të brendshme të Kosovës, dhe marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe punëve të brendshme të Republikës së Kosovës.
  2. Propozimi bazohej në parimin e reciprocitetit të të drejtave dhe detyrimeve të palëve, pra Kosovës dhe Serbisë. Reciprociteti, që ka qenë kryefjala e Marrëveshjes origjinale gjermano-gjermane, nënkuptonte një premisë ndërkombëtare të barazisë dhe trajtimit të dinjitetshëm të palëve ndaj njëra-tjetrës. Propozimi adreson pothuajse në çdo normë të saj reciprocitetin në detyrime dhe të drejta, përfshirë, psh. sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, është preambula e Propozimit, fjalia e tretë;
  3. Propozimi ka një gjuhë të qartë, vlerore dhe universale, që reflekton standardin e rregullimit ndër-shtetëror të raporteve politike e juridike ndërmjet shteteve të pavarura;
  4. Propozimi për herë të parë ngërthente në vete njohjen de facto të shtetësisë së palëve ndaj njëra-tjetrës. Njohja de facto juridikisht por edhe politikisht (ashtu siç është interpretuar e ofruar zyrtarisht nga emisarët dhe shtetet sponsorizuese të Propozimit) është e pakontestuar në tekstin e Propozimit;
  5. Propozimi përmbante obligimin që një marrëveshje finale me njohjen de jure do të realizohet në të ardhmën e afërt, dhe ajo do të jetë një detyrim për Serbinë përpara anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.
  6. Propozimi gjithashtu i referohej të drejtave të serbëve në Kosovë në kuptim të konventave të Këshillit të Evropës, më kryesorja prej tyre Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave, e cila tashmë është pjesë e Kushtetutës së Kosovës (neni 22). Pra, maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetë-menaxhim i tillë është ajo që tashmë Kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj. Propozimi kryesor nuk ka asnjë referencë specifike se çfarë do të nënkuptojë një vetë-menaxhim i tillë, por përderisa tavani i lartë është Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës, kjo nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i garancave për të drejtat individuale (joterritoriale) të pakicave, që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet a monopolin territorializues të tyre;
  7. E vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, shumica nga të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin mono-etnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi.

Unë gjykova që Plani përmbante parime të qarta të së drejtës ndërkombëtare sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura, i referohej Kartës së Kombeve të Bashkuara si një dokument që i adresohet vetëm akterëve shtetëror të pavarur, dhe, për herë të parë, përfshinte koncepte universale e civilizuese të së ardhmes demokratike të palëve në kontinentin evropian.

Dhe tash më lejoni të kaloj edhe te vizita e emisarëve me datë 20 janar 2023, te Plani Evropian, verzioni përfundimtar.

Lehtësuesi i dialogut Lajcak, ofroi një verzion të dytë të Propozimit më 6 dhjetor 2022. Verzioni i dytë i ka adresuar dy nga komentet tona, por nuk ka lëvizur mbrapa në asnjë nga parimet që i ngërthente dokumenti i parë. Megjithatë, dokumenti kryesor kësaj radhe shoqërohej edhe me një Plan Zbatimi që kishte referencë të qartë tek një statut që do ta hartonte Ekipi Menaxhues, obligim që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013, e që është një tregues i një hapi drejt krijimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Me datë 20 janar 2023, emisarët që e shoqëruan lehtësusesin Lajçak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të dytë dhe të fundit:

-Ata ma bënë të qartë që Propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit ‘merre-ose-leje’. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta;

-Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i Propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën, dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre.

Unë ua dhashë edhe komentet e mia në verzionin e dytë qysh në fillim të atij takimi që e kemi pasur me 20 janar këtu në Prishtinë, dhe sërish në formë të shkruar. Edhe herën e parë edhe herën e dytë, komentet e mia i kanë formë të shkruar. Qëndrimi im në atë takim ishte që Propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm por duhet përfshirë më shumë elementë garantues dhe siguresa të efektivitetit sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, shtimit të numrit të njohjeve dhe një sekuencim të ngjarjeve në formë të tillë që të ketë kuptim normalizimi ndërmjet dy shteteve.

Pas vizitës së lehtësuesit të dialogut, Miroslav Lajçak, me datë 6 shkurt 2023, dhe qartësimit të disa prej mekanizmave dhe elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të Planit të Zbatimit, unë ia konfirmova që Propozimi i Bashkimit Evropian është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i Planit të Zbatimit i cili do të duhej të përfshijë elementë që kanë të bëjnë me mekanizmat zbatues, sekuencimin dhe kuptimin e disa prej parimeve që përmenden në Propozimin kryesor.

Mbi këtë bazë theksoj si në vijim:

E para, pranimi i Propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de facto;

E dyta, plani kryesor nuk ka asnjë referencë te një Asociacion, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre; dhe

E treta, tash, hapi kryesor e ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të Planit të Zbatimit. Aty, qëndrimi im është që Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet 6-pikëshi apo 6 kushtet, parimet që i kam paraqitur para jush këtu një javë më parë.

Ju falemnderit.

Kryeminstria

Aleatët e NATO-s premtojnë mbështetje të mëtejshme ndaj Ukrainës

aleatet NatosMinistrat e mbrojtjes së NATO-s po takohen sot për të diskutuar për mbështetjen e mëtejshme ndaj Ukrainës, ndërsa Rusia duket se ka filluar një ofensivë të re. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin rikonfirmoi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të qëndruar në krah të Kievit.

 

Megjithatë shumë nga aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara po i thonë jo kërkesës së Ukrainës për avionë luftarakë.

Sekretari Austin tha se aleanca ushtarake transatlantike ka dhënë afro 50 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i luftës dhe se mbështetja ushtarake do të vazhdojë.

“Një vit më pas, ne jemi më të bashkuar se kurrë më parë. Dhe kjo vendosmëri e përbashkët do të ndihmojë në ruajtjen e qëndresës së Ukrainës në javët vendimtare në vijim,” tha zoti Austin në takimin që po mbahet në Bruksel.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin po përgatitej për ofensiva të reja, duke e bërë edhe më të rëndësishme që aleatët dhe partnerët e NATO-s të ofrojnë më shumë mbështetje për Ukrainën.

Por kjo mbështetje nuk ka gjasa për momentin të përfshijë avionë luftarakë, një nga kërkesat kryesore të Ukrainës. Përpara takimit, Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov u tregoi gazetarëve një skicë të një avioni luftarak, kur u pyet se çfarë ndihme ushtarake po kërkon vendi i tij.

“Çështja e avionëve nuk është më urgjentja tani, por është një diskutim i vazhdueshëm. Ne kemi konsultime të vazhdueshme mes aleatëve mbi llojet e sistemeve që aleatët duhet t’i japin Ukrainës. Lloji i mbështetjes që i ofrojmë Ukrainës ka ndryshuar dhe evoluar me kalimin e kohës, dhe do të vazhdojë të ndryshojë dhe të evoluojë”, tha zoti Stoltenberg.

Edhe ministri gjerman i Mbrojtjes, shprehu rezerva për furnizimin me avionë luftarakë.

“Mendoj se të gjithë e kuptojnë se çështja e mbrojtjes ajrore dhe furnizimi me municione janë shumë më të rëndësishme për momentin sesa diskutimi për avionët luftarakë. Të gjithë e dinë se vetëm trajnimi për t’i përdorur ato zgjat disa muaj, pa përmendur nevojën e zhvillimit të aftësive për vendosjen e sistemeve të armëve”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara u kanë thënë jo avionëve luftarakë për Ukrainën. Por Mbretëria e Bashkuar po e peshon një mundësi të tillë. Dhe ministrja holandeze e Mbrojtjes, Kajsa Ollongren tha të martën se dërgimi i avionëve “duhet të jetë pjesë e konsideratës”.

“Sigurisht bëhet fjalë për një sistem kompleks armësh dhe ne duhet ta debatojmë këtë me partnerët tanë, me Shtetet e Bashkuara. Është diçka që do të marrë kohë. Dhe është më mirë që ky diskutim të bëhet pas dyerve të mbyllura për të parë se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur, cilat do të ishin pasojat.”

Megjithatë, aleatët dhe partnerët e NATO-s janë më të shqetësuar për nevojat e Kievit për sasi të mëdha municionesh pasi lufta po hyn në vitin e saj të dytë dhe ofensiva e re ruse është në fazat e para.

voa

Terapia gjenetike, një injeksion mund të rinovojë zemrën me 10 vjet

gjeniNjë grup studiuesish i kanë dhënë trupit një kopje të “gjenit të jetëgjatësisë” dhe zbuluan se ai mund të rigjenerojë enët e gjakut duke ndaluar procesin e plakjes së sistemit vaskular.

 

Zemra rreh 100,000 herë në ditë (rreth 70 rrahje në minutë), duke pompuar më shumë se 8,000 litra gjak që qarkullojnë në të gjithë trupin përmes 19,000 km të sistemit të qarkullimit të gjakut. Me kalimin e moshës, funksioni i tij fillon të bjerë duke i bërë më të vështira aktivitetet si vrapi ose tenisi. Megjithatë, disa njëqindvjeçarë, si ata që jetojnë në Okinawa, një grup ishujsh në Japoninë jugore dhe në zona të tjera blu të planetit, jetojnë gjatë dhe shëndetshëm pa pasur ndryshime strukturore dhe funksionale të aktivitetit kardiak të lidhura me plakjen. Arsyeja? Ata kanë një variant të gjenit BPIFB4 (i quajtur ‘gjeni i jetëgjatësisë’) i cili mbron nga dëmtimet kardiovaskulare dhe e mban zemrën në gjendje të mirë për një periudhë më të gjatë kohore.

Zbulimi i pabesueshëm u bë në vitin 2015 nga një studim shumëqendror, i botuar në revistën Circulation Research, i cili përfshinte IRCCS MultiMedica, IRCCS NeuroMed të Pozzilli (IS) dhe Institutin e Teknologjive Biomjekësore të CNR të Segrate. Të intriguar nga rasti i individëve jetëgjatë, studiuesit nga Universiteti i Bristolit dhe grupi MultiMedica (në Itali) studiuan mekanizmat gjenetikë që i lejojnë këta njerëz të jashtëzakonshëm të shmangin komplikimet kardiovaskulare deri në vitet e fundit të jetës së tyre dhe zbuluan se duke siguruar të gjitha trupi një kopje e shëndetshme e ‘gjenit të jetëgjatësisë’ (terapi gjenetike), është e mundur të ndalet procesi i plakjes të cilit i nënshtrohet funksioni vaskular me kalimin e moshës. Jo vetëm kaq, shkencëtarët kanë parë gjithashtu se ky trajtim është në gjendje të rinovojë zemrën deri në 10 vjet. Rezultatet e zbulimit u publikuan në Cardiovascular Research.

Gjeni i jetëgjatësisë

Sa shpejt përkeqësohen zemra dhe enët e saj më të afërta të gjakut me rritjen e moshës, varet nga shumë faktorë, duke përfshirë stilin e jetesës, aktivitetin fizik, duhanin, konsumimin e alkoolit dhe praninë e patologjive. Megjithatë, mutacionet gjenetike luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm siç tregoi studimi i vitit 2015. Në ADN-në e njëqindvjeçarëve, studiuesit gjetën një variant të një gjeni (LAV-BPIFB4, variant i lidhur me jetëgjatësinë), i cili çon në rritjen e prodhimit të proteinës BPIFB4, e cila i jep elasticitet enëve të gjakut, duke ngadalësuar dhe përmbysur procesin natyral të plakjes së qelizave endoteliale (ato rreshtojnë pjesën e brendshme të mureve të zemrës, enëve të gjakut dhe enëve limfatike).

Ky ‘gjen jetëgjatësie’ mbron enët, duke aktivizuar një sërë funksionesh, në veçanti enzimën eNOS, përgjegjës për prodhimin e oksidit nitrik, i cili është i rëndësishëm për mbajtjen e enëve të zgjeruara dhe nxitjen e qarkullimit. Një eliksir i vërtetë i jetës, i aftë për të “rinovuar” enët e gjakut dhe për të reduktuar incidencën e patologjive të ndryshme që lidhen me një ndryshim të funksionit vaskular, si sulmi në zemër, goditje në tru dhe hipertension, por edhe sëmundje metabolike dhe neurologjike. Ky zbulim i shtyu studiuesit të hetojnë më nga afër efektet fiziologjike të variantit të gjenit.

Studimi mbi qelizat e zemrës së njeriut

Përveç testeve në minj, ekipi studiues italian kreu gjithashtu një studim me epruvetë me qelizat e zemrës njerëzore. Në veçanti, studiuesit e Grupit MultiMedica të Milanos, të udhëhequr nga prof. Annibale Puca, administroi gjenin në qelizat e zemrës në laboratorin e pacientëve të moshuar me probleme të rënda të zemrës, duke përfshirë disa që më parë i ishin nënshtruar transplanteve të zemrës, dhe më pas e krahasoi funksionin e tyre me atë të individëve të shëndetshëm. Rezultatet sugjeruan se LAV-BPIFF4 luan një rol të rëndësishëm në mirëmbajtjen e qelizave pericitike, të cilat janë kritike për ndërtimin e enëve të reja të gjakut dhe mbajtjen e tyre në gjendje të mirë, duke mbajtur kështu zemrën të funksionojë më gjatë.

“Qelizat e pacientëve të moshuar, veçanërisht ato që mbështesin ndërtimin e enëve të reja të gjakut, të quajtura ‘pericite’, janë gjetur të jenë më pak performuese dhe më të vjetra – tha Monica Cattaneo, studiuese e MultiMedica Group dhe autorja e parë e punës. – Duke shtuar në epruvetë gjenin/proteinën e jetëgjatësisë, vëzhguam një proces përtëritjeje kardiake: qelizat kardiake të pacientëve të moshuar me insuficiencë kardiake filluan sërish të funksionojnë siç duhet, duke u treguar më efikase në ndërtimin e enëve të reja të gjakut”.

Top Channel

Kryeministri i Bavarisë: Hapim për Shqipërinë dyert e ekonomisë bavareze

Markus Söder Edi RamaKryeministri i Landit Federal të Bavarisë, Markus Söder, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Nënshkruhet një Deklaratë e Përbashkët për bashkëpunim në disa fusha.

 

 

Në konferencën e përbashkët për shtyp (13.02.2023) mes kryeministrit të landit federal të Bavarisë, Markus Söder dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, u bë e ditur se ata nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët për bashkëpunim në ekonomi, drejtësi, teknologji dhe ngritjen e një komisioni të përbashkët qeveritar në të dyja vendet për këtë qëllim.

Kryeministri bavarez Söder foli në Tiranë për forcim të marrëdhënieve të miqësisë dhe fqinjësisë me vendet e Europës Jug-Lindore dhe solli shpresa për përshpejtim të procesit të hyrjes në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, (BP ) mes tyre edhe Shqipëria.

“Kemi ndjesinë që në Europë ka boshte të tjera, shumë pak shihet drejt Europës Juglindore, drejt fqinjëve të drejtpërdrejtë, në mënyrë që të përforcohen ndjenjat e miqësisë dhe të fqinjësisë. Europa do të jetë e fortë vetëm nëse këto marrëdhënie përforcohen. Duhet ta bashkojmë sa më fortë të jetë e mundur Europën tonë. Ky bashkim është shumë i rëndësishëm edhe për Ballkanin Perëndimor”, tha në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri i Landit Federal të Bavarisë, Markus Söder duke lënë të kuptohet aspiratën e vendeve të BP për të hyrë në BE.

Ai solli në vëmendje lidhjen historike të Bavarisë me Shqipërinë që prej vizitës së parë misterioze në 1984 në kohën e diktaturës komuniste, të kryeministrit të atëhershëm bavarez, Franz Jozef Strauss, kryetar i Unionit Kristian-Social të Gjermanisë që hapi rrugën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë së atëhershme komuniste dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

“Ne  e shikojmë veten si hapës të dyerve, si fqinj, si ura lidhëse”, theksoi kryeministri bavarez Markus Söder.

Soder: Hapim dyert e ekonomisë bavareze për Shqipërinë

Me këto fjalë kryeministri bavarez, Markus Söder prezantoi qëllimin e vizitës së tij të planifikuar në Tiranë dhe lajmin për ngritjen e zyrës së zhvillimit të sipërmarrjeve bavarezë në Shqipëri. “Ekonomia dhe sipërmarrjet bavareze do të hapin në Shqipëri  një zyrë kontaktesh, që do të funksionojë në të dyja drejtimet, nga Bavaria në drejtim të Shqipërisë dhe anasjelltas. Do të kemi mbështetjen e investimeve nga Bavaria në Shqipëri dhe nga ana tjetër mbështetjen e kualifikimeve të fuqisë punëtore në Shqipëri. Njerëzit nga Shqipëria mund të vijnë dhe të punojnë në Bavari në profesione të ndryshme. Është një situatë përfitimi nga të dyja palët”, tha kryeministri Söder në Tiranë.

Kryeminisri i Shqipërisë, Rama e vlerësoi ngritjen e zyrës së sipërpërmendur si “një kthesë të rëndësishme, një nivel tjetër në marrëdhëniet shumë të mira mes Bavarisë dhe Shqipërisë, si një ekuilibër ku të dyja palët përfitojnë, si një marrveshje win-win.”

“Kjo zyrë do t’i shërbejë thithjes së më shumë investimeve nga Bavaria por edhe lidhjes, njohjes më të afërt të të gjithë mënyrës së zhvillimit të sipërmarrjes me përfitueshmëri për të dyja vendet”, tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp.

Kryeministri bavarezMarkus Söder foli për bashkëpunim në bujqësi, arsim, polici por edhe kulturë. “Ne e pranojmë ofertën e Shqipërisë për të ngritur këtu një shtëpi bavareze, me kulturë bavareze”, tha Söder

Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike për kryeministrin bavarez Söder

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, kryeministri bavarez, MarkusSöder u nderua me këtë medalje të lartë nga kryeministri Rama për “mbështetjen e veçantë të treguar ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor duke mos kursyer asnjë përpjekje për të konsoliduar proceset integruese, për kontributin dhe përkushtimin në forcimin e marrdhënieve ekonomike dhe tregtare mes Bavarisë dhe Shqipërisë.” Kryeministri Rama, në fjalën e mbajtur me rastin e dhënies së medaljes, e vlerësoi Franz Josef Strauss si një personalitet “legjendar, si babain e Bavarisë moderne”.

dw

Maqedonia e Veriut para riformësimit të qeverisë

Dimitar KovaçevskiKryeparlamentari Talat Xhaferi ka caktuar për sot (13.02) seancën për riformësimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut bazuar në planin e dorëzuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

 

Plani i kryeministrit Kovaçevski vjen si rezultat i arritjes së marrëveshjes nga LSDM-ja me Aleancën për Shqiptarët, për futjen e kësaj të fundit në qeveri. Partia Alternativa që ishte pjesë e koalicionit qeveritar ka njoftuar se do të dalë nga qeveria për të kaluar në opozitë. Kjo u bë e dituar nga kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i cili ka thënë se LSDM-ja e ka shkelur marrëveshjen me të cilën ata u bënë pjesë e qeverisë, sepse nuk ka implementuar as marrëveshjen politike dhe as atë për kuadrot.

 

“LSDM nuk e mbajti premtimin edhe pse Alternativa u bë pjesë e qeverisë kur shteti ishte në situatën më të rëndë. Me shumicën e re rrezikohet rëndë e ardhmja evropiane dhe ndryshimet kushtetuese, por në rast se ka një nismë për të ndryshuar Kushtetutën, Alternativa do të mbështesë ndryshimet”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

 

ASH rikthehet në Qeveri

Aleanca për Shqiptarët ka tetë deputetë dhe me përfshirjen në qeveri do t’i krijojë stabilitet qeverisë aktuale që përbëhet nga LSDM, BDI dhe disa parti më të vogla. Hyrja e ASH-së në qeveri ka shkaktuar më shumë pakënaqësi tek Alternativa pasi të gjitha ministritë që udhëhiqte ajo tani kanë kaluar tek Aleanca për Shqiptarët.

“Futja e Aleancës për Shqiptarët në qeveri është e bazuar në parimet e demokracisë së brendshme dhe të demokratizimit të shoqërisë, në një kohë kur Maqedonia e Veriut përballet me kriza të shumëfishta, që të gjitha përcaktuese për orientimin pro-perëndimor të vendit. Aleanca për Shqiptarët po merr përgjegjësinë si parti shtetëndërtuese”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

 

LSDM: Me shumicën e re parlamentare më shumë stabilitet politik

LSDM-ja përmes një kumtese ka njoftuar se me zgjerimin e qeverisë, përkatësisht me pjesëmarrjen e Aleancës për Shqiptarët në qeveri, kanë siguruar shumicën për reforma dhe stabilitet politik të vendit.

“Shumica parlamentare do të punojnë me përkushtim për integrim të përshpejtuar evropian”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

Krahas proklamimeve të shumta se shumica e re parlamentare do të ketë 72 deputetë sipas të gjitha gjasave me daljen e Alternativës në opozitë, shumica parlamentare do të numërojë 69 deputetë, numër ky që nuk mjafton për ndryshimet kushtetuese që janë kusht për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

 

VMRO: Përbërja e re qeveritare nuk do të sjellë as reforma, as përparim

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në takimin koordinues me grupin parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për Rindërtim të Maqedonisë, ku është diskutuar për rikonstruktimin e qeverisë ka konstatuar se zgjidhjet kadrovike për përbërjen e qeverisë janë rezultat i koalicionit “tregëti” ku interesi primar nuk është përparimi i shtetit, por interesat e biznesit dhe ambiciet personale të personelit.

“Vetë zgjidhjet që janë propozuar tregojnë se qeveria menaxhohet nga BDI dhe Ahmeti, ndërsa Kovaçevski është shërbëtor i interesave të tij. Derisa Ahmeti dhe BDI po shkrijnë dhe zhvlerësojnë opozitën shqiptare, Kovaçevski dhe LSDM-ja po paguajnë për planin e Ahmetit”,tha Hristijan Mickovski kryetar i VMRO-DPMNE-së. Sipas VMRO-DPMNE, kjo përbërje qeveritare nuk do të sjellë as reforma e as përparim, por krim, tenderë në hije dhe thellim të krizës.

Kundër përbërjes së re qeveritare janë shprehur edhe dy deputetët e BDI-së Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku si dhe deputeti i pavarur Kastriot Rexhepi.

“Nuk mund të pretendojmë që i bashkojmë shqiptarët në frontin evropian kur po e përçajmë vetë subjektin apo shtëpinë tonë, andaj është e qartë se është një aleancë për interesa, aleancë e pazareve dhe për të heshtur zërin ndryshe”, deklaroi Izet Mexhiti, deputet i BDI-së.

dw

 

Maqedoni, rritje e shpenzimeve të jetesës në janar për 17.1 përqind në nivel vjetor

cmimet-shporta-marketShpenzimet e jetesës në janar janë rritur për 17,1 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa çmimet me pakicë janë rritur për 13,3 për qind, njoftoi sot Enti Shtetëror i Statistikave.

 

Krahasuar me dhjetorin 2022, shpenzimet e jetesës janë rritur për 0,1 për qind dhe çmimet me pakicë janë ulur për 0,4 për qind.

Rritje të shpenzimeve të jetesës ka edhe te kafja, çaji, kakao, peshku dhe ushqimet e detit, fruta të freskëta dhe të ftohta, pijet alkoolike, mishi, buka dhe drithëra, produktet ushqimore, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsira.

Rritje është vërejtur edhe në grumbullimin e mbeturinave, gazetave, materialeve të zyrave, energjia elektrike, aparatet e mëdha elektroshtëpiake, riparimet e aparateve shtëpiake, enë gatimi, pajisje sportive, produkte të higjienës personale.

Ulje e shpenzimeve të jetesës në krahasim me dhjetorin vërehet te perimet e freskëta dhe të ftohta, përveç patateve dhe frutave të tjera me rrënjë, në vaj dhe verë, si dhe në transportin ajror të pasagjerëve, furnizimin me ujë, këpucët, karburantet, pajisjet e vogla elektrike për familjet.

telegrafi

Zbardhet skenari/ Protestuesit do mblidhen në sheshin Skëndërbej dhe te ‘Nënë Tereza’, më pas…

situata-perpara-PDZbardhet skenari se si do të organizohet protesta e sotme e opozitës. Gazetari Osman Stafa në një lidhje live për News24 se protestuesit do të ndahen në disa pika të kryeqytetit.

Mësohet se një pjesë tyre do të mblidhet në sheshin Skënderbej dhe një pjesë te Nënë Tereza.

Ndërkohë që pas daljes së kryedemokratit Sali Berisha nga selia e PD-së, ai do të marshojë drejt bulevardit bashke me demokratët, duke iu bashkangjitur turmës dhe më pas do të stacionohen para Kryeministrisë.

Protesta pritet të nisë në orën 12:00.

BalkanWeb