Ja pse flluskat e shampanjës ngjiten lart, në vijë të drejtë

shampanjaA e keni vënë re ndonjëherë që flluskat, në një gotë shampanje ngjiten lart, në vijë të drejtë? E njëjta gjë nuk ndodh me birrën, apo dhe pije të tjera të gazuara, ku flluskat shpërndahen në mënyrë të çrregullt. Eksperë nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, kanë tashmë një përgjigje për këtë. Studimi u publikua më 5 maj në revistën shkencore ‘Physical Review Fluids’, një botim i Shoqatës Amerikane të Fizikantëve.

 

 

 

Një gotë shampanjë është zgjedhja perfekte për çdo festë. Sikurse në ‘Searcys’ një lokal që ofron shampanjë në Londër. Por jo të gjithë mund t’i vënë re cilësitë e veçanta të këtyre pijeve të gazuara, cilësi të cilat kanë magjepsur shkencëtarët.

Ata prej kohësh ishin përpjekur të kuptonin se pse flluskat e shampanjës ngrihen lart në një vijë të drejtë, ndërsa ato të birrës, ose tek pije të tjera të gazuara, ngrihen në mënyrë të çrregullt. Dhe më në fund, ata kanë një përgjigje për këtë.

“Ka diçka brenda shampanjës, në vetë lëngun që ndikon në lëvizjen e flluskave. Pra, ajo që zbuluam është se ka këto molekula që ndodhen në sipërfaqen e flluskave dhe ato, në rastin e shampanjës qëllojnë të jenë edhe pjesa më e mirë e saj, pasi janë molekulat që prodhojnë shijen e saj”.

Siç shpjegon eksperti kryesor i këtij studimi profesor Roberto Zenit, jo të gjitha flluskat në pijet e gazuara, sillen në të njëjtën mënyrë.

Tek birra, flluskat shkojnë në të gjitha drejtimet.

“Birra sigurisht që ka një shije të ndryshme, përbërje të ndryshme dhe një origjinë krejt ndryshme nga vera e gazuar, kështu që në atë rast ato molekula, janë të një lloji tjetër, ato janë proteina që janë më të vogla të cilat ndonjëherë ngrihen në sipërfaqe, e ndonjëherë jo”.

Presioni që krijohet gjatë procesit të fermentimit lirohet menjëherë sapo hapet një shishe shampanje.

Por ka një arsye tjetër të rendësishme se pse lëvizja e flluskave në verën e gazuar, apo tek shampanja, ka përqendruar vëmendjen e shumë shkencëtarëve në mbarë botën. Zoti Zenit shpjegon se kjo po i ndihmon studiuesit të kuptojnë fizikën në botën natyrore, e si mund të zbatohet ajo për të ndihmuar shoqërinë njerëzore.

“Kjo është me rëndësi të madhe për të kuptuar shumë fenomene natyrore, si për shembull mënyrën se si ngrihen flluskat e metanit nga fundi i oqeanit”, thotë ai.

Por ndërsa janë përpjekur të kuptojnë shkencën pas flluskave, tek verërat e gazuara, shkencëtarët kanë shijuar edhe mostrat e përdorura për kërkimet e tyre në laborator.

“Po në fakt, disa nga eksperiment i bëmë me shampanjë e birrë, por vetëm disa gota për të treguar arsyen se pse flluskat ngjiten në këtë mënyrë në sipërfaqen e gotës”, thotë ai.

voa

 

Zgjerimi i BE-së: Qëndrimet për Serbinë dhe Kosovën

Zgjerimi i BEBE-ja do ta përshpejtojë procesin e anëtarësimit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Por ka pengesa të mëdha: reformat e ngadalta, armiqësitë e vjetra dhe BE-ja ngurruese.

 

Ministrat e Jashtëm të BE-së në takimin në Bruksel ftuan edhe gjashtë homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor për një drekë jozyrtare. Tema është e njëjta si gjithmonë: Si mund të përshpejtohen bisedimet e antarësimit, që zgjasin prej vitesh e me disa vende madje prej dekadash?

Dreka e së hënës (22.05) po ashtu u zhvillua nën këtë moto dhe ishte e rëndësishme për një vlerësim serioz të situatës veçanërisht në sfondin e samitit të BE-së me vendet kandidate për anëtarësim dhe fqinjët e tyre, që javën e ardhëshme në Moldavi. “Ndoshta ne duhet ta bëjmë edhe më shpesh këtë”, tha i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme Josep Borrell, por njëkohësish edhe duke tërhequr vëmendjen veçanërisht ndaj Serbisë dhe Kosovës.

 

Qendrimi pro-rus e përjashton anëtarësimin

 

Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Dacic, Borrell i theksoi, se marrëdhëniet e ngushta me Rusinë nuk përshtaten më me anëtarësimin në BE. Rusia, që zhvillon luftë kundër Ukrainës, do të përballet me sanksione më të ashpra nga BE-ja, që nuk do të pranohen nga Serbia. “Ju dëmtoni interesat tuaja kombëtare, por qëndrimi nuk është në përputhje me procesin e zgjerimit”, tërhoqi vëmendjen Josep Borrell. “Marrëdhëniet e ngushta me Rusinë nuk shkojnë më, e kjo nuk vlen vetëm për Serbinë.”

Me Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqeoninë e Veriut BE-ja po zhvillon bisedimet e anëtarësimit. Bosnjë-Hercegovina është kandidate për bisedime, por ende konsiderohet si jo e qëndrueshme. Kosova ende nuk është njohur as prej Serbisë dhe as prej pesë vendeve anëtare të BE-së, ndaj është vetëm një kandidate e mundshme për anëtarësim. Për disa prej jush do të ketë “vendime strategjike” të BE-së, deklaroi Josep Borrell, por jo për ata që pranojnë politikën ruse të agresionit.

 

Më në fund të bëhemi “miq dhe partnerë”

Konflikti mes Serbisë dhe Kosovës gjatë muajve të fundit është përshkallëzuar herë pas here dhe, sipas mendimit të Borrell, bllokon çdo përparim në bisedimet e anëtarësimit. Shtetet e BE-së nuk kanë dëshirë të pranojnë shtete, që nuk janë në gjendje të zgjidhin konfliktet mes tyre, thuhet nga diplomatët e BE-së në Bruksel.

Borrell tha se u ka thënë të dyja palëve, se shtetet që në të shkuarën kanë luftuar me njëri-tjetrin, mund të bëhen miq dhe partnerë. Bëhet fjalë për bashkèjetesën. Prandaj Prishtina dhe Beogradi duhet ta zbatojnë më në fund marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE.

 

Mësim nga Ukraina?

Në samitin javën e ardhëshme do të jenë të përfaqësuar edhe kandidatët e rinj për anëtarësim Ukraina dhe Republika e Moldavisë, që për shkak të luftës sulmuese ruse vitin e kaluar e morën në kohë rekord statusin e preferuar të vendit kandidat. Qeveritë në Kiev dhe në Kishinau shpresojnë, që gjatë vitit do të mund të fillojnë edhe bisedimet zyrtare për anëtarësim. Nëse arrihet kjo, atëherë Ukraina dhe Moldavia brenda 20 muajsh do të realizojnë atë që vendet e Ballkanit nuk e kanë arritur në 20 vjet, thonë diplomatët e BE-së në Bruksel.

Kjo mund të krijonte një lloj zilie apo qendrim konkurrues tek vendet në procesin e antarësimit. Komisioni i BE-së në raportin e progresit vlerëson përparimet e jashtëzakonshme që kanë arritur Ukraina dhe Moldavia në luftën kundër korrupsionit dhe reformat e shtetit ligjor. Në Ballkan duket se të gjitha kanë zgjatur shumë më tepër. “Ukraina po avancon, të tjerët duhet të ndjekin këtë shteg dhe të shfrytëzojnë shansin”, theksoi i ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme.

 

Kancelari gjerman Olaf Scholz në fjalën e tij përpara Parlamentit Europian në Strazburg në fillim të majit bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Nuk mund të pranohet që një proces i tillë të zgjasë 20 vjet. Kjo ka të bëjë edhe me besueshmërinë ndaj premtimeve të BE-së, sipas tij. Po ashtu kancelari theksoi, se BE vet duhet të reformohet për të qenë e aftë të përballojë zgjerimin.

Bernd Riegert

 

DASH: Takimi i Dodikut me Putinin, veprim shkurtpamës

Dodic PutinDepartamenti amerikan i Shtetit, duke komentuar takimin e presidentit të entitetit të Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe presidentit rus Vladimir Putin, deklaroi se “asnjë qeveri, në asnjë nivel, në këtë moment nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, ndërkohë që ai vend po kryen agresion kundër Ukrainës”.

 

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha për Zërin e Amerikës se vendimi i Dodikut për t’u takuar me Putinin, “në kohën kur Rusia shkel haptazi themelet dhe ligjet e rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i mëparshëm i Dodikut për të dekoruar Putinin, janë lëvizje shkurtpamëse që nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Republikës Sërpska”.

“Rruga që të çon drejt një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe të sigurt, të cilën e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, kalon përmes Brukselit, jo përmes Moskës. Prandaj, ne e konsiderojmë rrugën e Dodikut kundërproduktive dhe mbi të gjitha të dëmshme”, tha zëdhënësi i Departamenti i Shtetit.

 

Dodik tha në Moskë të martën se Republika Sërpska vazhdon të mbetet pro-ruse, antiperëndimore dhe antiamerikane.

Përderisa agresioni rus kundër Ukrainës po vazhdon, Dodik gjatë takimit me Putinin theksoi se Republika Sërpska u është ekspozuar presioneve të shumta të Perëndimit për shkak të mbështetjes së saj për Rusinë.

“Ne nuk kemi lejuar që të merret një vendim zyrtar sa i përket sanksioneve kundër Federatës Ruse dhe për shkak të kësaj ne u jemi ekspozuar formave të ndryshme të presionit nga partnerët tanë perëndimorë, në formë të sanksioneve dhe suspendimeve nga projekte dhe programe të caktuara. Por, ne kemi zgjedhur që të mos jemi pjesë e histerisë që po krijohet”, tha Dodik.

Pas takimit me Putinin, Dodik i quajti “armiqësore” vendet që vendosin sanksione ndaj Rusisë. Së bashku me akuzat dhe retorikën e ashpër ndaj Ambasadës amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë, ai e quajti ambasadorin Michael Murphy “antiserb”.

Dodik pohoi se qëllimi i ambasadorit amerikan është “të shkatërrojë Republikën Sërpska deri në fund të mandatit të tij”, ndërsa ambasadori Murphy ka thënë qartë se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk kanë dashur ta shfuqizojnë Republikën Sërpska, por korrupsionin.

Murphy paralajmëroi më parë se Dodiku, me paturpësi, po sulmon gjithnjë e më shumë stabilitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës me retorikë nacionaliste.

rel

Rrethi çiklistik i Shqipërisë/ Nis etapa e tretë Elbasan-Vlorë me gjatësi 143 km

ciklizemEtapa e tretë e rrethit çiklistik të Shqipërisë ka nisur këtë mesditë nga Elbasani.

 

Kjo fazë përfshin aksin rrugor Elbasan-Vlorë, me një gjatësi prej 143 km.

Një ditë më parë, u zhvillua etapa e dytë, ku fitoi greku Jorgos Butopulos. Ai e kaloi finishin i pari në itirerarin 153 kilometra Tiranë – Lushnje – Elbasan e zhvilluar të martën.

 

 

Renditjen e përgjithshme e kryeson britaniku Maksimilian Stendman. Ky aktivitet do të zgjasë deri të premten dhe në total çiklistët do të përshkojnë më shumë se 750 kilometra rrugë.

Top Channel

 

Përhapja e kolerës shkakton viktima të tjera në Afrikën e Jugut

Kolera në Malavi (Arkivë)Afrika e Jugut raportoi në muajin shkurt viktimat e para nga kolera, pas përhapjes së virusit nga shteti Malavi. Nuk është e qartë se sa raste ka shënuar ai vend, por provinca më e populluar ku ndodhen qytet Johanesburg dhe Pretorja, është zona e goditur më rëndë.

 

Kolera përhapet kryesisht nga ushqimi ose uji që përmban virusin dhe mund të shkaktojë viktima brenda disa orësh nëse nuk trajtohet.

Shpërthimi i fundit në Afrikën e Jugut ishte ndërmjet viteve 2008-2009 dhe u raportuan rreth 12,000 raste pas përhapjes së virusit nga shteti Zimbabve, në kufi me Afrikën e Jugut.

voa

Vendet në Tranzicion: Shqipëria, Kosova përmirësim i lehtë, por problemet thelbësore vazhdojnë

Vendet në TranzicionOrganizata Freedom House thotë se ndikimi i luftës në Ukrainë, si pasojë e agresionit rus, u ndje gjatë vitit të kaluar në 29 vendet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore që analizohen në raportin e saj “Vendet në Tranzicion”.

 

Në raportin e këtij viti titulluar “Lufta thellon ndasitë rajonale” që analizon zhvillimet e vitit 2022 dhe që u bë publik të mërkurën, thuhet se në vend që t’i forconin lidhjet në rajon,”kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta”.

“Megjithëse disa vende bënë zgjedhje të qarta në favor të një të ardhmeje më demokratike gjatë vitit 2022, rezultati i përgjithshëm ishte një vit i 19-të me radhë të rënies së demokracisë në rajon”, thuhet në raport.

 

Gjendja e demokracisë në Shqipëri

Edhe në vitin 2022, Shqipëria ishte në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënoi një përparim të lehtë në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, falë një rritjeje të vlerësimit në luftën kundër korrupsionit.

“Vlerësimi për luftën kundër korrupsionit u rrit nga 2.75 në 3.00 pikë, falë një sërë aktakuzash dhe dënimesh të profilit të lartë të ish-zyrtarëve nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe rolit të saj proaktiv në nxitje e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport.

Kjo bëri që vlerësimi i përgjithshëm të rritet nga 3.75 në 3.79, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti.

Megjithatë treguesit e tjerë të demokracisë mbetën të pandryshuar dhe raporti thotë se institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar.

“Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Megjithëse agjencitë e reja ligjzbatuese si SPAK, krijuar në vitin 2019, tregojnë shenja premtuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”, thuhet në kapitullin për Shqipërisë të raportit “Vendet në Tranzicion 2023”, që e ka siguruar Zëri i Amerikës.

“Drejtësia bazë për shumë qytetarë shqiptarë vërtet mungon. Dhe është gjithashtu një mjedis, ashtu si pjesa më e madhe e rajonit, ku mediat e pavarura po tkurren, aktorët e shoqërisë civile janë në pozitë të vështirë, duke shtuar gjithnjë e më shumë pengesat dhe kërcënimet”, i thotë Zërit të Amerikës, Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit.

Megjithë përmirësimin modest në treguesin e korrupsionit, raporti thotë se pati pak mundësi për reforma të mëtejshme para zgjedhjeve lokale të 14 majit këtë vit.

Zonja Karppi thotë për Zërin e Amerikës, se edhe zgjedhjet lokale të 14 majit përforcuan këtë prirje.

“Mendoj se zgjedhjet lokale që sapo u mbajtën në maj ishin një shembull tjetër që fatkeqësisht, për shkak të rrjeteve të kapjes së shtetit nga parti të caktuara, të bëjnë mendosh se do të shohim të njëjtën gjë. Mendoj se status quo-ja politike ka të ngjarë të vazhdojë”, thotë ajo.

Në kapitullin për Shqipërinë, thuhet se në vitin 2022, demokracia e Shqipërisë u rezistoi sfidave të shumta, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të posaçme vendore të marsit, si dhe riorganizimeve të brendshme të partive politike dhe bashkëpunimit ndërpartiak për zgjedhjen e Presidentit Bajram Begaj.

“Megjithatë, vendi bëri pak përparim të qëndrueshëm drejt shndërrimit në një demokraci liberale të vërtetë dhe ende klasifikohet si një demokraci hibride. Shumica e udhëheqësve politikë shqiptarë mbetën armiqësorë ndaj vlerave liberale demokratike dhe kanë treguar pak vlerësim për faktin se barazia nën ligj dhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë vlera të rëndësishme demokratike”, thuhet në raport.

Sipas vlerësimi të Freedom House “shumica e partive politike mbizotërohen nga udhëheqës me grusht të hekurt dhe kjo mungesë e demokracisë së brendshme partiake u demonstrua në mënyrën se si u përzgjodhën kandidatët për zgjedhjet e posaçme lokale, drejtuesit e degëve të partive lokale dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të majit 2023 (raporti përfshin vetëm zhvillimet e vitit 2022).

Sipas raportit, përplasjet politike në Partinë Demokratike (PD) që panë një rikthim të ish-kryeministrit Sali Berisha në skenën politike dhe largimin nga drejtimi i PD-së të Lulzim Bashës pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit ku në pesë nga gjashtë garat fitoi Partia Socialiste (PS) në pushtet e kryeministrit Edi Rama, mbizotëruan skenën politike të Shqipërisë në vitin 2022 dhe çarjet e mëdha mes fraksioneve partiake përkatëse vazhdojnë.

“Debati publik dhe media u përqendruan më shumë në dinamikën e brendshme të PD-së sesa në problemet sociale dhe ekonomike me të cilat përballet vendi dhe nevojën për të kërkuar llogari nga qeveria e kryeministrit Rama”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë.

Gjatë vitit 2022, një numër gazetarësh të politikës u ndeshën me abuzime verbale, ndalim pjesëmarrjeje në konferencat për shtyp, frikësime, gjoba të mëdha dhe madje edhe padi, thotë raporti.

Në raport vlerësohet fakti që Bashkimi Evropian hapi bisedimet e pranimit me Shqipërinë në korrik 2022, të cilësuara nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen si një “moment historik” dhe Shqipëria organizoi në dhjetor për herë të parë jashtë BE-së, takimin e nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.

“Të dyja rastet përfaqësojnë suksese të rëndësishme të politikës së jashtme për Shqipërinë. Megjithatë, pavarësisht përparimit të bërë që nga rënia e komunizmit – përfshirë dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë për abuzim me pushtetin dhe korrupsion në vitin 2022, falë angazhimit të SPAK-ut, shumë institucione publike mbeten jofunksionale për shkak të korrupsionit të përhapur dhe kulturës së mosndëshkimit, duke minuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, thuhet në kapitullin për Shqipërinë të siguruar nga Zëri i Amerikës.

Sipas raportit, megjithëse Shqipëria në përgjithësi respekton instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, vendi ende nuk arrin të mbrojë të drejtat themelore si vlera thelbësore që mbështesin një shoqëri liberale demokratike, duke përmendur studimin e BIRN-it, sipas së cilit “rreth 320 raste të abuzimit seksual ndodhën në periudhën 2020-2022 dhe identitetet, familjet, informacionet personale dhe adresat e shtëpive të viktimave u publikuan gjerësisht në media” duke çuar në disa vetëvrasje dhe vënie në shënjestër nga trafikantët e qenieve njerëzore.

Raporti përmend gjithashtu vrasjen e 10 grave nga partnerët e tyre dhe diskriminimin e individëve të komunitetit LGBT+, pakicave rome dhe egjiptiane.

“Në vend që të mbajnë përgjegjës abuzuesit, autoritetet publike dhe politikanët lokalë shpesh fajësojnë viktimat dhe madje zbulojnë emrat dhe identitetin e tyre në media, duke çuar në viktimizimin e tyre të dyfishtë. Si e tillë, Shqipëria deri më tani ka neglizhuar përgjegjësitë e saj institucionale për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut dhe liritë civile, vlera që janë themelore për një demokraci liberale të vërtetë”, thuhet në raport.

 

Qeverisja Kombëtare Demokratike dhe Procesi Zgjedhor

Duke pasur parasysh zgjedhjet dhe dinamikën brenda partive kryesore politike, përfshirë kthimin e zotit Berisha, mbarimin e mandatit të ish-presidentit Ilir Meta dhe kthimin e tij në politikë aktive, si edhe zgjedhjet në Partinë Socialiste, raporti vë në dukje rolin e udhëheqësve.

“Vëzhguesit pohojnë se këto zgjedhje të brendshme në tre partitë kryesore politike të Shqipërisë (PD, PL dhe PS) ishin të paracaktuara dhe të ndikuara shumë nga udhëheqësit e partive, në vend që të ishin rezultat i një konkurrence të vërtetë të brendshme partiake. Kjo nxjerr në pah demokracinë e kufizuar të brendshme partiake të Shqipërisë, ku udhëheqësit e partive ruajnë me grusht të hekurt kontrollin, me sundim autokratik”, thuhet në raport..

Përsa i takon zgjedhjes së Presidentit Bajram Begaj, raporti vë në dukje se megjithëse fillimisht u duk se pati përpjekje për një president konsensual, përfundisht “pavarësisht se (ai) u konsiderua si një kandidat apolitik, PS në pushtet e zgjodhi Begajn”, me votat e saj.

“Duke qenë se BE-ja i ka kërkuar Shqipërisë të tregojë më shumë përkushtim ndaj bashkëpunimit ndërpartiak, ekspertët argumentuan se të dyja palët humbën një mundësi për të demonstruar bashkëpunim në zgjedhjen e një kandidati të përbashkët për president”, thuhet në raport.

Kryeministri Rama bëri riorganizimin e kabinetit në korrik, duke zëvendësuar Arben Ahmetajn me Belinda Ballukun si zv.kryeministre. Shkarkimi i Ahmetajt ngjalli shqetësime në lidhje me procesin e qeverisë për dhënien e kontratave të prokurimit publik.

Duke folur për çështjen inceneratorëve, në raport thuhet se sipas vëzhguesve, nëse SPAK do të mund të provonte akuzat, ka të ngjarë të ekspozonte aktivitete korruptive të politikanëve të ndryshëm të lartë, përfshirë lidhjet me interesa të dyshimta dhe rrjete të krimit të organizuar.

Në raport thuhet se gara para që i parapriu zgjedhjes së Altin Dumanit si kryetar i ri i SPAK-ut, u karakterizua nga shqetësime për ndërhyrje të mundshme politike.

“Në prag të votimit, ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Yuri Kim shprehu shqetësimin për presionin politik në zgjedhjen e kreut të SPAK, të cilin qeveria shqiptare e hodhi poshtë”, thuhet në raport.

 

Korrupsioni dhe Pavarësia e Gjyqësorit

Falë aktivitetit të SPAK-ut, lufta kundër korrupsionit ishte i vetmi drejtim ku Shqipëria shënoi përmirësim të lehtë.

Në raport përmendet dënimi i ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri me tre vjet e gjysmë burg për shpërdorim detyre—çështja e profilit më të lartë që SPAK ka ndjekur me sukses që nga themelimi i tij në 2019.

Po ashtu përmendet arrestimi i deputetit të PS-së, Alqi Bllako, nën akuzën për marrjen e ryshfetit prej 120,000 € gjatë kohës që ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit.

Ai akuzohet nga SPAK se ka ndihmuar një kompani për të fituar një kontratë publike për inceneratorët. Bllako u lirua nga burgu në tetor dhe ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa SPAK heton tre kontrata për inceneratorët.

Raporti përmed edhe arrestimin e disa zyrtarë publikë me lidhje me këto çështje në vazhdim, të cilët tashmë janë objekt i hetimeve të SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Mes të arrestuarve është edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka.

“Inceneratorët e mbetjeve ishin tema kryesore e akuzave për korrupsion në Shqipëri gjatë vitit”, thuhet në raport ku përmendet se akuzat u ngritën fillimisht nga Endri Shabani, i Nismës #Thurje, dhe më pas nga deputetja Monika Kryemadhi, ish-kryetare e LSI-së, tani Partia e Lirisë, si edhe Partia Demokratike e cila hapi edhe hetimin parlamentar në mars të kryesuar nga anëtarja e Kuvendit Jorida Tabaku.

Hetimi shqyrtoi procesin ligjor me të cilin qeveria kishte dhënë kontrata për ndërtimin e tre inceneratorëve të mbetjeve në bashkitë Elbasan (2014), Fier (2016) dhe Tiranë (2017) – me një vlerë totale prej 178 milionë euro.

“Gjatë seancës dëgjimore, një zëdhënës i qeverisë pranoi në mënyrë indirekte disa parregullsi në kriteret e dhënies së kontratave, ku kompanitë që morën kontratat ishin të vetmet që bënë oferta”, thuhet në raport.

“Duke qenë se kontratat e prokurimit publik shtrihen deri në 30 vjet, llogaritet se këto parregullsi u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 50 milionë euro. Shuma e saktë e parave të keqpërdorura të taksapaguesve mund të mos dihet kurrë, duke e bërë këtë skandal prokurimi një nga çështjet më të diskutueshme politike në vend”, thuhet në raportin e Freedom House.

Përsa i takon drejtësisë dhe gjyqësorit raporti përmend shqetësimet për zvarritjen e procesit të vetingut, duke shtuar se nën presionin e BE-së dhe SHBA-së, Kuvendi ra dakord për të zgjatur procesin e verifikimit deri më 31 dhjetor 2024.

“Presioni nga shoqëria civile dhe ai politik mbi procesin e vetingut gjyqësor është rritur pasi vonesat në sistemin e drejtësisë kanë shkaktuar sfida ligjore, sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri. Qasja në drejtësi është përkeqësuar dhe sipas ekspertëve tani duhen më shumë se tre vjet e gjysmë për të filluar ose përfunduar procedurat për shkak të mungesës së gjyqtarëve”, thuhet në raport, i cili vazhdon se “që nga reforma e vitit 2017, sistemi gjyqësor nuk ka arritur të tërheqë rekrutë të rinj dhe është në prag të kolapsit”.

Lidhur me hartën e re gjysqësore, Freedom House thotë se ndërsa aktorët ndërkombëtarë që mbrojtën reformën gjyqësore në Shqipëri e vlerësuan hartën, ajo është kritikuar ashpër nga shoqata të shumta avokatësh dhe shoqëria civile, të cilat thonë se “ulja e numrit të gjykatave do të dëmtojë qasjen e qytetarëve në drejtësi dhe do të rrisë koston e procesit gjyqësor pasi disa qytetarëve do të duhet të udhëtojnë mbi 200 kilometra për të arritur në gjykatë”.

Në shenjë proteste ndaj hartës së re gjyqësore, Dhoma e Avokatisë Shqiptare udhëzoi anëtarët e saj të bojkotojnë të gjitha proceset gjyqësore në korrik 2022 dhe avokatët në të gjithë vendin kanë refuzuar të ofrojnë shërbime ligjore.

“Përkundër pretendimeve të qeverisë për rritjen e efektivitetit gjyqësor, vëzhguesit e shtetit ligjor argumentojnë se reformat i japin përparësi prakticiteti ndaj efektivitetit gjyqësor”, thuhet në raport.

Sipas Freedom House, të gjitha këto probleme “kanë krijuar mosbesim tek drejtësia”.

 

Gjendja e Medias dhe Shoqërisë Civile

Raporti shpreh shqetësimin për gjendjen e medias, duke përmendur presionin nga interesat politike për të frenuar mbikqyrjen nga media dhe manipuluar narrativën mediatike për t’u shërbyer agjendave partiake. Freedom House përmend rënien me disa pozicione të Shqipërisë në Indeksin e Gazetarëve pa Kufij.

“Shumica e mediave në Shqipëri zotërohen nga persona biznesi me lidhje të ngushta me politikanë dhe/ose rrjete të krimit të organizuar dhe shërbejnë si zëdhënëse për këto interesa”, thotë raporti.

Disa gazetarë u sulmuan verbalisht dhe/ose fizikisht për mbulimin e tyre. Sipas raportit, Drejtoria e Përgjithshme Shqiptare e Tatimeve vendosi gjoba të larta për rrjete dhe media të ndryshme televizive, si dhe kompanitë që i kanë ato në pronëseim për mbulim kritik ndaj qeverisë.

“Duke pasur parasysh natyrën e paqartë të pronësisë dhe financimit të medias në Shqipëri, është e vështirë të analizohen motivet e sakta prapa gjobave kaq të mëdha apo ndonjë lidhje të mundshme midis politikës dhe pronësisë së medias”, thuhet në raport.

Në raport përmendet padia për shpifje kundër gazetarit Isa Myzyraj, pasi ai raportoi për pasuri të pashpjegueshme të ish-prokurores Elizabeta Imeraj, dështimin e saj për të kaluar procesin e vetingut gjyqësor dhe shkarkimin e saj.

Elvis Hila u kërcënua për publikimin e lajmeve për dokumente të falsifikuara gjyqësore në Lezhë dhe ai dhe bashkëshortja e tij u sulmuan fizikisht një ditë pasi ai dha lajmin.

Unioni i Gazetarëve Shqiptar dhe Gazetarët pa Kufij konfirmuan se Myzyraj, Hila dhe gazetarë të tjerë kanë qenë në shënjestër të grupeve të krimit të organizuar, individëve të lidhur politikisht dhe oficerëve të korruptuar brenda sistemit të policisë dhe drejtësisë.

Organizata e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) vë në dukje se Shqipëria po dështon të mbrojë gazetarët dhe shtypin e lirë.

Sipas raportit në vitin 2022, emisionet televizive të formatit të opinionit u bënë mjet kryesor për dezinformimin e nxitur nga interesat politike dhe lidhjet e pronarëve dhe jo nga faktet — “siç shihet në pasqyrimin e luftës për pushtet Basha-Berisha, akuzat për korrupsion kundër zyrtarëve qeveritarë për shpërdorim në menaxhimin e kontratave publike, dhe rolin e krimit të organizuar në trafikimin e qenieve njerëzore dhe migrimin e shqiptarëve në Britani.

Një shembull që përmend raporti është ai pas raportit të zbulimit amerikan për paratë ruse, ku përfshihej edhe rasti i 500 mijë dollarëve të PD-së të lidhur me Rusinë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2017.

“Gazetarët pyetën ish-kreun e PD-së Lulzim Basha nëse ai do të jepte dorëheqjen dhe do të merrte përgjegjësin për akuzat për paratë ruse. Basha u përgjigj me komente përçmuese dhe më pas disa gazetarë u ndaluan nga konferencat e ardhshme për shtyp”, thuhet në raport.

Gjithashtu, disa gazetarë janë sulmuar verbalisht gjatë pasqyrimit të protestave dhe përplasjeve të dhunshme jashtë selisë së PD-së dhe përçarjeve mes Bashës dhe Berishës për kryesinë e partisë.

“Anëtarët e lartë të qeverisë ndaluan gjithashtu disa gazetarë nga konferencat e tyre për shtyp kur pyetjet e tyre u konsideruan tepër të forta, siç ndodhi në një rast me pyetjet për ministren e Jashtme Olta Xhaçka”, thuhet në raport.

Në përgjigje të kësaj shtypjeje të lirisë së shtypit, gazetarët protestuan jashtë zyrës së kryeministrit në korrik duke kërkuar trajtim më të mirë të gazetarëve nga politikanët në të gjithë spektrin politik.

Përsa i takon shoqërisë civile, në vitin 2022, lëvizjet qytetare në Shqipëri u bënë më të organizuara në mbështetje të çështjeve që organizatat tradicionale joqeveritare dhe të shoqërisë civile, zakonisht i kanë injoruar.

Këtu përmendet rasti i “Diasporës për një Shqipëri të Lirë” e cila ngriti një çështje kundër Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar njohjen e së drejtës së shqiptarëve që banojnë jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

“Në dhjetor, gjykata vendosi se parlamenti kishte shkelur kushtetutën duke mos lejuar shqiptarët që jetojnë jashtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe urdhëroi që diaspora të lejohet të votojë nga jashtë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në kapitullin e Shqipërisë që e ka lexuar shërbimi shqip i Zërit të Amerikës.

Po ashtu, thuhet në raport, studiuesi Fabian Zhilla organizoi një peticion me mbi 10,000 nënshkrime duke i kërkuar Kuvendit të rregullojë programet “reality show” dhe të urdhërojë Autoritetin e Mediave Audiovizive të përforcojë dhe zbatojë legjislacionin aktual për programet televizive që përhapin gjuhën e urrejtjes.

“Këto lëvizje tregojnë se anëtarët e shoqërisë civile po bëhen më të organizuar pasi publiku shqiptar bëhet më i vetëdijshëm se si të përdorë mjetet demokratike, pjesërisht për shkak të platformave të mediave sociale dhe përparimeve teknologjike”, thotë raporti.

Sipas raportit, një nga parakushtet kyçe të anëtarësimit në BE për Shqipërinë është që Organizatat Joqeveritare dhe ato të Shoqërisë Civile të përfshihen në konsultime kur të hartohen ligjet.

Megjithatë, sipas raportit, shqetësimet e tyre për hartën e re gjyqësore edhe kur Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor më në fund i përfshiu pas neglizhimit fillestar, u hodhën poshtë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ekspozuar vazhdimisht se si Kuvendi dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i sapo reformuar nuk kanë marrë parasysh propozimet e OJQ-ve dhe shoqërisë civile, apo shqetësimet e qytetarëve për qasje në drejtësi, përfshirë kostot e larta dhe sfidat logjistike që rezultojnë nga riorganizimet e gjykatave.

Sipas vëzhguesve, këto dështime janë një temë e përsëritur në Shqipëri.

 

Kosova dhe Procesi i Negociatave

Kosova shënoi një përmirësim të lehtë nga 3.25 vitin e kaluar në 3.29 këtë vit.

“Marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan të minojë përparimin demokratik në të dyja vendet, edhe pse në aspekte të ndryshme. Përpjekje të jashtëzakonshme nga shoqëria civile e Kosovës për të realizuar ndryshime pozitive të politikave mbi dhunën me bazë gjinore dhe ndarjet etnike u lanë nën hije gjatë vitit nga një rritje e dhunës në Veriun me shumicë serbe, ku ndikimi dhe veprimet e qeverisë serbe, vazhdojnë të cenojnë autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj”, thuhet në raport.

“Na ka bërë përshtypje të madhe roli që ka luajtur shoqëria civile në Kosovë gjatë vitit të fundit”, tha zonja Karppi, duke shtuar se ajo mund të luajë një rol aktiv edhe në zgjidhjen e situatës me Serbinë.

“Shohim se janë dy persona që e drejtojnë këtë proces: Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër. Mendoj se BE-ja mund të bëjë shumë më tepër që në drejtimin e këtyre negociatave të sjellë në procesin e negociatave të sjellë zërat e shoqërisë civile dhe perspektivën e qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht atyre në Veri”, thotë zonja Karppi.

Raporti përmend edhe mungesën e suksesit në negociatat mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, megjithë përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

 

Ballkani Perëndimor mes Shpresës dhe Zhgënjimit

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, joanëtare të BE-së ishin regjime hibride/demokraci në tranzicion dhe institucionet demokrative vazhduan të ishin të brishta në vitin 2022. Sipas raportit, në vendet e Ballkanit Perëndimor, zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve janë përjashtuar.

“Në gjithë Ballkanin Perëndimor, politika e përqendruar tek elitat dhe diplomacia, kanë përjashtuar zërat e shoqërisë civile dhe qytetarëve të thjeshtë, duke lejuar që udhëheqës anti-demokratikë dhe autoritarë kontrollojnë të ardhmen e vendit”, thuhet në raport.

Përmirësimet modeste në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ishin në barazpeshë me rëniet në Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa rezultati i Serbisë mbeti i pandryshuar.

Megjithëse rezultatet në raport e vendosin Shqipërinë pranë Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në aspektin e zhvillimit demokratik, sondazhet sugjerojnë se shqiptarët janë më shumë optimistë se anëtarësimi në BE, do të ofrojë jo vetëm mirëqenie ekonomike, por edhe përmirësim të standardeve demokratike.

Alexandra Karppi e organizatës Freedom House thotë se angazhimi i shtuar i BE-së dhe SHBA-së si në bisedimet Kosovë-Serbi, edhe më gjerë në rajon është është diçka pozitive.

“Megjithatë këto janë procese të drejtuara nga elita që mund të bëjnë më shumë për të pasqyruar perspektivën e qytetarëve dhe aktorëve joqeveritarë”, thotë ajo.

Qytetarët e vendeve kandidate të BE-së vazhduan të mbështesin në masën më të madhe anëtarësimin në bllok. Megjithatë ata dyshojnë se anëtarësimi do të vijë së shpejti.

Serbët janë një përjashtim i qartë, me skepticizmin më të lartë për të përfitimet nga anëtarësimi.

Sipas raportit, mungesa e shpresës ka kontribuuar në eksodin nga rajoni. Një e pesta e të lindurve në Ballkanin Perëndimor, janë larguar nga vendet e tyre.

Raporti sugjeron nevojën e një riangazhimi energjik nga BE-ja për integrimin dhe paralajmëron se braktisja nga Perëndimi hap rrugën për ndërhyrje dhe ndikim nga fuqitë autoritare.

“Kjo shihet nga përpjekjet e vazhdueshme të Moskës për të përhapur dezinformim dhe krijuar lidhje politike në rajon”, thuhet në raport.

Por Freedom House thekson se janë udhëheqësit e vendeve që duhet të sjellin përparimin demokratik për qytetarët e tyre.

voa

A janë amerikanët gati për më shumë dërgesa me dronë?

droneDronët përdoren shpesh në luftë, në fushën e zbatimit të ligjit dhe në bujqësi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, tani gjithnjë e më shumë biznese amerikane po i përdorin dronët për të dërguar ushqime në shtëpitë e klientëve.

 

Diçka e pazakontë po ndodh në një lagje në periferi të një qyteti në Virxhinian lindore.

Artikujt ushqimorë po i dërgohen familjes Baugh me dron.

“Kemi fëmijë binjakë dhe kjo është shumë e përshtatshme për ne. Nuk kemi nevojë të shpenzojmë kohën shtesë për t’i ngarkuar ato në makinë”.

Chad Baugh e bëri porosinë në internet, nga një dyqan i kompanisë Walmart afër shtëpisë së tij. Walmart është një nga kompanitë më të mëdha të shitjeve me pakicë në Amerikë, e cila bëri më shumë se gjashtë mijë dërgesa me dron për klientët e saj vitin e kaluar.

“Dronët janë vërtet të efektshëm, të shpejtë dhe të dobishëm për disa operacione. Ata janë gjithashtu shumë të qëndrueshëm”, thotë Phillip Wallace, drejtor i kompanisë Walmart për Çështje të Qeverisë Federale.

Kompania përdor një shërbim të quajtur “DroneUp” për pjesën më të madhe të porosive të saj.

Shërbimet e dërgesave me dronë janë veçanërisht të përshtatshme për njerëzit që jetojnë në zonat rurale, të moshuarit dhe ata që kanë vështirësi të lëvizin.

Droni qëndron rreth 25 metra mbi tokë, një gjë e mirë për mbrojtjen e privatësisë dhe reduktimin e nivelit të zhurmës.

Por sfidat kryesore janë rregullat e forta të Administratës Federale të Aviacionit.

“Unë mendoj se Administrata Federale e Aviacionit ka bërë shumë për të avancuar teknologjinë e dronëve, por nuk është në ritmin e duhur për të ardhmen”, thotë Anthony Vittone, shef i operacioneve të shërbimit “DroneUp”.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Administrata Federale e Aviacionit tha se në shtator, do të kërkojë që dronët të transmetojnë informacionin e identifikimit në distancë, një hap i madh drejt mundësimit të menaxhimit të trafikut të mjeteve fluturuese pa pilot.

“Integrimi i dronëve është një temë e rëndësishme në Administratën Federale të Aviacionit. Ajo po zhvillon diskutime për çështjet si integrimi i dronëve në sistemet ekzistuese të kontrollit të trafikut ajror”, thotë Miriam McNabb, redaktore e DroneLife, e cila publikon të rejat e fundit për çështjet që kanë të bëjnë me dronët.

Ky është një lajm i mirë për konsumatorët.

“Unë mendoj se industria e avionëve pa pilot në të ardhmen do të jetë vërtet e dobishme për të gjithë. Ndërsa më shumë kompani ofrojnë shërbime në internet, ju do të jeni në gjendje t’i dërgoni produktet në shtëpinë tuaj më shpejt dhe në një mënyrë më të sigurt”, thotë Chad Baugh, klient i kompanisë Walmart.

voa

“Kumbari i inteligjencës artificiale” largohet nga Google, paralajmëron për rreziqet nga teknologjia

Artificial intelligence pioneer Geoffrey HintonArtificial intelligence pioneer Geoffrey Hinton speaks at the Thomson Reuters Financial and Risk Summit in Toronto, December 4, 2017. (REUTERS/Mark Blinch)

 

Alarmimi për inteligjencën artificiale po ndjehet kudo në epokën pas programit ChatGPT dhe shprehet madje nga personalitete si industrialisti Elon Musk, Noam Chomsky dhe ish-burri i shtetit tashmë në moshën 99 vjeçare Henry Kissinger. Vëmendje të veçantë kanë marrë shqetësimet e ekspertëve nga komuniteti i shkencëtarëve për inteligjencën artificiale. Një nga pionerët e kësaj shkence, i mbiquajtur “Kumbari i Inteligjencës Artificiale”, Geoffrey Hinton, dha dorëheqjen nga kompania Google, në mënyrë që të mund të fliste më hapur për rreziqet e teknologjisë që ai ndihmoi për ta krijuar.

 

Gjatë një karriere prej dekadash, puna novatore e zotit Hinton për të mësuarin dhe për rrjetet e neuroneve, ndihmoi në ngritjen e themeleve të pjesës më të madhe të teknologjisë artificiale që shohim sot.

Gjatë muajve të fundit ka patur një vërshim prezantimesh të teknologjive të reja artificiale.

Kompania me seli në San Françisko, OpenAI, që krijoi programin ChatGPT dhe që mbështetet nga kompania Microsoft, paraqiti modelin më të fundit GPT-4 në muajin mars.

Kompani të mëdha të teknologjisë kanë investuar në mjete të tjera të tilla – siç është programi “Bard”, i kompanisë Google.

Disa nga rreziqet e programeve të inteligjencës artificiale janë “shumë të frikshëm”, i tha zoti Hinton BBC-së. “Për momentin, nuk janë më inteligjentë se ne, me sa mundem të kuptoj. Por, mendoj se së shpejti mund të jenë”, tha ai.

Në një intervistë me revistën Technology Review të Universitetit Teknologjik të Miçiganit, zoti Hinton përmendi edhe “aktorë të këqinj” që mund ta përdorin inteligjencën artificiale në mënyra që dëmtojnë rëndë shoqërinë, si p.sh. manipulimi i zgjedhjeve apo nxitja e dhunës.

75-vjeçari Hinton thotë se dha dorëheqjen nga kompania Google që të kishte kështu mundësinë për të folur më haptazi për rreziqet e mundshme, duke mos qenë më i punësuar nga kjo kompani gjigande e teknologjisë.

Që nga largimi i tij, zoti Hinton ka thënë se Google ka “vepruar në mënyrë shumë të përgjegjshme” me inteligjencën artificiale.

Ai tha se ka “edhe shumë gjëra të mira nga Google” për të cilat do të donte të fliste, por se këto komente do të ishin shumë më të besueshme nëse nuk do të punonte më atje.

Kompania Google konfirmoi se zoti Hinton u largua nga pozicioni i tij prej dhjetë vitesh si mbikëqyrës i ekipit kërkimor në Toronto të kësaj kompanie.

Në zemër të debatit për inteligjencën artificiale është pikëpyetja nëse rreziqet kryesore do të vijnë në të ardhmen, apo nëse ekzistojnë që tani.

Nga njëra anë ka skenarë hipotetikë për rrezikun ekzistencial të shkaktuar nga kompjutera që ia kalojnë inteligjencës njerëzore.

Nga ana tjetër ka shqetësime për teknologjinë e automatizuar që po përdoret tashmë nga bizneset dhe qeveritë, dhe që mund të shkaktojë dëme reale.

“Mund të imagjinoni një adoleshent që thjesht për qejf ulet të shkruajë një program për të sulmuar shërbime jetike qeveritare, një sulm kibernetik pra ndaj një shërbimi jetik të qeverisë. Kjo ndoshta nuk do të sjellë fundin e botës, por do të jetë jashtëzakonisht dëmtuese”, thotë Mike Wooldridge, nga Instituti “Alan Turing”.

Një numër shkencëtarësh kanë shprehur prej kohësh shqetësimin për anshmërinë racore, gjinore apo në forma të tjera të sistemeve të inteligjencës artificiale, përfshirë programet e dialogimit që trajnohen me sasi të mëdha tekstesh të shkruara nga njerëzit dhe që mund të shumëfishojnë kështu diskriminimin që ekziston tashmë në shoqëri.

“Janë më tepër të shqetësuar për mënyrat se si inteligjenca artificiale do të përdoret nga njerëzit. Është pra një mjet që mund të përdoret në mënyra të gabuara, në mënyra dëmtuese. Dhe mendoj se ky është një shqetësim real, por ideja se inteligjenca artificale apo robotët do të rebelohen dhe do të rrëzojnë njerëzimin, që shfaqet ndonjëherë në fantashkencë, përbën më pak shqetësim” , thotë Glyn Morgan nga Muzeu i Shkencave i Londrës.

Zoti Hinton ishte një ndër tre pionerët e inteligjencës artificiale që fituan në vitin 2019 Çmimin Turing, që është ekuivalenti i Çmimit Nobel në botën e teknologjisë.

Edhe dy fituesit e tjerë të këtij çmimi, Yoshua Bengio dhe Yann LeCun, kanë shprehur shqetësimet e tyre për të ardhmen e inteligjencës artificiale.

 

voa

Syzet interaktive ndihmojnë individët me probleme dëgjimi

Syzet interaktiveJosh dhe Michael Kingsley janë binjakë. Josh humbi dëgjimin në moshë të mitur.

Ai jeton me vëllain e tij Michael dhe familjen e tij. Josh thotë se një lloj i ri syzesh interaktive po e ndihmojnë për të komunikuar.

 

“Kur Josh vuri syzet për herë të parë dhe fjalët filluan të dalin në ekranin e tyre, shprehja në fytyrën e tij më la të kuptoja se kishim blerë pajisjen e duhur”, thotë vëllai i tij, Michael Kingsley.

Syzet nga kompania “XRAI Glass” i mundësojnë Josh-it që të lexojë në kohë reale bisedat që bëhen në prani të tij.

“Ishte fantastike kur i përdora syzet për herë të parë”.

Një aplikacion i ndërthurur në syze i dëgjon bisedat përreth përdoruesit dhe i konverton në tekst, që shfaqet në kohë reale në ekranin e syzeve ose në një program në telefonat inteligjentë. Kjo e ndihmon Josh-in gjatë takimeve.

“Syzet e ndihmojnë të lexojë bisedat. Kur ndodhet mes 50 apo 60 individëve, ai nuk e di se çfarë po ndodh dhe ata nuk mund t’i drejtohen atij me radhë. Por përdorimi i syzeve ose programit në telefonin inteligjent ka ndryshuar gjithçka që ai mund të bëjë”, thotë Michael Kinglsey.

Bashkëthemeluesi i kompanisë “XRAI Glass”, Paul Mealy thotë se ai u frymëzua nga puna e babait të tij, që ndihmonte njerëz me aftësi të kufizuara që të gjenin punë.

“Gjithmonë kam menduar se duhet të ekzistojë një mënyrë për shfrytëzuar teknologjinë apo kompjuterat për të ndihmuar në lehtësimin e aftësive njerëzore në të gjithë spektrin. Teknologjia mund të plotësojë aftësitë e munguara dhe të sjellë balancë”.

Zoti Mealy thotë se syzet nuk janë vetëm për individët që nuk dëgjojnë. Ai thotë se syzet mund të përdoren edhe për të përkthyer në kohë reale në disa gjuhë të huaja.

Syzet me realitet interaktiv mund të përdoren në mjedise të zhurmshme, si në restorante plot me njerëz apo për të parë një film, dëgjuar muzikë apo veprimtari të tjera.

 

voa

OBSH thotë se COVID-19 nuk është më emergjencë globale. Çfarë do të thotë kjo?

obshOrganizata Botërore e Shëndetësisë thotë se COVID-19 nuk është më një emergjencë globale, por koronavirusi do të vazhdojë të jetë i pranishëm.

Veprimi i së premtes nga agjencia e Kombeve të Bashkuara nuk do të thotë shumë për njerëzit e zakonshëm. Klasifikimi ka për qëllim të paralajmërojë vendet se ka një ngjarje “të jashtëzakonshme” që mund të përbëjë një kërcënim për shëndetin dhe kërkon një përgjigje të koordinuar. Zyrtarët shëndetësorë thonë se virusi nuk po largohet dhe këshillojnë njerëzit që të vaksinohen, duke përfshirë marrjen e dozave përforcuese nëse kualifikohen. OBSH-ja ka shpallur më parë emergjenca globale për shpërthimet e gripit të derrit, Zikës, Ebolës, poliomielitit dhe lisë së majmunëve. Vetëm poliomeliti dhe lija e majmunëve kanë mbetur.

Organizata Botërore e Shëndetësisë uli vlerësimin e saj për pandeminë e koronavirusit të premten, duke thënë se ajo nuk kualifikohet më si një emergjencë globale. Veprimi anulon një deklaratë që u bë për herë të parë më 30 janar 2020, kur sëmundja nuk ishte emërtuar as si COVID-19 dhe kur nuk kishte shpërthime të mëdha përtej Kinës.

Një vështrim i asaj se çfarë do të thotë vendimi i OBSH-së:

 

PSE PËRFUNDON EMERGJENCA GLOBALE SHËNDETËSORE?

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se pandemia ka qenë “në një tendencë rënieje për më shumë se një vit, me imunitetin e popullsisë në rritje nga vaksinimi dhe infeksioni.” Kjo, tha ai, ka lejuar shumicën e vendeve “të kthehen në jetën normale si përpara COVID-19”, që do të thotë se pjesa më e keqe e pandemisë ka përfunduar.

Zoti Tedros tha se gjatë vitit të kaluar, OBSH-ja dhe ekspertët e komisionit të saj të urgjencës kanë analizuar të dhënat e COVID-19 për të vendosur se kur do të ishte koha e duhur për të ulur nivelin e alarmit. Të enjten, ekspertët i rekomanduan zotit Tedros që COVID-19 të mos kualifikohet më si një emergjencë globale dhe shefi i OBSH-së tha se ai e pranoi atë këshillë.

 

CILAT JANË EFEKTET PRAKTIKE?

Për një person të zakonshëm, asgjë. Klasifikimi i një kërcënimi shëndetësor si një emergjencë globale ka për qëllim të paralajmërojë autoritetet se ka një ngjarje “të jashtëzakonshme” që mund të përbëjë një kërcënim shëndetësor për vendet e tjera dhe kërkon një përgjigje të koordinuar për ta frenuar atë. Deklaratat e emergjencës së OBSH-së zakonisht përdoren si një paralajmërim ndërkombëtar për vendet që kanë nevojë për ndihmë. Ato gjithashtu mund të nxisin vendet që të prezantojnë masa të veçanta për të luftuar sëmundjet ose për të dhënë fonde shtesë.

Shumë vende, përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe SHBA-në, kanë hequr prej kohësh shumë nga kufizimet e tyre të epokës së pandemisë. Shtetet e Bashkuara po i japin fund emergjencës kombëtare shëndetësore të enjten e ardhshme.

 

A ËSHTË ENDE PADIMI COVID-19?

Po. Megjithëse shefi i OBSH-së Tedros tha se emergjenca e koronavirusit kishte përfunduar, ai paralajmëroi se virusi do të vazhdojë të qëndrojë këtu dhe se mijëra njerëz vazhdojnë të vdesin çdo javë. “Mbetet rreziku i shfaqjes së varianteve të reja që shkaktojnë rritje të reja të rasteve dhe vdekjeve,” tha zoti Tedros. “Çfarë do të thotë ky lajm është se është koha që vendet të kalojnë nga mënyra e emergjencës në menaxhimin e COVID-19 krahas sëmundjeve të tjera infektive”.

Në prill, kishte rreth 3 milionë raste dhe më shumë se 17,000 vdekje të raportuara, duke përfshirë rritje në Azinë Juglindore dhe Lindjen e Mesme, vuri në dukje agjencia e Kombeve të Bashkuara.

 

PRA KUR DO TË PËRFUNDOJË PANDEMIA COVID-19?

Është e paqartë. Shefi i emergjencave të OBSH-së Dr. Michael Ryan tha se koronavirusi është ende një kërcënim për shëndetin publik dhe se evolucioni i tij i vazhdueshëm mund të shkaktojë ende probleme në të ardhmen. “U deshën dekada që virusi pandemik i vitit 1918 të zhdukej”, tha ai, duke iu referuar gripit spanjoll që mendohet se ka vrarë të paktën 40 milionë njerëz.

“Pandemitë përfundojnë me të vërtetë vetëm kur fillon pandemia tjetër,” tha ai. Dr. Ryan tha se ndërsa COVID-19 do të vazhdojë të përhapet mes njerëzve për një kohë shumë të gjatë, kjo po ndodh në një nivel shumë më të ulët kërcënimi që nuk kërkon masat e jashtëzakonshme të marra në përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit.

 

ÇFARË TJETËR ËSHTË SHPALLUR EMERGJENCË?

OBSH-ja ka shpallur më parë emergjenca globale për shpërthimet e gripit të derrit, Zikës, Ebolës, poliomielitit dhe lisë së majmunëve. Poliomeliti u shpall emergjencë globale gati nëntë vjet më parë. Statusi i tij i emergjencës ka vazhduar edhe ndërsa zyrtarët punojnë për të zhdukur sëmundjen nga një numër vendesh.

Korrikun e kaluar, shefi i OBSH-së Tedros deklaroi përhapjen shpërthyese të lisë së majmunëve në dhjetëra vende si një emergjencë globale, duke shpërndarë komisionin e emergjencës që ai kishte mbledhur për të vlerësuar situatën. Sëmundja arriti kulmin në Evropë dhe Amerikën e Veriut menjëherë pas kësaj, por teknikisht mbetet një emergjencë globale.

 

A NA DUHET TË MARRIM ENDE MASA PARALAJMËRUESE NDAJ COVID-19?

Po. Zyrtarët shëndetësorë thonë se virusi është ende mes nesh dhe këshillojnë njerëzit që të vaksinohen, duke përfshirë marrjen e dozave përforcuese nëse kualifikohen. Megjithëse shumë nga masat e vërejtura në kulmin e pandemisë – duke përfshirë maskat dhe distancimin social – nuk kërkohen përveçse në mjedise të caktuara, si spitalet ose shtëpitë e pleqve, zyrtarët thonë se njerëzit me kushte të tjera shëndetësore ose sisteme imunitare të komprometuara mund të duan ende të vazhdojnë. me disa nga masat paraprake.

Ndryshe nga vitet e para të COVID-19, nivelet e larta të imunizimit, si nga vaksinimi ashtu edhe infeksioni, kanë ndihmuar të reduktojnë në mënyrë dramatike përhapjen e sëmundjes.

Simon Clarke, një profesor i mikrobiologjisë në Universitetin Britanik Reading, paralajmëroi kundër heqjes dorë nga të gjitha masat mbrojtëse për COVID-19.

“Mesazhi për publikun duhet të jetë ende që të kujdeset dhe të mendojë për të tjerët. Nëse jeni të sëmurë me një infeksion të frymëmarrjes, si një kollë e keqe, mos i rrezikoni të tjerët, veçanërisht ata që janë të prekshëm, “tha ai. “Nëse kaloni një infeksion COVID, askush nuk do t’ju falënderojë. Nëse je i aftë dhe i ri, COVID-i mund të jetë akoma i keq dhe nëse je i moshuar dhe i dobët, mund të të vrasë.”

voa