Ndikimi i madh i propagandës ruse në Serbi

rusi serbiNdikimi i propagandës mediatike ruse në Serbi është i dukshëm në çdo hap, gjë që i shkon në favor Vuçiqit. Gjithmonë theksohet armiqësia me Perëndimin. 

 

Edhe më shumë se një vit e gjysmë pas fillimit të luftës në Ukrainë, qytetarët e Serbisë ende mendojnë se Rusia nuk është fajtore për fillimin e saj. Rreth 66 për qind e qytetarëve të Serbisë besojnë se Perëndimi është përgjegjës për luftën në Ukrainë, ndërsa vetëm 21 për qind e fajësojnë Rusinë dhe Putinin për luftën. Ndërkohë që vetëm pak më shumë se tre për qind e shohin si fajtore Ukrainën. Të tjerët “nuk e dinë”. Kështu thuhet në sondazhin e fundit  në Serbi me titull “Orientimi i Serbisë në Politikën e Jashtme” i publikuar në fillim të muajit prill nga organizata joqeveritare serbe “Rruga e Tretë e Re”.

Sipas këtij sondazhi, 47,5 për qind e të anketuarve besojnë se Rusia është partneri më i rëndësishëm politik i Serbisë. Vetëm 30 për qind thonë se ai është Bashkimi Evropian, ndërsa 19 për qind janë të bindur se është Kina.

Nga ana tjetër, më shumë se gjysma e popullsisë e sheh BE-në si një mbështetëse më të rëndësishme ekonomike për të ardhmen, ndërsa vetëm 21 për qind besojnë se mbështetja e tyre kryesore ekonomike vjen nga Rusia. Më në fund Kinën si mbështetësin kryesor e shohin 26 për qind e qytetarëve të Serbisë.

Të dhënat reale ekonomike tregojnë shumë qartë gjendjen faktike. BE-ja ka qenë lider në investimet e huaja direkte në Serbi për vite me radhë. Sipas të dhënave të Bankës Kombëtare të Serbisë, të disponueshme për gjashtë muajt e parë të vitit 2022, investimet nga vendet e Bashkimit Evropian përbënin një të tretën e totalit të investimeve në vend.

 

“Skizofrenia” e shoqërisë në Serbi

Bëhet fjalë për “skizofreninë” e një pjese të madhe të publikut në Serbi dhe në ato pjesë të Ballkanit Perëndimor ku jetojnë serbët, siç është, për shembull, Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë, thotë Thomas Brey, ish-drejtues i seksionit të Deutsche Presse Agentur (dpa) për Ballkanin dhe autor i studimit “Mediat ruse në Ballkan dhe roli i tyre në luftën agresive kundër Ukrainës”, të bërë për Fondacionin Friedrich Naumann.

“Kur diçka i prek ata personalisht, njerëzit në Serbi nuk kërkojnë punë në Rusi, dhe nuk shkojnë në Kinë për të studiuar, por në Perëndim. Ndërsa kur bëhet fjalë për politikën zyrtare, njerëzit janë të bindur se Rusia dhe Kina janë të mirat, e Perëndimi është negativ është kundër Serbisë dhe i do të keqen Serbisë”, shpjegon Brey në një intervistë për DW. Sipas Brey, media propagandistike ruse RT (ish-Russia Today) dhe Sputnik luajnë një rol kyç në përhapjen e asaj narrative për Serbinë si viktimë e ndonjë komploti perëndimor – që është identik me narrativën e politikës zyrtare ruse.

Ato kanë redaksi të pajisura mirë në Beograd dhe përhapin propagandë ruse çdo ditë, e kjo gjen një tokë pjellore në Serbi. “Ka një lidhje tradicionale mes Rusisë dhe Serbisë. Që nga koha e luftërave ballkanike, deri në luftërat e fundit jugosllave, Rusia u paraqit si vendi vëlla i Serbisë. Kjo, natyrisht, përfshin edhe pikat kulturore të kontaktit, si gjuha sllave apo feja ortodokse”, thotë Brey.

Ai vë në dukje se një nga fokuset kryesore të propagandës ruse është nxitja e tensioneve ndëretnike në Ballkan, duke nënvizuar gjithmonë se “Rusia qëndron pa rezerva në anën e Sebisë në çdo mosmarrëveshje, veçanërisht kur bëhet fjalë për Kosovën”.

 

Elita politike e mbështet konceptin rus

Por ndikimi i mediave ruse në Serbi do të kufizohej nëse nuk do të kishin mbështetjen e madhe të elitës politike në Serbi të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq. Ai e sheh Putinin dhe modelin e tij të menaxhimit të shtetit si një model të mirë, si një baba të kombit që lufton për të ruajtur vlerat tradicionale dhe është një pengesë për tendencat moderne, liberale si respekti për lëvizjen LGBT ose përpjekjet për të zbehur dhe shtypur roli i fesë në shoqëri që vijnë nga Perëndimi, thotë Brey. Pa mbështetjen e elitës politike, mediat në Serbi nuk do të mund të transmetonin dezinformata ruse.

E si duket në praktikë kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, Brey tregon në studimin e tij shembuj të shumtë nga mediat serbe. Titujt, si nga koha para luftës në Ukrainë ashtu edhe pas pushtimit rus, duken sikur janë nga ndonjë univers paralel dhe i shkruar drejtpërdrejt në Kremlin: “Fillon rendi i ri botëror – Putini mundi BE-në dhe NATO-n” (Srpski telegraf, 15.11.2016.); “Blickrig – Një uragan rus ka zbritur në Ukrainë: Putin arriti në Kiev brenda një dite” (Alo, 25/02/2022); “Goditja ruse si përgjigje ndaj kërcënimeve të NATO-s” (Veçernje Novosti, 25/02/2022); “Ukraina sulmoi Rusinë!” (Informer, 22.02.2022); “Fashistët po gjuajnë serbët – ndërsa Evropa hesht dhe shikon” (Informer, 16.01.2023 – tema: Kosovë); “Lufta e pistë e BE-së kundër Serbisë” (Informer, 7 tetor 2022); “Amerikanët dhe britanikët pranuan: Putini e fitoi luftën!” (Srpski Telegraf, 7.4.2022); “Putin: Rënia e hegjemonisë perëndimore është e pakthyeshme” (Peçat, 7 tetor 2022)

 

Një politikë e suksesshme e lëkundjes

Në të njëjtën kohë, Vuçiqi, i cili sipas Brey, ka kontroll të plotë mbi mediat më me ndikim në vend, zyrtarisht mbron një politikë miqësore ndaj BE-së. Ai thekson se Serbia është ende kandidate për anëtarësim në BE dhe po përpiqet të tërheqë sa më shumë investime evropiane në vend.

Brey e quan këtë si “politika e lëkundjes”, e cila e ka origjinën në bllokun e të painkuadruarve nga koha e Titos, e që u vazhdua në Serbi më vonë, për shembull, në kohën e presidentit Boris Tadiq. “Ky manovrim ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit është një mjet me të cilin Vuçiq dhe njerëzit përreth tij sigurojnë që të qëndrojnë në pushtet. Ai nuk e shpiku, por e përsosi këtë sistem. Duke zënë një pozicion mes këtyre dy blloqeve, Vuçiq po përpiqet të pozicionohet si një partner interesant për të dy. “Serbia është një vend i vogël, si për nga popullsia ashtu edhe për nga fuqia ekonomike. Por ka një rol shumë më të madh në skenën ndërkombëtare sesa do të kishte normalisht”, thotë Brey.

Vuçiq me politikën e tij është shumë i suksesshëm dhe nuk ka interes të ndryshojë asgjë. Çdo reformë serioze, çdo përpjekje për të shtypur korrupsionin do të kërcënonte pozitën e pushtetit të Vuçiqit. Prandaj, sipas Brey, nuk është realiste të pritet që vetë qeveria të mund të ndryshojë politikën aktuale.

Nga këndvështrimi i Perëndimit, Brey thekson në studimin e tij, konceptin e bashkëpunimit të pakushtëzuar me të ashtuquajturit “stabilokratë” në Ballkan, që vazhdon prej vitesh, është një gabim i rëndë. Përveç Vuçiqit në Serbi, të tillë për shembull kanë qenë edhe Milo Gjukanoviq në Mal të Zi, Bakir Izetbegoviq dhe Dragan Çoviq në B-H ose Nikola Gruevski në Maqedoninë e Veriut. Tolerimi i modeleve autokratike të qeverisjes nuk i afroi këto vende me Perëndimin, për sa i përket pranimit të vlerave themelore të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vullnetit për kompromis. Në vend të kësaj, ata kopjuan llojin e qeverisjes së krijuar nga Putini në Rusi. Futën kontrollin e mediave dhe gjyqësorit, gjithëfuqinë e shërbimeve sekrete dhe policisë, si dhe eliminimin e konkurrentëve politikë.

 

Po tani, çfarë duhet bërë?

Brey është i bindur se ndryshimi i kësaj narrative dominuese është i mundur vetëm duke rritur ndërgjegjësimin e të rinjve. Prandaj, ai angazhohet për krijimin dhe zgjerimin e një programi shkëmbimi mes të rinjve nga Serbia dhe bashkëmoshatarëve të tyre nga vendet perëndimore.

Përveç kësaj, është e nevojshme të diskutohen në mënyrë kritike tekstet shkollore, mbi të gjitha ato të historisë, për të kundërshtuar paraqitjen e njëanshme dhe të pavërtetë të ngjarjeve nga e kaluara dhe rrjedhimisht indoktrinimin e të rinjve.

Roli kryesor, megjithatë, i takon medias. Brey këtu mbron idenë e ndihmës në edukimin e gazetarëve të rinj dhe ofrimin e mbështetjes financiare dhe teknike për mediat e pavarura dhe kritike.

Së fundi, BE-ja ka edhe instrumente konkrete presioni ndaj autoriteteve në Serbi: “Duke qenë se BE-ja është deri tani investitori më i madh dhe partneri kryesor tregtar dhe financiar i Serbisë, duhet të krijohet një lidhje ndërmjet transferimit të madh të parave të BE-së dhe zbatimit të reformave të dakorduara tashmë në parim në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medias”.

Se si mund të funksionojë kjo, mund të shihet edhe brenda BE-së në shembullin e Polonisë dhe Hungarisë. “Ajo që është të paktën pjesërisht e mundur të arrihet për kërcënimeve me sanksione financiare me këta anëtarë të BE, do të duhej të funksiononte edhe më mirë kur bëhet fjalë për një vend kandidat, siç është Serbia”, është i bindur eksperti gjerman për çështjet ballkanike, Thomas Brey.

 

Zoran Arbutina / dw

Sonda indiane ulet në polin jugor të hënës

Sonda IndianeMë 23 gusht India u bë vendi i parë që uli një sondë robotike pa pilot në polin jugor të hënës. Ekspertët thonë se misioni shënon një moment historik në përpjekjet e Indisë për të dalë në vijën e parë të eksplorimit të hapësirës.

 

Ulja e sondës së Indisë në polin jugor të hënës u shoqërua me duartrokitje, vendi i parë që arrin në këtë rajon.

“Realizuam një ulje të butë në hënë. India është në hënë”, tha kreu i Organizatës Indiane të Kërkimeve Hapësinore, Sreedhara Somanath.

Mëngjesin pas zbritjes në hënë, një rover robotik doli nga sonda për të matur terrenin e thyer dhe të paeksploruar të polit jugor, gjatë dy javëve të ardhshme. Ky është objektivi tjetër kritik i misionit Chandrayaan-3.

“Këto eksperimente, këto instrumente do të realizojnë arritje të reja shkencore”, thotë Chaitanya Giri, shkencëtar i hapësirës në Universitetin Flame.

Ndërsa është rritur interesi për të eksploruar hënën, me synimin për të shfrytëzuar burimet natyrore, shkencëtarët po përpiqen të konfirmojnë praninë e ujit në hënë.

“Prania e ujit ose akullit në polin e jugut është premtuese. Nëse njerëzit do të shkonin ndonjëherë, ky akull do të shkrihej dhe më pas do të përdorej për oksigjen dhe ujë për përdorim nga njeriu dhe për të prodhuar lëndë djegëse për udhëtimin e kthimit”, thotë shkencëtari Amitabha Ghosh.

Misioni po shihet si dëshmi e përparimeve teknologjike të Indisë – vetëm Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina kanë zbritur në hënë. Kjo është hera e parë që një sondë ulet në polin jomikpritës të jugut. Katër vjet më parë misioni i Indisë dështoi. Një javë më parë Rusia dështoi gjithashtu.

“Asnjë nga sondat hapësinore nuk është ulur në polet e trupave të sistemit diellor. Nuk kemi zbritur në polin jugor apo verior të Marsit, Venusit apo Titanit. Pra ky është eksploruesi i parë polar i çdo lloji”, thotë Chaitanya Giri, shkencëtar i hapësirës në Universitetin Flame.

Arritja e një uljeje të butë është aftësi kyçe që mund të hapë rrugën për misione më ambicioze në të ardhmen.

“Krijon besim për të hartuar plane jo vetëm për të shkuar në hënë dhe Mars dhe ulur në planetin e kuq, por në të ardhmen për të shkuar në planetin Afërditë dhe planete të tjera”, thotë kreu i Organizatës Indiane të Kërkimeve Hapësinore Sreedhara Somanath.

Tashmë janë planifikuar disa misione. Muajin e ardhshëm do të nisë një mision për të studiuar diellin dhe një tjetër mision me njerëz në hapësirë. Shkencëtarët thonë se programi hapësinor i Indisë ka bërë përparime të rëndësishme në një hark kohor relativisht të shkurtër. India u bë vendi i parë aziatik që dërgoi një sondë në orbitën e Marsit një dekadë më parë. Ky është misioni i tretë i Indisë drejt hënës.

 

voa

Shqipëri, ish-muzeu i diktatorit shndërrohet në qendër për teknologjinë

PiramidaNjë muze i ndërtuar në fund të viteve 1980 në Tiranë për të nderuar diktatorin shqiptar Enver Hoxha po shndërrohet në një qendër trajnimi për teknologjinë dhe programet kompjuterike.

 

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ndërtesa qe njihet si Piramida, për shkak te formës që ka, u përdor mes tjerash edhe si qendër e një kanali televiziv dhe si zyrë e NATO-s gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

 

E stolisur dikur me foto dhe sende personale të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, struktura 21 metra e gjatë në formë piramideje në Tiranë, simbolizon regjimin izolues që udhëhoqi Shqipërinë deri në vitin 1990.

“Ishte një arkitekturë jo si të tjerat. Dilte nga totalitarizmi i asaj kohe dhe për këtë arsye përmbante vlera të tjera. Por, nga ana tjetër, duke qenë se funskioni fillestar ishte për një muze, kjo ishte arsyeja pse njerëzit donin ta shuanin shenjën e vetme që mbeti nga gjithë periudha e komunizmit”, thotë Ilda Qazimllari nga zyra për investime në Bashkinë e Tiranës.

E projektuar nga arkitektë, përfshirë vajzën e ish-diktatorit Hoxha, ndërtesa përfundoi në vitin 1988.

“Ai mu afrua dhe më tha: Leon, sot do bësh preventivin e fundit çfarë të duhet për materialet deri në fund të muzeut sepse arka e shtetit është bosh. Atëherë, unë e kuptova që ky muze do të ishte lopata e fundit e varrosjes së komunizmit. Dhe kështu qëlloi. Pas muzeut, ra monumenti dhe komnuzmi dha dorëheqje”, thotë Leon Cika, ish-fotograf i muzeut.

Kjo ndërtesë unike tërheq turistë të huaj, të cilët shfaqin interes per ndërtesat e stilit komunist në Tiranë.

“Në Tiranë kam parë shumë ndërtesa të vjetra komuniste, por edhe shumë ndërtesa të reja. Jam vërtetë e befasuar nga kjo. Më pëlqen ky qytet dhe do t’ua rrëfejë miqve përvojën time këtu”, thotë Grit Markert, një turiste nga Lajpcigu i Gjermanisë.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1990 dhe tranzicionit në demokraci, Piramida u përdor nga fëmijët si qendër argëtimi për shkak të mungesës së parqeve. Më vonë, ajo u shndërrua në një klub, u bë qendër e një kanali televiziv madje u perdor nga NATO-ja gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.

 

voa

“Për Himarën do presim gjyqin”, Rama mesazh Micotakisit: Miqtë flasin!

edi ramaKryeministri Edi Rama zhvilloi një intervistë të gjatë me gazetarin grek Pavlos Papadopoulos për prestigjozen “Kathimerini”, nga ku u prekën shumë çështje.

 

Fillimisht kryeministri i përgjigjet pyetjes nëse u ndje i fyer personalisht që Mitsotakis nuk e ftoi në Athinë në darkën joformale të së hënës së kaluar me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor?

“Të lidhësh këtë qëllim kaq të madh, të lidhësh një nismë kaq të rëndësishme me dërgimin e një mesazhi për mua, për Shqipërinë  Për çfarë? Çfarëdo rëndësie t’i japë pala greke kësaj çështjeje, që e dimë të gjithë se me çfarë ka të bëjë, nuk është kjo mënyra për të vepruar. Mendoj se, sidomos kur ndodhin gjëra të pakëndshme midis miqve, miqtë duhet të përballen me njëri-tjetrin, të flasin me njëri-tjetrin, të përpiqen të kuptojnë, ta nderojnë miqësinë duke qenë shumë të hapur e në të njëjtën kohë pa harruar asnjëherë se janë miq. Qirjakosi ishte një mik që e pëlqeja dhe e respektoja, e vazhdon të jetë një mik që e pëlqej dhe e respektoj. Shpresoj që kjo gjë do të ndreqet, por edhe nëse nuk ndodh, Qirjakosi do të mbetet gjithnjë një mik që e pëlqej dhe e respektoj”, shprehet Rama.

Natyrshëm në këtë intervistë gazetari i Kathimirini e pyeti kryeministrin e Shqipërisë se përse ai e ka sulmuar Fredi Belerin duke e quajtur analfabet, maskara, të pafytyrë. Gazetari grek e ka avancuar kërkim llogarinë ndaj Ramës kur e pyet se  a ishte ndërhyrja e tij  një thirrje për institucionet, për policinë dhe gjyqësorin, për ta veçuar, për ta vënë në shënjestër këtë kandidat?

“Arsyeja pse u tregova i ashpër me të ishte se ai bëri disa deklarata shumë, shumë të papranueshme, të tilla si “do të çonte përpara procesin e ndërprerë të helenizimit të Himarës”. Kjo është diçka që nuk mund të thuhet në Europë, në këtë Europë. Kjo vjen nga një e shkuar e errët dhe shumë e largët. Pastaj, sigurisht, edhe të tjera që nuk ishin realisht aspak të mira. Fliste sikur ishte atje për të çliruar Himarën, nuk e di prej kujt, po mund të flasim për këtë”, shprehet Rama.

Më tej për çështjen Beleri kryeministri Rama tha se dëshironte t’i bënte gazetarit grek një pyetje retorike.

“Nëse unë do të kisha dijeni që kishte një hetim të nisur nga denoncimi i dikujt dhe të angazhuar nga prokuroria, do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të ashpër? Po ta dija që ai do të arrestohej, do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të drejtpërdrejtë? Mendoj që, jo, sepse mund të mos jem njeriu më i mençur në botë, por nuk jam edhe më budallai në botë dhe ky do të ishte një budallallëk i madh. Arrestimin e tij e mora vesh kur policia ishte vënë në veprim dhe telefonova drejtorin e policisë e i thashë: “Çfarë është kjo?” Më tha: “Kemi një mandat arresti nga prokuroria dhe bazohet mbi prova bindëse për blerje votash”. I thashë: “Dëgjo, bëni mirë të jeni të sigurt për atë që po bëni, sepse kjo mund të marrë shumë për keq dhe duhet të mbështetet mbi prova bindëse. Megjithatë paçi fat”. Kjo nuk ishte diçka në të cilën isha i përfshirë, aksioni po zhvillohej tashmë”, thotë Rama.

Në këtë intervistë kryeministri Edi Rama shpalos këtë qasje për qëndrimet e forta të qeverisë greke pas arrestimit të Fredi Belerit.

“Nuk jam dakord që një vend i huaj, një qeveri e huaj të bëjë komente të thella rreth veprimeve të sistemit të drejtësisë së një vendi tjetër, edhe duke qenë vende mjaft mike. Sipas meje, kjo nuk është europiane! Do marrim vesh çdo gjë kur prokuroria e posaçme të paraqesë provat e plota në gjykatë dhe ende nuk kemi shkuar aty.

Ai u kap në flagrancë, pra u kap në veprim e sipër të blerjes së votave, sigurisht me rrjetin e tij të blerjes së votës.

Askund në legjislacionin shqiptar nuk ekziston kompetenca e qeverisë ose e kryeministrit të nxjerrë leje për një të ndaluar në paraburgim – në paraburgim (e theksoj) – që të dalë nga burgu. Kjo nuk ekziston.  Nuk ka diçka të tillë që dikush të marrë leje për të bërë betimin, ndërkohë që është në paraburgim për një krim në flagrancë dhe gjykata e ka refuzuar tashmë”, ka thënë më tej Rama.

Por a do të ketë zgjedhje të parakohshme për Himarën?

“Këtu, ndoshta, mund të siguroni një lajm. Nuk jam i sigurt nëse duhet. Instikti im apo reagimi im i parë është se, ndoshta, do të na duhet të presim procesin gjyqësor, derisa të provohet nëse ai është fajtor apo i pafajshëm. Sidoqoftë, ky nuk është opinion ligjor, është thjesht një mendim i imi për faktin se nuk kemi realisht asnjë precedent dhe pastaj, kjo do të hapte shteg për shumë interpretime. Më duhet të pres departamentin ligjor, por kjo mund të shkojë qoftë në një drejtim, qoftë në tjetrin”, përfundon Rama.

Top Channel

Rruga Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII me impakt të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në juglindje

Koridori 8Rruga Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII, për të cilën  aktualisht po punohet me ritme të shpejta në terren, është një nga projektet infrastrukturore premtuese me një dimension shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në zonën juglindore të vendit, si dhe lidhjes së vendit tonë me Maqedoninë, Greqinë dhe Bullgarinë.

 

Kjo rrugë së bashku me së bashku me aksin Durrës – Prishtinë – Nish do t’i japë përfundimisht Portit të Ri Tregtar të Durrësit rolin e shumëdëshiruar strategjik, si nyje lidhëse Lindje – Perëndim për lëvizjen e mallrave.

Kryeministri Edi Rama së bashku me Zv/kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ishte sot në terren për të inspektuar ecurinë e deritanishme të punës në rrugën që po ndërtohet, e cila fillon në dalje të qytetit të Elbasanit, në fshatin Labinot Fushë dhe përfundon në kilometrin 44, në afërsi të pikës doganore Qafë Thanë.

 “Jemi në lotin e parë të rrugës Elbasan- Qafë Thanë. Një vepër që do të zhvillohet në 8 lote ndërkohë që loti i parë dhe i dytë janë aktivë në këtë moment. Në vitin 2024 do vazhdojmë me hapjen e lotit te pestë dhe të gjashtë. Viti 2025 do jetë viti i lotit të 7 dhe të 8, duke qenë se ka të bëjë edhe me financimet si do të vazhdojmë. Është një pjesë e rëndësishme e korridorit të 8-të që nis nga fshati Labinot Fushë dhe vazhdon 44 kilometra ne një rrugë që siç e shikoni ju me të gjitha parametrat e autostradës moderne, kushteve të sigurisë edhe kategorisë së rrugës dhe vazhdon deri në afërsi të qafë Thanës”, shpjegoi Ministrja Balluku.

Projekti do të shtrihet në një gjurmë tërësisht të re buzë lumit Shkumbin, duke i dhënë zgjidhje edhe një problematike që lidhet me mungesën e ndërhyrjeve ndër vite të sistemimit të shtratit të lumit Shkumbin dhe duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së zonave përreth, të cilat do të lidhen me Qendrat Administrative dhe Qendrat Administrative kufitare, por edhe do të nxjerrë në pah fushëpamjen panoramike të zonës.

Deri tani janë realizuar 95% e veprave të artit si ura, tombino, bokse. Ka përfunduar mbrojtja lumore dhe janë në përfundim shtresat mbushëse të trupit të rrugës ku në total ka përfunduar 42% e punimeve.

tch

Shkup: Diplomaci ecejakesh për ndryshimet kushtetuese

ShkupZëvendës-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Escobar sërish viziton Maqedoninë e Veriut. Escobari në Shkup takon presidentin Pendarovski, kryeministrin Kovaçevski dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Mickoski.

 

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Escobari në Shkup takon presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Ardhja e Escobarit në Shkup vjen pas fillimit të procedurës parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht që vendi të mbajë mbledhjen e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian.

Diplomati i lartë amerikan ka deklaruar se SHBA-ja fuqimisht e përkrah procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe është e angazhuar që me qeverinë e re në Sofje të sigurojnë se nuk do të parashtrohen kërkesa të reja në rrugën evropiane të vendit. Ai vlerëson se me integrimin evropian të vendit, do të ulet ndikimi i aktorëve të dëmshëm në rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve të korruptuar lokalë. Escobar mbetet optimist se politikëbërësit në RMV do të veprojnë racionalisht dhe do të marrin hapa për një ardhmëri të sigurt të vendit.  “Ai shpreson për diskutime produktive dhe të përbashkëta me udhëheqësit e qeverisë , veçanërisht lidhur me integrimin e ardhshëm në BE dhe prosperitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet nga Departamenti i Shtetit.

 

VMRO-DPMNE nuk lëshon pe

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski para takimit me Escobar ka thënë, se qeveria tani po tenton ta prezantojë vizitën e Escobarit, si një buldozer diplomatik që është thirrur këtu për të ushtruar presion. Askush nuk bën presione në shekullin e 21-të, po edhe sikur të bëjnë, kanë zgjedhur bashkëbiseduesit e gabuar, vlerëson Mickovski.

“E vlerësoj vizitën e Escobar si çdo vizitë tjetër. Në periudhën e kaluar kemi pasur shumë vizita nga përfaqësues të lartë të huaj. Ne do t’i dëgjojmë argumentet e tyre dhe do t’u themi argumentet tona”, është shprehur Mickoski.

 

Vizita e Eskobarit vjen pas fillimit të procedurës plenare parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ka shtyrë votimin deri në sigurimin e shumicës prej dy të tretave.

dw

BE e SHBA: Koordinim për veprime në komunat veriore

Zëdhënësi i BE Peter StanoBE e SHBA-të shprehen të shqetësuara pas kërkesës së komunës së Mitrovicës së Veriut për lirimin e një ndërtese komunale ku punojnë struktura serbe. Frika lidhet me rritjen e sërishme të tensioneve në veri.

 

Kryetari shqiptar i komunës së Veriut të Mitrovicës ka kërkuar lirimin e një objekti komunal në këtë pjesë të qytetit në të cilin funksionojnë disa zyra që financohen nga Serbia, të cilat për Prishtinën zyrtare janë struktura paralele. Ky vendim ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar për ndonjë shkallëzim të mundshëm në veri, prandaj po kërkohet që çdo veprim në veri të jetë i koordinuar me autoritetet ndërkombëtare.

Zyrtarë të komunës së Veriut të Mitrovicës, thanë se i kanë dorëzuar nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiç, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” një ndërtesë në pronësi të komunës, nëse nuk sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm për shfrytëzimin e saj.

 

Stano: Koordinim për të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e sigurisë

Lista Serbe tha përmes një deklarate se ky vendim mund të rrisë tensionet. “Pas ftesës së komunitetit ndërkombëtar që kryetarët e paligjshëm të komunave të punojnë nga lokacione alternative, ata shkuan një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe hapësirat tona”, thuhet në një deklaratë të Listës Srpska. Në ndërtesën që po kërkohet të lirohet, punojnë institucione që financohen nga qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës.

I shqetësuar për rritje të mundshme tensionesh në veri u shpreh edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. “Jemi të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, ndërsa ritheksoi kërkesat për koordinim për të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Zëdhënësi Stano tha se “çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të trajtohet në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe në kontekstin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Edhe ambasada e SHBA-ve në një reagim të saj, ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, që të përmbahen nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund të rrisë tensionet. “Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, tha Ambasada amerikane në Kosovë.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ritheksuan rëndësinë e hapave që duhet të ndërmerren për uljen e tensioneve në veri. Plani i Bashkimit Evropian parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve shqiptarë të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në veri, ku do të merrnin pjesë serbët lokalë. Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe ka nisur punën e hartimit të një udhëzimi administrativ që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Pas këtyre veprimeve, qeveria e Kosovës i kërkoi BE-së që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës që u vendosën për shkak të situatës në veri dhe moskordinimit të veprimeve me bashkësinë ndërkombëtare.

dw

BE-ja i kërkon Kosovës bashkërendim për të gjitha veprimet në komunat veriore

BEBashkimi Evropian u shpreh të enjten i shqetësuar me kërkesën e komunës së Mitrovicës së Veriut për lirimin e një ndërtese komunale nga punonjësit e strukturave serbe, duke theksuar se një kërkesë e tillë bie ndesh me përpjekjet për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

 

Autoritetet komunale në Mitrovicën e Veriut, të cilat nuk pranohen nga përfaqësuesit serbë, thanë se i kanë dorëzuar nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiç, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” një ndërtesë në pronësi të komunës, nëse nuk sigurojnë dokumentacionin e nevojshëm për shfrytëzimin e saj.

Lista Serbe tha përmes një deklarate se punonjësit e institucioneve të Serbisë janë njoftuar se duhet të largohen nga brenda tri ditësh nga ndërtesa, duke e cilësuar këtë një veprim që mund të rrisë tensionet.

“Jemi të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ndërsa ritheksoi kërkesat për bashkërendim për të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës.

Në ndërtesën e diskutueshme veprojnë katër institucione që financohen nga qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe i ashtuquajturi Qarku Administrativ i Mitrovicës.

Zëdhënësi i BE-së tha se “çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të trajtohet në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe në kontekstin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ai theksoi rëndësinë e hapave që duhet të hidhen për uljen e tensioneve në veri përmes një plani të Bashkimit Evropian që parasheh pezullimin e operacioneve në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa pret nga Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën në qershor për shkak të situatës në veri, ku tensionet shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë të komunave u dërguan në zyrat e tyre me përcjelljen e policisë.

Por Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e qeverisë “janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë” për të zbutur krizën në veri ku zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

voa

Vdekja e mundshme e shefit të grupit Wagner, ngjall reagime dhe hamendje

WagnerHamendjet dhe spekulimet po shoqërojnë lajmin se udhëheqësi mercenar rus, Yevgeni Prigozhin ishte pasagjer në një avion që u rrëzua të mërkurën në Rusi. Agjencia e aviacionit civil të Rusisë me shpejtësi njoftoi se ai ishte në avionin që u rrëzua, por analistët thonë se në Rusi rrallë herë gjërat janë ashtu siç duken në sipërfaqe dhe nuk ka ende një konfirmim të pavarur për vdekjen e tij.
“Agjencia Federale e Transportit Ajror ka publikuar një listë të pasagjerëve të aeroplanit privat që u rrëzua dje. Në bord ndodheshin 10 persona, mes tyre edhe Yevgeny Prigozhin”, tha të mërkurën një nga prezantuesit e lajmeve të një prej televizioneve shtetërore ruse.

 

Mediat shtetërore ruse e kanë raportuar me detaje rrëzimin e aeroplanit, por në raportimet e mëngjesit të enjten, emri i Prigozhinit nuk është përmendur më.

Udhëheqësi mercenar drejtoi një kryengritje të shkurtër kundër ushtrisë ruse më herët gjatë këtij viti. Mbështetësit e tij pretenduan në kanalet e aplikacionit Telegram se avioni ishte rrëzuar qëllimisht, duke thënë se mund të ishte goditur nga një raketë e mbrojtjes ajrore ose të ishte vënë në shënjestër nga një bombë në bord.

Presidenti Joe Biden thotë se ai nuk e di se çfarë ndodhi, por “nuk është i befasuar”.

“Ka pak gjëra që ndodhin në Rusi pas të cilave nuk qëndron presidenti Putin… Nuk e di me të vërtetë se çfarë ka ndodhur, por nuk jam i befasuar”, tha presidenti Biden.

Rrëzimi i avionit ngjalli menjëherë dyshime pasi fati i Prigozhinit ka qenë objekt spekulimesh që kur ai nxiti kryengritjen.

Presidenti rus e denoncoi kryengritjen si “tradhti” dhe “thikë pas shpine” dhe u zotua se do të hakmerrej. Por akuzat kundër tij u tërhoqën shpejt. Shefi i Wagner-it, trupat e të cilit ishin disa nga forcat më të mira të Rusisë në Ukrainë, u lejua të shkonte në Bjellorusi, ndërsa thuhet se shfaqej herë pas here në Rusi.

Ndërsa vazhdojnë spekulimet, analistët dhe politikanët kujtojnë se kundërshtarë dhe kritikë të shumtë të presidentit rus janë vrarë ose janë sëmurë rëndë në ato që janë cilësuar si përpjekje për eliminimin e tyre.

“Ne e dimë si shkojnë këto gjëra në Rusinë e Putinit, vdekjet dhe vetëvrasjet e dyshimta, rënia nga dritaret – të gjitha mbeten të pashpjegueshme… Por, nuk është rastësi që e gjithë bota shikon menjëherë drejt Kremlinit kur një ish bashkëpunëtor i tij bie befas nga qielli, dy muaj pasi ai nxiti një kryengritje”, thotë ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock.

Keir Giles, një ekspert për Rusinë në grupin për çështjet ndërkombëtare Chatham House, bëri thirrje për kujdes në lidhje me raportet për vdekjen e Prigozhinit. Ai tha se “ajo që thotë shteti rus shpesh është shumë e ndryshme nga ajo që ka ndodhur në jetën reale”.

“Ka vlerësime se Prigozhin mund të ketë inskenuar vdekjen e tij sepse ai tashmë e di se është një njeri i vënë në shënjestër. Sapo u rebelua kundër Moskës, ai u kthye në një objektiv ”, vlerëson zoti Giles.

Dmitry Oreshkin, profesor në Universitetin e Lirë në Riga të Letonisë, tha se ai beson se incidenti kishte për qëllim të tregonte se presidenti Putin e ka nën kontroll vendin dhe se burimet e pushtetit janë në anën e tij.

“Ky është një veprim demonstrues. Prigozhin mund të ishte helmuar në heshtje dhe ai do të kishte vdekur nga një goditje në zemër, si shumë kundërshtarë të mëparshëm të Putinit … Kushdo që guxon të cenojë, do t’i këputet koka shpejt. Në këtë kuptim, Putini ka zgjedhur versionin më pak të pakëndshëm. Ai tregoi se e kishte situatën nën kontroll”, vlerëson profesori Oreshkin.

Nëse Prigozhin vërtet është vrarë, ekspertët mbi Rusinë nuk e vënë në dyshim se Kremlini qëndron pas kësaj, por analistët Giles dhe Oreshkin kanë qëndrime të ndryshme se çfarë pritet të jenë pasojat pas rrëzimit të avionit.

“Putini del më i fortë nga kjo situatë. Kjo formë teatrale e trajtimit të një kundërshtari në Rusi është normë për të demonstruar se nuk duhet të ngriheni kundër pushtetit. Për sa kohë që Prigozhin mbetej gjallë, ai vendoste një precedent të rrezikshëm”, thotë zoti Giles.

“Në përgjithësi, është e qartë se ky është fillimi i rënies së agresionit të Putinit në Ukrainë. Para kësaj, kishte një fazë plot entuziazëm. Pastaj një fazë neutrale, e mbushur me mohim të realitetit nga ana e opinionit publik dhe tani fillon faza e zhgënjimit. Do të zgjasë gjithashtu për disa muaj dhe, me sa duket, kjo tashmë është e pakthyeshme”, vlerëson profesori Oreshkin.

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskiy e pranoi se nëse udhëheqësi mercenar rus vërtetë ka vdekur, ky është një lajm i mirë për Kievin, por gjatë takimit me homologun portugez, Marcelo Rebelo de Sousa, ai e mohoi se Ukraina është e përfshirë.

“Ne nuk kemi asnjë lidhje me ngjarjen. Të gjithë e kuptojnë se kush ka të bëjë me të”, thotë presidenti Zelenskiy.

 

voa