1.1 miliard euro investime të huaja! 222 milion euro vetëm për të blerë apartamente

TiranaInvestimet e huaja direkte janë rritur me 10% në 9 mujorin e parë të vitit.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë janë 1.088 miliardë euro që kanë hyrë në ekonominë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga nisja e mbajtjes së të dhënave në 2014-ën.

Nga të gjithë partnerët kryesorë të Shqipërisë ka një rritje të investimeve të huaja.

Për 9 muajt e parë të vitit në krye të klasifikimit qëndron Holanda, për shkak të kompanisë “Shell” dhe projektit të zbulimit të naftës në malin e Shpiragës.

Më pas, vjen Italia me 151 milionë euro, ndjekur në vendin e tretë nga Turqia.

Dy vendet e tjera i zë Austria dhe Kosova. Këto të fundit, në dy vitet e fundit kanë rritur ndjeshëm investimet që sjellin në Shqipëri.

Rekord është shënuar edhe sa i përket vlerës së investuar në pasuri të paluajtshme nga të huajt, plot 222 milionë euro në 9 muaj. Në pikun e sezonit turistik, treguesi ka pësuar një kapërcim të fortë. Aktiviteti i dytë ku po investohet është industria nxjerrëse, ndjekur nga aktivitete financiare dhe të sigurimit, ku hyjnë bankat apo shoqëritë e sigurimit.

Në vendin e katërt janë projektet në energjinë elektrike, të gazit dhe ujit, ndërsa në të pestin qëndrojnë investimet në tregtinë me shumicë dhe pakicë. 50 milionë euro kanë shkuar dhe në drejtim të sektorit të informacionit dhe komunikacionit. Pavarësisht rritjes rekord të investimeve të huaja në vlerë, pesha e tyre në raprot me PBB-në është ulur.

Top Channel

Hapet tuneli i Rrugës së Arbrit, Rama: Nëse do e bënim me buxhet, nga tuneli nuk dilej për 15 vjet

tuneliKryeministri Edi Rama këtë fund viti pa në terren punimet për finalizimin e ndërtimit të tunelit të Murrizit në Rrugën e Arbrit.

 

Tashmë janë bashkuar të dyja anët e tunelit pas gërmimesh intensive në kushte të vështira gjeologjike me vetëm 2 metra avancim në ditë.

“Një tunel i përbërë nga dy tuba. Ndodhemi në tubin kryesor ndërkohë që tubi tjetër është tubi ndihmës. Lidh njëri tjetrin me 11 nyje lidhëse që janë më të gjëra dhe kanë mundësi shkëmbimi. Gjatësia e këtij tuneli është 3.789 metra. Ndërkohë e tunelit ndihmës 3.781 metra. Lartësia këtu është 6.8 metra ndërkohë atij ndihmës është 4.2 metra. Ka qenë një vepër tepër sfiduese, nuk pasur asnjë kosto të shtuar. Shifra me të cilën është nënshkruar kontrata është ajo që është në ditën e sotme pavarësisht se janë thënë shumë për kosto ekstra për kosto të fshehura kështu s’kemi pasur asnjë kosto tjetër”, tha ministrja Belinda Balluku.

“Kjo ishte gjeologjia me shumë surpriza por edhe i ngeli kosto kompanisë, por nëse ne këtë nuk do ta kishim bërë me PPP, por me buxhet shteti, këtu nuk dilej nga tuneli për nja 15 vjet”, tha Rama.

Parashihet përfundimi të gjitha punimeve të nisura në 2018 dhe vënia në funksion e këtij tuneli gjatë vitit 2024. Nga ky tunel në veriun e Shqipërisë ministria Belinda Balluku foli edhe për një tjetër tunel në jug të vendit atë të Llogorasë.

“Në 30 qershor na është dhënë fjala nga kompania që po ndërton që do të dorëzojë gjithçka para nisjes së sezonit”, shtoi Balluku.

Top Channel

 

Serbia lejon qarkullimin e targave RKS në territorin e saj

targatMarrëveshja për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qe arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja qysh në vitin 2011, por deri tani nuk ishte zbatuar.

 

 

Qeveria e Serbisë mori vendim që nga data 01.01.2024 të lejojë qarkullimin e targave të Republikës së Kosovës (RKS) edhe në territorin e saj. Deri tani qytetarët e Kosovës duhet të mbulonin me letër ngjitëse simbolet e shtetit të Kosovës, kur qarkullonin në territorin e Serbisë. Lajmin për pranimin e targave të Kosovës e bëri të ditur Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha se “Serbia po respekton marrëveshjen e arritur në vitin 2011 në Bruksel për lëvizjen e lirë dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave për serbët e Kosovës”.

Petkoviq: Vendim praktik, jo njohje e Kosovës

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë për të marrë pjesë në qarkullimin në rrugë, bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet gjendja e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes”, tha Petar Petkoviq, duke insistuar se kjo nuk mund të kuptohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.

“Është një vendim i rëndësishëm dhe domethënës që tregon qartë se nuk ka njohje të Kosovës dhe se nuk ka anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe në organizatat dhe agjencitë tjera të OKB-së”, tha Petkoviq, duke i rikujtuar Prishtinës zyrtare siç tha “Le të negociojmë dhe të diskutojmë në drejtim të kompromisit, por, në asnjë mënyrë njohje apo anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Targa të reja

Në gusht të vitit të shkuar Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut, arritën një marrëveshje për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Për serbët e Kosovës që mbanin targa të makinave ilegale, qeveria dha afat deri më 15 dhjetor të këtij viti që t’i konvertojnë targat e tyre në RKS. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Kosovës, rreth 4 mijë e 200 vetura të serbëve janë me targa të reja, ndërsa, shumë të tjerë i kanë regjistruar makinat e tyre edhe në Serbi dhe ata natyrisht lejohen t’i përdorin ato edhe në Kosovë sikurse targat e çdo vendi tjetër.

dw

DASH: Serbia të bashkëpunojë me OSBE për të shqyrtuar pretendimet për parregullsi

BeogradDepartamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje autoriteteve në Serbi të bashkëpunojnë me misionin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE-në), për të shqyrtuar pretendimet për parregullsi dhe theksoi se dhuna ndaj gazetarëve, vëzhguesve dhe komisionerëve të zgjedhjeve është “e papranueshme”. Sipas Departamentit të Shtetit legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe gatishmëria e të gjithë pjesëmarrësve, që të njohin vullnetin e zgjedhjeve.

 

“Mbetemi të angazhuar për të bashkëpunuar me Serbinë për forcimin e demokracisë dhe rendit e ligjit, avancimin e bashkëpunimit rajonal, rritjen e vazhdueshme ekonomike dhe përshpejtimin e përparimit të Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Serbisë është me Perëndimin,” thuhet në përgjigjen me shkrim që Departamenti amerikan i Shtetit i ka dërguar Zërit të Amerikës i pyetur se cili është reagimi i zyrtarëve amerikanë mbi valën e re të protestave në Beograd, që u shndërruan në protesta të dhunshme të dielën.

Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, përmes komenteve në platformën sociale X, shkroi se “dhuna dhe vandalizmi kundër institucioneve shtetërore nuk kanë vend në shoqëri demokratike.” Ai i bëri thirrje policisë që “ndërsa ruan rendin publik, të bëjë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve dhe të drejtat e tyre.”

“Në orët dhe ditët në vijim, udhëheqësit e Serbisë dhe qytetarët e saj duhet ta kenë parasysh se: legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe gatishmëria e të gjitha partive, fituese dhe humbëse, nga respektimi i vullnetit të njerëzve siç është shprehur në kutinë e votimit,” shkruante ambasadori Hill.

Ai tha se “puna e institucioneve zgjedhore të Serbisë mbetet qenësore ndërkohë që Serbia punon me OSBE-në dhe të tjerët për t’iu dhënë përgjigje mangësive në proceset e veta demokratike.” “Ankesat duhet të bëhen përmes mjeteve ligjore, paqësore dhe pa dhunë,” shtoi zoti Hill.

“Kam besim se Serbia do të kalojë nëpër këto sfida duke dal nga to me demokraci të forcuar. Të gjithë qytetarët e Serbisë kanë të drejtën të dëgjohen dhe përgjegjësi të shprehin pikëpamjet e tyre politike në mënyrë paqësore dhe pa dhunë.”

Grupe studentësh drejtuan një protestë të hënën në Beograd, pas një nate të tensionuar ku qindra demonstrues u përpoqën të hynin në kuvendin e kryeqytetit dhe u përleshën me forcat e rendit.

Policia serbe tha të hënën se janë arrestuar të paktën 38 persona që morën pjesë në protestën e së dielës kundër parregullsive gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit, në të cilat sipas rezultateve paraprake fituese doli Partia Përparimtare serbe e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuiçiç.

Grupi opozitar “Serbia kundër dhunës” ka organizuar protesta që nga dita e zgjedhjeve duke thënë se ka pasur mashtrime zgjedhore, veçanërisht në kryeqytet dhe kjo është pohuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Disa nga politikanët e opozitës filluan një grevë urie.

Të dielën në mbrëmje, qindra protestues u përpoqën të hynin në kuvendin e bashkisë së Beogradit, duke thyer dritaret para se policia të ndërhynte me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për t’i shpërndarë.

Zyrtari i lartë i policisë Ivica Ivkoviç u tha gazetarëve se të arrestuarit po përballen me akuza për nxitje të ndryshimit të dhunshëm të rendit kushtetues, në lidhje me përpjekjen për të përmbysur qeverinë dhe për sjellje të dhunshme. Ai shtoi se tetë oficerë të policisë u plagosën, një prej të cilëve është në gjendje të rëndë.

Opozita tha se policia rrahu disa mbështetës të saj.

Të hënën grupe studentësh bllokuan disa rrugë në Beograd duke kërkuar që autoritetet të hapin listat e votuesve, pas pretendimeve se shumë njerëz që nuk jetojnë në Beograd kanë votuar atje. Studentët paralajmëruan bllokim të mëtejmë rrugësh nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

Autoritetet i kanë mohuar pretendimet për parregullsi.

President serb Aleksandar Vuçiç, i cili të hënën u takua me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, i përshkroi protestat e së dielës si një përpjekje për rrëzimin e qeverisë me ndihmë nga jashtë, por pa dhënë asnjë provë për pretendimet e tilla.

“Isha në ballkonin e presidencës mbrëmë. Aty është zyra ime. Unë nuk u frikësova aspak nga. Nuk kam ikur në asnjë vend të huaj. Nuk u fsheha në asnjë nga bunkerët. Unë kurrë nuk do të fshihem nga njerëzit e dhunshëm. Do të jem gjithmonë pranë popullit tonë, do ta mbrojmë dhe ruajmë demokracinë. Ne do të mbrojmë dhe ruajmë paqen dhe qëndrueshmërinë në Serbinë tonë”, tha presidenti serb.

Ambasadori rus u tha medieve të vendit të tij se presidenti Vuçiç ka “prova të pakundërshtueshme” se perëndimi po inkurajon protestat e opozitës.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç falënderoi të hënën Rusinë që siç tha, e kishte informuar që më parë Serbinë për mundësinë e një kryengritjeje.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

 

voa

Gjurmues për mbetjet në hapësirë

hapsiraNjë kompani e re në Britani shpreson që paisjet me teknologjinë e saj të re do të mund të gjurmojnë mbeturinat në hapësirë që përbëjnë rrezik. Bëhet fjalë për pjesët me përmasa mbi një milimetër, të cilat mund të rrezikojnë satelitët dhe anijet hapësinore, ndërsa zhvendosen me shpejtësi shumë të madhe.

 

Pjesët e mbetura në hapësirë krijohen nga përplasjet mes satelitëve dhe nga mbetjet hapësinore, të cilat mund të krijojnë “re” të mëdha materialesh që mund të lëvizin me shpejtësi më të madhe se të një plumbi.

“Po, është e rrezikshme. Dhe po bëhet edhe më e rrezikshme. Pra është një problem eksponencial”, thotë bashkëthemeluesi i kompanisë “ODIN Space”, Dan Terret.

Mijëra satelitë komercialë lëshohen në orbitën e Tokës me ritme rekord, duke shtuar kështu rrezikun nga përplasjet që mund të krijojnë grumbujt e pjesëve të mbetura.

Deri më tani nuk kanë patur rezultat përpjekjet për t’i gjurmuar këto mbetje, qoftë edhe ato me përmasat më të vogla. Por kompania “ODIN Space” ka projektuar një sistem gjurmimi që mund të identifikojë pjesë të vogla deri në përmasa prej 0.1 mm, dhe madje edhe nëse janë duke udhëtuar me shpejtësi prej mijëra metrash në sekondë.

“Udhëtojnë me kaq shpejtësi sa që përbëjnë rrezik për satelitët dhe prandaj ka shumë rëndësi që sateliti të gjendet në orbitën e duhur, që të jetë i mbrojtur siç duhet”, thotë zoti Terret.

Rishtazi, agjencia rregullatore për hapësirën vendosi gjobën e parë ndaj një kompanie që nuk arriti të tërheqë nga orbita një satelit të prishur që përbënte rrezik për satelitët e tjerë. Kompania “ODIN Space” thotë se pjesët më të mëdha, ato me përmasa mbi 1 centimetër, gjurmohen nga radarë dhe satelitë të caktuar. Por pjesët më të vogla prej vetëm disa milimetrash mund të shkaktojnë dëm të madh, ndërkohë që janë pothuajse të padukshme ndërsa lëvizin me shpejtësi të madhe.

Kompania thotë se ka gjetur mënyrat për të vrojtuar për pjesëzat më të vogla.

“Dërgojmë në hapësirë panele të tillë. Montohen në pjesët e jashtme të satelitëve dhe kur pjesët godasin satelitin, ato kalojnë përmes këtyre paneleve. Mund t’i analizojmë të dhënat për të ditur se sa të mëdha janë pjesët që godasin, me çfarë shpejtësie udhëtojnë, në cilin drejtim dhe e arrijmë të gjithë këtë nëpërmjet sinjaleve akustike”, thotë James New, drejtor ekzekutiv i kompanisë “ODIN Space”.

Panelet janë të projektuara të vendosen në të gjitha llojet e mjeteve hapësinore, duke krijuar kështu një rrjet sensorësh që japin një pamje në kohë reale të mjedisit në orbitë.

“Ideja është që ne nuk po shtojmë satelitë në orbitë, nuk po e shtojmë problemin. Po krijojmë sensorë që janë aq të lehtë sa që mund të vendosen në satelitët e tjerë. Kështu mund ta shfrytëzojmë për mirë fuqinë e rritjes së jashtëzakonshme në industrinë e hapësirës”, thotë zoti Terret.

Sensorët e parë të kompanisë u nisën këtë qershor së bashku me një satelit të vogël italian dhe do të fillojnë mbledhjen e të dhënave.

“43% e satelitëve që gjenden në hapësirë janë nisur gjatë tre viteve të fundit dhe kjo vetëm do të rritet, me 100 mijë satelitë më shumë në orbitë deri në vitin 2030”, thotë zoti Terret.

Kompania thotë se dëshiron të shfrytëzojë këtë rritje galopante për të instaluar sa më shumë sensorë në hapësirë, të cilët do të ndihmojnë të gjitha kompanitë që veprojnë në industrinë e hapësirës.

 

voa

Një histori e lavdishme – Demonstratat e Tetovës ’68…!

Axha Mehmet

Burrat e Kombit s’ Hidhen në harresë

 

– Çka i thoshin Mehmetriza Murtezanit-Gegës, inspektorët e UDB-së në Tetovë.

– Kalvari i Gegës fillon në mars të vitit 1948, kur emërohet mësues në Nerasht të Tetovës, ku pas një muaji shpallet “informbyroist” dhe dërgohet për hetuesi në Beograd.

– Si e zunë organet e Sigurimit Shtetëror “Mandelën tetovar”, me afishe në Shkup.

– Gega ishte prijës dhe ideolog i rinisë tetovare për demonstratat e 1968-ës.

 

Tashmë kanë kaluar 55 vjet nga demonstratat e njohura të Tetovës të mbajtura më 22-23 dhjetor 1968, të parat në Maqedoni, në kohën e komunizmit më të egër, të ushtruar me shumë persekutime mbi popullin shqiptar në ish-Jugosllavi. Me këtë rast, me pietet të posaçëm kujtohet i pari i grupit, ideologu i këtyre demonstratave që tronditën regjimin komunist të atij shteti, i cili ishte i padrejtë me shqiptarët. Ishte ky Mehmetriza Murtezani – Gega nga Tetova, patrioti sypatrembur për çështjen kombëtare shqiptare, një atdhetar i madh, i cili sakrifikoi veten dhe familjen, për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve.

 

Axha Mehmet 4Për kauzën shqiptare ishte angazhuar që në moshën më të re, duke shndërruar jetën e tij në një “skëterrë”, prapa grilave të burgut të Idrizovës në Shkup. Veprimtarinë e tij atdhetare e vazhdoi edhe pas paraqitjes së pluralizmit partiak (1990), kur iu vu në shërbim të popullit, duke marrë pjesë në shumë tubime, protesta, shënim-data, jubile, konferenca, tryeza etj., duke ndihmuar edhe punën e partive politike shqiptare, pa u përcaktuar për asnjë parti, me të vetmin qëllim që të sendërtoheshin synimet shekullore të shqiptarëve.

 

Mehmetriza Gega ishte i dashur, i mirëpritur dhe i respektuar kudo ku paraqitej mes popullit. Njerëzit e afronin me respekt të veçantë, sepse e nderonin si një veprimtar të dëshmuar me kohë, si një njeri me guxim deri në fanatizëm, njeri që kishte vuajtje në shpirt dhe zemër, të cilat i bartte nga burgjet ndëshkuese komuniste. Një kohë, Gegën e njihnin edhe si “Mandela i Tetovës”, sepse shumë vite kishte kaluar në burgje, për veprimtari ilegale politike e patriotike. Inspektorët e SPB të Tetovës e këshillonin që të mos merrej me politikë: “Politika është një lavire, së cilës ia sheh sherrin!”, i thoshin sa herë që para tyre s’pranonte se është marrë me politikë. Gjithçka që bëri, ishte për të mirën e popullit të vet dhe asnjëherë nuk u tremb nga pasojat.

 

Shtigjet jetësore të tij ishin përplot vuajtje, persekutime e dënime të rënda me burg. Duke kujtuar fillimet e veprimit të vet atdhetar, kishte thënë: “Në mars të vitit 1948, zura punë në shkollën fillore të fshatit Nerasht të Tetovës. Ishte kohë e Informbyrosë. Vetëm një muaj më pas, pa kurrfarë shpjegimesh, më arrestojnë dhe më dërgojnë në një burg të hetuesisë në Beograd, me pretekst se jam informbyroist. Kur panë se nuk jam as informbyroist dhe as komunist, pas një muaji më lëshuan nga burgu”, kishte shpaluar autorit të këtij punimi, këto kujtime përplot me vuajtje e përndjekje, që në vitin 2005, derisa Mehmetriza Gega ishte në jetë.

 

Nga burgu hetues i Beogradit sërish ishte kthyer në shkollën e Nerashtit, ku me angazhimin e tij dhe të kolegëve kishte shtuar numrin e nxënësve prej 60 në 240 sish, duke përfshirë edhe shtimin e numrit të vajzave. Pas katër vjet pune të suksesshme, e transferojnë në fshatin Grupçin, ku, pas një kohe të shkurtër, Inspektorati i Arsimit e kishte pezulluar nga puna.

Axha Mehmet 3“Nuk e di shkakun e largimit tim nga puna, por supozoja se ishim tepër të angazhuar në përfshirjen e nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, përderisa pushteti punonte në një kurs tjetër, për hapjen e shkollave turke, në vitet 1950-1952”, ishte shprehur Gega.

 

Ishte kjo një kohë e zymtë për shqiptarët, të cilët, për shkak të presioneve të shumta të pushtetit të atëhershëm, detyroheshin të shpërnguleshin për në Turqi. Arsimtarët ishin ata që pengonin këtë proces të projektuar nga pushtetarët, ndaj dhe vazhdimisht ishin të përndjekur. Sistemi i egër komunist i asaj kohe nuk lejonte veprimtari legale, andaj ata vepronin në konspiracion dhe në ilegalitet të plotë, duke përgatitur dhe duke shpërndarë afishe me këto përmbajtje: “Mos shkoni në Turqi!”, “Vendi ynë është këtu!”, “Këtu do ta gjejmë lirinë!” etj.

Një ditë, nga ato të mes-viteve të 50-ta të shekullit të kaluar, organet e sigurimit shtetëror e kishin zënë në rrugë Gegën me afishe e parulla të shkruara, që duhej t’i shpërndante në rrethinën e Shkupit, ndaj dhe e kishin arrestuar. Pasojnë pesë muaj hetime të mundimshme në Tetovë, Gostivar dhe Shkup. Ndërkaq, aktakuza e ngarkonte për diçka krejt tjetër, “për shkëputje të këtyre viseve të Jugosllavisë dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë”. Për këtë shkak, me kodin penal të legjislaturës së atëhershme, dënohet me 10 vjet heqje lirie në burgun e Idrizovës, prej të cilëve 5 vjet në izolim të plotë. Pas afër shtatë vjetësh vuajtje dënimi, me një amnisti të përgjithshme, lirohet nga burgu në mars të vitit 1962.

Pas gjashtë vjet jete jashtë grilave të burgut, menjëherë pas shpërthimit të demonstratave shqiptare në Tetovë, më 22 e 23 dhjetor të vitit 1968, organet e sigurimit shtetëror sërish e arrestojnë Mehmetriza Gegën, si ideolog kryesor.

“Kisha bërë disa vjet stazh pune në fabrikën e tekstilit “Teteks” të Tetovës, kur më 24 dhjetor, një ditë pas demonstratave në Tetovë, sërish më arrestojnë organet e sigurimit shtetëror dhe më mbyllin në Burgun e Tetovës. Pas dy javë keqtrajtimesh, ma dorëzojnë aktakuzën, në të cilën cilësohem si prijës i “demonstratave armiqësore” të vitit 1968 në Tetovë, ndërsa aty ishin radhitur edhe emrat e 14 personave të tjerë të “grupit”, në mesin e të cilëve kishte studentë, arsimtarë, punëtorë etj. Sipas aktakuzës, “kjo organizatë ka dashur që me dhunë ta bëjë shkëputjen e viseve perëndimore të Maqedonisë dhe bashkimin e tyre me Kosovën dhe Shqipërinë”.

Hetimet kishin zgjatur 5-6 muaj, deri në gjysmën e vitit 1969, kur në Gjykatën e Qarkut në Shkup kishte filluar procesi gjyqësor. “Prokurori më akuzonte për atë që kisha vënë në spikamë padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve në një shoqëri socialiste, ku të gjithë duhej të ishin të barabartë, pavarësisht nga përkatësia kombëtare”, shprehej me atë rast Gega, duke shtuar se kishte vërtetuar me argumente se ka shumë diskriminime që u bëhen shqiptarëve, përballë maqedonasve, të cilët kishin të gjitha të drejtat.

Axha Mehmet 2Sipas tij, gjykimi kishte qenë i inskenuar dhe kishte momente tragjike-komike, sepse dëshmitarët, të cilët ishin “përpunuar” nga policia, dilnin qesharakë gjatë seancave gjyqësore. “Ashtu siç mund të pritej nga organet e një sistemi totalitar, pas një procesi gjyqësor që zgjati një muaj, trupi gjykues më dënoi me shtatë vjet heqje lirie, të cilën e kam vuajtur në burgun e Idrizovës, prej nga, me një vit amnisti, lirohem më 24 dhjetor të vitit 1974, në përvjetorin e gjashtë të demonstratave të Tetovës”, kishte deklaruar asokohe, Mehmetriza Gega, në një bisedë me autorin e këtij shkrimi, të cilën pranoi ta bëjë, ndonëse ishte në moshë të shtyrë dhe në një gjendje të rëndë shëndetësore.

Ismail Arsllani

Revolucioni i dytë laraman po vjen!

sharenaNë Maj të vitit që vjen, do të bëhen 7 vite që kur revolucioni laraman, i filluar në vitin 2015, në maj të vitit 2017 lindi “qeverinë laramane të shpresës” LSDM/BDI/ASH, duke rrëzuar qeverinë e korruptuar të VMRO/BDI.

 

Revolucioni laraman, me “bombat” teatrale dhe shumë zhurmë, solli “drejtësinë e munguar”, duke e lënë ish kryeministrin të iki i qetë për të gëzuar paratë që i fitoi me djersë korrupsioni, në një vend anëtar i BE. Drejtësi që “luftoi” korrupsionin duke lënë të korruptuarit “të luftojnë” korrupsionin, duke kursyer nga burgu funksionarë të korruptuar të VMRO dhe BDI, e duke lënë në burg shqiptarë të pafajshëm. Revolucioni risolli frymën e vëllazërim/bashkimit të “parajsës socialiste jugosllave”, me heronjtë modern të “Boro e Ramizit”, me anëtarësime dhe deputetë shqiptarë në LSDM, e deri tek dashuritë dhe martesat multietnike të protestuesve të cilët marshonin me flamujt të lidhur me njëri tjetrin.

 

Dhe ja, erdhi dita kur ngjyrat e revolucionit u rishfaqën, dhe “erërat” e ndryshimit frynë përsëri.

 

Thirrjet plot emocione për bashkimin e ASH me “opozitën” vërshuan rrjetet dhe mediat, për të rrëzuar qeverinë e korruptuar të LSDM/BDI dhe për ta zëvendësuar atë me qeverinë “pakorruptuar” të VMRO/LB/AA/PD të Izet Mexhitit, e kushedi, ndoshta përsëri me BDI-në e vjetër. Entuziazmi revolucionar laraman, po ndjehet në ajër përsëri, e tani pritet të lidhen flamujt me atë të VMRO. Vojvodat u bënë bashkë me neotomanët për të luftuar nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar.

Keni frikë se Mexhiti, Kasami dhe Gashi, do të katandisen me nga një deputet dhe revolucioni do të dështojë? Mos u shqetësoni, kemi BDI-në gati për të ndërhyrë. VMRO, qeverinë “e shpëtimit dhe shpresës” e bën pa problem me BDI! Fundi i fundit, është bashkëqeverisje tanimë “e sprovuar”

Keni frikë se VMRO do t’ju zhgënjejë? Mos u shqetësoni fare! Pas 8 vitesh, e bëjmë një revolucion tjetër laraman – të tretin me radhë, me LSDM-në shpëtimtare. E kështu me radhë…

A.F.

T’I PAGËZOJMË FËMIJËT ME EMRA SHQIP

HoxhaE pranoj, jam vetëkritik. Vetë unë kam një emër të çuditshëm me origjinë gjuhësore arabo-hebraike. Kështu më pagëzoi im atë kur linda vitin 1969. Me atë rast, ai nga gëzimi që Zoti i fali një djalë, e ftoi dhe hoxhën e mëhallës sonë për të kryer ceremoninë fetare të pagëzimit. Mua nuk më ka pyetur askush për pagëzimin tim me këtë emër, njëlloj siç nuk i ka pyetur askush as shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Ndër gjeneratat e vjetra dendur figurojnë emrat me origjinë të huaj lindore. Dhe ky fakt është shqetësues!

 

Çuditërisht, kulturat e huaja ushtruan ndikim të jashtëzakonshëm në sferën e identitetit, zakoneve, kulturës dhe qytetërimit tonë të lashtë iliro-dardano-arbëror. Rrjedhimisht ata ushtruan ndikim edhe në vënien e emrave të porsalindurve. Kryesisht, në dominancë, besimi i krishterë katolik ndikoi në emërtimet latino-italiane; besimi ortodoks në emërtimet greko-helene dhe ai mysliman në emërtimet arabo-perso-turke. Sundimet shekullore romako-bizantine, sllave e osmano-turke e bënë të veten në këtë drejtim, duke aķulturuar e shkombëtarizuar kulturalisht shqiptarët. Kësisoj, këto perandori shkërmoqën dhe përdhosën doket dhe zakonet tona, si dhe ndryshuan në favor të tyre antroponimet dhe toponimet tona.

Falë ngritjes së vetëdijes kombëtare, që dekadat e fundit qysh nga periudha e Rilindjes sonë Kombëtare ka marrë hov ndër gjeneratat e reja shqiptare, prindërit e rinj po i pagëzojnë fëmijët e tyre me emra të origjinës iliro-dardano-shqiptare. Dhe ky fakt na gëzon pa masë. Kuptimet e bukura e domethënëse në gjuhë shqipe të emrave ndikojnë pozitivisht në ndërgjegjësimin kombëtar dhe njerëzor të rinjve e të rejave tona. Kësisoj ne shpërfaqim një respekt e admirim të lartë ndaj gjuhës, kulturës dhe personaliteteve tona madhore kombëtare. Njëherësh, kjo i ndalë hovin tendencave akulturale dhe shkombëtarizues në familjet dhe shoqërinë tonë.

Në këtë rrafsh është për t’u përshëndetur edhe ndryshimi i toponimeve të qyteteve dhe fshatrave tona nga emrat me origjinë sllavo-turke në emra shqip.

Detyrë madhore kombëtare sot për ne, është të shqiptarizojmë rrënjësisht dhe integralisht emrat, doket, zakonet, toponimet dhe komplet vlerat tona kulturo-qytetëruese kombëtare. Pse jo, duhet të shqiptarizojmë në masë të konsiderueshme edhe doket tona fetare, që ato t’ia përshtasim kodit tonë kanunor/zakonor, kuptohet pa prekur në substancë të kodeve e dogmave të kanonizuara të krishtera e islamike.

Këto janë elemente imanente që përdëshmojnë në vazhdimësi, ndër shekuj e breza, lashtësinë, autenticitetin dhe autoktoninë tonë kombëtare iliro-dardano-shqiptare në Gadishullin Ilirik.

Respekt e konsideratë të thellë për të gjithë ata/ato shqiptare e prindër tanë që tregojnë përgjegjësi, syçeltësi dhe vigjilencë në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit, kulturës dhe qytetërimit tonë autentik arbëror!

Zekerija Idrizi – Pjesë nga libri im “Monolog”

Kurti: Radoiçiç po përgatit sulme të tjera ndaj Kosovës

ikjaKryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të shtunën se ish nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiç që mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.

 

“Pas sulmit terrorist e kriminal, Milan Radoiçiç u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiç po mban takime të rregullta me zyrtarë të lartë të Shërbimit sekret serb BIA, në ambientet e firmës Jablanovica në Rashkë ngjashëm me ato të Novi Pazarit po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiç dhe grupi i tij. Po realisht në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarë e grupit terrorist “Mbrojtja civile” që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Kurti i bëri këto komente gjatë një konference shtypi, por pa dhënë dëshmi, për pohimet e tij rreth një sulmi të mundshëm.

Me 29 shtator Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur për sulmin ndaj policisë në fshatin Banjskë në veri më 24 shtator me ç’rast u vra një oficer policie dhe tre nga sulmuesit.

Kryeministri Kurti tha se njëkohësisht një grup prej rreth 80 personash të gjithë të larguar nga Kosova kanë vazhduar stërvitjet në afërsi të Rashkës, një qytet në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperist. Gjatë muajit nëntor të 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut me qëllim marrjes së vilës së Radoiçiçit në brigjet e liqenit të Ujmanit por këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj policisë së Kosovës ka ndryshuar pas shtimit të patrullimit të përbashkët mes policisë dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë. Ai tha se institucionet e Kosovës në bashkërendim me aleatët po angazhohem për të ofruar siguri për qytetarët pa dallim.

Zyrtarët serbë hodhën poshtë pohimet e kryeministrit Kurti përmes drejtorit të zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, i cili tha se deklaratat e tilla synojnë “kriza të reja për të hequr vëmendjen nga gjendja e keqe ekonomike dhe situata e rëndë në mjediset shqiptare në Kosovë”.

Ai hodhi poshtë çdo mundësi që Beogradi po përgatitet për ndonjë sulm. “Nuk ka stërvitje në terrene, është një mënyrë për të shmangur detyrimet që ka në dialog, sepse tani është koha kur duhet të flitet për hapat konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe” u tha ai medieve në Serbi.

Nuk pati ndonjë reagim nga forcat paqeruajtëse të cilat kanë shtuar praninë e tyre në terren pas sulmit të 24 shtatorit i cili nxiti përpjekje të reja të diplomacisë perëndimore për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi në bazë të një marrëveshjeje që u arrit në muajin shkurt në Bruksel dhe për rrugët e zbatimit të së cilës palët u pajtuan në Ohër në muajin mars.

Diplomacia perëndimore po kërkon nga Kosova të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Me 14 dhjetor Serbia tha se marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha sot se Brukseli si ndërmjetës duhet të krijojë siguri ligjore, politike dhe diplomatike të marrëveshjes dhe procesit në tërësi dhe sipas tij nënshkrimi është garanci për një gjë të tillë.

“Ne kemi nevojë për një adresim të Brukselit për shkeljet e vazhdueshme që kulmuan me letrën e kryeministres (Ana) Bërnabiç. Kot flitet për draft statut kur e ki atë letrën e Bërnabiçit. Ajo po thotë se pranoj pavarësinë e Kosovës, nuk ka ulëse në OKB dhe nuk ta respektojë të ashtuquajturin integritetin territorial. A e din çka do të thotë kur kryeministrja e vendit fqinj të thotë nuk ta respektojë të ashtuquajturën integritet territorial, kjo është paralajmërim i agresionit, ky është thelbi i gjësë”, tha ai.

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se marrëveshja është e detyrueshme për të dyja palët dhe këshilli i ministrave të bllokut i ka kërkuar Komisionit Evropian përfshirjen e saj në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.

voa

 

 

KurtiFjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

 

Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë,

Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator të këtij viti, i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb, u ishte kumtuar një ditë më herët, pra saktësisht para tre muajve, në mjediset e kompanisë “Novi Pazar Put”. Automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë, ishin të përqendruara në këtë lokacion.

Kjo kompani, e cila është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq. Ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Aleksandar Grboviq, me pseudonimin “Grba”. Ai ka marrë pjesë në luftërat e Kroacisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet, dhe kryetar i komunës së Pozhegës në vitin 2008.

Një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë-Novi Pazar me gjatësi 18 km. Gjatë vizitës, ai e kishte lavdëruar punën e drejtorit dhe i është referuar atij si “njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët”. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës, për rrugën e cila u përurua tre muaj para kohe me nxitim.

Presidenti i Serbisë, nga aty deklaroi që e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua, të cilët sipas tij po kërkojnë arsye për konflikte e sulm ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm, sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi me 24 shtator.

E pas sulmit terrorist e kriminal, Millan Radoiçiq, u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të shërbimit sekret serb – BIA. Ambientet e firmës “Jablanovica” në Rashkë, ngjashëm me ato të “Novi Pazar Put”, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Por, realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarët e grupit terrorist “Mbrojtja Civile”, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës, e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediqin. Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen pra në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik, dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2.000 euro në muaj. Deri në shtator të këtij viti, ato janë shfrytëzuar nga turistët me qira. “Qendra për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit”, që gjendet në brigjet e liqenit të Ujmanit dhe Hotel “Rajska Banja”, që gjendet në afërsi të Manastirit të Banjskës, janë dy pika tjera që janë përdorur nga Radoiçiq, e të cilat janë ndërtuar me fonde të Qeverisë së Serbisë. Njëra ishte vizituar nga Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, e tjetra nga Kryeministrja Ana Bërnabiq.

Njëkohësisht, një grup prej rreth 80 personash, të gjithë të larguar nga Kosova, kanë vazhduar ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, në afërsi të Rashkës. Ky poligon për nga madhësia radhitet menjëherë pas atij në “Pasuljanke Livade”, dhe aty ushtria serbe kryen ushtrime ushtarake të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtje me tanke, për shkak të hapësirës së gjerë që ka rrotull. Trajnimet drejtohen nga ushtarakë të pensionuar serbë, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën pasi që mbase edhe kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës te ne. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperistë. Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim “marrjen” e vilës së Radoiçiqit në brigjet e liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht, për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi.

Plani paraprak për sulme hakmarrëse ndaj Policisë së Kosovë, kemi marrë vesh se ka ndryshuar, pas intensifikimit të patrullimit të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it rreth kufirit me Serbinë dhe masave të tjera të ndërmarra nga ne.

Ndërkaq në poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, i cili gjendet afër Sijenicës në rajonin e  Sanxhakut, kanë rifilluar ushtrimet e një grupi prej 60 pjesëtarëve të grupit terrorist “Mbrojtja Civile”, të cilët kanë qenë pjesëmarrës edhe në sulmin terrorist në Banjskë dhe vlerësohen si personat më të besueshëm të Radoiçiqit dhe të shtetit serb. Ky grup, kishte planifikuar sulme ndaj policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, në lokacione kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative. Për këtë qëllim, raportohet të ketë pasur lëvizje edhe nga ushtria e Serbisë, e cila ka stacionuar ushtarë të saj në disa pika në afërsi të kufirit me Kosovën, në lokacione ku parashiheshin këto sulme.

Pjesëtarët e grupeve terroriste që kanë ikur nga veriu, janë grumbulluar edhe në një vend tjetër të quajtur Goç, një bjeshkë afër Kralevës, ku është e vendosur njëra ndër bazat më të mëdha të xhandarmërisë serbe në rajon.

Gjithashtu, ka pjesëtarë të grupeve terroriste të armatosur e të uniformuar me veshjet e njëjta që i kanë pasur gjatë sulmit në Banjskë, të cilët po qëndrojnë afër lokacionit “Banja e Novi Pazarit”, rreth 10 km në afërsi të kufirit me Kosovën, dhe po patrullojnë hapur në zonat përreth. Ata posedojnë armë, përfshirë antitank, motorë me katër rrota tërheqëse dhe mjete të tjera transportuese.

Një arsenal armësh po duket që fshihet në një hotel në Banjë të Novi Pazarit, rreth 25 km distancë nga pika kufitare në Jarinje. Kjo hapësirë besohet se është në pronësi të grupit terrorist që ka marrë pjesë në sulmin e Banjskës. Aty ka të fshehura armatim të ngjashëm që është përdorur gjatë sulmit terrorist në Banjskë.

Qeveria e Serbisë së fundmi, ka urdhëruar strukturat ilegale serbe që të bëjnë punësimin e bashkëshorteve të grupit terrorist pjesëmarrës në sulmin e Banjskës, familjet e të cilëve jetojnë në Kosovë. Kjo me qëllim që ata të mos bëjnë ndonjë zë kritik për atë çfarë u ndodhi.

Tashmë është e qartë se asnjë plan apo sulm, nuk mund të kryhet pa urdhrin e krerëve të Serbisë. Ata shkaktojnë këto sulme të cilat janë të përgatitura prej tyre e të cilave ua caktojnë kohën dhe urdhërojnë marrjen e masave të sigurisë, sipas interesave e planeve të tyre e mbase edhe të Rusisë.

Planet për sulme, synojnë destabilizimin e situatës. Institucionet e Kosovës në bashkëpunim të afërt me faktorët relevant ndërkombëtar, me partnerët e aleatët tanë, po angazhohen intensivisht për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

Serbia në vend që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, po i ndihmon të njëjtës që t’i shmang ato. Në vend se të sanksionohet dhe të obligohet që t’i dorëzojë terroristët, ajo po shfrytëzon të njëjtit për qëllime politike dhe kërcënime të tjera kundër Kosovës.

Natyrisht, të gjitha këto plane janë të destinuara të dështojnë. Terrorizmi është sfidë për ne, por nuk ka kurrfarë gjasash të triumfojë në një shtet demokratik siç është Republika jonë e Kosovës.

Kur dëgjohet ky rrëfim natyrisht që ngjan i zymtë, por i tillë është realiteti i fqinjit tonë verior që paraqet edhe kërcënim për neve përveçse ka ngjallur pakënaqësi më të mëdha ndonjëherë në kohërat e fundit edhe tek populli i vet.

Për fund, para se t’ia kaloj fjalën ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, dua të them të nderuar gazetarë e të dashur qytetarë, se Këshilli Prokurorial i Kosovës, Kryeprokuroria e Shtetit, tre muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ende nuk ngritën aktakuza dhe as nuk e njoftuan publikun për sulmin më të madh të orkestruar ndaj Republikës tonë, jo vetëm në vitin 2023, jo vetëm ndaj Policisë, rendit e ligjit, por edhe ndaj integritetit territorial të vendit e qytetarëve të shtetit. Ky pasivitet dhe mosinformim është i padrejtë dhe i pakuptueshëm për neve.

Ju faleminderit, e pas prezantimit që do të bëjë ministri i Punëve të Brendshme, do të mund t’iu përgjigjemi pyetjeve tuaja.