Sekretari amerikan Antony Blinken vjen në Shqipëri!

BlinkenSekretari amerikan i shtetit Antony Blinken pritet të vizitojë Tiranën më 16 Shkurt.

 

Burime diplomatike në Washington, i thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu, se është duke u punuar në finalizimin e detajeve të kësaj vizite, e para për Blinken në Shqipëri, prej vitit 2021 kur ai mori drejtimin e diplomacisë amerikane.

Për momentin nuk dihet qëllimi primar i kësaj vizite, por sugjerohet se vjen si një vlerësimin amerikan për Shqipërinë, si një aleate e SHBA dhe në NATO.

 

Vitin e shkuar, sekretari Blinken komentoi me nota  të larta pozitive rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Ishte vetë sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, ai i cili në maj 2021 shpalli Sali Berishën si person “Non Grata” nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Kjo u shoqërua me një sulm frontal nga Berisha në adresë të Blinken.

Po ashtu sekretari Blinken ka qenë aktiv përmes mesazheve për de-eskalikin e situatës së tensionuar në veri të Kosovës, shtatorin e vitit të shkuar.

Vizita e parë e një sekretari amerikan shteti në vendin tonë ishte ajo e James Baker, në Tiranë më 22 qershor 1991. Ndërsa e dyta vizitë e një tjetër sekretari amerikan shteti ishte ajo e Madeleine Albright, më 19 shkurt 2000, ku mbajti edhe një fjalë në parlamentin shqiptar. Pasuar nga një tjetër vizitë e John Kerry, më 14 shkurt 2016.

Ardhja e Antony Blinken në vendin tonë do të shënojë vizitën e katërt të një sekretari shteti në Shqipëri.

Ngjela zbulon negociatat me Bashën për t’u rikthyer në politikë: Kam një skemë! Ja pse shkoi Bardhi poshtë ballkonit të Berishës

NgjelaAvokati Spartak Ngjela deklaroi sot në “Breaking” në Top News se është në negociata me kreun e PD-së zyrtare, Lulzim Basha për t’u rikthyer në politikë.

Ai shtoi se është duke punuar mbi një skemë që mund të konkretizohet në muajt e ardhshëm.

 

Kë shihni si emër favorit për kryeministër nga opozita?

 

Tani duhet të largohet Berisha se është non grata në Amerikë, të bashkohet PD dhe të nxjerrin në krye njerëz perëndimorë të pranuar nga Uashingtoni dhe nga BE.

Ata duhet të bëjnë kongres bashkimi. Berisha duhet të kuptojë një gjë që vetëm nëse forcohet PD-ja, ai ka benefite në lidhje me akuzat penal që ka. Nëse PD bashkohet dhe nxjerr lidership të ri, për pesë muaj rrëzohet Rama. por nuk rrëzohet nga penxherja e shtëpisë.

Cfarë duhet të presim në të ardhmen në kontributin tuaj politik? Keni një plan?

Kam një skemë, të shohim jam në bisedime. Dy gjëra janë sekret, lëvizjet politike dhe lëvizjet e policisë sekrete. Do shikojmë eksperimentin, kur të hidhet ideja nëse do përkrahen ose jo.

Nëse hyni në politikë, cilën forcë politike do zgjidhni për të bashkëpunuar?

Kam bërë një bisedim paraprak para dy muajsh me Bashën. Të shikojmë si do ecë. Ka filluar procesi, por të shohim si do vijojë.

Do jeni në koalicion?

Duhet të bashkohet PD-ja.

Bardhi për herë të parë dje ka qenë në tubimin poshtë shtëpisë së Berishës. Tubimi vjen pas kthimit të tij nga Amerika. Ccfarë ka ndodhur?

Uashingtoni ka deklaruar e SPAK-un e drejtojmë ne dhe Saliun e ka arrestuar SPAK. Ai është non-grata në Amerikë. Ccfarë po ndodh? Nuk e di ccfarë kanë biseduar në Amerikë, mbase e kanë dëbuar atje. Derisa vjen këtu dhe shkon te Saliu që është non-grata, mbase e kanë pritur ftohtë. Fakti është që Saliu është i arrestuar nga SPAK. SPAK drejtohet nga SHBA dhe BE. Saliu dhe dhëndri i tij janë arrestuar për korrupsion. Këta i thonë popullit “lironani ne”, ata nuk i shkojnë. Pse nuk i shkojnë? Sepse kanë kuptuar që kanë para të paligjshme.

Top Channel

Zgjedhjet e 2020, Apeli: Ish-Presidenti Trump nuk gëzon imunitet nga ndjekja penale

TrumpNjë gjykatë federale apeli vendosi se zoti Donald Trump nuk gëzon imunitet nga hetimi për akuzat për përpjekje për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020, duke bërë që ish-presidenti të ndodhet edhe një hap më pranë një procesi të pashembullt gjyqësor penal.
Trupa e përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit për Qarkun e kryeqytetit Uashington, refuzoi pretendimet e ish-Presidentit Trump se nuk mund të hetohet për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tij zyrtare.

Vendimi, të cilin ka shumë të ngjarë që zoti Trump ta apelojë, hedh poshtë përpjekjet e tij për të shmangur gjyqin lidhur me akuzat se ka minuar demokracinë amerikane dhe transferimin e pushtetit. Vendimi vjen në një kohë kur ai po forcon pozitat e tij si kandidati kryesor për të fituar emërimin e Partisë Republikane në garën presidenciale të nëntorit.

Avokatët e tij thanë se ish-presidentët gëzojnë mbrojtje të gjerë ligjore dhe se nuk mund të hetohen penalisht mbi veprime zyrtare, në rast se më parë nuk janë gjetur fajtorë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe larguar nga detyra me vendim të Senatit.

Në seancën e 9 janarit, ku ishte i pranishëm vetë zoti Trump, gjyqtarët reaguan me skepticizëm mbi këtë argument. Një nga gjykatëset e pyeti avokatin e zotit Trump, se “çfarë do të ndodhte nëse një president do urdhëronte vrasjen e një rivali polik? A mund t’i shpëtonte ai një hetimi penal pa vepruar më parë Kongresi?

Ish-Presidenti Donald Trump ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme argumentet e tij se gëzon imunitet. Përmes një postimi në rrjetet sociale në 18 janar ai shkroi se “Të gjithë presidentet duhet të kenë imunitet të plotë presidencal, ose përndryshe autoriteti dhe vendimmarrja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara do të marrë fund përgjithmonë”.

Akuzat ndaj ish-presidentit janë ngritur nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith.

Ai akuzon zotin Trump se pretendoi në mënyrë të rreme për vjedhje të votave, me synimin për të ushtruar trysni ndaj ligjvënësve, Departamentit të Drejtësisë dhe Nënpresidentit Mike Pence për të penguar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Kjo është një nga 4 çështjet penale me të cilat përballet ish-Presidenti Donald Trump.

Ai ka deklaruar se është i pafajshëm dhe ka akuzuar hetuesit se po veprojnë të motivuar politikisht me qëllim dëmtimin e fushatës së tij presidenciale.

Pretendimi se ai gëzonte imunitet për hetimin penal u hodh poshtë në dhjetor nga gjykatësja Tanya Chutkan, çka nxiti zotin Trump të apelonte vendimin.

Edhe nëse pretendimet e zotit Trump nuk pranohen nga gjykatat, apelimi i vendimeve ka të ngjarë ta ndihmojë në synimet e tij për të shtyrë gjyqin, parashikuar për në 4 mars.

Apelimi mund të krijojë mundësinë që gjyqi të zhvillohet pas zgjedhjeve të muajit nëntor.

voa

Serbi: Në seancën e parë parlamentare priten protesta

ParlamentiShoqëruar nga akuza të opozitës dhe kritika ndërkombëtare për manipulimin e zgjedhjeve në Beograd mblidhet parlamenti i ri.

 

Fjala është për votues, të cilët sipas akuzave, kanë qenë të regjistruar në adresa fiktive në qytete të ndryshme në Serbi për të votuar Partinë Progresive Serbe në vendet ku në fakt favorizohej opozita.

Në Beograd janë dokumentuar sipas ankesës në Gjykatën Kushtetuese rreth 3000 incidente të tilla. Dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut. “Edhe pa këtë zhvendosje të votuesve zgjedhjet në Serbi nuk kanë qenë të drejta dhe demokratike”, thotë politologu Dushan Spasojeviç për DW.

“Zgjedhjet më të pastra”

Aleksandar Vuçiç qeveris prej dymbëdhjetë vitesh me dorë të hekurt, duke kontrolluar drejtësinë dhe mediat kryesore. Para zgjedhjeve ai shpërndau me bujari dhurata në para për pensionistët, studentët dhe nënat e reja. Përveç kësaj partia e tij ndan vende pune në sektorin publik sipas teserës të partisë, dhe siguron kështu mbështetjen e përkrahësve të tij. Disa anëtarë partie me ndikim, miq të Vuçiçit, dhe njerëz të biznesit, të afërt me të, janë pasuruar kështu prej vitesh.

Gjeopolitikisht presidenti serb luhatet vazhdimisht mes Rusisë dhe BE. Edhe me Kinën ai mban marrëdhënie të shkëlqyera dhe në televizionet serbe prezantohet si burrë i madh shteti. Kështu në zgjedhjet e dhjetorit ai mundi t’i sigurojë sërish partisë së tij shumicën absolute në parlament. Por në Beograd, në qendrën ekonomike të vendit, ku popullata urbane dhe e arsimuar më mirë është më fort kritike ndaj qeverisë, partisë së tij dhe partnerëve të saj shumëvjeçarë nga Partia Socialiste, i mungojnë edhe dy deputetë për të bërë shumicën në parlamentin e qytetit. Këto ka gjasë të vijnë nga një lëvizje e re e djathtë populiste.

Javët e fundit në rrugë dolën mijëra vetë për të protestuar kundër manipulimit të zgjedhjeve dhe për të kërkuar zgjedhje të reja. Por Vuçiçi duket se nuk tronditet aspak nga protestat. “Ankesa e opozitës në Gjykatën Kushtetuese dhe kritika ndërkombëtare për rezultatin e zgjedhjeve, janë dirigjuar nga perëndimi, për të destabilizuar Serbinë. Zgjedhjet e fundit kanë qenë më të pastrat, që kur në Serbi kemi sistemin shumëpartiak”, deklaroi ai të premten (02.02.2024). Të gjithë në Evropë e dinë se nuk ka pasur manipulim zgjedhjesh”.

Bojkotim i seancës së parlamentit?

Këtë të martë (06.02.) 250 deputetë mblidhen në seancën e parë parlamentare. Forca më e fuqishme opozitare, aleanca e gjerë proeuropiane “Serbia kundër Dhunës”, që mbledh parti nga spektri i majtë dhe i gjelbër si dhe ai konservator dhe që ka më shumë se 65 mandate, bëri të ditur se dëshiron ta shfrytëzojë seancën e parë për protesta. Kritika e saj është se Partia Progresive në pushtet e ka thirrur seancën, përpara se Parlamenti Evropian të diskutojë sërish të enjtën (08.02.) për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi.

Edhe raporti i misionit vëzhgues të OSBE-së pritet me padurim. Në deklaratat e para të vëzhguesve të zgjedhjeve u vunë disa herë në pah raste manipulimi, blerjeje të votave dhe dominimit mediatik të zgjedhjeve nga Vuçiçi, gjë kjo e pakapërcyeshme për opozitën.

 

Prandaj Partia Demokratike, ish-aleate në qeverisje, e cila bën pjesë në aleancën Serbia kundër Dhunës, dëshiron ta bojkotojë tërësisht seancën parlamentare.

“Prej javësh u bëjmë thirrje qytetarëve për protesta, kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese t’i anulojë zgjedhjet dhe nga BE të mos i pranojë rezultatet dhe që të na mbështesë për të organizuar zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme”, thotë për DW, Zoran Lutovac, kryetar i Partisë Demokratike. “Pjesëmarrja në seancën e parë parlamentare do të dërgonte një mesazh të keq për të gjithë”.

Kritikë edhe nga Gjermania

Që nga votimet në dhjetor disa vëzhgues zgjedhorë si dhe disa anëtarë të Parlamentit Evropian dhe të Bundestagut gjerman kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur.

Tre zëdhënës për politikën evropiane të partive pjesëmarrëse në koalicionin qeverisës në Gjermani shprehën kritika të ashpra. Sidomos zgjedhjet për parlamentin e qytetit në Beograd janë manipuluar, aty ku opozita pro-evropiane kishte shanse reale për të fituar. “Ne dyshojmë, që rezultati korrespondon me vullnetin e vërtetë të votuesve”, shkruanin Christian Petry (SPD), Chantal Kopf (Të Gjelbrit) dhe Thomas Hacker (FDP) në mesin e janarit.

Por Partia Progresive Serbe, SNS, ndoshta mund të presë mbështetjen, ose të paktën disa kritika më të moderuara nga radhët e familjes më të madhe partiake të Evropës, Partisë Popullore Evropiane. Sepse SNS është atje prej vitesh anëtare e asociuar. Mundësia që Parlamenti i BE mund të miratojë një rezolutë të ashpër të enjten nuk e shqetëson deputetin e SNS, Vladimir Gjukanoviç. “Të gjithë janë të mirëpritur të diskutojnë zgjedhjet tona, por populli foli në dhjetor dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”, thotë ai për DW.

Sipas tij protestat e opozitës janë vetëm një justifikim për humbjen e re në zgjedhje” “Në këtë mënyrë ata shmangin nevojën për t’u shpjeguar votuesve të tyre, pse kanë bërë paraprakisht premtime krejtësisht joreale për fitore”, thotë Gjukanoviç.

Vuçiçi shihet si “stabilokrat”

Për politologun Dushan Spasojeviç nuk është çudi, që SNS dëshiron t’i kthehet normalitetit. “Kështu reagojnë ata prej vitesh ndaj çdo kërkese të opozitës apo ndaj protestave në rrugë. Deri tani injorimi ka funksionuar mirë”.

Megjithëse presioni nga BE-ja mund të rritej, askush nuk pret që Brukseli apo Berlini të refuzojnë zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve. Si i ashtuquajtur “stabilokrat” Vuçiç vazhdon të nevojitet në Ballkanin Perëndimor, dëgjohet shpesh të thuhet pas dyerve të mbyllura në qarqet diplomatike të BE-së.

BE-ja dëshiron të vazhdojë të punojë për afrimin mes Kosovës dhe Serbisë. Shumë në Bruksel e shohin ende Vuçiçin si faktor stabiliteti. Sepse në mes të krizës politike në vend ai aprovoi së fundmi rregulloren që automjetet me targa kosovare të mund të lëvizin tani lirshëm nëpër Serbi.

Shumë e shohin këtë si një lëshim. Dhe megjithë kritikën nga brenda dhe jashtë vendit Partia Progresive e Vuçiçit shpreson se me shumicën komode mund të vazhdojë të qeverisë në Beograd pa u trazuar.

dw

Kujdes nga mallrat e lira nga Kina që ofrohen online

kinezeMbrojtësit e konsumatorëve paralajmërojnë për mallrat e lira nga Kina, që ofrohen në portalet online. Rezultatet e testeve të disa produkteve janë tronditëse.

 

Kufje për 4 euro, atlete për 8 euro, ose orë inteligjente për 16 euro. Të gjithë këto artikuj ofrohen online nga firmat kineze TEMU, AliExpress apo Shein, por ato kanë një problem.

Disa institute gjermane për mbrojtjen e konsumatorëve analizuan disa nga produktet e ofruara dhe rezultatet e testeve janë tronditëse.

Të jashtëligjshme, por edhe të rrezikshme

Dyqanet online nga Kina jo vetëm tregtojnë mallra që janë të jashtëligjshme në BE, por edhe të rrezikshme. Për shembull një nga kusitë elektrike multifunksionale që u testua, rezultoi se nuk ka tokëzim dhe prandaj mund të shkaktojë goditje elektrike.

Po ashtu edhe  kopsat e disa bluzave polo përmbanin substancën e dëmshme DPB. Doza e substancës DPB që u gjet gjatë analizave ishte 40 herë me e larte sesa niveli maksimal i lejuar në Evropë.

Substanca DPB ndikon në nivelin e testosteronit dhe numrin e spermatozoideve tek meshkujt, ndërsa tek femrat shtatzëna, ajo ndikon tek zhvillimi i fëmijës.

Përgjegjësi me pikëpyetje

Teorikisht prodhuesit mbajnë përgjegjësi në mënyra të ndryshme për prodhimet dhe sigurisht përpiqen që t’i përmirësojnë vazhdimisht kontrollet e sigurisë së tyre.

Por pyetja se sa një fabrikë kineze mallrash të lira do t’u përgjigjet vërtetë kërkesave apo ankesave të një konsumatori nga Evropa, kjo mbetet e paqartë.

Takimi BE-Ballkani Perëndimor, Hasani në Itali: Nevoitet një qasje të re ndaj rajonit me fokus të veçantë në ekonomi

BE BallkaniMinistri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në takimin e Ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe MPJ-ve të Ballkanit Perëndimor, theksoi nevojën për një qasje të re ndaj rajonit me fokus të veçantë në ekonomi.

 

Sipas kryediplomatit shqiptar, konvergjenca ekonomike është mjeti që i mundëson rajonit të nxisë integrimin ekonomik përpara se të kalojë në një integrim politik eventual si hapi i fundit i procesit.

Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, si dhe roli e kontributi i sektorit privat në avancimin e kësaj kauze.

 

Ministri Igli Hasani ndodhet në Itali, me ftesë të zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, i krijuar në vitin 2023, bashkon Italinë, Austrinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Sllovakinë, Greqinë dhe Slloveninë. Grupi u krijua për të rritur vëmendjen e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit.

Top Channel

Ndryshimet që u ofrohen qytetarëve shqiptarëve nën Maqedoni, janë vetëm ndryshime në paketim!

dhelpratNdryshimet që u ofrohen qytetarëve shqiptarëve nën Maqedoni, janë vetëm ndryshime sipërfaqsore, ta heqin Bakallin ta fusin Çakallin!

Po si është gjendja e vërtetë, më konkretisht në Komunën e Tetovës në duart e Lëvizjes Besa!

deponi prane çerdhes se femijeveKryetari i Komunës ofron ndryshime në nivelin republikan, ndërsa nuk është në gjendje të ndryshojë/menaxhojë me krizën e mbeturinave, kaosin në trafik, baltën dhe pluhurin që mbretëron në qytet, e mos të përmendim ndotjen e ajrit…

 

Plehra në ambiente publike, por edhe grumbuj mbeturinash përreth kontejnerëve. Kjo është fotografia në muajt e fundit pasi Komuna e Tetovës në disa raste premtoi se një kompani sllovene me të cilën ka nënshkruar kontratë do të fillojë me menaxhimin e mbeturinave.

 

Por të huajt nuk gjenden askund dhe grumbujt e mbeturinave janë në çdo hap.

Ajo që është shqetësuese është se mbetjet po afrohen më shumë me fëmijët. Në kopshtin e fëmijëve në lagjen Potok të Tetovës ka dalë një deponi e egër dhe në oborr ku ka mbeturina kullosin bagëtitë.

Në një kohë kur qyteti nën Sharr po thyen rekorde për ndotjen e ajrit, ku ditët e fundit përqendrimi i grimcave PM 10 ishte deri në 5 herë më i lartë se kufiri maksimal, autoritetet bashkiake as që lëvizin gishtin për të marrë hapa që do të lehtësonin situatën.

Qyteti po mbytet në kaos trafiku dhe urbanizim të pakontrolluar dhe ajo që është më shqetësuese është se po mbytet edhe në baltë dhe pluhur.

Hulumtimi, testi i gjakut mund të përcaktojë diagnozën me Alcajmer

AlcajmerMedicare Alzheimer Brain Scans

 

Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar po u bëjnë thirrje institucioneve shëndetësore që të kryejnë një test të thjeshtë gjaku për të zbuluar fazat e hershme të sëmundjes (Alcajmer) Alzheimer, rezultate të cilat sipas tyre, janë po aq të sakta sa skanimi i trurit. Ky është përfundimi i një studimi 8-vjeçar nga shkencëtarët në SHBA, Kanada dhe Evropë.

 

Imran Sherwani është fitues i medaljes së artë të Lojrave Olimpike. Sportisti i lojës hokey përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në lojërat e Seulit në vitin 1988.

Familja e Sherwanit thotë se ai filloi të shfaqte shenjat e para të demencës në moshën 54-vjeçare, por simptomat e tij nuk u diagnostikuan deri në vitin 2019, katër vite më vonë.

Familja e tij shpreson që njerëzit të kenë mundësinë që të diagnostikohen herët, falë një testi gjaku për të cilin një studim i ri thotë se mund të zbulojë fazat e hershme të sëmundjes Alcajmer me të njëjtën saktësi sa skanimi i trurit.

Hulumtuesit thonë se ky test i lejon shkencëtarët që t’i kategorizojnë pacientët si ‘të mundshëm’, ‘të ndërmjetëm’ ose ‘të pamundur’ lidhur me

sëmundjen e Alcajmerit, duke identifikuar një proteinë në gjak që tregon ndryshime biologjike në tru që lidhen me sëmundjen.

Ilaçet e reja si ‘aducanumab’ dhe ‘lecanemab’, të miratuara nga rregullatori amerikan, tregojnë se ato ndihmojnë në ngadalësimin e sëmundjes Alcajmer. Asnjëri nga ilaçet nuk është në tregun britanik por do të vlerësohen më vonë këtë vit.

Zac, djali i zotit Sherwani, thotë se familja ishte e pafuqishme teksa theksoheshin simptomat e babait të tij, por nuk dinin si ta ndihmonin atë.

“E dinim që diçka nuk shkonte, por nuk kishim një diagnozë. Është e vështirë ta shohësh zbehjen e babait tënd, që nuk është në gjendje të bëjë gjërat që ka bërë më parë dhe të mos kesh një përgjigje. Është shumë e vështirë”, thotë Zac Sherwani.

Kur babai i tij u diagnostikua, Zac përshpejtoi martesën për t’u siguruar që i ati të ishte i pranishëm. Ai thotë se testi i gjakut mund të ndihmojë në diagnostikimin e hershëm.

“Testi do t’i ndihmojë njerëzit që të planifikojnë, diçka që familja jonë nuk e përjetoi për katër vite. Një arritje e madhe”, thotë Zac.

Në studimin tetëvjeçar u përfshinë 700 pacientë në tre grupe ndërkombëtare.

Organizata bamirëse për hulumtimet “Alzheimer’s Research UK” thotë se nivelet e një proteine të quajtur p-tau217 në gjakun e pjesëmarrësve në studim pasqyronte nivelet e proteinave amiloid dhe tau që shihen në skanimet e trurit dhe nga kampionet e palcës së kurrizit tek pacientët me Alcajmer.

Dr. Susan Kohlhass, e cila drejton hulumtimet, thotë se janë të paktë pacientët që kanë qasje tek skanimet dhe analizat e palcës së kurrizit.

“Vetëm 2% e pacientëve në Mbretërinë e Bashkuar kanë qasje tek këto teste, ndaj, nëse jemi në gjendje t’i zëvendësojmë ato me teste gjaku që janë më të disponueshme dhe më të sakta, atëherë mund të sigurohemi që pacientët në nevojë mund të marrin atë trajtim sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë Dr. Kohlhaas.

Profesori David Curtis nga Instituti i Gjenetikës me Kolegjin Universitar të Londrës thotë se nëse është i suksesshëm, testi mund të përdoret për t’i kontrolluar pacientët si një masë parandaluese.

Hulumtuesit thonë se nevojitet një studim më i thellë për testet e gjakut që kryhen çdo ditë nëpër sistemet e kujdesit shëndetësor në mbarë botën, përpara se të merret një miratim nga organet rregullatore, çka pritet të zgjasë deri në pesë vite.

voa

Hovenier: Kosova të shtyjë vendimin për dinarin serb, mund të ndikojë në cilësinë e marrëdhënieve me SHBA-të

HovenierAmbasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier i kërkoi sërish qeverisë së Kosovës që të shtyjë vendimin e Bankës Qendrore për çështjen e dinarit serb, në të kundërtën siç tha ai do të ketë ndikim në partneritetin në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kjo është gjëja që ne shikojmë partneritetin dhe në masën që qeveria është e gatshme të jetë partnere në adresimin e këtyre shqetësimeve, ajo do të ndërtojë, do të përforcojë partneritetin tonë më të gjerë. Dhe në masën që qeveria nuk dëshiron të jetë partnere me ne, për këtë çështje shumë të ndjeshme, do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë”, tha ambasadori Hovenier pas takimit të ambasadorëve të vendeve perëndimore me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“Kemi shqetësime të thella për mënyrën e zbatimit të kësaj rregulloreje që besojmë se nuk janë marrë parasysh disa realitete dhe shqetësime nga komuniteti”, tha ambasadori Hovenier duke theksuar se kërkesa e Shteteve të Bashkuara mbetet shtyrja e vendimit deri në një periudhë të mjaftueshme informimi për qytetarët e prekur.

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate citoi kryeministrin Albin Kurti, pas takimit me ambasadorët e vendeve perëndimore, të ketë shprehur gatishmërinë e qeverisë dhe institucioneve “që të adresojnë në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim të ngritur në mënyrë të shpejtë teksa theksoi që gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, fokusi do të jetë informimi i bizneseve të cilat operojnë në dinar dhe në mënyrë të paformalizuar”.

Në komunikatën e qeverisë theksohet se “asnjë biznes lokal në pronësi të qytetarëve serbë apo në komunat me shumicë serbe në Kosovë nuk është dënuar apo gjobitur prej hyrjes në fuqi të rregullores”.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që hyri në fuqi me 1 shkurt, sipas të cilit euro është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka ngritur shqetësimin e diplomatëve perëndimorë se çështja mund të nxisë tensione të reja. Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe, posaçërisht në veri.

Autoritetet në Kosovë kanë lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani bëri thirrje të hënën për bashkëpunim me aleatët e Kosovës në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore.

“Rrjedhimisht unë nuk shoh asgjë abnormale në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë në gjetjen e rrugëve shumë efektive nëpërmjet të cilave do të informoheshin qytetarët e Kosovës se si do të zbatohet rregullorja e BQK-së, e cila nuk është rregullore kundër dinarit, nuk është rregullore që e përmend diku dinarin por është rregullore që ka të bëjë me parandalimin e spastrimit të parave, koorrupsionit dhe shumë masa tjera”, tha presidentja Osmani.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius gjatë një vizite në Kosovë ku u takua me udhëheqësit e vendit tha se përdrimi i euros në të gjitha zonat e vendit është e drejtë legjitime e Kosovës.

“Por ndoshta ndonjëherë do të ishte mirë që kjo të komunikohej më mirë dhe të paraqitej në mënyrë të përshtatshme që askush të mos ndihet i frikësuar. Sidomos për njerëzit që janë prekur në veri të Kosovës”, tha ministri Pistorius.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama shkroi në rrjetet sociale se qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, të bashkërendohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, por sipas tij nuk duhet të harrohet gjithashtu e drejta e pamohueshme e Kosovës për të zbatuar kushtetutën e saj. Ai tha se pas Banjskës, duke ju referuar sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar, “është thelbësore të ruhet fokusi dhe ndjenja e ekuilibrit”.

Autoritetet në Serbi thonë se vendimi i autoriteteve në Kosovë për të ndaluar përdorimin e dinarit serb ka për qëllim spastrimin etnik të serbëve, ndërsa kanë paralajmëruar thirrjen e një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

voa

Këto janë dokumentet që Kurti ua dorëzoi ambasadorëve

KurtiKryeministri Albin Kurti në takimin e sotëm me ambasadorët e QUINT-it, ku është diskutuar gjendja aktuale në vend, me theks te rregullorja e Bankës Qendrore për Operacione me Para të Gatshme, ka prezantuar disa dokumente, përmes të cilave ka paraqitur gjendjen faktike.

 

Në dokumentet e siguruara nga RTKlive, të cilat i pari i ekzekutivit ua ka dorëzuar ambasadorëve, ai ka prezantuar funksionimin e strukturave ilegale të Serbisë brenda Kosovës, e të cilat e cenojnë rëndë rendin juridiko-kushtetues të Republikës së Kosovës. Kryeministri ua ka bërë të qartë ambasadorëve se Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, marrëveshjet me Serbinë dhe Pakoja e Ahtisaarit nuk parashikojnë krijimin ose funksionimin e sistemit ilegal apo komunave të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ai ka thënë se këto struktura, të cilat ofrojnë shërbime ilegale për qytetarët e komunitetit serb, janë pengesë për integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës.

Tutje në këtë dokumente theksohet se të punësuarit në këto struktura janë përzgjedhur përmes një procesi tërësisht jotransparent, ku rolin kryesor e kanë strukturat e sigurisë në bashkëpunim me Milan Radojçiqin dhe se të njëjtat përdoren për qëllime politike dhe të sigurisë, duke ushtruar ndikim dhe presion mbi qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë.

Duke qenë struktura të kontrolluara tërësisht nga shteti serb, punonjësit dhe hapësirat e tyre ishin në shërbim të plotë të shërbimeve sekrete serbe apo ruse.

Është bërë e qartë se këto struktura ilegale, me urdhër të qeverisë serbe, po vazhdojnë të financojnë bizneset dhe personat që janë në listën e zezë të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës.

Sipas dokumenteve të paraqitura, kryeministri Kurti ka bërë të qartë se aksioni policor për mbylljen e komunave ilegale nuk kishte si objektiv mbylljen e sistemeve shëndetësore, arsimore, farmaceutike apo postare.

Në këto dokumente është prezantuar edhe lista e masave proaktive të ndërmarra për të përmirësuar pjesëmarrjen e serbëve në institucionet dhe jetën publike të Kosovës.

Kurti ka thënë se janë të përkushtuar që të sigurojnë që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës dhe përmes dokumenteve të paraqitura i ka bërë thirrje BE-së që të mbështesë rishqyrtimin e propozimit për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët serbë të Kosovës me pasaporta të Serbisë, duke i bërë thirrje BE-së që t’i bashkohet fushatës së Qeverisë së Kosovës për të inkurajuar dhe thirrur të gjithë serbët e Kosovës që të marrin pasaportat e Kosovës dhe të kontribuojnë në normalizimin e mëtejshëm dhe marrëdhënies së mirë fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sa i përket  çështjes së ndalimit të dinarit, kryeministri Kurti ka paraqitur dokumente në të cilat dokumentohet se qytetarët e komunitetit serb tashmë kanë një llogari bankare në euro në një institucion të licencuar, pasi ata tashmë i marrin pensionet, pagesën e asistencës sociale, përfitimet e fëmijëve dhe pagat nga Thesari i Kosovës, në euro, në llogaritë e tyre bankare. Sipas kreut të Qeverisë, pagesat e marra nga Serbia për shumicën e këtyre familjeve janë burimi i dytë i të ardhurave, krahas asaj që marrin nga Thesari i Kosovës.

rtk