A po bëhet i pakuptimtë Asociacioni?

Tensione për AsociacionTë gjitha institucionet e Serbisë në Kosovë – nga komunat deri te shkollat e spitalet – do të duhej të përfshiheshin në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që pritet të themelohet.

 

Kjo është paraparë në një draft-statut të këtij asociacioni, të hartuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe të pranuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në lidhje me këtë dokument, Kurti ka siguruar se është shkruar “me kujdes dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Por, javëve të fundit, autoritetet e rendit kanë ndërmarrë disa aksione që kanë rezultuar me mbylljen e së paku shtatë komunave paralele serbe, përfshirë ato në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.

Për ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, këto veprime tregojnë se “koha e paligjshmërisë ka përfunduar” dhe se institucion i vetëm i Serbisë brenda Kosovës “do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.

Përfaqësuesit serbë, në anën tjetër, kanë reaguar me zemërim, ashtu si edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se hapat e tillë i rrisin tensionet etnike.

Reagimet kanë qenë të ngjashme edhe pas hyrjes në fuqi të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës, më 1 shkurt, me të cilin është ndaluar përdorimi i dinarit serb në Kosovë pas më shumë se dy dekadash.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar në disa adresa pyetjen se a po e bëjnë të pakuptimtë Asociacionin veprimet e fundit të autoriteteve në Kosovë.

Qeveria e Kosovës nuk u përgjigj, por në një komunikatë për media Kurti tha se institucionet kanë gatishmëri që ta adresojnë “në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim” të ngritur lidhur me çështjen e rregullores që e ndalon përdorimin e dinarit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, sugjeroi që të merret si referencë një reagim i lëshuar nga blloku më 4 shkurt.

Sipas tij, çështja e institucioneve të udhëhequra nga Serbia në Kosovë, duhet të zgjidhet në dialogun që ndërmjetëson BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit.

Çka thonë analistët?

Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike, thotë se “është e domosdoshme të kujtohet se qëllim fillestar i Asociacionit ka qenë shpërbërja e strukturave paralele serbe dhe jo fortifikimi i tyre”.

Për themelimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia janë pajtuar qysh në vitin 2013, por autoritetet në Kosovë kanë ngurruar ta zbatojnë marrëveshjen, nga frika se kompetencat e Asociacionit mund të ndikojnë në funksionalitetin e shtetit.

Në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, ka këmbëngulur deri vonë Kurti.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Hartwell thotë se në dritën e regjimit të Aleksandar Vuçiqit në Serbi, i cili “gjithnjë e më shumë kërcënon ta përshkallëzojë konfliktin me Kosovën”, Kurti duket se është fokusuar “në dy fronte”.

Në njërën anë po ndërmerr masa “për të forcuar pavarësinë e Kosovës”, duke goditur strukturat paralele serbe, që me ligj të Kosovës janë të paligjshme, dhe në anën tjetër “po përpiqet ta pozicionojë Kosovën në rrugë drejt BE-së”, thotë Hartwell.

“Duke mandatuar përdorimin e euros për të gjithë, përfshirë serbët e Kosovës, Kurti jo vetëm që sinjalizon përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrim në BE, por, gjithashtu, synon t’i frenojë hyrjet e paligjshme financiare nga Beogradi në veri të Kosovës”, thekson analisti.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e ka përdorur monedhën e saj për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë që nga paslufta më 1999.

Për këtë vit, zyrtarisht është bërë e ditur se nga buxheti i saj ka ndarë mbi 139 milionë euro për Kosovën.

Por, Hartwell thotë se nëse merret parasysh “natyra e fshehtë e transaksioneve me para të gatshme në dinarë”, disa vlerësime sugjerojnë se bëhet fjalë për një kontribut financiar vjetor që varion “nga 300 deri në 500 milionë euro” për serbët e Kosovës.

“Kjo mbështetje financiare përbën 10 deri në 15 për qind të të gjithë buxhetit të Qeverisë së Kosovës. Si e tillë, pasojat e mundshme të ndikimit të tillë financiar nga regjimi i Vuçiqit janë domethënëse”, thotë Hartwell.

Ai thotë se një alternativë e këtij asociacioni do të mund të ishte “përqafimi i diversitetit si aset shoqëror”. Qasja aktuale mund të nxisë pa dashje një “formë aparteidi” midis grupeve të ndryshme të identitetit, sipas tij.

Por, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, mendon se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës, si për dinarin, ashtu edhe për strukturat paralele serbe, “nuk e bëjnë të pakuptimtë Asociacionin”.

Sipas tij, autoritetet po përpiqen ta bëjnë më të qartë situatën kushtetuese dhe ligjore para se ta formojnë Asociacionin.

“Me masat që Qeveria kosovare po ndërmerr kundrejt veprimeve të deritashme ilegale, ne po provojmë që ta shuajmë një situatë kundërkushtetuese dhe kundërligjore, në mënyrë që të krijohen kushtet për ta vënë në jetë Asociacionin dhe aktivitetet tjera, të cilat në një rrethanë tjetër do të ishin krejtësisht të ligjshme dhe kushtetuese”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë rast, kritik ndaj bashkësisë ndërkombëtare shprehet Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin.

Ai thotë se si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara “duhet të pranojnë se politika e tyre e deritashme ka dështuar”.

Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi – e arritur vitin e kaluar, përkatësisht dhjetë vjet pas Marrëveshjes për Asociacionin – nuk do të zbatohet, po ashtu.

Sipas tij, rrugë e vetme për zgjidhje të përhershme mes Kosovës dhe Serbisë janë “negociatat për marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse” që do të çonin në njohje të ndërsjellë.

Si janë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë?

Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta ketë në preambulë të Kushtetutës si pjesë të territorit të saj.

Dy vendet janë të angazhuara në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, por dhjetëra marrëveshjet e arritura mes tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia kërkon që ta njohë de facto Kosovën.

Të dyja këto i parasheh Marrëveshja e Ohrit, për të cilën palët janë dakorduar gojarisht.

Serbia, përmes subjektit Lista Serbe, vazhdon ta dirigjojë politikën e serbëve në Kosovë.

Derisa serbët në jug të Ibrit janë integruar kryesisht në sistemin e Kosovës, ata në veri kanë mbetur nën direktivat e Serbisë.

Veriu, ku jetojnë rreth 50.000 serbë, ka qenë shpesh edhe skenë e tensioneve dhe dhunës.

Dhuna më e rëndë ka kulmuar në shtator të vitit të kaluar, kur persona të armatosur serbë kanë sulmuar policinë e Kosovës në fshatin e Banjskës, duke vrarë një polic.

rel

Natën e kalimit nga 3 në 4 shkurt të vitit 2000, struktura e grupe kriminale të Serbisë kryen një fushatë kriminale me qëllim spastrimin etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas.

mitrovicaAtë natë ata i vranë 10 shqiptarë dhe i plagosën 25 të tjerë, ndërsa dhjetëra banorë u torturuan. Në ditët në vijim gjatë muajit shkurt, grupet kriminale serbe të mbështetura nga Beogradi, i dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 anëtarë.

Shtëpitë e shqiptarëve të dëbuar me dhunë u uzurpuan nga serbë dhe ndër vite, mijëra shqiptarëve u është mohuar çdo e drejtë dhe u është pamundësuar çdo mundësi për t’u kthyer në shtëpitë dhe tokat e tyre. Ky spastrim etnik i kryer para 24 viteve, e ndryshoi krejtësisht strukturën demografike të Mitrovicës. Sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave të asaj kohe, para shkurtit të vitit 2000, në veri të Mitrovicës, 53% të njehsorëve të energjisë elektrike ishin nëpër amvisëri të shqiptarëve.

Masakrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të kryera në funksion të spastrimit etnik të Mitrovicës nga shqiptarët vendas, u krye vetëm tetë muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ndryshimi drastik i realitetit në terren, krijoi kushte shtesë për thellimin e ndarjes fizike të qytetit të Mitrovicës në dy pjesë. Ajo u realizua nën vëzhgimin e trupave ushtarake të KFOR-it, kurse u pasua nga mosveprimet e liderëve politikë shqiptarë të asokohe në Kosovë. Madje, këta të fundit, në vitin 2013 patën votuar në Kuvendin e Kosovës ligj për aministimin e kriminelëve në veri të Kosovës.

Tani pas 24 vitesh nga shkurti i vitit 2000, gjendja në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe në veri të vendit në përgjithësi, ka ndryshuar shumë falë angazhimit të Qeverisë së Kosovës dhe strukturave shtetërore të sigurisë. Organizatat kriminale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste, kurse vendosja e rendit dhe e ligjit në veri ka pasur përparime të mëdha dhe është në rrugë të mbarë për t’u forcuar. Megjithatë, për të vrarët e të torturuarit si dhe për të dëbuarit nga pjesa veriore e Mitrovicës gjatë shkurtit të vitit 2000, duhet të ketë drejtësi.

Natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë u vranë: Bashkim Rrukevci, Muharrem Sokoli, Nezir Voca, Shqipe Voca, Remzije Canhasi, Nderim Ajeti, Niman Sejdiu, Sebaha Abrashi, Selime Berisha dhe Nexhmije Xhaka.

Viktimat e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, i kujtojmë me nderime dhe dhembshuri, teksa angazhohemi për drejtësi për ta dhe për të dëbuarit si dhe për ligjshmëri, rend dhe kushtetueshmëri të plotë në veri të vendit sikur në çdo pjesë të Kosovës!

Albin Kurti

SHBA, projekt për heqjen e dioksidit të karbonit nga oqeanet

CO2 oqeaneEquipment on a barge for UCLAs SeaChange climate change carbon removal project at the Port of Los Angeles in San Pedro, California on April 12, 2023.

 

Kapja dhe heqja e karbonit nga atmosfera është një mënyrë përmes të cilës shkencëtarët po luftojnë ndryshimin e klimës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Delot një kompani e re në Los Anxhelos po zhvillon mënyra për të nxjerrë dioksidin e karbonit nga oqeani.

Përmes një projekti pilot në Portin e Los Anxhelosit, firma amerikane “Captura” mund të nxjerrë nga oqeani deri në 100 tonë dioksid karboni në vit.

“Oqeanet janë të mëdha. Ato mbulojnë 70% të sipërfaqes së planetit. Nëse mund të demonstrojmë aftësinë e përdorimit të oqeanit për të hequr dioksidin e karbonit nga atmosfera, potenciali për pakësimin e dioksidit të karbonit në atmosferë është shumë i madh”, thotë Steve Oldham nga kompania “Captura”.

Oqeanet tashmë po thithin rreth një të tretën e dioksidit të karbonit në atmosferë, thotë bashkëthemeluesi i kompanisë “Captura”, Harry Atwater, gjithashtu një studiues i Institutit të Teknologjisë në Kaliforni.

“Nëse ne mund ta zhbëjmë këtë acidifikim të oqeanit duke hequr dioksidin e karbonit nga uji i oqeanit, uji në sipërfaqen e oqeanit mund të veprojë në mënyrë efektive si një thithës i mëtejshëm i dioksidit të karbonit”, thotë ai.

Sistemi i kompanisë “Captura” përdor vetëm energji elektrike dhe ujë të kripur.

Duke u bazuar në rezultatet në Los Anxhelos, kompania po përgatitet të ndërtojë një objekt në Norvegji, që mund të kap 1000 tonë dioksid karboni në vit. Eksperti Atwater dhe drejtuesi i kompanisë “Captura” Oldham thonë se për ngadalësimin e ndryshimit të klimës duhen hequr miliarda tonë dioksid karboni nga oqeanet.

“Përmes përdorimit të lëndëve djegëse fosile sot ne çlirojmë rreth 40 gigatonë dioksid karboni në atmosferë në vit. Kjo po shkakton akumulimin dhe rritjen e nivelit të çlirimint të dioksidit të karbonit në atmosferë. Pra, ne në thelb duhet ta ulim me një shkallë më të madhe këtë sasi të dioksidit të karbonit në atmosferë. Ky është misioni i kompanisë “Captura””, thotë eksperti Atwater.

Drejtuesit e kompanisë “Captura” thonë se sfida më e madhe për kompanitë që heqin dioksidin e karbonit është shpejtimi i këtij procesi për të kapur ritmin e ndryshimit të klimës.

voa

Sulme të tjera ajrore amerikane dhe britanike në Jemen

aeroplanmbajtësja USS Dwight D. Eisenhower në Detin e KuqAvionët duke u nisur nga aeroplanmbajtësja USS Dwight D. Eisenhower në Detin e Kuq

 

Shtetet e Bashkuara dhe Britania goditën 36 objektiva të rebelëve huthi në Yemen të shtunën, në valën e dytë të sulmeve ajrore ndaj grupeve të mbështetura nga Irani, të cilat kanë sulmuar vazhdimisht interesat amerikane dhe ndërkombëtare që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas. Pas sulmeve, Irani paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të mos godasin dy anije mallrash iraniane, të cilat dyshohen prej kohësh se shërbejnë si baza operacionale për komandot iraniane.

 

Sulmet ajrore u bënë gjatë orëve të natës në gjashtë rajone të Jemenit që kontrollohen nga huthitë, si dhe në kryeqytetin Sanaa. Grupi huthi nuk dha detaje për dëmin e shkaktuar, por Shtetet e Bashkuara njoftuan se u goditën arsenale raketash të mbajtura nëntokë, platformat e nisjes së raketave, si dhe helikopterët që përdoreshin nga rebelët.

Zëdhënësi ushtarak i militantëve huthi, gjeneral brigade Yahya Saree tha se “këto sulme nuk do t’i dekurajojnë forcat jemene nga vazhdimi i mbështetjes për palestinezët” dhe se sulmet “nuk do të mbeten pa përgjigje”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin paralajmëroi militantët huthi pas sulmeve ajrore se “do të vazhdojnë të mbartin pasoja të mëtejshme nëse nuk ndalin sulmet e tyre të paligjshme ndaj transportit ndërkombëtar dhe mjeteve detare”. Ky mesazh u mbështet edhe nga sekretari i Jashtëm britanik David Cameron, i cili tha se “sulmet e huthive duhet të ndalen”.

Pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania bënë sulmet ajrore, Irani paralajmëroi të dielën Shtetet e Bashkuara që të mos sulmojnë dy anije transporti mallrash në Lindjen e Mesme, të cilat prej kohësh dyshohet se shërbejnë si baza operacionale për komandot iraniane.

Deklarata nga Irani për anijet “Behshad” dhe “Saviz” duket se sinjalizon shqetësimin në rritje të Teheranit për sulmet ajrore amerikane të ditëve të fundit në Irak, Siri dhe Jemen ndaj milicive të mbështetura nga Republika Islamike.

Anijet janë të regjistruara si anije tregtare të një kompanie me seli në Teheran, të cilës Departamenti amerikan i Thesarit i ka vendosur sanksione pasi shërben si fasadë për kompaninë shtetërore iraniane të transportit detar (Republic of Iran Shipping Lines).

Në një video të ushtrisë iraniane të qarkulluar të dielën, anijet përshkruhen si “arsenale lundruese” dhe se kanë misionin për t’iu kundërvënë piraterisë në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit”.

Pak përpara fushatës ajrore amerikane, anija Behshad udhëtoi drejt Gjirit të Adenit dhe është ankoruar tashmë në Xhibuti, pranë një baze kineze.

Flota e 5-të amerikane nuk komentoi në lidhje me rrezikshmërinë që përfaqësojnë këto mjete detare.

 

voa

“Hetimin e ka bërë ekspertiza amerikane”, Ngjela: Politikanët e lartë të të dy krahëve në SPAK, u janë gjetur paratë ku i kanë futur

Spartak NgjelaSot në Shqipëri, të akuzuarit e politikës së lartë të dy krahëve, kot lodhen dhe llomotitin fjali bosh e jashtë kuptimit juridik, ata janë të kapur që të gjithë dhe do të shkojnë drejt proceseve penale në SPAK.

I.
Kjo është një kohë historike për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Akuzat për korrupsion kundrejt liderëve hajdutë që kanë dëmtuar edhe Shqipërinë, edhe shqiptarët, është në formim e sipër, dhe nuk ka kthim mbrapa. Hetimi është bërë nga ekspertiza amerikane, kurse pastrimi i politikës shqiptare nga të degraduatirit e korruptuar është domosdoshmëri edhe shqiptare, por edhe ndërkombëtare.
Të gjithë kanë qenë prej disa vitesh nën një survejim profesional shumë të sofistikuar, dhe provat janë gati. Edhe paratë u janë interceptuar nëpër vendet ku i kanë, por kanë filluar të tregojnë edhe të penduarit.
Politika ruse dhe ajo serbe ka bërë çmos që t’i ndihmojë vjedhësit e shqiptarëve dhe shitësit e interesit kombëtar, por tani ata e kuptuan që mbrojtja e tyre ishte një lodhje e kotë dhe një shpenzim i madh i shkuar dëm.
Por si do të ecë kjo çështje?
II.
Këta milionerë krimesh kot vërtiten si në skenën e një teatri primitiv. Koha politike këtë ecuri ka pasur në çdo vend i cili është ndeshur me krimin e abuzimit shtetëror.
Po SPAK, a e di që pastrimi i Shqipërisë nga korrupsioni primitiv dhe banditesk i të korruptuarëve të lartë të shtetit shqiptar është një kërkesë me domosdoshmëri historike? E di SPAK se krimi i korrupsionit masiv në Shqipëri ka dëbuar dhe po dëbën Shqiptarët nga Shqipëria? A e din SPAK që kjo reformë antikorrupsion që ka filluar me reformën në drejtësi është marrë përsipër nga politika e lartë në Uashington?
Për të gjitha këto shqiptarët po presin nga SPAK që, në funksion të luftës antikorrupsion, nuk duhet të bëjë asnjë lëshim. Koha nuk do të falë askënd nëse nuk punon me ndershmëri për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët nga një krim i shëmtuar që ka ushqyer antishqiptarizmin në Shqipëri.
Gjithkush duhet ta dijë se kjo reformë që ka nisur nuk do të kursejë asnjë të korruptuar që ka qenë ose është në pushtet dhe ka vjedhur shqiptarët duke abuzuar me pushtetin politik.
Sot të gjithë të korruptuarit janë të skeduar. Por koha nuk pret, dhe reforma antikorrupsion duhet të vijojë me shpejtësi.
Kudo duhet mobilizim antikorrupsion, sepse kjo sot është një detyrë historike për çështjen kombëtare.
Askush nuk do të shpëtojë, prandaj të korruptuarit le të shkojnë për ndihmë jo në Moskë, por edhe në planetin Mars, janë që të gjithë të likuiduar.
Po pushteti gjyqësor, a do t’i rezistojë blerjeve me oferta gjigante të të korruptuarëve të lartë të shtetit shqiptar?
III.
E pra, kryesorja është të pyesim: çfarë do të bëjë SPAK?
SPAK duhet të veprojë me energji. Të gjithë prokurorët e këtij instituti duhet ta kuptojnë që abuzimi i tyre mund të hapë një akuzë ndërkombëtare për ta, sepse ata që po ndërhyjnë, më të shumtit e tyre, të hedhur në aksion për të shkatërruar reformën antikorrupsion në Shqipëri, janë nga Beogradi dhe Moska.
Por asgjë nuk do të bëjnë dot; sepse politika amerikane dhe ekspertiza e saj juridike i ka marrë të gjitha masat dhe i ka që të gjitha provat.
Dhe koha tani ka ardhur. Dhe ajo po kërkon me ngut nga SPAK që të identifikohen botërisht emrat e të korruptuarëve të lartë që kanë hyrë ose do të hyjnë në një procedim penal për korrupsion.
Të gjithë sot duhet ta dinë që, të tërë ata të cilët me aftësi profesionale dhe ndershmëri profesionale do ta përfundojnë me sukses reformën antikorrupsion në Shqipëri, do të kenë vendin e tyre në historinë demokratike të Shqipërisë dhe sigurisht që do të krijojnë figurën e tyre historike, por që do të jenë edhe të shpërblyer me bujari nga shteti shqiptar e nga donacionet që ka dhënë e do të japë politika amerikane dhe ajo e Bashkimit Evropian, për eliminimin e korrupsionit makabër në Republikën e Shqipërisë.
Prisni dhe shikoni…

Spartak Ngjela

Sela: Zhvillimet e fundit, kanë për qëllim përçarjen e ASH-së

SelaKryetari i Kuvendit të ASH-së Ziadin Sela deklaroi sonte se ndjehet i tradhtuar nga kryetari aktual i ASH-së, Arben Taravari dhe se të gjitha këto zhvillime kanë për qëllim përçarjen e ASH-së, shkruan Alsat.

“E kemi dhënë mundin gjakun, sakrificën dhe djersën e kemi dorëzuar te njerëz që iu besuam, e sot konstatoj se u keqpërdoren. Më duhet të jem transparent përpara shqiptarëve dhe kryetarëve të degëve duke u dhënë një mesazh, unë dua ta thërras sa më shpejtë kuvendin qendror sepse po afrohen zgjedhjet, por nga ana tjetër ne po mbahemi në një terr informativ”, tha Sela.

Kryetari i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela njoftoi se Kuvendin e Partisë, kryetar i së cilës është vet ai do ta thërras të shtunën e ardhshme dhe sipas tij pikë e rendit të ditës do të jetë, përgjegjësia e kryetarit të ASh-së, Arben Taravari.

“Komunikimi i fundit i imi ka qenë dje me mesazhe, i kam thënë që të thirr mbledhje të kryesisë së partisë, që të marrim vendim që të shtunën të shkojmë në kuvend të partisë. Sot një javë, të shtunën do të thirret, do e thërras publikisht Kuvendin e ASH-së dhe pika e rendit të ditës do të jetë përgjegjësia e kryetarit të partisë. ASH-ja ka qenë barriera kryesore për të ndal elementet fondamentale. E ky është momenti më kritik të cilin ASH-ja do ta parandaloj përsëri”, tha Sela.  shkruan Alsat.

Zv/kryeministrja Rexhepi: Projekt-Statuti aktual i Asociacionit krijon hapësirë për një Republikë Serbe

emilijaZëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi e quan projekt-statutin e hartuar nga komuniteti ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të dëmshëm, pasi sipas saj, krijon mundësi që të krijohet një Republikë Serbe e ngjajshme me atë që ekziston në Bosnje. Gjatë intervistës me kolegun Artan Haraqija, përfaqësuesja e komunitetit boshnjak të Kosovës thotë se qeveria do të presë qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, para se “të hartojë një statut të ri për Asociacionin”.

 

Zëri i Amerikës: Zonja Rexhepi, Kosova është nën trysni të vazhdueshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Çfarë hapash po ndërmerr qeveria juaj për të përmbushur këtë detyrim që është pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër?

Emilija Rexhepi: Si qeveri e re, me kryeministër Albin Kurtin e kemi trashëguar këtë problem. Unë jam një nga ata që kanë votuar për themelimin e këtij Asociacioni më 2015, megjithëse kjo është një çështje prej vitit 2013, duke vlerësuar që komuniteti serb duhet të integrohet në shtetin e Kosovës, ashtu siç kemi bërë ne të tjerët, që të ketë të drejta për të jetuar, për tu shkolluar, për të punuar. Por tani kjo është një çështje krejt tjetër, pasi vlerësoj që drafti i tanishëm u jep atyre shumë të drejta, që pushteti ekzekutiv i Asociacionit, nëse do të themelohej, do të ishte i madh dhe kjo do të dëmtonte shtetin tonë. Nëse do të themelohej një Asociacion i tillë krijohet mundësia që të themelohet një Republikë e dytë Serbe ashtu siç është krijuar në Bosnje e Hercegovinë. Ne si qeveri kemi qëndrimin që mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të presim qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese që të mos bëjmë asgjë që shkon në dëm të shtetit tonë.

 

Zëri i Amerikës: Ju thoni që Projekt-Statusi që ka ardhur prej BE-së, prej Komunitetit ndërkombëtar është në dëm…?

Emilija Rexhepi: Drafti që kemi parë, i jep shumë pushtet ekzekutiv Asociacionit dhe mund të vijë deri te krijimi i një shteti të ri brenda shtetit tonë.

 

Zëri i Amerikës: Pra, ju e kundërshtoni projekt-statutin dhe nuk do ta pranoni…

Emilija Rexhepi: Unë jam gjithmonë kundër kësaj dhe kjo nuk është kundër serbëve, por thjeshtë krijon hapësirë në të ardhmen, që kjo pjesë e territorit të shkëputet dhe të shpallet ndoshta një republikë tjetër.

 

Zëri i Amerikës: Atëherë pse qeveria e Kosovës nuk harton një projekt statut të vetin dhe pse nuk e ka bërë këtë deri më tani, sepse ka kaluar një kohë që ky është bërë një kusht ndërkombëtar që Kosova duhet ta plotësojë?

Emilija Rexhepi: Ne kemi bashkëpunim dhe kemi bisedime të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe rruga drejt BE-së është diçka që për ne ofron përparim dhe përspektivë dhe ne nuk do të heqim dorë nga ajo. Qeveria jonë padyshim do të mbështetet në Gjykatën Kushtetuese, do të presim qëndrimin e saj dhe më pas do ta marrim çështjen në duart tona dhe do të hartojmë një statut të ri për Asociacionin.

 

Zëri i Amerikës: Një tjetër çështje që ka shkaktuar probleme mes Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar është mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat e pjesës veriore. Ndonëse diplomatët perëndimorë preferonin dorëheqjen e kryetarëve të komunave, qeveria juaj zgjodhi një proces më të ndërlikuar përmes një peticioni që tashmë është nënshkruar. A janë këto vonesa në dëm të proceseve dhe të marrëdhënieve të Kosovës me komunitetit ndërkombëtar?

Emilija Rexhepi: Ne nuk kemi probleme me përfaqësuesit ndërkombëtar dhe me komunitetin ndërkombëtar pasi vlerësoj që bëmë gjërat e duhura. Me serbët kemi gjithmonë probleme duke filluar nga regjistrimi i makinave, procesi i reciprocitetit, pasi Serbia përfiton më shumë nga eksportet se sa Kosova. Më pas keni parë se çfarë ndodhi në Banjskë, sulmet ndaj KFOR-it, sulmet ndaj policëve tanë, një jetë u humb dhe siguria padyshim është dëmtuar. Mund të vij deri të një përshkallëzim të një dhune të madhe dhe është mirë që atë e kemi ndaluar ashtu si duhet. Vlerësoj që edhe serbët që jetojnë në pjesën veriore të shtetit janë lodhur nga e gjithë kjo pasi një pjesë e serbëve ka dhënë dorëheqjen nga policia dhe kjo më duket si pjesë e një skenari që është hartuar më parë që ndoshta ata të shpëtojnë jetën e tyre dhe të vuaj dikush tjetër nga policia, pavarësisht nga përkatësia etnike… Vlerësoj që kur u mbajtën zgjedhjet lokale ne kemi qenë të detyruar nga Kushtetuta, përfaqësuesit tanë duhet të mbanin zgjedhjet për shkak të mos funksionimit të pushtetit lokal në katër komunat e pjesës veriore. Nuk ishte as qeveria e as përfaqësuesit shqiptarë që tani jani në ato komuna fajtor për atë pasi Kushtetuta duhet të respektohej. Serbët kanë të drejtë që të zgjedhin se si të përfaqësohen në komunat e tyre dhe shpresoj që së shpejti do të organizojmë zgjedhjet lokale dhe do të vendosin se kush do t’i përfaqësojë. Është e sigurt që këta nuk do të jenë shqiptarë e as boshnjakë, por ata duhet të marrin pjesë në votim. Vendimi i tyre që të mos marrin pjesë në zgjedhje krijoi mundësinë që të kandidojnë të tjerët dhe të fitojnë zgjedhjet. Nëse doni të jeni pjesë e shoqërisë së Kosovës, pjesë e një shteti normal dhe të jetoni së bashku me ta, normalisht që duhet të jeni pjesë e institucioneve.

Zëri i Amerikës: Mund të thoni pse mungon guximi brenda komunitetit serb që të ndahen prej strukturave paralele dhe të integrohen në Republikën e Kosovës?

Emilija Rexhepi: Mendoj se duhet të përqëndrohemi në zhvillimin ekonomik, në mbijetesën e familjes, diçka që unë si zëvendës kryeministre për minoritete e kam bërë tani me organizatën ndërkombëtare ICO për investime kapitale për komunat ku jetojnë komunitetet që nuk i përkasin shumicës me theks të veçantë në veriun e Kosovës në mënyrë që të përfshihen të gjithë serbët. Ky projekt ka vlerën prej 300 milionë euro, pra bëhet fjalë për një investim tejet të madh. Kemi në plan që ta realizojmë këtë prej vitit 2024 deri më 2030, për gjashtë vjet. Fjala është për projekte madhore duke filluar nga infrastruktura, ndërtimi i spitalit, ndërtimi i shkollave dhe rrugëve, mbështetja e zhvillimit ekonomik dhe projekte që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës të të gjitha kulturave. Aty shoh hapësirë për kohezion më të mirë shoqëror, për dialog ndër-etnik me shqiptarët dhe të gjithë ne të tjerët dhe zhvillim më të fuqishëm të atyre zonave. Vetë fakti që në këtë projekt tani janë të përfshirë serbët e veriut dhe ku po punojmë për një vit e gjysmë, krijon hapësirën dhe mundësinë që të bashkëpunojmë dhe komunikojmë më mirë në të ardhmen. Unë jam e hapur dhe nuk kam asnjë problem që të bisedoj dhe punoj me serbët, shqiptarët, boshnjakët. Unë respektoj çdo kombësi, çdo fe dhe vetëm në këtë formë e ardhmja e Kosovës do të jetë e mirë.

Zëri i Amerikës: Trajtimi me përparësi i komunitetit serb, ndërsa ju jeni përfaqësuese e komunitetit boshnjak, nuk besoni që i lë në hije interesat, çështjet me rëndësi të komuniteteve tjera pakicë që nuk janë serbë?

Emilija Rexhepi: Unë kam punuar me serbët dhe kam qenë në parlament me ta dhe kam votuar shumë ligje me rëndësi që janë në interes të popullit serb. Serbët duhet ta kuptojnë se të drejta të njëjta kanë edhe boshnjakët, turqit, goranët, romët. Nuk mund të ketë privilegje vetëm për njërën kombësi e as që duhet të viktimizohet kombësia tjetër. Një popull nuk mund të jetë superior. Fakti që jetojmë në një Kosovë multietnike është një vlerë. Në qeveritë e mëparshme ka qenë ashtu, ata kishin koalicione me partinë Lista Serbe dhe komuniteti serb gjithmonë ka dominuar. Tani jo, qeveria e zotit Albin Kurti u jep shumë hapësirë komuniteteve të tjera, shumë prej nesh jemi në institucione. Unë jam zëvendëskryeministre dhe kjo është hera e parë që nuk është një serb dhe kjo u jep një kënaqësi komuniteteve të tjera që të ndihen të lirë në shtetin e tyre.

Zëri i Amerikës: Vitin e kaluar, ju keni përmendur disa incidente me bazë etnike. Keni përmendur një rast në Prizren, një në Gjakovë ku një pjesëtari të komunitetit egjiptian nuk i është lejuar hyrja në një lokal, për arsye etnike. Ju keni thënë se një prej mundësive për t’u larguar nga kjo situatë është që familjet, duke filluar nga shumica shqiptare të riedukojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre me idenë që nuk është vetëm një komunitet etnik që jeton në Kosovë, por ka shumëllojshmëri etnish dhe gjuhësh të ndryshme dhe duhet të mësohen me këtë. Gati një më vit pas, besoni se ka një ndryshim pozitiv në këtë aspekt?

Emilija Rexhepi: Ne që jetojmë në mjedise të ndryshme, ku ka komunitete të ndryshme jemi rritur në atë mënyrë që jemi shoqëruar së bashku, kemi shkuar në shkollë së bashku, punojmë së bashku dhe nuk kemi probleme të tilla. Megjithatë, në Kosovë ka zona që janë etnikisht të pastra, ku jetojnë vetëm shqiptarët, vetëm serbët apo boshnjakët, një fshat etnik pra dhe është shumë me rëndësi që të edukoni fëmijet tuaj në atë mënyrë që këtu nuk jetoni vetëm ju dhe nuk janë vetëm fëmijët tuaj të rëndësishëm dhe po aq të rëndësishëm janë edhe fëmijët e të tjerëve. Mund të jenë të ndryshëm por edhe ata janë kosovarë dhe duhet t’i doni po ashtu si i doni tuajët, t’i respektoni dhe para së gjithash ata janë miqtë tuaj, fqinjët tuaj, mund të jenë partnerët tuaj apo kolegë të punës dhe vlerësoj se ende duet të punojmë në këtë drejtim dhe të forcojmë sistemin tonë që t’iu jep hapësirë të gjithëve. Edhe shqiptarët duhet të mësojnë se në Kosovë jetojnë edhe kultura të tjera dhe që flasin gjuhë të tjera. Serbët duhet ta dijnë që në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe ku jetojnë edhe të tjerë që flasin gjuhë tjera dhe duhet të respektojmë njëri tjetrin dhe të jetojmë të gjithë së bashku.

Kundërpërgjigja amerikane ndaj Gardës Revolucionare të Iranit dhe grupeve paraushtarake

B-1B LancerAvioni bombardues B-1B Lancer duke u përgatitur për nisje në bazën ajrore Ellsworth, në Dakotën e Jugut

 

Shtetet e Bashkuara filluan të premten sulme ajrore në Irak dhe Siri ndaj forcave të Gardës Revolucionare të Iranit dhe grupeve paraushtarake që i mbështesin, në kundërpërgjigje për vdekjet e tre ushtarakëve amerikanë nga sulmi me dron të dielën në një bazë amerikane në Jordani. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ka patur rreth 40 të vrarë në objektet e goditura. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, sulmet ajrore filluan pak pasi presidenti Joe Biden mori pjesën në ceremoninë solemne në bazën ajrore Dover, për pritjen në atdhe të trupave të ushtarakëve të vrarë amerikanë.

 

Duke përdorur avionë bombardues me rreze të gjatë, ushtria amerikane goditi të premten në tre vendndodhje të ndryshme në Irak dhe katër në Siri.

Sulmet u urdhëruan si kundërpërgjigje nga presidenti Joe Biden.

U goditën në total rreth 85 objektiva të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit dhe grupet paraushtarake që e mbështesin.

Këto nuk do të jenë sulmet e fundit, tha të premten nëpërmjet telefonit gjeneral lietnant Douglas Sims, drejtor i operacioneve për Shtabin e Përgjithshëm.

“Në këto momente, të gjithë avionët janë kthyer të padëmtuar. Nuk do të jap detaje të tjera për kohën se kur do të bëhen sulmet e tjera”, tha ai.

Ndër objektivat ishin qendrat e komandës dhe kontrollit, qendrat e zbulimit, depot e raketave dhe dronëve, objekte të logjistikës dhe furnizimit me municione për grupet paraushtarake dhe sponsorët e tyre nga Garda Revolucionare e Iranit.

Më pak se tre orë përpara sulmeve ajrore, presidenti Biden dhe zonja e parë Jill Biden morën pjesë në ceremoninë solemne për pritjen në atdhe të trupave të tre ushtarakëve të vrarë amerikanë.

Ata u vranë të dielën nga një sulm me dron në një bazë amerikane në Jordani. Shtetet e Bashkuara fajësuan për sulmin “Rezistencën Islamike në Irak”, një organizatë mëmë për grupet e mbështetura nga Irani.

Koha e përzgjedhur për sulmet ajrore amerikane u përcaktua kryesisht nga moti, i tha Zërit të Amerikës nëpërmjet telefonit zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

“Nuk pati absolutisht asnjë lidhje me kohën e ceremonisë solemne sot në bazën ajrore Dover”, tha zoti Kirby.

Në ceremoninë solemne në bazën ajrore Dover në Dellauer, morën pjesë familjarët e të rënëve, drejtuesit ushtarakë, ndër ta edhe sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, si dhe ligjvënësit e shtetit Xhorxhia nga ku ishin të tre ushtarakët e ndjerë: rreshteri William Jerome Rivers, rreshterja Kennedy Ladon Sander dhe rreshterja Breonna Alexsondria Moffett.

Presidenti Biden foli më herët gjatë javës me familjarët e tyre.

“Do të doja të mos më duhej ta bëja këtë telefonatë. E di se nuk ekziston diçka që mund të thuhet apo mund të bëhet për ta lehtësuar dhimbjen. E kam përjetuar vetë”, u tha presidenti Biden nëpërmjet telefonit prindërve Oneida Oliver Sanders dhe Shawn Sanders.

Me mijëra ushtarakë amerikanë të vrarë jashtë vendit ndër vite, jo në të gjitha ceremonitë solemne kanë marrë pjesë presidentët. Kjo është ceremonia e dytë e tillë për presidentin Biden.

Në gusht të vitit 2021, ai mori pjesë në ceremoninë për 13 ushtarakët e vrarë në Kabul gjatë tërheqjes nga Afganistani të forcave amerikane.

Dhe tashmë presidenti përballet me luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë që rrezikon të zgjerohet në një konflikt më të gjerë rajonal.

“Mendoj se shumë vende në rajon po presin se ç’do të ndodhë. Nuk mendoj se ndokush dëshiron ta shndërrojë në një konflikt të përgjithshëm ku secili duhet të marrë një anë”, tha James Robbins, nga Instituti i Politikave Botërore.

Ndërkohë presidenti Biden dhe zyrtarët amerikanë thonë në mënyrë të përsëritur se: Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë me Iranin.

voa

Kryetarja e parlamentit të Letonisë: Nëse agresioni rus nuk ndalet tani, do të duhet të paguajmë një çmim edhe më të lartë

Daiga Mierina LetoniKryetarja e parlamentit të Letonisë, Daiga Mierina thotë se duhet fitore për Ukrainën nëse dëshirojmë arritjen e paqes. Në një intervistë për Eka Maghaldadzen, e Shërbimit Gjeorgjian të Zërit të Amerikës, zonja Mierina tha se agresioni i Rusisë nuk do të ndalet vetiu dhe paralajmëron se ndërkohë Rusia po shtrin rrjetet e saj të ndikimit në mbarë botën duke përhapur paqëndrueshmëri dhe duke sulmuar demokracinë.

 

Zëri i Amerikës: Zonja kryetare e parlamentit, faleminderit për kohën tuaj dhe që erdhët në Zërin e Amerikës. Gjendeni këtu në Uashington së bashku me homologët tuaj nga vendet e Balltikut, për takime me kolegët amerikanë. Cilat janë temat më kryesore në axhendën tuaj? Çfarë po diskutojnë udhëheqësit e vendeve balltike me ligjvënësit amerikanë dhe çfarë donit të dëgjonit prej tyre?

Daiga Mierina: Përshëndetje. Në emër të Letonisë, në emër të vendit tonë dhe popullit tonë, do të donim të falenderonim shumë popullin amerikan për përpjekjet tuaja për të ruajtur paqen në botë. Jemi shumë mirënjohës për këtë pasi është shumë e rëndësishme për botën tonë. Dhe kemi ardhur këtu në Uashington D.C. për të diskutuar për mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën.

Natyrisht, ndihma për Ukrainën është në krye të axhendave në mbarë botën në këto momente. Por, nëse dëshirojmë të arrijmë paqen, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi. Dhe përtej kësaj, duhet të mbështesim Ukrainën dhe në veçanti t’i japim mbështetje ushtarake, pasi duhet të kuptojmë se për çdo ditë që vonojmë marrjen e vendimeve të rëndësishme, njerëz vdesin në fushëbetejë.

Ishte shumë e rëndësishme për ne që të përcillnim eksperiencën tonë personale dhe të ndanim mësimet historike që kemi nxjerrë. Dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që t’ja japim këtë mesazh botës dhe Amerikës, se agresioni rus nuk do të ndalet vetiu, nuk do të marrë fund vetë. Dhe nëse nuk e ndalim tani, atëherë do të duhet të paguajmë një çmim edhe më të lartë.

Dëgjojmë këto ditë se Rusia krahasohet me një kancer, por ne mendojmë se është edhe më keq sepse tentakulat e Rusisë po përhapen në mbarë botën dhe arrijnë në shumë vende në mbarë globin. Shtetasit rusë gjenden kudo dhe po përhapin kaos. Po përhapin paqëndrueshmëri dhe po përpiqen të sulmojnë demokracitë.

Dhe gjatë këtyre ditëve ne sigurisht që diskutojmë për hapa shumë praktikë, veprime që mund të ndërmarrim. I diskutuam këto gjëra me senatorët, me ligjvënësit dhe gjithashtu edhe me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve. Këto hapa përfshijnë sanksione të mundshme për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e saj të luftës dhe konfiskimin e pasurive të Rusisë, për t’i përdorur ato për rindërtimin e Ukrainës.

 

Zëri i Amerikës: Ka të dhëna se kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Johnson ju tha se ekziston mundësia që ndihma për Ukrainën dhe çështja e politikës për kufirin do të veçohen, si një mënyrë për të dalë nga ngërçi. Megjithëse ai thotë se nuk ka ende asgjë të sigurtë. Çfarë mund të na thoni; çfarë ju tha kryetari Johnson për këtë? Çfarë u mësua nga takimi me të?

Daiga Mierina: Vërtet që e diskutuam këtë temë, por është e rëndësishme të kuptojmë se çdo vend ka gjithashtu çështjet e politikave të tij të brendshme që janë sigurisht shumë të rëndësishme dhe shumë lart në axhendën e secilit vend. Po, dëgjuam se ka mundësi për zgjidhje të ndryshme, por nuk diskutuam strategji konkrete se çfarë mund të ishin këto zgjidhje. Dhe për mendimin tim, është detyra e politikanëve tuaj të gjejnë mënyrën më të mirë për të ardhmen e vendit.

Folëm me senatorë, ligjvënës dhe dëgjuam pikëpamje të ndryshme për mundësitë për të vepruar në të ardhmen. Por, dëgjuam se pavarësisht nga këto këndvështrime të ndryshme, pati mirëkuptim të përbashkët unanim se duhet ta ndalim luftën sa më shpejt dhe se duhet ta bëjmë këtë kolektivisht.

Kryetari Johnson nënvizoi se e vlerëson shumë që vendet balltike kanë rritur shpenzimet për mbrojtjen. Kryetari Johnson tha se jemi vërtet një shembull i shkëlqyer për të gjitha vendet e tjera evropiane dhe se ndoshta po japim shembullin duke udhëhequr në këtë drejtim. Të shpresojmë se edhe vende të tjera do ta ndjekin shembullin tonë. Ai falenderoi shumë për këtë.

Do të doja të përmendja se vendet balltike synojnë ta vazhdojnë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për të arritur në 3% të prodhimit të brendshëm bruto. Për shembull, në Letoni synojmë të arrijmë në 3% të PBB-së deri në vitin 2027.

Gjithashtu, mbështetja jonë për Ukrainën ka qenë shumë më e madhe, në disa vende balltike më shumë, në disa më pak. Por, mbështetja për Ukrainën është në përgjithësi mbi 1% e PBB-së sonë.

 

Zëri i Amerikës: Vendet balltike kanë paralajmëruar prej dekadash për mundësinë e agresionit rus. Dhe ju përmendët se u thatë ligjvënësve amerikanë se agresioni i Rusisë nuk do të ndalet vetë. Ndërsa shumë flasin për dhënien fund të luftës, udhëheqësit balltikë nuk ndruhen të flasin për dhënien fund të luftës me një fitore të Ukrainës. Jeni shprehur edhe gjatë debatit vjetor për politikat se “fitorja e Ukrainës është një ndër përparësitë e politikës së jashtme të Letonisë”. Përse është kjo e vërtetë për vendin tuaj? Çfarë do të thotë fitorja e Ukrainës, apo mundja e saj në këtë luftë, për vendin tuaj dhe për vendet balltike?

Daiga Mierina: Po, vërtet. Për shumë vite kemi paralajmëruar tashmë vendet evropiane dhe vende të tjera të botës se Rusia përfaqëson një rrezik agresioni. Dhe në histori kemi parë tashmë shenja të qarta të kësaj mundësie. Le t’i hedhim një vështrim pas historisë. Putini gjithnjë ka përdorur forcën për të arritur objektivat e tij. Pamë luftën e tij në Çeçeni. Pamë më vonë sulmin e tij ndaj Gjeorgjisë, në Krime dhe pas secilit sulm popullariteti i tij u rrit. Dhe Putini ndjeu se mund të arrijë çfarë dëshiron nëpërmjet forcës. Kjo krijoi një lloj ndjesie pandëshkueshmërie për Putinin dhe për Rusinë në tërësi. Rusia pati ndjesinë se mund të diktonte vërtet rendin botëror, por neve na duhet llogaridhënie për veprat e Rusisë.

Të treja vendet balltike kanë përjetuar sulmin, gjenocidin, deportimet, rusifikimin. I mbajmë mend të gjitha këto shumë mirë dhe vazhdojmë t’ia kujtojmë botës veprat dhe rrezikshmërinë e Rusisë. Nëse nuk e ndalim Rusinë, ajo do të vazhdojë të përsërisë të njëjtat gjëra dhe jo vetëm në Balltik, por edhe në vende të tjera.

Prandaj do të doja të deklaroj se lufta në Ukrainë është lufta për paqen në botë.

 

Zëri i Amerikës: Jeni tashmë një vend i NATO-s prej 20 vitesh. Me praninë e forcave të NATO-s në Balltik, a jeni të shqetësuar se mund të bëheni objektivi i radhës? Gjatë 6 muajve të ardhshëm, NATO do të bëjë stërvitjen më të madhe që nga Lufta e Ftohtë. Vendet balltike janë ndër vendet kryesore ku do të mbahen manovrat. Çfarë i nevojitet vendit tuaj pikërisht tani për sa i përket sigurisë? Si mund të forcohet?

Daiga Mierina: Po, vërtet vendi ynë ka qenë në NATO për 20 vjet dhe kjo ka rritur padyshim ndjesinë tonë të sigurisë. Ka krijuar një mjedis më të sigurtë në vendet tona. Kemi mbrojtjen kolektive dhe kemi vërtet një ndjesi më të madhe sigurie në vendin tonë.

Është e rëndësishme për tre vendet balltike që të mos ndihemi të vetëm. Nëse pësojmë një sulm, nëse do të na duhet të përballemi me agresionin, mund të mbështetemi tek aleatët për të na ndihmuar. Por në të njëjtën kohë, nuk duhet të rrimë kot, duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë. Kemi krijuar strategji të reja mbrojtjeje dhe kemi bërë shumë për të forcuar sigurinë tonë. Shpresojmë vërtet që edhe Suedia do t’i bashkohet NATO-s dhe se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s në të ardhmen.

 

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet presidenciale po afrojnë në Shtetet e Bashkuara. Shumë kujtojnë ish presidentin Trump që e quajti NATO-n të ezauruar dhe madje shqetësohen se nëse zgjidhet, se mund të nxjerrë SHBA-në nga NATO. A jeni e shqetësuar për këtë? Dhe çfarë mendoni për një skenar të tillë?

Daiga Mierina: Së pari mendoj se duhet të presim për rezultatin e zgjedhjeve dhe pastaj të mendojmë për këtë. Por sigurisht, e kemi dëgjuar këtë retorikë përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Për mendimin tim, NATO është një aleancë shumë e fortë dhe Shtetet e Bashkuara kanë një rol shumë të fortë dhe shumë të rëndësishëm në NATO. Këtë vit shënohet 75-vjetori i NATO-s dhe përgjatë këtyre viteve NATO ka udhëhequr në mënyrë të shkëlqyer. NATO ka treguar se mund të japë mbështetje dhe ndihmë aty ku nevojitet. Dhe NATO ka qenë shembull shumë i mirë se si duhet të jetë një organizatë.

Për mendimin tim tani nuk ka ndonjë nevojë për t’u shqetësuar për NATO-n. Por në të njëjtën kohë, NATO duhet të mendojë se si do të jetë në të ardhmen, si mund të funksionojë me më shumë efikasitet dhe se si mund të kontribuojmë të gjithë në mënyrë të barabartë për mbrojtjen kolektive në NATO.

 

Zëri i Amerikës: Folët se si vendet e vogla balltike po shpenzojnë për ndihma për Ukrainën dhe për mbrojtjen e tyre, krahasuar me PBB-të e tyre. Për këtë përgëzohen shpesh nga vende me ekonomi shumë më të mëdha. Na thoni se si e shikoni rolin udhëheqës të Letonisë dhe të Evropës për këtë? Në veçanti ndërsa ndihma nga Shtetet e Bashkuara është e pezulluar dhe ndërsa pritet një luftë e zgjatur, çfarë mendoni se mund të bëjë Evropa më shumë? Ku gjenden roli dhe përgjegjësia e vendeve të caktuara dhe i Evropës në tërësi?

Daiga Mierina: BE-ja duhet ta ndihmojë Ukrainën më shumë.

Mendoj se janë rritur përpjekjet evropiane për të ndihmuar Ukrainën. Disa vende më të mëdha evropiane kanë shtuar rolin e tyre dhe kanë ndryshuar qëndrim. Kemi parë deri rishtazi se ka patur dyshime, nëse duhet të dërgonim raketa apo armatime të tjera në Ukrainë. Por tashmë retorika ka ndryshuar. Është e qartë tashmë se na nevojiten veprime të vendosura dhe të shpejta për të patur rezultate. Mund ta shohim qartazi se nëse vonohemi të veprojmë, lufta vetëm zgjatet edhe më shumë.

Rusia mëson me shpejtësi. Rusia po i përshtatet zhvillimeve më të fundit. Rusia po mëson nga gabimet e saj. E vizitova personalisht Ukrainën së fundmi dhe dëgjova nga ukrainasit se si Rusia po përdor taktikat ukrainase në luftimet kundër Ukrainës. Po mëson nga lufta e Ukrainës. Për shembull, Ukraina po përdor dronë në fushëbetejë dhe pastaj edhe Rusia po përdor dronë kundër Ukrainës. Nuk duhet ta nënvlerësojmë Rusinë. Sigurisht do të doja të nënvizoja se është e rëndësishme që BE-ja dhe vendet evropiane në përgjithësi të flasin më pak dhe të rrisin mbështetjen për Ukrainën.

Personalisht mendoj se në këtë pikë nuk duhet të flasim më për çfarë është e mundshme. Duhet të flasim për hapa konkrete që duhet të ndërmarrim, si zhvillimi i industrisë ushtarake dhe prodhimi i armëve. Për shembull, ka tani një mungesë predhash 155 milimetërshe, të cilat janë shumë të rëndësishme në këto momente për Ukrainën. Por, Evropa nuk arrin të prodhojë mjaftueshëm nga këto predha. Evropa duhet të zgjerojë vërtet industrinë e saj ushtarake.

Këtu do të doja të përmendja një iniciativë shumë konkrete në kuadrin e formatit Ramstein. Letonia ka marrë rol drejtues në të ashtuquajturin Koalicioni i Dronëve dhe detyra e këtij koalicioni është të gjejë mundësitë për të prodhuar dronë në sasi të mëdha dhe me çmim të përballueshëm, të cilët i nevojiten Ukrainës shumë në këtë moment për të luftuar Rusinë.

Sipas mendimit tim, do të ishte gjithashtu shumë e rëndësishme që të përdoren pasuritë e konfiskuara ruse për përfitimin e Ukrainës. Ne e dimë se ka patur një sasi të madhe të pasurive ruse të sekuestruara në shumë vende, përfshirë në Shtetet e Bashkuara. Ne duhet të gjejmë mënyra për t’i përdorur këto fonde të ngrira për të ndihmuar Ukrainën, si në luftë ashtu edhe më pas për të rindërtuar Ukrainën.

Dhe këtu dua të ndaj një shembull nga vendi im. Letonia ka miratuar tashmë një ligj ku ne vendosëm të konfiskojmë një ndërtesë, të ashtuquajturën “Shtëpia e Moskës” në kryeqytetin tonë, Riga, e cila për shumë vite u përdor për të përhapur propagandën ruse. Dhe tani po shikojmë mënyrat se si mund ta përdorim ndërtesën e sekuestruar dhe të konfiskuar për të ndihmuar Ukrainën, për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës.

 

Zëri i Amerikës: Ju përmendët se tani është koha për veprim të vendosur. Megjithëse, me numrin e zgjedhjeve të planifikuara për këtë vit, përfshirë për Parlamentin Evropian, situatën në Lindjen e Mesme, a shihni shenjat e lodhjes me Ukrainën dhe nëse po, sa përbën kjo një sfidë, çfarë do t’u thonit atyre, përse ka rëndësi të mos lodhemi së mbështeturi Kievin?

Daiga Mierina: Ndoshta do të përsëris veten, por mendoj se përgjigja është shumë e qartë, sepse Ukraina po lufton për vetë shpirtin. Ukraina po lufton që ne të kemi një jetë të qetë, që fëmijët tanë të shkojnë në shkollë dhe të studiojnë atje, që ne të mund të shkojmë në punë dhe të bëjmë punët tona. Ukraina është ajo që po paguan një çmim në mënyrë që ne të gëzojmë këto mundësi.

 

Zëri i Amerikës: Shkurtimisht për sulmet hibride nga Rusia. Dezinformim, infiltrim apo mjete të tjera hibride që Kremlini i përdor shumë shpesh jo vetëm kundër vendeve të Europës Lindore, por edhe gjetkë. Përfshirë edhe në Balltik. Sa e madhe është kjo sfidë për vendin tuaj dhe si po e përballoni?

Daiga Mierina: Po bëjmë luftë informacioni çdo ditë dhe çdo vend po e përjeton këtë, sepse rusët janë ekspertë në infiltrim. Ata dinë të depërtojnë në çdo vend. Ata dinë të shesin kaos. Dhe unë e di se si mund të përdoret popullsia rusishtfolëse globalisht për të përhapur ndikimin e tyre, për të ndikuar në aktivitetet e politikës së brendshme. Dhe së bashku, të gjithë ne duhet të luftojmë kundër të keqes së Rusisë.

Letonia, për shembull, ka bërë tashmë shumë për të luftuar kundër aktiviteteve të infiltrimit të Rusisë. Shërbimet ruse të sigurisë po punojnë shumë. Ne kemi ndaluar propagandën ruse në kanalet tona televizive. U kemi hequr lejet e qëndrimit personave të dyshimtë. Kemi dëbuar njerëz nga vendi ynë. Dhe kemi futur gjithashtu një ligj që çdo person që punon në administratën publike në Letoni duhet të jetë besnik ndaj vendit tonë.

 

Zëri i Amerikës: Përpara se të kaloj tek pyetjet e mia të fundit për Gjeorgjinë, do t’ju pyes edhe për Kinën. Kjo ishte një temë e diskutuar edhe me homologët tuaj amerikanë. Për sa i përket shteteve balltike, a ekziston një lidhje specifike midis asaj që po ndodh në Ukrainë dhe asaj që Kina mund të bëjë më pas? A janë krijuar këto lloj lidhjesh? Çfarë mësuat nga takimet tuaja në Kongres për perceptimin që ekziston për këtë?

Daiga Mierina: Mendoj se po ka një ndërgjegjësim për këtë sepse ne shohim që Kina është një superfuqi e rëndësishme, pasi Kina po prodhon teknologji të rëndësishme. Rusia ka nevojë për këtë teknologji për të fuqizuar makinerinë e saj të luftës. Dhe ekziston mundësia që me të vërtetë Rusia po blen armë nga Kina dhe nga vende të tjera gjithashtu, nga Irani. Në të njëjtën kohë, ne e dimë se Kina dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira me BE-në. Pra, kjo nuk është një çështje e thjeshtë. Por po, mendoj se në përgjithësi ka një ndërgjegjësim për këtë lidhje.

voa

Ahmetaj nga arratia akuzon Ramën: Më do kokë turku për të fshehur të vërtetat e inceneratorit të Tiranës

AhmetajMe akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po tenton ta bëjë kokë turku për të fshehur të vërtetat sipas tij “të llahtarshme” që fshihen pas inceneratorit të Tiranës, e duke drejtuar gishtin dhe ndaj kryebashkiakut të kryeqytetit Erion Veliaj, ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë shqiptare, u shfaq për herë të parë publikisht, mbrëmjen e së enjtes, në një intervistë të gjatë në televizionin SyriTV. Pa ofruar fakte apo prova të reja, por kryesisht bazuar në interpretime, ai foli për një prapavijë politike në veprimet e Prokurorisë së Posaçme, e cila sipas tij ka ngritur një çështje mbi supozime. Për herë të parë pranoi miqësinë e ngushtë me Mirel Mërtirin, emrin që sipas Prokurorisë qëndron pas tre impianteve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.

 

Që kur në fillim të korrikut, Parlamentit ju kërkua autorizimi për arrestimin e tij, zoti Ahmetaj, ndodhet jashtë vendit. Ai la të kuptohej se nuk jetonte i fshehur në shtetin ku po qëndron aktualisht e se kishte marrë një status zyrtar nga autoritetet e atij vendi, me gjasë të drejtën e azilit. “Nga 1 Janari jetoj në një shtëpi në pronësi të bashkisë të atij qyteti ku jetoj zyrtarisht”, deklaroi ish zëvendëskryeministri.

Ai mohoi të ishte arratisur për t’i shpëtuar arrestimit. “Nuk jam arratisur. As më ka lejuar njeri të largohem dhe as më ka ndihmuar njeri. Në momentin që kam mësuar se kërkohej imuniteti im, ka qenë data 8 ose 9 korrik, kam qenë jashtë Shqipërisë për pushime. Refuzova të kthehesha se e gjitha ishte orientuar me frymëzim politik” tha zoti Ahmetaj. Në fakt, Parlamenti bëri publik mbërritjen e kërkesës së Prokurorisë për autorizim për arrestimin e tij të hënën e 10 korrikut. Ndërsa shkresa zyrtare e Prokurorisë së Posaçme daton më 7 korrik, ditën që zoti Ahmetaj, kaloi përmes kufirit tokësor në Greqi. Ndërsa më 14 korrik, avokatët e tij do të deklaronin se ai ndodhej në Angli “pranë familjes së tij” dhe se do të kthehej “kur të ketë liri”.

Me jetëgjatësinë më të madhe në kabinetet e kryeministrit Rama që prej mandatit të tij të parë në vitin 2013, duke mbuluar poste të rëndësishme, zoti Ahmetaj tregoi se thyerja në raportet mes tyre e kishte zanafillën me herët se korriku i vitit 2022, kur ai u shkarkua nga detyra e numrit 2 të qeverisë. Ai nuk dha ndonjë shpjegim se përse kishin ndryshuar marrëdhëniet mes tyre. Sipas tij, në shkurt të atij viti, ai vetë i kishte kërkuar zotit Rama që të largohej pasi “marrëdhënia e besimit mes nesh ishte përmbysur”, porse se kjo kërkesë e tij nuk ishte pranuar.

Largimi i beftë nga qeveria, u pasua disa javë më vonë dhe me zhveshjen e tij nga postet në partinë socialiste., në një mbledhje të kryesisë që sipas tij ishte shoqëruar me tonë kërcënuese nga zoti Rama. Të gjitha lëvizje, të pasuara, siç u shpreh, dhe nga sulme mediatike të urdhëruara nga kryeministri, tha ai. Qëllimi sipas tij ishte “nxjerrja në pritë nga ish drejtuesi im politik” dhe se më pas prokurorët kishin nxituar që t’i dëshmonin kreut të qeverisë se “na e nxorre në pritë, dhe ne e vramë”.

Në mars të vitit të shkuar, u mësua se Prokuroria e Posaçme e kishte vënë nën hetim për të paktën 4 vepra penale nga “shpërdorim detyre” te “mosdeklarimi i pasurisë”, “korrupsioni” dhe “pastrimi i parave”. Ndërsa në dosjen dërguar në parlament ngriheshin dyshime për lidhje me sipërmarrësit e inceneratorëve, përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e koncensioneve. Po ashtu prokuroria vinte në dukje transaksione financiare me shitje-blerje pasurish të patundshme, të shtrira ndër vite, e pas të cilave qëndronin dy sipërmarrësit e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Një mori aktesh të ndërmarra në funksionet e tij si ministër, për t’i mundësuar këtyre sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Tiranë dhe Fier ishin provat që Prokuroria e Posaçme tha se kishte kundër tij.

Zoti Ahmetaj këmbënguli dhe gjatë intervistës se nuk ishte përfshirë në procedurat e inceneratorëve e se madje ai kishte kundërshtuar që në rastin e Tiranës, projekti të financohej nga buxheti i shtetit. Varianti i ofruar prej tij, ishte se kryeministrit Rama i duhej pikërisht një person i tillë “për t’i vënë tapën dosjes” së inceneratorit të Tiranës, projekt në të cilin, sipas tij, “është një nga njerëzit e afërt të kryeministrit”. Zoti Ahmetaj shkoi më tej kur deklaroi se “po qe se do të bëhet një hetim i vërtetë inceneratorit të Tiranës, shqiptarët do llahtarisen se deri ku do të shkojë, por SPAK nuk e bën. Po të hetohet Tirana, shqiptarët do llahtarisen, do të shkojë shumë lart”. Ndërsa pjesë të sulmeve ndaj tij ai bëri dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, zoti Ahmetaj tha se disa prej veprimeve të këtij të fundit “janë ato të një pronari faktik” të inceneratorit.

Ish zëvendëskryeministri e konsideroi biznesmenin Mirel Mërtiri “viktimë në raport me inceneratorin e Tiranës. Ai nuk është më pronari, ia kanë marrë, e kanë syrgjynosur për t’ja marrë biznesin”, deklaroi ai duke ju referuar disa ndryshimeve në pronësinë e shoqerisë Integrated Energy e cila mori të drejtën e ndërtimit të inceneratorit. Në maj të vitit 2022, 40 përqind të aksioneve i kaluan dy shtetasve francez me mbiemër të njejtë, Abitbol, të cilët rezultojnë të lidhur me kompaninë e fundit që mori në administrim, shoqerinë shqiptare të naftës Armo, përpara falimentimit përfundimtar të saj.

Për herë të parë zoti Ahmetaj pranoi publikisht të ketë patur një miqësi të hershme me Mërtirin. Gjatë deklarimeve në Komisionin hetimor parlamentar për çështjen e inceneratorëve, ai i kishte bërë bisht pyetjes mbi njohjen e tij me sipërmarrësin, ndërsa vitin e kaluar në një intervistë për emisionin Opinion në TvKlan, ai kishte deklaruar se “Mirel Mërtirin e kam njohur sipërfaqësisht në 2004-2005. Në 2012 u ritakuam rastësisht te Blloku”. Ndërsa në intervistën e mbrëmjes, të enjten, ai u shpreh se “Mirelin po, e kam patur shok, dhe historia mes meje dhe tij është histori e vërtetësisë se si ndahet miqësia nga interesi publik”, duke ju referuar sërish faktit se ai e ishte kundërshtuar projektin e financimit të inceneratorit të Tiranës.

Po ashtu, zoti Ahmetaj, ofroi një shpjegim të kundërt, me sa kishte bërë më parë, mbi dyshimet se sipërmarrësit e inceneratorëve kishin financuar qëndrimet e tij disa herë nëpër hotele të shtrenjta jashtë vendit. Ndërsa në mars të vitit të shkuar kishte folur për “spekulime të pastra” mbi këtë çështje, dhe se nuk kishte qëndruar në hotelet e përmendura në dokumentat e gjetura në kompjuterin e Klodian Zotos, ortakut të Mërtirit, këtë herë ai pranoi se kishte qenë ky i fundit që i kishte bërë pagesat me kartë, por se ja kishte dhënë më pas paratë në cash, pasi nuk kishte dashur që të shfaqej emri i tij për çështje personale.

voa