All posts by F.F.

Shqipëria tjetër: Fshati, që nuk është as në hartë…

Marin Mema

Rruga nacionale kthehet pas shpatullave të Memaliajt, në drejtim të aksit që e lidh me qytetin e Beratit. “Udhëtojmë drejt fshatit Rabije të Komunës Luftinjë, një fshat që sipas banorëve nuk ekziston as në hartë, e që megjithatë ende nuk është braktisur krejtësisht”.

Ajo që duket fillimisht si një rrugë e shkurtër, kthehet shpejt në një aks të pafundëm për shkak të degradimit të tij. Sa më thellë, aq edhe më i vështirë bëhet kalimi, qoftë edhe me një makinë të lartë. Shpesh këtu duket sikur s’ka kaluar kurrë gjësendi. Asnjë tabelë e zona të tëra të shkreta, që derdhen në horizont. Pas një rrugëtimi të stërzgjatur për jo më shumë se 30 kilometra shfaqet Rabija, fshati që dikur ka pasur mëse 800 banorë, e që sot është tkurrur në rreth 15 familje. Ai është ndërtuar, apo më mirë rindërtuar në vitin 1969, pas tërmetit që goditi të gjithë këtë zonë.

“Deri mësot nuk ka funksionuar asnjë lloj gjëje. Nuk ka vënë dorë asnjë lloj pushteti, sa kanë ikur janë ndërruar, gjë prej gjëje. Këtu nuk është vënë dorë”, thotë Arben Dorda.

Gjithçka në fshat duket gri, ashtu si çatitë me eternit, që mbulojnë thuajse të gjithë shtëpitë e tij. Shumica e tyre janë të braktisura. Kush ka mundur është larguar. Të qëndrosh në një vend thuajse të izoluar është e vështirë, për të mos thënë e pamundur. “Tani sikur kanë lajmëruar që do të vijnë, me siguri për votat, po asgjë s’na kanë bërë neve. Asnjë lloj ndihme s’na kanë dhënë. Presim, sepse duam të takojmë një njeri nga Qeveria, por asnjë njeri s’na vjen. Kur vijnë për votat na thonë që Rabija nuk është në hartë, se kanë ikur njerëzit”, tregon Flamur Ahmeti.

Shumica përpiqen të merren me blegtori, sepse është e vetmja mënyrë për të mbijetuar. E megjithatë, edhe ata që janë përpjekur të investojnë diçka këtu, në këtë vend të thellë, vështirë se shohin mundësi fitimi. Largësia nga tregu, për shkak të rrugës i bën gjërat tejet të vështira. “Unë kam punuar jashtë shtetit, me të ardhurat kam marrë nja 50 krerë lopë. Kam bërë edhe një palë shtëpi aty sipër. Por, qumështin e derdh, e hedh poshtë. Mishin po ashtu, sepse e kemi larg, kur s’ke makinë s’qarkullon asnjë farë gjëje”, thotë Vladimir Mahmutaj.

Më parë, në sistemin e shkuar, fshati që sot duket i pabanueshëm merrej, veç blegtorisë edhe me bujqësi e pemëtari. Sot shumëçka ka humbur, ashtu si vatra e kulturës, furra e bukës, çerdhja, kopshti, materniteti, por edhe shkolla e kthyer në një rrënojë të frikshme. “E mbaj mend shkollën, kam ikur dhe e kam lënë në gjendje pune. Më vjen shumë keq dhe kam derdhur lot kur jam kthyer, se desha ta shikoja dhe të kujtoja vitet e fëmijërisë sime, që kam kaluar këtu. Çdo gjë këtu është e shkatërruar”, thotë Alket Muho. “Këtu më kujtohen shumë vite të bukura të fëmijërisë sime, që shkonim në shkollë si gjithë fëmijët e fshatrave përreth ose fshatit këtu. Tani është bërë mos më keq, aq sa kur djali im 1 vjeç nuk do të arrijë ta përjetojë, si gjithë fëmijët e fshatrave”, tregon Reonald Ahmeti. Deri në vitet ’80 në atë shkollë mësonin rreth 150 nxënës me 12 mësues. Sot kanë mbetur vetëm 6 fëmijë, që mësojnë në një shtëpi private, edhe ajo thuajse e mbaruar.

Çdo furnizim duhet bërë me kafshë. Qendra e Komunës është mëse 2 orë e gjysmë në këmbë larg. Memaliaj ndodhet 7 apo 8 orë larg, ndërsa në krahun tjetër, Fratari rreth 4 orë e gjysmë. Vështirë të thuash sesi mund të jetohet kështu, duket thuajse e pabesueshme. Kaq afër dhe larg pjesës tjetër. “Para 20 ditësh kam pasur probleme, ta thonë edhe shokët e fshatit, me vajzën e sëmurë. E kemi marrë 10 veta në krahë dhe e kemi çuar mes shiut dhe errësirës në Fratar, këtej nga zona e Mallakastrës, për ta çuar në spital. Më pas e kemi drejtuar për në Fier, por është shumë e vështirë”, shprehet Çerçiz Ahmeti.

“Këtu kanë vdekur njerëz vetëm për rrugë. Edhe fëmijë kanë vdekur, edhe nuk merr njeri asnjë lloj përgjegjësie”, tha Vladimir Mahmutaj.

Ka familje, që sot e kanë të vështirë të mbajnë edhe frymën gjallë. E sërish askush nuk kujtohet t’i mbështesë, qoftë edhe me diçka të vogël, të paktën për të hedhur hapa të vegjël. Në familjen Memlikaj, varfëria e njerëzit qëndrojnë në të njëjtën sofër. “Herë të ngrënë, e herë të pa ngrënë. Nuk ka më keq ku të vejë, pa asnjë ndihmë nga shteti. As përkrahje sociale nuk kemi. Shiko e shkruaj vetë. Që të mbash 8 fëmijë një person i vetëm, gruan e kam pa punë, sepse s’ka as punë dhe as dreq. Kështu që, këta fëmijët e mi rrojnë për lëmoshë”, deklaron Xhevdet Memlikaj.

Edhe shtëpinë nuk e kanë të tyren, sepse ajo u ka rënë kohë më parë. Në banesën ku i gjetëm janë lënë të jetojnë nga një i afërm i tyre, i larguar. Kudo gjërat duken të pamundura. “Të thuash të vërtetën, ne vetëm sa mbahemi gjallë. Punojmë vetëm për t’u ushqyer. Është shumë larg”, thotë Viktor Kaza.

Fshati, diku larg në një qafë kodre ka pasur edhe fortesën e tij, si për të treguar se nuk është i rastësishëm në historinë e kësaj zone. Një fortesë, që dikur përbënte zinxhirin mbrojtës të Bylisit. E megjithatë është e vështirë të flasësh për të shkuarën, kur e sotmja po shuan gjithçka, edhe veten e saj.

Fshati mbetet pas, e bashkë me të edhe banorët që ende presin, me shpresën se edhe për ta dikush do të kujtohet një ditë.

Kryetari I Bashkise se Ohrit ka reaguar ne Fokus News Agency

marin_Mema1Kryetari I Bashkise se Ohrit ka reaguar ne Fokus News Agency
Kryetari I Bashkise se Ohrit Nikola Bakraceski “Nuk dua te komentoj te pavertetat dhe reklamacionet qe kane tendenca politika dhe mesazhe tendencioze. Historia eshte e bazuar ne fakte dhe argument jo mbi supozime tendencioze. Supozoj se autoret e materialit kishin disa qellime dhe nuk do te bej asnje koment mbi arsyet dhe burimet e ketyre pohimeve ‘’
Pikerisht per histori dhe fakte flas zoti Bakraceski. Historine se bejme as une e as ju. Dasaretet , Enkelejte dhe Lynkestet jane fise Ilire qe mbizoteronin mes te tjerash edhe ne Oher. Eshte fakt per te cilin mund te konsultoni qindra arkeologe dhe historiane se kishat datojne shume kohe , shekuj para se sllavet te dukeshin ne keto ane. Pavaresisht se keto objekte kulti u ndryshuan e rindryshuan shume per te humbur identitetin ato mbeten ne rrenje qartesisht Ilire. Sa per kalane eshte fakt historik qe Ostrogotet 5 shekuj para se bullgaret te dukeshin ne keto vise u thyen ketu ne betejen per te pushtuar Lyhnidosin. Gjetjet arkeologjike ne brendesi te kalase datojne ne shekullin e VI dhe te V para krishtit e ç’lidhje kane sllavet me to kur dyndjet e tyre nisen vetem 11 shekuj me vone ?! Po me teatrin antik ndertuar rreth VII shekuj para tyre ?! Filipi I dyte a nuk ishte djali i Euridikes nga fisi Ilir i Lynkesteve ? Vete Filipi a nuk morri per bashkeshorte Olimbine Iliren nga Epiri ? Pra çfare ishte Aleksandri nipi I tre gjysherve Ilire ? Plini, Ptolemeu e Livi jane referenca te besueshme e te dhenat e tyre kane hedhur baza ne histori.
Zoti Bakraceski ku shkuan shumica shqiptare per te cilen shkruan ne 1903 – 1904 britanikja Edit Durham ne librin “Brenga e Ballkanit” ? Po te dhenat e rregjistrave osmane per popullesine Myslimane dhe Ortodokse shqiptare ? A nuk eshte fakt qe Progon Zgurin hierarkun e Ohrit ne 1295 vete historiane tuajt mes tyre edhe Bogumil Hrabake e quajne arbanas pra shqiptar ? A nuk ishte familja shqiptare e Gropajve mbrojtese e Patriarkanes se Ohrit ? Pse valle nje qytet qe sipas jush nuk ka lidhje me shqiptaret kerkoi te bashkohej me Shqiperine e dokumentat per kete jane te pafundme ? Pse pati plot tre firmetare pavaresie ne aksin Oher – Struge ? Pse u bene aq shume kerkesa per bashkimim me Shqiperine pas kryengritjes se 1913 ? E ne fund zoti Bakraceski a mundet te me thoni ju jeni maqedonas ? apo sllav ?
Tarm, O. Hoffman, A. Jard, Geigand, O. Muller, P. Jougeut, H. Hirt, Edit Durham… etj. shprehin pikepamjet e tyre se etnia dhe gjuha e Maqedoneve te lashte ka qenë ilire dhe ilirishte.
Zoti Kryebashkiak, historia ka lindur atehere kur ngjyrat partiake s’kishin vlere, atehere kur faktet s’mund te manipuloheshin ndaj dhe refrencat per “Ohrin shqiptar” janë të shumta e mund të gjendet lehtësisht nëper arkiva .Referenca qe s’kane lidhje me ekstremizmat ,me nacionalizmat moderne,me diskurset politike por thjesht e vetem me fakte historike.
Historia nuk behet, nuk ndryshohet, nuk ngjyroset, nuk rrotullohet aq me teper kur flitet me ndarje shekujsh ne mes…. Ballkani apo siç quhej dikur do apo s’do dikush gadishulli Ilirik ka nevoje te dije edhe per historine e tij te vertete,ate histori qe bashkon vlerat,kulturat e nuk nxit dasite.
Te fshish historine e tjetrit do te thote te mos njohesh veten….Sidomos ne nje Ballkan imagjinar e qe sot me shume se kurre kerkon te shkoje drejt Europes.
E ne kete kendeveshtrim “e vertete eshte se Ohri eshte një qytet I bukur, I hapur,mikeprites per te gjithe”.

Përbërja e re e propozuar e Komisionit për Antikorrupsion nesër në seancë kuvendore

kuvendi-maqedoniseKuvendi i Republikës së Maqedonisë nesër duhet ta mbajë seancën e 43-të në rend dite të së cilës janë më shumë ratifikime, raporte vjetore dhe plane financiare, ligje në leximin e parë dhe të dytë si dhe vendime.

Në këtë seancë është edhe propozim vendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit. Komisioni kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve para festave të Pashkëve propozoi emërimin e anëtarëve të Komisionit për Antikorrupsion prej të cilëve vetëm dy janë të përbërjes ekzistuese.

Për anëtarë të Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit u propozuan Goran Milenkov, avokat nga Shkupi, Igor Tanturovski, ekonomist i diplomuar dr. i shkencave ekonomike nga Shkupi, Najdo Spasevski, avokat nga Shkupi, Suzana Taskova Axhikotareva, magjistre e shkencave juridike për të drejtë penale nga Shkupi, Zhaklina Dançevska, juriste e diplomuar, magjistre e së drejtës afariste nga Prilepi, si dhe ata aktual Seidi Halili, ekonomist i diplomuar nga Tetova dhe Farije Aliu, ekonomiste e diplomuar dhe doktoreshë e shkencave ekonomike nga Gostivari.

Para deputetëve nesër janë edhe propozim – vendimet për emërimin e një anëtari të Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës dhe për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit drejtues të Agjencisë për aviacion civil.

Duhet të shqyrtohen edhe propozim-ratifikimet e Marrëveshjes për bashkëpunim financiar ushtarak midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Protokolli për zbatimin e mbështetjes financiare midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe të Marrëveshjes midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës Socialiste të Vietnamimit për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe për mbrojtjen e evazionit fiskal në lidhje me tatimet e të ardhurave.

Në rend dite janë edhe propozim ligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për siguri në ushqim, të Ligjit për tokë bujqësore, të dy në lexim të parë, të Ligjit për Inspektoratin shtetëror të tregut në lexim të dytë dhe plotësimi i Ligjit për inspeksion teknik, gjithashtu në lexim të dytë.

Raporti vjetor i Avokatit të popullit për shkallën e sigurimit, respektimit, zhvillimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në vitin 2014 gjithashtu është në rend dite të seancës, ndërsa deputetët duhet të votojnë edhe për Propozim vendimet për dhënien e pëlqimit për Propozim Programin vjetor për punën dhe zhvillimin e Agjencisë për aviacion civil për vitin 2015./MIA

Shtet Shatrapollësh

fatmir_sujmani1Jeta në një shtet si Maqedonia është e njëjtë me gazepin e të ngujuarve brenda rrethit vicioz të shpellës ku nuk ndrit asnjë xixë shprese për ndonjë të ardhme ndryshe. Kështu ka qenë një dajm, të paktën për brezin tim. Dallimin e bën rrënimi i përnjëhershëm aktual i mitit mbi baballarët e virtytshëm të shtetit komb, zhveshja publike e prijësit të suitës së harambashëve, filozofia e të cilit nuk e njeh nevojën e të tjerëve për jetë të dinjitetshme nën dritën e diellit.

Në kësi konditash, në kësi biçim shteti, me këso kushtetute, që ishte dhe mbeti gjenerator krizash të kushtueshme dhe që, natyrisht, nuk do të ndryshohet as nesër prej Zaev-ëve, në veçanti është keq të jesh shqiptar, sepse në kreatura të këtilla, ku askush nuk ka takat të ndryshojë me mjete demokratike gjendjet horror, të gjitha ëndrrat njerëzore bien coftë si korbi i Edgar Alan Po-së në poezinë e Ali Podrimjes. Prandaj: as partia shqiptare në pushtet, as partitë opozitare, as ato që pretendojnë të ngrihen sërish në këmbë të qëndrueshme, as ato që mund të vijnë nesër, nuk do të mund të bëjnë asgjë prej gjëje, pavarësisht premtimeve dhe moralitetit të vetëdeklaruar ideologjik. Kjo, sepse çështja shqiptare nuk është çështje morali a filozofishë të mëdha, sepse të drejtat kombëtare nuk fitohen me beteja subjektesh të përçara politike pa një vijë të kuqe, sepse me numër gishtash parlamenteve s’do t’ia dalin kurrë të përmirësojnë thelbesisht statusin e etnisë, e cila, për çudinë e çudirave të kësaj bote, prej subjektit shtetformues në SFRJ-në 22 milionëshe, është katandisur në pakicë të madhe, të sunduar për marre nga shumica e vogël konglomerate.

Hej bela! Si ta mendojë njeriu të ardhmen në vendin, prijësit e të cilit paralajmërojnë dhe mund të inskenojnë konflikte ndëretnike, me idenë se vetëm ato mund t’ua prolongojnë qelitë e merituara. Si të flejë rehat kur e di se siguria e tij është zero me xhufkë? A i lexoni memoaret e pushtetarëve të djeshëm që zbardhin marifetet e dekompozimit të vullneteve shqiptare; që shpalosin hartat ricopëtuese të trungut tim, tëndit, tonit… nga Akademia e shkencave garashaniniste; që ndriçojnë korridoret e errëta të rahmetliut nëpërmjet të cilave u planifikua dëbimi ynë masiv për maxhirhan… Nëse po, atëherë sigurisht e keni më të qartë absurdin e optimistëve të Saharasë.

Për këtë dhe për shumë gjëra që s’i nxe një kolumnë si kjo, më duhet ta them atë që ma thotë loçka e shpirtit: nëse shteti është pronë shatrapollësh të papërgjegjshëm politikë, kushdoqofshin ata; nëse drejtësinë e bëjnë gjyqtarët kukulla të tyre; nëse mafia ia ka marë krahun shtetit të së drejtës; nëse sigurinë time dhe të fëmijëve të mi e ruan një police që ma thotë emrin me përbuzje dhe me terma fyes; nëse çelësat e hapsanes dhe hekurat ndëshkues janë në dorën e saj; nëse fati im është viktimë hipotekash që nuk mund të jenë të miat për asnjë hatër të rremë, qofshin ato edhe të vëllait tim; nëse nuk arrij të shohë qartë perspektivën e më të dashurve që më ka falur Zoti…, ky nuk është shtet, po çerdhe gangsterësh të shtirrur në burrështetas dhe njerëz të ndershëm.

Natyrisht, një shtet si ky: nuk mund të jetë shteti im.

Euro 2016- Shqipëria tashmë mund të ëndërrojë “Francën”

Shqip_Arm_golli_dyteKombëtarja e Shqipërisë ka bërë hapin e madh. Fitorja e rëndësishme ndaj Armenisë i hap rrugën Kombëtares Kuq e Zi drejt realizimit të ëndrrës së madhe, kualifikimit në kampionatin europian “Francë 2016”.

Një përmbysje e mrekullueshme me të gjithë përbërësit e një skuadre të madhe, karakter, zemër, forcë dhe besim për të mos u dorëzuar kurrë, e gjitha e arritur në një atmosferë të mrekullueshme me tifozerinë Kuq e Zi në ‘Elbasan Arena’.

Tashmë situata në grup ka ndryshuar dhe llogaritë e pikëve janë shpresëdhënëse. Shqipëria pozicionohet në vendin e tretë në grup, me 7 pikë, po aq sa Danimarka e vendit të dytë, ndërsa Portugalia pas fitores ndaj Serbisë qëndron në krye me 9 pikë. Për Serbinë dhe Armeninë praktikisht gjithçka ka përfunduar pasi renditen të fundit me vetëm një pikë. Shqipëria vijon rrugën e saj  me 4 ndeshjet e rradhës.

Tashmë të paktën vendi i tretë që siguron play-offin është mëse i mundshëm e madje ekzistojnë dhe shanset reale që Shqipëria të sigurojë një biletë për në Francë edhe duke u kualifikuar si skuadra e tretë më e mirë e të gjitha grupeve, ndërkohë që mund të synojë me këmbë në tokë vendin e dytë.

Kuqezinjtë e De Biasit do të zbresin sërish në fushë në 4 shtator, kur do të përballen në Kopenhagen me Danimarkën, në një sfidë që në situatën aktuale ngjason pikërisht si një play-off për vendin e dytë, por përpara atij takimi do të luhet një ndeshje tjetër e rëndësisë maksimale.

Një betejë që ndryshe nga të tjerat nuk do të luhet me zemër e grintë, por me mendje te kthjellët e fakte. Në datën 17 prill, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të japë verdiktin e saj përfundimtar në lidhje me ndeshjen e ndërprerë në Beograd me Serbinë. Në Lozanë, Shqipëria kërkon 3 pikët dhe drejtësinë. Beteja e Shqipërisë në KAS ka të bëjë në fakt me shumë më tepër se 3 pikët, pasi në thelbin e saj qëndron e drejta, por produkti i një fitoreje eventuale do t’i jepte Kuqezinjve kryesimin e Grupit I, duke rezultuar një tjetër hap gjigant drejt arritjes më të madhe në historinë e futbollit shqiptar. /a.g/

Përfundon protesta e veteranëve, listat dalin javën e ardhshme

protesta-ovl-fotoxhemail-sllovinja-6Ish – luftëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ndërprerë protestën pak minuta më parë. Përfundimi i kësaj proteste erdhi pas një takimi që zhvilluan përfaqësuesit e ish – luftëtarëve të UÇK-së me anëtarët e komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtareve të UÇK, pas këtij takimi ka thënë për media se ka marrë premtimin se deri javën e ardhshme do të bëhet publikimi i plotë i listave.

Protestuesit veteranë të UÇK-së kaluan rrethimin e oborrit të qeverisë dhe kërkuan të takohen me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas KosovaPress, mes protestuesve dhe policisë pati përleshje, por ndërkohë forcat e policisë krijuan një kordon para hyrjes kryesore dhe nuk lejuan askënd të futet brenda objektit. Në oborrin përpara godinës së qeverisë ishin të pranishëm edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Luftëtarëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi vazhdimisht bëri thirrje që mos të përdoret dhuna nga ana e protestuesve veteranë.
Sipas tij protestuesit nuk kanë nevojë të përleshen me policinë, pasi këtu kanë dalë për t’i kërkuar të drejtat e tyre e që janë publikimi i të gjitha listave.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së po zhvillon sot një protestë kundër zvarritjes së publikimit të listave të veteranëve të UÇK-së dhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale./k.s/

HAGË – GJNP-ja urdhëron rikthimin në burg të Shesheljit

HAGË – GJNP-ja urdhëron rikthimin në burg të Shesheljit
HAGË, 30 mars /ATSH-AFP/ – Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (TPIY) urdhëroi sot rikthimin në burg të ultranacionalistit serb, Vojislav Sheshelj, liruar përkohësisht në muajin nëntor, pasi ai kishte deklaruar disa here se nuk do të paraqitej para Gjykatës.

TPIY-ja urdhëroi instancën e ngarkuar me këtë çështje të anulonte menjëherë vendimin për lirimin e përkohshëm të Shesheljit dhe urdhëroi rikthimin e njësinë e ndalimit të OKB, në Hagë”, njoftoi Gjykata në një komunikatë.

“Ky vendim nuk më intereson, sigurisht që nuk do të rikthehem në Hagë me vullnetin tim të plotë”, deklaroi Sheshelj.

“Pres që ”kalorësia” të zbarkojë me shumë pompozitet për të më arrestuar, por ata ende nuk janë shfaqur”, theksoi ai.

Pas vendimit të TPIY-së, është policia serbe që duhet të kryejë detyrën për arrestimin e Vojislav Sheshelj, mjeshtër i provokimeve që prej rikthimit nga Haga./
/ec/ a.jor.

Ndihmës-piloti e rrëzoi qëllimisht aeroplanin

shtepia_Andreas_Lubitz

Është ky versioni shokues që ofron kutia e parë e zezë e avionit tip “Airbus”, që u rrëzua në Alpet franceze. Versioni është publikuar nga prokurori që po heton tragjedinë, Brice Robin, në Marsejë.

Sipas versionit, në fillim dy pilotët po bisedonin, më pas komandanti ka dalë nga kabina, por në kthim e ka gjetur derën të mbyllur dhe është përpjekur ta hapë.

150 pasagjerët që ndodheshin në bord e kanë kuptuar vetëm në momentin e fundit atë që po ndodhte dhe kanë nisur të klithin. Ata ishin viktima të një drame që hap pas hapi po gjen shpjegim.

“Andreas Lubitz, 28 vjeç, me origjinë nga Montabaur, ishte me shtetësi gjermane dhe nuk është sinjalizuar kurrë si një terrorist i mundshëm”, ka deklaruar prokurori Robin.

I pyetur se cilës prejardhje etnike i përkiste, hetuesi nuk ka qenë në gjendje të përgjigjej, por ka përjashtuar për momentin pistën e terrorizmit.

“Avioni ishte në funksion përmes pilotit automatik. Komandanti i tha ndihmësit të tij: ‘Po të lë drejtimin’ dhe më pas shkoi në tualet. Më pas, ndihmësi bllokoi aksesin në kabinë dhe, sipas të dhënave të rekuperuara nga kutia e zezë, ishte gjallë në momentin e impaktit. Për rrjedhojë, mbeti i vetëm në kabinë dhe aktivizoi butonët e zbritjes së avionit”, ka thënë prokurori.

Sipas të dhënave të kompanisë “Lufthansa”, 28-vjeçari kishte nisur punën në këtë grup në shtator 2013 dhe kishte bërë që prej atëherë 630 orë fluturim.

Ndërsa kapiteni kishte mbi 6 mijë orë fluturim dhe ishte piloti i parë i Germanwings që nga maji 2014. Më parë, përveçse për “Lufthansa” kishte punuar edhe për kompaninë “Condor”.

Pas publikimit të fakteve hija e vetëvrasjes por edhe ajo e një atentati kanë filluar të mbulojnë motivet e tragjedisë. Sipas gazetës franceze “Le Figaro”, hetimi mbi sigurinë ajrore mund të kthehet shumë shpejt në një hetim kriminal.

“Hipoteza e atentatit apo ajo e vetëvrasjes së pilotit që mbeti i vetëm në kabinën e pilotazhit mund të marrin më shumë peshë në orët në vazhdim”, shkruan gazeta.

Ndërsa e përditshmja tjetër “Le Monde” pretendon për një tjetër pistë kur shkruan në edicionin e saj online se, ishte komandanti i bordit që ndodhej në kabinë dhe bashkëpunëtori i tij jashtë saj