All posts by V.F.

115-vjet shkolla kombëtare pedagogjike në Shqipëri.

Normalja ElbasanShkolla Normale e Elbasanit është e para shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e themeluar më 1 dhjetor të vitit 1909, në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar i mbajtur më 2-8 shtator 1909, në Elbasan.

Shkolla Normale e Elbasanit, gjatë vitit akademik 1909-1910 numëronte 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Drejtori i parë i saj u caktua z. Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Kristo Dako, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ahmet Gashi, Mahir Domi, Salih Çeka, Eqrem Çabej, Thanas Floqi etj. Historia e Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike në Shqipëri. Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit. Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921. Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga rradhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë, këtë mund ta lexoni ne faqen zyretare te Muzeut Historik Kombëtar.

Por, patjetër duhet të përmendet edhe fakti, që Mësuesit normalistë elbasanas luajtën një rol vendimtar në rilindjen e popullatës shqiptare në gjysmën tjetër të Shqipërisë, duke shërbyen edhe në viset shqiptare në Kosovë dhe Maqedoni në periudhën 1941-1944.

Me Ernest Koliqin, Ministër i Arsimit, u hapën 87 shkolla fillore me 323 mësues normalistë të Elbasanit!

Beqireviq: Dodik dhe Vuçiq po përmbushin qëllimin strategjik të putinizmit, ndalimin e integrimeve në BE

Putin VucicBeograd më 17 janar 2019

Gjithçka që dihet për “putinizmin”, një formë autokracie që është konservatore dhe populiste dhe që lidh në mënyrë mitike Rusinë dhe Vladimir Putinin, në masë të madhe mund të shihet edhe në Serbinë e Vuçiqit, thotë Edina Beqireviq, autore e librit “Putinizmi në Ballkanin Perëndimor”, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë (REL).

 

Beqireviq, ligjëruese në Fakultetin e Kriminalistikës, Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë në Sarajevë dhe hulumtuese e Iniciativës Atlantike, njofton se libri i saj për presidentin rus dhe ndikimin e tij kryesisht në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, do të botohet në dhjetor.

Ajo thotë se e ka shkruar librin kryesisht për të rinjtë, studentët, të cilëve shpesh u mungon “një këndvështrim i nuancuar për çështjet gjeopolitike dhe dinamikën komplekse që rrethon Ballkanin Perëndimor dhe konfliktet globale”.

Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e entitetit të Republikës Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, ajo i sheh si lojtarë kyç të “putinizmit”, të cilët së bashku përmbushin qëllimin strategjik të Rusisë, që është ndalimi i integrimeve të mëtejshme euroatlantike në rajon.

 

Radio Evropa e Lirë: A mund të fillojmë duke e përshkruar çfarë është “putinizmi” dhe cilat janë format e tij të shfaqjes?

Edina Beqireviq: Termi u përdor për herë të parë në Perëndim nga William Safire më 31 janar 2000, në një artikull të publikuar në The New York Times, kur Vladimir Putini ishte ushtrues i detyrës së presidentit të Rusisë.

Safire paralajmëroi epokën e “putinizmit” si një perspektivë të errët për Rusinë — kthim te represioni, ngecja dhe qeverisja autokratike.

Në atë artikull, ai kritikoi presidentin amerikan Clinton për promovimin e idesë në samitin në Davos se Putini mund të ishte një reformator i fshehtë demokratik.

Parashikimet nga artikulli i Safire u realizuan, por rreziku i regjimit të Putinit u injorua për shumë kohë.

Në Perëndim, termi “putinizëm” filloi të përdorej më intensivisht nga viti 2012, dhe autorët bien dakord për disa karakteristika të përbashkëta.

“Putinizmi” është një formë autokracie që është konservatore dhe populliste. Ai lidh mitikisht Rusinë dhe Vladimir Putinin. Shkurt, Putini është Rusia dhe Rusia është Putini.

Konstanta e “putinizmit” janë vlerat antiliberale dhe anti-perëndimore dhe lufta kundër “Perëndimit dekadent”.

Opozita politike në Rusi nuk ekziston, dhe fakti që kaq shumë pushtet është përqendruar në duart e një njeriu ka çuar në shembjen e plotë të institucioneve, represion të gjerë politik dhe vrasje të shpeshta të kundërshtarëve politikë.

“Putinizmi” kulmoi me agresionin ndaj Ukrainës, i cili është shembulli më i dukshëm i pretendimeve imperialiste.

 

Radio Evropa e Lirë: Kush është lojtari kryesor në përhapjen e “putinizmit” në Ballkanin Perëndimor dhe si vepron ai?

Edina Beqireviq: Shpesh përmendet Milorad Dodik (president i entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska) si lojtari kryesor i Putinit në Ballkanin Perëndimor. Ai është pa dyshim më i spikaturi në rrjetin e ndërlidhur të individëve, partive dhe organizatave që punojnë për interesat ruse në rajon.

Por, të jemi realistë. Milorad Dodik nuk merr asnjë vendim pa u konsultuar me Aleksandar Vuçiqin (president i Serbisë). Ata së bashku përmbushin qëllimin strategjik të Rusisë, që është ndalimi i integrimeve euroatlantike në rajon.

 

Radio Evropa e Lirë: A mund të flasim për arsyet dhe pasojat e përforcimit të “putinizmit” dhe rolit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor?

Edina Beqireviq: Gjithçka që dimë për “putinizmin” në Rusi në masë të madhe e shohim edhe në Serbinë e Vuçiqit. Si Vuçiqi, ashtu edhe Putini kultivojnë një narrativë të rremë mesianike për lidhjen mes personaliteteve të tyre dhe shteteve që udhëheqin.

Në atë narrativë, ata e tejkalojnë rolin e liderëve modernë duke u paraqitur si mbrojtës të “fateve shpirtërore dhe historike” të kombeve të tyre.

Ata janë “roje morale kombëtare”, mbrojnë popullin nga “forcat e liga perëndimore” dhe kështu e manipulojnë opinionin publik dhe justifikojnë sundimin autokratik.

Rasti i fundit i priftit grek kontrovers Elpidios, i cili i dërgoi një mesazh publikut serb duke u lutur për Vuçiqin dhe duke paralajmëruar se nëse ai rrëzohet, “njeriu që është zgjedhur nga Luciferi do të marrë pushtetin dhe serbët do të bëhen skllevër në vendin e tyre”, ilustron sesi Vuçiqi përmes një narrative të rreme shpirtërore prezantohet si mbrojtës i domosdoshëm i identitetit kombëtar.

Në të njëjtën kohë, çdo opozitë paraqitet si tradhti ndaj interesave kombëtare serbe.

Si Serbia, ashtu edhe Rusia, funksionojnë si regjime autokratike, me një ndryshim që Serbia është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, sipas një institucioni të njohur suedez, V-Dem, Serbia tani klasifikohet si një autokraci elektorale.

Aleksandar Vuçiq mund të konsiderohet një aktor kyç në përhapjen e “putinizmit” në Ballkanin Perëndimor për disa arsye. Serbia, nën qeverisjen e tij, është kthyer drejt një tradicionalizmi të përshpejtuar fetar/ortodoks, ndërsa mediat nën kontrollin e tij kanë përhapur me sukses një narrativë proruse dhe antiperëndimore.

Proceset demokratike jo vetëm që janë ndalur, por janë në regresion të rrezikshëm. Përmes aktorëve politikë dhe partive nën kontrollin e tij, regjimi i Vuçiqit përpiqet t’i ndalojë reformat liberale edhe përtej kufijve të tij.

Në planin ndërkombëtar, “putinizmi” shfaqet në promovimin e një forme autokratike të qeverisjes. Kjo është një nga arsyet kryesore pse Aleksandar Vuçiq kurrë nuk do t’ia kthejë shpinën Vladimir Putinit.

Putini investon në partneritete me liderë autokratë.

 

Radio Evropa e Lirë: Cili është roli i Kishës Ortodokse Serbe në këto procese?

Edina Beqireviq: Roli i Kishës Ortodokse Serbe në përhapjen e idesë së “botës serbe” mbështetet në konceptin e Putinit për “botën ruse”. Këto janë dy projekte të përputhshme, në të cilat Kisha Ortodokse Ruse dhe Kisha Ortodokse Serbe nuk janë vetëm institucione fetare, por edhe mjete të regjimeve autokratike dhe qëllimeve të tyre ekspansioniste.

Të dyja kishat promovojnë aktivisht narrativin e mbrojtjes së besimtarëve ortodoksë dhe folësve të gjuhës serbe dhe ruse jashtë kufijve të shteteve amë. Termi “bota serbe” është përdorur intensivisht që nga viti 2020 dhe fillimisht nuk është marrë seriozisht në qarqet diplomatike perëndimore. Ai u konsiderua si një formë populizmi, që synonte të zbuste humbjen e projektit të “Serbisë së Madhe” në luftërat e viteve ’90.

Ironia e kësaj zbutjeje të supozuar retorike u bë e qartë menjëherë, por kulmoi në shkurt të vitit 2022, kur “bota ruse” shërbeu si kornizë ideologjike për agresionin kundër Ukrainës.

Është legjitime të pyesim nëse në një moment edhe “bota serbe” do të fillojë një operacionalizim të ngjashëm. Për shembull, patriarku Porfirije në shtator të vitit 2022 haptazi normalizoi pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Bosnjë e Hercegovinës, duke deklaruar se “kufijtë e shtetit të kombit tonë nuk janë përfundimtarë”.

Kisha Ortodokse Serbe luan një rol të ngjashëm në rajon si Kisha Ortodokse Ruse ndaj Ukrainës. Kjo u konfirmua edhe një herë me “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb” në “Kuvendin gjithëserb”, që Perëndimi e konsideroi si një sulm ndaj sovranitetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe mbështetje për planet secesioniste të Milorad Dodikut.

“Kuvendi gjithëserb” u prezantua si një organ politik-teokratik, akademik-shkencor mbishtetëror, dhe organizatorët e tij janë Republika e Serbisë, entiteti i Republikës Srpska dhe Kisha Ortodokse Serbe. Pra, “Kuvendi gjithëserb”i ngjan “Asamblesë së ekspertëve” në Iran, dhe organe të tilla janë karakteristike për regjimet autokratike dhe teokratike.

 

Radio Evropa e Lirë: Duke marrë parasysh se ju në librin tuaj trajtoni Bosnjë e Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi, mund të na shpjegoni shkurt se cilët janë “shembujt e putinizmit” në secilin prej këtyre vendeve dhe cilat janë efektet e tyre?

Edina Beqireviq: Politika malazeze, ashtu si në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor, pasqyron një model propagandistik të ngjashëm me atë të epokës së hershme të Putinit në Rusi, të përshkruar nga Peter Pomerantzev në librin “Asgjë nuk është e vërtetë dhe gjithçka është e mundur: Zemra e pabesueshme e Rusisë së re”.

Ky model mbështetet te përhapja e dyshimeve dhe pasigurisë; gjuha politike dhe ideologjia janë të shkëputura nga realiteti dhe krijohet një klimë ku e vërteta nuk ka rëndësi.

Në Mal të Zi, nacionalizmi serb, në kombinim me agjendën gjeopolitike ruse, mbështet narrativë që mohojnë identitetin kombëtar malazez, në mënyrë të ngjashme me pretendimet ruse se kombi ukrainas është një mit.

Nuk duhet të harrojmë se nën pretekstin e mbrojtjes së “bashkëkombësve jashtë vendit”, Rusia kreu agresion kundër Ukrainës dhe kjo propagandë aktivizohet para konflikteve të armatosura.

Në Mal të Zi, “putinizmi” pasqyrohet edhe në paradokset politike. Për shembull, persona të akuzuar për përpjekje për grusht shteti, që synonin të ndalonin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe që ishin aktorë të deklaruar prorusë, si Andrija Mandiq, tani kanë pushtet politik në Malin e Zi, një vend anëtar të NATO-s.

Kjo është një formë e “putinizmit” që mbështetet në luftën hibride të Rusisë.

Në Bosnjë e Hercegovinë, ambiciet secesioniste të Dodikut përshtaten në mënyrë të përsosur me këtë kornizë, sepse çdo fragmentim potencial i Bosnjës dhe Hercegovinës do të ishte një mundësi për Serbinë t’i realizojë planet për “botën serbe”.

Kjo përputhje e Serbisë në sjelljen agresive ndaj fqinjëve, pasqyron një formë të “putinizmit” rajonal. Është një kopje e sjelljes së Rusisë në hapësirën post-sovjetike.

 

Radio Evropa e Lirë: Në ç’mënyrë ka ndikuar deri tani roli i Rusisë në rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së?

Edina Beqireviq: Fatkeqësisht, Rusia, në bashkëpunim me Serbinë, ka penguar në mënyrë shumë efektive rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Nga shfrytëzimi i tensioneve etnike, financimi i aktorëve politikë, individëve në qarqet akademike, organizatave dhe mediave që portretizojnë Bashkimin Evropian si një kërcënim ndaj vlerave tradicionale, deri te kërcënimet e drejtpërdrejta se vazhdimi i integrimeve evropiane përbën një kërcënim për interesat gjeopolitike të Rusisë.

Në të gjitha shtetet individuale ka pasur një regresion kaq serioz në proceset demokratike, sa që është vënë në pikëpyetje realizueshmëria e kësaj rruge.

Serbia, me një regjim autokratik, nuk ka aspak frymëzim për t’u bërë pjesë e BE-së. Ajo pretendon se është e përkushtuar ndaj BE-së vetëm për të pasur qasje në fondet e BE-së.

 

Radio Evropa e Lirë: Nga ana tjetër – si e shihni qëndrimin dhe veprimin e BE-së kur bëhet fjalë për ndikimin rus?

Edina Beqireviq: Bashkimi Evropian, në përgjigjen ndaj ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor, ende përdor strategjinë e “stabilokracisë” që mbështetej nga Angela Merkel, pra fokusohet në ruajtjen e status quo-së, në vend që t’i adresojë problemet e thella dhe të rrënjosura.

Megjithatë, një politikë e tillë ka hapur rrugën për forcimin e tendencave autoritare dhe etno-nacionaliste. Një shembull i kësaj është politika e BE-së dhe Perëndimit ndaj Serbisë, që kujton përpjekjet e mëparshme për të bashkëpunuar me Rusinë. Presidenti Vuçiq paraqitet si një reformator i afërt me Perëndimin, ndërkohë që thellon lidhjet me Rusinë.

Kjo strategji, që supozohej ta distanconte Serbinë nga Moska, ka pasur efektin e kundërt: ka forcuar një regjim etno-nacionalist që destabilizon rajonin.

Politika e lëshimeve perëndimore ka inkurajuar më tej Vuçiqin. Roli i Serbisë si një furnizues potencialisht kryesor i litiumit e ka forcuar strategjinë e stabilokracisë.

Kjo sjellje kujton gabimet e mëparshme të Perëndimit me Putinin. Atëherë, gazi rus ishte motivi për partneritet; tani, për shkak të litiumit në Serbi, mbyllen sytë ndaj rreziqeve të “botës serbe” për stabilitetin rajonal.

Qasja e stabilokracisë nga BE-ja, gjithashtu, ka kontribuar në zhgënjimin ndaj integrimeve evropiane në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Përparësia e marrëdhënieve ekonomike dhe ruajtja e lidhjeve me regjime si ai i Vuçiqit, kanë penguar adresimin e problemeve thelbësore, si secesionizmi i Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë, incidenti në Banjskë të Kosovës dhe ndikimi gjithnjë në rritje i Rusisë.

Këto probleme janë akumuluar dhe kanë krijuar një krizë që do të jetë e vështirë për t’u zgjidhur.

Thellësia ideologjike e “putinizmit” — një kombinim i nostalgjisë imperialiste dhe sovjetike — shpesh është nënvlerësuar nga Perëndimi. Në mënyrë të ngjashme, Perëndimi duket se e kupton, por injoron përkushtimin ideologjik të regjimit të Vuçiqit.

Mentori i Aleksandar Vuçiqit ishte Vojislav Sheshel, dhe ideologjia e tij ka mbetur e njëjtë. Ashtu si dikur Perëndimi nënvlerësoi Rusinë si një kërcënim dytësor, duke u fokusuar vetëm te Kina, tani nënvlerëson potencialin destabilizues të Serbisë nën Vuçiqin, të forcuar nga ndikimi rus.

Derisa Bashkimi Evropian të heqë dorë nga parimi i stabilokracisë dhe të vendosë kushte të qarta politike që, para së gjithash, do ta detyrojnë Serbinë t’i adresojë themelet e rrezikshme dhe të deformuara të regjimit të Vuçiqit, nuk do të shohim asnjë përmirësim. Pa një ndryshim të tillë, BE-ja rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime që bëri me Putinin.

 

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ndryshimi i administratës amerikane do të ndikojë në përhapjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor? Dhe, si e shihni veprimin e deritashëm të SHBA-së për të parandaluar dhe minimizuar ndikimet negative të Rusisë?

Edina Beqireviq: Ndryshimi i administratës amerikane ndoshta nuk do të ndikojë ndjeshëm në ndryshimin e politikës amerikane ndaj rajonit dhe, për fat të keq, as në frenimin e përhapjes së ndikimit rus.

Një mik më tha së fundmi me humor: “Ndoshta Trumpi do t’i zhgënjejë ata ashtu siç na zhgënjeu Bideni”. Edhe pse e thënë me shaka, kjo deklaratë përshkruan mirë thelbin e bisedave që kam pasur kohët e fundit me burime të ndryshme.

Ashtu si administrata e Bidenit nuk i përmbushi shpresat e aktorëve prodemokratikë në rajon, administrata e Trumpit mund të zhgënjejë aktorët e ekstremit të djathtë që presin mbështetje më të fuqishme.

Në mesin e tyre, veçanërisht, mund të jetë i zhgënjyer regjimi i Aleksandar Vuçiqit. Para disa muajsh, dëgjova Vesna Pusiqin në Forumin e Cetinës, duke shpjeguar se kur SHBA-ja nuk ka interes strategjik në një rajon, politika kryesisht formohet përmes qasjeve individuale të ambasadorëve.

Kjo shihet qartë në kontrastin e dukshëm midis strategjive të ambasadorit amerikan në Bosnjë dhe Hercegovinë, Michael Murphy, dhe ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill. Ambasadori Murphy është i vetëdijshëm për rreziqet e ambicieve secesioniste të Dodikut dhe ato imperialiste të Vuçiqit. Ambasadori Hill, duket qartë që jo.

Nga njëra anë, nëse rajoni mbetet një fokus dytësor i administratës amerikane, me angazhim të kufizuar direkt, kjo është e mirë, sepse regjimi i Vuçiqit nuk do të marrë duar të lira për të zbatuar “botën serbe”.

Kjo mund të hapë mundësinë që Bashkimi Evropian të “zgjohet” përballë rreziqeve që vijnë nga regjimi i Vuçiqit, të heqë dorë nga parimi i stabilokracisë dhe të vendosë kushte serioze për demokratizimin e rajonit mbi bazën e marrëdhënieve të shëndosha fqinjësore.

Sigurisht, ekziston edhe një skenar i errët, ku kjo nuk do të ndodhë, dhe ne do të rrëshqasim në një krizë edhe më të thellë, ndërsa Serbia nën ombrellën e “botës ruse” mund të fillojë një zbatim më serioz, ndoshta edhe ushtarak, të “botës serbe”.

Regjimi i Vuçiqit është në një krizë të thellë dhe devijimi i vëmendjes nga kulmi i incidenteve në rajon, qoftë në Kosovë apo në Bosnjë dhe Hercegovinë, do ta lejonte atë të konsolidonte pushtetin brenda Serbisë.

 

Radio Evropa e Lirë: Për kë e keni shkruar librin për Putinin dhe ndikimin e tij? A mendoni se të rinjve dhe studentëve u mungon perspektiva dhe hulumtimi mbi çështjet gjeopolitike dhe lidhjet me Ballkanin Perëndimor?

Edina Beqireviq: Të rinjve, veçanërisht studentëve, shpesh u mungon një këndvështrim i nuancuar për çështjet gjeopolitike dhe dinamikën komplekse që rrethon Ballkanin Perëndimor dhe konfliktet globale.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për dështimet dhe standardet e dyfishta të Perëndimit – asgjë nuk e ilustron këtë më mirë se qëndrimi i Perëndimit lidhur me gjenocidin që po kryen Izraeli në Gazë.

Gjithashtu, si edukatorë, shpesh dëgjojmë argumente se Perëndimi dhe Rusia në thelb janë të njëjta dhe se lufta në Ukrainë është vetëm një konflikt midis fuqive të mëdha.

Ndonjëherë dëgjoj diskutime ku të rinjtë plotësisht shmangin faktin që Rusia ka kryer agresion kundër Ukrainës. Literatura mbi hipokrizinë perëndimore është me bollëk për studentët, dhe ata kryesisht janë të përqendruar në podkaste që barazojnë Perëndimin dhe Rusinë.

Nga ana tjetër, literatura që trajton thelbin e regjimit të Vladimir Putinit dhe ambiciet e tij imperialiste nuk është e disponueshme për studentët. Ajo që është në dispozicion, është shumë komplekse për ta.

Si edukatorë, kemi detyrimin t’i ndihmojmë të rinjtë të orientohen në një botë që po ndryshon shumë shpejt. Është e rëndësishme që ata të mësojnë të mendojnë në mënyrë kritike mbi narrativët tepër të thjeshtuar që barazojnë demokracinë me autokracinë dhe regjimet autoritare.

Me fitoren e Trumpit në Amerikë, kjo do të bëhet edhe më e vështirë për t’u shpjeguar.

Po, ky libër është shkruar kryesisht për studentët, të cilët kanë gjithnjë e më pak prirje për të lexuar analiza teorike të dendura. Stili është qëllimisht i qasshëm, por prezanton koncepte kyçe dhe kontekst historik që mbështesin argumentet kryesore të librit.

Qëllimi ishte t’i drejtojmë të rinjtë drejt një mendimi kritik mbi çështjet gjeopolitike, t’i njohim ata me ideologjitë ekspansioniste dhe t’u bëjmë të qartë pse integrimet euroatlantike nuk mund të barazohen me qëllimet e “putinizmit” në Ballkanin Perëndimor, edhe kur kemi parasysh standardet e dyfishta për të cilat kam folur.

BE kërkon hetime pas sulmit në veriun e Kosovës

BEBE e cilësoi sulm “terrorist” dhe akt “sabotues” shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës që rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.

 

BE po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë.  Shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit nga i cili rrezikohet furnizimi me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës, Bashkimi Evropian e ka cilësuar si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” dhe kërkon hetimin e ngjarjes dhe vënien e autorëve të sulmit para drejtësisë.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell në largim (nga 1 dhjetori e merr detyrën, Kaja Kallas) në një njoftim për shtyp të shtunën (30.10.), tha se “BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”.

Borrell tha, se mesazhet e solidaritetit dhe mbështetjes ia ka përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e së shtunës. Nga Borrell, po ashtu ka ardhur  thirrja drejtuar të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës.

 

shperthimiArrestime në lidhje me shpërthimet veri të Kosovës

Në një operacion që u zhvillua në shkallë të gjerë në veri të Kosovës gjatë gjithë ditës së shtunë, policia arrestoi tetë persona të dyshuar në lidhje me shpërthimin në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, duke konfiskuar edhe sasi të mëdha armatimi, dhe pajisje tjera ushtarake.

Autoritetet bënë të ditur, se policia dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ka zhvilluar operacione në dhjetë lokacione në veri të vendit. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha, se tashmë janë identifikuar disa persona si të dyshuar të mundshëm për nxitjen e akteve të dhunës, organizimit apo ekzekutimit të sulmit të fundit dhe të tjerave në veri të vendit.

 

Dyshohet se janë përdorur 15 deri në 20 kg lëndë shpërthyese

“Për realizimin e këtij sulmi terrorist në bazë të hetimit në vendin e ngjarjes dyshohet që është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit nga 15 deri 20 kilogramë, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha  Hoxha. Sipas tij, operacioni dhe kontrolli rezultuan me konfiskimin e një arsenali armesh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarak”.

Ai tha se policia “ka arsye të besojë se në një formë apo tjetër, personat e arrestuar kanë qenë të lidhur me rastin e sulmit terrorist të mbrëmshëm dhe me aktivitete ilegale dhe shume të tjera të mëhershëm dhe shumica nga ta janë pjesë të Mbrojtjes Civile”. Këtë organizatë që operon në veri të Kosovës qeveria në Prishtinë vitin e shkuar e ka shpallur organizatë terroriste.

“Gjatë aksionit policor janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armeve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera”, tha drejtori i policisë Gazmend Hoxha.

 

Sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës së Kosovës nga koha e luftës

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për medie se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, aset ky që cilësohet i një rëndësie të veҫantë për termoelektranat e Kosovës, ujin e pijshëm dhe ngrohjen e kryeqytetit, ishte sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovës të vitit 1998-1999.

“Ky është sulm i organizuar dhe planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të shtetit të Kosovës”, tha ministri Sveçla.

Në lidhje me armatimet e zbuluara, Sveçla tha, se “shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë prodhim serb dhe se një pjesë e madhe e tyre janë pajisje ekskluzivisht ushtarake që nuk mund të gjenden lehtë në tregun e zi”.

 

Kosova akuzon Serbinë, Serbia mohon përfshirjen

Kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti tështunën bëri përgjegjëse Serbinë për sulmin, që ai e cilësoi “kriminal dhe terrorist” e që ka pasr si qëllim “të dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme dhe vitale të vendit të Kosovës”.

Por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e mohoi në mënyrë kategorike përfshirjen e Serbisë në sulmin në veri duke thënë se “Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës, ku u dëmtua një kanal i ujit i Ibër-Lepencit. Këtë e di edhe Prishtina”, tha Vuҫiq transmeton RTS.

“Përse të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat botërore, të kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë kur ata gjithsesi do ta interpretojnë si të duan”, tha Vuҫiq.

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, duke hedhur poshtë  pretendimet e kryeministrit Kurti, tha se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm. Gjuriq tha se “Serbia e dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi është thellësisht shqetësues që rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës tashmë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim.

dw

Kosovë: Tetë të arrestuar – gjenden amartime dhe eksploziv

bastisjeBE e cilësoi si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës që rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.

 

Në një operacion që u zhvillua në shkallë të gjerë në veri të Kosovës gjatë gjithë ditës së shtunë (30.11.2024), policia arrestoi tetë persona të dyshuar në lidhje me shpërthimin në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, duke konfiskuar edhe sasi të madhe armatimi, dhe paisje të tjera ushtarake. Autoritetet kosovare akuzuan Serbinë për përfshirje në sulm, ndërkohë që presidenti serb Aleksandar Vuҫiq, mohoi kategorikisht përfshirjen e shtetit të tij. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media, se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, aset ky që cilësohet i një rëndësie të veҫantë për termo-elektranat e Kosovës, ujin e pijes dhe ngrohjen e kryeqytetit, ishte sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës së vitit 1998-1999. Sipas tij, operacioni i policisë dhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)  është zhvilluar në dhjetë lokacione në veri të vendit, ndërsa të arrestuarit dyshohen për përfshirje në veprime kriminale e terroriste.

 

Identifikohen disa të dyshuar në lidhje me sulmin

“Ky është sulm i organizuar dhe i planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste, që shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike. Pra synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të shtetit të Kosovës”, tha ministri Sveçla.

Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se tashmë janë identifikuar disa persona si të dyshuar të mundshëm për nxitjen e akteve të dhunës, organizimit apo ekzekutimit të sulmit të fundit dhe të tjerave në veri të vendit.

“Për realizimin e këtij sulmi terrorist në bazë të hetimit në vendin e ngjarjes dyshohet që është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit nga 15 deri 20 kilogramë, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha  Hoxha. Sipas tij, nga operacioni dhe kontrolli ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali armësh dhe municioni, eksplozivit, pajisje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake”. Ai tha se policia “ka arsye të besojë se në një formë apo tjetër, personat e arrestuar kanë qenë të lidhur me rastin e sulmit terrorist të mbrëmshëm dhe me aktivitete ilegale dhe shumë të tjera të mëhershme dhe shumica e tyre janë pjesë të Mbrojtjes Civile”. Këtë organizatë që operon në veri të Kosovës qeveria në Prishtinë vitin e shkuar e ka shpallur organizatë terroriste.

“Gjatë aksionit policor janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera”, tha drejtori i policisë Gazmend Hoxha.

 

Ministri i Bendshëm Xhelal Sveçla, nga ana e tij, tha se “shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë prodhim serb dhe se një pjesë e madhe e tyre janë pajisje ekskluzivisht ushtarake që nuk mund të gjenden lehtë në tregun e zi”.

Më herët gjatë ditës së shtunë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “Serbia është përgjegjëse për sulm kriminal dhe terrorist duke synuar ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme dhe vitale të vendit të Kosovës”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e mohoi në mënyrë kategorike përfshirjen e Serbisë në sulmin në veri duke thënë se “Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës, ku u dëmtua një kanal i ujit i Ibër-Lepencit. Këtë e di edhe Prishtina”, tha Vuҫiq transmeton RTS.

“Përse të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat botërore, të kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë kur ata gjithsesi do ta interpretojnë si të duan”, tha Vuҫiq.

Edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, duke hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit Kurti, tha se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm. Gjuriq tha se “Serbia e dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi është thellësisht shqetësues që rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”.

 

Këshilli i Sigurisë së Kosovës aprovon masa sigurie shtesë

Bashkimi Evropian nga ana tjetër e ka cilësuar si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, i cili rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.

“BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”, thuhet në komunikatën e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrel. Sipas tij, ngjarja duhet të hetohet, ndërsa autorët e sulmit duhet të vihen para drejtësisë.

“Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetjeje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e së shtunës”, tha Borrell, duke iu bërë thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe theksoi se BE-ja do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës tashmë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim.

dw

Rumani: Fantazma e mazhorancës së ekstremit të djathtë

Putins DollPas shokut në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale Rumania përballet me zgjedhjet parlamentare. Shumë druajnë nga një sukses i ekstremistëve të djathtë. Edhe për Europën ky do të ishte një skenar katastrofe.

 

Mijëra të rinj, që demonstrojnë mbrëmjeve në rrugët e qyteteve të mëdha të Rumanisë kundër ekstremizmit dhe pro Europës.  Mesazhet në rrjetet sociale të personaliteteve nga fusha të ndryshme janë: mos lejoni ta zhysni atdheun në humnerë. Këta janë intelektualë, që bëjnë fjalë për tragjedinë më të madhe në historinë e re të vendit. Kjo është tema që dominon aktualisht në media.

Rumania pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale (24.11.2024) është në gjendje shoku. Në këtë raund fitoi nga hiçi me rreth 23 përqind Calin Georgescu i paparti: një ekstremist i djathtë glorifikues i Putinit, apolog i fashizmit rumun kristian-ortodoks të periudhës ndërmjet luftrave, një teoricien i teorive të konspiracionit dhe një njeri ezoterik që flet gjepura.

Të dielën (1.12.2024) në Rumani zhvillohen zgjedhjet parlamentare, e një javë pas tyre edhe balotazhi presidencial. Shumë në Rumani druajnë, se partitë e ekstremit të djathtë mund të fitojnë shumicën. E në fund një ekstremist i djathtë tifoz i Putinit mund të bëhet edhe president.

Kjo ta zhyste në kaos jo vetëm Rumaninë, por do t’i krijonte probleme të mëdha edhe BE-së dhe NATO-s. Rumania është vendi i gjashtë për nga madhësia në BE dhe partnerja më e rëndësishme e NATO-s në Europën Juglindore.

Aty janë të disolokuara stacioni i mbrojtjes nga raketat dhe bazat më të rëndësishme të aviacionit luftarak të rajonit. Një pjesë e rëndësishme e ndihmës ushtarake për Ukrainën kalon përmes Rumanisë. Gjithashtu ky vend shtrihet në Detin e Zi dhe ndodhet në rrugën nga kalojnë furnizimet ukrainase me drithëra. Ndaj rëndësia gjeopolitike e Rumanisë është shumë më e madhe se sa e shteteve si Hungaria apo Sllovakia, që qeverisen nga nacionalistët si Viktor Orban dhe Robert Fico, të cilët kanë devijuar prej konsensusit të BE-së dhe të NATO-s.

 

Jo një fatkeqësi e rënë nga qielli

Që në Rumani, një ekstremist i djathtë glorifikues i Putinit, i cili del me mesazhe kristiane si Mesias, fiton vota me shumicë, kjo nuk është një fatkeqësi e rënë nga qielli – historia e re këtij vendi ka plot tragjedi: Diktatori pro-fashist në kohën midis dy luftrave, Ion Antonescu, dhe diktatori megalloman Nicolae Çaushesku ndiqnin një kult të ngjashëm mesianik. Nën Çausheskun Rumania, krahas Shqipërisë, përjetoi diktakturën më të keqe në bllokun lindor.

Vetëm në Rumani më 1989 pati një ndryshim të përgjakshëm sistemi, me mbi njëmijë të vdekur gjatë trazirave. Dhjetë vjet më vonë, më 1999, Rumania gjatë kryengritjes së minatorëve ishte në prag të një lufte civile. Një vit më vonë ultranacionalisti dhe ish-punonjësi i Çausheskut Corneliu Vadim Tudor duke fituar në balotazh mori mandatin presidencial. Megjithatë ai u zgjodh si e keqja më e vogël kundrejt komunistit që ndryshoi kahun Ion Iliescu, i cili ishte bashkëpërgjegjës për të vdekurit pas rrëzimit të Çausheskut dhe më vonë themelues i partisë së emërtuar socialdemokrate, PDS, por që në fakt ishte parti populiste dhe nacionaliste.

 

Sondazhe jo bindëse

Tani Rumania ndodhet sërish përpara vendimit, nëse me zgjedhjen e ekstremistëve të djathtë do të ndjekë një rrugë më vehte ose jo. Në këto rrethana as që mund të flitet për normalitet. As që ndihet se ka zgjedhje parlamentare. Kjo edhe pse përpara zgjedhjeve presidenciale në asnjë sondazh nuk bëhej fjalë për sukses të Calin Georgescu – dhe sepse as tani nuk ka sondazhe të besueshme lidhur me preferencat për partitë.

Sipas parashikimeve të javëve të kaluara gjashtë parti mund të hyjnë në parlament: ato që deri tani kanë qeverisur bashkë me pseudo-socialdemokratët dhe nacional-liberalët e PNL, po ashtu disa parti ekstremiste të djathta, ndër to edhe aleanca për Bashkimin e Rumanisë (AUR) dhe S.O.S. Romania, si dhe partia progresiste-liberale Unioni Shpëtoi Rumaninë (USR) dhe partia e minoritetit hungarez, UDMR.

Fillimisht në sondazhe socialdemokratët arrinin në rreth 30 përqind, nacional-liberalët rreth 15 përqind. Tani kjo as që diskutohet, sepse kandidatët e të dyja partive, kryeministri Marcel Ciolacu (PSD) dhe kryetari i senatit Nicolae Ciuca (PNL) dështuan keq në zgjedhjet presidenciale dhe për këtë arsye që të dy dhanë dorëheqjen përkatësisht nga kryesimi i partive.

Partitë AUR dhe SOS Romania në sondazhet e deritanishme kanë pasur 25 deri në 28 përqind. Në zgjedhjet presidenciale ato së bashku arritën 38 përqind. Pas shokut të raundit të parë presidencial disa vëzhgues druajnë, se ekstremistët e djathtë mund të arrijnë mazhorancën parlamentare.

Një tjetër fituese në zgjedhje mund të jetë partia progresive-liberale USR, kandidatja e së cilës Elena Lasconi është në pozicionin e dytë në balotazhin presidencial më 8.12.2024 dhe ka shanse të mira të fitojë. Sipas sondazheve, USR deri tani ka një rezultat dyshifror të dobët, por mund të përfitojë nga dështimi i partive që kanë qeverisur deri tani.

 

“Establishmenti” i urryer

Në zgjedhjet parlamentare riskohet shumë më tepër se sa në ato presidenciale. Presidenti i Rumanisë ndonëse ka kompetenca të rëndësishme në politikën e jashtme dhe të sigurisë, ai nuk mund të marrë vendime pa parlamentin dhe qeverinë. Ndaj një president ekstremist i djathtë si Georgescu do të ishte një fatkeqësi për Rumaninë dhe skenari më i keq që mund të ndodhë është një mazhorancë parlamentare e ekstremit të djathtë.

Shumë zgjedhëse dhe zgjedhës në Rumani shohin tek këto parti ekstreme mundësinë për të larguar “establishmentin” e urryer. Që nga rrëzimi i Çausheskut vendi dominohet nga rrjetet klienteliste, që ndër të tjera janë grumbulluar tek partia e sotme socialdemokrate. Shumë në Rumani e konsiderojnë PSD si një sinonim të korrupsionit dhe nepotizmit. Por edhe reputacioni i ncacional-liberalëve, që tre vietet e fundit ka bashkëqeverisur me socialdemokratët, nuk është më i mirë. Kjo ka të bëjë me bllokimin që i bëjnë prej dekadash të dyja partitë, reformave themelore në administratën e shtetit dhe në drejtësi. Gjë që ka ngjallur urrejtjen e thellë në shoqëri ndaj këtij establishmenti.

 

Kohë të pasigurta

Edhe presidenti në post prej dhjetë vjetësh Klaus Johannis ka përgjegjësinë e tij në këtë drejtim. Që nga viti 2014, Johannis u zgjodh duke premtuar se do të luftojë me vendosmëri për reforma radikale shtetërore dhe kundër korrupsionit. Por pjesën më të madhe të mandatit të tij ai ka qëndruar i tërhequr, edhe pse presidenti mund të influencojë ndaj ekzekutivit, përmes mundësive kushtutuese. Madje as ndaj zhvillimeve aktuale politike Johannis nuk ka reaguar deri tani.

Situata ndërlikohet ndërkohë edhe me udhëzimin e Gjykatës Kushtuetuese për të rinumëruar votat e raundit të parë presidencial. Kushtetuesja hyri në lojë pas ankesave për mashtrim elektoral dhe manipulim që ngritën dy kandidatë për president që dështuan në votime. Por praktika në Rumani ka treguar që rëndom Gjykata Kushtetuese përdoret për intriga politike. Kjo u duk edhe në tetor, kur një kandidate ekstremiste e djathtë për presidente u përjashtua, me sa duket për t’u mundësuar një rezultat më të favorshëm në zgjedhjeve socialdemokratëve në pushtet.

Se çfarë efekti do të ketë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është e paqartë. Një gjë dihet: Në përgjithësi nga zgjedhjet parlamentare në Rumani mund të konturohen raporte të vështira politike, ku asnjëra parti të mos fitojë shumicën absolute. Meqënëse partitë e ekstremit të djathtë janë të përçara mes tyre, kjo mund të krijojë kaos në politikën e brendshme, nëse ato marrin shumicën. Nëse fitojnë progresiv-liberalët USR do të ishin të varur nga një partner koalicioni – e për këtë mund të shtrohet vetëm opcioni i ndonjërës nga partitë e establishemntit ose një qeveri e pakicës. Rumania ndodhet para kohësh të pasigurta.

dw

Sulmi në Zubin Potok, Rama: BE dështoi me dialogun, fati europian i rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia

RamaKryeministri Edi Rama ka dënuar shpërthimin e ndodhur në Zubin Potok, që ka goditur infrastrukturën e furnizimit me ujë në kanalin e Ibër-Lepencit, duke e quajtur këtë një akt të rëndë sabotazhi. Ai ka theksuar se ky veprim kriminal rrezikon seriozisht jetën e qytetarëve të Kosovës dhe dëmton përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve në rajon.

 

Rama ka theksuar se ky akt i dhunshëm, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në sigurinë e qytetarëve, ka pasojat e tij edhe në procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, një qëllim që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor synojnë.

Sipas tij, Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, pasi ekzistuesi ka dështuar në përpjekjet e tij

“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”, shkruan Rama.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor, ku shkaktoi dëme në kanalin ujësjellës të Ibër-Lepencit në Kosovë, që shërben për të furnizuar popullatën vendase me ujë, por edhe për energjinë elektrike. Sulmi u dënua edhe nga SHBA dhe BE, të cilat kërkuan hetim të plotë dhe vënien para drejtësisë të autorëve.

rtsh

Shpërthimi në Zubin Potok, Begaj telefonatë me Osmanin: Cenim i sigurisë kombëtare të Kosovës

Begaj OsmaniPresidenti i Republikës së Shqipërisë zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës.

Presidenti mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist.

tch

Shpërthimi në Zubin Potok, Këshilli i Sigurisë me masa shtesë për sigurinë

prishtineNën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas shpërthimit të mbrëmshëm në Zubin Potok, në orët e para të mëngjesit të sotëm, u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

 

Zyra për komunikim e Kryeministrit njofton se kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike.

“Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”, thuhet në këtë njoftim.

Bëhet e ditur se gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

“Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt. Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.

Kryeministri Kurti u shpreh: “Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik. Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha.”

Institucionet e Kosovës, deklarohen se mbeten të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe për të siguruar që autorët e këtyre veprimeve të paligjshme të përballen me drejtësinë.

“Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe keqinterpretimeve të luftës hibride kundër shtetit dhe popullit tonë”, thuhet në këtë njoftim.

 

Aksion i policisë në rajonin e Zubin Potokut, pas shpërthimi në Ibër-Lepenc

 

Policisë së Kosovës njofton se është duke u zhvilluar një aksion në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut, ku mbrëmë ka ndodhur një shpërthim në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

 

Lajmin për RTK e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

“Po, është duke u zhvilluar aktivitet i bastisjes nga ana e policisë dhe tani për tani nuk mund të them asgjë më shumë”, ka thënë shkurt Elshani.

Aksioni i sotëm po zhvillohet pas shpërthimit të mbrëmshëm në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

rtk

Kosova me masa shtesë sigurie pas shpërthimit që dëmtoi kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit

kanali i demtuarKëshilli i Sigurisë së Kosovës miratoi gjatë natës masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore, pas shpërthimit të së premtes që dëmtoi një kanal që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri.

 

Në një komunikatë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit thuhet se “indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste”.

Në njoftim thuhet se gjatë mbledhjes u vu në pah “ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit “diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend. Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt”.

Për më tepër, “Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Shpërthimi i së premtes që kaloi pa dëme në njerëz, u krye në në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, një komunë e banuar me shumicë serbe në veri.

Nëpërmjet kanalit të dëmtuar furnizohen me ujë disa qytete si dhe Korporata Energjetike e Kosovës, që është prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në vend.

Mëngjesin e së shtunës autoritetet thanë se kanë kryer një “rregullim të përkohshëm në kanalin e dëmtuar” dhe shpresojnë që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë “i pa cenuar”.

Shpërthimi u dënua në shkallë të gjerë nga institucionet e partitë politike si dhe diplomatët perëndimorë në Kosovë.

Sulmi i së premtes në mbrëmje ishte i treti në një periudhë 72 orëshe në veriun Kosovës. Granata dore u hodhën më parë në një stacion policie dhe në ndërtesën e komunës në Zveçan.

voa

Situatë e nderë në veri të Kosovës

kanali i demtuar Iber LepencTensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës janë ashpërsuar me shpërthimin në Zubin Potok. Aty u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit një aset kritik i Kosovës.

 

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, komunë kjo në veri të Kosovës, duke dëmtuar kështu kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima në njerëz. Ky kanal uji që rrjedh nga liqeni i Ujmanit, cilësohet aset kritik për Kosovën. Nga ky kanal uji varet shumë operimi i termocentraleve elektroenergjtike të Kosovës, furnizimi me ujë të pijshëm i një pjese të madhe të Kosovës, përfshirë edhe një pjesë të kryeqytetit Prishtinë.

 

Sulmi ndaj kanalit Ibër Lepenc – akt “terrorist”

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveҫla, shpërthimin e cilësoi sulm ‘terrorist’ dhe sipas tij, një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit që është dëmtuar konsiderohet si “infrastrukturë kritike”. “Është detyrë e domosdoshme e institucioneve të sigurisë që të hetohen terroristët që kanë kryer këtë akt terrorist dhe të sillen para drejtësisë”, tha Sveҫla.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani fajësoi “bandat kriminale serbe” për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke siguruar qytetarët, se  “bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës”. “Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj këtyre elementeve kriminalë janë jetike”, tha Osmani, duke u bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të tregojnë qetësi dhe maturi derisa institucionet të hetojnë rastin dhe të sanojnë dëmet.

 

Kurti fajëson bandat e dirigjuara nga Serbia

Shpërthimet e ditëve të fundit në komunat në veri të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka quajtur akte ‘terroriste’ nga Serbia. Ai tha se “sulmi është kryer nga profesionistë me qëllimin për ta dëmtuar infrastrukturën kritike të Kosovës”. “Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike. Sulmi është kryer nga profesionistë. Ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara nga Serbia. Nëse dëmi nuk riparohet, atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”, tha Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

 

Sipas kryeministrit të Kosovës “s’ka adresë tjetër për sulme të tilla pos Beogradit zyrtar dhe strukturat kriminale, në krye me Milan Radoiçiqin”. “Ky është sulmi, pra shpërthimi i tretë në ditët e fundit që ka pasur për cak institucionet tona. Dhe është synuar që të nxitet frika. Përpjekjet e tilla do të ngelen të dështuara për shkak se kushtetutshmëria në vendin tonë sundimi i  ligjit rendi dhe Republika jonë nuk do të mund të mposhten nga askush”, tha Kurti. Kryeministri tha se menjëherë do ta takojë komandantin e KFOR-it dhe njëkohësisht ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë kombëtare.

 

Hovenier: Ofrojmë mbështetjen tonë

Pas sulmeve të fundit ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier, i cili dënoi ashpër sulmin ndaj “infrastrukturës kritike” të Kosovës. “Ne po monitorojmë nga afër situatën, do të mbështesim një hetim gjithpërfshirës dhe kemi ofruar mbështetjen e plotë për Qeverinë e Kosovës për t’u siguruar që përgjegjësit e këtij akti kriminal të identifikohen dhe mbahen përgjegjës”, tha Hovenier.

 

Lista Serbe e dënoi sulmin

Shpërthimin në kanalin Ibër Lepenc e dënoi edhe Lista Serbe,  partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit. “Dëshirojmë të bëjmë të qartë se ky akt është absolutisht kundër interesave të popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim urgjent në lidhje me këtë rast. Dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu ka shkaktuar shqetësim tek serbët në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

 

Tensione të rritura dy ditët e fundit

Para shpërthimit në kanalin Ibër Lepenc, ka pasur sulme me granata dore në veri të Kosovës edhe dy ditë më parë. Një granatë u hodh në objektin komunal të Komunës së Zveҫanit dhe njëra në një stacion policie, ka njoftuar policia e Kosovës. Pasoja në njerëz nuk ka pasur pos dëmeve materiale në objektin e komunës dhe disa automjeteve të parkuara aty pranë. Autorët akoma nuk dihen. Autoritetet më të larta të Kosovës i dënuan edhe sulmet me granata dore duke i cilësuar akte kriminale dhe terroriste.

 

Sulmi në objektin komunal në Zveҫan brenda të cilit kishte edhe pjesëtarë të policisë, ndodhi vetëm disa orë pasi asambleistët në Kuvendin Komunal në Zveҫan shënuan me një seancë solemne përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe. Festa e pavarësisë së Shqipërisë nuk është festë zyrtare në Republikën e Kosovës, por shënohen aktivitete të shumta gjithandej vendit për nder të saj.

 

Rritje e masave të sigurisë në të gjithë Kosovën

Pas sulmeve të ditëve të fundit në veri, policia e Kosovës ngriti shkallën e sigurisë në nivel vendi, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Sipas njoftimit të policisë rritja e sigurisë po bëhet për të parandaluar incidentet e natyrave të ndryshme. “Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim. Planifikimet operative policore, do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në terren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se në fshatin Izvor të komunës së Zveçanit po ndërtohet një nënstacion i ri policor. Kjo nxiti kundërshtimin e përfaqësuesve të komunitetit serb. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ndërtimin e stacioneve të reja policore në veri e sheh si një mjet shtesë për siҫ thotë, “shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”.

Komuna e Zveçanit dhe tri komunat e tjera në veri,  ajo e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, që nga prilli i vitit 2023  udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët bojkotuan në shkallë të gjerë pjesëmarrjen në zgjedhje lokale. Kryetarët shqiptarë nuk pranohen nga shumica e qytetarëve që janë të përkatësisë etnike serbe.

dw