Shqipëria sot më 7 Mars feston “Ditën e Mësuesit”, 137 vite më parë u hap shkolla e parë shqipe në Korçë

abcNë të gjitha shkollat e vendit festohet sot 7 Marsi, ku organizohen aktivitete festive në shenjë mirënjohjeje për punën e mësuesve në edukimin e brezit të ri.

Në përkujtim të krijimit të Mësonjëtores së parë shqipe me vendim të Qeverisë  Shqiptare në vitin 1960 u vendos që 7 Marsi të njihet si “Dita Kombëtare e Mësuesve”.

Festa vjen në ditën kur 137 vjet më parë në qytetin juglindor të Korçës u hap Shkolla e Parë në gjuhën shqipe, një ngjarje me rëndësi kulmore për përpjekjet e popullit shqiptar për të ruajtur gjuhën dhe alfabetin e vet.

Mësonjëtorja e Korçës është shkolla e parë kombëtare e gjuhës shqipe në viset shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane. Mësonjëtorja u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në periudhën e fundme të perandorisë. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muzeum dhe ndodhet në veri të bulevardit “Shën Gjergji”.

Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare brenda Perandorisë Osmane. Mësonjëtorja përbënte një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik; kishte rëndësi e një vlerë të veçantë duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit.

Data e hapjes së saj festohet nga shqiptarët si “Dita e Mësuesit”

Në vitin 1885, Naim Frashëri, si zyrar në Ministrinë e Arsimit në Stamboll, me të vëllain, Sami Frashërin dhe shqiptarë të tjerë me ndikim të “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip”, ia dolën të siguronin lejen nga Sulltan Abdylhamidi II për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë. Mbështetja financiare iu mundësua edhe nga mërgata e Rumanisë, anëtarët e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, ndërsa shqiptarët e Stambollit vendosën që drejtor i shkollës të ishte Pandeli Sotiri. Mjedisi ku shkolla u vendos ishte shtëpia e dhuruar nga Diamant Terpo. Si “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, ashtu edhe shoqëria “Drita” kishin rënë dakord që më përpara për të mos antagonizuar parinë vendase të ndikuar nga kultura greke duke hapur shkolla shqipe. Patrikana e Stambollit refuzoi që të jepej gjuha shqipe në shkollat ekzistente greke të komunitetit ortodoks të Korçës. Sotiri u dërgua në Korçë dhe e çeli shkollën më 7 mars 1887. Tekstet e shkollës i mundësonin vëllezërit Naim e Sami Frashëri dhe shumë shqiptarë të tjerë. Përgjatë 1887-ës, Sotirit iu desh të linte Korçën dhe administrimi i shkollës i kaloi Petro Nini Luarasit dhe Thanas Sinës. Autoritetet osmane i dhanë leje vetëm të krishterëve shqiptarë të ndiqnin mësimdhënien në këtë shkollë, por shqiptarët nuk iu bindën lejes dhe lejuan fëmijët myslimanë që të mund ta ndiqnin. Vitet e para, në shkollë u regjistruan rreth 200 nxënës të besimit mysliman dhe të krishterë. Në vitin 1888, shkolla kishte 100 nxënës të krishterë dhe 60 myslimanë.

Pandeli Sotiri e filloi mësimin fillimisht me 35 nxënës. Hapja e kësaj shkolle për nga karakteri kishte tipare demokratike, pasi në të mësonin fëmijët e të gjitha shtresave, të varfër e të pasur. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.

Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej rreptësisht mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet; u mbyll në vitin 1902, për t`u riçelë në vitin 1908. U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh në 1917-ën. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Naum Naçi, Thoma Avrami, Familja Qiriazi etj.

Më 15 (23) tetor 1891, Gjerasim Qiriazi së bashku me të motrën Sevasti Qiriazi hapën këtu edhe Mësonjëtoren e vajzave, baza e së cilës ishte gjithashtu gjuha shqipe dhe kultura kombëtare.

Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin, ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit. Të edukuar dhe me frymën e lartë të patriotizmit, këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen dhe pasuesit e ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm për luftën për liri dhe pavarësi.

Në shenjë nderimi, respekti dhe kujtimi për kontributin e Mësonjëtores së Korçës dhe mësuesve të saj, 7 Marsi është caktuar si Ditë e Mësuesit dhe e shkollës shqipe. Ndërtesa ku u hap kjo shkollë sot është muzeum kombëtar i arsimit.

Megjithëqë edhe përpara vitit 1887 padyshim se kishte institucione dhe qendra arsimore ku mësohej gjuha shqipe, mungonte tradita e një shkolle kombëtare shqiptare në kuptimin më të gjerë të fjalës. Mësimi i organizuar në Mësonjëtoren e Korçës kishte për bazë shkencën, kurse synimi i saj ishte dija. Ajo ishte shkollë shqiptare (sepse gjuhë mësimi ishte gjuha shqipe), shkollë popullore (sepse ishte dëshira e popullit për ta hapur dhe për ta mbajtur), në esencë demokratike (sepse ishte e hapur për të gjithë dhe pa pagesë), shkollë e përgjithshme laike (sepse aty vijonin mësimin fëmijët shqiptarë të të gjitha besimeve), shkollë e pavarur (sepse nuk financohej nga jashtë, por mbahej nga populli) etj.

Hapja e shkollës ishte një ngjarje dhe një fitore e madhe për gjithë lëvizjen kombëtare. Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera. Shkolla tërhoqi interesin dhe admirimin e shumë shqiptarëve. Nën shembullin e saj u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve dhe trevave të tjera shqiptare.

Veç të tjerash, kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë.

Ernest_KoliqiErnest Koliqi (Shkodër, 21 maj 1901 – Romë, 15 janar 1975), në prill 1939, Koliqi u emërua Ministër i Arsimit dhe në shtatorin e vitit 1941 nis mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Tokave të lirueme (Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi) që  u drejtua e u financua direkt nga Qeveria Shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>