“Ju akuzoj, se bashkë me programet tuaja jeni përgjegjësit kryesorë të kalbëzimit kulturor të vendit tonë!”

tv

Unë e kam për ju,

“Politikan”- të koruptuar, “Analistë”, “Klerik”- shpirtshitur tek djalli , TV -të shitura, Pseudopatriotë, Pseudointelektual me grada dhe tituj të blerë, …. dhe gjithë hordhinë tuaj në llogoret e këtij ferri …

 

Marco Galice:

Këto fjalë të mia, nuk do të ndryshojnë asgjë, por shpresoj që të ndaj zemërimin tim, që të mund të përhapet më shumë se një pandemi.

Unë Ju akuzoj.

 

Ju akuzoj, se jeni ndër përgjegjësit kryesorë të kalbëzimit kulturor të vendit tonë, barbarisë shoqërore, korrupsionit dhe gërryerjes të tij morale, shkatërrimit mendor të gjeneratave të reja, varfërimit etik të të rinjve, shtrembërimit të edukimit të fëmijëve tonë.

Ju me televizionet tuaj plehra, me programet e tuaja të pista, shfaqjet tuaja artificiale, pseudo, false, mashtruese, keni kontribuar në dorën e parë dhe të paskrupullt në dekadentizmin e mijëvjeçarit të tretë, i cili kësaj here, për fat të keq, nuk sjell asnjë vlerë, por vetëm atë asgjënë kozmike.

Ju jeni bashkëpunëtorë dhe promovues të vetëdijshëm të këtij procesi pervers mediatik , që përfshin bindjen për një vetë-realizim të bazuar ekskluzivisht në pamjen e jashtme, në shfaqjen e famës, suksesit dhe bukurisë, në kërkimin e vazhdueshëm të duartrokitjeve, në miratimin e publik, ndërtimin e asaj që duan të tjerët dhe jo të asaj që jemi.

Kjo është bota juaj, kjo është ajo që ju keni vjellur nga studiot tuaja televizive për vite me radhë.

Ju keni promovuar vrazhdësinë, injorancën, varfërinë morale dhe kulturore si modele të marrëdhënieve dhe njohjes shoqërore, sepse programet tuaja janë të mbushura, me sharlatanë, injorantë dhe të paedukuar. U keni dhënë famë dhe i keni shndërruar në modele për t’u imituar personazhe që nuk kanë vlera, nuk kanë kulturë, nuk kanë asnjë busull morale.

Ju përfaqësoni poshtërimin e të diplomuarve, përuljen e atyre që studiojnë, të atyre që investojnë kohë dhe burime në kulturë, të atyre që janë të frustruar dhe më në fund braktisin vendin, sepse  vëmendja është per teatrot e programeve tuaja.

Unë flas si mësues, i cili sheh me zemërim si nxënësit e tij imitojnë arrogancën, gënjeshtrën, pamjen e jashtme, provokimin, vrazhdësisë që përhapin personazhet në televizionin tuaj. Flas si ai që sheh të njëjtën dinamikë në një realitet të trishtë që përsëritet në klasat e mia, me nxënës që besojnë se kjo dhe vetëm kjo është mënyra për tu lidhur me bashkëmoshatarët e tyre dhe për tu pranuar prej tyre dhe për t’u vlerësuar prej tyre. Si mësues i cili sheh hutim, frikë, izolim në sytë e atyre fëmijëve që nuk përshtaten, që nuk i dorëzohen më joshjes së kësaj bote të tmerrshme, por që për këtë shpërblehen me veçim dhe tallje.

Unë kam parë në vitet e mia të mësimdhënies së pari me hutim, pastaj me shqetësim, tani me terror qindra nxënës sillen si kopje të personazheve të turpshëm që mbushin programet tuaja, duke u përpjekur të jenë si ata. Dhe unë jam i neveritur nga vetëkënaqësia që ju kullon në programet tuaja në prani të personazheve të caktuara.

Unë ju akuzoj, sepse ju jeni personalisht përgjegjës për të gjitha këto.

Shpresoj në fundin tuaj profesional dhe në zhdukjen tuaj mediatike, sepse këto janë ndëshkimet e duhura për dëmet e pariparueshme që i keni shkaktuar vendit.

Marco Galice

Varhelyi: RMV ta ndryshojë Kushtetutën për të avancuar në procesin negociues

VarhelyiPasi që Mickoski deklaroi që gjuha shqipe nuk po rrezikohet dhe nuk i pengon askujt, atëherë partia e mbështetur nga zoti Kurti VLEN dhe deputetit te LV Bekim Qoku, të iniciojë që sipas shembullit të gjuhës serbe në Kosovë të vendoset edhe gjuha shqipe në Kushtetutën e RMV-së.

 

“Menjëherë pas plotësimit të kushteve, do të hapet klasteri i parë i negociatave me Shkupin”, theksoi eurokomisari Oliver Varhelyi në debat në Parlamentin europian.

Ai thirri që vendi shpejt dhe me vendosmëri të veprojë pas raportit të skriningut për klasterin e parë, që janë Fondamentet.

Duke folur për vendet kandidate, Varhelyi theksoi se Komisioni Europian do ta përkrahë qëllimin e Shqipërisë për t’i përfunduar negociatat deri në 2027, por duke folur për Maqedoninë ai e përmendi ndryshimin e Kushtetutës.

 

“Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë ambicie të mëdha për të përparuar në negociatat aderuese, por tani duhet t’i miratojë ndryshimet kushtetuese që të përparojë në procesin negociues”, tha Oliver Varhelyi.

Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

Micko “Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk është kundër. Kjo është një temë artificiale. Është një temë që po mundohen ta imponojnë”. Kështu deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke folur për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe për ligjin për gjuhët. Ai theksoi se gjuha shqipe nuk po rrezikohet në këtë shtet.

 

“Më besoni, këtu nuk bëhet fjalë për shqetësim, askush nuk është kundër gjuhës shqipe, përkundrazi ja unë jam kryetar i Qeverisë, askush nuk është kundër, as në Maqedoni, kjo është një temë artificiale. Kjo nuk është temë e cila dikujt i pengon ose nuk I pengon, kjo është një temë që po mundohen ta imponojnë po këto hije nga e kaluara se nuk kanë temë tjetër, më besoni”, deklaroi Mickoski për “Prime” në RTK.

Tutje ai tha se ‘Ligji për Gjuhët’ për pesë vite ka qëndruar në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe pikërisht tani në qeverisjen e tij kjo temë po kthehet në në rend dite.

“Epo, pikërisht kjo është pyetja, se si këta të njejtit gjyqtarë kushtetues, të votuar nga shumica e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, i kanë mbajtur të gjithë këto në sirtar për 5 vjet dhe tani papritmas kur erdhi një qeveri e re, një qeveri pro-evropiane, nje qeveri reformatore, op atë e nxorrën ne siperfaqe, perndryshe nuk e di a njihni antropologjinë për ligjin e gjuhëve, dhe kjo që sot është para Gjykates kushtetuese, unë pyeta pak dhe u interesova. Ajo që sot eshtë përpara Gjykatës Kushtetuese janë praktikisht tre nene nga ligji për përdorimin e gjuhëve që kanë të bëjnë me kontestet para gjykatave”, deklaroi kryeministri maqedonas.

Mickoski tha se përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni të veriut nuk po rrezikohet. Madje duke folur për një rast specifik, ai theksoi se sa të jetë ai i pari i shtetit “Vallja e Shotës” do të luhet në mes të Shkupit.

“Në Shkup është luajtur edhe Shota edhe Kolo sërbe, është luajtur edhe Qyqeku turk dhe vallja e vështirë maqedonase, dhe do të luhet. I tillë është shteti dhe ne jemi të bashkuar në diversitetin, dhe do të vazhdohet te luhet. Deri sa të jem unë kryetar i Qeverise do te luhet se në atë mënyrë ne afrohemi e jo të ndahemi”, deklaroi ai.

I pyetur për letrën e Ali Ahmetit që i dërgoi atij rreth heqjes së mekanizmave mbrojtës për komunitetet dhe ndryshimet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Mickoski tha se Ahmeti i kërkoi atij që t’i urdhërojë gjykatësit kushtetues të mos e bëjnë atë.

“Thelbi i letrës së tij është: po të drejtohem Hristijan t’u thuash gjykatësve kushtetues të mos e votojnë këtë që është në rend dite në Gykatën kushtetuese. Së pari, nuk i njoh, do e përsëris. Së dyti, ai dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë votuar, nuk i kam votuar unë. Ai ishte deputet në Parlament dhe ai i ka votuar. Si mundet unë t’u them gjykatësve kushtetues të cilët nuk I njoh fizikisht”, tha ai.

 

Mickoski: Çdokush që nuk ka shkelur ligjet maqedonase është i lirë të kalojë kufirin

Duke folur për marrëveshjen për pika të përbashkëta kufitare Kosovë-Maqedoni, Mickoski u pyet se a do të ketë ndalesa për veteranët e UÇK-së bazuar në fletarrest të serbëve.

Kryeministri maqedonas deklaroi se çdokush që nuk ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, është i lirë të tranzitojë, të kalojë, e të qëndrojë aty.

“Prioriteti kryesor është respektimi i ligjeve maqedonase dhe Kushtetutës së Maqedonisë. Ata persona që nuk i kanë respektuar ligjet dhe Kushtetutën maqedonase, pavarësisht qytetarë apo shtetas të kujt janë, kanë arsye të shqetësohen kur tranzitojnë ose qëndrojnë në Maqedoni. Gjithçka tjetër për ne nuk është temë bisede”, tha ai në RTK.

 

Mbledhja ndërqeveritare ishte jashtëzakonisht cilësore

Kryeministri maqedonas tha se mbledhja ndërqeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ishte jashtëzakonisht cilësore dhe se pas kësaj mbledhjeje do të ketë shumë gjëra pozitive dhe të bukura, veçanërisht në planin e ekonomisë.

“Jam i bindur se së bashku mund të punojmë më shumë dhe nëse punojmë më shumë bashkë, jam i bindur se do të jemi më të suksesshëm dhe do të arrijmë rezultate më të mira përballë vendeve të treta”, u shpreh Mickoski.

Ai mes tjerash tha se pret që mes të dyja vendeve të intensifikohen bashkëpunimet në fushën e energjisë.

“Prioriteti ynë i ardhshëm do të jetë ndërtimi i interkonjektorit me Kosovën, dhe kështu mund të realizojmë një komunikim jashtëzakonisht cilësor në këtë drejtim. Respektivisht, një pjesë e gazit do përfundojë në vendin tone dhe një pjesë do të përfundojë këtu në Kosovë, duke marrë parasysh që përdorimi i gazit këtu është shumë më i ulët. Pse është kështu? Supozoj për shkak të sasive të mëdha të qymyrit, por kini parasysh që nga 01.01.2026, për shkak të Planit të Rritjes, të gjitha kompanitë që eksportojnë në BE do të duhet të përdorin energji elektrike që prodhohet nga burime të ashtuquajtura energji të gjelbër”, deklaroi Mickoski.

 

Mickoski: Incidenti i presidentes Osmani në aeroportin e Shkupit nuk ishte i pari

Duke folur për incidentin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, kryeministri maqedonas tha se ky nuk ishte rasti i parë dhe se në njejtin aeroport presidentja ka kaluar një sërë incidentesh.

“Ky nuk është incidenti i parë. Ishte pjesë e një sërë incidentesh që pikërisht e njëjta gjë i ndodhi presidentes në të njëjtin vend në të njëjtin aeroport, në disa raste edhe më parë. Nuk e di nëse e keni këtë informacion” tha ai.

Tutje, Hristijan Mickoski theksoi se politikanët duhet të respektojnë masat dhe ligjet e vendeve ku udhëtojnë.

“Në veçanti, unë, kryeministri i vendit tim, nuk kaloj kurrë nga Terminalin VIP, thjesht shkoj si të gjithë pasagjerët e tjerë, i nënshtrohem të gjitha kontrollet e tjera të aeroportit, njejtë veprojnë zëvendëskryeminstrat dhe Presidenti i Shtetit. Këtë nuk e them rastësisht, po e them sepse është rregull i bashkëpronarit të aeroportit, pra i kompanisë franceze Airport Dipari, e cila është bashkëpronare e Turkish Tav, që është operatori zyrtar i aeroporti tonë. Dhe nëse shkoni atje tani, ata do të ju thonë se këto janë rregullat e tyre”, deklaroi kryeministri maqedonas.

“Nëse autoritetet e sigurisë së aeroportit thonë se do të ketë një kontroll, ju duhet ta kaloni atë proces kontrolli. Kur udhëtoni me një çarter, piloti i çarterit vendos nëse do të kaloni apo jo përmes kontrollove të sigurisë. Por kur kaloni me një linjë pasagjerësh komercialë, pra një fluturim komercial, është e detyrueshme”, shtoi ai.

rtk

 

Gjermani:4000 dronë me inteligjencë artificiale për Ukrainën

PistoriusPër herë të parë Gjermania do të furnizojë Ukrainën me dronë luftarak. Këta dronë komandohen nga një sistem i ri i inteligjencës artificiale, detaje të mëtejshme mbahen sekret.

 

Është një software, që i dallon këta dronë: Bashkë me një prodhues ukrainas firma gjermane e inteligjencës artificiale(IA) Helsing ka zhvilluar një dron të ri luftarak, që sipas informacioneve, mund të komandohet në mënyrë autonome drejt destinacionit. I programuar njëherë i ashtuquajturi dron kamikaz fluturon autonom në destinacion dhe e sulmon atë. Kur ai përplaset në destinacion shpërthen dhe shkatërrohet.

4000 copë të këtij droni luftarak të pajisur me IA të zhvilluar në Gjermani do të marrë tani qeveria në Kiev. Detajet teknike dhe vendi i saktë i prodhimit mbahen sekret nga të dyja palët për arsye sigurie. Deri tani nuk ekzistojnë fotografi të këtyre dronëve.

 

“Droni i shmanget sistemit elektronik të mbrojtjes”

Ministri i Mbrojtjes, socialdemokrati Boris Pistorius bëri të njohura disa informacione të përgjithshme lidhur me këta dronë: “Këta dronë janë në gjendje që të depërtojnë 30 deri në 40 km në brendësi të vendit, ku mund të sulmojnë pozicione luftimesh, nyje logjistike e të tjera objekte.” Droni ka aftësinë që edhe “nëse atakohet nga sistemi i mbrojtjes elektronike të palës kundërshtare mund ta devijojë atë dhe të arrijë në destinacion”, shtoi Pistorius.

Shumica e dronëve komandohen me radio, e disa edhe me GPS. Me ndihmën e bllokuesve, të ashtuquajturit Jammer, ato mund të devijohen nga kursi dhe të rrëzohen. Dronët, që mund t’i bëjnë ballë mbrojtjes elektronike të kundërshtarit, kanë një përparësi të madhe strategjike.

Ministri i Mbrojtjes the, se ka parë disa prototipe para disa muajsh në Ukrainë dhe se është i bindur që këta dronë do të jenë “një aset vërtetë i rëndësishëm” për Ukrainën. Deri tani Gjermania në kuadër të ndihmës ushtarake për Ukrainën ka dërguar vetëm dronë zbulues. Kancelari Olaf Scholz i përmbahet qendrimit të tij për të mos dërguar raketat luftarake Taurus në Ukrainë, me të cilat ajo mund të luftojë edhe në territorin rus.

 

Dronët në vend të artilerisë

Dronët janë mjaft të pranishëm në fushëbetejë në Ukrainë. Si rusët edhe ukrainasit i përdorin ato në mënyrë të shumëfishtë. Rusia vazhdimisht sulmon me dronë edhe objektiva civile dhe infrastrukturën në Ukrainë. Forcave të armatosura ukraianse dronët u shërbejnë edhe si zëvendësim i artilerisë dhe municioneve që asaj i mungojnë. Ushtria ukrainase përdor dronët me çmim të leverdisshëm të telekomanduar, të cilët i pajis me lëndë shpërthyese dhe i nis drejt pozicioneve ruse.

 

Inteligjenca artificiale për qëllime ushtarake

Helsing është një sipërmarrje me seli në Mynih, që është specializuar për zhvillimin e sistemeve të inteligjencës artificiale për sektorin e armatimeve. Që prej themelimit të saj në vitin 2021 kjo sipërmarrje ka marrë një sërë porosish nga industria e armatimeve. Ndër të tjera Helsing punon edhe për komandim elektronik lufte në avionët gjerman të tipit Eurofighter si dhe në infrastrutkurën e inteligjencës artificiale të “Future Combat Air System” (FCAS), avionit luftarak të së ardhmes.

dw

Konsensusi i G20 për Ukrainën i vështirë, ndërsa SHBA bën thirrje për rritjen e mbështetjes për Kievin

G20Ndërsa kanë mbetur vetëm dy muaj nga përfundimi i mandatit të Presidentit Joe Biden, Shtetet e Bashkuara po rrisin mbështetjen financiare, ushtarake dhe diplomatike ndaj përpjekjeve të Kievit për t’u mbrojtur kundër agresionit rus.

 

Në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Rio de Zhaneiro të Brazilit, ku po takohen zoti Biden dhe udhëheqësit e 20 ekonomive më të mëdha të botës, zyrtarët amerikanë po bëjnë trysni për një gjuhë “sa më të fortë të mundshme” në mbështetje të Ukrainës, i tha Zërit të Amerikës zëvendës këshilltari i sigurisë kombëtare John Finer gjatë një komunikimi me median të hënën.

Diplomatët perëndimorë kanë ripërtërirë thirrjet për kritika më të forta ndaj Moskës pas sulmit ajror të fundjavës së Rusisë, më i madhi në territorin ukrainas në muajt e fundit. Ata gjithashtu kanë paralajmëruar se Rusia po shton përpjekjet e luftës që mund të kenë një efekt destabilizues përtej Evropës.

Në fillim të këtij muaji, SHBA dhe Ukraina njoftuan se Koreja e Veriut ka dërguar më shumë se 10,000 trupa për të ndihmuar Moskën të rimarrë territorin e marrë nën kontroll nga Ukraina në rajonin Kursk të Rusisë.

Deklarata përfundimtare e përbashkët e udhëheqësve është ende duke u negociuar, por një version paraprak që e ka parë Zëri i Amerikës dhe versione të tjera që qarkullojnë në mediat sociale, sugjerojnë se ajo do të përfshijë vetëm një formulim të përgjithshëm që nënvizon parimet e OKB-së dhe nevojën për të respektuar paqen në Ukrainë dhe Gazë.

Zoti Finer e pranon se gjetja e një konsensusi për konfliktet globale është e pamundur duke pasur parasysh përbërjen e G20-ës. Përveç vendeve të G7 që janë përgjithësisht në një emërues të përbashkët, G20 përfshin edhe Rusinë, Kinën dhe vende në zhvillim.

“Do të shohim se si do të shkojë”, tha ai.

Që nga takimi i nivelit të lartë i G20-ës në vitin 2022 në Bali, i mbajtur muaj pasi filloi agresioni i Moskës ndaj Ukrainës, ky grupimi global është përballur me sfida për të gjetur një përgjigje ndaj konfliktit.

 

Autorizimi i raketave me rreze të gjatë veprimi

SHBA ka rritur ndihmën ushtarake për Kievin. Po ashtu Uashingtoni po autorizon Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Amerika për të goditur në thellësi të Rusisë, sipas njoftimeve të mediave që citojnë zyrtarë që kanë folur në kushte anonimiteti.

Zoti Finer nuk pranoi ta konfirmojë një gjë të tillë, por tha se është “në përputhje” me qasjen e SHBA-së për ta përshtatur përgjigjen e saj me zhvillimet në terren për të “lejuar ukrainasit që të vazhdojnë të mbrojnë territorin dhe sovranitetin e tyre”.

 

Të hënën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se nëse është i vërtetë, autorizimi për Kievin për të goditur brenda Rusisë me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi, “do të shënojë një raund të ri tensionesh dhe niveli përfshirjeje të Uashingtonit në konfliktin e Ukrainës”.

Javën e kaluar në Bruksel, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u përpoq të siguronte aleatët evropianë se zoti Biden “është i përkushtuar që të garantojë që çdo dollar që kemi në dispozicion (për Ukrainën) të dërgohet deri më 20 janar”, kur inaugurohet Presidenti i zgjedhur Donald Trump.

 

Zoti Trump ka qenë kritik ndaj përdorimit të parave të taksapaguesve amerikanë për të ndihmuar Kievin. Pa dhënë detaje, ai shpesh ka thënë se mund t’i japë fund luftës me shpejtësi, edhe para se të marrë detyrën – një deklaratë që shumë në Evropë druhen se nënkupton që të detyrohet Ukraina të heqë dorë nga pjesë të territprit të saj.

Në fillim të këtij muaji, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ai do që lufta të ketë një “përfundim të drejtë” dhe se një fund i shpejtë “do të thotë humbje”. Të shtunën ai i tha radios publike ukrainase se nën administratën e zotit Trump, “lufta do të përfundojë më shpejt”. “Kjo është qasja e tyre, premtimi për vendin e tyre,” tha ai. “Dhe për ta, është gjithashtu shumë e rëndësishme.”

 

Ndryshimet klimatike, zbutja e varfërisë

Brazili ku mbahet takimi i G20-ës është përpjekur ta mbajë fokusin e bisedimeve larg konflikteve globale dhe më shumë tek çështjet që u ngritën në konferencën e OKB-së mbi ndryshimet klimatike në Azerbajxhan, si edhe tek përshpejtimi i përpjekjeve për të reduktuar urinë dhe varfërinë globale – një nismë e mbështetur nga presidenti Luiz Inacio Lula da Silva.

Qasja e zotit Lula për t’u rezistuar presioneve nga G7 dhe pjesa tjetër e G20-ës mbi Ukrainën dhe Gazën pasqyron strategjinë e Brazilit për përpjekje në disa drejtime në një peizazh global gjithnjë e më të fragmentuar, thotë për Zërin e Amerikës Bruna Santos, drejtore në Institutin për Brazilin të Qendrës Wilson.

Megjithatë, “neutraliteti rrezikon të bëjë të pakënaqura të gjitha palët në një botë gjithnjë e më të polarizuar”, thotë zonja Santos.

Përveç ndasive mbi konfliktet globale, negociatorët në Rio po hasin vështirësi për të gjetur konsensus mbi gjuhën e përbashkët për financimin e përpjekjeve për klimën, thanë burime diplomatike që folën me Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti për të diskutuar negociatat në vazhdim.

Vendet perëndimore kanë bërë trysni që Kina dhe vendet e pasura të Lindjes së Mesme t’u bashkohen atyre për të kontribuar në fondet globale për zbutjen e ndryshimeve klimatike – një propozim të cilit i ka rezistuar nga Brazili dhe vendet e tjera të të ashtuquajturit Jugut Global, një përmban vendet në zhvillim.

Një tjetër propozim i zotit Lula, një taksë prej 2% për super të pasurit që Brazili thotë se ndoshta mund të gjenerojë deri në 250 miliardë dollarë në vit për të ndihmuar të varfërit e botës, gjithashtu ka hasur rezistencë.

Presidenti argjentinas i krahut të djathtë Javier Milei e hodhi poshtë propozimin pasi vizitoi zotin Trumpin në rezidencën e tij në Florida, duke u bërë udhëheqësi i parë i huaj që vizitoi presidentin e zgjedhur.

voa

Kosova dhe Maqedonia e Veriut thellojnë partneritetin

MickoNë mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut u theksua se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

 

 

Ishte mbledhja e dytë e përbashkët, pas asaj të të shtatorit të vitit 2021, ku qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut ulen për diskutime të përbashkëta. Tre marrëveshje të reja të cilësuara të një rëndësie të veҫantë u nënshkruan ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, gjatë një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, e cila kësaj radhe u mbajt në Prishtinë nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministrit maqedonas-verior, Hristijan Mickoski. Me këto hapa, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të dyja vendet e thellojnë bashkëpunimin mes tyre. Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë asnjë mosmarrëveshje, por vetëm thellim dhe komunikim të vazhdueshëm për çështje me interes të përbashkët, u tha në takim.

 

Lehtësohen kalimet kufitare

Dy qeveritë nënshkruan marrëveshje në fushën e energjisë, atë të arsimit, dhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë, zbatimi i së cilave nisë nga janari i vitit 2025. “Pas shumë kohe pritjeje, më në fund do të kemi kontroll të përbashkët në pikat kufitare Han i Elezit-Bllacë, Jazhincë dhe Glloboçicë. Ky model kontrolli bëhet vetëm hyrje-hyrje dhe zyrtarët policorë punojnë në të njëjtën ndërtesë duke lehtësuar kalimin kufitar dhe rrjedhimisht duke shkurtuar kohën e pritjes”, tha Kurti. Ndërsa sa i përket  energjisë, Kurti tha se protokolli për energjinë përbën “hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë së furnizimit me energji për dy vendet tona”.

“Të dyja ministritë do të angazhohen për t’i adresuar sfidat e energjisë duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për arritjen e objektivave të përbashkëta. Po zotohemi të nxisim projekte për energjinë e ripërtëritshme dhe efiçencë energjetike, si dhe për të thelluar bashkëpunimin e ekspertëve në mes të korporatave tona të energjisë”, tha kryeministri Kurti. Sa i përket marrëveshjes për arsimin, fokusi do të jetë në “aftësim profesional dhe aftësim të të rriturve”.

 

“Të bisedojmë për të ardhmen, në vend që të flasim për të kaluarën”

Për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, marrëveshjet e arritura do të kenë ndikim pozitiv për njerëzit dhe përparimin ekonomik. “Të bisedojmë për të ardhmen, në vend që të flasim për të kaluarën. Qytetarët kanë probleme të përbashkëta, prandaj do të kemi zgjidhje të përbashkëta”, tha  Mickoski, duke shtuar se “rajoni ka humbur shumë kohë me probleme politike duke lënë pas dore problemet e përditshmërisë së qytetarëve”. “Jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe se nëpërmjet angazhimit të përbashkët mund t’i tejkalojmë sfidat dhe të sigurojmë zhvillim e qëndrueshmëri për qytetarët tanë”, tha Mickovski.

 

 

Rritje e shkëmbimeve tregtare

Sipas qeverisë së Kosovës bashkëpunimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2023 ishte 432 milion euro, ndërsa, synimi është që ky shkëmbim tregtar të  rritet në 500 milion euro. Kosova dhe Maqedonia e Veriut deri tash kanë të nëshkruar gjithsej 50 marrëveshje, dhe sipas udhëheqësve të dy qeverive, ajo që duhet bërë tash është zbatimi i tyre. “Në Maqedoninë e Veriut e shohim një vend mik, me të cilin jemi të lidhur, jo vetëm përmes gjeografisë, por edhe nga vlerat e përbashkëta dhe nga njerëzit tanë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i shohim si vlerë e shtuar, si ura të bashkëpunimit më të ngushtë dhe më të fuqishëm mes vendeve tona”, tha kryeministri Kurti.

Pjesë e qeverisë së  Maqedonisë së Veriut është edhe koalicioni shqiptar VLEN, i cili përbëhet nga partitë Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët. Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili më herët ishte pjesë e qeverisë së Maqedonisë me partinë tashmë në opozitë atje LSDM, në prag të mbledhjes së 18 nëntorit të dy qeverive, shkroi se “qeveria e Kosovës duhet të ngris çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut”.

 

 

 

 

 

Ligji i gjuhëve në Maqedoninë e Veriut – reagimi i Kosovës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se çështja e gjuhës i takon Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, pasi tri dispozita të Ligjit për Gjuhët janë dërguar në Komisionin e Venecias. Ndërsa kryeministri maqedonas-verior Mickovski,  tha se “të gjithë politikanët të cilët kanë ngelur si hije të errëta nga e kaluara, meqë nuk mund t’i dëgjoni duke folur për propozime e reforma në ekonomi, arsim, energji e të tjera, kartën e vetme mbi të cilën e kanë themeluar karrierën e tyre të gjatë politike ishte krim, korrupsion dhe konflikte etnike”. Sipas tij, tash “duhet larguar ajo mjegull dhe të shihet drejt ardhmërisë”.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut është aktualisht në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, me theks të veҫantë neni nëntë, i cili thekson se “në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, si dhe në të gjitha organet, trupat dhe institucionet, zbatohet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, si dhe gjuha që e flasin së paku 20 % e qytetarëve dhe alfabeti i saj”. E shqiptarët e Maqedonisë së Veriut përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë së vendit prej 1.8 milionë banorësh.

dw

BE paralajmëron mbështetësit e Rusisë

iran rusiGjatë një takimi në Bruksel, ministrat e Jashtëm të BE-së biseduan për rolin e Kinës në luftën në Ukrainë dhe vendimin e SHBA-së që t’i lejojë Ukrainës të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi dhe në territorin rus.

 

Në konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së Josep Borrell shprehu shqetësimin për rolin në rritje të Kinës në luftën në Ukrainë. Sipas tij vihet re një rritje e furnizimeve kineze sidomos me të ashtuquajtura mallra me përdorim të dyfishtë – pra që mund të përdoren si për qëllime paqeje ashtu edhe për qëllime lufte.

“Pa Korenë e Veriut, pa Iranin, pa Kinën, Rusia nuk do të mund t’i vazhdonte përpjekjet e saj ushtarake”, tha Borrell. Ai tha se ishte i shqetësuar edhe për njoftimet se këto tri vende e furnizojnë Rusisë me sisteme të plota armësh.

Në prag të takimit u bë e ditur se BE-ja kishte marrë raporte nga shërbimet sekrete për një fabrikë armësh në Kinë, e cila mendohet se e furnizon Rusinë me dronë për luftën kundër Ukrainës. Një zyrtar i lartë i BE-së, tha megjithatë se për këtë ende nuk ka prova të qarta. Brukseli mendon se është e pamundur që një kompani e tillë të mund të veprojë pa dijeninë e udhëheqjes kineze.

Hapa më të ashpër kundër Kinës

Qeveria kineze hedh poshtë çdo akuzë. Në konferencën e tij për shtyp, Josep Borrelli nuk e komentoi më konkretisht përmbajtjen e raporteve të shërbimeve sekrete. Megjithatë ministrat e Jashtëm të BE-së po mendojnë tani për të ndërmarrë hapa më të ashpër kundër Kinës. “Ndihma kineze me dronë” duhet dhe do të ketë pasoja, tha ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Homologja e saj finlandeze, Elina Valtonen, bëri të qartë se nuk mund të ketë më “business as usual” në tregtinë me Kinën nëse rezulton se vendi po komprometon sigurinë e Evropës.

Lidhur me Iranin ministrat e Jashtëm i zgjeruan sanksionet e BE-së që ekzistojnë tashmë kundër Teheranit për shkak të mbështetjes ushtarake për Rusinë. Ndër të tjera ato parashikojnë ndalimin e eksportit të çdo produkti që mund të përdoret për prodhimin e dronëve dhe të raketave. Sanksionet e reja kanë gjithashtu gjithnjë e më shumë në shënjestër rrugët e transportit: që përfshijnë dy porte në Detin Kaspik, si dhe kompani transporti ruse dhe iraniane që përdoren për transport.

 

Ministrat e Jashtëm përshëndesin vendimin e SHBA-së për raketat

Uashingtoni vendosi që t’i lejojë Ukrainës të përdorë raketa me rreze veprimi deri në 300 kilometra edhe në territorin rus, sidomos në zonën perëndimore të Rusisë, në rajonin e Kurskut. Një zëdhënës i qeverisë amerikane as e konfirmoi dhe as e mohoi këtë, njofton agjencia gjermane e lajmeve dpa. Ky hap u përshëndet nga shumica e ministrave të Jashtëm të BE-së.

 

Përveç SHBA-së Ukrainën e kanë furnizuar me raketa me rreze të gjatë veprimi edhe Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Deri tani asnjë vend nuk e ka lejuar zyrtarisht Ukrainën t’i përdorë ato për të sulmuar objektiva ushtarakë në territorin rus. Kjo mund të ndryshojë si rezultat i vendimit të SHBA. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot përsëriti se edhe vendi i tij po e shqyrton dhënien e një lejeje të tillë. Presidenti Emmanuel Macron e bëri të qartë këtë në maj, theksoi Barrot.

Kritika pati nga pala hungareze. Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto e quajti vendimin “jashtëzakonisht të rrezikshëm”. Hungaria konsiderohet si aleati më i afërt i Rusisë brenda BE-së dhe rregullisht bllokon ndihmat për Ukrainën. Kurse ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se armët e dërguara në Ukrainë nga Italia mund të përdoren vetëm në tokën ukrainase, njofton AFP-ja.

dw

SHBA: Rusia po përshkallëzon konfliktin me praninë e trupave koreano-veriore

KoreaShtetet e Bashkuara thanë të hënën se është Rusia ajo që po përshkallëzon konfliktin në Ukrainë duke angazhuar trupa të Koresë së Veriut, pasi Kremlini paralajmëroi se Uashingtoni do të thellonte përfshirjen në luftë duke lejuar forcat e Kievit të godasin në thellësi të Rusisë me armë amerikane.

 

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller nuk pranoi të konfirmonte në një konferencë shtypi se administrata në largim e presidentit Joe Biden ka vendosur të lejojë sulme të tilla, por përsëriti se SHBA “do t’i përshtasë gjithmonë aftësitë që i ofron Ukrainës në përputhje me përcaktimin që ajo i bën situatës”.

Agjencia Reuters njoftoi të dielën se administrata e zotit Biden ka vendosur të lejojë Ukrainën të kryejë sulmet me rreze të gjatë veprimi dhe zyrtarët amerikanë që folën në kushte anonimiteti, thanë se kjo ishte një përgjigje ndaj pranisë së trupave të Koresë së Veriut në konflikt.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të hënën se administrata në ikje po i hidhte benzinë zjarrit dhe po përpiqej të përshkallëzonte konfliktin në Ukrainë.

“Ka qenë Rusia ajo që e ka përshkallëzuar konfliktin herë pas here,” tha zoti Miller, duke përmendur 11,000 trupat e Koresë së Veriut që SHBA thotë se janë vendosur dhe janë përballur me forcat ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë.

“Ky është një përshkallëzim i madh nga Rusia që sjell një ushtri aziatike në një konflikt brenda Evropës,” tha zoti Miller, duke shtuar se përgjigja e SHBA-së do të jetë e fortë.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e përshtatshme për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj, përfshirë veprimet e saj përshkallëzuese, dhe për të mbajtur përgjegjëse Korenë e Veriut për veprimet e saj shkallëzuese”.

 

voa

Armatimet amerikane me rreze të gjatë veprimi; A është vonë për ta shpëtuar Ukrainën?

UkrainaVendimi i Shteteve të Bashkuara për të autorizuar sulmet me rreze të gjatë veprimi mund ta ndihmojë Ukrainën të mbrojë territorin në rajonin e Kurskut të Rusisë, marrja e të cilit mund të shërbejë si një ndihmë në negociatat e mundshme për përfundimin e luftës. Por, analistët thonë se vendimi mund të jetë marrë tepër vonë për të ndryshuar rrjedhën e luftës.

 

Dy muaj përpara largimit nga detyra, Presidenti Joe Biden hoqi disa kufizime që nuk ia lejonin Kievit përdorimin e armëve të dërguara nga Shtetet e Bashkuara për sulme më në brendësi të territorit rus. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, autorizimi i dhënë të dielën është një ndryshim i madh i politikës amerikane.

Analistët ushtarakë thanë se ndikimi në fushën e betejës, ku Ukraina ka qenë në disavantazh për muaj të tërë, mund të varet nga kufizimet që do të vazhdojnë të jenë në fuqi. Por ndërsa ndryshimi mund të mbështesë operacionin në Kursk, nuk ka gjasa të shërbejë për një ndryshim të realitetit në tërësi.

“Vendimi vjen me vonesë dhe si vendimet e tjera në këtë drejtim, mund të jetë tepër vonë për të ndryshuar rrënjësisht rrjedhën e luftimeve”, tha Michael Kofman, studiues në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare në Uashington.

“Sulmet me rreze të gjatë ishin gjithmonë një pjesë e enigmës dhe pati pritshmëri të mbingarkuara për rolin e tyre në këtë luftë”.

Gjithashtu nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se sa do të zgjasë politika e re. Ndryshimi u kritikua nga Richard Grenell, një nga këshilltarët më të afërt për politikën e jashtme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili do ta marrë detyrën nga Presidenti Biden më 20 janar. Zoti Trump ka kritikuar prej kohësh shkallën e ndihmave amerikane për Kievin dhe është zotuar se do t’i japë fund luftës me shpejtësi, por pa shtjelluar se si do ta realizojë këtë. Një zëdhënës i Presidentit të zgjedhur Trump nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Ukraina e ka kërkuar këtë ndryshim për muaj të tërë, duke argumentuar se pamundësia për të goditur zonat brenda Rusisë, dhe në veçanti bazat ajrore ushtarake, ku gjenden avionët luftarakë të përfshirë në sulmet në Ukrainë, ishte një pengesë e madhe.

Forcat ruse janë hedhur në sulm për mbi një vit dhe kanë përparuar me ritmin e tyre më të shpejtë që nga viti 2022 në Ukrainën lindore dhe kanë ushtruar trysni në verilindje dhe juglindje.

Rusia thotë se Ukraina nuk mundet të lëshojë raketa drejt objektivave brenda Rusisë pa ndihmën e drejtpërdrejtë nga vendet e NATO-s, duke e quajtur këtë një përshkallëzim të madh. Të hënën, Kremlini tha se një vendim i tillë do të nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara ishin të përfshira drejtpërdrejt në konflikt.

Sulmet e para ukrainase mund të ndodhin në ditët në vijim dhe ka të ngjarë të kryhen duke përdorur raketat ATACMS, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 306 km, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.

 

Një zyrtar i mbrojtjes nga një vend i Evropës Qendrore i tha agjencisë së lajmeve Reuters se sulmet do t’i jepnin Kievit një shans më të madh për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore, por nuk do ta ndryshonin me vendosmëri konfliktin në favor të Ukrainës.

Rusia i ka zhvendosur tashmë shumë nga mjetet ajrore përtej rrezes së armatimeve perëndimore në Ukrainë, tha zyrtari, megjithëse rrezja do të mbulonte territore përtej zonës së Kurskut, të marrë nga Ukraina.

Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis tha se ai “nuk po e hapte ende shampanjën” pasi nuk dihej se sa raketa kishin ukrainasit dhe nëse ato mjaftojnë për të ndikuar në fushëbetejë.

Vendimi për të autorizuar sulmet vetëm pas kërkesave disamujore ukrainase ndjek një model të përsëritur gjatë gjithë luftës, ndërsa administrata e Presidentit Biden u përpoq të balanconte mbështetjen e saj për Ukrainën, me shqetësimet për përshkallëzimin.

Më parë, Uashingtoni hezitoi për muaj të tërë përpara se të miratonte dërgimin në Ukrainë të raketave me rreze të gjatë, tankeve dhe avionëve.

Disa analistë ushtarakë thonë se vonesa të tilla i dhanë Moskës kohë për t’u rikuperuar nga dështimet fillestare dhe për të përforcuar mbrojtjen e territorit të pushtuar, duke kontribuar në dështimin e një kundërofensive të madhe ukrainase vitin e kaluar.

 

Ukraina nën trysni

Aftësia për të sulmuar territorin rus me raketa mund të ketë ndikimin e saj më të drejtpërdrejtë në Kursk, ku Ukraina synon të mbajë një arritje të rëndësishme që e siguroi gjatë kundërsulmit të parë madhor ndërkufitar në muajin gusht. Territori rus mund të jetë një element për negociatat që mund të ndodhin pasi Presidenti i zgjedhur Trump të marrë detyrën.

Kievi thotë se Rusia ka grumbulluar 50,000 forca në përpjekje për të rimarrë territorin në Kursk dhe se ka dislokuar edhe 11,000 koreano-veriorë, disa prej të cilëve thotë se marrin pjesë tashmë në luftime. Rusia nuk e ka konfirmuar, apo mohuar, dislokimin.

 

“Raketat ATACMS mund të vënë në rrezik objektiva me vlerë të lartë, ruse dhe koreano-veriore. Kjo do të ndihmonte forcat ukrainase të mbrojnë pjesën e spikatur të Kurskut, e cila është nën trysni”, tha zoti Kofman.

Rob Lee, studiues në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme me seli në Filadelfia, tha se do të ishte e vështirë për Ukrainën të mbajë pozicionin e saj në Kursk në periudhën afatgjatë, por se shanset e saj atje do të varen nga burimet.

“Ukraina ka angazhuar disa nga njësitë e saj më të mira atje, kështu që ato mund të jenë në gjendje të mbahen për ca kohë, nëse vazhdojnë të marrin municion të mjaftueshëm dhe rekrutë të rinj”, tha ai.

Analisti ushtarak nga Kievi, Serhii Kuzan tha se janë një sërë objektivash në Rusi, në një thellësi deri në 500 km nga Ukraina, që forcat ukrainase i konsiderojnë si përparësi, por se shumë prej të cilave do të ishin ende jashtë rrezes së raketave ATACMS.

Franca dhe Britania nuk kanë përcaktuar nëse do të ndiqnin shembullin amerikan, duke e lejuar Ukrainën të përdorë raketat me vetëdrejtim Storm Shadow/SCALP, të cilat kanë një rreze veprimi prej 250 km.

“Rusia mundet t’i rrëzojë raketat Storm Shadow dhe ATACMS, kështu që merr rëndësi edhe numri i raketave që mund të lëshohen”, shtoi zoti Lee.

Në rrugët e Kievit të hënën, ndjesia e përgjithshme ishte se vendimi do të ndihmonte, por se kishte ardhur shumë vonë.

“Kjo duhet të ishte përdorur si një masë parandaluese, ose si një reagim i menjëhershëm, në shkurt apo mars 2022. Tani nuk luan një rol të madh”, tha Olga Korovyachuk, 21 vjeçe.

voa

Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç

Countryman“Problemi kryesor në dialog dhe përparimi drejt BE-së janë ngadalësia e qeverive në Beograd dhe Prishtinë dhe mungesa e vendimeve të vështira”. Këtë e vlerësoi për RTK Thomas Countryman, ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit. Ai nuk pret ndryshime të mëdha në Ballkanin Perëndimor as pas rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-ve. Sipas tij, problemi kryesor qëndron në mungesën e reformave dhe vullnetit politik të të dyja palëve.

 

Ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën, Thomas Countryman, vlerësoi për Radio Televizionin e Kosovës se nuk sheh ndryshime të mëdha në Ballkanin Perëndimor pas rizgjedhjes së Donald Trump si president i SHBA-ve. Problemi kryesor, sipas tij, qëndron në ngadalësinë e qeverive në Beograd dhe Prishtinë.

“Sinqerisht, nuk mendoj se zgjedhja e Donald Trump-it do të sjellë ndryshime të mëdha në Ballkanin Perëndimor. Problemi thelbësor nuk qëndron tek BE-ja apo Uashingtoni, por tek qeveritë në Beograd dhe Prishtinë, të cilat nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të përmirësuar dialogun apo përparimin drejt BE-së. Për shembull, qeveria e Serbisë mirëpret zgjedhjen e zotit Trump, duke besuar në një simpati më të madhe për pozitën serbe. Por, unë nuk jam i bindur se qeveria e Serbisë është e gatshme të marrë vendime të vështira”, thotë ai.

Sipas Countryman, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Beograd, vendimet e vështira lidhen me reformat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, një gjyqësor të pavarur, lirinë e mediave dhe luftën kundër korrupsionit.

“Unë nuk shoh që qeveria serbe të ndërmarrë hapa seriozë në këto fusha,” thekson ai.

Ish-diplomati amerikan Countryman nënvizon se ndryshimet në Ballkanin Perëndimor nuk ndodhin shpejt.

“Edhe pse me çështjet e Ballkanit merrem herë pas here gjatë 40 viteve të fundit, mund të them se asgjë nuk ndodh shpejt. Nuk pres ndryshime radikale. Nuk ndjek detajet e politikës së brendshme të Kosovës, por është fakt se qeveria në Prishtinë është shumë e ndjeshme ndaj çështjeve të brendshme”, deklaron ish-ndihmës sekretari amerikan i shtetit.

Si shembull, ai përmendi çështjen e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që, siç tha ai, ka implikime kushtetuese për Kosovën.

“E kuptoj që kjo është një çështje e vështirë dhe që ka implikime kushtetuese për Kosovën, por nuk mund të pranoj se nuk ka mundësi për të diskutuar se si të realizohet kjo në një mënyrë domethënëse, pa cenuar Kushtetutën e Kosovës”, thotë  Countryman.

Duke folur për perspektivën e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Countryman thekson rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, por nuk është optimist se qasjet e të dyja palëve do të ndryshojnë shpejt.

“Asgjë nuk do të ndodhë shpejt. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është i rëndësishëm, dhe implementimi i saj, duke respektuar të drejtat e Kosovës të përcaktuara në marrëveshjet e deritanishme, duhet të jetë prioritet për qeverinë e Serbisë. Megjithatë, nuk jam optimist se ndonjëra palë do të ndryshojë shpejt qasjen e saj”, thekson ish-diplomati amerikan.

Countryman konkludon se përparimi në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kërkon përkushtim dhe vendime të guximshme nga të dyja palët, çka aktualisht mungon.

rtk

Qendra Informative Shqiptare "Liria"