Sot konferenca e katërt ndërqeveritare, Rama në Bruksel: Të përkushtuar që të përmbushim të gjitha detyrat e kalendarit

ALB BEShqipëria do të çelë grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian – “Tregu i Brendshëm”, në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri – BE.

 

Kryeministri Edi Rama, kryeson delegacionin shqiptar në këto bisedime, i përbërë nga ministra, zëvendësministra dhe drejtues të punës për kapituj përkatës.

Kryeministri Edi Rama fillimisht dha një deklaratë nga Brukseli, ku u prit nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, e më pas do të udhëtojë drejt Luksemburgut për të marrë pjesë në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku do të jetë e pranishme edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos.

Faleminderit shumë që jeni këtu. Jam shumë i kënaqur që gjendem këtu me Presidentin e Këshillit Europian i cili me mençurinë e vëmendjen e tij ndaj vendit dhe rajonit tonë është diçka që e vlerësoj shumë. Sot sigurisht është një ditë shumë  e mirë për ne sepse kemi një tjetër konferencë dhe çelim kapituj të tjerë, ndërkohë që me Presidentin jam shumë mirënjohës për kohën që më ka kushtuar për të zhvilluar një bisedë rreth përparimit që ne po bëjmë në këtë proces e pastaj edhe për samitin e ardhshëm për komunitetin politik europian, i cili është një aktivitet, një eveniment shumë i rëndësishëm në përgjithësi, por ka një rëndësi të posaçme në këtë moment, në kohë dhe sigurisht do të flasim për rajonin ndaj të cilit, Presidenti është veçanërisht i përkushtuar.

Kështu që, ka shumë për të diskutuar, por në përgjithësi jam shumë shumë i inkurajuar nga këto zhvillime dhe jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit që është shumë ambicioz për të mbyllur të gjitha negociatat brenda 2027″, tha Rama nga Brukseli.

Në nisje të konferencës Kryeministri Rama do të mbajë fjalën hapëse, në emër të Shqipërisë  Ndërsa në emër të BE, deklarata do të mbahet nga Radosław Sikorski, Ministër i Punëve të Jashtme të Polonisëe cila mban Presidencën e Këshillit të BE.

Në përfundim të punimeve të Konferencës, Kryeministri Edi Rama, Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë Radosław Sikorski dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Grupkapitulli i II-të i negociatave përmban: kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare  dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).

tch

“Inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria”, Presidenti i Këshillit Europian: Vizitë në 6 vendet e Ballkanit në mes të majit

Antonio CostaPresidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa priti sot në Bruksel kryeministrin Edi Rama.

Ai dha një deklaratë për mediat, ku u shpreh se Shqipëria ka bërë progres në rrugëtimin drejt BE-së.

Pas një takimi kokë më kokë, Rama do të udhëtojë drejt Luksemburgut për të marrë pjesë në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku do të jetë e pranishme edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos.

 

Antonio Costa: Së pari, jam i gëzuar që pres sot kryeministrin Edi Rama. Së pari sepse është gjithmonë kënaqësi të takohemi, të flasim dhe të shkëmbejmë me Edi Ramën. Së dyti sepse zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është një përparësi e qartë për BE dhe është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik për paqen, për begatinë dhe për stabilitetin e kontinentit tone dhe është vërtetë inkurajuese të shohësh progresin që ka bërë Shqipëria në këtë rrugëtim.

Sot po çelim një grup kapitull tjetër dhe ambicia jonë është që të çelim dhe më tej grup kapituj për t’u negociuar gjatë këtij viti sepse e kemi një kalendar shumë konkret dhe duam që të realizojmë dhe kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, por mendoj që kjo është po kështu një shenjë mjaft e rëndësishme për të gjithë rajonin sepse mënyra më  e mirë për të garantuar mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është me BE e anëtarësimin në të.

Ja pse do të vizitoj personalisht rajonin në mes të muajit maj për të vizituar të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor për të rritur bashkëpunimin tonë dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të pasur rezultate të mira të anëtarësimit.

Nga ana tjetër, kjo është një mundësi shumë e mirë për të folur për Samitin e Komunitetit Politik që do të mbahet në 16 maj në Tiranë. Europa është më shumë sesa BE, por gjithmonë e më shumë është e rëndësishme që ne të jemi të gjithë së bashku të bashkuar sepse të bashkuar jemi më të fortë dhe bota ka nevojë për një Europë më të fortë. Faleminderit shumë!

tch

Gjermani: Efekti Trump-Putin në politikën e re të jashtme

de trump putinFakti që CDU/CSU dhe SPD ranë dakord kaq shpejt për koalicionin lidhet edhe me zhvillimet gjeopolitike dhe sfidave akute në politikën e jashtme. Pothuajse të gjitha kanë të bëjnë me Donald Trump.

Situata e vështirë ndërkombëtare dhe politika e tarifave doganore e administratës amerikane të presidentit Donald Trump i vunë së fundmi negociatorët e partive gjermane që duan të krijojnë qeverinë nën presion shtesë për të arritur një marrëveshje. Është një “situatë e rritjes së tensioneve politike globale”, tha kancelari i ardhshëm i pritshëm Friedrich Merz i CDU  kur prezantoi marrëveshjen e koalicionit. Merz i vë kërcënimeve dhe pasigurive mesazhin e partnerëve të koalicionit: “Ne duam dhe do të ndihmojmë në formësimin e ndryshimeve në botë përGjermaninë”. Dhe kreu i SPD,  Lars Klingbeil konfirmoi: “Është një pikë kthese. Ne jetojmë në kohë vërtet historike.” Këtu është një pasqyrë e sfidave më të rëndësishme të politikës së jashtme:

Çfarë planifikon të bëjë qeveria e ardhshme federale për sa i përket politikës tregtare?

Tarifat e larta të importit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe kundërmasat e vendeve të prekura, shkaktuan javën që kaloi turbulenca tek tregjet aksioneve në mbarë botën dhe frikën e një lufte tregtare globale. Si një vend eksportues, Gjermania është e goditur veçanërisht rëndë nga tarifat, kjo edhe sepse ekonomia gjermane ka qenë në recesion për më shumë se dy vjet.

BE-ja është përgjegjëse për tregtinë transatlantike, Gjermania nuk mund të veprojë e vetme këtu. E vetëdijshme për cenueshmërinë e Gjermanisë, qeveria e ardhshme federale është e përkushtuar të mos lejojë përshkallëzim të mëtejshëm. Në marrëveshjen e koalicionit thuhet: “Në periudhën afatmesme synojmë një marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA-në,  në një afat të shkurtër duam të shmangim një konflikt tregtar dhe jemi të përkushtuar të ulim tarifat e importit në të dy anët e Atlantikut”. Duke pasur parasysh veprimet e fundit të Trump-it, kjo mund të shihet edhe si një qasje mjaft optimiste.

Gjermania dhe marrëdhënia transatlantike

Friedrich Merz është në të vërtetë një transatlantik i bindur. Për dhjetë vjet ai ishte kryetar i Urës së Atlantikut, një organizatë jopartiake e dedikuar për forcimin e marrëdhënieve amerikano-gjermane. Ndonëse nuk ka jetuar kurrë në SHBA, ai thotë se e njeh shumë mirë mënyrën e të menduarit amerikan falë viteve të punës për grupin amerikan të investimeve BlackRock. Por me fillimin e mandatit të dytë të Donald Trump në detyrë, besimi i Merz në një partneritet të ngushtë gjermano-amerikan është tronditur rëndë. “Jam i tronditur nga Donald Trump”, tha ai pasi Trump i dha pjesë të fajit për luftën edhe   Ukrainëa. Merz u shpreh i shokuar, kur Trump dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance poshtëruan publikisht presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.

Gjermania ka pasur një reputacion të keq te Trump që nga koha e kancelares së CDU, Angela Merkel, edhe për shkak të politikës së hapur të Merkelit për refugjatët, të cilën Presidenti amerikan e urrente. Edhe pse Merz vazhdimisht distancohet politikisht nga Merkel, një takim personal midis Merz dhe Trump nuk do të ishte i lehtë. Deri më tani, asnjë nuk është planifikuar.

Ukraina: A do të ofrojë Gjermania tani raketat Taurus?

Përpjekjet e Donald Trump për të sjellë paqen në Ukrainë i kanë kthyer evropianët thjesht në spektatorë. Ai po negocion drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin. As presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në bisedimet. Nëse arrihet një marrëveshje paqeje që mund të rezultojë në një paqe të diktuar për Ukrainën, gjermanëve dhe evropianëve të tjerë të BE-së ndoshta do t’u lihej vetëm roli i sigurimit të paqes.

Koalicioni i ardhshëm do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. “Ne qëndrojmë në krah të ukrainaseve dhe ukrainasve të guximshëm. Ata mund të mbështeten tek ne,” tha Lars Klingbeil i SPD. Për këtë partnerët e koalicionit nuk kanë vendosur ende. Megjithatë, mbetet e paqartë saktësisht se çfarë do të ndodhë me ndihmën ushtarake. Si lider i opozitës, Merz kishte mbrojtur dërgimin e raketave gjermane me rreze të gjatë Taurus në Ukrainë. Kancelari aktual i SPD-së, Olaf Scholz, gjithmonë e refuzoi këtë sepse kishte frikë se Gjermania do të tërhiqej në luftë me Rusinë.

Mbrojtja: Merz do pavarësim nga SHBA

Për shkak se Merz dyshon nëse SHBA do të respektojë klauzolën e mbrojtjes reciproke, ai tha në natën e zgjedhjeve se evropianët duhet “të arrijnë vërtet pavarësinë nga SHBA” sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndërkohë, Merz jo vetëm që ka marrë nga Bundestagu Ok për “çfarëdo që të duhet” për përmirësimin e Bundeswehr-it. Ndërkohë ai synon bashkëpunim më të ngushtë mes evropianëve në politikën e mbrojtjes. Ai dëshiron të bisedojë me fuqitë bërthamore evropiane, Francën dhe Britaninë e Madhe, nëse dhe si mund të përfitojnë Gjermania dhe Evropa nga mbrojtja e tyre bërthamore. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Të dy shtetet nuk kanë gjasa të jenë të gatshëm të ndajnë arsenalet e tyre bërthamore kaq thjesht.

Edhe brenda BE-së ka rezerva për më shumë bashkëpunim ushtarak. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban mban kontakte të mira me Vladimir Putin dhe refuzon mbështetjen për Ukrainën.

Politika gjermane e BE-së: suksesi nuk është gjithmonë i sigurt

Merz kishte akuzuar qeverinë aktuale nën kancelarin e SPD, Olaf Scholz, se ka lënë të dobësohet bashkëpunimi evropian. Mbi të gjitha kanë pësuar marrëdhëniet me partnerët më të afërt Francën dhe Poloninë, sipas tij, dhe Merz dëshiron ta ndryshojë gjendjen. Por kaq e lehtë nuk do të jetë. Presidenti francez Emmanuel Macron është nën presion brenda vendit. Pas vitesh nën qeverinë nacionaliste të krahut të djathtë të PiS, Polonia ka edhe një herë një udhëheqje pro-evropiane nën ish-presidentin e Këshillit të BE-së, Donald Tusk, megjithatë, aktualisht nuk ka asnjë marrëdhënie të ngushtë as me Parisin dhe as me Varshavën. Momenti i mëparshëm entuziast brenda BE ka kaluar. Populistët e krahut të djathtë janë në rritje pothuajse kudo dhe integrimi evropian nuk është më aq i lehtë.

Reduktim i rreziqeve me Kinën

Si një rrugëdalje nga konflikti tregtar me Trump, disa politikanë në Berlin dhe Bruksel duan të përqendrohen më shumë në tregtinë me Kinën. Por gjërat nuk shkojnë më si më parë, kur eksportuesit gjermanë bënin biznese të shkëlqyera atje. Makinat gjermane, hitet e të eksporteve në Kinë për një kohë të gjatë, tani po mbesin në parkingje. BE-ja, nga ana e saj e mbyll tregun e saj kundër makinave elektrike kineze. Edhe këtu, Gjermania, si një vend i orientuar nga eksporti, duhet të përpiqet të sigurojë që kufizimet e tregut në tregtinë me Kinën të mos shkojnë shumë larg.

Nga ana tjetër, koalicioni i ardhshëm dëshiron të zvogëlojë rreziqet e sigurisë kur merret me fuqinë ekonomike të Kinës. Fjalia në marrëveshjen e koalicionit “Ne duam të parandalojmë në mënyrë efektive investimet e huaja që bien ndesh me interesat tona kombëtare, në infrastrukturën kritike dhe në zonat e rëndësishme strategjike” ndoshta i referohet kryesisht Kinës.

Konflikti në Lindjen e Mesme: Netanyahu i mirëpritur në Gjermani? 

Qeveria gjermane është në një pozitë veçanërisht të vështirë këtu: Si konsekuencë nga historia naziste me vrasjen e miliona hebrenjve, siguria e Izraelit është e një rëndësie të veçantë për çdo qeveri gjermane. Nga ana tjetër, politikanët gjermanë e kanë kritikuar vazhdimisht goditjen e ashpër të Izraelit në Rripin e Gazës si joproporcionale. Hamasi, një grup militant, islamik palestinez klasifikohet nga SHBa, BE, Gjermania dhe vende të tjera si organizatë terroriste.

Qeveria gjermane është gjithashtu në dilemë për shkak të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i dyshuar për krime lufte në Rripin e Gazës. Gjermania mbështet gjykatën penale dhe në fakt do të duhej të arrestonte Netanyahun nëse ai do të vizitonte Gjermaninë. Megjithatë, Friedrich Merz ka premtuar se kjo nuk do të ndodhë nën udhëheqjen e tij si kancelar.

Po i thotë Gjermania lamtumirë mbrojtjes së klimës?

Të Gjelbrit kanë siguruar që mbrojtja e klimës në Gjermani të marrë shumë më shumë fonde dhe që neutraliteti i klimës të përfshihet në kushtetutë deri në vitin 2045 – por globalisht situata është ndryshe: Donald Trump jo vetëm që e nxori SHBA nga të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës menjëherë pas marrjes së detyrës, por edhe kompanitë e mëdha amerikane kanë ndjekur shembullin: gjigantët e investimeve si BlackRock dhe J.P. Morgan kanë braktisur projektet miqësore me klimën. Kjo do ta bëjë shumë më të vështirë për Gjermaninë të ecë përpara me mbrojtjen e klimës në nivel ndërkombëtar. Ndërkohë organizatat mjedisore besojnë se vetë qeveria e ardhshme nuk e ka më aq seriozisht këtë. Ata e shohin pasazhin në marrëveshjen e koalicionit, ku thuhet, se neutraliteti i klimës duhet të arrihet “me një qasje që bashkon mbrojtjen e klimës, konkurrencën ekonomike dhe ekuilibrin social” si një dobësim të qëllimeve klimatike.

dw

Përplasja për tarifat doganore me SHBA-në mund të kthehet së shpejti në një problem edhe për Xi-n.

USA KinaTarifat ndëshkuese të Trumpit janë bërë një temë shumë e debatuar. Situata me Kinën po tensionohet gjithnjë e më shumë. Nëse kjo prirje vazhdon, përplasja tregtare mund të kthehet në një rrezik real edhe për presidentin kinez, Xi Jinping.

Lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kinës po del plotësisht jashtë kontrollit. Të dy liderët – presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping – nuk po bëjnë asnjë përpjekje për t’u afruar me njëri-tjetrin. Tarifat ndëshkuese amerikane ndaj produkteve kineze të importuara kanë arritur tashmë në 145 për qind, ndërsa ato kineze ndaj mallrave amerikane janë në 125 për qind.

Asnjë ekspert nuk dyshon se kjo përshkallëzim do të ketë pasoja për dy ekonomitë më të mëdha në botë – dhe do të dëmtojë edhe pjesën tjetër të botës.

Trump duket se dëshiron të shkëpusë Kinën nga pjesa tjetër e botës

Në SHBA, planet e Trump-it po marrin formë të re çdo ditë. Vetëm pasi tregjet e aksioneve pësuan humbje drastike dhe tregjet financiare u lëkundën në buzë të kolapsit, ai vendosi të pezullojë për 90 ditë tarifat ndëshkuese që kishte vendosur pak më parë ndaj pothuajse të gjitha vendeve të botës (përjashtim, për shembull, ishte Rusia).

Vetëm Kina nuk u përjashtua nga këto masa. Përkundrazi: Pekini u godit me tarifa edhe më të larta. Qëllimi i Trump-it duket të jetë izolimi total i Kinës dhe shkëputja e saj nga ekonomia botërore.

Pas 90 ditësh, ai do t’u kërkojë europianëve, kanadezëve dhe aleatëve të Amerikës në Azi – veçanërisht Koresë së Jugut dhe Japonisë – të heqin dorë nga marrëdhëniet tregtare me Kinën ose të paktën t’i reduktojnë ndjeshëm. Në të kundërt, do të përballen me tarifat ndëshkuese të paralajmëruara.

Trump po ndjek me përpikëri skemën që përdorte në kohën kur ishte magnat i pasurive të paluajtshme. Ai krijon situata ku mund të ushtrojë presion maksimal mbi kundërshtarët, derisa ata të mos kenë më asnjë zgjidhje tjetër veçse të pranojnë ofertën e tij. Kjo qasje u pëlqen shumë prej mbështetësve të Trumpit në SHBA.

Në Kinë, zërat kundër Amerikës po bëhen gjithnjë e më të zëshëm

Fakti që gjatë këtij procesi po shkatërrohen aleanca të ndërtuara prej dekadash, duket se shqetëson pak vetë. Madje, në SHBA po rritet edhe një frymë anti-europiane, e nxitur nga vetë Trumpi, i cili gjatë njoftimit të tarifave ndëshkuese në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, i quajti aleatët e vjetër europianë “të mjerë”.

Megjithatë, gjithnjë e më shumë mbështetës të linjës MAGA po kuptojnë se situata e tyre personale nuk është përmirësuar – për disa madje është përkeqësuar – që kur Donald Trump ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, edhe në Kinë zërat antiamerikanë po bëhen gjithnjë më të fortë. Për momentin, dominon një frymë luftarakë që mban të bashkuar radhët. Kjo përforcohet edhe nga fakti që udhëheqësi Xi Jinping prej vitesh ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me kohë të vështira gjeopolitike.

Që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, ai ka folur për një Perëndim që është në rënie dhe një Kinë që po ngrihet. Megjithatë – dhe kjo është theksuar gjithnjë e më shumë sidomos pas pandemisë – Xi ka paralajmëruar se “fuqi të errëta” po punojnë në prapaskenë për të ndalur ngritjen e Kinës.

Asgjë nuk do të ishte më e keqe për Xi-n sesa një humbje e prestigjit në Shtëpinë e Bardhë

Pekini po komunikon në mënyrën e vet se, pavarësisht përshkallëzimit të tarifave ndëshkuese, është i gatshëm të flasë me Uashingtonin. Megjithatë, Partia Komuniste preferon takime në nivel pune, ku arrihet një marrëveshje në mënyrë të ftohtë, të thatë dhe me përpikëri teknike.

Ndërkohë, Donald Trump dhe administrata e tij duan që presidenti amerikan dhe Xi Jinping të ulen bashkë në një dhomë, për të arritur një marrëveshje në stilin e “imperialistëve”.

Jo vetëm që pas takimit të dështuar mes Trump-it dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, Pekini nuk ka besim tek këto takime spontane e të papërgatitura. Asgjë nuk do të ishte më e keqe për Xi-n sesa të humbte prestigjin në Shtëpinë e Bardhë nëse do të përçmohej nga Trump-i.

Gjendja ekonomike e popullit kinez është më e keqe se para pandemisë

Thuhet në internetin kinez se qeveria në Pekin i ka vendosur SHBA-së tarifa ndëshkuese prej 34 përqind – jo 33 ose 35 – për të përkujtuar 34 aktakuzat me të cilat përballet presidenti amerikan në gjykatë. Sa kohë do të jenë këto reagime simbolike të mjaftueshme për të kënaqur popullin kinez, mbetet për t’u parë.

Njerëzit në Kinë ekonomikisht janë më keq sesa përpara pandemisë

Tregu i pasurive të paluajtshme është kolapsuar dhe me të ka humbur kursimet e veta shtresa e mesme. Papunësia e të rinjve është në 20 përqind, kërkesa e brendshme është e paralizuar, njerëzit shikojnë me pasiguri drejt së ardhmes.

Meqenëse Xi e ka lidhur zotësinë e tij politike me vizionin e një Kine të begatë që dominon botën, ai nuk do të mund t’ia hedhë askujt tjetër në radhët e tij pasojat negative të luftës tregtare me SHBA-në.

Për Xi mund të bëhet ngushtë

Për momentin nuk duket sikur ditët e tij janë të numëruara. Por në vitin 2027, kur “zgjidhet” për një mandat të katërt, mund t’i mohohet besnikëria dhe ai, i stolisur me kurora dafine, të dërgohet në pension.

Nëse kinezët, të prekur rëndë nga pasojat e luftës tregtare me SHBA-në, dalin në rrugë për të protestuar në javët e ardhshme – ashtu siç bënë në nëntor 2022 kundër masave drakoniane anti-COVID të Pekinit – atëherë mund të bëhet vërtet ngushtë për Liderin Suprem të Kinës.

Atëherë e shpëtoi vetëm fakti që brenda natës mundi të shpallte përfundimin e të gjitha masave dhe të deklaronte se virusi ishte mposhtur. Por këtë herë, mundësitë e Xi-t janë të kufizuara nga ajo që vendoset në Uashington.

Huazuar nga fokus.de / Alexander Görlach

Alexander Görlach jep mësim mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë në Universitetin e Nju Jorkut. Më parë ka mbajtur pozicione të ndryshme në Universitetin Harvard dhe në Këshillin Carnegie për Etikën në Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Pas një periudhe si profesor i ftuar në Tajvan dhe Hong Kong, ai është përqendruar në ngritjen e Kinës dhe në atë që kjo nënkupton për demokracitë në Azinë Lindore në veçanti. Nga viti 2009 deri në 2015, Alexander Görlach ishte botues dhe kryeredaktor i revistës së debatit The European, të cilën e themeloi vetë. Ai jeton në Nju Jork dhe Berlin.

Ndërkohë që Trump kërkon luftë ekonomike, Kina po e bën gjysmën e botës të varet prej saj.

Kina

Kina po e bën gjysmën e botës të varet prej saj.

Lufta ekonomike nacionaliste e presidentit amerikan Trump kundër Kinës po minon rendin e pasluftës të bazuar në multilateralizëm dhe bashkëpunim global. SHBA po tërhiqet nga institucionet ndërkombëtare dhe po mbështetet në proteksionizmin, i cili po lejon Kinën të fitojë ndikim.

Me kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, rendi liberal i pasluftës ka përfunduar. Shtetet e Bashkuara dhe qytetarët e tyre kanë humbur besimin në institucionet shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Tregtisë. Në të kaluarën, këto institucione synonin të siguronin paqen, të stabilizonin ekonominë dhe të luftonin varfërinë.

Ky idealizëm vazhdoi deri pas Luftës së Ftohtë, kur Presidenti i SHBA Bill Clinton besonte në përfitimet e globalizimit dhe shpresonte se vendet e tjera do të ndiqnin shembullin e SHBA-së. Por Uashingtoni shpejt e kuptoi se globalizimi po ndihmonte konkurrentët e tij: industri të tëra dhe vende pune u zhvendosën në Meksikë dhe Kinë.

Kriza financiare e 2007/2008 dobësoi besimin në sistemin amerikan; Bankat e mëdha u shpëtuan, ndërsa shumë njerëz humbën shtëpitë dhe vendet e tyre të punës.

Fundi i “Ëndrrës Amerikane”

Shumë amerikanë ndihen të lënë pas, veçanërisht në mesin e klasave të ulëta të mesme dhe punëtore, si dhe midis të rinjve. Për ta ëndrra amerikane është e paarritshme sepse sistemi ekonomik i disfavorizon.

Kriza financiare e 2007/2008 dhe pandemia e Corona kanë kthyer shumë në nivelin e tyre të jetesës. Pas pandemisë, inflacioni e bëri jetën të papërballueshme për shumë njerëz, përfshirë klasën e mesme. Gjithnjë e më shumë amerikanë e shohin veten si humbës.

Pavarësisht prejardhjes së tij të pasur, Donald Trump ishte në gjendje t’i afrohej të varfërve dhe të pakënaqurve përmes një gjuhe të drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë. Në afat të shkurtër, kjo do t’i bëjë ata të ndihen mirë, me taksa më të ulëta dhe t’i japë fund fluksit të miliona të ashtuquajturve emigrantë të paligjshëm, shumë prej të cilëve kishin frikë se do të merrnin punën e tyre.

Trump është një pragmatist dhe nëse tarifat e tij (më tej) ulin tregjet, ai në vend të kësaj mund të përpiqet të joshë kompanitë e huaja në Amerikë për të përfituar nga taksat dhe kostot më të ulëta të energjisë. Kjo ka një shans më të mirë për të rritur prodhimin, por shumë nga këto punë të reja do të merren nga robotët.

Lufta ekonomike e Amerikës me Kinën

Lufta tregtare e Trump me Kinën do të vazhdojë të prishë zinxhirët globalë të furnizimit. Konkurrenca për epërsi teknologjike, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale (AI), po intensifikohet. Trump po vazhdon luftën ekonomike të intensifikuar nga paraardhësi i tij Joe Biden me Aktin CHIPS.

Biden ka mbajtur një qëndrim edhe më të ashpër kundër Kinës sesa Trump në mandatin e tij të parë, jo vetëm duke ruajtur tarifat dhe duke ushtruar presion ndaj vendeve të tjera që të mos blejnë teknologjinë 5G të Huawei, por edhe duke ndaluar eksportin e çipave të nivelit të lartë dhe pajisjeve prodhuese.

SHBA siguron që qytetarët e saj nuk mund të ndihmojnë Kinën

Rregulloret bllokojnë qasjen kineze jo vetëm në kompanitë amerikane, por në të gjitha çipat dhe pajisjet e avancuara të prodhuara kudo duke përdorur teknologjinë amerikane. Ata gjithashtu pengojnë qytetarët amerikanë që të ndihmojnë kinezët. Trump padyshim do të vazhdojë, nëse nuk do t’i zgjerojë këto kufizime. Establishmenti i Uashingtonit tani i vjen keq që Kina u bashkua me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) me mbështetjen e SHBA-së. Kina u rrit më shpejt se çdo fuqi tjetër e madhe në histori dhe, me 1.4 miliardë banorët e saj, arriti të bëhet ekonomia më e madhe në barazinë e fuqisë blerëse në vetëm katër dekada.

Ndikimi i saj ekonomik është rritur me shpejtësi si në përmasa ashtu edhe në shtrirje në mbarë botën. Para vitit 2000, Amerika dominonte tregtinë botërore, me mbi 80 për qind të vendeve që tregtonin më shumë me Amerikën sesa me Kinën. Deri në vitin 2018, kjo shifër kishte rënë ndjeshëm në vetëm 30 për qind, pasi Kina mori drejtimin në 128 nga 190 vende.

Kina rrit ndihmën në mbarë botën, SHBA tërhiqet

Kina tani është një partner më i madh tregtar për më shumë vende se çdo vend tjetër, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Për pjesën më të madhe të Amerikës Latine – oborri i shtëpisë së Amerikës – Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar.

Kina ka rritur gjithashtu ndihmën e huaj, shpesh duke tejkaluar burimet perëndimore. Ndërsa Kina është angazhuar globalisht, SHBA është tërhequr. Që nga kriza financiare e viteve 2007/08, SHBA-të gradualisht i kanë mbyllur dyert për pjesën tjetër të botës.

“Chimerica” është kthyer në të kundërtën

Mbi të gjitha, SHBA-ja dëshiron të “shkëputë” ekonominë e saj nga Kina. Që nga aleanca e ngushtë midis dy superfuqive, e njohur si “Chimerica”, dy dekada më parë, ndjenja ka kaluar në ekstremin tjetër, duke shmangur çdo varësi nga vendet e tjera, veçanërisht nga Kina.

Pekini ka ndarë prej kohësh të njëjtat shqetësime dhe beson se Kina është edhe më e ndjeshme ndaj shkëputjes nga tregtia jetike, si ushqimi dhe energjia. Në një fjalim në nëntor 2018 dhe më vonë gjatë ceremonisë së mbylljes së Kongresit Kombëtar Popullor 2023, Xi Jinping përsëriti se tensionet me SHBA-në dhe të tjerët po e detyrojnë Kinën të “marrë rrugën e mbështetjes te vetja”.

Kina di si të përballet, edhe me vjedhjen e pronës intelektuale

Por edhe para ndërhyrjes së Xi, Pekini kishte shpallur programin e tij “Made in China 2025″ në 2013 për ta bërë Kinën të vetë-mjaftueshme në teknologji dhe për t’i mundësuar asaj të kapërcejë Perëndimin.

Programi përdor subvencionet e qeverisë, ndërmarrjet shtetërore, rritjen e kërkimit dhe zhvillimit, trajnimin e një grupi të madh shkencëtarësh dhe inxhinierësh dhe vjedhjen e pronës intelektuale për të kapur hapin.

Ndërsa tregtia me Perëndimin mbetet e rëndësishme, Kina i është drejtuar Jugut Global jo vetëm për tregti, por edhe për investime. Nën “Chimerica”, Kina vazhdoi të investonte shumë në obligacionet amerikane dhe aktivet në dollarë, por kjo ndryshoi pasi marrëdhëniet u përkeqësuan.

Kina i bën vendet në Jug Global të varura prej saj me investime në infrastrukturë

Iniciativa Brez dhe Rruga 2013 (BRI) ishte një përpjekje për të krijuar zinxhirë furnizimi në brendësi që janë më pak të prekshëm ndaj sulmeve të mundshme amerikane. Që nga viti 2014, anëtarët e BRI-së kanë marrë mbi 60 për qind të flukseve të investimeve, dhe që nga viti 2020, ata kanë marrë tre në çdo katër dollarë të investuar nga Kina.

Investimet në infrastrukturë janë gjithashtu të motivuara gjeopolitikisht, pasi ndihma ekonomike lidh shumë vende të Jugut Global së bashku me Kinën dhe i bën ato të varura nga Kina. Paratë sigurohen pa kushtet e zakonshme të kërkuara nga Banka Botërore apo institucione të tjera dhe shpërndahen më shpejt.

Kina shfrytëzon mendjengushtësinë strategjike të SHBA-së

Ndërsa SHBA kthehet nga brenda – një proces që tashmë ishte duke u zhvilluar para Trump – Kina tani ka mundësinë të mbushë një vakum dhe të punojë me të tjerët për të krijuar një botë shumëpolare.

Ndërkohë që SHBA-ja është “zhvendosur në Azi” – kryesisht ushtarakisht për të frenuar ngritjen e Kinës – Pekini po shfrytëzon mendjengushtësinë strategjike të Uashingtonit dhe po bën depërtime globale përmes tregtisë dhe investimeve bujare për të bërë gjithnjë e më shumë vende në pothuajse çdo rajon më të varura nga Kina sesa nga SHBA.

Politika e Trumpit “Amerika e Para” do të destabilizojë rendin ndërkombëtar dhe do të përshpejtojë ndryshimet e thella gjeopolitike. Bota po kalon nga një rend unipolar i dominuar nga SHBA në një strukturë shumëpolare me fuqi në zhvillim si Kina, Rusia dhe India. Politikat e Trump e përforcojnë këtë dinamikë dhe dobësojnë aleancat tradicionale si NATO.

Nën Trump, NATO dhe mbrojtja nga SHBA nuk janë më të dhëna

Për shkak se Kina është bërë një rival ekonomik dhe ushtarak i Shteteve të Bashkuara dhe Uashingtoni po kthehet gjithnjë e më shumë në Azi, Evropa duhet të përgatitet për një ekonomi botërore të de-globalizuar dhe të punojë për të qenë në gjendje të mbrohet.

Me kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, evropianët do të duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen kundër Rusisë revanshiste dhe për rindërtimin e Ukrainës. Nën komandantin e përgjithshëm Trump, NATO dhe premtimi i SHBA-së për mbrojtje ndaj Evropës nuk mund të merren më si të mirëqenë.

Huazuar nga fokus.de /dr. Josef Braml (eksperti amerikan)

(Dr. Josef Braml është një shkencëtar politik, ekspert i SHBA-së dhe Drejtor Evropian i Komisionit Trilateral – një platformë globale me ndikim për dialogun ndërmjet një rrethi ekskluziv të vendimmarrësve politikë dhe ekonomikë nga Amerika, Evropa dhe Azia. Kohët e fundit, libri i tij “The Dreamwalkers: Si Kina dhe SHBA po rrëshqasin në një luftë të re botërore”, bashkëautor me Mathew Burrows dhe bestselleri i tij ende aktual “Iluzioni Transatlantik: Rendi i Ri Botëror dhe si mund të ruajmë pozicionin tonë në të”, u botuan nga C.H.Beck. Në librin e tyre të ri “Bota që do të vijë – Kthimi i Trump dhe fundi i rendit të vjetër”, Braml dhe Burrows përshkruajnë rreziqet dhe mundësitë e rendit botëror në zhvillim.)

Trump-Musk, 10 ditët e krisjes së madhe! Tronditet aleanca mes presidentit amerikan dhe miliarderit të Tesla

trump muskMuaji i mjaltit mes Donald Trump dhe Elon Musk duket se ka marrë fund. Tarifat e reja të vendosura nga administrata amerikane jo vetëm që kanë ndezur një debat të ashpër mbi politikat tregtare, por edhe kanë zbuluar përçarje të thella mes presidentit amerikan dhe shefit të Teslas. Dyshja që dikur dukej e pathyeshme, sot ndodhet në një krizë të hapur.

Përkundër rolit të tij si një ndër mbështetësit më të zëshëm të politikave inovative dhe industriale të Trump, Elon Musk ka reaguar ashpër ndaj tarifave të vendosura ndaj Kinës – një partner thelbësor për kompanitë e tij. Musk, në përpjekje për të ndaluar këto masa, iu drejtua Trumpit me një apel personal, por përpjekja e tij hasi në vesh të shurdhër.

Edhe pas pezullimit 90-ditor të tarifave, marrëdhënia mes tyre nuk u përmirësua. Në vend të një zbutjeje të toneve, Musk u bë edhe më i drejtpërdrejtë në kritikat e tij. Gjatë një fjalimi të mbajtur në Kongresin e Ligës, ai shprehu hapur dëshirën për një zonë të tregtisë së lirë mes SHBA-së dhe Evropës, duke sugjeruar se tarifat nuk janë rruga drejt së ardhmes.

Duke mos u mjaftuar me kritika të përgjithshme, Musk identifikoi fajtorin kryesor sipas tij: Peter Navarro, këshilltari ekonomik i Trump-it dhe arkitekti i tarifave. Me gjuhën karakteristike të tij, Musk e quajti Navarron “më budalla se një thes me tulla” dhe i vuri nofkën sarkastike “Peter i vonuari”.

Ndërkohë, edhe vëllai i Musk-ut, Kimball, pjesë e bordit të Tesla-s, e quajti këtë politikë “një taksë të përhershme për konsumatorët amerikanë” dhe ndërhyrje të padrejtë në tregun e lirë.

Por ndoshta sinjali më i qartë i një ndarjeje të pashmangshme erdhi pas zgjedhjeve në Gjykatën e Lartë në Wiscons, ku kandidati republikan, i mbështetur nga Musk, humbi. Ky rezultat ndezi një stuhi kritikash në rrethin e Trump-it, që e pa mbështetjen e Musk-ut si më shumë pengesë sesa ndihmë.

Nga ana tjetër, Musk nuk po e fsheh më zhgënjimin e tij. Presidenti që dikur premtonte një epokë të re të artë, po perceptohet tani nga Musk si një lider që po e çon ekonominë drejt recesionit.

tch

Ndotja akustike, polica ‘aksion’ për matjen e nivelit të zhurmave! Lokali gjobitet me 3 mln lekë

Ndotje akustikePolicia e Tiranës ka nisur ‘aksion’ për matjen e nivelit të zhurmave me qëllim parandalimin e ndotjes akustike dhe garantimin e qetësisë publike.

“Plani i masave është ndërmarrë nga Policia e Tiranës si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për tejkalimin e normave të lejuara të zhurmës, veçanërisht në zonat e banuara dhe gjatë orëve të natës.

Matjet po kryhen me pajisje të certifikuara, në përputhje me standardet ligjore dhe teknike për kontrollin e ndotjes akustike.

Masat administrative për subjektet e konstatuara në shkelje variojnë nga 2 milion lekë deri në 4 milion lekë, dhe në rast përsëritje deri në pezullimin e aktivitetit”-njofton policia.

Si rezultat i verifikimeve të deritanishme, është konstatuar një subjekt që operonte në kundërshtim me normat e përcaktuara ligjore për nivelin e zhurmës. Ndaj këtij subjekti është vendosur një masë administrative me gjobë, në vlerë 3 milion lekë, sipas legjislacionit në fuqi.

tch

Qytetarët e Koçanit marshuan sërish për tragjedinë në “Pulse”, u kërkua drejtësi për viktimat

KocaniMe moton “Reagim i vonuar” sot në Koçan është mbajtur marshi i dytë protestues, që e organizuan familjet e të pësuarve në zjarrin tragjik në diskotekën “Puls”.

 

Në mënyrë simbolike, pjesëmarrësit në marshin janë nisur nga Parku i Revolucionit në ora 12 e 5 minuta, me çka e kanë shprehur pakënaqësinë nga reagimi vonuar i institucioneve kompetente, si një nga shkaqet për tragjedinë e madhe.

Në qetësi dhe heshtje, kolona prej disa qindra qytetarëve, kaloi në Qendrën tregtare shkurt, duke u ndalur para kafenesë, pronari i së cilës e ka mbajtur edhe diskotekën, e prej aty u nisën para ndërtesës së Komunës së Koçanit, ku gjenden edhe hapësirat e Inspektoratit shtetëror të tregut.

 

Me një minutë heshtje para Stacionit policor, qytetarët e kanë shprehur pakënaqësinë nga reagimi jo me kohë për t’u penguar katastrofa, e pastaj para Gjykatës themelore dhe Prokurorisë themelore publike kërkuan informata për procedurën e deritanishme hetuese.

“Kërkojmë llogari për atë që është punuar”, ishte porosia e vetme e zëshme që e kanë brohoritur para Prokurorisë, ndërsa e njëjta ishte shkruar edhe në një nga pankartat.

Qytetarët në marsh mbanin pankarta me mbishkrime si “Engjëjt tanë meritojnë drejtësi”, “Stop drejtësisë selektive”, “Kjo nuk është fatkeqësi, kjo është vrasje” e të ngjashme. Pastaj ata u kthyen në pikën e tyre të nisjes në Park dhe paralajmëruan se protesta të tilla do të vazhdojnë deri në zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve të ngjarjes tragjike.

A e ka arritur LVV-ja numrin prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë?

Ndertesa-e-QeveriseDy ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, partia fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë indikacione se ka shumicën parlamentare prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë së re, thonë analistët politikë.

Sipas tyre, përveç deklaratave politike, nuk ka asnjë dëshmi se partia e Albin Kurtit ka arritur ndonjë koalicion me partitë shqiptare dhe komunitetet jo shumicë. Në anën tjetër, nga partia Guxo, pjesë e listës së përbashkët zgjedhore të LVV-së thonë se ky koalicion do të formojë qeverinë e ardhshme.

Mirëpo, ata potencojnë rrezikun, që sipas tyre, Serbia po tenton të ndërhyjë te deputetë të caktuar të komuniteteve jo shumicë për të krijuar vakum në formimin e institucioneve të reja.

 

Një gjë të tillë nuk pranon ta komentojë për KosovaPress deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian Veton Berisha. Megjithatë, ai thotë se është në pritje të një ftese të dytë nga lideri i LVV-së, për të diskutuar rreth kërkesave të tij.

Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, rrjedhimisht do t’i ketë 48 deputetë. PDK-ja është e dyta me 20.95 për qind, përkatësisht 24 deputetë, LDK-ja e treta me 18.27 për qind apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind, respektivisht 8 deputetë.

Ulëse në Kuvend kanë fituar 10 deputetë nga minoritetet jo serbe, ndërkaq, serbëve u takojnë gjithashtu 10 ulëse. Sipas rezultateve, një ulëse e ka fituar politikani serb dhe ministri në detyrë në Qeverinë Kurti 2, Nenad Rashiq dhe 9 ulëse Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë e cila financohet nga Beogradi.

Këto rezultate sipas politologut, Arton Muhaxhiri, e determinojnë nevojën e arritjes së një koalicioni qeverisës mes partive shqiptare.

Pas refuzimit të LDK-së për konsulta për formimin e qeverisë së re, Muhaxhiri thotë për KosovaPress se Lëvizjes Vetëvendosje e vetmja rrugë i mbetet dakordimi me tre deputetët e Nismës dhe përmbushja e kërkesave të komuniteteve jo shumicë. Mirëpo, ai shton se deri më tani nuk ka asnjë shenjë se Kurti mund ta arrijë një gjë të tillë.

“S’ka koalicion dhe s’ka një dëshmi se kryeministri Kurti i ka 61 deputetë. Mirëpo, opsioni i vetëm është që t’i arrijë këto vota me Nismën. Me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, i ka shembur urat e bashkëpunimit, prandaj nëse eventualisht formohet qeveria të martën, atëherë kjo do të bëhet vetëm me një koalicion të LVV-së dhe Nismës dhe pakicës.

Por ekziston mundësia që njëherë të zgjidhet kryeparlamentari dhe pastaj të shfrytëzohet hapësira e nevojshme nëse kryeministri Kurti ka nevojë për të… Është e pamundshme që kryeministri Kurti të krijojë një qeveri të re dhe stabile. S’ka potencial dhe mundësi realiste për ta bërë këtë. Në fakt, ai përveç, një kompromisi të madh që mund ta bëjë me Nismën, asnjë mundësi tjetër nuk e ka që të qëndrojë në pushtet. PDK, LDK dhe AAK në asnjë mënyrë nuk po dëshirojnë që të bashkëpunojnë me të. Prandaj, e vetmja rrugë është bashkëpunimi me Nismën ose kalimi në opozitë”, deklaron ai.

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Guxo, pjesë e listës së LVV-së, Haxhi Avdyli, thotë për KosovaPress se qeveria e ardhshme do të formohet nga LVV-ja, por pa treguar se me kënd do të jenë në koalicion qeverisës.

Sipas tij, komunitetet jo shumicë në Kosovë, veçmas ato jo serbe duhet të tregojnë shembullin e mirë të respektimit të shtetit sikurse në të kaluarën.

Megjithëse nuk pranon të komentojë se kush prej deputetëve jo shumicë është kontaktuar nga Serbia, siç është thënë javën e kaluar në një komunikatë nga Qeveria e Kosovës pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ai thotë se Serbia është interesuar për vakum në krijimin e institucioneve.

Ai, po ashtu, thotë se fqinji verior i Kosovës është i interesuar edhe për një lidership të dobët për të rritur interesin politik dhe ekonomik.

Sidoqoftë, ai shton se kërkesat nga komunitetet jo serbe, veçmas nga deputetët nga komuniteti boshnjak janë legjitime dhe duhet të respektohen, dhe në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të gjendet një zgjidhje.

“Serbia është shumë e interesuar për destabilizimin e situatës në Kosovë. Është e interesuar për krijimin e vakumeve institucionale. Është e interesuar për udhëheqësi të dobët në Kosovë që të rrisë interesin ekonomik dhe politik. Gjithsesi, ne i dimë qëllimet e Serbisë dhe mendoj se në këtë drejtim ne jemi një hap para tyre. Nuk besoj se Serbia do të mund të arrijë qëllimin në bllokimin e krijimit të institucioneve dhe krijimin e krizës institucionale. Ndërsa, për partitë e pakicave jo serbe mendoj se kanë qenë akterë pozitivë edhe në historinë e Kosovës dhe qeveritë e kaluara dhe qeverinë Kurti 2.

Kanë dhënë një shembull të mirë të respektimit të shtetit, Kushtetutës dhe janë njerëz të respektuar nga ana jonë. Besoj se edhe Kurti ka treguar mundësinë që ka Kosova për t’i ofruar për ata. Mendoj se në këtë drejtim jemi gati të pajtuar dhe ata janë shumë pro vazhdimit të punëve të mira të qeverisë Kurti. Diskutimet, të cilat kanë dalë nga Duda Balje apo Rasim Demiri dhe Emilia (Rexhepi) janë kërkesa legjitime që ne i respektojmë. Në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve tona, ne do të mundohemi të gjejmë zgjidhje për të gjitha kërkesat”, thekson Muhaxhiri.

Përkitazi me këtë, analisti politik Arton Muhaxhiri thotë se akuzat ndaj deputetes së zgjedhur nga komuniteti boshnjak Duda Balje, janë vetëm një populizëm dhe në momentin e përafrimit të saj me LVV-në, ankesat dhe fajësimet ndaj saj do të zhduken.

“Sa i përket ankesave ndaj zonjës Balje, unë mendoj se këto janë vetëm një populizëm dhe se s’ka asnjë fakt konkret. Është vetëm një arsyetim për mos arritjen e marrëveshjes me të dhe tentim të njollosjes e stigmatizimit politik të saj. Por, në momentin që zonja Balje do të përafrohet me kryeministrin Kurti, atëherë të gjitha këto ankesa dhe fajësime do të zhduken. Kjo ka ndodhur në të kaluarën”, thekson Muhaxhiri.

Pas takimit me liderin e LVV-së, njëherësh kryeministrin në detyrë Albin Kurti, deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak Duda Balje ka paraqitur disa kushte për votimin e qeverisë së re. Ajo e ka konsideruar të nevojshme formimin e një komune të re boshnjake në Kosovë.

Për këto çështje dhe pozicionin e saj politik, KosovaPress ka kontaktuar deputeten Balje, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

 

Krahas kësaj edhe deputeti i zgjedhur nga komuniteti egjiptian Veton Berisha ka paraqitur disa kërkesa karshi Kurtit për formimin e qeverisë së re, mes tjerash edhe marrja e përgjegjësisë në kabinetin qeveritar.

Berisha thotë për KosovaPress se janë në pritje të një ftese tjetër nga Kurti për të diskutuar mbi formimin e qeverisë së re, para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.

“Po e presim ftesën e takimit të dytë që ne e kemi lënë nga takimi i parë. Po e presim ftesën për takim… S’kemi pasur takim dhe s’ka ndonjë gjë më shumë sesa takimi i parë… Ne kemi diskutuar, kemi dhënë hapësirën dhe mundësinë. Jemi të gatshëm për bashkëpunim, s’kemi asnjë pengesë, por kemi kërkesat tona që duhet diskutuar… S’kam asnjë koment”, tha ai.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës mbahet më 15 prill. Për përgatitjen e kësaj seance është mbajtur një takim këtë javë nga kryetari i Kuvendit në detyrë Glauk Konjufca me liderët e partive politike. Të enjten dhe të premten, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë janë regjistruar në ambientet e Kuvendit.

kp

Çetnikët me veshje kombëtare shqiptare dhe kalimi ilegal i kufirit

Luftëtarë çetnikë në vitin 1908Megjithatë edhe pse në raportin e 16 majit 1907, Rakiq pozicionohet kinse kundër depërtimit të bandave çetnike në Vilajetin e Kosovës, ato tashmë ishin realitet dhe paraqisnin rrezik serioz për popullatën vendore. Hyrjen e njësiteve çetnike në Kosovë në verën e vitit 1907 e kishin evidentuar edhe diplomatët e huaj. Kështu në një raport të konsullit austro-hungarez Llukes nga Shkupi thuhej qartë se “kalimi i kufirit në relacionin Vranjë – Kozjak, që zyrtarisht është i ndaluar, ka ndodhur, bile gjatë kalimit ilegal të kufirit, çetnikët ishin të veshur me veshje kombëtare shqiptare“

Duke parë si rrezik të vazhdueshëm prezencën e faktorit të Austro-Hungarisë brenda Lëvizjes Shqiptare në njërën anë dhe pamundësisë së  futjes së ndikimit brenda strukturave të shqiptarëve, midis konsujve serbë në Prishtinë më 1907 vërehet njëfarë nervozizmi. Bile konsullata në Prishtinë as që kishte ndërmarrë diçka rreth vendosjes së kontakteve me shqiptarët autoritativë. Në radhë të parë shkaku i kësaj iniciative ishte te ndërrimi  i shpeshtë i konsujve. Në ndërkohë prej Beogradi ishte provuar që nëpërmes shoqatave të ndryshme “patriotike“ të vendoseshin lidhjet politike me shqiptarët madje edhe pa pjesëmarrjen e konsullatës, ishin mendimet që më së shpeshti dëgjoheshin midis konsujve serbë që shërbenin jo vetëm në Prishtinë por edhe në tokat shqiptare.

“Nevojiten para për ta shtrirë ndikimin mbi krerët e shqiptarëve”

Edhe pse nuk shihej si alternativë e vetme, zëvendëskonsulli Milan Rakiq në Prishtinë prapë iu kthye çështjes së organizimit të Lëvizjes Çetnike dhe organizimit të saj në Vilajetin e Kosovës.
“Më duhet ta pranoj se deri më tani nuk ka të dhëna të mjaftueshme, në bazë të të cilave do të mund të vlerësohej me besueshmëri se çfarë pasojash do të kishte prej veprimtarisë çetnike në këto zona dhe a është e mundshme që të organizohet një veprimtari e tillë, pasi në këtë drejtim së pari mungon përvoja por edhe nuk është punuar aq. Duke i marrë parasysh rrethanat por edhe numrin e serbëve, unë mendoj se veprimtaria çetnike do t’u shkaktonte këtyre më shumë probleme dhe e kam frikën se këtu nuk do të mbetej asnjë serb”.

Elaborimin e tij të gjatë në raportin dërguar Beogradit, Rakiq e ka përmbyllur me propozimet si në vijim: “Afrimi me krerët shqiptarë është i domosdoshëm dhe marrëveshja eventuale me ta përveç në nahinë e Pejës dhe të Prizrenit, duhet të zgjerohet edhe në krahinat ku nuk ka serbë, si në Llap e Drenicë. Është krejtësisht e panovejoshme të paraqiten arsyet për një përpjekje të tillë në Llap, sepse mjafton të përmendet se Llapi është në kufirin tonë dhe pikësëpari do të hasim në këtë krahinë dhe më pastaj do të vazhdonim tutje. Më pastaj zgjerimi i marrëveshjes në Drenicë do të mund të na bënte shumë punë, sidomos me pjesëmarrjen (e përfaqësuesve serbë S. L.) në kuvendet dhe tubimet publike të krerëve shqiptarë, me ç’rast krerët drenicas shumë më lehtë do të bënin propozime në dobi të serbëve dhe për këtë nuk do të ngriheshin dyshime pasi në Drenicë nuk ka serbë. Tani për tani do të mjaftonte që për këto çështje të përcaktohej një kredi prej nga do të shpërndaheshin shuma të caktuara parash, për çdo rast të veçantë dhe për të cilat konsullata në Prishtinë do ta sqaronte dhe do të afronte arsyetime para Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka përfunduar Rakiq.

Konsulli serb në Prishtinë: “Ju lutem ua jepni dhjetë pushkë”

Megjithatë edhe pse në raportin e 16 majit 1907, Rakiq pozicionohet kinse kundër depërtimit të bandave çetnike në Vilajetin e Kosovës, ato tashmë ishin realitet dhe paraqisnin rrezik serioz për popullatën vendore.

“Që prej kur çetat kanë filluar të kalojnë nëpër kazanë e Gjilanit, konsullata gjithnjë ia ka tërhequr vërejtjen ministrisë dhe këshillave (çetnike) për pasojat e rënda dhe me këmbëngulësi ka qenë kundër dërgimit të çetave nëpërmes kazasë së Gjilanit. Këtë mendim e mbështes edhe unë. Duke i pasur parasysh rrethanat ia kam lejuar Stojan Dajiqit (mësues në Gjilan) që të veprojë sipas kërkesave tuaja. Dajiqi do t’i dërgojë njerëzit për të marrë armë. Ju lutem ua jepni dhjetë pushkë”, ka urdhëruar konsulli serb nga Prishtina.

Hyrjen e njësiteve çetnike në Kosovë në verën e vitit 1907 e kishin evidentuar edhe dipolomatët e huaj. Kështu në një raport të konsullit austro-hunagrez Llukes nga Shkupi thuhej qartë se “kalimi i kufirit (të  pjesëtarëve të Lëvizjes Çetnike – S. L.) në relacionin Vranjë – Kozjak, që zyrtarisht është i ndaluar, ka ndodhur, bile gjatë kalimit ilegal të kufirit, çetnikët ishin të veshur me veshje kombëtare shqiptare“.

Lidhja e besës në krahinën e Gjilanit dhe mosrespektimi i saj

Ndonëse njëra prej nahive më të rrezikuara të Vilajetit të Kosovës nga depërtimi i pjesëtarëve të Lëvizjes Çetnike ngelej ajo e Gjilanit, sa për shkak të viseve që shtriheshin përgjatë kufirit serb, por edhe për shkak të ngritjes së Komitetit të Lëvizjes Çetnike në Vranjën fqinje, megjithatë mund të thuhet se mbetet anakronik bashkëpunimi shqiptaro-serb në këtë nahi edhe atë mu në kohën kur qarqet diplomatike i mbikëqyrnin lëvizjet rreth kufirit në këtë zonë.

Në  një raport diplomatik të gjysmës së qershorit të vitit 1907 thuhej se që prej Shën Gjergji në nahinë e Gjilanit ishte arritur “lidhja e besës“ dhe përkundër paralajmërimeve se nën të do të përfshihej edhe pakica serbe, megjithatë në të u përfshinë vetëm serbët e nahisë së Kamenicës që përbëhet prej shtatëdhjetë fshatrave. Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, sa i përket besës ishin rregulluar si në vijim: shqiptarët e kishin gjyqin e tyre ku i zgjidhnin mosmarrëveshjet midis vete, po ashtu edhe serbët e kishin gjyqin e tyre. Por, nëse mosmarrëveshja apo konflikti ishte midis shqiptarëve dhe serbëve, atëherë të dy gjyqet – shqiptare dhe serbe e hetonin rastin dhe nëse serbi ishte fajtor atëherë ai i dorëzohej gjyqit serb. Në të njëjtën mënyrë veprohej nëse shqiptari ishte fajtor. Megjithatë në fund fajtori qoftë shqiptar apo serb i dorëzohej gjyqit shtetëror.

Pra, shihet qartë që promovues dhe përkrahës i idesë së arritjes së besës dhe gjyqeve të ndara ishte vetë pushteti, mirëpo duket se organizimi i gjyqeve në këtë mënyrë nuk iu ka pëlqyer edhe aq ndërkombëtarëve, prandaj në frymën e reformave ata ndoshta qëllimisht e kanë evidentuar ekzistencën dhe punën e Gjykatës Penale në Prishtinë përgjatë vitit 1907.

Kështu zbatimi i marrëveshjes së besës në nahinë e Gjilanit vazhdoi tërë verën e vitit 1907, madje nuk munguan as rezultatet e arritura.

“Në nahinë e Gjilanit ‘Gjyqet e Besës’ janë duke vepruar pa kurrfarë pengesash. Paqja që ka mbisunduar prej Shën Gjergjit dhe liria që e gëzojnë njerëzit tanë (serbët) por edhe shqiptarët, janë duke ndikuar edhe më tepër mbi udhëheqësit e kësaj lëvizjeje dhe jo vetëm se pritet që besa të respektohet, por një marrëveshje e tillë do të zgjerohet edhe në zona tjera. Siç u kam thënë, me marrëveshjen e besës tani janë duke u rregulluar çështjet civile dhe penale. Në fakt gjyqet e besës e kanë peshën e gjyqeve shtetërore. Në fillim kur u arrit kjo marrëveshje nuk besohej se ajo do të merrte përmasa kaq të mëdha. Më pastaj do të informoj edhe se si gjykojnë gjyqet e besës në kazanë e Gjilanit: në fshatin Berivojcë, një shqiptar i ka thënë fqinjit të vet se ai nuk ishte turk. Gjyqi shqiptar e dënoi atë me therjen e një lope dhe ai dënim u ekzekutua menjëherë”, raportohej më 4 korrik të vitit 1907.

Fatkeqësisht në të njëjtin raport të tij, konsulli Milan Rakiq ka shkruar nga Prishtina për kalimin e një bande çetnike pikërisht në kazanë e Gjilanit, gjë që ai e ka afruar një argument shtesë se të gjitha elaborimet rreth “Gjyqeve të Besës” dhe arritjes së bashkëpunimit me shqiptarët ishin të kota dhe ato e minonin projektin e zgjerimit territorial!

koha

Qendra Informative Shqiptare "Liria"