Liderët e Ballkanit takohen me përfaqësues të BE dhe SHBA

Lideret BallkanikPlani i Rritjes i Komisionit Evropian është temë kryesore e takimit të liderëve të Ballkanit Perendimor me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së në Shkup.

 

Liderët e vendeve të Ballkanit Perendimor kanë njoftuar bashkëpunim dhe reforma për të përdorur paratë e siguruara nga Plani i Rritjes i Komisionit Evropian. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevskit tha, se planin e rritjes së BE-së e sheh si një lehtësues që hap portat për tregun e vetëm evropian dhe për qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Plani sipas kryeministrit Kovaçevski, inkurajon miratimin e rregulloreve dhe standardeve evropiane, duke promovuar integrimin si në rajon ashtu edhe në BE.

“Kjo strategji e dyfishtë e integrimit jo vetëm që përshpejton procesin e anëtarësimit në BE, por gjithashtu sjell përfitime të shpejta, rritje të tregtisë dhe investimeve, përmirësim të konkurrencës dhe lidhjes rajonale”, deklaroi Kovaçevski .

Rama: Duhet ta shfrytëzojmë dorën e zgjatur për bashkëpunim

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në fjalën e tij, theksoi, se planin e ri për rritje dhe integrimin në tregun e përbashkët, vendet e Ballkanit duhet ta shfrytëzojnë si mekanizëm lehtësues drejt anëtarsimit në BE. Kjo gjë deri tani ka qenë e mundur vetëm për shtetet, që kanë qenë pjesë e BE-së, u shpreh Rama.

“Ky është një ndryshim i madh dhe i rëndësishëm dhe mundësi e madhe që nuk duhet ta humbim. Është e rëndësishme që ne të kemi sukses dhe të punojmë të gjithë së bashku, gjashtë shtetet ballkanike, është e rëndësishme që të vendosim qytetarët tanë të parët dhe të lemë politikën dhe historinë, për shkak se çfarëdo që bëjmë dhe nëse do ta bëjmë në kohë t’i realizojmë gjërat do të definojmë rrugën se si do të duken shtetet tona në fund të kësaj dekade”, nënvizoi Rama nga Shkupi.

O’Brien: Mos pengoni rrugëtimin drejt BE-së

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u th liderëve të Ballkanit Perëndimor, se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që kanë ende punë përpara. Zyrtari nga SHBA i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit, se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njeri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.

“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.

Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara: “Ne i kemi përveshur mëngët që t’ju ndihmojmë. Logjika thotë se ne do t’ju ndihmojmë që të integroheni mes vete, nëse ju integroheni në tregun e brendshëm. Vlerësoj se kjo është e një rëndësie absolute, sepse pa një integrim të tillë në rajon, ju thjesht nuk do të mund të shfrytëzoni mjaftueshëm përfitimet nga tregu i brendshëm”,  deklaroi Kopman .

Kurti : Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE-së

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi, se vlerat e Bashkimit Evopian duhet të bëhen reforma në Ballkanin Perëndimor, dhe se mbështetja e Bashkimit Evropian, duhet të jetë edhe financiare.

“Kosova do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa u përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërsa për projekte kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”, theksoi Kurti.

Vuçiç: Serbia e gatshme për bashkëpiunim ekonomik

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, vuri në dukje, se takime të tilla janë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit. Vuçiq përmendi se në takimin e së hënës në Shkup, për herë të parë po bisedohet vetëm për çështjet ekonomike, duke theksuar se për ato politike ka dallime të mëdha. Sipas tij, Serbia tashmë ka prezantuar projektet që kanë të bëjnë me projektet ekonomike në kuadër të planit evropian për rritjen ekonomike.

“Ne do të bëjmë gjithçka që reformën ta bëjmë që të mund të kemi qasje në mjetet financiare sa më shpejt që të jetë e mundur, së bashku me gjithë të tjerët. Besoj se të gjithë së bashku, duke punuar në këtë plan, do të bëjmë përparim të madh”, theksoi Vuçiq.

Spajiq: Plani i Zgjerimit të BE-së është një mundësi e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiq deklaroi, se Samiti i Shkupit do të ofrojë mundësi për të gjithë, sipas tij ky do të jetë një sinjal sidomos për bizneset që duan të investojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Plani i Zgjerimit të Bashkimit Evropian është një mundësi e mirë për të gjithë ne. Shpresojmë se do të fillojë sa më shpejt. Shpresojmë që këtë vit. Është një sinjal i mirë jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për bizneset që duan të investojnë në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Spajiq.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>