Helmut Kohli vlerësohet si burrë i shquar shteti

Kohl

Si “kancelar i ribashkimit” Helmut Kohl-in ka kohë që vlerësohet. Vendin në librat e historisë ai e ka të sigurt. Tani, ish-kryetari i CDU-së mbushi 85 vjeç.

Ish-kancelarin dhe kryetarin e CDU-së, Helmut Kohl e vlerësuan lart në 85 vjetorin e tij për meritat në ribashkimin e Gjermanisë dhe integrimin evropian. Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, Në telegramin e urimit dërguar Helmut Kohl-it, shkruan se për të “si dhe për pjesën më të madhe të bashkëatdhetarëve tanë në Lindje dhe në Perëndim” ka rëndësi të jashtëzakonshme “që ju nuk u pajtuat kurrë me ndarjen e vendit tonë.” Gauck e siguroi Kohlin se “Gjermania nuk do të harrojë kurrë, që në kohën e duhur vendosët dhe përfunduat veprimin e duhur për Gjermaninë.”

Bashkimi Evropian dhe bashkimi i Gjermanisë janë edhe vepra e Helmut Kohl-it, vlerësoi kancelarja Angela Merkel në një shkrim për gazetën “Bild”. Megjithëse raporti i saj me Helmut Kohl-in konsiderohet i acaruar, kancelarja e çmoi me notat më të larta kontributin e Kohl-it për ribashkimin.

“Ai e arriti këtë, sepse si askush tjetër kishte krijuar për vite të tëra besim, nga Uashingtoni në Paris, Londër dhe Bruksel deri në Moskë. Ky kancelar i besimit ishte për ne gjermanët një fat.”

Kancelarja Angela Merkel, me origjinë nga Gjermania Lindore i bëri hapat e parë në politikën federale si ministre në qeverinë e Helmut Kohl-it. Vëzhgues të ndryshëm konstatojnë se stili i saj i qeverisjes, me kalimin e kohës i përngjet gjithnjë e më shumë stilit të Helmut Kohlit. Historiani i njohur gjerman, Paul Nolte i tha dje gazetës “Tagesspiegel” se Merkeli, si dikur Kohli ka një “stil qetësues në qeverisje” dhe përpiqet që në “mënyrë pragmatike ta mbajë CDU-në si parti të Qendrës.”

‘Me pak lëvizje krijoi realitet të pamohueshëm’

Ish- Ministri i Jashtëm i SHBA, Henry Kissinger hodhi vështrimin në një shkrim për gazetën “Bild” në ribashkimin e Gjermanisë dhe e vlerësoi kështu Helmut Kohlin: “Me pak lëvizje të guximshme ai krijoi atëherë një realitet të pamohueshëm dhe bëri realitet atë që konsiderohej për një kohë të gjatë një ëndërr e largët.”

Zëvendëskryetarja e CDU-së, Julia Klöckner e vlerësoi veprën e Kohlit si “burrë të historisë botërore”. Duke iu referuar aferës së donacioneve të CDU-së, me të cilën Helmut Kohl dëmtoi partinë dhe veten, pas largimit të tij nga posti në vitin 1998, Klöckner tha: “Kam përshtypjen se me kalimin e kohës ka zënë vend edhe njëfarë pajtimi.” Ai që e hedh vështrimin tek Helmut Kohli, duhet ta vështrojë veprën e tij në të gjithë gjerësinë e saj.

1871 dhe 1990

Ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990 dhe bashkimin e Gjermanisë, në vitin 1871 i krahasojnë shpesh – për rëndësinë dhe rrethanat e jashtme. Si në 1871 Bismarcku, ashtu edhe në vitin 1990 Helmut Kohli para aktit të tyre u përballën me frikërat e shteteve fqinje: se një Gjermani e ribashkuar do të përpiqej të zgjeronte edhe kufijtë, në kurriz të fqinjëve. Në të dyja rastet, Bismarku dhe Kohli arritën t’i qetësojnë me sukses shtetet fqinje – duke mundësuar bashkimin, përkatësisht ribashkimin e Gjermanisë.

Helmut Kohli ishte prej vitit 1982 deri 1998 kancelar i Gjermanisë dhe për 25 vjet kryetar i CDU-së. Në vitin 2008, pas një rrëzimi, ai pësoi një traumë të rëndë të kafkës dhe trurit dhe që atëherë ndodhet në karrige me rrota. Ai flet me vështirësi. Datëlindjen e tij të Premten e Madhe(03.04.2015) ai e feston në mënyrë private me pak njerëz në shtëpinë e tij, në Ludwig – Oggersheim. CDU-ja nuk do të organizojë ceremoni. Në vend të kësaj, në verë Fondacioni Konrad – Adenauer do të organizojë një simpozium të posaçëm në nder të tij. (dw)

Vlerat dhe antivlerat

Shkruan: Bejtullah Sadiku
Vlerat dhe antivlerat
„Vlerat e një njeriu duhet parë në faktin se çfarë jep, dhe jo në atë se çfarë është në gjendje të marrë“- (Albert Anjshtajn)
Bota që na rrethon, në vete ngërthen me të mira dhe të këqija, ndryshe me vlera dhe antivlera. Këto dy nocione i hasim me të madhe, gjetiu dhe kudo, dhe ate:
– në shoqëri;
– në sistem;
– në politikë;
– në parti;
– në pluralizëm;
– në politikan
– në udhëheqës të ndryshëm shpirtërorë, fetar e religjioz;
– në botën bimore, shtazore e njerëzore.

Vlera dhe antivlera nuk duhet të imagjinohet e as të reprodukohet e ma hiç të prozhektohet jashta asaj ashtu si është e si paraqitet në suazat e asaj që mund të jetë reale e më objective, ku qartazi do duket se çka është vlerë e çka antivlerë. Aty ku ideja buron e paraqitet me të gjitha komponentet positive si vlerë, kundërshtimi i të
njejtës, i mbushur me plot insinuata, mundohet që nga antivlerat të lufton vlerat dhe me tendencë apo dëshirë, vlerat ti shëndrron në antivlerë e antivlerat në vlerë.

Këte e bëjnë gjithëmon të tillët, kur atyreve u duket se cenohen, shkilen, humbasin, s´kanë rezultate evidente e progressive në arritjen e qëllimeve të caktuara, kuptohet vetëm sipas tekeve dhe interesave të tyre individuale të mbushura plot kompleksitet e hipokrizi.( keni parasysh raportet e sotme ndërpartiake)

Edhe bima si bimë, po po i ka kualitetet e veta si më e shëndetshme, si më e vlefshme, si dhe anët e dëmshme që mund mos ti përshtatet imunitetit të çdo qenie organike, ku tani mund të flitet për anët e dëmshme të saj si antivlerë. Ilaçi, bari apo hapi medicinal poashtu i ka vlerat dhe antivlerat e veta.Mjeku e rekomandon, por pacienti është ai që vendos ta përdor o mos ta përdor, në mvarshmëri të organizmit të tij se e pranon o se pranon, duke patur parasysh kundërindikacionet e trupit. Ky krahasim flet se edhe në shoqëri nuk do të thot se krejt çka plasohet janë me vlerë e të vlefshme, por të bëhet një selekcionim i tillë si thot edhe populli – “i ndarjes së shapit prej sheqerit”.

Kjo luftë e pa ndalshme e vlerave kundër antivlerave si e saktë dhe objective, dhe e antivlerave kundër vlerave, si jo reale dhe aspak objective egziston dhe vazhdon të egzistoj në shumë lami e pore të jetës, ku si ma prezente e kemi në politikë, në udhëheqës etj. Ku gjithëmon tentohet të promovohen gjëra që skanë të bëjnë me korektësinë, moralin dhe ndërgjegjen e normave, rregullave dhe ligjeve të promovuara e të cilat edhe vetë i shkelin. Këtu e në kështu morali të dyfisht ka vetëm antivlera, por edhe kështu tendencat dhe tentimet mu nga këto që i prodhojnë, tentohet që edhe t´i mbrojnë.

Kjo shpesh ndodh edhe në fe, teologji e religjion. Lufta e tyre gjithmonë është tendenca e dominimit e njerës mbi tjetrën, duke promovuar ide të shtuara, të hiperbolizuara, pompoze, të tjetërsuara etj. Sa i ka prurë edhe deri në vella-vrasje, a të cilat mbrohen nën petkun e asaj si vlera objective, a në fakt të mbushura plot antivlerë.

Nga kjo del edhe konstatimi se, në të gjitha fushat dhe lamitë ku ka vlera të sakta objektive, ka ndërgjegje, ka moral, pastërti, çiltërsi, kulturë, civilizim, zhvillim, përparim, progres, krijimtari, punë dhe vepra të mira. Por e kundërta e këtyre që mund të quhen dhe janë si antivlera, paraqiten aty ku ka: dyftyrësi, amoralitet, jo ndërgjegje, thjeshtësi, primitivizëm, egoizëm, poshtërsi, injorancë, jo civilizim, insinuate, hipokrizi etj. etj.

Si duket, rruga më e mirë dhe më e përshtatshme del se, është ajo e VLERAVE të mirëfillta që duhet të dominojnë mbi ANTIVLERAT si pengesa kryesore e rritës dhe zhvillimit të proceseve shoqërore në shoqëri e aq më tepër edhe në shoqërinë tonë shqiptare.Vlerat e këtilla positive, rrisin dhe zmadhojnë imazhin tone personal, gruporë e shoqërorë të individit, grupit, shoqërisë, vëndit, kombit dhe identitetit tonë të shëndoshë kombëtarë.

Për momentin, për ne shqiptarët, si vlera kryesore dhe dominante, janë dhe akoma mbesin si parësore VLERAT KOMBËTARE, ngase i kemi të kalitura permes shkeljeve të njëpasnjëshme e permanente, të kalitura e të çelnikosura nëpër burgje e kazamate, si dhe luftërat për liri e çlirim kombëtarë që ishin dhe mbeten si AVANGARDË e realizimit edhe e të vlerave akoma ma madhështore e madhore – ato të BASHKIMIT KOMBËTARË.

Krefeld, 03.04.2015

Bomba XVI: Vjedhjet e zgjedhjeve në Kumanovë

LSDM-ja opozitare ka zhvendosur sërish bombat në nivel lokal. Pas Strumicës dhe Komunës Qendër, social-demokratët publikuan sot telefonata që sipas tyre dëshmojnë parregullsitë në proceset zgjedhore në Kumanovë.

Kryetari i komitetit komunal të LSDM-së në Kumanovë, Martin Kostovski, publikoi biseda telefonike ku ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska kërkon nga ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov t’i paguajë 75 mijë eurot e premtuara për partinë e ish deputetit serb Dragisha Miletiqit. Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Kiril Bozhinovski e njofton Jankullovskën se përveç 75 mijë eurove, ka paguar edhe 225 mijë euro të tjera, siç thotë ai, për bashkësitë më të vogla etnike. Jankullovska sërish flet me terma fyese për shqiptarët dhe romët, duke i quajtur “shiptari” dhe “cigani”.

LSDM-ja publikoi një audio-regjistrim të zv.kryeministrit Vlladimir Peshevski i cili kërkon nga Jankullovska t’i dërgojë në kontroll teknik rreth 50 vetura të LSDM-së në ditën e zgjedhjeve.

Social-demokratët akuzuan se edhe ish kryetari komunal nga radhët e tyre Viktor Cvetkovski ka punuar për VMRO DPMNE-në. Këtë e dëshmojnë me publikimin e një bisede telefonike mes Cvetkovskit dhe ministres së brendshme.

LSDM-ja paralajmëroi tubim dhe më pas marsh protestues gjatë mbrëmjes, për shkak të parregullsive zgjedhore dhe presioneve që u janë bërë qytetarëve të këtij qyteti vite me radhë. Benjamin Arifi

Bomba e djeshme e opozitës, temë mediash botërore

Akuzat e LSDM-së se drejtori i DSK-së Sasho Mijalkov ka marrë provizion për furnizimin me pajisje përgjuese, kanë jehuar edhe në mediat botërore. New York Times dhe ABC News, mes të tjerash i kushtoheshin artikullit të Asociated Press me titull “Shefi i policisë sekrete maqedonase akuzohet për ryshfet në biznesin me Izraelin”.

“Zoran Zaev…publikoi biseda të regjistruara në mënyrë të paligjshme, për të cilat thotë se tregojnë që shefi i policisë sekrete Sasho Mijalkov, bashkëpunëtorja e tij dhe një person nga Izraeli merren vesh për transferim parash ryshfeti. Zaev nuk e saktësoi shumën, por tha se ajo ka qenë me disa zero. Mijalkov i hodhi poshtë akuzat duke konfirmuar se ka pranuar donacion prej 5,5 milion eurosh për blerjen e pajisjeve për forcat speciale të policisë”, shkruante New York Times.

Alsat-M sot dërgoi zyrtarisht edhe disa pyetje në adresë të ambasadës së Izraelit. Tani për tani nuk kemi as koment për pohimet, dhe as për mënyrën se si do të veprojë Tel Avivi zyrtar. Në skenën politike vendore tani për tani nuk ka as reagime të reja, pas bombës së fundit të Zaevit. Pasi lideri i LSDM-së akuzoi Mijalkovin për rryshfet disa milionësh në bashkëpunim me izraelitët, shefi i DSK-së paralajmëroi padi kundër Zaevit, pasi sipas tij nuk është fjala për ryshfet, por për donacion nga një vend mik.

“Bëhet fjalë për 5,5 milion euro para të huaja si ndihmë për efikasitet më të madh të forcave speciale. Për gjithë këtë, ekziston marrëveshje zyrtare për donacionin që është klasifikuar me shkallën më të lartë të sekretit shtetërorë”, tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Ndaj këtij qëndrim të Ministrisë së Brendshme, reagoi edhe vetë Zaev në profilin e tij në Facebook. Ai ngrinte pyetjen se “cili donacion kalon me para në dorë”? Zaev ironizonte madje se si i ka marrë për bazë këto telefonata pushteti, kur deri dje akuzonte se ato janë të krijuara, të montuara, të prera dhe të ngjitura.Alsat

Irani dhe sauditët përplasen në Jemen

Jemen

Kush lufton kundër kujt në Jemen? Çfarë duan rebelët huti? Çfarë roli luan organizata Al-Kaida? Çfarë mund të arrijnë sulmet ajrore të shteteve arabe? Një vështrim.

Shpjegimi i zakonshëm është: Arabia Saudite dhe vendet e tjera mbështesin presidentin e njohur ndërkombëtarisht Abd-Rabbu Mansour Hadi në sulme ajrore kundër milicive huthi. Por në fakt lufta civile përcaktohet nga shumë linja të tërthorta konflikti. Kështu ushtria dhe administrata e pushtetit qendror janë të përçara. Një pjesë e madhe nuk mbështesin Hadin, e arratisur në Arabinë Saudite, por vazhdojnë të jenë ende besnikë të diktatorit shumëvjeçar Ali Abdullah Saleh, të rrëzuar në vitin 2012, që ka kaluar në anën e Huthi.

E përçarë është edhe shoqëria në vendin e krijuar në 1990 nga veriu dhe jugu i Jemenit. Në jugun dikur socialist shumë qytetarë ndjehen më pak të favorizuar se sa veriu dhe mbështesin lëvizjen secesioniste. Këtu ka struktura të forta edhe “Al-Kaida në Gadishullin Arabik” (AQAP). Vitet e luftës së Shteteve të Bashkuara me avionë të telekomanduar nuk kanë qenë në gjendje të ndryshojnë shumëçka. Konflikti merr një komponent fetar nga fakti se në veri jetojnë kryesisht saiditët shiitë, tek të cilët bëjnë pjesë edhe Huthi, ndërsa në jug jetojnë shafeitët sunitë. Fiset rivale mbështesin për motive shumë të ndryshme herë njërën herë tjetrënm anë. Me ndërhyrjen e shteteve sunite arabe në Jemen luhet tani edhe një konflikt politik rajonal. Jemeni tradicionalisht i njohur si “oborri i pasëm” i Arabisë Sauditeme forcimin e huti mund të kalojë nën ndikimin iranian.

Në luftimet aktuale janë në njërën anë lëvizja huti dhe pjesë të mëdha të forcave të sigurisë, ndërsa në anën tjetër luftojnë kryesisht Komiteti i Popullit, fise dhe Al-Kaida, të mbështetur nga sulmet ajrore të fuqive intervenuese. “Komitetet e Popullit janë shumë të fragmentuara: disa mbështesin Hadi-n, të tjerë luftojnë për pavarësinë e jugut”, thotë Mareike Transfeld nga fondacioni Shkenca dhe Politika në Berlin.

Kush janë Huthi?

Milicët huthi, që veten e quajnë “Ansar Allah”, përbëhen nga saiditët shiitë dhe rrjedhin nga zona malore kufitare me Arabinë Saudite. Deri në revolucionin e vitit 1962 një imamat i saiditëve kishte sunduar më shumë se 1000 vjet në Jemenin verior, më vonë ata u ndjenë gjithnjë e më shumë të margjinalizuar. Kundër përpjekjes nga ana e qeverisë qendrore, për t’ia afruar praktikën fetare të saiditëve asaj të sunitëve, lindi rezistenca, e cila në vitin 2004 kaloi në konflikt të armatosur, ku deri në 2010 u vranë mijëra njerëz. Kur protestat masive rrëzuan në vitin 2011 diktatorin Saleh, huthi-t ishin përfshirë në një pjesë të madhe në protesta. Megjithatë si rezultat u krijua një qeveri e bashkimit kombëtar rreth zëvendëspresidentit të atëhershëm Hadi pa pjesëmarrjen e huthi. Irani i mbështet dukshëm huthi. Ndihma vjen në vend me anije dhe avionë, thotë politologu jemenit Vlid al-Saqaf, studjues në universitetin e Stockholmit.

Çfarë duan huti?

“Zoti është i madh, vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, dënim hebrejve, fitore islamit”, thuhet në logon e huthi nën drejtimin e Abdulmalik al-Huthi. Në deklaratat e tyre ata denoncojnë korrupsionin e elitës së dëbuar dhe “ekstremizmin sunit”. Pasi huthi pushtuan kryeqytetin në shtator, detyruan në fillim të vitit presidentin Hadi dhe qeverinë e tij të japë dorëheqjen dhe formuan qeverinë e vet të tranzicionit. Shkas ishte një projekt-kushtetutë, e cila parashikonte një ndarje të vendit në gjashtë rajone federale dhe i linte atyre një zonë të izoluar pa qasje në det. Me sa duket lëvizja ka tani si qëllim të sundojë të gjithë Jemenin. Marrja e lehtë e kryeqytetit Sanaa ka bërë që udhëheqësit ta mbivlerësojnë veten, mendon Mareike Transfeld e Fondacionit Shkenca dhe Politika. “Me depërtimin e huthi në jug konflikti ka marrë një dimension të ri”, thotë Transfeld. “Huthi besojnë se ata mund të kontrollojnë të gjithë Jemen, por sapo kanë filluar ta ndjejnë se nuk e kanë të lehtë në jug dhe hasin në rezistencën e al-Kaidës, Komitetit të Popullit dhe fiseve të ndryshme.” Përveç kësaj Jemeni, ku gjysma e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, është aq i varur nga ndihmat e huaja, saqë çdo qeveri ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare. (dw)

Pak varësi nga Rusia me gazin transanadollian

Trans Anadolu

Me gazsjellësin Trans Anadollian (TANAP) Turqia do të ofrojë më shumë hapësirë në politikën e energjisë. Falë TANAP edhe BE mund ta reduktonte varësinë prej importeve të gazit rus.

Kryetarët e qeverive të shteteve perëndimore kanë zbuluar Turqinë si partner të ri. Që kur krerët e shteteve të Turqisë, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë miratuan para gati dy javësh një gazsjellës prej 1.850 kilometrash, sytë janë kthyer nga Bosfori. Më shumë se nëntë miliardë euro kushton gazsjellësi Trans Anadollian (Tanap). Prej vitit 2018 në Turqi do të shkojnë çdo vit 16 miliardë kubikmetër gaz, që vjen nga një prej fushave më të mëdha të gazit në Azerbajxhan. Në vitin 2023 në tubacion do të rrjedhin 23 miliardë metër kub gaz. Tre vjet më vonë do të jenë sipas planit 31 miliardë metër kub.

Tanap do të lidhet me gazsjellësin Trans-Adria. Në vitin 2020 gazi do të arrijë pastaj edhe BE. “Ne duam ta bëjmë Turqinë qendrën rajonale të shpërndarjes së energjisë”, theksoi presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Me të vertetë Tanap është një shans për BE, për t’u bërë më i pavarur nga gazi rus. Që me 11 mars, pak para fillimit zyrtar të ndërtimit të Tanap, Komisioni i BE kishte shprehur dëshirën, për të hyrë në partneritet energjetik me Turqinë.

Gazsjellës me potential

“Tanap është në krye të projekteve të gazsjellësve ndërkombëtarë, sepse do të transportojë për herë të parë një volum të konsiderueshëm gazi nga pelllgu i Kaspikut përmes Turqisë në tregun e BE”, thotë Mehmet Ögütcü, president i Bosphorus Energy Clubs. Vetë BE ka nevojë për më shumë se 250 miliardë meter kub gaz në vit. “Prandaj Tanap mund të mbulojë vetëm një pjesë të vogël të kërkesës së përgjitshme evropiane”, tha Ögütcü. Por Tanap mund të ishte një mundësi për t’u zgjeruar në të ardhmen me fusha të tjera gazi në Azerbajxhan, Iran, Turkmenistan, në rajonin autonom të Kurdistanit në Irak dhe në lindjen e detit Mesdhe.

Rusia mbetet e rëndësishme

Nga këndvështrimi turk, por edhe europian, Tanap është një projekt, që mund të diversifikojë importet e gazit rus, thotë Necdet Pamir, përgjegjës për çështjet e energjisë në partinë Popullore Republikane (CHP), në opozitë. Çmimi i gazit natyror nga Azerbaixhani është më i lirë se gazi rus, thotë Pamir. “Në krahasim me projektin e dështuar Nabucco, mund të thuhet se Turqia do të marrë më shumë gaz nga Tanap.” Nabucco duhej të transportonte gazin nga kufiri turk deri në Austri. “Gjashtë miliardë metër kub në vit janë parashikuar për Tanap. Për Nabucco ishin planifikuar vetëm 2,5 miliardë meter kub në vit. Kjo do të reduktojë varësinë turke nga Rusia”, thotë Pamir. Momentalisht importet turke të gazit rus janë rreth 60 përqind.

Por Rusia posedon 17 për qind të rezervave botërore të gazit. Në vitin 2013 vendi eksportonte më shumë se 160 miliardë metra kub gaz natyror në BE. “Gazi natyror nga Azerbajxhani është vështirë të krahasohet me kapacitete të tilla gjigante. Rusia ka edhe avantazhet gjeografike. Kostot e transportit të gazit në Evropë janë relativisht të larta. Pra, ne duhet të pranojmë se Rusia do të mbetet një nga furnizuesit kryesorë të të BE-së me gaz natyror”, tha Pamir.

Vetëm Tanap nuk mjafton

Me Tanap Turqia dëshiron të bëhet një vend i rëndësishëm për energjinë. Por gazsjellësi Trans-Anadolian dhe projekte të tjera infrastrukturore nuk mjaftojnë, thotë eksperti i energjisë Mehmet Ögütcü. “Turqia ka në fakt një industri energjetike në rritje, por vetëm pak firma kompetente energjie”. Vendi duhet të zhvillojë një strategji përmes partneriteteve publike-private dhe ndërkombëtare. Përveç kësaj është e rëndësishme për të investuar në teknologji dhe kow-how, për t’u bërë një nga pionierët e energjisë së gjelbër, sidomos asaj të erës, të energjisë diellore dhe asaj gjeotermale, tha Pamir.

Bismarku, ‘kancelari i hekurt’ i Gjermanisë

Bismark

Në 1 prill përkujtohet 200 vjetori i lindjes së Otto von Bismarkut. Çfarë trashëgimie ka lënë pas kancelari i parë, të cilët gjermanët e nderojnë edhe sot?

Është një tabllo, që për shumë gjermanë është e pandarë me Otto von Bismarck-un. Gjeneralë dhe princa gjermanë në uniforma të errëta qëndrojnë në sallën e pallatit francez të Versajës dhe përshëndesin me armë të ngritura në perandorin gjerman Vilhelmi I. Por nuk është monarku në qendër të tabllosë. Aty është Otto von Bismarck, i theksuar edhe më shumë nga uniforma e bardhë.

Tabloja paraqet 18 janarin 1871, datën që konsiderohet si dita e themelimit të Perandorisë gjermane, kur 25 shtete të veçanta u bashkuan në një shtet, nën udhëheqjen e Prusisë. I atribuohet politikës së Bismarkut, që atëherë u kapërcye ndarja e vazhdueshme në shtete të vogla gjermane. Kudo ka monumente dhe buste dedikuar Bismarck-ut. Nxënësit mësojnë se Bismarck-u jo vetëm që bashkoi Gjermaninë, por në kohën e tij si kancelar nga 1871 deri 1890 ai futi edhe ligjin e zgjedhjeve, dhe sistemet e sigurisë sociale, si sigurimin shëndetësor, sigurimin në rastet e aksidenteve dhe sigurimin e pensioneve.

Por ka edhe zëra, që e shohin Bismarckun si kancelarin e luftës, me helmetë me majë dhe si shtrues të rrugës së militarizmit gjerman. Megjithatë, luftërat kundër Danimarkës 1864, kundër Austrisë 1866 dhe kundër Francës 1870/1871 hapën rrugën për themelimin e Perandorisë (rajhut). Që të tria luftërat i përgatiti politikisht Bismarcku si kryeministër i atëhershëm i Prusisë. Nga kritikët, Bismarcku konservator bëhet përgjegjës edhe për përndjekjen e socialistëve në Perandorinë gjermane, për një kulturë parlamentare të pazhvilluar në Gjermaninë e fundit të shekullit 19-të dhe fillimit të shekullit 20-të, si dhe për kirjimin e kolonive gjermane në Afrikë dhe Azi

A ka qenë Bismarcku një superhero apo e kundërta e kësaj?

“Bismarku duhet të shihet më pak si mur projeksioni, për vlerësimet pozitive apo negative të historisë kombëtare gjermane”, thotë historiani Christoph Nonn në bisedë me Deutschen Welle. Profesori nga Dyseldorfi ka botuar librin “Bismarcku – një prusian dhe shekulli i tij”.

Për shembull krijimi i Rajhut nuk ka qenë një çështje vetëm gjermane dhe aq më pak vetëm vepër e Bismarkut, thotë Nonn. “Në këtë proces të gjatë dhe kompleks kanë qenë të përfshirë shumë aktorë, në Gjermani dhe jashtë saj. Me atë që kanë bërë dhe që nuk kanë bërë. Për shembull, që nuk janë përpjekur të parandalojnë këtë bashkim të Gjermanisë.”

Më shumë diplomat se luftënxitës

Nuk ka qenë vetëm Bismarck-u përgjegjës për tri luftërat para krijimit të Perandorisë, thotë Nonn. Bismarcku nuk ka qenë ushtarak dhe agresor, ai ka preferuar bisedimet. Po kështu mendon edhe historiani Arnd Bauerkämper nga Universiteti i Lirë i Berlinit. Më vonë në kujtimet e tij të shkruara në 1890, “ai e paraqiti vetën kancelar të luftës”. Megjithatë “legjitimitetin e luftërave, në parim, Bismarku nuk e vinte në diskutim”, thotë Bauerkämper në bisedë me DW. Po si Nonn ashtu edhe Bauerkämper theksojnë se perandoria me kancelar Bismarckun nuk ka patur më pretendime territoriale, por ka ndjekur një politikë të jashtme të ekuilibruar, për t’u përqendruar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Paradoksi në politikën koloniale

Po si përshtatet politika koloniale në këtë kontekst? A nuk kishte thënë Bismarck-u vazhdimisht se Rajhu gjerman nuk ka nevojë për koloni? Dhe megjithatë 15 vjet pas themelimit të saj ai lejoi që të krijohen të ashtuquajturat zona të protezhuara në Afrikë dhe Azi.

“Qëllimi i vërtetë nuk ishin kolonitë. Kolonitë ishin mjeti për të arritur qëllimin në një luftë për pushtet, që bëhej në Berlin”, thotë historiani Nonn. Konservatori Bismarck donte të dobësonte kundërshtarin e tij politik, liberalët dhe simpatizantin e tyre, princin trashëgimtar Friedrich, shpjegon Nonn. Liberalët ishin të ndërlidhur me Mbretërinë Angleze, që ishte shumë aktive në krijimin e kolonive. Për të përçarë këtë aleancë, Bismarcku në vitet 1884 dhe 1885 u bëri vend përkohësisht kërkesave për koloni gjermane. Por në vitin 1885 liberalët me humbjen e zgjedhjeve u dobësuan si forcë politike dhe po në të njëjtin vit princi trashëgimtar Friedrich siguroi, se edhe pas vdekjes së perandorit Vilhelm, do të qëndronte krah Bismarckut. “Që nga ai moment Bismarcku e mbylli menjëherë sërish episodin e politikës koloniale”, thotë Nonn. Kolegu i tij, Bauerkämper shkruan se Bismarcku “donte që t’i evitonte, mundësisht t’i sheshonte fërkimet me fuqitë e tjera europiane.”

U frenua demokracia në favor të konservatorëve

Por brenda vendit për Bismarkun nuk ka patur gjithmonë prioritet ekuilibri apo dialogu. Perandoria gjermane e themeluar më 1871 ishte në fakt një monarki konstitucionale, por parlamenti nuk kishte ndikim në politikën e qeverisë. Bismarku e shihte madje si “armike të perandorisë” lëvizjen politike në rritje të punëtoreve. Me ligjin për socialistët ai ndaloi de facto partitë socialdemokrate. Edhe futja e sigurimeve për shëndetin, për aksidentet dhe pensionet lidhet me qendrimin refuzues të Bismarkut ndaj lëvizjes punëtore. “Reformat sociale bëheshin për t’u hequr mbështetjen sozialdemokratëve dhe për t’i siguruar shtetit të ri lojalitetin e shumicës së popullsisë dhe të klasës punëtore në rritje”, thotë historiani nga Berlini Bauerkämper.

Për të ruajtur pushtetin e vet dhe të aristokracisë kushtetuta e perandorisë gjermane ia mohoi parlamentit, Rajshtagut (Reichstag), të drejtën e bashkëvendosjes. “Nuk u krijua një diçka e tillë si kultura parlamentare e krijimit të kompromisit, të kërkimit të marrjes së vendimeve në mes partive”, thotë Bauerkämper. Meqenëse Bismarck-u ishte edhe autor i kushtetutës, biografi Nonn ia atribuon kancelarit të parë gjerman faktin, që parlamenti nga 1871 deri në fundin e Perandorisë dhe shpalljen së republikës në 1918 kurrë nuk ka patur përgjegjësi. “Ky mentalitet i mungesës së përgjegjësisë ishte vështirë të shkundej më nga vetja pas vitit 1918, kur parlamenti kishte me të vërtetë peshë në Gjermani. Kjo ishte një peshë e rëndë për demokracinë e parë gjermane, për republikën e Vajmarit”, thotë Nonn.

Bismarku garant për paqen dhe mirëqënien

Dhe megjithatë në këtë ditë në Gjermani politikanë të zgjedhur me vota demokratike e kujtojnë kancelarin e parë të lindur para 200 vjetësh. Nonn heq paralele ndërmjet themelimit të perandorisë 1871 dhe ribashkimit të Gjermanisë 1990. Në të dyja herët në Europë ka ekzistuar frika se Gjermania dëshiron të zgjerohet më tej. Ashtu si në 1871 edhe në 1990 Gjermania siguroi se nuk ngre pretendime territoriale. “Këtu është ndjekur e njëjta politikë e qetësimit të fqinjëve evropianë.” Është suksesi më i madh i politikës së jashtme të Bismarkut, “që ai pas vitit 1871, si drejtues i politikës së jashtme të Gjermanisë, ka kontribuar në një masë të madhe që Rajhu i sapokrijuar gjerman nuk bëri luftë, për më shumë se 40 vjet.” (dw)

VMRO insiston për ligjet për letërnjoftime dhe pasaporta

VMRO-DPMNE po insiston që partneri i saj i koalicionit BDI të pranojë miratimin e projekt-ligjit për letërnjoftime dhe ate për pasaportat.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve ka pasur një takim midis dy koordinatorëve të grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski dhe atij të BDI-së, Talat Xhaferri, ku është diskutuar për pjesët kontestuese të ligjit që refuzohen nga partia e Ali Ahmetit.

Miratimi i këtyre ligjeve po mbahet i bllokuar, për shkak se për kalimin e tyre duhet votimi i dyfishtë apo sipas parimit të Badenterit.

Sipas projekt – ligjeve, qytetarëve që qëndrojnë jashtë vendit më shumë se tre muaj, u hiqet adresa e banimit duke iu pamundësuar kështu nxjerrjen e letërnjoftimit të ri në të ardhmen. Me këtë rrezikohen mërgimtarët shqiptarë, të cilët mund të humbasin të drejtën e posedimit të dokumenteve të Maqedonisë.

Një projekt – ligj i tillë po zbatohet edhe në Luginën e Preshevës, ku Ministria e Brendshme serbe po shlyen nga evidenca mijëra qytetarë shqiptarë, me arsyetimin se jetojnë jashtë vendit dhe kanë ndryshuar adresat e tyre të banimit. Kjo ka të bëjë me mijëra shqiptarët e shpërngulur nga kjo zonë drejt Kosovës por edhe vendeve evroperëndimore.

Kundër këtyre ligjeve në Maqedoni kanë reaguar partitë e tjera politike, por edhe personalitete publike duke theksuar se në rast të kalimit të ligjeve të tilla shqiptarët duhet të dalin në protesta.

Këto projekt – ligje kanë kaluar në Qeveri, në seancat e së cilës kanë qenë edhe ministrat shqiptarë.(INA)

Polemika në Kuvend për 100 ditëshin e qeverisë

Kuvendi i Kosoves

Me debate e polemika të shumta, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar për 100 ditët e para të punës së Qeverisë. Debati i thirrur nga opozita, ka nisur me diskutimin e deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje,Glauk Konjufca, si nismëtar i kësaj pike të rendit të ditës.

Ai i ka fajësuar dy partitë e koalicionit, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, për keqqeverisje ndër vite.

Kurse për kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, Konjufci ka thënë se “ai mbahet në mend për deklarata të ashpëra në raport me deputetët e LDK-së që nuk e votuan atë për kryeministër, deklarata të ashpëra edhe në raport me qytetarët që migruan jashtë vendit, por edhe me deklaratat se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të mund të shkojnë në veri të Kosovës”.

“Kjo qeveri e përbërë nga PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat mendoj që nga viti 2001, janë përgjegjëse për pesë gjëra shumë të rëndësishme në Kosovë, e që janë, ngecje në zhvillimin ekonomik, lulëzimin e korrupsionit kronik në institucionet tona, degradimin e sistemit të arsimit, erozionin e sovranitetit shtetëror dhe ngulfatje të drejtësisë”, ka thënë Konjufca.

Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa, i ka quajtur të pavërteta deklaratat e deputetit Konjufca.

Ai ka përmendur faktin që ditët e para të qeverisjes ishin të vështira të përcjella me greva e protesta, por ka shprehur bindjen se situata ishte menaxhuar mirë.

Mustafa tha se programi i tij qeverisës “mbështetet në pesë shtylla kryesore, ku bëjnë pjesë, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe mirëqenia, shteti ligjor, agjenda evropiane dhe reformat në arsim e shëndetësi”.

“Vetëm një qeverisje e bazuar në ekonomi të tregut dhe shtetin ligjor, mund ta forcoj besimin e qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtar në vitalitetin e Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur. Një Kosovë demokratike ku sundon ligji dhe respektohen të drejtat e secilit pa asnjë dallim, që promovon zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien, që siguron lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe që promovon shoqërinë e dijes”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi ka paraqitur objektiva afatshkurta dhe afatgjata, që nisin nga liberalizimi i vizave e deri te njohjet e reja dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata e mekanizma ndërkombëtar.

“Synimet afatshkurta për këtë vit do të jenë, nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim e Asociim, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe ta bindim Komisionin Evropian që brenda këtij viti të rekomandoj liberalizimin e vizave për Kosovën. Synime afatgjata mbesin fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, me theks të veçantë në sigurimin e njohjes nga pesë vendet e mbetura nga Bashkimi Evropian si dhe puna për t’u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se shteti i Kosovës është i kapur, duke i veçuar si problemet kryesore krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Sipas bindjes sime, nëse nuk e trajtoni gjendjen në vend, ju do ta fundosni edhe Kosovën edhe veten, pra edhe këtë qeveri. Pra, duhet ta kuptoni që ç’kapja e shtetit është parametri i parë si edhe ndalja e korrupsionit”, ka theksuar Haradinaj.

Prezantimet e kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi, për kryetarin e partisë Nisma, Fatmir Limaj, u kuptuan si tregues për dualizma në drejtimin e koalicionit aktual qeverisës.

“Situata është e rëndë në këtë qeverisje. Në çdo vend në botë del kryeministri raporton për punën e vet dhe kabinetin qeveritar, kurse ne sot i dëgjuam dy raporte, qeveria Mustafa dhe qeveria Thaçi”, u shpreh Limaj.

Debati pritet të vazhdoj edhe të premten. Opozita ka përgatitur edhe disa rekomandime për kryeministrin dhe qeverinë e Kosovës të cilat pret që t’i sjellë në votim në fund të debatit.

Mes tjerash kërkohet që qeveria të jetë më transparente dhe të jap llogari para Kuvendit, qoftë për vendime të mëdha me implikime të brendshme apo edhe në lidhje me bisedimet me Beogradin.

Megjithatë, për miratimin e këtyre rekomandimeve në fund të debatit opozita do të ketë nevojë për mbështetjen e pozitës pasi që nuk i ka votat e mjaftueshme. (rel)