‘Axhallarët e pasur’ të politikanëve të Kosovës

E pyetur nga “Zëri”, se si i sheh Jacobson politikanët që zyrtarisht kanë vetëm një pagë por kanë miliona pasuri, ajo thotë:

JacobsonI kam pyetur disa politikanë rreth kësaj dhe të gjithë kanë tregimet e tyre. E kanë xhaxhain e pasur në Zvicër; kanë miq të shumtë që iu kanë dhënë para… Një politikan madje më ka thënë: ‘Çka nëse ndonjë anëtar i Kongresit merr para nga miqtë? Çka do të ndodhte? Kjo s’do të përbënte problem.’ I kam thënë: ‘Po, natyrisht që do të ishte problem.’ Anëtarët e Kongresit shkojnë në burg për këtë.

Jacobson tregon se në SHBA, ka  ish-guvernatorë që janë në burg  për shkak se kanë marrë shuma të mëdha parash.

“Dhe nuk është domosdoshmërisht ekzistenca e pahijeshisë, por edhe vetëm pamja e pahijeshisë. Prandaj, shpresoj se në të ardhmen përmes sistemit të deklarimit të pasurisë do të kemi pasqyrë të qartë se prej nga vjen pasuria e këtyre njerëzve dhe këta njerëz që kanë para do të vlerësojnë se tash janë mjaft të pasur dhe do të përqendrohen në marrjen e vendimeve të duhura për zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit”, ka thënë ajo. (zeri)

Forumi Ekonomik shqiptaro-gjerman, një kapitull i ri bashkëpunimi

forumi ekonomik tiraneSekretari i Shtetit në Ministrinë gjermane të Ekonomisë, Rainer Bake, deklaroi se vizita e Kancelares Merkel në Tiranë hap një kapitull të ri në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

“Gjermania është një partnere e rëndësishme ekonomike e Shqipërisë për shkëmbimin dypalësh të mallrave. Në vitet e kaluara ka pasur mbi 200 milionë euro shkëmbime, ndërsa tregtia është duke ecur në drejtimin e duhur. Njëkohësisht, këto marrëdhënie ekonomike ne mendojmë se duhet të zgjerohen dhe sot do të donim t’u jepnim impulse të reja. Jemi të bindur se firmat gjermane do të ndërtojnë një pozicion të fortë në Shqipëri”, tha Rainer Bake.

Në Forumin e përbashkët Ekonomik, të organizuar nga Dhoma gjermane e Tregtisë në Tiranë, Bake tha se, Gjermania synon të ketë më shumë investime në Shqipëri, duke evidentuar edhe fushat kryesore. Por, sipas tij, këto investime kanë nevojë për siguri dhe transparencë.

“Ne, investitorët gjermanë jemi të interesuar për një mënyrë procedimi transparente. Biznesi gjerman është i interesuar për një bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e mjedisit, atë të energjisë, të infrastrukturës dhe turizmit”, tha më tej Bake.

Siguria ligjore dhe veçanërisht problemet me pronën mbeten shqetësimet kryesore për investimet e huaja.

“Ne presim sigurisht siguri ligjore. Për ne, si zhvillues projektesh, në këtë kontekst është e rëndësishme kur flasim për shitblerjen e pronave, trojeve, zyrat kadastrale, hipotekat”, u shpreh biznesmeni gjerman Michael Ulmer.

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se, qeveria shqiptare është e vendosur të lehtësojë investimet e huaja. Ai përmendi faktin se, vitin e kaluar Shqipëria u ngjit 40 vende në renditjen e biznesit, ndërkohë që së fundmi janë miratuar një sërë ligjesh të tjera, si ai i Partneritetit Publik-Privat dhe ai i Investimeve Strategjike, që rrisin garancitë për biznesin.

“Nga njëra anë flitet për një koncept të ndjekjes me shpejtësi të investitorëve, qoftë ai i huaj apo vendas dhe, së dyti, i jepet parashikueshmëria maksimale duke marrë kontrata shtetërore, sipas përkufizimit në Parlament. Në Kuvend, kontrata mund të bëhet ligj, gjë që do të thotë një kontratë e sigurisë maksimale. Së treti, parashikohet për procedura të caktuara në mënyrë që të kthehet administrata në një agjent për investitorët”, tha ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Nën kryesimin e Gjermanisë, verën e kaluar u mbajt Samiti i Berlinit, një nismë që synon të kanalizojë në ekonomitë e Ballkanit miliarda euro investime në projekte madhore, si Autostrada e Kaltër dhe lidhjet energjetike.

/ Top Channel

Willkommen in Albanien Kanzlerin Merkel!

Vizita e kancelares Merkel ne Tiranë vlerësohet si një inkurajim për intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike bilaterale dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.

merkel rama tiraneKancelarja gjermane, Angela Merkel arriti sot në Tiranë në kuadër të një turi ballkanik, që vijon nesër (09.07) me vizitat e saj në Serbi dhe Bosnjë–Hercegovinë. Vizita në Tiranë vlerësohet historike dhe shumë e rëndësishme për marrëdhëniet ekonomike dhe politike dypalëshe, të cilat ambasadori gjerman në Tiranë Helmut Hoffmann i cilësoi ditët e fundit “të shkëlqyera” . Kryeministri Rama shkruan në rrjetin social Twitter “Willkommen in Albanien Kanzlerin Merkel! Sot ditë e shënuar për Shqipërinë. Vizita e parë dypalëshe e një kancelari të Gjermanisë në Shqipëri.”

Vizita e kancelares Merkel ne Tiranë vlerësohet si një inkurajim për intensifikim të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike bilaterale dhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Në rrethet politike dhe mediatike të Tiranës, kjo vizitë konsiderohet një inkurajim për të përshpejtuar hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE. Në një deklaratë për mediat gjermane, në prag të fillimit të këtij turi ballkanik kancelarja Merkel theksoi se “Shqipëria ka bërë progress në këtë drejtim me marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim, por i mbetet ende shumë për të bërë”. Zëdhënësi i kancelares Merkel, Steffen Seibert ka bërë të ditur për mediat gjermane se “çështjet kryesore të bisedimeved do të jenë marrëdhëniet bilaterale dhe ato me BE-në, çështjet ekonomike dhe të energjisë.”

Sipas burimeve zyrtare kancelarja gjermane pas mbritjes ne aeroportin ”Nënë Tereza” do të drejtohet për në selinë e Kryeministrisë ku tanimë gjithçka është gati për ceremoninë e lartë shtetërore të mirëseardhjes. Kancelarja Merkel do të zhvillojë më pas bisedime me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe në përfundim të tyre do të ketë një konferencë të përbashkët shtypi. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ajo do të zhvillojë bisedime edhe me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. Në pasditen e vonë kryeministri i Shqipërisë, Rama dhe Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Merkel do t’i drejtohen me fjalime Konferencës Ekonomike Gjermano- Shqiptare që ka nisur punimet e saj sot paradite në mjediset e Tirana Business Park.

Vizita e kancelares gjermane Merkel në Tiranë vjen disa javë para Konferencës së Vienës, që do të zhvillohet në fund të gushtit të këtij viti si vijim i procesit të Berlinit, që filloi gushtin e kaluar kaluar me nismën e znj. Merkel për t’i dhënë një nxitje të re perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor. Për ecurinë e procesit të Berlinit Shqipëria dhe Serbia konsiderohen si faktorë të rëndësishëm drejtues në procesin e pajtimit të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimit rajonal si parakusht i integrimit europian.

Konferenca ekonomike gjermano – shqiptare me pjesëmarrhjen e disa qindra investitorëve nga Gjermania pritet të rrisë interesin e tyre për të investuar në Shqipëri. Para një jave u hap Tirana Business Park, një investim i grupit bavarez Lindner pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”dhe autostradës Tiranë-Durrës , ku pritet të krijohen 9.000 vende të reja pune si edhe fabrika e parë Forchner që brenda këtij viti pritet të krijojë 330 vende pune dhe në një fazë të mëvonshme rreth 1000.

Masa të rrepta sigurie.

Vizita e sotme e Kancelares Merkel shënon në fakt vizitën e dytë të një niveli të tillë në Shqipëri, pas asaj të kancelarit Gerhard Schrȍder, në vitin 1999, e cila më shumë se marrdhëniet gjermano-shqiptare 12 vjet pas rihapjes së tyre në vitit 1987, u përqëndrua në përballimin e krizës humanitare, në kohën e luftës së Kosovës. Nga ky këndvështrim , vizita e kancelares Merkel sot në Tiranë konsiderohet si vizita e parë e një kancelari gjerman në Shqipëri. Gjatë 4 orëve e gjysmë që znj. Merkel do të jetë në Tiranë do të ketë masa të rrepta sigurie dhe bllokim të rrugëve kryesore të Tiranës dhe atyre që të çojnë në Tirana Bussines Park ku ka nisur Konferenca Ekonomike Gjermano-Shqiptare. (dw)

Truri në bisedë shoqërore

truriShkencëtarët ofrojnë një pamje të rrallë se si truri i njeriut punon kur është angazhuar në bisedë shoqërore. Aktiviteti i trurit vëzhgohet përmes një kapeleje të pajisur me fibra optike dhe rreze lazer që ndjekin rrjedhën e gjakut.

Për të parë se si punon truri, shkencëtarët në Laboratorin e Funksionimit të Trurit në universitetin Yale instalojnë aparate me rreze lazer në kapelen e projektuar për këtë qëllim.

Sauli Yahil dhe Shaw Bronner, dy shkencëtarë në këtë laborator, tregojnë se si punon truri i tyre ndërsa bisedojnë për imazhet që shohin në ekranet e kompjuterit.

Imazhet me ngjyra tregojnë se çfarë ndodh në kokat e dy studjuesve – dy trurët në bisedë tregojnë me lëvizje të ndërlikuara veprimtarinë e brendshme.

Kjo teknologji është vetëm një pjesë e punës për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me funksionet e trurit.

“Ne duam të kuptojmë lidhjet e neuroneve me ndërveprimin midis individëve”,thotë Joy Hirsch, një neuroshkencëtare dhe profesore në shkollën mjekësore të universitetit Yale, në shtetin Konektikat.

“Ky është ndoshta një nga funksionet më themelore të qenieve njerëzore, por ne dimë shumë pak në lidhje me të,” thotë ajo.

Laboratori i Funksionit të Trurit në Yale, të cilin ajo drejton, është duke hetuar se si një tru angazhohet me trurin e një personi tjetër.

Dr. Hirsch iu kthye një teknike të vjetër disa dekadash për krijimin e hartës së trurit që vetëm kohët e fundit u zhvillua mjaftueshëm për këtë detyrë.

Ndërsa dy shkencëtarët, Yahil dhe Bronner, flasin me njëri tjetrin për të demonstruar teknologjinë, secili vesh një kapele të posaçme ku janë vendosur 64 kabllo të holla.

Në majë të gjysmës së këtyre kabllove prej fibrash optike, kalojnë rreze të holla lazer që depërtojnë rreth 2.5 cm në trurin e tyre.

“Të dhënat vizuale dhe shprehjet e fytyrës janë të koduar me sistemet e trurit që ndjekin proceset e gjuhës. Kjo është diçka që nuk ishte vlerësuar më parë”, thotë  dr. Hirsch.

Rezultati është një pamje e mrekullueshme: imazhe të detajuara të trurit dhe ngjyra që tregojnë se ku ndodh veprimi. Kjo nuk është një foto e drejtpërdrejtë, si radiografia që tregon një kockë të thyer, por më tepër një rindërtim shumë i sofistikuar.

“Informacioni i ri këtu është se të dhënat vizuale të shprehjes së fytyrës janë pjesë intime të sistemit gjuhësor, pra tregon se si është duke u përdorur gjuha në një situatë intime”, thotë dr. Hirsch.

Identifikimi i formave vizuale nga të dhënat është pjesë e këtij kërkimi. Modelet vizuale kanë treguar se ato ndryshojnë në kushte të tilla si paniku dhe depresioni.

Ky studim gjithashtu mund të ndihmojë për të kuptuar se si autizmi prek individët.

“Në rastin e autizmit, prindërit dhe profesionistët shëndetësorë dyshojnë se fëmija mund të ketë autizëm kur nuk arrin të angazhohet me individë të tjerë, por dihet shumë pak rreth neuro-qarqeve që përfshinë angazhimin me të tjerët “, thotë dr. Hirsch.

Në Universitetin Princeton, neuroshkencëtari Uri Hasson është në kërkim të mënyrës se si truri ndërvepron kur një person flet me një tjetër.

“Pra, ne kemi zhvilluar një metodë të re në të cilën unë mund të skanoj njerëz, ndërsa ata janë duke treguar histori të jetës, dhe pastaj këto histori i luaj të regjistruara për një grup dëgjuesish. Dhe ajo që ne po kërkojmë  është nëse truri i dëgjuesit bëhet i ngjashëm me trurin e folësit gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë”.

Dr. Hasson thotë se gjetje të tilla janë të vlefshme për të mësuar se si është organizuar truri. “Sa më të ngjashëm modelet e trurit, aq më i mirë është komunikimi dhe mirëkuptimi”, thotë ai. (voa)

Irani dhe kapacitetet për prodhimin e bombës

irani centraliNegociatat mbi programin bërthamor të Iranit synojnë të çojnë më tej përparimin e shënuar me marrëveshjen e prillit që përqëndrohej tek infrastruktura që nevojitet për prodhimin e plutoniumut dhe për pasurimin e uraniumit – dy komponentë kryesorë për prodhimin e armëve bërthamore.

Për të kuptuar këto elementë dhe rëndësinë e tyre, mjafton të analizojmë një bombë atomike. Thërrmijat e lira të atomit – neutronet – përplasen me atome të uraniumit apo plutoniumit në zemrën e bombës, duke sjellë shpërbërjen e atomeve, një proces që çliron energji shumë të madhe.

Por kjo nuk realizohet nga uraniumi i zakontë.

Prodhimi i uraniumit të kategorisë atomike

Elementët radioaktivë ekzistojë në dy forma: izotope U235 dhe U238.  Vetëm ato të tipit U235 shpërbëhen. Por ky izotop përfaqëson vetëm 1% të uraniumit që gjendet në natyrë.  Për këtë arsye uraniumi pasurohet në centrifuga.

Fillimisht uraniumi shndërrohet në formë të gaztë që dërgohet në centrifuga që rrotullohen me shpejtësi tepër të madhe duke ndarë elementët më të rënda të izotopeve U238 nga më të lehtat U235.

Ky është vetëm hapi i parë, që realizon pasurim të ulët. Më pas uraniumi i tipit U235 dërgohet në një centrifuge tjetër për një nivel më të lartë pasurimi, më pas në një tjetër centrifugë… e kështu me radhë.

“Uraniumi i pasuruar në nivelin e kërkuar përdoret për të ushqyer me energji një reaktor bërthamor,” thotë ish-negociatori bërthamor Robert Einhorn. “Por nëse e pasuron afro 90%, mund ta përdorësh për të prodhuar bombën bërthamore”.

Në prill Irani ra dakord të ulë në 6000 numrin e centrifugave dhe se pasurimi do të kufizohej në rreth 5%. Po sipas marrëveshjes, Irani do të mbante rezerva prej jo më shumë se 300 kg me uranium të pasuruar në masë të ulët.

Marrëveshja kufizon gjithashtu kërkimet për centrifuga më të avancuara.

Plutonium

Marrëveshja e prillit kufizon edhe aktivitetin e Iranit për të prodhuar plutonium të kategorisë bërthamore.

Sipas dokumentit, Irani duhet të bëjë ndryshime inxhinierike në një impiant në mënyrë që ai të punojë me plutonium të thjeshtë, jo të pasuruar.

Uraniumi që gjendet në natyrë përmban izotopin U238 në masën 99%. Kur një neutron godet këtë formë uraniumi, atomi me neutronin transformohen në plutonium.

Ky reaktor me “ujë të rëndë” mund të prodhojë kimikate radioaktive që përdoren për të luftuar kancerin. Kur të përfundojnë ndryshimet inxhenierike, prodhimi i kimikateve do të vazhdojë, por do të kufizohet prodhimi i plutoniumit.

Plutoniumi që formohet në reaktor duhet më pas të ndahet nga pjesa tjetër e karburantit. Irani thotë se do t’i dërgojë këto sasi karburanti jashtë vendit për të eliminuar mundësinë që ky karburant të përdoret si material për bomba atomike. (voa)

Problemet që e presin kancelaren Merkel në Ballkan

Cilat do të jenë mesazhet e kancelares Merkel në Shqipëri, Serbi dhe Bosnje? Analistët mendojnë se më vështirë ajo do ta ketë në Sarajevë, por probleme të mëdha ka dhe në Beograd dhe Tiranë.

ballkaniadaPapunësia e lartë, korrupsioni i gjërë dhe elitat autoritare politike – janë disa nga gjërat e përbashkëta të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë. Në sondazhe thuhet se Bashkimi Evropian po humb atraktivitetin në këto vende. Kjo ka të bëjë edhe me paralajmërimet nga Brukseli se në pesë vitet e ardhshme nuk do të ketë anëtarësime të reja në BE.

Loja gjeopolitike?

Ballkani me shekuj të tërë konsiderohet si një fuçi baroti. Kjo metaforë fiton në peshë në kohët e tanishme të tendosjeve të shtuara mes Perëndimit dhe Rusisë. Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel ka për synim ndër të tjerash edhe kufizimin e influencës ruse në Ballkan, mendon Gunther Krichbaum, Kryetar i Komisionit të BE në Bundestag. “Vendet duhet të vendosin vet se në ç’drejtim duan të shkojnë. Vlerat të cilat i respektojmë ne në BE dallojnë nga ato të cilat i respekton Rusia dhe qeveria e zotit Putin”, thotë Krichbaum.

Me këtë vizitë kancelarja Merkel do të dëshmojë “rëndësinë e Ballkanit për Gjermaninë dhe BE”, mendon Dusan Reljic, drejtues i Zyrës së Fondacionit gjerman për Shkencë dhe Politikë, në Bruksel. Merkel do t’u tregojë “lojtarëve të mëdhenj” në Lindje – para së gjithash Rusisë, por edhe Kinës dhe Turqisë se Bashkimi Evropian edhe më tej është spiranca e këtij rajoni. Reljiq mendon se për shkak të krizës në Greqi, i gjithë rajoni i Ballkanit mund të shndërrohet në një vend “turbulent” për investime. Kancelarja Merkel me këtë vizitë mund të zbutë këtë përshtypje.

Afërsia me Brukselin

Serbia është kandidate për anëtarësim në BE që tre vjet, por ky status është vënë nën akull për shkak të përparimit tepër të ngadalshëm të negociatave me Kosovën. Kosova e ka shpalluar pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi nuk e njeh këtë shtet. Me 2013 është nënshkruar Marrëveshja e Brukselit, e cila i mundëson Kosovës liri të mëdha për vendosje në fushat e drejtësisë dhe administrimit dhe garanton të drejtat e serbëve në rajonet ku ata përbëjnë shumicë në Kosovë. Por shumë pjesë të kësaj Marrëveshjeje nuk janë zbatuar deri tani.

“Këtu duhet të veprohet”, mendon pilitikani i CDU, Krichbaum. Në BE nuk dëshiron askush të ketë “një Qipro tjetër”, pra një vend me probleme territoriale. “E di që në Serbi flitet shumë se cilin kapitull duhet hapur të parin në negociatat për aëntarësim në BE”, thekson Krichbaum. Por ajo që është me rëndësi, është që vendi të përgatitet mirë për anëtarësim në BE.

Problemet e vjetra dhe të reja

Edhe në Bosnje-Hercegovinë ka probleme shumë të mëdha në raport me BE-në. Në mars është futur në fuqi një Marrëveshje për stabilizimin e vendit, me të cilin duhet të krijohen disa instrumente për partneritet më të fuqishëm ekonomik dhe politik mes BE dhe Sarajevës. Por kushti kryesor për funksionimin e tyre janë reformat kushtetuese – të cilat deri tani nuk janë kryer. “Realiteti nuk është edhe tepër premtues”, pohon Krichbaum.

Politikanët dhe administrata në Bosnje ende është e ndërtuar mbi bazat e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në këtë vend para dy dekadash. Marrëveshja parashikon që vendimet e rëndësishme të merren me konsensus mer Federatës boshnjako-kroate dhe Republikës Serpska. Kjo ka shkaktuar bllokada të shumta në vendmimmarrje.

Vëzhguesit thonë se Kancelarja Merkel në Tiranë do ta ketë më lehtë se në Sarajevë apo Beograd. Nga këndvështrimi i Perëndimit, Shqipëria “është një faktor stabiliteti në Ballkan”, thotë Dushan Reljiq. Ai pret që Merkel të kërkojë në mënyrë diskrete nga Kryeministri Edi Rama që të mos deklarohet më për Shqipërinë e Madhe dhe projektet e ngjashme nacionaliste, të cilat përfshijnë Shqipërinë, Kosovën dhe disa pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

“Berlini me siguri që do të kërkojë edhe ndonjë zgjidhje për numrin e shtuar të azilkërkuesve nga Shqipëria”, mendon Reljiq. Partia CSU dhe disa politikanë të tjerë kanë kërkuar kaherë që edhe Shqipëria të renditet në radhën e vendeve me prejardhje të sigurt, që do të thotë se personat nga këto vende nuk kanë kurfarë shansi për azil në Gjermani. (dw)

Projektet gjermane në Shqipëri histori suksesi

Marrëdhënie gjermano-shqiptare kanë qenë konstante pavarësisht cili krah ka qenë në qeveri dhe projektet e financuara nga Gjermania janë modele udhërrëfyese për vendet e tjera donatore të Shqipërisë.

flam gjermVizita e Kancelares Angela Merkel në Tiranë, në kuadër të turit të saj rajonal, ka rikthyer në opinionin publik dhe mediatik të Shqipërisë, bilancin e marrëdhënieve mes dy vendeve në planin politik dhe ekonomik, si dhe vlerësimin mbi rolin dhe mbështjen e Gjermanisë në procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit.

Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Gjermani, mendon se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera në shumë plane dhe ato janë intensifikuar pas takimit të kryeministrit Edi Rama me Kancelaren në prill të vitit të kaluar. Në bisedë me Deutsche Welle-n, ai thotë se pas këtij takimi lindi procesi i Berlinit me vendet e Ballkanit, si një instrument i ri bashkëpunimi rajonal, të cilin koha tregoi se ishte i domosdoshëm për hapjen e një faze të re marrëdhëniesh dypalëshe dhe shumëpalëshe mes vendeve të kësaj pjese të Evropës, të cilat 2 dekada më parë ishin në konflikte. Sot bëjnë projekte të përbashkëta zhvillimi dhe aspirojnë së bashku për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, deklaron Taulant Balla.

“Këto 14 muaj kanë qenë shumë të rëndësishëm edhe në identifikimin e projekteve të cilat Gjermania ka vendosur t’i mbështesë në Shqipëri. Në fillim të kësaj jave firmosën 7 marrëveshje ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë, përmes të cilave financohen 118 milionë euro në sektorë të rëndësishëm si energjia dhe eficenca energjitike, sektori rural dhe zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë, investimet në furnizimin me ujë të pijshëm, si dhe mbështetja e SME-ve. Në fakt këto janë sektorë ku Gjermania ka treguar interes të vazhdueshëm në vendin tonë. Dua të them se projektet e financuara nga Gjermania janë modele udhërrëfyese për vendet e tjera donatore të Shqipërisë. Arësyeja është e thjeshtë. Projektet gjermane në Shqipëri janë histori suksesi”.

Marrëdhënie konstante pavarësisht cili krah ka qenë në qeveri

Për ish-ministrin e Jashtëm Prof. Tritan Shehu, aktualisht eksponent kryesor në Partinë Demokratike në opozitë, ecuria e marrëdhenieve shqiptaro-gjermane është zhvilluar pavarësisht ngjyrave politike të qeverisjeve. Gjermania është një mbështetëse e fortë e proceseve tona demokratike e integruese, shprehet ai për Deutsche Welle-n.

“Është donatori kryesor për ne përmes strukturave të BE-së. Janë marrëdhënie lineare dhe në ngritje, gjë që lidhet dhe me avancimin tonë drejt BE-së”.

Prof. Tritan Shehu e konsideron një zhvillim shumë të rëndësishëm faktin që Gjermania kohët e fundit po tregohet më “agresive” me politikat e saj drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Konferenca e Berlinit, e cila do të vijojë pas pak javësh me atë të Vjenës, vizita e Kancelares në rajon, mesazhet e lëshuara prej saj për dinamikën e zhvillimeve në Ballkan, janë tregues që bindin për rolin aktiv të Gjermanisë. Për Shqipërinë dhe vendet e rajonit vizita e Kancelares Merkel është suport për procesin e integrimit evropian. Unë mirëkuptoj deklaratat e qarta të saj për nevojën e përmbushjes së standardeve nga ana e Shqipërisë, për përshpejtimin e procesit të integrimit është një ndihmë konkrete shtesë ndaj nesh”.

Azilkërkuesit nga keqinformimi dhe keqinterpretimi

Një nga temat që Kancelarja do të diskutojë me autoritetet zyrtare në Tiranë është dhe fenomeni i azilkërkuesve. Për kryetarin e grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Gjermani, realisht rritja e numrit të tyre me origjinë nga Ballkani Perëndimor përbën një shqetësim për qeverinë gjermane dhe vende të tjera anëtare të Schengen-it.

“Fillimviti shënoi një rrije të madhe të azilërkuesve nga Shqipëria kjo edhe për shkak të keqinformimit dhe keqinterpretimit se gjoja Gjermania ka nevojë për punëtorë apo se shqiptarët mund të përfitojnë azil ekonomik në Gjermani. Këto keqinformime u keqpërdorën dhe çuan në një rritje të pakuptimitë të azilërkresve shqiptarë. Por pas intensifikimit të komunikimit publik nga ana e institucioneve shtetërore shqiptare dhe atyre gjermane se shqiptarët nuk përfitojnë azil në Gjermani, pas shfryrjes së tullumbacit artificial të azilit, ka një rënie të numrit të shqiptarëve që gënjehen për tu nisur drejt Gjermanisë me qëllim azilin”.

Për Ballën faza e emergjencës ka kaluar dhe këtu një rol shumë të mirë po luan edhe Policia e Kufirit, të cilët në shumë raste kthejnë mbrapsht kontigjentet e dyshuara që kanë objektiv azilkërkimin.

Duke folur për çështjen e azilkërkuesve nga Shqipëria në Gjermani eksponenti i PD-së, Tritan Shehu thotë se kemi të bëjmë me nje simptomë të qartë të problemeve të brendshme, i gabimeve dhe i defekteve që nuk po marrin zgjidhje.

“Përpjekjet tona konkrete për përmbushjen e standardeve të BE, forcimi i institucioneve tona, zhvillimi ekonomik e social i vendit etj., do ta minimizojnë këtë fenomen tejet negativ. A rrezikojmë që realisht të rivendoset regjimi i vizave? Kjo për mua është dytësore. Parësore është detyrimi i shtetit shqiptar për të luftuar këtë fenomen, që ka në origjinë shumë faktorë, siç u shpreha më parë. Pa dyshim nëse kjo dukuri zgjat e zgjerohet, atëherë ka rrezik dhe sistemi aktual i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen të BE-së”.

Mundësia e rivendosjes së vizave, sipas deputetit të mazhorancës së majtë, do të ishte një absurditet. Do të kishte efekt të kundërt, shprehet Taulant Balla për Deustche Welle-n.

“Në vend që të pakësonte numrin e azilkërkuesve do ta stimulonte. Muri i vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor ka rënë dhe as nuk duhet kujtuar. Ka qenë një histori e keqe e ndarjes së Europës. Europa ka nevojë për bashkim. Prandaj apeli im për Gjermaninë është që të mbështesë aspiratën e vendeve të Ballkanit për anëtarësim sa më të shpejtë në Bashkimin Europian. Bashkimi ynë me Europën është ndreqje e gabimeve të historisë. Edhe ndarja e Gjermanisë ishte gabim i historisë, ndërsa ndreqja ishte një domosdoshmëri”.

Marrëdhëniet gjermano shqiptare nga donacionet te partneriteti

Një temë kryesore që pritet të prekë Kancelarja në vizitën e saj në Tiranë është bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, ku ajo pritet të jetë pjesmarrëse në një forumin të përbashkët. Gjergj Buxhuku, kryetar i AlbKonfindustria-s e vlerëson Gjermaninë si një partner të rëndësishëm tregtar dhe ekonomik të Shqipërisë, por ende, sipas tij, mjaft larg mundësive reale, që paraqesin tregjet tona.

“Në pothuaj çerek shekulli forma e marrëdhenieve ndërmjet dy vendeve është shndërruar cilësisht në kohë varësisht fuqizimit ekonomik të Shqipërise. D.m.th nga marrëdhënie fillestare me Gjermaninë si donatore dhe Shqiperinë në vështrim të parë si përfituese, drejt kalimit gradual në formë të pastër partneriteti me përfitim të ndërsjellë për të dy vendet. Strategjia e pranisë gjermane në ekonominë shqiptare ka synuar qartësisht tregjet strategjike si energji, telekomunikacion, sistem bankar, rrjete konjeksioni, furnizim me ujë, aeroporte, etj. Por, tashmë, që Shqipëria është fuqizuar dhe po përfshihet në tregjet globale vlerësoj, se ende jemi në fillimet e bashkëpunimit ekonomik në përfitim të ndërsjellë”.

 

Vizitën e Kancelares Merkel Gjergj Buxhuku e shikon edhe si tregues të qartë të miqësisë historike mes dy vendeve, por edhe si një vetëkorrigjim të qëndrimit të diplomacisë së deritashme të Berlinit ndaj kombit shqiptar dhe rajonit.

“Pas dështimeve dramatike të Greqisë, pamundësisë së Italisë dhe paaftësisë së Bashkimit Europian, politika gjermane ka kuptuar, se duhet të jetë e pranishme me projekte zhvilluese dhe ndikim në mënyrë të drejtpërdrejtë politik në hapsirat shqiptare dhe rajonin e Ballkanit Perendimor. Për më shumë rëndësia ekonomike dhe gjeostrategjike e kombit rreth 7 milionësh shqiptar ne hapësirat e Shqipërise, Kosovës, Maqedonisë etj., është thelbësore për zhvillimin e qendrueshëm të gjithë rajonit dhe gjithmonë edhe më e rëndësishme për vetë BE-në. Sa më sipër krijon mbështetje të fuqishme për bashkëpunim të suksesshëm ndërmjet bizneseve të dy vendeve”.

Në nxitjen e investimeve gjermane në Shqipëri ka rol dhe grupi parlamentar i miqësisë Shqipëri-Gjermani me 39 deputetë. Drejtuesi i kësaj strukture Taulant Balla, shprehet se përpos synimit të forcimit të dialogut politik mes dy parlamenteve, ai shërben gjithashtu edhe si një instrument mbështetës për çdo kompani gjermane që është e interesuar për të investuar në Shqipëri.

“Për këtë qëllim i drejtohem sot çdo sipërmarrësi gjerman, duke i thënë se deputetët e këtij grupi miqësie kërkojnë dhe do të mbështesin më shumë prezencë të kompanive gjermane në Shqipëri. Vizita e Kancelares Merkel është një rast më shumë për të ritheksuar domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, për shkak se ne vlerësojmë se modeli transformues i Gjermanisë, modeli i suksesshëm në kulturën e sipërmarrjes të sektorit privat në Gjermani, janë një mundësi por edhe edhe një kërkesë legjitime, për të kërkuar më shumë prezencë të kompanive gjermane në rajon dhe sigurisht, edhe në Shqipëri”. (dw)

E diela, afati i fundit për Greqinë

Nesër Athina duhet të paraqesë propozimet e saj të cilat do të diskutohen në një takim të 28 vendeve anëtare të BE-së, jo vetëm të atyre të Eurozonës

merkel tsipasUdhëheqësit europianë, mbyllën takimin e mbrëmshëm të nivelit të lartë, ende pa ndonjë rezultat, ndërsa kryeministri grek Aleksis Tsipras, nuk paraqiti një plan konkret reformash, i cili do të duhet të dorëzohet brenda ditës së nesërme. Dita e dielë do të jetë afati i fundit për gjetjen e një zgjidhjeje. Presidenti I Këshillit europian Donald Tusk deklaroi mbrëmë se “realiteti kokëfortë është se kemi vetëm 5 ditë për të arritur një marrëveshje. Deri tani kam evituar të flas për afate. Por sonte dua të them me zë të lartë dhe të qartë se afati I fundit skadon këtë javë. Ne të gjithë jemi përgjejës për krizën dhe të gjithë kemi përgjegjësinë për ta zgjidhur atë”, nënvizoi Tusk.

Të dielën propozimet e pritshme greke do të duhet të diskutohen në takimin e nivelit të lartë ku sci njftoi kancelarja Merkel “do të marrin pjesë të 28 vendet anëtare të Bashkimit europian, jo vetëm ata të eurozonës, ndërkohë që Banka qendrore europiane, deri atëherë do të mbajë në jetë bankat greke”.

Presidenti i Komisionit europian Jean Claude Juncker nënvizoi se “jemi të përgatitur për të gjithë skenarët, për Grexit, për ndihma humanitare ndaj Greqisë si dhe për qëndrimin e Greqisë në euro, i cili është dhe skenari që preferoj”, tha ai. Kryeministri grek Tsipras u mundua të qetësojë. “Propozimi I ri përfshin reforma të besueshme. Diskutimi ka qenë pozitiv dhe do të duhet të përmbyllim gjithshka brenda së dielës”, u shpreh ai.

NJË DITË BISEDIMESH INTENSIVE

Të martën, ministrat evropianë të financave u mblodhën në Bruksel për një takim të ngutshëm, ku qeveria greke pritej të bënte propozime të reja për të siguruar një marrëveshje ndihme dhe për të shmangur daljen e vendit nga Eurozona.

Eurogrupi ishte mbledhja përgatitore për një takim të krerëve të vendeve të Eurozonës, i planifikuar për sonte, në të cilën Kryeministri grek Aleksis Tsipras duhet të bindë të 18 udhëheqësit e tjerë.

Shumë prej këtyre udhëheqësve janë të lodhur me pesë vitet e krizës greke, për të autorizuar një kredi të re shpëtimi. Përballja e sotme mund të përcaktojë gjithashtu nëse bankat greke do të rihapen gjatë kësaj jave, apo do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Kreu i Eurodrupit Jeroen Dijsselbloem tha se tani për tani nuk ka pasurpropozime të reja nga ministri grek, dhe hapi i parë do të jetëqeveria greket’i dërgojë Eurogrupit një kërkesë të re.

Trysnia mbi Athinën është rritur, ndërkohë që një nga huadhënësit e saj kryesorë, Banka Qendrore Evropiane, ka vendosur të mos e rrisë sasinë e fondeve emergjente për bankat greke. Pa ndihmë nga jashtë, këto banka pritet të mos kenë më para të mërkurën, në një kohë që Greqia përsëri nuk do të jetë në gjendje të shlyejë pagesën ndaj kreditorëve evropianë këtë muaj.

Në deklaratat e tyre ministrat e financave ishin të ndarë lidhur me qëndrimin që duhet të mbajnë ndaj Greqisë.

Ministri gjerman, Wolfgang Scheuble:

“Pa një program, nuk është e mundur të ndihmohet Greqia në kuadrin e Eurozonës. Sigurisht BE-ja ka detyrime për ta ndihmuar Greqinë, por ajo që ne po presim me padurim është një vendim nga qeveria greke.”

Ministri finlandez, Alexander Stubb:

“Jo, nuk jemi të gatshëm ta lehtësojmë borxhin grek. E bëmë këtë në vitin 2011 dhe përsëri në 2012. Mendoj se koha po mbaron, afati i fundit është 20 korriku.”

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker i tha sot Parlamentit Evropian se qeveria greke duhet të dalë me propozime për të zgjidhur krizën e borxhit.

“Topi është në fushën e qeverisë greke dhe qeveria greke duhet të shpjegojë në Bruksel sot, se si e sheh daljen nga kjo gjendje. Presidenti i Komisionit Evropian dhe Komisioni Evropian janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë që të nevojshme në një afat kohor të arsyeshëm për të arritur një marrëveshje.”

Zoti Juncker tha se është kundër atyre të cilët bëjnë thirrje që Greqia të detyrohet të dalë nga Eurozona, por kritikoi gjithashtu autoritetet e Athinës për retorikën që kanë përdorur.

“Nxjerrja e Greqisë nga bashkimi monetar madje nga Bashkimi Evropian nuk është diçka që ne e dëshirojmë. Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë për një hapje të vërtetë negociatash me Greqinë,” tha zoti Juncker.

Komisioneri i BE-së për ekonominë, Pierre Moskovici tha se një dalje e Greqisë nga Euroja do të ishte një dështim i tmerrshëm, kolektiv.

“Presioni është sidomos mbi grekët, bankat janë të mbyllura dhe situata është e vështirë. Mendoj se qeveria greke ka interes të dalë sa më shpejt me zgjidhje serioze dhe të besueshme.”

Bankat greke qëndruan sot të mbyllura për të nëntën ditë. Disa njerëz të intervistuar në rrugët e Athinës thonë se do të përpiqen të jenë të durueshëm, ndërsa kryeministri i tyre negocion për një marrëveshje në Bruksel.

“Do të ishte një mrekulli nëse bankat hapen për dy ditë. Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Duhet një periudhë kalimtare në mënyrë që bankat të mund të rifitojnë besimin e popullit, që njerëzit të mos vërsulen për të kërkuar paratë,”thotë inxhinieri Pavlos Kristou.

“Nuk dua të them diçka të keqe. Unë e dua vendin tim. Për fat të keq qeveria e ka sjellë vendin në prag të shkatërrimit. Të shkretët të rinjë që jetojnë me pensionet e prindërve. Çfarë do të ndodhë me këta fëmijë të varfër?” thotë Nikos.

Nëse bankat greke mbeten pa para dhe vendit do t’i duhet të shtypë monedhën e vet, kjo mund të çojë në daljen e Greqisë nga Euroja dhe ajo do të ishte vendi i parë që do ta bënte këtë duke krijuar një precedent dhe duke ngritur dyshime në lidhje me qëndrueshmërinë afatgjatë të bashkimit monetar evropian. (dw)

Tema më e vështirë në dialogun Kosovë-Serbi, asociacioni i komunave serbe

Pala serbe kërkon kompetenca ekzekutive për asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Prishtina zyrtare thotë “asociacioni pa kompetenca ekzekutive. A do të ketë kompromis?

 

asociacioni sebrveNë bisedimet Kosovë-Serbi, tema më e vështirë duket se është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo për faktin që Beogradi zyrtar kërkon që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, kërkesë kjo që kundërshtohet nga Prishtina zyrtare. Bisedimet e vështira në këtë pikë i konfirmon edhe vet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tij, “normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është faktor i rëndësishëm, jo vetëm i së ardhmes evropiane të Kosovës, por edhe i përqendrimit në zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, ka shkruar kryeministri Isa Mustafa në profilin e tij në facebook para takimit të radhës me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuciq. Dialogu me Serbinë sipas kryeministrit të Kosovës, ende është në fazën ku mbeten shumë çështje të pazgjidhura që duhet të dialogohen.

Ndër temat më të vështira

“Asociacioni i Komunave po vërtetohet se është ndër temat më të vështira. Delegacioni i Kosovës u tregua korrekt dhe konstruktiv, për të gjetur zgjidhje brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit tonë. Në anën tjetër, pala serbe ishte insistuese që Asociacioni të kryejë disa punë të pushtetit qendror dhe atij lokal, kurse njerëzit që i kryejnë këto punë, të kenë cilësinë e punonjësve shtetëror”, thotë kryeministri Mustafa. Sipas tij, çdo zgjidhje për asociacionin e komunave serbe që do të krijonte asimetri pushtetesh dhe siç thotë kryeministri Mustafa, po ashtu “do të jetë e dëmshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për miqtë tanë që na kanë ndihmuar në ndërtimin demokratik dhe institucional”.

 

Gatishmërinë për të arritur marrëveshje me Kosovën lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe e ka shprehur edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuciq. Ai thotë se natyrisht duhet të ketë marrëveshje kompromisi.

“Sa na përket neve, ne jemi gjithmonë gati t’i vazhdojmë bisedimet. Ne edhe herën e kaluar kemi qenë në Bruksel që të merremi vesh dhe jo që t’i shmangemi marrëveshjes dhe të mos nënshkruajmë diçka, por të arrijmë një marrëveshje që është e mirë për popullin tonë, si dhe të arrijmë marrëveshje që paraqet kompromis. Ne jemi të gatshëm që të arrijmë një zgjidhje kompromisi, por nuk jemi dhe nuk do të jemi të gatshëm që të marrim pjesë në poshtërimin e Republikës së Serbisë”, ka thënë Aleksandër Vuçiq, citojnë mediat lokale serbe .

Serbët e Kosovës udhëheqin në 10 komuna nga 33 sa i ka e tërë Kosova. Katër komunat në veri të Kosovës, Leposaviqi, Zvecani, Zubin Potoku dhe Veriu i Mitrovicës janë katër komunat që për herë të parë morën pjesë në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2013 të organizuara nga institucionet e Kosovës. Pjesëmarrja e këtyre komunave në zgjedhjet lokale ndodhi pas marrëveshjes së 19 prillit të po të njëjtit vit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ku në këtë marrëveshje parashihej edhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, por jo me kompetenca ekzekutive.

Probleme me kompetencat

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, ndërkaq, thonë se krijimi i asociacionit të komunave serbe në rast se ka kompetenca ekzekutive do të pamundësojë funksionimin normal të këtyre komunave. Dren Doli nga Instituti për studime juridike dhe politike, i tha DW se “Fillimisht është e udhës të konstatohet që krijimi i asociacionit të komunave serbe është parashikuar në masë të madhe të zëvendësojë bartësit e kompetencave të zgjeruara komunale (që u takojnë atyre sipas planit Ahtisaari) dhe të koncentroj këto në asociacionin. Nëse kjo e fundit ndodh, ai thotë se Kosova do të përballet me tri pasoja të menjëhershme.

“E para, krijimi i asociacionit do të pamundësojë që kompetencat komunale të ushtrohen nga komunat, si dhe ushtrimi i tyre do të varet nga konsensusi i të gjithë anëtarëve të asociacionit. Kjo rrjedhimisht do të krijoj një gjendje ku autoritetet e zgjedhura komunale nuk mund të ushtrojnë kompetencat që u takojnë pa konsensusin politik të asociacionit. Po aq, ky model përmbys përfundimisht idenë e demokracisë komunale në ato komuna”, thotë Dren Doli.

Përfaqësimi politik i decentralizuar

Ai thotë po ashtu se “krijimi i asociacionit mohon mundësin e përfaqësimit politik të decentralizuar dhe të pavarur të serbëve dhe përfundimisht shuan shpresat e përfaqësimit politik pa lidhje me Beogradin, si dhe izolon tutje serbët nga pjesa tjetër e Kosovës”.

“Asociacioni do të shërbej si organ me funksion të dyfishtë. Roli i parë, i cili do të jetë formal, do t’i mundësoj Asociacionit që të shërbej si institucion i përfaqësimit të interesave të Serbëve të Kosovës. Roli i dytë, i cili do të jetë qenësorë, do t’i mundësoj Beogradit që të zëvendësoj komunat paralele dhe përfaqësimin e interesave të Serbisë në Kosovë me asociacionin. Me këtë rast, një pjesë të buxhetit si dhe resurseve të përfaqësimit politik të menaxhuara nga Qeveria e Serbisë do i barten asociacionit si përfaqësues i autorizuar e Qeverisë së Serbisë në Kosovë”, thotë Dren Doli, Instituti për studime juridike dhe politike.

Sidoqoftë, takimi i 23 qershorit 2015 ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuciq, nuk solli nënshkrim të ndonjë marrëveshje ashtu siç pritej. Janë edhe dy çështje tjera që në këtë fazë pritet të arrihet marrëveshje. Është çështja e kodit telefonik ( prefix ) të Kosovës dhe heqja e barrikadës, apo siç njihet tash “parkut të paqes”, në Urën qendrore mbi Lumin Ibër. Data e takimit të radhës ndërmjet kryeministrave Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuciq, akoma nuk është bërë e njohur. Zyrtarë nga qeveria e Kosovës thonë se data e këtij takimi do të caktohet nga shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini e cila është lehtësuese e këtij dialogu. (dw)

Universitetet publike në Kosovë regjistrojnë 15.515 studentë

UPUniversiteti i Prishtinës nga nesër do të shpallë konkursin për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2015/2016.

Në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen rreth 7 mijë e 800 studentë, prej të cilëve 7 mijë e 330 të rregullt dhe 550 studentë me korrespondencë. Kuotat e studentëve i ka miratuar Ministria e Arsimit, ndërkohë, shtatë fakultetet që kanë pranuar studentë pa provim pranues, sivjet do të kenë provim.

Universiteti i Prishtinës, ka ulur ndjeshëm numrin e studentëve të cilët do të pranohen në vitin e ri akademik 2015/2016. Radio Kosova ka siguruar vendimin e Ministrisë së Arsimit, e cila ka vendosur që krahasuar me vitin e kaluar akademik, këtë vit numri i studentëve që do të pranohen në Universitetin e Prishtinës është zvogëluar për 2 mijë e 724 studentë. Prorektorja për mësim në Universitetin “Hasan Prishtina”, Eda Vula, tha për Radio Kosovën, se për këtë vit akademik do të regjistrohen 7 mijë e 880 studentë, prej të cilëve 7 mijë e 330 studentë të rregullt dhe 550 studentë me korrespondencë.

“Të gjitha njësitë akademike kanë bërë një analizë të stafit dhe kushteve të tjera përcjellëse, të cilat na kanë detyruar që të reduktojmë numrin e studentëve. Pra, numri i studentëve është propozuar nga njësitë akademike, është aprovuar në Senat, mbështetur në kushtet dhe stafin që ne posedojmë. Kemi bërë një ndryshim apo zvogëlim të numrit të studentëve, gjithsesi duke u mbështetur në nevojat që ka shoqëria jonë por edhe duke u bazuar në kushtet që mund të ofrojmë, gjithmonë për hir të ngritjes së cilësisë.” tha Eda Vula.

Ndërkohë, Senati ka vendosur që për vitin e ri akademik do të ketë provim pranues edhe në fakultetet e shkencave matematikore-natyrore, të cilat vitet e kaluara kanë pranuar studentë pa provim pranues. Prorektorja Vula, tha se arsyeja e vendosjes së provimit pranues është që duhet të ketë studentë më të mirë.
“Arsyeja pse këtë vit do të ketë provim pranues është po ashtu të kemi studentë më të mirë. Nga përvojat e kaluara, njësitë akademike e kanë vërejtur se regjistrohen studentët, por pastaj nuk arrijnë të kalojnë vitin e dytë të studimeve për shkak të suksesit të dobët. Këtë vit kërkesa ka ardhur nga njësitë akademike që edhe ato fakultete që nuk kanë pasur provim pranues të kenë provim pranues. Senati e ka miratuar dhe Ministria e Arsimit gjithashtu e ka miratuar. Këtë vit të gjitha njësitë akademikë do të kenë provim pranues.” ka thuar Vula.

Konkursi për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës do të jetë i hapur deri më 16 korrik, ndërsa provimet pranuese do të mbahen më 20 dhe 21 korrik, kurse rezultatet publikohen më 23 të po këtij muaji.

Vendimi i Ministrisë së Arsimit:

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në vitin akademik 2015/2016, në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 7880 studentë, prej të cilëve 7330 studentë të rregullt dhe 550 studentë me korrespondencë.

MAShT ka zvogëluar numrin e studentëve të propozuar nga Senati i Universitetit të Prishtinës për 270 studentë, si në vijim:

1. Fakulteti Filozofik, do të regjistrojë 540 studentë. MAShT ka zvogëluar numrin e propozuar nga Senati i UP “Hasan Prishtina” për 150 studentë.

2. Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, do të regjistrojë 595 studentë.

3. Fakulteti i Filologjisë, do të regjistrojë 640 studentë. MAShT ka zvogëluar numrin e propozuar nga Senati i UP “Hasan Prishtina” për 45 studentë.

4. Fakulteti Juridik, do të regjistrojë 900 studentë. MAShT ka zvogëluar numrin e propozuar nga Senati i UP “Hasan Prishtina” për 100 studentë.

5. Fakulteti Ekonomik, do të regjistrojë 1380 studentë. MAShT ka zvogëluar numrin e propozuar nga Senati i UP “Hasan Prishtina” për 170 studentë.

6. Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, do të regjistrojë 330 studentë. MAShT ka rritur numrin ne propozuar nga Senati i UP “Hasan Prishtina” për 20 studentë.

7. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, do të regjistrojë 500 studentë. MAShT ka rritur numrin e propozuar nga Senati i UP “Hasan Prishtina” për 80 studentë.

8. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, do të regjistrojë 605 studentë të rregullt, MAShT ka rritur numrin e propozuar nga Senati i UP “Hasan Prishtina” për 45 studentë.

9. Fakulteti i Mjekësisë, do të regjistrojë 365 studentë.

10. Fakulteti i Arteve, do të regjistrojë 175 studentë.

11. Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, do të regjistrojë 700 studentë. MAShT ka rritur numrin ne propozuar nga Senati i UP “Hasan Prishtina” për 45 studentë.

12. Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit, do të regjistrojë 140 studentë.

13. Fakulteti Edukimit, do të regjistrojë 460 studentë.

14. Fakulteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, do të regjistrojë 550 studentë.

 

Krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen në vitin e parë të studimeve për nivelin e parë në Universitetin e Prishtinës është zvogëluar për 2724 studentë.

2.1. Fakulteti Filozofik, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është zvogëluar për 540 studentë.

2.2. Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është zvogëluar për 70 studentë.

2.3. Fakulteti i Filologjisë, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është zvogëluar për 165 studentë.

2.4. Fakulteti Juridik, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është zvogëluar për 600 studentë.

2.5. Fakulteti Ekonomik, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është zvogëluar për 620 studentë.

2.6. Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është rritur për 20 studentë.

2.7. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është rritur për 20 studentë.

2.8. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është zvogëluar për 145 studentë.

2.9. Fakulteti i Mjekësisë, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është zvogëluar për 55 studentë.

2.10. Fakulteti i Arteve, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është zvogëluar për 39 studentë.

2.11. Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është rritur për 50 studentë.

2.12. Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është rritur për 10 studentë.

2.13. Fakulteti Edukimit, krahasuar me vitin e kaluar akademik 2014/2015 këtë vit numri i studentëve që do të pranohen është zvogëluar për 140 studentë.

2.14. Fakulteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, do të regjistrojë 550 studentë

 

– Në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë në vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 2203 studentë.

– Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren në vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 2115 studentë.

– Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan në vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 1515 studentë.

– Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë në vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 560 studentë.

– Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë në vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 1242 studentë.
Në gjitha universitetet publike në Kosovë, në vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve do të regjistrohen 15,515 studentë. (rtk)