‘Monstra’, avokati fajëson Gjykatën e Apelit për dështimin e seancës

monstraInstitucionet ia hedhin njëra tjetrës përgjegjësinë, lidhur me shtyrjen e seancës së djeshme të Gjykatës së Apelit për rastin “Monstra”. Avokati Naser Raufi fajëson thjesht Gjykatën e Apelit. Ai thotë se burgu mund të sjellë në sallë të akuzuarit vetëm kur kjo i kërkohet nga gjykatat e vendit. Ai aludon se Gjykata nuk kishte dërguar fare kërkesë për sjelljen e të akuzuarve në seancë. Me Gjykatën e Apelit kontaktuam edhe përmes zyrës për Marrëdhënie me Publikun, si dhe u dërguam pyetje në formë të shkruar. Por për përgjigjen na u tha se duhet të presim.

“Sipas deklaratës së Drejtorit të burgut të Idrizovës, përgjegjësia është përfundimisht e Gjykatës së Apelit, pasi dëgjuam deklaratën e Drejtorit të burgut që tha se nga Gjykata e Apelit nuk ka marrë ndonjë urdhër për të sjellë të akuzuarit, Agimin dhe Hakiun në seancën e Apelit. Absolutisht përgjegjësia është e Gjykatës së Apelit”, deklaroi Naser Raufi, avokat.

“Pas endjes nga një institucion në tjetrin, u rikthyem në fillim, këtu në Gjykatën e Apelit ku për kërkesën tonë me shkrim për atë që ndodhi dje, dhanë përgjigjen e zakontë: do të përgjigjemi nesër”.

Avokati i 6 të akuzuarve për rastin “Monstra” sot ka nisur edhe një shkresë zyrtare te lideri i opozitës Zoran Zaev në të cilën i ka kërkuar që të publikojë bombën e shumëpërfolur për rastin “Monstra”. Materialet, Raufi ka kërkuar që t’u dorëzohen edhe avokatëve dhe prokurorisë.

“Ne avokatët, sot brenda ditës dorëzuam një shkresë te Zaevi, i cili ka paralajmëruar bombat për këtë rast. Mendoj se në kohë të shkurtër do të realizohet kërkesa jonë që provat të cilat i paralajmëroi Zaevi, t’i dorëzojë në Prokurorinë e lartë, ose eventualisht te avokatët”, tha Naser Raufi, avokat.

Gjashtë personat e dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e pesëfishtë që ndodhi në vitin 2012 në afërsi të liqenit të Smilkovës e ankimuan vendimit në Gjykatën e Apelit. Seanca e parë e thirrur për dje u shty me arsyetimin se dy nga të burgosurit nuk u sollën nga burgu. Arben Zeqiri

Ministrat evropianë të financave diskutojnë për Greqinë

eu flamuriMinistrat evropianë të financave u mblodhën në Bruksel për një takim të ngutshëm, ku qeveria greke pritej të bënte propozime të reja për të siguruar një marrëveshje ndihme dhe për të shmangur daljen e vendit nga Eurozona. Përballja e sotme mund të përcaktojë gjithashtu nëse bankat greke do të rihapen gjatë kësaj jave, apo do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Një zyrtar i lartë i Eurozonës tha se Greqia do t’u paraqesë një propozim të ri kreditorëve evropianë “ndoshta” të mërkurën.

Zyrtari, i cili nuk deshi të identifikohet, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Greqia do të paraqesë një kërkesë të re dhe një skicë propozimesh për ndihmë financiare.

Trysnia mbi Athinën është rritur, ndërkohë që një nga huadhënësit e saj kryesorë, Banka Qendrore Evropiane, ka vendosur të mos rrisë sasinë e fondeve emergjente për bankat greke. Pa ndihmë nga jashtë, këto banka pritet të mos kenë më para të mërkurën, në një kohë që Greqia përsëri nuk do të jetë në gjendje të shlyejë pagesën ndaj kreditorëve evropianë këtë muaj.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker i tha sot Parlamentit Evropian se qeveria greke duhet të dalë me propozime për të zgjidhur krizën e borxhit.

“Topi është në fushën e qeverisë greke dhe qeveria greke duhet të shpjegojë në Bruksel sot, se si e sheh daljen nga kjo gjendje. Presidenti i Komisionit Evropian dhe Komisioni Evropian janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë që të nevojshme në një afat kohor të arsyeshëm për të arritur një marrëveshje.”

Zoti Jucker tha se është kundër atyre të cilët bëjnë thirrje që Greqia të detyrohet të dalë nga Eurozona, por kritikoi gjithashtu autoritetet e Athinës për retorikën që kanë përdorur.

“Nxjerrja e Greqisë nga bashkimi monetar madje nga Bashkimi Evropian nuk është diçka që ne e dëshirojmë. Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë për një hapje të vërtetë negociatash me Greqinë,” tha zoti Juncker.

Komisioneri i BE-së për ekonominë, Pierr Moskovici tha se një dalje e Greqisë nga Euroja do të ishte një dështim i tmerrshëm, kolektiv.

“Presioni është sidomos mbi grekët, bankat janë të mbyllura dhe situata është e vështirë. Mendoj se qeveria greke ka interes të dalë sa më shpejt me zgjidhje serioze dhe të besueshme,” tha komisioneri.

Bankat greke qëndruan sot të mbyllura për të nëntën ditë. Disa njerëz të intervistuar në rrugët e Athinës thonë se do të përpiqen të jenë të durueshëm, ndërsa kryeministri i tyre negocion për një marrëveshje në Bruksel.

“Do të ishte një mrekulli nëse bankat hapen për dy ditë. Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Duhet një periudhë kalimtare në mënyrë që bankat të mund të rifitojnë besimin e popullit, që njerëzit të mos vërsulen për të kërkuar paratë,” thotë inxhinieri Pavlos Kristou.

“Nuk dua të them diçka të keqe. Unë e dua vendin tim. Për fat të keq qeveria e ka sjellë vendin në prag të shkatërrimit. Të shkretët të rinjë që jetojnë me pensionet e prindërve. Çfarë do të ndodhë me këta fëmijë të varfër?” thotë Nikos.

Nëse bankat greke mbeten pa para dhe vendit do t’i duhet të shtypë monedhën e vet, kjo mund të çojë në daljen e Greqisë nga Euroja dhe ajo do të ishte vendi i parë që do ta bënte këtë duke krijuar një precedent dhe duke ngritur dyshime në lidhje me qëndrueshmërinë afatgjatë të bashkimit monetar evropian. (voa)

“Merkel në Tiranë, shtysë jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin”

ish ambasadori bashkimi

Ish- ambasadori shqiptar në Berlin, Bashkim Zeneli, shpreh vlerësimet e tij rreth vizitës së kancelares gjermane në Tiranë dhe bën një analizë të marrëdhënieve dypalëshe

Vetëm një ditë na ndan nga vizita historike e kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë. Ish- ambasadori shqiptar në Gjermani, Bashkim Zeneli, është një ndër diplomatët që e njeh më mirë politikën gjermane. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Zeneli shprehet se vizita e Merkelit në vendin tonë do t’i japë një shtysë drejt BE-së, jo vetëm vendit tonë, por të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ai përmend edhe disa nga pikat kyçe, rreth së cilave Shqipëria dhe Ballkani duhet të fokusohen, siç janë mungesa e stabilitetit, ulja e kriminalitetit, korrupsionit, lufta kundër terrorizimit apo edhe kërkesat e larta për azil. Zeneli ka drejtuar ambasadën shqiptare në Gjermani gjatë viteve 1997-2002, një periudhë intensive kontaktesh në nivele të larta mes dy vendeve. Gjatë këtyre viteve, një rol të veçantë në diplomacinë shqiptare zuri edhe çështja e Kosovës.

Zoti Zeneli, si një njohës i mirë i politikës gjermane, por edhe i raporteve të Gjermanisëme Shqipërinë, si e shihni vizitën e kancelares Angela Merkel në Tiranë?

E vlerësoj si një vizitë shumë të rëndësishme e që pa asnjë dyshim do t’i japë një shtysë të re marrëdhënieve midis dy vendeve. Por ajo që është më e rëndësishme duhet parë në një kuadër rajonal, të angazhimit të Gjermanisë në proceset integruese euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. Zonja Merkel është kancelarja e dytë gjermane që viziton Shqipërinë, 16 vjet pas vizitës së kancelarit Shrëder. Unë mund të them se nga qeveria shqiptare shihet një synim bindës për marrëdhënie të qëndrueshme, prioritare, strategjike me Gjermaninë. Ka një rinisje të përgjegjshme e me synime konkrete për bashkëpunim në të gjitha fushat. Gjermania na ka mbështetur vazhdimisht në rrugën tonë euro-atlantike dhe ka kontribuar si rrallëkush në forcimin e shtetit ligjor, të demokracisë, zhvillimit ekonomik, teknik e financiar. Tashmë edhe me vizitën e zonjës Merkel, unë shpreh bindjen se Shqipëria do të dijë ta shohë më së miri Gjermaninë, jo vetëm si një mbështetëse të rëndësishme, serioze, partnere të pazëvendësueshme në BE, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, për paqen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin midis vendeve.

Ky angazhim i Gjermanisë, a mendoni se ka të bëjë edhe me realizimin e detyrave të mbledhjes së Berlinit një vit më parë?

Sigurisht, në radhë të parë ka të bëjë me marrëdhëniet midis të dy vendeve, por pa dyshim është një mesazh i qartë edhe për Ballkanin Perëndimor. Procesi i Berlinit me takimin e 28 gushtit të vitit të kaluar, ishte iniciativë e kancelares Merkel, por si një pjesë e strategjive të BE-së drejt rajonit, për një të ardhme të stabilizuar, në siguri, në mirëkuptim, në paqe, pa konflikte, me demokraci e shtet të së drejtës. Në Gjermani, u kërkua shumë qartë pajtimi midis vendeve të rajonit. Dhe kjo flet shumë, flet se ende ka sherre, të vjetra e të reja, ka shfaqje të nacionalizmit, ka mllefe të së kaluarës që shfaqen edhe me egërsi në momente të caktuara, ka çështje të hapura që duhen zgjidhur, ka mungesë besimi ndaj njëri-tjetrit.

Dhe tashmë që ka kaluar një vit nga Procesi i Berlinit, mund të them se gjërat në rajon kanë nisur të ecin më mirë, apo së paku të gjitha vendet po e kuptojnë se nuk mund të shkohet drejt BE-së, pa mirëkuptim, pa ballafaqim me njëri-tjetrin. Gjermania ka mbështetur dhe nxitur fillimin e një faqe ndryshe të marrëdhënieve të Tiranës me Beogradin, madje e ka paralajmëruar këtë të fundit se nuk ka anëtarësim në BE pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe përparimin e tyre drejt nënshkrimit të marrëveshjeve në shërbim të qytetarëve. Në konferencën e ardhshme që do të mbahet në Vjenë më 27 gusht, vendet e Rajonit, pavarësisht problemeve, do të kenë një bilanc të këtij bashkëpunimi dhe do të mund të paraqesin edhe projekte të përbashkëta në fushën e energjetikës, të infrastrukturës apo të autostradës Nish–Prishtinë, etj.

Mendoni se Gjermania do të jetë mbështetëse e plotë edhe për këto projekte rajonale?

Sigurisht, Gjermania do të jetë mbështetëse, aq sa do të jetë edhe e hapur dhe kritike për gjërat që nuk ecin mirë, në vendet e rajonit, edhe në kuadër të përbashkët. Dhe ka probleme të shumta që krijojnë mungesë stabiliteti. Zhvillimet e paqëndrueshme politike në një vend, padyshim që bëhen pengesë për një bashkëpunim të qëndrueshëm. Aq më tepër, për investime perëndimore në rajon. Ajo që po bën, në kuadrin e BE-së, Gjermania dhe kancelarja Merkel për rajonin, do një vlerësim të veçantë, por është edhe një përgjegjësi e veçantë e secilit vend. Kancelarja Merkel mori iniciativën për Procesin e Berlinit tamam kur nga KE-ja u tha qartë e prerë se nuk do të ketë zgjerim e anëtarësim në BE, të paktën për 5 vitet e ardhshëm. Dhe atëherë kur vendet e rajonit mund të “tulateshin”, të ulnin përgjegjësinë apo të rrisnin skepticizmin ndaj anëtarësimit në BE, Gjermania zgjoi në rajon një vëmendje dhe përgjegjësi të shtuar.

Sot kjo përgjegjësi e Gjermanisë, më shumë se e çdo vendi evropian, është rritur për rajonin edhe për disa motive të tjera, siç janë Ukraina dhe orekset ruse për sfera influence e për invazion. Ky është padyshim një mesazh që BE, në tërësi, është siç po e bën Gjermania në veçanti, duhet të kthejë realisht sytë nga Ballkani Perëndimor. Vendet e rajonit dallohen për kriminalitet të lartë, për korrupsion, për ekonomi informale dhe kjo kërkon edhe reforma të mëdha e të thella në drejtësi, por edhe funksionimin e shtetit ligjor. Nga ana tjetër, këtij angazhimi të Gjermanisë i shtohet për vendet e rajonit edhe lufta kundër terrorizmit. Shqipëria ka një vullnet të qartë në këtë drejtim, por gjithsesi ky problem mbetet i mprehtë në rajon e me rreziqe potenciale, që e bëjnë të domosdoshme një vëmendje ndaj rajonit nga shtetet e BE-së. Së fundi do të thoja se edhe në kuadër të BE-së, por sidomos për Gjermaninë, është rritur vëmendja ndaj rajonit edhe për fenomenin e kërkesave të larta për azil në Gjermani, në radhë të parë. Ndaj përparimi ekonomik do t’i shërbente edhe frenimit të largimeve, sidomos nga Shqipëria, që renditet me kërkesa të larta azilkërkuesish.

Në gjykimin tuaj, cilat do të jenë disa nga çështjet më të rëndësishme që do të diskutohen midis kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama?

Nuk mund të ndalem konkretisht. Por sigurisht që edhe temat që preka më sipër do të jenë objekt diskutimi. Zonja Merkel, përveç nevojës së forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, pa asnjë diskutim sheh edhe problemet rajonale, ato të integrimit në BE, të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, të forcimit të stabilitetit, të paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ndaj në këtë tur ajo do të vizitojë edhe Beogradin dhe Sarajevën. Sigurisht që Gjermania politike ka qenë edhe shumë kritike ndaj problemeve të sistemit tonë të drejtësisë dhe unë mendoj se kjo do të jetë një temë shumë e rëndësishme në bisedimet me Ramën. Po kështu, në mënyrë konstante qeveria gjermane na ka bërë vërejtje për një luftë më të vendosur kundër krimit të organizuar e korrupsionit, e sigurisht, mendoj se edhe kjo çështje do të jetë në vëmendjen e zonjës Merkel.

Gjermania ka qenë shumë e ndjeshme ndaj problemeve edhe ndaj toneve nacionaliste e deklaratave të tilla që krijojnë probleme për të ardhmen tonë euroatlantike, por edhe për stabilitetin në rajonin tonë, që gjithsesi, pavarësisht përparimeve, shpesh ecën si i sforcuar në aspiratën evropiane. Shikojmë ç’po ndodh në Maqedoni, por shohim edhe atë se çfarë ndodhi në Kosovë 6 muaj mbas zgjedhjeve të fundit, sherre karrikesh, duke dhënë një imazh jo të mirë në rrugën drejt BE-së. Kancelarja Merkel i bëri të qartë në Berlin kryeministrit të Kosovës, Mustafa, se pavarësisht përparimeve, ka ende shumë detyra për të përmbushur, si në politikën e brendshme, në plotësimin e standardeve, por edhe në raportet me Serbinë. Merkel theksoi domosdoshmërinë e krijimit të Gjykatës Speciale. Gjermania ka kontribuar jashtëzakonisht shumë, që me mbështetjen në fillimet e luftës në 1997-n, e sigurisht kërkon ta shohë Kosovën në Evropë me kërkesa të rrepta e detyra të përmbushura. Mendoj se edhe konferenca e ardhshme e Vjenës, më 27 gusht do të jetë një pikë e diskutimit, në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Duhet të “hapim” portat për më shumë investime gjermane

Në planin e bashkëpunimit ekonomik, si i gjykoni marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë? Çfarë mendoni se duhet përmirësuar?

Unë dua të theksoj se mbështetjes së jashtëzakonshme politike që Gjermania na ka dhënë ndër vite, nuk i jemi përgjigjur me “hapje të portave” tona për investime e sipërmarrje të ndryshme. Ndaj ne duhet të punojmë bindshëm që Gjermania ta shohë realisht, pa asnjë rezervë, Shqipërinë, si mundësi investimesh të mëdha, e të shtimit të shkëmbimeve ekonomike e tregtare. Për vitin 2014, midis Shqipërisë dhe Gjermanisë rezulton një volum shkëmbimesh prej 300 milionë euro. Kjo është fare pak dhe do të thosha është e papranueshme. Dhe në këtë shifër rreth 240 milionë euro janë importe gjermane dhe 60 milionë euro janë eksportet tona drejt Gjermanisë.

Unë mendoj se duhet parë më mirë edhe struktura e eksporteve tona drejt Gjermanisë. Si çdo biznes, por veçanërisht biznesi gjerman, i ngjan një kaprolli: sa është i bukur dhe i mirë, aq është edhe shumë i frikësuar. Pa asnjë dyshim që biznesi gjerman do të kërkonte një klimë më të shëndoshë ligjore, një luftë më të madhe ndaj korrupsionit, një profesionalizëm më të lartë të administratës, më pak burokraci, sorollatje, më shumë besueshmëri. Unë mendoj se pavarësisht kësaj, ne duhet, edhe në kuadër të vizitës së kancelares Merkel në Tiranë, të kërkojmë, mbi bazën e projekteve konkrete, nxitjen e programeve të bashkëpunimit vjetor ndërmjet dy qeverive, për bashkëpunim teknik e financiar. Është pozitive arritja e 6 marrëveshjeve të reja mes dy shteteve.

Pak ditë më parë u hap një biznes i rëndësishëm gjerman në afërsi të Tiranës. A mund të flasim për një erë të re të bashkëpunimit me firmat gjermane?

Padyshim që hapja e këtij biznesi është shumë e rëndësishme dhe do t’i shërbejë edhe nxitjen për të tjera. Boll kemi thënë: hajdeni investoni! Tani të jemi konkretë. Në këtë drejtim, për sa i përket raporteve ekonomike me Gjermaninë, ishte me interes konferenca e 18 qershorit të vitit të kaluar në Berlin, për nxitjen e investimeve gjermane në Shqipëri, me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama. Në këtë konferencë, zëvendëskancelari dhe ministri Federal i Ekonomisë, Gabriel, duke folur për zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, u përqendrua në disa drejtime, në nxitjen e eksporteve dhe në një përmirësim rrënjësor të sistemit të arsimit profesional. Në këtë të fundit duket se me shumë të drejtë, qeveria shqiptare është kapur mirë dhe rezultatet do të jenë të dukshme. Sigurisht që Shqipëria po luan një rol aktiv me përgatitjen e projekteve rajonale, që i kërkon edhe procesi i Berlinit, por në planin e bashkëpunimit dypalësh ka shumë për të bërë, dhe këtu krahas potencialeve që kemi, duhen përmbushur edhe një sërë detyrash.

Nënshkruhen 6 marrëveshje, me vlerë 118 milionë euro

Qeveria shqiptare dhe ajo gjermane, 48 orë përpara vizitës së kancelares Angela Merkel në Tiranë, nënshkruan 6 marrëveshjeve dypalëshe. Financimi i marrëveshjeve është në formën e huasë dhe granteve. Ato përqendrohen në përmirësimin e sistemit energjetik, furnizimin me ujë të pijshëm, ndërkohë që një tjetër marrëveshje prej 10 milionë euro do të përdoret si rifinancim për ndërmarrjet e vogla e të mesme në zonat urbane. Marrëveshjet morën firmat e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe ambasadorit gjerman Helmut Hofman, i cili u shpreh se, “kjo është një ditë shumë e mirë për bashkëpunimin shqiptaro-gjerman dhe njëkohësisht kurorëzim i një pune dyvjeçare”. Nënshkrimin e 6 marrëveshjeve, ambasadori Hofman e vlerësoi si nisjen e një pritjeje shumë të mirë për kancelaren Merkel. Ndërsa numri një i Financave shqiptare, Shkëlqim Cani, u shpreh se, këto marrëveshje konfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe i hapin mundësinë nënshkrimit të të tjerave në vijim.

Marrëveshjet e nënshkruara:

1 – Për projektin e “Rifinancimit të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme në zonat urbane dhe rurale në fazën e dytë”. Marrëveshja parashikon dhënien e një huaje deri në 10 milion euro.

2 – Për projektin “Energjia ujore dhe siguria e digave në kaskatën e Drinit”. Marrëveshja parashikon dhënien e një huaje deri në 20 milionë euro.

3 – Për projektin “Efiçenca energjitike – programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike”. Ajo parashikon dhënien e një huaje deri në 40 milionë euro, garantuar nga qeveria shqiptare.

4 – Për masën shoqëruese të projektit “Program në sektorin e ujit – furnizim me ujë të zonave rurale II”. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 1.5 milion euro.

5 – Për “Programin III për furnizimin me ujë të zonave rurale”. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 24 milionë euro.

6 – Për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Eficenca Energjitike përmes sektorit bankar. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 12 milionë euro.

Detaje mbi konferencën ekonomike gjermano-shqiptare

Konferenca Ekonomike Gjermano-Shqiptare organizohet në bashkëpunim me organizatat kryesore të ekonomisë gjermane dhe mbështetet nga qeveritë e Gjermanisë dhe Shqipërisë. Në të do të marrin pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit gjerman dhe shqiptar, si dhe të kompanive nga Gjermania dhe Shqipëria, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të informohen mbi çështjet kryesore politike, mundësitë dhe mbështetjen ekonomike si dhe të krijojnë kontakte me aktorë të rëndësishëm të politikës dhe biznesit. Konferenca do të jetë e organizuar në tre panele.

Fushat kryesore që do të diskutohen do të jenë: zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike gjermano-shqiptare, infrastruktura dhe energjia, SME-të, arsimi dhe financimi. Në konferencë do të jenë të pranishëm rreth 300 pjesëmarrës nga Shqipëria, Gjermania dhe rajoni, të cilët interesohen për mundësi bashkëpunimi. Fjalën hapëse në konferencë do e mbajë Rolf Kastro Vaskes, Presidenti i Shoqatës Gjermanë të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri. Për të vijuar me ministrin Arben Ahmetaj dhe sekretarin gjerman të Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjitikës. Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe ministrat Haxhinasto dhe Gjiknuri. Ndërsa në fund do të mbajnë fjalët përshëndetëse kancelaria gjermane Angela Merkel dhe kryeministri Edi Rama.

AI: Refugjatët në Ballkan – të rrahur nga policia, të harruar nga Evropa

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, vë në pah keqtrajtimin e refugjatëve e migruesve në Ballkan dhe kritikon politikat e strehimit në BE

AIMijëra refugjatë, strehimkërkues dhe migrues, përfshirë fëmijë, që po marrin rrugën e rrezikshme nëpër Ballkan, po pësojnë dhunë dhe zhvatje nga autoritetet dhe bandat kriminale dhe janë braktisur turpshëm nga sistemi i dështuar i strehimit dhe migrimit të Bashkimit Evropian i cili i ka lënë ata të kurthuar e pa mbrojtje në Serbi dhe Maqedoni, thuhet në raportin e ri të organizatës Amnesty International.

Dhuna ndaj migruesve dhe refugjatëve në Maqedoni, Serbi e Hungari, dëshmon se një numër në rritje i njerëzve në nevojë, janë lënë në harresë në një boshllëk ligjor gjithandej Ballkanit. Situata është përkeqësuar nga kthimet dhe dëbimet në çdo kufi, qasja e kufizuar në strehim dhe mungesa e rrugëve të sigurta e ligjore në BE.

“Refugjatët që ikin nga luftërat dhe përndjekjet, e bëjnë këtë rrugë nëpër Ballkan me shpresën se do të gjejnë siguri në Evropë, për ta gjetur veten si viktimë të dhunës e shfrytëzimit dhe në mëshirën e një sistemi të dështuar të strehimit”, tha Gauri van Gulik, zëvendësdrejtor i Amnesty International për Evropën dhe Azinë qendrore.

“Serbia dhe Maqedonia janë shndërruar në një batak të vërshimit të refugjatëve dhe migruesve të cilët duket se askush në BE nuk është i gatshëm t’i pranojë”.

Raporti është mbështetur në katër misione hulumtuese në Serbi, Hungari, Greqi e Maqedoni ndërmjet korrikut të vitit 2014 e marsit të vitit 2015 dhe intervistimit të mbi 100 refugjatëve dhe migruesve. Dëshmitë e tyre zbulojnë kushtet tronditëse me të cilat përballen ata që udhëtojnë nëpër rrugët e Ballkanit perëndimorë – që ka tejkaluar rrugën nëpër Mesdhe duke u shndërruar në rrugën më të ngarkuar të kalimit drejt Bashkimit Evropian.

Numri i njerëzve të kapur vetëm në kufirin Serbi – Hungari është rritur për 2 mijë e 500 për qind që nga viti 2010, përkatësisht nga 2 mijë e 370 në 60 mijë e 602.

Rruga që marrin refugjatët dhe migruesit nëpër det nga Turqia në Greqi dhe pastaj në rrugë tokësore nga Maqedonia në Serbi dhe në Hungari, është më pak vdekjeprurëse sesa rruga detare nga Libia, por është e mbushur me rreziqe e pengesa. Që nga janari i vitit 2014, 123 refugjatë, strehimkërkues dhe migrues janë mbytur duke provuar të kalojnë në Greqi nëpërmjet Detit Mesdhe dhe 24 kanë humbur jetën në hekurudha.

“Nga vdekja vijmë  – në vdekje shkojmë”

Ata që arrijnë në ishujt grek – përfshirë fëmijët – përballen me kushte të tmerrshme të pranimit dhe shumica udhëtojnë drejt Athinës, para se të provojnë të kalojnë në Maqedoni, për të vazhduar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Në kufirin e Maqedonisë me Greqinë dhe në atë të Serbisë me Maqedoninë, refugjatët dhe migruesit zakonisht janë subjekte të dënimeve të paligjshme dhe keqtrajtimeve nga policia kufitare. Shumë prej tyre detyrohen të paguajnë ryshfete. Një dëshmitar i tha Amnesty International se policia kufitare serbe afër kufirit me Hungarinë, kërcënoi se do të kthejë mbrapshtë gjithë grupin nëse nuk paguajnë secili nga 100 euro.

Një refugjat afgan i tha organizatës se ishte pjesë e një grupi që u kthye mbrapsht në Greqi nga policia maqedonase. “E pashë një njeri të rrahur keq. Ata rrahën djalin tim 13 vjeçar. Ata më rrahën edhe mua”, tha ai.

Disa nga të intervistuarit thanë se janë kthyer prapa edhe nga 10 herë në operacione që janë kryer shpesh në thellësi të territorit të Maqedonisë.

Migruesit, refugjatët dhe strehimkërkuesit thanë se janë shtyrë, qëlluar me pëllëmbë, shqelmuar e rrahur nga policia kufitare serbe në afërsi të kufirit me Hungarinë dhe një refugjat afgan tha se “një grua shtatzënë në muajin e pestë është rrahur”.

Refugjatët dhe migruesit janë të pambrojtur nga zhvatjet financiare nga trafikuesit dhe sulmet e bandave kriminale. Dy nigerian i thanë organizatës se ishin ndaluar në Maqedoni. “Nëntë veta na sulmuan me thika. Në shkuam në polici të kërkojmë ndihmë… por ata na arrestuan”.

“Nëse vdisni këtu – askush nuk do t’ju kërkojë”

Shumë refugjatë dhe migrues janë burgosur arbitrarisht nga autoritetet. Me qindra, përfshirë familje, gra shtatzëna dhe fëmijë të pashoqëruar, janë mbajtur në periudha të gjata në Qendrën maqedonase për Pranimin e të Huajve – e njohur si Gazi Baba – pa asnjë masë mbrojtëse ligjore apo mundësi për të kërkuar strehim. Shumë syresh janë mbajtur në mënyrë të paligjshme për muaj të tërë në kushte jonjerëzore dhe fyese për të shërbyer si dëshmitar të organeve maqedonase të ndjekjes kundër trafikuesve.

“Në Gazi Babë, ishin mbi 400 apo 450 veta kur arritëm ne…Njerëzit po flinin edhe nëpër shkallë dhe mbipopullimi ishte i tmerrshëm. Kishte dyshekë në dysheme dhe në korridore”, i tha organizatës një refugjat sirian.

Ish të arrestuarit i thanë organizatës Amnesty International se ata ishin rrahur ose ishin dëshmitarë të rrahjeve nga oficerët e policisë në Gazi Babë dhe njeri rrëfeu se si kur disa sirianë kërcënuan me grevë urie, një polic u tha “nëse vdisni këtu, askush nuk do t’ju kërkojë. Në do të hedhim kufomat tuaja përjashta”.

Sistemi i dështuar i strehimit

Individët që provuan të kërkojnë strehim në Serbi apo Maqedoni, u përballën me pengesa të ashpra. Në vitin 2014, vetëm 10 strehimkërkuesve ju sigurua statusi i refugjatit në Maqedoni dhe vetëm njërit në Serbi. Të shkurajuar nga përparimi i ngadalshëm i shqyrtimit të kërkesave, shumë strehimkërkues vazhduan udhëtimin për në Hungari, ku u përballën me shkelje të tjera të të drejtave të tyre.

Ata që zbuloheshin se kanë hyrë në Hungari në mënyrë të parregullt, zakonisht janë burgosur, shpesh në kushte të mbipopullimit, ose janë keqtrajtuar nga oficerët e policisë. Në vitin 2014, Hungaria u dha strehim vetëm 240 personave, një numër i vogël në krahasim me kërkesat për strehim.

Ndonëse shumica e strehimkërkuesve të burgosur, janë lënë pastaj në qendra të hapura të pranimit, ata që vlerësohej se mund të provonin të arratiseshin kanë mbetur në qendra të paraburgimit. Ata që donin të kërkonin strehim në Hungari, që ishin një numër i atyre që shpresonin për strehim në vende tjera të BE-së, kryesisht janë dëbuar në Serbi dhe në disa raste madje edhe më tej, në Maqedoni. Aty ata janë lënë pa status ligjor, mbrojtje apo mbështetje dhe të ekspozuar ndaj shkeljeve të mëtejshme të të drejtave të njeriut.

Politikat e mangëta të migrimit në BE

Numri gjithnjë në rritje i migruesve dhe refugjatëve që marrin rrugët e Ballkanit, është rrjedhojë e dështimit të politikave të migrimit dhe strehimit në Bashkimin Evropian, mbi të cilat Serbia dhe Maqedonia nuk ushtrojnë kontroll. Duke i lënë përgjegjësinë e trajtimit të kërkesave për strehim në kurriz të vendit të parë hyrës në BE dhe duke kufizuar rrugët e sigurta e ligjore të hyrjes, kanë vënë një barrë të madhe në supet e shteteve periferike të BE-së dhe vendeve fqinje.

Në vend që t’i jap përparësi përmirësimit të sistemit të strehimit përgjatë rrugës Ballkanike, Bashkimi Evropian ka investuar në përpjekjet për të forcuar sistemin e “menaxhimit te kufijve”.

“Serbia dhe Maqedonia duhet të bëjnë shumë më shumë për të respektuar të drejtat e migruesve dhe refugjatëve. Por, është pamundur të ndash shkeljen e të drejtave të njeriut atje nga trysnia e gjerë e rrjedhës së migruesve dhe refugjatëve në dhe përgjatë BE-së dhe sistemit të dështuar të migrimit në BE”, tha Gauri van Gulik.

“Derisa një numër në rritje i migruesve, strehimkërkuesve dhe refugjatëve po mbeten të kurthuar në “tokën e askujt” nëpër Ballkan, trysnitë mbi Serbinë dhe Maqedoninë po rriten. Kjo vë në pah faktin se sikundër në Itali dhe Greqi, kjo çështje mund të zgjidhet nëpërmjet shqyrtimit më të gjerë të politikave të migrimit dhe strehimit në BE”. (voa)

Prezantohen projektet për shndërrimin e Parkut të Tiranës

 

projekti liqeniU hap dje faza e parë e konkursit për projektin transformues të hyrjes në Parkun e Liqenit të Tiranës. Në garë për këtë projekt janë 9 kompani ndërkombëtare, të cilat sjellin idetë e tyre për hyrjen e Parkut të Liqenit Artificial dhe lidhjen e tij me qytetin, konkretisht me sheshin Nënë Tereza. Në fokus të projekteve të prezantuara është lidhja e qytetit me parkun, si një hapësirë e ndërmjetme, riprogramimi i Sheshit “Nënë Tereza” dhe domosdoshmëria e krijimit të hapësirave qytetare për shërbimet publike, me qëllim përmirësimin e marrëdhënies mes shërbimit publik dhe qytetarit. Konkursi ka në fokus idetë për hyrjen e parkut  të Tiranës, hapësirën e qytetarëve për shërbime  publike, zgjerimin e mjediseve akademike dhe edukative, si dhe krijimin e hapësirave social- kulturore për të rinjtë.

Dita e parë e konkursit u zhvillua dje, në praninë e një publiku të gjerë profesionist, ku nga 11 skuadrat pjesëmarrëse, 9 skuadra prezantuan programet e tyre përballë një jurie ndërkombëtare, të përbërë nga specialistët e fushës. Plan-projektet e prezantuara deri tani, parashikojnë ngritjen e disa godinave të tjera, përveç atyre ekzistuese “Juria synon krijimin e hapësirave me rëndësi të veçantë. Së pari, krijimin e qendrës inovative të shërbimeve publike, një qendër e cila do t’i japë të gjitha shërbimet e përqendruara për publikun përmes një sistemi tërësisht inovativ, që do të përbëjë edhe rrëzimin e të gjitha mureve të burokracisë për të gjithë qytetarët që sot enden nga sporteli në sportel”, tha kryeministri Rama në nisjen e prezantimit të projekteve. Më poshtë janë të renditur disa nga projektet e prezantuar dje në konkurs, i cili do vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme me prezantimin e dy studiove të tjera.

AZPML LIMITED – Arquitectura Agronomia – AEA Consulting – StudioArch4

“Propozimi ynë për kompleksin e godinës, që do të caktojë pjesën veriore të Parkut të Tiranës, synon të shmangë nevojën për të monumentalizuar dy institucionet publike që përfshihen në kompleks, Qendra e Shërbimit Publik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Në të kundërt, propozimi ynë, synon ndërtimin e një Kufiri Verior për Parkun e Liqenit të Tiranës. Ne e shohim këtë ndërhyrje me së shumti si një strukturë topografike, që do të caktojë kufirin e Parkut të Liqenit dhe që duhet të jetë më shumë si një mur qyteti ose si një shtrat lumi: një strukturë e vazhdueshme që cakton një vendndodhje të kufirit midis Parkut dhe Qytetit. Strategjia jonë e ndërtimit është e strukturuar rreth një modeli të vazhdueshëm ndërtimi, që prodhon një kualitet të caktuar rreth kufirit. Ideja jonë është që të prodhojmë një seri të kopshteve/lulishteve, që do të mundësojnë një shumësi të hapësirave të gjelberta, të kombinuara me ndërtimin e ndërtesave publike, që do të modelojnë midis peizazhit të Parkut dhe kufirit të qytetit.

ATENASTUDIO-INDRIO-NORRØN

“Zhvillimi i hapësirave midis qytetit të Tiranës dhe Parkut të Madh përmban një potencial të madh për krijimin e një peizazhi fizik urban, ku banorët e qytetit mund të takohen në një ambient të pastër, një prag i ri publik. Ndërtesat janë të lidhura me kujdes me funksionet e nevojshme në mënyrë që ndërtimi kontribuon ndaj jetës publike, duke qenë vetvetja e një pjese aktive të parkut, ata gjithashtu bëhen tërheqëse për shkak të pamjes së tyre, transformimi i harkut historik sipas funksionit”.

BuildingBuilding + UHO + Elias Guenoun architecture

“Ashtu siç bie shpesh çështja, këtij konkursi i jepet një titull dhe një temë kërkimi., respektivisht, “Hyrja e Parkut të Liqenit të Tiranës”, urban nga natyra. Titulli është shumë i qartë, kërkon direkt subjektin dhe vendosjen. Tema e kërkimit lë më shumë hapësirë për interpretim. Në një kuptim, kjo lojë fjalësh fillimisht kërkon që Hyrja e Parkut (dhe me zgjatim vetë Tirana) vizaton formën e saj urbane në lidhje me florën dhe faunën e saj ekzistente.

Matthias Bauer Associates – Grijsbach – Transsolar Mbushim qytetin me natyrë – Zgjerimi i Parkut të Liqenit.

“Parku i Liqenit është një park natyral i rëndësishëm, një vend pushimi për qytetin dhe zë një vend në memorien e qytetit që me krijimin historik të aksit të Tiranës gjatë viteve 1930 nga arkitekti Italian Armando Brasini dhe në vazhdim me sheshin “Dopo Lavoro ”, më vonë i quajtur sheshi “Nënë Tereza”. Hyrja për në park ka qenë gjithmonë problem, edhe pse aktualisht parku ka dy hyrje. Projekti propozon të zgjerojë potencialin për ekzistencën e qytetit urban dhe të liqenit, në një rol lidhës mes parkut dhe qytetit. Ne propozojmë të zhvillojmë sheshin Nënë Tereza nga një stacion i fundit,  në një lidhës të gjallë me vendet e pasura përreth, në veçanti me Parkun e Tiranës”.

ARCHEA ASSOCIATE – AEI progetti rsl – Ergys Krisko – Florian Derek ARCHEA PROJECT

“Master Plani për Hyrjen e Parkut të Tiranës edhe Idetë për Projekte Arkitekturale të dy ndërtesave shtetërore: Qendra e Shërbimit Publik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Master plani për sipërfaqen e planifikuar, për zgjerimin e Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Akademisë Policore, paraqet një sërë tarracash të cilat “shikojnë” nga qyteti. Projekti tenton të shoh më shumë se sa mund të shihet. Është konceptuar si një park publik, i hapur, i vendosur anës disa ndërtesave historike monumentale të shekullit të 20-të”.

Edi Rama: Krijojmë dy hapësira me rëndësi të veçantë

“Dua të falënderoj të gjithë anëtarët e jurisë, të cilët janë këtu të pranishëm, për të na ndihmuar të gjykojmë lidhur me një numër idesh të propozuara për një projekt me një rëndësi strategjike për zhvillimin e kryeqytetit, projektin e Hyrjes së Parkut të Tiranës, që njëkohësisht është një projekt me rëndësi të veçantë për qeverinë shqiptare, pasi në hapësirën e vënë në dispozicion të të gjithë konkurrentëve, për të propozuar idetë e tyre, qeveria synon krijimin e dy hapësirave me rëndësi të veçantë. Krijimin e qendrës inovative të shërbimeve publike  dhe qendrën e re moderne për Policinë e Shtetit, që do të jetë një hapësirë në dispozicion të Policisë së Shtetit, për të akomoduar strukturat drejtuese të saj, por njëkohësisht, edhe një hapësirë ku do të gjejë vend gjithë projekti dhe programi i inovacionit për Policinë e Shtetit.

Ky është një projekt me një rëndësi të posaçme për ne, i cili i hap rrugë edhe programit të ri transformues për gjithë Parkun e integruar të Tiranës, ku, siç është shprehur edhe në synimet e Bashkisë së re të Tiranës, qëllimi është që të krijojmë një hapësirë të përbashkët mes hapësirave të ndara ekzistuese të Parkut të Liqenit, të Kopshtit Botanik, të Kopshtit Zoologjik dhe të Parkut të Ri Olimpik që ka filluar të ndërtohet në anën perëndimore të hapësirës. Sidoqoftë, projekti, i cili përfshin një hapësirë të kufizuar brenda hapësirës së madhe ku do të shtrihet programi i Parkut të ri të Tiranës, është kyç sepse do të krijojë kushtet për të hapur një kantier të madh për Tiranën, duke bërë të mundur fillimin e punës në fazën e parë, që është pikërisht faza që lidhet me hyrjen e Parkut.

Ne jemi shumë të inkurajuar nga fakti që në këtë konkurs kanë shprehur interes shumë studio të njohura ndërkombëtare, për të ballafaquar propozimet përballë një jurie prestigjioze, që do të na ndihmojë që të marrim një konkluzion sa më në mbështetje të aspiratës sonë për ta transformuar këtë hapësirë. Duke i falënderuar pjesëmarrësit në konkurs për ardhjen e tyre këtu, duke falënderuar në mënyrë të posaçme jurinë, ju uroj të gjithëve sukses. Jam i bindur se në fund të ditës së sotme, ne do të kemi në dispozicion një tjetër instrument me vlerë, për të çuar përpara projektin e transformimit të kryeqytetit tonë”.

Enno Bozdo: Rama-Veliaj po betonizojnë Parkun

Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, ende në detyrë, Enno Bozdo, e sulmoi dje shumë ashpër konkursin dhe projektet e paraqitura nga studiot e pranishme. Bozdo akuzoi kryeministrin Rama dhe kryetarin e ardhshëm të bashkisë, Veliaj për betonizimin e parkut dhe të sheshit historik. “Ende pa u ulur në karrigen e kryebashkiakut, Rama dhe Veliaj tashmë kanë marrë vendimin për të betonizuar hyrjen e parkut të liqenit artificial në Tiranë, si dhe për të shkatërruar sheshin “Nënë Tereza”, monument kulture. Pasi bllokoi për dy vjet projektet e bashkisë së Tiranës, Edi Rama hodhi në fushatë miliona euro me burime të padeklaruara vetëm për të shtënë në dorë bashkinë e Tiranës dhe sot çdokush e ka të qartë përse. Për të vazhduar betonizimin e saj, aty ku e la.

Me një konkurs fals, Edi Rama, prezantoi sot projektin e tij të betonizimit pa kthim të hyrjes së parkut të liqenit dhe sheshit “Nënë Tereza”. Të gjithë e mbajnë mend sesi në kulmin e fushatës elektorale, Veliaj, premtoi se nuk do të lejonte asnjë ndërtim të ri komercial në Tiranë, se do të zgjeronte kufijtë e parkut të liqenit dhe se do të mbronte dhe promovonte trashëgiminë kulturore të Tiranës. Sot, tri javë më vonë, shefi i tij nxjerr zhveshur para shqiptarëve falsitetin e këtyre premtimeve, duke faktuar se kanë planifikuar diçka tjetër për Tiranën, në drejtim të kundërt me çfarë premtuan në fushatë, betonizimin e parkut dhe degradimin përfundimtar të sheshit “Nënë Tereza”, nëpërmjet ndërtimeve të reja që ai dhe Rama kanë planifikuar të ngrenë aty. Pra, premtimet rezultuan të gënjeshtërta për Ramën dhe Veliajn. Por, që Rama të mbërrinte deri këtu, iu desh më parë të bllokonte projektin e bashkisë për sheshin “Nënë Tereza”-tha Bozdo.

Ai iu referua fotove të projekteve të paraqitura për të argumentuar se si do të betonizohet sipërfaqja e gjelbërt që është sot. “Ju ftoj të shikoni fotot sesi ky projekt ishte parashikuar të zhvillohej nga ana e bashkisë dhe sesi Rama kërkon ta ndryshojë. Pamjet flasin vetë. Atje ku ishte parashikuar gjelbërim, Rama parashikon të ndërtojë, atje ku koncepti i projektit të bashkisë harmonizohej me hapësirën e gjelbërt, Rama parashikon beton, atje ku parashikohej park dhe pemë, Rama parashikon sipërfaqe ndërtimi, atje ku është dhe duhet të jetë parku, Rama do të ndërtojë shumëkatësh.

Ne kundërshtojmë me forcë të madhe këtë çmenduri për betonizimin e parkut dhe për shkatërrimin e sheshit “Nënë Tereza”. Pseudo-konkursi është një farsë klienteliste që shërben vetëm për të kamufluar atë që Rama dhe zgjatimi i tij në Bashki, Veliaj, tashmë kanë vendosur, goditjen përfundimtare për parkun dhe sheshin “Nënë Tereza”. U bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës pa dallim, shoqërisë civile dhe gazetarëve të lirë të bashkohen për të kundërshtuar me të gjithë forcat këtë pabesi ndaj Tiranës dhe banorëve të saj dhe për të detyruar Ramën të tërhiqet nga betonizimi korruptiv i sheshit “Nënë Tereza” dhe hyrjes në parkun e liqenit”-deklaroi nënkryetari i bashkisë, Bozdo. (shekulli)

Berlini politik pas referendumit në Greqi

Qeveria gjermane është e hapur për bisedime, por për një paketë të re ndihmash nuk është menduar. Kancelarja Merkel kërkoi pas takimit me Preisdentin francez një propozim të ri grek që këtë javë.

MerkelU desh të vinte pasditja, derisa në Berlin u pozicionua për referendumin në Greqi anëtari i parë i qeverisë. “Edhe mua më trishton gjendja, e cila krijohet dhe do të krijohet tani përmes referendumit”, tha Ministri i Financave dhe Kryetari i Partisë Socialdemokrate Gjermane, Sigmar Gabriel pas një mbledhjeje të kryesisë së partisë së tij. Për qeverinë greke jeta tani do të bëhet shumë më e vështirë se sa ka qenë javët e fundit. “Paaftësia përfundimtare për të paguar e Greqisë kërcënon të jetë në prag të derës dhe jeta ekonomike do të ndalet edhe më shumë në pjesë të ndryshme të vendit.” Tani Greqia nuk duhet lënë në baltë, të gjitha vendet e BE duhet të jenë të gatshme të japin ndihmë humanitare, tha Gabriel.

Qeveria gjermane pret

Kjo nuk tingëllon sikur Gabrieli pret një zgjidhje të shpejtë në mosmarrëveshjen për borxhet. Kryeministri grek Alexis Tsipras ka shkatërruar me referendumin urat e fundit, nëpër të cilat Evropa dhe Greqia mund të ecnin për të arritur një kompromis, tha kryetari i SPD-së të dielën në mbrëmje, pas referendumit me Jo-në e qartë nga Athina.

Një pozicion, të cilin zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert e përforcoi një ditë më pas. “Përballë vendimit të qytetarëve grekë aktualisht nuk ekzistojnë parakushtet për të hyrë në negociata për një program të ri ndihmash”, tha ai. “Jo-ja e djeshme është edhe një refuzim i parimit, që ka drejtuar prej vitesh ndihmat për vendet e ndryshme, e pikërisht që solidariteti dhe përpjekja vetjake janë të pandara”, tha zëdhënësi i Qeverisë gjermane.

Merkel kërkon propozim të shpejtë të ri grek

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u pozicionua të hënën që nga Parisi, pas një takimi pasdite për krizën greke me Presidentin francez, François Hollande. Të dy kryetarët e shteteve i bënë thirrje qeverisë greke të paraqesë sa më shpejt një propozim për zgjidhjen e krizës greke të borxheve. “Për këtë koha nuk pret dhe ne do t’i kushtojmë rëndësi faktit që propozime të tilla të vihen në tryezë këtë javë”, tha Merkeli pas takimit me Hollande. Dera për bisedime është e hapur, theksuan të dy politikanët. Përfundimi i referendumit grek respektohet, u tha. “Por ne themi njëkohësisht se parakushtet për të hyrë në negociata për një program konkret ESM nuk ekzistojnë”, shtoi Merkeli. Prandaj, shtoi ajo, në takimin e posaçëm të nivelit të lartë të Eurozonës të martën është e rëndësishme, që kryeministri grek Tsipras t’u thotë partnerëve se çfarë ka në mend të bëjë, për ta siguruar financimin e Greqisë në plan afatmesëm, tha kancelarja.

ESM si bazë

Në konferencën e shtypit të qeverisë gjermane, të hënën paradite pyetjet për Greqinë qenë të shumta. A është shtuar rreziku i një Grexit? A dështoi kancelarja me politikën e saj të dorës së fortë? Këto ishin pyetje që iu shtruan zëdhënësit të qeverisë Seibert dhe zëdhënësit të Ministrisë së Financave, Martin Jäger.

Jäger tha se të gjitha negociatat e ardhshme me Greqinë mund të zhvillohen vetëm mbi bazën e fondit të përhershëm të shpëtimit të Euros, ESM. Në bisedat e ardhshme nuk lëvizet në një “hapësirë të papërcaktuar qartë”. Vetëm në bazë të sistemit evropian të rregullave është e mundur ndihma për Greqinë, tha Jäger. “Kjo marrëveshje parashikon fare qartë se çdo ndihmë është e kondicionuar nga ndërmarrja e një përpjekjeje vetjake dhe se thjesht është e pamundur largimi nga ky parim.”

Është e paqartë nëse ekziston tashmë një kërkesë e qeverisë greke për ndihma nga Mekanizmi Evropian i Stabilizimit, ESM. Në 30 qershor, kryeministri grek Alexis Tsipras i dërgoi një kërkesë të përgjithshme për ndihmë kryetarit të Eurogruppit, Jeroen Dijsselbloem, pa përmendur megjithatë një shumë konkrete. Të paktën nuk ka një lutje që t’u përgjigjet kërkesave të ESM-së, tha Martin Jäger. “Tani e ka radhën pala greke, që të bëjë sërish të qartë se çfarë do.” (dw)

Jo-ja nuk është fjala e fundit

Pas dorëheqjes së Ministrit të Financave Varoufakis Greqia kërkon një fillim të ri në negociatat me kredidhënësit. Por pozicionet janë ngurtësuar.

Gazetat greqiQë dy orë pas mbylljes së lokaleve të zgjedhjeve ishte e qartë: në bazë të rezultateve paraprake të Ministrisë së Brendshme të Athinës, në këtë kohë kampi-Jo ndodhej me 61 përqind të votave shumë përpara dhe mori thuajse në çdo zonë elektorale shumicën e votave.

Pasoi një festë në qendrën e Athinës të mbështetësve të Jo-së, deri në orët e para të mëngjesit. Kjo në një kohë kur të gjitha sondazhet e ditëve të fundit patën sugjeruar një garë kokë më kokë. Kryeministri Alexis Tsipras, i cili e thirri referendumin për propozimet e kursimit duket më i fortë në pozicionin e tij.

Numri i nevojshëm i pjesëmarrësve, prej 40 përqind që referendumi të shpallej i vlefshëm, u tejkalua mjaft me shifrën 65 përqind. “Edhe vetëm pjesëmarrja e madhe e njerëzve e largon çdo dyshim për ligjshmërinë e referendumit”, deklaron Nikos Filis, zëdhënës i Grupit Parlamentar të partisë së majtë Syriza, në intervistë me televizionin grek Mega.

Arsyeja për këtë deklaratë: të gjithë gjykatësit kushtetues dhe jo së fundi Këshilli i Evropës patën shprehur para referendumit dyshim nëse referendumi ishte në përputhje me ligjet – para së gjithash për shkak të pyetjeve të paqarta dhe shumë komplekse, si dhe kohës jashtëzakonisht të shkurtër të fushatës elektorale.

Pas fitores së qartë të papritur të kampit-Po, në shtypin e Athinës janë shtuar spekulimet për një Grexit, për daljen e Greqisë nga Eurozona. “Dakordim ose Grexit” është pyetja që shtrohet tani e tutje, bën të ditur gazeta ekonomike liberale Kathimerini. “Reforma ose Grexit”, është titulli i shkrimit të gazetës Ta Nea. Një interpretim tjetër bën Avgi, gazeta partiake e të Majtëve grekë: “61 përqind i thonë jo politikës së rreptë të kursimeve.”

“Populli ynë mund të rezistojë”

Megjithë reagimet e ashpra nga vendet e BE, qeveria Tsipras e kupton referendumin jo si një fund, përkundrazi, si një fillim të ri të negociatave me kredidhënësit. “Ne punojmë që të arrijmë një dakordim. Populli ynë ka treguar se ai mund të rezistojë”, deklaroi Ministri i Brendshëm, Nikos Voutsis të dielën në një intervistë televizive.

Dhe shtoi: “Një javë të tërë duruan njerëzit në Greqi, me siguri që do të durojnë edhe disa ditë më shumë”, një aludim për mbylljen e bankave me urdhër të qeverisë të hënën e kaluar (29.6.), hap që ndoshta, në mungesë ta parave do të zgjatet.

Ekonomisti Kostas Stoupas beson se qeveria greke ndodhet në një rrugë pa krye dhe do të konfrontohet me pasoja të pakontrollueshme javët dhe muajt e ardhshëm për shkak të mbylljes së bankave. Sipas mendimit të tij kërcënon zvarritja e pagesave në shërbimet publike, si dhe mungesë ushqimesh, medikamentesh dhe e benzinës. Stoupas është i sigurtë: “Fitorja e Jo-së në referendum e vështirëson pozicionin e negociatave të Greqisë.”

Kthim në tryezën e negociatave

Qeveria e Athinës e sheh këtë ndryshe: përfundimi i referendumit nuk është porosi për t’u prishur me donatorët, deklaroi Kryeministri Tsipras në një fjalim televiziv të dielën në darkë. Ka padyshim zgjidhje të qendrueshme, megjithatë me kredidhënësit duhet folur edhe për një ristrukturim të borxheve greke.

Vetëm pas referendumit grek nis “pjesa substanciale e negociatave”, tha zëdhënësi i qeverisë, Gavriil Sakellaridis. Prej kohësh kryeministri Tsipras ka premtuar se do të arrihet një dakordim me donatorët “brenda 48 orëve pas referendumit”.

Disfata e papritur e rëndë e kampit të Po-së ka pasoja jo së fundi edhe për opozitën në Athinë: para një takimi krize të të gjithë drejtuesve të partive me Presidentin e shtetit Prokopis Pavlopoulos të hënën (06.07.) dha dorëheqjen udhëheqësi i opozitës konservatore dhe ish-kryeministri Antonis Samaras. Kryetar i ri i përkohshëm i partisë do të bëhet ish-Presidenti i Parlamentit Vangelis Meimarakis, i cili i ka kërkuar Kryeministrit Tsipras ta realizojë tani premtimin për “dakordim brenda 48 orësh.” (dw)

Nuk do të ketë marrëveshje mes Gruevskit dhe Zaevit, në pritje të Nuland-it

nikola zaev

Një pjesë e mediave maqedonase opozitare theksojnë sot se nuk do të ketë marrëveshje midis kryeministrit Nikola Gruevski dhe liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev për kapërcimin e krizës politike.

Gruevski nuk po pranon kërkesën kryesore të opozitës që të braktisë postin e kryeministrit 6 muaj para caktimit të zgjedhjeve të parakohshme. Shpresë për tejkalimin e krizës dhe arritjen e marrëveshjes pritet vizita e ndihmës – sekretares amerikane Viktoria Nuland, e cila më 13 korrik do të jetë në Shkup.

Kryeministri Gruevski deri tani ka bërë shumë kompromise, por ai nuk lëshon karrigen e kryeministrit. Gruevski pranon çdo marrëveshje tjetër, duke i ofruar ministritë kyçe opozitës maqedonase. Ai ka dhënë sinjale për mundësinë e tërheqjes vetëm 3 muaj para organizimit të zgjedhjeve të reja. (INA)

Asociacioni i komunave serbe, temë e vështirë

mitrovicaKryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar si një prej temave më të vështira të dialogut me Serbinë, krijimin e Asociacionit të komunave serbe.

Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se ky Asociacion duhet të jetë në harmoni me ligjet e Kosovës, përndryshe do të ishte jofunksional dhe i dëmshëm.

“Normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve me Serbinë është faktor i rëndësishëm, jo vetëm i së ardhmes evropiane të Kosovës, por edhe i përqendrimit në zhvillimin e saj ekonomik dhe social”, ka shkruar Mustafa. Sipas tij, procesi është ende në fazën ku mbeten shumë çështje, të cilat duhet të dialogohen.

“Asociacioni i Komunave po vërtetohet se është ndër temat më të vështira. Delegacioni i Kosovës u tregua korrekt dhe konstruktiv, për të gjetur zgjidhje brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit tonë. Në anën tjetër, pala serbe ishte insistuese që Asociacioni të kryejë disa punë të pushtetit qendror dhe atij lokal, kurse njerëzit që i kryejnë këto punë, të kenë cilësinë e punonjësve shtetërorë”, ka potencuar kryeministri i Kosovës.

Çdo zgjidhje për këtë asociacion, që do të krijonte në realitet asimetri pushtetesh, “jo vetëm që do të jetë e dëmshme për Kosovën, por edhe për miqtë tanë që na kanë ndihmuar në ndërtimin demokratik dhe institucional”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në Facebook.

Kosova, ka vijuar ai, mbetet e interesuar të gjejë zgjidhjen më të mirë, e cila ndihmon në integrimin e serbëve dhe u krijon atyre hapësirë zhvillimore dhe perspektivë jete.

“Zgjidhjet e tilla nuk janë ideale, ato janë të rënda, sidomos për ata që negociojnë dhe duhet të marrin vendime, por këto zgjidhje e lehtësojnë jetën tonë”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dy ditë më parë ka pohuar gatishmërinë për takimin e radhës dhe për arritjen e marrëveshjeve me Kosovën, për temat e hapura, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Sa na përket neve, ne jemi gjithmonë gati t’i vazhdojmë bisedimet. Ne edhe herën e kaluar kemi qenë në Bruksel që të merremi vesh dhe jo që t’i shmangemi marrëveshjes dhe të mos nënshkruajmë diçka, por të arrijmë një marrëveshje që është e mirë për popullin tonë, si dhe të arrijmë marrëveshje që paraqet kompromis. Ne jemi të gatshëm që të arrijmë një zgjidhje kompromisi, por nuk jemi dhe nuk do të jemi të gatshëm që të marrim pjesë në poshtërimin e Republikës së Serbisë”, ka theksuar Vuçiq.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, kanë vlerësuar se lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, palët do të detyrohen të arrijnë një kompromis.

Analisti i çështjeve politike, Dukagjin Gorani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur mendimin se zgjidhja që do të arrihet ndërmjet kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e Asociacionit, do të jetë në kuptimin e ndërmjetëm, të një organizate joqeveritare dhe të një entiteti, i cili ka kompetenca më të zgjeruara publike.

Sipas tij, kompetencat e tilla që mund të interpretohen si publike, në fakt, ka të ngjarë që të jenë edhe ekzekutive në disa fusha të kufizuara shoqërore.

Qëllimi i çdo procesi negociator është kompromisi, e jo shtyrja e agjendës së njërës po tjetrës palë. Këto që flasin dy kryeministrat, të Serbisë dhe të Kosovës, opinioneve të veta, këto janë pozicione publike dhe punë koti. Meqenëse dita e vendimit po afrohet, deklarimet e tyre, nëse janë në disproporcion me atë që vendoset në Bruksel, atëherë vetëm se do ta vështirësojnë pozitën e tyre. Pra, një lloj kompromisi do të arrihet”, konsideron Gorani.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ditë më parë kanë theksuar se pala e Kosovës është e gatshme për takimin e radhës me palën e Serbisë, në kuadër të dialogut në Bruksel, të nivelit të kryeministrave. Sipas tyre, është në dorën e Bashkimit Evropian se kur do ta caktojë takimin e ardhshëm. (rel)

Gjermani-Shqipëri, firmosen 6 marrëveshje financiare

hoffmanhelmutMinistri i Financave, Shkëlqim Cani dhe ambasadori gjerman, Helmut Hoffman kanë nënshkruar këtë të hënë një seri marrëveshjesh financiare mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Ministri Cani vlerësoi rëndësinë e këtyre marrëveshjeve, që sipas tij, do të rrisin praninë e investimeve gjermane në vendin tonë.

Edhe ambasadori Hoffman vlerësoi me nota pozitive këtë nismë të qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, që “do të sjellë të mira për komunitetet”.

“Sapo nënshkruam 6 marrëveshje financiare. Për këto marrëveshje është punuar prej shumë kohësh ndaj dhe falenderoj ata që dhanë kontributin e tyre, përfshirë kompanitë pjesëmarrëse. Është pozitiv fakti që arritëm të nënshkruajmë këto marrëveshje pak ditë para vizitës së Kancelares Angela Merkel në Tiranë. Ato do të përkthehen në investime dhe do të sjellin gjëra pozitive për të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët duhet të japin kontributin e tyre”, ka shtuar Hoffman.

/ Top Channel