Engel takon liderët shqiptarë Ahmeti dhe Thaçi

E EngelLideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti sot do të takohet me kongresmenin Eliot Engel dhe ambasadorin e SHBA-së në Shkup, Xhes Bejli.

Kongresmeni amerikan, Elliot Engel dhe ambasadori i SHBA-së në Shkup, Xhes Bejli, pritet gjithashtu të realizojë një takim të veçantë edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Pritet që në këto takime me delegacionin amerikan të bisedohet për situatën e përgjithshme dhe krizën politike në vend. (alsat)

Engel takon Mustafën, në fokus themelimi i Speciales

mustafa-engelKryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pritur të premten kongresmenin amerikan Eliot Engel, me të cilin ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe mbi programin e qeverisë së tij.

Edhe në këtë takim temë kryesore ishte përgjegjësia e Kosovës për të zbatuar zotimin e saj për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Sipas një komunikate për shtyp të lëshuar pas takimit, kryeministri kosovar dhe zyrtari amerikan janë pajtuar se krijimi i zyrave të specializuara ka rëndësi të madhe për Kosovën në këtë fazë, pasi dëshmon se Kosova ka kapacitet për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj, për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare, si dhe për të ecur përpara në integrimet euro-atlantike.

Engel vlerësoi lart progresin që po arrihet në Kosovë dhe përkushtimin e institucioneve e të popullit të Kosovës për të ecur përpara.

Gjatë takimit u bisedua edhe për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si dhe për zhvillimet e tjera në rajon, ku u vlerësua roli konstruktiv i Kosovës.

Ndër të tjera, Mustafa shprehu mirënjohjen e qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vetë zoti Engel po japin për vendin.

/ Top Channel

UNESCO heq Beratin dhe Gjirokastrën nga lista e Trashëgimisë Botërore në Rrezik

Mirela KumbaroMinistrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha këtë të premte, gjatë një konference për shtyp, se Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i cili vlerësoi progresin e arritur në menaxhimin e sitit të Gjirokastrës dhe Beratit në dy vitet e fundit, i hoqi këto dy qytete nga lista e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Sesioni i 39-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore, i mbajtur në Bon (Gjermani) nga 28 qershori deri më 8 korrik, diskutoi edhe Raportin e Gjendjes së Konservimit (SoC) të Qendrave Historike të Gjirokastrës dhe Beratit, site të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Raporti ishte paraqitur nga autoritetet shqiptare në shkurt 2015, dhe sipas ministres Kumbaro, ky tip raporti, ndryshe nga raportet periodike, është pjesë e bashkëpunimit ad hoc që Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës zhvillon me UNESCO-n që nga vjeshta 2013, për shkak të gjendjes së degraduar të monumenteve në vitet e shkuara.

“Duhet të theksojmë se sidomos vitet 2011, 2012 dhe 2013 janë vite të rënduara të marrëdhënieve të shtetit shqiptar me UNESCO-n, pasi misionet speciale të monitorimit kanë prodhuar raporte emergjence pas vizitave dhe informacioneve të gjendjes së qendrave historike të Gjirokastrës dhe Beratit”, theksoi znj. Kumbaro.

Ajo solli në vëmendje edhe një pjesë nga raporti i posaçëm i vitit 2013, ku thuhej: “Qendra e Trashëgimisë Botërore konsideroi se përmasat e ndërtimeve pa leje në këto dy qytete janë alarmante dhe konstatoi se nuk ka asnjë plan veprimi nga Shteti palë për ta ndaluar këtë dëmtim. Po ashtu, trashëgimia kulturore ishte në situatë shumë të vështirë dhe kishte pësuar degradim për shkak të punimeve të ndërtesave ilegale dhe të mungesës së masave për t’i trajtuar këto dhunime”.

Në të njëjtën periudhë, Qendra e Trashëgimisë Botërore paraqiti ankesa për mungesën e komunikimit nga shteti shqiptar me UNESCO-n, çka sipas ministres Kumbaro, rëndoi dhe marrëdhëniet me këtë organizatë kaq të rëndësishme për kulturën dhe arsimimin e shteteve anëtare.

“Për këto arsye, dy qendrat historike ishin vendosur në monitorim të rreptë me paralajmërimin për t’u përfshirë në listën e siteve të rrezikuara të Trashëgimisë Botërore”, shtoi Kumbaro.

Ministrja shtoi më tej se e ka konsideruar si një prioritet absolut reformën e plotë në trashëgimi dhe në sistemin e menaxhimit të saj, si dhe rishikimin dhe rindërtimin e marrëdhënieve me UNESCO-n në shërbim të mbrojtjes, njohjes dhe promovimit të vlerave jo vetëm të dy qyteteve, pjesë e trashëgimisë botërore por të të gjithë trashëgimisë tonë kulturore.

Komunikimi i rregullt dhe raportimi sipas të gjitha standardeve, i punës së kryer çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, me monumentet, me restaurimet, me ndërhyrjen në monumente me operacione shpëtimi sipas një liste prioritare, rindërtimi i inventarit të monumenteve, i papërditësuar që prej 25 vitesh, këshillimi me UNESCO-n për çdo hap të hedhur, dhe sidomos moratoriumi i tetorit 2013 për të pezulluar lejet zhvillimore në zonat e trashëgimisë, ishin disa nga masat që renditi ministrja Kumbaro e që sipas saj, shënoi një ngjitje në shkallën e vlerësimit nga UNESCO-s në vitin 2014.

Megjithatë, raporti i fundit paraqitur nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve, në shkurt të 2015 u bë objekt shqyrtimi i sesonit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që po zhvillohet në Bon.

/ Top Channel

BE do të financojë interkonjeksionin 400 KW me Maqedoninë

shtyllat e rrymesBashkimi Europian është bindur për të financuar linjën e interkonjeksionit prej 400 KW mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë thotë se projekti parashikohet të nisë zbatimin vitin e ardhshëm, kur përfundon linja e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo u konfirmua gjatë takimit të mbajtur ditën e enjte në Vjenë mes ministrave të Energjisë të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë. Shqipëria u përfaqësua nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, në cilësinë edhe të drejtuesit të Presidencës së radhës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Në fjalën e tij, ministri Gjiknuri njohu të pranishmit me hapat që po ndërmerr Shqipëria në kuadër të reformës në sistemin energjitik dhe projektet e lidhjes me linjat e transmetimit me vendet fqinje, si ajo me Kosovën që po ndërtohet dhe shumë shpejt linja me Maqedoninë.

“Bashkimi Europian mund të jetë mbështetës për vende si ne, janë projektet e infrastrukturës energjitike ato që mund të bëhen prioritare dhe të shkojnë në rrugën e realizimit”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ai kërkoi mbështetje edhe për projektin e rëndësishëm të degëzimit të gazsjellësit Trans-Adriatik TAP, me gazsjellësin Jonian-Adriatik IAP. Sipas tij, ky investim i shërben diversifikimit të burimeve për një pjesë të vendeve të Ballkanit.

/ Top Channel

Siguri për pelegrinët në Mekë

Një firmë gjermane ndihmon për planifikimin e ri të rrugëve në Mekë dhe përreth.

mekaAjri në tunel u hollua shpejt dhe shumë shpejt nuk mjaftonte për të marrë frymë. Sistemi i ventilimit kishte dështuar dhe nuk kishte oksigjen. Përveç kësaj, temperatura ishte më shumë se 44 gradë Celsius. Njerëzve të parë u ra të fikët dhe të tjerët donin të dilnin sa më shpejt jashtë dhe duke u përpjekur të dilnin jashtë shumë vetë u penguan, ranë përtokë dhe të tjerët i shtyën me këmbë. Në fund rreth 1.400 të vdekur.

Fatkeqësia para 25 vjetësh është një nga më të rëndat në historinë e haxhillëkut. Defeti teknik dhe bllokimi i sistemit të ventilimit ishte vetëm fillimi. Problemi kryesor ishte që rrugët dhe tunelet në Mekë dhe në vendet e tjera të shenjta përreth ishin dykalimshe dhe në këtë mënyrë krijohej shpejt kaos.

Sfidë logjistike

Rreth tre milion vetë shkojnë çdo vit në Mekë. Haxhillëku është një nga pesë shtyllat e fesë islame dhe i detyrueshëm për çdo musliman që mund ta përballojë. Për një kohë të gjatë ka pasur vështirësi të mëdha për të përballuar masat e njerëzve që shkonin në Mekë dhe ka pasur vazhdimisht aksidente. Sot autoritetet e Arabisë Saudite kanë marrë masa dhe kanë ngritur mjaft rrugë dhe ura me kate.

meka 2Rrugë njëkalimshme

Në konceptimin dhe zbatimin e sistemit të ri të rrugëve ka marrë pjesë edhe firma gjermane Aachen IVV GmbH, një kompani ndërkombëtare planifikimi dhe projektimi. Për t’i bërë të sigurta rrugët e pelegrinazhi në vendet e shenjta, ajo u bazua kryesisht në një parim: rrugët njëkalimshe, jo vetëm për makinat por edhe për këmbësorët. Projekti për këto lloj rrugësh u shoqërua edhe me prishjen e urës së vjetër Xhmarat dhe ndërtimin e një ure të re, prej nga njerëzit hidhnin gurë drejt malit Arafat. Për shkak se këtë veprim e bënin mijëra vetë njëkohësisht, shkaktoheshin lëkundje të rrezikshme. Sistemi i ri e urës bën të mundur që atë ta kalojnë deri në një gjysmë milioni vetë në një orë.

Por Arabia Saudite dhe urbanistët vazhdojnë të planifikojnë rrugë të reja dhe dalje emergjente, për të shtuar kapacitetet, sepse numri i vizitorëve që shkojnë në Mekë shtohet çdo vit. Kështu planifikohet që në vitin 2040 në Mekë të mund të mblidhen njëkohësisht rreth gjashtë milionë vetë. (dw)

Nesër takim i ri liderësh, tentativa përfundimtare për marrëveshje

gruevski zaevLiderët e 4 partive politike, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi mund të ulen nesër sërish në tryezën e bisedimeve, në tentimin e ri për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Takimi ende nuk është konfirmuar dhe pritet akordimi i të gjitha partive për mbajtjen e tij.

Konfirmimet mund të arrijnë sonte, ose më së voni nesër në mëngjes. Edhe pse gjatë javës janë zhvilluar takime intensive mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, disa prej tyre me pjesëmarrjen edhe të Nikolla Gruevskit dhe Zoran Zaevit, partitë thonë se deri tani nuk është arritur përafrim i qëndrimeve.

“Ende nuk ka asgjë. Takimin e liderëve e caktuam sepse premtuam se do të bisedojmë vetëm deri të premten dhe jo më tej”, thonë jo-zyrtarisht nga LSDM-ja për televizionin Alsat M.

Burime nga partitë në bisedime thonë se Gruevski tashmë ka treguar gatishmëri që të lërë postin e kryeministrit 4 muaj përpara zgjedhjeve, ndërsa LSDM-ja vazhdon të këmbëngulë për 6 muaj. Burimet e njëjta thonë se ka tendenca që çojnë drejt një kompromisi të mundshëm prej 4 muaj e gjysmë deri 5 muaj mandat për qeverinë kalimtare pa pjesëmarrjen e Nikolla Gruevskit, por deri tani marrëveshja duket larg. Për LSDM-në mbeten shumë të rëndësishme edhe çështjet e tjera, si ndarja e funksioneve qeveritare në të tre eshalonët, Prokurori Publik dhe MRTV. Opozita insiston gjithashtu që marrëveshjes ti bashkëngjisë edhe mekanizëm garantues për implementimin e plotë të Rekomandimeve të Pribe-s, Këshillit të BE-së dhe vërejtjeve të OSBE, përpara mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ndryshe, përfaqësuesit e partive politike sot kanë zhvilluar takime të ndara me ambasadorin amerikan Xhes Bejli, në tentim për përafrimin e qëndrimeve. Benjamin Arifi

Standardi i zgjedhjeve, debate në seancën plenare

Standardi i zgjedhjeve ka zënë këtë të enjte gjithë diskutimet në seancën plenare të Kuvendit. Opozita i konsideroi zgjedhjet jo të lira dhe rezultatin të fabrikuar nga blerja e votës, presionet, përdorimi i administratës dhe hedhja në qarkullimin e parave të pista.

parlamenti SH“Po hyjmë në këtë sallë në seancën e funeralit të votës së lirë, që një klikë i shkatërroi në mënyrë përfundimtare, në mënyrë të papërgjegjshme. Preku dhe rrënoi me të gjitha mekanizmat e shtetit mafioz, e mafias shtetërore, e krimit shtetëror çdo parim të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Edi Rama, kreu i meduzës së krimit shtetëror, emëroi në Kavajë, në Krujë dhe në bashki të tjera, me dhjetra e dhjetra kriminelë, të damkosur. Flamuri i këtyre zgjedhjeve ishte flamuri i zi i krimit. Fytyra e këtyre zgjedhjeve ishte faqja e zezë e krimit”, deklaroi ish-kryeministri Berisha.

Nga ana e tij ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se “këto ishin zgjedhjet më të lira.

“Unë ju sfidoj të thoni një emër të denoncuar, apo qoftë edhe thjeshtë të përmendur prej jush që nuk i është nënshtruar hetimit të policisë dhe institucioneve përkatëse duke marrë përgjigjie ju dhe qytetarët në një kohë rekord. Dua t’u bëj me dije se kishte vetëm 3 ankesa për regjistrime elektorale të zgjedhësve dhe ky është një standard i arrirë zgjedhor, krahasuar me të kaluarën”, u përgjigj ministri Tahiri.

Astrit Patozi nuk anatemoi procesin zgjedhor në tërësi, por deklaroi se opozita ka humbur, por mazhoranca, sipas tij, nuk ka fituar.

“Ne i humbëm qartësisht, por edhe qeveria nuk i fitoi dot zgjedhjet e 21 qershorit. Nuk ka asnjë nonsens logjik në këtë përfundim, sepse ka ndodhur edhe here të tjera, që betejat të mbyllen pa fitues. Natyrisht, që në letër qeveria ka arritur një rezultat të mirë, por edhe ajo vetë nuk po i gëzohet dot numrave. Dhe kjo, jo thjesht se Ilir Meta bën sikur i ka ngelur qejfi me Edi Ramën, sepse gjoja paska kapur në flagrancë udhëheqës socialistë, që nuk kanë rënë ende në dashuri me LSI-në, dhe kjo në ditët e sotme qenka e barazvlefshme me “krim kundër njerëzimit”. Këto ishin zgjedhje të këqija dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet për këto. Natyrisht kjo nuk e përligj humbjen tonë, e cila sa më shumë të fshihet, aq më tepër rëndon mbi shpinën e kërrusur të opozitës sonë. por jo të gjithë e kanë të ndjenjë realisht. Shqiptarët janë duke pritur një ofertë të re për t’i nxjerrë nga kjo shpifësirë ku jemi zhytur të gjithë dhe për momentin po bën qejf Ilir Meta dhe Edi Rama. Ndaj për gjithë këto arsye dhe të tjera si këto, jam i bindur që ne i humbëm zgjedhjet, por edhe ju nuk i fituat ato”, tha Patozi.

Ndërsa Pandeli Majko theksoi se “nëse procesi do ishte manipuluar nga qeveria, opozita do të kishte djegur Parlamentin”.

“Nëse do të ishte e vërtetë kjo, sot këtu përsa ju njoh unë nga krijimi i PD, sot ju kishit për të hedhur në erë Kuvendin. Ja që s’e hodhët në erë. Jeni shumë të butë, shumë të qetë dhe kjo ka të bëjë edhe me një reflektim mbi rezultatin, i cili jo vetëm matematikisht, por edhe për arsye të tjera, ishte ai që ishte. Sa i përkte blerjeve të votave, presioneve…ne kemi qenë në situata të ndryshme dhe i kemi ndërruar disa herë vendet dhe nuk besoj që kjo ishte hera e parë në historinë e Shqipërisë ku flitet blerja e votës. Se kush e ka filluar?! Për ata që janë pak më të vjetër, e dinë shumë mirë këtë historinë e blerjes së votës”, deklaroi Majko.

/ Top Channel

Investigimi i “Fiks Fare”; mostrat e akullit nëpër “bar-kafe”, të ndotura

konkluzioni“Fiks Fare” ndërmori disa ditë më parë një vëzhgim për cilësinë e akullit në kryeqytet.

Emisioni investigativ i Top Channel, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Inspektoriatin Shëndetësor Shtetëror morën mostrat e akullit në disa subjekte private “bar-kafe”, të përzgjedhura rastësisht.

Këto të fundit u dërguan më pas për analiza, e pas marrjes së përgjigjeve u konstatua se, në disa subjekte, akulli i marrë ishte i ndotur mikrobiologjikisht.

Konkretisht, akulli shfaqte shenja të “Steptokokut fekal”, gjë që tregon se, uji që është shndërruar në akull ka shenja të ujërave të zeza.

Tre nga 7 subjektet, ku u morën mostrat e akullit, shfaqnin këtë problematikë. Dy institucionet kompetente, në ditët në vijim do të marrin masa ndaj subjekteve të gjetura në shkelje, por gjithashtu do të bëhen vëzhgime edhe në subjekte të tjera, për të parë sesi rezultojnë ato.

/ Top Channel

BP, 18.7 miliardë dollarë për dëmet

pulebardhatGjiganti britanik i naftës BP ra dakort të enjten të paguajë 18.7 miliardë dollarë për dëmet e shkaktuara nga rrjedhja më e rëndë e naftës në Shtetet e Bashkuara si pasojë e shpimeve në vitin 2010 në Gjirin e Meksikës.

Në një marrëveshje të arritur me Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe pesë shtetet bregdetare në Gjirin e Meksikës, BP tha se do të paguajë rreth një miliardë dollarë në vit për 18 vjetët në vazhdim.

Rrjedhja 1.6 kilometra nën sipërfaqe shkaktoi një shpërthim në bordin e plaftormës Deepwater Horizon për shpimin e naftës nga i cili u vranë 11 persona. Gjatë shumë javëve, më tepër se tre milion fuçi nafte u derdhën në gji para se autoritetet të ishin në gjendje të mbyllnin pusin.

Në fillim të vitit, një gjykatës në Nju Orlins arriti në përfundimin se kompania e naftës kishte vepruar me “neglizhencë të madhe” në operacionet e shpimit.

Prokurorja e Përgjithshme amerikane Loretta Lynch tha se nëse marrëveshja miratohet përfundimisht nga një gjykatë që ka dëgjuar pretendimet e dëmeve të shkaktuara, kjo do të ishte shuma më e madhe e paguar për të zgjidhur një mosmarrëveshje me një kompani në Shtetet e Bashkuara. Ajo tha se pagesat do të ndihmojnë në riparimin e dëmeve të shkaktuara për mjedisin dhe ekonominë e Gjirit, peshkimin dhe kafshët e egra.

Përveç kësaj, BP tha se kostot e lidhura me rrjedhjen kanë tejkaluar shumën e 42 miliardë dollarëve, përfshi 4.5 miliardë në gjoba penale. (voa)

Eliot Engel në Parlamentin e Kosovës

eliot engel kuvendLigjvënësi amerikan u bëri thirrje institucioneve të përmbushin detyrimet përfshirë ngritjen e Gjykatës së Posaçme

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel tha sot se para Kosovës ndodhen mjaft sfida të vështira që duhet të përmbushen, ndërsa bëri thirrje që këto të zgjidhen nga institucionet e vendit. Ai i bëri këto komente gjatë një seance solemne të Parlamentit të Kosovës, për të shënuar 25 vjetorin e miratimit të deklaratës Kushtetuese të Kosovës. Zoti Engel, që po qëndron në një vizitë disa ditëshe në Kosovë, u bëri thirrje institucioneve që të krijojnë Gjykatën e Posaçme e cila do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

“Mënyra se si e shoh gjendjen dhe e di që është një vendim i vështirë, nuk është cështja nëse do të ketë Gjykatë të Posaçme apo jo. Për mua cështja është se a do të ketë gjykatë të Posaçme apo do të jetë Gjykatë e Kombeve të Bashkuara sepse unë besoj që nëse nuk do të ketë Gjykatë të Posaçme, Kombet e Bashkuara do të kenë gjykatë”, tha zoti Engel duke nënvizuar se një gjykatë e krijuar nga Kombet e Bashkuara nuk do të ishte e mirë për Kosovën.

“Unë nuk besoj se Kombet e Bashkuara do të kenë trajtim të drejtë kur është në pyetje Kosova dhe unë besoj që ajo do të jetë alternativa për Gjykatën e Posaçme, nëse nuk formohet. Besoj që do të jetë gjykatë e Kombeve të Bashkuara dhe mendoj se kjo do të jetë problem i madh për Kosovën”, tha ai duke nënvizuar se si një mik i Kosovës e ndjen detyrim të shpjegojë këtë çështje.

Ligjvënësi Engel bëri thirrje ndërkaq që Kosova të vazhdojë fuqizimin e saj të brendshëm duke zhvilluar ekonominë dhe sundimin e ligjit.

“Ka shumë çështje dhe gjëra që duhet të bëhen. Dje jam takuar me gjykatës dhe sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm, luftimi i korrupsionit është i rëndësishëm dhe ka gjëra që duhet të bëhen këtu me ekonominë dhe kjo është e rëndësishme”, tha zoti Engel.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë partneri kryesor i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.

“Nuk ka arsye që Kosova të mbetet jashtë Bashkimit Evropian, nuk ka arsye që të mos ketë liberalizim të vizave dhe kjo duhet të ndodhë”, tha zoti Engel.

Zoti Engel, është anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara,  demokrat nga Nju Jorku. Zoti Engel, njihet si mbështetës i fuqishëm i çështjes shqiptare në Ballkan e posaçërisht i çështjes së Kosovës. Përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave joqeveritare thonë se zoti Engël, është një mik i vërtet e shqiptarëve në kongresin Amerikan për më shumë se 25 vjet dhe gjatë kësaj kohe luajti një rol me rëndësi në të gjitha proceset që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Në seancën e sotme ai u tha deputetëve se në Kosovë, ndjehet sikur në shtëpi. Ai kujtoi se për Kosovën kishte mësuar në një takim me mikun e tij Harry Bajraktari.

„Ai takim e ndryshoi jetën time, por besoj edhe jetët e shumë prej jush, meqë sa më shumë kam dëgjuar për padrejtësitë që ndodhnin atëbotë, aq më shumë kam dashur të jem pjesë e luftës për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi të mrekullueshëm. Shume vjet kam folur në Washington e New York për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. U kam thënë të gjithëve që kanë dashur të dëgjojnë se do ta kemi Kosovën e lirë e të pavarur dhe ja ku jam sot në Kosovën e lirë dhe të pavarur“.

Ai tha se shumëkush kishte dyshuar në këtë, duke kujtuar periudhën kur kishte dashur të ndiqte zgjedhjet e shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të 90-ta.

„Më ndaluan në kufi. Nuk donin të më linin. Millosheviçi kishte thënë se jam problem. Mbajta konferencë për shtyp në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.  I kisha humbur syzet dhe nuk shihja gjë, por fola nga zemra. Thashë se dua të hyjë në Kosovë, por Millosheviçi nuk më lë. Por, thashë se kam një lajm për të. Një ditë do të jemi të gjithë në Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe atëherë atij nuk do t’i lejojmë të hyjë“, tha zoti Engel.

Në ditën e sotme të vitit 1990, parlamenti i atëhershëm i Kosovës, miratoi në gjendje shtetrrethimi, një deklaratë të posaçme kushtetuese për Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në federatën e atëhershme jugosllave, e cila u bë e njohur si deklarata e pavarësisë.

Tri ditë më pas autoritetet serbe shpërndanë Parlamentin e Kosovës dhe mbyllën mjetet kryesore të informimit në Kosovë. 25 vjet më pas, Kosova ka hyrë në vitin e tetë të pavarësisë së saj të njohur nga mbi 100 vende të botës.

Dy korriku edhe sot e kësaj dite cilësohet si një nga ngjarjet me të rëndësishme që shënuan kthesë historike në përpjekjet e Kosovës për pavarësinë e saj. (voa)