Fëmijët dhe kanceri

Femijet dhe KanceriMjekët janë duke hequr dhe ngrirë vezoret dhe  testitet e fëmijëve me kancer me shpresën që të jenë në gjendje për të ruajtur pjellorinë e tyre kur të rriten. Trajtimet e kancerit mund të shkaktojnë sterilitet, kështu që kirurgët janë duke hequr organet riprodhuese të pacientit, ndërsa shkencëtarët kërkojnë një mënyrë për rigjallërimin e tyre në të ardhmen.

Nëse fëmija diagnostikohet me kancer, mendimi i menjëhershëm i prindit është mirëqenia dhe mbijetesa e fëmijës. Mjekët në Spitalin e Fëmijëve Lurie janë duke u kërkuar prindërve për të marrë një hap më tej për të siguruar lumturinë e ardhshme të fëmijës së tyre.

Është një eksperiment që një ditë mund t’u japë fëmijëve si Talia Pisano, 2 vjeçare, një shans për të pasur një fëmijë të saj në të ardhmen.

Mjekët janë duke hequr dhe ngrirë vezoret ende të paformuara dhe indet e testiteve, me shpresë për t’i vendosur ato përsëri kur pacientët arrijnë moshën e rritur dhe duan të krijojnë familje. Askush nuk e di ende nëse eksperimenti do të dalë me sukses. Por kirurgia pediatër, Erin Rowell është optimiste.

“Mundësia është për të ruajtur një vezore para se të dëmtohet nga terapia ose barnat dhe pastaj të shpresojmë që këto vezore të funksionojnë normalisht në të ardhmen”.

Procedura ka dhënë rezultat tek të  rriturit, dhe më shumë se 30 foshnje kanë lindur nga gra që u ishin hequr vezoret dhe iu vendosën përsëri pas trajtimit të kancerit, apo pasi kishin kaluar kushte të tjera të rënda shëndetësore. Por procedura të tilla tek fëmijët janë ende eksperimentale.

Operacionet e heqjes së indeve  janë bërë në mënyrë tipike, ndërsa një fëmijë vihet në gjumë për një arsye tjetër. Ndërsa puna për përparimin e shkencës në këtë fushë vazhdon, brezi i parë i fëmijëve, indet e të cilëve janë vënë në akull, rritet.

Mjekët përballen me një sfidë delikate; idenë e një procedure tjetër mjekësore kur familjet ende përpiqen për të përballuar diagnozën e frikshme dhe planin e vështirë të trajtimit.

Dr. Rowell thotë se një pjesë e sfidës është se ato vezoret që ende nuk kanë pasur stimulim natyror të trupit, mund refuzohen nga trupi.

Nëna e Talia Pisanos, Maria është duke shpresuar se një ditë vajza e saj do të bëhet nënë. Vitin e kaluar, Talia ishte trajtuar për kancerin e veshkave, por kanceri u përhap në tru dhe në prill të këtij viti mjekët i hoqën një nga vezoret.

Lindja e një fëmije në Belgjikë i bën shkencëtarët të mendojnë se ata janë në rrugën e duhur. Indet e vezoreve ishte hequr nga e ëma kur ajo ishte 13 vjeç, para se të fillonte trajtimin për anemi. Gjithashtu, sipas raportit mjekësor, kur indet iu hoqën dhe u ngrinë, ajo kishte shenja të pubertetit. Indet e vezoreve u shkrinë dhjetë vjet pasi kishin qëndruar të ngrira  dhe iu bashkëngjitën vezore të mbetura në trup. Ajo lindi nëntorin e kaluar, pas një shtatzënie normale.

Por çështja është për vajzat para-pubertetit si Talia Pisano. Mjekja Jill Ginsberg e Spitalit të Fëmijëve në Filadelfias është ndër të parat në këtë fushë. Pacienti i saj është 10 vjeçari Michael Richert i cili po trajtohet për një tumor në tru. Në fillim të këtij viti, atij iu hoqën indet e testiteve pas një transplantimi të qelizave burimore, para fillimit të kimioterapisë. Richert është nga një familje e zgjeruar dhe i pëlqen të imagjinojë se si ai do të luajë me djalin e tij të ardhshëm.

Dr. Ginsberg bën thirrje për kujdes.

“Ne nuk duam të premtojnë gjëra që nuk mund t’i  japim. Dy studime në këtë fushë janë shumë të reja dhe nevojiten studime të tjera për të vërtetuar se këto inde mund të përdoren pas ngrirjes tek fëmijët. Por të paktën diçka po bëhet.”

Në Qendrën spitalore Lurie, Maria Pisano është gjithashtu e vetëdijshme se suksesi nuk është i garantuar. Ajo është optimiste dhe pse thotë:

“Duket si një ide e madhe, dhe jam e lumtur që vajza ime merr pjesë në të. Është e mahnitshme që mund të bëjmë diçka të tillë për t’i ardhur në ndihmë.”

Por do të kalojnë shumë vite para se këta fëmijë do të kenë mundësinë të bëhen prindër. Ndërsa prindërit e tyre përpiqen t’u japin një shans për t’u bërë nëna dhe baballarë. (voa)

Kurti: Zajednicën e mundësuan Zajednica e vëllezërve të Thaçit me djemtë e Isës

albin kurti + thaciIsh – kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, njëherit deputet i Vetëvendosjes ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, për mbrojtjen që i ka bërë Isa Mustafës.

Kurti, thotë se Thaçi e pranoi Zajednicën me Serbinë dhe u solidarizua me pronarin e rançit në Prapashticë.

“Për qytetarët e Republikës, liria është pushtet. Për Thaçin, pushteti është liri. Vetëm duke qenë brenda pushtetit ai mbetet jashtë burgut. Nga kjo pozitë ai e pranoi Zajednicën me Serbinë. Dhe, u solidarizua me pronarin e rançit në Prapashticë. Zajednicën e Serbisë në Kosovë e mundëson Zajednica e vëllezërve të Thaçit me djemtë e Isës”, ka thënë Kurti./KosovaPress/

Shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë “Asociacion” sikur serbët në Kosovë

harta RM shqiptar+maqedoneLëvizja UNITETI pranoi me rezerva lajmin për nënshkrimin në Bruksel të Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, duke vlerësuar se kjo marrëveshje është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për rajonin e Ballkanit .

“Duke respektuar maksimalisht të drejtat e liritë e njeriut, individuale dhe kolektive të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe më gjerë, mendojmë që themelimi i Asociacioneve të këtilla paraqet një zgjidhje etno territoriale të kontesteve komunitare, që janë të dëmshme për qytetarët në Kosovë pa dallim.

Formimi i bashkësive të këtilla të veçanta territoriale për komunitete në numra modestë në territorin e një shteti sovran, mund të çojë në kërkesa të ngjashme nga komunitete tjera në rajon, të cilat kanë një potencë demografike pakrahasueshmërisht më të mëdha se komuniteti serb në Kosovë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Uniteti.

Në drejtim të organizimit  territorial dhe administrativ të Kosovës, kjo Lëvizje vlerëson se themelimi i një Bashkësie të këtillë çon në precedentin e krijimit të nivelit të tretë të pushtetit në vend, përtej atyre ekzistues aktualë në rafsh qëndror dhe lokal.

Gjithashtu, kompetencat burimore në sfera të tilla si arsimi, shëndetësia, edukimi, planifikimi hapësinor si dhe qenia e Asociacionit si entitet i veçantë ku një shtet tjetër sovran si Serbia ka të drejtë të ndërhyjë me formate financuese ose tjera, e çon Republikën e Kosovës drejt një decentralizimi të panjohur më parë me elemente të theksuara federaliste.

Uniteti vlerëson se Marrëveshja është edhe në kundërshtim me trendet europiane për zhvillim të barabartë të rajoneve. Andaj, duhet aplikuar modele që çojnë drejt një zhvillimi të barabartë duke thelluar bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe kurrësesi jo ndarjet në vija etnike.

“Lëvizja UNITETI, njofton opinionin e gjerë se do studiojë në vazhdimësi dhe seriozisht modalitetet e kësaj Marrëveshje dhe nëse ekzistojnë kushtet dhe kërkesat, do studiojë format dhe mënyrat e realizimit apo aplikimit të saj edhe në Maqedoni, në formën e një Asociacioni apo bashkimi të lirë e vullnetar të komunave shqiptare këtu, pa marrë parasysh vijimësinë gjeografike dhe përbërjen etnike të tyre”, theksohet në kumtesë.(INA)

Ahmeti do të bie, bashkë me Gruevskin

Javorja “Fokus” mban kryetitullin “Ahmeti bie, do të tërheq edhe Gruevskin!” dhe shkruan se kjo është periudha kur u rrënuan dy mitet për ndërshmëri dhe patriotizëm dhe kjo bëhet fjalë për kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryeministrin Nikola Gruevski.

Javorja që del në shitje ditën e nesërme shkruan se po vijnë ditë të vështira për liderin e BDI-së.

Në këtë storje nënvizohen të gjitha projektet e kësaj dysheje të qeverisjes dhe raportet e deritanishme të tyre populiste me elektoratin.

Revista më tej shkruan se ndërkombëtarët tashmë po i mbajnë në distancë dy politikanët që deri tani shfaqeshin për ndershmëri dhe patriotizëm. (ina)

Projektet e Shqipërisë në Vjenë dhe financimi i tyre

MetajMinistrat e Ekonomisë së vendeve të rajonit u takuan me përfaqësuesit e BE-së për të diskutuar mbi projektet konkrete sidomos në infrastrukturë dhe mekanizmat e financimit të tyre.

Shqipëria u përfaqësua në këtë takim me ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili shtjelloi më gjerësisht në një lidhje drejtpërdrejtë telefonike me Top Channel se çfarë u diskutua në tryezë. Ahmetaj i vlerësoi si të suksesshme bisedimet e kryeministrit Rama mbi projektet konkrete rajonale, sidomos sa i takon dy autostradave, asaj Adriatiko-Joniane dhe asaj Durrës-Prishtinë-Nish, për të cilat tha ministri, në shtator do të nisë studimi i fizibilitetit.

“Negociatat e bëra nga kryeministri Rama sa i përket projekteve rajonale, që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, kanë funksionuar dhe në shtator nisin studimet e fizibilitetit për autostradën Adriatiko-Joniane apo ‘Autostrada Blu’, që i referohemi ne e që prek Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë. Gjithashtu edhe korridori Nish-Prishtinë-Durrës rrit ndërlidhjen me Kosovën dhe Serbinë, por rrit edhe mundësitë e Portit të Durrësit për të qenë një port kyç në rajon”, tha Ahmetaj.

Kostoja e këtyre investimeve tejkalon kapacitetet financiare të qeverive të rajonit, të cilat po përpiqen të reduktojnë borxhin publik. Për këtë në Vjenë janë diskutuar mundësitë që institucionet financiare europiane dhe jo qeveritë e Ballkanit Perëndimor, të marrin përsipër garancitë sovrane për financimin e këtyre projekteve.

“Të gjitha vendet e rajonit i kanë ezauruar kapacitetet financiare. Nuk kanë më mundësi të rrisin borxhin, ndaj është duke u punuar për konceptimin e një instrumenti garancie me BERZH-in dhe me Bankën Europiane të Investimeve, të cilat do të financojnë fizibilitetet për këto korridore. U fol për instrumenta konkretë që buxhetet e vendeve të rajonit të mos ngarkohen me garanci sovrane, por të ketë instrumenta europiane dhe ndërkombëtare të cilat të ofrojnë garanci sovrane”, deklaroi Ahmetaj.

Ministri shqiptar i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes tha se në samit kryeministri Rama ka hedhur idenë për ngritjen e unionit ekonomik rajonal dhe të Bankës Rajonale të Zhvillimit, ide të mbështetura nga kancelarja Merkel dhe nga institucionet e tjera të BE-së.

Ngritja e unionit ekonomik rajonal synon uljen ose heqjen fare të barrierave tarifore me të cilat vendet e rajonit ngarkojnë biznese të ndryshme që ushtrojnë aktivitetin jo vetëm në një vend. Ahmetaj solli si shembull për t’u ndjekur mekanizmin e aplikuar mes Shqipërisë e Kosovës dhe në shtator i njëjti mekanizëm do të nisë edhe me Serbinë fillimisht e më pas me vendet e tjera të rajonit.

Para nisjes së punimeve të samitit, Ahmetaj mori pjesë në një takim me sipërmarrës ndërkombëtarë. Ai e vlerësoi takimin si të suksesshëm për të kuptuar më mirë shqetësimet dhe fushat e interesit të biznesit.

/ Top Channel

Komisionari evropian për negocim të zgjerimit Johannes Hahn, tha të enjten në Vjenë se pas marrëveshjeve Prishtinë – Beograd, BE-ja do të fillojë së shpejti bisedimet me Serbinë

HahnKomisionari evropian për negocim të zgjerimit Johannes Hahn, tha të enjten në Vjenë se Bashkimi Evropian do të fillojë së shpejti bisedimet për anëtarësim me Serbinë. Ai i bëri këto komente në kuadër të takimit mbi Ballkanin Perëndimorë që po i zhvillon punimet në Vjenë të Austrisë.

“Atmosfera është e tillë që ne duhet të fillojmë shumë shpejt bisedimet për anëtarësim të Serbisë, tha zoti Hahn, duke ju referuar marrëveshjeve  të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Të martën të dyja palët nënshkruan marrëveshje mbi telekomin, energjinë lëvizjen e lirë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

Asociacioni i komunave ka nxitur ndërkaq shumë reagime në Kosovë, ku opozita edhe të enjten ka ndërmarrë disa veprime kundërshtuese. Përfaqësuesit e partive opozitare thonë se ai çon në ndarjen e Kosovës.

Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës, marrëveshjen e stabilizim asocimit, nënshkrimi i së cilës pritet muajt në vazhdim. (voa)

Dhjetra emigrantë të vdekur në një kamion

emigrantetRreth 50 emigrantë u gjetën sot të vdekur në një kamion të parkuar në Austrinë lindore, me sa duket nga asfiksimi.

Një zëdhënës i ministrisë së brendshme austriake konfirmoi se ishte gjetur se një rimorkio kamioni në një rrugë automobilistike pranë qytetit Parndorf. Zëdhënësi tha se të vdekurit duket të jenë refugjatë.

Zyrtarët hungarezë thanë se automjeti i gjetur në Austri kishte targë hungareze dhe se policia hungareze po punon me atë austriake për të gjetur shoferin.

Dhjetra mijëra refugjatë përpiqen të largohen nga kriza në Lindjen e Mesme dhe Afrika, për të shkuar drejt Europës. (voa)

“Të krijojmë kushte që njerëzit të mos largohen nga atdheu”

Në Gjermani duhet të biem dakord që shtetet e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Kosovën, edhe Shqipërinë janë vende të sigurta origjine, thotë për DW ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier

 

SteinmeierDW: Zoti Steinmeier shumë refugjatë nga Siria vijnë përmes itinerarit Ballkanik, por në Gjermani vijnë edhe migrantë, azilkërkues nga shtetet e Ballkanit. Çfarë duhet të bëjnë vendet e Ballkanit që këta njerëz të mos largohen nga vendi i tyre?

Frank-Walter Steinmeier: Unë besoj ne duhet të bëjmë dy gjëra. Së pari ne duhet të na bëhet e qartë se si duhet të veprojmë me shtetet e Ballkanit Perëndimor që ndodhen në rrugën drejt BE-së. Sipas bindjes sime këto nuk mund të jenë vende prej të cilave njerëzit të vijnë në Gjermani për të gjetur mbrojtje. Ndaj besoj, se ne në Gjermani duhet të biem dakord, që shtetet e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë edhe Kosovën, edhe Shqipërinë janë vende të sigurta origjine, ku ne mund t’i kthejmë njerëzit, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, ose njëkohësisht ne mund t’u tërheqim vëmendjen atyre qysh përpara udhëtimit, se nuk kanë asnjë shans për garantimin e azilit në Gjermani. Nga ana tjetër në Vjenë unë u kujtova shteteve të Ballkanit Perëndimor, se ato i kanë pranuar normat humanitare në shumë marrëveshje dhe si rjedhojë kanë pranuar përkatësisht edhe detyrimet që ato kanë. Një përkujdesje humanitare ndaj refugjatëve është detyrim. Megjithatë ne nuk duhet t’i lemë vetëm këto vende. Ndaj ne qysh përpara disa ditësh në nivel bilateral kemi vendosur, që ta mbështesim Greqinë me rreth 1,2 milionë Euro për përkujdesjen humanitare të refugjatëve. Po ashtu edhe Serbinë e Maqedoninë, sipas vendimit dje, i kemi mbështetur sërish me afro një milion. Unë shpresoj, që shtete të tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Bashkimi Europian ka marrë vendime të ngjashme.

Por ka edhe refugjatë lufte që nga vendi i BE-së Greqia shkojnë në Maqedoni e Serbi. Çfarë duhet të bëjë BE-ja për ta ndaluar këtë? Tek e fundit ky nuk është as qëllimi.

Jo, ky nuk është aspak qëllimi dhe ne bisedojmë intensivisht me Greqinë. Greqia tani nxjerr në pah faktin, se ajo nuk është hallka e parë, por tërheq vëmendjen ndaj Turqisë, e cila gjoja i shtyn në masë refugjatët sirianë drejt Greqisë. E shihni pra, që lëvizja e migracionit ose siç e quajnë disa të tjerë kriza e refugjatëve është kaq e madhe, se secili tregon me gisht drejt tjetrit, ndaj ne nuk mund t’i shmangemi faktit se konceptin e solidaritetit europian duhet ta ripërkufizojmë ose thënë më saktë, duhet ta përcaktojmë bashkarisht atë, për sa ka të bëjë me qëndrimin ndaj lëvizjes së refugjatëve. Në fakt unë besoj, se ne pavarësisht rezistencës nuk do të mund t’i shmangemi çështjes së një ndarjeje të drejtë europiane dhe përcaktimit të kuotave. Ne duhet të angazhohemi më fuqishëm në vendet e origjinës dhe në vendet kryesore të tranzitit. Ne duhet të ndihmojmë, të krijojmë atje kushte, në mënyrë që njerëzit të qendrojnë dhe të mos largohen nga atdheu i tyre. Shanset për rritje ekonomike, për vende pune – këto mund të arrihen vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë ekonomik. Së treti ne duhet të ndihmojmë, që të zgjidhim shkaqet thelbësore për lëvizjen e refugjatëve që janë krizat e konfliktet, luftrat civile në Afrikën e Veriut dhe në Siri.

Si mendoni lidhur me propozimin e ministrit të Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz, që në këto shtete të krijohen zona mbrojtjeje për refugjatët. A mund të funksionojë kjo?

Ky nuk është një diskutim i ri. Ky diskutim zhvillohet me kryetituj të ndryshëm. Edhe OKB-ja ka bërë thirrje, që ne të krijojmë të ashtuqutur hotspots në vendet e tranzitit, qendra ku të regjistrohen dhe të qendrojnë fillimisht refugjatët. Nëse do të bëhet kjo dhe nëse do të arrihet në marrëveshje, me çfarë detyrash do të ngarkohen këto qendra, të gjitha këto janë të hapura.

Koment: Ballkani Perëndimor mbetet i përjashtuar

Në Vjenë takohen kryeministrat nga e gjithë Europa në Konferencën e dytë për Ballkanin Perëndimor. Një takim i prapambetjes me arrogancën e pushtetit, mendon Dragoslav Dedoviç.

samiti vjene“Ballkani Perëndimor” është një term teknik, që BE-ja e përdor që prej 17 vjetësh. Ai përfshin shtetet e dala nga ish-Jugosllavia. Meqënëse Sllovenia u përjashtua nga ky raund si një vend shumë perëndimor dhe me shumë mirëqenie, atij iu shtua edhe një vend tjetër tipik ballkanik – Shqipëria.

Ky përkufizim ka në Gjermani dhe në Perëndim një konotacion të keq, pikëkirsisht ashtu si edhe emërtimi kryesor Ballkan. E si kompensim edhe Perëndimi nuk has vetëm në tifozë në rajon. Kjo ka një parahistori të gjatë, e cila ka çuar në klishetë e sotme: një parambetje e vazhdueshme në Ballkan dhe një arrogancë cinike e vazhdueshme pushteti në Perëndim.

Në Vjenë të paktën në aspektin retorik “prapambetja” dhe “arroganca e pushtetit” do të përjashtohen. Të gjithë do të bëjnë sikur takimi është një përsëritje rutinë e formatit të krijuar para një viti në Berlin, qëllimi i të cilit është afrimi i shpejtë i rajonit në BE dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal.

Aspak dëshirë për Ballkanin Perëndimor

E vërteta është: Gjermania & Co. nuk kanë dëshirë, që në një afat të parashikueshëm t’i pranojnë në BE-në gjysmë të papërfunduar shtetet e varfëra gjysmë të dështuara. Askush nuk do ta thotë këtë sinqerisht. Në vend të kësaj do të përsëritet në formën e një rituali lutjeje formula e samitit të BE-së në Selanik më 2003: “E ardhmja e shteteve të Ballkanit është në Bashkimin Europian”.

Prej kohësh në kryeqytet perëndimore druhen, se tek e fundit në BE do të futen vende me një displinë të dyshimtë buxhetore të llojit helenik. Apo madje t’i pranojë ato në Eurozonë! Përveç kësaj ka drojë, se ndër kandidatët për në BE ka edhe disa vende, minoritet e të cilëve – si sot shumë romë nga Rumania e Bullgaria që preferojnë të jetojnë në Dortmund – margjinalizohen dhe janë ekstrem të varfër.

Imazhet e vjetra të armikut në Ballkan

E vërteta është edhe se marrëdhëniet bilaterale mes Serbisë nga njëra anë dhe Kroacisë e Bosnjë-Hercegovinës nga ana tjetër në dymbëdhjetë muajt e fundit janë përkeqësuar edhe më tej. Kjo ka të bëjë me paaftësinë e elitave të atjeshme politike, për t’i pranuar faktet nga vitet nëntëdhjetë të luftës dhe për t’i integruar ato në kuluturën e tyre të kujtesës. Imazhi i armikut kësisoj mbetet i aktivizueshëm në shoqëri.

Marrëveshja e mbivlerësuar e Brukselit, që arritën Serbia dhe Kosova në vitin 2013 me ndërmjetësimin e BE-së, deri më sot në shumë pika nuk është zbatuar. Eshtë paradoksale, por e vërtetë: BE-ja investon përmes EULEX-it për shtetin ligjor në protektoratin e vet Kosovë, ndërkohë që shumë qytetarë të Kosovës kërkojnë të drejtën e tyre për të aplikuar për azil në Gjermani.

Gjendje katastrofale ekonomike

Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk e ka arritur sërish nivelin e zhvillimit ekonomik të vitit 1989. Madje në anëtaren e re të BE-së, Kroaci, ekonomia nga viti 2009 është në tkurrje. Atje ku shifrat ekonomike duken disi më mirë, si në Maqedoni e Mal të Zi, e paralizon jetën politike një strukturë pushteti që e konsideron veten të pagabueshme. Nëse sheh Bosnjë-Hercegovinën sot, shtron pyetjen, se çfarë ka bërë në fakt Perëndimi si fuqi mbrojtëse që prej dy dekadash atje. Ky vend është i paqendrueshëm si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Diçka nuk shkon, e kjo në të dyja drejtimet – duket sikur vërtetë në takimin mes Perëndimit dhe Ballkanit Perëndimor arroganca e pushtetit dhe paprapambetja kërcejnë një vals që nuk do të përfundojë kurrë.

Panine të vogla dhe shumë refugjatë

Por për këtë nuk flitet. Do të shkëmbehen komplimenta. Do të piqen panine të vogla dhe ato do të shiten si një histori suksesi. Grupet e punës do të numërojnë kjelltas premtimet e papërmbushura që nga takimi i kaluar. Do të krijohen nëngrupe pune nëpër ministri. Lista e nismave të dështura dhe e projekteve të varrosura në heshtje është pothuajse po aq e gjatë sa edhe lista e nismave të përpiluara me optimizëm para një viti në Berlin. Si do të ndryshohet kjo? Pala organizatore nuk ka asnjë ide, e po ashtu as të ftuarit.

Në vend të kësaj tema dominuese edhe pas kuintave do të jetë rritja e numrit të refugjatëve. Përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit do të tërheqin vëmendjen ndaj kushteve të këqia të “korridorit” mes Greqisë dhe Hungarisë si dhe ndaj faktit, që refugjatët e luftës nga vendi i BE-së Greqia në vendin e BE-së Hungari udhëtojnë përmes vendeve të BE-së Maqedoni dhe Serbi. Deri më sot e lënë në baltë nga Brukseli Greqia nuk i mban më refugjatët. Hungaria – do t’i pengojë ata me një gardh – të sponsorizuar nga Brukseli. Çfarë do të thotë kjo për shtetet e Ballkanit?

Berlini do të kundërvihet me një tjetër fakt. Mbi 40 përqind e azilkërkuesve në Gjermani vijnë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kështu s’mund të vazhdohet më.

Zemra në kuletë

Pavarësisht se çfarë do të rezultojë nga ky vallëzim disproporcional në Vjenë: Ballkani Perëndimor nuk do të marrë impulse të mjaftueshme ekonomike. Sepse një studim i Universitetit të Nisës e vlerëson nevojën rajonale për investime deri në vitin 2020 me rreth 110 miliardë euro. Për një “paketë shpëtimi” të këtij niveli në Perëndim nuk ka mazhorancë politike. Kësisoj macja kafshon bishtin e vet sipas motos: nëse ti nuk investon tek unë, vij unë tek ti!

Nëse zemra rreh e trembur në kuletë, atëherë gjërat shihen të deformuara. Në këtë drejtim ndihmon një përvojë jugosllave: eksperti jugosllav i ekonomisë Branko Horvat qysh në vitin 1968 konstatoi, se Kosovës për të barazuar nivelin e jetesës i nevojitet një rritje ekonomike dy herë më shumë se Sllovenia. Gjithçka tjetër vetëm do ta vononte arritjen e barazisë ekonomike mes popujve të Jugosllavisë. Si rrjedhojë do të vihen para një sprove të vështirë ndjenjat kombëtare, argumentonte Horvat. Çfarë mësojmë prej kësaj? “Solidariteti socialist” i vendosur me dekret partiak dështoi në realitetin ekonomik dhe Jugosllavia u shpërbë në fillim të viteve nëntëdhjetë prej sprovës së vështirë të parashikuar nga Branko Horvat. Ndërkohë kostoja e pasojave është edhe për Perëndimin më e lartë se sa investimet që nevojteshin asokohe. Edhe sot Kosova është vendi i varfër i Europës, ndërkohë që Sllovenia ekonomikisht e politikisht është shumë më afër Austrisë se sa Kosovës.

Dështim i modernizimit neoliberal

Vendet e dobëta, të cilët kanë një mjedis të fortë ekonomik, kanë nevojë për modernizimin. Vetëm ato nuk mund t’ia dalin. Kjo kushton shumë.

Vërtetë, që Gjermania dhe BE-ja janë të zhgënjyera tek konstatojnë, se paratë që ato i investojnë ndërkohë në Ballkanin Perëndimor, nuk kanë efekt në përmirësimin e shpresuar. Mos vallë është investuar gabim? Mos vallë është investuar shumë pak? Mos vallë u është besuar njerëzve të gabuar? Apo janë dërguar vallë njerëzit e gabuar? Mos vallë një takim vjetor është formati i gabuar? Mos vallë duhet përveshur punës në vend që të merresh me çikërrima?

Sigurisht që demokracitë e ekonomisë së tregut në Perëndim nuk mund t’i akuzosh për mungesë përpjekjesh. Në fakt miliarda janë derdhur në këtë rajon. Por disa prej tyre janë kthyer sërish në drejtim të Perëndimit. Kaq shumë para në qarkullim e kaq pak përparim. Këtu nis dallimi mes së mirës dhe qëllimit të mirë. Prej gati dy dekadash Perëndimi është aktor kryesor në aspektin ekonomik dhe politik në Ballkan. Tani pas dështimit të Jugosllavisë në të njëjtin rajon po konturohet një tjetër dështim europian. Ky është një dështim i paralajmëruar. Për fat të keq një diskutim i tillë nuk do të zhvillohet në Vjenë. Por dikur kjo duhet diskutuar. (dw)

BE gjigand ekonomik me deficite

Si fuqi tregtare, BE është një fuqi e njohur. Por në skenën politike ai e manifeston vetëm pamjaftueshëm peshën e tij. Kina, e zhgënjyer, preferon të ndjekë linjën bilaterale në marrëdhënie me shtetet e BE.

euroKina është ekonomia e dytë për nga madhësia në botë, që prej vitit 2013 ajo është kombi me vëllim tregtar më të madh në botë. Para së gjithash për arsye ekonomike e ka drejtuar Pekini vështrimin nga BE me 500 milionë konsumatorët e tij. Çdo ditë këmbehen mallra me vlerë mbi një miliardë dollarë. Kjo e bën BE partnerin më të rëndësishëm tregtar të Kinës. Por megjithë rëndësinë që ka Evropa si partnere ekonomike: vend qendror në marrëdhëniet e jashtme të Kinës zë SHBA.-ja edhe për shkak të pranisë së tyre ushtarake në hapësirën aziatike të Paqësorit.

Gjigand me deficite

Kjo në një kohë kur Evropën e shohin në Kinë kryesisht me sy pozitiv. Po shkëlqimi po bie. Qiu Yuanlong, ekspert për Evropën në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale e konsideron të kapërcyet termin e shumëcituar të “gjigandit ekonomik dhe xhuxhit politik”: meqenëse aftësia për konkurrencë e BE po bie, sot ai është një gjigand me deficite, mendon profesori nga Pekini.

Në vitin 2003 BE dhe Kina i ngritën në një nivel më të lartë marëdhëniet e tyre: në një “Partneritet të Gjerë Strategjik”. Ky klasifikim vjen në nivel të dytë për nga rëndësia në politikën e jashtme të Kinës. Pasqyrimi praktik i këtij partneriteti konsiston para së gjithash në vizita reciproke të dendura, shpjegon Francois Godemont. Specialisti për Kinën në European Council of Foreign Relations numëron: “Janë takimet e përvitshme të nivelit të lartë. Dhe pastaj pasojnë edhe mbi 70 deri 80 forume të rregullta dialogu.”

BE nuk është plotësisht aktor strategjik

Megjithatë “Partneriteti strategjik” nga pikëpamja kineze ka një mangësi thelbësore: për Pekinin BE nuk është plotësisht aktor strategjik. Kjo ka të bëjë para së gjithash me evropianët vetë, me mungesën e unitetit tek ata. Eksperti i Pekinit për Evropën Qiu konstaton se BE vërtet ndjek një politikë të përbashkët në fushën e tregtisë, por jo në çështje politike dhe sociale. “Për çështjen e të drejtave të njeriut, çdo vend i BE ka pikëpamje të ndryshme. Dhe Kinës natyrisht i pëlqen të dëgjojë atë që thonë vendet më miqësore ndaj saj. Qiu Yuanlong thotë në mënyrë diplomatike se do të ishte më mirë sikur BE të negocionte si një i vetëm me Kinën.” “Por Kina i kushton rëndësi të madhe edhe marrëdhënieve me shtete të veçanta anëtare, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe.” Veç kësaj, ajo e ka më të lehtë për t’i zbatuar kërkesat e saj në Bruksel, kur arrin më parë sukses në Berlin, thotë më tej njohësi kinez i Evropës.

Vendime të rëndësishme nuk merren në Bruksel

Marrëdhëniet midis Berlinit dhe Pekinit janë me të vërtetë veçanërisht të ngushta. Dhe të nxitura gjithashtu nga ekonomia. Tregtia me Gjermaninë përbën rreth 40 përqind të të gjithë shkëmbimit të mallrave të BE me Kinën. Edhe me Gjermaninë, Kina ka një “partneritet strategjik” – ashtu si edhe me Francën, Anglinë, Italinë, Spanjën dhe Portugalinë. Një veçanësi e marrëdhënieve gjermano-kineze janë megjithatë konsultimet reciproke qeveritare. Një herë në vit takohen kabinetet thuajse të plota të të dyja vendeve – herë në Gjermani, herë në Kinë. Në përgjithësi Kina sillet në mënyrë pragmatike, thotë eksperti i Kinës, Godemont. Pekini zgjedh atë partner bisedimesh, i cili i shërben më tepër interesave të tij.

Por nganjëherë Kina përdor edhe kartën shumëpalëshe – megjithatë jo patjetër siç do ta dëshironte BE. Kështu Kina ka krijuar një format të vetin takimesh të nivelit të lartë me 16 shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore. Midis tyre janë edhe disa shtete anëtare të BE. (DW)