Gruevski mund të arratiset në Moskë?

PUTIN-gruevskiGazetari i njohur maqedonas, Aco Kabranov, në kolumnën e fundit aludon se kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski po bëhet gati të arratiset në Moskë. Këtë aludim Kabranov e bën duke komentuar intervistën e fundit të Gruevskit dhënë për gazetën Politika të Beogradit, ku është ankuar edhe njëherë se Prokuroria Speciale Publike është shndërruar në instrument të opozitës, transmeton Gazeta Lajm. Për dallim prej kolumnistëve tjerë që Gruevskin e quajnë “bariu”, Kabranov në këtë kolumnë Gruevskin e quan Lugji, duke e krahasuar me mbretin francez të njohur për jetën e tij luksoze.
“Pse jo, Moska është e bukur, thonë se në kalatë për të arratisurit në lagjen elitare luksoze të Moskës që më duket e quajnë Barviha, ka edhe nga tanët, që ua ka shitur Putini, në rast nevoje. Po, po, ajo qenka një lagje që është për rangun e Luigjit tonë, dhe kuptohet për gjysmën e tij më të bukur. Pse jo, atje është Marko, djali i Millosheviqit, atje është ai Kariqi dhe kush e di sa të arratisur tjerë. Edhe do të bëjnë biznese me miliardat e vjedhura, edhe gratë dhe nënat do të pinë kafe dhe do të tregojnë se sa me nderë janë pasuruar, kurse Putini human i ka strehuar” , shkruan Kabranov. (ina)

Shqiptarët në kategorinë e tretë për nga rreziku i terrorizmit

terorizmi euPas sulmeve terroriste në aeroportin “Ataturk” në Stamboll, Zyra e Jashtme dhe e Commonwealthit në Britani të Madhe, ka publikuar një listë të shteteve që janë të rrezikuara nga terrorizmi.

Këtë listë, kjo zyrë e ka publikuar si ndihmë për britanikët që planifikojnë pushime nëpër Europë, transmeton Koha.net.

Shteti Islamik kreu sulme me bomba në Stamboll të martën, duke lënë të vdekur 42 persona dhe 239 të plagosur.

Ekspertët për terrorizëm kanë ndarë rrezikun nga terrorizmi në katër kategori. Kosova gjendet në kategorinë e tretë së bashku me disa vende të Ballkanit.

Kosova është shteti i 24 më i rrezikuar nga terrorizmi, pas saj është Shqipëria, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Sllovakia,Bjellorusia, Luksemburgu, Gjeorgjia dhe Malta.

Para Kosovës si vende më të rrezikuara janë Serbia, Kroacia, Portugalia, Finlanda, Norvegjia dhe Irlanda, transmeton Koha.net.

Në kategorinë e shteteve me rrezikun më të lartë nga terrorizmi në Europë janë Britania e Madhe, Franca, Spanja, Belgjika, Gjermania, Turqia dhe Rusia.

Holanda, Danimarka, Suedia, Italia, Austria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Greqia, Ukraina dhe Qipro janë në kategorinë e dytë të shteteve më të rrezikuara nga terrorizmi.

Në kategorinë e fundit si vendet më pak të rrezikuara janë: Zvicra, Sllovakia, Çekia, Hungaria, Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia. (koha)

Ja oraret e ndalesave për lëvizjen e automjeteve të rënda nëpër rrugët e Maqedonisë

kamioniSipas një kumtese nga Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM), nga 1 korriku do të zbatohet një regjim i ri qarkullimi me automjetet e rënda nëpër rrugët e Maqedonisë, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Me këtë regjim, ndalohet lëvizja e automjeteve të rënda transportuese deri 15 ton, gjatë fundjavës dhe në ditët kur temperaturat janë mjaft të larta.

Kjo ndalesë vlen në periudhën kohore nga ora 17 e deri në ora 22, për të premten, nga ora 9 deri ora 18, për të shtunën dhe nga ora 9 deri ora 22, për të dielën.

Në rastet kur Ministria e shëndetësisë do të jep alarmin për temperatura të larta, atëherë ndalesa do të vlej nga ora 11 e deri në ora 17, për ditën e caktuar.

Në magjistralen Shkup – Tetovë – Ohër dhe anasjelltas, ndalesa vlen për automjetet, masa e të cilave tejkalon 7.5 ton, gjatë periudhës së fundjavës, nga ora 15 e deri në ora 22, për të premten; nga ora 7 e deri në ora 12 dhe nga ora 18 e deri në ora 24, për të shtunën; nga ora 7 e deri ora 22 , për ditën e diel.

Ky regjim do të zgjatë deri më 1 shtator.

/Telegrafi/

Identifikohen sulmuesit në aeroportin e Stambollit

turqiaZyrtarë të qeverisë turke thanë se tre sulmuesit vetëvrasës që lanë pas vetes 43 të vrarë dhe rreth 240 të plagosur në aeroportin e Stambollit, janë nga Rusia, Uzbekistani dhe Kirgizia.

Gazeta proqeveritare turke, Yeni Safak, shkruan se sulmuesi rus është nga rajoni i Dagestanit që kufizohet më Çeçeninë. Sherbimi kirgiz dhe ai uzbek i sigurisë nuk kanë komentuar njoftimet.

Të enjten policia turke tha se ka arrestuar 13 veta, në mesin e të cilëve tre shtetas të huaj, lidhur me shpërthimet vetëvrasëse të së martës në aeroportin e Stambollit.

Policia tha se ka kryer bastisje në 16 pjesë të ndryshme të Stambollit në pëprjekje për të kapur përgjegjësit për organizimin e sulmit vdekjeprurës të së martës.

Agjencitë lokale të lajmeve thanë se nëntë veta u arrestuan në qytetin bregdetar të Izmirit nën akuzat për lidhje me luftëtarët e grupit Shteti Islamik në Siri dhe mbështetje financiare e rekrutim të luftëtarëve për këtë grup.

Autoritetet turke kanë fajësuar ISIS-in për sulmin në aeroport, ndonëse militantët nuk e kanë marrë përsipër përgjegjësinë.

Kryeministri Binali Yildirim, tha se provat e para flasin për një sulm nga ana e ekstremistëve të Shtetit Islamik. Ai tha se sulmi mund të ketë qenë një kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të Turqisë për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë dhe Izraelin.

Shefi i Agjencisë amerikane të zbulimit, John Brennan, tha se sulmi vetëvrasës në Stamboll mban “vulën” e Shtetit Islamik.

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha të mërkurën në takimin e udhëheqësve të Amerikës së Veriut në Kanada, se qeveria e tij, “nuk do të pushojë derisa nuk zhbëhen rrjetet e urrejtjes që kanë ndikuar në tërë botën e qytetëruar”.

Komentet e tij pasuan një bisedë telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti Erdogan tha se sulmet dëshmuan se “terrorizmi godet pavarësisht nga besimi dhe vlerat”. Por, ai tha se Turqia “ka fuqi, përkushtim dhe mundësi që ta çojë deri në fund luftën kundër terrorizmit”.

Sulmi në aeroportin e Stambollit, që është i treti në Evropë, ishte i fundit në valën e sulmeve në Turqi gjatë vitit të fundit, që vranë më shumë se 260 veta.

Terrorizmi ka dëmtuar rëndë industrinë e turizmit në Turqi në të cilën mbështetet edhe ekonomia e vendit.

ISIS-i është fajësuar për dy sulme të mëhershme gjatë këtij viti në Stamboll duke vënë në shënjestër turistët e huaj.

Partia Punëtore Kurde, ka kryer po ashtu sulme vetëvrasëse, por duke vënë në shënjestër kryesisht forcat e sigurisë. Një sulm i PKK-së më herët gjatë këtij muaji la pas vetes 11 të vrarë. (voa)

Kosovë: Dënohet një shtetas serb për terrorizëm

cekici i drejtesiseNjë gjykatë në Prishtinë e dënoi me 13 vjet heqje lirie një shtetas nga Serbia nën akuzën për veprime terroriste.

Gjykata e shpalli fajtor serbin, Slobodan Gavriç, i cili qe arrestuar në Prishtinë në dhjetor të vitit 2014, pasi që në makinën me të cilën po udhëtonte policia gjeti 12.2 kilogram mjete shpërthyese.

Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë kundër shtetasit serb, që sipas saj “me qëllim që seriozisht ta frikësojë popullatën dhe të destabilizojë e të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit”.

Në akuzë thuhej se “i pandehuri gjatë muajit dhjetor të vitit 2014, në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale mbi 12 kilogram që përmbajnë eksploziv të fuqishëm “Pentaerythritol Tetranitrate“ (PETN), i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale, të cilat pastaj me veturën e tij, më 25 dhjetor 2014, i ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë, ku në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas kontrollit të kryer, në bagazhin e veturës së tij është gjetur eksplozivi”.

Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale: “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”,

Ekspertiza e mjeteve shpërthyese është kryer nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe autoritetet e Kosovës.

Gjatë procesit gjyqësor ai nuk e pranoi fajësinë, ndërsa tha se mjetet shpërthyese i kishte dërguar në Prishtinë për t’i shitur. (voa)

Erdogani duhet të ndryshojë kursin e politikës së jashtme

Turqia ka raporte të tendosura të paktën me dy vende: Rusinë dhe Izraelin. Tani ka nevojë për përmirësime, sepse politika e ashpër e Presidentit Erdgogan i ka sjellë shumë probleme vendit.

erdoganPlazhet turke janë gati bosh, sepse atje ka shumë më pak njerëz se në të kaluarën. Një e treta, pra rreth 35 % turistë ka më pak këtë vit. Tregtarët dhe hotelierët thonë se po u mungojnë rusët, sepse numri i tyre ka rënë me 90%. Por edhe gjermanët hezitojnë këtë vit të shkojnë në Turqi. Numri i tyre ka rënë me 30%. Më së shumti janë dëmtuar sipërmarrësit e vegjël, tregtarët dhe punëtorët në plazhe si dhe guidat turistike.

Përgjegjësinë e ka gjendja tepër e keqe e sigurisë dhe politika e Erdoganit. “Shumë shpesh ka shpërthime, ndërsa raportet me vendet tjera janë të këqija”, thotë një mësues i sporteve ujore. “Teatri për rezolutën ndaj armenëve ka krijuar një imazh të keq. Qeveria turke nuk ka mundur t’i përmirësojë me kohë raportet me vendet e tjera, ndaj edhe numri i turistëve ka rënë shumë.

Sulmet e fundit në Stamboll, por edhe ato të mëparshmet, kanë bërë që turistët të qëndojnë larg metropolit. Shumëkush e sheh fajin tek Presidenti Erdogan. Para pak kohësh është shënuar edhe demonstrata e parë kundër politikës së Erdoganit.

Kurs tepër i keq diplomatik

Qeveria e Erdoganit vërtet ka lënë shumë pak miq kohët e fundit: prej vitesh Erdogani kërkon heqjen e regjimit të Asadit. Me këtë politikë të mbështetur edhe nga vendet perëndimore, është futur në konflikt me mbështetësit e tij – si Siria dhe Irani. Tensionet janë shtuar pas goditjes në nëntor të vitit të kaluar të një avioni ushtarak rus. Raportet me Moskën janë përkeqësuar në mënyrë dramatike.

Por ndërkohë janë ftohur raportet edhe me partnerët perëndimorë, të cilët e konsiderojnë Turqinë fajtore për mosmbrojtjen sa duhet të kufirit me Sirinë, që lejon futjen e terroristëve në territorin e Evropës. Ndërkohë gazeta “Cumhuriyet” ka ngritur kritika për mbështetjen me armë të ekstremistëve. Janë përkeqësuar raportet edhe me Gjermaninë, për shkak të rezolutës së Bundestagut me të cilat krimet ndaj armenëve në vitet 1915/16 quhen “gjenocid”.

Prej vitit 2010 janë ngarkuar edhe raportet turko-izralite. Në maj të këtij viti është sulmuar flota e ndihmave “Mavi Marmara” për Rripin e Gazës, me ç’rast janë vrarë nëntë persona, ndër ta tetë aktivistë nga Turqia.

Shpresa për turistë rusë

Tani Erdoani po lëviz. Ai do të takojë Presidentin rus Putin në kuadër të Samitit 20, ndërsa ditë më parë ka shprehur keqardhje për incidentin me avionin ushtarak. Javën që vjen ata do të telefonojnë së bashku. Raportet ruso – turke do të përmirësohen, mendon eksperti Leonid Isajev. Por ai dyshon se kjo do të ndikojë në rritjen e shpjetë të numrit të turistëve rusë në Turqi. “Rusia është e interesuar që për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, një pjesë të këtyre parave t’i mbajë në vend”, thotë Isajev.

Ndryshe duken gjërat me prodhimet bujqësore: “Rusia ende nuk ka arritur të orientohet tek tregjet tjera. Por nuk jam i sigurt se do të hiqen shpejt të gjitha sanksionet”, mendon ai.

Interesat izralito-turke

Pajtimi me Izralin mund të ketë shkaqe pragmatike. Shteti hebre i paguan Turqisë 20 milionë dollarë dëmshpërblim për sulmin ndaj anijes “Mavi Marmara”. Turqia shpreson edhe për ardhjen e turistëve nga Izraeli, ndërsa Izrali shpreson që Turqia të dërgojë gaz në këtë vend.

Në fushat e tjera, si për shembull në bashkëpunimin ushtarak, me siguri që do të vazhdojnë problemet. Erdogani ka vendosur forcat ushtarake nën kontroll dhe kjo mund të paraqitet si pengesë. Por të dy vendet kanë interesa të përbashkëta politike. “Të dyja ato shqetësohen për shtimin e ndikimit në Siri dhe dominimit të një shteti shiit. Erdogani ka dhe një problem tjetër, thotë analisti. Ai duhet të zvoglojë përçarjet dhe konfliktet. Ndaj një konflikt tjetër me Izralin me siguri që nuk i duhet.

Por bashkëpunimi me Izraelin mund ta dëmtojë imazhin e Erdoganit në vendet arabe. Dhe jo së fundi, Erdogani duhet të ketë kujdes që të rimëkëmbë gjendjen ekonomike. Koncerni më i madh për udhëtim, TUI, pohon se këtë vit Turqia mund të llogarisë me vetëm një milion turistë, që është pesëdhjetë përqind më pak se një vit më parë. (dw)

Gruevski në Bruksel, kërkon “eliminim të rreziqeve të brendshme dhe të jashtme” për Maqedoninë

gruevski-ne-bruksel-Ish-kryeministri maqedonas, kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, sot e ka vazhduar vizitën dyditore të punës në Bruksel, ku paradite ka realizuar numër të madh të takimeve me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian nga të cilët më e rëndësishme është ajo në Komisionin Evropian me komisar për negociata për zgjerim Johanes Han.
Siç njofton korresponenti i MIA-s nga Brukseli, sipas informacionit nga takimi i Gruevskit dhe Hanit, ata dy kanë pasur bisedë të hapur, në të cilën sipas Gruevskit i kanë prekur të gjitha temat që e prekin Republikën e Maqedonisë.

Në deklaratën për MIA-n, lideri i VMRO-DPMNE-së, theksoi se konstatim i përbashkët i tij dhe Hanit, por edhe në bisedat me bashkëbiseduesit tjerë të sotëm si eurodeputeti Dejvid Mekalister, Ivo vajgël, Pol Rubing dhe Anxhelika Nibler është se Maqedonisë i nevojitet eliminim i rreziqeve të jashtme dhe të brendshme.

Pasdite, sipas të planfikuarës Gruevski duhet të takohet me Zhozef Doll, kryetar i Partisë Popullore Evropian, si dhe me përfaqësues tjerë të lartë dhe diplomatë të BE-së. (ina)

Vulin i quan shqiptarët “popull pa histori”

GazimestanMinistri i Serbisë për Punë, punësim, çështje lufte e sociale, Aleksandar Vulin, ka deklaruar në veri të Kosovës se “dikush te populli shqiptar, në mungesë të historisë së vet, dëshiron ta rrëmbejë historinë serbe”, transmeton Koha.net.

Vulin, duke reaguar ndaj iniciativës së liderit të AAK-së Ramush Haradinaj që në Gazimestan të ngrihet përmendorja për shqiptarët e rënë në Betejën e Kosovës, ka thënë se ata që nuk kanë histori, sipas rregullave, përpiqen ta rrëmbejnë të huajën.

“Është e qartë se në mungesë të historisë së vet, disa te populli shqiptar duan ta rrëmbejnë historinë serbe. Tani, ndoshta, e kemi të qartë se sa ka qenë e rëndësishme lufta jonë që Kosova të mos bëhet pjesë e UNESCO. Paramendoni sikur të kishte qenë anëtare, atëherë e gjithë historia serbe, përnjëherë, do të ishte bërë e njëfarë Kosove dhe atëherë edhe manastiret do të bëheshin të njëfarë Kosove”, citon gazeta “Politika” e Beogradit të ketë thënë Vulin, transmeton Koha.net.

Ai ka theksuar se është me rëndësi që gjithë botës t’i tregohet se historia serbe në Kosovë nuk do të bëhet shqiptare dhe as e ndokujt tjetër, pasi që ajo është serbe.

“Do të bëhen përpjekje që historia serbe të rishkruhet, të shtypet dhe të nënshkruhet me emër tjetër. Kush s’e ka historinë e vet, dëshiron ta marrë të huajën, e ata që e kanë historinë e vet, e serbët e kanë, nuk guxojnë kurrë të lejojnë që t’iu rrëmbehet“, ka thënë Vulin.

Zyrtari serb theksuar se serbët, “pa histori, pa emra, pa manastire dhe pa Kosovën tonë, nuk do të ishin ata që janë” dhe shumëkush është i gatshëm ta marrin atë që s’u takon dhe të përpiqen të krijojnë atë që paraardhësit e tyre nuk ia kanë dalë ta krijojnë. (koha)

Delawie: Dhuna politike pamundësoi pjesëmarrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare

Ambasadori Greg USAAmbasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i tha Radios Evropa e Lirë se dhuna politike në Kuvend, në muajt e kaluar, e ka pamundësuar pranimin e Kosovës në UNESCO dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në institucionet ndërkombëtare dhe njëkohësisht i ka kushtuar asaj ekonomikisht.

Ambasadori Delawie, në intervistën për REL, tha se kundërthëniet e sajuara rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, po krijojnë jostabilitet politik, dhe shprehu zhgënjimin e tij me, siç tha, njerëzit që po e shfrytëzojnë këtë çështje për përfitime të brendshme politike. Ai tha se ideja e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është se mund të ndihmojë në promovimin e eliminimit të strukturave paralele, për të mundësuar punën e përbashkët brenda strukturave kushtetuese të Kosovës. Ambasadori Delawie tha se shembujt e korrupsionit, në cilëndo fushë, e dëmtojnë popullatën dhe të ardhmen e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Ambasador Delawie, kur keni ardhur këtu e keni gjetur Kosovën të turbullt dhe ende vazhdon të jetë e tillë, pothuajse një vit pas ardhjes suaj. A po bëhet më mirë?

Ambasadori Delawie: T’i vëmë pak gjërat në peshore. Kemi disa gjëra shumë të mira pozitive që kanë ndodhur. Kosova është kualifikuar për programin e ndihmave të Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit të qeverisë amerikane, e ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian dhe këto të dyja janë gjëra jashtëzakonisht pozitive. Edhe disa gjëra tjera pozitive: Kosova është pranuar në UEFA, si dhe në FIFA, sportistët kosovarë do të udhëtojnë në Rio pas nja një muaji apo dy për të garuar në Lojërat Olimpike për herë të parë nën flamurin e Kosovës. Pra, të gjitha këto janë ngjarje shumë të rëndësishme dhe nuk duhet të harrojmë se këtu ndodhin gjëra pozitive.

Në anën tjetër janë gjërat që të gjithë i dimë. Ka pasur dhunë politike gjatë vjeshtës dhe dimrit në Kuvend, që i ka kushtuar Kosovës ekonomikisht, si dhe pamundësoi pranimin e Kosovës në UNESCO dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në institucionet ndërkombëtare. Pastaj, janë edhe problemet e vazhdueshme të papunësisë, korrupsionit dhe gjërave të ngjashme. Pra, ka pasur të përpjeta e tatëpjeta, absolutisht, por mendoj se – unë jam këtu qe dhjetë muaj e ca, por i kam takuar kaq shumë kosovarë të rinj që janë të përkushtuar, të vendosur, që kanë ideale dhe jam i bindur se Kosova do të vazhdojë të ketë sukses dhe unë jam optimist dhe jam më se optimist për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi e ka lëkundur skenën politike vitin e kaluar. A është shumë vështirë që të rivlerësohet kjo çështje për hir të stabilitetit politik?

Ambasadori Delawie: Më duhet të them se mendoj që kjo është çështje e sajuar dhe që kundërthëniet e sajuara rreth saj po e krijojnë jostabilitetin politik. Dua të them, le t’i shohim faktet. Kufiri i shënuar nga komisioni qeveritar është identik me kufirin që ka ekzistuar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 1974. Është kufiri sipas të cilit Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008. Departamenti i Shtetit e shqyrtoi këtë çështje në dhjetor dhe doli në përfundim se kufiri është i njëjtë me atë të vitit 2008. Komisioni ndërkombëtar e vlerësoi këtë në shkurt dhe mars dhe atij iu kërkua të gjente se a ishte i njëjti kufi dhe vendimi i tij ishte se kufiri ishte i saktë. Dhe më duhet të them se kufiri që e shënoi komisioni është i njëjtë me kufirin që shihet në miliona flamuj të Kosovës nëpër tërë vendin dhe nëpër botë. Pra, jam i zhgënjyer që njerëzit po e shfrytëzojnë këtë çështje, po përpiqen të grinden me Malin e Zi, që është vend miqësor dhe përkrahës i Kosovës, për përfitime të brendshme politike. Kjo do të vazhdojë ta mbajë Kosovën prapa në rrugëtimin drejt integrimeve evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së negociuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit. Disa kanë pohuar se asociacioni çon drejt ndarjeve etnike dhe kërcënon tërësinë territoriale të Kosovës. A duhet që ky asociacion të krijohet edhe pse mund të krijojë ndasi në Kosovë?

Ambasadori Delawie: Nuk pajtohem me këtë pikëpamje. Më duhet të them se kushdo që mendon se nuk ka tensione etnike në Kosovë po e gënjen veten. Qëllimi i krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është që t’i japë një zë pak më të fuqishëm pakicës serbe për gjërat që janë më të rëndësishme për atë grup gjuhësor, si edukimi, kujdesi shëndetësor… gjërat e tilla, por sipas ligjeve të Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu, ideja më e gjerë prapa Asociacionit është se mund të ndihmojë në promovimin e eliminimit të strukturave paralele që ekzistojnë sot në shumicën e komunave ashtu që të gjithë, të gjitha komunitetet e Kosovës do të punojnë më mirë së bashku brenda strukturave kushtetuese të Kosovës, ashtu që të bëhet gjithnjë e më shumë një shtet i unifikuar.

Radio Evropa e Lirë: Ambasador, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur më shumë se tri vjet më parë. Megjithatë, deri tash nuk është bërë shumë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura. A ka kuptim që të vazhdohet ky dialog pa të paktën njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia?

Ambasadori Delawie: Së pari, më duhet të mos pajtohem sepse mendoj se ka të arritura përmes dialogut. Këtu mendoj për gjërat si mbledhja e tarifës doganore përgjatë kufirit verior të Kosovës, integrimi i policisë, shpërbërja e njësiteve të Mbrojtjes Civile, zgjedhjet në tërë shtetin e Kosovës… Pra, të gjitha këto janë gjëra pozitive që kanë dalë nga dialogu i mbajtur gjatë disa viteve të fundit. Por, do të jem i pari që e pranoj se ka një lloj lodhje nga dialogu dhe që nuk kemi arritur ndonjë përparim të madh në zbatimin e marrëveshjeve të arritura gushtin e shkuar. Por, që Kosova ta arrijë qëllimin e saj – qëllimin tim për të – e që është integrimi i plotë brenda institucioneve evropiane, atëherë marrëdhëniet më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë element thelbësor të tij. Pra, e kam ndërmend të vazhdoj të punoj në këto çështje dhe vetëm duhet të punojmë më shumë me Kosovën dhe Serbinë për t’i realizuar disa prej marrëveshjeve të arritura dhe për të parë se çka tjetër mund të bëjmë për të ndihmuar njëmend për përmirësimin e jetës së njerëzve në terren.

Radio Evropa e Lirë: Meqenëse po flasim për integrimet evropiane, ditëve të fundit kemi parë zhvillime të reja brenda Bashkimit Evropian me Britaninë, Mbretërinë e Bashkuar që disi ka vendosur ta lë atë. Kosova dhe rajoni mezi s’presin që t’i bashkohen BE-së. A do ta ngadalësojë BREXIT-i procesin e integrimit të rajonit të Ballkanit dhe të Kosovës?

Ambasadori Delawie: Mendoj se realisht askush nuk e di tash për tash çka do të sjellë BREXIT-i dhe çka do të ndodhë. Por, i kam disa komente përgjithësisht për këtë çështje.

Së pari, marrëdhënia dhe miqësia e thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe pjesës tjetër të Bashkimit Evropian do të vazhdojnë. Qëllimi ynë është të vazhdojmë të punojmë me tërë Evropën për shpërndarjen e paqes, begatisë dhe stabilitetit nëpër tërë Evropën dhe nëpër tërë botën dhe ne synojmë të vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe jam i sigurt se edhe partnerët evropianë do ta bëjnë të njëjtën gjë. Disa prej komenteve që po i shoh në gazeta se jostabiliteti politik dhe ekonomik në Evropë është i mirë për Shtetet e Bashkuara janë thjesht qesharake. Njerëzit që e thonë këtë nuk e kuptojnë politikën tonë dhe thjesht nuk e kuptojnë si funksionon bota.

Por, pas gjithë kësaj, mendoj se Kosova duhet të nxjerrë një mësim nga e tërë kjo përvojë e BREXIT-it. Vetëm duke i lexuar gazetat, e kam të qartë se shumë njerëz kanë votuar për të dalë nga BE-ja sepse janë ndjerë të shkëputur nga zyrtarët në Bruksel që po i merrnin vendimet që kishin ndikim në jetën e tyre. Si zyrtarë të qeverisë, mendoj se kjo është diçka që duhet t’i kushtojmë vëmendje. Udhëheqësit kosovarë duhet po ashtu të sigurohen se po bëjnë gjithçka që është e mundur për t’u siguruar se qytetarët e Kosovës, nëpër tërë vendin, që janë punëdhënësit e tyre, e ndjejnë që politikanët këtu në Prishtinë me të vërtetë po punojnë për ta. Mendoj se ky është mësimi relevant që Kosova duhet ta nxjerrë nga përvoja e BREXIT-it.

Radio Evropa e Lirë: E nëse dalim te çështjet e brendshme në Kosovë, ka pasur zëra të ngritur rreth jostabilitetit brenda vendit, veçanërisht në periudhën që do të vijë. Gjykata e Specializuar për krime lufte, është njëra nga këto çështje që mund ta lëkundë stabilitetin në Kosovë. Gjykata do të merret me ish-anëtarët e UÇK-së dhe kështu ka gjasa që ta përkeqësojë situatën. A pajtoheni me këtë?

Ambasadori Delawie: Të jem i sinqertë nuk e di se çka do të bëjë Gjykata Speciale dhe jam 99 për qind i sigurt se askush tjetër në Kosovë nuk e di. Por, e di këtë: e di se Shtetet e Bashkuara besojnë se të gjitha viktimat meritojnë drejtësi. Sekretari Kerry ka folur për Gjykatën e Specializuar kur ishte këtu në dhjetor dhe edhe ai e ka vënë në pah se është me rëndësi për Kosovën që t’i vejë prapa shpinës këto pretendime të ngecura nga periudha e luftës. Po ashtu, mendoj se kjo është çështje me rëndësi me të cilën Kosova duhet të përballet përderisa po punon drejt integrimeve evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë pothuajse një viti në Kosovë, disa herë e keni adresuar çështjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova sërish është ndër vendet më të korruptuara në botë. Ku po ngec lufta kundër këtyre fenomeneve?

Ambasadori Delawie: Korrupsioni është çështje e vështirë për çdo vend të botës. Po ashtu, çështja më e rëndësishme me të cilën do të merrem gjatë mandatit tim si ambasador këtu në Kosovë është lufta kundër korrupsionit në Kosovë. Vetëm gjatë këtij viti do të shpenzojmë rreth 12 milionë dollarë në projektin e quajtur “Fuqizimi i sektorit të drejtësisë”, që është përpjekje për përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit në sektorin e gjyqësorit. Transparenca me siguri është njëri ndër elementet kyçe për luftimin e korrupsionit. Po ta kisha një shkop magjik për të punuar në këtë, më besoni se do ta përdorja për korrupsionin në Kosovë, i cili është problem që ka vazhduar për një kohë të gjatë. Por, ka disa fije të lajmeve të mira për këtë. Para një ose dy muajve, EULEX-i, duke punuar ngushtë me institucionet kosovare, i ka arrestuar rreth 50 veta të një grupi të supozuar kriminal me akuzën për vjedhje të pronës publike dhe shitje të saj të tjerëve. Mendoj se ky lloj i operacioneve të suksesshme është njëri ndër arsyet se pse kam folur kaq shpesh për rëndësinë që EULEX-i të qëndrojë këtu edhe për një periudhe kohore. Shembulli i dytë, institucionet vendore – policia dhe prokuroria në Kosovë kanë ngritur aktakuzë kundër dhjetëra njerëzve para disa javëve për një rast të supozuar të korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky duket të jetë një rast shumë i ndërlikuar dhe është tepër mirë që prokuroria dhe policia e Kosovës kanë qenë në gjendje që ta ndërtojnë këtë rast. Duhet të presim dhe të shohim se çka tregojnë dëshmitë dhe të shohim se çka bën sektori i drejtësisë me këto dy raste, por mendoj se është me rëndësi që të pranohet përparimi aty ku ka.

Radio Evropa e Lirë: A ka lidhje ndërmjet politikës dhe krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë?

Ambasadori Delawie: Llogaridhënia e zyrtarëve të zgjedhur është e rëndësisë jetike për mënyrën e sjelljes së qeverisë. Natyrisht, mendoj se qytetarët duhet të vlerësojnë vetë nëse politikanët për të cilët duan të votojnë po arrijnë përparim në luftën kundër korrupsionit apo a janë të përfshirë në korrupsion. Mendoj se çfarëdo zyrtari qeveritar, pa marrë parasysh a është politikan apo shërbyes civil, i cili është akuzuar për korrupsion, duhet që të paktën të pezullohet nga përgjegjësia publike e tij/saj deri kur rasti të zgjidhet përfundimisht. Po ashtu, mendoj se është me rëndësi të pranohet se korrupsioni nuk është çështje vetëm e zyrtarëve të lartë apo politikanëve. Është diçka me të cilën përballen shumë njerëz në jetën e tyre të përditshme, si p.sh. të paguash nën dorë për trajtim shëndetësor që do të duhej të jetë e përfshirë në sigurimin shëndetësor, apo të paguash për nota në shkollë apo të regjistrohesh për beneficione si veteran edhe pse nuk i ke fituar. Këta janë shembuj të korrupsionit që e dëmtojnë popullatën e Kosovës, që e dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Ambasador, ka pasur shqetësime të mëdha lidhur me lëvizjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Sa është Kosova e kërcënuar nga këto lëvizje?

Ambasadori Delawie: Më duhet të them se të gjithë jemi të kërcënuar nga këto lëvizje. Ndjej dhembje për miqtë e mi në Turqi dhe për familjet e viktimave të sulmeve të tmerrshme në aeroportin e Stambollit. Kjo është diçka për të cilën të gjithë duhet të punojmë shumë. Kosova i ka ndërmarrë shumë hapa të duhur, veçanërisht në dy vitet e fundit. Ka ligjin që ndalon luftimin në konflikte të huaja; zyrtarët e lartë qeveritarë kanë marrë pjesë në samite në Shtetet e Bashkuara dhe në Tiranë për përballjen me ekstremizmin e dhunshëm. Këto janë hapa shumë të rëndësishëm. Duhet ta përmend edhe se para disa javëve shtatë persona janë dënuar me 40 e ca vjet burgim që kanë shkuar për të luftuar e vdekur në luftërat e të tjerëve apo për nxitje për ta bërë një gjë të tillë. Pra, këta janë hapa pozitivë. Kisha dashur të mund të them se e kemi zgjidhur problemin, por sinqerisht nuk mendoj se dikush e ka gjetur mënyrën se si të përballemi me këtë gjë. Të gjitha vendet tona janë në një lloj metode eksperimentuese: çka po funksionon, çka jo, çka mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Por, ne kemi partnerë të jashtëzakonshëm në Kosovë që po punojnë në këto çështje dhe jam shumë i lumtur për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe në fund, kjo intervistë po realizohet pak ditë para festimit të përvjetorit të 240-të të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së. Kosova është vendi më pro-amerikan në botë. Çka mendoni, çfarë kuptimi ka Dita e Pavarësisë së SHBA-së për Kosovën?

Ambasadori Delawie: Mendoj se është me rëndësi që njerëzit në Kosovë ta kuptojnë se kur Shtetet e Bashkuara u pavarësuan ishin vend i vogël. Përballej me shumë sfida. Ishte vend shumetnik, shumëfetar, shumëgjuhësor kur të gjitha këto gjëra ishin të reja. Kishim sfida. Kishim mosmarrëveshje të vështira me ish-armiken tonë, kishim konteste për kufirin, si dhe kishim vetë qytetarët tanë që përpiqeshin ta gjenin se çfarë qeverie do të kishim. E provuam një gjë, nuk bëri punë, kështu që duhej të provonim diçka tjetër disa vite më vonë. Por, ia dolëm. Më shumë se 200 vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara sot janë demokraci e gjallërishme dhe e fuqishme dhe e përmbush vizionin e shumë njerëzve që i kanë pasur shpresat më të mëdha për vendin tonë. Këtë e shpresoj edhe për Kosovën: që pas dhjetëra e qindra viteve, Kosova ende të jetë demokraci e gjallërishme dhe e fuqishme, që do t’i ndihmojë qytetarët e saj për t’i përmbushur dëshirat e tyre. Kjo është aspirata ime për Kosovën dhe më duhet të them se jam më se i lumtur që do ta festoj Ditën tonë të Pavarësisë në një vend që – jashtë Shteteve të Bashkuara – është vendi më pro-amerikan në botë. (rel)

Arrihet paqja Putin-Erdogan, Rusia heq sanksionet ndaj Turqisë

putin erdoganËshtë arritur paqja mes Erdogan dhe Putin. Një telefonatë e kreut të Kremlinit për t’i shprehur ngushëllimet e rusëve për tragjedinë e stambollit ka depërtuar në ofensivën diplomatike të presidentit turk për ripërtëritjen e marrëdhënieve.

Paqja është tashmë e konfirmuar, nisur edhe nga fakti se së shpejti do të zhvillohet një takim kokë më kokë mes dy liderëve, që do të shoqërohet me heqjen e sanksioneve ruse ndaj Turqisë. “I kam kërkuar qeverisë ruse që t’i heqë”, ka deklaruar presidenti Putin.

Kanë kaluar thuajse 7 muaj që nga rrëzimi i avionit “Sukhoi Su-24” nga aviacioni turk në afërsi me kufirin sirian. “F-16” i ngritur në ajër nga Ankaraja hapi zjarr ndaj gjuajtësit të Moskës për shkelje të hapësirës ajrore turke.

Avioni rus ra dhe piloti, që u hodh me parashutë, ra në duart e rebelëve sirianë të cilët e vranë. Të njëjtin fat pati edhe anëtari i një skuadre shpëtimi i dërguar me helikopter.

Gjithashtu, rrëzimi i avionit shkaktoi një krizë diplomatike shumë të rëndë, duke i dhënë jetë një seri sanksionesh nga ana e Moskës, aviacioni i të cilës kishte lokalizuar disa herë përmes radarëve avionët turq në qiejtë sirianë, duke dhënë mesazhin: jemi gati të reagojmë fuqishëm.

/ Top Channel