LSDM braktisë Parlamentin

zoran-zaev“Deputetët e LSDM-së, nuk do të marrin pjesë në punën e Kuvendit, derisa Gjykata Kushtetuese nuk do të deklarohet për kushtetutshmërinë e institucionit të Prokurorisë Speciale Publike”, kështu deklaroi në konferencë për shtyp, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në një konferencë për shtyp.

Sipas tij, të gjitha afatet janë shkelur dhe se durimi i qytetarëve është nga fundi.

“Kriza politike duhet sa më shpejtë të mbarojë. Gjykata Kushtetuese menjëherë të deklarohet për kushtetutshmërinë e PSP-së. Është e papranueshme që më shumë se 8 muaj të zgjatë paqartësia. Përderisa nuk do të deklarohet Gjykata Kushtetuese, deputetët e LSDM-së nuk do të marrin pjesë në punën e Kuvendit”, tha Zaev. (ina)

Rama falënderon kuqezinjtë: I ndryshuat imazhin vendit

kombetarja ramaNë fjalën e mbajtur para kombëtares, kryeministri Rama falenderoi tifozët, ose lojtarin e 12-të, dhe të gjithë futbollistët që së bashku i dhuruan shqiptarëve emocione të mrekullueshme dhe i ndryshuan vendit imazhin në Francë.

“Është një privilegj i jashtëzakonshëm për mua t’ju uroj me mirënjohjen më të madhe këtë kthim të paharrueshëm në atdhe pas misionit tuaj në Francë, ku latë pas edhe falë lojtarit të 12-të, imazhin e bukur të një Shqipërie kurajoze, luftëtare, krenare dhe evropiane. Jo vetëm kjo sallë, por asnjë stadium s’do mund ta nxinte këtu brenda lojtarin e 12-të. Përshëndes këtu çdo fans që ishte i pranishëm në Lens, Marsejë dhe Lion. Patëm në këtë Evropian të parë, një skuadër të vërtetë dhe një publik të mrekullueshëm, që me entuziazmin e vet e bëri të ndryshojë Francën imazhin për Shqipërinë. Faleminderit juve, luftëtarëve të misionit kuqezi në Francë, sepse pa shembullin tuaj lojtari ynë i 12-të s’do kishte shkëlqyer kaq mrekullisht. Ajo që keni dhënë ju në këtë Evropian shkon shumë përtej futbollit, megjithëse e di se asnjëri prej jush nuk do të jetë për shumë kohë i qetë për atë që Shqipëria mori nga verdikti i fushës”, tha Rama.

Kryeministri u kërkoi lojtarëve të mos jenë aspak pishman që u kthyen në shtëpi për një gol diferencë, por të jenë krenar që i dhuruan popullit një skuadër që dukej mes të barabartësh.

“Por pas eliminimit, kush nga ju e kush nga ne nuk do ta kishte pranuar me gëzimin më të madh këtë film. Madje, më falni, por që të jem i sinqertë, shyqyr që nuk e parashikuam më parë këtë pjesëmarrje se kush e di se sa më e lartë do të ishte premioja që do të na kishit marrë para se të shkonit në Francë. Prandaj djema, asnjë pishman pse u kthyet sot për një gol diferencë, por për një krenar që i dhatë kombit tonë, shtetit, mbarë popullit me këtë skuadër që dukej mes të barabartësh. Kjo skuadër është gati për të përballuar skuadra shumë të vështira në botëror. Faleminderit Xhani, ti je një ‘axurr’ i vërtetë kur hyn në fushë për të mos marrë gol dhe një kuqezi i vërtetë. Krijove një skuadër të vërtetë dhe e bërë skuadrën tonë një histori suksesi që është një shembull frymëzues se çfarë mund të bëjmë ne nëse gjejmë brenda nesh forcën dhe fuqinë për t’u ringritur sëbashkur kur rrëzohemi”, vijoi fjala e kreut të qeverisë.

De Biazi: Do vijoj me Shqipërinë për të vazhduar rrugën e mrekullisë

Është e vështirë të flasësh para teje Edi. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për atë çfarë kemi bërë. Pas këtij kampionati e gjithë bota sportive ka filluar të na marrë më shumë në konsideratë për aftësinë për të ndërtuar një grup për mbi individët. Me rëndësi është rëndësia që kanë këta djem, kanë kaluar nga koncepti i individit tek forca e grupit. Për ne ka ekzistuar përemri vetor “ne”. I jam kthyer shpesh shembullit të Skënderbeut jo se unë dhe Duka i afrohemi atij, por shembujt historik janë të rëndësishëm nëse ne dimë t’i shfrytëzojmë. Ai përdor shembullin e fuqishëm të grupit, kjo është forca e skuadrës sonë. Edhe tifozët luftuan me ne, fituan të tri ndeshjet. Shqiptaria për mua është një kapitull nderi, gati njoh më shumë himnin shqiptar se atë italian. I detyrohemi për këtë brezave të rinj. Ti Edi flet shpesh për rilindje, mendoj se për çfarë kemi bërë në Francë kemi mundësinë për të ndërtuar një rilindje të vërtetë. Ju betohem se me këta djem kam parë një energji të madhe, një kombëtare të të gjithëve. Nuk jam Kryeministër por jam trajneri i vjetër i Shqipërisë që ka ndërmend të vazhdojë të rrijë akoma këtu për të vazhduar rrugën e mrekullisë.

Nikolla: Mirënjohje për shembullin frymëzues

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla nuk e fshehu krenarinë që ndjente për këtë pjesëmarrje historike të kombëtares shqiptare në Euro 2016.

Ajo ndau me futbollistët emocionet e vajzës së saj studente në Francë, e të çdo emigranti siç tha “që falë jush ndjehen kryelartë”.

“Si ministre nuk e kam imagjinuar këtë privilegj, nuk kam fjalë për të shprehur emocionet”,- tha ajo më tej.

Nikolla shprehu më tej “mirënjohje të veçantë për shembullin frymëzues që i dhatë nxënësve dhe studentëve tanë. Shumë faleminderit si qytetare dhe prind që beson se ky vend mund të bëhet më i mirë, krenare për ju”.

(17:10) Kuqezinjtë në Ministrinë e Jashtme, marrin pasaportat diplomatike

Futbollistët e Kombëtares mbërritën në Ministrinë e Jashtme, ku u pritën në ambientet e jashtme të institucionit nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. “Shqipëria ka shumë diplomatë, por mendoj se ju jeni shkëlqesitë e vërtetë, për mesazhin që keni përçuar në Evropë dhe më tej”, tha Bushati në fjalën e mbajtur.

Trajneri Xhani De Biazi dhe lojtarët kanë firmosur me radhë dokumentin që u jep atyre mundësinë të pajisen me pasaporta diplomatike. Ishte ky një premtim i kryeministrit Rama pas fitores së Shqipërisë ndaj Rumanisë.

(16:40) Kombëtares i dorëzohet “Çelsi i Tiranës”

Kombëtarja shqiptare është ndalur rreth orës 16:38 në Bashkinë e Tiranës, ku i është dorëzuar në formë mirënjohje nga kryebashkiaku Veliaj  “Çelsi i Tiranës”.

Qytetarë të shumtë ishin mbledhur pranë bashkisë, duke duartrokitur dhe brohoritur emrat e idhujve të tyre.

Në një fjalim të mbajtur para tifozëve, kapiteni i kombëtares Lorik Cana deklaroi: “Ju falënderoj së pari për mbështetjen dhe pritjen. Ne e kemi një atdhe të gjithë. Se Tirana është shtëpia jonë dhe sa herë jemi këtu ndihemi mirë”.

(15:46) Kombëtarja mbërrin në Rinas, pritet nga Rama e Nikolla

Avioni i kombëtares shqiptare të futbollit ka mbërritur rreth orës 15:42 në aeroportin e Rinasit.

Në ceremoninë e mirëseardhjes ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, të cilët pritën me nderime lojtarët që bënë krenarë shqiptarët në “Euro 2016″.

Garda shtetërore luajti himnin kombëtar, ndërkohë që përballë tyre qëndronin kreu i qeverisë Rama, trajneri De Biazi dhe kapiteni Cana.

Kombëtarja po udhëton drejt Tiranës me një autobus të hapur me ngjyrat e flamurit, i cili do t’u lejojë lojtarëve të përshëndeten me tifozët në rrugë.

Ndalesa e parë do të jetë në Bashkinë e Tiranës, ku do të zhvillohet ceremonia e dhënies së çelësit të qytetit.

Më pas lojtarët do të jenë në Ministrinë e Jashtme për të plotësuar procedurat për marrjen e pasaportave diplomatike, të premtuara nga kryeministri Rama pas fitores ndaj Rumanisë.

Rama do ta presë ekipin në qendrën COD të selisë së qeverisë, përpara se lojtarët të shkojnë në “Fan Zone”, në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të jetë edhe stacioni i fundit i ceremonialit për Kombëtaren. (shekulli)

S’ka vota për Demarkacionin, çështja mund të kthehet në pikën zero

demarkacioni ksMarrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi e arritur në fund të gushtit të vitit të kaluar, po shkon drejt dështimit.

Pas kundërshtimeve të opozitës, kohëve të fundit janë shtuar zërat edhe brenda partive në pushtet që kërkojnë rishqyrtimin e saj, duke konsideruar se si e tillë, marrëveshja ka cenuar tërësinë territoriale të Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ishte ndër të parët nga koalicioni qeverisës që kishte kërkuar rishqyrtimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Tani ai thotë se çështja po shkon drejt kthimit në pikën zero, pasi që edhe shumë deputetë tjerë janë bindur për parregullsitë.

Modeli kadastral i përdorur për shënjimin e vijës kufitare, ka thënë Hasani, është i gabuar dhe se në procesin e rishqyrtimit duhet të përdoren modele tjera. Vija kufitare me Malin e Zi, ka nënvizuar Hasani është më e vjetër se 50 vite dhe ishte përcaktuar përmes maleve dhe lumenjve.

“Duhet të bëhet një rishqyrtim i marrëveshjes. Është mirë që edhe Mali i Zi ka pranu që të bëhet rishqyrtimi, sepse edhe ai është i interesuar ta zgjidhim këtë çështje. Prandaj, nëse nuk e rishqyrtojmë, ajo nuk do të kalojë në Kuvend, nuk do të ketë vota në Kuvend të kaloj demarkacioni dhe do të ketë mundësi të ketë tensione politike. Andaj, për t’u ikë tensioneve politike duhet të thirret opozita, duhet të thirren ekspertë të fushave përkatëse, duhet të bëhet rishqyrtimi, analiza dhe të dilet nga kjo gjendje”, ka thënë Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Kthimin e procesit në pikën zero e ka mbështetur nga fillimi edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi. Ngjashëm me Hasanin edhe Bulliqi kishte shprehur në vazhdimësi vërejtje se marrëveshja kishte parregullsi dhe nuk ishte arritur sipas interesave të Kosovës.

“Qeveria jonë dhe ajo e Malit të Zi duhet të negociojnë mes vete dhe ta kthejnë gjendjen në pikën zero. Duhet të themelohet një komision i ri i cili do të merret me këtë problematike dhe të shkarkohet komisioni paraprak sepse e ka bërë punën keq, e ka vënë në lajthitje shtetin dhe qeverinë e Kosovës dhe sigurisht që procesi duhet të kthehet në fillim”,ka thënë Bulliqi.

Marrë parasysh që pala malaziase ka shprehur gatishmërinë që të bisedojnë çështjen, marrëveshja për demarkacionin, sipas Shpejtim Builliqit nuk do të ketë nevojë të shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Konfuzioni dhe shtyrja e rrumbullakimit të çështjes së demarkacionit që nga gushti i vitet të kaluar deri më tani, sipas Bulliqit, vjen për fajin e qeverisë së Kosovës që nuk ka ndërmarrë asnjë nismë politike.

“Sikur t’kishte qenë vullneti i qeverisë sonë, kjo çështje moti ishte përmbyllë. Në rast se dy palët pranojnë dhe janë të gatshme të bisedojnë, unë jam shpresoj që shumë shpejt mund të kryhet krejt ky proces, sepse ekziston një konditë, ekzistojnë faktografitë e mjaftueshme që ka ekzistuar një linjë kufitare mes Kosovës dhe Malit të ZI. Andaj, krejt çka mbetet është që ekspertët të dalin në terren dhe ta bëjnë shenjimin apo vijëzimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi”, është shprehur Bulliqi.

Edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani e bën përgjegjëse qeverinë e Kosovës për krijimin e konfuzionit dhe ndërlidhjen e ratifikimi të marrëveshjes për demarkacionin me procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas tij, qeveria duhet të fokusohet në detyrat e shtëpisë që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, kurse demarkacioni të shkoj në rishqyrtim dhe miratim pasi të jetë arritur një marrëveshje e re me Podgoricën.

“Na kemi qëndrime të ndryshme brenda qeverisë për liberalizimin e vizave. Një ministër thotë nuk është kusht, tjetri zëvendësministër thotë është kusht, qeveria thotë është kusht, presidenti s’është kusht. Prandaj këtu i kemi çështjet të cilat janë lojë politike ata nuk duhet ta ndërlidhin me demarkacionin, por duhet ta lidhin me çështjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka deklaruar Hasani.

Marrëveshjen aktuale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin e kanë kundërshtuar edhe tri partitë opozitare. Sipas tyre, me këtë marrëveshje, Kosova po humbë mbi 8 mijë hektarë tokë.

Sidoqoftë, përveç deklarimeve individuale, qeveria e Kosovës nuk ka dalë me një qëndrim të prerë nëse do të qëndroj deri në fund pas marrëveshjes së nënshkruar me Podgoricën, apo do të ndërmarrë nisma për rishikimin e saj, ndonëse rishikimi po bëhet opsion real marrë parasysh faktin se marrëveshja po humb përkrahjen e nevojshme në Kuvend për ratifikimin e saj.

Për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, qeveria duhet të sigurojë mbështetjen prej dy të tretave të deputetëve në kuvendin e Kosovës. (rel)

FMN jep në Tiranë vlerësimet e fundit për ecurinë e ekonomisë

fmnFMN e nxiti sërish Shqipërinë që të përqëndrohet për të çuar përpara reformat në disa nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, të cilat nuk janë ende në nivelin e pritur.

Drejtuesja e re e misionit të FMN për Shqipërinë, Anitha Tuladhar, deklaroi në Tiranë se zbatimi i shpejtë i reformave ka rëndësi themelore për të siguruar një rritje më të fortë.

“Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë po forcohet, por duhet që kjo rimëkëmbje të jetë më e madhe, duke përmirësuar klimën e biznesit dhe duke rritur bazën e kridetimit”, – tha zonja Tuladhar.

FMN dhe Shqipëria po ndjekin një marrëveshje 3-vjeçare bashkëpunim për konsolidim fiskal, fuqizim të financave publike, reforma strukturore fiskale, rregullimin e sistemit energjitik.

Pas 2 vjet e gjysmë, një përmirësim i mirë është bërë në sektorin energjitik, ndërsa në fusha të tjera janë hedhur hapa të rëndësishëm por, sipas saj, disa reforma kanë mbetur prapa.

“Këtë vit ne presim një rritje 3.4 për qind të ekonomisë shqiptare, kryesisht e bazuar në forcimin e sektorit energjitik dhe administrimit më të mirë të financave” – tha zonja Tuladhar.

Rritja ekonomike nuk është mbështetur sa duhet nga kreditimi bankar, sipas saj, Po ashtu është e nevojshme të ecin reforma juridike dhe ajo në hipoteka.

Zonja Tuladhar i bëri këto komente në forumin e 4 financiar mes Bankës së Shqipërisë dhe FMN.

Guvernatori Gent Sejko tha se Shqipëria po ndjek me besnikëri politikat e përcaktuara nga FMN-ja dhe se ekonomia shqiptare po ringrihet për vitet në vijim.

“Shqipëria është në rrugën e rimëkëmbjes ekonomike. Kriza financiare botërore e preku ekonominë dhe sistemin financiar, por Shqipëria nuk u zhyt në recesion pas goditjeve të krizës. Ajo ka një qëndrueshmëri makro-ekonomike. Masat e marra për të nxitur ekonominë që të çlirojë kapitalet po sjellin rritjen ekonomike dhe presim të ndikojë edhe tek rritja e kreditimit”, – tha guvernatori Sejko.

Ai kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë me të gjithë përfaqësuesit e bankave në Shqipëripër të pakësuar kreditë me probleme dhe për të shtuar kreditimin, i cili rritet me hapa të lehtë dhe mbetet një nga sfidat kryesore.

“Më në fund Shqipëria e la pas krizën ekonomike, por nuk harron kurrë rreziqet dhe sfidat që ka përpara. – tha ministri i financave, Arben Ahmetaj.

Qeveria po punon, sipas tij, për të shënuar një rritje ekonomike të qëndrueshme, së bashku me konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

FMN vlerësoi se rritja ekonomike në rajon po fuqizohet, megjithë ndikimin e vështirësive nga eurozona.

Parashikimet e Fondit për rritjen afatmesme ekonomike të rajonit janë më poshtë se sa u shënuan përpara krizës.

Shqipëria u rezistoi mirë presioneve të krizës, pohoi FMN, dhe ishte në mesin e të paktave vende që shënuan rritje pozitive gjatë krizës. (voa)

Shqipëria fiton simpati, Gjermania në grup të vështirë!

Nga Kampioanti Evropian i futbollit në Francë: Shqipëria dhe tifozeria shqiptare fitojnë simpati. Kualifikimi për në çerek finale ka sjellë mjaft surpriza dhe zhgënjime…

kombetarjaPërfundoi faza e parë e garave në grupe në Kampionatin Evropian të futbollit. Shqipëria ka fituar zemrat e shumë simpatizantëve në Evropë me paraqitjen e saj shumë dinjitoze. Veçanërisht tifozët shqiptarë kanë fituar simpatinë e francezëve, gjermanëve dhe shumë popujve të tjerë, me sjelljen dhe tifozërinë e tyre të mrekullueshme.

Por Shqipëria nuk u kualifikua për në çerek finales dhe garat e mëtejshme do t’i shohin nga tribunat apo përmes ekraneve televizive. Ashtu siç edhe pritej, Gjermania fitoi vendin e parë në grupin e saj me Poloninë, Irlandën e Veriut dhe Ukrainën. Por Gjermaninë në rrugën deri në finalen eventuale, e presin pengesa shumë të mëdha – Sllovakia e më pas Spanja, Italia, Anglia, Franca…
Ndërsa në grupin tjetër konkurrenca është shumë më e lehtë. Në këto gara ka pasur deri tani edhe disa surpriza të mëdha të këndshme, siç ishte kualifikimi i Islandës, Irlandës dhe Hungarisë. Por ka pasur edhe zhgënjime si Suedia, Rusia, Ukraina. (dw)

Demokratët protestojnë në Kongres për kontrollin e armëve

Kongresi usaLigjvenësit demokratët po portestojnë në Dhomën e Përfaqësuesve, duke qëndruar ulur në tokë, për shkak tërefuzimit të republikanëve për të hedhur në votë një rezolutë që parashikon kontrolle më të forta për blerjen e armëve. Pas vrasjes masive të 13 korrikut në Florida, demokratët po bëjnë thirrje për ligje më të forta për kontrollin e armëve. Për vite me radhë, republikanët kanë bllokuar çdo ligj që do të vështironte blerjen e armëve. Të përballur me protestën ulur të demokratëve, republikanët, të cilët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, votuan sot në orët e para të mëngjesit për pezullimin e seancave në Kongres deri më 5 korrik

Protesta filloi të mërkurën. Në krye të saj ishte ligjvënësi i Xhorxhias, John Lewis, ish aktivist i betejës për të drejtat civile në vitet ‘60, gjatë së cilës, protestat ulur përdoreshin si mjet kundërshtimi ndaj ndarjes racor në mjediset publike.

“Ata që kërkojnë përmirësimin praktik të gjendjes nuk dëgjohen. Kush përdor arsyen kritikohet. Bllokuesit vlerësohen. Newtown. Aurora. Charleston. Orlando. Cila do të jetë një pika e kthesës? Apo jemi të verbër?”

Kur demokratët refuzuan të shpërndaheshin, republikanët e ndërprenë seancën, duke ndaluar edhe transmetimin e drejtpërdrejtë me televizion.

Atëhere demokratët filluan transmetimet e tyre, duke përdorur aplikacioninPeriscope të transmetimit me celularë dhe në Facebook. Transmetimet e tyre u morën nga kanali televiziv C-SPAN, që mbulon seancat në Kongres.

Me shtimin e numrit të protestuesve ulur dhe të intensitetit të protestës, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, i thirri ligjvënësit në seancë, për të votuar për projekt-ligje të tjera, që nuk kishin të bënin me armët..

“Kryesia e vlerëson që anëtarët e Dhomës kanë mendime të ndryshme për politikat dhe do të përpiqet që t’i shprehë ato. Por ne shpresojmë që puna e Dhomës së Përfaqësuesve do të mund të kryhet në mënyrë që të përfaqësojë pozitivitet për dinjitetin dhe dekorin e këtij institucioni të cilit ne të gjithë i përkasim,”- tha zoti Ryan.

Megjithë kërkesën e zotit Ryan, ligjvënësit demokratë i vazhduan protestat me thirrjet “Pa ligj nuk ka pushim”, duke valëvitur pankarta të shumta me emrat e viktimave të dhunës nga armët.

Zoti Ryan i kritikoi përpjekjet e demokratëve, duke i cilësuar ato “shfaqje për publicitet”.

Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve mbështesin marrjen e masave të arsyeshme që armët të mos shiten pa masa kontrolli. Për mungesë veprimi për këtë çështje nga Kongresi, fajësohet lobi i fuqishëm i armëve në Shtetet e Bashkuara. (voa)

Avioni “Impuls Solar 2″ ulet në Spanjë

Avioni solarNjë aeroplan që funksionon tërësisht me energji diellore u ul sot në mëngjes në Sevilje të Spanjës, pas një udhëtimi prej 71 orësh nga Nju Jorku.

Avioni Impulsi Solar 2, i cili ka vetëm një ndënjëse, u nis nga aeroporti John Kennedy i Nju Jorkut të hënën në mëngjes, për fazën e 15-të udhëtimit të tij rreth botës.

Avioni fluturon me një shpejtësi mesatare prej 70 kilometrash në orë.

Solar Impulse 2 është i ndërtuar me fibër karboni dhe peshon pothuajse sa një automobil. Krahët e tij arrijnë një gjatësi të përgjithshme prej 72 metrash, më shumë se sa ato të një Boeingu 747.

Në krahë janë montuar 17 mijë qeliza diellore, të cilat shfrytëzojnë energjinë e diellit për të ngarkuar bateritë në bord. (voa)

Kocijançiq: Javët në vijim, kyçe për Maqedoninë

KocijançiçBrukseli përsëri u ka bërë thirrje liderëve të katër parive më të mëdha në vend, nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinës, që të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe të sigurojnë kusht për zgjedhje të lira dhe të besueshme. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, ka theksuar se javët në vijim janë kyçe për Maqedoninë duke shtuar se në BE ekziston një pajtueshmëri e qartë se marrëveshja e Përzhinos duhet të zbatohet, duhet të forcohet sundimi i ligjit, të mbështetet puna e PSP-së, si edhe të zbatohen reformat parësore.

“Këshilli për Punë të Jashtme ka biseduar për situatën në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ashtu siç theksoi përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme e BE-së, Federika Mogerini, ekziston pajtueshmëri e qartë mes shteteve anëtare për nevojën që liderët partiak në vend të lidhin dialog të hapur, të implementohet Marrëveshja e Përzhinos, të krijohen kushte zgjedhje të besueshme, të zhvillohet sundimi i ligjit, të përkrahet puna e Prokurorisë Speciale dhe të implementohen reformat prioritare”, ka deklaruar, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.

Kocijançiç nuk ka saktësuar nëse në debatin në Luksemburg është disuktuar për sanksione ndaj Maqedonisë, edhe pse është përmendur kundërshtimi i diplomatit grek Kotzias ndaj sanksioneve të mundshme. (ina)

Cana: Krenar, faleminderit për gjithçka!

canaPritjet kanë marrë fund dhe lojtarët janë të mërzitur që nuk do të luajnë të paktën edhe një ndeshje tjetër në Europian. Pavarësisht mërzisë, ata janë krenarë që përfaqësuan një komb të tërë.

Kapiteni Lorik Cana, në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, shkroi se nuk ishte ndjerë asnjëherë më shumë krenar për skuadrën, ndërsa tha se i gjithë ky rrugëtim ishte për atdheun dhe shqiptarët.

“Gjithë ky rrugëtim ishte për ne, për familjet tona, për gjithë fansat dhe mbi të gjitha për atdheun tonë! Kurrë më parë s’kam qenë kaq krenar të jem pjesë e kësaj kombëtare dhe të luaj me këta djem! Flm për gjithçka… O sa mirë me qenë Shqiptar!”, shkruan Cana.

/ Top Channel

Tifozët Kuq e Zi: Jemi pafundësisht krenarë

kuqeziShqipëria mund të jetë eliminuar nga Europiani, por të gjithë shqiptarët janë shumë krenarë për lojtarët. Ky ishte Europiani ynë i parë, por jo i fundit. Ne e dimë se ky ishte thjesht fillimi.

Edhe tifozët të cilët i kanë qëndruar pranë kombëtares, janë shprehur shumë krenarë me skuadrën, madje në faqen zyrtare të Tifozëve Kuq e Zi në “Facebook” ka edhe një dedikim.

“Faleminderit luftëtarë! Jemi pafundësisht krenar! Rroftë kombëtarja! Rroftë Shqipëria etnike!”, shkruajnë tifozët, të cilët kanë postua edhe një foto nga momenti i festimit të golit të Sadikut në ndeshjen ndaj Rumanisë.

/ Top Channel