RTK-ja vazhdon ta anashkalojë VETËVENDOSJE!-n

rtkRTK-ja nuk po e interviston kryetarin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri. Hapësirën e njëjtë që ia kishte dhënë dhe organizuar për Kadri Veselin e Hashim Thaçin, nuk po ia ndan edhe z. Ymeri. Kryeredakotorët në RTK, Ridvan Berisha dhe Xhymret Veliu, as pas një muaji kur e kemi bërë publik refuzimin e tyre ndaj nesh, nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të bërë intervistën me z. Ymeri.

Autori i emisionit, Ridvan Berisha, i kontaktuar të martën më 27 shtator, nga aktivistja në zyrën e mediave të Lëvizjes, Tinka Kurti, ka thënë se do ta lajmëronte të nesërmen për mundësinë e intervistës gjatë kësaj jave. Të nesërmen ai e drejton tek kryeredaktori i RTK1, Xhymret Veliu, i cili poashtu thotë se të nesërmën do ta marrë një vendim në lidhje me këtë intervistë të mundshme. Kështu, deri sot, e premte, kur asnjëri prej tyre nuk lajmërohet në thirrjet nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Ky medium ka muaj të tërë që nuk po gjen hapësirë për kryetarin e subjektit më të madh opozitar, derisa kishte realizuar intervista speciale me kryetarët e subjekteve të pozitës, duke ua mundësuar atyre sulmin ndaj VETËVENDOSJE!-s. Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ishte intervistuar më 12 gusht 2016 dhe Kryeministri Isa Mustafa më 19 gusht 2016.

Për ta refuzuar VETËVENDOSJE!-n fillimisht Xhymret Veliu kishte thënë se është në pushime. Tash të njëjtin arsyetim e ka Ridvan Berisha. Çuditërisht, në muajin gusht, për t’i realizuar intervistat e Veselit dhe Mustafës, asnjëri nuk ishte në pushime. Ky menaxhment duhet të shkojë në pushime të përhershme. Ky menaxhment në shërbim të Qeverisë, ka nevojë të shkarkohet që qëllimi i RTK-së – shërbimi i publikut – të mund të realizohet. (LVV)

Maqedoni, përgatitje për universitetin e ri “Nënë Tereza”

ministriMinistria e Arsimit në Maqedoni po bën përgatitjet për fillimin e punës së universitetit të ri shtetëror “Nënë Tereza” me mësim në gjuhën shqipe. Ministria ka bërë të ditur se emëron Aziz Pollozhanin në postin e rektorit të këtij universiteti.

Megjithatë, ende nuk është kompletuar përbërja e mësimdhënësve dhe stafit të universitetit, ndërsa për fillim, procesi do të nisë në objektin e universitetit të Evropës Juglindore në Shkup. Aktualisht, janë paraqitur rreth 80 studentë – kandidatë për t’u regjistruar.

Aziz Pollozhani ka bartur poste të rëndësishme politike; ka qenë ministër i Arsimit në qeverinë e Maqedonisë, deputet në Parlamentin republikan dhe ambasador në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

Një pjesë e medias vërejnë se udhëheqësia e universitetit Nënë Tereza janë ish-kuadro ose të afërt me partinë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, por ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu i hedh poshtë kritikat, duke thënë se bëhet fjalë vetëm për dy a tre personalitete që mund të kenë qenë të afërt me BDI-në, por që kanë titujt e duhur shkencorë. (voa)

TAP pranon kërkesat e Shqipërisë. Ian Bradshaw: Përfitime shtesë si Greqia

tapQeveria shqiptare po arrin drejt finalizimit të ndryshimit të kontratës me gazsjellësin Transadriatik (TAP). Në ditën kur projekti arriti në fazën e shtrimit të tubave, drejtori menaxherial i të gjithë projektit foli për Top Channel dhe konfirmoi se, ndryshimi i kontratës me qeverinë shqiptare po shkon drejt përfundimit.

“Ajo çfarë kishim firmosur më parë nuk ishte e mjaftueshme. Na duhej një mirëkuptim lokal dhe kombëtar për ndërhyrjet që po bëjmë. Qeveria, në këtë fazë ka luajtur një rol thelbësor, ku përcolli te ne kërkesat e çdo zone, ku ne do të ndërhyjmë”, tha Ian Bradshaw, drejtor menaxherial i “TAP”-it.

Kontrata e “TAP” me Shqipërinë është shumë e ndryshme nga ajo me Greqinë, vendin ku gazsjellësi kalon para se të hyjë në territorin tonë. Për muaj të tërë është negociuar për të përafruar përfitimet.

“Ne kishim një detyrim, që kushtet e kontratës, përfitimet e popullit shqiptar të ishin njësoj si ato të grekëve. Tani jemi në përfundim të negociatave dhe mund të them se të dyja palët po bashkëpunojnë ngushtë. Unë pres që brenda ditëve apo javëve të ardhshme, çdo gjë të mbyllet”, tha më tej Ian Bradshaw.

Por çfarë do të shtojë më shumë Qeveria “Rama” në kontratën aktuale me “TAP”?

Burime nga Ministria e Energjetikës thanë për Top Channel se, negociatat janë përqëndruar në dy pika. Qeveria ka kërkuar që të ketë mundësinë të prenotojë një sasi gazi çdo vit, te kompani si “SOCAR” dhe prodhues të tjerë të gazit në fushën e “Shah Deniz”.

Pika e dytë është ngritja e Operatorit të Sistemit të Transmetimit për Gazin në Shqipëri, një institucion i ri, të cilin autoritetet shqiptare kërkojnë ta ngrenë me asistencën e kompanive aksionere të “TAP”-it.

OST-ja e Gazit mendohet të krijohet pas masterplanit kombëtar të gazit, që do të publikohet këtë vit, dhe studimit të fizibilitetit, që do të vendosë se në cilat zona mund të krijohet një sistem i shpërndarjes së gazit për qytetarët.

/ Top Channel

Çmimi i naftës dhe burimet alternative të energjisë

opecNjë marrëveshje e sapoarritur ndërmjet vendeve anëtare të OPEC-ut për të ulur nivelin e prodhimit të naftës, rriti çmimin e naftës bruto gjatë kësaj jave. Vendimi u mor pas gati dy vitesh rënieje të çmimit, që dëmtoi vendet prodhuese dhe kompanitë e tyre. Ekspertët e naftës në Uashington thonë se pavarësisht kostos së naftës, ekonomia më e madhe e botës duhet të kërkojë alternativa të tjera ndaj naftës së importuar.

Përdorimi i një teknike komplekse të çpimit nëpërmjet injektimit, solli një rritje të prodhimit të naftës gjatë viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara.

Por ndërkohë, paqëndrueshmëria e rritjes ekonomike në Kinë dhe shtimi i makinave elektrike dhe hibride, si dhe i alternativave të tjera, ka ulur kërkesën për naftë.

Në të kaluarën, vendet e OPEC-ut, të cilat prodhojnë 1/3-tën e naftës së botës, kanë ranë dakort të ulin nivelin e prodhimit. Në përputhje me ofertën dhe kërkesën, çmimet rrjedhimisht rriteshin.

Një ekspert i energjisë në Uashington thotë se një manipulim i tillë i tregut dëmton tregjet e lira dhe iniciativën e udhëheqësve të biznesit në Perëndim.

“Për sa kohë që jemi të ndërvarur nga nafta për të gjitha nevojat tona të transportit, do të varemi gjithnjë nga kapriçot e një tregu botëror të naftës që nuk është gjithnjë i lirë.”

Zoti Diamond thotë se përgjysmimi i përdorimit të naftës do të ndihmonte sigurinë dhe begatinë e Shteteve të Bashkuara.

“Çdo rënie ekonomike e kohërave moderne është paraprirë nga një rritje e çmimit të naftës që është një faktor në të gjitha ngjarjet botërore, gjeopolitikën dhe çështjet ushtarake.”

Një tjetër analist, Simon French i firmës “Panmure Gordon”, mendon se kërkesa për naftë mund të mos jetë e vazhdueshme.

“Ndërsa po përparohet me zhvillimin teknologjik dhe me investime në burimet e rinovueshme në SHBA, Kinë dhe Evropë, po çpohet për të marrë sa më shpejt naftën për të garantuar të ardhurat.”

Ndërkohë, Richard Hunter i firmës së investimeve “Wilson King” nuk është i bindur se OPEC-u do të bindë vendet e ndryshme anëtare të zbatojnë uljen e nivelit të prodhimit.

“Ka skepticizëm nëse do të zbatohen këto shkurtime. Përveç kësaj, është edhe çështja e vendeve që nuk janë anëtare të OPEC-ut, të cilat nuk dihet sa do të përfshihen, p.sh. Rusia.”

Zbatimi i një marrëveshjeje që do të rriste çmimet kërkon negocime të vështira ndërmjet vendeve anëtare të OPEC-ut dhe vendeve të tjera naftëprodhuese. (voa)

Rusia një vend i veçantë?

putinShumë rusë besojnë se Rusia me politikën e saj të tanishme është në rrugë të drejtë.Putini u ka dhënë rusëve pas rënies së Bashkimit Sovjetik madhështinë e tyre të dikurshme. Kështu besojnë shumë në Rusi.

Ndër ata që mendojnë kështu bën pjesë edhe piktori Nikas Safronov apo miliarderi dhe ish-politikani, Alexander Lebedev.

Piktori Nikas Safronov, i cili pikturon portrete politikanësh dhe oligarkësh thotë se “Politikanët janë si pëllumbat. Kur janë poshtë, të vijnë nga pas. Kur vijnë në pushtet të dhjesin mbi kokë. ” Por sipas tij “Putini bën gjëra që askush nuk ka guxuar para tij. Përveç Jezu Krishtit ndoshta.” Ai thekson se për Putinin ka respekt të madh.”

Alexander Lebedev, i cili si shumë super të pasur në Rusi e ka siguruar pjesën e tij të perandorinë sovjetike. Ai ka ka fituar miliona me letra me vlerë, pasuri të patundshme dhe në telekomunikacion. Lebedev thotë: “Një demokraci në tokë të papjekur është shumë më e rrezikshme se sa demokracia e cunguar që kemi ne.” Megjithatë biznesmeni mendon se Rusia duhet të ndryshojë.

Sipas tij Rritja e ekonomisë ruse mund të vijë, vetëm kur më në fund të jenë krijuar kushtet për këtë. “Fabrikat e Rusisë kanë ngecur rrugës, sepse nuk kishte të holla për to. Pati vjedhje”

Thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve

Ekonomia e Rusisë është e dobët. Për shkak të çmimeve të ulëta të naftës dhe sanksioneve perëndimore. Shteti shpenzon gjithnjë e më pak për qytetarët e tij. Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po rritet.

Por Moska shkëlqen. Çmimet e pronave aty janë në rritje. Kjo zonë në të ashtuquajturat liqenet e patriarkut është po aq e shtrenjtë sa në zonat më të mira në Londër apo Nju-Jork. Përfituesit e Rusisë, elitat e saj jetojnë këtu. Dhe super të pasurit i harxhojnë me qejf paratë e tyre.

Vlerësim për Putinin

Safronovi konsiderohet si piktor i oborit dhe mik i oligarkëve, apo i ministrave dhe i Putinit. Ai ka një vilë me vlerë rreth 40 milionë dollarë, që gjendet afër Kremlinit. Sipas tij “Putini është profesionist, burrë patriot. Një njeri që më duket interesant dhe e respektoj. ”

Kurse Alexander Lebedev konsiderohet si kritikues i moderuar i Putinit. Miliarderi financon gazetën kritike ndaj qeverië Novaya Gazeta dhe ishte një herë madje edhe vetë depute në parlamentin rus. Sot Lebedevi zbulon raste korrupsioni. Po ai nuk e kritikon personalisht Presidentin dhe marrëdhënien e tij me oligarkët.

“Unë nuk dua të marr anën e oligarkëve për arsye morale. Ata i kanë fituar paratë e tyre nëpërmjet privatizimeve të paligjshme. Këtë unë e di më mirë se kushdo tjetër. Hetimet e mia lidheshin personalisht me Putinin. Ai nuk ka vënë para mënjanë. Sigurisht, ai ka një numër rezidencash, makinash të shtrenjta, aeroplanësh e kështu me radhë që i takojnë. Por për të këto nuk kanë shumë rëndësi, mendoj unë. Ai mund të flejë pa problem edhe në çadër” – thotë Lebedevi.

Rusia një vend i veçantë?

“Perëndimi e përdor Rusinë si gogol. Por kjo është gabim. Rusia mbetet një pjesë e rëndësishme e kësaj bote. Pa Rusinë nuk ka Gjermani. As Poloni dhe as Evropë. Bota nuk mund të ekzistojë pa Rusinë. Ashtu si bota nuk mund të ekzistojë edhe pa bletët. Edhe pse ato herë pas here kafshojnë. ” – thotë piktori Safronov.

Edhe Lebedev beson se Rusia me politikën e saj të tanishme është në rrugë të drejtë: “Shumë probleme që paskësh Rusia sot, janë vetëm trillime. Kulmi i krizës u arrit. Ne kemi ndryshuar.”

Besim në të ardhmen e Rusisë kanë shumë njerëz që i takojnë brezit të Putinit. Ata thuajse nuk shprehin asnjë kritikë. Rusia është sipas tyre një vend të veçantë, për të cilën duhet të aplikohen standarde të posaçme.

“Rusia është e pathyeshme. Ajo nuk do të bëhet as komuniste, as evropiane. Rusia ka jetuar gjithmonë sipas ligjeve të saj. Dhe ka ndjekur rrugën e e vet të veçantë. ” – thotë Nikas Safronov.

Por vetëm kush ka para mund të jetojë në një Rusi të vetën të artë. Dhe shpreson se ajo do të mbetet si është. (dw)

Mbrojtja e të dhënave e BE nuk i mbron të dhënat

cdUrdhëresa e re e BE për mbrojtjen e të dhënave synon të përmirësojë gjendjen juridike në Evropë. Ekspertët dyshojnë për suksesin e saj.

Në maj, mbrojtësit evropianë të të dhënave brohorisnin nga gëzimi. Urdhëresa e re e BE për Mbrojtjen e të Dhënave hyri në fuqi. Konsumatorët evropianë fituan me të më shumë të drejta. Për shembull, përdoruesit e internetit, në ato raste kur mendojnë se ka shkelje të ruajtjes së të dhënave nga firmat, mund të ndërmarrin hapa kundër tyre. Deri tani, ai që konstaton një shkelje në Facebook, duhet të përballet me Zyrën e Mbrojtjes së të Dhënave të Irlandës, sepse Facebooku vepron që prej Irlandës. Me rregulloren e re, partneri i kontaktit në raste të tilla duhet të jetë zyra në vendin e përdoruesit. Të dyja institucionet punojnë në këtë rast së bashku. Kur ato kanë mendime të ndryshme, vendimin e merr një komision i përbashkët evropian për mbrojtjen e të dhënave.

Një risi tjetër: në rastin e kalimit nga një rrjet social në tjetrin, përdoruesit do të kenë mundësi “t’i marrin me vete” të dhënat e tyre si emailin ose fotografitë. Dhe: sipërmarrjet e internetit nuk lejohet që të dhënat, që i kanë mbledhur vetëm një qëllim të caktuar t’i përdorin për qëllime të tjera ose t’ua japin të tjerëve, pa i pyetur më parë klientët. Veç kësaj do të ekzistojë edhe një “e drejtë për t’u harruar”, që do të thotë se të dhëna të lidhura me persona, me dëshirën e tyre duhet të fshihen nga rrjeti.

Sipas pikëpamjes së Komisionit, nga kjo urdhëresë do të përfitojnë edhe sipërmarrje. Vetë fakti se në të ardhmen do të ekzistojë vetëm një autoritet i mbikqyrjes do t’i kursejë këtij sektori më shumë se dy miliardë euro në vit, ky të paktën është vlerësimi i BE.

Shumë sipërmarrje janë ende në pozita pritjeje

Por e gjitha kjo është vetëm në letër. Sepse edhe kur të ketë hyrë në fuqi urdhëresa për Mbrojtjen e të Dhënave, shtetet anëtare kanë plot dy vjet kohë, që t’i përshtatin rregullat e tyre kombëtare. Në Gjermani duhet të përshtaten rreth 300 ligje administrative.

Edhe shumë sipërmarrje nuk janë të përgatitura për këtë risi. Susane Dehmel, drejtoreshë ekzekutive për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Sigurinë te Bitkom u ka bërë thirrje firmave që të mos presin për një kohë të gjatë me përshtatjen dhe i ka paralajmëruar: “Pas fundit të periudhës tranzitore në maj 2018 kërcënojnë dënime të ndieshme, kur sipërmarrjet nuk u përmbahen të gjitha rregullave.” Këto dënime me të vërtetë nuk janë gjë e vogël. Dënimi maksimal që kërcënon është katër përqind të qarkullimit të përgjithshëm.

Janë harruar: Cloud Computing e të ngjashme

Por problemet kërcënojnë të vijnë nga një anë krejt tjetër. Sipas një studimi juridik të Universitetit të Kasselit, në urdhëresë as nuk përmenden përdorime vendimtare interneti. Alexander Roßnagel, profesor i së Drejtës Ekonomike dhe drejtues i grupit të projektit thotë: “Të gjitha sfidat moderne për mbrojtjen e të dhënave, si rrjetet sociale, Big Data, robotët e kërkimit, Cloud Computing dhe përdorime të tjera teknike injorohen në tekst.”

Kjo çon në pasiguri juridike. “Meqenëse caktimi i kufijve me ligjet gjermane është bërë në mënyrë të paqartë, situata juridike në Gjermani bëhet më e padepërtueshme dhe ndoshta edhe më e keqe. Gjithsesi, qeveria gjermane ka kohë deri në maj 2018 që të përgatitet për situatën e re. (dw)

Situatë e tensionuar në Bosnje-Hercegovinë

zgjedhjet-bhBoshnjakët e Bosnje-Hercegovinës po e mendojnë përgjigjen e mundshme ndaj referendumit në Republikën Serpska. Ka dhe ide për organizimin e një tubimi (Sabori) mbarëboshnjak.

Pas referendumit në Republikën Serpska, situata në Bosnje-Hercegovinë (B-H) mbetet e tensionuar. Nga qarqet boshnjake dëgjohen tani kërkesa për një mbledhje (Sabor) të përbashkët të të gjtihë boshnjakëve, si kundërpërgjigje ndaj krizës më të madhe në këtë vend që nga koha e luftës.

“Sabori mbarboshnjak është i nevojshëm, por mendoj se duhet të harmonizohet me bashkësinë ndërkombëtare. Së pari duhet të shohim nëse bashkësia ndërkombëtare do ta ndalë politikën e Millorad Dodikut”, pohon Suad Kurtqehajiq, profesor i sistemit politik në B-H. Sipas tij, Sabori duhet të thirret nëse bashkësia ndërkombëtare nuk i del përpara kërkesave të Dodikut.

Ndryshe, Dodiku do të mendonte se të gjithë janë dakord me idetë e tij, që një entitet në Bosnje-Hercegovinë të krijojë shtetin e vet dhe që të shkatërrojë shtetin. “Ndërkohë që boshnjakët mund të përjetojnë fatin e palestinezëve”.

SDA nuk e përjashton idenë e Saborit

Partia më e fuqishme bosnjake, Partia e Aksionit Demokratik (SDA), nuk e përjashton mundësinë e një takimi të të gjithë boshnjakëve. Përfaqësuesit e saj, për DW thonë se një takim i tillë mund të thirret varësisht nga situata dhe nevoja. “Por duhet kuptuar që B-H është një shtet i krijuar sipas standarteve ndërkombëtare”, thonë ata. Sabori i tillë i parë është mbajtur në shtator të vitit 1993. Asokohe u desh të vendosej nëse do të pranohet plani Owen-Stoltenberg, me të cilin B-H ndahej në tri mini-shtete.

“Politika boshnjake nuk ka ndonjë strategji të qartë”, mendon Suad Kurtqehajiq. Nga Evropa duhet të kërkohet që Dodikun ta largojë nga politika dhe që shteti të funksionojë si duhet, sepe populli serb nuk është i cënuar në asnjë segment. Kurtqehajiq mendon se politikanët duhet të bashkohen me elitën boshnjake, sepse askush nuk mund t’i di të gjitha gjërat

Mentaliteti i shërbëtorit

Përveç mungesës së komunikimit dhe lidhjeve mes politikës dhe inteligjencës boshnjake, një problem tjetër është edhe mendësia e shërbëtorit, që në B-H ka mbetur që nga koha e osmanëve. “Ky mentalitet është zhvilluar për një periudhë të gjatë. Ndaj kur një serb thotë diçka, boshnjakët e pranojnë, pavarësisht se cilat do të jenë pasojat “, mendon ai. Por shumëkush mendon se një takim i tillë do të ishte i dëmshëm për boshnjakët, sepse nuk dihet se si do të pranohej nga faktorët e tjerë. (dw)

Sonda Rosetta mbërrin në kometë

kometa-sonda-rosettaMisioni 12 vjeçar i sondës hapësinore Rosetta për të studiuar një kometë, përfundoi sot kur sonda u rrëzua mbi sipërfaqen e kometës, siç ishte parashikuar, duke marrë fotografi gjatë gjithë kohës.

Rosetta, sonda e parë që arriti të futet në orbitë përreth një komete, u komandua të ndizte sistemin lëshues për 208 sekonda, duke e nxjerrë atë jashtë orbite dhe duke rezultuar në përplasjen e Rosettës me sipërfaqen e ngrirë të kometës “67P”.Para se të përplasej me komentën, Rosetta transmetoi një koleksion të fundit me imazhe dhe të dhëna, përfshirë edhe pamje nga afër të sipërfaqes së kometës.

Të dhënat e mbledhura nga kjo sondë ofrojnë njohuri mbi përbërjen e kometave dhe pritet të ndihmojnë në zbulimin e mistereve mbi krijimin e sistemit diellor. Rosetta u lëshua nga Agjencia Evropiane e Hapësirës në 2004. Ky konsiderohej si misioni më ambicioz i kësaj agjencie. (voa)

Nipi i Abdilaqim Ademit në mesin e 10 të pasurve në Maqedoni

qimaElemdin Ademi, nipi i sekretarit të përgjithshëm të BDI-së, Abdilaqim Ademi është në mesin e 10 shqiptarëve më të pasur në Maqedoni.

Ai figuron në këtë listë të përpiluar nga kompania evropiane për pasuri “X Welt”, si pronar i kompanisë Screenmedia, kompanisë ndërtimore Eurovia, dhe aktivitete tjera, që sipas mediave kanë lidhur me këtë edhe emrin e Abdilaqim Ademit, që është njëri nga funksionarët e pandryshuar të BDI-së, që nga hyrja e saj në pushtet.

Këto janë dhjetë multimilionerët më të mëdhenj shqiptarë në Maqedoni. Ata janë pronarët e kompanive më të mëdha ose kanë një numër të madh të aksioneve. Kompania kërkimore evropiane për pasuri “X Welt “njoftoi se Maqedonia ka 35 multimilionerë. Sipas hulumtimit pasuria e tyre është me vlerë totale prej 4 miliard dollarëve. Portali Shqipmedia ju sjell listën me 10 emrat e milionerëve shqiptarë në Maqedoni, sipas “X Welt”. Listën e udhëheqë Nazif Destani (djali i Lazim Destanit), pronar i Ecologut. Nipi i Abdilaqim Ademit është Elmedin Ademi i cili me kompaninë e tij është radhitur në pozitën e 10-të. Ai në këtë listë figuron si pronar i firmës së reklamimit Screen Media, si dhe firmës së ndërtimit Eurovia, distribucione pije, detergjente.

Ja lista me dhjetë shqiptarët më të pasur në Maqedoni:

 

  1. Nazif Destani, Tetovë – (Ecolog, Nd Group)
  2. Enver Maliqi, Shkup – (Gemak, investime ne patundeshmeri, hoteleri, cigare, pije )
  3. Xhemail Dauti, Shkup –  ( Dauti Komerc, rrjet supermarketesh, distribuim dhe ekskluzivitete te ndryshme)
  4. Muharem Murtezani, Shkup – (Alma m, distribuim i Nestle dhe Wrigley )
  5. Nuhi Aliu, Shkup – (Euro Aktiva, tregti me hekur, pompa benzine, investime ne patundëshmëri)
  6. Adnan Memetali, Tetovë – ( Pofiks )
  7. Shefki Idrizi,  Tetovë – ( Renova, Qendra Tregtare Rem Mall )
  8. Arben Abdurrahmani, Tetovë – ( Veze Sharri, Lecker dhe Elektroshari )
  9. Naser Ibishi, Tetovë – (firma e ndertimit Nb Kompani, investime ne patundeshmeri, tregti me materijale ndertimore)
  • Elmedin Ademi, Tetovë – (firma reklamimit Screen Media, firma ndertimit Eurovia, distribucione pije, detergjente ) (ina)

Tiranë: ashpërsohen debatet mbi importimin e mbetjeve

protesta-kunder-importit-te-mbetjeveNë Tiranë, opozita i kërkoi parlamentit miratimin e një referendumi për importin e mbetjeve.

Në javë më parë, parlamenti miratoi ligjin e ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Ligji ktheu debatet për rrezikun e ndotjeve të rënda në mjedis dhe mblodhi sërish në protesta veprimtarët e mjedisit.

Por përfaqësuesit e industrive ricikluese pohojnë se importi dhe përpunimi i mbetjeve nuk ka rreziqe.

Partia Demokratike e opozitës i paraqiti sot parlamentit kërkesën e 28 deputetëve për të zhvilluar një referendum lidhur me importin e mbetjeve.

Në këtë kërkesë, Partia Demokratike vlerëson se lejimi i importit për lloje të caktuara të mbetjeve rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, krijon mundësi për importim të mbetjeve të rrezikshme, bie ndesh me objektivat kombëtare në fushën e ekonomisë dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Opozita ka vendosur t’u bashkohet protestave të shoqërisë civile kundër ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Jashtë sallës së parlamentit, një debat i gjerë po zhvillohet mes qarqeve të biznesit dhe shoqërisë civile mbi ligjin e sapomiratuar, nëse lejimi i importit të mbetjeve për riciklim rrezikon apo jo banorë, ndot apo jo mjedisin shqiptar.

Veprimtarët e mjedisit pohojnë se fabrikave u mjaftojnë mbetjet e vendit për riciklim.

“Nëse sot përpunohet vetëm 17 për qind e mbetjeve, dhe nëse këto shkojnë në 34 për qind, gjë që është normale të arrihen, sepse vende të tjera e kanë 60-80 për qind, atëherë industria e riciklimit ka rrezik të mos i përballojë dot këto kapacitete vendase” – thotë Lavdosh Ferunaj, përfaqësues i Aleancës Kundër Importit të Plehrave.

Por shoqata e industrive ricikluese hedh poshtë si të pavërteta komentet e shoqërisë civile për ndotjen e mjedisit nga riciklimi.

Sipas zotit Bardhyl Baltëza, problemi i vërtetë është mos-zbatimi i ligjit nga pushteti vendor, i cili nuk ndan mbetjet urbane dhe nuk i bën gati për riciklim, ndërsa shumë fabrika janë në prag të falimentit.

“Ne sot marrim 15-20 për qind të mbetjeve në Shqipëri dhe e ricklojmë. Sikur këto t’i hedhim në rrugë nga mbyllja e fabrikave? Ne kemi oferta nga fqinjët tanë t’i transferojmë bizneset atje. Dhe si po duket, ashtu do të vijë puna; dikush do të falimentojë, dikush do të eksportojë biznesin jashtë. Po mbetjet që do të mbesim pa ricikluar këtu ku do shkojnë? Imagjinoni se ç’do të thotë 1 mijë ton plastikë në Tiranë që ne heqim dhe riciklojmë në muaj dhe që mund të mos hiqen më” – thotë Bardhyl Baltëza, kryetar i shoqatës së industrive ricikluese.

Nga ana tjetër, veprimtarët e mjedisit pohojnë se sado të mëdha mund të jenë fitimet e fabrikave të riciklimit fatura e dëmit të tyre në shëndetin e qytetarëve dhe mbi mjedisin është disa herë më e madhe për institucionet e shëndetit publik dhe shpesh ndotja e ujërave dhe dherave është e pakthyeshme.

“Kostoja e dëmeve mbi shëndetin është e madhe dhe afatgjatë. Nuk është një kosto që shfaqet shpejt, por shfaqet në vitet që vijnë. Por politika dritëshkurtër injoron kostot që vijnë pas 3-4 legjislaturash, por është e fokusuar vetëm në atë interes të çastit, që mund të kenë një grup shumë i vogël njerëzish” – thotë zoti Ferunaj.

Ndërsa shoqata e industrive ricikluese pohon se rreziku i ndotjes nga importi i mbetjeve është thuajse zero, sepse fabrikat ndjekin standartet në transport dhe përpunim, numri i pikave kufitare të hyrjes dhe i firmave, që importojnë është i kufizuar.

Sipas zotit Baltëza, problemi kryesor është mos-bashkëpunimi i bashkive me firmat ricikluese për të bërë ndarjen e mbetjeve urbane sa më pranë komunitetit.

“Ne kemi investuar industri në një vend që mendojmë se është vend i lirë dhe me ekonomi tregu. Por me mbylljen e rrugëve të importit në 2013, ndodhi tjetra që njerëzit dhe ndërmarrjet që mbledhin mbetjet për riciklim, këto kanë sot parajsën, sepse këto janë në një treg monopol. Shumë prej këtyre ndërmarrjeve nuk na i japin ne mbetjet për fabrikat vendase, por i eksportojnë në fabrika jashtë vendit me kosto shumë më të lartë” – thotë Baltëza.

Aleanca Kundër Importit të Plehrave, një grup organizatash joqeveritare, shpreson që presidenti Nishani ta kthejë ligjin në parlament dhe që aty votat të pakësohen më tej në një votim të dytë dhe që ligji të rrëzohet.

Ndërsa biznesmenët janë në pritje të hyrjes së ligjit në fuqi për të provuar pohimet e tyre. (voa)