Protestë kundër marrëveshjes së detit te Kryeministria

protesta trNjë protestë e organizuar nga shoqëria civile është zhvilluar ditën e sotme përpara Kryeministrisë për të kundërshtuar, atë që ata e quajnë si dhurimin me 12 milje të detit të Shqipërisë në favor të Greqisë.

Gjithçka nisi pas deklaratave të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzis, i cili pak ditë më parë u shpreh se parimisht ishte rënë dakord me Shqipërinë që të zbatohej regjimi i 12 miljeve detare.

Protestuesit i bënë thirrje kryeministrit që të jepte sqarime, ndërsa kërkuan nga profesionistët që të japin një zgjidhje ligjore për këtë çështje.

Protesta u mbyll qetësisht pas asnjë incident.

Top Channel

Maqedonia dhe Greqia – Të bashkuara në grindjen për emrin

rm grTë dielën në Athinë qindra mijëra vetë duan të demonstrojnë kundër një kompromisi lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë. Po kthehet nacionalizmi në Greqi?

Ishte demonstrata më e madhe në historinë greke të pasluftës: Mbi njëmilionë vetë protestuan në shkurt 1992 në Selanik, kundër një kompromisi të mundshëm në grindjen për emrin e Maqedonisë. Kjo u pasua nga një krizë qeveritare në Athinë: ish-kryeministri konservator Konstantin Mitsotakis shkarkoi ministrin e Jashtëm në kabinetin e tij Antonis Samaras, që konsiderohej si përfaqësues i vijës së fortë, por më vonë edhe vet kryeministrit iu desh të japë dorëheqjen.

Pasardhësi i tij Andreas Papandreou u tregua i palëkundur dhe vendosi përkohësisht një embargo tregtare kundër vendit fqinj. Sot Athina ende insiston për kërkesën, që vendi fqinj ta ndryshojë emrin “Republika e Maqedonisë” të ankoruar në kushtetutë. Grekët e pretendojnë emrin Maqedoni si pjesë të trashëgimisë historike dhe i tremben po ashtu pretendimeve territoriale ndaj provincës greke me të njëjtin emër.

Në kërkim të një kompromisi

Ndërkohë grekët janë tërhequr nga pozicioni i ngurtë. Që prej disa kohësh po pranohet, që vendi fqinj të përdor një emër që përmban mbiemrin “maqedonas”. Kësaj linje do t’i përmbahet kryeministri i majtë Alexis Tsipras. Pas një raundi të ri bisedimesh me ndërmjetësimin e OKB-së u bë e ditur, se qeveria në Athinë e pranon kompromisin për emrin “Gorna Makedonija” (Maqedonia e Epërme).

Por menjëherë rikthehen në skenë demonstruesit: Në fund të janarit pati manifestime proteste në Selanik, të dielën (04.02) e kanë radhën protestat në kryeqytet, në Athinë. Si organizatore vepron një nismë me emrin “Shoqatat maqedonase”, që pretendon se kujdeset për traditat greke të rajonit Maqedonia. “Do të jetë një manifestim patriotik, emri Maqedoni nuk shtrohet për diskutim”, paralajmëron përfaqësuesja e shoqatës në një intervistë televizive.

Nacionalistët tolerohen

Studiuesi i shkencave politike Levteris Koussoulis beson, se rifillimi i demonstratave është pjesë tipike e shoërisë greke, që është ngurtësuar mes stanjacionit dhe pasionit. “Disa në këtë vend ndihen të lidhur në një mënyrë të veçanërisht të prapambetur me historinë. Ata bllokohen të kapur pas së shkuarës dhe nuk e kuptojnë, që bota ecën përpara”, kritikon Koussoulis në bisedë me DW.

demo grDhimbje koke shkakton njëkohësisht mundësia e pjesëmarrjes së populistëve të djathtë dhe nacionalistëve në manifestim. Deputetë të partisë ekstremiste të djathtë Agimi i Artë dolën në protestë në rrugët e Selanikut, megjithatë qendruan të rezervuar me kërkesat politike. E pyetur nëse do të tolerohet pjesëmarrja e Agimit të Artë edhe në protestën në Athinë, organizatorja Bitakou tha, se protesta është e hapur për të gjithë ata, që duan të “mbrojnë” atdheun e tyre.

Irritime ka shkaktuar edhe ministri populist i djathtë i Mbrojtjes, Panos Kamenos, i cili e refuzon kompromisin në grindjen për emrin e Maqedonisë, por njëkohësisht i ndjek zhvillimet me një heshtje të pazakontë. Ai vetë ndodhet jashtë shtetit dhe nuk do të mund të marrë pjesë. Anëtarët e partisë së tij do të protestojnë si “qytetarë të thjeshtë”. Si partneri më i vogël i koalicionit nën kryeministrin Tsipras, Kamenos është në dilemë. Nëse ai nuk lëshon pe, rrezikon shumica e ngushtë parlamentare e koaliconit. Nëse ai pranon kompromisin do të zhgënjejë publikun e vet.

Ventil për indinjatën popullore

Sidoqoftë organizatorët janë kujdesur, që të dielën të mos lejojnë në podium të djathtët. Deri tani referuesit kryesorë do tëjenë konstitucionalisti Jorgos Kassimatis, si dhe kompozitori Mikis Theodorakis. Në një deklarim publik së fundi idhulli i se majtës paralajmëroi, që të mos bëhet asnjë prapraktheu në grindjen për emrin. “Kujtimi ndaj Jugosllavisë është ende i freskët, vendi ynë do të jetë viktima e radhës”, deklaroi  Theodorakis, i cili kohët e fundit ka rënë në sy edhe për deklaratat e tij antisemitiste. Që ai në moshën 92 vjeçare angazhohet në një manifestim patriotik, disa komentatorë e konsiderojnë si të habitshme.

Sidoqoftë politologu Koussoulis nuk beson, që të dielën do të ketë një manifestim nacionalist. “Kjo lëvizje proteste ka një rrënjë nacionaliste, megjithatë ajo do të mbështetet nga shumë njerëz dhe do të interpretohet në mënyra të ndryshme – e kryesisht edhe si një mjet i protestëts kundër politikës së qeverisë në përgjithësi”, mendon analisti. Çështja e Maqedonisë si ventil për indinjatën popullore kundër kryeministrit të majtë Tsipras? Edhe kjo është e mundur me sa duket. “Të dielën do të jem në shesh, sepse dua të protestoj kundër politikës së qeverisë”, deklaron moderatori konservator i radios Ares Portosalte. Udhëheqësi i opozitës Kyriakos Mitsotakis deklaron, se gjithkush duhet të vendosë vetë, nëse do të demonstrojë ose jo të dielën. Por ai e lë të hapur nëse edhe vet do të dalë në protestë ose jo. (dw)

Koha për ta ndryshuar botën

ChristianeSkandali i makinave me naftë, ndryshimi i klimës, zhdukja e specieve. E çfarë po ndryshon? Asgjë. Christiane Kliemann ka hequr dorë nga puna në OKB dhe po jep një shembull, se si humbja e luksit mund të jetë një fitim.

Christiane Kliemann është një njeri i komunikueshëm. Por 50 vjeçarja ka edhe parimet e saj: “Gotat plastike në mencë! Kjo nuk shkon.” Ajo jo vetëm kritikon, por menjëherë jep një propozim për përmirësim: “Përse nuk ka çdo punonjës filxhanin e vet, që mund ta mbushë në automatin e kafesë?” Teknikisht kjo do të ishte e mundur. Automati e njeh nëse poshtë rubinetit ndodhet një filxhan apo nëse i duhet të nxjerrë një gotë plastike.

Christiane Kliemann eviton përdorimin e plastikës, para një viti ajo hoqi dorë edhe nga makina, refuzon fluturimet me avion dhe po ashtu ka hequr dorë edhe nga puna në Sekretariatin e OKB-së për Klimën (UNFCCC). Nëna e katër fëmijëve përkohësisht u zhvendos nga shtëpia e madhe që kishte dhe nisi të banojë në një rimorkio-shtëpi. “Unë besoj, që çdo njeri e ka një ndijesi të thellë për të pasur një jetë me kuptim. E secili ka dëshirën, që të kontribuojë me diçka kuptimplotë në shoqërinë dhe në mjedisin e tij.”

Me këtë synim ish-gazetarja pati aplikuar për punë në OKB, por atje shumë shpejt konstatoi, që tema të caktuara ishin tabu si “Rritja ekonomike dhe strukturat kapitaliste.” Një përvojë vendimtare ajo e pati më 2012. Bashkësia ndërkombëtare nxori bilanc në Rio për procesin 20 vjeçar të OKB-së për mjedisin, ndryshimi i klimës dhe biodiversiteti.  “Për mua tronditës ishte konstatimi, se gjendja në të gjitha sferat ishte përkeqësuar. Në vend që të thuhet: Ne kemi bërë gabime dhe tani propozojmë rrugë të reja, vendimmarrësit duke iu referuar së ardhmes vazhdojnë ndërkohë të mbajnë sistemin e dëmshëm.”

Si shembull aktivistja e mjedisit përmend rritjen e vazhdueshme të emisioneve si dhe shpërblimin nga qeveria federale gjermane më 2009 për ata që blinin një makinë të re, për të hequr nga qarkullimi makinat e vjetra. I ashtuquajturi “shpërblim për mjedisin” synonte të nxiste blerjen e modeleve të reja të makinave, por u “prodhuan shumë makina pa cilësi, u konsumuan shumë energji e burime për prodhimin e makinave të reja”, thotë aktivistja.

Shkaku është dogma e rritjes ekonomike, struktura e ekonomisë e orientuar nga kapitali. Frika, se mund të shkatërrohen tregjet e me këtë edhe ekonomia, i bën pjesëmarrësit, që të reagojnë gjithnjë e më shpejtë për ta mbajtur ekonominë në funksionim. Por shembulli i Greqisë tregoi, se pasojë e pretendimit për rritje ekonomike është kaosi social. Zgjidhja nuk mund të jetë ndalimi i rritjes ekonomike, por vetëm transformimi në tërësi i sistemit. Degrowth ose ulja e ritmit të zhvillimit ekonomik në dobi të njeriut dhe mjedisit janë nismat për një ndryshim të sistemit, që përfaqëson Christiane Kliemann. Ky sistem merr parasysh nevojat e përgjithshme, drejtësinë sociale dhe qendrueshmërinë ekologjike.

Për t’u bërë ballë mungesës së burimeve, ndotjes së mjedisit dhe varfërisë ithtarët e lëvizjes Degrowth kërkojnë një tatim më të fuqishëm të udhëtimeve me avion që dëmtojnë mjedisin dhe konsumojnë energjinë e burimet, shfuqizimin e  lehtësimeve fiskale për makinat për përdorim zyrtar, zgjerimin e qarkullimit publik dhe të rrugëve të biçikletave. Në këmbim duhet që mbështetet ligjërisht ekonomia lokale, për të krijuar mundësi për rrugë më të shkurtëra transporti dhe për një prodhim në zona më pranë konsumatorëve në afërsi të zonave rurale. Duhet të ruhen sipërfaqet e gjelbëra dhe edukimi për mjedisin duhet të fitojë më shumë peshë në orët e mësimit shkollor dhe atij parashkollor.

Masa të tilla, beson Christiane Kliemann, kanë si efekt anësor tkurrjen e ekonomisë.  “Ne mund t’ia dalim me kthesën, vetëm nëse heqim dorë nga mentaliteti i konkurrencës dhe mësojmë të mendojmë në mëyrë kolektive, solidare e kooperuese, të orientuar se bashkarisht mund t’ia dalim në këtë planet.” (dw)

Legalisht nga Ballkani në Gjermani

VizaQë nga nëntori i 2017-ës procedura e vizave të punës për shtetasit e Ballkanit Perëndimor është më e thjeshtë dhe realizohet brenda një etape.

Kur rregullorja për Ballkanin Perëndimor hyri në fuqi, më 1 janar 2016, procedura për marrjen e vizës ishte e dyfishtë. Punëmarrësit shtronin kërkesë për vizë te përfaqësitë e Gjermanisë në vendet e tyre, dhe njëkohësisht punëdhënësit kërkonin leje paraprake te Zyra e Punësimit në vendndodhjen e kompanisë.

Kjo procedurë zgjaste me muaj dhe binte ndesh me dëshirën për punësim sa më të shpejtë. Prandaj prej nëntorit të vitit 2017 procedura është thjeshtëzuar.

Punëdhënësi nuk kërkon më miratim nga Zyra e Punësimit

“Miratimi paraprak nga Zyra e Punësimit nuk është më i nevojshëm”, sqaron për Deutsche Welle-n Sascha Andreas Kienzle (Sasha Andreas Kincle) nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. “Tani mjafton që kandidati të paraqesë në Ambasadën e Gjermanisë të gjitha dokumentet e nevojshme, duke përfshirë edhe vërtetimin nga punëdhënësi.”

Kontrollimi në Gjermani

Pasi të jenë dorëzuar dokumentet në konsullatë, kontrollohen nga autoritetet përkatëse në Gjermani. “Nëse plotësohen të gjitha kushtet, atëherë jepet viza.”, thotë Kienzle më tej.

Me kontrollin e dokumenteve, krahas Ministrisë së Punëve të Jashtme, pjesë e së cilës janë ambasadat, merren edhe Ministria e Brendëshme dhe Ministria Federale e Punës dhe e Çështjeve Sociale, nëpërmjet Agjencisë Federale të Punësimit.

Roli i Entit Federal të Punësimit

“Kur shtrohet kërkesa për vizë pune, ne kontrollojmë se a ka ndonjë shtetas gjerman ose europian me të njëjtin kualifikim që ka aplikuar për të njëjtin vend”, thotë për DW, Paul Ebsen, zëdhënës i Agjencisë Federale të Punësimit. Prandaj dokumentet duhet të dërgohen në zyrën e punës të qytetit ku ndodhet vendi i punës dhe, pasi të jenë kontrolluar, kthehen sërish. Zyra e punës kontrollon vetëm formalisht, se a ka ndonjë kandidat të përshtatshëm me shtetësi gjermane ose nga vendet e BE-së për këtë vend. Kjo nuk zgjat më shumë se 14 ditë, siguron Paul Ebsen. Nëse marrja e një vize zgjat më shumë, kjo varet nga rrethanat individuale të aplikuesit. ”

Kushtet nuk kanë ndryshuar

Kushtet që duhen plotësuar për marrjen e vizës së punës kanë mbetur të njëjtat: punësimi në ndërtim ose gastronomi nuk kërkon as njohuri gjuhe e as njohuri profesionale.

Vetëm për infermierët ose kujdestaret mjekësore kërkohen njohuri gjuhe dhe dëshmi licencimi a diplomat e shkollës profesionale. Kushtet përshkruhen në mënyrë të hollësishme në fletushkat informative të ambasadave.

Azilkërkuesit mbeten të përjashtuar

Azilantët mbeten të përjashtuar nga ky rregull. “Azilkërkuesit, që deri 24 muaj para se të shtrojnë kërkesën kanë  marrë ndihma në bazë të ligjit të azilërkuesve, nuk kanë të drejtë të marrin vizë pune”, thotë Kienzle.  Këtu bëjnë përjashtim azilantët që kanë shtruar kërkesën për azil nga 1 janari 2015 deri më 24 tetor 2015, por që deri më 4 maj 2016 kthyen vullnetarisht në vendet e tyre.

Të përjashtuar nga ky rregull janë edhe azilantët që jetojnë në Gjermani. I ashtuquajturi “ndërrim korsie”, pra kalimi nga statusi i refugjatit në atë të imigrantit ekonomik, të cilin e kërkojnë tashmë prej kohësh shumë organizata refugjatësh, nuk lejohet ende. Azilantët duhet të kthehen në vendet e tyre për të hyrë sërish si imigrantë në hapësirën Schengen.

Mbi 35 000 viza pune për Ballkanin

Në vitin 2017, Gjermania lëshoi 35 200 viza pune për vendet e Ballkanit Perëndimor, siç bën të ditur për Deutsche Welle-n Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Vendin e tretë e zënë shtetasit nga Kosova (me 6087 viza pune), pas Bosnjë-Hercegovinës (9 913) dhe Serbisë (9 577). Shqipëria (3 126) vjen pas Maqedonisë (5 584), ndërsa Mali i Zi ishte vendi që solli më pak imigrantë ekonomikë (913) në Gjermani, në vitin 2017.

Pjesa dërrmuese punojnë në sektorin e ndërtimit dhe gastronomisë, por ka edhe shumë që janë punësuar si pastrues apo kujdestarë shëndetësorë. Specialitët e kualifikuar janë të paktë dhe zënë vetëm 2,5 për qind të gjithë imigrantëve nga Ballkani.

Gastarbeiter të rinj

Viza e punës jepet për aq sa zgjat kontrata. Kur kontratës i përfundon afati, imigrantët duhet të kthehen sërish në vend. Por nëse kanë paguar sigurime shoqërore, ata mund të gëzojnë përfitimet nga asistenca  e papunësisë, sigurimet shëndetësore dhe pensionet.

Prandaj nuk përjashtohet mundësia, që sikurse të ashtuquajturit Gastarbeiter, edhe imigrantët e dikurshëm të viteve ’60 dhe ’70, të mbesin në Gjermani, edhe pasi e kanë humbur vendin e punës. (dw)

Ramush Haradinaj për DW: Destinimi i Kosovës është Europa

RamushRamush Haradinaj, i ftuari në edicionin e DW-së Conflict Zone xhiruar në Prishtinë. Ramush Haradinaj përballë Tim Sebastian

Kanë kaluar dhjetë vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë, gati 20 vjet që kur përfundoi lufta këtu. Kosova pas shumë vonesash ka gjykatën e re të krimeve të luftës, por shumë njerëz duan ta nxjerrin atë jashtë përdorimit, madje para se ajo të fillojë punën. E gjithë kjo pret përgjigje nga kryeministri

Tim Sebastian: Ramush Haradinaj, mirserdhët në Conflict Zone.

Ramush Haradinaj: Faleminderit.

Tim Sebastian: Në vitin 2015 Kosova ra dakord që të ashtuquajturat Dhomat e specializuara të ngrihen në Hagë për të gjykuar krimet e luftës ose akuzat për krime lufte që lidhen me konfiktin në Kosovë. Tani disa politikanë këtu duan ta nxjerrin gjykatën jashtë përdorimit madje para fillimit të punës. A do shkohet deri në fund apo jo?

Ramush Haradinaj: Gjykata ekziston. Ajo është krijuar, votimi është bërë në parlament dhe ndryshimet kushtetuese për të janë votuar. Ideja e parlamentarëve ka të bëjë me procedurën e gjykatës, por nuk shkon deri në nivelin e ndalimit të gjykatës.

Tim Sebastian: Vërtet, sepse 43 parlamentarë kanë vënë firmën në një peticion, apo jo? Ata duan të ndalojnë gjykatën para se të fillojë.

Ramush Haradinaj: Gjykata vetë i ka marrë 80 vota. Kjo përbën dy të tretat. Ekziston një amandment i kushtetutës sonë. Ne kemi rënë dakord për këtë. [Ligji i ri] Është ligji për mënyrën e procedimit, procedimit të gjykatës, ajo çka kanë inicuar për shfuqizim parlamentarët, me idenë e ndryshimit të ligjit, ligjit ekzistues, por kjo nuk e arrin nivelin e ndalimit të vetë gjykatës.

Tim Sebastian: Pra gjykata do vazhdojë deri në fund?

Ramush Haradinaj: Gjykata ekziston. Gjykata është krijuar me një amendament kushtetues dhe nuk vihet në pyetje.

Tim Sebastian: Ju keni marrë një deklaratë të përbashkët, një deklaratë e përbashkët që është bërë më 4 janar nga Gjermania, Britania, Italia, Franca dhe SHBA. Ata paralajmërojnë se çdo lëvizje për të ndaluar këtë gjykatë do verë në rrezik çdo gjë që Kosova ka arritur deri tani. “Kushdo që mbështet këtë,” thanë ata, “do të refuzojë partneritetin e Kosovës me vendet tona, përfshirë integrimin e Kosovës në BE dhe NATO. Pra, bëhet fjalë për gjëra shumë të mëdha, apo jo?

Ramush Haradinaj: Po. Shumë të mëdha. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë në Kosovë. Në fakt Kosova i ka përmbushur në të kaluarën detyrimet e saj kundrejt ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Pra nuk ka dyshim se Kosova do të vazhdojë dhe do të mbetet e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Tim Sebastian: Por jo nëse ju do përpiqeni të ndryshoni mënyrën se si vepron gjykata.

Ramush Haradinaj: Nisma e parlamentarëve që është bërë në parlament siç e thashë nuk është vendim. Është një nismë parlamentarësh.

Tim Sebastian: E di që është një nismë, por pyetja është a do vazhdojë ajo apo jo.

Ramush Haradinaj: Duket se jo.

Tim Sebastian: Duket se jo? Vërtet, nuk do vazhdojë më?

Ramush Haradinaj: Jo.

Tim Sebastian: Një nga gazetat tuaja e quajti këtë përplasjen më serioze dhe dramatike midis institucioneve të larta të Kosovës dhe Perëndimit. Ajo i përshkruan përpjekjet kundër gjykatës si sinjale paniku brenda radhëve të udhëheqësve të Kosovës. A keni rënë ju në panik për shkak të kësaj gjykate?

Ramush Haradinaj: Personalisht?

Tim Sebastian: Personalisht ju ose kollegët tuaj.

Ramush Haradinaj: Shqetësimi lidhet me gjykatën dhe disa njerëz këtu e konsiderojnë këtë si padrejtësi, si një institucion i ligjit që seleksionon vetëm krime të supozuara dhe jo (gjithҁka) që ka ndodhur këtu në të kaluarën. Por unë nuk kam frikë, as frikë personale as frikë tjetër.

Tim Sebastian: Përfaqësuesit e BE-së kanë thënë se kjo nuk është një gjykatë e njëanshme. Se nuk është një gjykatë e kufizuar tek një nacionalitet apo një tjetër. Ajo e ka bërë këtë shumë të qartë. Nuk ekzistojnë njëanshmëri. Kjo nuk është një gjykatë e pandershme. Presidenti juaj ka thënë se kjo është një gjykatë historikisht e pandershme. Nuk është në përputhje me BE.

Ramush Haradinaj: Ne dëgjojmë nga ekspertë të ndryshëm, ekspertë ligjorë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë se ky është një shans i humbur për të trajtuar çdo gjë në mënyrë të barabartë; të gjitha krimet e supozuara dhe për të venë në vend të drejtat e gjithë viktimave në to. Përderisa e gjitha kjo e ka burimin tek një raport parlamentar, parlmentarit evropian, parlamentarit Dick Marty, është e fokusuar kryesisht në ngjarje të vaçanta të së kaluarës, unë supozoj se kj ka drejtim vetëm etnik, drejt ish njerëzve të UÇK-sё.

Tim Sebastian: Po, BE thotë jo. Se nuk ekziston kufizim i tillë. Përfaqësuesit e BE thonë se nuk është i kufizuar vetëm tek shqiptarët.

Ramush Haradinaj: Unë nuk mund të argumentoj për këtë gjë. Ne dëgjojmë nga ekspertë të ndryshëm se në fakt kemi të bëjmë me një rast të tillë. Se është vetëm me orientim etnik.

Tim Sebastian: Ju… Ju jeni akuzuar dhe liruar nga akuzat dy herë në Hagë. Nëse gjykata e re ju thërret do shkoni?

Ramush Haradinaj: Po.

Tim Sebastian: Do shkoni.

Ramush Haradinaj:  Po.

Tim Sebastian: Vëllai juaj, Dauti, paralajmëroi në dhjetor se ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të ndërhyjnë të ndalojnë çdo lloj arrestimi që mund të urdhërohet nga gjykata. Ai tha: nuk ka asnjë luftëtar të UÇK që nuk do t’ i bashkohej ndalimit të arrestimeve.

Ramush Haradinaj: Kjo nuk është e vërtetë. Kjo nuk është deklarata e tij. Ai tha se ajo do të riaktivizojë ndjenjat e UÇK; në fakt të gjitha përfshirjet e gjykatës janë gjithë proceset gjyqësore; nuk ka qenë vetëm ideja e respektimit të të drejtave të viktimave ose zbatimit të ligjit, por ka qenë ideja e paqes; kështu që me vazhdimin, do thoja unë, e përndjekjes së ish-ÇK, do të riaktivizoheshin në shoqërinë tonë ndjenjat e UÇK, ndjenjat e çlirimit, ndjenjat e sakrificës në të kaluarën.

Tim Sebastian:Po ai…citohet të ketë thënë se nuk ka asnjë luftëtar të UÇK që nuk do t’ i bashkohej ndihmës për të ndaluar arrestimet.

Ramush Haradinaj: Kjo nuk është e vërtetë. Kjo mund të jetë ndonjë gabim në përkthim.

Tim Sebastian: Ai ishte duke inkurajuar njerëzit t’i rezistonin arrestimit.

Ramush Haradinaj:  Jo zotëri. Ajo që bëri ai… Unë i besoj faktit se ish-njerëzit e UÇK që kthehen në procese gjyqësore 20 vjet pas lufte do të gjallërojnë ndjenjën e periudhës së UÇK dhe të luftës.

Në një periudhë të jetës ne kemi nevojë për paqe të qëndrueshme; ne kemi nevojë le të themi pёr falje, jo harresë por falje dhe tё shohim në të ardhmen. Kështu që kjo na çon prapa në një farë mënyre. Kjo është e vërteta.

Tim Sebastian: A nuk është drejtësia më e rëndësishme?

Ramush Haradinaj: Gjithmonë.

Tim Sebastian: A do të vendoset drejtësia?

Ramush Haradinaj: Përherë, por ne u dorëzuam tek drejtësia gjatë kohës së administrimit të Kombeve të Bashkuara për tetë vjet, tek Gjykata për Krimet e luftës për ish-Jugosllavinë, dhe tek EULEX. Pra tre institucione për zbatimin e ligjeve ndërkombëtare, trajtuan drejtësinë këtu. Ky është i katërti…

Tim Sebastian: Nuk ekziston afat kohor për ndëshkimin e krimeve të luftës.

Ramush Haradinaj: Jam dakord, por kjo është hera e katërt. Kjo krijon për Kosovën një përjashtim, për një vend që gjatë konfliktit ka qenë viktimë.

Tim Sebastian: Por ju e dini pse ata duan që t’ i marrin kosovarët dhe njerëzit e tjerë në Hagë, apo jo.

Ramush Haradinaj: E njëjta gjë mund të ndodhte këtu sepse komuniteti ndërkombëtar është i pranishёm me gjithë këta ekspertë ligjorë, me institucionet e tyre.

Tim Sebastian: Por ka dy arsye: Korrupsioni në sistemin e drejtësisë, të cilin ata e citojnë këtu dhe frikësimi i viktimave. Këto janë arsyet pse gjykata shkon në Hagë.

Ramush Haradinaj: Kur ata morrën vendim për këtë gjykatë që të ishte në Kosovë, ky ishte argumenti i tyre. Në të njëjtën kohë…

Tim Sebastian: Një argument i justifikuar.

Ramush Haradinaj: Por në të njëjtën kohë, komuniteti ndërkombëtar ka një program për dëshmitarët dhe ai nuk është i lidhur me institucionet e Kosovës. Përveç kësaj ata janë gjykatës dhe prokurorë, të cilët nuk mund të korruptohen vetëm për faktin se gjykata është në Kosovë. Në të kaluarën Gjykata për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, i ka gjykuar njerëzit në vendin e vet. Nga Haga një grup gjyqtarësh kanë shkuar në Beograd, Sarajevë të gjykonin njerëzit.

Tim Sebastian: Njerëzit këtu nuk kanë fat me sistemin e drejtësisë. Në një raport të 2017 Instuti demokratik i Kosovës dhe Shoqata e avokatëve të Kosovës raportuan se njerëzit e vlerësojnë sistemin e drejtësisë këtu si më pak të besueshmin ndër institucionet e tyre. Kjo është një akuzë shumë e rëndë apo jo?

Ramush Haradinaj: Është. Ekzistojnë shqetësime të mëdha për kualitetin e zbatimit të ligjit këtu. Si një komb i ri, demokraci e re, ne jemi duke punuar shumë për forcimin e institucioneve tona në zbatimin e ligjit. Në fakt, ne kemi ofruar të gjykojmë vetveten… kosovarët. Ne kemi ofruar që gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë të gjykojnë njerëzit, por ta bëjnë këtë në vendin tonë.

Tim Sebastian: Por, pikërisht gjatë kësaj jave përfaqësuesja e BE-së foli për nivelin e lartë të korrupsionit këtu. Ajo tha se fakti që kaq shumë raste përfundojnë pa dënime apo konfiskime, le të kuptohet se rezultatet për punën tuaj nuk janë në nivelin e duhur për liberalizimin e vizave, gjë që kërkohet me ngulm nga BE-ja.

Ramush Haradinaj: Është e vërtetë. Korrupsioni dhe situata për luftimin e korrupsionit nuk është diçka që duhet duartrokitur se kemi bërë shumë. Por, ne jemi të ndëgjergjshëm për sfidat tona si shoqëri. Në fakt, liberalizimi i vizave nuk është vetëm shpërblim vetëm për punën e politikanëve, por është shpërblim edhe për qytetarët, për ata që po vuajnë. Ne jemi Evropë. Ne i takojmë Evropës. Fati ynë është Evropa. Kështu që unë mendoj se ndëshkimi i politikanëve ose i elitave është gjë e drejtë, por ndëshkimi i qytetarëve nuk është i drejtë.

Tim Sebastian: Gjatë viteve- le të flasim për futjen e frikës që u është bërë dëshmitarëve. Për vite me radhë zyrtarët njëri pas tjetrit janë ankuar për frikësimin e dëshmitarëve nga Kosova. Disa prej tyre janë vrarë, disa kanë bërë vetëvrasje para se të mund të jepnin dëshmitë. Ish-prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish- Jugosllavinë Carla Del Ponte, ka thënë se dëshmitarët nga Kosova kanë qenë aq shumë të frikësuar dhe të terrorizuar saqë nuk kanë qenë në gjendje të flasin për praninë e UÇK-së në disa zona, për të mos folur për krimet aktuale. Atyre që janë shprehur të gatshëm të dëshmojnë u është dashur të transferohen në vende të tjera me gjithë familjet. Pse? Pse kaq shumë frikësim nga Kosova për dëshmitarët?

Ramush Haradinaj: Në fakt unë vetë kam qenë në proces gjyqësor dy herë. Në gjykim dhe rigjykim. Të gjithë dëshmitarët që kanë qenë në listën e prokurorit u paraqitën në gjyq. Prokurori, Serge Brammertz, deklaroi në Beograd se në rastin e Haradinajt nuk ka pasur asnjë futje frike, asnjë ndërhyrje dhe asnjë nga dëshmitarët nuk ka qenë i penguar të paraqitej në gjyq.

Tim Sebastian: Vërtetë? Gjykata e apelit foli për shumë dëshmitarë seriozë të frikësuar, të cilët ishin të rëndësishëm në kontekstin e gjyqit tuaj.

Ramush Haradinaj: Jo. Serge Brammertz e deklaroi këtë gjë në Beograd para të gjithëve, përfshirë edhe median. Në çështjen e Haradinajt nuk ka pasur raste të frikësimit dhe të ndërhyrjes ose pengime të njerëzve që të mos paraqiteshin në gjykatë dhe të mos jepnin dëshmitë.

Tim Sebastian: Haradinaj, sipas New York Times, 18 dëshmitarëve duhet t’u jepeshin flet-thirrje nga gjykata, sepse nuk pranonin të paraqiteshin në gjyqin tuaj dhe të tjerë brenda në sallën e gjyqin nuk patën guxim të dëshmonin, nuk patën dëshirë të dëshmonin.

Ramush Haradinaj: Kur mbaroi gjyqi im personi i ngarkuar me përndjekjen penale në Hagë ishte Brammertz. Ai këtë tha: prokurori që qëndroi përballë meje deklaroi këtë gjë në Beograd. Fatkeqësisht media, dhe jo vetëm media, por shumë burime në Beograd. Beogradi ka një axhendë kur vjen fjala për Kosovën. Ne jemi përçarë gjatë luftës. Ky realitet vazhdon edhe sot. Por prokurori, deklaratat e tij ekzistojnë edhe sot; dhe kushdo që do mund t’i gjejë dhe të shohë çfarë thonë ato.

Tim Sebastian: Pse ky kërcënim i dëshmitarëve që ka ndodhur në shumë gjyqe, ju thoni jo në tuajin por në disa gjyqe…

Ramush Haradinaj: Më vjen keq, por unë po citoj prokurorin.

Tim Sebastian:Po, por unë po citoj çfarë ka thënë Carla Del Ponte.

Ramush Haradinaj: Carla del Ponte e filloi çështjen por nuk e ndoqi. I vetmi njeri kompetent që flet për rastin tim është Serge Brammertz.

Tim Sebastian:Unë nuk po flas vetëm për çështjen tuaj, por flas edhe për çështje të tjera. Pse rastet e dëshmitarëve të këcërnuar nuk janë investiguar? Përse nuk është investiguar frikësimi. Pse asnjë njeri nuk është bërë përgjegjës për frikësimin?

 

Ramush Haradinaj: E njëjta histori edhe sot. Kjo çështje ka qenë në duart e ndërkombëtarëve siç është edhe sot.

Tim Sebastian:Thjesht në duart e ndërkombëtarëve?

Ramush Haradinaj: Po.

Tim Sebastian: A nuk i takon qeverisë këtu që të hetojë kërcënimet?

Ramush Haradinaj: Ju sapo thatë Gjykata e re dëshiron të qëndrojë në Hagë, sepse ata duan ta kenë vetë eksluzivisht programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Tim Sebastian:Ju mund të kishit folur vetë kundër frikësimit të dëshmitarëve. Ju mund t’i kishit thënë që kjo gjë duhet të ndalet.

Ramush Haradinaj: Kush?

Tim Sebastian:Ju.

Ramush Haradinaj: Po unë u dënova.

Tim Sebastian: Por për herë të parë, kur keni qenë kryeministër për herë të parë. Dhe tani…

Ramush Haradinaj: Kur morra dënimin unë bëra diçka që duhet të bëjë një funksionar. Mëngjesin e së nesërmes unë shkova në Hagë vullnetarisht. Gjyqi im zgjati tetë vjetë. Mua mu deshën tetë vjet që të pastroja emrin tim. Kjo ishte detyra ime dhe unë këtë gjë e bëra.

Tim Sebastian: Në vitin 2016, Charles Hardaway, një prokuror i EULEX tha se dëshmitarët po frikësohen nga politikanë të lartë për të ndryshuar historitë e tyre. Në disa raste, tha ai, emrat e njerëve të përfshirë në programet e mbrojtjes së dëshmitarëve i janë dhënë medias duke përfshirë facebook-un. Megjithatë askush nuk është përndjekur për këtë gjë.

Ramush Haradinaj: Atëherë ai duhet të shkojë pak më tej duke përmendur edhe emrin. Kush është politikani, kush është dëshmitari? Sepse të flasësh në përgjithësi është e vështirë për këdo, edhe për mua.

Tim Sebastian: A nuk ia vlen t’ i investigosh ata këtu? Nëse kjo është diçka që vazhdon?

Ramush Haradinaj: Ne nuk kemi marrë kurrë një raport zyrtar ose një kërkesë zyrtare. Shumë njerëz thonë atë që ata mendojnë se është e drejtë.: Por të thuash… ne tani dëgjojmë gjykatës të Eulexit të thonë se si gjërat kanë shkuar keq në EULEX. Është misioni i sundimit të ligjit evropian. Kështu që ne vazhdojmë të bëjmë atë që është detyra jonë e shtëpisë. Unë bëj detyrën time të shtëpisë. Unë jam për 120 ditë në këtë zyrë.: është drejtim, është sundim i ligjit dhe kompaktësia e shoqërisë. Unë punoj për paqe të qëndrueshme këtu. Dhe kjo është puna ime.

Tim Sebastian: Edhe për drejtësi.

Ramush Haradinaj: Për drejtësi gjithashtu. Zbatimi i ligjit është drejtësia. E fillova me sundimin e ligjit.

Tim Sebastian: Jo me kërcënimin e dëshmitarëve?

Ramush Haradinaj: Sigurisht që jo. Ky është sundimi i ligjit.

Tim Sebastian: Po kjo ndodh gjithë kohën.

Ramush Haradinaj: Më falni kur ke një përgjigjësi, duhet të japësh. Çfarëdo përgjegjësie që të kem unë jam në gjendje që të përgjigjem. Në emër të popullit të Kosovës.

Tim Sebastian: Akoma jeni i mendimit se lufta e Kosovës dhe lufta e kryer nga UÇK ka qenë e drejtë, e pastër dhe legjitime, siç ka thënë presidenti juaj?

Ramush Haradinaj: Lufta dhe çlirimi. Nuk ishte rrugë tjetër. Ne nuk kishim zgjidhje tjetër. Jeta jonë ishte në rrezik. Gjysma e popullsisë u dëbua. Ne mbrojtëm jetën tonë dhe luftuam për lirinë tonë. Unë besoj në këtë gjë dhe jam shumë krenar për rolin tim.

Tim Sebastian: Por disa nga metodat, disa nga shkeljet e ligjeve humanitare ndërkomëbate për të cilat pala juaj është akuzuar po ashtu siç janë akuzuar edhe serbët.

Ramush Haradinaj: Akuzat janë një gjë. Çfarë thotë gjykata ka rëndësi.

Tim Sebastian: Njerëzit janë dënuar për krime lufte edhe nga pala juaj.

Ramush Haradinaj: Sa herë që kjo ka ndodhur, duhet duartokitur drejtësia. Por nuk duhet të përgjithësojmë atë që ka ndodhur. Shumë njerëz, shumë të ndershëm, ata që nuk kishin zgjidhje tjetër qëndruan me familjet, për jetën e tyre. Duhet ta respektojmë këtë gjë.

Tim Sebastian:E kuptoj, por ka pasur edhe ekzekutime të jashtëligjshme që janë kryer. Ata kanë marrë për shembull peng civilët. Si nga pala juaj ashtu edhe nga serbët, apo jo.

Ramush Haradinaj: UÇK ka qenë një forcë vullnetare: individët u armatosën vetë. Ishin fshatarë, apo studentë, mësues, doktorë apo të papunë. Kjo ishte ushtria jonë. Ata ishin përballë një tupe shumë të fortë.

 

Tim Sebastian: Por ata kryen ekzekutime të jashtëligjshme.

Ramush Haradinaj: Çdo veprim që shkel ligjet e luftës, shkel kodin e luftës. Ne e respektojmë si komb kodin e nderit, respektimin e mbrojtjes së jetëve. Kurrë të mos e keqtrajtojmë atë njeri që është i paarmatosur, që nuk mund të mbrojë veten. Ose civilët apo gratë dhe fëmijët. Një gjë e tillë nuk është në kodin tonë të nderit.

Tim Sebastian: Por pala jote nuk i respektoi këto standarde të larta.

Ramush Haradinaj: Në shumë raste që unë di i respektoi…

Tim Sebastian: Në shumë raste jo.

 

Ramush Haradinaj: Jo, ne e respektuam këtë kod.

Tim Sebastian: Ju jeni duke rishkruar historinë në një farë mënyre, apo jo. Sepse…

 

Ramush Haradinaj: Jo, jo zotëri. Historia për ne është shkruar prej të tjerëve. Dhe për fat të keq kjo histori është përhapur. Por, unë kam qenë i vetmi djalë në familjen time që shkoi të jetonte jashtë. Për të ushqyer familjen time. Unë u ktheva në familjen time në një kohë kritike. Unë humba tre anëtarë të familjes në luftë.

Tim Sebastian: Unë e kuptoj. Unë e kuptoj këtë.

Ramush Haradinaj: Kështu, unë kurrë nuk kam pranuar dikë të shkelë ato që kemi kaluar, për të shpëtuar jetën, për të qenë të gjallë sot.

Tim Sebastian: Le të hedhim vështrimin në një problem tjetër që shqetëson aktualisht Bashkimin Evropian dhe partnerët tuaj në komunitetin ndërkombëtar. E ky problem është marrëveshja e kufirit me Malin e Zi, mosmarrëveshja për demarkacionin. Ju keni bërë një marrëveshje për demarkacionin. Mali i Zi e ka firmosur atë. Kosova ka rënë dakord, por refuzon ta ratifikojë. Sërish një reagim i furishëm i BE-së për këtë. Pse nuk e zbatoni marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi?

 

Ramush Haradinaj: Së pari, Mali i Zi është vend fqinj po po ashtu është dhe vend mik. Ne kemi lidhje shumë të ngushta me Malin e Zi. Ne kemi mbështetur perspektivën e Malit të Zi, fillimisht për t‘u bërë të pavarur, për t’u anëtarësuar në NATO. Por marrëveshja për kufirin nuk është bërë me transparencë nga parlamenti ynë. Është firmosur nga përfaqësuesit tanë, por parlamenti nuk ka qenë në dijeni, nuk ka qenë i informuar më parë.

Tim Sebastian: Ish-komisioni juaj qeveritar ka thënë madje se ajo ka qenë një marrëveshje e vlefshme.

Ramush Haradinaj: – Për fat të keq –

Ramush Haradinaj: Po, e kemi dëgjuar këtë prej shumë përfaqësuesve tanë.

Tim Sebastian: Prandaj, ju e eliminuat komisionin dhe sollët një komision tjetër që thotë se nuk i pëlqen marrëveshja.

Ramush Haradinaj: Parlamenti, deputetët e tij, ose njerëzit që kanë dhënë votën. Kur u prezantua në parlament; parlamenti ishte i ndarë, nuk u morrën votat e duhura. Ne duhet ta ratifikojmë me dy të tretat e votave, dy të tretat nuk u dhanë.

Tim Sebastian: Z. Haradinaj, edhe ministrja juaj për Integrimin Evropian Dhurata Hoxha, ka goditur qeverinë për mosrespektimin e detyrimeve ndërkombëtare. Më 23 janar ajo tha, ne kemi dështuar në ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Dhe ky është një sinjal i keq. Kjo tregon se Kosova nuk është e gatshme të respektojë detyrimet ndërkombëtare. Prandaj ne mbetemi të izoluar madje edhe në vitin 2018. Kjo është prej ministreve në qeverinë tuaj. Ajo tha se ju nuk jeni i gatshëm të respektoni detyrimet ndërkombëtare.

Ramush Haradinaj: Unë e respektoj mendimin e saj. Kjo është një marrëveshje që është arritur nga Kosova dhe Mali i Zi. Parlamenti ynë ka një mendim tjetër dhe ky është realitet. Dhe ne ende jetojmë në demokraci.

Tim Sebastian: Si mund t’ ju besohet juve? Ju bëni një marrëveshje me Malin e Zi, Mali i Zi e firmos marrëveshjen dhe ju e hidhni poshtë.

Ramush Haradinaj: Ne nuk jemi duke u përballur me një trashëgimi. Ne jemi duke u përballur me një sfidë.

Tim Sebastian: Si mund t’ ju besohet juve në të ardhmen?

Ramush Haradinaj: Kjo është një trashëgimi që ne nuk duam ta ndjekim. Kjo është puna pse vështirësitë…

Tim Sebastian: Por ju mbani përgjegjësi. Nëse marrëveshjet nënshkruhen, ju mbani përgjegjësi.

Ramush Haradinaj: Vërtet, vërtet.

Tim Sebastian: Dhe ministri juaj thotë që ju po dështoni në respektimin e detyrimeve ndërkombëtare.

Ramush Haradinaj: Pjesa e mirë e kësaj pune është se ne kemi komunikim të mirë me Malin e Zi. Për fat të keq marrëveshja është e lidhur me liberalizimin e vizave. Ne do kishim më shumë hapësirë për të bërë diçka për të vepruar si parlamentarë dhe si politikanë nëse nuk do të ishte kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën. Për fat të keq ne jemi tani midis alternativës. Të ratifikojmë këtë marrëveshje, për të cilën parlamentarët mendojnë se nuk është e drejtë. Dhe të marrim liberalizimin e vizave. Ky nuk do të ishte një kriter i mirë për demokracinë.

Tim Sebastian: Kryeminister: sa i përket bashkësisë ndërkombëtare ju jeni duke luajtur lojëra me kushtet për gjykatën, për të cilat ne folëm tashmë. Ju rrezikoni t’ i ktheni kurrizin marrëveshjes së demarkacionit. Dhe tani ju kërkoni ndihmë nga BE. Ju ankoheni se pesë anëtarë të BE-së nuk duan ende t’ ju njohin si shtet i pavarur. Ju thatë që kjo është një pengesë e madhe dhe shpresoni që institucionet e BE-së të ndihmojnë për të ndryshuar pozicionimin e atyre vendeve, që nuk kanë bërë njohjen. Nëse ju nuk i përmbaheni marrëveshjeve që keni bërë pse duhet BE-ja t’ ju ndihmojë? Me çdo gjë?

Ramush Haradinaj: Po, po çfarë ka ndodhur fillimisht? Ne jemi duke i pritur pesë mos-njohësit prej disa vitesh. Sfidat tona po bëhen gjithnjë e më të mëdha për shkak të kësaj situate. Ju nuk jeni në gjendje të bëni marrëveshje me ne duke na parë si partner. Kur shkoj në Bruksel, flamuri i Kosovës nuk është prezent. Duke qenë në një realitet të tillë vështirësitë tona shtohen dhe bëhen më të vështira për t’u zgjidhur.

Tim Sebastian: Por si mund t’ju besojnë ata juve nëse shkelni detyrimet ndërkombëtare?

Ramush Haradinaj: Kjo nuk është një gjë e re. Fakti që kjo çfarë është duke ndodhur me detyrimet për kufirin dhe Dhomat e Specializuara, që ne i quajmë gjykatë. Kjo është gjë e re. Realiteti ynë, marrëdhëniet tona kanë datë më të hershme se kjo tani. Për fat të keq, unë mendoj se BE nuk i ka kushtuar shumë kujdes rajonit tonë, këndej nga ne. Dhe Kosovës vetë. Unë nuk ia ve fajin BE për ato gjëra që janë detyrat tona të shtëpisë, por ajo që kërkoj unë është që të gjitha vendet e BE-së të kenë një qasje të unifikuar për Kosovën.

Tim Sebastian: Por ky klubi ku ju doni të hyni ka rregulla. BE ka rregulla. Nëse ju nuk doni t’ i zbatoni rregullat pse doni të hyni?

Ramush Haradinaj: Ne i pranojmë rregullat, logjikën dhe principet e BE-së. Ne jemi duke punuar shumë për kohezionin tonë të brendshëm, në bashkëjetesën. Të gjitha komunitetet etnike, përfshirë punën me serbët kosovarë. Ne jemi duke punuar për zbatimin e ligjit, ne jemi duke punuar për ekonominë dhe paqen e qëndrueshme. Roli im si ish-udhëheqës i UÇK-së është po ashtu të kemi paqe. Paqe të qëndrueshme. Sepse të gjitha argumentat që kam në xhep thonë se paqja e qëndrueshme nuk është vetëm një mundësi e liderve për të bërë fotografi. Është të sigurosh dhe lejosh popullsinë e të dy vendeve të besojnë në paqe.

Tim Sebastian: Dhe të njëjtat kritika i bëhen qeverisë suaj vazhdimit, vit pas viti. Sëmundje tipike e qeverisjes korrupsioni, mungesa e llogaridhënies për korrupsionin dhe frikësimi i medias, gjë që vazhdon të jetë problem i madh.

Ramush Haradinaj: Mua më duhej të kthehesha. Unë kam dymbëdhjetë vjet në këtë post. Unë kam vetëm 100 ditë në këtë zyrë. Unë mbaj përgjegjësi për atë për çka jam unë përgjegjës. Ne si qeveri jemi duke punuar në një bazë shumë transparente. Çdo aktivitet i qeverisë sonë është transparent. Ne jemi shumë të hapur dhe transparent për mediat; çdo gjë e punës sonë është e hapur…

Tim Sebastian: Nëntë, nëntë raste kërcënimesh dhe dhune kundër gazetarëve nga janari deri në gushtin e vitit të kaluar, përfshirë këtu një sulm fizik, dy raste…

Ramush Haradinaj: Unë e dënoj këtë me forcë.

Tim Sebastian: Kërkush nuk është bërë përgjegjës.

Ramush Haradinaj: Unë e dënoj këtë me forcë.

Tim Sebastian: Kërkush nuk është bërë ndonjëherë përgjegjës.

Ramush Haradinaj: Unë e dënoj këtë me forcë. Unë ndodhem në këtë zyrë nga shtatori i vitit të kaluar, unë e kam filluar këtë punë në mes të shtatorit të vitit të kaluar. Marrëdhëniet tona me mediat janë të respektueshme. Mediat tonë po ashtu janë të reja; atyre u duhet të mësojnë shumë. Ashtu siç bëjmë dhe ne, ne duhet të mësojmë shumë, por unë desha ta përmbledh. Në Kosovë është bërë shumë punë, por ato kanë qenë detyra shtëpie. Kur vjen fjala për çështje që kërkojnë më shumë impenjim ndërkombëtar, e kemi më të vështirë. T’ i lësh kosovarët njëzet vjet si një biznes i papërfunduar, pa demarkacion kufijsh, dhomat e specializuara ekzistojnë vetëm prej dy vitesh. Ndërkohë që, konflikti i Kosovës ka marrë fund më 1999 dhe ne jemi në Evropë dhe kemi mbetur si një çështje e hapur ose si biznes i papërfunduar i amerikanëve dhe evropianëve. Kjo gjendje nuk do të vazhdojë përjetësisht. Disa nga sfidat ekzistojnë se ne nuk i kemi bërë mirë detyrat e shtëpisë. Por shumë nga vështirësitë lidhen me gatishmërinë e Evropës për të dalë nga gjendja ku ndodhemi.

Tim Sebastian: Dhe ajo, po ashtu si ministri juaj për çështjet evropiane do që ju të respektoni detyrimet ndërkombëtare. A do t’i repektoni detyrimet ndërkombëtare?

 

RH: Ne jemi anëtarë të përgjegjshëm të familjes së kombeve në Evropë dhe më tej…

Tim Sebastian: A do i respektoni detyrimet ndërkombëtare?

Ramush Haradinaj: Ne e kemi treguar që jemi të përgjegjshëm. Ne kemi kaluar gjithë sfidat në parlament, ne kemi kapërcyer gjithë sfidat për demokracinë tonë, por e ardhmja jonë është euro-atlantike. Pra ne jemi të përkushtuar për këtë.

Tim Sebastian: Kryeministër, faleminderit shumë për ardhjen në Conflict Zone.

Ramush Haradinaj: Faleminderit Juve, Tim.

Ai që demokratizoi dijen: në përvjetorin e 550-të të Johannes Gutenbergut

Me shpikjen prej tij të shtypshkronjës ai konsiderohet si ati i komunikimit masiv. Por a ka qenë vërtet ai i pari që shtypi libra? Edhe 550 vjet pas vdekjes së Gutenbergut, shumë çështje mbeten pa përgjigje.

“Të gjithë e njohin Johannes Gutenbergun, megjithëse për të thuajse nuk dihet asgjë”, thotë zëvendësdrejtorja e muzeut Gutenberg në Mainz, Elke Schutt-Kehm. Kjo nis që me ditën e tij të lindjes dhe përfundon me datën e vdekjes, me të cilën ka lidhje përkujtimi i sivjetshëm i 550 të vdekjes së Gutenbergut. Vetëm kaq dihet: Johannes Gutenberg është shpikësi i shtypjes së librave me gërma të lëvizshme metali dhe me këtë ai kontribuoi në mënyrë vendimtare në suksesin e Reformacionit. Për këtë gazetarët amerikanë e zgjodhën atë “njeriun e mijëvjeçarit”.

Ai lindi rreth vitit 1400. Ndoshta në Mainz, por ndoshta edhe në Eltville në anën tjetër të Rinit në Rheingau. Ai vinte nga familja e pasur tregtare Gensfleisch. Më vonë ai e ndryshoi emrin e lindjes, siç ishte moda atëherë, dhe mori emrin e rezidencës së familjes “Hof zum Gutenberg”.

Përgatitje në Strasburg

Ndoshta Johannes Gutenbergu studioi në Erfurt. Këtë e tregon një shënim në regjistrat e Universitetit. Rreth vitit 1428 familja Gensfleisch u largua nga Mainzi për shkak të konflikteve midis familjeve drejtuese të qytetit. Se ku qendroi pas kësaj Gutenbergu, nuk është dokumentuar. Qëndrimi i tij dokumentohet sërish në vitin 1434 në Strasburg.

Në këtë qytet, që sot është qytet francez, atij ju ofruan mundësi të shumta fitimi. Gutenbergu punoi atje ndër të tjera në zejet e monedhave dhe të argjendarisë, themeloi një shoqëri financimi dhe prodhoi objekte për t’i marrë me vete në pelegrinazhe. Ai kaloi atje gjithsej dhjetë vjet.

Suksesi në Mainz

Pasi u kthye në Mainz ai vazhdoi punën për shtypjen e librave me ndihmën e tregtarit Johannes Fust dhe të shkruesit Peter Schöffer. Midis 1452 dhe 1454 puna përfundoi: u prodhuan gërmat e tij metalike të lëvizshme. Dhe meqenëse Guttenbergu qe mekanik i aftë dhe njëkohësisht sipërmarrës që i hynte rrezikut, ai ndërtoi për to edhe shtypshkronjën manuale me levë. Për shekuj të tërë librat qenë shkruar me mundim me shkrim dore, shumicën e herëve në dhomat e shkrimit të manastireve. Vetëm kleri dhe shtresa e lartë mund t’i blenin ato produkte të shtrenjta – pa folur për leximin. Kurse tani gërmat mund të shtoheshin si dëshiroje, fjalë dhe fjali të tëra mund të hidheshin në faqe – dhe e gjitha të riprodhohej sa herë të doje. Një shpikje që e revolucionarizoi shkëmbimin e dijes dhe solli ide të reja në popull me tirazh të lartë – për kushtet e Mesjetës.

Në vitin 1450 mjeshtri ndërmori punën më ambicioze të tij: brenda dy vjetësh ai shtypi me ndihmën e 20 të punësuarve të tij 180 kopje të Biblës së Luterit. Bibla është jo vetëm vepra e parë, por edhe libri më i bukur, që është shtypur ndonjëherë, mendon Elke Schutt-Kehm.

Teknika e Gutenbergut u shpërnda tepër shpejt. Në vitin 1500 shtypshkronja në të gjithë Evropën prodhonin jo vetëm vepra dijetarësh, por edhe shkrime denigruese kundër tregtisë së çertifikatave të faljes së mëkateve. Rreth 100 vjet më vonë u shfaq gazeta e parë.

Model Azia?

Po a ishte Gutenbergu i pari që e mundësoi shtypjen e librit? Përgjigja është: jo. Shtypja e librave me gërma të këmbyeshme qe shpikur që në shekullin e 11-të në Kinë dhe qe përhapur në shekullin e 13-të edhe në Kore. Por në një kohë kur në Azi gërmat gdhendeshin me procese të derdhjes së dyllit ose gdhendeshin në dru, Gutenbergu shpiku një teknikë krejt të vetën me një instrument që pikonte bojën dhe me një shtypshkronjë me levë. Ai është “i pari që konceptoi një prodhim serial të pjesëve të veçanta të standardizuara”, thotë Schutt-Kehm. Kjo ishte një metodë e re dhe një hap shumë i madh në historinë e teknikës. Në 3 tetor në Mainz dhe jo vetëm aty kremtohet 550 vjetori i ditës së vdekjes së pionerit të mediave – edhe nëse shkencërisht për 03.02.1486 si datë të vdekjes ka diskutime e mendime që e kundërshtojnë. (dw)

Mashtrues dhe të mashtruar nga Ballkani – punësimi ilegal në Gjermani

kantier ndertimiDhjetë mijëra njerëz nga Ballkani Perëndimor punojnë në të zezë në Gjermani. Në shumë raste kushtet e punës janë të vështira. Shpesh ata mbeten edhe pa para. Industria mashtruese e “ndërmjetësve” lulëzon.

Oferta e punës që iu bë Dino Mehiçit tingëllonte shumë joshëse. Ai duhej të paguante vetëm 200 euro për dhomën nëpërmjet një transferte bankare, dhe duhej të shkonte në Gjermani me shpenzimet e veta. Atje, në fshatin Spiegelau të Bavarisë, e priste një vizë pune  dhe një vend pune në sektorin e teknologjisë informative. I riu nga Bosnja nuk u mendua dy herë dhe u nis për Bavari.

Por realiteti ishte krejt ndryshe. Shtëpia ku do të banonte ai ishte një rrënojë, veç tij aty banonin edhe 50 punëtorë të tjerë nga Bosnja, Serbia dhe Kroacia. Shtrati i fjetjes në dhomën e mbushur cyt më cyt kushtonte jo më 200, por 500 euro. Vendi i punës nuk ekzistonte fare. Dino kishte frikë se do të përfundonte si punëtor ilegal në ndërtimtari. Kur “ndërmjetësi” i kërkoi edhe pasaportën, ai vendosi të kthehej menjëherë në Bosnjë.

Gjurmët të çojnë në Ballkan

Dino Mehiç në fakt quhet ndryshe. Por ai ishte i gatshëm të fliste për Deutsche Welle-n vetëm nëse nuk do t’i tregohej emri i vërtetë. Sikurse edhe shumë të tjerë që kanë pasur fatin e tij, ai ndiehet i nëpërkëmbur, meqë është bërë pre e rrenave të rëndomta. Por nga ana tjetër, secili prej punëtorëve ilegalë kanë shkelur ligjet gjermane duke rrezikuar që, nëse kapet, t’u ndalohet hyrja në hapësirën Schengen. Veç kësaj ,ata kanë frikë nga ndërmjetësit e tyre, të cilët thuhet se janë të organizuar dhe të rrezikshëm.

Që kjo frikë nuk është pa baza, këtë e dëshmoi edhe rezultati i një kontrolli të befasishëm që u bë para disa ditësh në landin Nordrajn Vestfalen. Si pasojë u arrestuan tetë persona që bënin fatura të rreme për qindra firma ndërtimi në Gjermani. Firmat ua dërgonin paratë me bankë, ndërsa ata ua kthenin sërish në dorë, duke mbajtur një komision deri në dhjetë përqind. Me paratë e mara në dorë ata paguanin punëtorët ilegalë. Evazioni fiskal i shkaktuar në këtë mënyrë kap shumën prej së paku 35 milionë euro. Ndër të arrestuarit janë edhe tre serbë dhe një boshnjak. Hetuesit konfiskukan edhe armë, ndër të tjera dy armë automatike antitank, para dhe disa automjete.

Gjurmët e krimit të organizuar të çojnë në Ballkanin Perëndimor. Policia tatimore gjermane, që është përgjegjëse për punën ilegale, nuk parapëlqen të japë statistika. Por sipas një raporti në “Welt am Sonntag” (Gusht 2017), ku citohej një raport konfidencial i Doganës, vetëm në gjysmën e parë të 2017-ës ishin hapur  65.755 procese gjyqësore kundër punës ilegale. Shifrat reale mendohet të jenë shumë më të larta. Sipas raportit, në Gjermani punohet kryesisht në ndërtim dhe në gastronomi në të zezë. Ndër dhjetë vendet, prej të cilëve vijnë punëtorë ilegalë në Gjermani, janë edhe asiprantët për anëtarësim në BE: Serbia, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.

Kërcënim me padi

Darko Sekulic (26) nga Valjevo e Serbisë mund të flasë shumë për këtë temë. Nëpërmjet firmës sllovene “Sluger”, ai ka punuar si bojaxhi në Austri dhe Gjermani – pa letra. “Katër shtretër në një kontejner, aty duhej të flinim. Na jepnin 50 euro në javë për të ngrënë – por ato nuk na dilnin. Nuk kisha kontratë pune. Ne kishim nënshkruar diçka, por askush nuk e dinte se çfarë ishte.”

Kur Darkoja e publikoi në facebook përvojën e tij, atij iu lajmëruan shumë bashkëvuajtës që ishin mashtruar në të njëjtën mënyrë nga firma e tij. Mashtruesit e kërcënuan me dhunë, raporton Darko, dhe prandaj ai e denoncoi rastin te policia serbe dhe sllovene. “Unë do të këmbëngul në zbardhjen e çështjes. Ka dëshmitarë që dinë gjithçka”, i premton ai DW.

Dosja e tij ështe edhe në tryezën e Goran Zrniçit. Presidenti i shoqatës “Delavska svetovalnica”, një organizatë sllovene, që merret me të drejtat e punëmarrësve, thotë, se naiviteti i punëmarrësve të dëshpëruar nga vendet e varfra të Ballkanit është jashtëzakonisht i madh. “Ka nga ata që janë mashtruar disa herë dhe kërkojnë ndihmën tonë. Këta punëtorë duhet ta kuptojnë se është në interes të tyre dhe të familjeve të tyre që të informohen më mirë,” thotë Zrnic për DW.

Megjithë përpjekjet e përsëritura, kompania “Sluger” nuk ishte e gatshme të jepte një prononcim për DW. Në të kundërt, agjencia ndërmjetësuese “Fortuna Personal”, e cila nga shumë punëtorë, duke përfshirë këtu edhe Dino Mehiçin, përshkruhet si “aparat mashtrues”, thotë se është me mijëra punëdhënës në kontakt dhe se mjafton jetëshkrimi dhe të dhënat personale dhe vendi i punës jashtë është thuajse i sigurt.

“Fortuna Personal” organizon transportin, ofron kurse gjuhe dhe merret me dokumentet e nevojshme”, shkruan Sanja Kovaç, e cila i bën reklamë firmës në rrjetet sociale dhe vetë prezantohet sikur jeton në Berlin.  Por ajo vetë përshkruhet prej shumë punëtorëve si mashtruese. “Janë thashetheme të përhapura nga konkurrenca”, i thotë ajo DW. “Ju paralajmëroj se do t’ju padisim, nëse do ta përmendni emrin e firmës tonë në ndonjë kontekst negativ”, na shkroi Kovaç.

“Kapitalizmi i egër”

Firma ofron një platformë kontakti edhe për punëmarrës nga Serbia, megjithëse ajo nuk bën pjesë në listën e kompanive të liçensuara për punësim në Gjermani. Në listën e verifikuar edhe nga ministria e punës e Serbisë janë 105 agjenci ndërmjetësimi.  “Shumë shpesh qytetarët e gjejnë vetë vendin e punës jashtë, pa ndërmjetësim. Atëherë rreziku është i madh që të jenë të pambrojtur”, i përgjigjet ministria pyetjes së DW.

Policia tatimore gjermane merret me luftimin e punës ilegale, por punëtorët e mashtruar dhe të papaguar mbeten në mëshirë të fatit. “Nëse ndonjërit nuk i jepet rroga, ai duhet të hedhë në gjyq punëdhënësin. Ne nuk mund të bëjmë asgjë”, thotë Klaus Salzsieder, nga policia tatimore. Edhe në qoftë se punëmarrësi dëbohet nga Gjermania, sepse nuk ka letra, ai prapë ka të drejtë ta hedhë në gjyq punëdhënësin e tij”.

Mbrojtësi i të drejtave të punëtorëve, Zrniç, thotë se as vendet e Ballkanit e as Gjermania nuk luftojnë sa duhet kundër këtyre “tutorëve”, kështu i quan ai mashtruesit dhe ndërmjetësit e punës ilegale.  “Të parët duan të eksportojnë njerëzit e tyre, të tjerët duan vetëm t’i shfrytëzojnë. Ky është kapitalizëm i egër i gërshetuar me politikën.”

Serbi Darko Sekuliç dëshiron të kthehet prapë në Gjermani. Ai tani punon si larës makinash në Serbi. Me rrogën që merr nuk arrin ta ushqejë të gjithë familjen. Përpjekja e tij e dytë në Gjermani do të jetë legale, premton Darko. “Unë tani po shkoj në një kurs gjuhe dhe pastaj do të aplikoj. Gruaja ime dhe unë jemi kopshtarë. Kemi dëgjuar se për këtë punë ka kërkesë në Gjermani.

(dw/Nemanja Rujevic, Sanja Kljajic (Valjevo), Ajdin Kamber (Sarajevo))

Thaçi: Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet

thaciDhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që njihen edhe me termin Gjykata Speciale “nuk mund të shfuqizohen dhe as nuk do të shfuqizohet”, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Ky është qëndrim i shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi, gjatë një konference për gazetarë në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka sqaruar edhe njëherë pozicionin e tij dhe të institucioneve të Kosovës, kur në vitin 2015, kishin vendosur të themelonin Gjykatën Speciale për krime lufte. Ai ka thënë se për këtë gjykatë, kishte vetëm dy opsione. Të dy opsionet, sipas Thaçit ishin të këqija, por u dashur që të zgjidhej e keqja më e vogël.

Ai e ka arsyetuar veprimin e atëhershëm të institucioneve dhe pozicionin e tij pro themelimit të kësaj gjykate me ruajtjen e partneritetit me aleatët perëndimorë.

“Duke pasur parasysh vizionin për të ardhmen, ruajtjen e partneritetit dhe miqësisë dhe besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, kam marrë përgjegjësitë që më takonin atëherë si kryeministër i vendit, për trajtimin e raportit të Dick Martyt, për mua fantastiko-shkencor”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, në kohën e miratimit të themelimit të Gjykatës Speciale, në vitin 2015, kishte dy mundësi, ose të themelohet kjo gjykatë përmes Këshillit të Sigurimit ose përmes legjislacionit të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Kosova dhe UÇK-ja kanë zhvilluar luftë të drejtë. E themelojmë gjykatën sepse nuk kemi pse të frikësohemi. E dimë që është e padrejtë, por është diçka që duhet ta gëlltisim për ruajtjen e partneritetit me SHBA-në, NATO-në dhe BE-në”, u shpreh Thaçi.

Riaktualizimi i Gjykatës Speciale ka pasuar nismën e një grupi prej 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara (Gjykatën Speciale). Këtë nismë, presidenti Thaçi nuk e kishte kundërshtuar e as përkrahur, çka kishte nxitur edhe reagime ndërkombëtare.

Thaçi, në këtë konferencë për media tha se deputetët kanë mandatin e popullit dhe nuk i takon atij që të ballafaqohet me ta rreth nismave që ndërmarrin.

Në të njëjtën konferencë, presidenti i Kosovës, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që ta ratifikojnë sa më shpejt Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që vendi t’i shpëtojë izolimit brenda Evropës.

“Dhjetë vitet e fundit kanë qenë vite të përparimit të gjithanshëm”, u shpreh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se për dhjetë vjet shtet, Kosova është njohur nga 115 vende, ka kultivuar raporte të mira me aleatët ndërkombëtarë si dhe vite të relaksimit të raporteve me Serbinë.

Por, një shqetësim më vete, është shprehur në lidhje me izolimin e Kosovës, si vendi i vetëm pa një perspektivë të qartë integruese.

Thaçi theksoi se pret që strategjia e ardhshme e Bashkimit Evropian për zgjerim, do të përfshijë edhe Kosovën. Kjo strategji, nënkupton përmbushjen e obligimeve që ka Kosova karshi Bashkimit Evropian.

“Shpresoj që në të ardhmen e afërt, institucionet e Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm pa viza, sikurse qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit”, theksoi Thaçi.

Ai inkurajoi Qeverinë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i japin fund çështjes së Demarkacionit, duke dhënë shembuj konkret të relaksimit të raporteve mes vendeve të rajonit.

“Shqipëria diskuton me Greqinë për përmbylljen e çështjes së detit, kurse Maqedonia me Greqinë për çështjen e emrit”, ka thënë Thaçi, duke inkurajuar deputetët që të gjejnë zgjidhje rreth Demarkacionit të kontestuar me Malin e Zi.

Në disa raste, Thaçi deklaroi se në këto ditë “dhurata” më e mirë për qytetarët në 10-vjetorin e saj të pavarësisë do të ishte lajmi nga Bashkimi Evropian për heqjen e vizave. Por, para se ky “lajm” t’i vijë Kosovës, Thaçi inkurajon ratifikimin e Demarkacionit, si kushti i fundi i BE-së.

Presidenti ia ka rikujtuar Qeverisë së Kosovës edhe një obligim tjetër të paplotësuar ndërkombëtar, që ka të bëjë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Neglizhenca e treguar në lidhje me Demarkacionin dhe Asociacionin, sipas Thaçit, nuk krijon pikë politike për askënd, por vetëm krijon ngërç politik dhe zvarritje të proceseve në vend.

Gjatë kësaj konference, Thaçi ka thënë po ashtu se Kosova do të mbetet e përkushtuar edhe për vazhdimin e dialogut me Serbinë deri në njohjen reciproke mes dy shteteve. (rel)

Tiranë: SHBA kërkon rezultate kundër krimit të organizuar

LuSHBA u bënë sërish thirrje sot zyrtarëve shqiptarë që të përshpejtojnë luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.

Përmes një postimi në FB ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu u drejtoi një mesazh drejtuar politikanëve, policëve dhe prokurorëve, ku thekson se populli shqiptar do që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë.

“Ju u zotuat përpara popullit shqiptar dhe përpara nesh. Ne investuam në burimet për t’ju ndihmuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ku janë rezultatet? Komuniteti ndërkombëtar kërkon rezultate konkrete përpara vendimeve të rëndësishme këtë pranverë. Tik-tak” – shkroi ambasadori Donald Lu.

Mesazhi i tij u publikua ditën e fundit të janarit, kohë kur u deklarua prej tij dhe prej zyrtarëve shqiptarë se do të kryheshin goditje me rëndësi kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ambasadori Lu e shoqëroi mesazhin me një nga skicat e shumta që qarkullojnë në shtyp, ku ai shfaqet duke peshkuar në një varkë.

Zoti Lu tha në një fjalim publik në dhjetor se së shpejti do të ndodhnin arrestime me rëndësi, duke përdorur edhe shprehjen popullore se “më në fund do të hamë peshkun e madh”.

Kjo shprehje folklorike e tij u përdor nga partitë shqiptare për të akuzuar njëra-tjetrën.

Ambasadori amerikan ka mbajtur fjalime të forta kundër kriminalitetit të organizuar shqiptar të lidhur me politikën, duke përmendur edhe emra konkretë personash të akuzuar.

Ai ka nxitur dhe ka mbështetur vazhdimisht autoritetet e drejtësisë që të nxjerrin para drejtësisë autorë të njohur veprash penale, duke denoncuar lidhjet e tyre me familje dhe klane mafioze.

Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit është një nga kërkesat kryesore të institucioneve ndërkombëtare para se Shqipëria të hedhë hapa të rinj në integrimet e mëtejshme europiane.

Përfaqësues të Bashkimit Europian janë shprehur se rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do ta shpejtonin integrimin e Shqipërisë dhe hapjen e negociatave.

Ambsadori i SHBA-ve Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, janë kritikuar nga PD dhe LSI për ndërhyrje të tepruara në punët e institucioneve shqiptare. (voa)

Matthew Nimetz në Maqedoni për bisedimet mbi emrin

Nimitz1Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për çështjen e emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë, ambasadori Matthew Nimetz ka mbërritur në Shkup ku të enjten do të takohet me drejtuesit shtetërorë dhe politikë lidhur me zhvillimet rreth emrit të Maqedonisë.
Zoti Nimetz vjen në Shkup nga Athina, ku kishte diskutuar mbi pesë propozimet e tij për emërtimin republikës ish-jugosllave. Ai tha në Shkup se shpresonte në takime të frytshme me palën maqedonase.
Ambasadori Nimetz nuk ka folur pubikisht për propozimet e tij, por ato tashmë janë bërë të njohura qoftë nga ministri i jashtëm grek Koxias, apo nga media në dy vendet fqinje.
Sipas kësaj, referencat për të cilat diskutohet janë: Republika e Maqedonisë së Epërme, Maqedonia e Re, e Vardarit, e Veriut dhe Republika e Maqedonisë – Shkupi. Sipas medias në Athinë, pala greke i ka sugjeruar ndërmjetësit Nimetz fjalën e përbërë “Republika GornaMakedonija” në trajtën maqedone për emrin e ri të fiqnjit verior.
Kjo referencë, që do të thotë Republika e Maqedonisë së Epërme do të përdorej edhe në komunikim ndërmkombëtar edhe për përdorim të brendshëm.
Ndërmjetësi i OKB-së do të ketë takime të ndara me presidentin Gjorgje Ivanov, me kryeministrin dhe drejtues i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev, me drejtuesin e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski, me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, si dhe me ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov.
Pala maqedonase vlerëson se tani është momenti i vërtetë për gjetjen e një zgjidhjeje për emrin e vendit. Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski i tha medias të mërkuren se “ekziston një vullnet politik për zgjidhjen dhe për ngritjen e marrëdhënieve me Greqinë në një nivel të lartë që nuk ka qenë asnjëherë më parë”.
Pala maqedonase synon që pas arritjes së një kompromisi rreth emrit, çështjen ta nxjerrë për miratim në referendum, një gjë që do të krijonte vështrësi, sipas analistëve, me që duket po aq e vështirë arritja e një konsensusi gjithpërfshirës në Shkup për problemin me emrin, ndërsa edhe brenda partnerëve të koalicionit qeveritar, LSDM-BDI ka qëndrime të kundërta lidhur me referendumin.
Problemi me emrin e ka bllokuar përparimin e Maqedonisë drejt strukturave Euro-atlantike dhe zgjidhja e shpejtë e tij do t’i hapte rrugën për anëtarësim të shpejtë në Nato dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (voa)