Zaev: Janë mbyllur tre nga shtatë pikat për çështjen e emrit

zaevKryeministri i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Zoran Zaev shprehu besimin e tij, se negociatat me Greqinë për çështjen e emrit të vendit të tij vazhdojnë në një bazë të mirë.

Siç vuri në dukje z.Zaev, janë mbyllur tre nga shtatë pikat, që janë vënë në tryezën e negociatave dhe kanë lidhje me tërësinë e çështjes së emrit.

Duhet shënuar se të shtatë pikat e çështjes së emrit janë emri, përdorimi i emrit, gjuha, identiteti, përdorimi i tij tregtar, akronimet dhe shkurtimet.

Kryeministri i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Zoran Zaev theksoi rëndësinë e «ndërtimit të besimit» midis dy palëve për zgjidhjen e çështjes së emrit, duke nënvizuar se «për ne është i pranueshëm një emër me përcaktim gjeografik, domethënë i hedhim poshtë të gjitha të tjerat, siç është koha e përcaktimit apo disa formalitete të tjera që ishin si propozime».

Zoran Zaev tha gjithashtu se takimi në Vjenë i ndërmjetësit të OKB-së, Matthew Nimetz me ministrat e Jashtëm të Greqisë Níko Kotziá dhe i IRJM-së Nikola Dimitrov, shënon fillimin thelbësor të negociatave për çështjen e emrit dhe shtoi se është shumë e rëndësishme të gjendet një zgjidhje e mirë, e cila do të marrë parasysh çështjet që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar.

Duhet të rikujtojmë, se ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias u takua në datën 13 Shkurt në Vjenë, me homologun e tij të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikola Dimitrov, në praninë e ndërmjetësit të posaçëm të OKB-së Matthew Nimetz, duke filluar zyrtarisht negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit. (ert)

Adriatik Llallës dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara

Adreatik LlallaDepartamenti i Shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla.

Vendimi, i bërë publik të mërkurën, thekson se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Ligjet amerikane parshikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.

Përveç zotit Llalla, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane. (voa)

Gabriel në Kosovë – Serbia duhet ta njohë Kosovën

Gabriel Ramush 2Kosovën e vizituan dje dhe sot ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Porositë për autoritetet kosovare ishin shumë të qarta.

Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel përshëndeti pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj “vullnetin e Kosovës për të zgjidhur çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”. Gabriel nënvizoi se “Gjermania është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe është krenare me të gjitha të arriturat e deritanishme në këtë vend.” Ai shfrytëzoi këtë vizitë për të uruar popullin e Kosovës për 10-vjetorin e pavarësisë. Por shefi i diplomacisë gjermane nënvizoi se “Kosova edhe më tej gjendet para sfidave të mëdha”.

“Gjermania dëshiron të mbetet edhe në të ardhmen një partner i qëndrueshëm, jo vetëm në sferën politike, por edhe ekonomike. Shpresojmë që Kosova ta arrijë një stabilitetin ekonomik dhe politik, sepse qytetarët e kanë merituar këtë”, theksoi Gabriel, pas takimit me kryeministrin Haradinaj në Prishtinë.

Sfidat, gjykata dhe demarkacioni

Ministri i Jashtëm gjerman Gabriel tha se Kosova duhet të përballet me “sfidat si zbatimi i ligjit, kryerja e reformave dhe gjykatat e pavarura”. Ndërkohë që Gjermania, sipas tij, do të vazhdojë të angazhohet që Kosova edhe më tej të përgatitet për t’u përballur me çështjet jo të këndshme. “Një nga to janë edhe Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës”, nënvizoi Gabriel. Ai u shpreh “i lumtur me gatishmërinë dhe vullnetin e palës kosovare për të zgjidhur edhe çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. E mbështesim këtë, sepse është në të mirën e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të ketë liberalizim të vizave”, theksoi Gabriel, i cili Kosovën vizitoi pas qëndrimit në Beograd dhe takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Gabriel tha se Serbia duhet t’i plotësojë kushtet për anëtarësim në BE, nëse dëshiron të vazhdojë këtë rrugë. E një prej këtyre kushteve është normalizimi i raporteve me Kosovën dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

Serbia duhet ta njohë Kosovën

“Nëse Serbia do të vazhdojë rrugën e integrimit në BE, sundimi i ligjit është prioriteti i parë. Por natyrisht edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës”, theksoi Gabriel. “Kjo është kërkesa qendrore në rrugën drejt Evropës.”

Gabriel premtoi vazhdimin e mbështetjes së Gjermanisë në rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Gabriel është takuar në Prishtinë edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Por takimi është mbajtur me dyer të mbyllura dhe nuk ka pasur prononcime për opinion. Më pas Gabriel ka vizituar edhe Mitrovicën e Veriut, ku është njoftuar me gjendjen në veri dhe tendosjet e fundit, në veçanti pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Demarkacioni tema kryesore në takimet me Markoviqin

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq  deklaroi në një konferencë të përbashkët për media me homologun Ramush Haradinajn “demarkacioni për palën malazeze ka përfunduar në momentin që u ratifikua në Kuvendin e Malit të Zi”. Por si një fqinj i mirë, Markoviq thotë se Mali i Zi dëshiron ta ndihmojë Kosovën. Markoviq ka thënë se Mali i Zi ka përfunduar obligimin lidhur me këtë çështje. Por Mali i Zi do të ketë fqinjësi dhe miqësi të shëndoshë me Kosvoën, me të cilën nuk ka probleme. Çështja e demarkacionit nuk është problem por vetëm një çështje e hapur, tha Markoviq, i cili shpreson se në ta ardhmen të gjenden përgjigje adekuate për zgjidhjen e të gjitha çëshjeve të hapura. Markoviq premtoi se Mali i Zi do ta ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj tha se ekziston një vullnet i përbashkët në mes të Kosovës dhe Malit të Zi që të gjendet një zgjidhje për demarkacionin. “Duke pasur parasysh zhvillimet e mëhershme jam i bindur se do të gjendet kjo zgjidhje”, tha shkurtimisht Haradinaj. Por Markoviq dhe Haradinaj nuk folën për afatet deri kur eventualisht mund të zgjidhet kry problem, i cili ndërlidhet me heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës. (dw)

FMN kërkon shkurtim shpenzimesh në pagat publike dhe skemat sociale në Kosovë

fmnZëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të punojnë për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe zvogëlim të papunësisë dhe të varësisë nga dërgesat nga diaspora, ndërsa i siguroi ata për mbështetjen e Fondit.

Zoti Tao Zhang, qëndroi për vizitë në Kosovë gjatë së cilës është takuar me udhëheqës politik dhe të institucioneve financiare dhe më studentë të Universitetit të Prishtinës.

Në një deklaratë në përmbyllje të vizitës ai theksin se “Kosova është një shembull i suksesshëm i aftësisë së një vendi paskonfliktit për të zhvilluar ekonominë duke zbatuar reforma të rëndësishme. Në takimet e mia i kam inkurajuar autoritetet që të vazhdojnë në këtë rrugë,derisa Kosova do të ketë nevojë për një rritje të fuqishme, të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse, për të zvogëluar dallimin në të ardhura me pjesën tjetër të Evropës. Kjo përfshinë zvogëlimin e papunësisë posaçërisht në mesin e të rinjve dhe varësinë nga remitencat. Në këtë kuadër, nënvizova nevojën për të përshpejtuar reformat, posaçërisht në fushat e arsimit, qeverisjes, shëndetësisë, infrastrukturës dhe qasjes në financa, nxitjen e investimeve të huaja dhe forcimin e zhvillimit të sektorit privat”.

Duke theksuar se politikat e matura fiskale dhe qëndrueshmëria makroekonomike janë kushte themelore për rritje më të fuqishme ekonomike, ai përgëzon qeverinë për disiplinën fiskale dhe qëndrueshmërinë financiare të viteve të fundit.

” Në këtë drejtim, reformimi dhe përmbajtja e rritjes së shpenzimeve të përfitimeve sociale të pakontrolluara si dhe në pagat publike, duhet të ndihmojë në krijimin e hapësirës fiskale të nevojshme për shpenzimet parësore në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë brenda kufijve të rregullit fiskal, i cili mbetet i përshtatshëm. Forcimi i administratës tatimore do të ndihmojë në luftimin e informalitetit dhe në sigurimin e një mjedisi miqësor për investime”, tha ai duke nënvizuar mbështetjen e fuqishme të FMN-së për Kosovën.

Kosova shpalli pavarësisë në shkurt të vitit 2008, ndërsa në qershor të vitit 2009 u bë anëtare e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtarë. Anëtarësimi qe vlerësuar me rëndësi për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës e cila përballet me shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë. (voa)

Gabriel: Serbia duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës

Gabriel RamushMinistri i punëve të jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, tha të mërkurën mbrëma në Prishtinë se Serbia duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në fillim të vizitës dyditëshe në Kosovë. Ministri Gabriel qëndroi në Prishtinë pas vizitës në Beograd ku siç tha ka transmetuar qëndrimet e vendit të tij për proceset integruese për Ballkanin Perëndimor.

“Sot në Beograd e thashë po ashtu që nëse Serbia dëshiron të ecë drejt Bashkimit Evropian, sundimi i ligjit është kusht parësor, por, natyrisht edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës. Ku është kushti qendror për të ecur drejt Evropës”, tha ministri gjerman.

Ai tha ae vendi i tij do të ndihmojë Kosovën në përpjekjet për të siguruar njohjen e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj dhjetë vjet më parë dhe është njohur nga 115 vende të botës. Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia e cila është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën si kusht për integrimin në strukturat evropiane.

Zoti Gabriel tha se Gjermania përkrahë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimeve, ndërsa nënvizoi se pa normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk do të ketë integrim në Bashkim Evropian.

“Duhet të angazhohemi që të ketë edhe një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë për të zgjidhur këtë çështje njëherë e përgjithmonë sepse as Kosova e as Serbia nuk do të mund të anëtarësohen në Bashkim Evropian pa i zgjidhur këto çështje dhe kjo do të jetë një zgjidhje ku të dyja palët do të përfitojnë. E di që ka kundërshtime të shumta në të dyja anët mirëpo në fund të gjitha palët do të përfitojnë”, tha ministri Gabriel.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova është e gatshme për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Ne konstatojmë se një zgjidhje finale në mes të Kosovës e Serbisë është e nevojshme dhe duke mos folur për kohën kur do të ndodh, ne mirëpresim që të kemi një zgjidhje finale në mes të Kosovës e Serbisë dhe jemi të vendosur si Kosovë për perspektivën evropiane”, tha kryeministri Haradinaj.

Ministri Gabriel u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të bëjnë me shumë në zbatimin e sundimit të ligjit dhe në fushën e reformave ndërsa bëri thirrje që të përmbushen detyrimet ndërkombëtare dhe zgjidhen çështjet e hapura me fqinjët, përfshirë edhe marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi në mënyrë që qytetarët të udhëtojnë pa viza.

“Jam i lumtur që ka vullnet të zgjidhet çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi dhe ne e mbështesim këtë në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. Shpresojmë që kjo të ndodh së shpejti dhe marrëveshja të ratifikohet dhe u gëzova që ka hapa të cilat janë diskutuar për të ardhur deri te një zgjidhje e shpejtë. Unë e kuptoj që vendi juaj dëshiron të marrë liberalizimin e vizave dhe këtë gjë e duam edhe ne mirëpo duhet të që kriteri të përmbushet”, tha ai.

Mos ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi që është kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe së fundmi është përmendur edhe në strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, e cila Kosovën e përmend në kuadër të problemeve të pazgjidhura përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. (dw)

Ballkani Perendimor: Në grup bashkë apo në garë drejt BE?

flamujt ballkanTeorikisht më 2025 dy shtete të Ballkanit mund të anëtarësohen në BE, sipas strategjisë së re të Komisionit të BE. Ekspertët e Europës Juglindore e vlerësojnë sinjalin si të drejtë, por edhe e kritikojnë procesin.

Premtimi është bërë që në vitin 2003, kur BE i zgjati dorën Ballkanit Perëndimor dhe e ftoi për anëtarësim. Por hovi i atëhershëm ka rënë, shkëlqimi është zbehur. Kush, kur dhe si duhet të hyjë në BE, kjo është e paqartë dhe duket se i përket një të ardhmeje të largët.  “Premtimi i 2003-shit në Selanik kishte kohë që nuk ishte më i besueshëm”, thotë për  DW Gernot Erler, ish-ministër shteti dhe president i Shoqatës së Evropës Juglindore.

Sipas Erler-it, kjo mungesë beseueshmërie i kishte bërë këto shtete më të ndjeshme për ndikime nga jashtë. Në këtë garë strategjish, “ka pasur në të kaluarën përpjekje serioze nga Kina, Rusia, Turqia dhe vendet arabe për të patur ndikim në Ballkanin Perëndimor ” thotë Erler, i cili si edhe ekspertët e tjerë ndodhej më 9./10. shkurt në Berlin, në konferencën vjetore të Shoqatës së Evropës Juglindore. Ai përshëndet faktin që strategjia e re e komisionit ka edhe një plan veprimi konkret në të cilin mund të marrë pjesë gjithkush.

Më kritik është gjykimi i Forian Bieber-it, drejtuesi i Qendrës së Europës Juglindore në Grac.  “E mirë në diagnozë, por e dobët në propozime”, jep vlerësimin profesori i Evropës Juglindore. E mirë është strategjia, sepse aty komisioni për herë të parë identifikoi problemet në rajon. Flitet për ndikimin e interesave private në sektorin publik (state capture), për krimin e organizuar, për korrupsionin, për probleme me shtetin ligjor. Por e dobët, sepse propozimet janë ca si të papërpunuara, mendon Bieber. “Duket se rrefuzojnë të konfrontohen me ata që i shkaktojnë problemet”.

Elita problematike

Dhe sipas Bieber-it shkaktarë të problemeve janë shpesh elitat sunduese. Bieber paralajmëron që në realizimin e kësaj strategjie BE të mos fokusohet vetëm te to dhe ta anashkalojë opozitën demokratike.”Duhet patur kujdes që opozita të mos shkasë në një diskurs antieuropian nacionalist ”, thotë Bieber. Kjo vlen si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë: “Dhe do të jetë rrezik shumë i madh, nëse Bashkimi Evropian do ta shohë veten aleat të autokratëve, ndërsa opozita, që përpiqet të bëjë kritikë demokratike, do të dalë e humbur”.

Edhe deputeti socialdemokrat, Josip Juratovic, sheh një problem të madh te elitat që qeverisin Ballkanin. Ka shumë politikanë që “nuk duan aspak të shkojnë drejt BE, sepse në BE ata do të gjejnë një sistem të rregulluar, një shtet ligjor, një shoqëri të rregullt dhe në këtë shoqëri ata nuk kanë shanse”, thotë Juratovic, i cili preferon t’ua kalojë përgjegjësinë vetë qytetarëve: “Si njerëzit, ashtu edhe politika”, shprehet ai me keqardhje dhe thekson se megjtihatë, janë qytetarët ata që duhet ta shpëtojnë situatën:  “Ne nuk duam koloni, por partnerë në sensin demokratik”.

Anëtarësim vetëm kur të plotësohen kushtet

Për deputetët e Bundestagut është e qartë që në BE hyn vetëm kush përmbush kushtet. Prandaj edhe Manuel Sarrazin, deputet i Të Gjelbërve në parlamentin federal të Gjermanisë, e shikon datën 2025, për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, jo si një premtim fiks, por si një detyrim, për politikanët vendas për të dëshmuar se deri atëherë duhet të kenë arritur diçka:  “Nëse deri në vitin 2025 elitat politike nuk sjellin rezultatet e kërkuara, atëherë ato duhet t’u japin llogari zgjedhëseve dhe zgjedhësve të tyre se përse nuk e kanë bërë, megjithëse kishte qenë e bëshme”, thotë Sarrazin.

Peter Beyer, deputet i grupit parlamentar të Unionit Kristdiandemokrat e Kristiansocial (CDU/CSU) është për parimin e kushtëzimit, si të vetmin kriter anëtarësimi:  “Kjo do të thotë se duhen zbatuar reformat konkrete në sektorin publik, në sektorin judirik, luftimin e krimit të organizuar, të korrupsionit dhe jo vetëm duke miratuar ligje, por duke i vënë ato në jetë”.

Kritikë ndaj parimit të garës

Michael Schmunk mendon se nuk është mirë që Serbia dhe Mali i Zi të hyjë në BE para të tjerëve. Diplomati gjerman ka qenë përfaqësues i Gjermanisë në Sarajevë dhe Prishtinë, dhe është sot ekspert për Europën Juglindore në disa institucione këshilluese. “Sepse atëherë ata katër që mbeten pas, sidomos Kosova dhe Bosnja, do ta kenë më të vështirë të hyjnë në BE”, thotë Schmunk, edhe duke pasur parasysh mungesën entuziazmit për raunde të mëtejshme zgjerimi brenda BE. Ai madje propozon që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen bashkë dhe të zhvillojnë një strategji kundër skepticizimit: „Unë besoj se atëherë po, që kanë shans që një ditë të anëtarësohen në BE në grup së bashku.” (dw)

Rexhep Tayyip Erdogani i ka kërcënuar me pasoja SHBA për shkak të ndihmës për kurdët

ErdoganTurqia ndodhet në kurs konfrontimi me SHBA. Presidenti Erdogan i ka paralajmëruar trupat e SHBA se do të marrin një “shuplakë osmane”, po të pengojnë një sulm të mundshëm ndaj kurdëve në Manbixh të Sirisë veriore.

Tensionet midis Turqisë dhe partnerit të NATO-s SHBA janë ashpërsuar. Para vizitës së ministrit të Jashtëm amerikan Rex Tillerson, Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan u drejtoi një paralajmërim trupave të SHBA të drejtuara në rajonin sirian Manbixh. Në një fjalim që mbajti para grupit parlamentar të partisë së tij AKP në Ankara, Erdogani tha se nëse ushtarët amerikanë do të pengojnë një sulm të mundshëm turk ndaj milicëve kurdë YPG në Manbixh të Sirisë veriore, do të marrin një “shuplakë osmane”.

Ministri i Jashtëm i SHBA, Tillerson do të vizitojë të enjten dhe të premten Ankaranë. “Natyrisht ne nuk do të hapim qëllimisht zjarr kundër tyre”, tha Erdogani mes duartrokitjesh. “Por ne shpallim që tani, që do të zhdukim nga faqja e dheut çdo terrorist që do të shohim – duke nisur nga ata që qëndrojnë drejtpërdrejt pranë tyre. Dhe atëherë ata do të pranojnë, se për ta do të kishte qenë më mirë, që të mos kishin qendruar pranë terroristëve, të cilëve ata u rrahin shpatullat”. Erdogani shtoi: “Është fare e qartë se ata që thonë se ne “do të reagojmë fort, po të na sulmoni” nuk kanë marrë në jetën e tyre ndonjë shuplakë osmane.”

Erdogani kundër planeve të buxhetit të SHBA

Erdogani kritikoi edhe mbështetjen nga amerikanët të milicisë kurde YPG: “Vendimi i aleatit tonë për ndihma financiare për YPG-në do të ndikojë sigurisht vendimet, që do të marrim ne.” Me këto fjalë Erdogani reagoi ndaj planeve të buxhetit të ministrisë së Mbrojtjes së SHBA, e cila parashikon 300 milionë dollarë për stërvitje dhe pajisje në Siri dhe 250 milionë dollarë për sigurimin e kufijve. Pas kësaj, mediet turke raportuan se gjithsej 550 milionë dollarët janë parashikuar në 2019-ën për milicët kurdë të YPG. YPG konsiderohet në aleatët më të rëndësishëm të SHBA në luftë kundër milicisë terroriste Shteti Islamik.

SHBA: jo plane për tërheqje ushtarësh nga Manbixhi

Ushtria turke nisi në 20 janar një ofensivë kundër YPG-së në rajonin e Sirisë Veriore Afrin. Erdogani ka kërcënuar disa herë se do të sulmojë pas kësaj YPG-në në Manbixh.

Qeveria e SHBA deklaroi se nuk ka plane që të tërheqë ushtarë nga Manbixhi. Javën e kaluar, dy oficerë të SHBA vizituan në mënyrë demonstrative forcat amerikane në qytet. Gazeta New York Times citoi gjeneralin e SHBA Paul Funk në një vizitë të trupave amerikane të stacionuara atje që tha duke pasur parasysh Turqinë: “Po të na sulmoni ne do të reagojmë ashpër. Do të mbrohemi.” (dw)

Qytetarët e Maqedonisë “të robëruar” nga bastoret

gazeta bastoreQytetarët e Maqedonisë brenda një ditë nëpër bastoret paguajnë mbi 500.000 euro që nënkupton se mesatarisht çdo qytetar shpenzon 17 denarë në ditë në bastore. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të Drejtorisë për të Hyra Publike ku thuhet se vitin e kaluar në bastore janë paguar rreth 200 milion euro gjegjësisht nëse këtë shifër e përpjesëtojmë me 2 milionë banorë sa ka Maqedonia i bie se çdo vit një banorë shpenzon 100 euro në bastore, shkruan gazeta Koha.

Këto të dhëna për fenomenin e përhapjes së lojërave të fatit gjegjësisht bastoreve që tani më i gjen në çdo cep të qyteteve në gjithë territorin e Maqedonisë, sipas sociologëve është pasojë e varfërisë dhe papunësisë së madhe që ka bërë te të gjithë qytetarët sidomos të rinjët të gjitha rrugët t’i dërgojne në bastore, duke shpresuar se do të fitojne para dhe duke pritur me ankth që të dalin fituese skedinat që kanë në dorë.

Sociologu Ilija Acevski thotë se tani më në Maqedoni nuk ke rrugë ku nuk ka një bastore dhe se bastoret tani më janë bërë përditshmëri jo vetëm në qytete por edhe nëpër fshatra për shkak se organet kompetente kanë humbur arsyen dhe kontrollin mbi këto lojëra të fatit.

“Kur në çdo rruge sheh se si hapet brenda natës një bastore kjo tregon qartë jo vetëm se shteti ka humbur kontrollin dhe nuk merr masa për parandalimin e hapjes së bastoreve por se kjo është shenjë se njerëzit ëndërrojnë për pasurim të shpejtë dhe të lehtë. Kjo flet për një situatë të mjerueshme sociale dhe ekonomike të qytetarëve dhe se bastoret për të gjithë grup moshat janë bërë një virus i keq. Tek ne, bastoret kane punë shumë, sepse nëse një qytetar fiton njëherë ai mendon se prapë do të fiton edhe herët tjetër për 1 here fitim 1000 here do të humb. Mendoj se varësia e tepërt nga lojrat e fatit sjell edhe shume dukuri tjera negative jo vetëm për qytetarët por edhe për vetë shtetin në përgjithësi. Këtë shifër fantastike prej 200 milion euro të paguara në bastoret tregon se qytetarët e Maqedonisë kënaqen me lojërat e fatit edhe pse janë të vetëdijshëm se më shuam humbin para se sa fitojnë”, thotë për KOHA, Ilija Acevski, profesor i sociologjisë.

Ndërkohë edhe sociologu Ali Pajaziti thotë se fenomeni i lojërave të fatit, pra i bastoreve si formë më ligj dhe si një version më kataklizmatik, paraqet një dukuri patologjike të një shoqërie me parametra ekonomikë deprimuese, ku cilësia e jetesës është e nivelit të varfërisë relative, me ishuj edhe të asaj absolute, dhe ku sërish popullata e shtyrë nga shumë faktorë si mjerimi, shoqëria desocializuese, vizualiteti i shtetrrethimit vazhdon të zhytet në rërën e gjallë.

“Këto trende janë jashtëzakonisht shqetësuese duke e marrë parasysh faktin se nuk luajnë vetëm njerëzit që jetojnë në mjedise urbane, por edhe fshatarët, ata që para dite fitojnë nga sallatat jeshile e spinaqi dhe në mbrëmje i bëjnë “rrush e kumbulla”, i tretin sikur nuk ishin, duke ngrënë kështu nafakën e familjeve të veta, duke shkuar drejt një humnere ekonomike e sociale”, thotë sociologu Pajaziti. Ky fenomen për Pajazitin paraqet një psikologji masovike që po përhapet i robëron edhe ata që jetojnë në një gjendje të mirë ekonomike. “Rastisim edhe njerëz që jetojnë në shtresën e mesme dhe të lartë që shkojnë sa më larg vendbanimit të tyre për të provuar fatin, dhe dita ditës bëhen të varur nga kjo sëmundje moderne”, thotë për gazetën KOHA, Pajaziti.

Me keqja e gjithë kësaj, sipas tij, është se qytetari i thjeshtë apo të rinjtë edhe pse të vetëdijshëm se nuk fitojnë nga lojërat e fatit ata edhe më shumë vazhdojnë të luajnë me shpresë se nj ditë do të del fitues.
“Linja e zhvillimeve është kjo: bosat e bastoreve rriten, lojtarët e mjerë mjerohen e shkretohen, por s’e diktojnë. Duhet një mobilizim i madh gjithë shoqëror, nga instancat zyrtare shtetërore deri te mediumet, intelektualët, klerikë, që të ndalet në veçanti rinia, sepse nëse vazhdohet me këtë ritëm, do kemi një ardhmëri rinore totalisht pasive, ëndërrimtare, pa perspektivë, pa shkollë, pa vlera. Edhe liria e zhvillimit të ekonomisë duhet të ketë një kufi; nuk ka mundësi që virusi të përhapet në mënyrë kaq transparente, para syve tanë. Këto ‘shtëpi të mbytjes së ngadalshme’ të shumë personave për sa i përket ardhmërisë duhet që të futen nën kontroll, të zhvillojnë veprimtari të kufizuar dhe në numër të kufizuar. 200 milionë dollarë është një shumë marramendëse e harxhuar në iluzione. Kjo shifër është alarmante, është sinjal i kuq për prijësit e kësaj shoqërie dhe për gjithë ne”, thotë Ali Pajaziti profesor i sociologjisë./koha/

Bugajski, sfidat e Kosovës që nga arritja e pavarësisë 10 vjet më parë

BugajskiJanusz Bugajski, ekspert i çështjeve të Ballkanit në Uashington, i ndjek zhvillimet në Kosovë prej gati 30 vjetësh dhe thotë se ndryshimet atje janë të jashtëzakonshme. Ai ka qenë për herë të parë në Prishtinë në vitin 1990. Kush mund ta përfytyronte në atë kohë se Kosova do të ishte bërë shtet i pavarur apo do të kishte sot marrëdhënie kaq të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera perëndimore, thotë zoti Bugajski. Në një intervistë me Skype me kolegun tonë Ilir Ikonomi, analisti flet për sfidat e Kosovës që nga arritja e pavarësisë 10 vjet më parë.

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski, Kosova është njohur nga rreth 115 vende dhe është anëtare e dhjetëra organizatave ndërkombëtare. Por Serbia ka ndërmarrë një fushatë kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare. A mendoni se Bashkimi Evropian i ka luajtur kartat e tij me efektivitet për ta ndalur këtë fushatë? Në fakt, pesë nga vendet e tij anëtare ende refuzojnë ta njohin Kosovën, sidomos Spanja.

Janusz Bugajski: Nuk mendoj se Bashkimi Evropian është treguar sa duhet i fortë. Ndoshta tani me nismën e re të Komisionit Evropian, Kosova dhe vendet e tjera mund të ecin përpara shumë më shpejt drejt anëtarësimit në BE. Por kjo duhet të përfshijë normalizimin ose pranimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Prishtinës dhe Beogradit.

Zëri i Amerikës: Por a ka Brukseli një strategji se ku duhet të çojnë përfundimisht bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë? Ku po shkon në fakt ky proces?

Janusz Bugajski: Ka një objektiv përfundimtar, që është njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi i ndërsjellë në Bashkimin Evropian, por nuk ka një strategji. Pra nuk ka të përcaktuar një numër të mjaftueshëm hapash konkretë brenda një kalendari të caktuar kohe, me pjesmarrës të përcaktuar për të arritur rezultate të përcaktuara dhe ky është problem. Procesi nuk ka qenë shumë i disiplinuar dhe nuk i ka mbajtur palët sa duhet nën presion. Këtu është çështja.

Zëri i Amerikës: SHBA kanë qenë sponsorizuesi kryesor i pavarësisë së Kosovës. A mundet që Amerika të ofrohet përsëri për t’u bërë një ndërmjetës i rëndësishëm mes Kosovës dhe Serbisë, edhe për shkak se Kosova është në vijën e frontit të një lufte të re të ftohtë të Rusisë me Perëndimin?

Janusz Bugajski: Kjo është pikërisht ajo që do të donin të shihnin një numër analistësh, duke përfshirë edhe veten time. Gjatë disa viteve të shkuara, SHBA janë tërhequr një hap prapa. Jo se nuk janë përfshirë, por e kanë lënë iniciativën kryesisht në dorë të Bashkimit Evropian. Dhe ne po i shohim rezultatet, që janë të përziera: Ka patur suksese, por ka patur edhe mangësi, pra ka shumë gjëra që mungojnë. Mendoj se me një përfshirje të drejtpërdrejtë amerikane mund të arrihej shumë më tepër. Sepse nuk është fjala vetëm për Kosovën. Serbia gjithashtu bëhet më e vemendshme kur ka një përfshirje të Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Sa i mundur është një skenar destabilizimi i Moskës në Kosovë, pas grushtit të dështuar në Mal të Zi? A mund të shkaktojë Rusia konflikt të armatosur? A mund të përfitojë Rusia nga polarizimi etnik siç është ai në Veri të Kosovës?

Janusz Bugajski: Po. Regjimi i Putinit në Moskë shfrytëzon, manipulon dhe përfiton nga konfliktet në terren. Jo dosmodo i krijon konfliktet por i nxit ato, paguan njerëz, politikanë të korruptuar për t’i nxitur ato, nxit konflikte etnike. Këto nuk është e thënë të ndodhin në Kosovë, por mund të ndodhin në një vend fqinj dhe ta tërheqin Kosovën në një konflikt. Një nga skenaret mund të ishte një ndarje si ajo në Bosnje, që mund të tërhiqte Serbinë në një konflikt me Kroacinë. Unë nuk jam në brendësi të planeve dhe strategjive që ka Kremlini, por mund të përshkruaja një numër strategjish që mund të ndiqte Kremlini për të destabilizuar rajonin.

Zëri i Amerikës: Me sa di, ju e keni vizituar Kosovën shumë shpesh vitet e fundit. Çfarë po ndodh në Veriun e saj? A është bërë Veriu një strehë e sigurtë për krimin e organizuar? Kush e ka kontrollin e vërtetë në këtë pjesë të Kosovës dhe a ka rrezik që aty të përfshihet edhe Rusia?

Janusz Bugajski: Kam frikë se Veriu i Kosovës po bëhet pak a shumë si ato konfliktet e ngrira, ku lëvizjet separatiste të mbështetura nga Rusia po marrin kontrollin, me elementë kriminalë, me mungesën e rendit, me kufijtë ku hyn e del kushdo dhe ku qeveria qendrore nuk ushtron autoritetin e saj. Kjo gjendje më kujton Trans-dnistrian, Osetinë Jugore dhe rajonin e Donbasit. Pra, është si një konflikt i ngrirë dhe i pazgjidhur edhe pse ky rajon është pjesë e Kosovës. Çelësi këtu është që SHBA të bindin Bashkimin Evropian për të rivendosur autoritetin qendror të Kosovës, zbatimin e ligjit përmes policisë, kontrollin e kufirit, sistemin e drejtësisë e të tjera. Dhe mendoj se serbët e atjeshëm do të përfitonin më shumë nga këto gjëra se sa përfitojnë nga kriminaliteti.

Zëri i Amerikës: Udhëheqësit e Kosovës thonë se strategjia e re e Bashkimit Evropian për Ballkanin nuk përmban qartësinë e duhur për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit. Cili është komenti juaj?

Janusz Bugajski: Kosova duhet të kalojë nëpër proceset që ka kaluar çdo vend tjetër, duke filluar me marrëveshjen e asocim-stabilizimit, për të përmbushur të gjitha kërkesat, për të ndërmarrë reformën e gjyqësorit dhe reformat e tjera. Anëtarësimi në BE nuk është një proces i menjëhershëm. Ai kërkon kohë, por kërkon edhe përpjekje dhe reforma. Nëse Kosova i plotëson këto, ku përfshihet edhe kufiri me Malin e Zi, kjo do të ishte një shtytje e jashtëzakonshme për anëtarësimin e Kosovës. Kosova ka shumë detyra shtëpie për të kryer. Veç atyre që thamë, këtu hyn edhe fillimi i procesit për krijimin e një force të armatosur, një ushtrie të Kosovës, me vështrimin drejt një anëtarësimi të ardhshëm në NATO.

Zëri i Amerikës: Ende po dëgjojmë zëra për një ndarje të mundshme të Kosovës, kësaj here ato vijnë nga ministri serb i Mbrojtjes, zoti Vulin. Serbët thonë se po zhvillojnë një dialog të brendshëm mbi Kosovën duke hedhur përsëri në publik këtë ide. A shihni ndonjë lëvizje në këtë kuptim, apo është kjo thjesht riformulimi i një ideje të vjetër?

Janusz Bugajski: Mendoj se kjo është një lloj fantazie dhe nuk do të ndodhë. Nuk mendoj se as Uashingtoni dhe as Brukseli nuk e marrin seriozisht. E vetmja mënyrë me të cilën mund të realizohet ndonjë lloj ndryshimi territorial do të ishte që së pari Beogradi dhe Prishtina ta njihnin njëri-tjetrin si dy shtete të pavarura dhe pastaj, nëse dëshirojnë, mund të fillojnë të negociojnë çdo lloj shkëmbimi territorial. Nuk mendoj se Kosova do të ishte e gatshme të jepte ndonjë territor, as Serbia të jepte ndonjë pjesë të Luginës së Preshevës. Pra, hapi i parë në çdo gjë, do të ishte njohja reciproke dhe pastaj varet nga të dy vendet. Ne e pamë këtë në rastin e ish-republikës së Çekosllovakisë. Kur dy vendet e krijuara pas ndarjes e njohën njëri-tjetrin, mes tyre pati disa rregullime territoresh. Mendoj se kjo do të ishte e vetmja mënyrë.

Negociatat për detin, kërkohet plotfuqishmëria nga Meta

dbushatiNë Shqipëri, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i është drejtuar me një kërkesë Presidentit Ilir Meta për t’i dhënë plotfuqishmërinë grupit negociator që do të zhvillojë bisedimet me palën greke për arritjen e një marrëveshjeje te re për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Autorizimi nga Kreu i shtetit është një detyrim ligjor kur bëhet fjalë për marrëveshje të tilla, dhe mungesa e saj ishte dhe një nga shkaqet që çuan në rrëzimin nga ana e Gjykatës Kushtetutese të marrëveshjes së viti 2009, përveç shkeljeve të tjera që ajo gjeti.

Sipas ministrit Bushati, grupi negociator shqiptar do të përbëhet nga përfaqësuesë të disa institucioneve. Kërkesa e tij vjen pas dy raundesh takimesh në nivel të ministrave të jashtëm, mes dy vendeve, të cilat kishin si qëllim zgjidhjen e një sërë problemeve të mbetura pezull, përfshirë dhe marrëveshjen për kufirin detar. Për një kohë të gjatë pala greke kishte këmbëngulur në rishikimin e dokumentit të vitit 2009, por kjo kërkesë u refuzua nga pala shqiptare. Sipas deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama, mes palëve do të ketë një marrëveshje të re.

Disa komente të bëra nga ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, mbi çështjen e detit, kanë shkaktuar polemika në Shqipëri. Por ministri Bushati ka këmbëngulur se vendimi i Gjykatës kushtetuese shqiptare dhe Konventat ndërkombëtare do të përbëjnë bazën e marrëveshjes dhe se me palën greke janë përcaktuar vetëm “vijat e kuqe” apo korniza e parimeve mbi të cilën palët do të ulen të diskutojnë konkretisht në aspektin teknik.

Burime nga zyra e presidentit Meta, shpjeguan se Kreu i Shtetit ka vendosur të konsultohet paraprakisht me parardhësit e tij për këtë çështje. Ai është takuar fillimisht sot me ish presidentin Bujar Nishani, ndërsa nesër e pasnesër pritet të takojë dhe ish presidentët e tjerë, zoti Sali Berisha, zotin Rexhep Mejdani, zotin Alfred Moisu dhe ish kreun e shtetit Bamir Topi.

Shqipëria dhe Greqia kanë kaluar një periudhë të gjatë marrëdhëniesh me shumë ulje ngritje. Asnjëherë më parë, siç ka ndodhur prej më shumë se 5 vitesh, nuk ka patur shkëmbime vizitash në nivel kryeministrash. Dialogu i hapur së fundmi duket se ka sheshuar shumë çështje, përjashtuar atë çame, divergjencat rreth së cilës mbeten ende të thella. Megjithatë, në pranverë, të dy vendet pritet të nënshkruajnë dokumentin e Partneritetit Strategjik, moment i cili parashikohet të shoqërohet me vizitën e kryeministrit grek Aleksis Tsipras në Tiranë. (voa)