Lojërat Olimpike Dimërore 2018 – Ceremonia hapëse

lojrat olimpike 2018Lojërat Olimpike Dimërore 2018 filluan zyrtarisht në Pjong Çang të Koresë së Jugut.

Të pranishmit në ceremoninë e hapjes sfiduan temperaturat e ulta për të parë fishekzjarret, një shfaqje spektakolare të dritave dhe paradën e atletëve që hynë në Stadiumin Olimpik.

Lojërat do të jenë të mbushura me dramë, por ndoshta bashkëpunimi mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut do të jetë më e madhja e të gjitha dramave.

Koretë e ndara kanë rënë dakord të konkurrojnë si një ekip i vetëm për garën e femrave në hokej mbi akull, kur vetëm pak javë më parë mes tyre pati retorikë për luftë bërthamore. Atletët nga Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut marshuan së bashku të premten nën një flamur bardhë e blu të Koresë së Bashkuar.

Ekipi i atletëve nga Shtetet e Bashkuara, ka pasur një fillim të debatueshëm me zgjedhjen e mbajtësit të flamurit. Erin Hamlin, një atlete e sportit luzh, dhe patinatori Shani Davis kishin një numër të barabartë votash për të patur nderin e mbajtjes së flamurit. Hamlin pastaj fitoi në hedhjen e monedhës, që përcaktoi se kush do ta mbante flamurin e SHBA në ceremoninë e hapjes.

Ajo tha në Tweeter se është “jashtëzakonisht krenare që ka privilegjin të udhëheqë atletët e shkëlqyer të Ekipit Amerikan në Stadiumin Olimpik”.

Lojërat dimërore vazhdojnë deri më 25 shkurt.

(voa)

Shtypi gjerman: Dështim i paparë i BE në Kosovë e Bosnje

shtypi gjermanPrezantimi i strategjisë së re të Komisionit Europian për Ballkanin ka ditë që ka drejtuar vëmendjen e shtypit gjerman drejt rajonit.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nën titullin “Ballkani Perëndimor merr miliarda nga BE”, nënvizon se strategjia e re për Ballkanin jep një plan të qartë kohor dhe do t’i kushtojë shumë shtrenjtë unionit. “Komisioni propozon rritjen e ndihmave të anëtarësimit dhe të përfarimit me BE deri në vitin 2020. E paqartë mbetet se për çfarë shumash bëhet fjalë. Deri më tani ishin planifikuar për Ballanin Perëndimor nga viri 2018-2020 1,7 miliardë euro. Në dokumentin strategjik bëhet fjalë se 1,07 miliardë janë në plan vetëm për vitin 2018, kështu që tani mbetet vetëm të rriten shumat e 600 milionë eurove të mbetura për vitin 2019 dhe 2020.”

FAZ sheh me sy kritik paratë që BE derdh në Ballkan. “Kaq shumë para derdhen në Ballkanin Perëndimor për forcimin e administratës, shtetit ligjor, ekonomisë së qëndrueshme dhe demokracisë e mirëqeverisjes. Por janë pikërisht këto fusha, ku Komisioni shikon deficitet më të mëdha, megjithë ndihmat miliardëshe prej vitesh.”

Ndërsa gazeta gjermane “tageszeitung” i kushton vëmendje perspektivës më të qartë kohore të integrimit të Serbisë në BE. taz thekson se Brukseli dhe Berlini mendojnë se Serbia është një faktor stabiliteti në Ballkan, por e kundërta është e vërtetë.”Serbia dhe Mali i Zi do të mund të pranohen në vitin 2025. Po pse pikërisht vendet ku fjalën e kanë BE dhe institucionet ndërkombëtare janë të fundit në radhë? Në Kosovë dhe në Bosnje ka një administratë ndërkombëtare, polici ndërkombëtare, misione të shtetit ligjor, trupa ndërkombëtare. Pikërisht që këto shtete janë të fundit në radhë dhe kosovarët ende duhet të marrin vizë për në BE, është një dështim i paparë.”

taz nënvizon se luftën kundër korrupsionit nuk e ka fituar njeri, dhe se të rinj të shkolluar largohen nga Ballkani për të ndërtuar një jetë të re në Gjermani, Austri, vendet skandinave dhe shtron pyetjen se “pse nderon kancelarja Merkel njeriun e fortë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që e ka kthyer Serbinë në një “demokraturë”, që refuzon përballjen me krimet e përgjakshme të viteve 90-të?” “Me sa duket ende ekziston përfytyrimi i gabuar, se Serbia është një faktor stabiliteti në Ballkan. Por nga koha e Millosheviçit në vitin 1991 duhej të dihej ndërkohë, se e kundërta është e vërtetë. Serbia nuk ka hequr dorë nga rifitimi i Kosovës, dhe ndarjen e Bosnje-Hercegovinës përgjatë linjës së frontit të vitit 1995…”

Ndërsa gazeta zvicerane, nën titullin “Sherifë të rinj për veriun e egër të Kosovës“, nënvizon se në pjesën serbishtfolëse të vendit, Beogradi i ka vënë nën kontroll politikanët dhe përdor për këtë partnerë të dyshimtë. “Presidenti Vuçiq është i vendosur për procesin e normalizimit dhe ta dorëzojë këtë rajon në sistemin kosovar. Por kjo nuk do të thotë fund të influencës serbe -përkundrazi. Përmes partisë së unitetit të kontrolluar nga Beogradi, ai i kontrollon të gjitha rajonet me serbë. Në vend që të mbeten të varur nga shteti serb, subvencionimi do të bëhet në bazë të së drejtës kosovare përmes asociacionit të komunave serbe, të cilin e financon Beogradi.” (dw)

Ballkani Perëndimor dhe BE-ja: Gëzim dhe skepticizëm

balkani 2016 ParisReagimet ndaj perspektivës së BE për Ballkanin Perëndimor ndryshojnë shumë nga një vend te tjetri.

Për një kohë të gjatë Bashkimi Europian ishte i rezervuar për përfshirjen e mundshme të Ballkanit Perëndimor – Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia – në BE. Struktura demokratike të papërfunduara, sundimi i ligjit i mangët, nacionalizëm i tepruar, korrupsion dhe nepotizm, këto ishin vetëm disa nga arsyet për qëndrimin refuzues. Por tani BE ka arritur në përfundimin se vazhdimi i kësaj politike do të rrezikonte shumë stabilitetin e rajonit dhe sigurinë gjeopolitike. Prandaj Komisioni i BE-së botoi stategjinë për Ballkanin Perëndimor në të cilën ofrohen perspektva konkrete për anëtarësim.

Pararojë: Serbia dhe Mali i Zi

Serbia dhe Mali i Zi janë kandidatët që kanë bërë përparimet më të mëdha në rrugën drejt BE. Negociatat e pranimit po vazhdojnë me të dy vendet prej disa vitesh. Për qeverinë e Serbisë dokumenti strategjik i BE-së është një “pozicion i guximshëm dhe vizionar”, i cili gjithashtu “u përgjigjet pritjeve dhe kërkesave të presidentit serb Vuçiç”, tha kryeministrja Ana Brnabiç në një reagim të parë. Njoftimin se Serbia mund të bashkohet me BE-në që nga viti 2025, ajo sheh shumë pozitivisht, por paralajmëron se kjo është “një mundësi për Serbinë, jo një garanci”.

Kjo është gjithashtu pikëpamja e Partisë Liberale Demokratike në opozitë. Në një deklaratë të saj thuhet se kjo është një “mundësi historike” dhe se vendi tani ka nevojë për “reforma konkrete politike”. Në veçanti Serbia tani duhet të intensifikojë negociatat me Kosovën.

Kosova si pengesë

Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës. Prandaj marrëdhënia midis Beogradit dhe Prishtinës është një pengesë në negociatat e pranimit. BE insiston që të dy vendet të “normalizojnë” marrëdhëniet e tyre para pranimit. Nga ana tjetër, ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vujin theksoi se politika e Serbisë në Kosovë nuk duhet të përcaktohet nga perspektiva e anëtarësimit në BE, por thjesht dhe vetëm sipas “interesave të popullit serb”.

Tone kritike dëgjohen në mediat sociale. Një autor shkruan në twitter: “Strategjia e Brukselit për anëtarësimin e Serbisë në BE është një Hiç i madh”, ndërsa një tjetër ankohet: “Është e tmerrshme që BE-ja merr pjesë në gënjeshtrën e madhe që Serbia është lider rajonal, kur është fjala për integrimin në BE, sepse nuk dihet në cilin sektor situata është më e keqe në media apo në gjyqësi, krimi është kudo; ka korrupsion dhe ky vend qenka pararojë?”

A është gota gjysmë plot apo e gjysmë bosh?

Zërat nga Kosova janë optimiste por të rezervuara. Ministrja për Integrimin Evropian, Dhurata Hoxha, shkroi në Facebook. Ajo e sheh gotën gjysmë plot. Ajo shkroi se “BE e ka hapur derën për ne, por ne jemi ata që duhet të kalojmë tani nëpër të.” Megjithatë gëzimi i saj është i kufizuar: ajo priste deklarata më konkrete për vendin. Dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi në Facebook. “Unë e mirëpres që dokumenti i ri strategjik e trajton Kosovën si një pjesë integrale të planeve të zgjerimit të BE-së. Megjithatë, ky dokument nuk ka arritur të ofrojë një perspektivë të plotë dhe të barabartë anëtarësimi për të gjitha vendet e rajonit. Në veçanti, kjo strategji nuk i ofron Kosovës qartësi për pranimin në BE. ”

Shqipëria nga ana tjetër është e kënaqur me dokumentin strategjik të BE-së, kryeministri Edi Rama shkroi në Facebook: “Unë pajtohem me atë që thuhet për Shqipërinë në strategjinë e BE-së. Bisedimet e pranimit janë sa më afër se kurrë më parë. Gjithçka tani varet nga këmbëngulja jonë.”

Inkurajim për Maqedoninë, zhgënjim për Bosnje-Hercegovinën

Në deklaratën e tij, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev tha se “Brukseli ka dërguar një lajm shumë të mirë për Maqedoninë dhe të gjithë qytetarët e saj”. Tani pranohet se vendi ka bërë përparim të madh në përpjekjet e tij për t’u afruar më pranë BE-së.

Zhgënjim i madh mbizotëron në Bosnje-Hercegovinë. “Fakti që nuk ka ndonjë datë specifike për anëtarësimin e mundshëm në BE për ne është një lajm i keq për vendin. Unë kam përshtypjen se njerëzit në BE nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është Bosnjë-Hercegovina për stabilitetin në rajon,” – tha zëvendëskryetari i Parlamentit Mlladen Bosiç për DW-në.

Nga ana tjetër Milica Markoviç anëtare e delegacionit të Bosnjës dhe Hercegovinës në Këshillin e Evropës thekson se “nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Bosnja është në fund të axhendës së saj kur është fjala për gatishmërinë për anëtarësimin në BE”. Deri tani vendi nuk ka plotësuar shumë kushte dhe prandaj për Bosnje-Hercegovinën nuk ka ndonjë datë konkrete për pranim. dw

Vendet e Quint-it mirëpresin zmbrapsjen e përpjekjeve për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme

cekici peshorjaNë Prishtinë, ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, mirëpresin zotimet e udhëheqësve të Kosovës për të hequr dorë nga nisma për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, e cila me emrin dhomat e specializuara do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Në një komunikatë të përbashkët të lëshuar të enjten, thuhet se “mirëpresim deklaratat e fundit të udhëheqësve politikë që zotohen të heqin dorë nga përpjekjet për të shfuqizuar Dhomat e Specializuara. Presim nga udhëheqësit e Kosovës të mbajnë fjalën e tyre kurse nga institucionet e Kosovës presim që ta respektojnë këtë gatishmëri”.

Në komunikatë theksohet se “vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit dhe duke siguruar drejtësi për të gjitha viktimat, Kosova mund ta dëshmojë pjekurinë e saj si shtet dhe gatishmërinë për tu integruar tërësisht në Evropë dhe në komunitetin ndërkombëtarë. Me mbështetjen e Dhomave të Specializuara mundësohet mbështetje e vazhdueshme nga miqtë dhe aleatët më të ngushtë të Kosovës tani kur festojmë shumë të arritura, një dekadë që nga pavarësia”, thuhet në komunikatë.

Më 22 dhjetor 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i gjykatës.

Javën e kaluar udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”. Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte në Kosovë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës shtatë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe do të veprojë në përputhje me ligjet e Kosovës. Ajo tha ambasadori amerikan do të trajtojë individët dhe “nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni. (voa)

Hahn: Serbia duhet të merret vesh me Kosovën para anëtarësimit në BE

HahnKomisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, tha të mërkurën se Serbia duhet të arrijë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Komisionari Hahn qëndroi të mërkurën në Beograd një ditë pasi që Komisioni Evropian publikoi strategjinë e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor që parasheh afat deri më 2025 për anëtarësimin e Serbisë e Malit të Zi, nëse përmbushin reformat dhe kushtet e domosdoshme.

Zoti Hahn tha pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se Bashkimi Evropian nuk do të importojë konflikte të pazgjidhura në mes të vendeve të reja anëtare.

“Serbia duhet të përmbyllë dhe të zbatojë një marrëveshje detyruese ligjore me Kosovën para se të anëtarësohet”, tha ai.

Presidenti serb tha se para Serbisë ndodhen “male me pengesa” në negociatat me Bashkimin Evropian, duke vënë theksin tek çështja e Kosovës por edhe kufijve ne Bosnjë e Hercegovinën dhe Kroacinë.

“A janë pengesa të lehta? Nuk janë. Si Himalajet janë, por nuk do të ishim të parët që janë ngjitur në Mont Everest”, tha presidenti serb, sipas të cilit, detyrat më të rënda që dalin nga strategjia e Komisionit Evropian, janë për Serbinë dhe ka ardhur koha që “të merren vendime, të paguajë çmime të caktuara nga e kaluara dhe të zgjidhim probleme që nuk kanë zgjidhur me dekada më parë”.

Ai tha se për çështje të tilla të rënda duhet të flasin qytetarët.

“A e shohim të ardhmen në Evropë, meqë duhet të paguajmë një çmim të caktuar, që nuk është i vogël, apo të qëndrojmë kështu si jemi? Do të vendosin qytetarët dhe ne do ta respektojmë atë vendim”, tha ai duke nënvizuar se “nuk mundet që Serbia të humbë gjithçka e dikush tjetër të fitojë gjithçka”, por zgjidhjet duhet të jenë rezultat i një kompromisi “më të cilin të dyja palët duhet të humbin që të jenë të kënaqura”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur dhjetë vjet me parë, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. (voa)

Zoran Zaev: Jemi të gatshëm të pranojmë emër me përcaktim gjeografik

zaevKryeministri i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë Zoran Zaev deklaroi dje se qeveria e vendit të tij është e gatshme që të pranojë një emër me përcaktim gjeografik.

Gjithashtu, ai tha se këshilli i Ministrave të IRJM-së, vendosi të ndryshoj emrin e aeroportit të kryeqytetit të vendit nga aeroporti ndërkombëtar «Aleksandri i Madh» në «Aeroporti ndërkombëtar i Shkupit» dhe të autostradës e cila çon në kufirin me Greqinë, «Autostrada Miqësia».

Si një hap pozitiv dhe një zhvillim të rëndësishëm karakterizoi ministria e Jashtme greke këtë vendim të qeverisë së Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Në njoftim thuhet: «Është një hap pozitiv për ndryshimin e atyre që janë bërë gjatë dekadës së fundit dhe kanë prekur marrëdhëniet midis dy vendeve. Është një zhvillim i rëndësishëm në drejtim të trajtimit të irredentizmit dhe shpresojmë se do të shënojë hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë». (ert)

Raporti i UNMIK për Kosovën në Këshilin e Sigurimit

KS KBSiguria, stabiliteti dhe të drejtat e njeriut mbeten prioriteti i UNMIK-ut në Kosovë, theksohet në raportin e fundit në Këshillin e Sigurimit për Kosovën.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, është prezent në Kosovë me 342 punonjës, përfshirë këtu edhe punonjësit lokalë. Misioni i raporton një herë në tre muaj, Këshillit të Sigurimit për aktivitetet e tij dhe zhvillimet në Kosovë nga mesi i tetorit deri në mes të janarit.

Në raportimin e së martës (07.02) në Këshillin e Sigurimit ishn ftuar ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic. Nga Kosova në takim u ftua Vlora Çitaku, dhe me videokonferencë nga Prishtina, raportoi Zahir Tanin, drejtuesi i UNMIK-t.

Tanin e nisi raportimin e tij me deklaratat e fundit të BE-së për zgjerimin dhe reagimet e përziera që kjo strategji ka shkaktuar në Kosovë. Në dialogun Kosovë -Serbi ka pasur pak rezultat vitin e kaluar kështu që pritet sivjet të jepet shtysa përfundimtare. Tanin foli më tej për Gjykatën Speciale duke theksuar, se nuk ka kthim mbrapa. Po ashtu vrasja e Oliver Ivanovicit zuri pjesë në raportimin e tij nga Kosova.

Në raportin 10 faqësh i bërë publik të martën (07.02) lexojmë se prioritetet e misionit mbeten siguria, stabiliteti dhe të drejtat e njeriut. Nga zhvillimet kyçe politike dhe në çështjet e sigurisë përmenden zgjedhjet lokale, që kanë qenë të lira dhe të ndershme, marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, transformimi i forcave të sigurisë, qëndrimet ndaj Gjykatës Speciale. Për zgjedhjet lokale të zhvilluara në fund të tetorit, raporti thekson pjesëmarrjen e ulët të grave. Asnjë nga 38 kryetarët e bashkive nuk është grua. Po ashtu listohen aktivitetet e Kosovës për të plotësuar axhendën evropiane. Raporti përmend kërkesën e presidentit të Kosovës, që misioni të largohet nga vendi.

Në pjesën e raportit, që flet për Veriun e Kosovës, ku punojnë edhe pjesa më e madhe e punonjësve të UNMIK-ut në Kosovë, raporti flet për zhvillimin e zgjedhjeve atje dhe situatën e brishtë me një numër incidentesh, ku incidenti me potencial më të madh implikacionesh përtej Kosovës ishte vrasja e Oliver Ivanovicit. Po raporti përmend edhe incidente të tjera të ndodhura në veri.

Në raporti flitet për kthimet në Kosovë, ku në vitin 2017 janë kthyer 498 persona, shifra më e ulët që prej vitit 2000.

Lidhur me kulturën citojmë: “UNMIK ka vazhduar monitorimin e zhvillimeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare”. Në të përmenden ligji i aprovuar nga parlamenti për lirinë e fesë, i cili është dërguar për t’u rishikuar nga komisioni i parlamentit dhe pagesën që qeveria e Kosovës i bëri Kishës Ortodokse serbe për qiratë, një çështje që pati ngarkuar marrëdhëniet midis autoriteteteve të Kosovës dhe Kishës Serbe.

Në pjesën e raportit që bën fjalë për zbatimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut numërohen si çështje përfshirja e pakicave në sistemin e drejtësisë, në institucionet e Kosovës, prokurori dhe gjykatë.

Në vëzhgime, raporti thekson se UN do të vazhdojë të jetë mbështetje për rritjen e interesave të të gjithë komuniteteve të Kosovës. UNMIK do vazhdojë të mbështesë Bashkimin Evropian në zhvillimin e paqes, progresit dhe stabilitetit në Kosovë. (dw)

SHBA akuzon 36 veta për krim kibernetik – dy prej tyre nga Kosova

Departament of JusticeDepartamenti amerikan i Drejtësisë tha se ka ngritur akuza kundër 36 personave, në mesin e tyre dy shqiptarë nga Kosova, të përfshirë në një skemë të mashtrimeve kibernetike dhe vjedhjeje identiteti që ka shkaktuar më shumë se 530 milionë dollarë humbje për konsumatorët, bizneset dhe institucionet financiare.

Rrjeti i krimit kibernetik që drejtonte një skemë të sofistikuar që lehtësonte blerjen dhe shitjen e numrave të Sigurimeve Shoqërore, ditëlindjet dhe fjalëkalimet që ishin vjedhur nga e gjithë bota.

Në akuzë thuhet se grupi punonte nën moton ” In Fraud We Trust” (Në mashtrim besojmë – një lojë fjalësh me mbishkrimin në bankënotat e dollarit amerikan In God we trust) dhe ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar nga Ukraina.

Autoritetet thanë se pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit nuk ishin takuar kurrë mes vete ndërsa e njihnin njëri tjetrin me nofkat në internet.

Nga 36 të akuzuarit, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britaninë e Madhe, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.

Të akuzuarit tjerë janë në arrati dhe hetimet janë duke vazhduar. Zëvendës ndihmës prokurori i përgjithshëm, David Rybicki, u tha gazetarëve se “dita e sotme shënon një hap të rëndësishëm në betejën kundër krimit kibernetik ndërkombëtarë”.

Departamenti publikoi edhe listën e emrave të të akuzuarve ku janë edhe emrat e Besart Hoxhës 25 vjeçar që vepronte me nofkën “Pizza” dhe ai i Liridon Musliut 26 vjeçar, që vepronte me nofkat “Ccstore”, “Bowl” dhe “Hulk”. (voa)

Debatet për mësimin e shqipes në ishullin grek

kurse gjuhe shqipeKurset e gjuhës shqipe do të zhvillohen të dielën e 11 shkurtit në gjimnazin e Krisopigjisë njoftuan me një deklaratë të përbashkët, Shoqata e Mësuesve të Shkollave Fillore dhe Sindikata e Mësuesve në qytetin Hania, në ishullin grek të Kretës. Sipas burimeve vendore dy sindikatat i ftuan banorët grekë të qytezës bregdetare të Hanias në ceremoninë e pritjes së fëmijëve shqiptarë të dielën. Përmes një deklarate të përbashkët, shoqatat e mësuesve në Hania besojnë se “anulimi i kurseve të gjuhës shqipe ishte një turp”. Deklarata vlerëson se “origjina e këtyre fëmijëve ishte kriteri i vetëm për pretendimet për bllokimin e mësimit të gjuhës amëtare dhe për këtë arsye përbën një akt racist dhe fashist”. “Migrantët e brezit të dytë dhe të tretë nga Shqipëria janë studentët tanë. Ata janë fëmijët tanë. Ne nuk do të lejojmë asnjë kriminel për të festuar përjashtimin e këtyre fëmijëve nga e drejta e tyre për të mësuar gjuhën e tyre amëtare”, thuhet në deklaratën e përbashkët të sindikatave në qytezën greke të Hanias.

Sindikatat e mësuesve grekë vlerësojnë se “luftojnë për një shkollë ku të gjithë fëmijët, pavarësisht nga origjina, raca, seksi, klasa, aftësitë e tyre fizike të kenë të njëjtin akses në shkollim. Diskriminimi është një kujtim i keq i së kaluarës dhe nuk do të lejojmë që ai të rikthehet”, thuhet në deklaratë. Më tej sindikatat e arsimit pohojnë se fashizmi, racizmi dhe nacionalizmi kanë çuar në qindra miliona njerëz të vdekur. “Është detyra jonë si punonjës, edukatorë, prindër që të mos lejojmë që fantazmat e së kaluarës të ngrenë kokën në çfarëdo forme që shfaqen. Nuk do t’i lejojmë pakicat e vogla të importojnë helmin e tyre në shkollat tona”, vlerëson deklarata e mësueve grekë.

Dy sindikatat kanë vlerësuar se në bashkëpunim me bashkësinë shqiptare do të punojnë për realizimin e kurseve të gjuhës shqipe. Sindikatat kanë mirëpritur vendimet unanime të Këshillit Komunal të Hanias për rifillimin e menjëhershëm të klasave në gjuhën shqipe.

Debatet për mësimin e shqipes në ishullin grek

Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në qytetin e Hanias në ishullin turistik të Kretës tha dy javë më parë se ishte shtyrë fillimi i kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Burimet greke thanë se të premten e 26 janarit drejtori i gjimnazit ku pritej të niste mësimi i shqipes në Hania dha dorëheqjen. Disa nga mediat greke e vlerësuan ngarjen si “shpërthim nacionalizmi dhe ksenofobie në një shkollë në Hania në kohën që Athina dhe Tirana po bëjnë përpjekjet për të përmirësuar marëdhëniet dypalëshe”. Grupe të rinjsh grekë bllokuan njëj javë më vonë, më 3 shkurt mësimin e gjuhës shqipe edhe në një shkollë në Paliohora qytezë fqinje po në ishullin grek të Kretës, ndërkohë që kursi i parë ishte zhvilluar normalisht për 38 fëmijë shqiptarë.

Burime nga Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në këtë zonë i thanë Zërit të Amerikës se kurset e planifikuara të gjuhës shqipe për t`u zhvilluar në shkollën e mesme në këtë qytet u shtynë nga presioni i njerëzve që ishin mbledhur para rrethimit të shkollës. Portalet greke vendore publikuan foto ku në hyrje të godinës qëndronte një grumbull të rinjsh dhe në portën e shkollës ishin vendosur flamuj grekë. Raportimet e medias lokale greke pohuan se situata ishte tensionuar pasi në rrjetet sociale nisi të qarkullonte një foto e një nxënësi shqiptar me bluzën ku ishte stampuar harta e “Shqipërisë së Madhe” dhe mbishkrimi: ‘Autoktonus’. Foto i përkiste ceremonisë së fillimit të kurseve të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë që banojnë në këtë zonë. (voa)

Përpjekje për një dorë artificiale funksionale

dora artificialeShkencëtarë e inxhinierë në mbarë botën po përmirësojnë aftësinë e trurit për të kontrolluar gjymtyrë artificiale me shpresën që një ditë edhe kostoja e tyre do të bëhet më e përballueshme. Studiuesit në Institutin Zvicerian të Teknologjisë, EPFL, thonë se një dorë artificiale e lehtë në peshë mund të ndihmojë një ditë pacientët paraplegjikë të ushqehen vetë.

Një nga pengesat më të mëdha në përpjekjet për të krijuar një dorë artificiale me kosto të përballueshme për pacientë që kanë pësuar dëmtime të shtyllës kurrizore, është përcjellja e komandave nga truri tek gishtërinjtë që nuk kanë forcën e duhur për të kryer funksione.

Një nga mënyrat për ta realizuar këtë është përmes motorëve të vegjël elektrikë të quajtur aktuatorë. Por këta motorë kanë ndërtim mekanik të ndërlikuar dhe kërkojnë rrymë elektrike, gjë që i bën më të shtrenjtë dhe disi të pavolitshëm.

Shkencëtarët në Institutin EPFL janë përpjekur ta zgjidhin problemin duke e vendosur aktuatorin në një kuti që pacienti mund ta lidhë mbi kraharor, duke e bërë më të lehtë gjymtyrën artificiale.

“Kjo pajisje ka tendina artificiale. Motori aktuator është vënë mbi pjesën e sipërme, që pëllëmba e dorës të jetë e lirë dhe të funkionojë për kapjen e objekteve,” thotë studiuesi Luca Randazzo.

Lëvizjet e dorës kontrollohen nga impulset e trurit që regjistrohen përmes një sistemi sensorësh që mban pacienti mbi kokë.

Gjatë studimeve shkencëtarët zbuluan se lëvizjet e ndihmuara nga pajisja shoqërohen me aktivitet të trurit të ngjashëm me aktivitetin tek një individ i shëndetshëm. Sinjalet nervore që përcillen tek gishtërinjtë e ndihmojnë pacientin të përmirësojë kontrollin e lëvizjeve.

“Kjo dorë artificiale ka jo vetëm të njëjtin kompleksitet lëvizjesh si një dorë natyrale, por edhe shoqërohet me të njëjtin aktivitet në tru që i përngjet aktivitetit tek një individ i shëndetshëm me një dorë të zakonshme,” thotë studiuesi Jose Del R. Millan.

Në varësi të lëndimeve që ka pësuar pacienti, dora mund të komandohet edhe me lëvizjen e syve, me komanda zanore ose me kontroll muskulor nga krahu. (voa)