Bota në humnerë?

shkalle rethoreRaporti i ri për Sigurinë në prag të Konferencës së Sigurisë së Munihut konstaton se bota ka qenë vitin e kaluar shumë pranë pragut të konflikteve të rënda të armatosura.

Ekspertët e sigurisë janë rrallë optimistë, raportet për sigurinë rrallë janë optimiste. Kjo vlen edhe për Raportin e ri për Sigurinë. Titulli është “Deri në humnerë – dhe prapa kthehu?” dhe konstaton një rritje të pasigurisë. Bota ka qenë vitin e kaluar shumë më pranë pragut të konflikteve  të rënda të armatosura, shkruan kryetari i Konferencës së Sigurisë në Munih, Wolfgang Ischinger, në parathënie – “tejet pranë”. Ischinger u referohet raporteve të rrezikshme mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, rivalitetit në rritje midis Arabisë Saudite dhe Iranit, tensioneve të larta midis NATO-s dhe Rusisë në Evropë.

Tërheqja e SHBA-së

Si në tre vitet e fundit, raporti përgatit terrenin për Konferencën e Sigurisë së Munihut që nis në fund të javës së ardhshme. Dhe në njëfarë mënyre  raporti i ri vijon raportin e vitit të kaluar. Në shkurt të vitit 2017 autorët kishin paralajmëruar se SHBA-ja mund të hiqte dorë nga roli i saj si garantues i sigurisë ndërkombëtare dhe se politika e saj e jashtme do të kishte orientim unilateral apo madje nacionalist. Këtë vit, raporti i sigurisë thotë vetëm se: SHBA-ja po tërhiqet nga roli i saj udhëheqës. Ajo tregon pak interes në ndërtimin e institucioneve rajonale apo globale që vendosin rregulla për formësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

SHBA-ja i ka thënë lamtumirë politikës së bazuar në vlerat e përbashkëta. Për SHBA-të tani vlejnë vetëm interesat e përbashkëta për disa pika të caktuara. Kjo përkon me një interes shumë më të pak për diplomacinë: buxheti për Ministrinë e Jashtme të SHBA-së është reduktuar masivisht – kurse shpenzimet ushtarake janë rritur. Raporti i sigurisë citon ekspertin e politikës së jashtme amerikane, G. John Ikenus, që thotë: “Kombi më i fuqishëm në botë ka filluar të sabotojë rendin që ka krijuar vetë”.

Evropianët vetëm?

Për evropianët kjo do të thotë ndër të tjera që të kujdes më shumë se kurrë për sigurinë e tyre. Raporti kujton një thënie të kancelares gjermane Angela Merkel pas vizitës në Gjermani të Presidentit amerikan Trump në maj 2017:  Kohët në të cilat ne ishin në gjendje të mbështetet plotësisht tek të tjerët, kanë marrë deri në një farë mase fund.” Tani, vazhdoi kancelarja, evropianët duhet ta marrin fatin e tyre në duart e tyre. Kjo do të thotë gjithashtu shpenzime më të larta për armatimin. Nëse të gjitha vendet e BE-së dhe Norvegjia do t’i përmbahen gjithashtu të ashtuquajturit objektiv 2 për qind dhe vërtetë do të investojnë dy për qind të prodhimit të tyre ekonomik tek ushtria, shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024 do të rriten me rreth 50 për qind, në rreth 386 miliardë dollarë. Por që ushtria evropiane të bëhet më efikase, ajo duhet të lidhet më mirë në një rrjet.

Megjithatë raporti diagnostikon qasje për një konvergjencë të mbrojtjes evropiane. Në fund të fundit 25 shtetet kanë vendosur të koordinojnë politikën e tyre të sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së brenda të ashtuquajturit Bashkëpunimi i Përhershëm Strukturor (PESCO). Franca dhe Gjermania dëshirojnë të zhvillojnë së bashku brezin e ardhshme të avionëve luftarakë. Dhe me presidentin e Francës Emmanuel Macron, ideja e një ushtrie të përbashkët evropiane ka fituar një mbështetës të fuqishëm.

Ndryshime klimatike, konflikte, migracion

Edhe në aspekte të tjera raporti i ri i sigurisë është një vazhdim. Vitin e kaluar temat e klimës dhe migracionit kishin zënë shumë hapësirë. Raporti shpreh keqardhjen për faktin se SHBA-ja është tërhequr nga Marrëveshja e Klimës së Parisit dhe që në Strategjinë e fundit të Sigurisë Kombëtare nuk e konsideron ndryshimin e klimës si një rrezik sigurie.

Raporti kujton se deri në vitin 2015 dhe 2016, viti 2017 është një nga tri vitet më të nxehta që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave klimatike dhe është karakterizuar nga stuhi katastrofike, thatësira dhe përmbytje. Në të njëjtën kohë raporti tërheq vëmendjen për marrëdhëniet midis ndryshimeve klimatike dhe konflikteve. Ndryshimi i klimës ndikon si një “përforcues konfliktesh”, thuhet në raport. “Vazhdimi i shumë konflikteve të armatosura afatgjata ka qenë shkaku kryesor i migrimit, dëbimeve dhe urisë,” vëren raportin në një kapitull kushtuar Afrikës dhe migracionit. dw

Defektet në furnizimin me ujë të tetovarëve nuk janë mënjanuar plotësisht

TetovaDy defekte të mëdha lanë pa ujë të pijshëm banorët e Tetovës gjatë fundjavës. Për shkak të riparimeve, furnizimi me ujë do të jetë i vështirë më tutje, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Punëtorët publik të ndërrmarjes komunale intervenuan në sistemin e ujsjellësit. duke filluar nga zonat malore të Leshnicë dhe Burimeve të Vakëfit.

Dëmi është riparuar gjatë fundjavës në tubin e Leshincës, ndërsa te Vakëfi duhet ende të punohet. Arsye për këtë janë rrejshet me intezitetë të fortë, deklaroi Boris Bojofski nga ndërrmarja publike komunale “Tetova”.

Në ndërrmarjen komunale konsiderrojnë se për shkak të defekteve, sasia e ujit të pijshëm do të zvogëlohet, por do të aktivizojnë dy puse.

Në sistemin ujsjellës rrejdhin 300 litra ujë për sekondë, sasi e cila duhet të furnizojë qytetarët e Tetovës.

Përndryshe, Tetova ngeli pa ujë më 2 shkurt, të premten, për shkak të defektit në tubin qendrorë, konkretisht tubi F-400, në vendbanimin Çarshia e Epërme. Sipas autoriteteve, ky është problem i vogël, sepse probleme të tilla në rrjetin e qytetit janë të zakonshme./Telegrafi/

Kosovë: Dështon procedimi në kuvend për demarkacionin me Malin e Zi

Parlamenti ksKosovën të martën (06.02) e viziton kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Ndërkaq kryesia e kuvendit në mungesë të konsensusit politik nuk e procedoi për votim marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Në Kosovë ende nuk ka një konsensus politik për ta proceduar në kuvend ligjin për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Demarkacioni është marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar në vitin 2015 ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, dhe për ta ratifikuar atë duhet 80 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Kryesia e kuvendit në një mbledhje të saj e shqyrtoi këtë pikë, por nuk e procedoi demarkacionin për në seancën, që zhvillohet ditën e enjte (08.02). Shtyrja e ratifikimit të ligjit për demarkacionin me Malin e Zi dhe mosprocedimi në seancë, ndodhi vetëm nje ditë para vizitës zyrtare në Kosovë të kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq. Ky i fundit para së të vijë në Kosovë ka deklaruar, se për Malin e Zi çështja e demarkacionit me Kosovën është temë e përfunduar për faktin, se Mali i Zi tashmë anëtar i NATO-os e ka ratifikuar marrëveshjen e kufirit me Kosovën e nënshkruar në vitin 2015. Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mosprocedimin për votim në kuvend të marrëveshjes për demarkacionin e arsyetoi duke thënë, se “shtyrja e demarkacionit është bërë me qëllim që të arrihet konsensus nacional”.

“Kërkuam me mirëkuptim që kjo pikë e rendit të ditës të jetë në një moment të caktuar kur do të jetë një vendimmarrje më serioze. Patëm unanimitet të vendimmarrjes në kryesi përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që insistoi të jetë në rend dite demarkacioni. Dua ta përçoj si mesazh, se po punojmë seriozisht që të arrijmë një zgjedhje të konsensusit nacional. Jemi duke lëvizur dalëngadalë, por sigurt dhe me një vendimmarrje në interes të shtetit. Jo Kuvendi të jetë teatër i aktrimit politik”, tha Kadri Veseli.

Vizita në Kosovë e kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviq, të enjten  (06.02) për kryetarin e parlamentit Kadri Veseli do të jetë një konfirmim i një partneriteti dhe marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, parti kjo e cila me këmbëngulje kërkon që parlamenti ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi, thotë se mosratfikimi i demarkacionit çdo ditë e me shumë po shkon në dëm të Kosovës.

“Shumica në kryesi vendosën ta shtyjnë çështjen e demarkacionit dhe nuk e caktuan kohën. Kjo është për keqardhje. E thamë në Kryesinë e Kuvendit dhe kemi kërkuar që kjo pikë të renditet në pikën e rendit të ditës për në seancën e së enjtes. Po bëhen tre vjet që kjo çështje nuk po mund të kalojë. Unë besoj që kështu nuk mund të vazhdohet më tutje, Kosovës i duhet një qeveri e re”, tha shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti.

Partitë politike parlamentare në Kosovë janë të ndara sa i përket demarkacionit me Malin e Zi. Madje brenda vet koalicionit qeverisës ka ndarje në këtë pikë. Është vet kryeminstri i Kosovës Ramush Haradinaj, që është kundër ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit nënshkruar nga qeveria e kaluar. Sipas Haradinajt, me atë marrëveshje Kosova humbet territor, pohim ky që kundërshtohet fuqishëm nga LDK-ja në opozitë dhe PDK-ja, partnerja kryesore e AAK-së në qeveri.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, që vjen nga partia Nisma për Kosovën, ka thënë se ai është duke u angazhuar që të zgjidhet nyja politike lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Sipas tij, marrëveshja Kosovë-Mal i Zi për demarkacionin lë hapësirë për të korrigjuar gabimet e mundshme që kanë mundur të ndodhin, por gjithsesi pa u cënuar marrëveshja ndërshtetërore.

Sidoqoftë, Kosova këtë muaj shënon 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ndërkaq, çështjen e kufirit ka arritur ta zgjidhë vetëm me Maqedoninë dhe Shqipërinë, por jo edhe me Malin e Zi dhe Serbinë. Demarkacioni me Malin e Zi është kushti i parafundit i Komisionit Evropian që Kosova të përfshihet në lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Në këtë linjë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, u bëri thirrje deputetëve që ta ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi: “Kosova do të përballet me sfidat e tjera, por tash kemi momentin për liberalizimin e vizave. Kosovës i duhet qartësia. Për qartësinë në BE do të ndihmojë vendimmarrja e institucioneve të Kosovës gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Ratifikojeni demarkacionin në mënyrë që të prodhojmë argumente që të lehtësohet liberalizimi i vizave”, u shpreh presidenti Thaçi në një konferencë për mediat. (dw)

Berlini heq shpresat për anëtarësim të shpejtë të Ballkanit

Steffen SeibertQeveria gjermane ka reaguar e rezervuar lidhur me strategjinë e re të Komisionit Europian për Ballkanin, e cila prezantohet të martën (06.02) në Strasburg e që synon t’i japë shtysë integrimit të këtyre vendeve në BE.

Të hënën qeveria gjermane u tregua e rezervuar lidhur me përpjekjen e re të Komisionit Europian që prezantohet të martën në Strasburg nga komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi deri në vitin 2025. Sipas kësaj strategjie, Serbisë dhe Malit të Zi i ofrohet një perspektivë e qartë integrimi nëse kryhen reformat e duhura dhe vendet zgjidhin problemet me fqinjët.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha se “e qartë është që këto kandidatë kanë ende për të bërë reforma të zgjeruara në vendet e tyre”. Seibert u shpreh se “nuk do të ketë anëtarësime automatike, për shkak të datave që janë vendosur më parë”, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa.

Megjithatë qeveria gjermane e quan shumë të rëndësishme perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit. Por sipas zëdhënësit të qeverisë, strategjia për Ballkanin e Komisionit Europian duhet të studiohet një herë mirë, kur të paraqitet të martën. Komisioni pritet të japë vlerësime edhe për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Bosnje-Hercegovinës.

Edhe një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane është shprehur, se janë të nevojshme reforma në fushat kryesore si shteti ligjor, aftësia e konkurrencës dhe bashkëpunimi rajonal. “Por veçanërisht müssen që grindjet të zgjidhen para anëtarësimit”, thuhet nga Ministria e Jashtme gjermane.

 

la/(rtr,dpa)

Lufta e Spanjës kundër jashtëqitjeve të qenve

qeniKush nuk ka shkelur ndonjëherë jashtëqitjen e ndonjë qeni dhe nuk e ka mallkuar pronarin e tij. Qyteti jugor i Spanjës, Malaga, ka gjetur tani një mënyrë të pazakontë për të disiplinuar pronarët e qenve.

Malagasit ende nuk po kuptojnë asgjë. Por policia mjedisore është tashmë rrugës për tek pronarët e qenve. Një detyrë krejtësisht e re për policët: ata kontrollojnë, nëse të gjithë qentë i janë nënshtruar testit të ADN-së.

Qyteti jugor i Spanjës, Malaga, duket se ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të disiplinuar pronarët e qenve. Që prej muajit janar aty është në fuqi një rregullore e re: të gjithë qentë duhet të regjistrohen në bazë të ADN-së.

“Që nga 15 janari janë në fuqi gjobat. Tani vetëm po ju informojmë, por herën tjetër do t’ju gjobisim.” – u thotë polici disa kalimtarëve që kanë dalë shëtitje me qentë e tyre.

Po si funksionon lufta kundër jashtëqitjeve të qenve? Për shembull nëse një qen dhjet fshehurazi, atëherë shtrohet pyetja, kush e bëri? Në zonat e banuara dhe në parqe ka mjaft “mina” anonime që kanë lëshuar qentë. Prej tani pronari i qenit do të dënohet me 500 euro nëse nuk e mbledh mutin që ka bërë qeni i tij në rrugë apo parqe.

Dhe për habi shumica e malagasve nuk mendojnë se gjoba është e lartë.

Unë jam dakord me shumën. Dënimi duhet të ketë efekt frikësues. Dhe që pronarët e qenve ta mbledhin jashtëqitjen e qenve, dënimi duhet të jetë vërtet i lartë.” – thotë një grua. “Të vjen ndohtë kur sheh jashtëqitjet e qenëve në rrugë, ose kur sheh fëmijët që luajnë në park dhe shkelin pisllëqet e qenve.” – shton një tjetër.

Nga analiza e ADN-së në jashtëqitjen e qenve mund ta gjesh lehtë pronarin dhe ta ndëshkosh atë.

Këshilli bashkiak i Malagës e mori këtë vendim një vit e gjysmë më parë. Dhe Luis Medina-Montoya, drejtor i Mjedisit, në bashkinë e qytetit thotë se të gjitha partitë e përfaqësuara në këshillin bashkiak janë dakord me vendimin. Ai është krenar që projekti i ADN-së tani po fillon të veprojë.

Dritë e gjelbër për një projekt ambicioz që deri tani në Evropë është realizuar vetëm në qytete të vogla, por jo në qytete të mëdha.

Po si regjistrohen qentë? Veterineri Emilio u merr gjak qenve, pastaj e dërgon gjakun për analizë dhe u vë qenve një shenjë në rripin e qafës, në mënyrë që policia ta shikojë që nga larg që qeni është i regjistruar.

Në këtë mënyrë mund të kontrollohen të gjithë qentë e qytetit, thotë Emilio. Por realiteti është ndryshe: kur kontrollorët shohin jashtëqitjet e qenve në rrugë është e vështirë që ata ta gjejnë se kush i ka bërë ato.

Deri tani në regjistrin e ADN-së në Malagë janë regjistruar vetëm 20.000 nga 100.000 qentë e qytetit. Dhe ka dyshime madhe se qentë i kanë regjistruar vetëm pronarët e mirë që e mbledhin me qese jashtëqitjen e qenve dhe jo neglizhentët.

Shumica e jashtëqitjeve të mbledhura në laboratorin e ADN-së u përket qenve të paregjistruar. Por përfundimet e analizave regjistrohen, në mënyrë që nëse gjendet pronari ai të vihet para përgjegjësisë.

Po me qentë e turistëve si është puna. Ata nuk testohen dhe nuk dënohen. Megjithatë Malaga e sheh veten si pararojë. “Ne na kanë ardhur kërkesa edhe nga Madridi dhe qytete të tjera të mëdha që kërkojnë të mësojnë nga përvoja jonë dhe që të marrin ndoshta vendime të ngjashme.” – thotë Luis Medina-Montoya.

Pra se mos harroni ndonjëherë të merrni me vete qeset, ndryshe ju presin gjoba të majme. (dw)

SHBA-ja, Rusia përplasen rreth Sirisë

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki HaleyRusia dhe Shtetet e Bashkuara janë përplasur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara rreth dyshimeve se Qeveria e Sirisë ka përdorur sërish armët kimike në një zonë të kontrolluar nga rebelët.

Ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley, e akuzoi Rusinë për bllokimin e hetimeve mbi përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga ushtria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, në provincën e Goutas Lindore.

Sulmi ka ndodhur në fundjavë dhe Haley tha se Rusia i bllokon hetimet pavarësisht “dëshmive të dukshme për dhjetëra viktima”.

“Rusia ka vonuar miratimin e deklaratës – dënimit të thjeshtë të vrasjes së fëmijëve sirianë me gaz klori”, tha Haley.

“Ky Këshill ka qenë i zëshëm duke kërkuar fundin e përdorimit të armëve kimike në Siri dhe ata ende vazhdojnë”, shtoi ajo.

Rusia, e cila kryen operacione ushtarake në Siri, në mbështetje të Assadit, qysh në vitin 2015, i mohoi akuzat, duke i cilësuar si “shpifje”.

“Shihet qartë se qëllimi është të akuzohet Qeveria siriane për përdorimin e armëve kimike, por asnjë autor nuk është identifikuar”, tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.

Në një tjetër zhvillim, Departamenti amerikan i Shtetit tha përmes një deklarate se SHBA “është shumë e shqetësuar” nga dyshimet e vazhdueshme për përdorimin e gazit të klorit nga forcat siriane, me qëllim “terrorizmin e civilëve të pafajshëm”.

Deklarata vuri në dukje se ka prova për gjashtë sulme të raportuara me armë kimike në 30 ditët e kaluara.

“Duke mbrojtur regjimin sirian nga llogaridhënia, Rusia nuk i përmbush angazhimet e saj. Përdorimi i armëve kimike nga të gjitha palët në Siri duhet të ndalet. Njerëzit e Sirisë po vuajnë; pjesa tjetër e botës po vëzhgon”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Siria e ka mohuar vazhdimisht përdorimin e armëve kimike. Një ekip hetues i OKB-së ka gjetur po ashtu se grupi ekstremist Shteti Islamik ka qenë përgjegjës për përdorimin e gazit mustardë në vitin 2015.

Rusia i ka dhënë Asadit mbështetje të madhe diplomatike gjatë gjithë luftës, duke përdorur forcën e vetos si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, në mbrojtje të tij dhe të qeverisë së tij.

Lufta në Siri ka nisur në vitin 2011 dhe ka lënë të vrarë mbi 400,000 njerëz dhe ka zhvendosur miliona.

Moska e ka mbështetur Asadin edhe në fushën e betejës. Ajo ka nisur një fushatë të sulmeve ajrore kundër kundërshtarëve të Qeverisë siriane në vitin 2015 dhe ka rritur përfshirjen e saj ushtarake në terren. (rel)

Kosovë, shtyhet shqyrtimi i marrëveshjes me Malin e Zi

KPKKryesia e Parlamentit të Kosovës, shtyu në kohë të pacaktuar shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, në pritje të një pajtimi ndërmjet partive politike që janë thellësisht të ndara rreth kësaj cështjeje.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli tha se çështja e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi është edhe në interes të së ardhmes evropiane të vendit dhe janë duke u bërë përpjekje për të arritur një konsensus rreth saj.

“Ne jemi duke punuar shumë seriozisht, jemi duke punuar së bashku në mënyrën që të arrijmë një zgjidhje e cila është e konsensusit kombëtar, në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që të jetë pikë e konfrontimit çështja e cila është e interesit strategjikë siç shënimi i kufirit shtetëror të Kosovës me fqinjët tjerë. Kjo është edhe arsyeja pse po lëvizim dal ngadalë por po lëvizim sigurtë dhe me një vendimmarrje që është në interes të shtetit dhe qytetarëve tanë”, tha zoti Veseli.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshtoi shtyrjen. Shefi i grupi të saj parlamentar, Avdullah Hoti tha se është për keqardhje që koalicioni qeveritar nuk po arrin të marr vendime të mëdha.

“Tri vjet po bëhen që kjo temë sillet poshtë e lartë në pamundësi për të adresuar nga spektri politik. Ky koalicion është themeluar për të marr këtë vendim, për vendime të mëdha dhe shihet qartë se këta janë të shpartalluar plotësisht në këto vendime, unë besoj se kështu nuk mund të vazhdohet më tutje”, tha zoti Hoti.

Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike janë vënë në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Malin e Zi në përpjekje për të tejkaluara situatën në të cilën është futur Kosova që nga viti 2015, kur është nënshkruar marrëveshja. Autoritetet vendase po synojnë që nëpërmjet një marrëveshjeje të korrigjojnë siç thuhet gabimet e bëra nga ish Komisioni për Shënimin e kufirit.

Çështja pritet të shtrohet edhe nesër gjatë vizitës së kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviç në Prishtinë. Marrëveshja e nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi dhe sipas zyrtarëve në Podgoricë ajo është e përfunduar dhe nuk mund të rinegociohet.

Marrëveshja ndërkaq nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi vazhdon të mbetet një ndër sfidat më të mëdha për qeverinë e Kosovës që drejtohet nga zoti Ramush Haradinaj, një nga kudnërshtarët kryesor të saj.

Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që Kosova të jetë e vetme në rajonin e Ballkanit perëndimorë qytetarët e së cilës duhet të kërkojë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. Dështimi për ta përmbushur këtë kriter mund t’i kushtojë Kosovës edhe në proceset integruese evropiane. (voa)

A po hetohet Edmond Haxhinasto?

HaxhinastoDosja e rrugëve për të cilat deri tani janë arrestuar në dy çështje të ndryshme Dashamir Xhika, Andi Toma dhe 11 persona të tjerë, mund te prekë edhe Emond Haxhinaston, deputet i LSI-së dhe ish-ministër i Transporteve. Hetimet nisën pasi Damian Gjiknuri bëri kallëzimin në prokurori në dhjetor të vitit të kaluar, çka lë të kuptohet se kjo dosje ka nisur të aktivizohet pas prishjes se koalicionit PS-LSI.

Ish-ministri i transporteve Edmond Haxhinasto, aktualisht deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, është nën verifikim nga prokuroria e Krimeve të Rënda në dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan.

Për këtë dosje krimet e rënda kanë nxjerrë 3 masa arresti për ish-drejtorin e rrugëve Dashamir Xhika dhe dy ish-zyrtarë, Albens Alite dhe Aksel Qurduka. Të tre ish-zyrtarët dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet dhe projektet për rrugën Tiranë-Elbasan, me një dëm që prokuroria e përllogarit në 80 milionë euro.

Krimet e Rënda po verifikojnë nëse për të njëjtën dosje Edmond Haxhinasto e ka kryer apo jo detyrën si ministër. Burimet i konfirmuan Top Channel se ka dyshime paraprake se pavarësisht kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2016 për keqmenaxhim të projektit, ministria e Transporteve nuk ka marrë masa. Por dyshimi më i fortë që po verifikohet është nëse vetë ish-ministri, pas shkeljeve të konstatuara, a ka urdhëruar apo jo ngritjen e një komisioni të brendshëm për vlerësimin e situatës.

Për rrugën Tiranë-Elbasan janë depozituar dy kallëzime në prokurori, më i fundit i dorëzuar nga ministri Damian Gjiknuri më 12 dhjetor 2017, bazuar në një audit të brendshëm. Nga ky audit u evidentua një dëm prej 54 milionë dollarë. Pas hetimeve të prokurores Elisabeta Imeraj, të dielën gjykata e Krimeve të Rënda shpalli arrestin me burg për Dashamir Xhikën, dhe dy ish-zyrtarët e tjerë. Por për Dashamir Xhikën të njëjtën ditë gjykata e Elbasanit konfirmoi një tjetër masë sigurie me burg, për dosjen e rruges Elbasan-Gjinar. Në seancë gjyqësore ishte i pranishëm vetë ish-ministri i transporteve Haxhinasto, për të mbështetur jo vetëm ish-vartësin e tij, por edhe një ish-kandidat për deputet të LSI-së në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e fundit.

Burimet i konfirmuan për Top Channel se edhe dosja e rrugës Elbasan-Gjinar do të vijë te Krimet e Rënda për t’u bashkuar me dosjen e rrugës Tiranë-Elbasan. Gjatë javës Dashamir Xhika do të dalë për njohje me masën e sigurisë edhe para Krimeve të Rënda. Pyetja që shtrohet sot është sa larg do të shkojë ky hetim?

 Top Channel

BE-ja për Ballkanin Perëndimor – shteti ligjor në rend të parë

BE flamujKomisioni Evropian pritet të paraqesë nesër Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Dokumenti, një kopje të të cilit Zëri i Amerikës e ka siguruar, ripërcakton nga njëra anë detyrimet kryesore që vetë vendet e rajonit duhet të përmbushin, me përqendrim të veçantë në Shtetin ligjor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe mes tyre, ndërsa nga ana tjetër, flet për një angazhim në rritje të vetë Bashkimit Evropian për t’i mbështetur më shumë këto vende në rrugëtimin e tyre.

Që në hyrje të Strategjisë për Zgjerimin, saktësohet se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian “por jo në kushtet në të cilat ato janë aktualisht”. Dokumenti njeh përparimin e bërë ndër vite “por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, ende kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare” duke veçuar tre drejtimet kryesore: sundimin e ligjit, konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin rajonal e pajtimin.

I një rëndësie parësore për BE-në konsiderohet “forcimi i ndjeshëm i Shtetit ligjor”. Panorama e sotme që vizatohet nga dokumenti paraqitet problematike, ndërsa flitet për “elemente të qarta të kapjes së shtetit, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një përzierje të fortë mes interesave publike dhe atyre private”, gjë e cila “ushqen një ndjenjë të mosndëshkimit dhe pabarazisë”. Dokumenti flet për ndërhyrje të gjera politike dhe kontroll të medieve. Shteti ligjor, te drejtat themelore dhe qeverisja e mirë konsiderohen si “një pikë kyçe referimi në bazë të së cilës vendet do të gjykohen nga BE-ja”, ndërsa vihet theksi te nevoja për reformat në sistemin gjyqësor që do të sigurojnë “funksionimin e pavarur, cilësor dhe efikas të tij”.

Ekonomia është fusha tjetër e rëndësishme ku sipas BE-së kërkohen transformime rrënjësore. “Sektorët kritik të ekonomive të rajonit janë jo-konkurruese, me shumë ndërhyrje të panevojshme politike dhe një sektor privat të pazhvilluar. Asnjë prej ekonomive të Ballkanit Perëndimor, aktualisht nuk mund të konsiderohet një ekonomi tregu funksionale dhe as të ketë kapacitetin për të përballuar trysninë konkurruese dhe forcat e tregut në Bashkimin Evropian”, vlerëson Strategjia.

Për Bashkimin Evropian ka një rëndësi të dorës parë që para ndërsa vendet e rajonit përgatiten për t’iu bashkangjitur, ato të kenë lënë pas të gjitha problemet mes tyre, përmes zgjidhjeve përfundimtare. “Ende ekzistojnë mosmarrëveshje të rëndësishme dypalëshe midis vendeve të rajonit të cilat mbeten për t’u zgjidhur. BE-ja nuk do të pranojë të importojë këto mosmarrëveshje dhe paqëndrueshmërinë që mund të sjellin”. Në dokumentin e siguruar nga Zëri i Amerikës përmendet specifikisht situata mes Serbisë dhe Kosovës. “Pa një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja, nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe normalisht e detyrueshme për normalizimin është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”.

Por, ndërsa përcakton rrugën që duhet të ndjekin vendet e rajonit, Komisioni Evropian flet dhe për një angazhim të rritur të Brukselit ndaj Ballkanit Perëndimor në mbështetje të rrugëtimit të tij të integrimit. “BE-ja duhet të mbetet e besueshme, e vendosur dhe e drejtë, duke përmirësuar politikat e saj për të mbështetur më mirë procesin e transformimit në rajon. Dhe duhet të përmbushë angazhimet e veta, ndërsa Ballkani Perëndimor i përmbushë ato, në interesin e vet strategjik të Evropës”, përcakton dokumenti.

Sipas Strategjisë së Zgjerimit, “BE duhet të forcojë politikat e saj të angazhimit kundrejt Ballkanit Perëndimor, duke u përqendruar në fusha me interes të përbashkët, siç janë drejtësia dhe çështjet e brendshme, duke përfshirë sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar, ekonominë dhe tregun e vetëm, energjinë, transportin dhe politikat digjitale, politikën sociale si dhe në çështjet e jashtme dhe të mbrojtjes. Bashkëpunimi në këto fusha – saktëson dokumenti – do të mbështetet nga pjesëmarrja më e madhe e Ballkanit Perëndimor në Këshillat joformale, si dhe në kontaktet e rregullta të nivelit Ministror. Komisioni, nga ana e tij, do të përfshijë, sipas rastit, Ballkanin Perëndimor në komitetet teknike dhe grupet punuese të Komisionit. Pas samitit të Ballkanit Perëndimor në Sofje në maj 2018, Udhëheqësit e BE-së duhet të vazhdojnë të angazhohen me homologët e tyre në Ballkanin Perëndimor”.

Komisioni Evropian flet edhe për nevojën e një mbështetje më të madhe financiare ndaj rajonit. “Politikat e brendshme të BE-së dhe programet e financimit duhet të shtrihen më tej në Ballkanin Perëndimor si dhe mbështetja që ofrohet, në këtë mënyrë ata do të përdorin më mirë pjesëmarrjen ekzistuese në këto programe dhe rrjetet e BE-së. Komisioni do të rrisë ndihmën e tij teknike për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i ndihmuar ata të përafrohen me legjislacionin e BE-së dhe për të siguruar zbatimin e saj efektiv në praktikë”. Strategjia parashikon një Plan Veprimi me masa konkrete në një seri fushash.

Dokumenti i cili pritet të paraqitet nesër nënvizon se “anëtarësimi në BE është një zgjedhje. Ajo ka nevojë për konsensus politik dhe shoqëror dhe mbështetje të zemrave dhe mendjeve të njerëzve. Nuk mund të ketë paqartësi nga udhëheqësit rreth përkatësisë së Ballkanit Perëndimor dhe drejtimit në të cilin po shkon. Kjo – thekson Strategjia e Zgjerimit – është e domosdoshme për të siguruar dhe mbështetjen e qytetarëve të tyre dhe të qytetarëve të BE-së, dhe duhet të pasqyrohet në komunikimin e liderëve dhe në kontakt me qytetarët”. (voa)

Vajzat nga Kosova që hynë në listën e Forbes “30 nën 30 vjeç”

kosovaret ne ForbesDafina Olluri dhe Blerta Thaçi janë udhëheqëse të një grupi prej 12 të rinjsh, të cilët përbëjnë organizatën joqeveritare “Open Data Kosovo”. E themeluar në vitin 2014 nga një studiues kanadez, organizata synon që përmes projekteve të ndryshme, duke shfrytëzuar teknologjinë, të rrisë llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve në Kosovë.

Një nga projektet e fundit është “Techsperience” i cili përfshin dy institucione, Odën Ekonomike të Kosovës si dhe Agjencinë e Punësimit. Dafina Olluri, thotë se krahas këtyre institucioneve, përfitues do të jenë 100 të rinj që do të trajnohen gjatë këtij projekti.

“Qëllim kryesor ka pasë që ti marrë 100 të rinjë dhe të reja, t’i trajnojë në fushën e programimit, do të thotë të ua ngrisë kapacitetin në fushën e teknologjisë. Ndërsa mënyra se si e kemi zgjedhur partneritetin me institucionet ka qenë rekomandim i GIZ-it, që kanë nevojë këto dy institucione që t’i kenë disa procese të punës të digjitalizuara. Kështu që në ekipin tonë gjatë trajnimeve ne mundohemi që së bashku me pjesëmarrësit ti krijojmë disa prototipe që ju ndihmojnë këtyre institucioneve, mandej vjen faza ku ne në zyre i bëjmë këto zgjidhje dhe i dorëzojmë te institucionet. Pra është një proces qysh një zgjidhje digjitale krijohet prej fillimit deri te dorëzimi”, thotë ajo.

Së fundmi puna e kësaj organizate u njoh edhe nga revista Forbes e cila në listën e saj “30 nën 30 vjeç” për vitin 2018, renditi edhe emrat e udhëheqëseve të organizatës “Open Data Kosovo”. Në këtë listë kanë hyrë 300 të rinjë në moshën 30 vjeçare nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët kanë shënuar suksese në fusha të ndryshme.

Blerta Thaçi, thotë se përpjekjet e tyre janë përqednruar në kategorinë “Ligj dhe politikë”.

“Është me të vërtetë një vlerësim mjaft i mirë dhe në përgjithësi i gjithë ekipi i organizatës e ka pritë mjaft mirë, në aspektin se është vlerësuar puna të cilën ne e kemi realizuar deri më tani. Mirëpo, njëkohësisht jemi ndjerë edhe më me përgjegjësi që të punojmë edhe më tutje edhe të kontribuojmë edhe më shumë në fushën e teknologjisë dhe qytetarisë aktive, i cili është edhe misioni i organizatës”, thotë Blerta.

Mosha mesatare e grupit por edhe pjesëmarrësve në trajnimet e organizatës është nën 30 vjet, ndërsa ajo çka bie në sy, thotë Dafina Olluri, është edhe interesimi i madh i gjinisë femërore në fushën e teknologjisë.

“Deri vonë ka qenë mund të them një ekskluzivitet që vetëm gjinia mashkullore mund të kyqen në fushën e teknologjisë, mirëpo fatmirësisht ne e kemi parë me projektet tona që kanë qenë shumë të involvuara edhe gratë apo gjinia femërore. Në veçanti në vitin e kaluar kanë qenë pjesëmarrëse 125 të reja nga komuna të ndryshme që janë bërë pjesë e projekteve tona. Kjo është diçka pozitive për shkak që fuqizimi i gruas edhe në këtë fushë po shihet gjithnjë e më shumë”, thotë Dafina.

Blerta Thaçi thotë se “Open Data Kosovo” do të vazhdojë punën me projekte të tjera ndërsa është një derë e hapur për të rinjtë e interesuar në këtë fushë.

“Projekti i radhës që e ka një natyrë pak më ndryshe për të cilin kemi punuar deri tash është projekti me të cilin kemi me ndërtuar platforma për të mësuar programim, të cilat do të jenë në gjuhën shqipe edhe materiali edhe platforma, në mënyrë që të rritet domeni i resurseve online që të rinjtë e Kosovës ta kenë sa më të lehtë të arrijnë t’i marrin këto njohuri që dita ditës po kërkohen më shumë edhe në tregun e Kosovës”, thotë ajo.

Ndryshe, në listën e Forbes për këtë vit, kishte edhe emra të tjerë të shqiptarëve të suksesshëm në fusha të ndryshme, siç janë këngëtaret me përmasa botërore Rita Ora dhe Dua Lipa. (voa)