Iniciativa “Jean Monne” ndihmon dialogun parlamentar në Maqedoni

ParlamentiPërfaqësuesit e partive politike parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë në Ohër kanë filluar bisedimet në kuadër të dialogut “Jean Monne”.

Dialogu “Jean Monne” është ideuar nga tre eurodeputetët Ivo Wiegel, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan. Deputetët e të gjitha grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, dhe tre nënkryetarët, diskutojnë kryesisht çështjet që lidhen me Rregulloren e Punës së Parlamentit, Kodin e Etikës dhe pavarësinë buxhetore. Këto bisedime janë të fokusuara për të arritur dakordim për realizimin e angazhimit të përbashkët për realizimin e reformave të kërkuara për integrimet euro-atlantike të Maqedonisë.Synohet që të arrihet pajtueshmëri sa më e lartë ndërmjet partive politike, që do të ndikonte pozitivisht edhe për punën e kuvendit. Takimi në kuadër të procesit “Jean Monne” mund të konsiderohet si pjesë e reformave të vendit, duke pasur parasysh se çështjet e konstituimit të Parlamentit dhe të pyetjeve të deputetëve janë pjesë e Planit 3-6-9, ndërkaq këto takime duhet të kontribuojnë në përmirësimin e dialogut dhe debatit politik.

Në dialogun që po zhvillohet në Ohër në kuadër të iniciativës “Jean Monne”, egziston pajtueshmëri mes përfaqësuesve të partive politike, thotë kryeparlamentari Talat Xhaferi, që duket i kënaqur që më në fund arriti të ulë në një vend përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Ai pret konstruktivitet në debatin rreth tekstit të kodeksit etik, me të cilin do të rregullohen marrëdhëniet morale-etike në punën e deputetëve. Kodeksi etik po ashtu ishte edhe temë hyrëse në takimin e parë të grupeve parlamentare, të cilët po diskutojnë edhe për rregulloren e Kuvendit dhe pavarësinë buxhetore.

“Ka filluar debat mjaft konstruktiv, frytdhënës në kuptimin e asaj që të gjitha partitë politike janë prezentë këtu. Për faktin që janë prezente këtu nënkupton, se ne në këtë debat do të kemi mundësi që me konsensus të arrijmë deri te konkluzionet përfundimtare për atë se çka duhet të jetë dhe si duhet të duket fillimisht teksti i Kodit Etik për funksionim dhe sjellje të deputetëve”, ka thënë Talat Xhaferri. Ai njëherësh ka paralajmëruar edhe nevojën për gjetjen e modaliteteve për pavarsinë dhe autonominë më të madhe të punës së kuvendit dhe pavarsimit të saj nga veprimet e institucioneve të tjera.

Weigel: Vetë ju vendosni për të ardhmen tuaj

Eurodeputeti Ivo Weigel ndërmjetësues në këtë dialogim të politikëpbërësve në Maqedoni bashkë me eurodeputetët Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, pohon se po bisedohet për të gjitha çështjet për të cilat mund të gjendet konsensus. Ai përkujton deputetët se kur ata flasin apo vendosin, duhet të kenë parasysh ardhmërinë e të gjithë vendt.

“Mendoj se mund të arrihet pajtim në disa çështje për të cilat nuk do të vendosim ne, nuk do të vendoset këtu, e as në qendrën “Jean Monne” në Paris, por do të vendoset në Kuvendin e Maqedonisë. Gjithsesi bëhet fjalë për ardhmërinë e Maqedonisë, pikërisht për këtë jemi këtu, u angazhuam në Marrëveshjen e Përzhinës dhe me kënaqësi të madhe mund të themi se vendi ka bërë një hap të madh para me fitimin e garancisë për hapjen e bisedimeve pa kushte për anëtarësim në BE. Kuptohet që për këtë do të vendosë Këshilli Evropian, por mund të them se jam mjaft optimist”, është shprehur Weigel.

Dialogu në Ohër është parashikuar të përmbyllet me konkludime që do të prezantohen në darkën në të cilën është paralajmëruar prania edhe e liderëve të partive politike parlamentare, kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, lideri i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela dhe atij të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Nëse realizohet, do të jetë takimi i parë i liderëve të partive, pas takimit të kryeministrit Zoran Zaev dhe Alexis Cipras në Samitin e Sofjes. Kryeminsitrat Zaev dhe Cipras në Sofje janë shprehur, se kanë arritur deri te një opcioni, i cili mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët, për t’i dhënë fund kontestit mbi emrin. Pas takimit në Sofje, Zaev ka thënë, se tani vijojnë konsultimet në të dyja vendet me faktorët politikë relevant. (dw)

Standardi i shtrembëruar i kryeministrit Zaev mbi drejtësinë për shqiptarët

“Unë nuk jam Gruevski, LSDM nuk është VMRO” – i trembur se dalngadal po i del boja, pa i’u skuqur fytyra, deklaroi kryeministri Zaev në një tubim me qytetarët në Tetovë. Dhe me këtë ua bëri të qartë shqiptarëve këndvështrimi i tij për drejtësi kur janë në pyetje shqiptarët, si i konsideron dhe si i parapëlqen ai shqiptarët.

Duke dënuar vetëm periudhën e qeverisjes së VMRO, duke mos u distancuar qartë dhe duke mos kërkuar falje për të kaluarën plot krime ndaj shqiptarëve nga ana e LSDM,  u bë bashkëpërgjegjës për këto krime.

Me kete deklaratë në veçanti, e me politikën e tij në përgjithësi, kryeministri Zaev i ofendoi shqiptarët duke i konsideruar si një popull “i trashë” që harron dajakun dhe krimet, dhe nuk kupton hilen. Z. Zaev do t’i pëlqente që shqiptarët të harrojnë faktin se LSDM është pëgjegjëse për një sërë krimesh ndaj shqiptarëve, ne qeverisjen e saj gjatë periudhes 1992 – 1998. Krime që fillojnë me ngjarjet e Bit Pazarit në vitin 1992 , kur  katër shqiptarë u vranë nga policia e 14 të tjerë mbetën me lëndime të rënda, u arrestuan dhe u torturuan rreth 250 të tjerë dhe u bastisën dhjetëra shtëpi. Krime që vijuan me “Aferën e armëve” më 1994, kur pushteti i udhëhequr nga po kjo parti pasi organizoi vet “forca paraushtarake“ me ndihmen e bashkëpunëtorëve të tij në PPD-në e atëhershme,  burgosi me qindra shqiptarë, një nga të dënuarit madje humbi jetën nga keqtrajtimet dhe rrahjet e policisë, e qindra të tjerë ikën jashtë shtetit për t’i shpëtuar keqtrajtimeve dhe burgosjeve. Kriza e sajuar me refuzimin e njohjes së Universitetit të Tetovës që solli protestat  me 1994 kur  policia, nen urdherat e LSDM në pushtet, rrahu barbarisht protestuesit që kërkonin themelimin e Universtitetit  dhe me këtë rast vrau dhe një të ri shqiptar.  Ngjarjet e Gostivarit me 1997 kur policia, nën urdhërat e LSDM, në marreveshje me PPD-në, thjesht ekzekutoi pa gjygj, mu në mes të qytetit, në pikë të ditës, tre të rrinj te paarmatosur qe protestonin pa dhunë, dhe ushtruan dhunë çnjerëzore në mbi njëmijë qytetaret shqiptare te Gostivarit, mu në qender te Gostivarit, gjatë gjthë natës pas protestave.

Edhepse kryeminstri Zaev mundohet t’i iki përgjegjësisë dhe t’a shfrytëzojë rastin e Sopotit si armë për t’a luftuar VMRO-në, e cila vërtetë i la shqiptarët e Sopotit të vazhdojnë të vuajnë dënimin me burg, edhepse kishte dijeni për pafajësinë e tyre, por skenaristët e vërtetë ishin pikërisht  “ekspertët” e Sigurimit Shtetëror nën urdhërat e  LSDM (gjatë qeverisjes së dytë 2002 – 2006) që inskenuan procesin e montuar gjyqësor për rastin e Sopotit në vitin 2003. Ishin pikërisht kuadrot Sigurimit Shtetëror që sot enden të lire nëpër institucionet e shtetit të udhëhequr nga LSDM që ushtruan tortura mesjetare mbi  deshmitarët,  për të siguruar dëshminë e rreme me të cilën dënuan shqiptarët e pafajshëm të Sopotit me 150 vite burg.

Shqiptarët e kuptojnë shumë mirë lojën e kryeministrit Zaev dhe puthadorëve shqiptarë të tij, për ta paraqitur VMRO-në si përgjegësen e vetme për krimet ndaj shqiptarëve e me këtë LSDM-në si shpëtimtare.  Por nëse përgjegjësia e VMRO në kohë shkon jo më herët se 1998, LSDM si trashëgimtare e drejteperdrejte e partisë komuniste te Maqedonise e më vonë Lidhes Socialiste të Maqedonisë, duke mos u distancuar nga kjo periudhë dhe duke mos kërkuar falje shqiptarëve për këtë periudhë të erët, mban përgjegësine për padrejtësit, terrorin dhe krimet makabre ndaj shqiptarëve që filluar menjehere mbas “çlirimit” më 1945. Nën moton e të ardhmes së ndritur socialiste për të dy popujt, u pushkatuan, u prenë kokat dhe u dogjën të gjallë jo vetëm ata që luftuan kundër hordhive komuniste sllave, por edhe vet komunistët shqiptarë, bashkëfajtorët e tyre në krimet ndaj popullit shqiptar.

Shqiptarët e dine shumë mire se, mu padrejtësia ndaj shqiptarëve e solli partinë e z. Zaev në pushtet, që shqiptarëve u solli përsëri padrejtësi. Padrejtësia ndaj shqiptarëve i siguroi partisë së z. Zaev, 50.000 vota të shqiptarëve, të cilëve BDI e kriminalizuar ua solli jetën  në maje të hundës.  Mu për këtë, z. Zaev duke ditur të kaluarën e tyre kriminale dhe me ktëtë vleren e tyre si shërbëtorë besnik, i mbajti të njëjtët në qeveri, i vetedijshëm se BDI mund t’u sjelli akoma vota shqiptarësh në të ardhmen, qoftë si vota për BDI-në në shërbim të LSDM, por edhe drejtpërdrejt për LSDM, si  vota revolte dhe dëshpërimi ndaj BDI.

I bindur që gjeti formulën e nënshtrimit të shqiptarëve, z. Zaev nuk u mjaftua me kaq, por vazhdoi që në qeverinë e tij të mbledhi akoma parti të tjera shqiptare dhe shqiptarë të krimit. Prandaj, në qeveri përfshiu edhe partinë/firmë  private të Menduh Thacit, edhepse ky kërcënoi paraardhësin e tij në LSDM me “fisin e tij”, mjafton që ishte bashkëpunëtor “besnik deri në vdekje” i Mijalkovit, e me këtë, sot edhe i vet z. Zaev..

Kryemnistri Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij parapëlqejnë shqiptarët fundamentalistë e mundësisht edhe ekstremistë islamik, kultura e vetme e të cilëve do të ishin xhamitë dhe mevludet. Ai parapëlqen shqitparët të zhveshur nga identiteti kombëtar dhe të veshur me petkun e fundamentalizmit dhe ekstremizmit islamik, për të patur më të lehtë si dhe përkrahjen e perëndimit gjatë diskriminimit dhe nënshtrimit të tyre.  Mu për këtë zgjodhi pikërisht krahun ekstremist të Lëvizjes Besa, atë të “Abisë” të Katarit, të Qendrës së Civilizimit Islam,  për t’ua dhënë Ministrinë e kulturës. Kështu,  në vend që të investigonte synimet e dyshimta për interes të vendeve të treta dhe prejardhjen e dhjetëra milionë dollarëve të dyshimta në duart e “Abisë”, që sipas mediave vijnë nga Katari dhe Truqia,  u dha edhe pjesë të pushtetit ne duart e tyre, në mënyrë që të përhapin edhe më shumë e më lehtë ndikimin e tyre tek shqiptarët përmes elementëve të tjerë destruktivë dhe të dyshimtë, fondacioneve, teqeve etj.

Pavarësisht broçkullave të kryeministrit Zaev për drejtësi për të gjithë, shqiptarët e dine shumë mire se i gjithë aparati i shtetit të cilin e udhëheq z. Zaev merr frymë dhe ushqehet me padrejtesinë ndaj shqiptarëve, ashtu siç ishte dhe në kohën e sundimit të VMRO, e edhe në kohën e sistemit monist.  Padrejtësia gjen hapsirë në vet kushtetutën e IRJM dhe regullimin unitar, të cilin kryeministri Zaev e mbron me aq ngulm.

Lufta e 2001 ishte një revoltë ndaj zullumit të trashur, si nga qeverisja e VMRO ashtu dhe nga qeverisja e LSDM, dhe ndodhi pikërisht kur paraardhësi i z. Zaev mendoi se kishte gjetur forumulën për nënshtrimin e shqiptarëve.  Deklarimet, strategjitë dhe veprimet e tij, të njëjta me ato të paraardhësve të tij kur janë në pyetje shqiptarët, na çojnë drejt përfundimit se z. Zaev nuk nxori mësim nga e kaluara, gjë që brengos më së shumti. (Afrim Fanda)

Dënohen me 35 vjet burgim të akuzuarit për tentim-sulmin ndaj ekipit të Izraelit

teroristetGjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë nëntë persona, të cilët në vitin 2016 kishin planifikuar të sulmonin përfaqësuesen në futboll të Izraelit, në Shqipëri.

Kombëtarja e Izraelit dhe ajo e Shqipërisë kishte në orar ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror në Futboll e cila u zhvillua në qytetin e Shkodrës.

Tetë prej tyre janë dënuar me burgim, kurse njëri prej tyre është dënuar me gjobë.

Visar Ibishi, është dënuar me 10 vjet burgim, Lulzim Gashi me 6 vjet,
Burim Istrefi me 3 vjet, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me nga 5 vjet, Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti me nga 1 vit e gjysmë, Leotrim Musliu me 3 vjet e gjysmë burgim dhe Besart Peci me 2500 euro.

Gjyqtari i rastit, Hamdi Ibrahimi tha se, “Ne besojmë se vendimin që e kemi shpallur, e kemi shpallur në emër të qytetarëve të Kosovës dhe plotësisht na përkrahin në këtë vendim. Pse? Sepse në këto troje ekstremizmi fetar nuk mund të zërë vend. Dhe, këto veprime që të akuzuarit kanë dashur t’i ndërmarrin, janë me qëllim që në këto troje, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovës, të shkaktohet një klimë e pasigurisë, të futet elementi i ekstremizmit dhe me vepra terroriste të destabilizohet vendi. Këto veprime për neve janë të papranueshme”.

Sipas gjykatës, disa nga të dënuarit kanë pasur lidhje me Lavdrim Muhaxherin, ish-udhëheqësit të shqiptarëve në grupin e ashtuquajtur Shteti Islamik dhe nga ai kanë marrë instruksione për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Familjarët dhe policia e Kosovës kanë thënë se Muhaxheri është vrarë në vitin 2017 nga një sulm ajror.

Gjykata ka vërtetuar se disa nga pandehurit kanë udhëtuar në qytetin e Shkodrës ku kanë fotografuar stadiumin e qytetit dhe më vonë ata planifikonin të kryenin sulme ndaj ekipit të futbollit dhe tifozëve të tyre.

Mbi 300 persona nga Kosova, kryesisht të rritur, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e të ashtuquajturit Shteti Islamik. Mbi 70 janë vrarë por shumë gra dhe fëmijë vazhdojnë të mbesin në atë zonë.

Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015 ku çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vite burgim.

Policia fillimisht ka arrestuar 19 persona, por vetëm ndaj nëntë prej tyre është ngritur aktakuzë. Të pandehurit planifikonin të përdornin eksploziv dhe armë të tipit kallashnikov.

Në bodrumin e njërit nga të pandehurit policia ka gjetur eksploziv të llojit Triaceton Triperoksid (TATP). Eksploziv i njëjtë është përdorur edhe në sulme tjera në Paris dhe Bruksel.

Policia ka thënë se të pandehurit planifikonin të kryenin sulme edhe në Kosovë ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. (rel)

Zaev do të nisë konsultimet rreth propozimit për emrin e Maqedonisë

MakedonijaKryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka paralajmëruar se do t’i mbledhë krerët e partive politike, si dhe presidentin Gjorgje Ivanov për t`iu kumtuar propozimin rreth emrit të Maqedonisë, i cili ka dalë si rezultat i bisedimeve me autoritetet e Greqisë.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë nuk ka dashur të jap më shumë detaje rreth propozimit i cili, sipas deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë të bërë të enjten në Sofje, është i pranueshëm për palën greke dhe atë maqedonase.

Nga qeveria kanë bërë të ditur se së shpejti kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev do ta informojë presidentin e Maqedonisë, Gjogje Ivanov, dhe liderët e partive politike për fazën finale të negociatave sa i përket zgjidhjes së kontestit të çështjes së emrit që po zhvillohen mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakoski, tha për Radion Evropa e Lirë se këto ditë kryeministri do të zhvillojë konsultime me të gjithë akterët relevantë politik në Maqedoni në lidhje me këtë çështje.

“Siç deklaroi edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoan Zaev gjatë fazës finale nga pala maqedonase janë prezantuar më shumë opsione si zgjidhje të mundshme dhe njëra nga to është vlerësuar se mund të jetë e pranueshme për të dyja palët”.

“Nuk do të ketë më shumë komete rreh kësaj, sepse paraprakisht për këtë do të duhet të informohet lideri i VMRO DPMNE-së (parti opozitare), presidenti i Maqedonisë si dhe liderët e partive të tjera politike, që besoj se do të ndodh shumë shpejtë”, ka bërë të ditur zëdhënësi Boshnjakoski.

Por, nga partia më e madhe maqedonase kanë drejtuar ankesa ndaj kreut të qeverisë se po vendoset për fatin e Maqedonisë pa dijeninë e opozitës.

“VMRO DPMNE nuk është në dijeni për detajet e bisedimeve që zhvillohen rreh zgjidhjes së kontestit të emrit. Qeveria e Maqedonisë deri më tani i është shmangut takimit të liderëve në një format transparent që është i nevojshëm për një çështje të këtillë kaq serioze”, thonë nga VMRO DPMNE.

Kjo parti politike ka bërë të ditur se do të iniciojë mbajtjen e një takimi në nivel të liderëve të parive politike për të kuptuar detajet rreth bisedimeve që po zhvillon Maqedonia me Greqinë për zgjidhja e kontestit të emrit.

Ndërkohë në opinion ka nxitur debat mundësia që si propozim i pranueshëm për Maqedoninë dhe Greqinë të jetë emri “Ilindenska Republika Makedonija” përkatësisht “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”.

Nga partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, zyrtarët e kësaj partie thanë për REL se “nuk do t’i komentojnë propozimet që në opinion paraqiten si spekulime”.

Edhe dy partitë e tjera më të vogla, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë theksuar se nëse ky propozim bëhet zyrtarë, atëherë organet e partisë do ta shqyrtojnë dhe më pas partitë do të dalin me qëndrim zyrtar.

Ndryshe gjatë të enjtes në kuadër të samitit në Sofje, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se bashkë me homologun e tij nga Greqia, Aleksis Tsipras, kanë ardhur deri te një opsion i pranueshëm për të dyja palët rreth kontestit për emrin e Maqedonisë por pa precizuar se cili është ai opsion. (rel)

Kosovë: Nëntë të dënuar për planifikim sulmi në një ndeshje futbolli në Shqipëri

gjykataNjë gjykatë në Prishtinë i shpalli fajtorë dhe i dënoi me heqje lirie dhe gjoba, nëntë persona, nën akuzën se në vitin 2016 kishin planifikuar të kryenin një sulm gjatë një ndeshjeje futbolli ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë.

Visar Ibishi, u dnëua me 10 vjet heqje lirie, Lulzim Gashi me 6 vjet, Burim Istrefi me 3 vjet, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me nga 5 vjet, Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti me nga 1 vit e gjysmë dhe Leotrim Musliu me 3 vjet e gjysmë, ndërsa Besart Peci u dënua me një gjobë prej 2500 eurosh.

Në vjeshtën e vitit 2016, policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë, arrestoi 19 persona nën dyshimet për lidhje me grupin militant Shteti islamik dhe planifikim sulmi në Shqipëri por edhe në Kosovë.

Policia tha se arrestimet parandaluan sulmet terroriste në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të zhvillohej në Shkodër e më pas u zhvendos në qytetin e Elbasanit.

Sipas aktakuzës, katër nga të akuzuarit “me qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit e pastaj në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik, me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste, ashtu që pasi që i njëjti përmes kontakteve të rregullta me të pandehurin V.I., me anë të internetit – aplikacionit Telegram, këtij të pandehurit i ka bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar ndeshjen futbollistike mes ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit më 12 nëntor 2016”

Në akuzë thuhet se dy të pandehur, “gjatë muajit tetor 2016, sipas kërkesës së të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes me të njëjtin, kanë planifikuar ta bëjnë sulmin terrorist – atentat në ndërkombëtarët ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë”.

Në pranverën e vitit 2017, familjarët dhe autoritetet e policisë thanë se Lavdrim Muhaxheri është vrarë në Siri.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme. (voa)

Opozita publikon identitetin e dëshmitarit kundër vëllait të ministrit të Brendshëm

87DFEF1A-2A27-48BE-BC7Albert VeliuNë Tiranë, Partia Demokratike e opozitës publikoi identitetin dhe dëshmitë e bashkëpunëtorit, që kreu audio-regjistrimin me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të brendshëm, ku pretendohet riaktivizimi i tij në veprimtari kriminale dhe trafiqe narkotikësh.

Opozita e ndërmori këtë hap pas deklaratave të qeverisë se përgjimet ishin të manipuluara dhe synonin destabilizimin e vendit.

Dëshmitari, Albert Veliu, garantoi se zëri në regjistrim është i Agron Xhafajt.

Partia demokratike e opozitës publikoi sot identitetin e një dëshmitari, që njihej me vëllain e ministrit Xhafaj, dhe që provoi riaktivizimin e tij në veprimtari kriminale.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha shfaqi në fund të një konference të tij një dëshmi nga Albert Veliu, i cili e kishte njohur Agronin vite më parë në Itali, teksa të dy punonin në trafikun e drogës, dhe se me të kishte inate pse njëri ra në burg, ndërsa tjetri u kthye në Shqipëri si biznesmen.

Veliu thotë se nuk e di se kush e ka bërë përgjimin, dhe se i kanë kërcënuar djalin pas publikimit të videos.

Dëshmitari Veliu tha në videon e publikuar në sallën e konferencave të PD-së se dikur ishte shoqërues gomonesh, ndërsa Agron Xhafaj në Itali sillte droga, që i shiste ai me shokë. Ai tha se në 2005 u burgos 7 vjet për 12 kg kokainë.

Kur doli nga burgu në gjendje të rëndë ekonomike, Alberti i kërkoi Agronit të conin hashash në Itali dhe ai e dërgoi tek persona të tjerë.

Ai e kërkoi rrugën e trafikut, por nuk e kreu dërgesën por i hyri kësaj vetëm për të demaskuar se cili është Agron Xhafaj, i cili sipas tij komandon Vlorën.

Opozita e ndërmori këtë hap pas deklaratave të qeverisë se përgjimet ishin të manipuluara. Vëllai i ministrit, Agron Xhafa u nis dje drejt Italisë për t’u dorëzuar para organeve të drejtësisë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se policia po ndjek tani bashkëpunëtorin X të audio-përgjimit, që zbuloi veprimtarinë kriminale të vëllait të ministrit, në vend që të arrestonte Agron Xhafajn e dënuar nga gjykatat italiane dhe hetonte pasuritë e tij në bazë të ligjit antimafia.

Zoti Basha tha se audiopërgjimi i vëllait të ministrit të brendshëm me një bashkëpunëtor është i vërtetë, origjinal dhe aspak i manipuluar, sic deklaroi dje kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama i cilësoi dje si një “maskaradë me synime destabilizuese” akuzat e opozitës ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me vëllanë e tij. Ndërsa sot mbrëmje, mbi deklarimet e Albert Veliut, reagoi ashpër Partia socialistë, duke akuzuar Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj Lulzim Basha si “autor, regjizor dhe aktor i video-përgjimit të montuar”. Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se “ajo çfarë ndodhi sot me paraqitjen publike të personit që pretendon se ka qënë në bashkëbisedimin e bërë publik nga PD, ndërmjet tij dhe vëllait të ministrit të Brendshëm, është tregues i shndërrimit të një partie politike në një organizatë që përdorë forma mafioze të adresimit të interesave të tyre”, Sipas zotit Balla “ky është një sulm i rrezikshëm kundër institucioneve të shtetit, prandaj Prokuroria duhet të veprojë sa më shpejt dhe me sa më shumë vendosmëri për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje”.

Gjatë ditës, Albert Veliu është shoqëruar nga Policia dhe është marrë më pas në pyetje nga Prokuroria, ndërkohë që mbetet i paqartë statusi i tij në raport me Drejtësinë. (voa)

BE-ja premton ardhmëri evropiane për Ballkanin Perëndimor

SofjeBashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, i dhanë fund takimit të lartë në Sofje me një deklaratë për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore si dhe për përmirësimin e sigurisë, luftën kundër radikalizmit dhe për migrimet.tekstiNë tekstin e deklaratës theksohet mes tjerash se Bashkimi Evropian përshëndet angazhimin e përbashkët të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për vlerat dhe parimet evropiane si dhe vizionin e një Evrope të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar që bazohet në lidhjet historike, kulturore e gjeografike dhe në interesat e përbashkët politikë, ekonomik dhe të sigurisë.

Duke rikujtuar takimin e Selanikut të vitit 2003, Bashkimi Evropian ripohon mbështetjen e tij të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe është e i vendosur të përforcojë dhe shtojë angazhimin e vet në të gjitha nivelet me qëllim për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit, duke përfshirë rritjen e ndihmës në bazë të përparimit të prekshëm në sundimin e ligjit dhe reformat socio-ekonomike të kryera nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Në deklaratë thuhet se Bashkimi Evropian mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit për t’u dhënë përparësi demokracisë dhe sundimit të ligjit, posaçërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisjes së mirë dhe respektimit të të drejtave të pakicave.

Bashkimi Evropian, thuhet mes tjerash në deklaratë, mbështet angazhimin e partnerëve të Ballkanit perëndimorë për të përforcuar më tutje marrëdhëniet fqinjësore të mira, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Kjo, thuhet në deklaratë, përfshinë në veçanti gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjeve përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës. duke siguruar përpjekje shtesë për të siguruar pajtimin mes tyre.

Deklarata, gjuha e së cilës ishte bërë pjesë debatesh të gjata brenda vendeve të Bashkimit Evropian, ishte pjesa përmbyllëse e takimit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është i pari i këtij lloji pas 15 vjetësh.

Deklarata e përbashkët bart me vete frymën e imponuar nga kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, i cili nuk mori pjesë në takimin e së enjtes për shkak të qëndrimit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës e cila nuk njihet edhe nga katër vende tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Së këndejmi deklarata përfundimtare u referohet vendeve të Ballkanit perëndimore si “partnerë”, një kompromis i pranuar edhe nga Spanja, e cila përballë problemit të Katalonjës, ka ashpërsuar gjuhën e saj kundrejt Kosovës.

Kjo bëri që në takimin e sotëm, të gjithë pjesëmarrësit të paraqiten vetëm me emrat e tyre, pa simbole dhe pa funksionet e tyre.

Vëzhguesit tërheqin vëmendjen se derisa në takimin e Selanikut 15 vjet më parë është folur për “zgjerimin” e BE-së, kësaj radhe fjala “zgjerim” është shmangur në tërësi.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se është me rëndësi përmbajtja e asaj që është diskutuar dhe jo afatet, duke nënvizuar se historikisht, gjeografikisht dhe në pikëpamje kulturore, rajoni është pjesë e Evropës.

“Nuk është synimi ynë të prishim këtë proces duke folur për gjera jorealiste siç janë rrugët e shkurtra e të shpejta apo diç të ngjashme”, tha ai duke theksuar se duhet qasje e kujdesshme.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se duhet parë me kujdes “çdo zgjerim të ri” të bllokut pa reformimin e tij të brendshëm.

Por, ndryshe nga pritja 15 vjecare pas takimit të Selanikut, Bashkimi Evropian do të mbledhë në takim të ngjashëm vendet e rajonit në vitin 2020 në Zagreb.

Zyrtarët evropian e bënë sërish të qartë se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë vend që nuk i ka të zgjidhura konfliktet dypalëshe dhe se marrëdhëniet fqinjësore i sheh si thelbësore për rajonin që ende bartë plagët e luftërave të viteve të 90-ta.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se në takim është vlerësuar angazhimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë mbase brenda këtij viti.

“Nuk është diskutuar për çështje kohore, por mendohet në periudhën gjashtë deri në nëntë muaj”, tha presidenti Thaçi, i cili është takuar shkurt gjatë dy ditëve edhe më presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Por ky i fundit nuk beson në një zgjidhje të shpejtë. “Shpresoj. Nuk jam optimist i madh por do të jap gjithçka nga vetja që kjo të ndodhë”, tha ai.

Për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Serbia duhet të zgjidhë problemet kufitare me Bosnjën dhe të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Komisioni Evropian ka propozuar që udhëheqësit e Bashkimit Evropian të hapin muajin e ardhshëm edhe formalisht bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë e cila përballet me kritika për shkallën e krimit e korrupsionit dhe Maqedoninë, kontesti i së cilës me Greqinë për emrin, ka bllokuar për një kohë të gjatë proceset e integrimeve.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, tha të enjten se një marrëveshje për emrin mund të arrihet madje para takimit të udhëheqësve të Bashkimit Evropian muajin e ardhshëm.

Përtej Ballkanit Perëndimorë, udhëheqësit e lartë evropian diskutuan edhe sfidat tjera më të cilat përballet Bashkimi Evropian. Ata thanë se janë pajtuar të vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen bërthamore me Iranin, me gjithë tërheqjen amerikane prej saj. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje me Shtetet e Bashkuara sikundër edhe çështjen e tarifave të çelikut dhe aluminit. Por, ajo mohoi mundësinë që këto çështje të diskutohen në takimin e saj të së premtes me presidentin rus Vladimir Putin. (voa)

Një studim i ri: numri i lindjeve në SHBA, më i vogli në 30 vjet

foshnjetSipas një raporti qeveritar, ritmi i lindjeve në Shtetet e Bashkuara ra gjatë vitit të kaluar për gratë e moshave 20 dhe 30 vjeçare. Ky është niveli më i ulët i lindjeve në 30 vitet e fundit.

Ekspertët thonë se në pakësimin e numrit të lindjeve mund të kenë ndikuar disa faktorë, si psh ndryshimi i qëndrimit për t’u bërë nënë dhe i rregullave të imigracionit.

Sipas raportit të bazuar tek një studim, ku u përfshinë më tepër se 99 për qind të çertifikatave të lindjes në mbarë vendin, vitin e kaluar pati 3.853 milionë lindje. Ky është numri më i vogël që nga viti 1987.

Numri i lindjeve ka rënë që nga viti 2014, por 2017-a shënoi rënien më të madhe nga një vit në tjetrin, rreth 92,000 më pak lindje se një vit më parë.

Kjo ishte një gjetje e që i ka çuditur studjuesit, pasi zakonisht lindjet shtohen kur ekonomia lulëzon. Vitin e kaluar papunësia ra ndjeshëm dhe ekonomia amerikane shënoi rritje.

Cili është shkaku?

Ekspertët thonë se ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë tek lindjet.

Një prej tyre mund të jetë ndryshimi i qëndrimit ndaj të qënit nënë në brezin e mijëvjeçarit të tanishëm, që tani janë në moshën optimale për të lindur. Studjuesit thonë se ky brez është më i prirur ta shtyjë kohën e lindjes së fëmijës, ose për të patur më pak fëmijë.

Një tjetër shkak mund të jetë ndryshimet tek popullsia e imigrantëve, që çdo vit kontribuojnë me rreth një të katërtën e lindjeve në Shtetet e Bashkuara. Për shembull, aziatikët përbëjnë numrin më të madh të imigrantëve dhe ata zakonisht lindin më pak fëmijë se sa grupet e tjera të imigrantëve.

Po ashtu, një tjetër faktor është shtimi i përdorimit të IUD-ve dhe formave të tjera të masave mbrojtëse kontraceptive që veprojnë me afat të gjatë.

Zbulime të tjera

Raporti i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po ashtu zbuloi se:

  • Ritmi i lindjeve tek gratë e moshës nga 15 deri në 44 vjeç, që njihet zakonisht si mosha e pjellorisë, ra në nivelin rekord 60 për çdo 1000 gra.
  • Gratë e moshës 40-vjeçare ishin grupi me rtimin më të madh të lindjeve në vitin 2017, duke shënuar një rritje me 2 për qind për këtë grupmoshë. Ritmi i lindjeve për këtë moshë ka ardhur duke u rritur nga fillimi i viteve 1980.
  • Numri i lindjeve me operacion cezarian u rrit paksa gjatë vitit të kaluar, pasi në vitet e fundit kishte shënuar rënie. Sipas studimeve, lindjet me operacion janë më të përhapura tek lindjet e para të nënave me moshë më të madhe.
  • Numri i foshnjeve të lindura para kohe dhe nën peshë u rrit për të tretin vit radhazi, ndoshta për të njëjtat arsye.
  • Lindjet nga vajzat adoleshente po ashtu ranë. Në vitin 2017 ato ranë me 7 për qind krahasuar me një vit më parë.
  • Ritmi i lindjeve tek gratë në të 20-ata ka rënë përsëri, duke shënuar rekordin 4 për qind më pak se një vit më parë.
  • Ndoshta ajo që është më për t’u habitur, ritmi i lindjeve tek gratë në të 30-at ra paksa: 2 për qind në mesin e grupmoshës 30-34 vjeç dhe 1 për qind për gratë 35-39 vjeçare.
  • Ritmi i lindjeve për gratë e moshës 30-vjeçare është rritur vazhdimisht, duke arritur në nivelet më të larta, për të paktën gjysëm shekulli dhe gratë në fillimet e moshës 30 vjeçare, kohët e fundit u bënë grupmosha që lind më tepër fëmijë. Në këtë grupmoshë, po ashtu rënia e numrit të lindjeve ishte më e vogël.
  • “Është vështirë të thuhet në se kemi të bëjmë me një ndryshim themelor, apo me një prirje e përkohëshme”, - thotë Hans-Peter Kohler, demograf në Universitetin e Pensilvanisë, që merret me studimin e prirjes së lindjeve.

Një brez që nuk mund të zëvendësohet

Një tjetër zbulim i rëndësishëm i studimit: brezi i tanishëm nuk do të mund ta riprodhojë veten me ritmin e tanishëm të lindjeve.

Dikur Shtetet e Bashkuara ishin në mesin e pak vendeve të zhvilluara me një ritëm fertiliteti, që kishte një numër të mjaftueshëm lindjesh për të siguruar zëvendësimin e brezave.

Ritmi aktual i lindjeve në Shtetet e Bashkuara tani është më i vogël se kufiri standart për zëvendësimin e brezave. Megjithatë, ky ritëm është më i lartë se sa në vende si Spanja, Greqia, Japonia dhe Italia, por diferenca duket se po pakësohet.

Një dekadë më parë, ritimi i lindjeve në Shtetet e Bashkuara ishte 2,1 fëmijë për një grua. Në vitin 2017, kjo shifër ra në 1,8 fëmijë për një grua, shifra më e ulët që nga viti 1978.

“Kjo është një rënie e konsiderueshme”, - tha Dr. John Santelli, profesor për popullsisë, shëndetin familjar dhe pediatrinë në Universitetin Kolumbia. (voa)

Verheugen: Pa Ballkanin bashkimi i Evropës jo i plotë

VerheugenGünter Verheugen, ish-Komisari gjerman i Zgjerimit të BE thotë se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është aktualisht ftesë për të humbur zgjedhjet në Perëndim. Por ai e quan të paplotë BE pa Ballkanin Perëndimor.

Ish-Komisari i zgjerimit të BE, Günter Verheugen nuk sheh hapësirë veprimi për një anëtarësim të shpejtë të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. “Perspektiva kohore nuk është shumë premtuese” i tha socialdemokrati gjerman të enjten radios publike SWR.

“Sot gjendja është e tillë në Bashkimin Evropian. Kur një kryeministër ka dëshirë t’i humbasë zgjedhjet, i mjafton vetëm të thotë shumë shpesh dhe qartë, dua t’i anëtarësoj shtetet e Ballkanit në Bashkimin Evropian”, tha ai. “Është një deklaratë jopopullore, për ta thënë troç.”

Verheugen tha se çuditet që përmenden tashmë data konkrete. “Ideja ishte që të bëhet…atraktive gatishmëria për reforma, për ndryshime në këto shtete, përmes perspektivës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”

U mendua se këto shtete do t’i zgjidhnin më lehtë problemet e tyre të fqinjësisë dhe se do të bashkëpunonin më paqësisht, po të jenë së bashku në BE. “Në ndërkohë ne kemi mbledhur shumë përvoja dhe me një fjali të vetme mund të thuhet, se tek të dyja palët zhgënjimi dhe pakënaqësia janë shumë, shumë të mëdha.”

Por pa shtetet e Ballkanit Perëndimor, megjithatë bashkimi i Evropës në BE nuk është i plotë, tha Verheugen. Alternativa ndaj një bashkëpunimi ndërrajonal në BE nuk është realiste: një bashkëpunim ndërrajonal i shteteve të Ballkanit Perëndimor refuzohet në rajon si një lloj ripërtëritjeje e Jugosllavisë.

Shefat e shteteve dhe të qeverive të shteteve anëtare të BE takohen këtë të enjte në Sofie me homologët e tyre nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Takimi i nivelit të lartë synon të inkurajojë Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën për reforma të mëtejshme. Në plan afatmesëm ato do të kenë shansin për t’u anëtarësuar në BE. (dw)

Spektakli i diskutueshëm elektoral i Erdoganit në Sarajevë

ErdoganPara zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale më 24 qershor Erdogani shfrytëzon çdo rast për të tërhequr zgjedhësit edhe në botën e jashtme. Të dielën ai mban fjalim në Sarajevë para mijëra turqve, që jetojnë në Europë.

Ky do të jetë prezantimi i vetëm elektoral i Erdoganit në Europë: Në asamblenë e përgjithshme të Unionit të Demokratëve Turq (UETD) në kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës, Sarajevë, të dielën (20.05) pritet të marrin pjesë rreth 20.000 turq. Kryetari i unionit, Zafer Sarıkaya, e cilëson UETD si n jë organizatë civile, anëtarët e së cilës jetojnë në 17 vende. Ndër to bëjnë pjesë edhe Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Holanda. Për shkak të afërsisë me partinë e Erdoganit AKP kjo organizatë konsiderohet si krahu i zgjatur në Europë i partisë turke në pushtet.

Me autobusë drejt Sarajevës

Zafer Sarıkaya parashikon një vërshim masiv të turqve më 20 maj: “Në Europë jetojnë rreth 5,5 milionë turq. Nëse kini parasysh këtë shifër, mund ta imagjinoni, se sa e mbushur mund të jetë salla. Unë mendoj, që shumë duhet të qendrojnë jashtë, sepse në sallë nuk do të ketë vend.”

“Turqit europianë”, sikurse i quan Sarıkaya, turqit që jetojnë në Europë, do të nisen prej shoqatave të tyre për në Bosnje. Udhëtimi me autobusë ndërkohë është organizuar. Se sa vetë do të udhëtojnë dhe nga cili vend, këtë ai nuk do ta bëjë publike. I pyetur nga DW, nëse fjalimi i Erdoganit para “turqve europianë” është një prezantim elektoral, ai përgjigjet, se “nuk do ta quante kështu.”

Votuesit turq në Gjermani janë vendimtarë

Veçanërisht turqit që jetojnë në Gjermani janë të rëndësishëm për Erdoganin: rreth 1,4 milionë syresh kanë të drejtë vote. Eshtë një numër i konsiderueshëm – në radhë të parë, sepse në zgjedhjet presidenciale secili mund të sjellë ndryshimmin e madh. Vetëm me 50% të votave plus një vote Erdogani mund të sigurojë një mandat të mëtejshëm.

Një rol veçanërisht të rëndësishëm luajtën për presidentin turk votuesit në Gjermanii edhe në referendumin për kushtetutën në prill  2017. Atëherë 63% e turqve me të drejtë vote votuan për ndryshimet kushtetuese – pra në frymën e Erdoganit. Kësisoj është krejt e kuptueshme, që synohet të tërhiqen sa më shumë vota prej turqve në Gjermani, thotë Gökay Sofuoglu, kryetar i komunitetit turk në Gjermani. Këtë e synon jo vetëm Erdogani, por edhe partitë e tjera.

Ndalim i paraqitjeve të politikanëve turq në Gjermani përpara zgjedhjeve

Pak para referendumit në prill 2017 tensionet mes turqve dhe vendeve të tjera europiane, kryesisht me Gjermaninë, arritën një pikë kulmore. Paraqitjet e politikanëve turq u ndaluan nga autoritetet lokale.

Kjo i indinjoi si politikanët turq ashtu edhe përkrahësit e tyre në Gjermani.

Debati mori fund, pasi qeveria federale në përgjithësi ua ndaloi politikanëve të huaj paraqitjet elektorale tre muaj para zgjedhjeve.

Kryetari i UETD, Zafer Sarıkaya, e kritikon këtë vendim: Ai nuk drejtohet vetëm kundër politikanëve turq. Kryetari i komunitetit turk në Gjermani, Gökay Sofuoglu, mendon ndrsyshe. Ai njeh deputetë të AKP-së, që marin pjesë në veprimtaritë politike në Gjermani. Me sa duket ndalohen vetëm veprimtaritë e mëdha me politikanë drejtues.

Zëmërim për shkak të takimit me futbollistin Özil

Pavarësisht ndalimit të prezantimeve elektorale në Gjermani, Erdogani vazhdimisht tërheq vëmendjen. Së fundi ai ia doli kësaj me një fotografi të vetme, në të cilën pozonte me lojtarët e kombëtares gjermane të futbollit Mesut Özil dhe Ilkay Gündogan.  Takimi tresh në Londër u zhvillua gjatë një vizite shtetërore të presidentit turk duke ndezur gjakrat në Gjermani – edhe të politikanëve.

Por si e vlerësojnë këtë fotografi, ata të cilëve ai në fakt do t’u drejtohet? Brenda komunitetit gjermano-turk në Gjermani mendimet janë të ndara. Kryetari i UETD, Zafer Sarıkaya, nuk e kupton këtë idninjatë. “Erdogani është një president i legjitimuar në mënyrë demokratike dhe fotografia në media paraqitet në mënyrë të njëanshme, sikur kjo të ishte diçka negative”, kritikon ai.

Gökay Sofuoglu thotë: “Do të kishte qenë më mirë, nëse futbollistët si model që mund të jenë të mos e kishin takuar Erdoganin pak para zgjedhjeve.” Por as mediet nuk duhet ta ekzagjerojnë me këtë. Sofuoglu është i sigurtë, se çdo kritikë nga ana e medieve gjermane çon ujë në mullirin e Erdoganit. (dw)