Raportuesi për Shqipërinë Frei: “Përballë ligjit duhet të jenë të gjithë njësoj”

FreiTë enjten u mblodh në Berlin grupi i punës i deputetëve të CDU/CSU, që merret me Ballkanin Perëndimor. Ai do të vendosë për çeljen e negociatave me Shqipërinë në BE. Një intervistë me raportuesin për Shqipërinë.

DW (shqip): Zoti Frei, deri tani grupi i punës i deputetëve të CDU/CSU në Bundestag nuk është shprehur qartë pro ose kundër çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë e Maqedonisë me BE. A keni marrë një vendim ndërkohë?

Frei: Ne do të flasim intensivisht, si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë në kuadër të grupit të punës së Ballkanit Perëndimor në mënyrë që së bashku me partnerët tanë socialdemokratë të pozicionohemi përballë qeverisë në prag të samitit.

Kundrejt qeverisë apo me qeverinë federale?

Ne jemi një parti qeverisëse,  prandaj e bëjmë së bashku me qeverinë. Por ligji na jep të drejtën t’i bëjmë me dije qeverisë se çfarë qëndrimi të mbajë ajo në Këshillin e Përgjithshëm të BE. Pra, është një e drejtë e deputetëve dhe këtë të drejtë duam ta zbatojmë.

Ju jeni raportuesi i Shqipërisë. Dhe fjala juaj do të ketë ndoshta më shumë peshë. Cili është mendimi juaj?

Frei: Shqipëria është për ne me shumë interes, prandaj kemi shumë kolegë që merren me Shqipërinë. Ajo që vërejmë dhe vlerësojmë ne është zhvillimi i jashtëzakonshëm i këtji vendi në këto vite. Kjo është e pamohueshme. Dihet edhe që Bashkimi Evropian në vitin 2003 është deklaruar për një perspektivë të qartë europiane për këto vende, dhe tani duhet parë se a i plotëson Shqipëria që tani kushtet për të hyrë në negociata. Krahas sukseseve kemi edhe disa çështje problematike.

Për shembull?

Unë jam marrë intensivisht me procesin e vettingut  dhe kam folur vetë edhe me anëtarë të komisionit, kur isha në Shqipëri në fillim të vitit.  Fakt është se kemi afro 800 gjykatës dhe prokurorë, ndërsa deri tani janë përmbyllur vetëm pesë rivlerësime. Natyrisht që e di se ka disa që i janë shmangur vettingut duke dhënë dorëheqjen, por ne prapëseprapë jemi në fillim të këtij procesi dhe në këtë moment nuk mund të japim një gjykim pëfundimtar për të. Ka edhe çështje të tjera, me të cilat nuk kemi filluar ende, si për shembull reforma zgjedhore. Kjo është një detyrë e vjetër, të cilën Komisioni Europian e ka adresuar qysh herët. Komisioni parlamentar i krijuar enkas për këtë punë ka hartuar një plan kohor, që na premton se do të ketë rezultate në fund të vitit. Por këto nuk mund të quhen arritje.

A mendoni ju se vettingu është metodë e përshtatshme për të garantuar pavarësinë e sistemit juridik. Nuk ekziston një rrezik që gjykatësit e rinj sërish të korruptohen?

Unë shpresoj që jo, sepse besueshmëria dhe mungesa e korrupsionit në drejtësi janë thelbësore për shtetin juridik dhe sundimin e ligjit, dhe sundimi i ligjit në anën tjetër është parakusht për përparim ekonomik. Vetëm atëherë kur investitorët e huaj mund të kenë besim se mund ta zbatojnë të drejtën e tyre, po qe nevoja, edhe para gjyqit, ata do të investojnë në Shqipëri. Prandaj, mendoj se është shumë e rëndësishme që të bëhet e qartë, se Shqipëria nuk po bën diçka për hatër të Komisionit Europian ose meqë e kërkojnë vendet e tjera nga Shqipëria, por se ajo po vendos bazat për të përmirësuar perspektivat ekonomike dhe jetësore sidomos për të rinjtë në Shqipëri.

A shikoni ndonjë rrezik që vettingu të përdoret edhe si mjet presioni ndaj gjykatësve?

Veç të tjerash duhet thënë se para ligjit të gjithë duhet të trajtohen njësoj.  Kjo vlen si për gjykatës të lartë, ashtu edhe për gjykatës të thjeshtë. Dhe vlen edhe për të gjithë të tjerët. Po kujtoj këtu rastin e ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahirit, për shembull, ku mazhoranca në parlament në fillim e refuzoi heqjen e plotë të imunitetit. Tani ndërkohë kemi një situatë të re, mbas dorëzimit të mandatit dhe arrestit shtëpiak të shtunën e kaluar, por gjithsesi duhet thënë se ministrat dhe deputetët nuk duhen trajtuar ndryshe nga shtetasit e tjerë.

Mendoni se Tahiri dha dorëheqjen pas presionit të ardhur nga Gjermania?

Nuk e di. Ky është një vendim që është marrë në Shqipëri, para së gjithash një vendim i tij personal, të paktën kështu e lexoj në shtypin shqiptar. Ne vetëm se e kemi bërë të qartë se do ta shohim me shumë vëmendje, nëse ish-ministri i brendshëm po trajtohet ndryshe nga ç’do të trajtoheshin të tjerët, në raste të ngjashme.

Tani kemi një rast tjetër me vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt. A keni ndonjë informacion për këtë?

Nuk kam një mendim përfundimtar për këtë. Është e qartë që njerëzit nuk mund të dënohen për faj të një anëtari të familjes, por çdo individ duhet parë më vete. Prandaj edhe sjellja e ministrit të Brendshëm duhet vëzhguar dhe nuk mund të them asgjë. Por ne po e vëzhgojmë me vëmendje edhe rastin e tij.

Thuhet shpesh se e ka Shqipëria në dorë çelësin për në BE.  Por a nuk varet anëtarësimi edhe nga gjendja e brendshme në BE.? Pra në fund të ditës çelësi është në Berlin ose Paris?

Është e vërtetë që në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian ka pozicione të ndryshme dhe se Franca i jep përparësi aspektit të thellimit të BE, e pastaj zgjerimit. Unë mund të them se ky nuk është pozicioni im. Jam i bindur se Shqipëria ka një perspektivë europiane, e cila varet vetëm nga përparimet e saj. Janë pesë prioritet kyçe dhe shtatë pritshmëritë që kemi prezantuar ne si Grup Parlamentar i Bashkimit Kristdemokrat e Kristsocial në vitin 2016 në Shqipëri, ato që do të përcaktojnë nëse Shqipëria mund të hyjë në BE.

Jemi në prag të zgjedhjeve paralamentare të Bavarisë. A mendoni se ky fakt do të ndikojë mbi vendimin tuaj?

Për mendimin tim, jo.

Samiti i Sofjes: BE kundër politikës tregtare të Trumpit dhe Ballkani

Merkel MacronNë konfliktin për doganat ndëshkuese që kërcënon të vendosë Trump për importet europiane, BE nuk dorëzohet: Nuk negociojmë nën kërcënime. Në Sofje Ballkanit i pritet hovi.

Presidenti francez, Emmanuel Macron bëri të qartë në samitin e BE-së në Sofje, se doganat ndëshkuese “duhet të bien pa limit dhe pa kushte”. “Këtu kemi një qëndrim të përbashkët”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel. “Ne duam përjashtim pa afat.” Merkel bëri edhe një ofertë. Pas kësaj jemi të gatshëm që të negociojmë me qeverinë amerikane se si mund të reduktojmë barrierat e dyanshme në tregtinë transatlantike, tha ajo.

Trump u ka ofruar europianëve edhe një shtyrje në afatin për vendosjen e doganave deri më 1 Qershor.

“Këtë nuk do ta pranojë BE”

Ndërsa kancelari austriak, Sebastian Kurz deklaroi se “ajo që po përjetojmë për momentin është nga njëra anë një politikë amerikane e paparashikueshme dhe nga ana tjetër një politikë amerikane që thjesht e qartë…po rrezikon interesat tona ekonomike në Europë.” Këtë BE nuk do ta pranojë. Jetojmë në shekullin e 21-të dhe nuk kemi interes për barriera tregtare.

Po në të njëjtin gjuhë u shpreh edhe kreu i qeverisë belge, Charles Michel. BE do t’i dalë përballë me respekt, por edhe me vendosmëri Trumpit. Trump dhe qeveria e tij kanë marrë vendime unilaterale kundër interesave të Bashkimit Europian, tha ai. Qeveritë europiane kështu po hapin rrugën për Komisionin Europian për të pasur një pozicion të qartë në konfliktin me Donald Trump.

2025 datë ambicioze anëtarësimi për Ballkanin Perëndimor

Temë qendrore në samitin e BE-së në Sofje është Ballkani Perëndimor. Komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn u shpreh i rezervuar. 2025 është një “datë ambicioze” tha Hahn në Sofje. “Parimisht nga këndvështrimi i sotëm është e mundshme për një vend ose një tjetër anëtarësimi.” Por për këtë vendet e Ballkanit duhet të bjën detyrat e tyre.

Komisioni Europian i dha në shkurt shpresë Serbisë dhe Malit të zi për anëtarësim të mundshëm deri në vitin 2025. Por me këtë datë BE mori kritika të forta nga qeveritë e vendeve anëtare. Në asnjë vend të BE nuk ka për momentin mbështetje të madhe për zgjerimin e BE-së.

la/(dpa,afp,rtr)

Ekonomia turke – Bomba me sahat e Erdoganit

erdoganPresidenti turk, Erdogan shigjeton tregjet financiare, agjencitë e vlerësimit dhe Bankën Qendrore të vendit. Fushatë zgjedhore apo po i mbaron benzina motorit të ekonomisë turke?

Gati një muaj para gjedhjeve, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ndodhet nën presion, jo vetëm për shkak të gjendjes ekonomike. Erdogan vërtet mund të krenohet me një rritje ekonomike prej 7,4% në vitin e kaluar, por shumë ekonomistë shprehin dyshim, nëse shifrat reflektojnë gjendjen e vërtetë të ekonomisë turke.

Sepse edhe nëse u besohet shifrave zyrtare, problemet janë të pamohueshme. Papunësia është e lartë, sidomos tek të rinjtë. “Një pjesë e rëndësishme e rritjes ekonomike bazohet në konsumin e brendshëm”, thotë Erdal Yalcin, profesor për marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare në Shkollën e Lartë të Kontancës (HTWG). Këtu bëjnë pjesë projekte ndërtimi të shtetit, si edhe shpenzimet e firmave dhe ekonomive shtëpiake, të gjitha të financuara me kredi.

Si pasojë lira turke ka rënë në vlerë. Një problem serioz për një vend që importon më shumë se sa eksporton. Përqindja e inflacionit kap rreth 11%. Banka Qendrore duhej ta rriste normën e interesit me qëllim që t’i dilte para rënies së valutës. “Turqia ka nevojë për kapital të huaj me qëllim që të mbajë në këmbë rritjen ekonomike të bazuar në konsum”, thotë Yalcin. “Por besimi i investitorëve është duke rënë. Kjo është bombë me sahat.”

“Nëna e të gjitha këqijave”

Sepse Banka Qendrore jo vetëm heziton për rritjen e normës së interesit. Presidenti Erdogan i bën presion shtesë mbikqyrësve të valutës që të ulin normën e interesit. Norma e lartë të interesit është “nëna e të gjitha këqjave”, tha ai të premten e kaluar. Në Bloomberg TV Erdogan këtë javë e përforcoi qëndrimin e tij. Nëse zgjidhet president ai do ta kontrollojë më fort Bankën Qendrore.

Tek një pjesë e votuesve presidenti prek nervin e duhur, sepse sigurisht firmat dhe familjet janë kundër rritjes së normës së interesit. Por jashtë vendit, Erdogan dërgon një sinjal jo të mirë. Lira turke ra sërish, gjë që sjell shumë probleme për koncernet e vendit. Ato janë në kredi në valutë të huaj. Rënia e kursit të lirës i shtrenjton edhe njëherë këto kredi, disa koncerne kjo madje i sjell në prag të falimentimit.

Aftësia kredituese

Edhe renditet e obligacioneve shtetërore janë rritur. Kjo do të thotë që investitorët nuk janë më të gatshëm t’i ofrojnë vendit para në kushtet e tanishme. Agjencia e vlerësimit në SHBA i dha Turqisë në maj notën “BB” për afësinë kredituese. Moody’s e zbriti Turqinë në mars në vlerësimet e saj.

Presidenti reagon, si shpesh me një goditje të shumanshme për të fituar pikë politike. “Spekulantët e devizave, lobi i normave të interesit dhe armiqtë e Turqisë nën mantelin e agjencive të vlerësimit nuk janë puna jonë”, u shpreh ai para përfaqësuesve nga ekonomia.

Largim i kapitalit?

Fjalë të forta të Erdoganit pa marrë parasysh pasojat. “Këtë herë mund vërtet të plasë keq”, thotë profesori Erdal Yalcin. “Nëse lira turke vazhdon të bjerë, kjo mund të çojë në të ashtuquajturën Fire Sale- shitje në nevojë- dhe ku kapitali i huaj largohet nga vendi brenda pak ditësh.”

E këtë Erdogani nuk mund ta ndalë dot as me kontrollin e kapitalit, thotë Yalcin. E vërteta ekonomike është që Turqia ndodhet para kohësh të vështira. “Do të kemi falimentime të familjeve dhe sipërmarrjeve, sepse politika e bazuar në borxhe nuk mund të funksionojë për një kohë të gjatë.”

Por pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale mbetet pyetja se si mund të përmirësohet gjendja. “Problemi kryesor është pasiguria”, thotë Yalcin. Investitorët po tremben gjithnjë e më shumë, edhe për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me BE. Ata pyesin se ç’drejtim do të marrë Turqia nën një president gjithnjë e më autokrat. “Synoj anëtarësimin e plotë në BE”, ka thënë Erdogan në mars. Por BE reagoi ftohtë. “Turqia është larguar me hapa të mëdha nga BE”, thuhet në raportin e progresit të Komisionit Europian në prill 2017. (dw)

Samiti i Sofjes: “Kosova dhe Serbia nuk do të fitojnë 100%”

Sofje samitiNë Sofje të Bullgarisë zhvillohet sot samiti BE-Ballkani Perëndimor. Pritet që BE t’i japë një shtytje proceseve integruese, por samitin e ka komplikuar refuzimi i Spanjës që të ulet në një tavolinë me krerët e Kosovës.

Kosova po prezantohet në këtë samit nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe minsitri i Jashtëm Behgjet Pacolli, ndërsa delegacionin e Shqipërisë e prin kryeministri Edi Rama. Vëmendjen kryesore megjithatë e ka zgjuar raporti mes Kosovës dhe Serbisë si dhe refuzimi i kryeministrit të Spanjës Rajoy, që të ulet në një tavolinë me krerët e Kosovës. Presidenti Hashim Thaçi është takuar dje në Sofje me ndërmjetësimin e përfaqësueses së BE, Federica Mogherini me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Insistimet për marrëveshje të shpejtë

Autoritetet ndërkombëtare evropiane por edhe amerikane kanë intensifikuar kohët e fundit angazhimet për një marrëveshje të shpejtë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Vuçiq dhe ai Thaçi flasin se marrëveshja përfundimtare do të jetë e “dhimbshme për të dyja palët”, pra për Kosovën dhe Serbinë, por asnjëri prej tyre ende nuk e ka konfirmuar se cilat janë kërkesat konkrete të autoriteteve ndërkombëtare dhe cilat janë ato elemente të dhimbshme me të cilat do të përballen palët.

Presidenti Thaçi tha se Kosova do të paraqitet në këtë samit e barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse. Por për shkak të Kosovës do të përdoret modeli Gimnih, sipas të cilit pjesëmarrësit nuk do të kenë simbole të shtetit. Kështu të paktën kanë paralajmëruar organizatorët, pra Bullgaria si kryesuese e radhës e KE, por edhe autoritetet e tjera, të cilat kanë përgatitur draftin e deklaratës përfundinmtare. Në këtë deklaratë thuhet se të gjitha 28 vendet e tanishme të BE, pra edhe Britania e Madhe, e mbështesin perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por mësohet se në dokument evitohet të përmendet anëtarësimi i këtyre vendeve në BE apo zgjerimi i BE-së. Thuhet se vendet duhet të ndërlidhen më shumë mes vete përmes investimeve në infrastrukturë, të forcohet bashkëpunimi rajonal, të shtohen shkëmbimet në sektorin e arsimit, kulturës dhe që ato së bashku të tejkalojnë të gjtiha sfidat e përbashkëta – siç janë siguria dhe migracioni. Dokumenti përfundimtar ku flitet për ndërlidhje dhe partneritet duhet të miratohet në fund të samitit. Merret vesh se edhe Spanja do të mbështetë dokumentin, ndonëse nuk do të ketë përfaqësuesit e saj në takim.

Falënderimet për Borisovin   

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka falënderuar jo vetëm autoritetet evropiane por edhe kryeministrin e Bullgarisë Boiko Borisov për përkushtimin e tij që Kosova të marrë pjesë në këtë samit, njëjtë sikur shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. “Me këtë pjesëmarrje Kosova e fuqizon subjektivitetin e vet evropian”, thotë Thaçi. Refuzimin e pjesëmarrjes së Spanjës në samit, ai e sheh si pasojë të çështjeve të brendshme të pazgjidhura në këtë vend. Ndërsa sa i përket raporteve me Serbinë ai tha se pret që këto të zgjidhen brenda “nëntë muajve, kur mund të arrihet një marrëveshje historike”. Por ky moment kërkon, sipas tij, një mobilizim të të gjitha forcave politike për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për Kosovën. Problemi më i madh që ka Kosova është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn dhe autoritetet evropiane thonë se statuti për Asociacionin duhet të jetë i gatshëm katër muaj pas krijimit të komisionit punues, pra deri në korrik.

Sebia nuk është e kërcënuar

Presidenti i Serbisë tha se vendi i tij është nën presion, por askush nuk mund ta cënojë ate. “Askush nuk po e kërcënon Serbinë e as mua. Ka pasur presion ndaj Serbisë për pesë vite tani, sepse Perëndimi po e dëshiron pavarësinë e Kosovës. Ne nuk e duam. A na obligon kjo? Jo. A është pozita jonë e lehtë? Jo. Nëse do të pranoja diçka që do t’i përshtatej opinionit serb, do të dilja para popullit, por kam pranuar vetëm shenja”, tha Vuçiq.

“Ne e kemi një plan të caktuar, por nuk jam i kënaqur me detaje të caktuara. Jemi në kërkim të një zgjidhjeje kompromisi që kërkon marrjen në konsideratë të interesave të serbëve në Kosovë, por edhe të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.

Vazhdimi i dialogut

Në takmin e mbajtur me ndërmjetësimin e Mogherinit, presidentët Thaçi dhe Vuçiq kanë rënë dakord që të vazhdojnë dialogun, të cilin kërkojnë shtetet e BE por edhe SHBA. Ky dialog po futet në fazën përfundimtare, kur palët duhet të nënshkruajnë edhe një marrëveshje të obligueshme juridike, për normalizimin e raporteve. Presidenti i Serbisë Vuçiq ka përsëritur shumë herë kohët e fundit se Sebia nuk mund të jetë humbësi i vetëm i këtij dialogu dhe se ai do të insistojë në mbrojtjen e interesave të shtetit të tij. Ndërkohë që edhe Thaçi tha se “procesi nuk do të jetë i lehtë për Kosovën por as për Serbinë” dhe se “nuk do të ketë fitore 100% për askënd”.

Samiti në Sofje do të fillojë me një fotografim të përbashkët dhe do të përfundojë me prezantimin e rezultateve të takimit. Pjesëmarrësit shpresojnë se BE do t’ia hapë rrugën BE për anëtarësim dhe do të mbështetë iniciativat rajonale. Në kornizat e samitit janë mbajtur dhe po mbahen edhe takime të tjera të rëndësishme bilaterale. (dw)

Athina: Kushtet tona janë të qarta për emrin e vendit fqinj

hellas-fyrom-flagsQeveria greke tre ditë para takimit të kryeministrave të Greqisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev në Sofje, për shkak të disa botimeve në shtyp, thekson se kushtet që ka vendosur janë të pandryshueshëm.

Konkretisht, qeveria përsërit kushtet që ekzistojnë për arritjen e marrëveshjes: një emër i përbërë «për të gjithë përdorimet», që të jetë në fuqi, duhet të ketë ndryshim të emrit kushtetues.

Në deklaratat e tij në Shkup, kryeministri i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Zoran Zaev theksoi se data 17 Maj nuk është dita për vendimin kritik dhe përfundimtar, por do të bëhet një përmbledhje e rezultateve deri më tani dhe do t’u jepen udhëzime ministrave të Jashtëm të të dy vendeve.

Sipas informacioneve të televizionit publik ERT, duket se zoti Zaev pranon përdorimin erga omnes të emrit të ri dhe ndryshimin kushtetues.

Nëse do të ketë marrëveshje në javët e ardhshme, mund që me kushte dhe me emrin e ri, të caktohet data e fillimit të negociatave për anëtarësimin e vendit fqinj në BE. (ert)

Në Sofje takohen Tsipras – Zaev

Tsipras-ZaevI dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithdhëm të OKB-së, Matthew Nimetz deklaroi për përfaqësuesit e shtypit, se takimi midis kryeministrit grek Aleksis Tsipras dhe kryeministrit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë Zoran Zaev do të mbahet më 17 Maj në Sofje të Bullgarisë.

Takimi i dy kryeministrave do të mbahet në kuadrin e takimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pritet të diskutojë dhe për çështjen e emrit të vendit fqinj.

Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Níkos Kotziás dhe Nikola Dimitrov, në prani të z.Nimetz u takuan javën e kaluar në Soúnio, ku u zhvillua takimi i ministrave të Jashtëm të tetë vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit.

Kreu i diplomacisë greke theksoi se rruga për anëtarësimin e Shkupit në BE do të hapet «në momentin, kur të kemi arritur një marrëveshje dhe kjo të jetë ratifikuar në mënyrë ligjore».

Nga ana e tij, z.Dimitrov tha se «nuk do të heqim dorë nga përpjekja, për shkak se jemi fqinjë dhe sa më shpejt të jetë e mundur të arrijmë në një zgjidhje, aq më mirë». (ert)

Nesër, takimi BE- Ballkani Perëndimor

TuskZyrtarët e lartë të mbi 30 vendeve evropiane, mblidhen të enjten në Sofje të Bullgarisë në takimin e lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi që është i pari i këtij lloji pas 15 vjetësh, synon të rikonfirmojë ardhmërinë evropiane të vendeve të rajonit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se takimi i së enjtes është një mundësi për të dyja palët.

“Për të ritheksuar se ardhmëria evropiane mbetet zgjedhje gjeostrategjike e Ballkanit. Ne duam të demonstrojmë se na intereson për zhvillimin social ekonomik të rajonit. Investimi në lidhjet infrastrukturore dhe njerëzore me dhe brenda Ballkanit Perëndimorë, është në interesin më të mirë të Bashkimit Evropian… Shpresojmë t’i sjellim më afër miqtë tanë nga Ballkani Perëndimor”, tha zoti Tusk.

Takimi i së enjtes shihet si një rikthim i vëmendjes së Bashkimit Evropian drejt Ballkanit pas një periudhe të gjatë, por ai nuk pritet të jetë më konkret nga ç’kishte qenë takimi i Selanikut 15 vjet më parë.

Zyrtarët evropian pritet të ritheksojnë qëndrimin se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë vend që nuk i ka të zgjidhura konfliktet dypalëshe, duke vënë theksin tek normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhja e kontestit rreth emrit të Maqedonisë.

Udhëheqësit e lartë evropian do të trajtojnë këtu në Sofje sonte dhe nesër edhe sfidat tjera më të cilat përballet Bashkimi Evropian. Zoti Tusk tha sot se të gjitha diskutimet e sontme dhe të nesërme kanë edhe dimensionin e tyre global.

“Për të qenë subjekt dhe jo objekt i politikës globale, Evropa duhet të jetë e bashkuar ekonomikisht, politikisht dhe po ashtu ushtarakisht si kurrë më parë”, tha ai duke nënvizuar se përveç sfidave tradicionale politike, siç janë ndikimi i Kinës dhe qasja agresive e Rusisë, tash Evropa po përballet me dukurinë e re që ai e quajti qasje tekanjoze të administratës amerikane.

“Duke parë vendimet e fundit të presidentit Trump, dikush do të thoshte, me miq të tillë, kujt i duhen armiqtë”, tha zoti Tusk duke kritikuar vendimin presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore më Iranin por edhe vendosjen e tarifave shtesë mbi importet e aluminit dhe çelikut, në emër të sigurisë kombëtare. (voa)

Maqedoni: Zgjerimi i Qeverisë nuk i siguron asaj dy të tretat në Kuvend

ZaevNjohësit e çështjeve politike në Maqedoni konsiderojnë se zgjerimi i koalicionit qevrisës mundëson komoditet për shumicën palamentare, e cila ishte e brishtë pas largimit të Aleancës për Shqiptarët. Megjithatë, nënvizojnë se numrat janë larg përpjekjeve e të kryeministrit Zoran Zaev për të siguruar një përkrahje më të gjerë parlamentare, për t’i dhënë vizë ndonjë marrëveshjeje eventuale që do të mund të arrihej me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Ky rikonstruim i Qeverisë nuk ka asnjë ‘isharet’ të rikonstruimit, po thjeshtë qëllimi është vetëm të rritet numri i deputetëve që do të mbështesin atë. Zoran Zaev si kryeministër është i vetëdijshëm se nuk mund të sigurojë dy të tretat e votave (në Kuvend). Ai në këto rrethana synon vetëm ta stabilizojë Qeverinë e tij dhe ta bëjë Parlamentin më funksional sepse mazhornaca duket qartë se është e lëkundshme”.

“Pjesëmarrësit e rinj, përkatësisht partitë politike që tani bëhen pjesë e Qeverisë, nuk hyjnë në Qeveri me platformë politike apo kërkesa konkrete politike, por hyjnë në Qeveri që të jenë pjesë e saj dhe të përfitojnë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Alajdin Demiri ish-diplomat.

Ndërkaq, politikollogu maqedonas Nikolla Dujovski për Radion Evropa e Lirë vlerëson se kryeminstri i Maqedonisë, Zoran Zaev me zgjerimin e koalicionit qeverisës do të sigurojë vetëm komoditet në qeverisje dhe asgjë më shumë.

“Zaevi synon të stabilizojë Qeverinë, përkatësisht shumicën parlamentare me disa deputetë plus, megjithatë më duhet të theksoj se nuk jam i sigurt se ky veprim i tij si kryeministër ndërlidhet me rrugëtimin e vendit drejtë zgjidhjes së kontestit të emrit”.

“Ndoshta do të dukem cinik, por sigurisht se në procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit nuk mund të jetë pjesë Amdi Bajrami apo Menduh Thaçi”, thotë Dujovski.

Ndërkaq, Alajdin Demiri ish-diplomat konsideron se krahas sigurimit të stabilitetit të shumicës parlamentare me zgjerimin e paralajmëruar të Qeverisë, kryeministri Zoran Zaev zhvillon bisedime me liderin e opozitës maqedonase, Hristian Mickoski për arritjen e një konsensusi për çështjen e emrit.

“Kontesti i emrit kërkon një konsensus më të gjerë, që realisht ka mundësi të ndodhë, por në nivele të tjera. Nuk është Parlamenti dhe kjo mazhorancë që mund ta sigurojë atë. Mendoj se negociatat me VMRO-DPMNE-në për rirreshtim, sa i përket ndryshimit të emrit kanë filluar dhe ata do të realizohen në një nivel tjetër”, thotë Demiri.

Analistët politikë kanë komentuar edhe reagimet e opinionit në rrjetet sociale, të cilët kanë thënë se vendimi i kryeministrit Zoran Zaev është jomoral për të futur në Qeveri Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) të Menduh Thaçit dhe partinë e komunitetit rom të Amdi Bajramit.

Qytetarët kanë kritikuar këtë vendim, pasi ndaj Menduh Thaçit, Prokuroria Speciale ka inicuar proces gjyqësor për parregullësi zgjedhore, ndërkaq Amdi Bajrami ka qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe shpesh ka kritikuar Zaevin.

Por, analistët thonë se vendimi i Zaevit është pragmatik dhe ka për qëllim që t’i jepet shtytje proceseve reformuese.

“Në këtë moment, shumica palamentare është shumë e ngushtë dhe kryeministri Zoan Zaev nuk ka shumë hapësirë për manovrim. Zgjedhjet në dhjetor të vitit 2016, kur VMRO-DPMNE ishte shumë e fuqishme si parti, kanë lënë pasoja afatgjate”, shprehet Dujovski.

Ndryshe, koalicioni qeverisës, siç ka informuar Zaev, deri në fund të kësaj jave pritet të zgjerohet. Dy partitë politike shqiptare, Lëvizja Besa që drejtohet Afrim Gashi dhe që ka tre deputetë, dy deputetë të PDSH-së, si dhe një deputet i Partisë Rome, do të bëhen pjesë e Qeverisë së Maqedonisë.

Me këtë zgjerim, shumica parlamentare do të ketë 67 ulëse në Parlament, nga 120 sa janë në Kuvendin e Maqedonisë. (rel)

Kalifornia orientohet drejt energjisë diellore

panelet dielloreKalifornia është tashmë shteti i parë amerikan që ka vendosur kriterin e paneleve diellore për shtëpitë e reja që do të ndërtohen nga viti 2020. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, njofton se shteti i Kalifornisë është në krye të përpjekjeve për zvogëlimin e gazit të karbonit që çlirohet në atmosferë, ndërkohë që Uashingtoni ka objektiva më pak ambicioze.

Ndërsa Presidenti Donald Trump dhe zyrtarët amerikanë të mjedisit po zbusin rregullat për ndotjen, Kalifornia po lëviz drejt energjisë diellore. 40% e të gjithë paneleve diellore në SHBA, gjenden që tani në këtë shtet, ku kompanitë e shërbimeve komunale po promovojnë panelet diellore.

“Mbi një çerek milionë klientë, banorë dhe biznese, kanë instaluar tashmë panele diellore në pronat e tyre. Po e rrisim këtë numër me rreth 4 – 5 mijë lidhje të reja në muaj”, thotë Jill Anderson, e kompanisë “South California Edison”.

Mandati i ri legjislativ do ta bëjë energjinë diellore pothuajse universale, ndërkohë që edhe burimet e energjisë së pastër po bëhen më të lira.

“Po zbulojmë se tashmë energjia diellore dhe ajo nga era janë shpesh variantet më të lira. Arizona organizoi një tender ofertash, dhe energjia diellore iu ofrua me një çmim nën 2 cent për kilowat/orë. Konkurenti më i afërt ishte qymyrguri, por me një çmim mbi dyfish”, thotë Daniel Kammen, i Universitetit të Kalifornisë.

Por, kritikët ankohen se detyrimi për vendosjen e paneleve diellore do të rrisë kostot e ndërtimit me rreth 10 mijë dollarë për shtëpi.

Një ekspert i energjisë diellore thotë se megjithatë është me leverdi për ata që do të blejnë shtëpinë.

“Nëse nuk vendosen panelet, ndoshta mund të kursehet diçka gjatë ndërtimit. Por, nuk do të ishte veprim i mençur nga pikëpamja financiare dhe shoqërore”, thotë Peter Saeta, i Kolegjit “Harvey Mudd”.

Zoti Saeta thotë se energjia diellore nuk ndot ajrin dhe se pronarët e shtëpive do ta rifitojnë investimin e tyre nëpërmjet kursimeve të mëdha në energji.

Zyrtarët e shtetit të Kalifornisë kanë premtuar të ulin me 40% nivelin e ndotjes, deri në vitin 2030. (voa)

Debati për nenin e ekstradimit, reagon BE

BENë Shqipëri, Delegacioni i Bashkimit Europian reagoi lidhur me debatin e hapur mbi ndryshimin e nenit për ekstradimet në Kodin e Procedurës Penale. Duke ju përgjigjur interesimit të “Zërit të Amerikës” për këtë çështje, duke qenë se i gjithë procesi i Reformës në Drejtësi dhe paketa e ligjeve shoqëruese u asistua ngushtësisht dhe nga misioni europian Euralius, Delegacioni i BE-së sqaroi se “ka patur variante të ndryshme rreth Nenit 491 (f) të Kodit të Procedurës Penale, që janë diskutuar nga Grupi i Punës për Rishikimin e Kodit të Procedurës Penale – pjesë e të cilit ka qenë edhe Euralius – deri në miratimin e ndryshimeve të Kodit më 30 mars 2017. Thelbi i varianteve të ndryshme mbeti i pandryshuar gjatë gjithë diskutimeve, përfshirë dhe variantin përfundimtar të miratuar të Nenit 491 (f) të Kodit”.

Kjo çështje u hap nga Partia Demokratike, si pjesë e akuzave që ajo ka ngritur ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me të vëllanë e tij të arrestuar në Itali në vitin 2002 e më pas të dënuar në 2012-ën me 7 vjet e dy muaj burgim për pjesmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës. Sipas opozitës, në cilësinë e kryetarit të Komisionit parlamentar të ligjeve, zoti Xhafaj ka ndërhyrë duke bërë një ndryshim që sipas opozitës mbron direkt të vëllanë e tij, gjë e cila është hedhur poshtë nga socialistët. Pika që është shtuar në nenin për ekstradimet, dhe që është aktualisht në fuqi, parashikon se ekstradimi nuk mund të kryhet “kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”. Sipas opozitës një formulim i tillë “pamundëson ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit, si dhe pamundëson njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëj asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge”.

Në shpjegimin dhënë “Zërit të Amerikës”, Delegacioni i BE-së shprehet se “Neni 491 (f) i miratuar i Kodit, garanton se personi i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë ka mundësinë që të ketë një rishqyrtim të çështjes në prani të tij/saj përpara Gjykatës. Kjo masë është në përputhje me Standartet europiane të përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Ekstradimin dhe Vendimi kuadër i BE-së për Urdhër-arrestin europian. Kodi garanton se Shqipëria mund të ekzekutojë një vendim penal të huaj edhe nëse ekstradimi nuk është i mundur për arsyet e përcaktuara në Nenin 491 (f) të Kodit.” Delegacioni i BE-së shton se “Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu Konventën Europiane mbi Transferimin e Procedimit të Çështjeve Penale, një tjetër alternativë për ekstradimin, për rastet kur zbatohet Neni 491 (f) i Kodit”, përfundon shpjegimi i Delegacionit të BE-së dhënë “Zërit të Amerikës”.

Demokratët e kanë bërë një sërë akuzash ndaj ministrit Xhafaj, lidhur më të vëllanë, që nga fakti që pavarësisht dënimit në Itali ai nuk ka vuajtur asnjë ditë nga ky dënim, te mbrojtja që sipas opozitës ministri i ka bërë atij në shkelje të ligjit, apo mos zbatimi nga ana e policisë së Ligjit Antimafia. Dy ditë më parë, demokratët publikuan rregjistrimin audio të një bisede që sipas tyre është zhvilluar mes vëllait të ministrit dhe një ish të dënuari për trafik droge, e që sipas Partisë demokratike tregon se ai vazhdon të jetë i përfshirë në aktivitete të paligjshme. Por mbrëmjen e së martës, vëllai i ministrit bëri kallzim penal ndaj përfaqësuesve demokratë, pasi sipas tij bëhet fjalë për një “material të rremë, të konsumuar nëpërmjet sajesës dhe manipulimit të provave”. Nga ana e saj, Prokuroria kërkoi dje nga Partia demokratike që të marrë regjistrimin audio të publikuar prej saj.

Kryetari demokrat Lulzim Basha, kërkoi të mërkurën, “në emër opozitës, largimin e menjëhershëm të Fatmir Xhafajt nga detyra e Ministrit të Brendshëm”. Ajo ka paralajmëruar zhvillimin sot të një proteste përpara ministrisë së Brendshme, ndërsa të enjten në parlament, ka vendosur të mos lejojë diksutimin e asnjë çështjeje tjetër.

Po sot gjatë ditës pritet që për këtë çështje, të shprehet, siç e ka njoftuar vetë përmes një postimi në Facebook, edhe kryeministri Edi Rama, në një fjalë që do të mbajë përpara grupt parlamentar të partisë socialiste. (voa)