Maqedoni: Takim i partive politike për referendumin

partite maqedonePyetja e referendumit të ardhshëm mund të jetë: A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev pas takimit me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë është shprehur lidhur me referendumin e ardhshëm. Ai ka thënë, se pyetja e referendumit mund të jetë: A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?

Vullneti i qytetarëve vendimtar

“Qytetarët duhet të konsultohen për një çështje kaq të rëndësishme. Vendimin duhet ta sjellë Kuvendi, por vullneti i qytetarëve do të jetë vendimtar dhe këtë duhet ta respektojnë të gjitha forcat politike në Kuvend”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev pas takimit katër orësh të liderëve të partive politike.

Ai tha se referendumi në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të deklarohen nevojitet të jetë konsultativ. Referendumi konsiderohet përfundimtar nëse të paktën 50 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën e Votuesve dalin në referendum. “Do të thotë pa dallim të karakterit të referendumit vendimi konsiderohet si i suksesshëm në këtë rast. Dhe hapet debat nëse do të jetë konsultativ ose obligues. Konsultativ është kur ne duam t’i konsultojmë bashkëqytetarët tanë dhe pastaj t’i sjellim vendimet, siç është rasti me vendimet për ndryshim të Kushtetutës. Nëse ne vendosim t’i sjellim vendimet për ndryshim të Kushtetutës tani në Parlament edhe i sjellim ato tre vendime dhe pastaj shkojmë atë ta kontrollojmë në referendum, atëherë ai është i plotësuar”, sqaron Zaev.

VMRO-DPMNE braktis takimin e liderëve

Takimi i liderëve është bojkotuar nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE. Lideri i saj Hristijan Mickovski, ka kërkuar që për këto çështje të diskutojnë vetëm katër partitë më të mëdha politike në vend, dy maqedonase dhe dy shqiptare dhe jo të marrin pjesë edhe parti të tjera minore. VMRO gjithashtu kërkon që para referendumit të miratohet Ligji për financimin e partive politike dhe formimin e Qeverisë teknike para zgjedhjeve qofshin ato të rregullta apo të parakohshme.

“Ne ishim pjesë e takimit të liderëve. Me të vërtetë nuk e kam të qartë konceptin se pse janë ftuar të gjithë liderët e partive politike dhe për shkak revolte e lëshova takimin. I kam thënë Zaevit para të hënës të ftojë takim liderësh nga katër partitë më të mëdha në vend”, ka deklaruar Micksoski.

VMRO-DPMNE përmes një komunikate për media vlerëson se sjellja e Zoran Zaevit është jo shtetërore, jo maqedonase dhe e turpshme. “LSDM po i keqpërdor aspiratat euroatlantike të Maqedonisë për politikat e saja kapitulluese, duke kërkuar mënyra se si t’i izolojë gjithë ata që mendojnë të kundërtën. Zaev dhe shumica qeveritare me vetëdije e shkelin Kushtetutën, ligjet dhe procedurat me qëllim të realizohet marrëveshja kapitulluese për ndryshimin e emrit”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Takim i ri i liderëve

Kryeministri Zaev vlerëson se bojkoti i opozitës është i palogjikshëm, por tha se pranon kërkesën e Mickovskit për një takim më të ngushtë të partive andaj edhe takimin e ri e ka caktuar për ditën e enjte në mesditë. “Nga këtu, kam thirrur një takim tjetër të enjten në ora 12:00 me format më të vogël në të cilin Mickovski do të ketë mundësinë të shprehet, nëse vallë është për një Maqedoni në NATO dhe BE dhe nëse mbështet që qytetarët të shprehen lirshëm për të ardhmen e Maqedonisë”, ka thënë Zaev.

VMRO synon bllokimin e referendumit

Përveç që nuk pritet përafrim i qëndrimeve, takimi i liderëve mund të sjellë komplikime shtesë në politikën e vendit. Kështu vlerëson analisti, Petar Arsovki duke shtuar se opozita do të vazhdojë përpjekjet për bllokimin e referendumit dhe eurointegrimet e vendit. “Më demokratike do të ishte nëse Qeveria dhe opozita do të mund të dakordoheshin për zgjedhje teknike të KSHZ-së. VMRO nuk bën asnjë marrëveshje politike, përderisa nuk e marr komplet pakon”, thotë Petar Arsovski. (dw)

Takimi i liderëve për përgatitje të referendumit në Maqedoni

Në Klubin e Deputetëve të Maqedonisë momentalisht fillon takimi i liderëve për përgatitje për referendum, takimi i liderëve vjen pas thirrjes të Kryeministrit Zoran Zaev.

Në takim marrin pjesë Kryetarët e partive politike me më shumë se dy deputetë bashkë me një përfaqësues nga partia, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në takim marrin pjesë Zoran Zaevi si Kryetari i LSDM-së me Radmila Sheqerinskën, Hristijan Mickoski me Tanja Karakamisheva nga OBRM-PDUKM-ја, Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani nga BDI-ja, Ziadin Sela dhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, Menduh Thaçi dhe Imer Aliu nga PDSH-ja, Afrim Gashi në njërën anë dhe Bilall Kasami dhe Fadil Zendeli në anën tjetër të Besës , Goran Milevski dhe Dufe Kokoski nga PLD-ja, Liljana Popovska dhe Maja Moraçanin nga Rilindja Demokratike e Maqedonisë, Lupço Dimovski dhe Vladanka Aviroviq nga partia socialiste, si dhe Tito Petkovski dhe Goran Misovski nga Partia social-demokrate e re.

Kjo është hera e parë e takimit të liderëve, në të cilin janë ftuar kryetarët e partive që kanë më shumë se një deputet në Kuvend./Telegrafi/

Zaev: Turp për Mickoskin, nesër edhe një takim liderësh

zoran-zaevPas takimit të liderëve që u thirr nga Kryeministri Zoran Zaev për të biseduar për përgatitjet e Maqedonisë për referendum, Zoran Zaev deklaroi:

“Ju prezantova përfaqësuesve të partive mënyrën e referendumit dhe mënyrën e pyetjes për këtë proces. ‘A jeni për integrim në familjen evropiane të Maqedonisë sipas marrëveshjes me Greqinë?’ do të jetë përafërsisht pyetja e referendumit. Nesër nga ora 12:00 Mickoski ka edhe një mundësi të reshtohet për përgjegjësi dhe integrim të vendit” tha Zaev. /Telegrafi/

BE fillon zyrtarisht vlerësimin analitik të Shqipërisë

Hahn RamaKomisioneri i BE, për Politikat e Zgjerimit dhe të Fqinjësisë, Johnnes Hahn shpalli në Tiranë të martën ( 17.07) fillimin zyrtar të procesit të vlerësimit analitik të Shqipërisë për negociatat me BE-në vitin e ardhshëm.

Ligji dhe shteti i së drejtës: Këtu do të qëndrojë së pari lupa e Komisionit Europian në procesin analitik për të parë konkretisht progresin e Shqipërisë në afrimin e saj me BE-në dhe nëse është gati të hapë negociatat e pranimit në mes të vitit të ardhshëm. Komisioneri i Zgjeirmit Johannes Hahn, tha se në krye të procesit do të qëndrojë identifikimi i legjislacionit të Shqipërisë krahasuar me atë të BE, si hap i domosdoshëm për të paraprirë hapjen e negociatave. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryemnistrin shqiptar Edi Rama, Komisioneri Hahn theksoi: “Procesi që kemi nisur sot është lajm i mirë për Shqipërinë. Ajo çfarë po bëjmë tashmë është të shohim situatën e përgjithshme të shtetit të së drejtës në Shqipëri, që të mund ta krahasojmë më pas me legjislacionin e BE. Do të na duhet të bëjmë një vlerësim se ku qëndron vendi, çfarë duhet bërë ende, cilat janë standarde për nisjen e negociatave: Procesi i vettingut p.sh është një element thelbësor, me rëndësi, në kuadër të tërë fushës së shtetit të së drejtës, por është vetëm një pjesë e mozaikut”.

Hahn: Filloni punën sa më parë, mos humbni as një ditë

Që mozaiku të jetë i tillë që të tregojë se Shqipëria ka bërë aq progres sa të meritojë hapjen e negociatave në qershor 2019, ai duhet “plotësuar” me rezultate të qëndrueshme dhe domethënëse.  Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e vendeve skeptike për progresin e saj si Franca dhe Holanda që kërkojnë më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioneri Hahn bëri të qartë në Tiranë se procesi i vlerësimit analitik: “duhet bërë  me çdo vend që kërkon të hapë negociatat e pranimit me BE dhe do të bëhet në të ardhmen me vendet e tjera kandidate. Nuk është një qasje e  posaçme”. Ai bëri të qartë rëndësinë e rezultateve të procesit analitik kur tha se: “Sa më e mirë të jetë cilësia e procesit të vlerësimit analitik nga të gjitha institucionet e përfshira, sa më shumë të paraprihet, aq më mirë do të jetë për nisjen e negociatave për secilin kapitull më vehte. Rezultatet e këtij procesi do të përcaktojnë mandatin e negociatave. Është mjaft ambicioze e sfiduese që kjo të bëhet brenda një viti. Mos humbi asnjë ditë. Nisni punën sa më shpejt të jetë e mundur, jepni rezultate në mënyrë që të tejkaloni çdo dyshim të mbetur se Shqipëria e meriton”, tha komisioneri Hahn në Tiranë.

Reforma në Drejtësi dhe vetting-u një model për t’u ndjekur

Vazhdimi i Reformës në Drejtësi dhe i Vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve mbetet një nga kushtet kryesore të hapjes së negociatave në qershor 2019. “Mirëpresim rezultatet e reformës në drejtësi dhe vettingut se ato mund të shërbejnë si model, shembull i mirë edhe për vende të tjera, madje edhe brenda BE-së. Kjo ka të bëjë edhe me arritjen e rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e gjithashtu kundër krimit të organizuar, përfshi edhe luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave”, theksoi komisioneri Hahn, të martën në Tiranë.

Ai theksoi që nuk ka kushte shtesë për Shqipërinë. Javën e kaluar Presidenti i Këshillit Europian  Donald Tusk, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, në Bruksel, përmendi si kushte për Shqipërinë edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë dhe  mbylljen e rrugës së re të emigracionit illegal nga  Shqipëria drejt vendeve të BE-së.

Hahn bëri të qartë se synimi kryesor është që  deri në fund të vitit 2019 të hapen kapituj 23-24  të negociatave, kapituj që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit. (dw)

Kompromisi deri më tani i pamundur: Takimi Thaçi-Vuçiq

vucic mogherini thaci 2Edhe një takim tjetër pa rezultate konkrete mes presidentit kosovar Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Thaçi e vlerëson si një nga takimet më të vështira.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në deklaratën për mediat pas takimit me përfaqësuesen e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe presidentin Serb Aleksandër Vuçiq, shprehu shqetësimet e tij pas takimit me presidentin Vuçiq. Disa herë ai theksoi se, „ishte një nga takimet më te shkurtra dhe më të vështira gjatë këtyre 6 viteve të bisedimeve”. Ai poashtu veçoi takimin e parë së bashku me delegacionin e Ministrave nga Kosova me zonjën Morgerini, ku ata kanë konfirmuar unitetin per vazhdimin e bisedimeve me Serbinë si edhe hapat konkret drejt procesit të liberalizimt të vizave e intergiemve në BE.

Vështirësi edhe në të ardhmen…

Hashim Thaçi shprehu shqetësimin e tij për vështirësitë gjatë dialogut të ardhshëm me homologun Vuçiq, sepse si ai vetë edhe në përgjithësi populli në Serbi ende mendon që Kosova është territor i Serbisë, tha Thaçi. Megjithatë Presidenti i Kosovës theksoi se, „unë ende shoh dritë në fund të tunelit”, duke shtuar se në Serbi mungon ende guximi për t’u liruar nga mendimet se Kosova është ende pjesë e Serbisë, dhe e sheh këtë si një nga arsyet pse bisedimet edhe në të ardhmen do të jenë shumë të vështira. Thaçi shikon edhe një herë mbështetjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në vazhdimin e dialogut me Serbinë, si alternativa e vetme për stabilizimin e marrëdhënieve me shtetin serb.

Vuçiq pesimist

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pas takimit në Bruksel e vuri theksin tek vështirësia për gjetjen e një kompromisi mes dy palëve duke tentuar të ruhet paqja dhe stabiliteti në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Sa i përket njohjes së Kosovës Vuçiq theksoi, se „kjo nuk do mundet të funksionojë për Serbinë”.

Presidenti serb tha se ai do të luftoj për të drejtat e serbëve ashtu si Hashim Thaçi për të drejtat e palës shqiptare në Kosovë, duke përmendur edhe një herë se bisedimet për të dy palët nuk do të jenë të lehta aspak. Në pyetjen se çfarë pret ai nga dialogu, Vuçiq tha që ky problem është shumë i gjatë gati 150 vite dhe se nuk mundë të përgjigjet në një pyetje kaq të vështirë duke ditur se sa i komplikuar është dialogu. „As ne nuk mund të jemi absolutisht të kënaqur, po as ata nuk munden të jenë absolutisht të kënaqur me kompromisin, dhe nëse e pranojmë këtë atëherë mundemi të gjejmë kompromis për të dy palët.”

Arbër Bajrami/Bruksel

Përfundon takimi në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë

vucic mogherini thaciPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i dhanë fund një raundi bisedimesh në një përpjekje të re për të siguruar një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja palëve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas bisedimeve se takimi ishte i shkurtër por i vështirë.

“Ka qenë takim i shkurtër dhe jo i lehtë, ka qenë më i rëndi që kemi zhvilluar në këto gjashtë vjetët e fundit, prandaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare”,tha ai duke nënvizuar se ende shpreson në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Ka qenë takim i rëndë me Vuçiqin, por duhet të punojmë që të arrijmë marrëveshjen që do të jetë fituese për Kosovën dhe Serbinë. Do të shikojmë në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat”,tha ai duke nënvizuar se nuk pret që procesi të lehtësohet por vështirësi edhe më të mëdha dhe pengesa.

Ndërsa, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se bisedimet e sotme në Bruksel ishin “shumë komplekse dhe se sipas tij palët kanë rënë dakord të vazhdojnë të kërkojnë një emërues të përbashkët të zgjidhjes së kompromisit dhe të ruajnë paqen dhe qëndrueshmërisë në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po shoqërohet në Bruksel nga kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i parlamentit, Kadri Veseli dhe udhëheqës të partive në pushtet të cilët janë takuar me zonjën Mogherini në një lëvizje që synon të konfirmojë mbështetjen bisedimeve.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.

Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai.

Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina. (voa)

Bilanc i gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi

stambolliDy vjet zgjati gjendja e jashtëzakonshme në Turqi. Pas përpjekjes për puç në korrik 2016, presidenti Erdogan ka goditur ashpër. Tani hiqet gjendja e jashtëzakonshme. A do bëhet gjithçka më mirë? Bilanci është ky:

Pse është vendosur gjendja e jashtëzakonshme në Turqi?

Mbas përpjekjeve për puç më 15 korrik 2016 qeveria turke deklaroi se përgjegjës  janë anëtarë të Lëvizjes Gülen, që ndodhen në radhët e ushtrisë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e quajti organizatë terroriste Lëvizjen Gülen dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj, në mënyrë që të luftonte në mënyrë aktive kundër saj. Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme qeveria mori të drejtën të reagonte pa dekrete. Kështu në institucionet shtetëtore u vendosën rregulla të reja.

Për shkak të shkarkimeve masive nga puna në shërbimet publike dhe arrestimet e shumta, opozita e quajti gjendjen e jashtëzakonshme si „puç civil dhe persekutim kundër kritikëve të qeverisë” dhe kërkoi heqjen e menjëhershme të gjendjes së jashtëzakonshme, por pa sukses. Gjendja e jashtëzakonshme u shty shtatë herë gjithsej.

Sa vetë janë arrestuar?

Gjatë gjendjes së jashtëzakonshe u lëshuan gjithsej 32 dekrete. Sipas të dhënave zyrtare në pyetje u morrën 160 mijë vetë dhe më shumë se 70 mijë vetë u arrestuan, mes tyre edhe gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe politikanë të opozitës. Kundër 155 mijë vetëve u zhvilluan hetime për „anëtarësim në një organizatë terroriste”.

Me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme koha e mbajtjes në arrest u zgjat në 30 ditë. Kjo praktikë u përdor deri në fund të 2016. Vetëm pas një paralajmërimi nga Këshilli i Evropës, në fillim të vitit 2017, koha e mbajtjes në arrest u zvogëlua në 14 ditë.

Sa vetë u shkarkuan nga puna?

Gjatë dy vjetëve që zgjati gjendja e jashtëzakonshme u shkarkuan nga puna në shërbimin publik 121 131 vetë. Rreth 7 mijë vetë u shkarkuan nga universitetet, 5700 prej tyre nga forcat akademike. Po ashtu u mbyllën shkolla dhe qendra arsimore, për të cilat dyshohej se kishin lidhje me lëvizjen Gülen.

Të drejtat e zgjeruara nuk u përdorën vetëm kundër idhtarëve të Lëvizjes Gülen, por u përdorën edhe kundër forcave opozitare. Kështu për shembull në territoret kurde rreth 100 kryetarë bashkish u zëvendësuan nga administratorë të detyrueshëm dhe shumë politikanë kurdë u arrestuan. Organizata ndërkombëtare si OKB ose Këshilli i Evropës kanë kritikuar qeverinë turke për këtë dhe kanë folur për një „zhvillim alarmant”.

Si ka qenë puna me lirinë e shtypit?

Me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme u mbyllën 70 gazeta dhe 20 revista si dhe 34 stacione radioje, po ashtu si 30 shtëpi botimi dhe 33 stacione televizive. Hetimet kundër përfaqësuesve të mediave dhe arrestimet e gazetarëve për „propagandë në ndihmë të terrorizmit” ose “ofendimin e presidentit të shtetit” janë parë nga organizatat si në Turqi ashtu edhe jashtë saj.

Sipas të dhënave të sindikatës së gazetarëve në Turqi ndodhen 143 gazetarë në burg. Organizata “Reporterët pa kufi” ka tërhequr vëmendjen se me masat represive gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, shtypi u bë gjithnjë e më shumë njësoj. Në vitin 2010 Turqia ndodhej në vendin 138 në vlerësimin ndërkombëtar të vendeve për lirinë e shtypit. Ndërkohë Turqia ka përfunduar në vendin e 157.

Çfarë ndodh pas heqjes së gjendjes së jashëzakonshme?

Gjendja e jashtëzakonshme hiqet, por presidenti Erdogan do vazhdojë të qeverisë me dekrete. Sepse në sistemin e ri presidencial ai ka të drejtën që të rregullojë me dekrete presidenciale disa fusha. Siç është bërë deri tani me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe dekretet presidenciale kanë të drejtën si një ligj dhe madje me efekt të menjëhershëm.

Përveç kësaj qeveria ka ashpërsuar ligjin kundër terrorizmit. Projektligji për ligjin e ri parashikon që guvernatorët të kenë të drejtë të kufizojnë hyrjen dhe daljen në qytete për 15 ditë dhe po ashtu të drejtën që të ndalojnë grumbullimet. Për grumbullimet dhe protestat ligji parashikon që “ato nuk duhet të vështirësojnë jetën e përditshme.” Edhe për të dyshuarit për terrorizëm ekzistojnë rregulla të reja. Pasaportat e personave kundër të cilëve zhvillohen hetime për terrorizëm mund të konfiskohen për tre vjet. Ligjet e reja kritikohen sepse faktikisht ato vendosin një lloj gjendje të jashtëzakonshme. (dw)

Hahn viziton nesër Shqipërinë dhe Maqedoninë, çfarë pritet mbi negociatat

HahnKomisioneri Evropian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn viziton nesër Tiranën dhe Shkupin.  Vizita konfirmohet nga Komisioni Europian në një postim në uebsajtin zyrtar.  Vizita e 17 korrikut pason publikimin e rezolutës së Këshillit në qershor që vendosi të shtyjë me një vit hapjen e negociatave për Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Në këtë kontekst, komisioneri Hahn do të lançojë zyrtarisht punën parapërgatitore. Në Shkup Hahn do të takojë kryeministrin Zoran Zaev, kreun e Kuvendit Talat Xhaferi, si dhe përfaqësues të partive kryesore.  Në Tiranë do të zhvillohen takime me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të tjerë të qeverisë.

Shekulli

 

Zaev: Afaristët prorusë po financojnë protestat e dhunshme në Maqedoni

ZaevKryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka akuzuar afaristë të caktuar grekë, të cilët sipas tij financojnë grupe në Maqedoni për të shkaktuar trazira para referendumit, në të cilin qytetarët duhet të deklarohen se a e mbështesin marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar të emrit.

Kryeministri Zaev në një intervistë për ueb-faqen BuzzFeed ka thënë se “afaristët që bëjnë veprimtari të tilla mbështesin kauzën ruse”.

Sipas tij, këta afaristë grekë kanë paguar shtetas maqedonas prej 13.000 deri 21.000 dollarë që të kryejnë akte të dhunshme para referendumit të paralajmëruar për në vjeshtë.

“Përfaqësuesit rusë që ishin këtu dhe të tjerë nga Moska, nuk fshihnin se janë kundër integrimit tonë në NATO… Disa prej tyre kanë lidhje me mediat, disa prej tyre i inkurajojnë të rinjtë që të protestojnë para Parlamentit, t’i sulmojnë policët… kjo është e qartë”, ka deklaruar Zaev duke mos publikuar detaje, por ka lënë për të kuptuar se disa nga informacionit i ka siguruar nga personat e ndaluar që protestuan para Kuvendit, më 17 qershor, ditën kur u nënshkruar marrëveshja e Greqinë për çështjen e emrit.

Prokuroria Publike e Maqedonisë ende nuk është prononcuar lidhur me këto pretendime të kryeministrit. Nga Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu nuk ka dhënë detaje për rastin, duke theksuar se për çështje të ndjeshme nuk do të prononcohet për mediat. Hetimet, tha ministri Oliver Spasovski, “nuk i zhvillojmë përmes mediave”.

“Gjithçka që ka të bëjë me informacione të ndjeshme, as që mundemi, as që guxojmë, e as që ka nevojë që diçka të tillë të udhëheqim përmes mediave…Duhet ta dini që çdo në moment kur kemi diçka të kumtojmë, ne këtë do të bëjmë”, u shpreh ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski.

Kryeministri Zaev ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të përcaktohen edhe modalitetet e referendumit, si data e mbajtjes, pyetja dhe forma e referendumit. Opozita që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE-ja, e cila po ashtu etiketohet se është kundër Perëndimit, ka bërë të ditur se nuk do të përkrahë referendumin, por pa dhënë detaje se çfarë formash do të përdorë për dështimin e tij.

Maqedonia ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO, por anëtarësimi varet nga zbatimi i marrëveshjes me Greqinë, ashtu sikur edhe nisja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (rel)

Trump: Bisedimet me Putinin, konstruktive

trump putinPresidenti Donald Trump thotë se e kaloi një “pjesë të mirë të takimit” me presidentin rus Vladimir Putin në Helsinki duke trajtuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane gjatë atyre që i quajti bisedime “konstruktive”.

“Gjatë takimit të sotëm trajtova çështjen e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet tona. Mendova se ky ishte një mesazh që duhej dhënë më mirë personalisht,” u tha presidenti Trump gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për shtyp me udhëheqësin rus.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016, por presidenti Putin, në komentet e tij tha: “Duhet ta përsëris se shteti rus nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk planifikon të ndërhyjë në procesin zgjedhor amerikan”.

I pyetur se kë beson në çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje, presidenti Trump tha se ka besim të madh tek agjencitë amerikane të zbulimit, por theksoi gjithashtu se pesidenti Putin ishte jashtëzakonisht i fortë në mohimin e tij.

Presidenti Trump tha se bisedimet e tij me presidentin Putinin shkuan mirë. “Marrëdhënia jonë nuk ka qenë kurrë më e keqe se sa është tani. Megjithatë, kjo ndryshoi nga rreth katër orë më parë,” tha ai.

Putin tha se bisedimet u zhvilluan në një atmosferë të sinqertë dhe i quajti të suksesshme.

Më herët, presidenti amerikan përdori mediat sociale për të fajësuar politikat e deritanishme për gjendjen e marrëdhënieve amerikane me Moskën.

Para fillimit të takimit, presidenti amerikan shprehu shpresën se dy vendet mund të arrinin të kishin “një marrëdhënie të jashtëzakonshme.”

“Unë mendoj se ne kemi mundësi të mëdha së bashku, si dy vende. Sinqerisht, nuk kemi ecur shumë mirë vitet e fundit. Unë kam qenë president jo shumë gjatë dhe po po bëj afro dy vjet. Por mendoj se do të përfundojmë me një marrëdhënie të jashtëzakonshme. Shpresoj. E kam thënë vazhdimisht këtë dhe jam i sigurt që ju keni dëgjuar gjatë viteve si dhe kur bëja fushatë se marrëdhëniet e mira me Rusinë janë diçka e mirë, jo e keqe. Dhe në fakt mendoj se bota dëshiron të na shohë që ne të shkojmë mirë.”

Presidenti Trump, shkruante në Twitter: “marrëdhëniet tona me Rusinë kurrë nuk kanë qenë më të këqia, falë budallallëkut dhe marrëzisë amerikane dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’!”

Ai i referohej hetimeve të Prokurorit të posaçëm Robert Mueller lidhur me përzierjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Takimi Trump-Putin vjen tri ditë pasi zoti Mueller ngriti padi ndaj 12 oficerëve të shërbimit sekret rus, duke i akuzuar ata për ndërhyrje në zgjedhje për të ndihmuar zotin Trump të vinte Shtëpinë e Bardhë.

Rusia nuk ka traktat ekstradimi me Shtetet e Bashkuara, prandaj nuk ka gjasa që Rusia t’i kthejë zyrtarët e inteligjencës në SHBA për të dalë në gjyq.

Akuzat bënë që një numër senatorësh amerikanë, mes tyre një republikan, të kërkonin që Presidenti Trump ta anulonte samitin e tij me zotin Putin.

Ai shkroi disa herë në Twitter para se të nisej për në Finlandë, duke theksuar se pavarësisht se cilat mund të jenë arritjet e tij në takimin me Putinin, ai do të përballet me kritikat “se nuk ka bërë sa duhet”.

I pyetur nga gazetarët gjatë një mëngjesi pune me presidentin finlandez, Sauli Niinis, presidenti Trump u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe me Helsnikin dhe takimin e lartë të NATO-s, javën e kaluar.

“Takimi i NATO-s ishte i vështirë në fillim dhe në fund u shndërrua në dashuri“, tha ai.

“Ata po paguajnë dhe po e bëjnë këtë shumë më shpejt dhe unë mendoj se NATO-ja kurrë nuk ka qenë më e fortë sesa sot”, tha presidenti Trump, duke iu referuar zotimeve të vendeve anëtare për më shumë shpenzime të mbrojtjes.

Finlanda është pjesë e Bashkimit Evropian, por jo anëtare e plotë e paktit të NATO-s.

Disa mijëra protestues u mblodhën në sheshin e Senatit në Helsinki të dielën ku ishin përfshirë veprimtarë të mjedisit, të të drejtave të refugjatëve dhe kundër luftës.

Në disa nga parullat e protestuesve thuhej: “Diktatorët nuk janë të mirëseardhur”, “Trump është satanai i mjedisit” dhe “Stop vrasjes së gazetarëve”.

“KEMI SHUMË ARMIQ”

Presidenti Trump tha të dielën se nuk kishte pritshmëri të madhe nga takimi me presidentin rus, ndërsa lëshoi një qortim tronditës ndaj asaj që tradicionalisht është vlerësuar si një nga aleatet kryesore të Uashingtonit.

“Mendoj se kemi shumë armiq”, i tha ai televizionit CBS News, kur u pyet për armikun më të madh të Shteteve të Bashkuara. “Mendoj se Bashkimi Evropian është armik. Ju nuk do të mendonit për Bashkimin Evropian, por ata janë një armik”. Presidenti Trump tha gjithashtu se Rusia është një armik “në disa aspekte”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, u përgjigj shpejt në Twitter: “Amerika dhe BE-ja janë miqtë më të mirë. Kushdo që thotë se janë armiq, përhap lajme të rreme”.

Presidenti amerikan nuk tha se cilat janë synimet e takimit të parë me zotin Putin, por premtoi se “nuk ka për të ndodhur asgjë e keqe” nga takimi.

Të dy udhëheqësit kanë pasur rastin të bisedojnë më parë gjatë takimeve ndërkombëtare. “Mendoj se është mirë të takohemi. Unë besoj në takimet. Takimet me Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut janë një zhvillim i mirë. Asnjë e keqe nuk vjen prej tyre, përkundrazi”- tha Trump.

Agjenda e sotme në Helsinki përfshinte një takim kokë më kokë për 30 minuta deri në një orë, vetëm në praninë e përkthyesve.

Takimi vjen tri ditë pasi Departamenti i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave për 12 zyrtarë rusë të shërbimit ushtarak të zbulimit, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Presidenti kritikoi administratën Obama, që nuk i është përgjigjur me ashpërsinë e duhur Rusisë në sulmet kibernetike ndaj demokratëve në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Ish-ambasadori amerikan në Rusi, Michael McFaul, duke folur për shërbimin rus të Zërit të Amerikës në Helsinki, tha se brenga e tij më e madhe është se presidenti Trump “do të jetë shumë miqësor dhe lavdërues për Vladimir Putinin dhe mendoj se kjo i shërben interesit të tij. Nuk besoj që kjo u shërben interesave amerikane”. (voa)