Kosovë, manifestime për 20 vjetorin e fillimit të luftës

Në Kosovë u mbajtën të martën manifestimet për të shënuar fillimin e luftës gati dy vjeçare që u kurorëzua me pavarësinë e vendit. Njëmbëdhjetë vjet pas pavarësisë së arritur me përkrahjen e partnerëve të saj: Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, vendosja e tarifave ndaj Serbisë ka bërë që marrëdhëniet me aleatët të bien nivelin më të ulët. Kjo ka çuar ne përplasje brenda udhëheqjes së Kosovës.

Tiranë, opozita proteston para parlamentit

Edi LuliNë Shqipëri opozita u mblodh sërish sot përpara parlamentit për të protestuar ndaj shumicës qeverisëse. Ajo kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare, që të krijojë kushtet për zgjedhje të parakohshme. Godina e parlamentit u rrethua nga forca të shumta policie, ndërsa brenda në sallë po zhvillohej seanca e zakonshme.

Policia që herët ishte rreshtuar e shumtë në numër në hyrjen qëndrore të parlamentit dhe në të gjithë zonën rreth e qark. Që në orën 10 protestuesit kishin nisur të grumbulloheshin, në pritje të mbërritjes së drejtuesve të opozitës. Ndërkohë nga salla e parlamentit kryeministri Edi Rama foli dhe një herë për situatën e krijuar, duke akuzar opozitën se me vendimet e saj po kërkon të marrë pushtetin në tavolinë. “Ne jemi gati të dialogojmë për gjithçka, por ne nuk jemi gati dhe s’do jemi asnjëherë gati të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi, ku njerëzit zgjedhin dhe të zgjedhurit respektojnë mandatet që iu japin njerëzit dhe çdo sistemi tjetër. Këtë ne nuk jemi gati ta bëjmë. Demokracinë, parlamentarizmin dhe mbi të gjitha, mandatin e marrë nga shumice dërrmuese e qytetarëve, ne nuk e negociojmë me askënd”, deklaroi kryeministri.

Por dhe opozita nuk ka ndërmend të tërhiqet. Folësit e shumtë që ju drejtuan pjesmarrësve në protestë, për më shumë se dy orë, kishin të gjithë një të përbashkët, kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama. Ndonëse e ndryshme për nga zhvillimi nga protesta e javës së shkuar edhe këtë herë nuk munguan shashkat, tymueset apo dhe gomat e djegura

Në fjalën e tij, kryetari demokrat Lulzim Basha po ashtu theksoi se asgjë nuk mund të ndal opozitën: “Prej javësh ajo godinë nuk është më godina e Kuvendit të Shqipërisë, por karantina e kolerës së krimit dhe të korrupsionit. Ikëm ne nga ajo karantinë të painfektuar me joshjen e karrikeve të pushtetit. Nuk ka bandit e trafikant, nuk ka horr e hajdut të na ndajë nga kjo rrugë”.

Në të njejtën linjë dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi: “Mos guxo të mendosh se mund ta marrësh peng këtë popull, mos guxo se je më i fortë se populli. Edi Rama ka frikë të përballet me opozitën. Edi Rama ka frikë të përballet me të vërtetën”.

Nga sheshi para godinës së parlamentit, drejtuesit e opozitës udhëhoqën mbështetësit e tyre drejt godinës së Komisionit Qëndror të zgjedhjeve. Ata dorëzuan aty emrat e kandidatëve të listave të tyre që kanë firmosur refuzimin e mandatit. Një gjest më së shumti simbolik, pasi procedura e kërkon që Komisioni të njoftojë personalisht secilin kandidat sipas radhës.

Disa prej tyre nuk i janë bindur vendimit të partive opozitare. Katër përfaqësues të LSI-së, Edmond Rrushi e Ylli Shehu, emrat e të cilëve ishin në listën e kandidatëve të Tiranës në zgjedhjet e 2017-ës, si dhe , Aurora Mara e listës së Dibrës dhe Enver Rroshi i listës së Elbasanit, bënë sot betimin në sallë. Ndërkohë që 6 të tjerë, dhe nga listat e PD, kanë nisur procedurat për të marrë mandatin

Nga selia e Partisë demokratike zoti Basha përsëriti dhe një herë se “ora e Shqipërisë europiane po troket.Ora e largimit të Edi Ramës po troket mbrapsht tik -tak, tik –tak”. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen javën e ardhshme në protestën e radhës, këtë herë para godinës së qeverisë.

Në mbrëmje Policia njoftoi se ka arrestuar 8 persona, ndër të cilët 3 me precedente penalë për vjedhje, ndërsa 9 të tjerë po ndiqen në gjendje të lirë për aktet e dhunës në protestën e sotme përballë Parlamentit. “Gjatë tubimit, pjesëmarrësit kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta e lëndë plasëse (gurë, shkopinj, fishëkzjarre etj.) punonjësit e Policisë, të planizuar me shërbim në ambientet përreth Kuvendit të Shqiperisë”, shpjegoi policia në njoftimin e saj.

voa

Në Europë do të hiqet ndryshimi i orës

oraNë vitin 2021 duhet të hiqet ndryshimi i orës. Të paktën në disa shtete të BE. Pse po zgjat kaq shumë, nuk kuptohet.

Koha ka kaluar për periudhën e verës dhe të dimrit. Për këtë janë të një mendjeje Komisioni i BE-së dhe Parlamenti Europian. Komisionet përkatëse të Parlamentit të BE duan që deputeti europian i CDU-së, Peter Liese të punonte me ngulm për çështjen e kohës. Tani që Komisioni i transportit i dha me shumicë votat, ai mund të fillojë të punojë në fund të marsit me Plenumin. Por i mungon për këtë aprovimi i 28 shteteve të BE.

Procesi kërkon aprovimin gjerman?

Njoftimi i Presidenti të Komisionit të BE, Jean Claude Juncker të bërë në muajin shtator se ndryshimi i orës do të hiqet shumë shpejt, dëshmoi se ishte njoftim i parakohshëm. Ky ka qenë rezultati që ka dalë nga sondazhet e bëra me qytetarët e BE. Pa e pritur këtë rezultat, doli se 80 përqind e shumicës mendojnë se ndryshimi i orës nuk është më në përputhje me realitetin. Sidoqoftë sondazhet nuk ishin reprezentative, sepse tre milionë nga 4,6 milionët që votuan ishin nga Gjermania. Diplomatët e BE nga vendet e tjera të vogla u ankuan se Komisioni i BE kërkon që të detyrojë vendet e tjera të plotësojnë dëshirën gjermane. Kështu që Komisioni i BE duhet të frenohet me çdo kusht.

Juncker donte të hiqte ndryshimin e orës që në këtë pranverë, në mënyrë që para zgjedhjeve europiane të majit të mund të pretendojë se është ndjekur dëshira e popullit. Por shtetet anëtare kërkuan afate kalimtare deri më 2021.

Gjërat e mira duan kohë të vijnë, sidomos në BE. Si kompromis për heqjen e “rregullave për ndryshimin e orës” është vendosur viti 2020, në pranverë apo në vjeshtë.

Anëtarët e BE i japin kohë vetes

Por tani, thuhet që në muaji qershor ministrat e vendeve anëtare të marrin për herë të parë vendim se kur dhe ku do të vlejë cila kohë. Sepse disa anëtarë të BE, mes të cilave Britania e Madhe, Greqia dhe Portugalia, duan që t’i mbajnë rregullat e vjetra dhe të kenë ndryshimin e orës dy herë në vit në verë dhe në dimër.

Qipro, Hollanda, Danimarka, Franca dhe Irlanda nuk kanë marrë ende vendim. Shtetet e tjera duan ta heqin ndryshimin e orës, por duhet të vendosin cilën nga kohët do të zgjedhin, atë të dimrit apo atë të verës.

Pse zgjat kaq shumë kjo gjë, e shpjegon deputeti europian Liese për Deutsche Wellen: “Duhet kohë për t’ i dhënë mundësinë vendeve anëtare që të koordinohen. Do të ishte e rëndësishme nëse do të kishim të njëjtën orë në gjithë sipërfaqen”. Nëse në të ardhmen do të udhëtohet nga Hamburgu në Hollandë dhe Belgjikë apo Francë, atëherë ora duhet të ndryshohet të paktën një herë dhe jo tre. Kompanitë e fluturimeve ajrore, hekurudhave, ndërmarrjeve të transportit duhet të përshtaten. “Por për këtë nuk duhen dy vjet. Kjo gjë mund të bëhet edhe më shpejt,” thotë eksperti i kohës për partinë koservatore.

Pjesa më e madhe e vendeve të botës nuk e njohin ndryshimin e orës, vetëm 73 prej tyre e bënë këtë vit. Ka shtete në të cilat ora ndryshon vetëm në një pjesë, sipër shembull në Kanada apo SHBA. 69 shtete e kanë hequr ndryshimin e orës, që kanë pasur më parë. BE ka tre zona kohore, nga Portugalia në perëndim deri në Qipro në lindje. Edhe tregu i brendshëm ose planet e fluturimit nuk janë penguar të funksionojnë. E sigurt është sidoqoftë se ndryshimi i orëve do të prezantohet 30 marsin e ardhshëm. Në të gjithë BE.

(dw)

Maqedonia e Veriut: Po finalizohen kandidatët për president

PendarovskiPartitë e koalicionit qeverisës kanë zgjedhur Stevo Pendarovskin si kandidat për president të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet e parashikuara të mbahen më 21 prill.

31 parti politike maqedonase, shqiptare turke, bosnjake, serbe e rome i kanë dhënë mbështetje pa rezerva kandidatit të përbashkët për president, Stevo Pendarovski. “Pendarovski është person, i cili do t’i bashkojë të gjitha bashkësitë etnike, njeri i cili beson në politikën e integrimit, politikën tonë “një shoqëri për të gjithë”, njeri që besoj se do të përmbushë ashtu siç duhet funksionin e presidentit të Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Kandidati për president, Stevo Pendarovski ka thënë se është historike që për herë të parë një kandidat maqedonas ka mbështetjen e tre partive politike shqiptare, kurse sipas tij as opozita shqiptare nuk mund të ketë vërejtje për qëndrimet e tij sa i përket çështjeve ndëretnike dhe rolin që shqiptarët duhet ta kenë në Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia për të gjithë

“Koncepti im ka qenë dhe mbetet Maqedonia për të gjithë, ku nuk do të ketë qiraxhi e pronar, thjesht askush nuk guxon të ndjehet qytetar i rendit të dytë apo të tretë, apo të ketë privilegje për njërën apo tjetrën bashkësi etnike. Për mua të gjithë janë njësoj. Këtë koncept kam mbrojtur edhe më parë, edhe në vitin 2014 në zgjedhjet presidenciale, por edhe në vitin 2016 në zgjedhjet parlamentare. Këtë koncept e mbroj edhe më tej”, ka deklaruar Pendarovski.

Në zgjedhjet e 21 prillit Maqedonia e Veriut duhet të dëshmojë se është e aftë të organizojë zgjedhje të lira e demokratike. Më këtë sipas Pendarovskit, vendi do ta arsyetojë anëtarësimin në NATO dhe çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kandidati për president nga partit në pushtet Stevo Pendarovski aktualisht ushtron funksionin e koordinatorit nacional për NATO-n. Ai ishte kandidat për president edhe në zgjedhjet e vitit 2014.

Partitë shqiptare në pushtet mbështetje për Pendarovskin

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka  theksuar se sipas sondazheve Pendarovski është kandidati që gëzon mbështetjen e elektoratit shqiptar. “Sigurisht që janë bërë anketime me të gjithë kandidatët dhe zoti Pendarovsi doli më mirë, përkrahje më të madhe ka pasur te elektorati shqiptar”, ka deklaruar i kryetari i BDI-së, Ali Ahmneti.

Edhe partitë e tjera në pushtet si PDSH dhe Alternativa kanë dhënë mbështetje për Pendarovskin, ndërsa në mbledhjen e Kuvendit qendror të RDK-së, me unanimitet të plotë u konfirmua mbështetja për kandidatin e përbashkët konsensual. “RDK vlerëson se mbështetja e kandidatit konsensual ndodh për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, dhe kjo kandidaturë ka kuptim të përkrahet dhe të votohet sepse nënkupton pranim të barabarësisë të të gjithë qytetarëve të vendit”, theksojnë nga RDK.

Opozita kundërshton

Për kreun e opozitës Hristijan Mickoski nominimi i Pendarovskit për president shihet si zgjedhje e bërë nga vetë Zaevi, prandaj sipas tij në zgjedhjet e prillit ‘zaevzmi’ do të marrë përgjigjen e merituar. “Unë jam i bindur tek qytetarët e Maqedonisë, ata janë të guximshëm dhe të ndershëm dhe më 21 prill do t’ia japin goditjen e parë serioze ‘zaevizmit’, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme  të parakoshme parlamentare do t’i japin goditjen e fundit. Pendarovski paraqet figurë që përbën pjesë në ‘zaevizmin’. Nuk kemi pritur diçka të ndryshme, është ai i njëjti shabllon tradicional që e ka shkatërruar Maqedoninë në 27 vitet e fundit”, është shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Opozita shqiptare mbështet Blerim Rekën për president

Opozita shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe BESA në zgjedhjet presidenciale do të garojë me kandidatin Blerim Reka, profesor universitar dhe ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO.”Kandidatura e Blerim Rekës është serioze për president të Maqedonisë së Veriut. Do të jetë ai, i cili denjësisht do t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët e vendit. Prandaj them që Blerim Reka e pasuron garën, ka çfarë i jep garës, ka çfarë i shton debatit për president dhe zgjedhjeve presidenciale”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela. Nga VMRO-DPMNE kandidatë për president është profesoresha universitare Gordana Siljanovska. Afati përfundimtar për paraqitjen e kandidaturave për zgjedhjet presidenciale është 9 marsi.

dw

Terapi magnetike për trajtimin e depresionit

terapi magnetikeTë vuash nga depresioni nënkupton më shumë sesa të jesh i trishtuar. Bëhet fjalë për një sëmundje të rëndë që ndërhyn në jetën normale të njeriut, që në disa raste mund të përfundojë me vetëvrasje. Depresioni mund të trajtohet me terapi që përfshijnë komunikimin me pacientin, ilaçet ose kombinimin e të dyjave. Por ekziston edhe një trajtim që përçon impulse magnetike direkt në tru.

Sonya Kibbee-t i pëlqen të luajë ping-pong.

Kibbee punon si fizioterapiste në qytetin Kolumbia të Misurit. Zakonisht ajo është aktive, por vitin e kaluar, për shkak të një depresioni të rëndë, ajo u përball me vështirësi për të marrë vendime, qoftë edhe për gjërat më të thjeshta.

“Mendoja edhe për budallalliqet më të vogla, për të cilat zakonisht ne nuk mendojmë fare. Kjo gjë të streson edhe më shumë, pasi çdo vendim sado i vogël, bëhet i vështirë”, thotë Sonya Kibbee, paciente.

Njerëzit që vuajnë nga depresioni shpesh janë apatikë. Depresioni ndikon tek zakonet e tyre të të ushqyerit dhe tek gjumi, edhe pse marrin ilaçe, apo i nënshtrohen terapisë.

Sonya Kibbee ka menduar edhe vetëvrasjen dhe është shtruar disa herë në spital.

Pastaj ajo dëgjoi rreth një trajtimi të quajtur “Stimulimi Magnetik Transkranial”, ose TMS, i cili nuk përfshin ndërhyrje kirurgjikale, apo anestezi.

Për këtë trajtim përdoret një spirale për të përçuar impulse të fuqishme magnetike në tru.

“Këto impulse stimulojnë neurotransmetuesit që janë sinjalet kimike, të cilat përmirësojnë komunikimin mes zonave të ndryshme të trurit që janë përgjegjës për humorin. Me kalimin e kohës, simptomat e depresionit përmirësohen”, thotë Muaid Ithman, universiteti për Kujdesin Shëndetësor, Misuri.

Duket sikur dikush të prek lehtë në kokë, gjë që mund të shkaktojë dhimbje koke. Përpara se të niste trajtimin, Kibbee mori një ilaç për dhimbje koke, nga ato që jepen pa recetë. Vetëm një javë më pas, ajo vuri re një ndryshim domëthënës.

“Thjesht u ndjeva shumë më mirë”, thotë pacientja Sonya Kibbee.

Pas më shumë se 30 trajtimesh, simptomat e depresionit tek ajo pothuajse u zhdukën.

“Në thelb tek 50 apo 60 për qind e njerëzve që vuajnë nga depresioni që nuk i bëjnë efekt trajtimet, do të kenë rezultat pozitiv pas TMS-së. Ndërsa tek një të treta e paciantëve, simptomat largohen tërësisht”, thotë mjekja psikiatre.

Instituti Kombëtar amerikan i Shëndetit Mendor thotë se bazuar në dy studime mbi sigurinë e trajtimit “Stimulimi Magnetik Transkranial”, me përfshirjen e shumë pjesëmarrësve, shumica e efekteve anësore, të tilla si dhimbja e kokës, janë të lehta, ose të moderuara. Por për shkak se trajtimi është relativisht i ri, efektet anësore afatgjata janë ende të panjohura dhe është e nevojshme kryerja e studimeve të tjera.

voa

Sukses në trajtimin e virusit HIV me qeliza embrionale

virus aidsStudiuesit njoftuan rastin e dytë të njohur të një personi që nuk ka asnjë shenjë të virusit që shkakton Sidën pas kryerjes së një transplantimi të qelizave embrionale dhe ndalimit të përdorimit të barnave antiretrovirale.

Në një studim të botuar të hënën në revistën Nature, autori kryesor Ravindra Gupta i Universitetit College të Londrës thotë se pacienti i trajtuar, rezultoi pa virusin HIV, që sulmon sistemin imunitar të njeriut, 18 muaj pas ndërprerjes së mjekimeve.

Pacienti u diagnostikua me HIV në vitin 2003 dhe filloi përdorimin e ilaçeve antiretrovirale në vitin 2012. Pasi u prek nga limfoma Hodgkin, ai filloi trajtimin me qeliza embrionale në vitin 2016 dhe më pas iu ndërprenë mjekimet antiretrovirale. Studiuesit monitoruan gjendjen e tij dhe që nga ajo kohë nuk kanë gjetur gjurmë të HIV-it.

Kyçi i trajtimit me qeliza embrionale është përdorimi i qelizave nga një donator me një kopje të rrallë të dyfishtë të një mutacioni të gjenit që është zakonisht rezistent ndaj virusit HIV.

Trajtimet e tilla me qeliza embrionale janë të rënda për trupin e njeriut dhe ato shoqërohen me dobësimin w sistemit imunitar të pacientit.

Autorët e studimit paralajmëruan se ky lloj i veçantë trajtimi nuk është një opsion i mundshëm për trajtimin e të gjitha rasteve të HIV-it.

Por ata shpresojnë se gjetja e një rasti tjetër që do të sillte një rezultat të ngjashëm me atë të një dekade më parë mund të ndihmojë në përqëndrimin e kërkimeve për gjetjen e një trajtimi që mund të përdoret në shkallë më të gjërë.

“Megjithëse nuk është një strategji e zbatueshme në shkallë të gjerë për kurimin e sëmundjes, jemi në një moment të rëndësishëm të kërkimeve për gjetjen e një kure për virusin HIV”, tha Anton Pozniak, President i Shoqatës Ndërkombëtare të Sidës. “Këto zbulime të reja theksojnë besimin tonë se ekziston një provë se virusi HIV është i shërueshëm”.

Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se 37 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë të prekur me virusin HIV, ndërsa 22 milionë prej tyre përdorin ilaçe antiretrovirale.

voa

3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

Traktati-Shen StefanitMë 3 mars të vitit 1878 u nënshkrua Traktati i Paqes së Shën-Stefanit, i cili i dha fund Luftës Ruso-Turke që pat shpërthyer më 24 Prill 1877. Paqja e Shën-Stefanit ishte një nga më të ashprat që ishte arritur ndonjëherë në histori.

Pas luftimeve që zgjatën për pothuajse një vit, trupat ruse arritën në fshatin Shën Stefan, rreth 17 kilometra në afërsi të Stambollit. Pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve rusë, kontit Nikolla Ignatiev e Aleksandër Nelidov dhe atyre osmanë Safet Pasha, ministër i Punëve të Jashtme dhe Sadullah Beu, ambasador në Oborrin Perandorak të Gjermanisë, u nënshkrua ky traktat.

Për shkak të epërsisë ushtarake, Rusia abuzoi shumë me Traktatin e Shën-Stefanit, duke thelluar mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit.

Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Sipas Traktatit, u krijua shteti bullgar me kufij shumë të gjerë, ndërsa Rumania, Serbia dhe Mali i Zi deri atëherë principata autonome nën vasalitetin e sulltanit osman, fituan pavarësinë e plotë. Serbia zgjerohej nga jugu në drejtim të viseve shqiptare të Kosovës. Sipërfaqja e saj rritej nga 37,7 mijë kilometra katrorë në 52,7 mijë kilometra katrorë. Edhe Mali i Zi rritej nga 4,7 në 15,7 mijë kilometra katrorë.

Trojet shqiptare do të copëtoheshin rëndë nga ky traktat dhe në bazë të kësaj marrëveshje.

Traktati i Shën Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike.

Sipas këtij traktati, brenda kufijve të Malit të Zi hynin vise të banuara prej shqiptarëve, duke përfshirë Ulqinin, Tivarin, pjesën e sipërme të bregut të lumit të Bunës, gati krejt liqenin e Shkodrës, Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë. Territoret e Bullgarisë zgjeroheshin deri në brigjet e liqenit të Ohrit. Greqia nuk arriti të përfitonte asgjë.

Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.

Kundërshtimi i vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit shënon një nga momentet ku filloi të merrte hov lëvizja kombëtare shqiptare. /Dita/

PD nis mobilizimin për protestën, ja SMS-ja e PD për drejtuesit në rrethe

BashaMenjëherë pas njoftimit se nesër në orën 10:00 do të mbahet seanca e Kuvendit, ka ardhur lëvizja e opozitës.

Sekretariati organizativ i PD ka njoftuar me sms drejtuesit e degëve: Në orën 9:30 protestuesit të mblidhen para Kuvendit!

Opozita kërkon të mobilizojë sa më shumë militantë me qëllim që të pengojë seanën ku pritet të betohen edhe katër deputetë të rinj që kandiduan me LSI-në në fushatën e 2017-tës.

Ata vendosën të thyenin vendimin e partisë për bojkot parlamentar, duke pranuar mandatin.

Ndërkohë deputetëve të mazhorancës iu është kërkuar që të jenë në sallë gjysmë ore para me qëllim shmangien e përplasjeve me turmën.

Kujtojmë që në seancën e javës së shkuar ministri dhe njëherësh deputeti Blendi Klosi u sulmua nga turma.

shekulli

Maqedonia e Veriut, Pendarovski zyrtarizohet si kandidat për president

PendarovskiNë Kongresin e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), është zyrtarizuar kandidatura e Stevo Pendarovskit për president të Maqedonisë së Veriut, për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen më 21 prill.

Kryeministri Zoran Zaev, njëherësh kryetar i LSDM-së, tha para delegatëve se Stevo Pendarovski do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, pas të cilit qëndrojnë të gjitha bashkësitë etnike në vend, moment ky sipas tij që nuk ka ndodhur në 27 vjet demokraci në Maqedoninë e Veriut.

“Stevo Pendarovski është propozimi ynë. Besojmë se ai është zgjedhja jonë për fitore, presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut. U bashkuam rreth idesë së një kandidat të përbashkët, me një mbështetje të madhe. Për herë të parë kemi kthesë historike e politike në vendin tonë, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët jemi bërë bashkë që të sigurojmë një president për të gjithë qytetarët tanë”, tha kryeministri maqedonas.

Sipas Zaev, Maqedonisë së Veriut i duhet një president që do të mund ta çojë vendin drejt integrimit euroatlantik, që do të jetë partner i reformave dhe jo i ndarjeve.

Më këtë rast, Zaev ka drejtuar kritika edhe ndaj presidentit aktual, Gjorge Ivanov, i cili sipas kryeministrit, në vitin 2014 u zgjodh duke bërë padrejtësi të mëdha ndaj Stevo Pendarovski, i cili atëherë ishte rival i Ivanovit, por që nuk kishte mbështetjen e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Në anën tjetër, VMRO-DPMNE-ja ka si kandidate të saj për president, Gordana Siljanovskan.

Top Channel

McAllister: Qeveria e Kosovës ta pezullojë taksën ndaj Serbisë

Mcallister RamushKryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, tha në Prishtinë se Parlamenti Evropian e do Kosovën dhe Serbinë shumëetnike.

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, së bashku me një grup eurodeputetësh që po qëndrojnë në Kosovë, i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që ta pezullojë taksën ndaj produkteve të Serbisë, në mënyrë që dialogu në Bruksel të vazhdojë. McAllister dhe grupi i eurodeputetëve po viziton Kosovën pas një vizite që realizuan këtë javë në Beograd.

Pas disa takimeve që zhvilloi me udhëheqësit politikë kosovarë, McAllister, tha se taksa e Prishtinës për produktet e Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, është shkelje e marrëveshjes së stabilizim-asocimit. “Sipas pikëpamjes sonë, pezullimi i tarifës do të jetë rruga drejt suksesit. Ne kemi qenë shumë të qartë lidhur me këtë dhe kemi përsëritur mesazhin në këto dy ditë të qëndrimit në Prishtinë dhe për më shumë, mes arsyeve tjera kjo është një shkelje e Marrëveshjes së CEFTA-s dhe po ashtu është shkelje e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Prandaj, ne nuk besojmë se ky është vendimi i duhur dhe vendimi i drejtë”, tha McAllister.

E pranueshme marrëveshja, nëse palët janë në ujdi

Ndërkohë që qeveria e Kosovës nuk dëshiron ta ndërlidhë taksën me dialogun, Beogradi zyrtar kërkon heqjen e taksës nga Prishtina. Pa të nuk mund të vazhdojë dialogu, thuhet në Beograd. Në këtë mes, në deklarimet publike të politikanëve në Kosovë e Serbi, rreth dialogut është folur shumë edhe për kufirin Kosovë-Serbi dhe mundësinë e “ndryshimit apo korrigjimit” të tyre. Lidhur me këtë kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i tij personal është që për “do të ishte e pranueshme një marrëveshje që bien dakord të dyja palët”, Kosova dhe Serbia.

“Lidhur me debatin për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, korrigjimin e kufirit, përfshirë dhe shkëmbimin e territoreve, Parlamenti Evropian nënvizon natyrën multietnike të Kosovës dhe Serbisë dhe kjo gjendje multientike nuk duhet të hidhet poshtë dhe ajo duhet të mbrohet. Parlamenti Evropian konsideron se kjo marrëveshje..[…] (fjala është për shkëmbimin e territoreve, shën. red.) do të jetë e pranueshme vetëm nëse për këtë ka pajtim të dyanshëm, duke marrë parasysh stabilitetin në tërësi në rajon dhe të drejtën ndërkombëtare. Ky është pozicioni i Bashkimit Evropian dhe i imi. Ndërsa, kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, ka një opinion paksa më ndryshe”, tha David McAllister.

Mungesë uniteti politik në Kosovë

Qëndrimet e kundërta rreth taksës ndaj prodhimeve të Serbisë, këshillave amerikane dhe qasja e Kosovës për dialogun janë shkallëzuar me deklarime publike ndërmjet Presidentit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj. Ky i fundit i bëri thirrje sot presidentit Hashim Thaçi, që siç u shpreh Haradinaj, “Thaçi të mos “mashtrojë” Kosovën me idenë për korrigjim të lehtë të kufirit me Serbinë”. “Vija kufitare me Serbinë, nëse do të jetë korrigjim i lehtë, mundet të mos jetë aq i lehtë. I bëj thirrje presidentit Hashim Thaçi që të mos mendojë se mund ta mashtrojë më Kosovën, as me korrigjim të lehtë. Shënjimi i kufirit mes dy shteteve është proces që vjen pas njohjes së ndërsjellë. Kufiri i Kosovës ekziston, policia jonë e patrullon atë kufi. Pra, nuk ka korrigjim, e në emër të korrigjimit të na e luajnë lojën, siç na e kanë luajtur lojën me demarkacionin me Malin e Zi”, tha kryeministri Ramush Haradinaj. Ai tha se “Kosova do të ruajë kufijtë ekzistues të shtetit të shpallur me 17 shkurt’. “Ju siguroj se nuk ka kush që i prek, nuk mundet askush t’i prekë kufijtë e Kosovës”, tha Haradinaj, gjatë një tubimi në vendlindjen e tij në Deçan.

E nga ana tjetër Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shprehet, se “Kosova nuk do të lejojë shkëmbim të territoreve”, sepse sipas tij “ky është pazar i keq”. “Nga letra e Presidentit Trump dhe letra mbështetëse e Joe Biden mund të kuptojmë një gjë, Amerika qëndron unike përkrah Kosovës. Çështja e dialogut Kosovë-Serbi për marrëveshje paqësore dhe njohje reciproke nuk është vetëm përkrahje e administratës aktuale të Trump por edhe e miqve të tjerë të Kosovës. Është mbështetje edhe nga presidenti George Bush që ka thënë se dialogu është alternativë e vetme, jo konfliktet e tragjeditë”, tha Presidenti Hashim Thaçi, gjatë një vizite në Prizren.

Skena politike kosovare nuk duket se do të flasë me një zë sa i përket taksës ndaj Serbisë dhe qasjes së dialogut. E nga ana tjetër, Serbia thotë se nuk rifillon dialog me Kosovën, pa heqjen e taksës. Sipas një komunikate të ditës së mërkurë nga zyra e Presidentit Vuçiq, thuhet se ky i fundit “pret nga bashkësia ndërkombëtare që të mos heshtë ndaj faktit se përfaqësuesit e Kosovës nuk e kanë zbatuar Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe se kanë vendosur taksa anticivilizuese ndaj mallrave nga Serbia. Më 21 nëntor të vitit të shkuar qeveria e Kosovës vendosi tarifë shtesë 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, për shkak të siç thotë kryeministri Ramush Haradinaj, ”agresionin politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës”. Përfaqësues të institucioneve në Bruksel të BE-së dhe SHBA-së vazhdojnë të kërkojnë nga qeveria e Kosovës që ta heq taksën ndaj mallrave serbe dhe t’i hapet rruga dialogut Kosovë-serbi për një marrëveshje finale ligjërisht obliguese për të dyja vendet.

dw