Përdorimi i tepruar i internetit, dukuri në rritje

InternetiLehtësimi që interneti ka sjellë në jetën e përditshme, erdhi me një çmim. Studimet tregojnë se varësia ndaj internetit është në rritje, veçanërisht mes të rinjve. Siç njoftojnë gazetarët e Zërit të Amerikës Yildiz Yaziciogludhe Murat Karabulut, një analizë e realizuar në Turqi tregon se varësia tek interneti është rritur shume gjatë dy dekadave të fundit.

Vetëm 60 për qind e botës kanë qasje në internet. Në vendet e zhvilluara kompjuterët janë të pranishëm gjithandej; në punë, shkolla dhe shtëpi.

Por sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi i tepruar i internetit, telefonit, lojërave dhe platformave tjera, sjell pasoja negative për shëndetin. Mjekët vazhdojnë të mësojnë se si të përballen me këtë dukuri.

“Varësia ndaj internetit është sëmundje fizike dhe psikike, e cila është prioritet në programin tonë” thotë Rahmi Aktepe nga Asociacioni turk i Teknologjisë Informative.

Duke mos i ditur pasojat e internetit, kjo dukuri bëhet edhe më e rrezikshme.

“Për varësitë e tjera dihen dëmet dhe rreziqet. Për shembull, ne këshillojmë njerëzit të ndalojnë cigaren ose drogën. Varësia në internet është ndryshe”, thotë zoti Aktepe.

“Varësia në internet është edhe varësi në teknologji. Fotografitë selfie, janë një aspekt tjetër. Është sëmundje psikologjike e cila nuk ka shërim. Trajtohet me edukim. Kërkohen studime për këtë”, thotë Ali Yazici nga Asociacioni turk i Teknologjisë Informative.

Hulumtimi i Institutit Statistikor turk tregon se këtë vit rreth 75 për qind e popullatës në Turqi nga mosha 16 deri 74 vjeç janë përdorues të internetit, kurse 88.3 për qind e shtëpive kanë qasje në të.

Ndërsa vazhdon debati i ekspertëve për përdorimin e tepruar të internetit, dukuria prek më së shumti fëmijët.

“Fëmijët marrin shembuj nga prindërit. Familjet duhet të jenë më të kujdesshme me përdorimin e internetit, kompjuterëve dhe telefonave të mençur. Prindërit nuk duhet ta teprojnë në sy të fëmijëve. Ata duhet të kontrollojnë kohën e fëmijëve, për shembull një ose dy orë, në varësi nga mosha. Kërkohet diciplinë kur është në pyetje përdorimi i internetit nga fëmijët”, thotë zoti Aktepe.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se përdorimi i tepruar i internetit, telefonave dhe pajisjeve tjera teknologjike po rritet aq shumë, duke u shndërruar në problem të madh shëndetësor.

voa

Tiranë: Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë Rama pas mos-hapjes së bisedimeve me BE-në

Rama Basha“Një njeri po na mban peng të gjithëve. Kjo duhet të marrë fund”. – Kështu u shpreh sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si përgjegjës për dështimet në procesin e integrimit europian dhe mos-hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Drejtuesi i bashkimit opozitar theksoi se “situata e rëndë ekonomike, mungesa e mundësive, që vjen prej kapjes së institucioneve dhe pabarazisë para ligjit, ka detyruar shqiptarët të largohen në numra rekord si azilkërkues”.

“Europa refuzoi Edi Ramën, jo Shqipërinë. Dështimi është i Edi Ramës, jo i Shqipërisë. Ky mesazh ka qenë më i fortë se kurrë nga Gjermania, që i tha Po Shqipërisë dhe Jo qeverisë përmes 9 kushteve që duhen përmbushur. Pa reforma serioze, të cilat ai nuk është në gjendje dhe nuk ka vullnetin t’i bëjë, Europa do të vazhdojë ta refuzojë Edi Ramën, por ne, shqiptarët, do të vazhdojmë të vuajmë pasojat” – tha zoti Basha.

Ai deklaroi se kryeministri Rama duhet t’i kthejë mandatin popullit shqiptar, sepse “shumica e vendeve ishin të një mendje se qeveria e Shqipërisë nuk e meritonte hapjen e negociatave dhe se kushtet treguan që qeveria ka bërë hapa pas”.

Ai tha se krimi, korrupsioni, blerja e votës, mosfunksionimi i gjykatave, nuk janë probleme të brendshme të Europës, por të qeverisë Rama.

“Kushtet e BE janë udhërrëfyesi ynë për të dalë nga kriza, për të ndërtuar një Shqipëri demokratike, me mundësi për të gjithë qytetarët e saj. Vënia para drejtësisë e te inkriminuarve dhe korruptuarve në nivele të larta janë kërkesat e panegociueshme për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit” – tha ai.

Zoti Basha tha se qeveria e Tiranës duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe të largohet nga drejtimi i vendit.

“Me një qeveri të re, legjitime, e dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, që drejton procesin e negociatave europiane, mirëqenia dhe përparimi është i mundur” – tha ai.

Por kryeministri Edi Rama hodhi poshtë kërkesat për dorëheqje dhe akuzoi opozitën se ajo punoi shumë fort për ta dështuar procesin.

“Ata nuk kanë lënë gur pa lëvizur por nuk ia dolën. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk morën atë që ju takonte si rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane për të ardhmen e Bashkimit Europian” – tha ai.

Zoti Rama tha pas një mbledhje të Partisë Socialiste për të njëjtën temë se e vetmja gjë që Shqipëria ka në dorë është të bëjë detyrat e shtëpisë, dhe se përgjigja e fundit nga BE-ja nuk ndryshonte asgjë në trajektoren strategjike të vendit, PS-së dhe qeverisë.

“Detyrat tona të shtëpisë janë shumë të qarta. Rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok. Ne duam të bëjmë Shqipërinë europiane për shqiptarët dhe fëmijët tanë dhe këtë do ta bëjmë përditë” – tha ai.

Franca i kujtoi Shqipërisë se ka një numër të lartë azilantësh dhe emigrantësh, gjë që nuk përputhet me kërkesat e saj për integrim europian, ndërsa Gjermania i kërkoi të ringrejë Gjykatën Kushtetutese dhe të dënojë zyrtarët e inkriminuar në korrupsion gjyqësor dhe në krime zgjedhore.

voa

Krijimi i proteinave në laborator ofron mundësi të shumta

ProteinaNjë shprehje e vjetër thotë “Natyra është e pamposhtur”. Por në një laborator në Universitetin e Nju Jorkut, shkencëtarët po përpiqen të kopjojnë një prej aktiviteteve bazë të natyrës, ndërtimin e proteinave. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Faith Lapidus sjell më shumë hollësi.

Kur flitet për proteinat, mendja të shkon menjëherë tek mishi. Por, duke patur në mendje biokiminë, proteinat janë shumë më komplekse. Enzimat, antitrupat, madje edhe muskujt e njeriut janë me bazë proteine. Është një sistem i mrekullueshëm, thotë kimisti Kent Kirshenbaum:

“Sa herë që mendojmë se mund të fitojmë karshi natyrës, ne gjendemi të përulur gjithmonë.”

Por, përpjekja vazhdon.

“Ne mund të rikrijojmë proteina natyrale ose molekula sintetike për të imituar format, strukturat dhe funksionet e proteinave natyrale”, thotë zoti Kirshenbaum.

Me mbështetje nga Fondacioni Kombëtar i Shkencës, zoti Kirshenbaum dhe një ekip i Universitetit të Nju Jorkut po zhvillojnë metoda të reja për krijimin e proteinave sintetike në laborator. Ata shohin një të ardhme jo shumë të largët, kur do të mund të krijojnë proteina që nuk kanë ekzistuar më parë në natyrë dhe do t’i përdorin ato në shkallë industriale.

“Kemi krijuar mënyrën e qasjes për ndërtimin e këtyre molekulave në një mënyrë jashtëzakonisht të besueshme. Besojmë se nëse mund të projektojmë një molekulë, do të jemi në gjendje ta ndërtojmë atë”, thotë zoti Kirshenbaum.

Kjo do të sillte antibiotikë sintetikë që luftojnë infeksione të ndryshme të trupit, ilaçe të ndërtuara enkas për të trajtuar kancerin e avancuar të prostatës dhe enzima që do të shndërronin celulozën në lëndë djegëse.

Brenda qelizave njerëzore, fabrikat biokimike ndërtojnë proteinat bllok pas blloku – blloqe aminoacidesh. Në laboratorin e zotit Kirshenbaum, shkencëtarët kanë zhvilluar metoda që kanë të njëjtin funksion sikurse këto rruaza të vogla të futura në një shiringë.

“Rruazat ofrojnë një sipërfaqe të mirë, si dhe janë poroze, kështu që reaksionet kimike mund të zhvillohen në sipërfaqe dhe brenda rruazave”, thotë zoti Kirshenbaum.

Sfida e madhe qendron tek rikrijimi i proteinës sintetike në mënyrë që të zëvendësojë tërësisht atë natyrale. Nëse forma e molekulës ka vetëm pak ndryshim, nuk mund të funksionojë siç është projektuar.

Deri tani, ata kanë patur sukses në rikrijimin e proteinave tejet të vogla sintetike.

“Kjo është shumë e rëndësishme, kemi arritur në këtë prag. Duhet të ndërmarrim hapin e ardhshëm që jo vetëm të imitojmë njësitë e intervaleve të shkurtëra, por të imitojmë format komplekse tre-dimensionale të disa prej këtyre strukturave masive të proteinave. Pas kësaj, do të hapet një botë e gjerë përdorimesh për ne” , thotë zoti Kirshenbaum.

Kjo mund të çojë në ndërtimin e materialeve të avancuara, lëndëve djegëse më të pastra dhe efikase, ilaçeve më të mira dhe trajtimit shëndetësor më efikas.

voa

Hooked, një aplikacion i krijimit të literaturës dhe filmave me celularë

HookedNjë kompani teknologjike po ofron letërsi dhe filma të shkurtër të krijuar posaçërisht për pajisjet celulare. Ato tashmë kanë 50 milion abonentë mujorë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell sjellë hollësitë.

Adoleshentët shpenzojnë shumë kohë në telefonat inteligjentë. Një aplikacion i ri i quajtur “Hooked” tani ka depërtuar në këtë platformë me synimin për të tërhequr të rinjtë me filma dhe letërsi të re të krijuar posaçërisht për këtë platformë dixhitale.

Ajo që ne po ndërtojmë është si një Netflix për celularë, i mbushur me përmbajtje të ndryshme për përdoruesit e telefonave inteligjentë“, thotë Kevin Ferguson, i aplikacionit “Hooked”.

Ne filluam me pyetjen, a lexojnë më të rinjtë? Dhe nëse po, çfarë platformash mund të përdorim për leximin e llojeve të ndryshme të literaturës? Dhe kështu lindi ideja e krijimit të platformës që në thelb krijon histori nga shkëmbimi i mesazheve me telefona inteligjentë”, thotë Esha Gupta nga aplikacioni “Hooked”.

Aplikacioni “Hooked”, që thotë se ka 50 milionë abonentë mujorë, nuk u ndal këtu. Tani krijuesit e platformës janë duke i kthyer historitë e tyre më të pëlqyera në filma.

Videoja jonë e parë në platformën ‘Hooked’ ishte një histori e shkurtër 15 minutëshe e quajtur ‘Trevor dhe Virgjëresha’“, thotë Kevin Ferguson nga aplikacioni “Hooked”.

“Trevor dhe Virgjëresha”,që “Hooked” thotë se është historia më popullore në aplikacion, shtjellon historinë klasike të një vajze adoleshente që ka simpati për një djalë shumë të pëlqyer. Por, krijuesit e platformës “Hooked” theksojnë se ata kanë një grup të larmishëm përmbajtjesh me tema të tjera.

Ne publikuam një histori më të gjatë dhe më komplekse të quajtur “Materia e errët”. Dhe ky ishte një sinjal për ne se angazhimi në këtë platformë për aq kohës sa është i fokusuar, prodhon histori të pasura”, thotë Kevin Ferguson.

Dhe në epokën dixhitale, asgjë nuk duhet t’i lihet fatit. Krijuesit e aplikacionit “Hooked” mund të shohin se sa kohë shpenzojnë lexuesit në secilën histori, madje edhe në secilën faqe, të cilën e përdorin kur prodhojnë filmat.

Vetëdija dhe ritmi, ajo ku ju vendosni të përqëndroheni, të dhënat vërtetë ju informojnë mbi zgjedhjet krijuese posaçërisht për atë që ndihet si angazhuese në telefonat inteligjentë“, thotë Esha Gupta nga aplikacioni “Hooked”.

Një mënyrë e re e rrëfimit të historive, për një audiencë të brezit të mijëvjeçarit. Një gjë është e sigurt, nëse mund ta përballoni koston e abonimit, është e vështirë të hiqni dorë nga aplikacioni “Hooked”.

voa

Ecja e parë në hapësirë nga astronaute femra

AstronautetNASA bëri histori të premten në mëngjes kur astronautet Christina Koch dhe Jessica Meir dolën jashtë Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor për të zëvendësuar një karikues baterie të dëmtuar.

Ecja në hapësirë vetëm me astonautet femra është e para në llojin e saj “në historinë njerëzore”, tha agjencia amerikane e hapësirës. Ecja filloi në orën 7:38 të mëngjesit.

Astronautja Koch ishte e para që doli nga Stacioni Ndërkombëtar me një litar të kuq të bashkangjitur me kostumin e saj.

Meir pasoi shpejt, me një qese me vegla ndërsa doli nga stacioni në orën 7:49 të mëngjesit.

Ecja historike përreth orbitës jashtë laboratorit në hapësirë bëhet disa muaj pasi një ecje tjetër me astronaute femra u anulua sepse NASA nuk kishte kostume hapësinore në masën e duhur. Ecja e sotme është paralajmëruar si një hap i madh përpara për agjencinë në një kohë kur NASA vazhdon të punojë për të nënvizuar kontributet e grave.

Në një konferencë për mediat para ecjes 5-orë e gjysmë, Administratori i NASA-s, Jim Bridenstine tha se agjencia do të vazhdojë përpjekjet për të dërguar “burrin tjetër dhe gruan e parë” në Hënë deri në vitin 2024.

Zaev: Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përpos BE-së

ZaevZgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të zhvillohen më 12 prill 2020. Kjo është vendosur në takimin e liderëve të partive parlamentare me presidentin Stevo Pendarovski.

Presidenti Pendarovski ka thënë se nga të gjithë liderët ka marrë garanci se pa marrë parasysh vendimin e BE-së në lidhje me datën e bisedimeve, vendi do të vazhdojë rrugën e euro-integrimeve.

“Kemi konsensus shtetëror, pavarësisht përfundimeve të samitit të BE-së, kemi konfirmim nga të gjithë të pranishmit, se ne nuk kemi asnjë problem me metodologjinë e re që kërkohet. Të gjithë kanë rënë dakord se nuk kanë asnjë problem me procesin e rezervuar, për shkak se nuk kemi prej çka të frikësohemi, të gjithë të pranishmit i thanë jo cilësdo alternativë tjetër. Ne jemi pjesë e Evropës, dhe ne nuk po kërkojmë ndonjë alternativë tjetër, përveç asaj të një anëtares së plotë e BE-së”, ka deklaruar Stevo Pendarovski.

Kryeministri nga LSDM, Zoran Zaev theksoi, se “besoj se qytetarët me mençuri do të sjellin vendim me të cilin do ta hapin rrugën nëpër të cilën ne politikanët, që do të marrim përkrahje, do ta udhëheqim shtetin tonë”. Ai tha se data është arritur me koncensus dhe se është marrë parasysh ratifikimi i Protokollit për anëtarësim në NATO. Zaevi tha se në rrugën e konsultimeve të brendshme në LSDM do të zgjidhet kryeministri teknik, i cili do të kryejë funksionin nga 3 janari. Ai vlerëson se tani është momenti i mirë që të bisedohet edhe për ndryshim të modelit zgjedhor, ndërsa sipas LSDM, është e pranueshme që të ketë një njësi zgjedhore dhe lista të hapura.”Kjo datë na krijon mundësi që të flasim për modelin zgjedhor. Si kryetar i partisë më të madhe politike në shtet mbetem në qëndrimin, se shteti duhet të bëjë hapa para drejt demokratizmit të procesit. Për LSDM-në është e pranueshme një njësi zgjedhore dhe lista të hapura. Dëshiroj t’i dëgjoj partitë më të vogla politike, sepse shumë shpesh ne partitë më të mëdha mblidhemi dhe nuk është korrekte që vetëm ne të vendosim. Kisha takim me ta dhe ata janë për një njësi zgjedhore. Besoj se shteti do të mbledh fuqi që të bëjë hapa para drejt demokratizimit më të madh përmes procesit zgjedhor, gjegjësisht modelit zgjedhor që ta përforcojmë pluralizimin në shtet përmes Parlamentit”, ka deklaruar Zaev.

Ahmeti: Vulosëm bashkarisht rrugëtimin euroatlantik

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka vlerësuar, se takimi tek Presidenti është një ndër takimet më konstruktive ku njëzëri nga të gjithë partitë është vulosur rrugëtimi euro-atlantik i vendit.

“Mund të them se ky është ndër takimet më konstruktive që kam pasur deri më tani, të gjitha partitë politike thanë se alternativa jonë e vetme është Bashkimi Evropian. Kemi biseduar se për vendin tonë është me rëndësi që të bëhet ratifikimi i marrëveshjes për anëtarësim në NATO nga të gjitha vendet që akoma nuk e kanë ratifikuar. Gjithashtu pas ratifikimit edhe Parlamenti ynë duhet të ratifikojë marveshjen për anëtarsim në NATO. Ramë dakord që me 12 prilli të mbahen zgjedhjet. Me rëndësi është që zgjedhjet të jenë të pranueshme dhe demokratike, të lira sipas të gjitha standardeve. Le të fitojë më i miri”, ka thënë Ahmeti.

Mickovski: Me 12 prill do të fitojë një Maqedoni e rindërtuar

Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristian Mickoski pas takimit të liderëve ka theksuar se është me rëndësi që u riafirmuan qëndrimet se të gjithë mbeten të përkushtuar në euro-integrime. Ai theksoi se  vijojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku do të fitojë një Maqedoni e rindërtuar.

“Nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit në NATO dhe BE. Ky ishte konstatim unanim i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim sa i përket mosmarrjes së datës për fillim të negociatave. Ndërkohë në pjesën e dytë ku u diskutua për zgjedhjet e parakohshme ramë dakord që 12 prilli të jetë dita kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për ne ishte shumë e rëndësishme që të marrim datë për zgjedhje të parakohshme. Kemi realitet të ri, do të kemi qeveri teknike dhe më 12 prill do të kemi fitues të ri të zgjedhjeve”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Partitë shqiptare pro zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Kryetari i Alternativës Afrim Gashi ka thënë se derisa Evropa t’i sqarojë punët e brendshme, ne duhet të vazhdojmë Evropën ta sjellim këtu dhe të vazhdojmë me reformat e posaçërisht ato në fushën e gjyqësorit.

“U dakorduam për 12 prillin si ditë zgjedhjeje dhe ditë feste për të gjithë qytetarët dhe tek shqiptarët do të vijë ndryshimi”, ka deklaruar Afrim Gashi.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela është i gëzuar për konfirmimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “Qëndrimi i përbashkët ishte se të gjithë duhet të punojmë për synimet tona për rrugën drejt BE. Kuptohet që me siguri ju kanë thënë se data për zgjedhjet e parakohshme është një sihariq për gjithë qytetarët, për të gjithë ata që vlerësojnë se ka ardhur dita e ndryshimit. Unë i bëj ftesë të gjithë njerëzve të mobilizohen që ta sjellin ndryshimin. Na priftë e mbara të gjithëve”, është shprehur  Ziadin Sela.

Kryetari i Lëvizjes BESA Bilall Kasami ka theksuar se tek subjekti i tij politik nuk ka pasur asnjë mëdyshje se pas mosmarrjes së datës për fillimin e bisedimeve për anëtarsim në BE, Maqedonia e Veriut duhet të shkojë në zgjedhje zë parakohshme parlamentare.

“Ne si BESA edhe më parë kemi konfirmuar se zgjedhjet duhet të mbahen. Tani është momenti më i përshtatshëm që qytetarët të tregojnë se cili është orientimi i tyre dhe kjo do të konfirmohet edhe në zgjedhjet e reja të parakohshme. Në asnjë moment nuk duhet të vihet në pikëpyetje procesi euroatlantik i Maqedonisë së Veriut. Ne duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, që më pas në samitin e radhës të marrim edhe datën për negociata”, nënvizon Kasami.

Sipas Marveshjes së Përzhinos, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme duhet të formohet qeveri teknike, të cilën duhet ta udhëheq personi i propozuar nga LSDM, ndërsa opozitës i takon Ministria e Punëve të Brenëshme dhe dy ministri të tjera. Sipas kësaj Maqedonia e Veriut nga 3 janari 2020 do të udhëhiqet nga qeveria teknike që përgatit zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit.

dw

Shkup: Pas Jo-sё sё BE Zgjedhje tё parakohshme

Te PresidentiDrejtuesit e partive kryesore politike nё Maqedoninё e Veriut, pёrfshirё edhe ato nё koalicionin qeverisёs, bien dakord pёr zgjedhje të parakohshme parlamentare në prill.

Ky vendim erdhi si pasojё e dёshtimit tё unanimitetit nё Bashkimin Evropian për t’i dhёnё Shkupit një datë pёr fillimin e bisedimeve të antarёsimit nё BE.

Presidenti francez Emmanuel Macron të premten kryesoi grupin e liderёve tё BE-sё qё e bllokuan hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninё e Veriut, përkundër shqetësimeve për rritjen e influencёs sё Kinës dhe tё Rusisё në Ballkan.

Të dielën pasdite (20.10), presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski thirri një takim me krerët e partive për të diskutuar hapa të mëtejshëm pas thirrjes që bёri njё ditё mё parё kryeministri Zoran Zaev për një votim të parakohshëm.

Në mbledhje, liderët e partisë ranë dakord të zhvillojnë zgjedhjemë 12 prill, tetë muaj përpara përfundimit të afatit aktual.Sipas ligjit, Zaev tani do të duhet të tërhiqet nga posti i kryeministrit në janar, duke i hapur rrugën një qeverie tё pёrkohshme teknike me ekspertë dhe disa nga përfaqësuesit e partisë opozitare. Kjo qeveri do tё duhet tё përgatisё zgjedhjet. “Unë besoj se në 12 prill qytetarët do tё bëjnë një zgjedhje të mençur duke hapur rrugёn pёr politikanёt qё duhet ta udhëheqin vendin “, tha Zaev.

Pasi Shkupi ra dakord t’i japë fund kontestit tё emrit me Greqinё – duke e ndryshuar atë në Maqedonia e Veriut  nga emёrtimi qё mbante ish-Republika  Jugosllave e Maqedonisё, shpresonte shumё qё do t’i jepej një datë për të filluar bisedimet e antarёsimit  me BE.”Ne kemi një konsensus të qartë shtetëror për të gjithë liderët politikë, që përkundër vendimit të Këshillit Evropian, Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të fillojë negociatat (me BE) sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Pendarovski pas takimit.

Maqedonia e Veriut pritet të bëhet anëtarja e 30-të e NATO deri nё fund tё kёtij viti, ose në fillim të vitit 2020, pasi antarsimi i saj nё kёtё aleancё është ratifikuar nga të gjitha shtetet anëtare të aleancës së udhëhequr nga SHBA.

dw

SHBA – Turqi, dakort për armëpushim në Siri, por Ankaraja refuzon ta quajë të tillë

ErdokanPresidenti Donald Trump tha të enjten se ishte kërcënimi i tij me sanksione ndaj Turqisë që e bëri vendin të binte dakord për një armëpushim pesëditor në luftimet me kurdët në Sirinë veriore.

Ai i bëri komentet para gazetarëve në Fort Worth të Teksasit.

Lajmin për armëpushimin e njoftoi nënpresidenti amerikan Mike Pence pas bisedimeve me Presidentin turk Tayip Erdogan.

Sipas marrëveshjes së arritur, dy aleatët e NATO-s, Turqia do t’i ndalë operacionet për pesë ditë, ndërsa tërhiqet nga rajoni përgjatë kufirit.

Pas bisedimeve që zgjatën katër orë, Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha se Ankaraja kishte marrë atë që donte, por refuzoi ta quante armëpushim.

“Ne do të bëjmë një pauzë të operacionit Pranvera e Paqes, në mënyrë që PKK/YPG të largohet nga zona e sigurt. Ky nuk është armëpushim, sepse armëpushimet bëhen vetëm mes dy palëve legjjtime. Kur elementët terroristë të largohen krejtësisht nga zona e sigurt, atëherë mund ta ndalim operacionin”, tha ai në konferencë për shtyp.

Zoti Pence udhëtoi drej Ankarasë shoqëruar nga sekretari i Shtetit Pompeo në një përpjekje për të bindur Presidentin Tayip Erdogan të ndalë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore.

Sulmi ka krijuar një krizë të re humanitare në Siri. 200 mijë civilë po largohen nga vendi, ndërsa ka krijuar gjithashtu shqetësim të madh mbi sigurinë e mijëra luftëtarë të Shtetit Islamik të braktisur në burgjet kurde. Situata në Siri ka nxitur kritika ndaj presidentin Donald Trump. Zoti Trump është akuzuar për braktisje të luftëtarëve kurdë, partnerët kryesorë të Uashingtonit në betejën për të çmontuar kalifatin e vetëdeklaruar të Shtetit Islamik në Siri, me vendimin për të tërhequr trupat nga kufiri ndërsa Ankaraja nisi ofensivën e saj më 9 tetor.

Zoti Trump i ka dalë në mbrojtje vendimit të tij të cilin e cilëson “të shkëlqyer nga pikëpamja strategjike”. Përpara takimit në Ankara, zoti Trump shprehej i bindur se zoti Pence dhe Presidenti Erdogan do të kishin një takim të suksesshëm, por paralajmëronte se nëse kjo nuk ndodhte, Turqia do të goditej me sanksione e tarifa që do të ishin siç shprehej ai shkatërruese për ekonominë e vendit.

voa

Reagime pas refuzimit për hapjen e bisedimeve me Tiranën dhe Shkupin

EUDështimi i Bashkimit Evropian për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nxiti reagime dhe shqetësime për pasojat e një vendimi të tillë. Bashkimi Evropian ishte zotuar që kjo të ndodhë këtë muaj.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov shkroi në rrjetet sociale se “më e pakta që Bashkimi Evropian i ka borxh rajonit është që të jetë I drejtpërdrejtë me ne. Nëse nuk ka më konsensus për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, nëse zotimet e Selanikut të vitit 2003 nuk qëndrojnë, qytetarët e meritojnë ta dinë”.

Para debateve në Bruksel, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kishte deklaruar se Kina e Rusia do të mbushin “boshllëkun” e lënë nga evropianët.

Komisionari për Zgjerimin Johannes Hahn, shkroi se “përgjegjësia për këtë dështim nuk është e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që shpresuan më të drejtë për vendim pozitiv. Është BE-ja ajo që dështoi për shkak të problemeve të brendshme. Kjo do të dëmtojë besueshmërinë e BE-së jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor por edhe më gjerë”, shkroi ai.

Depuetja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, tha se ky është një vendim i papranueshëm dhe akuzoi Francën se “po luan lojë të ndyrë dhe se të gjithë do të paguajmë çmimin”.

Carl Bildt, bashkëkryesues u Këshillit Evropian për punë të Jashtme tha se “kjo nuk është punë e vogël. Duke bllokuar negociatat e anëtarësimit për Ballkanin, Franca, Holanda e Danimarka jo vetëm që shkelën zotimet e mëhershme, por i hoqën mundësinë BE-së për çfarëdo qasje të besueshme strategjike ndaj këtij rajoni të rëndësishëm”.

Ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, duke shfaqur keqardhjen për vendimin, tërhoqi vërejtjen se “kjo do të fundosë besueshmërinë e Bashkimit Evropian në rajon dhe do të forcojë ambiciet e Moskës dhe Pekinit”.

Analisti Florian Bieber i Universitetit të Gracit në Austri, tha se ky dështim do të shkaktojë dëme afatgjata.

“Si mund të argumentojmë për BE-në në Ballkanin Perëndimor? Si mund të themi se përpjekja e vërtetë do të shpërblehet? BE-ja dhe Macroni në veçanti, tradhtuan atë që dëshiron BE-ja, Ashtu si premtimet e rreme të agimit të ‘orës së Evropës’ në vitin 1991, ky dështim do të shkaktojë dëme afatgjata”, shkroi ai.

voa

Ambasadat gjermane përgatiten për fluksin e vizave

punetoretShumë vetë nga Shqipëria e Kosova që kërkojnë një vizë pune realisht duhet të stërvisin durimin për shkak të pritjes së gjatë në ambasadat gjermane. Ministria e Jashtme tani i thotë DW-së se do të ketë përmirësime.

Deri më tani disa qindra mijëra punëtorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ardhur në Gjermani të punojnë përmes Rregullores së Ballkanit të qeverisë gjermane. Nga ekspertët ajo shihet si sukses i madh që po përmbush nevojat e tregut gjerman të punës. Sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane (IW) në fillim të këtij viti kanë qenë të regjistruar afër 100.000 vetë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që punojnë në punë të thjeshta në Gjermani dhe 60.000 të tjerë që kanë gjetur punë të kualifikuara. Por kjo rregullore e posaçme e qeverisë gjermane, e cila u ofrua si mundësi për të reduktuar numrin e refugjatëve nga vendet e Ballkanit në vitin 2015, përfundon në vitin 2020.

Më 1 mars 2020 pritet të hyjë në fuqi ligji gjerman për fuqinë punëtore, i cili rregullon me detaje ardhjen e fuqisë punëtore nga vendet jashtë BE-së. Për herë të parë mund të vish në Gjermani edhe me një vizë 6 mujore për të kërkuar punë duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë. Përveç kësaj të rinjtë nën moshën 25 vjeç që kanë mbaruar shkollën, mund të vijnë për të kërkuar një vend kualifikimi për deri në gjashtë muaj, nëse matura e tyre i kualifikon për shkollë të lartë, nëse njohin gjermanishten në nivelin B2 dhe e sigurojnë vetë jetesën në këtë kohë.

Kritika për kohëzgjatjen e vizës

Ligji tingëllon si një premtim i bukur, por si do të arrish deri tek marrja e vizës?Sepse megjithëse Gjermania po ndjek një politikë të hapur në drejtim të sigurimit të fuqisë punëtore nga jashtë, realisht rruga e ardhjes si punëtor i rregullt në këtë vend është shumë e gjatë. Viza është kthyer në pengesën kryesore për ardhjen në kohë të fuqisë së kualifikuar punëtore për sipërmarrjet gjermane. Deri në një vit e më shumë presin aplikuesit për vizë vetëm për marrjen e një orari për futjen e dokumenteve në ambasadat gjermane në vendet e Ballkanit.

Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, (DIHK) e ka kritikuar së fundmi fenomenin e tejzgjatur të pritjes për vizë. Ekonomia gjermane ka pritshmëri të larta nga ligji për ardhjen e fuqisë punëtore, thuhet nga ky institucion. Shumë firma kanë probleme të gjejnë fuqi punëtore. Prandaj DIHK kërkon që “qëllimi duhet të jetë shkurtimi i kohës së pritjes për një orar në ambasadë dhe marrjen e vizës nga sa është tani një vit deri në disa javë”, citon gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, DIHK.

Sipas presidentit të DIHK, Erich Schweitzer, “sipërmarrjet e këtushme janë të varura nga ajo që nga viti 2020 të ketë vërtet procedura të përshpejtuara në rekrutimin e fuqisë punëtore nga vendet jashtë BE”. Këto shqetësime të Dhomës Gjermane të Tregtisë përkojnë me raportimet në media, se në vitet e ardhshme pritet ulje e fuqisë punëtore nga vendet e BE. Ligji për fuqinë e kualifikuar punëtore e parashikon edhe procedurën e përshpejtuar për fuqinë punëtore, nëse kjo kërkohet nga punëdhënësi.

Reagim nga Ministria e Jashtme

Deutsche Welle ka pyetur Ministrinë e Jashtme Gjermane, se çfarë përgatitjesh po bëhen për përballimin e fluksit të mundshëm të kërkesave për vizë nga 1 janari 2020, kur hyn në fuqi, ligji për fuqinë e kualifikuar punëtore. Zyra e shtypit ka reaguar me një deklaratë ku thekson se “Ministria e Jashtme së bashku me aktorët e tjerë të përfshirë në procesin e vizës po përgatitet intensivisht para hyrjes në fuqi të ligjit për fuqinë e kualifikuar punëtore. Qëllimi i masave të ndryshme janë përmirësime të tjera në drejtim të eficiencës dhe mirësjelljes ndaj aplikuesve në procesin e vizës – kjo përmes zgjerimit të kapaciteteve, digjitalizimit të mëtejshëm dhe masave konkrete për zvogëlimin e procesit administrativ në procedurën e marrjes së vizës.”

Shumë aplikues për një vizë pune në ambasadat gjermane në Tiranë dhe Prishtinë ankohen për procedurat e gjata që rrezikojnë edhe vendin e punës që ata kanë arritur të gjejnë në Gjermani. Një nga kërkesat për marrjen e vizës që merr shumë kohë është njohja e kualifikimit profesional.

Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Jashtme Gjermane si rregull kërkohet që të interesuarit të kenë një njohje zyrtare të profesionit e menjëherë pas kësaj mund të kërkojnë vizë. Tani planifikohet të ngrihet një zyrë qendrore shërbimi për fuqinë punëtore që kërkon njohjen e kualifikimit. “Kjo qendër shërbimi do të këshillojë aplikuesit në vendet ku janë dhe do t’i shoqërojë ata në procedura përkatëse”, thuhet nga Ministria e Jashtme gjermane.

Por nëse këto masa do të japin efekt konkret për shkurtimin e kohës së pritjes për marrjen e vizës, këtë do ta tregojë viti i ardhshëm. DIHK gjermane ka kërkuar ndërkohë nga qeveria gjermane që të rrisë personelin në ambasadat gjermane dhe të krijojë kushtet për marrjen e fuqisë së kualifikuar punëtore nga jashtë.

DW.COM