Kuvendi sot mban seancë, do të debatohet për kredinë për autostradën Kërçovë-Ohër

Kuvendi-MKKuvendi i Maqedonisë së Veriut sot duhet ta mbajë seancën e 116-të, në rend dite të së cilës mes tjerash është propozim-ligjki për garancinë e Maqedonisë së Veriut në detyrimet rreth marrëveshjes për hua për financim shtesë për projektin për ndërtim të autostradës Kërçovë-Ohër, që do të ndodh mes “Eksport-import Bankës së Kinës” dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, me procedurë të shkurtuar.

Deputetët do të debatojnë edhe rreth propozim-ligjit për ndryshim dhe plotësim të ligjit për bujqësi dhe zhvill rural, me procedurë të shkurtuar, propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për ndërtim me procedurë të shkurtuar, propozim-ligji për ndryshim të Ligjit për financim të njësiteve të pushtetit lokale, me procedurë të shkurtuar, si dhe propozim-ligji për ndryshim të Ligjit për sport, po ashtu me procedurë të shkurtuar.

Në këtë seancë janë edhe propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për nëpunës administrativë, me procedurë të shkurtuar, propozim-ligji për ndryshim të Ligjit për të punësuar në sektorin publik, me procedurë të shkurtuar, si dhe propozim-ligji për emërim të Ligjit për menaxhim elektronik dhe shërbime elektronike, me procedurë të shkurtuar.

Në kuadër të kësaj seance janë edhe propozim-ligji për të drejtat e komuniteteve, të cilët janë më pak se 20 për qind nga popullata në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në lexim të parë, si dhe propozim-ligji për ndryshim të Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, gjithashtu në lexim të parë.

telegrafi

Pse jemi të varur nga telefoni? Shkenca ka përgjigjen!

TelefoniPërgjigja klasike për arsyen pse e keni kaq të vështirë të lini telefonin tuaj në shumicën e rasteve do të ishte – sepse jeni të varur nga ai.

Ju jeni mësuar të shpërqendroheni, si për shkak të dizajnit të këtyre pajisjeve dhe aplikacioneve, dhe efektit të dopaminës sa herë që merrni telefonin.

Sidoqoftë, shkenca ofron një shpjegim alternativë. A është e mundur që pajisjet tona mobile të na tërhiqen, jo pse jemi të varur, por pasi jemi duke u përpjekur të shmangim zërin në kokën tonë?

Për të kuptuar pse ka kuptim kjo “hipotezë e ikjes nga mendimet tuaja”, lexoni se çfarë thonë rezultatet e një studimi të fundit nga psikologu social Timothy Wilson në Universitetin e Virxhinias.

Ekipi i tij la një grup njerëzish në një dhomë, nga e cila ata larguan të gjitha gjërat që mund të merrnin vëmendjen: telefona, stilolapsa, letër, etj.

Subjektet më pas kaluan 15 minuta duke qëndruar vetëm me mendimet e tyre.

Ekipi i Wilson zbuloi se shumica e njerëzve në grup e vlerësuan këtë përvojë si të mërzitshme ose një përvojë që nuk e shijuan aspak.

Shkencëtarët atëherë prezantuan një kthesë të vogël për të gjithë situatën. Ata përsëritën të njëjtin eksperiment, duke lënë një pajisje në tryezë në dhomë që lejonte subjektet të “peshkonin” veten me një goditje mini-elektrike.

Për 27 për qind të grave dhe 67 për qind të burrave, fakti që ata duhej të qëndronin vetëm në dhomë me mendimet e tyre ishte aq e padurueshme sa vendosën të “godasin” veten me rrymë. Një burrë thuhet se e përsëriti atë 190 herë.

Rezultati shqetësues i këtij studimi është se shumica e njerëzve më mirë do të lëndonin veten sesa të liheshin vetëm me mendimet e tyre, transmeton KosovaPress.

Rukola, burimi i mineraleve që ju duhen për uljen e tensionit të gjakut

RukolaRukola është një barishte me dhunti të shumta për shëndetin e mirë. Ajo përdoret kryesisht në sallata, por edhe mund të gatuhet krahas perimeve të tjera. Sipas shqiptarët e kanë kultivuar rukolën pas viteve 90’, ndërkohë që vendet e tjera të Mesdheut e kanë kultivuar këtë barishte prej më shumë kohësh.

Rukola i përket familjes botanike së lakërishteve që përfshin brokolin, lakrën dhe lulelakrën. Kjo barishte është plot me aq shumë vitamina, minerale dhe ushqyes, saqë është ndër të paktat që mbështet të gjitha sistemet e organizmit.

Rukola Për Uljen e Tensionit të Gjakut

Rukola është një nga burimet më të pasura të nitrateve dhe përmban gjashtë herë më shumë nitrate se sallata jeshile. Kjo është diçka shumë e mirë për organizmin. Sipas ekspertëve, kur hyn në trup, nitratet transformohen në një substancë që ka aftësinë të hapë enët e gjakut dhe të lehtësojë qarkullimin e tij. Në këtë mënyrë, rukola ndihmon në uljen e tensionit të lartë të gjakut.

Përveç tensionit të gjakut, kjo barishte ndihmon edhe në uljen e nivelit të kolesterolit. Ajo përmban vitaminën B5 e cila njihet për aftësinë që ka në uljen e nivelit të kolesterolit të keq dhe mirëmbajtjen e nivelit të kolesterolit të mirë. Nga ana tjetër, rukola përmban vitaminë K që lufton inflamacionin dhe forcon shëndetin e kockave, duke parandaluar në të njëjtën mënyrë edhe shfaqjen dhe zhvillimin e artritit. Një vlerë e shtuar e vitaminës K është edhe ndihma që i jep organizmit për të përthithur kalçiumin, duke i dhënë një mbështetje të fortë personave që vuajnë nga osteoartriti.

Si ta Përfshini më Shumë rukolën në Ushqimin Tuaj

Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që të përpiqeni të hani rukola të paktën 2 herë në javë.
• Shtojeni në salca të ndryshme për të përfituar shijen e mprehtë dhe therëse.
• Përdoreni me produkte deti të gatuara në zgarë.
• Prijeni hollë dhe hidheni në pica ose makarona përpara se t’i servirni.
• Përdoreni në sallatë krah barishteve të tjera për një shije të shumëfishtë.
• Përgatisni panine me djathë, rukola dhe domate.
• Prijeni hollë dhe përdoreni në omletë, ose me djathë dhe patate të pjekur në furrë.
• Shtojeni në përzierjet dhe shtrydhjet e frutave dhe perimeve për një lëng me shumë vlera.
• Shtojeni në perimet e kavërdisura, makarona, supa, dhe salca./AgroWeb

Top Channel

Engel: Do të bëj gjithçka për të ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë

Kongresmeni amerikan Eliot EngelKongresmeni amerikan Eliot Engel paralajmëron kundër idesë së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë i tha Zërit të Amerikës, se shpreson që qeveria e ardhshme e Kosovës të ketë një bazë sa më të gjerë dhe se do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë. Kolegu ynë Burim Goxhuli foli me zotin Engel në Nju Jork.

Zoti Engel thotë se është skeptik për idenë e ndryshimit të kufijve, pasi nuk do të ndalte me Kosovën.

“Kjo do të shkaktonte një reagim zinxhir që unë mendoj se nuk do të ishte pozitiv. Ne i dimë parametrat për Kosovën. Unë mendoj se ndryshimi i kufijve do të ishte një ide e gabuar. Mendoj se kjo nuk do të ishte një gjë e mençur”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Zoti Engel tha se shpreson që qeveria e Kosovës të ketë një bazë sa më të gjerë, në mënyrë që të ketë më shumë njerëz të përfshirë në koalicion për trajtimin e sfidave, pasi vendi përballet me disa probleme.

“Serbia po bën përpjekje të forta për të deligjitimuar Kosovën. Ajo po përpiqet të bindë vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të tërheqin njohjet. Ne po luftojmë kundër këtyre përpjekjeve. Kështu që sa më i bashkuar të jetë vendi aq më mirë do të jetë për vendin”, tha ai.

Kongresmeni nga Nju Jorku, nuk pranoi të komentonte lidhur me Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, pasi tha se nuk komenton për kandidatët për kryeministër në vende të tjera.

“Por më lejoni të them se kam besim se Shtetet e Bashkuara, me nxitjen time si kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, do të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të ngushta me kombin shqiptar, me popullin shqiptar dhe me njerëzit në Kosovë. Dhe sigurisht që unë jam i gatshëm të ndihmoj në çfarëdo mënyre që mundem, kështu që kushdo që zgjidhet, zoti Kurti apo dikush tjetër, unë do të ofroj ndihmën time”, tha ai.

Duke folur për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ai solli si shembull rastin e vëllezërve Bytyçi, për premtimet që ai ka bërë dhe nuk i ka mbajtur, duke thënë se nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.

Zoti Engel nuk iu përgjigj direkt një pyetjeje për rolin e të dërguarve të posaçëm për Ballkanin dhe bisedimet Kosovë-Serbi, Matthew Palmer dhe Richard Grenell, por tha se në çdo dialog që ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës, duhet të ketë zë populli i Kosovës.

“Të gjitha këto gjëra të tjera që po përpiqen të bëjnë me Shqipërinë, Serbinë, nëse nuk përfshihet Kosova, nuk do të jetë një vendim i drejtë. Kështuqë mendoj se duhet të merret vendimi i popullit të Kosovës për gjithçka.”

Dhe sipas tij, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin një rol më aktiv.

“Si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, si mbështetës i fortë i Kosovës dhe Shqipërisë unë do të bëj gjithçka që mundem për ta realizuar këtë dhe për çfarëdo të kenë nevojë zyrtarët e zgjedhur të Kosovës dhe Shqipërisë, unë gjithmonë jam i gatshëm të ndihmoj.”

Zoti Engel shprehu gjithashtu shqetësimin për valën e të rinjve që nuk gjejnë punë në Kosovë dhe Shqipëri dhe lënë vendin e tyre.

Gjermania financon shkollimin e imamëve në këtë vend

imamiGjermania ka vendosur të financojë vetë shkollimin e imamëve që punojnë në këtë vend, për shkak të influencës tepër të madhe të vendeve të tjera, në radhë të parë të Turqisë. Projekti fillon së shpejti.

Qeveria në Berlin ka menduar gjatë se çfarë të bëjë, kur bëhet fjalë për influencën e jashtme në shkollimin e imamëve të cilët punojnë në Gjermani. Rezultati i këtyre mendimeve është themelimi i Asociacionit për çështje të shkollimit të imamëve nga Ministria e Punëve të Brendshme e Gjermanisë, e cila duhet të fillojë punën me 21 nëntor. Ndonëse ka organizata myslimane në Gjermani i shkollojnë vetë imamët për nevojat e tyre, shumica e imamëve në këtë vend është e lidhur me organizatën DITIB (Unioni Islam për Çështje Fetare). Ndaj kjo organizatë ka influencë të madhe tek imamët. Nga rreth 4,5 myslimanë sa jetojnë në Gjermani, rreth 3 milionë janë me origjinë turke.

Financimi

Pikërisht kjo influencë e madhe ka nxitur autoritetet gjermane që të ndërmarrin këtë hap kaq të guximshtëm, thotë për Deutsche Wellen përfaqësuesja e ekologjistëve, Filiz Polat, duke shtuar se partia e saj, Të gjelbërit, ka kohë që e ka kërkuar këtë masë.

DITIB është organizata më e madhe e myslimanëve në Gjermani, e ndërlidhur me rreth 900 xhami. Imamët e kësaj organizate shkollohen dhe financohen në Turqi, e prej atje dërgohen për shërbim në Gjermani. Pengesat në njohjen e gjuhës, dallimet kulturore dhe luajaliteti ndaj qeverisë turke kanë bërë që qeveria gjermane të merret kaq intensivisht me këtë çështje. Një nga pengesat më të mëdha ka qenë sigurimi i mjeteve financiare. Tani qeveria ka vendosur që të financojë vetë këtë shkollim. Deputetja Filiz Polat thotë për DW se Ministria e Brendshme ka konfirmuar gatishmërinë për financim.

Neutraliteti

Një nga organizatat që do të merret me shkollimin e imamëve do të jetë Këshilli Qendror i Myslimanëve në Gjermani (ZMD), thotë kryetari i kësaj organizate Aiman ​​Mazyek. “Nuk mund të ankohemi gjithmonë për shkak të imamëve nga jashtë”, thotë ai për DW. Themelimi i kësaj organizate është një hap pozitiv, i cili “është dashur të bëhet para shumë dekadave”, mendon Mazyek.

Kushtetuta gjermane parashikon që shteti të mos përzihet në çështjet e bashkësive fetare. Por deputetja e ekologjistëve Polat thotë, se neutralitetit i shtetit sigurohet me formimin e një organizate të pavarur. Selia e kësaj organizate do të jetë në Saksoni të Poshtme. “Edhe Seminari për punën e rabinëve në Potsdam është financuar me paratë e shtetit dhe kjo strategji ka dhënë rezultatet e duhura”, pohon deputetja e Partisë ekologjiste. Këtu mendohet në mbështetjen nga shteti të kolegjit Abraham Geiger. Polat mendon se kjo është në përputhje me Kushtetutën.

Hapja e dyerve

Teologjia islame për momentin mësohet vetëm në shkollat e larta në Münster, Tübingen, Osnabrück, Giessen dhe Erlangen-Nüremberg. Universiteti Humbold në Berlin ka hapur në tetor të këtij viti Institutin Teologjik Islam. Por studentët e teologjisë nuk mund të punojnë si imamë në Gjermani. Në këto institute nuk mësohet leximi i Kuranit, mënyra e lutjeve dhe punët praktike. Nëse një student do të bëhet imam, më pas ai duhet të ketë edhe një përgatitje të veçantë praktike.

Në planet më të reja parashikohet të zgjidhet edhe ky problem. Ekspertët e fesë islame thonë se teologjia do të jetë pjesë e kësaj përgatitjeje. Ndërsa autoritetet parashikojnë edhe masat për funksionimin e modelit dhe shkollimin e duhur të imamëve në Gjermani. Profesori Rauf Ceylan nga Universiteti në Osnabrück e sheh këtë si një hap të mirë për “hapjen e dyerve”. Por ai paralajmëron se ky është vetëm fillimi dhe se nuk duhet pritur tepër. „Me rëndësi është të fillohet, ndërsa me kohë ky projekt do të pranohet”, pohon profesori Rauf Ceylan.

Propozimet franceze – Reformim apo fund i zgjerimit të BE?

ALB BENë tetor presidenti francez, Macron u kritikua shumë, kur bllokoi çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Tani nga Parisi vijnë propozime të reja – gjithçka sa për të larë gojën?

Me një “non-paper” – dokumentin gjashtëfaqësh, një propozim jozyrtar i Francës për reformimin e procesit të zgjerimit të BE, diplomacia franceze përpiqet të zbusë një pjesë të zemërimit, me të cilin u përplas presidenti francez, Emmanuel Macron në tetor. Në samitin e BE-së në Bruksel ai bllokoi çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut e me këtë hap ai iu fut qartësisht rrugës së konfrontimit me pjesën tjetër të BE, veçanërisht me Angela Merkelin, dhe presidenten e emëruar të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Shtatë pikërëndesa në vend të 35 kapitujve

Me orë u grindën krerët e qeverive dhe shteteve të BE në samitin e tetorit, nëse duhet të hapeshin negociatat për të dyja vendet kandidate. Në fund Macron mbeti i izoluar, por nuk u dorëzua. Presidentja e emëruar e KE, von der Leyen vetëm pak më vonë në një vizitë në Paris u shpreh: “Ne duhet të mbajmë fjalën dhe të hapim bisedimet e anëtarësimit.” Një qëndrim i njëjtë me atë të Berlinit, ku pranimi i vendeve të BE shihet si një qëllim i rëndësishëm strategjik.

Tani Parisi ofron propozime reformimi, të cilat presidenti i kishte vënë si kusht që të ndizej sërish motori i zgjerimit të BE. Propozime mjaft të detajuara. Në vend të 35 kapitujve për tematika të ndryshme të anëtarësimit, duhet në të ardhmen të krijohen pikërëndesa, që trajtohen njëra pas tjetrës, thuhet në dokumentin francez.

Kapitulli I do të përfshinte të drejtat bazë dhe shtetin ligjor, kapitulli II arsimin dhe shkencën, kapitulli III punësimin dhe sistemin social, e kështu me radhë. Nëse njëri nga këta kapituj përmbyllet me sukses, BE do t’i ofrojë vendit përkatës qasje në institucionet e saj -si për shembull si fillim qasje në Eurojust, institucionin për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, më pas do të hapej rruga e hyrjes në programin Erasmus, e nëse kushtet për tregun e brendshëm janë plotësuar, do të mund të livrohen edhe ndihmat e para strukturore për vendin kandidat.

“Kriteret për progresin nga një kapitull në tjetrin duhet të përcaktohen saktësisht dhe të sigurohet verifikimi i vazhdueshëm i zbatimit të tyre”, shkruhet në formë rigoroze. Përveç kësaj duhet siguruar që procedura e anëtarësimit është e rikthyeshme, nëse një vend nga ana politike bën hapa prapa. Shpresa e vetme në dokumentin francez është deklarata që “Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia e Mali i Zi janë pjesë e Europës si nga ana kulturore dhe gjeografike.”

E kanë francezët seriozisht me Ballkanin?

Diplomatët e BE kanë reaguar pjesërisht ashpër, dhe vënë thelbësisht në pikëpyetje vullnetin e francezëve për të pranuar vende të tjera në BE. Përveç kësaj në dokumentin francez, kërkohet jo vetëm reformimi i procesit të anëtarësimit, por i gjithë BE. Kjo tregon vetëm, se francezët nuk e kanë shumë seriozisht me Ballkanin, sipas tyre.

Për Gjermaninë, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas e bëri shumë të qartë në vizitën e tij në Shkup javën e kaluar, se ka një mospajtim me Francën. Shtyrjen e sërishme të çeljes së bisedimeve të anëtarësimit, ai e quajti “gabimin më të madh të BE” në kohët e fundit. Edhe njëherë Maas ka theksuar, se integrimi i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në Europë.

Edhe kreu i Këshillit të BE në largim, Donald Tusk para largimit u shpreh qartë për francezët. Duke bërë alegori për intervistën e Macron në “Economist”, ku presidenti francez kërkoi një politikë të re ndaj Rusisë, Tusk deklaroi shumë hapur. “Rusia nuk është partneri ynë strategjik, por problemi ynë strategjik.”

Edhe nga Parlamenti Europian vijnë kundërshtime. Për socialdemokratët gjermanë, Katarina Barley tha: “Është e rëndësishme që ne të mos i thyejmë premtimet ndaj vendeve kandidate. Prandaj është e papranueshme që të përdorësh si justifikim reformimin e procesit të zgjerimit, për t’i refuzuar bisedimet e anëtarësimit vendeve si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, që pjesërisht kanë bërë reforma shumë të thella.”

Pavarësisht kësaj, mund të flasim për rirregullimin e procesit të anëtarësimit. Në këtë pikë propozimet e Macron përmbajnë “pika të diskutueshme, si për shembull përcaktimin më të qartë të stadeve të anëtarësimit.” Por në këtë pikë diplomatët europianë shtrojnë pyetjen, nëse kandidatët që në fillim duhet të kapërcejnë pengesën më të lartë, pra zbatimin e plotë të standarteve europiane, në drejtim të shtetit ligjor, siç e kërkojnë francezët.

Politikisht zgjerimi bën hapa prapa

Në raundin e parë të madh të zgjerimit të BE, para 15 vjetësh, ishte Franca ajo që kërkonte, që edhe Rumania dhe Bullgaria të bëhen sa më shpejt pjesë e BE-së. Ishin vende të tjera ato që kishin rezerva në atë kohë, kujton Erwan Fouere nga instituti “Centre for European Policy Studies” në Bruksel. Vetëm pasi më vonë u pa, se tek të dyja vendet u bënë hapa prapa në drejtim të shtetit ligjor dhe korrupsionit, ndërroi edhe qëndrimi i oponionit publik. Fouere beson, se Macron ka në mendje sidomos zgjedhjet lokale në Francë në pranverën e ardhshme.

Megjithatë eksperti i BE shikon disa pika pozitive në propozimet franceze, veçanërisht ku bëhet fjalë për të mundësuar ndihma nga fondet strukturore për vendet kandidate që para anëtarësimit. Disa nga këto propozime franceze janë të zbatueshme brenda rregullave ekzistuese, ato mund të trajtohen shpejt. Fouere është i mendimit, se edhe pa kërkesat franceze duhet bërë një mbikqyrje më e fortë për hapat reformuesve të vendeve kandidate, kjo është e rëndësishme për shkak të besueshmërisë për zgjerimin brenda vendeve anëtare.

Por ndryshimet kryesore të nevojshme do të zgjasin deri në mars, shton eksperti nga Brukseli, vetëm se nuk dihet, nëse Macron do ta ndryshojë mendimin pas zgjedhjeve lokale e do t’u hapë rrugën vendeve kandidate. Për këto vende është jomotivuese, kur hapat e reformave që bëjnë ato nuk shpërblehen. E vende të tjera si Kina, Rusia, apo Turqia janë gati për t’i ofruar mbështetje dhe miqësi vendeve të Ballkanit.

Tani për tani propozimet franceze janë në tryezën e ministrave të Jashtëm e të Europës në Bruksel. Ata diskutojnë të martën (19.11.) mbi procesin e zgjerimit të BE.

dw

SAOSH: Administrata gjyqësore doli në protesta për ta rritur pagën e gjykatësve

“Administrata gjyqësore ka dalë në protestë një orë e gjysmë që ta rrisë pagën edhe ashtu të madhe të gjykatësve. Administratës gjyqësore në regjinë e AOGJSH-së vetëm e verifikon atë që fela gjyqësore edhe e donte, barazi e përqindjeve të shtesave të pagës”.

Kështu theksojnë nga Sindikata e Administratës dhe Organeve Shtetërore të Maqedonisë (SAOSH), në lidhje me protestat e sotme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ata konsiderojnë se “me këtë hap po bëhet padrejtësi e madhe dhe do të sjellë deri në pabarazi të shprehur edhe ashtu të dallimit të madh në të ardhurat do të bëhet edhe më e madhe”.

“Sepse të ardhurat e gjykatësve janë shumë më të mëdha nga të punësuarit në administratën gjyqësore, shtesa e gjykatësve për rrezik tani është 7.000 denarë, ndërsa të nëpunësve gjyqësorë 1.500 denarë, ndërsa paramendoni AOGJSH do të krijojë barazi të dëmit të të punësuarve në gjykata”, thonë nga SAOSH-i dhe potencojnë se shtesat e pagës duhet të jenë me vlera të njëjta reale, sepse ato nuk janë paga./Telegrafi/

Kushtetuesja, parlamenti: Dekreti i Metës është nul

parlamentiNë Shqipëri parlamenti miratoi sot një rezolutë sipas së cilës dekreti me anë të të cilit presidenti Ilir Meta ka emëruar ai anëtare në Gjykatën Kushtetuesa zonjën Marsida Xhaferllari “është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”. Zoti Meta e emëroi zonjën Xhaferllari, pasi kishte kaluar afati 30 ditor që ligji për Gjykatën Kushtetuese ja njeh atij si afat brenda së cilit mund të zgjedhë një nga 3 kandidatët e renditur të parët në listën që i dërgohet nga Këshilli i Emrimeve në Drejtësi (KED).

Sipas rezolutës së parlamentit, presidenti “ka shkelur njëkohësisht jo vetëm afatin prekluziv brenda të cilit duhej të emëronte gjyqtarin kushtetues, por ka emëruar si gjyqtar një kandidat që është listuar në vendin e katërt sipas vendimit të KED-së. Presidenti ka marrë në mënyrë abuzive kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është i vetmi organ që ka kompetencën e renditjes së kandidatëve sipas Kushtetutës dhe ligjit”.

Rezoluta vlerëson se “duke vepruar në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të ligjit dhe në mungesë të kompetencës, Presidenti ka kryer një akt të paprecedent duke tentuar të pezullojë një proces kushtetues me procedura ligjore administrative. Presidenti ka tentuar të bllokojë emërimin/zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që sjell zvarritjen e rifillimit të funksionimit të kësaj Gjykate. Për më tepër, ky veprim synon të ndikojë në cënimin e pavarësisë së këtij institucioni, nëpërmjet ndërhyrjeve antikushtetuese në procedurat e emërimit të gjyqtarëve të kësaj Gjykate”.

Me anë të rezolutës, parlamenti i bën thirrje Gjykatës Kushtetues të mos e zbatojnë “dekretin nul të presidentit” si dhe që të mundësojë fillimin e detyrës, për zonjën Arta Vorpsi, e cila sipas vendimit të KED-së botuar në Fletoren Zyrtare, është emëruar automatikisht duke qenë e renditura e para në listën dërguar presidentit.

Në ndërhyrje e tij në seancën e sotme të jashtëzakonmshme të parlamentit, kryeministri Edi Rama u shpreh me ton të forta ndaj Kreut të shtetit. “Asnjë vendi nuk mund t’i bie taksirati të ketë një president si Ilir Meta, dhe duhen marrë masa ligjore kushtetuese, për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti brutal të atij që zyrën e presidentit e ka kthyer në zyrë për të shantazhuar parlamentin, ndërkombëtarët, popullin shqiptar”, deklaroi zoti Rama.

Po me tone të ashpra foli dhe presidenti Meta në një prononcim për gazetarët, ndërsa kishte nisur në parlament seanca e jashtëzakonshme. “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ka vetëm një garant të padiskutueshëm dhe të pacenueshëm në integritetin e vet, qëështë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë! Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura! Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë! Do të jetë detyrë e Presidentit të Shqipërisë dhe e popullit të Shqipërisë që t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore dhe të gjithë shërbëtorëve e skllevërve të tyre, kudo ku janë”, deklaroi zoti Meta.

BE, thirrje për zgjidhjen e konfliktit të interpretimit mbi Gjykatën Kushtetuese

Komisioni evropianBashkimi Evropian u bëri thirrje të gjitha institucioneve shqiptare të përfshira që konflikti i interpretimit mbi përbërjen e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhet sa më shpejt dhe të qartësohet kjo çështje.

Reagimi erdhi përmes zëdhënëses së Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic, e cila i tha Zërit të Amerikës se Shqipëria ka nevojë për ngritjen e një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Zonja Kocijancic tha se zgiidhja e kësaj çështjeje është thelbësore për popullin shqiptar dhe për efektivitetin e shtetit ligjor në Shqipëri, si edhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE.

voa

Shipoli: Ballkani të jetë i kujdesshëm me Turqinë

ShipolliAnalisti i çështjeve të Ballkanit në Uashington, Erdoan Shipoli, thotë se Turqia është një aktore e rëndësishme në Ballkanin perëndimor, por këto vende duhet të kenë kujdes nga sistemet paralele që ajo përpiqet të krijojë atje. Në një intervistë me kolegun Ilir Ikonomi, zoti Shipoli flet edhe për vizitën e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Shtetet e Bashkuara dhe çështje të tjera.

Zëri i Amerikës: Është e qartë se në marrëdhëniet Amerikë-Turqi janë shfaqur tashmë probleme të shumta, që nga ato ushtarake e deri tek të drejtat e njeriut. A prisni që vizita e Presidentit Erdogan në Uashington t’i përmirësojë marrëdhëniet?

Erdoan Shipoli: Vizita e Presidentit turk në Uashington ka ardhur në një kohë shumë të veçantë në lidhjet mes Turqisë dhe Amerikës. Sot në Kongres janë duke diskutuar për sanksione ose për një deklaratë kundër Turqisë dhe operacionit turk në Siri. Por gjithashtu dihet që Turqia me strategjitë e fundit, përmirësimin e lidhjeve me Rusinë ose edhe të gjitha problemet me Bashkimin Europian, këto kanë qenë të dëmshme në lidhjet mes Turqisë dhe Amerikës. Kështu që, unë nuk pres shumë nga kjo vizitë. Kjo vizitë është si një karrotë që Presidenti amerikan i ka dhënë Presidentit turk për përmirësimin e lidhjeve, sepse këtë vizitë vetëm Erdogani do të mund ta përdorë dhe ta shesë në Turqi si një rezultat që “unë shkoj në Amerikë, kam lidhje të mira me Presidentin amerikan edhe pse Kongresi po më nxjerr probleme”.

Zëri i Amerikës: Nga një pikëpamje gjeostrategjike, si i shpjegoni hapat e Turqisë për t’u afruar me Rusinë dhe për të krijuar të çara në marrëdhëniet me NATO-n?

Erdoan Shipoli: NATO-ja sipas meje është aleanca më e rëndësishme në Turqi, në të gjithë historinë e Turqisë. Por, ne duhet edhe ta dimë që Turqia si shtet, strategjia shtetërore e sigurisë, e regjimit turk të Presidentit Erdogan, ndonjëherë nuk janë të njëjta. Domethënë, Erdogani ka menduar që mund të luajë lojë të dyfishtë edhe me Rusinë, edhe me NATO-n ose Amerikën, dhe është munduar t’i përdorë të dyja kundër njëra-tjetrës. Dhe për këtë, regjimi i Erdoganit është afruar aq shumë me Rusinë sa e ka të pamundur tani të shkëputet prej saj. Kjo do të sjellë më shumë përçarje në NATO. Është e rëndësishme që edhe shtetet aleate të NATO-s, edhe Bashkimi Evropian, por edhe Amerika në bisedimet bilaterale t’i tregojnë Turqisë se deri kur ata munden të presin, ose deri kur mundet që Turqia të vazhdojë me këtë politikë.

Zëri i Amerikës: Ka vite që zoti Erdogan përpiqet të rrisë ndikimin e Turqisë në Ballkan. Sa sukses ka patur ai në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje dhe çfarë natyre ka ndikimi që ai përpiqet të arrijë?

Erdoan Shipoli: Turqia është aktor shumë i rëndësishëm në Ballkan, edhe historikisht, edhe tani. Dmth është ndër vendet më të mëdha, me ekonominë më të madhe në rajon. Por, Turqinë e bën më të rëndësishëm aleanca me NATO-n, rrugëtimi i saj në Bashkimin Evropian, lidhjet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara. Sa kohë që Turqia t’i vazhdojë këto lidhje ose ta ketë politikën e zhvillimit të marrëdhënieve drejt Bashkimit Evropian, atëherë ajo është shumë më e rëndësishme për Ballkanin. Por, nëse në një rrugë të përbashkët drejt Bashkimit Evropian, edhe pse BE-ja jo gjithmonë e pranon që ne të Ballkanit e kemi vendin aty, nëse dikush prej atyre partnerëve që ecin bashkë, e kthen destinacionin nga Rusia, nga Lindja e Mesme, ose nga Euroazia, atëherë ky partner jo vetëm që nuk është më partner i yni, por është edhe partner i rrezikshëm. Dmth, Turqia në Ballkan e ka rritur ndikimin. Ka pasur gjithmonë ndikim, por sidomos në Ballkan ne duhet t’i ndajmë shtetin e Turqisë, si Turqi, dhe regjimin. Të gjitha shtetet në Ballkan, sidomos Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja-Hercegovina duhet të kenë marrëdhënie të mira me Turqinë, por duhet të kemi gjithashtu kujdes me sistemet paralele që nuk kanë lidhje me punën e Turqisë që regjimi i Erdoganit i sjell me mënyra të ndryshme, përmes ekonomisë, energjisë, partive politike, organizatave të ndryshme që ata financojnë etj.

Zëri i Amerikës: Fakti që Bashkimi Evropian po tregon një humbje të entuziazmit për të shpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor, a është ky një shans për zotin Erdogan që të shtojë përpjekjet drejt këtyre vendeve?

Erdoan Shipoli: Për fat të keq po. Por jo vetëm për Presidentin Erdogan, por edhe një shans për Rusinë, ose për vende të tjera. Sidoqë të jetë, ne si popuj, sidomos shqiptarët në Ballkan, nuk duhet të heqim dorë nga integrimet evropiane, euro-atlantike, sepse nuk kemi opsione më të mira dhe nuk ka opsione të ndryshme. Kur vjen puna e Turqisë, po, ata e përdorin këtë, e përdorin edhe rritjen e islamofobisë në Evropë. I përdorin edhe të gjitha problemet e brendshme që ka Evropa, ose problemet që ne kemi për shkak të ngecjeve në integrimet evropiane, ose p.sh. siç shihet në Kosovë për liberalizimin e vizave. Një kosovar, për shembull, e ka shumë më të lehtë të shkojë në Turqi se sa në Greqi, në Itali, apo gjetiu në Evropë.

Zëri i Amerikës: Në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, çfarë prirjesh shihni ju, sa të gatshme kanë qenë ato për të lejuar një ndikim më të madh të Turqisë në vendet e tyre?

Erdoan Shipoli: Nëse analizojmë se si punon regjimi në Turqi, atëherë shohim që ata së pari hyjnë në një vend me mjete ekonomike. Pastaj, ata dëshirojnë të marrin disa sektorë që janë të rëndësishëm në ato shtete, p.sh. sektorin e energjisë, telefoninë, bankat, por pastaj hyjnë në arsim, ose në punët fetare. Unë sidomos i shoh shumë të rrezikshme prirjet e regjimit turk që në Kosovë dhe në Shqipëri të influencojnë sistemin arsimor dhe sistemin fetar.

Zëri i Amerikës: Po këto vende, qeveritë e këtyre vendeve, sa të gatshme kanë qenë për t’i lejuar prirjet e Turqisë?

Erdoan Shipoli: Unë mendoj se kanë lejuar pak më shumë se ç’iu duhet. Dhe do të ketë shumë më tepër presion, që të lejojnë më shumë. Vetëm duhet me qenë shumë të kujdesshëm. Së fundi, siç e shohim në Maqedoninë e Veriut, ose në Bosnjë-Hercegovinë, regjimi në Turqi financon parti politike. Në Kosovë dhe në Shqipëri, qeveritë ende nuk kanë lejuar diçka të tillë. Megjithatë, ky do të jetë qëllimi i tyre i ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Zyrtarët e SHBA kanë thënë se e mirëpresin rolin e Turqisë në Ballkanin Perëndimor, nëse ai është një rol konstruktiv. Turqia ka investuar në infrastrukturën e disa prej këtyre vendeve dhe ka ndërtuar apo rindërtuar disa xhami. Sa konstruktiv mendoni se ka qenë ky rol?

Erdoan Shipoli: Unë mendoj që roli i Turqisë deri tani, historikisht, ka qenë shumë i mirë, shumë konstruktiv. Unë kam qenë ndër avokatët e tyre që mendoj se Ballkani Perëndimor duhet të ketë lidhje më të mira me Turqinë. Por, ne atëherë flisnim për një Turqi që ka destinacion Bashkimin Evropian, integrimin në BE, dhe që është aleate e çmueshme e Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar…

Erdoan Shipoli: Ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar totalisht. P.sh. çështja e financimit të xhamive. Njerëzit në Shqipëri dhe në Kosovë që janë fetarë, janë fetarë. Shumica nuk janë praktikantë. Nëse ka nevojë të bëhet një xhami, të bëhet. Nuk ka problem. Derisa ato të jenë nën kontrollin e mekanizmave në shtetet përkatëse. Por, siç e shohim në Gjermani, në Hollandë, në Danimarkë, këto shtete kanë hapur hetime kundër imamëve që janë dërguar nga Turqia, sepse ata kanë bërë punë inteligjence, dmth kanë mbledhur të dhëna për njerëzit që janë kundërshtarë, ose kritikë, të regjimit në Turqi. Nëse këto gjëra do të ndodhin në Kosovë dhe në Shqipëri, atëherë do të ketë një efekt negativ, jo vetëm për kritikët e Erdoganit, siç ka ndodhur në Kosovë, por edhe për të gjithë shtetin e Kosovës ose Shqipërisë. Për ne si shtete që duam të integrohemi në Bashkimin Evropian, që ndihemi mirë se kemi mbrojtur të drejtat e njeriut, kemi luftuar për të drejtat e njeriut, atëherë operacione si ato që kanë ndodhur në Kosovë, ose operacione inteligjence që imamët turq kanë kryer në Gjermani, Hollandë, apo Danimarkë do të jenë shumë negative për neve.

Zëri i Amerikës: Disa nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë mbajtur marrëdhënie speciale me Presidentin Erdogan, mes tyre është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. A shihni një përpjekje të zotit Erdogan për t’i kthyer këta udhëheqës në njerëz të bindur që u shërbejnë interesave të tij në këto vende?

Erdoan Shipoli: Nëse analizojmë historinë e Erdoganit, ai ka patur marrëdhënie personale me njerëz të ndryshëm, që sot i quan terroristë apo njerëz kundër Turqisë. Pra, ai përpiqet të krijojë relata shumë personale dhe të mira me ata që ai mendon se mund t’i përdorë, apo që mund të jenë në interes të tij. Por kjo do të ishte diçka shumë negative për Shqipërinë, jo vetëm për zotin Edi Rama por edhe për presidentët e shteteve të tjera, si Presidenti Thaçi, Izetbegoviçin në Bosnje, të cilët kanë marrëdhënie personale. Unë do të dëshiroja që këto të ishin marrëdhënie shtetërore, sepse dy shtete duhet të bashkëpunojnë. Por kur vjen puna te marrëdhëniet personale, aty nisin konsipiracionet që nesër mund të jenë problematike për shtetin dhe për popullin që ata qeverisin.

Zëri i Amerikës: Një rast mjaft i debatuar ka qenë memoriali turk i ngritur në Tiranë për grushtin e shtetit në Turqi, që habiti mjaft njerëz për nga fshehtësia me të cilën u bë. Ju si e shihni?

Erdoan Shipoli: Unë nuk habitem nga fshehtësia, sepse Turqia aktualisht bën veprime të tilla të fshehta kudo në botë. Unë habitem se si është lejuar diçka e tillë. Deri më sot, askush nuk mund të thotë se kush e bëri grushtshtetin në Turqi. Ka konspiracione dhe hetime të ndryshme. Nëse nesër del se ka qenë një grushtshtet për show, atëherë çfarë duhet të bëjmë? Ç’duhet të bëjmë me memorialin? A duhet ta heqim atë? Ky memorial nuk ka të bëjë fare me njerëzit që humbën jetën. Ai është një memorial politik, që Erdogani e përdor për konsum vendor. Edhe në rastin e rrëmbimit të gulenistëve në Kosovë, kjo u përdor për konsum të brendshëm. Për shembull, zëdhënësit e presidencës së Turqisë apo njerëzit e Erdoganit, dalin çdo ditë nëpër televizione ku thonë: Ne jemi shtet i fortë sepse më shumë se 100 kritikë të regjimit me operacion të paparë i kemi sjellë në Turqi nga vende të ndryshme.

Zëri i Amerikës: Një pjesë e komunitetit mysliman në Shqipëri dhe Kosovë e shohin Presidentin Erdogan si mbrojtës të myslimanëve. A është ky një rol që vetë zoti Erdogan përpiqet ta promovojë? A është kjo një politikë e tij?

Erdoan Shipoli: Është shumë interesante. Erdogani promovon çdo gjë që është në interesin e tij. Nëse e shikon me interes që të promovojë veten si udhëheqës i myslimanëve, ai e bën këtë edhe këtu në Amerikë me organizata të ndryshme islamike. Nëse e sheh me interes ta promovojë veten si demokrat, siç bëri në 10 vitet e para të qeverisjes së tij, ai e bën edhe këtë. Erdogani është islamist dhe e sheh veten si njeriu i vetëm i drejtë kur vjen puna te marrëdhëniet me Islamin. Ai nuk e ka problem të jetë udhëheqës i myslimanëve, por i myslimanëve që e mbështesin atë. Sepse edhe kurdët që po vriten në Siri janë myslimanë, Guleni gjithashtu është mysliman.